Friday, November 15, 2024

17 nëntor 1944/ “Radiostacioni” dhe çlirimi i një kryeqyteti



Nga Leonard Veizi
 
“Tirana u çlirua”. Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitin 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar...
 
...Jo vetëm pika strategjike si Pallati i Brigadave, Banka e Shqipërisë, kompleksi i Ministrive, Komandatura, Centrali dhe burgjet, por dhe stacioni i vetëm radiofonik i Shqipërisë ishte një nga shënjestrat kryesore të njësive që do të sulmonin për çlirimin e Tiranës nga pushtuesi nazist. Në këtë mënyrë kompanisë së dytë të batalionit të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese iu dha detyra e marrjes me çdo kusht të zërit propagandistik, që prej pesë vitesh drejtohej nga pushtuesit. Por edhe nazistët, të cilët vazhdonin të kishin nevojë për ngritjen e moralit të ushtrisë së tyre, e kishin përforcuar mirë godinën e Radio Tiranës që në ato vite ndodhej te Rruga e Kavajës, pranë rrugës “Kont Urani”. Në këtë mënyrë, sulmi për të marrë Radiostacionin e vetëm, bëhej edhe më i vështirë. Kështu Batalioni III, me komandant Xhelo Idrizin, Kompania I e Batalionit II, nën drejtimin e Hekuran Pobratit, kanë qenë mbështetëse në luftime. Por Kompania e II e Batalionit të II, nën drejtimin e Mane Sevranit, ka marrë pjesë direkt për marrjen e godinës. Ndërsa Kompania I e Batalionit të I, e drejtuar nga Dalan Memushi, ka shkuar për përforcime. Në atë kohë, komanda gjermane në tërheqje e sipër kishte dhënë urdhër për hedhjen në erë të Radiostacionit. Mëngjesin e 17 nëntorit nga aerodromi i Tiranës erdhën katër tanke të shoqëruara me rreth 150 trupa naziste, të cilët kishin vënë përpara të paktën 20 qytetarë të pafajshëm. Forcat gjermane tentuan të merrnin godinën e Radiostacionit, ata vranë robërit duke i shkelur me zinxhirët e tankeve dhe hynë në katin e parë të godinës. Nga përleshja mbetën të vrarë një kolonel, një kapiten dhe një toger. Nga forcat partizane mbeti i plagosur vetëm borizani Haki Kapaj. Nga hedhja në erë, shpëtoi gjithashtu edhe centrali i qytetit, i cili ishte minuar nga trupat gjermane në tërheqje.
 
 Filmi
“Tirana u çlirua”... u dëgjua përmes fonisë së radios, e cila kishte ndërprerë transmetimit prej ditësh. Dhe njerëzit kishin zgjatur veshët për t’u njohur me të rejat pas “blackout”-it total.
Por çfarë ka ndodhur pak para se të publikohej ky lajm?
Filmi emblemë i Kinostudios “Shqipëria e Re” me regji të Rikard Ljarjes dhe prodhuar në vitin 1979 “Radiostacioni”, u ekranizua mbi romanin e Ismail Kadaresë "Nëntori i një kryeqyteti". Romani në fjalë u botua në vitin 1974. Ngjarjet e romanit ishin të përqendruara rreth ndërtesës së Radiostacionit të kryeqytetit shqiptar në ditët e luftës për  çlirimin e tij, nëntor i vitit 1944.
“Ju flet Tirana. Po japim Lajmet. Armata e lavdishme 21 e Rajhut, pritet nga çasti në çast të arrijë në Tiranën e rrethuar. Rebelët e kuq po i pret në bulevardin Musolini...”. 
Këto ishin lajmet e fundit që Radio Tirana transmetonte nën dirigjimin e pushtuesve, derisa mitraljeri i skuadrës Sherifi do të qëllonte me mitraloz e do të këpuste sinjalin transmetues. Pas kësaj Radio Tirana heshti për ditë të tëra.
Por që në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit u dha urdhri që Radio Tirana të fliste sërish. Ndaj një skuadër partizane në të cilën ishin anëtarë dhe Sherifi, Teuta e Mete Aliu mori urdhër të ringrinin Radiostacionin e ta bënin të fliste. Partizanët mblodhën punonjësit e mëparshëm të Radio Tiranës të cilët mundësuan nisjen e transmetimit.
Por cila është panorama që na jep filmi?
-Ju flet Tirana. Po japim lajmet.
Miriam Morina, folësja zyrtare e Radio Tiranës, edhe pse kishte dyshuar duke i thënë patrullës partizane që e kishte rekrutuar, se kishte “folur në një regjim tjetër”, sërish u bind të ulej para mikrofonit për të lexuar lajmet e para të Tiranës së sapoçliruar. Por kjo nuk i erdhi hiç për shtat Mete Aliut, - për të cilin thoshin se ishte trim i marrë dhe madje ishte plagosur nga ushtarët e Vermahtit teksa hapte portat prej hekuri të radiostacionit. Ndaj ai iu përvesh Miriamit, - me zërin e butë e pa nerv, - për t’i thënë se lajmet e reja në një rend të ri duheshin dhënë me aq zë të lartë sa ta merrnin vesh të gjithë nga Moska deri në Berlin.
-Nepërkë, borgjeze. Fol fol. Ju flet Tiranaaaaaaaaaaaaaa...
Janaq Kristo, që ishte nëpunësi i diskotekës në Radio, i alarmuar i ra i ra ballit me dorë. Miriami u ngrit e përhumbur nga poltroni dhe u largua nga radiostacioni. Kështu që Teuta, e vetmja femër në skuadër u bë folësja për Radio Tiranën, e cila që prej atij çasti do të udhëhiqej nga komunistët.
-Ju flet Tirana. Radiostacioni i Tiranës së lirë po fillon transmetimet e tij me valë të mesme 275 metra dhe valë të shkurtra 60 metra...
Gjithsesi ky është vetëm një film artistik mbështetur mbi një roman, dhe ana fiksionale nuk mund të mungonte. Ndërsa realiteti fliste dhe për shumë gjëra të tjera.
 
Lufta për Tiranën
Në realitetin e mbështetur në dokumente dhe dëshmi, lufta për çlirimin e Tiranës ka pasur këto rrethana:
Plani i Komandës së Përgjithshme caktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike e mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Një grup artilerie gjendej në kodrat rreth Pallatit të Brigadave, një tjetër në Tiranën e Re, shumë mortaja të rënda e të lehta, një repart tankesh, ishin vendosur në kryqëzime të rrugëve. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën e III, për çlirimin e krahinës. Në fazën e dytë do futeshin në luftim dhe Brigadat VIII, X, XXIV.
Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII e X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje forcave gjermane gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.
Ndërkohë sulmet ajrore britanike mbështeten sulmin tokësore të forcave partizan, duke shkaktuar dëme të mëdha të pozicioneve gjermane në qytet.
 
Përballja e trupave
Mësymja për çlirimin e Tiranës filloi në orën 18.00 të 29 tetorit 1944. Trupat gjermane, që mbanin kryeqytetin shqiptar, i përkisnin Gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI, me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 vetash, kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 xhandarë, ballistë e zogistë. Në mësymje hyri Divizioni i I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada e I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën e V, që kish shkuar në Kosovë. Në kohën që Divizioni i I dhe Brigadat VIII e X sulmoi brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII i dhanë goditje forcave të Vermahtit gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës. Deri në 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Trupat e partizanëve jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 11 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes. Në fazën e dytë, mësymja u mbështet dhe nga Brigadat VIII, X, XVII, XXIV, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Mësymja vendimtare filloi në ora 16.00 të datës 11 nëntor. Më 14 e 15 nëntor forcat e Brigadës I u takuan me ato të Brigadës IV dhe VIII në Rrugën e Kavajës. Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, - ku vetëm në qytet humbën jetën 127 luftëtarë, 94 prej të cilëve ishin të Brigadës I, - kryeqyteti shqiptar u çlirua.

Shqiptarët radhë në Panair, të blejnë libra me kile

 


Nga 
Leonard Veizi
 
Panairi i Librit në Shqipëri asnjëherë nuk e ka ngritur stekën për të pasur një qasje europiane. Sepse ai është parë gjithmonë si një tezge shitjesh.
-Hajde brekë, kanotiere, sutjena për gra...
Si eveniment, Panairi i Librit është një prej atyre ngjarjeve ku pritet që letërsia të përqafohet nga më shumë lexues, shkrimtarët të nënshkruajnë kontrata të reja, e mbi të gjitha, të ndihmojë letërsinë të ecë përpara me hapa të sigurt. Por çfarë shohim në të vërtetë? Shndërrimi në një markatë, ku titujt qëndrojnë ngjeshur njëri mbi tjetrin, si të ishin kartolina nga pushimet e verës. Një panair që pret shumë shpresa e fjalë të mëdha, por shndërrohet shpejt në treg me zëra të lartë e zbritje çmimesh, ku një letërsi e vërtetë e gjen veten në një konkurrencë të pabarabartë me gjithfarë lëtyrash që rëndojnë në tavolinat provizore të Shtëpive Botuese.
Dhe kjo është mënyra më e mirë që i bën shqiptarët të kthejnë kokën e të bëjnë ndonjë blerje, ku më shumë se sa vetë kopertina e librit, shumëkujt i pëlqen qesja me logo e ambalazhit.
-Qepë domate, mollë Korçe, patate Kukësi... grurë flori. Na kanë rënë thonjtë për këtë të shkretë.
-Sa e mban grurin...? Meqë ra llafi.
-Aq sa e mban gjithë pazari... 120.
-Ç'thua mo... nuk të duket si shumë i kripur ky çmim?
Ndërkohë, Panairi nuk bën punën e tij kryesore, atë për të cilën është organizuar ky event:  të promovojë letërsinë dhe të nënshkruajë kontrata mes botuesve dhe shkrimtarëve. E për më tej, të angazhohet dhe në marrëdhëniet e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të tjera. Çështje kontratash në fund të fundit. Por nëpër panaire, unë nuk kam parë njeri të nënshkruajë kontrata.
Në çdo kënd panairi, gjen drita të ndezura dhe radhë njerëzish, që megjithatë, në shumë raste, më shumë kërkojnë ofertat e librave të preferuar, sesa përballjen me ide të reja. Ku mbeti pra thelbi i këtij eventi? Larg, humbur në një det ofertash e broshurash. Dhe më keq, shkrimtarët e rinj, me pena të forta e ide unike, kanë pak shpresë të dalin mbi sipërfaqen e detit të librave të prodhuar masivisht. Panairi, në vend që të krijojë ura bashkëpunimi mes botuesve dhe shkrimtarëve, më shumë i ngjan një dritareje që reklamon një “trend” të çastit, pa menduar për të nesërmen.
Në këtë panoramë, panairi ndoshta nuk është më vendi për të promovuar letërsinë, por një vend për të shitur librat që sigurojnë fitime të shpejta.
-Kam kaq vjet librar po Shekspir me metër nuk kisha shitur, - shprehej i madhi i humorit Skënder Sallaku në një skeç të estradës së Tiranës, kur një personazh, që interpretohej nga e mirënjohura Mexhide Pici, i kërkonte të blinte libra me qëllim të qartë estetik, ku kapakët e tyre t’i shkonin me ngjyrën e perdeve dhe ato të kolltukëve.
Libri shitet me metër e me kile po deshe. Pavarësisht se lexueshmëria vlen vetëm kur bëhet faqe më faqe. Po ku ta gjesh lexuesin. Blerës po, gjen. Të mbushi qeset tjetri sa të mos i mbajnë më krahët. Dhe ky quhet sukses në tregti.
Po sa kontrata të reja shkrimtar-botues firmosen? Sa autorë të rinj gjenden përkrah botuesve të mëdhenj? Shumë pak ose aspak. Ironikisht, në një panair libri ku pritej të festohej letërsia dhe fuqia e saj për të frymëzuar, më shumë përshëndetet fuqia blerëse sesa ajo krijuese.
Panairi i Librit duket se ka kaluar nga sheshi i artit tek pasarela e rekreativitetit. Qindra njerëz mbushin sallat, po sa prej tyre janë aty për letërsinë? Duket se më shumë janë për argëtim, për një shëtitje të çastit në pedonalen kulturore, ku libri, i vendosur si dekor i bukur, shërben vetëm si sfond për fotografitë e rastit. Syprinat e stendave plot me tituj ofrojnë mundësinë ideale për të bërë një foto me librin që “do donim të lexonim,” ndërsa po aq lehtë harrohet në çantë ose lëshohet në raft.
Njerëzit që mbushin ditët e panairit mundimin më të madh e kanë të gjejnë këndin ku do shkrepin celularin sepse fotoja duhet të jetë e kuruar që të marrë vëmendjen kur postohet në rrjet, gjë e cila të tregon disi më... intelektual. Ose thënë troç të tregon Akademik dhe... pikë.
Kjo është një një prej elementeve, sepse elementi tjetër i intelektualizmit që janë syzet, tanimë i ka thuajse çdo shqiptar, pasi dhe më idioti ka qorruar sytë duke para video në celular. Kështu që këtu është ca e vështirë të ndahet shapi nga sheqeri. Ndaj me syze dhe me një libër në dorë, intelektualizmi bëhet krejtësisht i besueshëm.
-Hajde profesor të të jap një kafe, se mbete tërë ditën me libra në duar.
Ja kështu, duke u treguar si intelektual me shkollë të mesme, - siç thoshte Filipi i Mejremes e që shkurt e quanin Pile, - fiton dhe ndonjë kafe qyl. Se qylin na e pranoka dhe mbreti, thonë, e jo më intelektuali.
Ironikisht, panairi ka filluar të shihet më shumë si një arenë sociale sesa një event kulturor. Shohim njerëz që shkëmbejnë përshëndetje, zënë rrugët mes stendave e ndalen të bëjnë selfie, por sa janë të interesuar të diskutojnë për ndonjë roman të ri, ndonjë përmbledhje poetike të guximshme, ose ndonjë autor që sapo ka dalë në treg? Në vend që të frymëzojë lexuesit për një udhëtim në botën e letërsisë, panairi ngjan më shumë me një aktivitet që përmbush listën e programeve argëtuese, ku libri është thjesht një aksesor për një sfond pak më kulturor.
Shkrimtarët e rinj, që shpresojnë të bëjnë hapa drejt botuesve dhe lexuesve të vërtetë, e gjejnë veten në një skenë ku thirrjet për ulje çmimesh dhe fotografitë zënë më shumë hapësirë se sa rreshtat e librave të tyre.
Nëse ky është realiteti i një panairi libri, atëherë, ndoshta, letërsia ka nevojë për më shumë se një “festë” të tillë. Ka nevojë për lexues të vërtetë e për vëmendje të sinqertë, më shumë se një shëtitje në pedonale dhe më shumë se një foto për të bërë përshtypje.
Madje libri ka nevojë shumë për një promovim që të jetë më pranë vlerave letrare, dhe jo lavdërimeve unikale të tipit: Librin s’e kam lexuar por autori është çun i mirë...

Wednesday, November 13, 2024

“Shpëtoni ushtarin Rajan”, u sakrifikua një skuadër për të shpëtuar një njeri

 


 Nga Leonard Veizi
 
Një skuadër ushtarësh amerikanë futen në thellësi të armikut me një mision, duhet të tërhiqnin nga fronti i luftës një ushtar. Ai nuk kishte asgjë të çmuar në veten e tij, por për familjen ishte vërtet më se i çmuar. Dhe kish mbetur i vetëm mes katër vëllezërish. Të gjithë të vrarë në të njëjtën luftë...
 
...Sakrifica e individëve për të mirën e të tjerëve është një nga temat kryesore të Luftës, ku ushtarët janë të gatshëm të rrezikojnë jetën për një shok të tyre, për të ruajtur dinjitetin njerëzor edhe në kushtet ekstreme të luftës. Dhe për këtë temë flet dhe filmi i përbotshëm “ Shpëtoni ushtarin Rajan”.
 
Filmi
“Saving Private Ryan”, është një nga filmat më të njohur për temën e Luftës së Dytë Botërore dhe për mënyrën e tij realiste dhe të ashpër të përshkrimit të luftës. Duke vendosur ngjarjet menjëherë pas “Ditës D” apo siç njihet ndryshe “D Day” që ka të bëjë me zbarkimin e aleatëve në Normandi, filmi ndjek grupin e ushtarëve amerikanë të udhëhequr nga Kapiteni Xhon H. Miller  - luajtur nga Tom Henks, - të cilët kanë një mision të veçantë: shpëtimin dhe kthimin e një ushtari, Xhejms Fransis Rajan i cili interpretohet nga Mat Demon, - pasi tre vëllezërit e tij janë vrarë në luftë.
Skena fillon me një pamje të vendosur të fushës së betejës, më pas kalon në varkat dhe në këtë skenë ne mund të shohim kamerën duke lëvizur vertikalisht në një mënyrë agresive. Kjo tregon pikat e forta të baticave dhe sa intensive do të bëhet lufta. Skena më pas fillon ndërsa dyert e anijeve hapen dhe njerëzit vriten, duke ilustruar se lufta ka filluar.
Filmi portretizon valën e parë të trupave aleate që zbarkonin në plazhin Omaha në Normandinë e pushtuar nga nazistët, në 6 qershor 1944, në një skenë 24-minutëshe që është përshkruar si një nga përshkrimet më brutale të filmit. Pushtuesit pësojnë humbje të mëdha, me ushtarë që vdesin në ekran në mënyra të ndryshme të frikshme dhe të paparashikueshme.
 
Ngjarja
“Saving Private Ryan” është një film epik luftarak amerikan i vitit 1998 me regji të Stiven Spielberg dhe shkruar nga Robert Redat. I vendosur në vitin 1944 në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ndjek një grup ushtarësh, të udhëhequr nga kapiteni John Miller, në misionin e tyre për të gjetur privatin Xhejms Fransis Rajan dhe për ta sjellë atë në shtëpi të sigurt pasi tre vëllezërit e tij janë i vrarë në aksion. Kasti përfshin gjithashtu Eduard Bërns, Tom Sajzmo, Barri Peper, Ghiovani Rebisi, Ven Diesol, Adam Goldberg dhe Xheremi Dejvis.
Spielberg trajton luftën jo si një akt heroik idealizuar, por si një përvojë brutale që shkakton humbje të mëdha dhe trauma. Skenat në fillim të filmit, ku zbarkimi në Normandi përshkruhet me detaje të dhimbshme, janë shembull i rrallë i përdorimit të realizmit brutal për të paraqitur përvojën e ushtarëve.
Përmes portretizimit të marrëdhënieve të ushtarëve dhe vendimeve morale që marrin, filmi vë theksin te rëndësia e humanizmit në luftë. Kapiteni Miller dhe ekipi i tij luftojnë jo vetëm për fitoren, por edhe për mbajtjen e vlerave humane dhe të drejtësisë në një botë të zhytur në dhunë.
Spielberg dhe drejtori i fotografisë, Xhanus Kaminski, krijuan një estetikë unike për skenat e luftës, me kamera të lëkundshme dhe ndriçim të zvogëluar, për të krijuar ndjesinë se shikuesit janë në mes të betejës. Kjo teknikë ofron një ndjesi të lëvizshme dhe të paqëndrueshme, duke reflektuar kaosin dhe pasigurinë e luftës.
Filmi përdor efekte speciale për të portretizuar ashpërsinë e luftës. Kjo ndihmon shikuesit të përjetojnë nga afër frikën, dhimbjen dhe vuajtjen e luftëtarëve, duke bërë që filmi të jetë një nga përshkrimet më realiste të luftës në kinematografi.
“Saving Private Ryan” u vlerësua në mënyrë kritike për portretizimin realist e të palëkundur të terrorit të luftës. Shumë recensues gjithashtu vlerësuan performancën e Tom Henks. Megjithatë, disa kritikë e gjetën skenarin konvencional, klishe dhe sentimental. Filmi ishte një sukses komercial, duke fituar më shumë se 480 milionë dollarë në mbarë botën, duke e bërë atë filmin e dytë me fitimin më të madh të vitit 1998. “Saving Private Ryan” fitoi pesë çmime Oscar, duke përfshirë çmimin për regjisorin më të mirë, dhe filmi është vlerësuar me interesin e rinovuar për Lufta e Dytë Botërore në fillim të shekullit të XXI dhe frymëzimi i shumë prej filmave të luftës që e pasuan. Filmi fitoi dhe çmimet Golden Globe, Academy, BAFTA dhe Saturn.
“Saving Private Ryan” konsiderohet si një nga filmat më të mirë të realizuar ndonjëherë. Teknikat e saj të xhirimit të skenës së betejës ndikuan në shumë filma të mëvonshëm të luftës, aksionit dhe superheronjve, dhe regjisorë të shumtë kanë përmendur “Saving Private Ryan” si ndikim. Në vitin 2014, filmi u zgjodh për t'u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si "kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm".
 
Skenari
“Saving Private Ryan” u frymëzua nga historitë e familjeve ushtarake që pësuan humbjen e disa anëtarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Skenari i filmit u mbështet nga një histori e vërtetë që i përkiste Luftës së Dytë Botërore, historia e vëllezërve Niland. Vëllezërit Niland ishin katër vëllezër amerikanë që shërbenin në forcat e armatosura gjatë luftës, dhe kur tre prej tyre u raportuan të vrarë, autoritetet amerikane vendosën të kthenin në shtëpi vëllain e mbetur gjallë, Fritz Niland, për të mos rrezikuar që familja e tij të humbiste të gjithë djemtë.
Kohë më pas, një nga vëllezërit e Niland, i cili besohej se kishte vdekur, u lirua nga një kamp burmez i të burgosurve të luftës (POW) dhe u kthye në shtëpi para përfundimit të luftës.
Kritika në shtypin e përditshëm është shprehur se” Shumë veteranë të Luftës së Dytë Botërore që ndoqën filmin raportuan se ata gjetën se skenat e luftimit ishin tepër realiste, madje duke shkuar më larg aq sa folën dhe pët shkaktimin e simptomave të tyre të çrregullimit të stresit post-traumatik.
 
Mesazhi
A ia vlen të sakrifikosh jetën e 8 ushtarëve për të shpëtuar ushtarakun Ryan?
Me këtë film, Steven Spielberg krijoi një nga filmat e tij më të mëdhenj, një tablo lufte të modës së vjetër me sekuenca beteje tejet bindëse dhe të guximshme.
“Saving Private Ryan” ngre pyetje të thella etike mbi vlerën e jetës dhe përkushtimin për të shpëtuar jetën e një individi përkundrejt sakrificës së shumë të tjerëve. Ai nxit reflektimin mbi peshën e humbjeve njerëzore në luftë dhe kuptimin e heroizmit në kontekstin e përpjekjeve për mbijetesë dhe nder. Spielberg krijon një përvojë emocionale që bën thirrje për paqe dhe respekt për sakrificat e atyre që kanë luftuar për vlerat njerëzore.

Monday, November 11, 2024

Rënia e Murit, të Berlini dhe... Tiranës


Nga 
Leonard Veizi
 
Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor të vitit 1989 mbetet një nga ngjarjet më tronditëse e të paharrueshme të shekullit XX. Për gati 30 vite muri ishte bërë simbol i ndarjes ideologjike, kulturore dhe politike midis Lindjes dhe Perëndimit. Duke ndarë dhe fatet njerëzore, shpesh me kosto të mëdha sociale. Pas 9 nëntorit 1089 u shfaqën dukshëm shpresat për një Europë të bashkuar, për liri, demokraci dhe të drejta njerëzore.
Sot, 35 vjet pas asaj ngjarjeje madhore, ngrihet pyetja: a e kreu ky akt historik misionin e tij, apo mbetet një ëndërr e paplotësuar?
 
Liria pas Diktaturës
E keqja e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm ndarja fizike e një qyteti. Ai përfaqësonte izolimin e një ideologjie të ngritur mbi frikën, shtypjen dhe kontrollin. Me rrëzimin e tij, bota përjetoi një çlirim simbolik. Me këtë rrëzim u mbartën edhe aspiratat e shumë popujve të Evropës Lindore për t'u larguar nga zgjedha e sistemeve diktatoriale.
Në rrafshin ndërkombëtar, rënia e murit shënoi edhe fundin e Luftës së Ftohtë. Shtetet filluan të lidhnin më shumë ura bashkëpunimi sesa të ngrinin barriera. Lindja dhe Perëndimi, më parë rivalë të betuar, filluan të përafrohen drejt një bote më pak të polarizuar.
Megjithatë 35 vjet më pas ngrihet sërish pyetja: a jemi ne në të vërtetë aty ku na çoi ky ideal i lirive të fituara?
Procesi i bashkimit politik dhe ekonomik brenda Evropës së re rezultoi të jetë një sfidë komplekse. Pabarazitë e trashëguara të sistemeve socialiste në Evropën Lindore ende lënë gjurmë të thella, duke krijuar distanca socio-ekonomike ndërmjet vendeve perëndimore dhe lindore të BE-së. Asimetritë ekonomike e përkeqësuan integrimin dhe lindën dallime që vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat populiste dhe të ekstremit politik.
Sot, sfidat e rritjes ekonomike, krizave të migracionit dhe tensioneve të brendshme në Bashkimin Evropian shfaqin një tablo ku enden dyshimet për suksesin e misionit që rënia e murit përfaqësonte. Po ashtu, ngritja e mureve të reja – fizike dhe ideologjike – për të përballuar flukset e refugjatëve ose për të ruajtur “sigurinë” brenda kufijve shtetërorë ka ngjallur polemika që sfidojnë idealet për një Evropë të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Kur e kthejmë kokën mbrapa, është e lehtë të themi që rënia e Murit të Berlinit nuk përmbushi plotësisht misionin e saj; se bashkimi politik dhe ideali i lirive universale ende mbeten të pakonsoliduara. Në anën tjetër, duhet të kuptojmë që misioni i lirisë dhe i përparimit nuk përfundon kurrë – ai është një proces që duhet mbajtur i gjallë përmes angazhimit të përbashkët.
Në fund të fundit, rënia e murit përfaqësoi një epokë të re dhe një angazhim për përmirësim, por ndryshimi i vërtetë nuk ndodh vetëm me rrëzimin e një barriere fizike.
 
Shqipëria dhe Demokracia
Në Shqipëri, rënia e Murit të Berlinit u reflektua më shumë se një vit më pas, në dhjetor 1990, kur edhe regjimi komunist shqiptar nisi të lëkundej nën presionin e protestave studentore dhe kërkesave të qytetarëve për liri e ndryshim. Pas dekadash izolimi dhe shtypjeje nën diktaturë, Shqipëria hyri në një epokë të re me përmbysjen e regjimit në mars 1991, që solli për herë të parë pluralizmin politik dhe hapjen e dyerve drejt botës.
E megjithatë edhe në këtë pikë ngrihet pyetja e përhershme: Ku ndodhet Shqipëria sot me demokracinë?
Demokracia në Shqipëri ka qenë një rrugëtim i ndërlikuar që nga vitet ‘90 e deri më sot. Pas dekadave të një regjimi autoritar, krijimi i institucioneve demokratike u pa si një nevojë urgjente. Por ky proces nuk është ndjekur gjithnjë nga një vizion i qëndrueshëm apo i bashkërenduar për një të ardhme demokratike, shpesh për shkak të sfidave të shumta: papunësia, varfëria, konflikti politik, dhe korrupsioni janë disa nga pengesat që kanë vështirësuar konsolidimin e demokracisë shqiptare.
Një nga sfidat më të mëdha të demokracisë shqiptare është kultura politike e polarizuar dhe mungesa e besimit të ndërsjellë midis institucioneve dhe qytetarëve. Krizat e herëpashershme politike, bojkoti i parlamenteve, dhe akuzat e vazhdueshme për korrupsion e abuzim me pushtetin, kanë dobësuar besimin e qytetarëve tek demokracia si një sistem që funksionon për të mirën e përbashkët. Shpesh, zgjedhjet janë shoqëruar me tensione, akuza për manipulime dhe përplasje, gjë që ka krijuar një cikël të gjatë mosbesimi dhe ndjenjë pasigurie për të ardhmen.
Megjithë sfidat e dukshme, Shqipëria ka bërë përpjekje të rëndësishme drejt forcimit të institucioneve demokratike dhe integrimit evropian.
Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe Reforma në Drejtësi, shënojnë një përpjekje të madhe për të larguar ndikimin politik nga sistemi gjyqësor dhe për të ndëshkuar korrupsionin.
Megjithatë, progresi shpesh duket i ngadaltë dhe i brishtë.
Kur reflektojmë për rrënimin e Murit të Berlinit dhe idealet e lirisë që ai përfaqësonte, kuptojmë se demokracia nuk është një arritje e vetme; është një proces që kërkon përkushtim të përhershëm.
 
Rreziku nga autoritarizmi
35 vite pas rrënies së Murit të Berlinit rreziku nga regjimet autoritare për Evropën dhe botën perëndimore është i vërtetë dhe gjithnjë në rritje. Ndikimi i regjimeve autoritare si ato në Rusi dhe Kinë është bërë më i dukshëm dhe përfshin një sërë fushash të rëndësishme për stabilitetin global: politikën, ekonominë, teknologjinë dhe sigurinë. Ky ndikim nuk është më i kufizuar vetëm brenda kufijve të tyre, por synon të zgjerojë ndikimin në arenën ndërkombëtare, shpesh duke sfiduar ose minuar vlerat demokratike.
Përhapja e ndikimit autoritar përbën një sfidë themelore për vetë thelbin e demokracisë si sistem dhe model qeverisës. Shumë vëzhgues paralajmërojnë se, nëse regjimet autoritare vazhdojnë të avancojnë pa sfidë dhe të krijojnë modele alternative që sfidojnë vlerat demokratike, mund të ndodhë një dobësim i rëndësishëm i rendit ndërkombëtar të bazuar në ligje, të drejta dhe barazi.
Demokratitë perëndimore duhet të angazhohen për të mbrojtur themelet e tyre. Për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat, nuk mjaftojnë vetëm ligjet; nevojiten përpjekje të përbashkëta për të përmirësuar edukimin dhe për të krijuar një shoqëri më të qëndrueshme që mund t’i përballojë sfidat e reja. Vetëm me këtë përkushtim, Evropa dhe bota perëndimore mund të ruajnë idealet e demokracisë dhe të mbeten të forta përballë sfidave në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Sunday, November 10, 2024

“Trashëgimtari”, ekzekutimi i një prej njerëzve më të pasur të Evropës

 


 Nga Leonard Veizi
 
“Trashëgimtari” është një nga filmat ikonik të kinemasë së përbashkët franko-italiane. Cilësohet si një film brilant që trajton temën mbi misteret e financave dhe pushtetit të lartë, i realizuar në mënyrë mjeshtërorë nga aktori që luan në rolin kryesor. Ky film është transmetuar edhe nga ekrani i “Tirana”-s, që në fund të viteve ’70, ndaj ai është i njohur edhe për spektatorin shqiptar...
 
... “L'Héritier” në origjinal, apo i përkthyer në shqip si "Trashëgimtari", është një filmi thriller i vitit 1973, ku Zhan-Pol Belmondo interpreton protagonistin, Bart Kordell. “L'Héritier” është një film dramatik dhe i mbushur me tension, që pasqyron kompleksitetin e pushtetit, korporatave, dhe një rrjeti të ngatërruar intrigash politike.
Regjia e filmit është nga Filip Labro, ndërsa skenari nga Filip Labro dhe Zhak Lonzman. Kasti i aktorëve kryesohet nga Zhan Pol Belmondo, për të vazhduar me Karla Gravina, Zhan Rushifor, Sharl Diner, dhe emra të tjerë njohur të kinemasë franceze dhe asaj italiane
 
Ngjarja
Hugo Kordell, manjati mediatik dhe industrial, vdes një aksident misterioz kur avioni i tij shpërthen gjatë fluturimit midis Gjenevës dhe Parisit. Ekzaminimi i mbeturinave të avionit nuk mund të përcaktojë shkakun e rrëzimit.
Bart Kordell, është një i ri i suksesshëm dhe i pavarur, i cili kthehet në Francë pasi ka jetuar për dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara.  Ai është i detyruar të marrë përsipër drejtimi e biznesit të fuqishëm të babait të tij. Bart Kordell trashëgon "Le Globe" një perandori përrallore industriale dhe mediatike, dhe padyshim kjo e bën një nga njerëzit më të pasur të Evropës.
Në Paris, drejtuesit e 'Globe', e përjavshme franceze dhe media kryesore e perandorisë Kordell, presin me ankth ardhjen e trashëgimtarit të Hugo Kordell, Bartit - që interpretohet nga Zhan-Pol Belmondo, - i cili dëshiron të lexojë numrin e fundit të revistës përpara se të dalë në shtyp. Megjithatë, disa nuk e vlerësojnë shumë faktin që ky i fundit është tashmë në krye të grupit.
Në fluturimin e kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Bart flirton me një femër joshëse, Lorenën, e cila tinëz fut në xhepin e tij një biletë bagazhesh. Në aeroport Bart pritet nga menaxhmenti i 'Globe' dhe reporterët e televizionit. Pas kontrollit nga një agjent doganor gjendet një çantë të mbushur me drogë që korrespondon me biletën që Bart mban në xhep. Ai akuzohet për trafik të paligjshëm. Kjo i lë të kuptojë se ardhja e tij në krye të perandorisë “Cordell” nuk ka miratimin universal.
Me të mbërritur, Bart kundërshtoi imazhin e një “playboy” që i kishin dhënë revistat, duke imponuar një autoritet dhe kompetencë të papritur. Menjëherë, ai u bë njeriu i ditës, duke krijuar një ton të ri dhe marrëdhënie më të drejtpërdrejta me punonjësit e tij, duke menaxhuar pasurinë me ndihmën e këshilltarit të tij David Lovenstein.
Bart trashëgon një perandori industriale të ndërlikuar që përfshin media, energji dhe ndërtim, dhe së shpejti kupton që pushteti që e rrethon është i lidhur ngushtë me korrupsionin dhe interesa të errëta. Barti kupton se disa njerëz të fuqishëm të lidhur me kompaninë e tij nuk duan që ai të hedhë dritë mbi mënyrën e funksionimit të saj. Ai gjithashtu ndjen se grupi i tij kërcënohet nga një komplot i gjerë.
I ndihmuar nga miku i tij besnik, David – i cili interpretohet nga Sharl Diner, - Bart Kordell vendos të kryejë hetimin e tij. Duke ndjerë erën e komplotit kundër grupit të tij nga rryma të fuqishme industriale evropiane, Kordell punëson një detektiv për të hetuar rrethanat e vdekjes së babait të tij. Ai do të zbulojë se avioni i Hugo Kordell u sabotua nga një grup industrialistësh të lidhur me të djathtën ekstreme, përfshirë vjehrrin e tij të pasur, për ta penguar atë të zbulonte ekzistencën e një komploti të udhëhequr nga ky grup.
Bart ka dyshime edhe tek gruaja e tij Xhovanela, dhe mendon se ajo është manipuluar nga i ati. Xhiovanela është vajza e një manjati italian, Luixhi Galaci, të cilin babai i Bartit e urrente dhe që rezultoi të ishte armiku numër Një i grupit Kordel. Babai nuk e kishte miratuar martesën e djalit të tij me Xhovanela Galacin, vajzën e Luixhi Galaci, manjatit të çelikut dhe liderit të së djathtës së re italiane. Hugo e kishte zhvendosur Bartin në Nju Jork, por ende e kishte vendosur atë në krye të interesave të tij në Amerikën e Veriut.
Gjatë filmit Bart bëhet viktimë e disa sulmeve me armë. Ai po përgatit një numër special të "Globe" në bashkëpunim me Lizën, redaktoren e cila bëhet shumë e afër dhe intime, për të kaluarën e dyshimtë të industrialistit italian ku mes të tjerash gjatë Luftës së Dytë Botërore ai do të ishte përgjegjës për dëbimin e kolonisë hebreje romake. Ndërkohë Luixhi Galaci financonte partinë neofashiste dhe shpresonte në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.
Përgatitja e shkrimit për botim rezultoi të ishte një gabim fatal...
Duke ndjerë rrezikun Bart i dorëzon stafetën djalin e tij Hugo Kordell i riu. Rrugës për në aeroport ai i thotë të njëjtat gjëra që i kishte thënë babai i tij rreth tridhjetë vjet më parë: "Ti nuk je si të tjerët, ti je trashëgimtari".
Dhe në fund, teksa ndodhej në terminalin e aeroporti të Romës, Bart pengohet nga disa burra ndërsa një tjetër, shumë pranë tij e qëllon dy herë me pistoletë për ta lënë të vdekur në vend. I shqetësuar, David Loveinstain mbërrin në vendngjarje, por është tepër vonë. Bart Kordell ka vdekur. Dhe këtu filmi mbaron.
 
Mesazhi
Filmi sjell në vëmendje idenë e një trashëgimie që bart jo vetëm pasuri, por edhe përgjegjësi të mëdha si dhe rrezik. Po ashtu, eksplorohet lufta e brendshme e Bart Kordell për të ruajtur vlerat e tij personale, përballë presionit për të përqafuar botën e korruptuar.
"Trashëgimtari" e lë shikuesin të mendojë mbi çmimin e vërtetë të pushtetit dhe përgjegjësitë që vijnë me të. Filmi flet për ndershmërinë e individit kundër korrupsionit të fuqive të mëdha dhe për sfidën e të mbajturit të vlerave në një botë të dominuar nga interesa të ngushta.
Kritika e ka vlerësuar rolin e  Bart Kordellit si ideal për Zhan-Pol Belmondon, i cili në këtë film ka sjell me mjeshtëri guximin dhe shpirtin rebel të personazhit të tij. Me stilin e tij të veçantë, Belmondo i jep Bart Kordellit një energji të brendshme që e bën atë të duket vendimtar dhe të papërkulur. Përballja e tij me sfidat dhe të papriturat rrit tensionin dhe misterin në film.
Me këtë thriller elegant, Filip Labro bëri disa goditje të gjykuara me kujdes, ndërkohë që iu referuar disa shqetësimeve kryesore të kohës - duke përfshirë korrupsionin në politikë dhe industri.
 
 
 

Garën e fitoi Donaldi


Nga 
Leonard Veizi
 
Gjylja e madhe plasi. Donald Tramp fitoi. Kamala Harris e pranoi humbjen. Këtë të mirë e kanë amerikanët, edhe pse rregullin e theu Tramp 4 vite më parë kur zu të ulërinte se i kishin vjedhur zgjedhjet, bash si në Dushkun e Lushnjës së Shqipërisë Jugperëndimore. Po Amerika është e madhe, ka dhe përjashtime.
 
Të gjithë qajnë për Harris edhe pse fitoi Tramp
Jetojmë në një epokë ku lajmet e fundit janë bërë si përralla e mbushur me kafshë që flasin gjuhë të njehsuar, e ku fitorja e Trump dhe humbja e Harris janë si dy fytyra të së njëjtës medalje — medalja e kontradiktave të pashpjegueshme të kohëve tona. Kjo ngjarje është një shembull i përkryer i ironisë moderne, ku një pjesë e madhe e popullit qan për dikë që nuk fitoi, ndërsa tjetra feston për dikë që dikur konsiderohej si i papranueshëm. Fitorja e Trump dhe dhimbja për Harris janë, në thelb, dy emocione që reflektojnë një hendek të thellë emocional dhe politik.
Domethënë njerëzit nuk ia paskan futur kot kur qanin e shkulnin flokët për vdekjen e Stalinit, timonierit Mao dhe për Enverin tonë. Qajnë edhe këta në Perëndim. Me “oi” madje.
Një nga misteret më të mëdha të kësaj kohe është pikërisht kjo: pse kaq shumë njerëz qajnë për dikë që u konsiderua si një mundësi e madhe për të sjellë ndryshimin? Harris, një figurë e cila për shumë u bë një simbol i shpresës për një Amerikë më të drejtë dhe më përfshirëse, tani është lënë mënjanë. Pjesa që qau për të, nuk e qan vetëm për humbjen e saj personale, por për një të ardhme që ata e besuan se po i afrohej.
Por ky është realiteti i kohës sonë — emocione të ngatërruara, shpresa të zhgënjyera dhe ndjenja e asaj që “mund të kishte qenë.” Në këtë fushë betejë, çdo fitore e Trump është një humbje për ata që kanë pritur ndryshim; çdo humbje e Harris-it është një rikujtesë se edhe ëndrrat më të mëdha shpesh lihen të braktisura në altar. Me sa duket, në politikën e sotme, gëzimi dhe trishtimi janë vetëm dy maska të së njëjtës dramë të pafund.
 
Shqiptarët ky popull politik që ndjek zgjedhjet në Amerikë
Shqiptarët i ndoqën zgjedhjet në Amerikë më me tifozllëk se ato që bëhen në Shqipëri.  Kjo ndodh ose se i kemi shumë miq, dhe miku duhet sajdisur në ditë të vështira, ose ngaqë duam të jemi në ombrellën e më të fortit ndaj duhet të shohim nga do fryjë era që të na marrë me vete. Prandaj i kemi dhe njerëzit tanë atje, që ca të votojnë për Demokratët e ca për Republikanët me qëllim që të jemi të mbrojtur nga të dy anët.
-Mbahu nënë mos ki frikë,
Se ke djemtë në Amerikë
Shqiptarët janë një popull që jeton politikën çdo ditë, jo vetëm në vendin e tyre, por kudo ku zhvillimet ndërkombëtare kanë peshë. Ata shquhen për kureshti të jashtëzakonshme ndaj zgjedhjeve në vende të tjera, dhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara janë ndoshta ato që ngjallin më shumë interes, diskutime, dhe, si gjithmonë, ndarje të thella të opinioneve.
-Ore fiton Trampi se është i shenjës së binjakëve dhe jemi në vitin binjak, - na dha paralajmërimin në mëngjes një astrologe që ish konsultuar natën me yjet – Kamala Harris është e peshores dhe s’ka shanse.
Birinxhi. Se edhe dikur, para se të niseshin në luftë, komandantët e ushtrive shkonin te orakulli që t'u parashikonte fatin. Dhe Orakulli të gjithëve një fjalë dinte t’u thoshte: ti do fitosh. Madje dhe kur ndodhte që ushtria shkatërrohej dhe komandantin e zinin rob për t’i futur hellin në... Lere fare më mirë. Vijmë përsëri te argumenti.
Tani, konsultë me yjet apo thjesht kishte parë ëndërr, astrologia nga Tirana i ra në kokë, dhe Tramp fitoi. Dhe po t’i çojnë fjalë Presidentit të ri, - ata të stafit të tij që merren me vëzhgime, - me siguri do t’i hapi një vend pune astrologes shqiptare, si astrologe, por në Shtëpinë e Bardhë ama. Dhe aty mund të rrijë rrijë ditë e natë në ballkon e të konsultohet me yjet.
-Yjeeeeeeee...
Në kafenetë shqiptare, zgjedhjet në SHBA kthehen në një lloj “misioni” kombëtar për çdo qytetar të thjeshtë, biznesmen, ose intelektual që ka një mendim për atë që ndodh përtej Atlantikut. Gjithkush ndjen nevojën të pozicionohet, të mbajë anë e të zgjedhë midis demokratëve dhe republikanëve, mes Trump-it dhe Biden-it apo Harris-it. Një cikël zgjedhor amerikan është si një “kampionat politik” që ndiqet po aq me pasion sa edhe futbolli, me një spektator të zjarrtë që mendon se zgjedhja në Amerikë do t'i japë përgjigje pyetjeve të tij për të ardhmen.
Ajo që është më intriguese është se ky interes nuk është vetëm për shkak të influencës së madhe të Amerikës në botë. Për shqiptarët, këto zgjedhje përfaqësojnë gjithashtu një lloj shprese për një botë më të mirë, me ndikime që shtrihen deri te politika lokale. Në çdo valë lajmesh, shqiptarët kërkojnë shenja që mund të tregojnë se si do të ndikohen marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë apo qëndrimi amerikan ndaj Ballkanit.
Tani duhen nxjerrë fotografitë. Kush ka bërë ndonjë foto me Donaldin ta nxjerrë nga synduku e ta vendosi mbi trapez të punës. 
Pra, ndjekja e zgjedhjeve në SHBA nuk është thjesht një kuriozitet; është si një pasqyrë për të parë drejt një horizonti tjetër. Teksa shumë popuj të tjerë e shohin politikën amerikane nga një distancë e largët, shqiptarët e jetojnë atë sikur të jetë edhe pjesë e fatit të tyre. Ata shohin dhe shpresojnë që në çdo vendim dhe ndryshim përtej oqeanit, ndoshta fati i tyre do të lëvizë pak më pranë një të ardhmeje më të ndritur.
 
Administrata Tramp, vëmendja për Shqipërinë dhe Kosovën
Administrata Trump, siç ka treguar edhe më parë, ka një qasje ndryshe nga ajo tradicionale ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Trump shpesh është fokusuar te politika e interesave ekonomike dhe te marrëveshjet që mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për SHBA-në, duke u përpjekur që të reduktojë përfshirjet e tejzgjatura në konfliktet ndërkombëtare. Kjo qasje pragmatiste do të thotë që Trump mund të ketë një interes të kufizuar ndaj Ballkanit, për aq sa këto marrëdhënie nuk ndikojnë drejtpërdrejt interesat amerikane.
Në rastin e Kosovës, administrata Trump në mandatin e parë ndërmjetësoi marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, duke vënë theksin te bashkëpunimi ekonomik si një bazë për stabilitetin rajonal. Kjo është një qasje që Trump ka promovuar: ai synon zgjidhje praktike dhe marrëveshje ekonomike, jo domosdoshmërish politika tradicionale që lidhen me ndërhyrje afatgjata ose reforma demokratike.
Nëse Trump vazhdon këtë linjë, ka gjasa që Shqipëria dhe Kosova të jenë ende në fokusin e politikës amerikane, por më shumë për çështje praktike dhe investime ekonomike sesa për përpjekje afatgjata për ndërtimin e institucioneve. Për Trump, Ballkani dhe Shqipëria nuk janë qendra të interesit strategjik dhe të sigurisë, ndaj vëmendja mund të mbetet e kufizuar dhe më shumë e lidhur me çështje të zhvillimeve rajonale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për SHBA-në.
Megjithatë, ndërsa përfshirja direkte e administratës Trump mund të jetë e kufizuar, interesi i SHBA-së për stabilitetin e rajonit nuk do të zhduket plotësisht. Nëse çështje të rëndësishme, si marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rifitojnë vëmendje globale për shkak të krizave apo zhvillimeve të reja, atëherë ndoshta do të shohim një angazhim më të thellë. Por në tërësi, një administratë e ardhshme Trump ka të ngjarë të fokusohet te çështje më të mëdha të politikës ndërkombëtare dhe, për rajone si Ballkani, të ndjekë një qasje më pragmatike dhe të drejtpërdrejtë për përfitime ekonomike.
Shkurt, Tramp mund të kujtohet për shqiptarët andej nga fundi i mandatit, kur puna nis e shkrehet dhe Presidenti i moshuar do nisi të merret me kallamat e peshkimit.
 
Evropa, Rusia, Kina dhe Trampi i Amerikës
Zgjedhjet amerikane gjithmonë kanë tërhequr vëmendje globale, por këtë vit, vëmendja nga Evropa, Kina dhe Rusia ishte e përqendruar dhe plot tension, megjithëse për arsye të ndryshme. Çdo kontinent dhe fuqi botërore e sheh Amerikën si një lojtar kyç, dhe ndryshimi i pushtetit në SHBA shpesh shënon një kthesë të re për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë që këto vende kanë interesa të ndryshme, një pikë e përbashkët është që të gjitha ndjekin me kujdes çdo ndryshim të mundshëm në drejtimin politik të Shteteve të Bashkuara.
Evropa, për shembull, shpesh ka kërkuar një Amerikë të angazhuar dhe të fortë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për çështjet e sigurisë dhe të klimës. Shumë evropianë janë të kujdesshëm për politikat e Trump-it, të cilat përqendrohen më shumë në interesat e brendshme dhe më pak në aleanca afatgjata si NATO. Fitorja e tij mund të nënkuptojë një vazhdimësi të kësaj qasjeje “America First”, çka mund të krijojë më shumë përgjegjësi për Evropën në çështje të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Ndërkohë, Kina i sheh zgjedhjet amerikane si një shans për të vlerësuar mundësitë dhe sfidat e reja që mund të paraqiten në tregtinë globale dhe në rivalitetin strategjik në rajonin e Paqësorit. Për Kinën, një administratë Trump do të thotë vazhdimësi e tensioneve tregtare dhe strategjive të balancimit të ndikimit kinez në botë. Por në anën tjetër, Trump ka një qasje të qartë në çështje ekonomike që Kina e kupton mirë, dhe ky pragmatizëm mund të nënkuptojë gjithashtu hapësirë për negociata të reja, pavarësisht luftës tregtare.
Nga ana e saj, Rusia sheh në Trump një lider që e ka përkrahur të paktën të mos ndjekë politika që krijojnë konflikt të drejtpërdrejtë. Megjithëse marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten komplekse dhe të mbushura me tensione, Trump ka shmangur politikat konfrontuese që disa liderë të tjerë amerikanë do të ndërmerrnin në drejtim të ndikimit rus. Për Rusinë, fitorja e tij do të thotë vazhdimësi në një linjë të kufizuar ndërhyrjeje në zonat që ajo i konsideron interes jetik.
Me shpërthimin e mesazheve të urimit për Presidentin e sapozgjedhur shpejtoi të bashkohej dhe Vuçiçi i Serbisë, që pretendon se ka marrëdhënie të mira me biondin arrogant të "Fifth Avenue".
-Le po rend dhe Shemshedini. Mallkuar qofshin zemërpulat.
Në fund, zgjedhjet amerikane janë si një lloj pasqyre për të gjitha fuqitë botërore. Evropa, Kina dhe Rusia e dinë që çdo ndryshim në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë pasoja të mëdha dhe të pashmangshme për politikën e tyre të brendshme dhe për rolin e tyre në botë. Kështu që, edhe nëse qëndrimet e tyre janë të ndryshme për fitoren e Trump, interesat mbeten të përbashkëta: të kuptojnë dhe të përgatiten për atë që sjell e ardhmja në arenën globale.


Tuesday, November 5, 2024

Fotot ikonike të luftës/ Imazhet e pabesueshme që fiksuan historitë e tmerrshme



Nga Leonard Veizi
 
Fotot e shkrepura në çastin e duhur kanë bërë historinë e botës moderne. Madje kanë ndikuar fuqishëm dhe në vendimmarje të mëdha politike. Sepse është pikërisht njëfoto e bërë në çastin e duhur dhe e publikuar aty ku duhet për ta bërë publikun të reagojë. Dhe nuk është çudi që vazhdojnë ta bëjnë dhe sot, megjithë sofistikimin dhe hedhjen në treg të gjithfarë vidiove që vërtetojnë katërcipërisht ndodhinë. Gjithsesi, po flasim për vite më parë, kur fuqia e fotografisë, e një çasti të vetëm të bënte të shkruaje gjithë historinë. Ndaj sentenca “Një foto, sa një mijë fjalë”, nuk është vetëm një slogan. Ditët e Luftrave Botërore kanë sjellë histori të panumërta njerëzore, të cilat janë shoqëruar edhe nga foto që kanë bërë xhiron e botës. Përqafimet e ndarjes mes ushtarëve që shkonin në front dhe të dashurave, të fejuarave ose grave, gjithashtu janë shumë mbresëlënëse. E po ashtu janë dhe imazhet e pas mbarimit të luftës, kur ushtarët ktheheshin pranë familjarëve të tyre.
 
Foto-kujtesë për 8 milionë kuaj të vrarë
Kjo foto tani konsiderohet edhe si art konceptual, ndaj është përfshirë në katalogët e artit modern. Lufta e Parë Botërore, apo siç njihet ndryshe, “Lufta e Madhe” ishte lufta që përfshiu pothuajse të gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918. E paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, gjatë 52 muajve, Lufta e Madhe përfundoi me humbjen 20 milionë jetëve. Në një farë kuptimi, Lufta e Madhe ishte një luftë e modës së vjetër: gjermanët mobilizuan 715 mijë kuaj, ndërsa austriakët 600 mijë. Ushtria britanike ishte më e mekanizuara, por sërish kishte nevojë për kuaj dhe kjo kërkesë u rrit vetëm kur lufta përparoi. Në vitin 1918, ushtarët amerikanë përpunuan një set fantastik fotografik, për të nderuar miliona e miliona ekuipazhe që luftuan dhe dhanë jetën gjatë Luftës së Madhe. Kjo foto tregon 650 ushtarë të rreshtuar në formën e një koke kali, që paraqet një lloj solidarizimi për kuajt e vrarë gjatë kësaj lufte. Fotografia në fjalë, u kushtohet 8 milionë kuajve të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Ata vuajtën në kushte të tmerrshme dhe u vranë në vijat e para nga zjarri i armëve dhe sulmet me gaz. Kuajt ndihmuan në transportin e ushqimit, ujit, municionit dhe medikamenteve në distanca të gjata e terrene të ashpra. Trimëria e tyre frymëzoi librin “Kali i luftës”, shkruar nga Michael Morpurgo, i cili më vonë u përshtat në një film me të njëjtin titull të regjisorit Steven Spielberg. Secili nga ushtarët e fotos, humbi kalin e tij në Luftën e Madhe. Në këtë mënyrë ushtarët falënderuan kuajt me sloganin: “Nuk janë vetëm ushtarët që luftojnë për vendin e tyre”. Fotografia bardh e zi besohet se është shkrepur nga oficerët e Departamentit nr.326 në Camp Cody, New Mexico.
 
“Babi më prit edhe mua”
“Babi, më prit edhe mua” – është fotoja ikonë e shkrepur nga Claude P. Dettloff, më 1 tetor 1940 që njihet dhe si një prej 10 fotografive më të mira të vitit 1940. Me historinë e saj fotoja pushtoi faqet e gazetave më të mëdha të Perëndimit. Të shtunën e 26 gushtit 1939, Hitleri kërcënoi Poloninë. Më 10 shtator 1939, Parlamenti i Kanadasë i shpalli luftë Rajhut Gjerman. Njësi ushtarake u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar. Regjimenti i Kolumbisë Britanike u la prapa në bregun perëndimor dhe pas disa muajsh stërvitjeje, më 1 tetor 1940 u urdhërua të marshonte në Neë Ëestminster për të kapur anijen “SS Joan”, e cila do ta çonte në një destinacion sekret. Duke zbritur në Rrugën e Tetë, në New Westminster, fotografi amerikan Claude P. Dettloff i gazetës “The Province” u pozicionua për të fotografuar të gjithë kolonën. Në pozicion ai pa një djalë të vogël që u shkëput nga dora e nënës së tij. “Më prisni dhe mua”, bërtiste vogëlushi, 5-vjeçari Warren “Whitey” Bernard duke shkuar drejt të ati, një nga ushtarët e regjimentit. Fotografia e kapur nga Dettloff bëri bujë në gjithë botën. Ajo u ekspozua në çdo shkollë të British Columbia. Fotografia u zgjodh nga “Associated Press” dhe më pas nga revista “Life”. Kjo ndodhi në vitin 1940, përpara se SHBA-ja të përfshihej në luftë. Në këtë mënyrë publikut amerikan iu ofrua diçka impresionuese, që të mund të shihte se ushtarët kanadezë po shkonin drejt frontit të luftës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë fotografia u harrua. Ajo nisi të rishfaqej në mesin e viteve ’60, dhe shpesh përmendej në kontekstin e fotove më të njohura të Kanadasë. Ekziston edhe një koleksion pullash që e paraqet këtë çast, si dhe një monedhë prej 2 dollarësh kanadezë. Claude P. Detloff ishte një fotograf amerikan që fitoi famë për foton me diçiturën “Wait for Me, Daddy”. Kur Jack Bernard u kthye në shtëpi, Dettloff ishte aty për të fotografuar çastin e ribashkimit të familjes. Por ky ribashkim nuk ishte i përhershëm, pasi Jack dhe bashkëshortja e tij Bernice Bernard u divorcuan tri vite më vonë. Sidoqoftë, fotografia e djaloshit 5-vjeçar u bë pjesë e historisë.
 
Djaloshi japonez me vëllanë e vdekur mbi supe
Fotoja rrëqethëse dokumenton rrënojat që sjell lufta. Një djalë ka çuar vëllain e tij të vdekur në një pikë djegieje në Nagasaki. Fotoja është realizuar nga fotografi amerikan Joe O’ Donnell. Joe ishte kontaktuar nga Ushtria Amerikane për të dokumentuar dëmet e shkaktuara nga bombardimi atomik i Hiroshimës dhe Nagasakit, menjëherë pas dorëzimit të Japonisë.
Postimet e ndryshme në rrjetet sociale pohuan: Në Japoni, gjatë luftës, ky djalë mbante në shpinë vëllain e tij të vdekur, për ta varrosur. Një ushtar e vuri re dhe i kërkoi që ai ta hidhte këtë fëmijë të vdekur që të mos lodhej. Dhe mori këtë përgjigje: “Ai nuk është i rëndë, ai është vëllai im!” Ushtari e kuptoi dhe shpërtheu në lot. Që atëherë, ky imazh është bërë një simbol i unitetit në Japoni”. Një kërkim i kundërt i imazhit të fotografisë çoi në tregime të ndryshme të së njëjtës histori. Kështu që bashkëbisedimi u konsiderua i rremë. Fotoja u bë e njohur në internet pasi u raportua se u shpërnda nga Papa Françesku më 30 dhjetor 2017. Sipas mediave ndërkombëtare, të cilat e publikuan atë më 1 janar 2018, fotografia i ishte bashkangjitur një kartoline nga Kreu i Kishës Katolike titulluar "Fryti i luftës".
 
Marinari puth infermieren
Kjo është një foto-simbol e ndjenjave të brishta pas një ngjarje të fortë siç ishte lufta. Pikërisht në kohë luftërash dashuria bëhet më e ndjeshme. Meshkujt mobilizohen, shkojnë në front dhe nuk dihet në kthehen më në shtëpitë tyre. Marinari që puthet me një infermiere në Times Square të New York-ut është fotoja ikonike e 14 gusht të vitit 1945 që simbolizon fundin e Luftës së Dytë Botërore. Ishte pikërisht dita e njohur si “VJ-Day”, kur Japonia iu dorëzua aleatëve dhe njerëzit u derdhën në rrugët e qytetit të Nju Jorkut për të festuar lajmin. Fotoja njihet me emrin “Kissing Sailor”
Marinari quhej George Mendosa dhe vajza ishte Greta Zimmer Friedman. Kjo puthje u fiksua në kohë nga fotografi Alfred Eisenstaedt. Një fotograf tjetër, Victor Jorgensen, i cili ishte i Marinës, ka kapur gjithashtu këtë çast në një foto të ngjashme.
Fotografia u botua për herë të parë në revistën “Life” në vitin 1945.
Greta Zimmer Friedman vdiq në vitin 2016, në moshën 92-vjeçare. Ndërsa George Mendosa vdiq 17 shkurt 2019, në moshën 95-vjeçare, dy ditë para ditëlindjes së 96-të.
Fotografitë e rralla të kohës së luftës tregojnë një kënd tjetër, atë që dashuria gjithmonë do ta gjejë një mënyrë për t’u shfaqur bindshëm, dhe ndoshta një histori të ngjashme nuk do ta gjeni dot në asnjë libër.
 
Vajza vietnameze e djegur nga napalmi
Një vajzë e zhveshur dhe fëmijë të tjerë që ikin nga një goditje me napalm në Luftën e Vietnamit është imazhi më i fuqishëm i lajmeve të 50 viteve të fundit. Në një sondazh të kryer nga kanali televiziv amerikan “History”, fotografia fituese e çmimit të fotografit vietnamezo amerikan Nick Ut "Terrori i Luftës" kryesoi listën e fotografive që ndryshuan botën. Fotografia e shkrepur më 8 qershor 1972, fitoi çmimin Pulitzer për Fotografinë Spot News dhe World Press Photo of the Year në 1973. Ajo kapi 9-vjeçaren Phan Thi Kim Phuc dhe fëmijë të tjerë të tmerruar duke vrapuar në një rrugë pranë distriktit Trang Bang në provincën juglindore të Tay Ninh, pasi një aeroplan vietnamezo jugor, ngatërroi destinacionin dhe hodhi napalm mbi trupat dhe civilët e Vietnamit të Jugut. Fotografi i Associated Press bëri fotografinë pasi Phuc i kishte grisur rrobat e saj që digjeshin ndërsa ikte dhe thërriste: "shumë nxehtë, shumë nxehtë". Fëmijë të tjerë të pranishëm në vendngjarje ishin dy vëllezërit më të vegjël dhe dy kushërinjtë e Phuc. Pas goditjes, Nick Ut, i cili ishte 21 vjeç në atë kohë, i çoi fëmijët në spitalin Barsky në Saigon, duke i shpëtuar jetën vajzës.
“Doja ta ndaloja këtë luftë, e urreja luftën. Vëllai im më tha shpresoj që një ditë të kesh një foto për të ndalur luftën”, u shpreh më pas Nick Ut
Vazhdon të thuhet se fotografia e Nick Ut është një nga fotografitë më të paharrueshme të shekullit të 20-të.
 

Sunday, November 3, 2024

“Njerëz dhe Fate”, drama e frikshme e shoqërisë shqiptare: të mos i zësë besë askujt


Nga 
Leonard Veizi
 
Pabesi, intriga, para të pista, drogë e prostitucion bashkë, njerëz të korruptuar dhe çuditshëm ca shtetarë me integritet në horizont. Një plak që mezi mbahet në këmbë, i thërrasin profesor, por që më së shumti di të përdorë koburen. Një hetuese epshndjellëse që pasi jep mesazhe të koduara bën seks me të burgosurin e saj... dhe përsëri në horizont një gazetar që kërkon të bëjë profesionin dhe t’i zbulojë nga pandershmëria njerëzore po aq sa dhe një prokuror i ndershëm.
Gjithçka në dukje e qetë a meditative, shoqërohet dhe me atentate në rrugë si dhe një aksion policor, sirena alarmesh, me ndjekje makinash e motorësh si në skenat e mëdha hollivudiane, që të japin shpresën në fund të fundit se e mira do të triumfojë mbi të keqen, po aq sa drita mbi errësirën. Kështu u shfaq filmi më i ri shqiptar, “Njerëz dhe Fate 2” një prodhim i “Papadhimitri Film Production”...
 
...”Njerëz dhe Fate 1” e ka bërë ndërkohë epokën e tij dhe padyshim është një nga prodhimet më të mira e më serioze jo vetëm të filmit televiziv, por të filmit shqiptar në tërësinë e tij. "Njerëz dhe Fate 2" kaloi suksesshëm si natën e prezantimit të filmit në ambientet e Cineplexx ashtu dhe nata premierë për publikun e gjerë në kinema Millenium. Dhe nuk duhet harruar se vjen në ekran 22 vite më pas. Shumë ujëra kanë rrjedhur, shumë të tjera janë sofistikuar, por shumë prej tyre nuk kanë ndryshuar aspak. Sepse e keqja mbetet e keqe edhe kur lyhet me bojë për t’u dukur si “e mirë”. 
 
Dje dhe sot
Filmi "Njerëz dhe Fate 2" nga studio Papadhimitri është vazhdim i serisë televizive shqiptare "Njerëz dhe Fate" një projekt i njohur për përqendrimin te jeta dhe përvojat e shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist. Ky sezon i dytë trajton tema të forta si emigracioni, përplasja e vlerave, dhe përpjekjet për të ndërtuar një jetë të re në një periudhë tranzicioni. Personazhet kalojnë sfida personale dhe familjare që pasqyrojnë realitetin e ashpër të kohës.
"Njerëz dhe fate" ishte dhe telenovela e parë shqiptare, me skenar të Ruzhdi Pulahës e regji nga Ylli Pepo, e cila i realizua gjatë viteve 2002-2003.
Këtë herë produksioni pas më shumë se 20 viteve vjen me një pjesë të kastit të aktorëve të “Njerëz dhe Fare 1”, por ndërkohë që skenaristi është po i njëjti, Ruzhdi Pulaha, regjia i takon Dionis dhe Klajdi Papadhimitrit. Dhe kjo ishte një risi.
Ndërsa kasti i aktorëve po aq edhe këtë herë përmbante emra të spikatur të kinemasë dhe teatrit si: Arben Derhemi, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Gentian Zenelaj, Eni Jani, Artur Gorishti, Nevina Shtylla, Ervin Bejleri, Mehdi Malkaj, Natasha Sela, Gent Hazizi, Leonard Bombaj, Laert Vasili, Rezart Veleshnja etj. Ndërkohë që ishin angazhuar edhe mjaft aktorë të rinj.
Dhe natyrisht për arsye të ndryshme nuk arritën të merrnin pjesë, një pjesë nga kasti i vjetër: qoftë Pavlina Mani, Robert Ndrenika, Gëzim Rudi apo Valbona Imami.
 
Korrupsioni dhe shteti
Kot nuk thonë që qeveria e kap lepurin me qerre. Madje qeveria edhe kur është në ditë të hallit e duket sikur nuk ka ku mbahet, sërish është aq e fortë sa t'i thyejë brinjët çdo keqbërësi e atij që guxon të thyejë ligjin. Prandaj janë institucionet. Është policia, prokuroria, gjykata.... dhe SPAKU.
“Njerëz dhe Fate” në tërësinë e tij, seri pas serie, na jep një pasqyrë të qartë të ngërçeve të shoqërisë shqiptare sot Shteti i “Njerëz dhe Fate” është një shtet i korruptuar. Ka dhe ministra e deputetë të korruptuar. Ka dhe oficerë të policisë e polic të thjeshtë të korruptuar. Ka dhe bosë droge që arrijnë të blejnë shumëkënd me paratë që fitojnë në mënyrë të pandershme.
Por shteti edhe pse i korruptuar, gjithmonë ka pasur e do ketë njerëz të ndershëm që luftojnë krimin. Ndryshe bota do të kishte shkuar prej kohësh në ferr. Kështu është edhe prokuror Betimi përballë oficeres së policisë gjyqësore Vesa, ku kjo e fundit shitet e blihet për 300 mijë euro.
Filmi tregon dhe një herë se bota e nëndheshme, bosët e të cilës mblidhen nëpër bodrume luksoze, për të marrë vendime mbi sasinë e mallit që duhet të kalojë kufirin dhe ekzekutime për ata që u ngatërrohen nëpër këmbë.
Por filmi tregon se ashtu si mafia ka sy e veshë kudo në zyrat e shtetit edhe shteti ka sy e veshë kudo. Dhe kur ka vullnetin e mirë i vë prangat profesorit, ekzekutorit me pagesë dhe zyrtarit të lartë me imunitet. Dhe kaq duhet që çatia të bjerë për të zënë brenda të gjithë të tjerët që ndonjëherë quhet dhe thjesht si ”dëm kolateral”.
 
Epilog me kokoshka dhe kanoçe
Gjithçka do të shkonte edhe më mbarë në një premierë filmi nëse shqiptarët nuk do të kishin huazuar në mënyrën më të keqe të mundshme, konsumin e kokoshkave dhe patatinave në ambientet e një kinemaje, ku bashkëshoqëruese ishte patjetër dhe hapja e kanoçeve, po me aq zhurmë sa dhe efektet komerciale të videove promovuese. Kështu që bashkëjetesa e ndjekjes së kolonës zanore bashkë me dialogun e mundshëm shkrihej e bëhej amalgamë me mllaçitjen e njerëzve që dukej sikur kishin ardhur pa ngrënë darkë, e nuk donin t'u ikte orari. Se helbete, kush e di kur mbaronte filmi e barku u binte në fund të këmbëve. Por duket se kjo është një e metë e pariparueshme, sepse edhe nëse nuk do ta afronte kinemaja një shërbim të tillë në hyrje të saj, padyshim që spektatorët do të turreshin në supermarkatën më të afërt për t'u furnizuar me qese patatinash dhe arka me pije të gazuara, që pas konsumimit do t'u jepte dhe një gromësitje masive. Hajd... shikim të këndshëm të filmit! 

Friday, November 1, 2024

“Duel”, rruga pafund me ankthin e përndjekjes nga “askushi”

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Pakkush e njeh ndjenjën e ankthit që të shkakton një person që të ndjek hap pas hapi, e për më tepër kur ti kupton se si jo vetëm të ndjek, por kërkon dhe zhdukjen tënde nga bota e të gjallëve. Pa asnjë armiqësi konkrete, por thjesht mbi një xhelozi të çastit. Dhe në fakt ai që inicion përndjekjen është “askushi”. Sepse nuk ka as trup, as fytyrë, as emër...por vetem një timon makine që e drejton me arogancë psikopatike. Ndjenja rritet edhe më shumë kur ti je në një makinë të vogël dhe pas teje me një shpejtësi skëterre të është vënë pas një kamion i madh i cili nuk e ka problem të të nxjerrë nga rruga dhe të të gremisi në një humnerë të thellë nga ku edhe nëse shpëton gjallë, nuk ka shanse të dalësh prej saj ashtu i plagosur e i gjymtuar. Megjithatë nuk ndodh kështu. Sepse madhësia dhe fuqia është njëra anë, por inteligjenca është në anën tjetër të medaljes. Dhe fundi i humnerës pret gjithmonë atë që është më pak inteligjent...
 
...“Duel” është një film televiziv amerikan aksion-triller i vitit 1971. Ai është gjithashtu një nga filmat e hershëm të Stiven Spielberg, një film magjepsës që ndryshoi karrierën e regjisorit përgjithmonë. Filmi, si një thriller psikologjik i tensionuar, përqendrohet në betejën për mbijetesë të një drejtuesi automjeti, i cili përballet me vdekjen e afërt pasi ndiqet nga një kamion 40 tonësh në një rrugë të largët shkretëtire. Është  një përndjekje intensive në rrugë midis një kamioni të frikshëm dhe një makine të vogël të kuqe. Kamioni ndjek makinën me këmbëngulje, por në fund, shoferi i makinës së kuqe arrin të triumfojë duke përdorur zgjuarsi për të shpëtuar. Ky film është shumë i njohur për atmosferën e tij tensionuese.
 
Skenari
Riçard Matheson përshtati si skenar tregimin e tij i shkurtër me të njëjtin titull, i cili fillimisht u botua në numrin e marsit 1971 të revistës “Playboy”. Historia e Matheson bazohej në një incident gjatë udhëtimit në shtëpi nga një ndeshje golfi me një mik, në të njëjtën ditë me vrasjen e Xhon Kenedit: 22 nëntor 1963. Ai u përndoq nga një kamionist dhe e shkroi idenë menjëherë pas kësaj ndodhie.
Që në krye të herës skenaristi bëri të qartë se shoferi i kamionit do të ishte i padukshëm përveç krahëve dhe çizmeve të tij që ishin të nevojshme.
Në një film dokumentar, Spielberg vëren se frika nga e panjohura është ndoshta frika më e madhe nga të gjitha, dhe “Duel” luan shumë me këtë frikë; efekti i të mos parës së shoferit e bën antagonistin e vërtetë të filmit vetë kamionin.
 
Analiza
Filmi “Duel” mund të shihet përmes një lente psikoanalitike si një përplasje midis nënvetëdijes së individit dhe frikës së tij më të thella. Në nivel simbolik, historia mund të interpretohet si një përballje mes ndjenjave të pafuqisë, ankthit ekzistencial dhe dëshirës për mbijetesë në një botë që shpesh duket armiqësore dhe jashtë kontrollit.
Kamioni, i drejtuar nga një shofer që nuk shihet kurrë, mund të përfaqësojë "hijen" – konceptin e Karl Jung-ut për pjesën e nënvetëdijes ku ruhen dëshirat e errëta dhe aspektet që individi dëshiron të fshehë nga vetja dhe të tjerët. Hijet e personazhit kryesor shfaqen përmes frikës dhe paranojës që e përndjekin, ndërsa ai përpiqet të largohet nga një forcë anonime, por e pandalshme. Kamioni është si një lloj përbindëshi që përfaqëson frikën irracionale dhe të pandërgjegjshme.
Në psikoanalizën frodiane, ndjekja e pamëshirshme dhe sulmi ndaj protagonistit mund të përfaqësojnë ankthin e kastrimit – frikën për humbjen e kontrollit dhe nënshtrimin ndaj një fuqie më të madhe. Shoferi i makinës së vogël, përballë një kamioni masiv dhe të fuqishëm, përballet me ndjenjat e pafuqisë dhe ankthin për t'u shtypur apo asgjësuar. Kjo përplasje midis individit dhe një "makinerie" të madhe dhe të fuqishme mund të përfaqësojë gjithashtu frikën nga dështimi dhe humbjen e integritetit të tij si individ.
Gjithashtu, “Duel” mund të shihet si një përballje midis instinktit të mbijetesës dhe përballjes me vdekjen. Ndërsa kamioni ndjek makinën pa mëshirë, protagonisti përballet me ndjenjat e tij të ankthit dhe dëshirën për të mbijetuar. Përballja finale përfaqëson triumfin e jetës mbi frikën e vdekjes, ndërsa protagonisti përballet me rreziqet dhe frikën e tij dhe e shkatërron kamionin në fund, duke çliruar veten.
Shoferi, i cili përfaqëson individin modern, përballet me një situatë që i del jashtë kontrollit, duke përjetuar një lloj ankthi ekzistencial. Kamioni anonim e vë atë në një rol të pafuqishëm, duke nxjerrë në pah sfidën për të ruajtur kontrollin në një botë ku fuqitë e mëdha, shpesh të panjohura dhe anonime, e rrethojnë individin dhe e vendosin përballë një presioni të vazhdueshëm.
Në përfundim, “Duel” mund të shihet si një alegori e njeriut modern që lufton për të ruajtur identitetin dhe ndjenjën e kontrollit përballë fuqive të jashtme dhe të nënvetëdijes. Me triumfin final mbi kamionin, personazhi arrin një fitore të përkohshme, duke na kujtuar përpjekjet e përditshme për të përballuar forcat e brendshme dhe të jashtme që mund të kërcënojnë stabilitetin dhe kontrollin tonë.
 
Ngjarja
Filmi “Duel” përqendrohet tek një burrë i quajtur Deivid Man - i cili interpretohet nga Denis Uiver -  një shitës i moshës së mesme nga Los Anxhelosi, i cili drejton makinën e tij - një sedan “Plymouth Valiant” - nëpër Kaliforni rurale në shkretëtirën Mojave, për të takuar një klient. Ndërsa udhëtonte Deivid Man kalon përpara një kamioni cisternë të ngadaltë dhe të vjetër
të ndryshkur të rrënuar tip “Peterbilt 281”. Shoferi psikotik i kamionit ndihet i ofenduar dhe ndjek Deividin përgjatë autostradës së zbrazët duke u përpjekur ta vrasë.
Shoferi i kamionit padyshim shihet si dikush me vetëvlerësim të ulët, duke gjykuar nga gjendja e kamionit të tij.
Deivid Man jeton një jetë relativisht të zakonshme, ai është i ngujuar në jetën e zakonshme të punëtorit të klasës së mesme. Ai shfaqet si dikush që pëlqen të qëndrojë në zonën e tij të rehatisë, por ai ende nuk është plotësisht jokonfrontues.
Deivid Man ndihet i dobët në jetën e tij, veçanërisht pas një sherri me gruan. Ndërsa udhëtonte për në një takim biznesi përgjatë një autostrade relativisht të izoluar me dy korsi në shkretëtirën e Kalifornisë, Deivid, kalon një kamion çisternë me karburant me tetëmbëdhjetë rrota. Më vonë, kamioni e has përsëri, duke i zënë rrugën sa majtas djathtas për të mos e lënë të parakalonte. Deivid fillimisht mendoi se shoferi i kamionit ishte thjesht një shofer i keq. Pastaj, ai besoi se shoferi i kamionit ishte një idiot. Më në fund, Deivid kupton se shoferi i kamionit kërkonte ta terrorizonte dhe ta vriste në rrugë. Shoferi keqdashës nuk shihet kurrë, duke krijuar përshtypjen se është vetë kamioni ai që është agresori.
Në të gjithë filmin Deivid Man paraqitet kryesisht si thjesht që dëshiron të dalë nga situata, por nga reagimi i tij në fund duhet të ketë pasur një dëshirë thellë për të mposhtur kamionin, për të fituar duelin.
 
Epilogu
Prodhuar nga “Universal Televizion”, “Duel” u transmetua fillimisht si pjesë e serisë “ABC Movie of the Week” më 13 nëntor 1971. Më vonë mori një publikim ndërkombëtar nga “Universal Pictures” në një version të zgjeruar me skena të xhiruara pas transmetimit origjinal televiziv të filmit. Filmi mori vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët.
Filmi i plotë u shfaq në Evropë dhe Australi dhe pati një dalje të kufizuar në Shtetet e Bashkuara. Suksesi i “Duel”-it i mundësoi Spielbergut të njihej si regjisor filmi.
Që atëherë “Duel” është njohur si një klasik kulti me ndikim dhe një nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë për televizion.