Thursday, February 13, 2020

Liria, ky “mit” e koncept abstrakt mbi “skllavërinë”



Nga Leonard Veizi

A e dini ç’do të thotë “Liri”?
Ashtu si në klasën e pestë fillore mund t’i drejtohesh fjalorit të gjuhësisë për të marrë një shpjegim modest. Aty do të gjesh këtë togfjalësh interesant: “Të qenit i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes e varësisë, e kufizimeve që pengojnë...” dhe ca pallavra të tjerë si bishta nga pas.
Ne jetojmë në një epokë globale të zgjeruar tejskajshmërisht, por plot kufizime, ndaj dhe koncepti i lirisë si terminologji abstrakte a si veprim fizik, shkon përtej imagjinares. Sepse “i lirë”, mund të jesh vetëm në mendimin tënd ekstrem e të pakapshëm.
Mos jemi futur gjë në të thella?
Do ta anashkalojmë filozofinë, pasi, burra të tjerë më me mend, e kanë bërë shumë kohë më parë dhe shumë më mirë këtë punë. Sepse historia e tjerrjes së mendimit ka nisur me Pitagorën e Aristotelin, për të ardhur deri tek Sartri e Kamyja.
Por të vijmë tek analiza jonë e përciptë dhe e thjeshtëzuar.
Ne jemi njerëz të kapur, dhe kur them NE e kam fjalën për të gjithë, pa veçuar askënd, as presidentin e vendit më të fuqishëm, dhe as atë që ka më shumë se 50 miliardë dollarë në xhep. 
Në pamundësi për të realizuar një liri tonën, ashtu siç e përcakton nënndërgjegjja, ne kemi krijuar një tollovi fjalësh, të cilat ashtu si opiumi na venë në gjumë. Kjo është dhe një nga mënyrat, jo domosdoshmërish më efikasja, që na vjen në ndihmë për të qetësuar shpirtrat tanë. Dhe në shpjeguesit elektronik gjen fraza të tipit: “Liria tregon të qenit i lirë, kushtin e njeriut që nuk është i burgosur, nuk është i kufizuar apo i penguar”.
Kësaj i thonë: merre me lëng...
Më pas akoma: “Liria në një kuptim më të gjerë është aftësia e njeriut për të vepruar e menduar me vetëvendosje të plotë, është kushtëzimi i njeriut që mund të veprojë sipas zgjedhjeve të veta...”
Nuk bëhet fjalë më për mish e dhjam, por dhe lëngu qenka mbaruar.
Dhe të vijmë me këmbë në tokë: Në fakt ne jetojmë në një botë shërbimesh. Ne u shërbejmë të tjerëve, ca të tjerë na shërbejnë ne. Të gjithë i shërbejmë dikujt tjetri... E kështu me radhë. Hallkat e vargonjve janë kaq të sakta, të lidhura mirë e të salduara, sa po të shkëputet një prej tyre futet në kolaps i gjithë sistemi. Atëherë vijnë shpërthimet frenetike, vrasjet e kusaritë, për të mbërritur tek maja më e lartë; revolucionet.
E frikshme kjo? Jo dhe aq ma do mendja... Sepse bota, në mënyrë cirkuite ka ricikluar vazhdimisht të njëjtën situatë.
“Nuk ka gjë më të shtrenjtë se liria”... domethënë të mos jesh shërbëtor... Po kjo shprehje teatrale a nuk ju duket fare qesharake? Ashtu si në teatrin e mesjetës. Shumë romantike dhe e lyer me një rozë të plotë, e denjë për “showbiz”-in, tavolinat e kabareve dhe kubin e striptizmit. 
Slogani, për të cilin janë bërë luftëra e kanë ikur për dhjam qeni mijëra jetë njerëzore, tanimë është tërësisht jashtë mode. Kush e ka kuptuar është futur në rresht dhe ka mbyllur gojën. Kush nuk e ka kuptuar, e ka për të zezën e vet. Sepse vazhdon të besojë në një absurditet duke u lodhur së menduari se do ta gjejë një ditë kullën e Lirisë, qoftë dhe duke u munduar si Sizifi të çojë një sferë guri në majën e malit, aty ku besonte të pabesueshmen, se me siguri do t’i shpëtonte mallkimit.
Në ditët e sotme, të një zhvillimi të skajshëm teknologjik dhe marrje informacioni pa kufi, shprehja që citova pak më parë, dhe që është motivuar politikisht të paktën që prej kryengritjes së Spartakut, padyshim që ka dalë nga loja. Dhe nuk gjen dot të dytë frazë më naive dhe idiote se ajo. Për më tepër kush beson ende në një terminologji të tillë është ca më shumë naiv e idiot, se sa po thuhet tani.
Ne të gjithë kemi ëndërruar për lirinë, kemi luftuar për të. Ose të paktën kemi menduar se po e bëjmë këtë gjë, pa vënë mend nga dështimet e të tjerëve. Tek e fundit secili bën të vetën, në një përpjekje të pazakontë për ti shpëtuar skematizmit, por duke qenë se në këtë botë nuk ka më gjë të re, veç përsërisim njëri tjetrin. Dhe Lirinë nuk është se e kemi gjetur, që të paktën të kishim motivin për t’iu vënë nga pas me shpresën për ta kapur. Dhe në rastin me ekstrem, kur nuk na i ka mbajtur bytha, kemi llomotitur për qenësinë tonë të lirë, pikërisht në mungesën totale të saj. Dhe thjesht, një fjalë të zakonshme të fjalorit bazë prej 3000 fjalësh, e kemi kthyer në “mit”.
A mund të jesh i lirë në një botë të skllavëruar?
Ne nuk jemi gjë tjetër veçse skllevër të lirisë tonë. Jemi shërbëtorë të dikujt. Pra me të drejta të kufizuara. Njeriu që gëzon më shumë liri se punëtorët e thjeshtë është një drejtor, pak më shumë liri ka një ministër, dhe shumë më i lirë është kryeministri apo presidenti i një vendi. Ata mund të bëjnë plot gjëra që ne të tjerët nuk na i mban ti bëjmë, ose nga censura, ose nga autocensura, që ndonjëherë është shumë më e fortë se e para. Dhe kur shkojmë të shohim majën, atje ku mendojmë se ka ndërtuar fortesën e saj “Liria”, kuptojmë gjithashtu se po ashtu si Sizifi jemi lodhur kot, sepse, dhe si presidentit apo kryeministrit ia kanë zënë kokën me derë ca të tjerë, e punojnë për ta. Ndaj rrëshqasim përsëri në fund, bashkë me copën e shkëmbit a të gurit në formë sferike, që mallkimi të vazhdojë e ne ta ringjisim sërish deri në majë, për të bërë një punë që nuk i vlen askujt.
Por a mund të blihet Liria?
Nëse ke shkuar në sportelin e një banke, ke paguar “cash” kursimet e jetës dhe ashtu si gladiatorët e Romës ke marrë një certifikatë ku edhe me një vulë noteriale të thuhet se je poseduesi i Lirisë tënde, sërish je po aq i skllavëruar sa më parë. Domethënë nuk ke fituar asgjë. 
A mos është një lojë fjalësh kjo? 
Absolutisht jo. Qarkulloje mendimin dhe do të kesh të njëjtin përfundim sa herë të shkosh te zgjidhja e problemit. Ndaj është e mira që paratë të mos i shpenzosh kot, por t’i mbash për një ditë më të keqe. Veç në qoftë se je idiot klasik e ëndërrimtar.
Dhe çfarë del nga e gjitha kjo: Me siguri që jemi skllevër të lirisë tonë, por që me aq pathos trumbetojmë të kundërtën. 
Ne jemi shërbëtorë me të drejta të kufizuara, si rrogëtari me pagë nën minimumin jetik, ashtu edhe miliarderi, të cilët plebenjtë që punojnë për të janë gati ta shqyejnë e t’i marrin gjithçka ka, nëse nuk i ushqen përditë me nga një çapë buke thatë. 
Të gjithë shërbejmë diku, edhe atëherë kur nuk e kuptojmë. Qoftë dhe si gazetar “të lirë dhe i pavarur” me një shkrim “surrogato” të botuar në gazetë, i kemi shërbyer dikujt duke goditur dikë tjetër.
Këtë mendim të thjeshtë e pa shumë ngarkesa, burra të mençur që kanë shëtitur mbi literaturë filozofike apo mburren se e kanë marrë me pikë maksimale diplomën e filologjikut, do ta kishin shtjelluar ku e ku më mirë. Do kishin dredhur e spërdredhur fjalët, për të na mbushur mendjen se në fakt nuk është kështu siç po shkruaj unë, por diçka tjetër, diçka që... mendja nuk na e rrok dot.
Kësaj i thonë të ngopesh me lugën bosh, duke ëndërruar vazhdimisht se po ha e po shqepesh në tasin që ke përpara, po aq bosh sa dhe luga që fut në gojë. 
Dhe kjo është jeta!

Thursday, February 6, 2020

“Ndal, zonë ushtarake”


Nga Leonard Veizi

Xhikja, miku im i vjetër, me të cilin fati na ka puqur të jemi dhe në një redaksi pune, më tha të shkonim andej nga Farka, edhe hanim ndonjë vorbë me mish qengji që vlonte n’zjarrt, edhe unë si gazetar “kalibri” të bëja ndonjë shkrim për aerodromin e Farkës, atje ku kishte ca helikopterë, nga ata që mbronin Atdheun.
Demek një rrugë e dy punë.
Ja, këtij i thosha mendim gjenial unë. Edhe detyra-detyrë edhe qejfi-qejf. Tamam punë shqiptarësh.
U nisëm me vrap, pa e bërë dysh fare.
Mirëpo unë ia dija hilet punës, se si gazetar “kalibri” apo “mikrometri”, isha djegur jo pak herë, e nuk kisha venë mend. Ndaj si burrë me moshë të mesme nuk më lejohej të bëja budallallëqe. Për më tepër që prej kohësh kisha filluar t’i fryja qullit sa herë të mundesha. Ndaj edhe pse në timon të makinës mendova të bëja një telefon andej nga Ministria e Mbrojtjes. Të dëgjoja çdo më thoshin civilët që nuk mbanin spaleta, por dhe ndonjë me grada… kush të më delte para në numëratorin e celularit, tek e fundit.
Sakën se i afrohesh bazës, – më thanë nën zë.-  S’ka burrë nënë e as bir kurve të futet aty. Se për këto që kërkon zotrote, duhet të kishe bërë një kërkesë, ohuuuu…, nja një muaj më parë. Pa kërkesa jote duhej përcjellë te zyra e NATO-s që na janë atashuar këtu afër. Pa duhet specifikuar mirë e mirë kërkesa më të dhëna të plota, se kush je e ç’farë kërkon të bësh në një bazë që tanimë është nën mbikëqyrjen e forcave të Atlantikut të Veriut…
Hajde babam hajde…. U merrova.
Hoqa celularin nga veshi. Si u përqendrova të rruga plot gropa që gjarpëronte matanë Poligrafikut deri në Shkozë, thashë me vete: Jallah, mirë më këta të NATO-s, po mos na del para dhe Interpoli e na rras ndonjë gjobë për shkelje të ligjit…
Si u ngjita malit përpjetë mbi Uzinën e Traktorëve, – siç jemi mësuar t’i themi, – u lehtësova e fillova të kthjellohesha:
Ne gazetarët mundohemi të jemi operativë, t’i zgjidhim çështjet tak-fak. Ku na pret gazeta sa të shkojmë me letra në duar e të merremi me burokraci, jo po jam filani e do takoj fistekun, “jo po, a i ke shlyer detyrimet, ku e ke flet-kuitancat e jo po… Jo po ujku të të çajë”.
Hodha vështrimin pas në kohë dhe u kujtova, duke i përsëritur vetes gjëra të ditura: Unë kam hyrë në bazën ajrorë të helikopterëve pa teklif, kam shëtitur nga më ka dash qejfi e s’më ka thënë plaç njeri. Pa kam bërë dhe një xhiro me helikopter, të cilin e drejtonte një pilot i mrekullueshëm si Shyqyri Dashi, i cili më thoshte se edhe pse ishte nga Kopliku i Shkodrës, më shumë e ndjente veten si një katunar Tirone nga zona e Farkës për shkak të viteve të shumta që shërbente në atë regjiment.
Për më tej akoma unë i kisha bërë një intervistë të gjatë komandantit legjendar të aviacionit Edip Ohrit, pa i kisha bërë intervistë edhe një tjetër legjende në aviacion, komandant Klement Alikajt kur drejtonte helikopterët e ministrisë së Rendit. Pa kishte folur për mua, pa i marrë leje askujt, Gjeneralbrigade Astrit Jaupi, kur ishte në detyrë si Komandant i Aviacionit. Por kisha marrë në intervistë dhe ish-komandantin tjetër të Forcave Ajrore Gjeneralbrigade Dhori Spirollarin. D.m.th, intervista një lumë, aq sa edhe sot e kësaj dite mund të them përmendësh si në “dërrasën e zezë” historikun e aviacionit më mirë se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Por ja që në Farkë nuk shkoja dot. “Ndal. Zonë ushtarake”.
Veç të shkoja aty te liqeni i Farkës, të sodisja natyrën e të porositja një tavë dheu që vlonte mbi vorbë e një gastare rakie.
Makina e kishte marrë përpjetën duke shpenzuar naftën si ujë…
-Ka ndonjë karburant këndej? – pyes Xhiken, si djalë zone që ishte. – M’u tha serbatori.
-Mos çaj kokë, – ma kthen ai, – Ta mbush unë serbatorin “full”.  Veç na ço në vend.
Mirë e kishte… por me kë e kishte…
Se shteti është shtet or daj. Nuk do shkosh ti si mushka, yxhum përpara, të dalë ku të dalë. “Ndalu bek se ka hendek”. Nuk bëhet shaka. “Zonë militare”.
Dhe në fakt kështu duhet. Se me humor a pa të tillë, shteti e ushtria kanë rregulla. Po kur e mendova hollë-hollë thashë me vete: Po ç’farë ushtrie o malum, hapësirën tonë ajrore një herë na e patrullojnë një çift avionësh grekë, e një herë i fusin një xhiro dyshe italianët.
Të dhjefsha shtetin…
Një herë e një kohë, kur Farka, si bazë ajrore, kishte 36 helikopterë MI-4, edhe hahej. Por sot, me nja 8 a 10 helikopterë emergjencash, ç’gadishmëri zeza. Këta janë nga ata helikopterë që si kishin mbaruar punë e s’u duheshin më, Franca na i ngop me çmim të lirë. Po e patën nga një mitraloz të lehtë në bord, jarebi… Se nga ata 12.7 milimetra, si zor ta kenë. Ku gatishmëria këtu.
Epo iku ajo punë. Nuk jemi më në Luftën e Ftohtë ku gatishmëria ishte në kulmin e saj.
Sot në Shqipërinë tonë ish-socialiste, baza të rëndësishme si Gjadri po u ndryshken dyert e hekur betonit që ishin parashikuar të mbanin dhe një bombë atomike 5 kilotonshe. Nja 200 avionë që kërkonim t’i shisnim nuk na e bleu njeri. Ndaj ata shëllehen në diell e në shi. Ndërsa ne na rrofshin shkresurinat.
-A vijnë këta ushtarakët e bazës këtej nga lokali? – pyesim të klubi më i afërt pranë regjimentit ajror.
-Ahaaaa, një herë e një kohë i kishe këtu tërë ditën e ditës. As punë as zanat. Vetëm kafe e raki. Tani ua kanë mbledhur, orar zyrtar 08.00 me 16.00.
Pikë e zezë. Domethënë edhe “inkonjito”, as që bëhej fjalë të merrja ndonjë llaf për Farkën, çfarë bëhej brenda bazës, e sa herë ngriheshin në ajër pilotët me helikopterët e tyre.
Hallall. Tek e fundit kështu ka lezet. Këtij i them shtet unë. “Or ti cub, asht çeveri e fortë kjo. Ia ka bo Kalcës 8 me 2”.
Vate dhe kjo punë.
-Na iku kot rruga, – i them Xhikes, si shkrepa nja dy herë aparatin nga matanë gardhit rrethues, të bazës ajrore, që dikur quhej regjiment, e ku po shihja të flinin nja dy helikopterë, – nuk bëhet reportazhi në të thatë.
-Vari mor trapin bazës, - ma kthen ai. – Njoh një vorbaxhi këtej rrotull. Një që bo poça balte deshta me thon… Rob Zoti osht. Bëji atij një portret, e pimë dhe nga një gotë rakie pa hile, dhe je i lamë…
Nuk ia prisha. Morëm rrugën për nga poçeria ku një mjeshtër i vërtetë i zanatit na priti me krahë hapur.


Sunday, February 2, 2020

Plani i Duçes, ta kthente Tiranën nga orientale në qytet monumental


INTERVISTA/ Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, flet mbi studimin e saj më të ri



Nga Leonard Veizi

Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939 por nuk u sollën si armiq. Madje ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u munduan t’i japin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit orientalist në vend. Dhe për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.
Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, e cila është marrë gjatë me një studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943, na jep një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut dhe të asaj që u drejtua nga Fasho. Në një intervistë për “Fjala” ajo thotë:
Dr. e Shkencave, Ariola Prifti


Në çfarë kushtesh ishte arkitektura shqiptare 13 vjet pas Pavarësisë?
Arkitektura shqiptare e viteve ‘20 ishte në kushtet e një arkitekture mesjetare. Në vitin 1920 Kongresi i Lushnjes vendosi që kryeqytet të bëhej Tirana dhe aty filloi kthesa. Filluan të bëheshin punime për rehabilitime rrugësh e ndërtesash. Ishte një rikualifikim i qytetit për ta kthyer Tiranën në një qendër urbane të vërtetë. Dhe jo vetëm Tiranën, por dhe qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë. Lidhjet që u krijuan me Italinë, pasi Ahmet Zogu mori pushtetin, ishin shumë të favorshme sa i përket dhe ndryshimeve arkitekturore dhe inxhinierike që pësoi Shqipëria në ato vite. U çliruan fonde për zhvillim, të cilat u morën hua nga bankat italiane dhe u përdorën për rindërtimin e qyteteve.

Përveç huave, a pati ndikim tjetër nga Italia?
Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do të dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brasini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental. Ai propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga stili barok. Pas analizës që Brasini bëri për kryeqytetin, në të cilin mbizotëronin tiparet orientale, mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cardo maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është sheshi, pra “Piazza”. Brasini i dha një karakter të fortë gjysmë rrethor sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke.


Brasini pati bashkautorë të tjerë në kuadër të rikualifikimi urban të Tiranës?
Në planet rregulluese të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Kontributi i arkitektëve italianë në ndërtimin e Tiranës pati një shtrirje kohore prej 20-vjetësh. Tirana moderne në konceptin e përgjithshëm ngjason më shumë me qytetet e reja të themeluara në Itali gjatë periudhës së pushtimit fashist dhe më pak me planet që u zbatuan në kolonitë e tjera italiane. Kjo arkitekturë italiane në Shqipëri u aplikua falë punës së teknikëve të rinj, të cilët i përkisnin shkollës romane dhe asaj fiorentine.

Ku do të përqendroheshin punimet?
U bënë një sërë projektesh të rëndësishme në të gjithë territoret e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Vetë Musolini kishte një interes të veçantë për arkitekturën e Italisë, dhe kërkonte që kjo të shtrihej edhe në vendet satelite, si në rastin e Shqipërisë, Etiopisë, etj. Kështu, e njëjta arkitekturë që është zhvilluar në Shqipëri e gjejmë të zhvilluar dhe në disa vende të tjera. Dhe kanë disa pika të përbashkëta dhe pothuaj identike, sepse janë të njëjtët arkitektë që kanë punuar si në Afrikën e Veriut ashtu dhe në Shqipëri.


Cilat janë qytetet që përfituan nga fondi italian?
Përfituan Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra. Më pas u bënë projekte, por nuk u përfunduan në qytetet e Beratit, Sarandës dhe Elbasanit. Kemi projekte që ende ruhen në arkivat e shtetit të cilat shpesh janë riparë nga qeveritë e mëvonshme. Diku ato vihen në zbatim e diku bazohen në to. Në këtë periudhë u bë dhe një rregullim i qartë i gjithë këtyre qyteteve, pra qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë. Që nga kanalizimet, urat lidhëse, është bërë një punë kolosale edhe për sa i përket infrastrukturës rrugore.



Pse ndryshon koncepti arkitekturor i bllokut të ministrive me objektet tek Politekniku?
Janë dy projekte të ndryshme. Arkitektëve Florestano di Fausto dhe Vitorio Balio Morpurgo iu besuan detyrat për projektimin e ndërtesave ministrore në Tiranë, në Durrës dhe qytete të tjera. Mbi bazat e këtij projekti në vitin 1939 vjen Gherardo Bosio. Në këtë kohë Florestano di Fausto ishte larguar me një detyrë tjetër, duke e lënë planin në mes. Bosio u ngarkua posaçërisht nga Musolini për të vazhduar projektin.
Në këtë kohë, problemi më urgjent që kërkonte zgjidhje ishte përcaktimi dhe organizimi i zonave të reja ku do pozicionoheshin lagjet e reja rezidenciale të destinuara për popullsinë italiane. Bosio filloj nga revizionimi i planit të vjetër dhe në vitin 1940 kompletoi planin e ri rregullues. Mund të them se arkitektët ishin më së shumti artistë, pra piktorë e skulptorë. Kjo është dhe arsyeja e ndryshimit të fasadave. Në bulevard pjesa e xhamisë është ruajtur gjithmonë, kjo ishte kryesore për arkitektët. Sepse kishin si synim të ruanin tiparet e vendit ku punonin. Pra nëse i referohemi ndërtesës së Politeknikut, shohim që është ruajtur tipari i kullës shqiptare. Kjo lloj kulle përdorej gjerësisht në Veri por dhe në Gjirokastër. Në këtë mënyrë u përshtat arkitektura moderne në kontekstin arkitekturën vendase. Shumë prej këtyre autorëve edhe në shënimet e tyre që kanë bërë gjatë periudhës që ndërtonin, kanë lënë të shkruar këto lloj përshtypjesh.

Diçka mbi ndërtimin e godinës që sot njihet si “Pallati i Brigadave”?
Fillimisht u njoh si “Pallati i Mbretit”, edhe pse mbreti u largua nga Shqipëria para se pallati të përfundonte së ndërtuari. Kjo ndërtesë është një muze më vete, por mund të konsiderohet edhe si një galeri e kryeveprave dhe arkitekturës botërore. “Pallati Mbretëror” nisi të ndërtohej në fund të periudhës së monarkisë së mbretit Zog, në vitin 1938. Ai do të shërbente si pallat mbretëror dhe si seli zyrtare për mbretin. Projekti i Pallatit u realizua nga një grup prej tre arkitektësh italianë, Florestano di Fausto, Giulio Berte dhe Gherardo Bosio. Ky projekt u realizua nga ekipi italian i sipërpërmendur, si dhe nga inxhinierë dhe arkitektë të njohur shqiptarë si Vasil Noçka e Kristo Sotiri. Basorelievet dhe skulpturat janë vepra të artistëve italianë, midis të cilëve Antonio Maraini, por edhe shqiptarë si Odhise Paskali.
Pallati është në stilin e racionalizmit monumental dhe sot ruan të njëjtin stil dhe dizajn, si në pamjen e jashtme ashtu dhe në arkitekturën e brendshme të interierëve, në mobilimin e ambienteve e deri në pajisjet më të vogla të jetës së përditshme. Më parë se kaq, në vitin 1928-30, Di Fausto kishte ndërtuar për Mbretin Zog “Pallatin Mbretëror” të Durrësit.


Godina e Bankës së Shqipërisë është cilësuar nga më të veçantat në këtë kompozim...
Kjo godinë i përket stilit arkitektonik të "Racionalizmit" , rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XX në Europë. Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada. Kryesisht ai është aplikuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në shumë vende të Europës Perëndimore. Në këtë këndvështrim edhe godina e Bankës së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe në llojin e vet, rrymës Racionaliste.

Pse u ndal studimi juaj në vitin 1943?
Sepse këtu ndërpriten marrëdhëniet me Italinë, pikërisht pas rënies së regjimit fashist dhe kapitullimit të Fashos gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

A i qëndruan kohës ato çfarë ofruan arkitektët italianë të fillim shekullit të kaluar?
Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist, kanë lënë shenja të thella në të gjithë kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar. Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike ndër më interesantet dhe inovativet. Ndërmjet neoklasicizmit të thjeshtëzuar, artit romak dhe funksionalizmit, fashizmi ka ridizenjuar qendrat drejtuese dhe pallatet publike me rezultatin për të mbajtur në kohë, lagje të tëra dhe ndërtesa.

Qendra monumentale
Tirana, e ngjashme me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan
“Brasini propozoi një plan që parashikonte një ndërhyrje në qendër të qytetit të Tiranës, që do të përbëhej nga një grup prej gjashtë ndërtesash për godinat e Ministrive dhe në mes të tyre do të kishte një bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brasinit ishte madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore, pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do të ndërtohej. Në perspektivat që paraqisnin aksin vihen re muret e qytetit të vjetër si një referim ndaj aktit të themelimit, që ndodh me një gjest sa ceremonial (laik apo fetar) që përkon me dallimin e kufijve, të asaj që qëndron brenda apo jashtë”, shpjegon Doktoresha e shkencave Ariola Prifti.


Aleksandër Meksi: Si u shkatërrua kultura e ilire nga dyndjet sllave dhe osmane






Intervista/ Aleksandër Meksi flet si restaurator: Kultura ilire nën dhè është mbuluar nga ndërtimi i pallateve


Nga Leonard Veizi

Historia e Shqipërisë është shkruar më së shumti edhe përmes asaj çfarë na ofron një objekt kulti. Në fillim janë ngritur kishat e ritit katolik, më pas ato të ritit ortodoks, dhe në shekullin XV nisi dhe ngritja e xhamive e teqeve, një pjesë e të cilave adoptuan si të tillë dhe godinat që deri më para invazionit osman, kishin shërbyer si objekte kulti kishtare. Por më e keqja do të vinte më pas...
“Feja është opiumi i popujve”. Me këtë motiv, dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Revolucionit Kulturor Kinez, më 6 shkurt Enver Hoxha mbajti fjalim për "revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit" pjesë përbërëse e të cilit ishte dhe lufta kundër ”ideologjisë fetare” e “zakoneve prapanike”. Pas kësaj regjimi ateist e ndaloi ushtrimin e fesë në Shqipëri. Në nëntor të 1967-ës, doli dekreti me nr.4337, ku anulohej legalizimi i komuniteteve fetare dhe ndaloheshin të gjitha ritet. Ndërkaq, me një iniciativë të pabesueshme e marrë nga nxënësit e shkollave të Durrësit, të prirë nga shkolla "Naim Frashëri", sulmuan dhe shkatërruan shenjtëroren ortodokse në Shëna Vlash. Në këtë mënyrë nisi në të gjithë Shqipërinë shembja e objekteve të kultit. Revolucioni përfundoi me shkatërrimin e 2169 objekteve, nga të cilat 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 740 xhami dhe 530 teqe.
Me vrullin e marrë mund të ishin prishur të gjitha, sa mos kishte mbetur gjë mbi dhè, por diku dora u ndal. Vërtetë shumë monumente kulti të rëndësishme u prishën, por disa të tjera po aq të rëndësishme arritën të mbijetonin. Ato u morën në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve. Por çfarë ndodhi me monumentet e mbetura? Prof. Dr. Aleksandër Meksi, një nga njohësit më të mirë të fushës së restaurimit shpjegon për “Fjala”:

Si u seleksionuan objektet e kultit në ato që duheshin shkatërruar dhe në të tjerat që duheshin konservuar?
Objektet e kultit nuk ishin të gjitha në mbrojtje shtetërore. Në këtë rast do të flasim për ato që ishin në mbrojtje të shtetit. U bë një reduktim i listës ku ishin të gjitha objektet e kultit. Më saktë, u krijua një komision, që bëri një reduktim të kësaj liste. Nuk është se thuhej haptazi se cilat duhet të mbaheshin dhe cilat jo, por ta zëmë se nga 200 objekte rreth 100 të tilla u prishën. U ruajtën monumentet (kisha edhe xhami) që u gjykuan me vlera më të mëdha se ato që do të largoheshin. Një pjesë e këtyre objekteve që ishin menduar për t’u hequr, ndodheshin nëpër zona shumë të largëta dhe shpëtuan. Tanimë janë rikthyer në pozicionin fetar që kanë pasur dikur. Por një pjesë edhe humbën. Them se një pjesë u rrënuan, të tjera u transformuan dhe u përdorën për depo. Natyrisht që pikturat murale të tyre nuk rezistuan. Kështu që shkatërrimi qe i madh.

Objektet e kultit shkatërroheshin me urdhër nga lart apo dhe nga iniciativa që merrte baza?
Padyshim. Për shembull minaret e një pjesë të xhamive ishin shkatërruar kur u vunë në mbrojtje shtetërore, sepse ata të pushtetit lokal kishin një zell të tepërt, dhe nuk duruan që të dilte lista, por iu futën punës. Sepse u desh nja dy vjet derisa u bë seleksionimi.

Përse u desh një kohë kaq e gjatë?
Sepse ky seleksionim u shoqërua me dokumentacionin shkencor të tyre, me fotografitë, përshkrimin, rilevimin, etj. Në këtë mënyrë u bë. U gjykua sipas vlerës, kohës së ndërtimit, autorësisë së piktorëve, në rastin e pikturave murale. Pra u desh kohë që lista të plotësohej.

Gjatë punës për restaurimin, ju ka qëlluar të ndeshnit që një godinë më e re të jetë ngritur mbi themelet e një objekti të vjetër kulti?
Po ka. Po kujtoj në Durrës ku në mes të qytetit është një xhami, xhami e Fatihut. Ajo është ndërtuar mbi një kishë të shekullit të 10-të. Pas vitit1501 menjëherë me pushtimin e Durrësit nga osmanët, ajo u kthye në xhami. Ishin osmanët ata që ia morën venedikasve. Një pjesë e godinës u prish, sepse nuk i përshtatej një xhamie si formë. Ajo është një nga rastet kur xhamia është ngritur mbi një kishë.
Është gjithashtu kisha e Shën Stefanit mbi kalanë e Shkodrës, e cila gjithashtu është kishë e kthyer në xhami. Por ka dhe dy-tri raste të tjera.
Tashmë së fundi xhamia Mbret që po restaurohet nga fondacionet turke, atje ku është teqeja e Helvetivëve, dy-tre metra në thellësi doli një mozaik që i përket periudhës paleokristiane të shekullit V-VI. Pra në themele ka një histori në shumë raste më të vjetër se ajo që duket në sipërfaqe.

Vetëm ndërhyrja e administratës osmane solli ndryshime të objekteve të kultit apo ka pasur dhe rate të tjera?
Ka pasur dhe më parë se kaq. Shumë objekte të tjera janë prishur sepse shkatërrimet që sollën dyndjet sllave kanë qenë të mëdha. Pastaj në qoftë se në një qytet që ka qenë i ndërtuar dhe i zhvilluar më përpara, ndërtohet përsëri, përgjithësisht gjenden ndërtime më të vjetra. Ashtu siç shpeshherë thuhet se është ndërtuar mbi një kishë, por nuk rezulton e tillë. Duhen kryer gërmime të thella arkeologjike për të gjetur që realisht ka qenë mbi një kishë apo jo. Kurse ka të tjera që janë rindërtime mbi kisha më të vjetra, të themi pjesërisht ruhen muret e periudhës paleokristiane të shekullit V-VI. Më vonë objekti është rritur edhe në mure të tjera të qëndrueshme për të mbijetuar.

Në literaturë shkruhet se në Ilirinë antike ka një amfiteatër të kulturës helene apo një tjetër të kulturës romake. Po nga kultura ilire çfarë gjurmësh ka?
Ka edhe gjurmë nga kultura ilire. Në disa raste gjen varreza të vjetra, ndërtime të vjetra. Durrësi sot mund të ishte një vend i rëndësishëm për të gjetur mbetje nga kultura ilire. Por pas vitit 1997 pikërisht zona arkeologjike e qytetit ka humbur, pasi është kthyer në truall për ndërtime pallatesh.

Në studimet tuaja keni shkruar shumë dhe për kishën e Mesopotamit. Mendohet se është nga të rrallat në Europë ku kryheshin në të njëjtën kupolë si ritet katolike ashtu edhe ato ortodokse...
Këto objekte kulti janë të rralla përgjithësisht. Gjatë fundit të shekullit të XIII-të anzhuinët, dinastia franceze që kishin nën zotërim dhe një pjesë të Arbrit, marrin për nuse në oborrin e tyre vajzën e despotit të Epirit. Në atë kohë, Mesopotami bënte pjesë në despotatin e Epirit. Ishte manastir që varej direkt nga patrikana e Kostandinopojës. Pra nuk varej nga peshkopi vendas, fjala vjen nga ai i Gjirokastrës, i Himarës apo i Butrintit. Në atë kohë katolikët shtinë në dorë edhe Butrintin dhe kishin peshkopin e tyre për 100 vjet të paktën, ku në listë janë 3-4 emra peshkopësh katolikë. Pra në këtë periudhë kohore morën në dorë edhe manastirin, i cili asokohe kishte vetëm të krishterë. Ka dhe sherre ndërmjet tyre së paku deri nga 1304 kohë kur u prishën dhe katolikët u larguan nga ndikimi. Sherri ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve është i dokumentuar, sepse igumeni i këtij manastiri bashkë me dy-tri igumenë të tjerë, kur katolikët ishin shtrirë në Epir, shkojnë në Napoli të ankohen ndaj vështirësive që kishin për ushtrimin e ritit ortodoks. Kjo është arsyeja që kemi të bëjmë me një ndërtesë, e cila ka një formë unikale thuajse në këto përmasa, në këto vlera, në të tërë në kulturën bizantine.
Pra gjatë kësaj kohe manastiri ishte dhe i ortodoks dhe katolik. Pra ky ndërtim i ri që u bë brenda manastirit, ishte më i vjetër. Aty ka dy altarë. Ka dy variante për to: një objekt kulti ka dy altarë, ose kur ato janë për dy shenjtorë, ose në rastin që një altar përdorej për ortodoksët e një për katolikët, të cilët bashkëjetonin në të njëjtën kupolë.


Kjo do të thotë që katolikët rreth viteve 1200 kanë qenë dhe në jug të Shqipërisë?
Çerekun e fundit të shekullit të 13-të, janë këta kufijtë kohorë që e përcaktojnë, kanë hyrë në Butrint dhe janë vendosur njëfarë kohe atje. Kanë qenë në Vlorë kur vendi ka qenë nën ndikimin e mbretërisë së anzhuinëve, deri në 1307 kur vërtetohet se janë rikthyer ortodoksët. Ka ndërtime në një sërë vendesh, themi edhe Portiku i Jashtëm që është në Kishën e Manastirit të Apolonisë, ka skulptura që janë qartë ndikime të shkollës romanike-gotike. Me shumë gjasa në rastin e Apolonisë, ky ndikim nuk ka ardhur direkt nga jugu, por nëpërmjet Dubrovnikut, Tivarit, Kotorrit, ku ishin Balshajt, të cilët në të njëjtën kohë i kishin të shtrira zotërimet e tyre deri në Vlorë. Po kështu është kisha e Zvërnecit që ka elemente të periudhës romanike-gotike. Kemi ndikime në Kurjan, ku ndikimi këtë herë ka hyrë nëpërmjet Vlorës.

Një pyetje të fundit. Monumentet e kulturës kanë nevoja të vazhdueshme për restauratorë. Në dijeninë tuaj, a prodhojmë dot ne më restauratorë të cilët do të vazhdojnë punën e mëtejshme?
Sot ka nevojë për restauratorë. Por duhet rikthyer në kushtet e reja, me format të reja organizative nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Është bërë një kurs për Master Restaurimi, por në formën më absurde për mendimin tim. Duhet riforcuar Instituti, duhen kualifikuar njerëzit, sepse aktualisht është në nivel më të ulët shkencor se sa 30 vjet më parë. Shkencëtarët nuk dalin në pension. Them që nuk është në rrugë të drejtë, por kanë nevojë për ndryshim rrënjësor përpara se të mbetemi pa monumente kulture dhe në fond të mbeten vetëm fotografitë dhe librat tanë.



Saturday, February 1, 2020

Kujtim Gjonaj: Puna në Kinostudio, kur hipokritët qanin për Enver Hoxhën

Flet regjisori i mirënjohur Kujtim Gjonaj, “Mjeshtër i Madh”: Puna në Kinostudio, si i realizova 150 filmat dokumentarë


Nga Leonard Veizi

Ai është i ngopur deri në tej me titujt, dekorata plot shkëlqim ku janë stampuar gjithfarë figura emblematike, dhe kartonë bojë floriri ku kanë shkruar motivacione deri në superlativë. Dhe me siguri, nëse do t’i varte në qafë, do të shëmbëllente me Çezarin që kthehej nga ekspeditat ndëshkimore të Egjiptit, a me një Gjeneral Armate nga Lufta e Dytë Botërore, që pati marshuar me tank mbi Berlin. Ndaj shtesa në organikë e një teneqeje më shumë nuk është se i krijon pritshmëri a ndonjë efekt entuziazmi sipëror. Dhe nga përfitimi i ndonjë titulli tjetër të pamarrë, që do ketë mbetur në ndonjë cep sirtari administrativ, ka hequr dorë prej kohësh. Por, as me egon e pangopshme për ca para më shumë, nuk ka të bëjë më puna e tij. Gjithçka është e lidhur thjesht me pasionin që e ka pasur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë gjithë karrierës artistike, dhe që nuk i zbehet as nga koha dhe as nga hapësira e pamat. Imagjinata e tij vazhdon të kuadratojë imazhe të çuditshme njerëzish a ngjarjesh, të cilat kërkon me se s’bën t’i lërë si trashëgimi në celuloid apo negativin e një filmi. Dhe për këtë nuk i duhen noterë e as mbështetje në akte nënligjore, madje as kamera “Arriflex” demode, por vetëm një aparat dixhital e mikser shumëplanësh në montazh. Pas kësaj, puna vazhdon…

…Në krye të herës ai është dokumentaristi më i mirë në Shqipëri, me punë të krijuar organikisht si para ashtu dhe pas viteve ‘90. Madje njihet si regjisori që ka shkruar historinë, pasi pjesa më e madhe e dokumentarëve flasin për figurat më me peshë të popullit shqiptar. Në background-in e tij artistik numëron rreth 150 dokumentarë. Pesë më shumë apo pesë më pak, kjo nuk ka më kurrfarë rëndësie, dhe as e lëviz një gramë kandarin e tij të peshës. Thotë se në punën voluminoze që ka bërë jo detyrimisht çdo dokumentar merr rëndësi, për më tepër kur flitej se në Kinostudion e atëhershme kishte një plan që duhej realizuar medoemos. Por dhe po të heqim firon e menduar, sërish mes titujve të tij gjenden aq shumë materiale të vlefshme, se vetë ai do të mbeste në histori. Sqaron se krahas studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë, kreu edhe kursin 2-vjeçar të gazetarisë, ndaj dhe dëshira ishte që të fillonte punë tek “Zëri i Rinisë”. E kishin kërkuar tek Agjencia Telegrafike dhe Televizion, por kur i komunikuan se ishte emëruar redaktor në Kinostudio u habit pa masë. Por s’pati shumë kohë të mbeste mes habisë dhe dyzimit, se puna nisi. Për më tej se kaq regjisori i mirënjohur Kujtim Gjonaj flet për Fjala.al.


Çdo të thotë të jesh regjisor?
Regjisori është truri i veprës filmike, një lloj dirigjenti i një orkestre të madhe simfonike, që dirigjon të gjithë komponentët me mjeshtëri, kulturë dhe art, të gjithë pjesët që përbëjnë atë që quhet vepër filmike.

Cili ishte impresioni i parë kur u emëruat në Kinostudio dhe nisët punën aty?
Ndërtesa e madhe 2-katëshe, e gjitha mermer dhe me tavane të pikturuar, më dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe të panjohura. Mbresat, kur hyra për herë të parë në të dhe kapërceva korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thonë, qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hijerëndë dhe imponuese. Kurrë nuk më pati shkuar ndër mend se një ditë mund të punoja aty.


Kinemaja shqiptare lulëzoi në mënyrë të menjëhershme. Kishte arsye të veçantë?
Kinostudio lindi si një dëshirë dhe vullnet i shtetit shqiptar për të pasur edhe shqiptarët një histori dhe traditë në filmin shqip. Thuhet rëndom në ditët e sotme se ajo lindi për propagandë. Pas Luftës, ku u derdh shumë gjak, vendi ynë u rreshtua në kampin komunist. Ishte normale që të propagandoheshin, të kultivoheshin, të përjetësoheshin në art e kulturë përpjekjet mbinjerëzore të një populli të tërë për çlirimin dhe identitetin kombëtar, ashtu siç nuk mund të liheshin pa u fiksuar edhe përpjekjet po aq titanike për zhdukjen e plagëve të luftës dhe mobilizimi masiv për rindërtimin e vendit. Në kinematografi do të flitej për historinë shqiptare të asaj kohe. Për luftën partizane, për ndërtimin e socializmit. Çfarë bëhet sot në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore? A nuk bëhet propagandë?

Sa i indoktrikuar ishte filmi shqiptar para viteve ‘90?
Kinematografia shqiptare arriti të realizonte 14 filma artistikë në vit. Dhe u realizuan filma me vlera të mëdha artistike. Por më duhet ta them se indoktrinimi, si dje dhe sot është pjesë e përditshme e njerëzve që merren me art, kulturë dhe gazetari. Në kohën tonë jo të gjithë filmat ishin të doktrinuar, por edhe brenda politikës së çastit ne mundoheshim të fusnin shpirtin artistik, dhe punonim me pasion për ta realizuar çdo film me teknikën më të lartë. Kinostudio dhe punonjësit e saj artistë, i shërbyen vendit dhe popullit me dashuri, art, pasion dhe kulturë. Ata fiksuan në celuloid të vërtetat e mëdha të historisë shqiptare, por natyrisht duke i shërbyer edhe politikës së partisë shtet, sepse ishte ajo që e ngriti, drejtoi dhe financoi këtë ndërmarrje të madhe artistike, kulturore dhe propagandistike. Natyrisht që do bëhej edhe propaganda e partisë.

Në fillimet e saj Kinostudio ka realizuar Kinoditarin. Çfarë përmbante ai?
Gjinia e kinoditarit, lindi në kushtet e transmetimit të një lajmi të shpejtë për kohën, e ku pasqyronte informacionet për ndërtimin socialist të vendit. Kishte filma që kishin të bënin tërësisht me propagandën e kohës, por krahas filmit propagandistik morën jetë dhe filmat dokumentarë që i shërbyen artit, kulturës, traditës, historisë.

Si kineast, më së shumti njiheni për përzgjedhjen e temave historike. Përse pikërisht këtë gjini?
Historia e vendit tonë mbart në vetvete shumë figura të mëdha. Ne duhet të jemi krenarë me historinë tonë. Por ka ende shumë figura të pa realizuara por që unë nuk pretendoj t’i bëj në film, sepse edhe koha dhe mosha ndikojnë. Por të bësh një film për Migjenin nuk ke bërë politikë, apo të fiksosh në celuloid jetën e Mios, të tregosh për Aleksandër Moisiun, vëllezërit Topulli, Asdrenin apo të ngresh në piedestal filmik kryengritjet e mëdha të Veriut në vitet 1910-1912, nuk bën politikë. Është e njëjta gjë si të shkruash një roman për ndërtimin e një kombinati apo të një hidrocentrali, ku objekt është vepra që ndërtohet, por subjekt janë marrëdhëniet e njerëzve që marrin pjesë në ndërtimin e veprës, karakteret, lidhjet ndërmjet njëri-tjetrit, raportet me punën dhe familjen. Me një fjalë, historia e këtyre njerëzve dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë. Pra, ke shkruar historinë e vendit tënd, ke bërë dhe politikën, por dhe detyrën ndaj historisë dhe vendit tënd. Pra, ka ndërthurje mes politikës dhe artit.

Po manifestimet e mëdha, ku merrnin pjesë krerët e shtetit, si konsiderohen?
Paradat me rastin e festave të çlirimit apo festimet me rastin e 1 majit dhe fiksimi i tyre në celuloid janë politike, sepse i bën elozhe pushtetit që ka fuqi të madhe, tregon forcën dhe vitalitetin e rendit socialist, pavarësisht sesa e vërtetë është kjo. Por njëkohësisht i bën edhe një shërbim historisë së vendit, se dokumenton butaforinë e një kohe të shkuar. Gjithsesi mund të them se arti në ato vite lulëzoi deri në piedestale.

Si u pasqyrua nga Kinostudio vdekja e Enver Hoxhës?
Kur u njoftova për vdekjen e Enver Hoxhës shkova në Kinostudio. Atje gjeta gjithë kolektivin duke qarë. Kishte edhe ndonjë që qante me zor. Ishte një atmosferë gri, atmosferë zie. Sesi e ndjenin shqiptarët brenda shpirtit e treguan vitet e më pasme. Por, disa njerëzve që morën flamurin e demokracisë pak vite më vonë nuk u shkonte ajo e qarë që bënë atë ditë. Hipokrizi totale! Vite më vonë, kur ata njerëz i pashë të veshur me pushtet, qesha me trishtim.

Pati dhe një dokumentar me këtë rast…
Bashkë me Viktor Gjikën dhe Halil Kamberin jemi caktuan për të bërë filmin mbi vdekjen e Enver Hoxhës. Sot ka një mendim tjetër për atë kohë. Po ato ditë kam parë nga afër pikëllimin e shqiptarëve. Ishte një vdekje gati-gati e kobshme. Populli përlotej. Nxënësit vendoseshin në rreshta dhe qanin me oiii. Kolektivat e punës braktisën punën dhe u rreshtuan në kortezh. Po kështu zyrtarët, ushtarakët, veteranët, studentët. Ishte një pikëllim masiv. Shtatë ditë zie. Tek pjesa më e madhe e shqiptarëve kishin një frikë akute. Ç’do të ndodhte me të ardhmen e tyre? Ndjehej një pasiguri masive. U shpërnda e gjithë Kinostudio në gjithë Shqipërinë dhe u xhirua një film i mirë për dhimbjen e madhe të popullit shqiptar. Në fakt koha tregoi se nuk ishte dhe aq e madhe. Hipokrizia dhe frika qe shumë më e madhe. Po me hir apo me pahir populli ka qarë.

Në çfarë filtrash kaloi ky film?
Përveç këshillit artistik, pasi u montua filmi iu tregua Nexhmije Hoxhës, e cila e pëlqeu.

Jeni skenarist i disa filmave artistikë. Si nisi puna juaj?
Kam realizuar 4 skenarë për filma me metrazh të gjatë. Ishte Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, një nga personalitetet më të respektuar të filmit artistik shqiptar, i cili më dha një libër e më tha: “Merre dhe lexoje! Është një roman i Sterjo Spases Shikoje me vëmendje, dhe përpiqu ta kthesh në skenar për film”. Ishte romani “Zjarri” që kishte pak kohë që ishte botuar. Si rastësisht Kristaqi shtoi: “Është porosi nga lart. Ky roman është pëlqyer shumë nga shoku Mehmet, dhe ai ka hedhur idenë për ta bërë film”. Kishim caktuar dhe regjisorin që do bënte filmin, Fehmi Oshafin, me të cilin kisha marrëdhënie të mira. Megjithëse i bënte jehonë politikës së kohës vepra kishte ca linja interesante: Një djalë i ri qyteti, mjek veteriner që shkon në kooperativë të re në një zonë të thellë malore, ku ndërthureshin dy botë dhe mentalitete. E reja përparimtare në luftë me të vjetrën zakonore. Bashkë me regjisorin i përvishemi punës. Bashkërisht realizuam një skenar të këndshëm dhe me këmbëngulje zgjodhëm grupin e aktorëve ku ishin Ndrek Luca, Vangjel Heba, Nikolin Xhoja, Astrit Çerma etj. Rolin kryesor ia besuam Justina Aliajt, e cila sapo që rehabilituar mbas ngjarjeve dramatike të Festivalit të 11 në Radio Televizion dhe aktronte në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ishte një aktore me potencial të madh artistik dhe kulturor. Në filmin “Thirrja”, ajo interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.


Në Kinostudio, pak filma kanë kaluar pa probleme. A do të kishit dhe ju problemet tuaja me filmin?
Ç’është e vërteta filmi përfundoi me sukses dhe kur u vizionua në kolektivin krijues u prit mirë. Por krejt papritur, diku qarkulloi thashethemnaja; Pse e keni marrë Justinën?… Kush e miratoi?….Pse s’keni pyetur?… Ata që kishin dhënë leje gënjyen dhe mohuan. Leja qe dhënë drejtpërsëdrejti nga sekretari i parë i partisë së Shkodrës, Prokop Murra. Të gjithë ata që e kishin miratuar, shkallë pas shkalle ruajtën bythën e tyre dhe mohuan atë që kishin miratuar me entuziazëm. Kështu nisi kalvari i masakrimit të filmit. Goditja e parë qe për të minimizuar rolin e Justinës. Shkurtimi në maksimum i portretit të aktores dhe rixhirimi u bë me një aktore tjetër Liri Lushin. I binte të bëje një film nga e para. Premiera u shfaq në kinema “Partizani” dhe filmi pati jehonën e vet por të gjithë ndienim keqardhje për fatin e veprës, për lodhjen dhe pasionin e çuar dëm.

Më pas si do të vazhdonte krijimtaria juaj si skenarist?
Pas skenarit të filmit “Thirrja” shkrova edhe tre skenarë të tjerë, pa lënë asnjëherë mënjanë skenarët e disa filmave dokumentarë. Bashkëpunova me Esat Musliun për filmin “Ata ishin katër”.


Po në vitin 1977-t pata një bashkëpunim frytdhënës me regjisorin Hysen Hakani dhe shkrimtarin Skënder Plasari, ku së bashku realizuam një film plot humor dhe fantazi, filmin “Cirku në fshat”.
Skenari më madhor ka qenë për filmin artistik “Këshilltarët”. Ai u prit jashtëzakonisht mirë dhe doli me të vërtet një film i arrirë artistikisht. Regjia e filmit iu besua Xhezair Dafës. Është një film që pati jehonë si një ngjarje e rëndësishme e luftës Nacional çlirimtare. Ndaj dhe “Këshilltarët” mbetet një gur themeli në krijimtarinë time. Filmi u prezantua dhe në festivalin e Selanikut në vitin 1980 ku pati vlerësime nga kritika dhe shtypi vendas.

A ka ndryshuar këndvështrimi juaj nga para viteve ’90 në pas tyre?
Si kineast, unë jam ai që kam qenë para ’90 dhe pas ’90. E them këtë, sepse qëndrimi im emocional ndaj një vepre filmike është i njëjtë në çdo kohë. Qëndrimi emocional i artistit është i njëjtë në çdo kohë. Në këtë kuptim unë jam ai që kam qenë. Por gjërat janë dhe të lidhura. Para ’90-tës realizimi i filmit ishte më komod, sepse investonte shteti. Grupet më të mëdha, mundësitë më të mëdha, sepse çdo gjë e paguante shteti, por teknika në atë kohë nuk ishte kjo që është sot që është më e mirë. Vështirësia ishte, sepse do bëje dhe një lloj vetëpërmbajtje, por varet se si ishte tema e filmit, sepse kishte kontroll nga shteti i asaj kohe. Sot jemi më të lirë në përzgjedhje temash, por jemi shumë më të kushtëzuar nga ana ekonomike për filmin. Mundohesh, që shumë gjëra t’i zgjidhësh me pak njerëz, pak para, por përpjekja për të bërë një vepër të pëlqyeshme është e përbashkëta e çdo periudhe kohore.