Friday, March 13, 2020

Leonard Veizi: Jam i gatshëm ta braktis letërsinë


Bashkëbisedimi me gazetaren Rezarta Reçi, në emisionin radiofonik “Shtëpia e Miqve të Librit”

Rezarta Reçi dhe Leonard Veizi në studion e Radio Tirana


Hyrje
Në vitin e mbrapshtë 1997, nga shkurti apo marsi, nuk jam fort i qartë në kujtesë, veç di që ishte kohë trazirash e kallashi kërciste për qejf, shtëpia botuese “Toena” më lajmëroi që libri im me 5-së novela “Grahma e shpirtit të mjegullt” i futur ne proces që nga nëntori apo dhjetori i vitit 1996, ishte botuar. Në shtatorin e vitit 1997, pasi e kishte lexuar libri në fjalë, gazetarja fort e njohur në ato vite e Radio Tiranës, më ftoi në emisionin e saj. Realisht, duke mos pasur mundësi të tjera, Radio Tirana merrte të gjithë vëmendjen e mundshme të atyre që kërkonin informacion. Ndaj dhe ftesa për të qenë pjesë e një emision tepër të lakuar ishte suksesi im i dytë pas botimit të librit. Di që u futa serbes në studion e madhe të emisionit, dhe pas pyetjes së parë ku më duhej të flisja, më zyri paniku. Nuk dija çfarë të thosha. Shenjës së gazetares për të reaguar iu përgjigja me 2-3 sekonda vonesë. Nga mesi i emisionit u çlirova dhe në fundin e tij, 30 minuta më pas, kur emisioni u mbyll, përveç besimit që kisha fituar isha gati ti thosha moderatores: Kaq shpejt. Në daljen e librit të dytë Rezarta Reçi sërish më bëri surprizë një ftesë për intervistë në Radio Tirana. Dhe kaq përsa i takon mikrofonit të radios, sepse më pas do të isha pjesë e intervistave të vazhdueshme që gazetarja Reçi bënte çdo vit në Panairin e Librit. Por kulmi i suksesit të këtij bashkëpunimi erdhi në vitin 2015, ku pas daljes së romanit Lora, u bëra pjesë e emisionit fort të njohur kulturor, “Arratia e peshkut të kuq”. Më pas Rezarta Reçi u kthye sërish në Radio Tirana, duke marrë pas vetes dhe një potencial të madh personazhesh, që kanë qenë në vazhdimësi pjesë e emisioneve të saj radiofonike dhe televizive. Intervistën e parë, natyrisht e kam të regjistruar në një kasetë audio, por ende të pazbardhur. Për intervistën e fundit me Rezarta Reçin, në emisionin radiofonik “Shtëpia e Miqve të Librit”, vendosa kufjet në kokë dhe vendosa ta zbardh:

Nga emisioni "Arratia e peshkut të kuq"

Rezarta Reçi: - Në rubrikën profil kam zgjedhur shkrimtarin dhe gazetarin Leonard Veizi.
Mirë se erdhe në studio dhe faleminderit që je pjesë e Shtëpia e Miqve të Librit. Dhe në fakt nuk kishte si të mos ishe pjesë, sepse ne jemi njohur nëpërmjet dorëshkrimeve të librave. Është një kohë e gjatë. Është radioja që na ka bashkuar fillimisht dhe më pas dhe rrugëtimi i përbashkët në gazetari, por jo në shkrimtari. Kjo na ka bërë miq e kolegë. Kemi ndarë mendime, emocione, ankthin tënd të krijimit, ankthin tënd të promovimit, ankthin e botimeve e të tjera, e të tjera.
Leonard Veizi: - Domethënë daton 23 vite më parë, kemi bërë intervistën e parë bashkë, të parën interviste radiofonike, që ishte dhe e para elektronike do të thosha.

Rezarta Reçi: - Pas gjithë këtyre viteve të rrugëtimit tënd profesional në fushën e të shkruarit, - por si shkrimtar, jo në fushën e të shkruarit gazetarisë pasi publicistika është një fushë tjetër të cilën ti vazhdon ta lëvrosh me shumë profesionalizëm por dhe me shumë realizëm dhe optimizëm do të thosha njëkohësisht, - si ndihet shkrimtari Leonard Veizi?
Leonard Veizi: -Duke iu përgjigjur pyetjes suaj në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të thosha se pikërisht tani, pas shumë vitesh që jam ushtruar në krijimtari si shkrimtar dhe duke e pasur një ëndërr të madhe shkrimtarinë, pikërisht tani ndihem më bosh se kurrë dhe jam gati “ta braktis”.

Rezarta Reçi: - Pse kjo gjendje?
Leonard Veizi: -Krijimtaria ime ka ardhur vit pas viti duke u ngritur. Këtë nuk e them vetëm unë. Natyrisht edhe unë mund ta them, edhe e them madje, por e thotë dhe kritika. Pra kohë pas kohe dhe libër pas libri kam ngjitur shkallët. Nuk është se kam pasur zbritje. Ndoshta dhe hapa të vegjël por gjithsesi në ngjitje. Pikërisht kur mendova se kisha arritur pjekurinë time më të madhe, kuptova që tirazhet e librave kishin rënë në mënyrë të ndjeshme. Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të bëhesha milioner duke shitur libra, por ëndrra ime ka qenë gjithmonë që libri të shkojë te lexuesi. Prej disa vitesh, - sot akoma më e thellë është kriza, - libri nuk shkon tek lexuesi. Madje libri nuk shkon as në librari. Kjo jo vetëm që është e çuditshme por është dhe një paradoks i tmerrshëm.

Rezarta Reçi: - Në panaire shkon veç...
Leonard Veizi: - A, në panair? Po ç’është panairi?! Panairi është një treg. Por nëse libri nuk është në librari nuk ka më kuptim. Për kë shkruan? Mund të shkruash dhe për veten. Deri dje unë kam shkruar për veten. Sot nuk shkruaj më për vete.

Rezarta Reçi: - Dua ta hap këtë parantezë. Faktikisht i mbushur me emicione, me ndjesi, me ato planet krijuese, me ato skemat e krijimit në kokë, nuk e ndjen të nevojshme që ti duhet të shkruash, pavarësisht nëse botohet apo nuk botohet, nëse shitet apo nuk shitet libri?
Leonard Veizi: - E kam kanalizuar të gjithë energjinë time në gazetari. Edhe gazetarinë tanimë po bëhen 30 vite që po e lëvroj. Por duke qenë se i kam ngrënë kohë, duke u marrë me letërsisë, - apo kohën që ia hanin njëra-tjetrës, - shoh se kam një prodhimtari të suksesshme dhe shumë të lartë, aq sa po habitem me veten. Pra atë ndjesi që nuk e shkarkoj më në letërsi, - për momentin po them se braktisja nuk është krejtësore, pasi unë sërish do rikthehem, sepse dashuria ime për letërsinë do të iki vetëm me vdekjen them unë, - pra të gjithë energjinë e kam kaluar në gazetari dhe e ndjej veten në një formë shumë të mirë. Shkarkohem, të gjitha energjitë e mija i hedh aty dhe jam sërish “Ok”.

Rezarta Reçi: - Çfarë raporti ke me librat e tu kur i shikon të vendosur në bibliotekën tënde?
Leonard Veizi: - Më pëlqen fakti, që sidomos librat e fundit, - kjo që do them është idiotësi, - por dhe nga ana vizuale janë libra me nga 300 faqe. Pra duken libra voluminoze, libra që diçka thonë, edhe pse kjo mund të mos jetë e vërtetë. Megjithatë e ndjej veten mirë kur shoh që kam një “korpus”. Pra në “korpusin” tim letrar, tanimë janë dhjetë vepra, një pjesë e tyre janë romane dhe është një letërsi mjaft solide. Ndihem mirë kur i shikoj në bibliotekë. Ndihem mirë dhe kur i shikoj në librari, por kjo ndodh gjithmonë e më rrallë. Sepse librat e mi në të gjithë Shqipërinë mund të jetë në 2 – 3 librari nuk besojmë shumë.

Rezarta Reçi: - Dhe kjo të ka ligështuar dhe shqetësuar më shumë?
Leonard Veizi: - Në fillim shumë më shqetësoi dhe më ligështoi. Por kohë pas kohe, duke e pranuar pak nga pak, kam thënë: tek e fundit kjo është jeta. Njerëzit janë bërë rob të smartfonit. Në qoftë se unë edhe sot si gazetar, për t’iu referuar diçkaje hap Fjalorin Enciklopedik që kam në shtëpi, – sepse janë disa studiues me tituj Profesorë-Doktorë qe kanë hartues të tij dhe unë u besoj, – hap fjalorin për të marrë qoftë edhe një fjali të vetme. Nuk e ballafaqoj vetëm me google-n. Mirëpo njerëzit e kanë shumë më të thjeshtë sa të hapin fjalorin, apo sa të shkojnë të marr një libër në librari, e kanë shumë të thjeshtë të gugëllojnë, celularin e kanë gjithmonë me vete, dhe ,… mori fund. Vdiq kjo punë duam apo nuk duam ne.

Rezarta Reçi: - Me këtë situatë… faleminderit që ke pranuar të vish në emisionin Shtëpia e Miqve të Librit
Leonard Veizi: - Ne vazhdojmë të jemi miqtë e librit edhe në boshllëk.

Rezarta Reçi: - Unë po duke iu referuar google-s në celular, ju them të nderuar dëgjues se Leonard Veizi u lind në 29 gusht 1968 në Tiranë. Ka punuar dhe vazhdon të punojë si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. Të parin vëllim me novela, titulluar "Grahma e shpirtit të mjegullt", Veizi e ka botuar në vitin 1997, për të vijuar me përmbledhjet me tregime "Ngrehina e përhumbjes", "Treni i fundit i metrosë", "I dënuar me vdekjen" si dhe romanet "Surpriza e natës së fundit", "Rrëfimi", "I çmenduri i pavijonit 3", "Orgji në famullinë e at Ludovikut", "Lora" e "Rrënimi". Duhet thënë se krijimtaria e Leonard Veizit është pasqyruar edhe në shtypin e përditshëm, edhe në ekranet televizive dhe në intervista radiofonike  por është vlerësuar nga kritika.
Tani, kur ti përmend të gjithë këto tituj, pavarësisht se të shfaqen kopertinat e tyre..., në lidhje me mundimin krijues çfarë të vjen në mendje?
Leonard Veizi: - Më vjen në mend vetëm një fakt, që krijimtaria ime me e mirë, më begatë, ka shkuar në shumë pak duar lexuesish. Krijimtaria e para 20 viteve apo e para 15 viteve, – edhe ajo shumë e mirë dhe e begatë ka qenë pa dyshim, por nuk e ndjeja veten ende unë të paktën, të konsoliduar, - është shitur 3-4 herë më shumë se librat e fundit. Këtu ku kam pretenduar që: tani po, tani e meritoj suksesin, rashë në boshllëk. Domethënë nuk rashë unë, ra letërsia.

Rezarta Reçi: - Ra leximi...
Leonard Veizi: - Ra leximi në Shqipëri, duhet theksuar. Sepse në Itali nuk është kjo gjendje, në Gjermani jo e jo, sidomos në vendet e ulëta apo të beneluksit siç quhen ndryshe, ku edhe politikat shtetërore janë të tilla që e çojnë lexuesin tek libri.

Rezarta Reçi: - Ti vetë nuk ke ndërmarrë iniciativa të tuat vetjake, për ta çuar librin tek lexuesi në formën e promovimeve individuale, me rrethe të ngushta miqsh, me rrethe të ngushta lexuesish në gjimnaze?
Leonard Veizi: - Në fakt kjo është fantastike. Por unë kam pritur të ma bëjnë të tjetër dhe nuk jam angazhuar vetë, Është në psikikën time që nëse më ftojnë shkoj, por nëse nuk më ftojnë nuk është se bëj tentativa. Realisht kështu duhet të funksionojë. Ato grupimet e vogla janë mbresëlënëse dhe po të bëhen disa takime të tilla pastaj nuk janë më të vogla. Dhe shkon libri pastaj, sepse dikush i thotë dikujt tjetri dhe në këtë mënyrë, - amatore po e quaj unë, - libri shkon, ose fjala të paktën që ka dalë një libër që mund të lexohet.

Rezarta Reçi: - Pra lexohet, diskutohet...
Leonard Veizi: - Ekzakt. Nuk e kam bërë dhe vazhdoj të mos e bëj dhe nuk besoj se do ta bëj sepse nuk është në karakterin tim për t’u promovuar në këtë mënyrë.

Rezarta Reçi: - Këtu në shtëpia e Miqve të Librit, krahas gjithë ftesave për shkrimtarë e për përkthyes, unë kam hapur një mini rubrikë të vogël që një lexues i çfarëdoshëm mund të vijë e të komentojë një libër që i ka bërë përshtypje, sepse të ndryshme janë impresionet e secilit përkundruall një libri që sapo e ka lexuar. Kështu që unë nisur dhe nga kjo them që ndoshta duhet folur dhe në rrethe të ngushta për librin. E rëndësishme është të flitet për librin.

Leonard Veizi: - Do të më pëlqente shumë që të më ftonin me një ambient me 10 veta. Por me sa duket ky lloj karremi nuk funksionon. Sepse edhe nëse më ka thënë dikush një fjalë unë nuk e kam shtyrë për ta pyetur që: Çfarë u bë me atë që më the, se do të ftojë në “X” gjimnaz. Është një gabim, edhe mospërfillje, ndonjëherë më shumë se sa duhet, por kështu jam i ndërtuar si natyrë.

Rezarta Reçi: - “Lora” apo “Rrënimi”, për ty?
Leonard Veizi: - Nuk e bëj dot fare diferencën. Ka më shumë anë shpirtërore “Lora”. Por ndërtimi i fabulës, fuqia, mekanizmi... sepse “Rrënimi” është një vepër komplekse që ka 9 linja, me të paktën 80 personazhe të cilat i kam cilësuar si: 40 në hije dhe 40 krejtësisht aktivë. Në krijimtarinë time 80 personazhe nuk kishin vepruar kurrë. Te “Lora” janë shumë më pak, madje unë kam roman me 2 dhe me 4 personazhe. Tek Rrënimi, mundësi që të lëvizja në të gjithë hapësirën ishte shumë e madhe dhe mbi të gjitha më duhet të mbaja mend personazhet, linjat. Më duhet t’i rikthehesha herë pas here... Sepse qëllon shpesh që shkrimtari e humbet linjën, e humbet personazhin, nuk e kupton që e ka lënë në hije dhe personazhi është i gjallë është konkret...

Rezarta Reçi: - Është fshehur diku...
Leonard Veizi: - Padyshim. Pra ky personazh duhet të dali diku, duhet të iki ai, jo ta heqësh ti.

Rezarta Reçi: - Atëherë po qëndrojë te “Rrënimi” për t’u shpjeguar lexuesve procesin tënd të krijimit, nëse mund të shpjegohet. Laboratori juaj krijues...
Leonard Veizi: - Kam dëgjuar plot shkrimtarë që japin përvojën e tyre; njëri thotë mbaj shënime, tjetri thotë diçka tjetër... Unë jam munduar ta disiplinoj veten dhe nuk e kam disiplinuar dot kurrë dhe e kam lënë veten të shkruaj ashtu siç më vjen. Edhe te “Rrënimi” me 80 personazhe, nuk i mbajta dot shënim, nuk e dija se ku ishin, vetëm thjesht u rikthehesha. E shikoja që një personazh më mungonte, e shtoja nëpër rreshta, e nxirrja diku, e humbisja në një vend tjetër, derisa romani mori formë. Nuk i kam mbajtur dot kurrë në një mënyrë planimetrike personazhet dhe linjat. Siç më kanë ardhur. Linja kam futur deri në fundi. Unë e kisha të mbyllur romanin dhe papritur më erdhi një linjë tjetër në kokë dhe u detyrova të kthehesha nga fillimi që linjën ta kristalizoja dhe ta çoja deri në fund.

Rezarta Reçi: - Ideja se për çfarë ke vendosur të rrëfesh është e qartë që në fillim?
Leonard Veizi: - Ideja është e qartë në fillim dhe në fund ose në dy tre pika kryesore, por se çfarë bëhet më pas është krejtësisht ajo që të vjen në moment. Vetëm një model është që ta filloj këtu dhe të mbaroj këtu, pra kuadratimin, ndërsa pjesa e mesit e gjitha është një krijimtari improvizuese, e momentit – padyshim e momentit sepse çdo shkrimtar kështu mendoj se krijon, - por nuk është e kalkuluar.

Rezarta Reçi: - Pak më parë the se të ka ndodhur që të kanë ikur personazhet. Por fati i personazheve të të iki nga dora dhe të të dalë ndoshta atje nuk t’i nuk e ke parashikuar...
Leonard Veizi: - Më ka ndodhur dhe e kam thyer me vështirësi aty ku doja unë të dilte. Sepse është e vërtetë që personazhi të del nga kontrolli. Bën një rrugë të vetën që ... është e çuditshme, dhe e kë të vështirë ti thuash që kthehu këtej se nuk është kjo rruga jote, rrugën tënde e përcaktoj unë. Mirëpo jemi dy. Rruga duhet të përcaktohet me marrëveshje, ndryshe personazhi ikën dhe ti nuk e kthen dot në rrugë të mbarë, ose në atë rrugë që ti dëshiron ta çosh.

Rezarta Reçi: - Çfarë ndodh me Leonardin shkrimtar dhe Leonardin njeri ndërsa merret, skalit e qëmton botën e brendshme, psikologjinë e personazheve, sepse për mua ajo është karakteristikë e rrëfimeve qoftë të tregimeve e novelave por dhe të romaneve. Pra ka shumë elementë psikologjik, ka shumë përshkrime të karakterit psikologjik, përveç pamjes së jashtme etj, Pra luajnë ndjesitë, bota e brendshme, ka triller. Kështu që një Leonard i zakonshëm që duhet të ngrihet dhe të çojë fëmijët në shkollë dhe një Leonard që duhet të luajë dhe të shpjegojë fatin e personazheve.
Leonard Veizi: - Ana psikologjike e të rrëfyerit është pika ime e fortë. E them me bindje këtë. Kur futem tek personazhet me ngarkesë psikologjike para njëherë e përjetoj sikur jam vetë. D.m.th unë bëhem çdo lloj personazhi sepse e ndjej atë që shkruaj dhe më motivon jashtëzakonisht. Në pjesën e psikikës, - edhe po të kisha mbaruar për psikologji mendoj, madje po të kisha mbaruar për psikologji do të isha shkrimtar shumë herë më i dobët – është diçka që vjen nga brenda. Është ekzaktësisht që vjen nga brenda dhe nuk ka të bëjë farë sa me leximin e Frojdit dhe as me të Fromit. Të gjithë librat psikologjik që kam kaluar në duar nuk është se më kanë ndihmuar. Më ka ndihmua vetvetja qëmtimi i brendshëm i personazheve?
Ju e thatë, - sepse jeni lexuese e gjithë veprës time dhe e njihnim mirë atë - pra është diçka që vjen nga brenda dhe unë e kontrolloj atë. Natyrisht njoh dhe limitet e mija dhe mundohem të jap maksimumin, sepse rrëfimi psikologjik, aty nis gjithçka them unë, sepse çdo lloj veprimi, ka një paraveprim psikologjik në fillim para se të bëhej veprim fizik. Prandaj po zbërtheve personazhin nga ana emocionale dhe nga ana psikike ke arritur veprën. Nuk është vetëm aksioni, trilleri, vrasja, ka gjithmonë një prapavijë psikike në të gjithë veprimtarinë.

Rezarta Reçi: - Pse ndodh?
Leonard Veizi: - Pikërisht: pse ndodh. Dhe këtë jam munduar të jap

Rezarta Reçi: - E ke pasur të vështirë të shkëputesh nga personazhet e tu?
Leonard Veizi: - Jo unë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer në këtë drejtim. Jam futur brenda personazhit shumë shpejt dhe kam dalë prej tij shumë shpejt. Thjesht e kam përjetuar vetëm në segmentin që kemi udhëtuar të dy, atëherë kur jam i lidhur me të. Unë nuk kam pasur ndonjë herë probleme, fjala vjen të mendohem 30 minuta para se të më vijë muza. Unë dhe kur kap punuar në gazetë, kam mbaruar shkrimin e radhës i kam thënë faqosësit: të lutem faqose vetë se unë po shkruaj diçka tjetër dhe kam hapur faqen e letërsinë.

Rezarta Reçi: - Këtë e keni bërë gjithmonë apo ka një lloj evoluimi të shkrimtarit?
Leonard Veizi: - Jo këtë e kam bërë gjithmonë nuk kam pasur kurrë vështirësi. Të paktën deri librin e fundit. Madje kur hapja faqen, - jo ku e kisha lënë në fund, - por ne atë faqe që më dilte përpara, lexoja dy rreshta dhe orientohesha direkt se ku duhej të filloja të shkruaja. E kam pasur këtë dhunti. Nuk kam pasur asnjë lloj vështirësie të shkruaja, për të menaxhuar veten, për të krijuar ngrohtësinë e duhur, si ta shpjegoj: për t’i futur një dopjo raki se nuk po më vijnë mend.

Rezarta Reçi: - Çfarë ndjen kur e mbaron një libër së shkruari?
Leonard Veizi: - Nuk është se ndjen boshllëk. Ajo ndjesia që kam pasi mbaroj së shkruari një libër është e tmerrshme sepse them: e mbarova por si do ta botoj, si do pritet nga lexuesi... pra futem në një mekanizëm tjetër. Sepse mekanizmi i krijimtarisë është tjetër dhe post krijimtaria është një tjetër mekanizëm. Ajo më shumë është ankth. Se unë letërsinë e përballoj me sukses, nuk kam ankth në të shkruar.

Rezarta Reçi: - A shkon fjala i lumtur. Pra ndihesh i lutur kur mbyll një vepër?
Leonard Veizi: - Jo, unë ndihem shumë i kënaqur me veprën. Mekanizmi që vepra të shkojë deri në dorën e lexuesit është shumë herë më torturuese. Më ka ndodhur që dhe një roman me 300 faqe e kam shkruar për një kohë rekord dhe për ta botuar sërish rekord ka qenë sepse kalon në një proces shumë të gjatë dhe të ngadaltë.

Rezarta Reçi: - Dhe botimi të ka zmbrapsur?
Leonard Veizi: - Unë kam për momentin në dorë një libër me më shumë se 100 tituj ese, refleksion e përsiatje, që i përkasin periudhës së gazetarisë. Janë shkrime të shkurtra që lexohen këndshëm dhe nuk të lodhin e të bëjnë të mendohesh thellësisht se këtu ka analizë. I kam mbledhur dhe kur i lexoj them me vete: Sa mirë paska shkruar. Mirëpo u bë kaq kohë, dhe për ta thënë shqip: kush ta fërshëllen se ti kë bërë një libër me përsiatje. Se me botuesin e gjen gjuhën e përbashkët për një roman, sepse të gjithë mendojnë se tek e fundit 5 veta do shkojnë e ta blejnë një libër për të kaluar dy orë. Ndërsa sot, kur t’i gazetarinë e ke online të gjithën, - edhe shkrimet e mija të gjitha online janë, - përse, duhet të shkoj e të bej një libër të Leonard Veizit, të lexoj çfarë ka shkruar ky, kur hap google-in e kontrollon me emrin Leonard Veizi, - nëse dikujt i shkon në mendje një gjë e tillë, - dhe i gjen aty.
Por unë nuk di pse sistemit online nuk i besoj. Dua letrën. Është ajo që mbetet. Nuk mbetet sistemi online. Ka me qindra shkrime të mija, që si janë mbyllur gazetat, kanë fshirë serverat dhe nuk ekzistojnë më. Nëse unë nuk do t’i kisha të ruajtur në formatin elektronik në kompjuterin tim nuk do t’i gjeja dot.
Sepse mendoj që nesër kalon një furtunë kozmiken dhe fluturon sistemi me gjithë çka. Por nëse libri është 100 kopje është vështirë të zhduket i gjithi. Nëse është 1000 kopje edhe më vështirë. Por nëse është 10 mijë kopje, edhe përmbytja e tokës si në kohë në e Noes të ndodhi, do vendosen ekuilibrat dhe një kopje do gjendet gjithsesi.

Rezarta Reçi: - Përse shkruan Leonard Veizi?
Leonard Veizi: - Po kur kam shkruar poezitë e para, që duhet të kem qenë 10-11 vjeç, me erdhi si ndjesi. Kur u futa në adoleshencë i jepja rëndësi vetes si për të thënë që; unë bëj diçka që ju të tjerët se bëni. Pastaj kjo ide më ngacmonte, për të qenë në qendër të vëmendjes, për të krijuar një efekt. Por e kisha si talent. Nuk është se po punoja kaq fort për t’u bërë poet. Nëse e bëja e hidhja se e kisha timen. Pastaj ua shpërndaja shokëve shoqeve, dhe kur merrja komplimentet e para ishte orgazëm. Ishte qejf i madh shumë kur dëgjoja të më thoshin: O sa bukur. Por po të thoshin që: nuk është gjë, trishtimi ishte shumë më i madh se kënaqësia që kishe marrë. Por edhe kjo puna e qendrës së vëmendjes shpejt kaloi si stad, sepse e kuptova që mund të ishte e ardhmja ime. Tani në një farë mënyrë kjo punë nuk u bë kurrë e ardhme, pavarësisht punës si me të madhe 40 vjeçare. Por unë nuk do të hiqja dorë edhe sikur të rikthehesha prapë. Po të rikthehem e të bëhem 16 vjeç serish do filloja të shkruaja sepse e kam të brendshme dhe dua ta nxjerr. Nuk do bëhesha dot kurrë biznesmen. Nuk është se mund të bëhem. Nuk është se jam njeri që rend pas parasë dhe më duhet të bëj një milion dollarë. Dhe po i bëra çfarë i dua. Se nuk prishen dot një milion dollarë. Puna është edhe t’i prishësh. Më habisin njerëzit që rendin pas parasë në mënyrë të verbër. Se ja pata para, bleva një makinë të mirë dhe një shtëpi të mirë, po pastaj...

Rezarta Reçi: - Me siguri këto do t’i trajtosh në romanin e ri?
Leonard Veizi: - Ndoshta. Të shkruarit e shikoja si një mundësi të madhe. Sepse njeriu dhe fillon ëndërron. Çfarë nuk ëndërron. Tani duhet të kthehem pas në kohë, se mbase dhe gaboj, po me siguri kam ëndërruar të bëhesha si shkrimtar si Kadare, pastaj kur fillova të kuptoja shkrimtarët e mëdhenj të botës mendoja të bëhesha si Balzaku, por pastaj u fut në mes Kafka. Po prit se qenka dhe një tjetër që ma çoroditi mendjen.

Rezarta Reçi: - Por ti ndërkohë u bëre Leonard Veizi?
Leonard Veizi: - Kjo ka qenë e mira ime, se nuk arrita të ndikohesha nga stili i ndonjërit prej tyre. Tani, ndikimi gjithmonë vjen sepse ti e merr atë. Por nuk është se përfitova nga stili i Balzakut për t’u bërë një Balzak i vogël, apo stilin e Kadaresë për t’u bërë një Kadare i vogël. Mora këta dy shembuj por në fakt ka shembuj të tjerë plot. Sepse kur lexova Servantesin u shokova fare pastaj. Dhe kështu letërsie e lexuar kalonte nga stadi në stad. Pastaj erdhi momenti që doja vërtet të bëhesha i rëndësishëm. Thjesht mendova që të bëhesha i rëndësishëm.

Rezarta Reçi: - Mendon që je bërë?
Leonard Veizi: - Jo. Vepra mund të jetë e rëndësishme por jo unë si personazhi kryesor.
Ju thatë dhe pak më parë se kritika ka shkruar për mua, e ka pritur mirë veprën time, dhe unë mund të them që jam i përkëdhelur nga kritika. Nuk ka shkrimtar që te jetë shkruar nga kritika aq sa është shkruar për mua. Por unë vetë nuk jam mediatik. Kjo do të thotë që unë humbas 80 përqind të lexuesve nga mënyra jo mediatike e menaxhimit të vetes dhe menaxhimit nga të tjerët. Unë nuk kam as mundësinë financiare të bëj një spot televiziv, siç e bën ndokush, që vërtitet ai spoti në një televizion kombëtar mëngjes, drekë, darkë dhe ai merr lexuesi edhe pse në letërsi është poshtë 4-ës.

Rezarta Reçi: - Ju mendoni që duhet ky lloj menaxhimi në këtë kohe?
Leonard Veizi: - Në këtë kohë po e po, por edhe përpara viteve ‘90 ka funksionuar me ato mundësi që ishin dhe jo më sot që steka është ngritur shumë lart. Unë nuk e kam menaxhuar dot veten në këtë mënyrë. Unë i kam të gjitha shkrimet që janë shkruar për letërsinë time dhe kam ndërmend t’i botoj të gjitha këto. Unë them se pas Kadaresë nuk ka shkrimtar tjetër ku kritika të jetë marrë aq gjatë sa me mua. Sepse është dhe humbje kohe, apo do kohë të madhe që të bësh një kritikë letrare. Nuk është se është si një lajm që bëhet për 10 minuta, zakonisht këta lloj kritikësh burra por ka dhe gra, sepse për mua ka shkruar dhe Mimoiza Erebara, e cila është shkrimtare por ka bërë një shkrim të gjatë, gati studimor. Pra kritikët ulen të shkruajnë për Leonard Veizin. Dhe më ka ndodhur që ata që kanë shkruar për herën e parë, janë afruar për të shkruar edhe një herë tjetër, sepse u ka interesuar letërsia ime. Pra janë thelluar, e njohin krijimtarinë time dhe unë mund të them se kjo më ka bërë të përkëdhelur. Sepse të njëjtët kritikë nuk kanë shkruar kurrë për një “X” shkrimtar që pompohet mëngjes, drekë, darkë dhe as për “Y”-psilonin që pompohet darkë, drekë, mëngjes.

Rezarta Reçi: - Kthehemi tek biblioteka. Dikur ke pasur ëndërr të kishe një bibliotekë të madhe. Tani e ke të pasur ku në një vend janë dhe librat e tu. Si ka evoluar dhe si ka ndryshuar raporti yt me bibliotekën?
Leonard Veizi: - Një bibliotekë, të madhe, për shans, për shans të madh madje unë e gjeta të ngritur në shtëpi. Im atë bashkë me nënën time kishin një bibliotekë goxha voluminoze. Por besoj im atë kishte vënë më shumë dorë pasi biblioteka kishte shumë libra te tematikë politike dhe ekonomike, gjëra të cilat ishin në fokusin e tij. Natyrisht kishte dhe plot letërsi artistike. Kësaj biblioteke fillova t’i drejtohesha të paktën prej moshës 12 vjeçe pasi kisha mbaruar së lexuari letërsinë për fëmijë dhe ato që na kërkonin në shkollë. Dhe kur e përfundova së lexuari çfarë kishte në të ishte problem se duhej pasuruar. Megjithatë e kam pasur si ëndërr që të kisha një studio, një dhomë të mbushur plot me libra. Por ka shumë vite që kam hequr dorë. Më ka qëlluar që më shumë se 10 vjet më parë, në një takim letrar në Shkup, organizatorët kishin si temë: “Bibliotekën dixhitale”. Kur më erdhi radha për diskutim u ngrita dhe me megalomani u thashë: Çfarë janë këto diskutime, bibliotekë dixhitale! Unë në qoftë se nuk e prek librin nuk ka kuptim.
Mirëpo në takim merrte pjesë dhe miku im, shkrimtari Pandeli Koçi. Pandi u ngrit, me thjeshtësinë e tij nxori një usb nga xhepi e tha: Nardi ka mendimin e vete, por unë do të doja që bibliotekën time ta kisha të futur në këtë USB. Mbeta i shokuar. Thashë me vete: Nardi je më i ri në moshë por koha të paska lënë mbrapa. Që nga ajo kohë, e para ekspansioni për të pasur një bibliotekë edhe më të pa dhe u rrudh. E dyta nuk di ku ti vë edhe ato libra që kam. Mundohem t’i menaxhoj brenda bibliotekës që kam. Një shtesë që doja t’ia bëja bibliotekës aktuale e cila realisht do na merrte frymën, nuk e bëra dhe që atëherë fillova t’i vendos librat njëri mbi tjetrin, dhe ashtu janë gjysmë rrëmujë në bibliotekën time. Tanimë dhe shtesa është minimale, po themi: blija katër libra në muaj, tani blej një në dy muaj.

Rezarta Reçi: - Po me leximin si jeni?
Leonard Veizi: - Në po të njëjtat kuota. Një libër në dy muaj ndërkohë që kam hequr dorë nga leximi i katër librave në muaj, dhe ca vite më parë shumë më tepër se kaq. Se dikur kam lexuar dhe 20-30 romane në muaj.
Leonard Veizi

Rezarta Reçi: - Megjithatë futeni tek miqtë e librit?
Leonard Veizi: - Absolutisht po. Njeriu ka një procedurë me veten. Se ja do lexosh një mijë libra ja dy mijë, po themi dhe tre mijë, në fakt tre mijë janë shumë, - mbaron procesi dhe ti fillon e ngadalësohesh. Fillon e përtyp më ngadalë. Bëhesh më tekanjoz dhe fillon të zgjedhësh shumë se çfarë duhet të lexosh sepse mbi të gjitha nuk ke kohë. Realisht nuk kam kohë, me gjithë dëshirën e madhe që kam për të lexuar. Dhe kur arrij ta përfundoj një roman së lexuari, tanimë e quaj si sukses. Sepse dikur kam lexuar edhe 3 romanë në harkun kohor të 20 orëve. Domethënë vetëm kam lexuar aq shumë jam magjepsur pas leximit.

Rezarta Reçi: - Fëmijët i këshilloni të lexojnë?
Leonard Veizi: - Në fillim jo vetëm që i këshilloja, por në një farë mënyrë dhe i detyroja. Vajza që është më e madhe e mori një status duke bërë një korpus të leximeve të saj. Djali që është më i vogli nuk më pyet fare, përfundimisht është të celulari dhe unë jam i pafuqishëm që t’ia heq nga duart. Ai lexon vetëm letërsinë që i kërkojnë në shkollë. Atë është i detyruar e më thotë: Bab më duhet një libër. Shyqyr, – i them, - që erdhi dita të më thuash të të blej një libër. Dhe turrem me vrap për te libraria vetëm që ai të lexojë.

Rezarta Reçi: - Pa dyshim kohët kanë ndryshuar shumë?
Leonard Veizi: - Natyrisht. Sot nuk duhet as një kompjuter, madje dhe një lap-top është i madh shumë. Një celular të mbaron të gjitha punët. Këtë punë e shoh te vajza ime, e cila nuk e hap kurrë kompjuterin pasi ka një marrëdhënie të shkëlqyer me celularin dhe shkruan më një mënyrë shumë të shpejt. Unë se përballoj dot. Ajo mund të shkruajë dhe një roman në celular. Ajo është bota e vet. Hidhu përpjetë ti për të thënë se bota ime është biblioteka. As që dëgjon fare nga ai vesh. Sepse gati nuk ekziston ajo pjesë e bibliotekës përderisa ato që pëlqen për të lexuar i shkarkon dhe i lexon nga origjinali.

Rezarta Reçi: - Leonard Veizi të falënderoj shumë që ishte pjesë e Shtëpisë së Miqve të Librit dhe të falënderoj edhe për sinqeritetin me të cilin hodhe ndjesitë e tua aktuale në këtë moment të kësaj bisede.
Leonard Veizi: - Unë them që dhe po të mos jesh i sinqertë çfarë do fitosh. Kështu që ju falënderoj unë ju për ftesën.

Sunday, March 8, 2020

8 Marsi i grave apo... i burrave




Nga Leonard Veizi

 

Me 6-të qese plastike në duar, të ndara tre e nga tre, çaj përmes turmës së njerëzve që kishin dalë për pazaret e së dielës.
Është 8 mars.
Gruaja ecën pas meje si manare. Epo burrë zamani, jo shaka, dhe burrat ecin pesë hapa para grave. Edhe pse gruaja tund në dorë një kuletë elegante e unë pesë hapa para saj me qese të mbushura me mollë, portokalle, kastraveca, domate, qepë e spinaq, mund të quheshim çift në kohë. Thirrjes së bashkëshortes të merrja nga e majta për t’u futur te sallameria iu përgjigja:
-S’kemi shumë para me vete, - dhe si bëra një llogari të shkurtër me mend, tek përfytyrova se në portofol kisha një 5-mijëshe letër e ca qindarka, ku shuma e përgjithshme shkonte nga 6 mijë e 800 lekë të vjetra, i them:  – Jo, se unë s’i mbuloj dot shpenzimet, s’kam shumë para me vete.
Gruaja rrudh buzët e më përsërit shprehjen e njohur: Aman, po kur ke pasur ndonjëherë ti?!
Dhe ka të drejtë... Që kur mori frenat e ministrisë se Ekonomisë dhe Financave, unë u shkarkova nga barra e rëndë e tatim taksave dhe e shërbimit doganor.
Për 8 mars jemi mësuar të shohim turma grash nëpër rrugë. Lokalet janë të gjitha të prenotuara dhe për ne fakirët, burrat, po ka mbetur ndonjë zgëqe me qofte e raki koçomare jemi mirë. Fundja ne naze nuk kemi, me 500 lek teken, ca djathë e ndonjë qepë a hudhra e shtyjmë paraditen, dhe po kaq na duhet për pasditen e thellë. Por gratë kur ulen ta fshijnë kuletën or lum miku, verë të kuqe, karkaleca deti dhe një sallatë shef që kullon nga majoneza.
Ca vite më parë kjo ndodhte vetëm në 8 mars. Tanimë ndodh ca si shpesh, madje ca si shumë shpesh. Kjo do të thotë se kohët kanë ndryshuar dhe 8 marsi ka marrë kuptim më të gjerë në të drejtat e grave.
Dhe sa për histori: Dita Ndërkombëtare e Gruas, që përkujton dhe lëvizjen për të drejtat e grave, festohet më 8 mars të çdo viti. Ideja për “Ditën Ndërkombëtare të Gruas" është hedhur fillimisht andej nga fillimi i shekullit të XIX-të, e cila ishte një periudhë e tronditur nga trazirat dhe shtimi i popullsisë, për botën e industrializuar. 8 marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Gruas 1910 për t'u bërë si "Dita Ndërkombëtare e Gruas". Pasi gratë morën të drejtën e votës në Rusinë Sovjetike më 1917, 8 marsi u bë një festë kombëtare në atë vend. Kjo festë nëpërmjet lëvizjes socialiste, mbizotëroi kryesisht në vendet komuniste, derisa u miratua në vitin 1975 nga Kombet e Bashkuara. Dhe kështu kemi 8 marsin edhe në mileniumin e ri.
Kjo kishte të bënte me të shkuarën.
Sot 8 marsi është ditë ahengu. Parukeritë e shitësit e luleve bëjnë xhiron e vitit. Lokalet e klasit të parë në vigjilje të kësaj dite bëjnë porosi për tavolina shtesë. Punë ka dhe për “DJ”-të me nga një lap-top e dy bokse sa unë në këmbë. Tallava or të keqen sa të shkulesh nga brinjët duke kërcyer.
-Do hamë ndonjë drekë familjarisht apo ke lënë ndonjë tavolinë me gratë e “kooperativës”? - pyes gruan.
Ime shoqe më hedh një vështrim ironik: - I shkreti ti.
Nuk më kanë hipur ende nervat, por i kthehem me një ton serioz.
-Duhet të rindajmë postet në kabinet. Nuk është e drejtë që ti të kesh portofolet e ministrive më të rëndësishme. Të financave, të asaj të punëve të Përmbrendshme,...
Gruaja ecën serbes me kuletën elegante në dorë, ndërsa mua dhe pse ditë dimri më kanë dalë djersët se mezi tërheq ngarkesën si kalë karroce.
-Pse qahesh, ti ke ministrinë më të fuqishme, atë të Mbrojtjes.
Ç’është e vërteta në ndarjen e dikurshme të posteve unë e mora me qejf ministrinë e Mbrojtjes meqenëse duke shkruar për një kohë të gjatë intervista ushtarakësh të liruar, njihja nga ushtria shumë me tepër se Olta Xhaçka, e cila kur vishet me uniformën ushtarake duket si kaptere e rangut të parë. Ndërsa unë mund ta hidhja një divizion në luftë pa më bërë syri tërrrrt, kështu që e meritoja të isha të paktën Gjeneralbrigade. Mirëpo ushtria jonë ka shkuar për lesh, s’ka as avionë e as raketa. Post honorifik. Ç’më duhej ministria e Mbrojtjes.
– Pastaj ti zotëron dhe ministrinë e Kulturës, se atë e ke me qejf të madh, - ia pat gruaja.
Këtu ma mblodhi. Inshallah nuk i bie në vesh Elva Margaritit se më merr me sy të keq, e më sheh si rival në pozicionin e lartë në krah të Edi Ramës.
-Dhe tani ec e të na japësh atë drekën që na premtove se është ditë feste, - më thotë gruaja duke qeshur, si për të më thënë se në fund të fundit Shqipërisë i ka ardhur koha të ketë një femër në krye të shtetit, o kryeministre ose presidente.
Ndërkaq mua më kanë hipur xhindet në kokë.
-Festë??? E kush paska festë në këtë mes? Ju gratë keni marrë tërë kabinetin, e ne burrave na keni lënë drejtorinë e komunales që përgjigjet për ujërat e zeza.
Gruaja qesh me të madhe. Domosdo, luftën e kanë fituar, herë me revolucione e herë duke nga i ngrënë xhanin pak nga pak. Tani duhet të fillojmë ne burrat të mendojmë për revolucione të reja.
Ndaj unë jam i mendimit që sot e tutje 8 marsi t’u kalojë si festë burrave. Se janë bërë si xhola. Gratë tanimë kanë marrë gjithçka.

 


Tuesday, March 3, 2020

Të rritur në inkubatorin e propagandës bolshevike



Nga Leonard Veizi

Prania e tyre thjesht sa kujtonte të kaluarën e errët, si reliktet e vjetra që kur të zënë hapësirën e pamjaftueshme të banesës, kërkon t’i çosh në bodrum. Vërtet nuk ishin më faktorë, por kujtimet e botuara nëpër letra risillnin në vëmendjen e opinionit publik ngjarje, të cilave nuk u vihet kapaku kurrë.
Largimi i njëpasnjëshëm, i Nexhmije Hoxhës dhe Vito Kapos, anëtare të larta të nomenklaturës dhe martuar me burrat më të fuqishëm të Partisë së Punës, në njëfarë mënyre mbylli të gjallët e epokës së shkuar. Ishte epoka e njerëzve që e sollën komunizmin nga vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe që e mbajtën pushtetin me dorë të hekurt.
Edhe pse ishte epoka e njerëzve të cilët dolën fitimtarë pas rezistencës që i bënë fashizmit, ajo mbetet më problematikja në historinë 108-vjeçare të shtetit shqiptar.
Sot, kur nuk ka mbetur më njeri nga “garda e vjetër”, vendi është uzurpuar nga njerëzit që u rritën në vitet më të vrullshme të ndërtimit socialist të vendit, në inkubatorin bolshevik. Në 45 vite të jetës së saj, Partia e Punës pati kohën e plotë të formatonte “njeriun e ri”.
Të gjithë brezat që të paktën morën arsimim 8-vjeçar në vitet e komunizmit e mbajnë mend mirë, që pas fizkulturës së mëngjesit të gjithë i nënshtroheshin rreshtimit të detyruar nën thirrjen specifike të komandantit të çetës: “Pionierë, për çështjen e Partisë dhe të popullit të jeni gati!” Menjëherë pas kësaj vinte thirrja frenetike e nxënësve 6-14-vjeçarë: “Gjithmonë gati!” Po analizojmë në mënyrë tepër të shpejtë. “Për çështjen e Partisë…”, d.m.th Partia në fillim… por edhe populli, veçse andej nga fundi.
Kjo ishte propaganda.
Gjatë gjithë kohës, ne si shqiptarë, ata që ishin afër pushtetit, por edhe të tjerë që ishin në bindje kundërshtarë të tij, morëm të njëjtin informacion: Gazeta “Zëri i popullit”, “Revista Radiofonike” dhe ajo “Televizive”. Nga “ATSH” dilnin vetëm lajmet që kompleksonin Perëndimin në greva punëtorësh apo në luftërat e padrejta në vendet e botës së tretë. Për më shumë se kaq në ndihmë na vinte zhurmuesi. Ai që interferonte mes valëve të “RAI”-t, TV “Titogradit” apo “ERT”-së greke që futej në Jug të vendit.
Mos pretendoni shumë nga ky brez. Në thellësinë e tij, si një shtresë që herë fle e herë zgjohet është mbrujtur “Historia e Partisë”, “Materializmi Dialektik”, “Anti-Dyringu”, “Feja opium për popullin” dhe… “Për ju pionierë”. Ec e të mos i mësoje po deshe. Pa kaluar lëndën e “marksizmit” nuk hidhje dot një hap nga dera e shkollës. Nuk është se domosdoshmërisht të priste burgu, thjesht, nuk të priste asgjë.
Ndaj, brezat e edukuar me arsimin 8-vjeçar, deri në vitet ‘90 mbeten të pabesueshëm. Do të duhet të ikin edhe shumë breza të tjerë që vendi të lehtësohet plotësisht nga temperaturat e propagandës së kuqe. Sepse, edhe pse mendojmë se jemi hapur me botën, ajo vazhdon të veprojë në nënndërgjegjen tonë. Sepse, në kohën më të mirë për të thithur informacion, ne morëm atë të gabuarin dhe nuk kishim alternativë tjetër.
Ndaj, brezat që shëtisin sot rrugëve të Shqipërisë, që dalin në televizor e flasin me togfjalësha gjuhësh të huaja, kanë ndërruar vetëm pamjen e jashtme. Nuk pinë më cigare “Partizani”, sepse e përballojnë me dinjitet një gramë kokaine të pastër. Nuk vishen me teritalin e kombinatit “Stalin” dhe as me basmën e kombinatin “Mao Ce Dun”, se në gardërobë kanë rreshtuar kostumet “Armani”. Por në thellësi nuk janë të çliruar nga dogma. Ata janë po aq të varfër në mendim sa dhe në vitet ‘80 të shekullit të shkuar.
Nga rënia e Murit të Berlinit dhe rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës kanë kaluar veç 30 vjet. Nuk janë pak, por sërish ato nuk mund ta shpëlajnë dot propagandën e cila na shpëlau trutë, duke na bërë të besojmë deri në absurd se mund të luftonim me tërë botën dhe sërish të triumfonim.
Largimi pa kthim i drejtuesve të lartë komunistë, Nexhmijes e Vitos, qoftë edhe si figura që merrnin frymë, është vetëm çmontimi i njërës prej hallkave, që deri dje ishin fort të lidhura me njëra-tjetrën. Disi honorifike në pamje të parë, dhe jo fort ngushëlluese, por gjithsesi është një hallkë më pak në zinxhirin e diktaturës.

Xhevdet Shehu: Puna ime, të intervistoja Leka Zogun dhe Nexhmije Hoxhën


Rrëfehet Xhevdet Shehu, korrespondenti i parë i Zërit të Amerikës në Shqipëri



Nga Leonard Veizi

I angazhuar me një gazetë studentore që tek të 20-tat e tij, tanimë, kur ka mbushur 65 vjeç e sheh se prej 45 vjetësh nga puna e përditshme ka botuar një mal me letra. I duhet të heqë veç pushimin javor dhe lejen e zakonshme. Po të mos e njohësh, nuk e beson që tanimë, ashtu në një nëndërgjegje të heshtur, ka filluar të mendojë se i duhet të mbledhë dokumentat për Sigurimet Shoqërore, e të bëjë llogari se sa do t’i kthejë shteti në formën e një pensioni, për punën e tij të shumëvitshme. Energjik e i papërtueshëm, ai është i përditshëm në shtypin e shkruar me intervista, opinione e shkrime problemore. Ndërsa shokët e tij përtojnë të ngrihen nga karriget e zyrave ku janë rehatuar prej kohësh, Xhevdet Shehu mbetet një gazetar terreni me diktofon në xhep, e stilolaps në dorë. Me një punë aktive në gazeta të ndryshme, autori i disa librave dhe me një kolanë prej njëzet vëllimesh të përkthyer, kulmin e karrierës së tij e ka pasur tek një prej platformave më të mëdha mediatike të botës, “VOA” si korrespodenti i parë shqiptar i saj. E për më shumë se kaq, për gazetën FJALA, ai rrëfen:

Keni shumë vite që punoni si gazetar, si e ndjeni veten kur ktheni kokën pas?
Që prej vitit 1977 bëhen 43 vite punë si gazetar profesionist. Kur e kthej kokën pas tmerrohem, sepse është gjithë ajo punë, lodhje fizike e mendore. Por ndiej dhe një kënaqësi të paparë, sepse në këtë profesion unë kam njohur pafundësisht njerëz,situata, ngjarje. Kam njohur më mirë historinë e popullit e të vendit tim dhe më është shtuar dashuria për të. Ndryshe nga ata që mendojnë se Shqipëria nuk bëhet dhe duan të ikin, mua kjo s’më ka shkuar në mendje, madje edhe fëmijët i kam mbajtur këtu, me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për këtë vend.

Sa e vlerësoni profesionin e gazetarit?
Është nga më të bukurit në botë, pikërisht për shkak të situatave të pambarimta që të krijon dhe që të mban gjithnjë në lëvizje, të motivuar, duke të shtuar frymën krijuese. Gazetaria është një shkollë e madhe, sepse të mëson se si duhet të komunikosh me njerëzit. Gazetari është misionar në jetën tonë shoqërore. Ai është një opinionbërës me ndikim shumë më tepër se një deputet apo ministër. Sepse zyrtarët e shtetit janë të përkohshëm, por gazetari mbetet.

Keni milituar në ndonjë parti politike?
Nuk kam qenë asnjë ditë në asnjë parti politike. Kam qëndruar jashtë partive politike edhe pse gjatë sistemit komunist gjithashtu kam qenë gazetar dhe nuk më kanë munguar ofertat si atëherë si më pas për të qenë pjesë e politikës. Nuk u josha asnjëherë, duke ditur peshën dhe rëndësinë e gazetarit si misionar i së vërtetës. Këtu lind edhe përgjegjësia e madhe morale dhe politike e gazetarit për të kryer sa më mirë këtë mision.

Si e perceptoni ligjin e fundit “antishpifje”?
Nuk kam frikë nga këto ligje. Unë i di vijat e kuqe dhe ato të bardha, kam etikën time gazetareske, nuk fyej dhe nuk shaj kërkënd, dhe e kam mbështetur gjithë punën time tek argument dhe logjika. Fakti është se gjatë këtyre 43 viteve punë si gazetar profesionist, unë nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë apo gjykatat, që të më këtë çuar dikush në gjyq për shpifje apo për denigrim të figurës. Si i tillë ndihem krenar që e kam luajtur rolin që më takon në shoqëri, dhe kjo më bën që të vazhdoj punën dhe tani që mbusha 65 vjeç.

A dalin gazetarët në pension? Ose ti vetë ke ndër mend të dalësh në pension?
Jo. Amerika e ka zgjidhur këtë problem. Aty mund të punosh sa të kesh fuqi. Edhe 80 vjeç nëse je frytdhënës. Unë nuk kam ndërmend të dal në pension. Po më nxorën është tjetër gjë. Por nuk besoj, sepse gazetarët janë të nevojshëm dhe unë besoj se do të vazhdoj të kontribuoj.

Kulmi i karrierës është punë tek “Zëri i Amerikës”. Përvoja juaj?
Kam qenë me fat që në kapërcyell të sistemeve më ra shansi të punoj si korrespodent i “Zërit të Amerikës” në Shqipëri. Si i tillë kam përcjellë të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në vend në fillim të viteve ’90, me aq mundësi sa pata dhe për shkak të vështirësive të mëdha. Ndihem krenar që kam bërë këtë detyrë dhe kjo ka qenë vërtet si një nga kulmet e karrierës time.

Mendoni se kjo punë veç miqve krijon dhe kundërshtarë?
Natyrisht që nuk janë të kënaqur të gjithë, dhe është e pamundur të kënaqen të gjithë me opinionin tim, sepse në fund të fundit është një mendim subjektiv i imi për zhvillimet në Shqipëri. Por unë më mirë të shkruaj dhe të flas se sa të hesht. Nuk jam një sehirxhi i zakonshëm apo një qytetar i papërgjegjshëm. Kam përgjegjësinë dhe ndërgjegjen time si gazetar dhe këtë e bëj, mendoj, në mënyrë të mjaftueshme.

Ju njiheni dhe si përkthyes. Cilat janë librat më interesantë që keni sjellë për lexuesit?
Më janë bërë rreth 20 libra. Fatmirësisht autorët janë bashkëkohorë dhe të gjallë, me të cilët kam pasur kontakte. Janë Xhejms Petifer e Miranda Vikers dy historianë anglezë. Është Bato Tomasheviç, një mik i Shqipërisë, i cili u nda nga jeta më shumë se një vit më parë. Është Piter Lukas që jeton në Amerikë, por edhe Evërill Kamerun në Angli. Ndër librat më të rëndësishëm që kam përkthyer janë: “Në syrin e ciklonit” një libër voluminoz i Xhorxh Tenet me kujtimet nga koha kur drejtonte CIA-n amerikane. “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, i Bato Tomasheviç është gjithashtu një libër i mrekullueshëm. Më pas vjen korpusi i librave të Xhejms Petiferit dhe Miranda Vikersit, që flasin për historinë shqiptare. Libër shumë i rëndësishëm është “Misioni Amerikan në Shqipëri” i Piter Lukasit, i shkruar me objektivitet dhe i mbështetur mbi dokumente autentike të dhënë nga CIA. Personazhe të rëndësishëm të atij libri zgjojnë gjithnjë interes pasi kryepersonazhi është Enver Hoxha, por është dhe Mehmet Shehu e Harri Fulci, që ishte dhe shefi i misionit amerikan me qendër në Bari. “Misioni Amerikan në Shqipëri” është ana tjetër e medaljes së librit “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” të Enver Hoxhës.


Puna e paanshme
Presidentët e kryeministrat në filtrin e gazetarit
Në shtypin e kohës ai ka sjellë në vazhdimësi zëra të nomenklaturës së vjetër, ata që janë më të kontestueshmit, zakonisht. Dhe ja si i përgjigjet Xhevdet Shehu pyetjes se sa i shërben një gjë e tillë lexuesit? “Nuk jam ndrojtur që të marr në intervistë këdo që është pjesë e historisë. Tek “Zëri i Amerikës” unë kam marrë në intervistë Leka Zogun. E mora si gazetar jo se isha zogist. Kam intervistuar kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhin, dhe jo se jam ballist. Por kam intervistuar edhe personalitete të jetës kulturore, që nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare e me radhë. Më pas kam intervistuar të gjithë presidentët e Shqipërisë, të gjithë kryeministrat, me të cilët kam krijuar njohje dhe miqësi dhe e quaj veten me fat që kam komunikuar me ta ku secili ka dhënë përvojën e tij në politikë apo në drejtimin e shtetit. Këtu nuk mund të përjashtoja edhe kontaktet me Nexhmije Hoxhën, gruan e Enver Hoxhës, që sundoi Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Ndërkohë që Enver Hoxha ka 35 vjet që ka vdekur, kjo zonjë jetoi gjatë dhe ka lënë shumë kujtime, sepse në 20 vitet e fundit ka shkruar 6 libra ku të fundit e botoi një muaj para se të ndërronte jetë. Dhe nga kontaktet e vazhdueshme që kam pasur me të, unë kam zbuluar edhe gjëra të tjera që janë të pathëna nga historiografia shqiptare. Gazetari nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me personalitete të historisë e politikës kap nuanca që s’i kap një sy i zakonshëm. Kap mimikën kur i bën një pyetje të vështirë, një gjestikulacion, një nervozizëm apo kënaqësi të atyre kur flasin për atë periudhë. Dhe unë i kam pyetur për të gjitha problemet e asaj kohe, që nga spastrimet politike, vdekjet e vetëvrasjet e dyshuara, të gjitha i kam pasqyruar në shtyp. Por edhe kjo nuk do të thotë se unë jam enverist apo nostalgjik i diktaturës. Para disa vitesh unë botova një libër me titullin “Prapaskena” me hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste. E bëra këtë si gazetar jo si historian, ku futet edhe meditimi, analiza, logjika dhe intervista që kam pasur me personalitetet. Ata që e shohin bardhezi atë periudhë gabojnë. Sepse edhe në atë periudhë ka pasur arritje, siç ka pasur edhe krime, dhe probleme të tjera. Ndaj dhe u përmbys. Mirëpo nuk mund të fshihet një gjysmë shekulli histori. Dhe realisht, Shqipëria në atë periudhë u bë shtet modern madje me autoritet të padiskutueshëm ndërkombëtar. Dhe këto janë fakte të pakundërshtueshme. Fjala vjen; tre aleanca të mëdha që krijoi Enver Hoxha me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, që ishin dhe superfuqi, tregon se sa i rëndësishëm ka qenë shteti shqiptar në politikën bashkëkohore. Por ishte dhe interesimi i vazhdueshëm i Amerikës, protektorati amerikan që s'i ka munguar asnjëherë Shqipërisë, madje as gjatë regjimit komunist. Për të arritur deri te interesimi i fundit i Amerikës dhe Evropës duhet të dimë dhe nga kemi ardhur”.