Friday, December 20, 2024

Lundrimi i rrezikshëm me 5G në xhepin e pasmë


Nga 
Leonard Veizi
 
Në shumë telefona android tashmë ka nisur të shfaqet sinjali 5G. Dhe po aq shfaqet dukshëm dhe në rrjetin WI-FI. Ashtu në heshtje. “Urtë e butë e tiganin plot” thotë populli. Populli po duket se ka nisur të mësohet që “5G” t’i dalë para syve e ai të bëjë sikur nuk e shikon. Duket se janë harruar protestat që rrjeti 5G të mos vihej në funksionim. Protesta të cilat në disa vende të zhvilluara si Britania apo Zvicra përfunduan me përleshje të dhunshme, prishje e djegie antenash. Por protesta ka pasur edhe në Shqipëri edhe pse jo në standardet e duhura. Ndërkohë 5G po na bëhet bashkudhëtari ynë që e mbajmë në xhepin e pasmë.
Mjafton të jesh i vëmendshëm e të shohësh se çdo ditë sharrohen trotuaret për të vendosur kabllot e sigurta të fibrave optike, që do të mundësojnë rrjetin 5G. Dhe po ecin me ritëm, sepse shpejt duhet kompletuar. Një reklamë ku evidentohen të mirat që do të sjellë ky zhvillim teknologjik qarkullon gjithashtu nëpër ekrane.
Kësaj i thonë që, ti “e nxjerr nga dera, por ai të futet nga dritarja”. Sepse sinjali 5G ka pesë vjet që qëndron pas dere e pret të hapet dritarja. Dhe me sa duket ajo është hapur. Ndërsa njerëzit bëjnë sikur ai nuk ekziston edhe pse 5 vite më parë ishin të trembur për vdekje nga një numër dhe një shkronjë që formojnë “5G”.
Po çfarë sjell 5G në jetët tona?
I referohem materialeve të shumta që gëlojnë në internet, ku mundohem të përzgjedh atë çfarë më duket më serioze apo ndoshta më afër realitetit. Sepse edhe në realitet, shkencëtarë e specialistë të ndryshëm të fushës mbajnë qëndrime të ndryshme pro e kundër.
Teknologjia 5G, si gjenerata e pestë e rrjeteve të komunikimit celular, ka premtuar përfitime të jashtëzakonshme në shpejtësinë e internetit, lidhjet më të qëndrueshme dhe kapacitetin për të mbështetur miliarda pajisje të ndërlidhura. Por përtej përparësive, 5G ka ndezur gjithashtu diskutime mbi rreziqet e mundshme që lidhen me ndikimin e tij në shëndet, siguri dhe ambient.
Sistemi 5G është futur edhe në Shqipëri, duke premtuar përmirësime të ndjeshme në cilësinë dhe shpejtësinë e komunikimit. Operatori kryesor i telekomunikacionit ka nisur instalimin e rrjetit 5G, duke synuar të ofrojë një infrastrukturë të ngjashme me atë të vendeve të zhvilluara.
Megjithatë, si kudo në botë, edhe në Shqipëri 5G është pritur me përzierje entuziazmi dhe skepticizmi. Në shumë komunitete ka pasur dyshime mbi ndikimin e antenave 5G, të ngjashme me shqetësimet globale.
Një nga shqetësimet kryesore që lidhet me 5G është përdorimi i frekuencave më të larta të valëve elektromagnetike, të njohura si valët milimetrike. Këto valë, ndonëse nuk janë jonizuese (pra nuk dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në), janë të reja në përdorim masiv, dhe ndikimi i tyre afatgjatë mbetet i paqartë. Studime të kufizuara kanë sugjeruar lidhje të mundshme mes ekspozimit të zgjatur ndaj rrezatimeve elektromagnetike dhe efekteve si: Rritje të temperaturës së indeve trupore. Probleme me gjumin dhe sistemin nervor. Rritje të rrezikut për kancer, edhe pse këto lidhje mbeten të debatueshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe autoritete të tjera po vazhdojnë të analizojnë të dhënat për të përcaktuar rreziqet reale.
Ndërsa përparimet e 5G premtojnë një botë më të lidhur, ato sjellin gjithashtu sfida dhe rreziqe që kërkojnë vëmendje serioze. Është e rëndësishme të zhvillohen politika të kujdesshme për të balancuar përfitimet teknologjike me mbrojtjen e shëndetit, privatësisë dhe ambientit. Debati mbi 5G nuk duhet të shihet si një pengesë për inovacionin, por si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Në Shqipëri, diskutimet rreth sigurisë dhe ndikimit të teknologjisë janë ende të kufizuara, duke lënë hapësirë për keqinformim dhe teori konspirative.
Teoritë e konspiracionit lidhur me rrjetin 5G kanë tërhequr vëmendje të madhe në mbarë botën dhe janë përhapur shpejt, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19. Këto teori bazohen kryesisht në frikë dhe keqkuptime rreth teknologjisë dhe ndikimit të saj të mundshëm.
Një nga teoritë më të përhapura pretendon se 5G ka ndihmuar në përhapjen e COVID-19. Sipas kësaj teorie: Valët elektromagnetike të 5G dobësojnë sistemin imunitar, duke e bërë njerëzit më të prekshëm ndaj viruseve.
Por një sërë specialistësh thonë se realisht nuk ka prova shkencore që rrjetet 5G ndikojnë në funksionimin e sistemit imunitar. COVID-19 është një sëmundje virale që përhapet përmes kontaktit fizik dhe ajrit, jo përmes valëve elektromagnetike.
Disa pretendojnë se 5G mund të përdoret për manipulimin e mendjes dhe kontrollin masiv të popullsisë. Frekuencat e larta të përdorura nga rrjeti 5G mund të ndikojnë në emocionet dhe mendimet e njerëzve.
Por përsëri ka kundërshti. Sepse gjithashtu specialistë të tjerë pretendojnë se nuk ka asnjë provë që mbështet këtë teori. Frekuencat e 5G janë të ngjashme me ato të përdorura në teknologji të tjera, si Wi-Fi, pa efekte të dokumentuara në sjelljen njerëzore.
Një tjetër teori e përhapur është se 5G rrezaton energji të dëmshme që mund të shkaktojë sëmundje të rënda, përfshirë kancerin. Një tjetër pretendim është se valët e 5G janë përgjegjëse për zhdukjen e zogjve dhe insekteve në disa zona.
Por thuhet gjithashtu se rrezatimi i 5G është jo-jonizues dhe nuk ka energji të mjaftueshme për të dëmtuar ADN-në ose për të shkaktuar kancer. Organizata të shëndetësisë, si OBSH, kanë theksuar se 5G është i sigurt brenda standardeve të përcaktuara.
Kë të besosh???
Teknologjitë e reja shpesh ngjallin pasiguri. Shumë njerëz dyshojnë tek qeveritë dhe korporatat, duke u bërë më të hapur ndaj teorive të tilla. Edhe pse këto teori kanë marrë përmasa globale, ato nuk mbështeten nga provat shkencore. Megjithatë, frika dhe shqetësimet që ato shprehin duhet të adresohen me informim dhe transparencë, për të ndihmuar qytetarët.

Friday, December 13, 2024

“Dispara” filmi që flet për hakmarrjen si pasojë e dhunës




Nga Leonard Veizi
 
Çizme ushtarake, trupa të veshur me jelek antiplumb, automatikë të vegjël në gjoks të gatshëm për t’u shkrehur dhe skafandra në kokë. Më tej, një femër me fytyrë të dhunuar e gjakosur, mbi kokën e të cilës qan një djalë i ri. Dhe  për më tej dy gishta që matin pulsin e saj ku menjëherë të krijohet bindja se ajo sapo ka dhënë frymën e fundit dhe gjakun e ka ende të ngrohtë. Në sfond dëgjohet kënga “Sinno me moro” apo “Ndryshe vdes” e vitit 1959 kompozuar nga Karlo Rustileli dhe interpretuar nga Alida Keli. Ky është epilogu i një prej realizimeve më traumatike dhe më të dhimbshme në kinemanë evropiane...
 
 ..."¡Dispara!", i ardhur në shqip si “Gjuaj”, është një prodhim prej 108 minutash i vitit 1993, i njohur në anglisht si "Outrage". Filmi është një dramë spanjolle me regji të Karlos Saura, dhe me skenar të Enzo Monteleone në bashkëpunim me Karlos Saura. Ai trajton tema si hakmarrja, dhuna dhe drejtësia vetiake. Me interpretimet e fuqishme të aktores italiane Françeska Neri dhe të spanjollit Antonio Banderas, filmi është një përzierje e ndjeshmërisë emocionale dhe reflektimeve sociale mbi dhunën dhe përgjegjësinë morale.
 
Ngjarja
Filmi përqendrohet te Ana – e cila interpretohet nga Françeska Neri, - një grua e fortë dhe e pavarur që punon si kërcimtare cirku dhe mjeshtre me armët e zjarrit.
Markos, një reporter i ri, shkon në një cirk për të shkruar një pjesë suplementin e fundjavës. Teksa largohej, akti i radhës është gati të nisë. Një grua hipur në kalë përfundon me gjuajtjen e tullumbaceve ndërsa është në lëvizje. Markos kthehet për ta intervistuar. Ajo e fton për darkë. Ata kërcejnë, dhe më pas kalojnë natën së bashku. Markos bie në dashuri me vajzën e bukur të cirkut. Ai i premton se do ta ndjekë atë në shfaqet që cirku do japi nëpër Evropë. Por shpejti, Markosit i duhet të largohet për të mbuluar një koncert në Barcelonë.
Fati ndërhyn kur tre mekanikë të rinj vijnë për të riparuar pajisjet e cirkut dhe pronari u jep atyre bileta falas për shfaqjen. Treshja shikon Anën të performojë. Pas shfaqjes, ata e ndjekin Anën në kabinën e saj dhe e përdhunojnë brutalisht. Edhe pse është lënduar rëndë, Ana vendos të hakmerret. E mavijosur, e gjakosur dhe e poshtëruar ajo merr pushkën e saj dhe shkon për t'i vrarë. E gjen lehtësisht dyqanin e servizit ku punojnë. Ajo i vret të tre djemtë dhe largohet pa u identifikuar qartë. Ana, e cila ka gjakderdhje të rëndë, duhet të vizitohet te një mjeke. Pas vizitës ajo u tregon autoriteteve se ajo është përdhunuar. Policia fillimisht nuk ka asnjë të dhënë për autorin e vrasjes së trefishtë, por pas intervistimit të mjekes nisin të dyshojë për Anën.
Ana ndalohet në autostradë nga dy oficerë; e zë paniku dhe i vret edhe ata, vendim për të cilin pendohet menjëherë. Marko i cili shkon në kabinën e Anës, gjen gjurmë gjaku kudo dhe ai dhe autoritetet shkojnë në kërkim të Anës. Ajo hyn në një shtëpi fshati ku jetojnë një çift dhe dy fëmijë të vegjël. Markos është përgjegjës për thyerjen e ngërçit midis Anës dhe policisë, por ai arrin shumë vonë për ta ndihmuar atë; policia hapi zjarr ndaj saj dhe ajo vdes në krahët e tij.
 
Analiza
Pas një sulmi brutal dhe përdhunimi nga një grup meshkujsh, Ana vendos të marrë drejtësinë në duart e saj, duke nisur një seri hakmarrjesh të dhunshme.
Filmi eksploron konceptin e drejtësisë, duke ngritur pyetjen nëse hakmarrja personale mund të justifikohet në rrethana ekstreme. Pasi sistemi ligjor dështon ta mbrojë Anën dhe të ndëshkojë kriminelët, veprimet e saj hapin një debat moral mbi kufijtë midis viktimës dhe agresorit.
Ana përfaqëson një figurë të fuqishme femërore që refuzon të dorëzohet përballë dhunës dhe padrejtësisë. Edhe pse aktet e saj janë të dhunshme, ato paraqiten si një reagim i fuqishëm ndaj një sistemi që shpesh injoron ose dëmton gratë.
Marrëdhënia mes Anës dhe Markosit është një element qendror i filmit. Ndërsa Markos përfaqëson një figurë mbështetëse dhe më pak të dhunshme, ai bëhet pjesë e rrugëtimit të Annës, duke reflektuar mbi ndërlikimet emocionale të dashurisë dhe besnikërisë.
Filmi tregon se si dhuna gjeneron më shumë dhunë, duke krijuar një cikël të pashmangshëm që ndikon në psikologjinë e individëve dhe shoqërisë.
Karlos Saura sjell një atmosferë të ngarkuar emocionalisht me përdorimin e ngjyrave të errëta dhe ndriçimit dramatik, që reflektojnë ankthin dhe tensionin e personazheve. Skenat me armë dhe aksion janë të realizuara me një intensitet të lartë, ndërsa momentet intime midis Anës dhe Markosit shtojnë një ndjenjë humanizmi në mes të kaosit.
Françeska Neri ofron një performancë të fuqishme dhe komplekse, duke e bërë Anën një figurë të ndërlikuar dhe të ndjeshme, ndërsa lufton për të rimarrë kontrollin e jetës së saj.
Antonio Banderas, me karizmën e tij të zakonshme, sjell një kontrast me natyrën më të egër të Anës, duke portretizuar një personazh që përpiqet të balancojë ndjenjat e tij me situatën e dhunshme.
 
Epilogu
"¡Dispara!" është një reflektim mbi padrejtësitë sociale dhe psikologjinë e viktimës, duke treguar pasojat e dhunës dhe përpjekjet njerëzore për të gjetur drejtësi. Ai lë shikuesin me pyetje të hapura mbi moralin, përgjegjësinë dhe aftësinë e individit për të kapërcyer traumën.
Filmi është një shembull i fuqisë së kinemasë për të adresuar tema të vështira dhe për të provokuar debate mbi drejtësinë dhe dhunën në shoqërinë moderne.

“Trimat”, këta meshkuj që nuk jetojnë gjatë


Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse dikur Shqipëria ka qenë një vend trimash, tani është kthyer në një vend sherresh. Dhe zakonisht sherret nuk i bëjnë trimat por meshkujt. Dhe nëse i bëjnë trimat, për ta ekziston termi i vjetër: Trimat nuk jetojnë gjatë. Është ky një realitet i hidhur që historia na ka mësuar.
Precedentët e sherreve me thika mes të rinjve, po kthehen në trend. Në Tiranë po e po, por dhuna është evidente në çdo rreth, qoftë dhe ato të vogla ku njerëzit e njohin njëri-tjetrin e përshëndeten çdo mëngjes. Në Fier sherr, në Peshkopi sherr, në Durrës sherr, në Sarandë sherr...
Nuk ka ditë që të mos ndodhi sherr.
Mediat raportojnë se vetëm në tre muajt e verës janë 19 viktima, ku vetëm një cilësohet si atentat, ndërsa 18 rastet e tjera janë për xhelozi dhe sherre banale. Kohët e fundit mbi sipërfaqe kanë dalë bujshëm dhe konfliktet mes të rinjve, nxënës të shkollave të mesme, por çuditërisht më shumë të shkollave 9-vjeçare.
“Prapë sherr me thika mes të rinjve!”... lexon rëndom nëpër titujt e gazetave dhe mediave online, që do të thotë se mes dy sherreve distanca ditore është fare e vogël. Ka sherre që përfundojnë pa lëndime, ndërkohë që ka sherre me plagosje, por ka nga ato që kalojnë në fatalitet.
Kohët e fundit kjo është bërë tepër e dukshme.
Si i bëhet???
Të jetë faji i vaksinave pas pandemisë???
Sepse edhe kjo puna e sherreve na është ngritur si një pandemi tanimë.
Por a e kemi antidotën për ta shmangur këtë rrezik? Qoftë dhe për ta minimizuar atë?
Në çdo kohë dhe në çdo vend, ata që guxojnë të sfidojnë rregullat, të dalin mbi mesataren dhe të përballen me të pamundurën, janë ata që rrezikojnë më shumë. Arsyeja është e thjeshtë: bota është e vështirë për ata që jetojnë jashtë kornizës së saj.
Por përse jetojnë pak trimat?
Sepse gjithmonë del dikush tjetër: një trim më i guximshëm ose një budalla i paarsyeshëm. I referohemi psikologjisë dhe sociologjisë: I pari përfaqëson ambicien njerëzore për t’u përmirësuar, për të zgjatur kufijtë e së mundshmes. I dyti përfaqëson kaosin, të paparashikueshmen që nuk ka as strategji dhe as arsye. Në një duel midis këtyre dy forcave, shpeshherë trimi i mençur është ai që bie, jo sepse ishte i dobët, por sepse nuk e llogariti çmendurinë si një armë të kundërshtarit.
Megjithatë, trimëria e vërtetë nuk matet me jetëgjatësinë.
Ndërkohë brezat po rriten me të njëjtën frymë. Nuk mbarojnë. Por ata nuk janë trima lufte. Nuk janë Adem Jasharë që flijohen me gjithë fis për një kauzë të madhe. Nuk janë as si Azem Galica e as si Çerçiz Topulli.
Ata janë thjesht meshkuj që trimërohen në zënie të çastit, por që në fakt është më shumë një gjaknxehtësi e pamenaxhuar: Pse më pe??? Pse më zure vendin???
Ku po shkojmë kështu?
Kjo shoqëri që firon përditë nga territori shtetëror, po i nënshtrohet dhunës dhe armëve të ftohta. Nuk ka nevojë të mobilizohemi në luftë për të dhënë heronjtë tanë. Memorialë “trimash” janë ngritur gjithandej edhe në kohë paqeje.
Por çfarë ndikon në psikikën e shqiptarit që zemërimin e kanalizon me urgjencë te përdorimi i një mjeti asgjesues?
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, na jep këtë version të tij duke e përshkruar tek romani apo filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” çështjen e psikikës së popullit shqiptar në lidhje me armët dhe vrasjet, pikërisht në një bashkëbisedim mes gjeneralit që vinte në Shqipëri në krye të misionit për të mbledhur eshtrat e ushatarëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndihmësit të tij prift.
-Ushtarët e mi të mjerë, më dhemb shpirti! Ç'mund të bëj unë për ta? Si mund tua marr hakun. Këta dreqër paskan qenë të fortë për luftë, - shprehet me dhimbje gjenerali.
-Nuk është punë trimërie të ndërgjegjshme. Është çështja e psikikës së tyre, - flet gjakftohtë prifti.
-S’ju kuptova?
-Shumë e thjeshtë. Në luftë disa i udhëheq arsyeja e fortë ose e dobët, kurse disa të tjerë instinkti. Shqiptarët janë një popull i ashpër, i prapambetur. Atyre që kur janë foshnje u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet një pjesë e pandarë e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, pushka ndikon direkt në krijimin e psikikës së shqiptarit...
A e vazhdojmë argumentin po aty në vazhdim të dialogut të gjeneralit dhe ndihmësit të tij prift, sepse Kadare na jep argumente interesante rreth krijimit të psikikës së shqiptarit në luftë e në paqe, atëherë kur në djep u vihej pushka e ndoshta sot thika. Ndaj prifti vazhdon ta shtjellojë edhe më tej argumentimin e tij:
-...Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt natyrisht që ka qejf edhe ta përdori. Por përse mund të përdoret më tepër se çdo gjë pushka?
-Për të vrarë njerëz, – ia kthen gjenerali.
-Shumë e drejtë. Për të vrarë njerëz... Shqiptarët gjithmonë kanë pasur qejf të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin, kur nuk kanë pasur me këtë ë luftojnë. Keni dëgjuar gjë për gjakmarrjen e tyre? Ata në luftë i shtyn instinkti i vjetër. Ndërsa në paqe ata trullosen, përgjumen, ashtu si gjarpri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Prandaj dhe në luftë ata janë të ashpër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër se ç’duhet.
Ja pra që Kadare si shkrimtar gjenial, na e ka bërë të ditur që 60 vite më parë se si ndikon arma në formimin e psikikës së një kombi. Dhe me sa duket si para 100 viteve kur ishim në mbiekzistencë si komb e shtet edhe tani në epokën e teknologjisë së lartë shqiptarët mbajnë të njëjtin avaz: kur s'ka luftë vrasin njëri-tjetrin.
Po pse ore kaq pa vlerë qenka jeta sa mund ta t’ia marrësh tjetrit apo dikush tjetër të ta dorëzojë i pamundur, vetëm për një fjalë goje,  që ti të shprehësh egon tënde smirëzezë me thikë në dorë?! Ku qenka gjithë kjo ego e madhe sa nuk e duron dot fyerjen se një bashkëmoshatar të paska parë shtrembër? Pse nuk është e shprehur kjo ego dhe në mësime, detyrat e shtëpisë, ndihmë në familje, por na qenka e shprehur në nxjerrjen e thikës nga mënga e xhupit?
Trimi që mbetet në histori nuk është ai që vret për pesë lekë, as ai që përdor fuqinë për qëllime të vogla. Ai është një figurë që ngrihet mbi banalitetin e përditshëm dhe krijon një trashëgimi që jeton përtej tij.
Skënderbeu nuk mbeti në histori sepse vrau shumë armiq, por sepse frymëzoi një popull të tërë në betejën për liri. Burra të tjerë të mençur e të matur nuk mbahen mend për ndonjë fitore të shpejtë e të ashpër, por për vizionin dhe guximin e tyre duke dashur të ndikojnë r një botë më të drejtë.
Në shoqërinë tonë moderne, shpesh ngatërrojmë trimërinë me dhunën, forcën fizike apo hakmarrjen. Por këto janë veprime të çastit, të përkohshme, që asnjëherë nuk lënë gjurmë të thella. Trimi i vërtetë është ai që përdor mendjen, zemrën dhe shpirtin për të ndryshuar diçka thelbësore. Dhe, ndonëse mund të jetojë pak, kujtimi i tij është i përjetshëm.
Pra, le të mos mashtrohemi nga shkëlqimi i trimërisë së rreme. Trimi që vlen është ai që mbetet në histori, jo për shkak të jetës së tij të shkurtër, por për shkak të gjurmës së tij të gjatë. Sepse jeta matet jo me vitet, por me ndikimin që kemi mbi botën.

Tuesday, December 10, 2024

“Pearl Harbor” misteret e sulmit që bëri Amerikën të futej në Luftën e Dytë Botërore



Nga Leonard Veizi
 
353 avionë të Marinës Perandorake Japoneze u sulën mbi “Portin e Perlave”, për ta kthyer atë në një enklavë kufomash. Ky ishte dhe prologu i nisjes së furisë aleate, kundër njësive të tmerrshme te Vermahtit që përbënin forcën kryesore të Boshtit gjatë luftës së Dytë Botërore. Sepse fill pas kësaj Shtetet e Bashkuara do të futeshin në Luftë. Për ngjarjen është bërë një nga filmat më spektakolarë të Hollivudit. Një film ku ndjenjat romantike dhe dashuria bashkëjetojnë ngushtësisht me një luftë shkatërruese...
 
...Historia e sulmit të Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941 mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të kontestueshme të shekullit XX. Ky sulm i befasishëm nga Japonia çoi në shkatërrimin e pjesës më të madhe të flotës amerikane në Paqësor dhe në humbjen e mijëra jetëve.
Një ditë pas bombardimeve, që rezultuan në humbjen e 188 avionëve, 2,403 të vdekur dhe të paktën 1,178 amerikanë të plagosur, Presidenti Franklin Delano Rusevelt, në një fjalim drejtuar kombit, e quajti sulmoni “Ditën e poshtërimit” dhe i shpalli luftë Japonisë.
Megjithatë, ka një temë që ngjall debat të madh mes historianëve, konspiracionistëve dhe opinioneve publike: a e lejoi vërtet qeveria amerikane këtë sulm për të justifikuar futjen e saj në Luftën e Dytë Botërore?
 
Konspiracioni
Në vitin 1941, Shtetet e Bashkuara ishin zyrtarisht neutrale, por tensionet ndërkombëtare ishin në rritje. Lufta po shpërthente në Europë dhe Azi, ndërsa Amerika po mbështeste aleatët përmes programit të Lend-Lease, duke furnizuar me armë dhe materiale Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik. Japonia, ndërkohë, po zgjeronte pushtimet e saj në Azi dhe Paqësor, duke u përballur me embargon ekonomike të imponuar nga SHBA-të për shkak të agresionit të saj.
Një prej teorive më të njohura konspirative thotë se Presidenti Franklin D. Rusvelt dhe administrata e tij kishin dijeni paraprake për sulmin e Pearl Harbor, por vendosën të mos ndërmarrin masa parandaluese për të siguruar një arsye për të hyrë në luftë. Sipas kësaj teorie, duke e lënë Japoninë të sulmojë, Rusvelt mund të bashkonte opinionin publik amerikan, i cili ishte kryesisht kundër përfshirjes në konflikt, dhe të justifikonte një luftë që, sipas tij, ishte e pashmangshme për mbrojtjen e interesave globale të Amerikës.
Rusvelt vdiq më 12 prill 1945, pas mandatit më të gjatë në historinë amerikane, duke marrë në varr sekretin e Pearl Harbor dhe pa e parë me sy fitoren mbi Gjermaninë naziste dhe Japoninë perandorake .
 
Argumentet
Një nga promotorët kryesorë dhe të parë të hipotezës së komplotit ishte gazetari amerikan Xhon T. Flin. Në shtator 1944 ai nisi një tregim alternativ të ngjarjeve kur botoi një broshurë prej 46 faqesh të titulluar “E vërteta rreth Pearl Harbor, Mbjellja e Rrugës së Dyshimit”.
Gazetarë, shkrimtarë dhe ish-zyrtarë të lartë amerikanë theksuan të njëjtin sens, si gazetari dhe veterani i luftës Robert B. Stinet, admirali në pension i marinës amerikane Robert Alfred Theobold, por dhe historiani amerikan Herri Elmer Barns.
Mendohet se Shtetet e Bashkuara kishin thyer kodet japoneze dhe kishin interceptuar mesazhe që sugjeronin një sulm të mundshëm. Megjithatë, këto mesazhe ishin të paqarta dhe të shpërndara. Disa argumentojnë se vendosja e anijeve më të vjetra në Pearl Harbor dhe mbajtja e anijeve më moderne dhe transportuesve të avionëve jashtë bazës sugjeron një njohje të mundshme të sulmit.
Nga ana tjetër shkatërrimi i flotës amerikane dhe humbja e jetëve tregon një mungesë të papërgatitjes dhe një kosto të madhe që nuk do të kishte kuptim për një komplot të tillë.
Të lejosh një sulm të tillë do të kishte qenë një rrezik i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe për suksesin e luftës në përgjithësi.
Dokumentet dhe dëshmitë e shumta sugjerojnë se SHBA-të ishin në fakt të zëna me përgatitjet e luftës dhe të befasuara nga sulmi.
Gjithsesi sulmi i Pearl Harbor bëri që opinioni publik amerikan të ndryshonte menjëherë, duke mbështetur masivisht hyrjen në luftë.
 
Filmi “Pearl Harbor”
"Pearl Harbor" është një film dramatik dhe aksion i vitit 2001 me regji të Majkëll Bei dhe skenat të sjkruar nga shkruar nga Randall Uallas, që trajton sulmin e papritur japonez në bazën detare amerikane të Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Filmi fokusohet në ngjarjet që çuan në këtë sulm dhe pasojat e tij, por gjithashtu përfshin një rrëfim romantik dhe dramatik midis personazheve kryesore.
Filmi përqendrohet në dy pilotë amerikanë, Reif MekKoli i cili interpretohet nga Ben Aflek dhe Deni Uoker  i cili interpretohet Xhosh Hartnet, të cilët janë miq të ngushtë që hyjnë në Forcat Ajrore të SHBA. Një trekëndësh dashurie zhvillohet mes tyre dhe një infermiereje, Evelin Xhonson e cila interpretohet nga Ket Bekinsel, e cila është e lidhur me të dy djemtë. Ndërkohë, sulmi mbi Pearl Harbor përshkruhet me detaje spektakolare dhe dramatike, duke sjellë tension dhe emocione të thella.
Marrëdhënia Reif, Deni dhe Evelin formon boshtin emocional të filmit, duke treguar konfliktin mes dashurisë dhe detyrës, si dhe lidhjet e forta të miqësisë në kohë lufte.
Filmi portretizon sakrificat e mëdha që bëjnë ushtarët dhe civilët gjatë luftës, duke theksuar rëndësinë e patriotizmit dhe mbrojtjes së vendit.
Edhe pse kritik për disa nga faktet historike, filmi ngre në piedestal aktet heroike të amerikanëve gjatë sulmit dhe betejës së tyre për të mbrojtur veten dhe atdheun.
Realizimi i skenave masive dhe bombardimeve në "Pearl Harbor" është një nga aspektet më të spikatura dhe të vlerësuara të filmit. Majkëll Bei, regjisori i njohur për stilin e tij të veprimit të madh dhe spektakolar, e trajtoi sulmin e Pearl Harbor me një përkushtim të veçantë për të krijuar një përvojë vizuale intensive dhe tronditëse.
Filmi përdori një kombinim të sofistikuar të efekteve praktike dhe kompjuterike. Një pjesë e madhe e bombardimeve, shpërthimeve dhe përplasjes së avionëve u realizua me mjete fizike, duke ndërtuar modele reale të avionëve, anijeve dhe infrastrukturave të tjera. Për shembull, anijet që ndodheshin në bazën e Pearl Harbor u ndërtuan si modele të përmasave të vogla dhe u shkatërruan gjatë filmimeve me eksplozivë të kontrolluar. Kjo i dha autenticitet skenave të bombardimeve.
Imazhet e gjeneruara nga kompjuteri CGI u përdorën për të shtuar detaje të imëta, si avionët japonezë në ajër dhe anijet që shpërthejnë. Një nga teknikat më të avancuara të kohës ishte krijimi i valëve të ujit dhe i shpërthimeve masive me grafikë kompjuterike, për të dhënë një përvojë sa më realiste.
Një nga sfidat më të mëdha ishte orkestrimi i lëvizjeve të shumta të trupave, avionëve dhe anijeve në të njëjtën skenë. Bei përdori qindra aktorë dhe statista për të realizuar kaosin e plotë të ditës së sulmit. Filmimi përfshinte avionë të vërtetë të Luftës së Dytë Botërore, siç janë “Zero” japonez dhe disa nga bombarduesit amerikanë të përdorur në betejë.
Skenat e bombardimeve të bazës janë të xhiruara me një ritëm të shpejtë dhe dinamik, me përdorimin e shumë këndeve të kamerës dhe lëvizjeve të shpejta, duke krijuar një ndjesi të kaosit dhe ankthit gjatë sulmit. Efekti i “slow motion” apo lëvizje e ngadaltë, është përdorur në disa pjesë kyçe për të nxjerrë në pah intensitetin emocional të momentit, si shpërthimet masive dhe reagimet e njerëzve.
Regjisori Majkëll Bei synoi të krijonte një përshkrim sa më autentik të sulmit, edhe pse pati disa lëshime në saktësinë historike. Për të përforcuar realizmin, shumë prej eksplozivëve dhe shpërthimeve të përdorura gjatë xhirimeve ishin të vërteta, duke krijuar një ndjesi të prekshme të shkatërrimit të Pearl Harbor. Në një intervistë, regjisori theksoi se disa nga skenat u filmuan në Hauai, pranë vendeve reale të ngjarjes, çka i dha një tjetër nivel autenticiteti.
Pamjet nga bombardimi janë të mbështetura nga një dizajn i fuqishëm i zërit, me shpërthime të fuqishme dhe tinguj të avionëve luftarakë që bien nga ajri. Gjithashtu, montazhi i filmit ndihmon në përforcimin e ndjenjës së dëshpërimit dhe humbjes gjatë sulmit.
 
Epilog
Realizimi i skenave të bombardimeve në "Pearl Harbor" konsiderohet një arritje teknike e madhe. Pavarësisht kritikave ndaj historisë së filmit, skenat masive të aksionit dhe efektet speciale mbeten një nga elementet më mbresëlënëse, duke i dhënë publikut një përjetim intensiv dhe tronditës të asaj që ndodhi në Pearl Harbor.
"Pearl Harbor" pati sukses të madh komercial, falë skenave të fuqishme të aksionit dhe efekteve speciale, veçanërisht gjatë sulmit ajror. Megjithatë, u kritikua për gabimet historike dhe theksin e madh në trekëndëshin e dashurisë, i cili disa e panë si tepër melodramatik dhe i stërgjatur për një film lufte.
Ai u nominua për katër çmime Oscar, duke fituar në kategorinë e Editimit më të Mirë të Tingullit. Ai u nominua gjithashtu për gjashtë çmime Golden
Në fund, "Pearl Harbor" është një përzierje e veprimit, dramës dhe romancës, që përpiqet të sjellë një pamje emocionuese të një çasti historik të rëndësishëm.
 

Monday, December 9, 2024

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ëndrra e studentëve që mbeti ëndërr


Nga 
Leonard Veizi
 
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte thirrja e 34 viteve më parë që do të mbahej mend si slogani që frymëzoi shumicën e shqiptarëve për të hedhur një hap të madh drejt një ndryshimi epokal.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” është një slogan që edhe pse duket si i harruar duhet kujtuar. Sepse edhe pas 34 viteve serish Shqipëria nuk është si gjithë Evropa. Thjesht është në fundit e saj. Ose më saktë midis Evropës dhe Azisë. Sepse nyuk kanë rëndësi pozicionet gjeografike. Rrëndësi kanë mentalitetet
E di që do më kundërshtojnë e do thonë se Shqipëria ka ecur me hapa gjigande. Edhe në kohën e socializmit në fakt ashtu eci, me hapa gjigande. Atëherë u ndërtuar uzina e u hapën kantiere, sot po ndërtohen kulla që po e afrojnë Tiranën me Manhatenin. Por mentaliteti ynë, si në kohën e mbretërimit, në regjimin komunist e tanimë në demokracinë tonë të brishtë, vazhdon më mbetet oriental, e për më tepër turkoshak.
Në këtë mënyrë duket se emancipimi i Shqipërisë dashka më shumë kohë se sa kishim menduar ne të gjithë, studentë e jo të tillë, në ditët e vrullshme të ndryshimit të sistemeve politik.
Gjithsesi 8 Dhjetori është një ditë e veçantë në kalendarin e historisë së Shqipërisë. Kjo ditë, që gjithashtu shënon Dita e Rinisë, përkujton një ngjarje të rëndësishme që ka ndikuar në zhvillimin politik dhe shoqëror të vendit. E njohur si një çast kryesor në historinë e luftës për liri dhe demokraci, 8 Dhjetori ka marrë një domethënie të thellë, jo vetëm për ata që e kanë jetuar ngjarjen, por edhe për brezat që kanë ardhur më pas.
Ishte fillim dhjetori i vitit 1990. Muri sovjetik i Berlinit që Hrushovi e ndërtoi me aq devocion, kishte rënë në Gjermani, dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”.
Gjithçka po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në veshin e izoluar të shqiptarëve.
Vendi i vogël, lagur nga valët e Jonit dhe Adriatikut që nuk arrinin të sillnin mesazhe, ishte fort e izoluar për të kuptuar në kohë reale se çfarë po ndodhte ne pjesën tjetër të botës, e për më tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste të instaluara më së shumti pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëheshin në mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Sllogani “Lindja është e kuqe” kishte pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë, e për më tepër, në Azi po ndërmerreshin reforma të përshpejtuara. E megjithëse me vonesë në ngritjen e revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e duhur për t’ju bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë superxhiron për nga kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e privime të pakuptimta.
Ndërsa, ata të cilët e kuptuan se gjithçka dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të parë që iniciuan lëvizjet për demokraci.
Studentët e gjetën pretekstin për t’u ngritur në një revoltë të zhurmshme. Ca kushte ekonomike më të mira në ambientet e rinuara të Qytetit Studenti, ku socializmi përgatiste kuadrot e rinj për “frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se një natë e tillë që gjysma e Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në një manifestim solidarizues mbushur me parulla e kundërparulla “reaksionare”
Studentët e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Rreth 300 prej tyre nga Fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, duke u ndihmuar nga disa grupe të tjera, u mblodhën për të kërkuar liri, demokraci, dhe të drejta më të mëdha për individin.
Kordoni i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma jeshile e mburoja plastike, nuk mund ti bënin më ballë uraganit të saponisur. Qëndresa për ta mbajtur Shqipërinë, “as me Lindjen dhe as me Perëndimi” kishte marrë fund.
Në ditët e fundit të vitit 1990, çka i përkiste periudhës së fundit kur Shqipëria ishte nën sundimin e një regjimi komunist të izoluara dhe represive, 8 Dhjetori shënon datën e fillimit të lëvizjes studentore që do të ndryshonte përfundimisht sistemin e vjetër.
Guximi i rinisë shqiptare ishte shenjë e një ndryshimi të pashmangshëm. Ata kërkuan një shoqëri më të hapur, me më shumë mundësi për arsim, punësim dhe, mbi të gjitha, mundësinë për të jetuar në një shtet ku liritë dhe të drejtat e njeriut nuk ishin më të shtypura nga regjimi i kaluar. Kjo ishte gjithashtu një protestë ndaj dhunës, pasigurisë dhe varfërisë që kishte përfshirë vendin.
Dita e Rinisë, siç njihet 8 Dhjetori, ka marrë një kuptim të veçantë si simbol i shpresës dhe i transformimit të një brezi që kërkonte ndryshim. Pas protestës studentore, Shqipëria do të hyjë në një periudhë të pasigurisë, por gjithashtu edhe të mundësive të reja. Lëvizja studentore nuk ishte vetëm një shprehje e pakënaqësisë ndaj regjimit, por edhe një manifestim i fuqisë rinore për të ndryshuar të ardhmen e vendit.
Rinia e asaj kohe, që mori pjesë në protestat e 8 Dhjetorit, shpejt u bë simbol i angazhimit dhe idealizmit, por gjithashtu një model për ata që do të pasonin. Ata ishin ata që besonin se një Shqipëri e lirë dhe demokratike ishte e mundur, dhe se rinia mund të ishte katalizatori i ndryshimeve të mëdha. Ideali i lirisë dhe demokracisë që ata mbartnin u shndërrua në një shpresë për të gjithë popullin shqiptar.
Për brezat që pasuan ngjarjen e 8 Dhjetorit, kjo ditë mbetet një kujtesë e rëndësishme e asaj që mund të arrihet kur rinia angazhohet për kauza të drejta dhe të larta. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ka kaluar Shqipëria pas asaj periudhe, 8 Dhjetori vazhdon të jetë një simbol i energjisë dhe idealizmit rinor, i besimit në fuqinë e ndryshimit dhe mundësive që ofron një shoqëri e hapur dhe demokratike.
Dita e Rinisë është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë, por edhe për të kuptuar se ende ka shumë për të arritur, sidomos kur bëhet fjalë për arsimimin, punësimin dhe angazhimin e rinisë në zhvillimin e shoqërisë. Shqipëria ka parë përmirësime të dukshme që nga viti 1990, por gjithashtu ka sfida të reja për t'u përballur. Rinia shqiptare vazhdon të mbetet një forcë e fuqishme për ndryshim dhe zhvillim, duke ruajtur aspiratat për një të ardhme më të mirë.
8 Dhjetori është një datë historike, jo vetëm për ngjarjet që solli atë ditë, por edhe për frymën e rinisë dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri dhe demokraci. Pavarësisht sfidave që ka kaluar Shqipëria, kjo ditë mbetet një kujtim i paqenë, i guximit, dhe i besimit të rinisë për një të ardhme më të ndritur. Ajo është gjithashtu një thirrje për brezat e rinj të angazhohen për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë, duke e kujtuar gjithmonë atë ditë të shënuar që bëri ndryshimin.

Sunday, December 8, 2024

"Na ishte një herë Amerika", krijimi i një miti në kinema



Nga Leonard Veizi
 
Thjesht ka shumë pak filma që mund t’ia kalojnë në garë kryeveprës së Serxho Leones. Sepse vetëm në një film ai ka mundur të përmbledhë gjithçka që e bën kinemanë një medium kaq tërheqës...
 
...“Once upon a time in America” apo i ardhur në shqip si: "Na ishte një herë Amerika" është një film epik i vitit 1984 i regjisorit të madh italian, Serxho Leone. Ky film është i famshëm për thellësinë dhe kompleksitetin e tij, duke përfshirë tema të fuqishme si Filmi eksploron temat e miqësive të fëmijërisë, dashurisë, epshit, lakmisë, tradhtisë, humbjes dhe marrëdhënieve të prishura, së bashku me rritjen e mafiozëve në shoqërinë amerikane.
Filmi është renditur si një nga filmat më të mirë të zhanrit gangster. Kur “Sight & Sound” pyeti disa kritikë në Mbretërinë e Bashkuar më 2002 se cilët ishin filmat e tyre të preferuar të 25 viteve të fundit, “Once Upon a Time in America” u rendit në numrin 10. Në vitin 2015, filmi u rendit në vendin e nëntë në listën e Time Out të 50 filmave më të mirë gangsterë të të gjitha kohërave, ndërsa në vitin 2021, "The Guardian" e përmendi atë si filmin e katërt më të madh mafioz të realizuar ndonjëherë.
 
Filmi
Ishte filmi i fundit i drejtuar nga Leone para vdekjes së tij pesë vjet më vonë, dhe filmi i parë artistik që ai kishte drejtuar në 13 vjet. Është gjithashtu pjesa e tretë e trilogjisë së Leone-s “Once Upon a Time”, e cila përfshin “Once Upon a Time in the West” realizuar në vitin 1968 dhe “Duck, You Sucker!” realizuar në vitin  1971.
Realizimi i filmit u drejtua nga Serxho Leone, skenari u shkrua nga Leonardo Benvenuti, Piero De Bernardi, Enriko Medioli, Franko Arkalli, Franko Ferrini, Serxho Leone. Gjithçka u bazua romanin "The Hoods" të shkruar nga Herri Grei. Kamera ishte e  Tonino Delli Colli, ndërsa partitura muzikore e filmit i përkiste Enio Morrikones. Protagonist ishin aktorët: Robert De Niro. Xhejms Vud, Elizabeth MekGovern, Xhoi Pesi, Bërt Jang
Leone fillimisht parashikoi dy filma tre-orësh, pastaj një version të vetëm 269-minutësh, përndryshe 4 orë e 29 minuta, por u bind nga shpërndarësit që ta shkurtonte atë në 229 minuta ose përndyshen3 orë e 49 minuta. Shpërndarësit amerikanë, The Ladd Company, e shkurtuan më tej atë në 139 minuta ose 2 orë e 19 minuta, dhe i riorganizuan skenat në rend kronologjik, pa përfshirjen e Leone.
 
Ngjarja
Filmi tregon historinë e pesë dekadave të jetës së katër gangsterëve nga qyteti i Nju Jorkut -- miq fëmijërie që janë kriminelë të pamëshirshëm pothuajse që në fillim, por që kanë një lidhje të veçantë besnikërie me njëri-tjetrin. Kur njëri prej tyre e prish atë lidhje, ose mendon se e bën, ai është i përndjekur nga faji deri vonë në jetën e tij, kur zbulon se ai nuk ishte tradhtari, por i tradhtuari.
Filmi hapet me dy skena dhune të tmerrshme, zhvendoset në një strofkë opiumi ku personazhi kryesor kërkon të shpëtojë nga pasojat e veprimit të tij: Një zile telefonike që bie vazhdimisht, kumbues përgjithmonë. në ndërgjegjen e një njeriu që thirri policët dhe tradhtoi miqtë e tij.
Filmi lëviz përpara dhe mbrapa. Një rrëfim i kthimit prapa në kohë përmes syve të Nudëlls – që interpretohet nga Robert De Niro, - një gangster hebre nga New York-u, filmi na tregon për jetën e tij të shënuar nga ëndrrat, gabimet dhe përpjekjet për të shlyer fajet e së kaluarës.
Filmi luan me strukturën narrative, duke lëvizur ndërmjet periudhave të ndryshme kohore – që nga vitet 1920 deri në vitet 1960. Kjo lëvizje kohore thekson atë që është në zemër të filmit: përpjekjet e një njeriu për të kapur kuptimin e jetës së tij dhe dështimin për ta bërë këtë.
Filmi merret kryesisht me konceptin e kujtesës dhe mënyrën se si e shohim të kaluarën. Për Nudëlls, e kaluara është një plagë që nuk mund të shërohet. Ai përpiqet të gjejë ngushëllim, por çdo kthim në kujtimet e tij vetëm sa e ngatërron më shumë.
Filmi ngre pyetjen nëse kujtesa është një formë e të jetuarit ose thjesht një burim vuajtjeje.
Krimi është gjithmonë i pranishëm në jetën e Nudëlls dhe shokëve të tij, dhe filmi e trajton atë si diçka që mbetet e pandryshuar, pavarësisht kalimit të dekadave. Megjithëse bota përreth ndryshon – nga epoka e ndalimit të alkoolit në Amerikën e viteve 1920, deri tek epoka e industrializimit të viteve '60 – vetë personazhet mbeten të mbyllur në ciklet e tyre të dhunës dhe tradhtisë.
Ora që Nudëlls mban në xhep dhe kujtimet e tij të përsëritura të aksioneve të veçanta – si kthimi i tij i vazhdueshëm në opium – janë simbole të përpjekjeve të një njeriu për të ndalur kohën. Ai vazhdimisht kërkon të rigjejë një çast të lumtur në të kaluarën, por koha nuk ndalet dhe pendesa mbetet. Noodles duket sikur është kapur në një kohë të ngrirë, përballë zgjedhjeve të gabuara që ai dhe të tjerët kanë bërë.
Gratë në këtë film, si Debora dhe Eve, përfaqësojnë dashurinë e pamundur dhe një jetë që nuk u jetua kurrë ashtu siç duhet. Debora, ëndrra e Nudëlls për një jetë jashtë krimit, përfundimisht e refuzon atë, ndërsa lidhja me Eve, një marrëdhënie të fragmentuar dhe të distancuar, tregon paaftësinë e tij për të dashur plotësisht dhe për të qenë i dashur.
Në fund të filmit, Nudëlls përballet me Maks, i cili interpretohet nga Xhejms Vud, - mikun e tij më të mirë që e ka tradhtuar. Maks ka jetuar një jetë me sukses, por në thellësi të tij është po aq i trazuar sa Nudëlls. Ai kërkon nga Nudëlls që ta vrasë për t’i dhënë fund vuajtjeve, por Noodles refuzon. Ky çast është qendra morale e filmit – për Nudëlls, hakmarrja nuk do të sjellë ngushëllim, vetëm një zbrazëti më të madhe.
 
Epilogu
Në përfundim, "Na ishte një herë Amerika" është një meditim mbi kohën, kujtesën dhe dëshirat e humbura. Filmi i Leones, megjithëse përmban skena të dhunshme dhe momente tragjike, është një poemë vizuale që reflekton mbi zhgënjimet e jetës dhe mbi pyetjen nëse koha mund të shërojë ndonjëherë plagët e së kaluarës.

 

 

 


Adoleshentët shqiptarë, me thika në çantat e shkollës dhe drogë pas murit të shkollës


Nga 
Leonard Veizi
 
Situata është shqetësuese e më tej se kaq. Mjafton të marrësh pjesë në një takim me prindërit tek shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme e do njihesh me gjithfarë shqetësimesh prindërore dhe nga ato të stafit pedagogjik.
Rasti i incidentit tejet të rëndë pas mureve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë zbuloi tërësisht problematikën e adoleshentëve. Jo se nuk kishte ndodhur më parë. Por thjesht sepse ngjarja këtë herë nuk ishte më në periferi, dhe as në zona larg vëmendjes. Këtë herë gjithçka ndodh para syve tanë, në zemër të kryeqytetit, në një nga shkollat më në zë të saj. Dhe kjo i dha kulminacionin e duhur problemit.
Sepse problemet duhen zgjidhur, nuk mund të akumulohen.
Në vitet e fundit, shoqëria shqiptare është përballur me një problem alarmant që prek grup moshën më të brishtë dhe të rëndësishme për të ardhmen e saj: adoleshentët. Fenomene të tilla si mbajtja e thikave në çantat e shkollës dhe përfshirja në përdorimin apo shpërndarjen e drogës pas shkolle janë kthyer në shqetësime madhore, duke ngritur pyetje mbi rolin e familjes, shkollës dhe institucioneve.
Një nga aspektet më shqetësuese është rritja e rasteve të dhunës mes nxënësve, ku thikat po shfaqen gjithnjë e më shpesh si "mjete vetëmbrojtjeje".
Por çfarë i shtyn adoleshentët të mbajnë armë të ftohta në çantat e shkollës?
Ajo që i vihet si shkak më së shumti ka të bëjë me moshën dhe zhvillimin anatomik. Pra fëmijët që po rriten janë shumë energjik e më të pakontrolluar në emocionet e tyre.
Shumë prindër ankohen se fëmijët e tyre ndihen të kërcënuar në ambientet shkollore dhe sociale. Dhuna verbale dhe fizike mes bashkëmoshatarëve shpesh i shtyn ata të marrin masa ekstreme për t’u mbrojtur. Mediat sociale dhe kultura e rrugës promovojnë një imazh të gabuar të "forcës" dhe "respektit" që lidhet me armëmbajtjen. Institucionet arsimore shpesh nuk arrijnë të ndërhyjnë në kohë, duke mos krijuar një mjedis të sigurt për nxënësit.
Në ditët e sotme, konsumimi i drogës ndër të rinjtë është kthyer në një fenomen shqetësues, veçanërisht përdorimi i hashashit apo i kanabisit, i cili shpesh ndodh në hapësira publike si hyrjet e pallateve. Pas përfundimit të orëve të mësimit, shumë adoleshentë përballen me sfidën e mjediseve sociale që shpesh promovojnë përdorimin e substancave narkotike. Për adoleshentët, dëshira për t'u dukur "cool" apo për t'u përshtatur me grupin shpesh i çon drejt eksperimentimit me drogë. Ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, duke ngritur shqetësime të mëdha për prindërit, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.
Një nga arsyet kryesore që adoleshentët zgjedhin të konsumojnë bar në ambiente publike është mungesa e alternativave të shëndetshme dhe të sigurta për kalimin e kohës. Në shumë raste, hapësirat për argëtim të shëndetshëm mungojnë, dhe kështu, hyrjet e pallateve ose vendet e fshehura pranë lagjeve bëhen pika takimi për eksperimentime të rrezikshme.
Shitja e drogës pranë shkollave dhe në zona të frekuentuara nga të rinjtë është bërë një realitet i trishtë, duke treguar dështimin tërësor të edukimit në familje e shkollë dhe mungesën e politikave parandaluese.
Nga ana psikologjike, presioni i grupit luan një rol kyç në këtë sjellje. Shpesh, adoleshentët nisin të përdorin drogë për të përfituar një ndjenjë përkatësie dhe pranimi nga bashkëmoshatarët. Ky presion mund të shoqërohet me ndjesinë e rebelimit kundër normave shoqërore apo prindërve.
Nga ana tjetër, konsumimi i drogës në hapësira publike, si hyrjet e pallateve, ndikon negativisht edhe në komunitet. Këto vende janë të frekuentuara nga familje, të moshuar dhe fëmijë të vegjël, dhe prania e drogës krijon një ambient të pasigurt dhe të papërshtatshëm për të gjithë.
Varësia dhe problemet psikologjike që vijnë nga përdorimi i drogës shpesh kalojnë pa u vënë re derisa bëhet shumë vonë.
Familja, si themeli i edukimit të një adoleshenti, shpesh nuk arrin të përmbushë detyrat e saj për shkak të dinamikave të ndërlikuara sociale dhe ekonomike. Një prind që punon gjithë ditën ose që është i zhytur në problemet e veta personale mund të mos i kushtojë kohën dhe vëmendjen e duhur fëmijës.
Ndërkohë si problem i shtuar sot janë futur në thellësitë e çdonjërit prej nesh rrjetet sociale. Aty lindin edhe njohjet, edhe dashuritë, edhe zënkat, por edhe sherret me thika.
Nga ana tjetër, shkolla shpesh i trajton këto probleme në mënyrë sipërfaqësore. Mungesa e psikologëve të trajnuar, mosfunksionimi i programeve edukative dhe indiferenca e disa mësuesve e rëndojnë situatën.
Ndërhyrja është thelbësore për të adresuar këtë problem. Në radhë të parë, është e nevojshme një edukim i mirëfilltë mbi pasojat negative të konsumimit të drogës, që të nisë që në shkolla dhe të përfshijë jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit. Gjithashtu, duhet të krijohen hapësira të sigurta dhe të strukturuara ku të rinjtë mund të kalojnë kohën e tyre duke u angazhuar në aktivitete të dobishme, si sporti apo aktivitetet artistike.
Çfarë duhet bërë?
E lehtë të bësh moral e të japësh mend nga kolltuku i shtëpisë apo nga poltroni i zyrës me ajër të kondicionuar, por njëkohësisht po aq e vështirë është
Si zgjidhjet të mundshme ndoshta duhen programe të mirëstrukturuara që trajtojnë dhunën, varësinë dhe vetëdijen për pasojat. Ndoshta duhet kontroll më i mirë nga institucionet, forcimi i sigurisë në shkolla dhe krijimi i mekanizmave për zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të drogës. Ndoshta duhet organizimi i aktiviteteve që i ndihmojnë të rinjtë të kanalizojnë energjinë në mënyrë produktive. Ose ndoshta organizata dhe grupe rinore mund të ndihmojnë në krijimin e një rrjeti mbështetës për adoleshentët që përballen me këto sfida.
Shoqëria nuk mund të injorojë më këto çështje, pasi ndikimi i drogës dhe rrjeteve sociale tek të rinjtë është shumëdimensional dhe përfshin aspekte shëndetësore, psikologjike dhe sociale. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të krijohet një mjedis i shëndetshëm dhe i sigurt për adoleshentët dhe komunitetin ku jetojmë.

 

 

x

Tuesday, December 3, 2024

4 Dhjetor 1912/ Dita e Ushtrisë, kemi gjeneralë por nuk kemi mjete dhe ushtarë


Nga 
Leonard Veizi
 
Dikur, ushtria shqiptare kishte ushtarë me bollëk. Sot ushtria shqiptare ka gjeneralë, por ka fare pak ushtarë. Në një intervistë dhënë kohë më parë kolonel Hajro Limaj më bënte me dije se në 23 Janar të vitit 1995, ishte i pranishëm në Pallatin e Kongreseve, ku, ishte zhvilluar ceremonia e gradimit të 18 ushtarakëve me gradën madhore të gjeneralit. Pa dyshim pa pikë kriteri. Sepse Shefi i Shtabit të kohës nga gjeneral brigade me një yll, me dekret presidencial u bë gjeneral armate, ku në spaleta u vendosën katër yje, duke marrë brenda ditës tre yje. Në këtë mënyrë një ushtri që po shkonte drejt rrënimit, - dhe që e tregoi degradimin e saj kur u shpërbë në marsin e vitit 1997, - kishte 25 gjeneralë. Por a mundej ushtria Shqiptare e rreckosur të kishte 25 gjeneralë ku nga 21 divizionet e Ushtrisë Popullore ishte katandisur në 7 divizione me një numër të kufizuar ushtarësh e kuadrosh të tjerë...?
 
...4 dhjetor mban një rëndësi të veçantë në historinë kombëtare, si dita e krijimit të Ushtrisë Shqiptare më 1912, pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë. Në këtë ditë, shqiptarët kujtojnë jo vetëm sakrificat e brezave të mëparshëm, por edhe rëndësinë e forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare në të tashmen dhe të ardhmen.
Në periudhën e krijimit, ushtria ishte një nevojë imediate për mbrojtjen e territorit dhe ruajtjen e pavarësisë së brishtë të shtetit të ri shqiptar. Në mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare dhe logjistike, ushtria e viteve të para ishte më shumë një simbol i vendosmërisë dhe i identitetit kombëtar sesa një forcë e organizuar ushtarake.
Në Luftën e Dytë Botërore, ushtria dhe formacionet partizane u shndërruan në elementë kyç të rezistencës kundër pushtimit, duke e ndihmuar Shqipërinë të dalë si një nga vendet e pakta në Evropë që u çliruan pa ndihmën e drejtpërdrejtë të forcave të huaja.
Pas vitit 1944, ushtria shqiptare u modernizua sipas modelit sovjetik dhe më vonë kinez. Kjo periudhë shënoi një rritje të kapaciteteve të saj, megjithëse shpesh në funksion të regjimit totalitar. Në këtë kohë, ushtria u bë një nga shtyllat e mbrojtjes kombëtare, por edhe e kontrollit të brendshëm.
 
Ushtria dje
Pyetja “Ku është ushtria shqiptare sot?” ka të bëjë më së shumti me një reflektim mbi transformimet dramatike që ka kaluar ajo gjatë dekadave. Krahasuar me periudhën e socializmit, kur Shqipëria kishte një nga ushtritë më të mëdha në raport me popullsinë, sot ushtria është reduktuar në përmasa shumë më të vogla.
Në kulmin e saj në vitin 1980 Ushtria Shqiptare kishte një kapacitet prej 60 mijë ushtarësh të gatshëm që ishin inkuadruar në 800 batalione të ndarë 127 brigada dhe 34 regjimente dhe që formonin tre armata me nga 7 divizione. Shqipëria kishte në organikë rreth 16.500 oficerë, rreth 9.000 nën/oficerë, rreth 8.000 civilë, rreth 450.000 rezervistë, rreth 230.000 Forca Vullnetare. Këmbësorisë i bashkoheshin dhe rreth 1200 tanke dhe mjete të blinduara, rreth 240 avionë dhe helikopterë, më shumë se 200 raketa tokë-ajër si dhe të paktën 100 anije të formateve të ndryshme që ishin në përbërje të Flotës Detare.
Çështë e vërteta ushtria shqiptare aso kohe funksiononte mbi një doktrinë mbrojtjeje masive, të ndërtuar mbi idenë e vetë-mjaftueshmërisë. Ajo mbështetej në një popull të armatosur, mijëra bunkerë dhe përgatitjen e përgjithshme të qytetarëve për luftë. Por ky model nuk ishte i qëndrueshëm ekonomikisht dhe ishte i ndikuar nga politika e izolimit total të regjimit.
 
Tranzicioni
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria nisi një tranzicion të vështirë. Nga një ushtri masive drejt një force më të vogël, por më të specializuar. Prioritetet strategjike ndryshuan: Nga mbrojtja e izoluar e territorit, fokusi kaloi te bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbrojtja kolektive përmes NATO-s.
Por kriza e viteve 1997 shfaqi dobësitë strukturore dhe morale të ushtrisë, duke nxjerrë në pah nevojën për reforma të thella.
Hyrja e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 ishte një pikë kthese historike për ushtrinë shqiptare. Kjo anëtarësi i dha jo vetëm një rol të ri në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe mundësinë për të modernizuar pajisjet, strukturat dhe praktikat ushtarake.
Sot, ushtria shqiptare është një forcë profesionale dhe moderne, e orientuar drejt përmbushjes së detyrimeve ndaj NATO-s dhe përballimit të sfidave të sigurisë bashkëkohore. Përveç detyrave tradicionale të mbrojtjes së sovranitetit, ajo luan një rol të rëndësishëm në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Pjesëmarrja e ushtarëve shqiptarë në misione si në Kosovë, Afganistan dhe Mali ka forcuar reputacionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, modernizimi mbetet sfida kryesore. Investimet në teknologji, trajnim dhe infrastrukturë janë jetike për të mbajtur ritmin me aleatët. Sfidat e reja, si kërcënimet kibernetike dhe krizat klimatike, kërkojnë gjithashtu një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse.
Ushtria shqiptare ka evoluar nga një forcë tradicionale në një organizëm më moderne e profesionale, por ky proces mbetet i papërfunduar.
 
Ushtria Sot
I referohem të dhënave zyrtare:
Sot, Forcat e Armatosura Shqiptare janë të strukturuara në disa njësi më të vogla dhe më fleksibël: Komanda e Forcës Tokësore. Komanda e Forcës Detare. Komanda e Forcës Ajrore.
Batalionet e Reagimit të Shpejtë, që përfaqësojnë pjesën më aktive të ushtrisë, të përgatitura për ndërhyrje të shpejta në raste emergjencash apo krize.
Ky transformim është në përputhje me doktrinën moderne ushtarake, e cila vë theksin te cilësia, jo te sasia. Ushtria shqiptare ka kaluar nga divizionet e mëdha me dhjetëra mijëra ushtarë në batalione të vogla, profesionale dhe të lëvizshme.
Ndërkohë që është bërë progres në profesionalizimin dhe modernizimin e ushtrisë, ka ende hapësirë për përmirësim: Modernizimi i teknologjisë, Përgatitja për emergjenca civile dhe Rritja e investimeve pasi shpenzimet ushtarake kapin nivelin 2% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
 
Epilogu
Ushtria Shqiptare sot ka plot probleme. Ka prona pa fund dhe janë bërë abuzime të mëdha me to. Dhe teknikisht në Shtabin e Përgjithshëm është futur mendimi se se lufta sot nuk bëhet me ushtarë por me teknologji të lartë. Por për djall Shqipëria nuk ka as ushtarë dhe as teknologji të lartë përveç nja dy duzina mjetesh të blinduara me nga një mitraloz sipër dhe një 15-20 helikopterësh në tërësi, një pjesë e të cilëve nuk tundohen të ngrihen sepse edhe mund të bien.
Megjithatë në këtë 4 dhjetor, le të reflektojmë mbi rolin e ushtrisë si një simbol i qëndrueshmërisë kombëtare dhe një garanci për sigurinë e brezave që vijnë. Të përkujtojmë traditat dhe sakrificat e së kaluarës është thelbësore për të ndërtuar një të ardhme ku ushtria të vazhdojë të mbrojë jo vetëm kufijtë, por edhe vlerat e demokracisë dhe paqes.

Në ditën e SIDA-s të mos kesh frikë nga SIDA


 Dita e Luftës Kundër SIDA-s – Kujtesë për një rrezik që nuk ka ikur


Nga 
Leonard Veizi
 
Që nga 24 nëntor 1991  dita kur vdiq prej sëmundjes së SIDA-s Fredi Mërkuri, solisti i grupit të famshëm britanik “Quenn”, vetë virusi u kthye e në një gogol të përbotshëm. Virusi i rrallë vdekje prurës ishte zbuluar fillimisht si rast në Afrikë, por shpejt kishte mbuluar në gjeografi gjithë botën. Transmetimi i virusit HIV përmes gjakut, shiringave të pasterilizuara e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura e bëri njerëzimin të kërkonte mundësitë e shpëtimit prej saj. Prej atij çasti në media, gazeta radio e televizione gëluan rubrikat dhe emisionet ku flitej se si duhej parandaluar murtaja e shekullit. Më parë se kaq që në vitit vitin 1988, ishte themeluar “Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it” dhe ishte vendosur data 1 Dhjetor. Megjithëse ajo ishte propozuar fillimisht në muajin gusht të vitit 1987....
Vdekja e Fredi Mërkuri nga komplikimet e lidhura me SIDA në vitin 1991 u kthye në një simbol të fuqishëm të ndërgjegjësimit mbi HIV/AIDS. Ai ishte një nga figurat më të njohura publike që humbi jetën nga kjo sëmundje, duke sjellë në vëmendjen globale rrezikun e saj.
Për më tepër, ai zgjodhi të bënte të njohur betejën e tij kundër HIV-it, duke e kthyer jetën e tij në një moment të fuqishëm për edukimin dhe solidaritetin. Zërat për gjendjen e tij shëndetësore kishin qarkulluar që në vitin 1986. Për më tepër që asokohe “Queen” ndërpreu turin botëror, gjë që i shtoi më shumë dyshimet. Vokalisti i “Queen” vdiq vetëm 24 orë pasi e deklaroi publikisht se vuante nga virusi HIV/AIDS.
"The Show Must Go On" apo e ardhur në shqip si “Shfaqja duhet të vazhdojë" është një këngë nga grupi i rokut “Queen”, i paraqitur si kënga e dymbëdhjetë dhe e fundit në albumin e tyre të vitit 1991, “Innuendo”. Ajo është shkruar kryesisht nga kitaristi Brajen Mei. Kënga tregon përpjekjet e këngëtarit Fredi Mërkuri që vazhdon të performojë pavarësisht se i afrohej fundit të jetës së tij, megjithëse diagnoza e tij me HIV/AIDS nuk ishte bërë ende publike. Balada e fuqishme u publikua si një "single" në Mbretërinë e Bashkuar më 14 tetor 1991 vetëm gjashtë javë para se Merkuri të vdiste.
Pas vdekjes së tij, “Queen” dhe organizata të tjera krijuan evente dhe fushata ndërgjegjësuese si “The Freddie Mercury Tribute Concert for AIDS Awarenes”s në vitin 1992, që grumbulloi fonde dhe mbështetje të madhe për luftën kundër epidemisë HIV/AIDS.
Vdekja e tij dhe trashëgimia muzikore ndihmuan të reduktohet stigma dhe të nxisë veprimet globale në drejtim të parandalimit dhe trajtimit të HIV/AIDS. Ai vazhdon të mbetet një simbol për fuqinë e artit dhe ndjeshmërisë ndaj çështjeve sociale.
Ndërkohë “1 Dhjetori” njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore e Luftës Kundër SIDA-s, një çast për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi HIV/AIDS. Por sot, shumë njerëz ndihen sikur kjo sëmundje nuk është më një kërcënim aq i madh. Askush nuk kujtohet më për këtë sëmundje, e cila statistikisht thuhet se u mori jetën rreth 40 milion banorëve. Por emisionet televizive tanimë, as në një ditë të tillë sensibilizuese siç është 1 Dhjetori, nuk bëjnë apelet e zakonshme për vëmendje dhe kujdes
Po pse ka rënë ndërgjegjësimi?
Duket se një nga arsyet kryesore është suksesi i madh në fushën e mjekësisë. Trajtimet antiretrovirale (ARV) kanë transformuar HIV-in nga një sëmundje e vdekjeprurëse në një gjendje kronike të menaxhueshme. Kjo ka krijuar një ndjenjë rehatie, duke bërë që shumë të mendojnë se nuk është më një kërcënim. Në fakt, me trajtim të duhur, njerëzit me HIV mund të jetojnë jetë të gjata dhe të shëndetshme, por kjo nuk do të thotë se rreziku ka kaluar.
Edhe pse ka më shumë informacion se më parë, stigma dhe tabutë rreth HIV-it dhe SIDA-s vazhdojnë të ekzistojnë. Kjo i pengon njerëzit të flasin hapur për këtë temë, të testohen rregullisht dhe të kërkojnë trajtim. Kur një sëmundje përballet me heshtje sociale, edhe ndërgjegjësimi publik bie.
Në dekadat e para të epidemisë, kishte një përqendrim masiv në edukimin dhe parandalimin. Sot, buxhetet për këto programe janë ulur në shumë vende. Mediat gjithashtu i kushtojnë më pak hapësirë kësaj çështjeje, duke e zhvendosur vëmendjen në sfida të tjera globale.
Ndërsa përgjithësisht infektimet me HIV kanë rënë në disa vende, në të tjera, sidomos në komunitete të margjinalizuara, rastet janë në rritje. Por, këto grupe shpesh mbeten jashtë radarit të politikave publike, duke i lënë të pambrojtur.
1 Dhjetori duhet të na shërbejë si një kujtesë që lufta kundër SIDA-s nuk ka përfunduar. HIV mbetet një problem global, me miliona të infektuar rishtazi çdo vit. Duhen më shumë përpjekje për: Edukimin e brezit të ri mbi rrezikun e infektimit./ Heqjen e stigmës dhe diskriminimit./ Rritjen e qasjes në testime dhe trajtime, veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara.
Mos të harrojmë: ndërsa trajtimi ka bërë përparime të mëdha, parandalimi dhe ndërgjegjësimi mbeten arma më e fortë. SIDA nuk është zhdukur – është thjesht më pak e dukshme. Dhe kjo mund të jetë rreziku më i madh nga të gjithë.
Po sa viktima ka sot në botë nga HIV?
Sipas të dhënave më të fundit, rreth 39.9 milionë njerëz në botë po jetojnë me HIV deri në fund të vitit 2023. Në të njëjtin vit, 1.3 milionë njerëz të rinj u infektuan, ndërsa 630,000 vdiqën nga shkaqe të lidhura me HIV. Nga fillimi i epidemisë, më shumë se 42 milionë njerëz kanë humbur jetën për shkak të saj. Megjithatë, falë përpjekjeve globale për ndërgjegjësim, testim dhe trajtim, vdekjet nga HIV janë ulur me 51% që nga viti 2010 dhe rastet e reja me 39% që nga viti 2010​​
Këto shifra tregojnë progresin në luftën kundër HIV-it, por sfida mbetet e madhe, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku financimi dhe qasja në trajtim mbeten të kufizuara. Niveli i ndërgjegjësimit për këtë çështje ka rënë pjesërisht për shkak të përparimeve në trajtim që e kanë bërë HIV-in një sëmundje më të menaxhueshme, duke ulur frikën dhe fokusin publik.
Ndërkohë media duhet të fillojë sërish nga emisionet, për të plotësuar kuadrin e një misioni që duket se është lënë në mes.