Wednesday, December 31, 2025

Maska e festës së 31 Dhjetorit dhe zhveshja nudo e 2 Janarit

 

Nga Leonard Veizi

Ndërrimi i viteve sjell gjithmonë të njëjtën magji, por shpesh edhe të njëjtën hipokrizi kolektive. Mbrëmja e 31 dhjetorit dhe dita e 1 janarit mbushen me fjalë të mëdha: urime për shëndet, mirëqenie, begati e rehatllëk mes shqiptarësh. Gotat ngrihen njëra pas tjetrës, mbushen plot e përplot, derdhen nga tepria e dëshirave të mira. “Bereqet”, thonë disa, “qoftë vit i mbarë”, shtojnë të tjerët. Për disa orë duket sikur gjithçka është falur, harruar dhe sikur shqiptari ka gjetur më në fund paqen me veten dhe fqinjin.
Por kjo gjendje nuk zgjat shumë. Është një armëpushim i rremë, një pauzë artificiale në teatrin e jetës sonë të vrazhdë.
Më 2 janar, urimet treten si avull mbi kafenë e hidhur të mëngjesit. Fjalët e ëmbla zëvendësohen nga kujtesa e thartë e borxheve, e hatërmbetjeve dhe e llogarive të pambyllura. Fillojnë zënkat e vjetra, të cilat nuk ishin zgjidhur, por thjesht ishin fshehur pas gjelit të detit dhe fishekzjarrëve. “Do m’i japësh ato lekët që të dhashë borxh… apo t’i marr ndryshe?” – ky është refreni që thyen heshtjen e festës.
Nëse në 31 të është thënë për bakllavanë: Ta hani gëzuar... në datën 2, pa kaluar aq 48 orë, të vjen urimi i radhës: Të ngectë në fyt, jarebi. E njëjta vlen edhe për gjelin e detit. Dhe nuk po flasim këtu për salcën e kosit.
Kërcënimet nuk janë më shaka, dhe shpesh mjafton një fjalë e tepërt, një shikim i vëngërt apo një bori makine në trafik, që situata të përshkallëzohet. Aty ku duhej të kishte mirëkuptim, shfaqet dhuna; aty ku flitej për dashuri, lind armiqësia. Kjo ndodh sepse ne, si shoqëri, kemi investuar më shumë te ritualet e jashtme sesa te reforma e brendshme. Festojmë ndryshimin e numrit të vitit, por refuzojmë të ndryshojmë numrin e gabimeve tona.
Ironia është therëse: “Gëzuar Vitin e Ri, vëlla”, thuhej pak ditë më parë me dorën në zemër. Po ku vajti ajo dashuri për njëri-tjetrin? Ku përfunduan urimet për prosperitet dhe paqe? A ishin vetëm fjalë për të mbushur gotën dhe çastin?
Duket se urimet tona janë si ato fishekzjarrët: bëjnë shumë zhurmë, ndriçojnë për pak sekonda dhe pastaj lënë pas vetëm erë baruti dhe hiri në tokë.
Argumenti i dhimbshëm këtu është se ne përdorim festën si një "lavatriçe" morale. Mendojmë se duke uruar mirësi, po shlyejmë mëkatet e egoizmit të vitit që shkoi. Por mirësia nuk është një akt kalendarik, është një qëndrim etik. Nëse urimi yt nuk e mban dot peshën e 2 janarit, atëherë ai nuk ka qenë urim, por thjesht zhurmë akustike.
Në fund mbetet vetëm një shprehje e thatë, e thënë më shumë nga zakoni sesa nga zemra: “Mos pafsh kurrë keq…” Dhe që të nesërmen ia pret: "Vdeksh, inshallah!" Ky kontrast ekstrem tregon një krizë të thellë karakteri. Kalojmë nga euforia e bekimit te dëshira për asgjësimin e tjetrit brenda 24 orëve.
Pa ndryshuar sjelljen e përditshme, pa u ulur në biseda reale për problemet tona dhe pa pasur guximin të jemi të sinqertë edhe kur nuk ka festë, urimet e Vitit të Ri mbeten veç një maskaradë festive. Ato shuhen sapo fillon viti i vërtetë, ai vit ku jeta matet me vepra, jo me dolli.

Sunday, December 28, 2025

“Sindroma e Parisit”, kur ëndrrat përplasen me bordurat dhe trotuarët



Nga Leonard Veizi
 
Për shekuj me radhë, Parisi nuk ka qenë thjesht një pikë në hartë, por një gjendje shpirtërore. Ai është endur në imagjinatën tonë përmes aromës së bukës së sapopjekur në agim, tingujve të një fizarmonike që përhapen përgjatë Senës dhe dritave që vallëzojnë mbi Kullën Eiffel si thërrime yjesh të rëna mbi qytet...
 
...Ne nuk udhëtojmë drejt tij për të vizituar një qytet, por për të takuar një premtim: atë të romancës së përjetshme dhe të një jete që duket sikur rrjedh në kornizat e një filmi të viteve ’60. Por çfarë ndodh kur perdet mbyllen, dritat zbehen dhe skena përpara nesh nuk është më ajo që kishim imagjinuar?
 

Paradoksi i qytetit të dritave
Parisi, simboli botëror i elegancës dhe artit të jetës, bart me vete një nga paradokset më të çuditshme të turizmit modern. “Sindroma e Parisit” nuk është një mit urban, por një gjendje reale psikologjike që godet vizitorët kur imazhi i tyre "i kristaltë" për qytetin thërrmohet sapo prekin tokën franceze.
 
Zhgënjimi që lindi nga Lindja
Termi u identifikua për herë të parë në vitet 1980 nga psikiatri japonez Hiroaki Ota. Ai vuri re se disa turistë japonezë, të rritur me një vizion idealist të Parisit si kulmi i mirësjelljes dhe estetikës, pësonin një thyerje të rëndë shpirtërore.
Në vend të fushave me livando apo buzëqeshjeve galante, ata ndesheshin me: Ritmin brutal urban të një metropoli të zhurmshëm që nuk ndalet për askënd.
Po aq turistët përballen dhe me barrierat kulturore, stilin e drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë të ftohtë të shërbimit parizien. Ndërkohë që një zhgënjim vjen dhe nga papastërtia e zakonshme si dhe realiteti i një qyteti që, si çdo qytet tjetër, ku ka mbeturina, kaos dhe njerëz që nxitojnë.
 
Kur shpirti vuan, trupi reagon
Për këta udhëtarë, tronditja nuk është vetëm emocionale. Ajo shfaqet përmes simptomave fizike që ngjasojnë me një sulm paniku: marramendje, takikardi (rrahje të shpejta zemre), djersitje dhe halucinacione të lehta.
Në këtë mënyrë Ambasada e Japonisë në Paris ka pasur periudha kur i është dashur të mbajë një linjë emergjence 24-orëshe, e madje të riatdhesojë turistë nën mbikëqyrje mjekësore, pasi trauma e "zhgënjimit" ishte e papërballueshme.
 
Evolucioni i sindromës
Nëse dikur Parisi godiste përmes filmave, sot "fajtor" është Instagrami. Filtrat e ngrohtë dhe fotot e kuruara deri në detaj e kanë thelluar hendekun mes reales dhe virtuales.
Është interesante ta krahasojmë këtë me “Sindromën Stendhal”  - që ndodh kryesisht në Firence, - ku turistët sëmuren nga bukuria e tepërt. Te Sindroma e Parisit, ndodh e kundërta: individi sëmuret nga mungesa e bukurisë së imagjinuar.
 
Si lindi “Sindroma Stendhal”
Emri i dedikohet shkrimtarit të famshëm francez të shekullit XIX, Stendhal që ishte dhe pseudonimi i Marie-Henri Beyle. Në vitin 1817, gjatë vizitës së tij në Firence, ai përjetoi diçka të jashtëzakonshme teksa vizitonte Bazilikën e Santa Croce-s, ku janë varrosur kolosë si Michelangelo, Galileo dhe Machiavelli. Në ditarin e tij të udhëtimit, ai shkroi: "Isha në një lloj ekstaze... rrahjet e zemrës sime u bënë të shpejta, jeta po rridhte brenda meje, ecja me frikë se mos rrëzohesha përtokë."
Megjithëse përshkrimi i Stendhal-it daton që nga viti 1817, termi u shkencërua vetëm në vitin 1979 nga psikiatria italiane Graziella Magherini. Ajo vëzhgoi mbi 100 raste të ngjashme mes turistëve që vizitonin Firencen, të cilët pësonin kriza paniku ose konfuzion përballë kryeveprave të Rilindjes.
 
Bukuria e fshehur te papërsosmëria
Psikologët shpjegojnë se ky fenomen është një përzierje e lodhjes kronike (jet lag), pengesave gjuhësore dhe, mbi të gjitha, shembjes së një idhulli estetik. Megjithatë, kjo sindromë shërben si një leksion i vlefshëm për jetën.
Parisi real – ai me zëra të lartë nëpër kafene, me njerëz që grinden në metro dhe me lagje që nuk duken si kartolina – është shumë më interesant se versioni i tij i filtruar. Ai është një qytet që merr frymë, që gabon dhe që dashuron në mënyrë njerëzore, jo kinematografike.
Përfundimi: Sindroma e Parisit na mëson se udhëtimi i vërtetë nuk është gjetja e asaj që kemi parë në ekrane, por guximi për të parë qytetin (dhe botën) ashtu siç është: i papërsosur, i rrëmujshëm dhe pikërisht për këtë, i gjallë.

Brixhid Bardot, ikona e pakrahasueshme e bukurisë dhe erotizmit

 


Nga Leonard Veizi
 
Kudo në Evropën e viteve ’70 qarkullonte një shprehje ironike për të përshkruar një femër të bukur e plot sharm: “E gënjen mendja se është Brixhid Bardot.” Madje kjo batutë është regjistruar edhe në disa filma artistikë të kohës. Arsyeja ishte e thjeshtë: Brixhit Bardot ishte kthyer në një ikonë të pakrahasueshme të bukurisë dhe erotizmit, një seks-simbol që i kishte rrënjët e suksesit që në mesin e viteve ’50...
 
...Fama e saj kapërceu kinemanë dhe u shndërrua në fenomen kulturor. Aq sa këngëtari i njohur turk me origjinë hebreje, Dario Moreno, i cili jetonte në Francë, i kushtoi në vitin 1961 këngën plot ritëm e adrenalinë me titullin “Brigitte Bardot”.
Për një kohë të gjatë, Bardot qëndroi përkrah Merlin Monrosë si seks-simboli më i fuqishëm i kinemasë botërore. Ndryshe nga Monro, që mishëronte ëndrrën amerikane, Bardot sillte një sensualitet tipik evropian: të lirë, rebel dhe provokues. Ajo u ngjit në majat e suksesit në mesin e viteve ’50 me filmin “Et Dieu… créa la femme”, apo siç vjen në shqip “Dhe Zoti krijoi gruan”, ku personazhi i saj theu tabu dhe ndryshoi mënyrën se si shfaqej femra në ekran. Regjisori i filmit ishte ish-bashkëshorti i saj, Roxher Vadim, i cili e kuptoi se Bardot nuk ishte thjesht një aktore, por një epokë më vete.
Me flokët bionde, shikimin sfidues dhe një liri që tronditi moralin konservator të kohës, Brixhid Bardot u shndërrua në mit. Ajo nuk ishte vetëm një yll kinemaje, por një simbol i transformimit shoqëror, i emancipimit dhe i dëshirës për të jetuar pa maska. Edhe sot, dekada më vonë, emri i saj mbetet sinonim i bukurisë së pakapshme dhe i një kinemaje që guxoi të ëndërronte ndryshe.
 
Lindja në Paris dhe hyrja në art
Brixhit Ana-Mari Bardot lindi më 28 shtator 1934 në Paris, në një familje borgjeze, të rreptë dhe konservatore. Në fëmijëri ishte e ndrojtur, mbante syze dhe nuk binte në sy për bukuri. Prindërit e orientuan drejt disiplinës dhe artit, duke e regjistruar në shkollë baleti. Baleti i dha elegancën trupore dhe vetëkontrollin që më vonë do ta dallonin në ekran.
Në adoleshencë bukuria e saj shpërtheu papritur. Një fotografi në kopertinën e revistës “El” i hapi dyert e kinemasë. Ende shumë e re, ajo u martua me regjisorin Roxher Vadim, njeriun që do të ndikonte vendosmërisht në karrierën e saj.
 
Shpërthimi i famës dhe lindja e një miti
Në mesin e viteve ’50, Brixhit Bardot u ngjit në majat e suksesit me filmin “Dhe Zoti krijoi gruan”, prodhim i vitit 1956. Filmi tronditi moralin konservator të kohës. Personazhi i Bardot ishte sensual, i lirë dhe sfidues. Ajo nuk luante thjesht një rol, por mishëronte një mënyrë të re të të qenit femër.
Për një kohë të gjatë, Bardot qëndroi përkrah Merilin Monros si seks-simboli më i madh i kinemasë botërore. Por ndryshe nga Monro, që mishëronte ëndrrën amerikane, Bardot përfaqësonte sensualitetin evropian: natyral, rebel dhe provokues, pa komplekse dhe pa hipokrizi.
 
Jeta private me dashuri e skandale
Jeta personale e Brixhit Bardot ishte po aq e komentuar sa filmat e saj. Ajo u martua katër herë dhe pati lidhje të shumta sentimentale, të cilat u kthyen vazhdimisht në lajme dhe skandale. Në vitin 1959 lindi djali i saj, Nikolas-Zhak Sharje. Bardot e pranoi hapur se amësia nuk ishte roli që e kishte bërë të lumtur, një deklaratë e pazakontë dhe tronditëse për shoqërinë e asaj kohe. 
Pas shkëlqimit të famës fshihej një shpirt i lodhur. Presioni i medias, adhurimi i tepruar dhe humbja e lirisë personale e shtynë gjithnjë e më shumë drejt largimit nga ekrani.
 
Lamtumira e kinemasë dhe mision i ri
Në vitin 1973, në kulmin e famës, vetëm 39 vjeçe, Brixhit Bardot u tërhoq përfundimisht nga kinemaja. Ajo zgjodhi heshtjen e jetës private dhe iu përkushtua mbrojtjes së kafshëve. Themeloi Fondacionin “Brixhit Bardot”, i cili u bë një nga zërat më të fortë ndërkombëtarë për të drejtat e kafshëve.
Nga ikonë erotike, Bardot u shndërrua në aktiviste të vendosur, shpesh polemike, por gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe e paepur.
 
Fundi i një legjende
Brixhit Bardot u nda nga jeta të dielën më 27 dhjetor 2025, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë së kinemasë dhe kulturës evropiane. Me vdekjen e saj u shua një nga figurat më emblematike të shekullit XX, por jo miti.
Vdekja e Bardot u njoftua nga fondacioni i saj në një deklaratë të dërguar në “Agence France-Presse” ku thuhej: "Fondacioni Brixhit Bardot njofton me trishtim të madh vdekjen e themelueses dhe presidentes së saj, Madame Brigitte Bardot, një aktore dhe këngëtare me famë botërore, e cila zgjodhi të braktiste një karrierë prestigjioze për t'i kushtuar jetën dhe energjinë e saj mirëqenies së kafshëve dhe fondacionit të saj".
 
Epilogu
Brixhit Bardot nuk ishte thjesht një aktore apo një seks-simbol. Ajo ishte një epokë, një revolucion estetik dhe shoqëror, një grua që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si femra u pa në ekran. Edhe pas largimit të saj nga kjo botë, emri i Bardot mbetet sinonim i bukurisë së lirë, guximit dhe të jetuarit pa kompromis.

Friday, December 26, 2025

Sergej Esenini, gjeniu i poezisë që vargjet e fundit i shkroi me gjakun e tij

Vetëvrasja enigmatike e 30 vjeçarit, në 28 dhjetorin e vitit 1925 


Nga Leonard Veizi
 
Në dhomën e vogël, dritat dridheshin mbi muret bosh. Boja kishte mbaruar, por poezia e fundit nuk mund të priste. Ajo duhet të shkruhej, edhe nëse çmimi do të ishte i papërshkrueshëm….
 
…Ai u ul në heshtje, ndjeu ftohtësinë që përhapej si një pushtues i heshtur, dhe vendosi të bëjë atë që mendja e tij e trazuar e kishte konceptuar prej ditësh. Preu damarët dhe, në një akt të përzier të dhimbjes dhe krijimtarisë, penën e ngjeu në rrëkenë që rridhte pa pushim. Çdo fjalë mbi letër ishte një thirrje në boshllëk, një testament i heshtur që fliste për vetminë, për dhimbjen dhe për nevojën për të lënë gjurmë në një botë që kurrë nuk do ta kuptonte plotësisht.
 
Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!
Ty këtu në shpirt të kam, ta dish!
Fati po na ndan sot pa dëshirë,
Po diku do shihemi sërish!
 
Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!
Vetullat t’i ngrysesh, s’ke përse.
Vdekja s’është gjë e re në botë.
As të rrosh nuk është gjë e re.
 
Më pas, në një gjendje krejt haluçinative lidhi skajin e një litari tek tubat e ngrohjes në tavanin e dhomës, ndërsa fundin e tij do të shtrëngonte rreth grykës. Të nesërmen do të gjendej pa jetë aty në mesin e dhomës së një hoteli me emrin “Angleterre” në Leningradin e dikurshëm. Mbi skrivaninë kishin mbetur të shkruara mbi letër tetë vargjet e frymës së të fundit, ku ai ishte po aq madhështor në lirizmin e tij. Ishte 28 dhjetori i vitit 1925. Vetëm 87 ditë më parë kishte mbushur të tridhjetat e tij. Për lirikun e madh rus nga ai çast do të niste jeta e përtejshme. Pa lodhje demoralizuese dhe për më tepër pa depresione
 
Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për asgjë!
Kush ka dashur, s‘mund të dashurojë!
Kush është djegur, s‘mund të digjet më!
 
Ai ishte një poet i rrallë. Një gjeni i poezisë që shkëlqeu si një meteor në rënie të lirë me vargjet e tij. Lirik i pakrahasueshëm. Por ishte shumë i ri kur e la këtë botë, çuditërisht i lodhur e i dërmuar nga gjithçka kishte jetuar. Madje i lodhur dhe nga vetë poezia. Asaj të cilës i qe kushtuar aq shumë dhe që e ktheu në një mit.
 
Eh moj forcë që venitesh
Do të vdes kjo s’ka dyshim
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim
 
Treni që mbante trupin e tij shpejtonte mes borës dhe të ngricës për në Moskë. Ndërsa pikërisht aty, në varrezat Vagankovskoje, do të ishte ndalesa e tij e fundit, dhe streha e tij e fundit gjithashtu. Mbi varr lartohet një skulpture e bardhe mermeri. Ndërsa përreth lulet natyrale nuk i mungojnë kurrë.
 
Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.
 
Ishte një gjeni arti e tij të të shkruarit. Dhe rrallë mund të vijnë poetë si ai. Jetoi pak por ndoshta mjaftueshëm për të dhënë gjithçka të mundshme. E mjaft të themi se ai la në trashëgiminë e tij një nga perlat e poezisë botërore kushtuar nënës dhe gjithçka do të ishte e mjaftueshme.
 
Gjallë je, ti moj nënoçka ime?
Gjallë jam edhe unë… të përshëndes
Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde deri në mëngjes.
 
Mora vesh se ti je merakosur
Atje larg për mua përsëri
Se ti shpesh del rrugës e brengosur
Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.
 
Ashtu si çdo vetëvrasje edhe ajo e Sergei Eseninit pati jehonën e një konspiracioni. Megjithatë askush nuk dëshmoi se poetin e magjishëm e kishin vrarë dhe aspak nuk ishte vetëvrarë. Ndërkohë që shtypi i kohës do të shkruante se vetëvrasja e Eseninit shkaktoi një epidemi vetëvrasjesh nga fansat e tij, kryesisht femra. Vargjet e lirikut të madh rus vazhdojnë të lexohet ende nga miliona njerëz në tërë boten. Vdekja e tij e parakohshme, antipatia që kishte ndaj tij e ashtuquajtura elitë, adhurimi nga njerëzit e zakonshëm dhe sidomos sjellja e tij sensacionale deri tej limiteve, e kthyen popullaritetin e tij artistik dhe vetë Eseninin në një figurë mitike.

Wednesday, December 24, 2025

“Jezusi” i Franko Cefirelit, humanizimi i së shenjtës në një epokë zhurme


Nga Leonard Veizi
 
Kur në vitin 1977, Franko Cefireli solli në dritë “Jezusin e Nazaretit”, ai nuk po dorëzonte thjesht një tjetër projekt kinematografik; ai po hartonte një testament të ri mes besimit estetik dhe etikës njerëzore. Në një peizazh filmik ku figura e Krishtit kishte mbetur e pezullt — herë e humbur në madhështinë pompoze të epikës hollivudiane të viteve ’50, e herë e zbërthyer përmes thjerrëzës subversive dhe provokimit intelektual të Pasolinit — Xefireli guxoi të kërkonte një rrugë tjetër, më intime...
 
..Regjisori italian kreu një akt thuajse alkimik: ai e shkundi pluhurin e shekujve nga ikonografia e ngrirë e katedraleve, duke i dhënë frymë e mish një figure që deri atëherë i përkiste vetëm qetësisë së muzeve apo kishave. Krishti i tij nuk ishte një hije e largët dhe e paarritshme, por një qenie drite që ecën mes pluhurit të rrugicave të Galilesë, duke i kthyer mrekullisë dimensionin e saj më të thellë: atë të takimit njerëzor. Në dorën e Cefirelit, kamera nuk ishte thjesht një mjet vëzhgues, por një penatë që pikturonte me dritëhije lëkundjen mes hyjnores që zbret në tokë dhe njerëzores që vuan, dashuron dhe shpreson."


 
Midis historisë dhe mistikës
Në një kohë kur spektakli shpesh e gëlltit kuptimin, Cefireli zgjodhi të ecte ngadalë. Ai e kuptoi se për të treguar “Lajmin e Mirë” nuk duheshin krisma, por solemnitet. Duke i dhënë hapësirë fjalës, heshtjes dhe mbi të gjitha shikimit, regjisori italian ndërton një urë komunikimi mes Lindjes së Mesme të shekullit të parë dhe shikuesit modern.
Filmi nuk kërkon tronditjen përmes mrekullive si efekt special, por përmes përulësisë së tyre. Jezusi i Robert Powell-it nuk imponohet; ai rrezaton. Sytë e tij — të qetë, të palëkundur, pothuajse jashtëkohorë — janë boshti moral i filmit, një dritë që nuk verbon, por orienton. Cefireli shmang heroizmin e zhurmshëm dhe e vendos Krishtin në një humanitet të prekshëm: ai dëgjon, ai dyshon në kopshtin e Gjetsemanit, ai ndien peshën fizike të drurit. Kjo është forca e vërtetë e veprës: shenjtëria që lind nga dhembshuria, jo nga fuqia.
 
Pushteti, frika dhe rrënimi i dogmës
Në rrafshin editorial, filmi flet po aq për pushtetin sa edhe për shpirtëroren. Autoritetet fetare dhe politike të kohës — Sinedri dhe Roma — paraqiten jo si karikatura të thjeshta të së keqes, por si mekanizma kompleksë, të frikësuar nga një e vërtetë që nuk pranon vargonjtë e status-kuosë.
Këtu, Jezusi nuk kryqëzohet vetëm për blasfemi; ai kryqëzohet sepse prish ekuilibrat e rremë. Ai e vendos njeriun mbi dogmën dhe mëshirën mbi ligjin e verbër. Ky mesazh mbetet i mprehtë edhe sot, në një epokë ku rregullat dhe burokracitë shpesh përdoren si maska për të fshehur mungesën e drejtësisë dhe dehumanizimin e tjetrit.


 
Darka e fundit
Nëse ka një moment ku Cefireli arrin të shkrijë mjeshtërinë e tij skenike me dritëhijet e Karavaxhos, ai është “Darka e Fundit”. Kjo skenë nuk trajtohet si një pikturë statike, por si një pasazh i dendur me tension njerëzor. Nuk ka asgjë festive në atë mjedis të errët, të ndriçuar vetëm nga flaka e qirinjve; aty mbretëron një trishtim i pashmangshëm, një parandjenjë e lamtumirës.
Thyerja e bukës nuk shfaqet thjesht si rit teologjik, por si një akt i fundit dashurie mes një mësuesi dhe miqve të tij. Kamera kap dridhjen e duarve, djersën në ballin e dishepujve dhe shikimin depërtues të Jezusit që, edhe pse e di tradhtinë që po vjen, nuk zgjedh dënimin, por sakrificën. Në këtë darkë, Krishti i Cefirelit zhvishet nga çdo petk hyjnor për t’u shfaqur si njeriu që po ndahet nga jeta, duke e shndërruar bukën dhe verën në simbole të një pranie që do të mbetet përtej vdekjes.
 
Estetika e shkretëtirës
Cefireli, mjeshtër i teatrit dhe operës, e trajton hapësirën si një skenë morale. Peizazhet e Judesë — të filmuara në Tunizi dhe Marok — janë të thata, por asnjëherë të zbrazëta; ato pasqyrojnë etjen e brendshme të një populli për kuptim dhe shpresë.
Në këtë kuadër, muzika e Moris Zhar-it nuk komenton dhe nuk dikton emocionin; ajo shoqëron rrugëtimin si një psalm që rrjedh nën zë, duke i dhënë frymëmarrje momenteve më dramatike pa rënë në patos të tepruar.



 
Kryqëzimi si ulërimë e heshtur
Tek Xefireli, Kryqëzimi zhvishet nga çdo zbukurim. Golgota nuk është podium lavdie, por vend pluhuri, gjaku dhe braktisjeje. Regjisori shmang “pornografinë e dhimbjes”, duke u përqendruar te pesha e heshtjes hyjnore.
Jezusi mbi kryq nuk është më mësuesi elokuent i Galilesë, por njeriu i thyer fisnikërisht, i cili në kulmin e agonisë shqipton fjalët e faljes. Lotët e Marisë nuk kërkojnë britma; shikimi i centurionit mjafton për të kuptuar se po vdes diçka më e madhe se një trup. Kryqëzimi nuk është fundi i një biografie, por dështimi i dhunës përballë dashurisë.
 
Një trashëgimi e përhershme
Në fund, “Jezusi i Nazaretit” mbetet një ftesë për reflektim, jo për konsum kulturor. Ai nuk kërkon të bindë përmes indoktrinimit, por të prekë përmes ndjeshmërisë. Në një botë që flet me zë të lartë dhe dëgjon pak, Cefireli na kujton se e vërteta shpesh vjen në heshtje — dhe se forca më e madhe e besimit është aftësia për të parë tjetrin, para së gjithash, si njeri.
Kjo e bën filmin jo thjesht një klasik fetar të arkivave televizive, por një editorial të përhershëm mbi dinjitetin njerëzor dhe nevojën universale për dritë në kohë errësire.





Çarli Çaplin, tragjikomiku i kinemasë

U lind në Londër në 16 prill të vitit 1989, dhe ndërroi jetë në Zvicër më 25 dhjetor 1977


 Nga Leonard Veizi
 
Ai është një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë. Një talent i jashtëzakonshëm, i cili shpenzoi jetën për t'i bërë njerëzit të qeshin dhe të mendojnë. I bazuar mbi një humor fin, asnjë prej roleve të tij nuk shkiti në banalitet. Përkundrazi...  “Ai nuk ishte një yll Hollivudi, - është shprehur ekspertja amerikane e Çaplinit, Lisa Stein Haven, - sepse kur ai ishte një yll, Hollivudi nuk ekzistonte.” Edhe sot mund të thuash që: Çarli Çaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë...
 
...Ai nuk erdhi në këtë botë thjesht si një aktor; ai erdhi si një dëshmi e gjallë se arti mund të jetë njëkohësisht një buzëqeshje dhe një britmë. 
I lindur në varfërinë e skajshme të Londrës më 16 prill 1889, Çarli Çaplin shpenzoi jetën në kërkim të një gjuhe universale. Në historinë e kinemasë, ku humori shpesh rrëshqiste në banalitet, Çaplini ndërtoi një kështjellë prej hirusheje të bazuar mbi një humor fin dhe inteligjent.
Siç u shpreh ekspertja Lisa Stein Haven: “Ai nuk ishte një yll Hollivudi, sepse kur ai ishte yll, Hollivudi ende nuk ekzistonte.” Ai ishte vetë arkitekti i magjisë filmike.
 
Maska e një legjende
Mustaqet e zeza, kapelja që sfidonte gravitetin, bastuni prej bambuje dhe ecja si rosak me këpucët që dukeshin sikur mbanin peshën e botës—këto nuk ishin thjesht elemente kostumi. Ishte lindja e Sharlotit, vagabondit fisnik që nuk kishte asgjë në xhep, por mbante gjithë dinjitetin e njerëzimit në shpirt.
 
Një fëmijëri mes jetimoreve
Rruga drejt lavdisë nuk u shtrua me lule, por me lotët e një fëmijërie të vjedhur. Me një baba të humbur pas alkoolit dhe një nënë, Hanën, e cila mes skenës dhe spitalit psikiatrik humbi arsyen, Çarli dhe i vëllai, Sidnej, u rritën në ftohtësinë e jetimoreve të Londrës. Megjithatë, mes asaj errësire, Çarli trashëgoi nga e ëma dritën e interpretimit. Ai u ngjit në skenë që në moshën 5-vjeçare, duke kuptuar se e qeshura e publikut ishte e vetmja mburojë kundër mjerimit.
 
Lindja e Sharlotit
Në vitin 1913, fati e hodhi përtej oqeanit, në Amerikë. Tek kompania "Keystone", ku filmat prodhoheshin si në fabrikë, Çaplinit iu kërkua të improvizonte një maskë. "Nuk kisha idenë më të vogël për personazhin," kujtonte ai. Por sapo veshi pantallonat e gjera, xhaketën e ngushtë dhe këpucët e mëdha, lindi Sharloti. Ishte një kontrast vizual që pasqyronte kontradiktat e vetë jetës: varfërinë materiale dhe pasurinë shpirtërore.
 
Arti i heshtjes
Kur kinemaja filloi të fliste, Çaplini hezitoi. Ai besonte se Vagabondi ishte një qenie universale që komunikonte me gjuhën e shpirtit, jo me tinguj. "Nëse do të filloja të flisja, do të isha bërë një komik si gjithë të tjerët," thoshte ai. Për vite me radhë, ai mbeti "ishulli i fundit" i heshtjes në një Hollivud që po gumëzhinte, duke krijuar kryevepra si "Dritat e Qytetit" dhe "Kohët Moderne", ku kritika ndaj mekanizimit të njeriut mbetet aktuale edhe sot.
 
"Diktatori i Madh" dhe profecia e paqes
Në vitin 1940, Çaplini thyen heshtjen. Me filmin "Diktatori i Madh", ai sulmon frontalish Hitlerin, duke përdorur satirën si armën më të fuqishme kundër tiranisë. Fjalimi i tij final në atë film nuk ishte skenar, ishte një manifest njerëzor: "Fuqia që u është rrëmbyer njerëzve, do t'i kthehet popullit!"
 
Mërgimi drejt përjetësisë
Megjithë suksesin, Amerika e viteve '50 nuk ia fali kurrë qëndrimet e tij kritike dhe refuzimin për të marrë nënshtetësinë. I akuzuar dhe i padëshiruar nga konservatorët, ai u largua drejt Europës, duke u vendosur në qetësinë e Zvicrës.
Më 25 dhjetor 1977, në ditën e Krishtlindjeve, njeriu që i dha botës të qeshurën, mbylli sytë përgjithmonë. Çarli Çaplin iku, por Sharloti mbeti—duke ecur ende në atë rrugë të gjatë që humbet në horizont, me bastun në dorë dhe me shpresën se, pavarësisht gjithçkaje, jeta ia vlen të jetohet me buzëqeshje.

Monday, December 22, 2025

Mes propagandës dhe bidonit, kur lekët e rrogës shkojnë për ujë dhe letër higjienike


Nga Leonard Veizi

“Ditën që erdhi haberi… dilni se erdhi E…”.
Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:
Ditën që erdhi lajmi se qeveria e rriti rrogën e punonjësve nga 400 në 500 mijë lekë (të vjetra), hyra në shtëpi me hapin e një njeriu që sapo ka fituar lotarinë dhe nuk di ku t’i prishi paratë. Me gjoksin ngrehur dhe sytë drejt një rrezeje të re shprese, thirra që te pragu:
Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!
Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.
Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.
-E ekzagjerove, - iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.
Pas kësaj ndërhyrjeje,  me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.
Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo.
Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.
Dy, - iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.
Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?
Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.
Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.
Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:
Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.
Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?
Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?
22 mijë lekë.
Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë.
— Sa ujë me bidona konsumojmë në muaj?
Nisa të mendohem.
-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.
Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.
— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?
Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.
— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.
Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo... u katandis kokoshi një thelë.
— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë!
Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.
Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:
Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!
Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi... dhe lista bashkë me të.
Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të Ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.
Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu? Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.
— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, piceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.
— Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?
— Do vemë dhe aty, po prit se ka rradhë puna.
— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. — Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotjere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.
Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.
Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.
Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “Ok”-ej të plotë.
— E sheh? Filluan të të vijnë mend.
Dhe unë për kompesim i dhashë një tjetër “Ok”, sigurisht po aq të plotë.
Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.
Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë tonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonave me ujë, dhe... letrave higjenike.

Friday, December 19, 2025

Kur “Portokallia” shkrihet me Festivalin e Këngës në një binom pa identitet


Nga Leonard Veizi
 
Të them të drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek RTSH për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSHsë bëjnë edhe të pamundurën për të të çuditur.
-Vezë doni?
-Meqë është gjella më operative dhe me kalori…
Fillimisht mendova se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja “Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi, gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive, kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.
Ç’ne “Portokallia në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme. Është,-  pak a shumë, – si të hysh në një godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e traktoristëve.
-Rrusht Mezini…
-Këtu… Unë jam Rrusht Mezini.
-Jeni lodhur shoku Jorgo.
-Epo nuk i thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi…
Këto janë batuta filmash. Por në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më forma, por identiteti.
Mirë atëherë, konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, – sugjeronte Andi këngëtari Sotirin, që ishte Drejtori i Pallatit të Kulturës.
– Agimi… ai karagjozi? – u pataks Sotiri. – Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.
Batutat janë shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, “Edhe ashtu edhe kështu”, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.
Sepse Festivali i Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv, një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.
Dhe kjo zhvendosje nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve, mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me shown, trashëgiminë me audiencën, identitetin me klikimin.
Dhe kështu vazhdon të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSH do të ofertojë edhe Ledionin.
– Ec e na jep një dorë në malore.
Jo sepse ata nuk janë profesionistë, por sepse TVSH sillet si një institucion që ka hequr dorë nga vetja.
– Përpara ca kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati. Ca e çuditshme kjo, apo jo? – shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, pikërisht tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” i regjisorit Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.
S’ka asgjë për t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon, – u justifikua Leloja, që ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin “Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës infermiere.
TVSH, si një institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.
Si konkluzion, më rezulton se TVSH është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme, gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht, duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.
Spektakli më i madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë institucionit, në edicionin e 64 të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i “Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë. Sepse pyetja nuk është: pse Salsano? Por pse gjithmonë dikush nga jashtë.
Ky huazim i përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik nuk investon më në njerëzit e tij, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.
Ndërkohë, TVSH vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh një herë në tre ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të flejë në bobinat e viteve ’70, të padigjitalizuara, të padukshme për brezat e rinj, sikur këto regjistrime të ishin një relike muzeale dhe jo një detyrim publik.
TVSH nuk është më në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSH është në një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan “normalitet”.
Kjo është TVSHja sot. Dhe me sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe jo thjesht emrat në ekran, kjo do të mbetet TVSHja edhe nesër: një organizëm i madh, i lodhur, që mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si të notojë vetë.

Tuesday, December 16, 2025

1920 – Kur Shqipëria e brishtë, me 35 vota të plota, fitoi mbijetesën diplomatike


Nga Leonard Veizi
 
Një komb i vogël, i dalë nga hiri i shkatërrimit dhe i rrethuar nga hije të rënda ambiciesh territoriale. Kjo ishte Shqipëria e fillim-viteve '20, një fidan i brishtë sovraniteti, fati i të cilit dukej i varur nga oreksi i të fuqishmëve. Por ishte pikërisht në këtë klimë të errët, në dhjetorin e ftohtë të vitit 1920, që ndodhi një mrekulli e vërtetë politike: pranimi i Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
 
...Nuk ishte thjesht një akt formal. Për Shqipërinë, kjo ishte një certifikatë mbijetese, një e drejtë për të jetuar, e vulosur nga bashkësia ndërkombëtare. Aty, në Gjenevë, nën hijen e idealeve të paqes dhe stabilitetit të parë pas Luftës së Parë Botërore, shteti shqiptar kërkonte jo lëmoshë, por vendin që i takonte me të drejtë në hartën e botës.
 
Kundërshtitë
Imagjinoni sallat e Gjenevës atë kohë: të rreptuara, formale, të mbushura me fuqi të mëdha që shihnin një Shqipëri si një pikëpyetje, ndoshta si një territor për t'u ndarë, por aspak si një subjekt të barabartë. Kërkesa e Shqipërisë u ndesh me një mur mosbesimi dhe kundërshtie, kryesisht nga Jugosllavia dhe Greqia, të cilat vinin në dyshim jo thjesht stabilitetin, por edhe vetë të drejtën e shtetit të ri për ekzistencë. Çështja e kufijve dhe pretendimet territoriale mbeteshin një plagë e hapur.
Në këtë çast të dëshpëruar, kur zëri i Shqipërisë rrezikonte të shuhej para se të niste, doli në pah një aleat i papritur, një figurë që u bë zëdhënëse e ndërgjegjes ndërkombëtare: Lord Robert Cecil, përfaqësuesi i Afrikës së Jugut.
Me argumente që shkonin përtej politikës së ngushtë—duke u mbështetur te morali, te aktet juridike dhe te parimi i barazisë së kombeve—Cecil hodhi poshtë çdo dyshim. Ai këmbënguli se mbyllja e derës për Shqipërinë do të ishte një padrejtësi historike dhe një tallje me vetë idealet e Lidhjes së Kombeve. Ky ishte çasti kur peshorja diplomatike nisi të anonte në favorin e Shqipërisë.
 
Qëndrimi zyrtar
Minsitria e Jashtme shqiptare, në faqen e saj onlajn, ka postuar një shkrim me titull: “Antaresimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, 1920”, ku mes të tjerash shkruhet: 
“Qeveria shqiptare e konsideroi antarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha . Ajo shfrytëzoi faktin që me 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i pare i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjeneve të Zvicrës. Me 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli i drejtoi një leter Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond në të cilën në emër të popullit shqiptar kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve e të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.Periudha 12 tetor 1920 deri me 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, ishte e mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, dhe e mbështetur nga miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik Aubrey Herbert, etj”.
 
Fitorja e brëndshme
Debatet u mbyllën me një votim triumfues: 35 vota pro dhe asnjë kundër. Një fitore madhështore që dëshmoi aftësinë e diplomacisë shqiptare për të lëvizur zemrat dhe mendjet në një arenë plot me ujqër politikë.
Megjithatë, kjo fitore erdhi me një kusht të thellë moral: respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare, një angazhim për tolerancën dhe barazinë në fe dhe arsim.
Pjesën më solemne të këtij zotimi e nënshkroi një nga figurat më vizionare të kohës, atdhetari dhe intelektuali i madh, Fan Stilian Noli, Kryepeshkopi i Durrësit dhe kreu i delegacionit shqiptar. Prania e tij në Gjenevë nuk ishte thjesht formale; ajo dëshmonte para botës se Shqipëria kishte jo vetëm vullnetin, por edhe elitën intelektuale dhe morale për të qenë pjesë e rendit modern ndërkombëtar. Noli garantoi se Shqipëria do të ishte një vend ku shumëllojshmëria kulturore dhe fetare do të respektohej thellësisht.
 
Pika e kthesës
Dhjetori i vitit 1920 nuk ishte fundi i sfidave, por ishte fundi i frikës se Shqipëria mund të zhdukej. Me atë votë, Shqipëria fitoi një mburojë juridike kundër pretendimeve të huaja dhe një platformë nga e cila mund të ngrinte zërin e tij.
Ai çast i dha Shqipërisë dinjitetin e humbur dhe e vendosi vendin në tryezën e kombeve si një shtet i njohur dhe i respektuar. Lidhja e Kombeve i dha frymëmarrje shtetit të brishtë dhe e ndihmoi atë të qëndronte në këmbë, duke i mësuar të gjithëve se edhe kombet e vogla, kur bashkojnë vullnetin dhe diplomacinë e tyre, mund të fitojnë të drejtën e tyre për ekzistencë. 1920-a mbetet çasti kur Shqipëria pushoi së qeni një problem territorial dhe u bë një zë i njohur ndërkombëtarisht.

Sabri Godo, rrëfimtari që kërkoi njeriun përtej historisë

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Kur flitet për Sabri Godon, mendja shpesh lëviz mes kontributit të tij si politikan themeltar i të djathtës dhe si një nga shkrimtarët më të shquar të prozës historike shqiptare. Megjithatë, tek ai këto dy dimensione nuk ishin asnjëherë në kundërshtim. I lindur për t’i qëndruar besnik mendimit dhe dinjitetit, Godo e gjeti te letra strehën dhe forcën më të madhe për të sfiduar një sistem që përpiqej ta thyente...
 
...Largimi i tij nga jeta më 3 dhjetor 2011 shënoi humbjen jo vetëm të një prej mendjeve më të kthjellta të politikës moderne shqiptare, por mbi të gjitha të zërit të tij të mençur dhe të thellë, të përjetësuar në veprat monumentale që i la trashëgimi kombit. Ai ishte njeriu që, pasi u përjashtua nga jeta publike, i dha vetes misionin për t’u bërë rrëfimtari i historisë, duke e kthyer penën në armën më të fortë të rezistencës së tij intelektuale.
 
Shpëtimi te letërsia
Sabri Godo lindi për të qenë në kundërshtim me kohën e vet – jo si rebel, por si njeri që nuk e tradhton asnjëherë mendimin dhe dinjitetin. Ai shërbeu fillimisht si oficer në ushtri, pasi më parë se kaq, që në moshën 14-vjeçare, për 23 muaj – nga korriku i vitit 1943 deri në maj 1945 – mori pjesë në të gjitha Luftrat e Brigadës VI Sulmuese, në Shqipëri e Jugosllavi, ku u shqua e më pas u dekorua për trimëri të veçantë.
Përvoja e tij jetësore nën regjimin komunist ishte një kalvar i gjatë, i mbushur me dyshime, presione, survejime dhe kërcënime, sidomos pas përjashtimit si “politikisht i padëshiruar” në vitin 1948. Në vitin 1953, partia ku kishte aderuar në shkurt të vitit 1944 e përjashtoi pa hezitim. Martesa me një vajzë nga një familje aristokrate, e shoqëruar me prejardhjen e vet të ndërlikuar, ia vuri jetën në teh të briskut.
Megjithatë, tek ai nuk u thye asgjë thelbësore. Ai gjeti strehë, shpagim dhe forcë në letërsi, duke u shndërruar në një prej penave më të vyera të prozës shqiptare.
 
Romanet historike
Aftësia e Sabri Godos si shkrimtar qëndron në thellësinë e kërkimit historik të ndërthurur me një psikologji të hollë të personazheve. Zgjedhja e tematikave nuk ishte e rastësishme; ai u përkushtua figurave qendrore të historisë shqiptare dhe ballkanase.
Veprat e tij, si Plaku i Butkës (1966), Ali Pashë Tepelena (1970) dhe Skënderbeu (1975), nuk janë thjesht romane apo rindërtime kronologjike, por shtyllat monumentale të rrëfimit historik shqiptar. Aty, shkrimtari kërkon përtej faktit dhe kronikës, duke synuar njeriun, karakterin dhe enigmën e personaliteteve.
Në Skënderbeu, Godo ofroi një portret real, duke eksploruar burrin pas mitit dhe dilemat e tij njerëzore.
Në Ali Pashë Tepelena, ai realizoi një studim mbi natyrën tragjike të pushtetit dhe ambiguitetin moral të prijësit.
Përveç romaneve historike, Godo u tregua mjeshtër edhe në vëzhgimin e jetës bashkëkohore, siç dëshmojnë tregimet Zëra nga burime të nxehta (1972) dhe Intendenti (1973), si dhe romanet sociale Ujërat e qeta (1988) dhe Koha e njeriut (1990). Këto vepra, së bashku me romanin e fundit Udhëtari (2009), i dhanë mundësinë të reflektonte mbi kalvarin e vet personal dhe kolektiv gjatë viteve të regjimit.
 
Vizioni politik
Vitet ’90 e gjetën Godon, tashmë një figurë të konsoliduar të jetës letrare, në anën e natyrshme të historisë, duke themeluar Partinë Republikane më 10 janar 1990. Edhe në politikë ai mbeti i njëjti si në letërsi: i matur, i qartë, i drejtë. Ai besonte te fjala, te argumenti dhe te gjesti i vogël që ndërton më shumë se premtimi i madh.
Sabri Godo iku fizikisht në vitin 2011, por puna e tij letrare, roli i tij politik dhe qëndrueshmëria e tij morale janë pjesë e pandashme e historisë sonë. Ai mbetet portreti i një njeriu që nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë, por as nuk u mposht prej saj. Një zë i qetë, i mençur dhe i pathyeshëm – zëri i shkrimtarit që na tregoi thelbin e karaktereve tona kombëtare – që flet ende.
 

 
 

Robert Shvarc, mjeshtri universal i përkthimit që bëri gjuhët e botës të flasin shqip

 


Nga Leonard Veizi

Në panteonin e kulturës shqiptare ka figura që në heshtje e pa zhurmë, kanë ndërtuar ura thelbësore mes gjuhës shqipe dhe thesarit të letërsisë botërore. Robert Shvarc është një prej këtyre arkitektëve të padukshëm, një zë përkthimi që, si një dritare e vjetër biblioteke, lejoi dritën e qetë, por të fuqishme, të letërsisë perëndimore të hynte dhe të ndriçonte gjuhën shqipe. Ai ishte thellësisht i përulur dhe i palodhur, duke e kthyer përkthimin nga një detyrë teknike në një akt pasurimi dhe frymëmarrjeje kulturore.

...Lindur më 1932 në Sarajevë, Robert Shvarc e kishte të rrënjosur ndërlidhjen kulturore dhe shumëgjuhësinë. Kjo origjinë i dha atij një ndjeshmëri të veçantë për nuancat gjuhësore, duke e bërë jo thjesht një bartës fjalësh, por një transfuzionist shpirtërash letrare. Kur ai erdhi në Shqipëri, gjuha shqipe nuk ishte vetëm mjeti i ri i komunikimit, por terreni ku do të kultivonte, me kujdes të pashoq, bukuritë e letërsisë botërore—sidomos asaj gjermanishtfolëse.

Dritarja që hapi Shvarc
Për Shqipërinë, e cila për vite me radhë kishte një qasje të kufizuar ndaj letërsisë perëndimore, përkthimet e Shvarcit ishin një dritare thelbësore. Ai e ndërtoi reputacionin si “ikona e gjuhës gjermane në përkthim”, pikërisht sepse nuk bënte kompromis me cilësinë.
Përkthimet e Remarque-s, të sjella prej tij, nuk ishin thjesht libra; ishin leksione mbi humanizmin, mbi rëndësinë e individit përballë makinës shtetërore dhe luftës, duke i dhënë lexuesit shqiptar një thesar të vërtetë filozofik dhe emocional. Puna e tij me Remarque-n dëshmoi se gjuha shqipe ishte plotësisht e aftë të përballonte tema të thella ekzistenciale dhe të përçonte kompleksitetin e shpirtit modern evropian.
 
Kanoni i letërsisë botërore në Shqipëri
Kontributi i Shvarcit shtrihet në një gamë të gjerë autorësh dhe zhanresh, duke themeluar praktikisht kanonin modern të letërsisë së përkthyer në Shqipëri. Ai solli në shqip:
Erih Maria Remark: Përmes tij, shqipja përthithi ankthin, humanizmin dhe tronditjen e botës së pasluftës, me një saktësi që ruan melankolinë origjinale.
Gëte: Duke përkthyer këtë kolos të romantizmit dhe klasikës gjermane, Shvarc ngriti vetë nivelin e gjuhës shqipe drejt së sublimtes, duke treguar aftësinë e saj për të përballuar madhështinë stilistike të autorit.
Lion Fojtvangër dhe Bertolt Breht, si edhe shumë emra të tjerë të letërsisë gjermanishtfolëse e asaj të Amerikës Latine — përfshirë Gabriel Garsia Markes — hynë në jetën kulturore shqiptare falë punës së tij, duke u bërë pjesë e shqipes jo si të huaj, por si autorë që “rilindën” në gjuhën tonë.
Përkthimi i Shvarcit nuk synonte thjesht ta zbriste autorin drejt shqipes; ai bënte të kundërtën, duke e ngritur shqipen drejt autorit. Ai zotëronte një balancë të rrallë mes besnikërisë filologjike dhe ndjeshmërisë artistike, duke siguruar që teksti të ishte i saktë, por edhe i gjallë e i bukur.
 
Përkthimi si akt dashurie gjuhësore
Puna e tij shënoi një periudhë kyçe në modernizimin e leksikut shqiptar. Në duart e Shvarcit, shqipja nuk ishte thjesht një pranojese e botëve të huaja, por një gjuhë që rritej, pasurohej dhe fitonte fleksibilitet të ri sintaksor. Ai ishte në thelb një kultivues i gjuhës shqipe përmes burimeve të jashtme, duke lënë pas një gjurmë stilistike që ndikon edhe sot brezat e përkthyesve.
Zgjerimi i argumentit për rolin e Shvarcit bëhet më i prekshëm duke analizuar përkthimin e veprave të Erih Maria Remark. Ai nuk ishte thjesht përkthyes i Remark; ishte kanali përmes të cilit humanizmi i pasluftës dhe refuzimi i militarizmit mbërritën në ndërgjegjen shqiptare. Letërsia e Remarque-s, e mbushur me melankoli, humbje dhe kritika të mprehta ndaj shoqërisë, kërkon një përkthyes të ndjeshëm ndaj tonit dhe atmosferës — dhe Shvarc e zotëronte këtë.
 
Trashëgimi më e madhe se nderimet
Robert Shvarc u nda nga jeta më 25 prill 2003, duke lënë pas një trashëgimi që është sot pjesë organike e kanonit kulturor shqiptar. Nderimet që mori gjatë jetës flasin për rëndësinë e tij ndërkombëtare: titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titulli “Qytetar Nderi i Tiranës”, si dhe “Kryqi i Merituar Gjerman”, marrë në vitin 1995. Ky i fundit ishte një çast historik: Shvarc u bë personi i parë i kulturës shqiptare — dhe një nga të parët nga vendet e Europës Lindore — që nderohej nga presidenti gjerman me këtë çmim prestigjioz për përkthimin.
Robert Shvarc nuk ka nevojë për monumente guri; monumentet e tij janë veprat e përkthyera. Në çdo faqe të Remarkut, Gëtes apo Markezitit, lexuesi dëgjon zërin e tij: zërin e qetë, të përkushtuar dhe të përjetshëm të përkthyesit që bëri gjuhët e botës të flasin shqip me dinjitet.