Wednesday, June 12, 2024

“Minuta e fundit”, futbolli i rrejshëm me gola të pastër



Nga Leonard Veizi
 
A jemi të bindur se po shohim ende një futboll të pastër e pa hile?
Me sa duket jo!
Dhe me shumë gjasa duket se kemi futboll të rrejshëm por me gola të pastër. Sepse goli është gol në fund të fundit, dhe kur është jo i pastër ka veterinë e vetë pastrimit.
Por si do ta justifikoj këtë që sapo thashë?
Futbolli i epokës së Peles, por dhe i Maradonës, ndryshon shumë me futbollin e epokës së Mesit e Ronaldos. Matematikisht, apo në konfigurimin gjeometrik, tanimë futbolli është një spektakël i vërtetë. Por 50 vite më parë futbolli ishte shumë më i vërtetë se sot...
 
...Jemi në ditët e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024.
Jo më shumë se sa për të ndjekur një ndeshje, - po aq sa një shfaqje teatri apo filmi në kinema, - tifozët, por dhe ata që nuk e ndjekin fare futbollin, janë turrur të bëjnë kalkulime e të vënë baste. Kush fiton në grup, e kush ndeshet në gjysmëfinale. Sepse për shumëkënd, nuk ka më vlerë loja dhe spektakli në vetvete, por çfarë përfitimesh dalin prej saj. Tifozë “profesionistë” dhe ata që nuk lënë lojë pa i vënë diçka sipër, të sigurojnë se në botën e sotme, nuk ka më futboll të pastër dhe se të gjitha ndeshjet e kanë nga një hile brenda. Varet sa kjo ndeshje është e kuotuar në bursat ndërkombëtare. Sa më të forta skuadrat, aq më shumë rriten kuotat. Prandaj bastet në futboll nuk kanë të bëjnë me intuitën se kush mund të fitojë dhe me sa gola në epërsi. Sot, t’i biesh në kokë një rezultati, ka të bëjë me rastësinë. Ndaj një bixhoz të tillë e luajnë edhe ata që janë tifozë të pandreqshëm futbolli, por dhe ata që nuk kanë hyrë asnjëherë në stadium.
 
Shqipëria në Evropian
Në këtë Kampionat Shqipëria gjendet në një grup të vështirë, të njohur si “grupi i zjarrit”. Por thuhet se kombëtarja shqiptare gjithsesi ka potencialin për të bërë paraqitje të suksesshme në Kampionat. Nëpër deklarata specialistësh kam mundur të veçoj deklaratat që thuhen më së shumti se: për të pasur sukses në këtë grup dhe për të arritur rezultatet e dëshiruara, Shqipëria mund të ndjekë disa strategji dhe mundësi. Sipas mendimit të disa specialistëve Shqipëria duhet të ketë një organizim të fortë mbrojtës. Analiza e detajuar e lojës së kundërshtarëve mund të ndihmojë trajnerin dhe skuadrën. Por gjithsesi të luash në një grup të vështirë kërkon përgatitje të lartë fizike dhe mentale. E në këtë kuadër mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për moralin e skuadrës.
Kompanitë që parashikojnë në varësi të koeficientëve, fatkeqësisht “dëshpërojnë” tifozët shqiptarë, sepse kuqezinjtë janë të parafundit në një renditje provizore të publikuar, ku vetëm Gjeorgjia që merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Evropian ndodhet poshtë nesh.
Por kompanitë e parashikimeve sportive vazhdojnë të shtojnë opsionet e basteve ku së fundmi kanë dalë edhe kuotat për titullin si lojtari më i mirë i turneut. Nuk mungojnë emrat e futbollistëve të kombëtares shqiptare ku Bajrami vlerësohen me koeficientin 351 ndërsa Broja 501.
Dhe kaq për Shqipërinë. Pjesa tjetër ka të bëjë me perspektivën e saj, më shumë se me të tashmen, ku tek e fundit e ka bërë një hap cilësor drejt progresit.
 
Fabrika e parave
Kampionatet e futbollit, - në tërësinë e tyre, -  janë shpesh të përshkruara si "fabrika për prodhimin e parave" për shkak të potencialit të tyre të madh ekonomik dhe mënyrës se si ata gjenerojnë të ardhura nga burime të ndryshme. U drejtohem statistikave dhe lajmeve të sektorit sportiv:
Një nga burimet kryesore të të ardhurave për klubet e futbollit është shitja e biletave për ndeshjet. Stadiumet e mbushura me tifozë përbëjnë një burim të madh të ardhurash.
Të drejtat televizive për të transmetuar ndeshjet janë një tjetër burim i madh i të ardhurave.
Kampionatet dhe klubet e futbollit tërheqin sponsorë të mëdhenj që paguajnë për të reklamuar brenda stadiumeve, në uniformat e lojtarëve dhe për të qenë të lidhur me markën e klubit. Kontratat me sponsorë mund të arrijnë shuma të jashtëzakonshme. Shitja e produkteve të lidhura me klubin, si fanella, shalle, kapela dhe suvenire të ndryshme, është një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash.
Në përfundim, kampionatet e futbollit janë vërtetë si "fabrika për prodhimin e parave". Por asgjë nuk ndalet me kaq.
 
Bastet në futboll
Tanimë dihet, sportet ku ka shumë tifozeri, si futbolli në rastin konkret, - kanë dhe baste pa fund. Të ligjëruara, ku paguhen tatimet në shtet, por funksionojnë dhe baste ilegale. Ose më saktë është një industri e tërë që punon për bastet.
Bastet mund të ndikojnë në performancën e lojtarëve dhe integritetin e klubeve, përfshirë rastet e skandaleve të njohura të manipulimit të ndeshjeve dhe blerjes së rezultateve. Në analizimin e disa rasteve konkrete bastet kanë pasur ndikim të madh në rezultatin e ndeshjeve ose në reputacionin e sportistëve dhe klubeve. Ndaj dhe në gjithfarë emisionesh televizive post ndeshjeve theksohet rëndësia e ruajtjes së pastërtisë së sportit dhe roli i të gjithë aktorëve të përfshirë – nga lojtarët dhe trajnerët deri tek tifozët dhe rregullatorët – për të siguruar që futbolli të mbetet një lojë e ndershme dhe e besueshme për të gjithë.
Por a është e mundur kjo?
Edhe mundet... Por historia, dhe vetë letërsia dhe artet e tjera të mbështetura mbi fakte historike, na tregojnë se trukime dhe blerje të rezultateve në favor të basteve, nuk janë një risi e vonuar në kohë, por e nisur shumë vite më parë, të paktën një një shekull.
 
Një libër për trukimet në boks
Romani "The abysmal brute" apo i ardhur në shqip si  "Bisha e tërbuar" i shkrimtarit amerikan Xhek London, i botuar në vitin 1913, - por i ardhur në shqip në vitin 1973, - ofron një pasqyrë të vlefshme mbi botën e boksit. "Bisha e Tërbuar" trajton temën e korrupsionit dhe manipulimit brenda industrisë së boksit. Libri në fjalë të ndihmon për të kuptuar sfidat morale dhe etike që përballen boksierët dhe njerëzit që menaxhojnë karrierën e tyre. Romani përqendrohet te protagonist, Pat Glendon, apo i quajtur ndryshe dhe Pati i Ri, një boksier thuajse naiv dhe i pafajshëm, që ndeshet me realitetin e ashpër të sportit profesionist. Historia rrëfen luftën e brendshme të sportistit midis idealizmit të tij dhe realitetit të industrisë së boksit. Protagonisti i romanit përpiqet të mbetet i ndershëm dhe me integritet në një botë të mbushur me mashtrime. Ndërkohë që romani humanizon boksierët, duke treguar jetën dhe sfidat personale të protagonistit përtej ringut. Në njëfarë mënyre, "Bisha e Tërbuar" i Xhek Londonit kontribuoi në një kuptim më të thellë dhe më kritik të botës së boksit, duke nxitur reflektimin mbi çështjet etike dhe morale që lidhen me këtë sport.
 
Një film për trukimet në futboll
"L'Ultimo minuto" apo ardhur në shqip si "Minuta e fundit" është një film italian që trajton temën e trukimit të ndeshjeve në futboll. Filmi me regji nga Pupi Avati është prodhuar në vitin 1987, dhe në të interpretojnë dy nga aktorët më të njohur italian: Ugo Tonjaci si dhe Masimo Boneti. Ky film, si shumë të tjerë që trajtojnë tema të ngjashme, ka ndikim të madh në perceptimin e publikut mbi korrupsionin në sport. Filmi ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit publik për ekzistencën dhe seriozitetin e trukimit të ndeshjeve, duke e bërë audiencën më të vetëdijshme për prapaskenat e errëta të futbollit. Duke shfaqur korrupsionin dhe manipulimin në sport, "Minuta e Fundit" nxiti debate dhe diskutime publike mbi masat që duhen marrë për të luftuar këtë fenomen dhe për të ruajtur integritetin e sportit.
Në periudhën e parë të trasmetimit të këtij filmi u tha se ai arriti të ndryshojë perceptimin e publikut mbi sportistët dhe klubet, duke i bërë tifozët më skeptikë dhe më të kujdesshëm ndaj përfshirjes së mundshme në trukimin e ndeshjeve.
Pra "Minuta e Fundit" përdori artin kinematografik për të eksploruar dhe ekspozuar problemet e trukimit të ndeshjeve në futboll, duke ofruar një platformë për ndërgjegjësim, edukim dhe diskutim mbi këtë çështje kritike.
 
Epilogu
Sportet, qoftë ai i futbollit, i boksit, por dhe i basketbollit, jetojnë ditë sa të bukura aq dhe të vështira. Spektakolarë në formë, por me probleme të mëdha në përmbajtje. Dhe spektatori i thjeshtë asnjëherë nuk ka për ta kuptuar se kush ishte më i forti dhe më i përgatituri për të fituar një ndeshje. Sepse ndeshja do t’i jepet “llokum”, duke e zhgënjyer deri në palcë.

Monday, June 10, 2024

“Rroftë Zapata”: Revolucionari meksikan mundësoi në ekranet shqiptare divat e Hollivudit


Nga Leonard Veizi
 
Nuk ishte e lehtë që spektatori shqiptar të shihte në ekranin e kinemasë dy prej gjigandëve të Hollivudit siç ishin Antonio Kuin dhe Marlon Brando. Për më tepër kur filmi me dy aktorët protagonistë u popullarizua më tej nga valët e TV Tiranës. Sepse tek e fundit ishin dy aktorë amerikanë. Dhe me Amerikën imperialiste, Shqipëria komuniste nuk kishte as marrëdhënie diplomatike dhe as tregtare. Ndaj dalja në ekran e dy prej yjeve të Hollivudit duhej parë me dyshim.
Por gjithsesi, “Rroftë Zapata” ishte një film me tematikë revolucionare, ku burrat e fshatit, vrisnin pronarët e tokave dhe borgjezët. Në film bëhej fjalë për kryengritje fshatarësh në Amerikën e Jugut Dhe për këtë ishte marrë si model jeta e një revolucionari të vërtetë meksikan i cili quhej Emiliano Zapata. E meqë kishte vrasje dhe shpronësime latifondistësh, filmi të krijonte idenë e një mesazhi që vinte nga bota amerikane për të majtën ekstremë që e kishte bërë fakt të kryer atë që Emiliano Zapata e bëri si një kryengritës meksikan, gjysmë revolucionar e gjysmë kusar. Sepse dhe Zapata, po ashtu si Zoro u grabiste pasurinë të pasurve dhe ua shpërndante të varfërve.
Në këtë film legjendë, interpretojnë dy aktorët diva të Hollivudit. Dukej, Hollivudi nuk ishte as i keq sa interpretohej në faqet e gazetave. Sepse herë pas herë, përveç filmave policesk, wester dhe atyre me skena të forta erotike, prodhonte dhe filma që mund të transmetoheshin lirshëm në vendet e Bllokut Komunist. Kjo e bënte krejt e lejueshme transmetimin e filmit në dhe vendin e vogël ballkanik që aplikonte një komunizëm ekstremist, dhe ku të dy aktorët veç e veç shiheshin me sy të shtrembër.
Në këtë kuadër “Rroftë Zapata” arriti të shfaqej në ekranet e kinemave fillimisht e më pas në ekranin e vetëm shqiptar.
Por cili ishte Emiliano Zapata, i cili u interpretua me aq finesë nga një aktor kalibri si Marlon Brando?
 
Revolucionari
Emiliano Zapata, ishte një udhëheqës i fshatarëve dhe njerëzve indigjenë gjatë Revolucionit Meksikan, i cili zihet në pritë dhe qëllohet për vdekje në Morelos nga forcat qeveritare.
Zapata u detyrua të përplasej me ushtrinë meksikane në vitin 1908 pas përpjekjes së tij për të rimarrë tokat e fshatit të marra nga një fermer i madh. Pas fillimit të revolucionit në 1910, ai ngriti një ushtri fshatarësh në shtetin jugor të Morelos nën sloganin “Toka dhe Liria”. Duke kërkuar reforma të thjeshta agrare, Zapata dhe fermerët e tij guerilë kundërshtuan qeverinë qendrore meksikane nën Françisko Madero, më vonë nën Viktoriano Huerta dhe më në fund nën Venustiano Karranza. Zapata dhe pasuesit e tij nuk fituan kurrë kontrollin e qeverisë qendrore meksikane, por ata rishpërndanë tokën dhe ndihmuan fermerët e varfër brenda territorit nën kontrollin e tyre.
Ndikimi i Zapata ka zgjatur shumë kohë pas vdekjes së tij dhe lëvizja e tij e reformës agrare, e njohur si “zapatismo”, mbetet e rëndësishme për shumë meksikanë edeh në vitet e mëpasme. Në vitin 1994, një grup gueril që e quan veten “Ushtria Nacional Çlirimtare Zapata” nisi një kryengritje fshatare në shtetin jugor të Çiapas.
Zapata mbetet një figurë ikonë në Meksikë, e përdorur si një simbol nacionalist ashtu edhe si një simbol i lëvizjes “neo-zapatista”. Neni 27 i Kushtetutës së Meksikës të vitit 1917 u hartua në përgjigje të kërkesave agrare të Zapata-s.
 
Libri
Literatura që i referohet librit mbi jetën aktive të Emiliano Zapatës shprehet se Revolucioni në Meksikë prodhoi dy figura të destinuara për t'u bërë heronj legjendarë - udhëheqësit e mëdhenj të popullsisë indigjene Panços Vilja, në veri dhe Emiliano Zapata në jug; Eçkam Pinçën zgjodhi të ishte biografi i të dyve.
Kështu në vitin 1941 “Zapata the Unconquerable” apo “Zapata i Pamposhtur” pati një botim të bukur prej 332 faqesh. Ai mbetet një titulli nga të pakët kushtuar një revolucionari të rëndësishëm të shekullit të XX.
 
Filmi
“Viva Zapata!” është një film amerikan “western” i vitit 1952 me regji nga Elia Kazan dhe me Marlon Brando. Skenari u shkrua nga Xhon Stainbek, duke përdorur si udhërrëfyes librin e Eçkam Pinçën të vitit 1941 “Zapata the Unconquerable”. Kasti përfshin Xhin Pitërs, dhe në një performancë të vlerësuar me Oscar, Antoni Kuin.
Filmi është një rrëfim i jetës së revolucionarit meksikan Emiliano Zapata nga edukimi i tij fshatar deri në ardhjen e tij në pushtet në fillim të viteve 1900 dhe vdekjen e tij në 1919.
Për ta bërë filmin sa më autentik, Kazan dhe producenti Darëll F. Zanek studiuan fotografitë e shumta që u bënë gjatë viteve revolucionare, periudhës midis 1909 dhe 1919, kur Zapata udhëhoqi luftën për të rivendosur pronësinë nga njerëzit e thjeshtë mbi tokën e marrë gjatë diktaturës së Porfirio Díaz.
Kazan ishte veçanërisht i impresionuar me koleksionin e fotografive Agustín Kasasola dhe ai u përpoq të dyfishonte stilin e tyre vizual në film. Kazan e pranoi gjithashtu ndikimin e Paisan të Roberto Roselinit.
 
Ngjarja
Emiliano Zapata është pjesë e një delegacioni të dërguar për t'u ankuar për padrejtësitë e bëra nga presidenti shumëvjeçar i korruptuar Porfirio Díaz. Por Díaz i hedh poshtë shqetësimet e tyre, duke e shtyrë Zapatën në rebelim të hapur, së bashku me vëllain e tij Eufemio – i cili në film interpretohet nga Antonio Kuin. Emiliano Zapata bashkohet me Panço Viljan nën udhëheqjen e reformatorit naiv Françisko Madero.
Díaz më në fund rrëzohet dhe Madero zë vendin e tij, por Zapata është i tronditur kur zbulon se asgjë nuk po ndryshon. Madero i ofron Zapatës tokën e tij, ndërkohë që dështoi të ndërmarrë veprime për të shpërndarë tokën për fshatarët që luftuan për t'i dhënë fund diktaturës dhe për të shkatërruar pronat e elitave. Zapata e refuzon ofertën dhe nuk kërkon përfitime personale. Ndërkohë, Madero i paefektshëm, por me qëllim të mirë, i beson gjeneralit tradhtar Viktoriano Huerta. Huerta fillimisht e merr Madero-n rob dhe më pas e vret.
Ndërsa bëhet e qartë se çdo regjim i ri nuk është më pak i korruptuar dhe egoist se ai që zëvendësoi, Zapata mbetet i udhëhequr nga dëshira e tij për t'u kthyer fshatarëve tokat e grabitura së fundmi duke braktisur interesat e tij personale. Vëllai i tij e vendos veten si një diktator të vogël, duke marrë atë që do pa marrë parasysh ligjin, por Zapata mbetet një udhëheqës rebel me integritet të lartë. Edhe pse ai është në gjendje të mposht Huertën pas vrasjes së Madero, si rezultat i integritetit të tij, Zapata humbet vëllain dhe pozicionin e tij.
Edhe pse në fund vetë Zapata joshet në një pritë dhe vritet, filmi sugjeron që rezistenca e fshatarëve nuk mbaron. Fillojnë thashethemet se Zapata nuk vdiq kurrë, por përkundrazi vazhdon të luftojë nga kodrat, duke i ushqyer fshatarëve një ndjenjë shprese. Siç sugjerojnë disa skena, me kalimin e viteve, fshatarët kanë mësuar të drejtojnë veten e tyre në vend që të kërkojnë nga të tjerët për t'i udhëhequr.

Shqiptarët e Francës, “lufta” për të zënë një vend në Enciklopedi


Nga Leonard Veizi
 
Ata nuk kanë “luftuar” me qëllimin e vetëm për të bërë emër aq sa të pranoheshin në një Enciklopedi. Kjo me siguri do të ishte fatale për ta. Sepse nuk do të kishin arritur të bënin atë që kanë bërë. Ose më saktë: Ata nuk kanë pasur asnjëherë nevojën të jenë pjesë e ndonjë enciklopedie. Por vetë Enciklopedia kishte nevojë për emrat dhe punën e tyre. Dhe ky është një bashkëpunim i ndërsjellë, por i pa sigluar me numra protokollesh apo nene kontratash e vulë noterie.
Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Kjo do të thotë se në letrat shqipe është shtuar një vëllim voluminoz me titullin: Enciklopedia: Personalitete shqiptare të Francës.
Në historinë e gjatë të marrëdhënieve shqiptaro-franceze mund të kujtosh plot bëma dypalëshe. Sepse nëse në Konferencën e Londrës, – andej nga viti 1913, – pala franceze nuk mbajti ndonjë qëndrim admirues ndaj shqiptarëve, shqiptarë si kundërpeshë, nja 7 vite më pas, dërguan një ekzekutor për të vrarë një tjetër shqiptar, por e rëndësishme ishte që atentati të bëhej në zemër të Parisit. Dhe shqiptarët dhe Shqipëria bashkë me ta, me hallet dhe problemet e saj të shumta, zuri aperturat e mediave franceze. Kështu që francezët kthyen kokat sërish nga vendi i vogël ballkanik, buzë Adriatikut e përballë Italisë, ku ushtritë e të dy vendeve si pjesë e Antantës e kishin konsideruar Principatën që krijuan në Londër, si një një arenë luftimesh përballë Frontit Qendror, nominalisht me Austro-Hungarinë.
E si vinë kohët. Rrotullohet globi.
Pikërisht në vitet e Luftës së Madhe, francezët kishin një tjetër qasje ndaj Shqipërisë, sepse motivuan Republikën e Korçës dhe hapën të ashtuquajturin Lice Francez. Që prej asokohe qytetit të Korçës, – ku u rehatuan trupat e Divizionit 76 të Këmbësorisë franceze të kolonelit Dekoen, i cili ishte në varësi të gjeneralit Sarrail, – i mbeti emërtimi që do ta ndiqte pas gjithmonë: “Parisi i Vogël”.
Por Franca ka qenë një vend pritës për shumë shqiptarë të njohur që kanë kontribuar në fusha të ndryshme qoftë në art e në shkencë, po aq dhe në politikë e biznes Shqipëria gjithashtu i ka pritur me dashamirësi francezët. Dhe kjo ka ndodhur edhe në Janinë, kur detashmentët e Napoleon Bonapartit atashoheshin pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Kjo ka ndodhur edhe më parë se kaq, kur pinjolli i derës së madhe të Topiajve, për shkak të gjakut nga nëna e tij franceze Helena, vajzë e Robertit të Anzhuinëve, kishte marrë emrin e gjyshit të tij, Karl. Dhe historia do të vazhdonte edhe më pas se kaq, me dashuri, mblesëria të tjera e përzierje gjaku.
Por nuk mbaron me kaq.
Çudi e madhe me Francën. Nuk ka udhëheqës e politikanë të rëndësishëm shqiptar, që të mos e ketë bërë një kalim nga Franca, e më konkretisht nga Paris. Ka nga ata që kanë bërë nga një fakultet e nga një master, ka të tjerë që janë specializuar në pak muaj, por ka raste kur nuk kanë kaluar dot as vitin e parë e janë kthyer pas. Por hajër kanë bërë në Shqipëri, sepse në fund të fundit kanë qenë frankofonë e frëngjishtfolës.
Edhe kjo është një status, sigurisht.
Për të ndërtuar urën madhështore që do të lidhte Tiranën me Parisin, kanë punuar me thonj e dhëmbë, apo me mish e shpirt, disa qindra personalitete shqiptare, por dhe franceze gjithashtu. Edhe ura është e ngritur tashmë. E fortë që në themele. E fortë dhe në lartësi.
Kontributet e shqiptarëve të njohur në Francë janë të shumta dhe të ndryshme. Ata kanë sjellë një pasuri kulturore dhe intelektuale në shoqërinë franceze, duke forcuar lidhjet midis dy vendeve tona. Historitë e tyre janë një dëshmi e forcës, talentit dhe përkushtimit të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë.
Por deri dje, i gjithë ky kontribut dukej si i shpërndarë e krejt pa kontroll.
Sot, ne kemi në duar një Enciklopedi, ku të gjithë zërat shqiptarë që kanë dhënë kontribut në Francë, janë të mobilizuar në të njëjtin formacion tek: Enciklopedia “Personalitete shqiptare të Francës”.
Mentor Hoxha, koleg i hershëm dhe po aq mik i vjetër, me këmbëngulje e skrupulozitet, ka arritur të bëjë bashkë disa qindra emra, që deri dje kanë qenë të shpërndarë gjithkund, në Gjendje Civile, në numra amzash, në raporte ndërkombëtare gjithfarësh, por dhe në sistemin TIMS.
Sot sipas një rendi alfabetik, i gjen të gatshëm, me “kurrikulumin” e tyre jetësor dhe atë akademik. Dhe kjo nuk është pak, por të kemi parasysh se për Enciklopedi punohet me grupe pune. Ndërsa Mentor Hoxha ia ka dalë krejt i vetëm duke punuar ditë e natë mbi këtë projekt për të paktën 7-të vite me radhë.
Dhe siç shprehet vetë autori: Franca ka pasur një rol kryesor në disa nga ngjarjet më madhore të historisë shqiptare dhe në formimin e elitës politike, diplomatike, akademike, shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe sportive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Por autori Hoxha, është treguar fort i kujdesshëm, për të vendosur në fundin e çdo faqeje të enciklopedisë referencat të cilat i kanë mundësuar atij punën e ekipit.
Në 520 faqet e enciklopedisë voluminoze janë dy kapituj. Ndërsa në pjesën e parë të librit autori ka bërë një përmbledhje nga 100 dosierë që i ka botuar në shtypin shqiptar të ditës, në kapitullin e dytë autori është përqendruar në listimin e 489 emrave, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar herë për Shqipërinë, herë për Francën dhe herëherë fama e tyre i ka kaluar kufijtë e dy shteteve për t’u bërë të përbotshëm.

Friday, June 7, 2024

Sfidat e leximit, bumerangu në epokën e teknologjisë


Nga 
Leonard Veizi
 
Vazhduar sot por nisur që disa vite më parë, njerëzit po i drejtohen gjithnjë e më shumë përmbajtjeve të shkurtra dhe të shpejta, si videot dhe artikujt e shkurtër në internet. Sipas studimeve jo të pakta, dhe mendimit të psikologëve edhe më të shumtë, kjo ka ulur durimin dhe vullnetin për t'u angazhuar në lexim të gjatë dhe të thelluar. Shkurt e saktë kjo do të thotë që njerëzit po bëhen gjithmonë e më shumë dembelë.
Ha debat muhabeti.
Se ja: provoni të lexoni “Doni i qetë” i Shollohovit me dy vëllime e 1400 faqe në tota. Ose ec e ti dalësh në fund katër vëllimeve “Lufta dhe Paqja” të Tostoit po me 1400 faqe në total. Pa le të marrësh guximin e të lexosh “Revolta e Atlasit” e Ain Rand gjithashtu me 1400 faqe në total.
Sa shkruajnë dhe këta autorët rus. Duhet të shpenzosh nja dy vite nga jeta për të përtypur tre romane të cilësuar si kryevepra.
Por duket se me avancimin e teknologjisë, librat elektronikë dhe audiolibrat janë bërë më të popullarizuar. Edhe pse kjo të le përshtypjen e një ndryshimi pozitiv në një aspekt, tradicionalët argumentojnë se përvoja e leximit të një libri të printuar është e pazëvendësueshme.
Edhe kësaj radhe ha debat muhabeti.
Këto ditë plot diell qershori libri është futur përsëri në rend të ditës.
Çudi e madhe në fakt.
Shqiptarët po mundohen ta mbajnë fort frymën e leximit. Megjithëse kjo po duket si një luftë e kotë. Libri përballë një smartfoni të jep idenë e Don Kishotit që vërtitej nga krahu i madh i mullirit me erë në dyluftimin e tij të humbur me “gjigandët”.
Historia përsëritet.
Kjo duket si e pavërtetë. Sepse ne jemi edukuar me një postulat të gjithbotshëm se libri është ai që na jep mundësitë më të mëdha në edukim dhe formim. Ndaj rrënimi i epokës së tij jetëgjatë na duket i dhimbshëm. Por në fakt është e vërtetë.
Në një botë ku teknologjia ka bërë përparime të pabesueshme dhe burimet digjitale janë kudo, leximi tradicional duket të jetë në rënie. Me ardhjen e smartfonëve, tabletëve dhe kompjuterëve, njerëzit kanë më pak kohë dhe dëshirë për të marrë një libër dhe për të lexuar në mënyrën tradicionale. Kjo sfidë është bërë edhe më e dukshme në mesin e të rinjve, të cilët janë të mësuar të konsumojnë përmbajtje në formate të shkurtra dhe interaktive. Megjithatë, leximi mbetet një aftësi jetësore dhe një portë drejt dijeve të reja dhe zhvillimit personal.
Por si mund të stimulohet leximi në këtë epokë të teknologjisë?
Në Kosovë ditët e para të qershorit janë dhe ditët e librit nën sloganin “Panairi i Librit, Prishtina 2024”. Kjo konsiderohet një festë. Dhe vërtet është një festë, pasi pavarësisht problemeve të mëdha me librin, të paktën dy organizimet qendrore të panaireve, si ai i Tiranës po ashtu dhe i Prishtinës, nuk kanë njohur rënie. Përkundrazi, vetë panairi është parë si një pikë sulmi nga shkrimtarët me prurjet e tyre. Me takimet dhe promovimet e rastit. Dhe kjo vetëm kaq, por në panair gjen plot libra të çmuar me përqindje të konsiderueshme zbritje, një gjë që nuk ndodh në librari. Ndaj dhe panairi merr gjithë vëmendjen e mundur.
Por vetëm kaq. Sepse sapo mbaron Panairi dhe libri harrohet. Tregues janë po aq libraritë.
Tanimë, kur duket se lufta me teknologjinë tregoi se kjo e fundit ka përparësi, na duhet të ulemi në bisedime për të gjetur mundësitë e përbashkëta. Të përfitojmë ç'të mundim nga situata që po ecën me ritme të larta përpara, dhe me gjasa do të na lërë në bisht nëse nuk marrim masat e duhura. Gjithmonë është fjala për lexuesit tradicional, që deri dje mburreshin me zgjerimin e bibliotekave familjare.
Në kushtet aktuale, një bibliotekë që të zë gjysmën e hapësirës së shtëpisë mund ta fusësh në një USB me dhjetëra giga-ram, me disa qindra, apo me disa mijëra tw tilla, dhe të mbetet po aq në formë e të mos të të rëndojë fare në xhep. Ndaj atë bibliotekë t’i mund ta marrësh me vete kudo.
Kjo po, ka vlerë. Ha debat muhabeti, përsëri.
Shfrytëzimi i përfitimeve të teknologjisë për të promovuar leximin mund të jetë një strategji efektive. Platforma si Kindle dhe aplikacione të tjera për libra elektronikë mund të ndihmojnë në lehtësimin e qasjes në libra. Për më tepër, audiolibrat mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për ata që nuk kanë kohë të lexojnë fizikisht, por mund të dëgjojnë gjatë aktiviteteve të tjera.
I drejtohem literaturës elektronike për të krijuar idera të reja, mbi mundësitë e një fabrikimi të përbashkët të një epoke të vjetër me një epokë krejt të re që mund ti paraprijë deri diku edhe të ardhmes.
Krijimi i përmbajtjeve interaktive dhe tërheqëse që përfshijnë lexuesin në mënyra të reja dhe inovative mund të ndihmojë. Aplikacionet që kombinojnë leximin me elemente lojërash ose sfidave të bazuara në përmbajtje mund të bëjnë leximin më tërheqës për të rinjtë.
Fillimisht këto mide mund të duken si abstraksione, por mund të funksionojnë.
Iniciativat në shkolla dhe komunitete që inkurajojnë leximin përmes aktiviteteve si klubet e librit, konkurset e leximit dhe takimet me autorë mund të ndihmojnë në rritjen e interesit për librat.
Prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes mund të luajnë një rol kyç në stimulimin e dashurisë për librat. Leximi i përbashkët dhe krijimi i kohës së dedikuar për leximin familjar mund të kultivojë një kulturë pozitive leximi.
Kjo është një gjë që e dimë të gjithë por pak e bëjmë, Dhe kjo ka të bëjë më shumë me vullnetin.
Mediat sociale mund të jenë një mjet i fuqishëm për të promovuar leximin. Ndërmarrja e fushatave të vetëdijesimit për librat, ndarja e rekomandimeve të librave dhe diskutimet online rreth librave të preferuar mund të krijojnë një komunitet virtual leximi.
Mos duket sikur po jap mend më shumë se sa duhet???
Përfundimisht, në epokën e teknologjisë, leximi mbetet një aftësi e vlefshme dhe një mënyrë e rëndësishme për zhvillimin personal dhe profesional. Ndërkohë që sfidat janë të shumta, ka gjithashtu mundësi të shumta për të stimuluar leximin duke përdorur vetë teknologjinë dhe duke krijuar një mjedis që inkurajon dhe mbështet leximin. Me strategji të përshtatura dhe përpjekje të përbashkëta, mund të nxisim dashurinë për librat dhe të sigurojmë që leximi të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sonë kulturore dhe edukative.
Idera ka sa të duash. vetëm duhen vënë në jetë që të mos humbasim në maksimum dëshirën dhe durimin për të lexuar.
Të shpresojmë.

Thursday, June 6, 2024

2 korrik 1986/ Argjentina Kampione Bote. Maradona, idhulli i madh me golin e rremë


Nga Leonard Veizi
 
Në një entuziazëm frenetik që shkarkonte emocionet e grumbulluara prej një muaji, Maradona, si kapiten i ekipit, ngriti lart kupën e fitores. Argjentina ishte shpallur kampione bote, pasi në ndeshjen finale kishin mundur Gjermaninë Federale me rezultatin 3-2.
Dhe teksa pjesëtarët e tjerë të ekipit mbanin mbi supe sulmuesin Armando, anglezët nga televizori shihnin se si sulmuesi që u shënoi një gol të turpshëm, ndihej krenar. Ishte 2 korriku i vitit 1986…
 
 
…Në Shqipërinë e viteve të komunizmit sporti i futbollit, i pacensuruar dhe i transmetuar nga RTSH-ja, shihej si argëtimi perfekt i masave. Sidomos kur bëhej fjalë për kampionatin botëror dhe atë evropian. Mund ta ndiqje një ndeshje mes shokësh, edhe nëse ndonjë i çartur, me banim në katin e parë, afronte televizorin te dritarja. Nuk piheshin birra me kanaçe, po ndonjë gotë raki edhe mund ta ktheje, duke tymosur vazhdimisht duhan. Bastet, megjithëse të paligjshme, ishin mbyllur disa orë më parë dhe ata që luanin me lekët e rrogës 15-ditore nuk ishin të paktë.
Por më me emocion se bastexhinjtë, ishin tifozët e papërmbajtshëm që në shumicë ishin me Italinë, me Brazilin, por dhe me Gjermaninë Perëndimore. Më të paktë ishin tifozët e Argjentinës dhe Anglisë. Dhe akoma më pak tifozë kishte kombëtarja franceze e futbollit. Asokohe, Holanda e kishte humbur shkëlqimin e Johan Cruyff-it dhe tifozët e shumtë të saj, në mungesë të “tulipanëve”, bënin tifo për ekipe të dyta. Për kombëtaret  e tjera, si fjala vjen Rusia, Skocia, Irlanda, as që bëhej fjalë. Tifozët e tyre numëroheshin me gishtat e dorës.
Fakti që në vitin 1886 kampionati botëror i futbollit do të zhvillohej në Meksikën e largët, ku dhe oraret e transmetimit nuk korrespondonin mirë me ato të Evropës, nuk ua ulte entuziazmin shqiptarëve që, edhe pse duhet të shkonin në punë në orën 07.00 të mëngjesit, i shihnin ndeshjet deri pasmesnate. Natyrisht, për ta fati më i madh ishte, nëse ai zhvillohej në Italinë fqinje, pasi dukej sikur zhvillohej në Tiranë. Për më tepër, që tifozët e kombëtares italiane ishin të shumtë në numër dhe kërkonin që Italia të përsëriste suksesin e katër viteve më parë, në Spanjën e vitit 1982, kur u shpall kampione pas një fitoreje me Gjermaninë.
Këtë herë fati dukej që ishte me Argjentinën që para fillimit të kampionatit. Vetë Argjentina i kishte sytë tek Armando Diego Maradona, i cili ishte rritur dhe katër vjet më shumë, dhe nuk ishte më ai 21-vjeçari i botërorit “Spain 82”, të cilit mbrojtësi Claudio Gentile, i kombëtares italiane, i shkaktoi 23 faulle, duke mos e lënë të bëjë asnjë sulm drejt portës, e ku në përfundim të ndeshjes tha dhe një batutë që mbeti si shprehje lapidare: “futbolli nuk është për balerinat”.
Diego hyri në histori me dy golat e tij ndaj Anglisë. Avantazhi erdhi pas asaj që prej 22 qershorit 1986 njihet si “dora e Zotit”. Ishte një gol me dorë në minutën e 51-të, që mashtroi arbitrin tunizian, Ali Bin Nasser,  dhe u dha avantazhin amerikanojugorëve.
Pjesa e parë kaloi pa asnjë gol. Në minutën e 6-të të pjesës së dytë, kapiteni i Argjentinës përfitoi nga pakujdesia e mbrojtjes angleze. Maradona me numrin 10 në shpinë, kaloi para Glenn Hoddle dhe u fut brenda dy lojtarëve të tjerë të Anglisë, përpara se të kalonte një pasim te Valdano. Topi u hodh mbi këmbën e Valdano-s dhe Hodge e goditi lart brenda zonës, ku Maradona u ngrit dhe grushtoi topin sipër Shilton-it, portierit legjendar të kombëtares angleze.
Asnjë nga gjyqtarët nuk e vuri re atë, përveç lojtarëve të Anglisë, të cilët nisën të reagonin të dëshpëruar ndaj gjyqtarit Ali Bin Nasser.
Trajneri Bobby Robson i kombëtares angleze nuk u impresionua nga pretendimi i Maradonës, i cili pas ndeshjes u shpreh për ndërhyrje hyjnore, apo “dora e Zotit”, siç tha ai. “Nuk ishte dora e Zotit. Zoti nuk kishte asnjë lidhje me të… Atë ditë Maradona u zvogëlua në sytë e mi përgjithmonë”, u shpreh Robson.
Kryesori Bin Nasser dhe anësori bullgar, Bogdan Dotchev, fajësuan njëri-tjetrin. “Po prisja që Dotchev të më jepte një kuptim të asaj që ndodhi saktësisht, por ai nuk bëri sinjal për një prekje me dorë,” u shpreh Bin Nasser, kohë më vonë.
Vetëm pesë minuta më vonë ishte Maradona ai që dyfishoi avantazhin, me një gol që mbeti në histori si “goli i shekullit”. Diego bëri një sprint prej 70-80 metrash, me topin ndër këmbë, duke dribluar këdo që i doli përpara, madje edhe portierin, duke entuziazmuar në kulm 114600 tifozët në stadiumin “Azteca”. Në këtë mënyrë Maradona vuri nderin në vend, por askush nuk mund të thotë se si do të ishte ecuria e asaj ndeshjeje, nëse goli i tij me dorë do të ishte anuluar.
Robson këtë herë nuk kishte pretendime. “Ishte i shkëlqyeshëm. Nuk më pëlqeu, por duhej ta admiroja”, u shpreh ai.
Kapiteni i anglezëve, Gary Lineker, ngushtoi shifrat në fund të ndeshjes, me një gol që i mjaftoi për t’u kurorëzuar si kryegolashënuesi i turneut.
Kampionati Botëror i vitit 1986 do të kurorëzonte Argjentinën dhe “mbretin” e ri të futbollit, Diego Armando Maradonën, si kampionë, në një turne spektakolar, i cili nisi jo pa vështirësi, madje me shumë hije dyshimi mbi organizimin e tij.
Kohë më vonë legjenda e futbollit botëror, Armando Diego Maradona, rrëfeu se goli me dorë ndaj Anglisë ishte një lloj hakmarrjeje për luftën e humbur në 1982.
Anglia dhe Argjentina kishin luftuar për ishujt Malvine në 1982. Argjentinasit fillimisht pushtuan ishujt që i kishin anglezët, duke e quajtur çlirim, por më pas britanikët reaguan dhe e fituan luftën për ta. Katër vjet më vonë, Anglia dhe Argjentina u ndeshën në çerekfinalet e Kupës së Botës në Meksikë, dhe amerikanojugorët fituan 2-1. “Unë e dija që në atë kohë se shënova me dorë, – është shprehur Maradona, në një dokumentar, – nuk e mendova që më parë, por aksioni ndodhi kaq shpejt, saqë e bëra instinktivisht dhe vijërojtësi nuk më vuri re. Gjyqtari më hodhi një vështrim, pastaj tha “gol”. Ishte një ndjenjë e bukur, një lloj hakmarrjeje simbolike ndaj anglezëve”.
Për shumë vite me radhë në Angli kampioni i botës u konsiderua si “armiku publik numër një”.
Diego Armando Maradona, i cili, sipas sondazheve të zhvilluara nga gazeta prestigjioze, ndër të cilat edhe “The Times”, tanimë është një legjendë e futbollit botëror, i cili lë pas vetes edhe lojtarë të kalibrit, si braziliani Pele.
Asokohe tifozëria ziente edhe në Tiranë, ku ca e anatemonin golbërësin Diego, duke e sharë nga ç’i mbante pragu i shtëpisë, e ca të tjerë e merrnin në mbrojtje, duke thënë se ua kishte bërë mirë anglezëve mendjemëdhenj. Por më shumë se tifozëria, e shanin dhe mallkonin ata të cilët për shkak të dy golave të tij, kishin humbur në bast edhe rrogën e 15-ditëshit.

Tuesday, June 4, 2024

“Lorenci i Arabisë”, aventurat e një misionari britanik në Lindjen e Mesme



Nga Leonard Veizi
 
Në jetën e tij ai dukej sikur vetëm vrapoi me një hap të pandalshëm.  Mjeti i fundit i transportit që ai përdori ishte motoçikleta: një “Brough Superior SS100” mbi të cilën, në 19 maj 1 të vitit 935, ai vdiq. Ishte një aksident pranë shtëpisë së tij në Dorset, Angli, ku mendohet se ai humbi kontrollin e motorit për të shmangur dy çiklistë të rinj. Megjithatë, më parë se kaq ai kishte përdorur të gjitha llojet e automjeteve të kohës, duke përfshirë aeroplanë, makina, biçikleta, trena dhe deve. Fjala është për “Lawrence of Arabia”, i lindur si Tomas Eduard Lorenc, një figurë shumëplanëshe e agjentit sekret, arkeologu, shkrimtarit, liderit, ushtarakut -me gradën e nënkolonelit, -  emri i të cilit lidhet mbi të gjitha me "revoltën arabe", e cila u trondit midis viteve 1916 dhe 1918. Për këtë arësye jeta e tij jo vetëm u rrëfye në një autobiografi, por u realizua edhe në një film.
 
Libri
“Revolt in the Desert” - “Seven Pillars of Wisdom” i ardhur nw shqip si “Revoltë në shkretëtirë” – “Shtatë Shtyllat e Urtësisë” është një autobiografi e përvojave të një ushtaraku të Ushtrisë Britanike T. E. Lawrence ndërsa shërbente si këshilltar ushtarak për forcat beduine gjatë Revoltës Arabe kundër Perandorisë Osmane nga 1916 deri në 1918.
Lorenc u lind më 16 gusht 1888 në Uells. Ai studioi në Universitetin e Oksfordit, ku tregoi një interes të thellë për arkeologjinë dhe historinë e Lindjes së Mesme.
Libri përfundoi së shkruari në shkurt 1922, por u botua për herë të parë në dhjetor 1926, fillimisht për Tregun Amerikan në 1927 si “Revolt in the Desert” dhe është i vetmi version që u lëshua në treg derisa autori ishte gjallë. “Seven Pillars of Wisdom”  i botuar në vitin 1935 është një formë më e gjatë e librit me pothuajse dyfishin e numrit të faqeve dhe hodh në tregun ndërkombëtar. Titulli vjen nga Libri i Fjalëve të Urta; "Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ajo ka hapur shtatë shtyllat e saj".
Përpara Luftës së Parë Botërore, Lorenci kishte filluar punën për një libër shkencor për shtatë qytete të mëdha të Lindjes së Mesme, që do të quhej “Shtatë Shtyllat e Urtësisë”. Ishte i paplotë kur shpërtheu lufta dhe Lorenc deklaroi se ai e zhduku dorëshkrimin. Ai përdori titullin e tij origjinal për veprën e mëvonshme. Historitë dhe veprimtaria e Lawrence vazhdojnë të jenë objekt studimi dhe admirim për shumë historianë dhe entuziastë të historisë, duke e bërë atë një nga figurat më ikonike të shekullit të 20-të.
Libri duhej të rishkruhej tre herë, një herë pas humbjes së dorëshkrimit në një tren në stacionin hekurudhor Reading. Nga Seven Pillars, "... dhe më pas humbi gjithçka, përveç hyrjes dhe drafteve të Librave 9 dhe 10 në Stacionin e Leximit, ndërsa ndërronte trenat. Kjo ishte për Krishtlindjet, 1919."
Shtatë Shtyllat e Urtësisë është një rrëfim autobiografik i përvojave të tij gjatë Revoltës Arabe të 1916–1918, kur Lorenc u vendos në Uadi Rom në Jordani si një anëtar i Forcave Britanike. Me mbështetjen e Emirit Faisal dhe fiseve të tij, ai ndihmoi në organizimin dhe kryerjen e sulmeve ndaj forcave osmane nga Akaba në jug deri në Damaskun në veri. Shumë vende brenda zonës Uadi Rom janë emëruar me emrin Lorenc për të tërhequr turistët, megjithëse ka pak ose aspak prova që e lidhin atë me ndonjë nga këto vende, duke përfshirë formacionet shkëmbore pranë hyrjes që tani njihen si "Shtatë Shtyllat".
“Lorenci i Arabisë” mbetet një figurë e rëndësishme historike për shkak të ndikimit të tij në Revoltën Arabe dhe rolin e tij si ndërmjetës midis botës arabe dhe asaj perëndimore. Jeta e tij është dramatizuar në filmin epik të vitit 1962 "Lawrence of Arabia," me aktorin Piter Otoll në rolin kryesor.
 
Filmi
“Lawrence of Arabia” është një film dramë, aventuresk, biografik, epik, i vitit 1962 i bazuar në jetën e Tomas Eduard Lorenc dhe librin e tij të vitit 1926 “Shtatë Shtyllat e Urtësisë” i njohur gjithashtu si “Revolta në shkretëtirë”. Ai u drejtua nga Devid Lein dhe u prodhua nga Sem Spiegëll përmes kompanisë së tij britanike “Horizon Pictures” dhe u shpërnda nga “Columbia Pictures”. Filmi luan Piter Otoll në rolin e Lorencit me Alek Gines që luan Princin Faisal.
Në film luajnë edhe Xhek Hokins, Antoni Kuin, Omar Sherif, Antoni Kuejëll, Klod Reins dhe Artur Kenedi. Skenari është shkruar nga Robert Bolt dhe Majkëll Uillson.
Filmi përshkruan përvojat e Lorencit në provincat osmane të Hejazit dhe Sirisë së Madhe gjatë Luftës së Parë Botërore, veçanërisht sulmet e tij në Akaba dhe Damask dhe përfshirjen e tij në Këshillin Kombëtar Arab. Temat e tij përfshijnë betejat emocionale të Lorenc me dhunën e natyrshme në luftë, identitetin e tij dhe besnikërinë e tij të ndarë midis Britanisë së tij të lindjes dhe shokëve të tij të sapogjetur brenda fiseve të shkretëtirës arabe.
Filmi u nominua për dhjetë Oscar në Çmimet e 35-ta të Akademisë në vitin 1963, duke fituar shtatë, duke përfshirë filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë, dhe e bëri aktorin kryesor Piter Otoll një yll. Ai gjithashtu fitoi çmimin “Golden Globe”. Çmimet BAFTA i dhanë për filmin britanik më të shquar. “Lawrence of Arabia” konsiderohet gjerësisht si një nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë duke u bërë një nga epikat më të njohura në historinë e kinemasë. Në vitin 1991, ai u konsiderua "kulturalisht, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm" nga Biblioteka e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe u zgjodh për t'u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit. Në vitin 1998, Instituti Amerikan i Filmit e vendosi atë të pestin në listën e tyre “100 vjet...100 filma”, të filmave më të mëdhenj amerikanë dhe u rendit i shtati në listën e përditësuar të vitit 2007. Në vitin 1999, Instituti Britanik i Filmit e quajti filmin e tretë më të mirë britanik. Në vitin 2004, ai u votua si filmi më i mirë britanik në sondazhin e “The Sunday Telegraph” të kineastëve kryesorë britanikë.
Thuhej se regjisori Devid Lein kishte shpenzuar gati tre vjet duke krijuar Lorencin e Arabisë, i cili bazohet në kujtimet e mëdha të Lorencit, “The Seven Pillars of Wisdom”. Filmi, i xhiruar në Jordani, Spanjë dhe Marok, është i famshëm për pamjet e tij magjepsëse të shkretëtirës.
 
Ngjarja
Filmi hapet me vdekjen e Lorenc (luajtur nga O'Toole) në një aksident me motor. Pyetjet e një gazetari për jetën dhe karakterin e Lorenc-it ofrojnë një pajisje inkuadrimi për historinë, e cila fillon rreth vitit 1916 ose 1917. lorenc është një hartograf ushtarak në shtabin e ushtrisë britanike të Luftës së Parë Botërore në Kajro. Z. Drajden i Byrosë Arabe cakton Lorenc që të shkojë në Arabi për të vlerësuar qëllimet dhe shanset e burrit shteti arab Princ Faisall, një udhëheqës i Revoltës Arabe kundër turqve, të cilët janë aleatë me Gjermaninë. Lorenc udhëton me një udhërrëfyes beduin, i cili pi nga një pus që i përket një fisi rival të udhëhequr nga Sherif Ali që interptretohet nga Omar Sharif. Sherif Ali vret udhërrëfyesin dhe Lorenc vazhdon vetë. Më pas ai takohet me kolonelin britanik Herri Brajdën. Brajdën beson se arabët e armatosur lehtë duhet të tërhiqen dhe të lejojnë veten të zhyten në ushtrinë britanike. Megjithatë, Lawrence koncepton një plan për të pushtuar portin e kontrolluar nga Turqia të Al-Aqabah duke iu afruar nga toka, ku është i pambrojtur, një vepër që kërkon kalimin e Al-Nafūd, një shkretëtirë që mendohet të jetë e pakalueshme. Pa dijeninë e Brajdën, Lorenc niset me 50 nga njerëzit e Faisall dhe Sherif Ali. Pasi Lawrence rinis hapat e tij për të gjetur një njeri që ka mbetur prapa dhe e shpëton atë, Sherif Ali shpërblen heroizmin e Lorenc duke zëvendësuar uniformën e tij të ushtrisë britanike me rrobat arabe. Jashtë Al-ʿAkabah, Lorenc bind Auda abu Tayi, - i cili interpretohet nga Antoni Kuin, - udhëheqës i një fisi të fortë vendas beduin, të bashkohet me ta dhe forca e bashkuar ia del mbanë të pushtojë portin. Lorenc kthehet në Kajro për të informuar Drajden, Brajton dhe gjeneralin Allenbi për bëmat e tij. Lorenc më pas udhëheq aleatët e tij arabë në luftën guerile kundër turqve, por në Darʿā ai kapet nga një bej e komangand ushtarak turk dhe torturohet. Përvoja e pazakontë thyen shpirtin e Lorenc. Ai ia dorëzon komandën e forcave arabe Sherif Aliut dhe kthehet në Kajro. Ai kërkon të ndërpresë shërbimin e tij në Arabi, por gjenerali Allenbi e bind atë të udhëheqë një sulm arab në Damask. Atij i jepet një ushtri mercenarësh dhe gjatë rrugës ai drejton një masakër të trupave turke në shenjë hakmarrjeje për plaçkitjen e fshatit arab të Tafas. Arabët arrijnë në Damask para britanikëve dhe e pushtojnë atë, por ata janë shumë të përçarë për ta qeverisur Damaskun, dhe qyteti bie në duart e britanikëve. Pas kësaj Lorenc promovohet dhe dërgohet në shtëpi në Angli. 
 
Epilogu
Në vitin 1935 Lorenci i dha lamtumirën e tij përfundimtare veprimatrisë ushtarake dhe u tërhoq në jetën private në Clouds Hill, një qytet në qarkun e Dorset të Anglië  jugore. Këtu ai filloi të eksplornte duke xhiruar zonën me motoçikletat e tij të koleksionit. Ky pasion i kushtoi jetën më 13 maj të atij viti. Thashethemet më të ndryshme u ngritën rreth fundit të tij tragjik. Ajo që është e sigurt është se trupi i tij u varros në fshatin e afërt Moreton, ndërsa afër vendit të aksidentit - tanimë i shënuar me një pllakë me figurën e tij, - në kishën e Shën Martinit, u vendos në vitin 1939, ku Lorenc shfaqet me veshje arabe.
“Lorenci i Arabisë” mbetet një figurë e rëndësishme historike për shkak të ndikimit të tij në Revoltën Arabe dhe rolin e tij si ndërmjetës midis botës arabe dhe asaj perëndimore. Historitë dhe veprimtaria e tij vazhdojnë të jenë objekt studimi dhe admirim për shumë historianë duke e bërë atë një nga figurat më ikonike të shekullit të 20-të.

Sunday, June 2, 2024

1 Qershori, festa e gëzimit dhe e dëshpërimit për fëmijet e vegjël e të mëdhenj


Nga 
Leonard Veizi
 
Për çudinë tonë të pashprehur muajt e parë të pranverës e kanë të shënuar datën “1”. Fillon me 1 Marsin,  me1 Prillin, me 1 Majin dhe cikli mbyllet me 1 Qershorin
1 Qershori duhet të jetë një ditë festë, meqenëse i kushtohet qënies më të pafajshme, fëmijëve të cilët janë parë gjithmonë si gëzimi dhe shpresa për të ardhmen. Por nuk mund të themi që situata është kaq rozë, sa mund të fetsohej me këngë e tollumbace. Po të futemi pak më thellë ahengut të festës do të shohim një problematikë shumëngjyrëshe e cila na bën të vëmë duart në kokë.
Kur mendon viktimat fëmijë, - si ne rastin e një nenë që mbyti tre femijët e saj në lume, qe i bashkohet plot rasteve te tjera, - nis apeli: kujdes me fëmijët.
Por jo vetëm kaq.
Për shumë fëmijë në Shqipëri e - përtej kufijve, kjo ditë është e largët nga një festë. Ndërsa ne përpiqemi të krijojmë një ambient të sigurt dhe të lumtur për të vegjlit tanë, shumë prej tyre po përballen me sfida të jashtëzakonshme që rrjedhin nga mungesa e edukimit. sëmundjet, lufta por dhe nga varësia prej drogës.
Edukimi është çelësi për një të ardhme më të mirë, por për shumë fëmijë, ai mbetet një ëndërr e paarritshme. Mungesa e shkollave, mësuesve të kualifikuar dhe burimeve mësimore janë disa nga sfidat me të cilat përballen këta fëmijë. Pa edukim, - që ëshët dhe baza e gjithcckaje të mëtejshme, - ata janë të dënuar të mbeten në varfëri dhe të përballen me vështirësi të mëdha gjatë gjithë jetës së tyre. 1 Qershori na kujton se është detyra e shoqërisë është të sigurojë që çdo fëmijë të ketë mundësinë për një arsim cilësor dhe të barabartë. Por kjo nuk duhet të mbetet vetëm si postulat.
Në vitet moderne të mijëvjeçarit të ri, fëmijët po përballen me një realitet që është shpesh më i ashpër dhe më i frikshëm se ç'ishte dikur. Me avancimet teknologjike, globalizimin dhe ndryshimet sociale, fëmijët janë të ekspozuar ndaj një sërë sfidash që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe fizik.
Një nga faktorët kryesorë që kontribuon në këtë realitet të frikshëm është pikërisht teknologjia. Fëmijët rriten në një mjedis që, ndonëse i pasur me teknologji dhe mundësi të pafundme, shpesh i izolon emocionalisht dhe shoqërisht Fëmijët e sotëm kalojnë shumë kohë përpara ekranit, qoftë ai i televizorit, kompjuterit apo telefonit celular. Kjo kohë e zgjatur përballë teknologjisë shpesh i privon nga mundësitë për ndërveprime të drejtpërdrejta sociale. Në vend të lojërave në park me bashkëmoshatarët, shumë fëmijë tani zgjedhin të luajnë lojëra virtuale. Interneti dhe mediat sociale kanë sjellë një botë të re mundësish, por edhe rreziqesh. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj bullizmit kibernetik, materialeve të papërshtatshme dhe presionit të madh për t'u përshtatur me standardet e papritura sociale. Studimet kanë treguar se përdorimi i tepruar i teknologjisë mund të çojë në ankth, depresion dhe probleme të tjera psikologjike tek fëmijët.
Abuzimi me fëmijët është një nga problemet më të dhimbshme dhe të ndjeshme që prekin shoqërinë moderne. Pasojat e abuzimit me fëmijët janë të shumëfishta dhe komplekse. Fëmijët që përjetojnë abuzim shpesh përballen me vështirësi në shkollë. Abuzimi fizik por më shumë  abuzimi emocional është një nga format më të vështira për t'u identifikuar dhe për të ndaluar. Neglizhenca, ose moskujdesja, është një tjetër formë abuzimi që ndodh kur prindërit ose kujdestarët dështojnë të sigurojnë kujdesin e nevojshëm për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës.
Pasiguria ekonomike dhe sociale është një tjetër faktor që kontribuon në frikën e fëmijëve. Fëmijët që rriten në kushte të tilla shpesh përjetojnë stres dhe ankth të vazhdueshëm, duke ndikuar në zhvillimin e tyre të përgjithshëm.
Për disa fëmijë, realiteti i përditshëm përfshin një luftë të brendshme me varësinë ndaj drogës. Ky fenomen, që shpesh nis si pasojë e ekspozimit të hershëm ndaj substancave të dëmshme
Por ka dhe më.
Në shumë zona të konfliktit, fëmijët janë viktimat më të pambrojtura. Ata përballen me humbje të mëdha, frikë dhe trauma që shkatërrojnë psikologjinë e tyre delikate. Lufta i privon fëmijët nga e drejta e tyre për një jetë të sigurt dhe të lumtur. Për ta, 1 Qershori është një ditë që ndoshta nuk vjen kurrë, ose vjen me shpresën për një paqe të cilën e kanë parë vetëm në ëndrra.
Sëmundjet e ndryshme, të cilat në vende të zhvilluara mund të jenë të parandalueshme ose të trajtueshme, shpesh bëhen fatale për fëmijët në vendet e varfra. Qasja e kufizuar në kujdesin shëndetësor, medikamentet dhe informacionin e duhur e vë në rrezik jetën e mijëra fëmijëve çdo ditë.
Jetojmë ditët ë dyfishta. Mes një mirëqënie të supozuar dhe pasigurive të shumta që na mbajnë në ankth tërë kohën.
Realiteti i sotshëm është i mbushur me sfida të shumta për fëmijët. Në këtë kontekst, roli i prindërve dhe shoqërisë është më i rëndësishëm se kurrë.  Shoqëria gjithashtu ka një rol kyç në krijimin e politikave dhe programeve që mbështesin fëmijët. Investimi në arsimin cilësor, shërbimet shëndetësore dhe programet sociale mund të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për fëmijët. Megjithatë, me ndërgjegjësimin dhe veprimin e duhur nga prindërit, edukatorët dhe shoqëria në tërësi, mund të krijojmë një ambient më të sigurt dhe mbështetës për ta.
1 Qershori është një ditë që duhet të na frymëzojë për të vepruar.
Megjithatë është po aq një ditë për t’u festuar.
 

“Big Brother” dhe Kamy, mes të vërtetave të pavërteta që na mbajnë peng


Nga Leonard Veizi
 
Cila është e vërteta dhe cila e pavërtetë? Pyetjes me shumë të panjohura janë munduar t’i japin shpjegime filozofët. Madje ka prej tyre që mbrojnë teorinë se gjithçka në botë është e pavërtetë por që ne e konceptojmë si të vërtetë.
Perceptimi mbi “të vërtetën absurde” lidhet më së shumti me mendimin filozofik të nobelistit Alber Kamy, veçanërisht i shprehur në esenë e tij "Miti i Sizifit". Kamy shqyrton idenë se jeta në thelb është pa kuptim dhe se kërkimi për një kuptim ose për një të vërtetë universale është i pakuptimtë në botën ku jetojmë. Kjo përplasje midis kërkimit tonë për kuptim dhe indiferencës së universit krijon atë që Kamy e cilëson si "absurdi".
Ta lëmë mënjanë filozofinë.
Një spektakël si “Big Brother” na vuri në lojë të gjithëve me të vërtetat e të pavërtetat e tij. Ato që shiheshin e që thuheshin, mohoheshin e nuk shikoheshin. Spektakli vazhdoi të prodhonte lajme e klikime edhe në postproduksion. Sepse sot në botë mbretëron klikimi. Ai gjeneron dhe të ardhura. Ndaj prej tij varet jeta jote. Atëherë cila është e vërteta dhe cila e pavërteta?
Përse na duhet ta dimë në fund të fundit? Ndoshta prej natyrës kureshtare të vetë njeriut, që kërkon si të vërtetë atë që do ai, jo ajo që është në realitet. Dhe kështu loja vazhdon. Ne të gjithë bëhemi pjesë e saj, duam apo nuk duam.
-Respektojmë votën e popullit, - thonë bigbradhëristët lojtarë. Në kor madje. Jo se mendojnë se populli ka të drejtë vërtet. Thjesht duan ta kenë mirë me masën, e që nesër të mos akuzohen si egoistë.
Po për kë votë është fjala? Se vota e popullit nuk numërohet as në kutitë e votimit, ku flitet për mbarëvajtjen e jetës publike në katër vjet, e jo më në një spektakël televiziv. Kush i numëroi votat që ne të kemi besim të patundur se ky ishte vendimi i sovranit: Beni, Titi apo Turi...
Pastaj, kush na e paska respektuar votën e popullit që u dashka thënë dhe nga lojtarët modestë të televizioneve?
E vërteta është baza mbi të cilën ndërtohet besimi ynë, vendimet dhe veprimet tona. Ajo është e rëndësishme në të gjitha aspektet e jetës, nisur nga marrëdhëniet personale. Kur flasim për të vërtetën, i referohemi një gjendjeje që është në përputhje me realitetin dhe faktet. Nëse nuk mund t’i besojmë njëri-tjetrit, qoftë në nivel personal apo institucional, shoqëria fillon të shkërmoqet.
Shoqëria jonë ka kohë që po shkërmoqet në fakt. Disa spektakle shumë të ndjekur, në dukje me mesazhe avangardë, janë një prej treguesve.
Në spektaklin e sapombyllur “Big Brother VIP 3” ai që doli në vendin e dytë thotë se e vërteta është që publiku votoi për të edhe pse çmimin e mori ajo që zuri vendin e parë. Vetë “mbretëresha” e spektaklit, pasi luftoi gjatë gjithë kohës me denigrimin e kundërshtarëve, duke thënë të vërteta të pavërteta, apo anasjelltas, thotë që çmimi i takonte ngaqë u votua prej publikut. Domethënë prej popullit.
-O Popull, sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd. Bile dhe lartmadhnia flet në emrin tënd.
Kamy shkruan se mënyra më e mirë për të trajtuar absurditetin është ta pranojmë atë dhe të jetojmë me të. Madje ai sugjeron se ne mund të krijojmë kuptimin tonë individual dhe subjektiv përmes përvojave tona personale.
E respektoj mendimin e Kamysë. Po aq sa lojtarët e Big Brotherit që u mbeti në gojë shprehja. “Nuk është ashtu si thua ti, por është mendimi jot dhe e respektoj.” Domethënë dhe e kundërshton dhe e respekton... Edhe Kamy këtu do të kishte mbetur pa fjalë e nuk do jepte më shpjegim. Se mirë “mbi të vërtetën absurde” e tëholli mendimin e tij, por për sentencën: “Ia fute kot, por është një mendim që e respektoj” nuk na ka dhënë asnjë variant të mundshëm zbërthimi.
Por këto janë kusuret e një spektakli, për të cilin ngrihesh të shkruash dy faqe kompjuterike, mbasi je zënë në kurth dhe meqenëse alternativat e momentit nuk të japin ngazëllim, rehatohesh për të dëgjuar broçkullat e post spektaklit. Dhe isha i bindur se këtë vit që përkon me “Big Brother VIP 3”, do t’i referohesha tri herë. Nuk është se doja ta mbaja fjalën dhe të ngrija flamurin. Thjesht shkarkova ngarkesën.
Spektakli në fjalë, dhe nja dy-tre spektakle të tjera që na vërtiten nëpër këmbë, na kanë bërë të kuptojmë se rrallëgjë mund të jetë e natyrshme, që arrin të dalë nga kontrolli për të bërë jetën e vet. Sepse përgjithësisht askush s'të lë ta kalosh pragun, dhe ka një skenar të ndërtuar e të lëvizshëm që na bën të mbërthehemi pas ekranit.
Dhe kur baruti laget e rrezik të të zërë gjumi, papritur “plas pushka”. Po ç’qe kjo hata e zezë..., kjo shkreptimë në qiell të pastër? E po ja ashtu e do puna. Se vate audienca, shkoi për lesh. Ndaj të pavërtetat bëhen të vërteta. Sepse publiku, i mençur dhe me intuitë, nuk gjen arsye për të votuar.
Pra, jemi në një situatë ku e vërteta dhe jo e vërteta janë të pleksura keqas, por Ti në pamundësi të bësh arbitrin, bëhesh palë me njërën nga palët, dhe dërgon një mesazh me mendimin se i ke dhënë një pikë të mundshme lojtarit për të cilin bën tifo. Në fakt ke dërguar vetëm paratë. Ato janë të vlefshme nga ty. Pjesa tjetër është mall rifuxho.
Në botën e sotme, informacioni është një pasuri e çmuar dhe po ashtu një armë e fuqishme. Në çdo moment, ne jemi të përballur me një fluks të madh të dhënash, të cilat shpesh përfshijnë të vërteta dhe të pavërteta. Në botën dixhitale, ku lajmet shpërndahen me shpejtësi të rrufeshme, dallimi mes të vërtetës dhe të pavërtetës bëhet gjithnjë e më sfidues.
Por si do ta kuptojnë ne se ku ndahet e vërteta nga e pavërteta? Sepse një e vërtetë për ca është e pavërtetë dhe një e pavërtetë për ca të tjerë është e vërtetë. A mund të zgjidhjet kjo?
Rikthehemi sërish te Kamy...
-Jo, jo, jo, jo, jo... Me gjasa po vazhduam të filozofojmë nuk do na lexojë më njeri as edhe një rresht.
Gjithsesi, Kamy ishte shumë përpara nesh në perceptimin e tij mbi të vërtetën absurde. Sepse njeriu i thjeshtë, vetëm sot, në vitet e shpërthimit të teknologjisë së lartë, po e kupton që jeton në një matriks. Dhe e vërteta apo e pavërteta, qoftë dhe në një lojë televizive, gjithsesi mbetet një lojë.
Sot, gjithçka është me skenar. Gjithçka është kthyer në stimul për një klikim. Nuk ka asgjë të vërtetë. Sepse gjithçka përcaktohet nga të tjerë: që ka mundësinë ekstreme të jetë pas një ordinatori të fuqishëm ku lëviz jetët tona. Ndërkohë që të vërtetat dhe të pavërtetat janë dy forca që ndikojnë thellësisht në mënyrën se si e perceptojmë botën dhe si ndërveprojmë me të.
Specialistët e basteve të futbollit prej kohësh kanë arritur në përfundimin se të gjitha ndeshjet që luhen në kampionate të rëndësishme, - dhe jo vetëm, - janë të trukuara. Dihet sa do dalë rezultati dhe në çfarë minute do të bëhen golat e mundshëm. Këtu nuk përfillen vetëm kalçetot. Puna është thjesht t’i biesh në kokë trukimit, sepse sado të mundohesh të kalkulosh, asnjëherë nuk ke për ta kuptuar se përse u bë goli atëherë kur nuk duhej dhe përse humbi një skuadër matematikisht e pamundur të humbte.
Dhe tani imagjino çfarë ndodh me njerëzit që kanë bërë kalkulime se kush do fitonte një spektakël televiziv? Në një spektakël ku bëheshin gola nga porta në portë, e ku thuheshin gjithfarë marrinash për mikun-armik, vetëm për të kapur prajmin.
Çfarë do të thotë: me kap prajmin?
Shumë e thjeshtë: me dal në televizor.