Monday, September 27, 2021
REPORTAZH/ Pushuesit zhvishen në plazh, shfrytëzojnë rrezet dhe ujin e patatuar
Sunday, September 26, 2021
Minjtë impotentë të një rehatie banale
Nisa të kem respekt për minjtë, edhe pse
dikur i neverisja si brejtës që dinin të jetonin veç nëpër kanalet e ujërave të
zeza. Por duket se ata dukshëm kanë prirje thuajse të barabarta me qeniet
humanoide që frymojnë mbi tokë. Dhe për ta vërtetuar këtë u desh një
eksperiment, i cili edhe pse u përsërit 25 herë me radhë dha të njëjtin
rezultat.
Kur u njoha me "Univers 25", eksperimentin e
shumëpërfolur të shkencëtarit amerikan John Calhoun, nuk mund të them se u
trondita aq sa të vija duart në kokë. Edhe pse në të shumtën e informacioneve
të ekspozuara për lexim, ai ishte trajtuar si një nga eksperimentet më të
tmerrshëm në historinë e shkencës. Veç mendova: minjtë po aq sa dhe njerëzit
paskan të njëjtat parime në jetë. Dhe pas kësaj, më pak respekt nisa të kem për
njeriun. Sepse në të vërtetë ai kishte të njëjtat pikëpamje me një mi dhe bënte
jetën e tij.
Calhoun, për eksperimentin e tij zgjodhi brejtësit, megjithëse qëllimi
përfundimtar i kërkimit ishte gjithmonë një parashikim për të ardhmen e
shoqërisë njerëzore. Ai bëri një analogji të drejtpërdrejtë me njeriun, duke
shpjeguar se tipari kryesor njerëzor, - fati i tij natyror - është të jetojë në
kushtet e presionit, tensionit dhe stresit.
Për ta shpjeguar me pak fjalë: John Calhoun krijoi një "botë ideale"
apo atë që u cilësua si "Parajsa e Minjve" në të cilën qeniet e tij
eksperimentale do jetonin duke pasur ushqim, ujë dhe hapësirë jetese me bollëk.
Eksperimenti nisi me katër çifte që në një kohë të shkurtër filluan të
riprodhohen. Pas 315 ditësh riprodhimi i tyre filloi të ulet ndjeshëm. Kur
numri i brejtësve arriti në 600, mes tyre u krijua hierarkia. Papritur u
shfaqën të ashtuquajturit "të mjerët". Brejtësit më të mëdhenj nisën
t’i sulmonin. Rezultoi që shumë meshkuj u "shemben" psikologjikisht.
Femrat nga ana tjetër u bënë agresive ndaj të vegjëlve të tyre, shfaqnin
elementë izolimi dhe mungesë të humorit riprodhues. Lindjet u ulën dhe
vdekshmëria u rrit. Pastaj, u shfaq një klasë e re e brejtësve meshkuj, të
ashtuquajturit "minj të bukur". Ata nuk pranuan të çiftoheshin me
femrat ose të "luftonin" për hapësirën e tyre. Gjithçka për të cilën
kujdeseshin ishin ushqimi dhe gjumi. Erdhi një çast kur, "meshkujt e
bukur" dhe "femrat e izoluara" përbënin shumicën e popullsisë. Me
kalimin e ditëve, vdekshmëria e të miturve arriti 100% dhe riprodhimi ra në
zero. Midis minjve të rrezikuar, u vu re homoseksualitet dhe kanibalizëm,
pavarësisht faktit se nuk vuanin për ushqim. 1780 ditë nga fillimi i
eksperimentit, që përkon me vitin 1973, ngordhi dhe miu i fundit në “Univers
25”.
Nuk ishte më e nevojshme që John Calhoun të bënte konkluzionet, sepse në bazë
të të dhënave gjithkush e nxjerr një përfundim. Në një mirëqenie të dukshme
njeriu bëhet i plogësht, pa iniciativë, nis nga veset e rëndomta dhe për më
tepër humbet sensin për jetën.
Në njëfarë mënyre mund të thuhet se: mirëqenia prodhon njerëz të dobët.
E gjitha kjo më kujton thënien e Shejh Rashid, themeluesit të Dubait, i cili
kur u pyet nga gazetarët për të ardhmen e vendit të tij, u përgjigj: “Gjyshi im
hipi në deve, babai im hipi në deve, unë hipi në një Mercedes, djali im udhëton
me një Land Rover dhe nipi im në të ardhmen do të ngasë një Land Rover... por
stërnipi im do të duhet të hipë përsëri në një deve.” Kur gazetarët e pyetën se
përse duhet të ndodhte kështu, ai u përgjigj: “Kohët e vështira krijojnë njerëz
të fortë. Burrat e fortë krijojnë kohë të lehta. Kohërat e lehta krijojnë
njerëz të dobët. Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Shumë nuk do ta
kuptojnë këtë, por ju duhet të rrisni luftëtarë, jo parazitë.”
Sipas kësaj thënie fort të mençur, po jetojmë kohë të lehta. Ose jemi në fillim
të kohëve të vështira.
A nuk po jetojmë një kohë me mirëqenie ekstreme? Përderisa tavolinës tanimë nuk
i mungon gjë, udhëtimet me avion konsiderohen rutinë e çdokush prej nesh e ka
në përdorim një makinë. Flas gjithmonë për vendet e zhvilluara dhe ato në
zhvillim.
Ne po jetojmë mirëqenie ekstreme kur çdonjëri prej nesh është i pavarur për të
parë nga ekrani i celularit atë që dëshiron dhe nuk ka përse bashkë me pjesëtarët
e tjerë të familjes të ndjekin një kanal në mënyrë uniforme.
Ne jetojmë mirëqenie ekstreme përderisa gjithçka na vjen te goja vetëm me një
telefonatë apo me një sms. Sepse blerjet bëhen online, tanimë janë futur në
modë, dhe pakoja me rrobat e dimrit të vjen me triçikël te dera e shtëpisë. E
tanimë nuk ka më nevojë të shkosh as në bibliotekë, pasi google të mundëson
gjithçka, dhe aplikacione shkarkimi përmes internetit ka sa të duash.
A thua kjo situatë mirëqenieje ekstreme ka sjellë një rritje galopante të
impotencës apo homoseksualitetit njerëzor, po aq sa dhe në eksperimentin e
minjve që John Calhoun e nisi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar?
Besoj jemi të qartë.
Natyrisht, qenia njerëzore vendos arsyen në çastin vendimtar dhe nuk arsyeton
me mendjen e miut, por gjithsesi një eksperiment me minj tregon se dhe njeriu i
pajisur me tru inteligjent drejtohet më së shumti nga instinktet.
Thursday, September 16, 2021
Kinostudio, si na mësoi të rrihnim gratë
Thursday, September 9, 2021
Shqiptarë, mos hani më bukë... se latë namë
Afganistani i Khaleidit, me dy fytyra
Thursday, August 26, 2021
Kërcënimet e shtatorit dhe shpëlarja e truve prej shiut të parë
Friday, August 13, 2021
Të përligjësh indiferencën e absurdit
Megjithëse mesdhetar, si popull jemi goxha indiferent. Dhe indiferenca është gjë e mirë, se do të thotë të mos kesh kureshti e të fusësh hundët dhe aty ku nuk të takon. Por jo në të gjitha rastet është një shenjë pozitive kjo. Sepse ne si popull jemi indiferent dhe për gjera që na bien në kurriz e na këpusin bretkun. Fjala vjen: ne jemi indiferent edhe për ngritjen e çmimeve, edhe për rritjen e taksave... madje dhe kur bie zjarr nuk është se na bën ndonjë përshtypje të madhe. Po fundja le të bjerë... do bjerë dhe shi e do ta shuajë. Cikli i natyrës.
Mirëpo kjo lloj situatë më sjell ndërmend atë anekdotën a barsoletën, që tregohej për një dembel, të cilin kur e lajmëruan se kishte rënë zjarri në qytet, pa u ngritur nga shtrati që nuk dihej prej sa kohësh kishte rënë, tha: Ohu.. sa të vijë deri te bytha ime, ka kohë!
Kështu dhe puna jonë. Mirëpo ne harrojmë se zjarri është shumë i shpejtë dhe të vjen te bytha sa hap e mbyll sytë. Të ngroh në fillim pastaj të përcëllon, ndaj po e more me nge s’të le as kockat pastaj. Ndaj e mirë është të mos jemi aq indiferent, por të marrim masa kur ia do puna!
-Çfarë do me thënë të marrësh masa?
Kjo do të thotë se po ra zjarr, apo përmbytet vendi, veç forcave që e kanë për detyrë të merren me këto probleme, e mira është të ketë dhe vullnetarë. Dhe në Shqipëri, kohët e fundit janë shtruar këmbëkryq të gjitha: edhe përmbytjet, edhe tërmeti, edhe zjarret. Dhe nuk po e përmendim farë pastrimin e territorit prej mbetjeve urbane dhe plazhet nga plastika, se ai është një problem i përditshëm. Ndaj duhet një dorë ndihme në këto raste. Dhe kjo lloj pune e papaguar kthehet në domosdoshmëri.
-Domethënë: “aksion me goditje të përqendruar”
Për analogji, vendet në perëndim e kanë shumë të zhvilluar këtë kulturë. Pavarësisht se në shqip, togfjalëshi “punë vullnetare” të vë në alarm, sa të mos dish ku ta mbash frymën. Sepse në 45 vitet e pushtetit popullor, u bënë aq shumë të diela punë vullnetare me detyrim, saqë çdo shqiptari të para viteve ’90 do t’i dridhej barku po të mendonte se si në diktaturë edhe në demokraci, puna vullnetare dhe e papaguar do vazhdonte t’i binte në qafë.
Gjithsesi, çdo medalje i ka nga dy anë. Varet kë do të shohësh.
Personalisht kam qenë kundër punës vullnetare. Të paktën deri para pak kohësh. Dhe jo se kam ndryshuar fort nga ky mendim. Sepse kam menduar që tek e fundit, detyrimin tim ndaj shtetit për punë të papaguar e kam realizuar, madje dhe e kam tejkaluar. Sepse veç të dielave vullnetare, për prashitje misri e vaditje ulliri, pas vitit 1985 na u shpif dhe “Dita e Enverit”, e cila mund të bëhej në çdo ditë të javës. Plani u dyfishua, se pa e marrë veten nga Dita e Enverit vinte e diela me punë vullnetare. Dhe ne të shkollave të mesme, ku nuk na plasnin.
-Pse kot ju mban shteti nëpër shkolla?!
Po përse po reagoj, atëherë? Se kësaj i thonë: “dhe të ha dhe të kruhet”
Po ja ta sqaroj ca...: Këto ditët e fundit jam duke u ndeshur me dy të kundërta, të cilat edhe nuk më bëjnë përshtypje, por edhe më bëjnë. Se ja; ti ke marrë lejen dhe ke shkuar në plazh andej nga Vlora, ca më poshtë a ca më sipër, ç’rëndësi ka. Je shëllyer në diell e ke marrë rreze sa nuk dallohesh nga indigjenët e Afrikës. Mirëpo pas shpinës tënde flakët e zjarrit ia kanë behur, në fillim si duke vallëzuar e më pas duke marrë përpara ç’kanë gjetur. Ndërkohë ti mendon se me rritjen e vapës, edhe para edhe prapa, dy janë mundësitë: Ose të qëndrosh gjithë ditën e ditës në ujët e detit, ose t’i kërkosh pronarit të hotelit të dyfishojë kapacitetin e kondicionerit se nuk i dilet ndryshe. Por nuk të shkon në mendje fare që të bëheni ca burra azganë aty, qoftë dhe me rrobat e banjës, të rrëmbeni nga një legen plastik e t’u bashkoheni forcave të Emergjencave Civile, që gjithashtu qenë nxirë e bërë si qymyri, por jo nga rrezet e diellit, sigurisht. Ja kjo është një punë vullnetare, por jo nga ato të kohës kur ndërtonim socializmin ne forcat tona.
-Hajt t'punojmë/ Djersa le t'kullojë/ Se ndërtojmë/ Shqipërinë e re!
Por jo..., ti nuk i ndërpret pushimet vëlla. Të digjet maja e Karaburunit bashkë me ujët poshtë tij. Ti qëndron shtrirë në shezllon e poshtë hijes së çadrës prej kashte që e ke paguar sa frëngu pulën, dhe rri e bën sehir. Ke marrë dhe një libër me vete që të bësh një selfie e ta hedhësh në “story”, me qëllim që të tjerët të hamendësojnë se pushimet tuaja janë të mbushura me veprimtari kulturore... dhe kaq.
-Hajt pushime të mbara, vëlla! Vetëm kujdes nga rrezet, se thonë që pas orës 11 të paradites kthehen në kërcënim kancerogjen. E meqenëse çadra e kashtës nuk e mban dot gjithë diellin gjej një hije pishe, a bredhi po pat mbetur ndonjë vërdallë. Se dhe me kondicionerin keq do ta kesh punën.
Jemi popull indiferent, ske ç'i thua. Nuk para na bëjnë përshtypje dramat e mëdha. Edhe pse për cingërimat marrim zjarr shpejt e jemi kahil t'i shprazim të gjitha fishekët e kobures.
...te e fundit, indiferenca duhet përligjur...
Thursday, August 5, 2021
Emergjencat Civile dhe ndeshja e madhe për dominim, Shqipëria apo Kosova
Tuesday, August 3, 2021
Reportazh/ Pogradeci, oazi i qetësisë në mes të terrorit diellor
Dita nuk shtyhej as me kondicioner. Dhe nata ca më keq akoma. Kjo situatë nuk pritej të mbaronte brenda tre ditësh...
...Por nëse doni të kaloni pushime më të qeta dhe më të freskëta, por që dhe të kridhesh në ujë e të bësh banja dielli, qyteti më i mirë i mundshëm është Pogradeci. Dhe a e dini pse: se temperaturat janë ca më të ulëta se në Tiranën e betonizuar, dhe pikun e ditës mund ta kalosh nën hijen e një peme, pa kërkuar ndihmën e kondicionerit, i cili përveçse të ftoh, jo rrallëherë të fut plevitinë e të bën për spital, ku jo vetëm do të të skanojnë gjoksin e do të bëjnë një tampon urgjence, por do të të mjekojnë për Covid, do apo s’do ti.
E mbi të gjitha, në Pogradec, dimër dhe verë, sezon apo jashtë tij, çmimet nuk ndryshojnë. Askush nuk shkon me idenë: “na erdhi zogu në dorë... ec e ta rrjepim tani”. Nuk flitet për abuzim jo e jo, por as ngritjen e një 100-lekëshi të vjetër më shumë për asortiment. Dhe veç kësaj, do të kesh me vete dhe mirësinë e buzëqeshjen e vendasve që të mirëpresin kudo hyn, e nuk dinë të të thonë një fjalë të keqe e as të të shohin vëngër.
Faturat
Meqenëse si destinacion Pogradeci nuk është fort larg me Tiranën, më duhet ta bëj disa herë në vit rrugën, përgjithësisht në ditë të favorshme. Këtë herë e pashë veten ngushtë, sepse asnjë faturë tavoline nuk më bënte ta fotografoja e ta hidhja në rrjetet sociale për demonstrim. Vetja më dukej fakir. Isha i bindur se shokët e miqtë fejsbukistë do më thoshin: “Të paska ra fort pazari, paske shku te kafja 50-lekëshe”. Po ore po, në kulmin e sezonit, në Pogradec gjeje kafe 50 e 60-lekëshe. E për më lart se kaq do duhej të bridhje shumë. Por a mund të hidhej një faturë e tillë në facebook? Mos qoftë thënë...
Jo për gjë, por thonë që nga andej nga Jugu..., domethënë nga Jug Perëndimi e kam fjalën, ku mbaron Adriatiku e fillon Joni, çmimet kanë kapur stratosferën e pritet të dalin në kozmos, aq sa me tre ditë pushime në zonën e quajtur Himarë, me disa fshatra buzë detit, mund të kalosh 10 ditë të shkëlqyera në Pogradec dhe sërish të të mbeten para në xhep. Se, përsëri me thashetheme e kam, - andej nga kjo zona që e ka qëndisur Perëndia, por që e kullandris njerëzia, - turistët shkojnë me portofolin e mbushur me para, por kthehen me over-draft.
-Ec o burrë se një herë vdes njeriu!
PanoramaBuletini meteorologjik transmetoi të dhëna premtuese për pushuesit që zgjedhin në vazhdimësi këtë oaz për të kaluar ca ditë të qeta. Gjithsesi, ata e dinë që Pogradeci është një vend me mundësi të kufizuara për plazh, që në totalin e tyre përbëjnë vetëm 45-50 ditë. Por gjithashtu, ky qytet i njohur ndryshe dhe si “qyteti i luleve” është nga të rrallët, i cili pret turistë në çdo ditë të vitit… Kështu që është apo jo sezon veror për të nuk ka shumë rëndësi. Turizmi vazhdon dhe në vjeshtë, por dhe në dimër kur bie borë dhe e bën liqenin bashkë me bregun e tij krejtësisht të mahnitshëm.
Për t'i ikur vapës së tmerrshme, apo të nxehtit afrikan që pushtoi Tiranën, zgjedhja më e shpejtë dhe më e mirë padyshim mbetej një fundjavë në Pogradec. Meqenëse janë vetëm 125 kilometra, të cilat mesatarisht bëhen për dy orë udhëtim me makinë, zona e Pogradecit, - ku hyjnë lehtësisht Lini dhe Tushemishti, - mbetet një nga atraksionet më të frekuentuara në vend.
Si ke kapur majën e Qafës së Thanës dhe zbret postë, liqeni i Ohrit të shfaqet përballë, po aq sa dhe Joni nga Llogoraja. Ujët e liqenit është i qetë dhe i kaltër. Rruga që zbret poshtë pavarësisht nga kthesat mbetet panoramike, dhe më shumë se kaq vetë rruga që vijon buzë liqenit derisa futesh në qytetin e Pogradecit, të paktën 18 kilometra, është një atraksion më vete.
Pushimet veroreDita e fillimit të vërtetë turistik për ne shqiptarët, është 1 gushti, sepse atë ditë zyrave të shtetit u vihet “tutiusi” dhe nga drejtorët e deri te roja i derës shkojnë të kapin ndonjë çadër se mos mbeten pa gjë. Prandaj dhe çmimet rriten papandehur. Se çadrat bashkë me shezlongët, fillojnë me 300 lekë dita, por përfundojnë me 5000 lekë dita, për ato sete që ngjajnë tëpkë me ato të oficerëve të lartë osmanë, kur shkonin për ekspedita pushtuese e ngrinin kampet poshtë kalave.
Këtë verë 2021, qëlloi që fundjava e plotë një këmbë ta kishte në ditën e fundit të korrikut e një në ditën e parë të gushtit. Pra nuk ishte në pronësi të asnjë muaji. E shtuna, e diela. Gjithsesi mbetet rast i rrallë, apo një precedent që varet kur i bie llogaria të përsëritet.
E në një lotari të tillë ia vlente të flije dy netë në “qytetin e luleve” ku edhe pse nuk u përdorën për mbulim as batanije e as çarçafë, gjithsesi nga një bluzë të hollë me mëngë të shkurtra e mbajtëm veshur.
RomantizmiPogradeci është qyteti ku ia vlen të shkosh si turist. Qoftë për qytetarinë, për pastërtinë, për nikoqirllëkun dhe për bukurinë që të ofron e gjithë treva. Jo më pak vlerë kanë dhe ajri, freskia në ditë përvëlimi, uji i kulluar i liqenit dhe peshqit që kundrojnë afër teje, e paqëtojnë ndaj lazdrimit tënd nën ujë. Por mund të vizitosh dhe 7-të burimet me ujin e ftohtë që pihet drejtpërdrejt, e që ndodhet në lagjen e vjetër të qytetit, aty ku ngrihet dhe një kishë ortodokse e cila vështirë mos të të bjerë në sy.
Ja se e morëm ca me frymëzim poetik këtë herë.
Sa herë rrugëtohet për në Pogradec, nis e qetësohesh nga mendimet se sapo të shohësh liqerin e Lasgushit, mendja do të zbrazet nga zhurma me të cilat të kanë mbushur qendrat urbane. Vetë rruga përcjell ndjesi lirie. Është muzika e zogjve verues në sfond që maleve kapërcyer dhurojnë simfoni të ndryshme. Është gjelbërimi fushor e malor me larmi pemësh që ngjajnë me një ekspozitë pikture të pambarimtë. Janë ujëvarat që gjithashtu rrjedhin nga burimet e panumërta që zbresin maleve të Librazhdit. Ato ta bëjnë udhëtimin të lehtë, me tërheqjen vizuale. Është lumi Shkumbin që në degëzime përgjatë shtrirjes mbi gurë zalli, edhe pse i tharë në 80%, ka gjurmë që i japin panoramës natyrore lirinë e të jetuarit.
Mos e tepruam me këtë patetizmin?
Ka raste kur ia vlen të bëhesh patetik, po aq sa dhe poetik, e ndonjëherë së rralli edhe ca qaraman sentimental. Lëre-lëre se ç’vete...
Një fundjavë në Pogradec, por pse jo edhe më gjatë nëse ta mban xhepi dhe ia ke takatin, të ndryshon humorin, gjendjen shpirtërore që të gjithë këto kohëra e kemi tejet të brishtë. Te bujtësit ku zgjedh të shkosh, vendasit, ata që jetojnë aty, ta bëjnë kimetin si në kohërat e vjetra. Janë të thjeshtë, mikpritës, edhe tolerantë.
Ç’i do fjalët: kërnackat janë të Korçës, vera e butit vjen nga kantina e familjes, qepët nga Bozhigradi... jo në të gjitha rastet sigurisht. Dhe mund të rrish ku të duash, në breg të liqenit apo në lulishte, se nuk të thotë njeri: pse e shkele barin.
Tek e fundit në Pogradec shkohet edhe për të bërë ekonomi. Çmimet e shërbimeve të tryezës janë goxha të volitshme, përveç koranit që e kanë mbret, dhe mbreti ka kosto. Po në qoftë se korani do të lundronte në ujërat e Jonit, atëherë do vinte çdo vinte. Se do të dukej fatura sikur ke blerë moto-gjenerator që ta vësh në punë kur të ikin dritat.
Se mos harroj: Veç kulinarisë për të pangopurit, në Pogradec, më shumë se kudo, gjithkush që është i dashuruar me artin dhe letërsinë, do të mund të gjejë në shëtitore kilometrike të qytetit piktura origjinalë të peneluar nga artistët vendas si dhe libra artistik gjithfarësh.
EpidemiaNë Pogradec nuk flitej për pandeminë dhe njerëzit nuk bënin ende llogari nëse nga vjeshta do të mbylleshin në shtëpi, apo do të ishin po aq të lirë. Një gjë e tillë i bënte turistët më të gjallë, e në kërkim të shijimit të çdo minute që ikte. Në lokalet me muzikë live nuk gjeje vend, por mund të qëndroje te një tjetër aty pranë dhe të merrje të njëjtën adrenalinë. Se po të ishte për pandeminë dhe statistikat, njerëzit nuk do ishin më në këmbë.
Në fakt askund në Shqipëri, në këto ditë në nxehta që na i dhuroi Afrika, nuk flet për pandeminë e Covidit, veç Ministrisë së Shëndetësisë dhe buletinit të saj i cili na njofton përditë, “u ngrit”... apo “ra... numri i të prekurve”.
Në fund të fundit, njerëzit duan të jetojnë; buzë liqenit të qetë me ujë të ëmbël, dhe buzë detit të kripur me rritëm shfrenues që të sjell në tavolinë fatura edhe më të kripura.














