Ai njihet si
aktori më i famshëm ndër shqiptarët. Luajti në të gjithë hapësirën e
ish-Jugosllavisë dhe u hodh në Evropë ku më së shumti bëri epokë në kinemanë
italiane. Por jo vetëm kaq. Ai, si rrallëkush nga shqiptarët, arriti deri në
Hollivudin e largët e skeptik
Nga Leonard
Veizi
Si në një film
triller ku do të kishte rolin e fundit si aktor, ai u gjet i vdekur në
apartamentin e tij. Ishte 15 qershor 2010. Pasmesditë. Beogradi zyrtar, qytet
në të cilin kishte rezidencën, njoftoi se ishte një vetëvrasje.
Ajo që e gjeti
shtrirë mbi çarçafët e bardhë, një peshqir në kokë dhe gjakun që i dilte nga
tëmthi, ishte bashkëshortja, e cila, sapo kishte hyrë në banesën e tyre të
përbashkët, ishte përballur me skenën tragjike. Askush nuk e pa të tërhiqte
këmbëzën.
Por askush nuk
ngriti teza për një vdekje enigmë a një komplot brenda saj. Sepse një testament
që iu gjend aty pranë, shkruar me dorën e tij, vërtetonte atë çfarë kishte
ndodhur. Pistoleta që shtrëngonte në dorë ishte regjistruar me emrin e tij. Dhe
kaq duhej që çështja të konsiderohej e mbyllur.
Ishte 74 vjeç dhe
quhej Bekim Fehmiu….
…Uliksi i tij
është ndoshta më i miri ndër Uliksët e tjerë që bota e kinemasë ka prodhuar. 8
seri televizive me ngjyra, aventura gjithfarësh, ku një grup luftëtarësh që
ktheheshin nga Lufta e Trojës për në atdheun e tyre, lundronin nëpër dallgët e
Mesdheut. Dhe ai në qendër të gjithçkaje. Për një rastësi të çuditshme, Radio
Televizioni Italian, që ishte prodhuesi i filmit “Odisea”, kishte bërë bashkë
në rolet kryesore Irene Papas si Penelopa, një aktore greke me origjinë
arvanitase dhe Bekim Fehmiun, një aktor jugosllav, por gjithashtu shqiptar për
nga origjina. Dikush kishte shtruar pyetjen se mos ndoshta ata, të dy shqiptarë
në gjen, nuk bënin gjë tjetër veçse luanin vetveten, por në një kohë më të
largët?
Nuk ishte nevoja
të diskutohej më në këtë pikë, sepse polemikat kishin nisur dhe ai, Bekim
Fehmiu, edhe pse aktor klasi, do të përndiqej si shqiptar në qenie dhe me një
emër po të tillë.
Fama
Ai njihet si
aktori më i famshëm ndër shqiptarët. Luajti në të gjithë hapësirën e
ish-Jugosllavisë dhe u hodh në Evropë ku më së shumti bëri epokë në kinemanë
italiane. Por jo vetëm kaq. Ai, si rrallëkush nga shqiptarët, arriti deri në
Hollivudin e largët e skeptik.
U bë i famshëm me
filmin “Mbledhësit e puplave”, një realizim jugosllav i vitit 1967, ku flitej
për jetën e romëve të Vojvodinës. Ky film u konsiderua si kryevepër e
kinematografisë jugosllave, kurse aktrimi i Bekim Fehmiut u cilësua gjithashtu
brilant.
Elegant dhe plot
pasion, si aktor i një kalibri të veçantë, Bekim Fehmiu do të bashkëpunonte
ngushtë me emrat e njohur të kinemasë së viteve ‘70-‘80, si: John Houston, Ava
Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice
Bergen.
Por gjithsesi, në
Shqipërinë e izoluar, Bekim Fehmiu do të njihej gjerësisht edhe me një prodhim
tjetër televiziv italian që u realizua në vitin 1989: “Përgjithmonë Xhulja”.
Emri shqiptar
Dukej si diçka
rastësisht gabim kur Dino de Laurentis njëri prej regjisorëve të “Odisea”-s e
prezantoi Bekim Fehmiun në shtypin italian si aktor me origjinë greke. Por ky i
fundit nuk mund ta anashkalonte këtë “incident minor” dhe kërkoi të
përgënjeshtrohej “lapsusi”, përndryshe do të braktiste xhirimin e filmit.
Ky ishte një rast,
por jo i vetmi.
Shtypi spanjoll, e
kishte prezantuar aktorin shqiptar si jugosllav të amerikanizuar. Por edhe këtu
u desh ndërhyrja për t’u korrigjuar e thënë se Bekim Fehmiu ishte një shqiptar
nga Kosova.
Për më tej
producenti i njohur amerikan Louis Gilbert, i kishte kërkuar Bekim Fehmiut të
ndërronte emrin dhe origjinën përndryshe “Paramaunti” duhet të ndërronte
aktorin.
Kërcënimi ishte i
hapur. Por dukej që edhe ky presion nuk bënte për një tip si Bekim Fehmiu, i
cili ishte gati ta rrezikonte karrierën, por të mos hiqej ai që nuk ishte.
Ai ishte shqiptar
dhe kërkonte të ishte vetëm vetvetja, edhe pse në Kosovën e asaj kohe, martesa
e tij me një aktore serbe dhe jetesa në Beograd nuk shihej aspak me sy të mirë
nga nacionalistët e patundur.
Në librin e tij
autobiografik “Shkëlqimi e tmerri” Bekim Fehmiu shkruan: “Në Romë për xhirimet
e filmit “Aventurierët”, pas pesë javësh xhirimi, më thërrasin dhe më
urdhërojnë të ndërroj emrin. – Jo, – u them prerë. – Ky është emri im dhe unë
vetëm me këtë emër do të punoj, në qoftë se nuk pranoni ju, unë e prish
kontratën e filmit me ju…”
Në vitin 1987
Fehmiu në shenjë proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së
urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete
Playel. Ky do të ishte dhe fundi i karrierës së tij në Jugosllavi.
Ishte dhe mbeti
shqiptar natyrisht, në të gjithë kompleksitetin e tij.
Qershori i Bekimit
Qershori është
muaji i Bekim Fehmiut. Sepse ai lindi dhe vdiq në këtë muaj pranveror. U lind
më 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, por rridhte nga një
familje e njohur gjakovare. Bekim Fehmiu
e ka ndarë jetën mes Sarajevës ku lindi, Shkodrës ku kaloi disa vite të
fëmijërisë, por dhe Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit. Roli i tij i parë
ishte një shitës gazetash te filmi “Opstinsko dete” i realizuar në vitin 1953. Ndërsa i fundit
është ai i Gormond te “Cuore e la spada, II” një film televiziv që u realizua
në vitin 1998. Dhe mes këtyre dy skajeve Bekim Fehmiut i numërohen më shumë se
40 role në teatër dhe 50 role në kinema.
Vizitat në
Shqipëri
Në vitin 1972
Bekim Fehmiu vizitoi Shqipërinë. Ftesa i erdhi nga dy regjisorë shqiptarë, Piro
Milkani dhe Dhimitër Anagnosti, pasi ata e kishin takuar kolegun e tyre të
famshëm gjatë javës së filmit shqiptar në Beograd. Dhe ai nuk kishte se si ta
refuzonte një mundësi të tillë. Gjatë qëndrimit në Tiranë mori pjesë si i ftuar
në tribunën e kuqe, ku ndodhej edhe Enver Hoxha, të shihte parakalimin e klasës
punëtore në 1 maj. Vizitoi disa qytete mes të cilave Durrësin, Krujën dhe Shkodrën. Por me Shkodrën e lidhnin
kujtime të hershme. Në një fletë të muzeut të atëhershëm të Shkodërs, në datën
30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan: “Jam i lumtur që mbas tridhjetë
e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytetin ku kam kaluar vitet e para të
fëminisë s’ime, rrajët kishin qenë të thella dhe të pa shpërngulta… Bekim
Ibrahim Fehmiu… Shkodër më 30 Prill 1972”.
Vizita e dytë e
tij në Shqipëri ishte në vitin 2001, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë
Shqipërinë”, ku shoqërohej nga gruaja e tij serbe, Branka Petriç, dikur një
ish-shoqe e shkolle me të cilën kishte dy djem, Uliksin dhe Hedonin.
“Shkëlqimi e
tmerri” është libri i tij i botuar më vitin 2001, një udhëtim personal i
kujtimeve të jetës e krijimtarisë së tij artistike.
Epilogu
Aktori i famshëm
shqiptar kreu vetëvrasje në 15 qershor 2010, në banesën e tij në zonën Zvezdara
të Boegradit. Ndihej nën depresion, pasi punët me shëndetin nuk i kishte mirë,
pas një goditje cerebrale që kishte marrë në tru. Dhe meqenëse nuk donte të tërhiqej
zvarrë a të dergjej nëpër krevate spitalesh, zgjodhi të vdiste me dinjitet, por
nga dora e vet. Në testamentin e tij, kishte kërkuar të digjej në krematorium
dhe hiri të shpërndahej mbi lumin Lumbardhi të Prizrenit. Dhe kështu u bë.
No comments:
Post a Comment