Thursday, April 8, 2021

Vaksina për burrat


Nga Leonard Veizi

Fati mund ta dojë që të vritesh me nder në luftë e pas të lësh emrin e mirë, të cilin ta gdhendin mbi një pllakë mermeri. Por fati është qerrata i madh, mund të të rezervojë dhe surpriza të tjera. Fjala vjen: shpëton nga plumbi i luftës dhe vdes pasi ke marrë një gjilpërë e të ka bërë reaksion medikamenti i shishes. Kjo është akoma më keq. Se lë armët varur dhe nuk merr as titullin e dëshmorit. Dhe po s'e more titullin, ata të familjes nuk marrin as pensionin. Shkurt: shkon për dhjamë qeni. Dhe me shumë gjasa, gojët e liga që nuk rrinë dot pa folur do thonë: Ishte luan në luftë, por iku si lepur në paqe.

Hej, bela. Ne na ha meraku se ç'do të thuhet edhe pas vdekjes.
E që thoni ju, mua, personalisht, më doli emri të bëja vaksinën kineze. Nuk pata fat për të marrë Pfizer-in që të mbron 95 përqind, as AstraZeneca-n, madje as Sputnik V, por pikërisht Sinovac. Sherri po kishte plasur prej kohësh. Ca të sugjeronin me bindje të thellë: “Bëjeni se është ultra”, ca të tjerë ishin fort skeptikë sa e përfytyronin vaksinën kineze me po aq dëme sa dhe bomba atomike e Hiroshimës. Akoma më tej, ca të tjerë nuk besojnë fare te vaksinat, as te kinezja, as te rusja, por as tek amerikania. Ata të thonë se po bëre një vaksinë, e hëngre... o do bëhesh impotent ose homoseksual.
Na mbro o Allah!
Pro dhe kundër vaksinës. Por kë të besosh? Se të dyja palët kanë argumente që të mbërthejnë e të lënë pa tekst.
Epo secili ka qejfin e vet, tek e fundit. Fjalë janë. Nga fjalët nuk vjen gjë e keqe. Nga ajo që ndodhet brenda injeksionit po.
Gazetarët e thyen të parët akullin dhe i bënë vaksinat live në televizor. Thua të kishin marrë ndonjë urdhër partie? Se këtej nga anët tona, partia prin, si gjithmonë. Pritëm se mos ndonjërit i futej llapa brenda, por aha... vazhduan lajmet.
Ju bëftë shëndet!
Se ne shohim ngjyrat e politikës dhe harrojmë që mjekësia kineze ka qenë e famshme prej lashtësisë. Pastaj jemi mësuar këto vitet e fundit me mbeturinat që shiten tek tregu afër Medresesë dhe kemi krijuar konceptin: “mall kinez mo”. Demek, të mbetet në dorë. Sipas këtij arsyetimi duhet të na ishte futur frika në palcë. Sidomos po të ndjekësh këmbë pas këmbe ca mjekë që të çorodisin fare kur flasin në televizor.
Mirëpo thonë se burrave nuk u ka hije të qarraviten e jargaviten. Se ku ndryshojmë ne nga gratë, tek e fundit, përveçse të mbajmë mustaqe?! Kështu që i dhashë drejtim. Përvesha mëngën dhe “cak”, një e pickuar kaq e lehtë sa nuk u kuptua fare. “Me shëndet!”. Rrofsh moj motër! Fundja një herë vdes njeriu. Se edhe vdekja ka dinjitet. Duhet ta mbledhësh veten kur e sheh se nuk ka rrugë shpëtimi. Në botën tjetër herët a vonë do shkosh se nuk ke nga ia mban. Unë po provoj këtë kinezen. Mbase shtyj ca. Në qafë paça veten, tek e fundit.
Por mos mendoni se po bëj avokatin e djallit. “Rroftë qeveria!”. Tani, dhe një autolavazh, ku të bindem se përfundimisht bëra zgjedhjen e duhur, duhet t’ia bëj vetes. Gjithsesi, unë në fakt, bëj punën time si gazetar. Atë që kam 30 vjet që e bëj. Sepse menjëherë, - pasi bëra vaksinën në kushte të adaptuara mirë, me punonjës policie që mbanin rregullin, punonjës socialë që të orientonin e punonjës mjekësie fort të kujdesshëm, - unë do të marr sërish rolin e oponentit. “Poshtë qeveria!”. Dhe pas kësaj do të nis të kritikoj sërish sistemet, atë të mjekësisë e të policisë. Sepse kjo është detyra e një gazetari. Të ngrejë probleme, madje dhe aty ku nuk ka.
Vaksina kineze është shtruar këmbëkryq tek sheshi "Skënderbej". Në vitet '70 të shekullit XX po tek ky shesh gjeje pafund specialistë kinezë, me kostume doku e kasketa në kokë, që Kina motër na i kishte dërguar për të na ndihmuar të ngrinim rrjetin industrial të uzinave tej e tej vendit. Pamja po përsëritet në vitet ‘20 të shekullit XXI. Vaksinat kineze kanë ardhur të na japin një dorë në malore.
Epo... miqësia e vjetër si vera e vjetër, nuk harrohet kollaj.
Tani ne, që e kemi braktisur Lindjen dhe jemi shtrënguar pas këmbëve të Perëndimit, do kishim qejf të bënim atë amerikanen, Pfizer-in, ose Modernën të paktën. Por... ja që: “kisha na e mbylli derën...”. “Pfizer” nuk po merr dot Gjermania, lokomotiva e kontinentit, ajo që e ka bërë Evropën të flasë me vete në dy luftërat botërore dhe që është shteti më i disiplinuar mbi këtë dhè.
Po jo ore, ku mbahen shqiptarët. Ne mendojmë se amerikanët na adhurojnë, meqenëse rrjedhim nga arbrit, ata nga ilirët, dhe këta të fundit nga ca më tej akoma, nga pellazgët. Epo gjaku nuk bëhet ujë de. E kështu, meqenëse mendohet se amerikanët na kanë me sy të mirë, do shkarkonin dhe ndonjë kamion riportabël me vaksina, e do kishte “Pfizer” nëpër magazinat tona sa të lozte dhe qeni i kallajxhiut. Mizëri vaksinash, demek. Por akoma nuk e kuptojmë se në fakt jemi andej nga fundi i rreshtit aq sa herë-herë na trajtojnë dhe si lagje periferike.
Në këto kushte, ku s'ta fërshëllen njeri, e ku secili nuk sheh jashtë pragut të shtëpisë së vet, do t’i thuash “derrit-dajë” e të ulësh kokën. Ose po të jesh vërtet burrë, po burrë ama, mund të rrish e të presësh me dinjitet.
Mirëpo dinjiteti na ka vajtur si brekët, në fund të këmbëve. Kush bën shaka me jetën sot? Eh sa të dhimbset koka, aq sa po të të thërrasë Atdheu “nën armë”, e hedh pushkën në ndonjë hendek dhe as që nuk të plas cipa se cilësohesh dezertor.
Kokën shëndoshë pa të tjerat rregullohen!
Frika shtohet sidomos kur në listën e viktimave nga Covidi sheh emra miqsh që deri dje kishe ndarë kafenë e mëngjesit. Dhe kështu te radha për të bërë vaksinën ndesha me ca djem që ishin betuar se do merrnin vetëm vaksinë të prodhuar nga Perëndimi i largët. Mirëpo çfarë nuk të bën halli. Dhe kishin ardhur me vrap e pa fjalë të bënin vaksinën e “Lindjes së kuqe”.
Hë... Burra muti. Po ku kanë mbetur më burra. Inshallah nuk e kanë nga vaksina të paktën.
Jeta është e shtrenjtë vëlla. Ja aty, tek kinezi do përfundojmë të gjithë... Madje edhe “Stefan Bardhi këtu do të vijë...”
“Shqipëria buzëqesh”, këtij i them slogan unë.
Njerëzit duket sikur janë skeptikë ndaj vaksinave. Sepse në tregun mediatik qarkullojnë dhe plot teori konspiracioni ku ca e ca thonë se vaksinat e kanë një hile brenda. Po or vëlla, patjetër që e kanë. Se kimikate janë. Por çuditërisht edhe pse marrim tërë ditën e ditës kimikate, që ta shkurtojnë jetën, njeriu po jeton më gjatë se para 100 vitesh kur gjithçka ishte bio.
Si ka mundësi kjo?
Si ka mundësi të marrësh farmak me grushte dhe të jetosh për bukuri?
Si ka mundësi që të bombardohesh me kimioterapi, e cila vret e pret qelizat, të këqijat, por dhe të mirat i merr mbarë, dhe të mbijetosh e ta mundësh kancerin?
A duhet besuar shkenca apo tek teoritë e konspiracionit?
Nuk po zgjatem më shumë, sepse të gjitha këto do të mund t'i trajtojmë në një edicion tjetër. Ndryshe ç’u pa puna?!


Tuesday, April 6, 2021

“Në çdo stinë”, përpjekja për të thyer tabutë e absurdit

Viktor Gjika mbetet një ndër regjisorët më të mëdhenj të filmit shqiptar, dhe në këtë realizim ai kishte bashkëpunuar me një dramaturg e skenarist të ri Bashkim Hoxhën. Ndërkohë që dhe kasti i aktorëve ishte krejt i ri, ku shkëlqeu në mënyrë të veçantë Anisa Markarian por dhe Arben Imami, Ardian Cerga, Karafil Shena, Ermira Gjata e Ylli Demneri


Nga Leonard Veizi

Në vitet ‘60-‘70 Kinostudio “Shqipëria e Re” i kishte dhënë spektatorit vendas një tufë filmash me partizanë, e me spiunazh, ku Ministria e Brendshme nën udhëheqjen e partisë kish shkatërruar bandat e diversantëve, e madje kishte vënë në lojë edhe zbulimet e huaja. Por në fillim të viteve ‘80 u pa e arsyeshme të lirohej ca dora e të fillonte realizimi i një kolane ku, nëpër filma nisën të trajtoheshin temat shoqërore. Në këtë kuadër do të vinte dhe filmi i parë romantik e rinor “Në çdo stinë”...
 
...Mbrëmjen e së hënës së 5 prillit 2021, si kthehesha nga redaksia e hyj në apartamentin tim, shoh që televizori ishte bllokuar tek “Rtsh Shqip” i cili po transmetonte “Në çdo stinë”. Në familjen tonë filmat shqip shihen gjatë gjithë ditës dhe kjo nuk ishte ndonjë gjë e re. Por atë çast u kujtova se Bashkim Hoxha kishte lançuar një status në rrjetet sociale, ku fliste për premierën e këtij filmi që datonte në 5 prill të vitit 1981. Pra 40 vjet fiks. Ditëlindje që ia vlente të festohej, edhe pse ishte ditëlindja e një filmi. Dhe protagonistët e tij organizuan një takim virtual në përkujtim të kësaj date, në pamundësi të një takimi fizik.
Ca vite më parë, tek mbuloja rubrikën kulturore në gazetë dhe gërmoja nëpër gazetat e huaja për t’u njohur me ndonjë aktivitet ndërkombëtar, u ndesha në një shkrim ku flitej se 25-vjetorin e filmit “Telma dhe Luiza” një produksion hollivudian i vitit 1991. Pra nuk është se festimi i premierës së një filmi ka të bëjë me ndonjë trill shqiptarësh. Ai është po aq dhe amerikan. Dhe kur gjerat na vijnë nga Amerika bëhen më të lehta për t’u konsumuar. Si puna e Coca Colës. 
Në prillin e vitit 1981 isha ende pa i mbushur 13 vjeç. Pra isha 12 vjeç e 7 muaj. Në reklamat e kinemave, posteri i një filmi të ri kishte si imazh kryesor një çift të rinjsh, por fotografia më mbresëlënëse ishte ajo e një vajze që mbi kokë mbante një kurorë luledelesh. Në kinema “17 Nëntori”, 70-80 metra larg të cilës banoja, ishte e pamundur të gjeje biletë. Kjo ndodhte sa herë kishte ndonjë film të bukur, ndonjë film francez më konkretisht e sidomos kur aktori kryesor ishte Alen Delon. Në këto raste, djem të rinj e muskulozë, por dhe gjithfarë rrugaçësh aspak të tillë, hidheshin mbi kurrizin e njëri-tjetrit, duke grisur xhaketa e pantallona për të prerë bileta. Ndonjëherë kjo funksiononte dhe si një treg i zi, ku një biletë me çmimin 20 lekë të vjetra shitej për 30 lekë. Megjithëse kinemanë kisha filluar ta frekuentoja rregullisht, mendova të prisja të binte ca fluksi dhe filmin ta shihja në një kohë të dytë.
Epo..., kisha frikë mos më griseshin pantallonat e reja.
Por shumë shpejt do të ndërroja mendim. Sidomos pas bisedës me një shok lagjeje, 12 vjeçar edhe ai, i cili gjithë entuziazëm më tha se nuk duhet ta humbja filmin e ri. Ai më shpjegoi se jo vetëm që e kishte parë filmin, por kishte mbetur i mrekulluar, sepse për herë të parë shihte një trend të ri modern, ku aktorët kishin veshje në modë, dhe vetë filmi kishte një gjë të paparë deri asokohe: një puthje.
-Puthje...?
-Domethënë, jo tamam, por ai djali e mbështeti atë vajzën pas murit dhe...
-E puthi?
-Jo tamam, se puthja nuk u dha në film. Por u kuptua.
S’e bëra dysh. E meqenëse shoku im nga impresioni kërkonte ta shihte për herë të dytë filmin, zumë radhë dhe dikur arritëm t’i prisnin biletat. U shtymë e u vramë për të hyrë në dyert e kinemasë “17 Nëntori” e si përfundim u futëm brenda,... pa na u grisur pantallonat e reja.
Dhe më kujtohet mirë që skena e puthjes së munguar, krijonte një ilaritet të paparë e fishkëllima deri në absurd. Një gjë që më shqetësoi në fakt, pasi për shkak të zhurmës u desh të humbja batutat në vazhdim. Sepse me sa dukej, djemtë e rritur kërkonin dhe ca më tepër. Madje një e qeshur kolektive të shfrenuar dhe krejt të pakuptueshme pati dhe batuta: “Epo Valiasi nuk është postë që pret”.

Mbaj mend, që ashtu si atëherë edhe sot pas 40 vitesh, filmin “Në çdo stinë” e shoh me qejf të madh dhe çuditërisht nuk më mërzitet. Një remineshencë romantike nga adoleshenca. Vazhdon të më pëlqejë për lirizmin e tij, për kolonën muzikore të Aleksandër Peçit, batutat, lojën aktoriale regjinë filmike dhe poezitë e zgjedhura: 20 qindarka për të folur me ty, 30 qindarka për të ardhur tek ty,/ sikur miliona të me jepnin nuk do te kthehesha mbrapsht nga ti.
Padyshim që Viktor Gjika mbetet një ndër regjisorët më të mëdhenj të filmit shqiptar, dhe në këtë realizim ai kishte bashkëpunuar me një dramaturg e skenarist të ri Bashkim Hoxhën dhe kishte përzgjedhur syrin e operatorit Pëllumb Kallfa në kamera. Ndërkohë që dhe kasti i aktorëve ishte krejt i ri, ku shkëlqeu në mënyrë të veçantë Anisa Markarian, që për çudinë time, më pas, mora vesh se ajo jo vetëm nuk studionte në degën e artit dramatik, por ndiqte një degë krejt të largët siç ishte fakulteti i mjekësisë.
E parë sot pas 40 vitesh, disa nga skenat e filmit siç më bëjnë të nënqesh me zor, më bëjnë të më vijnë mendime për marrëzinë që na kishte pushtuar të gjithëve, sidomos pas goditjes që kishte marrë arti dhe kultura në vitin ‘73, reprezaljet në ushtri një vit më vonë, dhe ato në ekonomi në vitin 1976. Pra duhet të mateshe mirë përpara se të bëjë një film rinor me sens liberal, në kushtet e traumatizimit të përgjithshëm të shoqërisë, ku gjithsesi ishin shfaqur dukshëm dhe ndikimet e revolucionit kulturor kinez.

Në këtë kuadër, që në sekuencën e parë filmike shfaqet një avion mësimor mbi trupin prej alumini të të cilit shkruhej “US Air Force”, e ku studentët zboristë merrnin shenjë të pagabueshme.
“Poshtë imperializmi amerikan”.
Dhe nga fundi i filmit, si mbaron gatishmëria pas një sirene alarmi ku të gjithë vrapojnë për në vendstrehimet më të afërta, skena përsëritet, por këtë herë studentët zboristë qëllojnë mbi trupin e avionit ku shkruhej “CCCP”
“Poshtë social-imperializmi sovjetik”
- Ju hoqët nga gjiri i Europës një lumë kanceroz. – Unë atëherë sapo isha ngritur në këmbë, – Ndërsa unë me shokët luanim Çapajevin. – Çfarë shpërfytyrimi, nga Çapaveji tek Zheleznovi. – Mua më ishte dukur se ishin rritur në një kohë të zakonshme. I kam pasur zili moshatarët e kohës së luftës... – Kurse tani duhet të kemi zili moshatarët e viteve ’60. – Pse, mos të duket pak koha që jetoni?... – Të denoncosh Kinën, Maoizmin kjo është po aq madhështore...
Ky ishte dialogu i studentëve 20-vjeçarë pasi kishin parë premierën e filmit “Ballë për Ballë”, brenda filmit “Në çdo stinë”. Dhe padyshim këto e kanë shpëtuar filmi nga çensurimi i kobshëm i tij. Sepse fill pas kësaj skene butaforike, vinte një lirizëm i arsyeshëm.
–Tirana është e bukur në mbrëmje. – Kur nuk bie shi. – Jo, pse, mua më pëlqen edhe në shi.
Padyshim, nuk të linte njeri të bëje një film rinor vetëm me hallet e rinisë. Ata duhet të ishin dhe njerëz politikë gjithashtu. Jo më kot lënda e marksizmit zhvillohej që prej vitit të tretë të gjimnazit e sipër. Epo filmi e donte një bosht politik, ndryshe jo që nuk kalonte për t’u shfaqur në kinema, por me gjasa e gjithnjë trupa, nga regjisori e deri tek personi që shkrepte çakun, përfundonin në Spaç. Ashtu si me Festivalin e 11-të.
Dhe padyshim, fryma e partishmërisë proletare ndihej edhe në ftesat e përgatitura me këtë rast, e të bërë publike nga Anisa Markarian në faqen e saj të facebookut, ku shkruhej: “Në kuadrin e themelimit të Partisë dhe Kongresit të saj të 8-të. Kinostudio Shqipëria e Re organizon në Pallatin e Kulturës në 5 prill 1981 premierën e filmit të ri artistik shqiptar me ekran të gjerë dhe me ngjyra”.
Gjithsesi, në celuloidin e këtij filmi kanë mbetur dhe sekuenca nga Tirana e viteve ‘80, vende që tanimë nuk ekzistojnë, por që imazhet e tyre kanë mbetur ende në nostalgjinë e brezave.
Dhe për më tepër, kanë mbetur në role mbresëlënëse
-Agim Cerga në rolin e Lekës: “Ah, moj Mira, që s'ma vare kurrë; unë me bukë e ti me gur!”
-Ylli Demneri këtë herë si Ylli: Ej, radha 2 karrigia 7, me ne e keni? Leka është i madh mor jahu. Ai arrin çfarë të dojë!
-Karafil Shena si Fotaqi: “Që ditën e parë të dashurisë së parë, u grindëm dhe u ndamë për çështje parimore. Ajo s'njihte Danten, Molierin!”
-dhe Ermira Gjata në rolin e Elës, zëri i së cilës në këtë film është dubluar prej Marjeta Ljarjes: Nuk më ka shkuar ndër mend që ti interesoheshe për poezinë. Gjithmonë të kam kujtuar si një sportiste që nuk e vret mendjen. Por ti më dole sportiste sentimentale.
Filmi, trajton dashurinë e dy të rinjve: volejbollistes Zana nga Durrësi, me babain makinist, që studionte inxhinieri e praktikën profesionale e bënte në galeritë e minierës, dhe Bardhylit nga Kukësi, një djali të tërhequr, që babain e kishte ushtarak por vetë studionte për violonçel.
-Po ti nga ke ngjarë kështu. Lindur në Kukës, babain oficer kufiri, papritur ti muzikant. Duhet të ishe i ashpër, mundës.
-Sipas kësaj logjike, ti duhej të ishe kandil deti me shpejtësi kozmike. Lindur në Durrës babain makinist treni...
-Mirë ma bëre, Unë shpesh flas budallallëqe.
Filmi me një metrazh prej 1 ore e 16 minutash, mbyllet me xhiron e biçikletave rreth qendrës së Tiranës e bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku Anisa Markarian në rolin e Zanës kishte hipur mbi një biçikletë prodhim vietnamez, e njohur për dy zgarat e saj dhe partneri i saj Arben Imami në rolin e Bardhylit mbi një biçikletë kinezë 26-tëshe, shoqëruar nga vargjet:
Rini, rini/ e bukura, e mençmja, e pastra/ s'ta ndajmë jetën në ngastra/ askush nuk guxon të peshojë diku në kandar/ të bëjë me gram llogaritë siç bën me qiri inventar, kaq gram shëtitje/ kaq gram dashuri/ ti e di mirë, e di se cila është liria në jetë/ e vetmja liri e vërtetë,/ prandaj lirinë e mat me kut revolucionarësh/ që detin tallaz me gjoks të gjithë ta marrësh.
Dhe në sfond hoteli 15-katësh në qendër të Tiranës, i sapopërfunduar.
Bashkim Hoxha, Anisa Markarian, Ardian Cerga, Ylli Demneri


Nga Dajti plot oksigjen, ku shihet Tirana mes smogut

Që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është e thënë të shkosh në majën e tij, si alpinistët. Por mund të ndalosh në kuotën e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës”

 
Nga Leonard Veizi
 
Kur je në Dajt, tek mbushesh me oksigjen dhe lëshon pas vetes dy oksidin e karbonit, të duket sikur ajo masë ajri e papërfillshme rrëshket poshtë nëpër rrëpira natyrale e shkëmbinj të “kafshuar” prej dorës njerëzore, për të shkuar në ultësirën ku ngrihet Tirana vetëm 110 metra mbi nivelin e detit, e ku bashkohet me furinë e madhe të smogut që ndot qytetin në një vazhdimësi të pandërprerë...
 
...Dajtit është një mali më i afërt me kryeqytetin i cili kap një kuotë prej 1613 metra lartësi. Por atje në majë të këtij mali kanë punë vetëm teknikët e antenave, dhe padyshim kafshët e egra, nëse kanë mbetur akoma në ato anë.
Gjithsesi, që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është e thënë të shkosh në majën e tij, si eksploruesit, alpinistët apo... gjeologët. Mund të ndalosh në kuotën e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës” dhe sërish të quhet se je ngjitur në Dajt. Për më tej, duhet ta kishe bërë në mend që në fillim, të visheshe si boy scout me tuta sporti, këpucë alpine e çantë shpine ku duhet të ngresh 30 kilogram peshë me gjithfarë gjërash të domosdoshme për një udhëtim, që nga çadra portative, tek konservat, po pa harruar bidonin e ujit.
Tereni përreth është fort mbresëlënës, ndërsa pamja poshtë, sa më lart të ngjitesh aq më e trishtueshme bëhet. E megjithatë edhe kjo e ka një farë bukurie. Dikur, prej malit të Dajtit mund të dalloje 15-katëshin por dhe godina të tjera të rëndësishme të kryeqytetit. Por sot të duhen dylbi që të mund të shquash diccka. Sepse tymnaja gri që qëndron mbi qytet të pengon shikimin. Dhe kjo ta prish krejt qejfin.
Po qe se mushkëritë të janë mbushur me grimca kancerogjene nga tymi i makinave dhe ai i duhanit, Në Dajt mund të pushon ca ditë në ndonjë prej viletave që gjen andej rrotull pa shumë vështirësi. Dhe kur të kthehesh në Tiranë do të ndihesh veten më të lehtë, sigurisht.
Por nëse gjatë rrugës kthen mendje, sepse të duket e mundimshme ngitja, mund ta ndalësh makinën tek ndonjë lokal, të pish një kafe e një gotë të madhe ujë burimi që zbret drejtpërdrejt nga mali, e si ta kesh marrë veten nga kthesat dhe veshët të të jenë zhbllokuar nga presioni i ajrit, i hipën sërish makinës për të mbërritur në destinacionin e zakonshëm, Tiranën, në rastin më të afërt.
Ka nga ata që nuk duan të lodhen e as ta sforcojnë motorin e makinës në të përpjetat e kthesat e forta, ndaj gjejnë një rrugë tjetër, shumë më komode, i hipin një teleferiku.
Por ka dhe nga ata që ia marrin në këmbë dhe nuk pyesin nga lodhja dhe lartësia.
Vite më parë, shkollat e Tiranës e kanë pasur si një formë detyrimi, që nxënësit e klasës së 8-të e sipër t’i conin për eskursion në malin e Dajtit, e të flinin një natë tek Kampi i Pioniereve. Udhëtimi bëhej në dy etapa. Prej shkollës përkatëse deri tek vendi që quhej “gurorja” të çonte një autobus “Skoda” i prenotuar ku secili paguante një kuotë prej 10 lekësh të vjetra. Prej gurores e deri tek Kampi i Pionierëve rruga bëhej në këmbë. Ishte një udhëtim prej dy a  tre orësh nëpër një terren tepër të thyer e mbushur me shkurrina. Në darkë organizohej një mbrëmje e përbashkët vallëzimi, ku përgjithësisht shkriheshin brezat e ndryshëm, atë të 8-vjeccares, me gjimnazistët dhe jo rrallë herë dhe me studentët e universitetit. Ahengut me muzikë live ia linte vendin zhurmës së vazhdueshme në dhomat e gjumit dhe vetëm afër mëngjesit gjithçka binte në qetësi. Por e nesërmja ishte po ashtu aq lodhëse, sepse zbritja gjithashtu bëhej në këmbë deri tek stacioni i Kinostudios, ku nxënësit e rraskapitur e të pagjumë, paguanin nga tre lekë të vjetra biletën e autobusit urban për të shkuar më pranë shtëpive. Gjithsesi këto ishin ditë që priteshin me ovacion të lartë, pavarësisht peripecive.
Gjithsesi Dajti kishte dalë nga vëmendja për shkak të njohjes së terrenit e meqenëse shpesh të duket “si i shtëpisë”. Ndaj kam qenë në kërkim të njohjeve të tjera të cilat nuk kam pasur mundësi t’i vizitoja më parë. Por gjithmonë ka një kthim tek dashuria e vjetër, sidomos kur periudha e largimit bëhet disavjeçare.
Një pjesë e rrugës është e mirë që udhëtohet lehtë nëpër të. Gjithsesi, pas postbllokut ku të vihet në dukje se je duke hyrë në Parkun Kombëtar, do të të duhet të paguash një tarifë, 50 lekë të reja për person dhe 100 lekë po të reja për makinën. Prej postbllokut rruga është e ngushtë, e me mure përforcuese në kthesa të forta që duket sikur nga ndërtuar prej Luftës së Dytë Botërore e prej atëherë nuk është vënë më dorë. Dhe ndoshta me të drejtë, sepse një urbanizim i terët i zonës do të thotë të humbasë një pjesë e origjinalitetit të saj. Gjithsesi asaj rruge detyrimisht në kryqëzim me një tjetër makinë do të të duhet të dalësh jashtë asfaltit. Por gjithsesi kjo nuk përbën ndonjë problem të madh  aq sa për ta ngritur si çështje.
Rrugës, aty këtu do të gjesh resorte interesante dhe shtëpiza të vogla druri. Panorama mes pyllit gjithsesi në një ditë pranvere është e bukur, por shumë më tepër është në një ditë dimri mbuluar me dëborë.
Në ballkonin e Dajtit mund të qëndrosh për të bërë fotografi dhe të shohësh qytetin nga sipër. Por zhgënjimi është i madh sigurisht. Sepse gjëja e parë që mendon është se 40 minuta më parë je nisur prej atij pellgu të mbuluar nga smogu gri, dhe nja dy a tri orë më vonë sërish do të jesh pjesë e saj. Dhe terapia disa orëshe me oksigjen e Dajtit nuk të bën derman.
Gjithsesi Dajti, ka qenë dhe mbetet një nga pikat më të frekuentuara turistike, dhe boy scout nuk mungojnë asnjëherë t’i futen aventurës për t’u ngjitur deri në majën e tij e të kalojnë përtej.
 

Sunday, April 4, 2021

E errët bota e artit


Nga Leonard Veizi
 
Të mësuar prej një viti të flasim gjerësisht për virusin Covid dhe vaksinën që i vë një barrierë imunizuese atij, kemi harruar se jeta e përditshme ka dhe elementë të tjerë që e bëjnë të larmishme, veç faktit që duhet punuar të paktën 8 orë gjë që siguron të ardhurat e nevojshme e duhen bërë nja 8 orë gjumë për të rikarikuar bateritë e përdorimit personal. Ndërkohë 8 orët e tjera të 24 orëshit mbeten të pambuluara.
Meqenëse kinemaja dhe teatrit, - pa përmendur operën dhe baletin, -  i kanë mbyllur dyert, mundësia që të marrësh një porcion ushqimi shpirtëror mbetet i kufizuar. Kështu që në rastin më të mirë do t’i drejtohesh për lexim një libri, ose do të konsumosh një spektakël televiziv që herë qëllon dhe herë jo, ose në rastin më të keq do t’i drejtohesh telefonit portativ, ku gjëja e parë që të të të dalë para syve sapo të ndezësh ekranin do të njoftohesh ose mbi një vrasje për motive të dobëta, ose për një aksident me humbje jete, ose për fatalitetet e Covidit bashkë me infektimet përkatëse. Pra, sërish mbetëm tek Covidi.
Ku ishim? Hiçgjëkundi.
Covidin e nxjerr nga dritarja por ai të futet nga dera.
Situata pandemike që e ka mbushur vitin, i ka bërë njerëzit më të pandjeshëm. Veç faktit që do të të duhet të mendosh për mbijetesë, kur përditë merr lajmin për vdekjen e një personi të njohur, për shkak të virusit. Ndërkohë prej një viti mundësia që të dëgjosh muzikë live, të jesh pjesë e një plateje për të ndjekur një sfilatë, të vizitosh një ekspozitë të artit viziv me piktura e instalacione apo dhe të jesh pjesëmarrës në një dasmë tradicionale ku veç konsumit të pjatës me mish qengji dhe të bakllavasë me sherbet do të të duhet të shkundesh dhe nja dy-tri herë në vallen e çiftit, është kthyer në inekzistente.
Që në krye të herës u tha se virusi do të ndryshonte qasjen tonë ndaj botës.
Ai e ka kryer misionin e tij tashmë.
Njerëzit janë duke e harruar përditë botën e artit. Ata po ushqehen me lajme mbi sasinë e prodhimit të vaksinave. Dhe janë të lumtur kur emri u thërritet në apel.

Friday, April 2, 2021

Të mobilizuar në luftë


Nga Leonard Veizi
 
Jemi apo s’jemi në luftë. Të gjithë të mobilizuar, si një trup i vetëm, për të mundur armikun. Drejt fitoreve të reja...
Vamë ku vamë dhe sërish u ndalëm te sloganet që mësuam në kohën e xhaxhit. Menduam se na vajtën dëm, por jo, ja që u dashkan. Rasti në fjalë është specifik.
Vaksinimi po ecën me ritme të shpejta. 70-vjeçarët janë vënë në radhë të marrin një dozë të paktën. Por edhe Covidi ama, s’po i lë gjë mangët. I shpejtë si veriu. Këtë na e bëri të ditur doktor Fauçi prej Amerike. “Ekziston rreziku i një vale të re”, ka theksuar ai së fundmi. Madje ka këmbëngulur. Kështu thonë axhanset të paktën.
Heu bre...
Demek të mos i heqim armët nga supi ne, as kundërgazet. Siklet i madh për besë. S’na lanë të gëzoheshim as tani që magazinat i kemi dëng me “Sinovac”. Po ne akoma s’kemi mbyllur këtë valë, që e kemi nëpër duar, dhe që është e treta në radhë. Kjo do të thotë se do të ketë një valë të katërt?
Sipas të dhënave, po. Mjafton që u hap thesi...
Vëlla, sikur e kishim llafin vetëm me tre valë. Kaq na u tha se mbante kjo punë. Sipas epidemiologëve, sigurisht. Sipas statistikave. Se po nisi kështu, i bie që pas të katërtës të vijë e pesta e me radhë. Si dihet ku e ka fundin pastaj.
-Epo hë more shoku Salë... ndonjë punë të tretë nuk kishe?
-Edhe atë do ta rregullojmë, do ta rregullojmë!
Nuk po përmbahet hiç virusi. “Ç'të bën Covidi nuk ta bën as Perëndia”. Ky është formulimi i ri i sentencës, edhe pse modeli i mëparshëm, për shkak të rimës ka më shumë muzikalitet.
Kjo puna e valëve që nuk kanë ndërmend të mbarojnë duket si ato të bombës atomike. Meqenëse jemi në luftë edhe krahasimet me armë lufte më dalin.
Jemi futur në llogoret tona, si në betejën e Stalingradit, të rrethuar nga armiku. Përderisa Antoni Fauçi, - si eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, - flet për një valë të katërt pandemie...??? Po pse çfarë u bë virusi, si divizionet e sulmit të Vermahtit që s’kishin të sosur?!
A mos është ca si shumë abuzuese? Domethënë, do t’i vijë fundi kësaj pune, apo do vazhdojmë të jetojmë me frikë në zemër e gjak të ngrirë... dhe me maska në fytyrë sigurisht. Se maskës nuk i shpëtojmë dot. As gjobave.
-Stuhi xha Jaho, stuhi. S’ke ç'bën, sot nuk do shkarkojmë çimento.
-I dhe ujë gomarit...
Kë të besosh mor aman. Se kryeministri ynë na ka dhënë shpresë, që nga vera nuk do të ketë kufizime. Që do të thotë se, virusit do i japim dërrmën e do jetojmë si më parë.
-Thonë, zoti doktor, se nga behari do shporret dushmani. Do çlirohemi.
-Ashtu qoftë moj nënë, ashtu qoftë!
Jo mo po ku i ke besë virusit. Thonë se është virus inteligjent. Kudo që vetem merr nga një pasaportë të re: virusi kinez, ai britanik... le po ka dhe virus brazilian. Sa valë do kalojnë. Ehu... E gjashta... e shtata... S’ke ku ia sheh fundin. Kot nuk na u thanë nja dy-tre gjëra që në fillim të pandemisë: “është luftë”, “do vazhdojë gjatë”,  “do ndryshojë sjelljen e njerëzve”.
S’keni parë gjë akoma.
Nëse është fjala për për përdorimin masiv të sapunit dhe alkoolit, ky nuk është ndonjë ndryshim i madh. Nëse ndryshimi nuk është bërë evident atëherë na duhet të presim derisa të ndryshojë. Kjo do të thotë se valët do të vazhdojmë t’i numërojmë.
Edhe po shpëtuam nga Covidi, një tjetër pandemi na pret. Këtë e lajmëroi vetë Bill Gejts. Pandemi pas pandemie. O do shkojë atje ku është planifikuar o do bëjë “bum”. Edhe për Covidin na kishte dalë borxhit Billi, por ne s’e dëgjuam. Na tani... paguaj faturat.
Tregu i vaksinave është bërë si tregu i gjësë së gjallë në pazarin e Roskovecit. Ose si ai i Korçës të paktën. Sepse aty shitej gjithçka, nga kuajt, dhitë e gomerët e deri tek drithi.
-Shtrenjtë the? Po nuk e di ti ç’mundime heqim për ta rritur këtë grurë? Flori. Na kanë rënë thonjtë. Pastaj, ai që ka për të blerë nuk pyet në është shtrenjtë a lirë. Nuk ia kemi ngenë e llafit.
-Vërtet nuk ia ke ngenë se të mbyti puna e spekulimit...
Lepe? Mos do të thuash se po spekulohet me vaksinat, zotërote? Flitet për jetë njerëzore, për kujdes human.
Vaksina në kushte emergjence, sot ka prodhuar Amerika dhe Anglia. Ka prodhuar Kina dhe Rusia. Janë gati ta prodhojnë Italia dhe Turqia. Turli vaksinash, aq sa të bëhet koka si lavjerrës orësh. Emergjencë e rrallë. Ashtu si në çdo rast lufte. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për një kohë të shkurtër u hodhën në front shumë armë të reja, tanke, avionë, nëndetëse madje dhe raketa shumëgrykëshe tip “Katjusha”. S’lanë kusur.
Por vaksinën nuk ta lë kush ta marrësh si të duash. Pse u lirua gjë... Vetëm në kushte lufte, kur ka mungesa, një ushtar merr pushkën bosh, tjetri një krehër me fishekë, por pa pushkë. Dhe pastaj duhet të luftosh.
Në Tiranë vaksinimi po ecën me një intensitet të paparë. Tek sheshi “Skënderbej” janë ngritur çadrat. Por ndryshe nga ato të ekspeditave ndëshkimore prej ushtrisë osmane, madje ndryshe dhe nga ato të partive politike që ngrihen sa herë ka ndonjë ngërç për t’u ç’koklavitur, kësaj radhe çadrat kanë karakter humanitar. Epo shyqyr.
“Shqipëria po buzëqesh”!
 

Sunday, March 28, 2021

Tek liqeni i Belshit, kryeqytetit hipotetik të shqiptarëve


Në vend të një reportazhi
 

Nga Leonard Veizi


Si ke lënë autostradën që vjen nga Tirana dhe je futur në rrugën e Bradasheshit, tek rrethrrotullimi i kufizuar nga karburantet shumëngjyrësh, nuk do të të duhet të futesh për tek “autostrada” e Metalurgjikut, e cila të çon në Elbasan, por duhet të marrësh djathtas dhe t’ia mbash drejt, e si të kaptosh mbi një urë shkumbinase, fillimisht do ndeshesh me tabelën: Vidhas. Si ke kaluar dhe Paprin, duhet sërish të ndryshosh kurs, e të futesh majtas, për të marrë rrugën që të çon në Cërrik. Dhe pa u futur mirë në qytetin e Cërrikut do të të duhet të ndërrosh sërish rrugë, të marrësh djathtas atje ku kryqëzimi ka si pikë simbolike sërish një karburant. Dhe po të ecësh asaj rruge për pak minuta do të ndeshesh me liqenin e parë të Belshit. Pas tij sigurisht vjen liqeni më i madh dhe Belshi vetë si qendër administrative. Sepse Belshi si qendër e Dumresë përbëhet nga disa liqene.
Shumë i njohur për bukurinë e veçantë të peizazhit, Belshi përshkruhet si kryeqytet i mundshëm i Shqipërisë osmane, nga një ndër personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashërit. Sepse asokohe shqiptarët, si pjesë përbërëse e perandorisë, kishin një tjetër kryeqytet, Stambollin.
Por dëshira e Sami Frashërit nuk arriti të bëhet realitet. Shumë më pas se Sami Frashëri të botonte librin e tij “Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet”, kryeqendra provizore e vendit lëvizi nga Vlora në Durrës... U fol për Shkodrën dhe Elbasanin. Por pastaj u vendos Tirana. Dhe nëse Belshi do të ishte bërë vërtet kryeqytet i Shqipërisë, do të kishte rezervatin e saj natyral të ujit dhe nuk do të duhej punë vullnetare për të krijuar një liqen arificial, si ai që ka Tirana, tanimë.
Por kjo i takon historisë.
Në realitetin e sotëm, Belshi ka një popullsi prej rreth 6000 banorësh dhe si bashki ajo numëron rreth 14.000 banorë. Pra, sa aneksi i një lagjeje periferike të Tiranës. Se thonë që kryeqyteti ynë ka një milion e kusur banorë, dhe s’ka lënë njeri pa ardhur në kryeqendër, që të jetojë pranë mbretit. Ca të tjerë, më të zgjuar, - në dukje besoj, - kanë preferuar të shkojnë pranë detit. Se mbretin e shohin çdo darkë në televizor.
Belshi ndodhet në jug-perëndim të Elbasanit, rreth 30 km larg tij. Dhe 60 kilometra nga Tirana. Përkthyer në një distancë mesatare kohore udhëtimi për të shkuar nga kryeqendra e Shqipërisë në kryeqendrën e Dumresë zgjat përafërsish 60 minuta.
Pamjet e Belshit të ristrukturuar tanimë kanë bërë xhiron e Shqipërisë. Se fillimisht ato i hodhi në tregun mediatik kryeministri Rama, duke u betuar se Rilindja Urbane, do rregullonte jo vetëm kërthizën e Shqipërisë, por edhe cepat më të shëmtuar të saj. E ndoshta dhe për shkak të kësaj sapo hyn në Belsh të pret një pankartë e madhe ngjyrë mavi me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë”
Për një turist të thjeshtë, që nuk do t’ia dijë për politikat urbane, vlerë ka argëtimi në mënyrë të kulturuar, për sa kohë ai kërkon të kalojë në këtë qytet. Belshi nuk të ofron një kala si të Krujës dhe as si ajo e Petrelës, por qetësia e liqenit, dhe gjelbërimi i pllajave përreth tij është shumë domethënës.
Bregu i liqenit nga ana e qytetit është i ndriçuar mirë me drita led, është shtruar për së mbari me pllaka të cilësisë mesatare, dhe mbi liqen është montuar një bankinë dërrasash që kanë filluar të deformohen tashmë. Por aty-këtu në shëtitoren buzë liqenit janë vendosur dhe disa buste ku veçohet ai i Skënderbeut dhe i Sami Frashërit. Për më shumë se kaq, kudo nëpër shëtitore dhe në disa restorante periferike do të ndeshësh kolona me kapitele, aq sa po të mos informohesh se janë punime të kohëve të fundit, për modë, do mendosh se janë mbetje arkeologjike të kulturës helene ose asaj romake që nga koha e pushtimit prej Paul Emilit. Ose-ose, greko-romake të marra së bashku.
E megjithatë duhet thënë se në Belsh ndodhet një nga vendbanimet më të lashta të ilirëve. Gërmimet arkeologjike në Gradishtë kanë dëshmuar se aty ka qenë vendbanim i lashtë, ku në bazë të sendeve të gjetura është vërtetuar se zona ka qenë e banuar që prej periudhës së bronzit të hershëm.
Udhëtimi që të çon në destinacion bëhet i këndshëm, nëpër një rrugë që gjarpëron nëpër kodra të buta e fusha të punuara mirë, gjë që të bën të mendosh se shqiptarët janë po aq bujq të mirë me parmendë në dorë, sa kanë qenë dhe dikur jeniçerë me shpatë në brez.
Dhe e gjitha kjo, sepse zona është turistike. Dhe njerëzit që shkojnë për të kaluar një fundjavë në këtë trevë, padyshim që duan dhe ca ushqime, në mos 100 për qind bio, të paktën bio në përqindje më të lartë se 50. Sepse në kushtet e sotme, ku mendohet se shumë ushqime janë sintetike nuk është e habitshme që edhe pse ke porositur një sallatë fshati të hash kashtë shoqëruar me oriz plastik, për të cilin të “sigurojnë” se është pilaf milanez.
Por zona duket se ka prodhim të mbarë dhe veç tokave të punuara në çdo cep syri të zë dhe shumë sera, të cilat padyshim jo vetëm e shtojnë prodhimin, por japin dhe zarzavate të cilat nuk janë të stinës.
Pasi ke pirë një kafe në qendër të Belshit, ke bërë dhe një xhiro buzë liqenit sa të janë këputur këmbët dhe mesi bashkë, papritur e ndjen se vetëm në dy-tri orë ti hartën e qytetit e ke në pëllëmbë të dorës. Këtu fillon të zbehet dhe interesi për shtëpitë e bukura të ngritura vitet e fundit, ku banorët të bëjnë me dije se kapitali për ndërtimin e tyre ka ardhur si rezultat i punës në emigracion. Ndërkohë ke mësuar ku ndodhen markatat, tregu i prodhimeve sezonale, floktoret, dyqanet e vesh-mbathjeve dhe restorantet. Si ka kaluar dhe kjo valë qejfi e relaksi, dilemës se nuk ke çfarë të bësh më aty, i zë vendin mendimi se ka ardhur koha t’i hipësh makinës e t’ia mbathësh me shpejtësi sportive.
Por jo...
Tanimë Belshi ka dhe një risi që të bën të kalosh të paktën dhe një orë më shumë sa të afrohet orari i drekës, ku qëllimi për të ngrënë një pjatë mishi të dhjamosur shoqëruar me salcë kosi, patate e birrë me kanoçe, nuk të shqitet prej mëngjesit.
Në molin e liqenit të pret një anije e vogël, e cila për një çmim shumë të arsyeshëm të ofron një shëtitje 20 minutëshe përreth liqenit. Të paktën kjo ta largon vëmendjen nga helli që vërtit mishin e qengjit dhe sofra ku shtrohen aq pjata sa me ushqimet që serviren në to to do të nginjej dhe një derr.
Pasi je rehatuar në kuvertën e katit të dytë të anijes “Uniqe”, - ku nuk mungojnë as jelekët e shpëtimit ngjyrë portokalli, - mund të porosisësh një kafe të dytë, sepse aty ka një banak, dhe vetë kuverta është trajtuar si një bar-kafene. Të gjithë udhëtarët turistë shkrepin foto e selfie dhe udhëtimi që nuk është dhe aq i shkurtër, shkurtohet edhe më, pasi koha kalon shpejt.
Moti është i mirë, liqeni i qetë dhe anija rrëshqet mbi ujë.
Floriani, administrator i kësaj anije, thotë se gjatë një fundjave i ka qëlluar që të shëtisi gati 10 mijë turistë. Sepse anija mban turisë në të dy katet e saj, - rreth 120 të tillë, - ku jo rrallë të organizuarit me shkolla apo zyra punë mund të bëjnë një party, e të kërcejnë pak, pasi muzika nuk mungon.
Natyrisht, gjatë verës, njerëzit dynden të bëjnë një udhëtim, pasi dielli është fshehur në perëndimin e tij dhe në qytet janë ndezur dritat.
Atëherë po, gjithçka duket më e bukur!


Thursday, March 25, 2021

Gënjeshtrat inteligjente të fushatës


Nga Leonard Veizi

Çdo ditë e më tepër fushata zgjedhore apo parazgjedhore në mund të quhet kështu, po bëhet po aq interesante sa dhe vitet e shkuara. Madje këtë herë edhe më interesante, ku mungesës së platformave i janë shtuar ca aksesorë të tjerë kontemporanë. Fjalë vjen: Edin si kryeministër e gjejmë kantier më kantier duke inspektuar punimet e pambaruara për të cilat kërkon një tjetër mandat tjetër në përfundim të së cilit pretendon ta bëjë Shqipërinë lule. Ndërsa Luli si kryeopozitar ndeshet kafene më kafene duke takuar baristë e kamerierë por dhe artistë humori ndonjëherë. Ndoshta sepse fushata ka nevojë pak më shumë nevojë për humor, pasi maskat në fytyrë na rrëfejnë se Covidi nuk është zhdukur me një “të ngritur të flamurit” dhe as me nja 60-70 mijë doza vaksinash që na kanë ardhur kohët e fundit me avion portativ.
Por fushata më së shumti sot bëhej nëpërmjet rrjeteve sociale. Nuk ke pse paguan një kameraman me aparat profesional, kur mund të përdorësh celularin dhe ta kesh kryer punën. Madje këtu mund të të ndihmojë free dhe bashkëshortja e cila mund të bëjë dhe montazh me një aplikacion të shkarkuar.
Eh, ku vajti shkenca.
Nisur nga ky zhvillim i paparë teknologjik, sot takimet tetë a tetë nuk janë të nevojshme. Jo vetëm nga rrezikshmëria e përcjelljes së virusit, por më së shumti në ruajtjen e energjive. Sepse takimet me turmat ku duhet të mbash fjalime me zë të lartë, të lodhin e të këpusin jo vetëm nga gjunjët e këmbëve por dhe nga kordat e zërit.
Fushata po shkon për së mbari. Sherret e vogla të militantëve janë të papërfillshme përpara premtimeve për rritje rrogash me euro. Shoku Enver dikur i bënte premtimet me flori. Domethënë me lugë floriri. Sot leku ka dalë nga përdorimi, flitet me euro,
Kjo do të thotë se po bëhemi gati të futemi në Evrope.
Në Shqipëri ka nisur moda e terminaleve. Po ngrihen terminalet e autobusëve, terminalet e trenave, terminalet e trageteve dhe terminalet e avionëve.
Shkurt do bëhet ajo që shoku Enver nuk arriti ta bënte dot: Shqipërinë shkëmb graniti dhe qendrën e botës ku do përplaseshin interesat e mëdha globale.
...dhe përralla vazhdon...

Në udhëkryqin “Kasandra”


Nga Leonard Veizi

Gjatë këtij viti, - që daton nga marsi 2020 e deri në marsin 2021, - kam shkruar shumë rreth pandemisë dhe konspiracioneve që rëndojnë mbi të. Dhe do të vazhdoj ta bëj për më tej, sepse enigmat vazhdojnë. Dhe në një hapësirë ku ka enigma, konspiracionet kanë terrenin e duhur për të lulëzuar e për t’u bërë faktor deri në tejskajshmëri.
Nisja e “epokës pandemike” u konsiderua si nisja e një lufte. Dhe është e tillë. Por zyrtarisht nuk mund të quhet ende si Lufta e Tretë Botërore, pasi mungon emri i zjarrvënësit.
Lufta e Dytë e kishte një emër të tillë, Adolfi, i cili i mori me vete të gjitha mëkatet e kësaj lufte bashkë me vdekjen e tij të fabrikuar. Lufta gjashtëvjeçare la mbi 60 milionë viktima.
Më parë se kaq, Lufta e Parë Botërore gjithashtu e kishte një emër, Habsburgët e Austro-Hungarisë që i shpallën luftë Serbisë për të vendosur në vend nderin pas vrasjes së princit Ferdinand,- që ishte  trashëgimtar i fronit perandorak, - nga një nacionalist serbo-boshnjak, anëtar i shoqërisë “Dora e Zezë”. Lufta në hapësirën e pesë viteve, në fakt, shkaktoi më shumë se 20 milion të vrarë.
Dhe ende pa mbaruar kjo luftë mizore me armë të rënda, u shfaq “gripi spanjoll”, që shkaktoi viktima po aq sa dhe lufta, ndoshta edhe më shumë. Edhe asokohe shtypi shkroi se virusi i ashtuquajtur “gripi spanjoll”, - por që shkencërisht ishte i koduar nën siglën H1N1, - ishte prodhuar nga dora njerëzore në kushte laboratorike.
Historia na ka mësuar se e keqja më e madhe e njerëzimit është po ai vet. S’ka ndonjë gjë për t’u çuditur këtu.
E ndërsa midis dy luftërave botërore kishte vetëm 20 vite paqe, - kohë për riarmatosje me mekanizma më të përparuar, - prej vitit 1945 e deri në 2020 bota përjetoi luksin e 75 viteve qetësi të brishtë e zhvillim të lartë teknologjik.
Por meqenëse shkenca të jep mundësinë të bësh luftë më pak të zhurmshme se sa nisja e miliona ushtarëve në front shoqëruar me tanke, avionë, nëndetëse e anije mbiujëse goditëse, edhe Lufta e Tretë mund të konsiderohet si një përplasje interesash të mëdha, që kur të sheshohen me gjasa mund të sjellin Rendin e Ri Botëror, aq të përfolur.
Të jemi të qartë, kjo është teza e mbrojtur më së shumti nga konspiracionistët. Por në një botë të lirë, tezat dhe librat e botuar prej tyre shiten në miliona kopje. Që do të thotë se një kontingjent i konsiderueshëm njerëzish marrin këtë lloj informacioni dhe ndikohen prej tyre. Dhe këtu nuk flitet për internet pa kufi, që e shumëfishon informacionin.
Megjithatë “ku ka zë s’është pa gjë”, thotë populli. Dhe në raste të tilla të gjitha hipotezat janë të mundshme.
Bota sot është në udhëkryq.
Udhëtimi vazhdon të jetë i mbushur me rreziqe edhe pse injektimi i popullsive me dy doza antivirus po vazhdon me shpejtësi, po ku dalja e 6-7 vaksinave njëherazi përveç optimizmit e futi qenien njerëzore sërish në mendime të thella: A mos ishte e gjitha kjo një gjë e planifikuar???
Herë-herë duket sikur lokomotiva që tërheq vagonët me njerëzit brenda saj, e që udhëton në sistemin e kohës, po bën të njëjtën rrugë, po si ai treni të cilit iu ndryshua destinacioni, dhe u la qëllimisht të shpejtonte mbi një trase të vjetër e të braktisur hekurudhore, shinat e të cilit e çuan mbi një urë metalike të ndryshkur e të pamirëmbajtur, e cila quhej “Ura Kasandra”.
Për ata që e mbajnë mend, ky ka qenë një film, produksion britaniko-italian i vitit 1976, për realizimin e të cilit u angazhuan një kast aktorësh të jashtëzakonshëm si: Sofia Loren, Riçard Harris, Ava Gardner e Martin Shin.
Për ata që nuk e kanë parë në televizor, ai tashmë ndodhet lehtësish i aksesueshëm në kanalin e youtube-it në internet, nën emërtimin origjinal: “The Cassandra Crossing”.
Vite më parë, ky film është konsideruar thjesht si një fiksion, madje dhe është dërrmuar nga kritikët e kinemasë, të cilët e panë me dyshim trillin mbi të cilin ishte inskenuar subjekti. Por i vlerësuar në ditët e sotme, ai mund të lexohet me një regjistër tjetër.
Skenari flet për tre terroristë suedezë që hyjnë në laboratorët e OBSH-së në Gjenevë për të vendosur një bombë. Rojet e shërbimit të brendshëm japin alarmin. Terroristët kërkojnë të fshihen në një nga laboratorët e sigurisë së lartë, ku studiohen viruset e reja. Një prej tyre vritet, tjetri plagoset rëndë; por plumbat shkatërrojnë dhe disa ampula që përmbanin viruse, e që i infektuan ata. I fundit nga grupi arrin të largohet. Ai mbërrin në stacionin hekurudhor të Gjenevës dhe hipën në trenin që kish si destinacion final, Stokholmin. Rrugës zbulohet se terroristi po vuante tanimë nga virusi, e që fillimisht u identifikuar në mënyrë të paqartë si pneumoni apo murtajë, me një normë vdekshmërie prej 60 përqind. Terroristi i arratisur vdes, por ndërkohë virusi është përhapur tek disa pasagjerë. Kjo përbënte problem, pasi një ekip mjekësor mendoi se treni mund të kthehej në qendrën e përhapjes së një epidemie. E si zakonisht në këto raste kërkohet ndihma e ushtrisë. Një kolonel vepron sipas urdhrave që merr nga eprorët e padukshëm. Ai këmbëngul në ndryshimin e udhës së trenit në një linjë hekurudhore të papërdorur, e cila do ta çonte kontingjentin e pasagjerëve në një ish-kamp përqendrimi nazist në Janov të Polonisë, ku udhëtarët do t’i nënshtroheshin karantinës. Linja e ndryshuar përshkonte me një urë hark prej çeliku të paqëndrueshëm, që njihej si Ura Kasundruv ose “Kalimi Kasandra”, e që ishte jashtë përdorimit. Treni u ridrejtua për në Nuremberg ku e prisnin ushtarët të armatosur, me veshje lufte biologjike. Në stacion dritaret e vagonëve hermetizohen. Pasagjerët bëhen të vetëdijshëm për gjendjen e tyre si të burgosur. Gjatë rrugës ata përleshen me ushtarët e armatosur, sepse kanë kuptuar që lokomotiva po tërheq vagonët në një rrugë pa kthim. Treni kalon mbi urën “Kasandra” dhe meqenëse ajo nuk e përballoi peshën e tij shembet dhe disa nga vagonët bien nga një lartësi prej dhjetëra metrash. Ky është dhe epilogu i filmit, pasi ekipi mjekësor ka vënë në dijeni komandën ushtarake se virusi nuk është dhe aq i rrezikshëm dhe se mund të luftohet. Por urdhrat janë urdhra, dhe ushtarakët dinë vetëm t’i zbatojnë ato, qoftë dhe duke marrë jetë njerëzore, aq sa është e mjaftueshme për të quajtur një çështje si “closed case”.
The Cassandra Crossing” ishte një produksion filmik që në njëfarë mënyre i parapriu dhe një kolane të tjerë filmash me tematikë viruset, për të mbërritur te realizimet më të fundit si “Pandemia” apo "Infektimi" marrë përsipër nga Hollivudi amerikan tashmë.
E ndërkohë, kthehemi përsëri me këmbë në tokë, te pandemia që shkaktoi virusi Sars Cov-2 me Covid-19. 
Ai ishte ai një prodhim natyror apo i modifikuar nga dora njerëzore? Rrodhi nga një laborator gabimisht apo u hodh qëllimisht?
Për këto pyetje vështirë se do të marrim një përgjigje të pastër.
Ndërkohë, nga Evropa, pas një viti përpjekjesh, ende nuk vijnë sinjale pozitive. Masat e shtrëngimit vazhdojnë, njerëzit cilësohen ende si të karantinuar, detyrohen të mbajnë maska si aksesorë veshjeje, dhe vazhdojnë të pengohen në lëvizjen e tyre të lirë. Certifikatat që tregojnë se je i imunizuar, edhe pse u tha se nuk do të gjenin zbatim, kanë hyrë në linjën e prodhimit tashmë. Dhe pak nga pak, planet për të cilat u tha në fillim se janë vetëm produkte mediatike për të çorientuar njerëzit, kanë filluar të zbatohen.
Pritet thellimi i tyre. “Epoka” e pandemisë vazhdon. Dhe në një epokë të errët, ku njerëzit shumicën e kohës detyrohen të mos dalin nga apartamenti i tyre, mund të bësh gjithçka nuk mundesh kur ata i ke nëpër këmbë.
Dhe ec e mos beso në teori konspiracioni e fantazi të shfrenuara.
Po a mund të jetë një virus aq rezistent dhe shkatërrues sa në të njëjtën kohë, - me një distancë vetëm prej pak muajsh nga zyrtarizimi i tij si Sars Cov-2, - ai të mund ta mbyllte të gjithë botën në një karantinë pa frymëmarrje e të krijonte një shkatërrim ekonomik të thelluar? Mos ndoshta vetë Toka jonë nuk i mban dot mbi vete gati 8 miliardë njerëzit që gjallojnë mbi të, ku minimalisht secili prej tyre kërkon nga një gotë ujë çdo ditë? Dhe shumë më tepër për t’u larë. Nuk po flasim se sa metra kub dru duhen prerë që njerëzit të pajisen me pecetat higjienike njëpërdorimshme. Nuk po flasim as për mbetjet toksike që derdhen oqeaneve dhe as për plastikën që ka “mbirë” kudo.
A është ky një seleksionim natyral?
Emetimi i gazrave, ngrohja globale dhe burimet ujore janë të tjera probleme të mëdha më të cilët bota po përballet.
Duke ngritur pikëpyetje të tilla kemi vënë në punë dhe motorin për t’i dhënë përgjigje vetes. Por me një marzh të madh gabimi, sigurisht. Sepse e vërteta absolute është në pronësi të një grupimi të vogël, të cilët për konsum të përditshëm hedhin në tregun mediatik të vërteta të tjera, jo absolute.
Dhe së fundi ngrihet edhe një pyetje tjetër: A mos vallë treni ynë i jetës ndodhet mbi atë urën prej metali, e cila nuk e mban dot mbi vete peshën e madhe të vagonëve, dhe që për rastësi të paqëllimshme quhet: Kryqëzimi Kasandra?

Tuesday, March 23, 2021

Sulejman Pitarka, ky gjigand i skenës teatrore dhe pelikulës së filmit

U lind në Dibër në vitin 1924. Interpretoi 70 role në teatër dhe 20 në kinema. U nda nga jeta më 24 mars të vitit 2007, në Tiranë, në moshën 83 vjeçare
 
  


Nga Leonard Veizi
 
Skenës teatrore i vijnë rrallë aktorë si ai, por dhe kamerës së kinemasë po aq rrallë i vijnë. Sepse si interpretues ishte sa skenik aq edhe filmik. Për të nuk përbënte kurrfarë problemi në duhet të luante përballë spektatorëve që e prisnin me duartrokitje të nxehta në plate apo përballë kamerës me lente të ftohta në sheshin e xhirimit, ku zëri i regjisorit dëgjohej çdo çast: Ka motor...
 
 ...Ai ishte Xha Lipja tek “Pas gjurmëve” dhe shoku Sokrat tek “Horizonte të hapura”. E mes tyre ka mbetur e pashlyer dhe figura e gjeneralit italian të Luftës së Vlorës.
-“Ultimatum?! Neve na japin ultimatum? Thonë se të vegjlit kanë zë vetëm për t’u lutur e për të të marrë me të mirë, kurse këta po na nxjerrin dhëmbët për të kafshuar... Me këta asnjë diplomaci. Të thashë një herë kapiten..., ashpër...”
Por me siguri, roli i tij më i plotë e i jashtëzakonshëm ka qenë ai i gjeneralit rus tek filmi “Ballë për ballë”, Zheleznovit.
 -“Do ta kërkojmë Vlorë admiral, por nuk kemi për ta gjetur më kurrë. Dijeni këtë nga unë. Por do bredhim nëpër Mesdhe si çifutët nëpër shkretëtirë. Kjo është ikje, ikje...”.
Ky ishte Sulejman Pitarka, gjigant i skenës dhe kinemasë shqiptare. Një aktor i pashembullt e me një diapazon të madh në realizimin e personazheve të cilët kanë mbetur të gjallë në arkivin e filmit shqiptar.
-“Prapsu... Nuk zihet me dorë Abdi Mamani
E kush mund t’i jepte ton më shumë se kaq një personazhi të tillë tek filmi “Gjeneral Gramafoni”. E për më tepër kush do të mund ta luante më mirë rolin e Llambi Gurit, vjehrrin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv tek “Rrethimi i Vogël”.
-“Mua moj ti Sose m’u prish rehati, ka dy javë që thua zotrote që nuk bëj dot gjumë vape hiç. E sot jam i lodhur do vete të shtrihem. Jo po më falni ëëë”.
Sulejman Pitarka, është konsideruar në vijimësi si një nga aktorët më të mëdhenj të shqiptarë, i cili karrierën e tij e ka pasur gjatë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Ka luajtur me sukses të paktën 70 role në Teatrin Popullor që më pas u emërtua si Teatri Kombëtar. 20 role të tjera të interpretuara prej tij i përkasin kinematografisë.
-“Turp the... A vjen pak se diç dua të të them. Turp duhet të kesh ti mor djalë. Në vend që të vrasësh mendjen për defektin e pilotëve, vete më vritesh me grushte me Robert Çamçakëzin”.
Por Sulejman Pitarka ishte po aq dhe dramaturg. Ai hyri në historinë e dramës shqipe si autor i “Familja e peshkatarit”. Një nga më të suksesshmet e në dramaturgu shqiptar. Vepër që me skenar të tij u kthye në filmin artistik “Oshëtimë në bregdet”
Sulejman Pitarka lind në Dibër në vitin 1924.
Vetëm pak vite më pas, në vitin 1927, kur ishte në moshën tre vjeçare, familja e tij u vendos në Durrës. Në këtë qytet bregdetar ai kaloi dhe fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë si ndihmës llogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas në Bankën e Durrësit. Por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit.
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak, të cilin e kreu në vitet 1945 – 1947, e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit.
Pikërisht në teatrin e Durrësit interpretoi disa role si në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor.
Interpretoi të paktën 70 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.
Ndërkohë, pas suksesit në filmin “Debatik” që ishte dhe interpretimi i tij i dytë kinematografik, Sulejman Pitarka do të siguronte një karrierë të pasur edhe në Kinostudio. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” por pas filmit “Debatiku” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, “Tinguj lufte”...
-“Më theu violinën e djalit mo, e kam sjellë nga ana e anës, çmë thua”.
 Dhe puna e tij me filmin do të vazhdonte më pas me: “Guna përmbi tela”, “Rrethimi i vogël”, “Vdekja e burrit”, etj.
Një rol tjetër emblematik i tij është dhe ai i Çelo kasapit tek filmi “Nxënësit e klasës time"
-“Pse o lojtar mi thua ti. Pa pastaj edhe federata nuk na ka me sy të mirë hiç. Çke ti kam atë bagabondin tim, vallahi të çan si portjer. Ma kërkojti po nuk e dhashë. Kam frikë se mbetet prapa me mësime. Se vjet çështë e vërteta që mirë, por dhe këtë vit them se do ta krrejë aty të nëntë pikë dyja. Se po i doli mesatarja e mirë i del dhe e drejta e studimit”.
Por gjithsesi roli i tij më i spikatur mbetet ai i Zheleznovit, komandantit rus të bazës së Pashalimanit. “Ballë për Ballë” ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981, ku u shpall dhe fitues i këtij edicioni.
Ndërkohë në vitin 2004 Sulejman Pitarka u nderua me “Çmimin e Madh të Karrierës”
Në vitin 2005 ai mori çmimin “Aktori më i mirë” për rolin e plakut që e dërgojnë në azil tek drama “Pjata prej druri” shkruar nga Edmond Morris, në Festivalin “Apollon 2005”.
Në vitin 2006 u vlerësua sërish për të njëjtin rol si “Aktori më i mirë” në Festivalin e Teatrove në Dibër të Madhe.
“Pjata prej druri” e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 2006, ishte drama ku Sulejman Pitarka luante rolin kryesor. Kjo ishte dhe ngjitja e tij e fundit në skenë ku për spektatorin dhuroi një rol mjaft mbresëlënës.
Sulejman Pitarka u nda nga jeta më 24 mars të vitit 2007 në Tiranë, në moshën 83 vjeçare.
Në kujtim të Sulejman Pitarkës, Bashkia e Tiranës i vendosi emrin e tij një rruge në kryeqytet. Qyteti i tij i lindjes, Dibra e Madhe, e shpalli me një ceremoni madhështore “Qytetar Nderi”! 
Ndërkohë Sulejman Pitarka për meritat e tij artistike, është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.