Thursday, June 9, 2016

Gratë me celular në timon


nga Leonard Veizi

Thuhet se rrugët e Tiranës janë kthyer në një ferr të vërtetë, për këmbësorë, biçiklistë e drejtues automjetesh. Problematika duket aq e madhe sa çështja është shtruar për zgjidhje në tavolina emisionesh televizive e në tavolina kafenesh gjithashtu. Por vetëm një vëzhgim në orët e pikut, të jep dimensionin e vërtetë se ku rreh debati, e me këtë rast të të mbushet dhe mendja se fjalët nuk dalin kot.
Por e dini me çfarë ndeshesh rëndom në këto rrugë me trafik të rënduar?
Në qoftë se më së shumti prej jush mendon se janë shoferët që u bien borive vend e pa vend, duke krijuar ndotjen akustike tej normave të lejuara, unë ju them se jo. Në rrugët plot makina të kryeqytetit, në kryqëzime me semaforë tri ngjyrëshe, e vijëzime të dala boje, do ndeshësh më së shumti gra me celular në timon. Padyshim që është emancipim spektakolar të shkosh në punë me makinën tënde; ta mbushësh serbatorin dëng me benzinë se e ke portofolin plot, e të kapësh 80 kilometra në orë për 5 sekonda nga starti. Se nuk kanë ndodhur këto para viteve ´90. Dy gra shofere kishte gjithë Tirana, njëra i jepte një ZIS-i me rimorkio, diku andej nga Ndërmarrja Bujqësore “Gjergj Dimitrov” e një tjetër kishte kapur timonin e taksisë tip “Varshava” prodhim polak i vitit 1953. Diktatura i dënoi rëndë ca shtresa për 45 vite e mos më tepër. Grave ua mori shpirtin nëpër aksione e punë vullnetare. Nuk kishin kohë as për të shkuar te parukerja e as të bënin thonjtë me xhel. Po shyqyr mbërriti demokracia dhe liria e dëshiruar erdhi me një tufë aksesorësh nga pas. Kaluan 25 vite, u ftilluan. Si hoqën nga përdorimi sapunin e Rrogozhinës, e filluan jetën e re me një prerje flokësh “alla franceze”, pastaj blenë nga një celular me taç, dhe në fund nga një makinë. Sipas mundësive: ca “Smart” si kuti shkrepëseje e ca fuoristrada, me 8 pistona që shpenzojnë 20 litra karburant për 100 kilometra. Kjo është jeta. Këtu u bëmë një me Europën. Se ca aspirata i kemi plotësuar ne shqiptarët, kot të qahemi.
Por nuk mbaron me kaq. Për më saktë, këtu fillon dhe problemi.
Me një dorë në timonin e makinës e një tjetër te celulari, që e mban në vesh kushdo thyen ligjin, në Shqipëri, Europë e Amerikë po deshe. Se dhe mua më ka rënë rasti të bëj ndonjë budallallëk në rrugë: edhe me të kuqe kam kaluar e s’ma ka bërë syri “tërrt”, po kur vjen puna për të folur në celular nuk ma mban fare. Por nga dritaret e makinës, apo kur e marr rrugën më këmbë, gjatë gjithë kohës shoh gra që flasin në celular kur janë në timon. Vajza të reja e gra në moshë sa të mbetesh me gojë hapur e të të bjerë damllaja. Nuk e heqin celularin nga veshi dhe kur janë gati të bëjnë “xing”. Këtu e them me bindje se ato janë trimëresha të vërteta, si Shota, si Tringa, si... Se mos keqkuptohemi; nuk është puna se kanë marrë mauserët në dorë, u mjafton timoni. Apo mbase më duken kaq të forta ngaqë mua vetë më shkojnë shtatë kur më bie zilja e celularit gjatë rrugës, dhe bëj sikur nuk e dëgjoj. Ndërsa ato o të keqen instinktet top, yxhym me celularin në kokë e timonin në dorë dhe i bëjnë zbor makinës e xhirojnë gomat si të jenë në “fushën e Starovës”, e futen në kthesë pa e vënë këmbën në frena. Nuk i pengojnë as thonjtë e vënë e as sandalet me taka 10-12 centimetra të larta.
Ta lëmë mënjanë ironinë.
Në Kodin Rrugor, nene të veçanta përcaktojnë qartë për: rripat e sigurisë, shpejtësinë brenda normave të lejuara, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, përdorimin e telefonit celular, e ca të tjera. Pra, përdorimi i telefonit celular gjatë udhëtimit kur je drejtues automjeti përbën kundravajtje dhe dënohet.
Dhe le të kthehemi sërish aty ku e lamë...
Por a kanë faj femrat që rrinë gjithë kohës me celular në vesh?
Jo, them unë. Dhe i kam ca argumente, kur u dal në mbrojtje. Pra, nuk është tërësisht faji i tyre. Është “hi tech”-u që i ngacmon. Mesazhe pa fund në “viber” e “what'sapp”. Operatorët celularë po e kanë liruar dorën sa s’bën: minuta falas e internet pa kufi. Të keqen e “Samsungut  S 6” se brenda 10 minutave informohesh. Mirëpo ndërkohë, duhet t’i japësh dhe makinës. Se dhe gjatë pritjes në semafor për 6-7 sekonda sa të hapet jeshilja, aty në mes të kryqëzimit, e shfrytëzon kohën. E bën një status bashkë me selfien. “Jam te Bërryli, po shkoj për në punë. Dita është e papame. Jeta plot shkëlqim. Puc”. Alamet optimizmi. Hapet jeshilja dhe makina fluturon. Rrugës e poston. Te semafori tjetër dërgon një sms: “A është shefi në zyrë se jam me vonesë?” Përgjigjen e lexon rrugës: “Mos e rruaj fare, ka shkuar në kafe”.
Po ka dhe këmbësorë që presin gjithë tension te vizat e bardha, duke parë sa majtas-djathtas para se të hedhin këmbën nga trotuari. Mirëpo duhen marrë vesh të rejat e fundit: ca nga bota e ca nga vendi. Duhet ditur çfarë kanë bërë një natë më parë rivalet. Si kanë qenë të veshura? Nga cili “pub” i kanë postuar fotot? Po ja që të futet një kalimtar i pakujdesshëm m’u te hunda e makinës: “Idiot, ku e ke mendjen”. Tjetri mbledh supet: “Mirë unë, po ti?”. “Ik or debil”. Debati mbyllet, makina ecën me tërsëllimë. S’ia vlen të humbasë kohë me kalimtarët që hipin në autobusët e linjës me abone. Është vonë për në punë.
Kjo është panorama e sotme në rrugët e Tiranës. Lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të pish një kafe te një lokal buzë rruge, e të përqendrohesh. Dhe nuk do relaksohesh, por do të të iki truri nga ajo që do shohësh.




Monday, June 6, 2016

Beteja e një panairi libri

nga Leonard Veizi

Ndonjëherë nuk ka rëndësi shumë sa të bukura janë stendat ku vendosen librat, sa e madhe është hapësira ku ekspozohen, e sa ndriçim apo dritëhije ka ambienti ku zhvillohet një aktivitet në qendër të të cilit është veç libri. Më së shumti ka vlerë se sa mirëpritet libri pikërisht aty ku shkon, si produkt fizik me vlera specifike. Kjo e fundit ka marrë vlerë në Panairin e Prishtinës, që në qershorin e këtij viti mbahej për të 17-tën herë.
Në mbyllje të Panairit, meqenëse Shoqata e Botuesve, pra organizatorët e tij më vendosën në një panel ku më duhej të flisja diçka, thashë shkurt se: “Panairi i Prishtinës më hoqi shijen e keqe të Panairit të Librit në Tiranë, pjesë e kompeticionit “Tirana Open” i cili u zhvillua rreth një muaj më parë dhe që për të thënë të vërtetën ishte as më shumë e as më pak por: i “vakët”. E ripërsërita këtë shprehje si për të kuptuar edhe një herë, që me sa duket dy kryeqytetet e shqiptarëve rezervojnë të drejtën të kenë nga një panair libri të mirëorganizuar, por duket se çdo tentativë tjetër e futur si pykë në mes, veçse prish balancat e marrëveshjes së lexuesve me një produkt kaq delikat sa ç’është libri fizik. Frikës së botuesve, (që nuk ishin pak por 110 prej tyre), se e njëjta vaktësi që shoqëroi panairin e majit në Tiranë (e theksoj të majit, jo atë tradicional të nëntorit) lexuesi i Prishtinës, dhe jo vetëm, iu përgjigj me shumë ngrohtësi. Rreth 40 mijë vizitorë në një panair 5 ditor nuk janë pak, por ajo që do të shtoja unë ishte se, këta vizitorë ishin njëkohësisht dhe blerës, pasi në një përqindje shumë të lartë ata kanë dalë nga ambientet e Panairit me libra në duar. Pra, përkundër vizitorëve të Tiranës, që janë më të shumtë në numër, por që një pjesë e madhe e tyre e konsiderojnë panairin e Pallatit të Kongreseve si një “trend” për të kaluar nja dy orë larg të zakonshmes, Panairit që u zhvillua në një segment të “Boro e Ramiz” në Prishtinë dukej se i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve.
Si përfundim, Panairi dha edhe çmimet e tij. Dhe për të qenë korrekt deri në fund me këtë aktivitet të rëndësishëm, më duhet që në mënyrë zyrtare të prezantoj në këtë shkrim të shkurtër edhe ata që u nderuan me çmime. Në këtë ceremoni shkrimtari Roland Gjoza u shpall shkrimtari i vitit, kurse çmimi i shkrimtarit të vitit në letërsi të huaj i takoi nobelistit Patrick Modiano. Në këtë edicion u dhanë gjithashtu edhe çmime të tjera. Ai për prozë i takoi Rexhep Murtez Shalës, - çmimi për poezi, Xhevdet Bajrajt, - për kritikë, studime letrare, - eseistikë dhe publicistikë - Blendi Fevziut, kurse çmimin për përkthim letrar e ndanë Jorgji Doksani dhe Anila Xhekaliu. Çmimi për projektin kapital u dha për veprën De Rada, që është mbështetur nga të dyja ministritë e Kulturës, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Çmimi për fëmijë iu dha Arif Demollit dhe çmimi për stendën më të vizituar i takoi shtëpisë botuese “Pegi”. Për herë të parë sivjet u dha edhe çmimi për shkrimtarin debutues, që i takoi shkrimtares Geverina Muzhaqi. Juria që i dha këto çmime ishte e përbërë prej Adem Gashit, Elvi Sidherit dhe me kryetare Ilire Zajmin.
Ndërkaq, te librat me të kërkuar ndër autorët shqiptarë rezultuan të ishin: “Ambasadori i Melkizedekut” i Veton Surroit, “Mashtrimi i Madh” i Bardhyl Mahmutit, “Zonja Z” e Albatros Rexhajt, por dhe librat e Blendi Feziut e padyshim të Ismail Kadaresë.
Në panairin e 17-të të Librit në Prishtinë, u shënuan edhe përvjetorë të shumtë në respektim të traditës letrare shqiptare e botërore, si 150 vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100 vjetori i lindjes së Roland Bartit, 100 vjetori i lindjes së Artur Milerit, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.
Ndërkohë një përvjetor shumë i rëndësishëm e sinjifikativ ishte dhe 100 vjetori i lindjes së Dhimitër Shuteriqit. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qendër të vëmendjes u vu bashkëshortja e tij Myneveri, e cila edhe pse me një moshë të thyer 91-vjeçare, kishte udhëtuar drejt Prishtinës nën shoqërinë dhe të njërës prej vajzave të saj, Zanës. Ajo mbajti një fjalë të shkëlqyer duke dhënë si rezultante se Dhimitër Shuteriqi e filloi krijimtarinë e tij letrare duke botuar një poezi për Kosovën, dhe e mbylli gjithashtu me romanin “Sytë e Simonedës”, ku pjesa më e madhe e veprës flet gjithashtu për Kosovën.
Si përfundim, me duhet sërish të them, se ata që u morën me panairin e 17-të të librit në Prishtinë rezervuan të drejtën të shpreheshin se, në panairin e ardhshëm, do të na befasojnë më një organizim të ri e spektakolar, ku libri do të marri më shumë vlera, ose përndryshe: atë që meriton.

Postuar në ResPublica, 08 Qershor 2015 

Tuesday, May 31, 2016

Në kërkim të çmimit - Përsiatje

nga Leonard Veizi*

Nisur nga prurja masive e çmimeve këtë fundviti them se vazhdoj të jem pa fat. Në të vërtetë asnjëherë nuk i kam pasur punët mirë me stimujt. Por s’ma merr mendja të më ketë rënë mallkimi, për mosmarrje letrash të llustruara e teneqe që ndriçojnë si flori 24 karatësh. Gjithësesi, në biografinë time “akademike” më rezulton të kem marrë një fletë-lavdërimi në klasën e 7-të të 8-vjeçares, por dhe këtë për punë të palodhur në punën prodhuese 15-ditore pas mbarimit të shkollës. Por dhe kjo e kishte një hile: punova me normë se doja të merrja ca ditë leje, në fakt.
Gjatë viteve të shkollës së mesme, në Politeknikum as që u bë fjalë që mund të merrja ndonjë vlerësim të kësaj kategorie. Madje shpëtova paq në vitin e fundit pa më thyer një notë në sjellje, se kishte filluar të më merrte ca koka erë. Për më tej shyqyr që u diplomova. Madje për shyqyr më shumë se kisha numër amze dhe provime të dhëna një më një. Lehtësim i madh për besë.
Për shans, apo për jo të tillë, edhe gjatë shërbimit të detyruar ushtarak, - që e bëra në bazën e Pasha Limanit, atje ku as rusët s'na bënë dot derman, - më dhanë një fletë-lavdërimi shoqëruar me një nga “Ditarët” e shokut Enver. As kësaj rradhe nuk bëj shaka jo, ju betohem. U bënë dy deri tani. Por problemi është se nuk ua kam ditur vlerën dhe nuk i ruajta në dosjen personale, ndaj dhe nuk i vërtetoj dot. Nejse...
Erdhi demokracia. Epo shpëtuam nga fletëlavdërimet, mendova. Se i kam pasur bezdi ca stimuj që duket se bënin dhe klasifikimin “të nënës, e të njerkës”. Ose ndoshta kam pasur zili që i mernin të tjetër e unë “opingën”. Aso kohe mendova: “Tani jam i barabartë mes të barabartëve. Unë s’marr e s’marr, por nuk do marrin as të tjerë”. Po jo ore, ç’është ajo fjalë, nuk bën vaki ndryshe! Fletët e lavdërimit më shfaqen kudo. Para syve i kam. Në facebook si kurrë ndonjëherë. Merr certefikata e bëj publike. Në faqen time nuk gjenden të tilla për be. Si t'ja bëj?
Mirëpo, unë nuk mbahem dot vetëm me historitë e vjetra. Se një fletë-lavdërimi në 8-vjeçare e një në ushtri nuk ngrejnë peshë, për më tepër sot që të ngrejnë peshë. Pra duhet revolucionarizuar jeta me doemos. Prit të bie në sy e të më japin ndonjë certifikatë. Hiç gjë. Vetëm ato të gjendjes civile kam në menynë personale. Çmime letërsie… aha s’më ndez fare nga ajo anë. Çmime për gazetarinë. O po hiç u them, edhe pse 20 e kusur vjet kam shkruar ose kam bërë sikur kam shkruar! Kur vjen radha te unë certefikatat mbarojnë; o s’ka letër, o prishet printeri.
Të vetmin trofe, kjo që shihni në foto, e që po e shtrëngoj fort, ma akordoi Aspasjana Kerxhalli me grupimin RIAS. Për të tjera… nul.
Epo kur nuk më dha çmim as Aleksandër Çipa, që e kam mik, si zor se u afrohem më trofeve. Në fakt kot i bie në qafë Çipës se ai jep çmime për gazetarët e ekonomisë e unë nga ajo anë s’para ia them, madje dhe shumëzimet i bëj me aparatin e celularit. Por e mora thjesht, sa për shembull.
Megjithatë unë e kam vendosur, do ta marr një çmim se s’bën. E për këtë do bëj një ofertë të hapur, jo pas kuintave: më jepni çmimin ta nxjerr në facebook se paratë nuk do t’i marr, ose të paktën do t’i ndaj me ata që do ta japin…, e sigurt.

*Shkrimtar, gazetar. **Shtuar nga “Illyria”.
Postuar më 17 dhjetor 2014

Monday, May 30, 2016

Kliton Nesturi: Vepër që thyen Zotin


(Shënim për romanin e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”)


nga Kliton Nesturi

“Bota është teatër ku secili ka një rol”.
Shekspir
 
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Ndryshe nga teatri ku diskutimet nisin pasi shfaqja ka mbaruar dhe perdja është ulur, në letërsi, për një vepër që ka parë dritën e botimit perdja nuk ulet kurrë. Ajo qëndron gjithnjë e hapur, për deri sa kohë vepra ekziston. Vetëm kur ajo asgjesohet krejtësisht, mbi të bie heshtja. Askush më pas nuk mund t’i referohet drejtpërdrejt. Kjo është tragjike, por sot, nuk po flas për këtë. Mendoj se të paktën në epokën moderne, nuk duhet të flitet apo të ndërmendet asgjesimi i një vepre letrare. Periudha e inkuizicionit dhe linçimeve të tjera thuhet se ka përfunduar. Pikërisht, perdja e hapur për veprën e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” më jep të drejtën mua që të shkruaj për të, pavarësisht se ka kaluar pak kohë prej botimit të saj nga “Omsca-1”.
Qysh në fillim dua të them se romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, është një vepër e strukturuar bukur, me një shkallë të lartë të ndërtimit kompozicional, me gjuhe artistike të pasur dhe stil të zhdërvjellët. Por, ky këndvështrim nuk do të jetë mbi ndërtimin, formën, gjetjen dhe stilin.
I vendosur në një qytet të vogël, por të mbushur me mëkate, në qendër të ngjarjes qëndron boshti i marrëdhënies mes atit (Ludovikut), birit (Vikut) dhe shpirtit – nënës së tij (Evës). Një bosht i krijuar si pasojë e një historie sa mëkati dhe dashurie, e mbajtur fshehtë për shumë kohë, një prej atyre historive të cilat mendon se nuk do të ndriçohen asnjëherë, por do të mbeten të fshehura sa nën veladon, aq edhe nën lëkurë. Një histori ku ndërthuret bashkëekzistenca dhe mosekzistenca e një marrëdhënieje të fortë, një dashuri pa tokë e familje, por kryesisht e shpërndarë në eter; një marrëdhënie kujdesi e ndërtuar hap pas hapi mbi kode, shenja dhe vështrime. Viki, produkti i kësaj dashurie mëkatare, duke humbur boshtin e tij me vdekjen e Evës, ndihet sa i lodhur, aq dhe i pambrojtur dhe i zhgënjyer. Ai nuk është si gjithë të tjerët dhe kurrë nuk do të jetë si ata. Në jetën e tij tashmë nuk ka bosht. Kriza e identitetit të tij është e thellë aq sa zhgënjimi e çon drejt hakmarrjes, shndërrimin në një kriminel dhe zjarrvënës. Personalisht, pavarësisht se jam ateist, nuk jam për djegien e tempujve, të cilitdo besimi apo kulture fetare qofshin. Por djegia e famullisë, në këtë rast, është pasojë e një zhgënjimi të thellë prej dogmës dhe mungesës së dashurisë. Çdo hap i tij në këtë vepër është i justifikuar, duke na kujtuar vargun e famshëm: “Aty ku nuk ka dashuri, fjalën njeri mos e fol!” Edhe kryerja e orgjisë ka të bëjë me zhgënjimin, me revoltën, dëshirën për ta shndërruar dhe për t’i dhënë shtëpisë së Zotit një këndvështrim të ri, atë të një strehe të zakonshme ku hyjnë e dalin mëkate, e ku vet njerëzit që shërbejnë aty jetojnë të përlyer në thellësi me mëkatin. Pavarësisht se ngjarja ndodh në një qytet të vogël, ajo është refleksion i krizës që ka mbërthyer me kohë shoqërinë dhe fenë. Aty është shteti në miniaturë, njerëzit, familjet dhe ngjarjet që zhvillohen aty janë ato që ndodhin kudo. Kudo është qeliza e shoqërisë. Kudo frymohet, dhe jetohet kudo, pavarësisht nga përmasat e vendit, skenës dhe tempullit.
Pavarësisht vështrimeve të ndryshme, mendoj se thellë-thellë të gjithë duhet të bashkohemi në një pikë kur diskutojmë për këtë vepër: ajo është një revoltë ndaj dogmës dhe Zotit. Dikush mund të thotë, se një prift i një famullie të vogël, nuk mund të përfaqësojë Zotin. Po, a nuk është ai përfaqësuesi i tij? Faktet e reja që po dalin në dritë herë pas here, e veçmas kohëve të fundit, e kanë zbehur së tepërmi rolin e fesë, historinë dhe vet ekzistencën e Zotit. Për shumë njerëz, kudo nëpër botë, ai është një Godo, i cili nuk vjen (shihet) kurrë.
Shumë mund të thonë se “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet vetëm të krishterëve dhe se Zoti nuk është vetëm i kryqëtarëve.
 

 
 “Në emër të Allahut dua të të shijoj!”
 
Ky mesazh është publikuar para disa kohësh në faqet e shtypit dhe në portalet e ndryshme. Atë e ka shkruar një klerik i lartë musliman shqiptar, (pak rëndësi se në cilën pjesë të hapësirës shqiptare) dhe i adresohet një besimtareje të re, aspak në lidhje gjaku apo familjare me të. Ky mesazh telefonik nuk është as më shumë dhe as më pak se sa një ftesë për mëkat, apo gjynah, sipas zhargonit musliman. Ky njeri, i veshur me petkun e përfaqësuesit të Zotit në tokë, në mënyrë cinike shkel rregullat, ligjet dhe normat e fesë që përfaqëson, pasi me Kur’an, ndalohen dhe dënohen marrëdhëniet jashtëmartesore. Burrit, përfshi këtu edhe klerikun, i lejohen martesat me shumë gra, (jo më shumë se katër), por jo afera të tilla, të cilat nuk i falen edhe nëse ai është besimtar i rregullt, falet sipas riteve apo edhe kontribuon për xhaminë dhe njerëzit në nevojë.
Nuk është çudi që në këtë histori, të mbetur në tentativë të kishim një “Orgji…” në një dimension tjetër, në një fe tjetër nga ajo e krishterëve. Me epshin e tij ndaj besimtares së re, ky klerik do ta çonte qejfin deri në fund; nuk do të përdoret masa mbrojtëse (sepse nuk ia lejon feja) dhe nuk do të tërhiqej deri në shfrimin e fundit. Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të kishim një lindje të re, një Viki të quajtur Xhihan, apo Jadëz, në vend të Evës do të kishim Havanë, apo ndonjë emër tjetër, ndërsa në vend të at Ludovikut do të ishte ky klerik me tespie në dorë, që thyen vet dogmat e fesë së tij.
Ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur me klerikët shqiptarë. Të tilla histori kanë ndodhur shpesh, janë përfolur e janë rrëfyer edhe një shekull më parë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, edhe… atëherë kur telefonat celularë dhe sms-të nuk ekzistonin. Por këto nuk ndodhin vetëm në hapësirën shqiptare. Kudo, në në gjitha skajet e botës buletinët e ndryshme janë të mbushura me skandale klerikësh dhe histori të tilla. Madje edhe të klerikëve më të lartë apo në manastiret dhe tempujt e famshëm. Kjo ka bërë që, herë pak nga pak, e herë në mënyrë të menjëhershme, shëmbëlltyra dhe dogmat e Zotit të thyhen te njerëzit e thjeshtë, duke marrë shkas nga mëkatet e njerëzve që i shërbejnë atij, e duke thyer kështu edhe mitin e ekzistencës.
Të gjitha këto më shtyjnë të them se romani i Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet të gjithëve pa përjashtim, të gjithëve njësoj.
 
 

Perdja qëndron e hapur
 
Është hera e parë që në letërsinë shqipe kemi një vepër të tillë, një vepër që e thyen Zotin si në gjuhë, po aq edhe në koncepte. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse “Orgji në famullinë e at Ludovikut” kaloi disi në heshtje dhe pa debat. Njerëzit, veçanërisht shqiptarët i shmangen diskutimeve mbi çështje të tilla me përmasa të mëdha. Për ta, më e lehtë është të heshtin apo të zhyten në mëkat se sa të diskutojnë dhe të polemizojnë për tema që prekin drejtpërdrejtë ekzistencën sot dhe në të ardhmen të shoqërisë njerëzore. Shqiptarët, deri më sot kanë dëshmuar se e shohin më të udhës për t’u marrë me gjëra të lehta dhe diskutime që fillesën e tyre e kanë nga përtej kufijve, se sa të shohin, të reflektojnë dhe të reagojnë mbi problemet dhe shqetësimet me të cilat është e mbushur jeta e tyre. E kemi më të lehtë kur gjërat na i thotë një i huaj, atë e pranojmë me lehtësi.
Megjithatë, pavarësisht kësaj shmangie, për deri sa kemi veprën, edhe në këtë rast, perdja vazhdon të mbetet e hapur.


Postuar në:
http://www.mapo.al/2016/05/veper-qe-thyen-zotin
http://www.tiranaobserver.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.gazetadita.al/veper-qe-thyen-zotin/
http://hermesnews.al/kulture/Veper-qe-thyen-Zotin.html
http://piruni.net/al/veper-qe-thyen-zotin/
http://www.arkivalajmeve.com/Veper-qe-thyen-Zotin.1047986831/
http://www.zeriiqytetarit.com/sq/?p=42785

Wednesday, May 18, 2016

Shqipja standarde, ku rrezikohet gjuha?

Pas një bisede me Prof.Dr Xhevat Lloshin

nga Leonard Veizi

Ka ardhur koha që gjuha shqipe, ajo e normuar, standarde apo letrare quajtur ndryshe, të mos mbahet më e presuar nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit që u zhvillua 44 vite më parë? Kësaj pyetjeje mund t’i japin përgjigje vetëm gjuhëtarët, madje jo dokushdo prej tyre, por ata që janë marrë prej vitesh me një punë thellësisht shkencore në këtë lëmë. E meqenëse gjuha cilësohet dhe si pasuri kombëtare, çdo gjë që bëhet mbi shpinën e saj ka një kosto jo të vogël.
Megjithatë deri tani asnjë gjë nuk ka ndodhur. Por, dilema është në mes gjithsesi. Zyrtarisht, në Shqipëri e trevat përtej kufirit, njihet gjuha e standardizuar në vitin 1972. Ndërsa në botimet e përditshme, ç’është e vërteta ndeshesh me gjithfarë deformimesh, që e bëjnë “gjuhën e ëmbël e me vlerë” të Naimit, krejt të shëmtuar e ndonjëherë pa vlerë. Një “ë” më shumë apo një “ë” më pak duket se vendos fatin e të gjithë fjalorit. Ndërkohë një Këshill Ndërakademik që rrekej prej vitesh të bënte ndryshimet që kërkon koha, nuk ka arritur të ndikojë aq sa një Kongres i ri Drejtshkrimi të shfuqizojë shqipen e “vjetër”.
Xhevat Lloshi, Profesor-Doktor në fushën e gjuhësisë dhe një prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, ka një qëndrim krejt të kundërt, madje fort të rreptë me atë çka ka prodhuar Këshilli Ndërakademik. Sipas tij, nisma mori shtysë pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, e në këto rrethana u ushqye ideja, se duhej shpartalluar gjithçka e ndërtuar më parë, rrjedhimisht edhe gjuha e normuar prej Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.
Por deri tani ndërhyrjet për të “ndrequr” apo “prishur” gjuhën e normuar nuk ka gjetur mbështetje, sepse pavarësisht gjynaheve të panumërta, politika vendimmarrëse ka pasur nuhatjen se kjo çështje, ndoshta jo fort me rëndësi në dukje, mund të krijojë një tronditje shumë më të thellë nga sa e mendojmë. E meqë ndryshime nuk kanë ndodhur, Xhevat Lloshi shprehet se nëse do të lejohet një gjë e tillë, pasojat do të jenë të vajtueshme, ndërsa pështjellimi do të ishte i përhershëm në sistemin tonë arsimor, duke nisur që me librin e Abetares.
Gjuhëtarë të tjerë, por dhe ca që s’kanë të bëjnë fare më këtë punë, kërkojnë që dhe dialektet të ngrihen në shkallën e varianteve të detyrueshme. Duke iu referuar bisedës me profesor Lloshin, pikërisht rreth një teme të tillë, dilet në përfundimin se kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast në gjuhët europiane.
Larmia kulturore dhe dialektore e shqipes është një dukuri historike objektive. Gjuhëtarët që merren me stilistikën ngulin këmbë se kjo larmi është një fushë tjetër e pasurisë së shqipes, e cila duhet njohur sidomos nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit dhe mësuesit. Ndërkaq, mëshimi i anës dialektore sot është përsëri në hullinë e asaj që Xhevat Lloshi e cilëson si: “sulm tinëzar kundër gjuhës standarde”. Askush nuk pengon sot dikë që të përdorë variantin gjuhësor të parapëlqyer prej tij. Është lexuesi, i cili vendos ta shijojë një tekst ndryshe nga gjuha standarde ose ta lërë mënjanë.
Ndërkohë, përzierja e pashembullt demografike e periudhës së fundit e ka prekur fort tablonë dialektore të shqipes, ndërsa gjuhëtari Lloshi thotë se është koha e fundit, ku duhen shpëtuar mjaft gjëra me vlerë prej gjuhës së gjallë.
Por gjithësesi shqipja vazhdon të jetë e rrezikuar dhe nga një mori fjalësh të huaja, e për më tepër ajo deformohet në të shkruarën e saj. Dhe kjo në radhë të parë vjen nga shtypi i shkruar e portalet pafund ku shkruajnë pa kontroll, akademikët dhe analfabetët. Për përkthyesit dhe gazetarët nevojitet përdorimi i një fjalori në çdo ditë të punës së tyre. Kjo është dhe kërkesa profesionale ndaj vetes në njohjen dhe zgjerimin e visarit leksikor të shqipes. Gjuha jonë tashmë ka një pasuri të vërtetë për t’iu përgjigjur gjuhëve të tjera. Ndërkohë qëllon jo rrallë që shqipërimit nga një gjuhë e huaj t’i përgjigjen me një tjetër fjalë të huaj.
Padyshim, përmirësimi i gjuhës është dukuri e pandërprerë dhe, po të flasim për kohën, ndoshta jemi të vonuar disi.

Botuar ne revistën "Grazia" më prill 2016

Tuesday, May 17, 2016

Dështimet e Ministrisë së Kulturës...me kulturën

nga Leonard Veizi


Kultura nuk është nga pikat më të forta të qeverisë Rama, e padyshim edhe në platformën e Këshillit të Ministrave, ajo zë faqen e parafundit, ashtu si prodhimet mediatike, ku në faqet e parafundit të edicioneve informative apo gazetave të ditës rreshtohet gjithashtu... kultura.
Ka pasur rëndom raste nga kritizerë thellësisht mediokër që bëjnë pyetjen e vazhdueshme me ironi e sarkazëm bashkë: “Pse ka art në Shqipëri?!” Natyrisht që ka, përderisa në kryeqytet zhvillon aktivitetin e pandërprerë një institucion elitar si Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, e pas tij edhe Teatri Kombëtar, kinematë, Galeria Kombëtare e Arteve, Cirku, i cili tashmë ka marrë një status gjithashtu si trupë kombëtare, përderisa ka muze gjithëllojesh e një Qendër për Realizimin e Veprave të Artit, pa përmendur këtu edhe trupat e ndryshme teatrore apo edhe atë jetë artistike që buron nga Universiteti i Arteve. Të thuash që nuk ka art në Shqipëri, padyshim që është një nihilizëm absurd.
E megjithatë sërish, duke parë pritshmëritë dhe ecuritë, më duhet të them se viti 2014 nuk ishte i artë për kulturën. Po t’i pyesësh me zëra një e nga një, të gjitha drejtoritë dalin me realizim të planit, në mos me tejkalim të tij. Këtë e di mirë... Po t'u referohesh shifrave në letër e diskutimeve në Kuvend ne ia kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara. Realiteti është i ndryshëm. E megjithatë deri më tani, Ministria e Kulturës nuk ka bërë publike një shifër, jo se sa janë paratë që ka hedhur për këto projekte, por se sa kanë qenë të ardhurat që i ka sjellë kultura buxhetit të shtetit, pra shqiptarëve. Në fund të fundit edhe ministria e Kulturës operon nëpërmjet parave të mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë. Por e thamë edhe më sipër, shifrat në letër janë gënjeshtari më i madh. Këtë e di mirë. Ashtu siç di të them që grupet e arkeologëve kanë ndërprerë punimet për mungesë fondesh. Galeria Kombëtare e Arteve ka të njëjtin kontingjent vizitorësh krahasuar me vitet e mëparshme. Rrallë të ndodh të shohësh që grupe të internuara vizitorësh t’i afrohen në grup këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës kombëtare, veç rasteve kur këto mund të jenë të organizuara prej shkollave të ndryshme, por edhe këto të fundit jo shpesh. Muzeu Historik Kombëtar nuk gjen qetësi. Prej vitesh vazhdon me restaurimin e pavijoneve. Historia shkruhet e rishkruhet. Objektet lëvizin vazhdimisht nga stenda në bodrum e anasjelltas. Trishtim i madh, sigurisht. Teatri Kombëtar vendos të njëjtin numër premierash ndërsa Teatri i Operës dhe Baletit po riciklon më së shumti vëniet e vjetra në skenë me kostume të reja. Nisur edhe nga biletat e shitura, që nuk sjellin ndonjë të ardhur të madhe në llogaritë e këtyre institucioneve, dalim në përfundimin se nuk mund të flasim për një “bum”. Në intervistën e saj të paradisaditëshme, Ministrja Kumbaro foli për sukseset që pati TKOB gjatë këtij viti, por projektet që ajo përmendi, si koncerti i Papavramit e ndonjë tjetër ishin më shumë evente personale se sa institucionale. Askush nuk mund të thotë se këto evente e rritën numrin e spektatorëve në këtë tempull, e po kështu edhe të ardhurat e tij. Emërimi i drejtorit të ri në Teatrin Kombëtar po shoqërohet me një kalendar të ri pune. Janë hapur dyer për regjisorë të rinj, por ende ne nuk kemi një strategji të qartë të Ministrisë së Kulturës se çfarë do të bëhet në Teatrin Kombëtar, si do të jenë drejtimet dhe buxhetet e tij, cilat do të jenë raportet mes trupës artistike dhe të atyre që vijnë jashtë teatrit, e plot e plot të tjera. Deri më tani Teatri Kombëtar falë edhe mosstrategjisë së Ministres së Kulturës po shndërrohet në institucion me dyer të shqyera.
Si rrallë ndonjëherë gjatë dy dekadave të fundit, Ministria u mundua të eklipsonte panairin e botuesve duke zhvilluar një tjetër panair libri, por në kushte shumë më mizerabël si ai i prillit 2014 në oborrin e Muzeut Historik. Pavarësish tendave, stendat e librave qëndronin të ekspozuara ndaj shiut, në të njëjtën mënyrë si të ishte tregu i fruta-perimeve te Pazari i Ri. Gjithashtu si rrallë herë, këtë vit Ministria e Kulturës nuk e mbështeti Panairin e Librit të Tiranës. Ky qëndrim nuk ishte ndonjë e papritur, pasi në lidhje me politikat e librit, qëndrimi i Ministrisë ka qenë pa bosht, ashtu si pa bosht ka qenë edhe politika ndaj filmit. Se sa ishte prezente kjo fushë në buxhetin e ministrisë, këtë Ministrja Kumbaro u mundua ta thoshte nëpër konferenca shtypi, por pa thënë asgjë konkrete.
Deri tani Ministria e Kulturës arrin të mburret me bashkëpunimin që u bë për pritjen e Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe në zbukurimin e Bunk’artit. Restaurimi i kalave dhe menaxhimi i tyre sa më i mirë ka mbetur në vend. Askush nuk mund të thotë se projekti i vitalizimit të kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tashmë ka shkuar aty ku duhet. Shpesh menaxhimi i tyre mbetet një njollë e errët, të cilën nuk mund ta zbardhin as ahengjet e dasmave që nisën të organizohen rëndom, herë me bujë e herë në mënyrë më diskrete.
Deri më sot, Ministrja Kumbaro ka mundur të flasë në vija të përgjithshme, por konkretisht ende nuk ka një gozhdë ku ajo të varë pallton e rëndë.

Postuar në ResPublica 28 Dhjetor, 2014


Kur puthesh me profetët

nga Leonard Veizi

Që nga koha kur në botë mbërriti profeti i parë, e deri më sot që pretendohet se cikli i tyre është mbyllur, - e në ardhtë Jezusi për herë të dytë në Tokë nuk dihet se çdo të ndodhë, - dilema nëse Zoti ekziston vërtet dhe a janë Ata të dërguarit e tij, ka qenë e pranishme jo vetëm tek dyshuesit e pandreqshëm, por dhe tek ata që janë marrë gjerësisht me zbërthimin e doktrinës. E megjithatë, që prej Koncilit të Parë të Nikeas më 325 e deri më sot, t’i kundërviheshe Zotit apo të besoje më shumë se tek ai në Ateizëm, merrje përsipër një risk të madh. Por dhe nëse bëje veprime ndesh, inkuizicioni të hidhte në turrën e druve, ndërsa ca më vonë diktaturat e sofistikuara të hiqnin qafe me dy plumba pas bythe, siç ndodhi me Federiko Garcia Lorkën në kohën e fashistit Franko.
Kjo ishte dhe një pjesë e thelbit të asaj çfarë kërkonte Mustafa Nano të përcillte te ndjekësit e tij, pikërisht në këtë kohë oportune të emancipimi shoqëror të shqiptarëve, ku diktatura ka 25 vite e rrëzuar, e ku bashkëjetesa mes feve të mëdha e filialeve të vogla nuk xhelozon as ateistët, që më siguri pas fabrikimit të pas vitit 1967 nuk janë aq të paktë në numër.
Much Nano me “ch” sipas versionit të ftesës që mora në duar, apo Muç Nano me “ç” sipas asaj që i thërrasim çdo ditë, nuk pati ndonjë problem të rikonfirmonte paanësinë e tij ndaj fesë, edhe pse auditorit që i drejtohej, kishte nga të gjithë: katolikë e myslimanë, ortodoksë e bektashinj, nga ata që thjesht besojnë në Zot dhe nga ata që nuk dëgjojnë nga ajo anë. Pra një show për një shoqëri të hapur.
Në një plate të mbushur plot me fytyra të njohura e gjysmë të para, e lozha gjithashtu, pritej të binte “gongu’. Muçi doli në skenë, ashtu siç e pamë ca e ca të hynte në passkenë, këmishë blu lisho të nxjerrë nga rripi, pantallona kafe si punë linoje dhe atlete shumëngjyrëshe, pak blu, pak të zezë e pak vishnje. Veshje tipike për kohën e lirë e të shpenguar. Nuk mund të pritej ndryshe, në një premierë që Mustafai e kishte bërë krejt për qejf të vet dhe jo i shtrënguar për të plotësuar normën e shfaqjeve të vëna në skenë apo për të bërë një dorë para. Pra mungonte dhe kostumografi. Ndoshta dhe regjisori... Kështu Muçi duhet ta ketë parë të udhës të mos kontraktohej brenda një veshje shik i tipit: frak, papion e këmishë të bardhë, e cila padyshim në vend të seriozitetit kishte gjasa ta nxirrte fare nga moda. Për më tepër që gjatë performancës, autori me një gjatësi rreth 180 centimetra e peshë të paktën 100 kilogram, u zhgërrye nja dy-tre herë në dyshemenë prej dërrase të skenës së Akademisë së Arteve, të cilën duhet ta kishte marrë me qira.
Në një shfaqje të titulluar “Dhe profetët dinë të puthin...” e me një shtesë të konsiderueshme në kllapa “një show për jofetarë”, Mustafa Nano, ky gazetar fort i njohur televiziv, por që karrierën e tij më së shumti e ka pasur në gazetë, nisi monologun e tij të gjatë prej më shumë se 60 minutash, me ulje e ngritje të domosdoshme, kulminacione dhe pauza që kalonin me kollitje të lehta nën gurmaz, humor e seriozitet mendues, pak banalitet të domosdoshëm që shtyhej çdo 7 apo 8 minuta me nga një gllënjkë ujë “Trebeshina”. Ky i fundit me siguri do të ketë qenë sponsor, përndryshe do të duhet t’i kishte hequr etiketën, gjë që s’ndodhi. E gjitha kjo nuk e bënte aspak të mërzitshëm performancën e tij, edhe pse Muçi s’ma do mendja të ketë marrë as dhe një orë të vetme leksioni të tipit “kupa me kapak, kupa pa kapak” për ta çuar më përpara mjeshtërinë e tij prej aktori. Se, ç’është e vërteta, edhe tema që kishte zgjedhur ishte ca më “spec”. Një temë ku u fol ca për fenë, por dhe për blasfemitë e mëdha, ca për profetët e për ata që s’i kishin besuar asnjëherë, ca për artistë e filozofë të përbotshëm e ca për homoseksualë, gei e lesbike bashkë. U përmendën veprat e mëdha të Mikelanxhelos e Da Vinçit, pa harruar që mjeshtri i skulpturës nga Toskana që kishte gdhendur një David të madh me “bibilush” të vogël, e kishte çuar herezinë e tij në kulminacion duke peneluar në Kapela Sistina të Vatikanit shëmbëlltyrën e vetë Zotit, atë që s’e ka parë kush mbi dhe. Më pas u vijua me citatet e Aristotelit dhe Volterit, sinteza nga veprat e Uitmanit e Dostojevskit. Kadare dhe Koliqi u përmendën, por dhe vetë Lek Dukagjini me Kanunin e tij. E që t’i mbledhësh në një thes, duket ca e vështirë. Do ca mund, por dhe njohuri përtej bazës, që padyshim nuk transmetohen në mënyrë të besueshme vetëm se i ke të skeduara në një synopsis.
Duke i lidhur të gjitha ngjarjet me Shqipërinë e sotme, Arbëri deri dje e ca më tej Ilirinë, Muç Nano doli në përfundimin e pandryshueshëm për të, se Kombi është mbi gjithçka, gjë të cilën ai e ka bërë të qartë dhe në librin e tij “Pax Albanica” bazë prej të cilës ngrihej i gjithë show në fjalë. Dhe ndoshta, në këtë pikë Shqipëria ndryshon disi nga kombet e tjera, ku simbolin e dy feve të mëdha e mbajti vetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kristian e muhamedan bashkë.
Por kur flet për kombin dhe shqiptarët, Muçi pranon se në pika të tjera ne jemi krejt të ngjashëm me pjesën tjetër të botës, qoftë te një fragment i Kanunit, ku të drejtat e gruas nuk afroheshin kurrkund me lëvizjen feministe, aq dhe te orgjitë e meshkujve me njëri-tjetrin, të cilat për hir të së vërtetës nuk paskan qenë të përhapura vetëm në Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, por dhe në Veri të vendit. Praktika otomane??? Jo o jo. Homoseksualë na paskan qenë burra të mençur të kësaj bote, dhe trima gjithashtu, Aleksandri i Madhi i maqedonasve, britaniku Rikard Zemërluani që udhëhoqi dhe një kryqëzatë, gjeniu Mikelanxhelo, por dhe vetë poeti i madh spanjoll Lorka, i cili u masakrua jo vetëm nga skuadra e pushkatimit, por sidomos nga dufi i njërit prej ekzekutorëve që në inat e sipër e qëlloi dy herë në një vend që s’ia vlen të thuhet më. E pra, ne shqiptarët nuk paskemi shumë ndryshim nga pjesa tjetër e botës. Por me harmoninë fetare ia kemi dalë, madje aq shumë sa jo vetëm një vajzë katolike mund të dashurohej me një djalë mysliman, por se ka ndodhur që një djalë ka ndërruar fe vetëm se këtë ia ka kërkuar i dashuri i zemrës, thënë shkurt dylberi i tij.
Të gjitha këto u thanë në show-n e Much Nanos, dhe ca të tjera që me sa duket nuk i mbaj mend mirë. Por ajo që i bëri më shumë përshtypje publikut, ishte pikërisht shprehja përmbyllëse: Kombi mbi të gjitha. E për ta bërë të besueshme të gjithë këtë, Muç Nano ka preferuar të tregojë që në ëndërrimet e tij të pafre a fare të çakërdisur, ka pranuar të vetmen puthje në buzë prej meshkujsh, aspak erotike duhet theksuar. Dhe kjo ka ndodhur prej dy burrave të cilët kanë ndikuar më shumë se kushdo në jetën e mëpasme të njerëzimit, Krishtit dhe Muhametit, të cilët po sipas imagjinatës kapriçoze të Muchit apo Muçit thënë ndryshe, i dhanë të drejtë shpjegimit të tij tip “Pax Albanica”: Kombi mbi gjithçka.
Sikur të ndodhte vërtet kështu?!
Muçi mund të jetë lodhur në performancën e tij të gjatë, dhe duhet të jetë lodhur, por asnjëri prej nesh që ishte në sallë nuk u lodh duke e dëgjuar. Guxim i tepruar kjo që sapo shkrova, mora përsipër të flas në emër të të gjithëve. Por njeri të dilte nga salla nuk më zunë sytë, dhe duartrokitjet e herë pas hershme them se i dhanë qytetarinë e merituar spektaklit. Dhe nuk duhet më shumë se kaq që ai të quhet i suksesshëm.
Por gjithsesi, edhe mes përqafimesh dhe urimesh të rastit, autori nuk harroi të thoshte se një show të tillë e bënte për herë të parë, por dhe për herë të fundit. Nuk ishte premtim, ndaj unë shpresoj që Muçi, siç e njohim ne, apo Muchi siç duan ta njohin të tjerë, të harrojë atë që tha dhe të hipi sërish në skenë për të na dhënë një show të ri.

Postuar në ResPublica 24 Prill, 2015


Të shtunat komuniste të Veliajt

nga Leonard Veizi

Lenini inicion “të shtunat komuniste”. Fill pas revolucionit bolshevik, vendi ishte thuajse i shkatërruar. Rusët e sapodalë nga lufta civile ishin optimistë për një jetë të re. Dhe iu futën punës vënçe.
Nga revolucioni i tetorit 1917 kaluan 28 vite. Jemi në vitin 1945.
Enveri inicioi të “dielat vullnetare”. E shtuna ishte ditë pune dhe vetëm e diela mbetej pushim. Por edhe shqiptarët të dalë nga Lufta e Dytë Botërore, apo sipas terminologjisë së kohës: Nacionalçlirimtare, ishin optimistë për një jetë më të mirë. U hodhën me kokë për ta bërë Shqipërinë “lule”.
Për analogji, në vitin 1985 kur pushteti u mblodh në duart e Ramiz Alisë, ai mori një tjetër iniciativë, veç këtë herë në emrin e komandantit: “Dita e Enverit”, që mund të bëhej si punë vullnetare, jo vetëm të dielën, por çdo ditë të javës.
Deri këtu nuk na lanë një ditë pushimi për be.
Por ndryshuan sistemet. Ekonomia e tregut u treguar zemërgjerë dhe u dha shqiptarëve dy ditë pushimi në javë që të mblidhnin veten.
Sot, nostalgjia e një kohë që po bëhet çdo ditë e më e largët, na erdhi fare pranë. Nisma më e re e kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte: “E premtja pastrim”.
Të jeni të bindur, që as që kam kundërshtim ndaj kësaj nisme. Tirana duhet pastruar vërtet, dhe atë që e bëjnë disa qindra-mijë banorë nuk e bën kush tjetër. Unë i kam mirë parasysh vitet ‘80 ku gratë e pallateve, por dhe burrat herë pas here, dilnin çdo të diel për të bërë një pastrim masiv. Dhe ç’është e vërteta Tirana ndriçonte. Madje edhe ne, që në atë kohë quheshim “pionierë” na aktivizonin kur bëhej fjalë për një pastrim më të detajuar, kur hiqeshin mbetje inerte të hedhura andej-këtej nga ndërtimi i pallateve të reja. Por kjo ishte logjika e viteve ‘80.
Sot kohët kanë ndryshuar vërtet.
Në një ekonomi të lirë kur çdo familje paguan goxha para si taksë për pastrim, për të përgjigjet firma që i merr këto para. E pra, të dielën e pushimit çdokush do ta kalojë në plazh, në mal, në restorant ku të hajë e të pijë sa të dehet. Se ka punuar gjithë javën e i ka rënë bretku. Madje ka paguar dhe të gjitha detyrimet ndaj shtetit, ku padyshim edhe faturën e pastrim-gjelbërimit. Dhe nëse kryebashkiaku inicion një aksion të tillë, duhet të ketë parasysh se Bashkia duhet të na kthejë urgjent paratë që i kemi dhënë për pastrim. Nuk përgjigjet asnjëri nga ne për dështimin e firmave të pastrimit. Se kur vjen puna për të marrë tenderin, vrapojnë të zënë radhën. E pas kësaj vijnë justifikimet, jo na u prishën kazanët e jo “do prishim kazanët e do bëjmë kanaçe”. Sepse, personalisht, unë me familjen time aq metra katror sa na takojnë i pastrojmë vetë.
Dhe duke iu referuar datës 4 shtator 2015 Veliaj thotë se: “Tirana do të ngryset më e pastër seç u gdhi”. Ndërsa unë them se në 5 shtator 2015 Tirana do të gdhihet më e ndotur nga sa ish. Ajo që dua të shtoj pas kësaj për ta mbështetur përfundimisht atë që shkrova, është se Tirana vështirë të pastrohet nga njerëz që në mënyrë masive u mungon edukata qytetare, të cilët sot kapin fshesën të pastrojnë oborrin e pallatit ku jetojnë, por të nesërmen po në të njëjtin vend do të hedhin letrat higjienike që fshijnë hundët, mbështjellëset plot yndyrë të byrekëve dhe për më tepër do të urinojnë poshtë Lanës e në çdo rrëzë peme që gjejnë.
Gjithçka duhet të fillojë nga përmirësimi i edukatës qytetare, që këta një milion banorë që jetojnë në kryeqytet të mos e ndotin atë, se padyshim, pastrimi si proces nga ky çast do të bëhet shumë më i thjeshtë.


Postuar në ResPublica 05 Shtator, 2015

Sunday, May 15, 2016

Evropa provinciale

nga Leonard Veizi

Nuk është fare për t’u habitur që Europa vazhdon të jetë po aq provinciale sa dhe në mesjetë. Dhe këtë mentalitet duket se nuk e ka zhbërë as Rilindja italiane as Filozofia gjermane e as Kulla e Eifelit francez si një prej kulmeve të zhvillimit teknologjik. Madje-madje, këtë mentalitet fshati nuk e ngushëllon as haberi që u dha me axhele të madhe se Irlanda më në fund ua lëshoi kapistallin martesave gay.
Elhajda Dani, apo thënë më saktë Shqipëria, doli në këtë Eurovizion si mos më keq. Në vendin e 16-të. Zhgënjim total. Askush nuk e besonte. Por në 40 vende, ata që i jepnin pikë Shqipërisë, apo Elhajda Danit merreni si të doni, ishin krejt të papërfillshëm. E pra prej kohësh ca sondazhe thoshin se “kuq e zinjtë” këtë herë ishin favoritët me serioz në mos për të marrë trofeun të paktën për të qenë në një vend të nderuar andej nga kreu i renditjes. Por sondazhet gjithsesi janë larg fushës së betejave aty ku jepen pikët. Dhe këto pikë që i trasmetojnë nga një fragment ekrani ose femra të bukura bionde ose meshkuj me kasketë, as më pak dhe as më shumë, jepen në mënyrë krejt tradicionale ose fqinjëve, ose shtetit mëmë gjatë bashkëjetesës në një perandori. Kështu ndodhi edhe këtë herë. Nuk kish si ndodhte ndryshe në fakt. Fjala vjen kroatët i japin pikë Serbisë edhe pse u vranë e u therrën në luftën për pavarësi. Bashkëjetesa nën ish-Jugosllavi nuk u harruaka lehtë. Me këtë rast nuk po përfill fare pikët e Malit të Zi. Padyshim republikat e ish-Bashkimit Sovjetik ia dhanë me shumicë pikët këngës ruse, ndërsa ne shqiptarët vazhdojmë me idiotësinë e vjetër, të shqepim me pikë Greqinë, a thua se pas kësaj Athina zyrtare do të na marrë me sy të mirë e do të ulte tonet qoftë për çështjen e kërkimeve në det apo jarebi dhe për miratimin e Idrizit në Kryesinë e Kuvendit. Padyshim ky është mentalitet provincial në tërë Europën konservatore, ndërsa për ne si Shqiptarë pak më i thellë, prej fshatarësh të vërtetë.
Kënga shqip nuk ia doli as këtë herë në Eurovizion. E pra Elhajda është një nga zërat e rrallë që kemi nxjerrë. Dhe në Eurovizion, Shqipëria vazhdimisht është paraqitur me dinjitet, por unë do të veçoja me këtë rast performancën e Anjeza Shahinit, Rona Nishliut dhe Juliana Pashës. Dhe dështimi në këtë Eurovizion vjen pikërisht kur këngëtarë të shquar shqiptarë, soprano e tenorë, kanë pushtuar skenat operistike botërore si në rastin e Inva Mulës, Ermonela Jahos, Josif Gjipalit, etj. Por duket se Evrovizioni, një festivali që për të thënë të vërtetën prej vitesh i kanë rënë kreditet edhe nuk është gjëkundi, i cili po mundohet të kurojë imazhin me regji të lëvizshme, skenë të zbukuruar nga dritat e shumta e me një transmetim “live” në Kinën e largët, ne shqiptarët nuk po ia dalim ta çajmë dot.


Postuar në ResPublica më 24 Maj, 2015

Saturday, May 7, 2016

“Rroftë mediokriteti”

Leonard Veizi

“Rroftë mediokriteti”!
Nuk është se kjo shprehje, thjesht të kujton një njeri si Salieri, apo që kërkon të ngrejë në piedestal njerëzit me “virtyte” si ai. Të qenit mediokër apo jo i tillë, pra më lart apo më poshtë se një stekë që na e paska vënë “dikush”, e ka vënë në dilemë njerëzimin që prej çastit kur filloi gara e ethshme për të qenë dikushi në jetë. Por jo të gjithë ia dalin në këtë turravrap të mundimshëm. Ca e kalojnë stekën, ca mbeten mbi stekë... Dhe në përgjithësi shprehja e rëndomtë “mediokër”, është përdorur në sensin më pezhorativ të mundshëm, për të kuptuar ata njerëz të cilët nuk ia dalin dot të kapin majën.
Është pikërisht kjo shprehje që në fjalorin e Gjuhës Shqipe është trajtuar në dy pika, njëra prej të cilave thotë: “Që ka aftësi të kufizuara, që nuk shquhet për ndonjë zotësi ose për ndonjë cilësi të veçantë; që është i rëndomtë (për njerëzit)”.
Kjo sa për fillim, ose sa për t’ju kujtuar një pjese të lexuesve, se në fakt kjo fjalë nuk ka kuptime më të këqija se sa kaq. Shkurt: nuk është se të shan kush kur të thotë "mediokër".
Por ndërsa deri dje, njerëzit e kësaj kategorie, penalizoheshin nën emërtimin “negativ”, tanimë mendoj se ka ardhur koha të thirret fort, me vërtetësi dhe pa asnjë lloj dyshimi: “Rroftë mediokriteti”.
A mund të jep bindës në këtë që po them?! Mbase jo... Mbase ia dal...
E që ta fus në brazdë këtë bisedë me veten, po filloj me arsyetimin tim, ndaj vetes time, sigurisht. Nuk kam punë me të tjerët.
Prurjet në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në ato të artit, muzikë, pikturë apo letërsi, këto vitet e fundit kanë qenë të shumta. Nëse të gjitha këto prurje do të kalonin hollë në sitën e kritikës dhe opinionit publik, padyshim pak gjë do të mbeste. Pjesa tjetër pa frikë mund të konsiderohej edhe si “mbetje”. Por për shkaqe të ndryshme, - të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi, - kritika në Shqipëri nuk ka ecur në të njëjtin hap me prurjet. Kështu që shumëçka ka mbetur e pa situr, duke iu servirur publikut në të gjitha format, herë si krijime të mrekullueshme, herë si arritje, herë si “bum”-e dhe herë si...
Emërtime pa fund.
Gjithçka nëpërmjet reklamave mediatike, të cilat natyrisht janë të paguara. Dhe në një rast të tillë, një media, - vizive apo e shkruar qoftë ajo, - merr përsipër që në bazë të shumës së përcaktuar që më parë, të transmetojë një spot, për atë çka një artist ka hedhur në treg. Deri këtu jemi në rregull në marrëdhëniet shitës-blerës, pra thënë shkurt në marketing.
Ajo që mbetet e patrajtuar është vlera.
E gjitha kjo m’u kujtua teksa në një nga ekranet me sigël shqiptare, - jo i pa rëndësishëm për nga fuqia - transmetohej një emision, ku drejtuesi i tij, pasi ftonte në studion e tij këngëtare fare të reja me një apo dy debutime, - absolutisht jo në skenë - i prezantonte plot zhurmë: “Mes nesh një këngëtare e famshme”. “Ndërsa tani do të kemi të pranishme një këngëtare edhe më të famshme”. Pastaj një: "Më e famshme se të famshmet"...
Inflacion fame?
E pra, absurditeti nuk njeh kufi.
Megjithatë nuk është një gjë që ndodh vetëm këtu tek ne, ku rëndom përdoret shprehja “vend i Botës së Tretë”. Ka ndodhur dhe në ekrane prestigjioze të vendeve të zhvilluara. Por ajo kohë ka marrë fund. Sot në perëndimin e largët, në ekrane televizive apo skena gjigante nuk ka më vend për mediokrit.
Por sa e lehtë të bëhesh e famshme këtu tek ne?
Ndoshta vetëm se je e gjatë, ke flokë bionde të lyera me peridrol, trup elegant, pak botoks në buzë e vithe. Megjithëse këndon me superpozim dhe skenën “live” as që e ke menduar. Por ndoshta këto nuk kanë fort rëndësi në kohën e teknologjisë së lartë, ku të gjitha defektet, janë të riparueshme, “pas kuintave”.
Megjithatë edhe kjo e ka një të mirë.
Nuk është se kisha probleme me performancën e tyre. Madje nuk është se arrija të nxehesha me vete se përse humbja kohën për të parë të tilla mediokritete. Ndoshta sepse atëherë dhe pikërisht atëherë mendova se nëse nuk do të ishin këta këngëtarë, apo më mirë të themi këngëtare - pa i fyer aspak se i kemi vënë në dukje mediokritetin e tyre, - nuk do të kuptonim famën e këngëtarëve të vërtetë që kanë dominuar në skenat e festivaleve të mëdha. Nëse nuk ka pikturë pa asnjë koncept por të fshehur thjesht nën emërtesën “moderne” apo “abstrakte”, nuk mund të vlerësojmë ata që dinë të vërtet të hedhin ngjyra mbi telajo. Nëqoftë se nuk do të kishte letërsi konsumi, mbushur me ujëra pa fund, pa sintaksë e ndonjëherë pa fare shenja pikësimi, si do mund t'i dallonim ata që dinë të shkruajnë vërtet.
E pra, të gjithë nuk mund të jenë gjeni. Shumica absolute që mbushin radhët e atyre që i quajmë pa të drejtë, artistë apo krijues, kanë qenë dhe janë mediokër. Dhe këtë më shumë se kushdo e ndjen shoqëria, që përballet çdo ditë me veprat e tyre, pa asnjë vlerë të veçantë, nga të cilat natyrshëm nuk mundtë mësosh asgjë, dhe as ndonjë mesazh nuk ke nga ta marrësh.
Por në këtë mënyrë, - duke marrë parasysh të mirën që na bëjnë pa dashje - me apo pa të drejtë na jepet mundësia të thërrasim pa frikë se na paragjykon njeri: “Rroftë mediokriteti”.


Botuar në revistën Kult - gusht 2012