Thursday, February 13, 2025

Shoqëria jonë bastarde e veshjeve "firmato" që kërkon viktima për luksin e saj



Nga Leonard Veizi
 
Disa fjalë të shkruara me bojë dhe letër pushtuan faqet e rrjeteve sociale. Dhe komentet ishin të pafjala. Sepse çfarë ishte për të thënë, ishte thënë. Dhe çfarë ishte për të bërë, ishte bërë ndërkohë. Ndaj, çdo keqardhje tjetër e mëtejshme nuk kishte asnjë kuptim.
Ishin fjalët e një vajze 17-vjeçare. Quhej Irsa dhe ishte nga Gjirokastra. Nuk ishin vargje dashurie, as mesazhe të koduara ku mund të aludohej për “këtë” apo “atë”, por një denoncim faktik për një shoqëri të ngritur mbi antivlerat e jetës.
Pse vesh të njëjtat rroba dhe nuk vishesh si ne… firmato?”
Ky ishte gjykimi për një vajzë të re, - nga bashkëshokët e saj, - që shkonte në shkollë për të mësuar e jo për t’u zhgërryer.
A thua vërtet kemi mbetur aq primitivë në gjykim, sa kërkojmë të mbulojmë idiotësinë e mendjes sonë të zhveshur me lecka që në treg cilësohen “të shtrenjta”?
A thua vazhdojmë të mbetemi po e njëjta shoqëri si ajo e 35 viteve më parë, kur dolëm nga izolimi i sistemit politik dhe nuk dinim çfarë të bënim me lirinë tonë… prandaj lamë namin nëpër botën?
Po, kanë kaluar 35 vite prej asaj kohe, kur çdo bluzë me stampë mbi gjoks na dukej “firmato”, edhe pse ato ishin për të fshirë dyshemenë. Dhe sot, bluza, pantallona e këpucë, - që i gjen me shumicë dhe në kazanët e mbeturinave, - i bëjnë përshtypje një shoqërie.
Kjo e kalon absurdin.

Irsa ishte viktimë e këtij mentaliteti. Ajo ndihej e bullizuar çdo ditë të jetës së saj në shkollë. Prandaj shkroi një letër dhe... iku, sepse nuk kishte fuqi të bënte ndryshe. Ndihej e pambrojtur. Ndihej e dobët. Arma e saj e vetme ishin këto fjalë, si një dëshmi ndoshta, një gjurmë që do të mbetej pas vdekjes së saj të shpejtë. Sepse gjithçka duhet të kishte një kuptim. Edhe vdekja e saj duhej të kishte një kuptim. Ndoshta dhe një qëllim. Duhet të merrte vlerë për diçka.
 
Mos bëni me të tjerët siç bëtë me mua.”
Sepse Irsat janë të shumta mes nesh. Dhe hapi për të kaluar nga një stad jete në atë të vdekjes është shumë i shkurtër. Ndonjëherë i papërfillshëm. Edhe pse në fakt i ndan një humbellë e thellë dhe e frikshme.
Irsa ishte gjimnaziste. Në kulmin e moshës së saj. Por zgjodhi të ikte nga kjo jetë. Ishte një vendim i nxituar, gjithsesi. Një veprim i pamenduar mirë. Sepse askujt, përveç vetes, nuk i bëri dëm me veprimin që kreu. Para se të ishte pjesë e një shoqërie që nuk e pranonte në gjirin e saj “plot sqimë”, Irsa ishte vajza e dy prindërve. Dhe plaga që ajo la pas është e papërfillshme për një shoqëri indiferente dhe arrogante, por do të jetë e hapur dhe do të dhembë pa fund për njerëzit e saj më të afërt.
Ndaj, nuk duhej të vdiste. Nuk duhej t’i vetëofrohej vdekjes. Kaq e lirë paska qenë jeta e saj, sa të vihej në kandar me një palë xhinse "Levi's", një palë atlete "Reebok" dhe një fustan dekolte nga "Zara"?
Mediat publikuan njëzëri fragmente të shkëputura nga letra që kishte lënë në kapakun e celularit vajza, para se të hidhte lakun e ashpër mbi qafën e saj të brishtë. Ishte një letër që disa thonë se e kishte shkruar në anglisht, por që hedh dritë mbi vuajtjet që përjetonte gjimnazistja e shkollës “Siri Shapllo” nga shokët e klasës.
O Zot, pse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë e shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua, po ashtu edhe nëna. Po pse u dashkam të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim. Madje as te psikologia, ndonëse jam hapur. Pse u dashka të vuaj? Vallë kjo është jeta?”
Këto ishin fjalët që bënë xhiron e rrjetit pas vdekjes. Se në të gjallë të saj askush nuk kishte për t’ia lexuar. Në mos, po edhe për këtë shkak do të ishte anatemuar më tepër.
Nuk di si janë ndjerë nxënësit e klasës së saj kur së pari kanë marrë vesh se shoqja e tyre vdiq. Dhe vdiq prej tyre. Sepse të gjithë nga pak e shtynë drejt humnerës. Madje dhe mësuesja kujdestare, edhe psikologia edhe stafi pedagogjik i gjimnazit në tërësinë e tij.
Pastaj kanë marrë lajmin e dytë: që shoqja e tyre u vetëvar. Dhe koncepti “var” merr një konotacion edhe më të ashpër. Dhe ndoshta ajo prandaj u vetëvar.
Dhe lajmi i tretë duhet të jetë edhe më i keq, sepse ishte një akuzë – për ta, për ata që e çuan drejt litarit.
Irsa nuk jeton më. Shoqet dhe shokët e saj të shkollës po. Ata do të futen çdo ditë në klasë për të nxënë dituri, për të marrë mësime edukate… Mbi shpatulla do të mbajnë një peshë. Të rëndë sa vetë vdekja. Madje edhe atëherë kur kujtojnë se nuk po e ndjejnë, pesha mbi shpatulla do të vazhdojë t’u rëndojë. Sepse në ndërgjegjen e tyre, imazhi i Irsës do të gdhendet si me një daltë të hekurt. Ajo nuk do t’u shqitet më.
Por a mund të vetëvritet njeriu sepse shokët e klasës nuk i pëlqejnë veshjen? Dhe ku pa: në Gjirokastër, ku gjithë qyteti ka rreth 40 mijë banorë. Në Nju Jorkun e madh, me mbi 10 milionë njerëz që hyjnë e dalin, mund të ecësh rrugëve dimër-verë, vetëm me pantallona të shkurtra nëse ta mban trupi, dhe askush nuk të hedh sytë për të të bullizuar për veshjen tënde. Sepse askujt nuk i intereson një gjë e tillë kaq e tejkaluar.
Por ky lloj emancipimi na mungon. Dhe ne mendojmë ende si shumë vite më parë, kur ishim të pangrënë e të paveshur, dhe mendonim thellësisht se një bluzë më shumë do të na bënte njeri. Ndërkohë që nuk qenka ky kushti. Njeriun nuk na e bën një bluzë më shumë, dhe kur ajo është aq e bukur dhe aq e mirë, sa… o Zot, mund të kushtojë disa mijëra euro.

Zjarri në kinema, “kurthi” që u mori jetën 64 spektatorëve pa faj

13 Shkurt 1983



Nga 
Leonard Veizi
 
Në një panik të tmerrshëm nga zjarri që afrohej me shpejtësi të skëterrshme dhe mungesa e frymëmarrjes nga tymi që prodhohej me shtëllunga nga copat e dërrasave dhe sidomos nga pjesët plastike që digjeshin e shformoheshin, të gjithë kërkonin daljen. Por ajo ishte e bllokuar. Ata kishin mbetur në një kurth, krejt të paimagjinueshëm. E pra, kishin shkuar për t’u dëfryer, ndoshta me ndonjë qese patatinash apo kokoshkash në prehër, teksa imazhet e aktorëve me famë lëviznin andej-këtej ekranit të magjishëm, projektuar mbi cohën e bardhë...
 
...Duket sikur ngjarja është ftohur e ngurtësuar. Sepse kanë kaluar më shumë se 40 vjet prej asaj kohe. Por asnjëherë nuk është astu siç duket. Apo më mirë të themi: ashtu siç imagjinohet. Sepse poshtë cipës së ftohtë a të ngurtësuar, ngjarja lëviz po aq nxehtë sa dhe vetë nxehtësia e zjarrit makabër që digjte e shkrumbonte gjithëka gjente përpara.
Tanimë ajo konsiderohet si masakra më e madhe që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Ndodhi në Torino të Italisë, dhe u cilësua si një tragjedi masive në nivel kombëtar. Shpërthimi i një zjarri që solli mbjaft viktima.
E pra, duhet thënë se audienca në kinema për shfaqjen “Briciapi” por që në gjuhën italiane njihet si: “La capra” ishte e përbërë vetëm nga 100 persona. Kur mund të ishin shumë më tepër. Dhe vetë tragjedia do të ishte shumëfish më e madhe. Sepse kinemaja në fjalë, - vend ku ndodhi e gjithë ngjarja, - kishte një kapacitet maksimal prej 1,200 personash, në një sallë me dy kate.
 
Ngjarja
Një prodhim filmik francez i vitit 1981, “La Chèvre”, i regjisorit Fransis Viber, me aktorët e mirënjohur Pierr Riçard dhe Zherard Depardieu, shfaqej në javën e trembëdhjetë të tij, në kinemanë “Statuto”, e cila ndodhej pranë sheshit me të njëjtin emër në Torino. Por pasditen e 13 shkurtit 1983, rreth orës 18:15, kur shfaqja kishte pak minuta që kishte nisur, zjarri shpërtheu. Një nga perdet e rënda në pjesën e prapme mori flakë dhe u rrëzua përtokë. Zjarri u përhap në ndenjëset e rreshtit të fundit, të cilat krijuan një barrierë që bllokoi daljen.
Paniku ishte i madh.
Megjithëse pretendohej se pëlhura ishte rezistente ndaj flakës, në etiketën e saj shkruhej: “Prodhon tym.” Dhe ky është një detaj që doli në gjyqin e zhvilluar me këtë rast. Më pas, një mjek sqaroi se vetë copa gjatë djegies lëshonte acid hidrocianik. Për këtë arsye, në korridorin ku shumë njerëz mbetën të bllokuar, vdekja ndodhi brenda 40 sekondave.
Zjarrfikësit mbërritën furishëm, burrat me kostume fosforeshente dhe aparate frymëmarrjeje në fytyrë. Dhe po aq shpejt mbërritën gazetarët dhe kamerat televizive. Por ishte vonë gjithsesi. 64 trupat e pajetë u rreshtuan bri njëri-tjetrit.
Në mediat italiane të kohësh gjendej dhe shprehje të tilla si: “Çifte të rinj gjenden të përqafuar, një djalë i vogël i kapur pas nënës së tij, një vajzë e vogël dhe babai i saj të kapur për dore”.
Dhe kaq duhej që tragjedia të kalonte dhe mbi kufijtë e saj.
Kronikat e kohës raportuan se si në një magji të zezë, ndër 64 viktimat 32 ishin meshkuj dhe 32 të tjera femra. Por mbi të gjitha dy prej tyre ishin fëmijë. Më i vogli që nuk i mbijetoi dot tragjedisë ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa më i madhi 55 vjeç.
Varrimi i viktimave u bë më 15 shkurt në Katedralen e Torinos.
Në kronikat e kohës thuhet se një mot i pafavorshëm dhe nisja e reshjeve të dëborës kishin ndikuar në frekuentimin e ulët të kinemasë. Dhe, a mund ta imagjinojë kush nëse kinemaja do të kishte shumë më tepër spektatorë, apo, mos qoftë thënë, të ishte e mbushur në kapacitetin e saj maksimal?
 
Pasojat
Ekziston një postulat që thotë se: “Çdo zjarr shkatërron shkaqet e tij”. Zyrtarisht u tha se zjarri nisi rreth orës 18:15 nga një shkëndijë elektrike në dhomën e projektorit, e cila ndezi materialet e ndezshme në afërsi. Përhapja e tymit dhe flakëve u favorizua nga prania e materialeve plastike dhe të paqëndrueshme në brendësi të kinemasë. Sistemet e sigurisë ishin të papërshtatshme: Dyert e daljes ishin të mbyllura ose të bllokuara dhe nuk kishte sisteme të mjaftueshme ventilimi për të larguar tymin.
Paniku përfshiu spektatorët, të cilët tentuan të dilnin, por shumica mbetën të bllokuar në katin e sipërm të sallës. 64 persona vdiqën nga asfiksia dhe djegiet, shumica në katin e sipërm, ku mbetën të izoluar nga tymi. Vetëm disa arritën të shpëtonin duke dalë nga dritaret apo shkallët e  emergjencës.
Hetimet zbuluan se masat e sigurisë ishin të pamjaftueshme dhe neglizhenca e pronarëve ishte një nga faktorët kryesorë që çuan në tragjedinë më të madhe të këtij lloji në Itali. Pronarët e kinemasë dhe disa zyrtarë u akuzuan për shkelje të rregullave të sigurisë.
 
Masat
Gjyqi vërtetoi se shkaku i zjarrit ishte aksidental dhe u konfirmua se rregulloret e kohës ishin të papërshtatshme. Kinemaja ishte rinovuar disa muaj para aksidentit. Ishin kryer kontrolle rutinë dhe drejtuesit kishin marrë certifikatën e rregullt.
Por tragjedia ndodhi.
Njëmbëdhjetë persona u dërguan në gjyq. Raimondo Kapela, pronari i “Statuto”-s, u dënua me tetë vjet burg, si dhe me tre miliardë lira - rreth 3.5 milionë euro me kursin e sotëm, - dëmshpërblim për palët civile. Dënime të tjera u dhanë edhe për persona të tjerë që u akuzuan për neglizhencë.
Pas kësaj tragjedie, Italia përmirësoi rregullat e sigurisë për kinematë dhe teatrot, duke përfshirë: Detyrimin për dalje të shumta emergjente dhe të lehtësisht të aksesueshme. Instalimin e sistemeve të alarmit dhe detektorëve të tymit. Kontroll më të rreptë të materialeve të përdorura në brendësi të sallave publike.
 
Epilogu
Katastrofa pati një jehonë të madhe emocionale në Torino. Nga dita e zjarrit kinemaja “Statut” nuk u hap më kurrë. Dhe mbeti për vite me radhë si një paralajmërim i trishtë me fasadën e nxirë nga flakët. Derisa u rrënua krejt.
Tridhjetë vjet pas tragjedisë, tre kineastë nga Torino, Fabricio Dividi, Marta Evangjelisti dhe Vinçenco Greko, realizuan një dokumentar të titulluar “Sale per la capra”, duke rindërtuar tragjedinë, të shoqëruar me intervista nga protagonistët e kohës dhe dokumentacion gjyqësor, të bërë publik për herë të parë.
Tanimë për të kujtuar tragjedinë, në vendin e quajtur Largo Cibrario, është vendosur një pllakë përkujtimore.
 
 

Monday, February 10, 2025

Kur Kina rehabilitoi Shekspirin dhe Bethovenin, armiqtë e Revolucionit Kulturor

 11 Shkurt 1978 



Nga Leonard Veizi
 
Veç të tjerash, 11 Shkurti si datë, por në kontekstin e vitit 1978, mbahet mend edhe si dita kur në Kinën komuniste shfuqizohet ligji mbi ndalimin e veprave të Aristotelit, Shekspirit dhe Dikensit. Sepse për të paktën 12 vjet rresht, gjatë asaj që njihet si periudha e Revolucionit Kulturor, nënshtetasve të Republikës Popullore të Kinës u ndalohej marrja e informacionit përmes artit të cilësuar si borgjez.
 
Batutat e një filmi
Në filmin artistik Në çdo stinë, të Kinostudios Shqipëria e Re, me skenar të Bashkim Hoxhës dhe regji të Viktor Gjikës, ka një sekuencë ku flitet për Revolucionin Kulturor. Ndaj po e sjellim në vëmendje për ta kuptuar si funksiononin gjërat 60 vjet më parë, në një situatë jashtë logjike:
Sekuenca luhet në mensën e Qytetit Studenti në Tiranë. Pasi një studente ndau një shalqin sezoni në 10 pjesë, - aq sa studentë ishin në tavolinë, - batuta e radhës vazhdoi:
-Pjesën e parë po ia japim Tumbas sonte.
-Ah, shumë mirë, - e justifikon një tjetër, - Tumba sot ka ditëlindjen.
Shpërthejnë urimet. Tumba ishte një nga vajzat e ardhura nga Republika e Kongos për të vazhduar studimet në Shqipërinë Socialiste. Dhe Tumba, që kishte ditëlindjen, vazhdon batutën:
-Shyqyr që nuk ka ndonjë kinez, se do të na i ndante në tre pjesë.
Ndërkohë ndërhyn Fotaqi, që vinte vërdallë tavolinë më tavolinë tek mensa e Qytetit Studenti me qëllim që të gjente material për dramën e tij Dashuri dhe dimër.
-Ou, këtu u bë politika mbi një shalqin.
Por volejbollistja Mira, e ekipit të Dinamos, me pirun në dorë, ku kishte pickuar një llokmë shalqini, ia kthen dyfish batutën:
-Epo ç’ti bësh, për teoritë e Ten Hsiao Pinit merr kuptim edhe shalqini.
Kot nuk thonë që sportistët kanë këmbët në vend të kokës. Vetë Ten Hsiao Pini, që atë kohë udhëhiqte nga 700 a 800 milion kinezë, do të bëhej verem dhe do t’i binte vilani po ta merrte vesh se teoritë mbi reformat e tij ekonomike ishin futur në gojën e Mirës, që mezi merrte provimet e sezonit.
E ndërsa Bardhyli po flirtonte me Zanën, - një tjetër volejbolliste dhe kjo, - me ca poezi romantike ku thuhej: Çështë kështu me mua/ çfarë ka ndodhur vallë/ pak po të largohesh/ ndjej për ty veç mall, - në sfond dëgjohet tastiera e një pianoforteje që vinte nga altoparlanti i radios.
-Beethoven. Sonata e Hënës, - flet e përhumbur Tumba, që po festonte ditëlindjen me shalqin.
-Kur isha unë në Kinë, ai ishte i ndaluar, - e shtyn bisedën në debat një tjetër kongoleze, gjithashtu studente.
-Gjatë Revolucionit Kulturor Proletar aty u ndaluan të gjitha, edhe Beethoven, edhe Shekspiri, - ndërhyn një student tjetër i huaj, biond ky, pa origjinë.
-Ua... ishin tamam ata, - habitet tej mase njëra prej studenteve, por këtë herë safi shqiptare.
Aty merr kthesën Bardhyli, që dinte t’i binte vetëm violinçelit:
-Kurse te ne vihej Simfonia e 9 dhe Arturo Ui.
Dhe për t’i vënë kapakun të gjithë bisedës, flet me kompetencë një student i inxhinierisë së minierave, me emrin Astrit:
-Ai nuk ka qenë as revolucion e as kulturor, e aq më tepër proletar.
Por Bardhyli kish marrë xhirot dhe nuk ndalej:
-E si mund të ndalonin Beethovenin? Ai u ka kënduar ndjenjave me të mëdha njerëzore, nga revolucioni e gjer tek dashuria.
Mirëpo Astriti, që donte të mbyllte kapakun, bën edhe një përpjekje tjetër, dhe kësaj here ia del kur flet me indiferentizëm dhe arrogancë të përziera bashkë, kundër ofensivës që na vinte nga Lindja e Largme sipas sloganit “Lindja është e Kuqe”:
E ku merren vesh kinezët. Një herë u vunë fshesën të gjithave. Ndërsa tani kanë hapur dyert që të hyjë derri dhe dosa bashkë.
Kjo ishte situata e transmetuar në një film shqiptar, kur marrëdhëniet me Kinën ishin drejt fundit të tyre.
 
Fjalimi Programatik
Gjithsesi, Revolucioni Kulturor, edhe pse u ideua në Kinë, shumë milje larg, pati një ndikim edhe në Shqipërinë komuniste, që aso kohe cilësohej si “motra e vogël”. Me fjalimin e tij programatik më 6 shkurtin e vitit 1967, Enver Hoxha paralajmëroi nisjen e një fushate të re spastrimi si një miniaturë e Revolucionit Kulturor, ku në Kinën e Kuqe shkrimtarët u çuan për riedukim në orizore. Në Shqipëri ata u “qarkulluan” në fshat, me qëllim që të njihnin jetën. Dhe kjo bëhej, - sipas regjimit, - për t’i hapur rrugën krijimit të “njeriut të ri”.
Por diku, pasi bënë një raprezalje të tipit “alla kinez”, vetë lidershipi shqiptar e kuptoi se adoptimi i Revolucionit Kulturor ishte një idiotësi, ndaj nuk e çuan më tej. Por vendimet e marra në eufori e sipër nuk patën rikthim, duke lënë shenja problematike në jetën kulturore shqiptare, qoftë me shembjen fizike të objekteve të kultit, por edhe me heqjen e gradave në ushtri.
 
Ndalimet absurde
Po çfarë i gjeti kinezët që ndalimin e dhunshëm të kryeveprave botërore ta cilësonin si një “Revolucion Kulturor”? Sepse djegia librash ishte bërë edhe në kohën e Rajhut të III. Por duket se kinezët shkuan edhe më tej.
Revolucioni i Madh Kulturor Proletar ishte një periudhë 10-vjeçare e kaosit politik dhe social të shkaktuar nga përpjekja e Mao Ce Dunit, duke përdorur masat për të rivendosur kontrollin e tij mbi partinë komuniste.
Në mes të një periudhe të errët dhe të trazuar në historinë e Kinës, ku çdo hap ishte një hap në drejtim të një epoke të re, lindi një fenomen që nuk mund të kuptohej ndryshe përveçse si një shenjë e epokës post-moderniste të shekullit të XX – Revolucioni Kulturor. Ky ishte çasti kur ndodhi ajo që mund të quhet "Rivaliteti më i madh i Kulturës Botërore", ku Kultura Perëndimore dhe të gjitha vlerat që ajo përfaqësonte u ndaluan me një intensitet të pashoq.
Shumica e historianëve pajtohen se Revolucioni Kulturor filloi në mesin e majit 1966, kur krerët e partisë në Pekin lëshuan një dokument të njohur si Njoftimi i 16 majit. Ai paralajmëroi se partia ishte infiltruar nga "revizionistë" kundërrevolucionarë, të cilët po komplotonin për të krijuar një "diktaturë të borgjezisë".
Por si ndodhi që Aristoteli, si themelues i logjikës, nga një filozof i lartësuar u kthye në një përfaqësues të "perandorisë reaksionare" dhe si një mbështetës i një rendi të vjetër? Ai u bë simbol i mendimit perëndimor reaktiv, që ngadalësoi përparimin dhe mundësoi rinovimin e kulturës së vjetër.
Si mundi Shekspiri të ishte një "armik i klasës punëtore"? Madje u konsiderua si një simbol i kulturës borgjeze. Ndërsa Dikensi, një emër aq i njohur për veprat e tij, ishte një tjetër shembull se sa larg kishte shkuar kultura reaksionare dhe si ajo duhej të eliminonte çdo lloj ndikimi që mund të nxirrte popullin nga rruga e "revolucionit të shëndetshëm".
Në fakt, në këtë periudhë, të gjithë ata mendimtarë të Perëndimit që dikur ishin konsideruar të jenë të dritësuar, madje edhe të shenjtë, papritmas morën një shpërthim të fuqishëm të kritikave. Çdo autor perëndimor që i përkiste një periudhe të shoqërisë kapitaliste, që shprehte ide individualiste, ose që nuk i përkiste linjave marksiste, u ndalua gjatë Revolucionit Kulturor. Ky izolim kulturor ishte pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të kontrolluar mendimin dhe për të ndaluar ndikimet perëndimore që mund të kishin ndikim negativ në ideologjinë komuniste kineze.
Sidoqoftë, një prej pasojave më të mëdha të Revolucionit Kulturor ishte fshirja e muzikës klasike, sidomos veprave të Beethovenit. Të dëgjoje një simfoni të Beethovenit në këtë periudhë ishte një akt jopatriotik dhe, si pasojë, ishte diçka që "luante në duar të armiqve të popullit". Tingujt e Beethovenit, që njëherë mbushnin sallat me entuziazëm, u bënë simbol i një "zhvlerësimi të njeriut të thjeshtë". Çdo shenjë e artit perëndimor u shndërrua në një mjet të përdorur nga elita për të mbajtur nën kontroll masat, duke i larguar ato nga mendimi revolucionar.
Në këtë panoramë të ngarkuar me ironi, mund të thuhet se Revolucioni Kulturor Kinez është një mësim për të kuptuar se si mund të përdoren të gjithë ata autorë, artistë dhe filozofë të mëdhenj për qëllime politike, si një mjet për të mbajtur në kontroll dhe ndaluar atë që quhet "tregu i perëndimor". Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse në këtë periudhë, të gjithë ata që ishin të njohur për shpalljen e lirisë dhe mendimit të pavarur, u shndërruan në “përfaqësues të perandorisë që duhet të shuhet”.
 
Epilogu
Por desh Zoti dhe 10 vite më pas, në vitin 1976, ai u quajt zyrtarisht i përfunduar, duke lënë pas mijëra apo miliona viktima. Sepse padyshim, mund të kishte vazhduar shumë më tepër, nëse presidenti Nixon nuk do të bënte vizitën e tij në Pekin në shkurtin e vitit 1972.

Amerikanët dhe sovjetikët, si i shkëmbyen spiunët mbi një urë gjermane

10 Shkurt 1962
 

Nga Leonard Veizi
 
Historia e shkëmbimit të robërve të luftës, ka qenë një histori e përhershme. Por dhe historia e shkëmbimit të robërve në kohë paqe gjithashtu ka qënë një histori e gjithmonshme. Kjo bëhej pasi shkëmbimet ndihmonin në ruajtjen e balancës midis palëve dhe shpesh realizoheshin me një marrëveshje mes shteteve ose komandave të armatosura. Kështu ka ndodhur edhe mes amerikanëve dhe sovjetikëve përgjatë viteve që u cilësua si “Lufta e Ftohtë”...
 
...Më 10 shkurt të vitit1962, ndodhi një ngjarje e rëndësishme në ditët e Luftës së Ftohtë, kur piloti amerikan Fransis Geri Pauers u shkëmbye për spiunin sovjetik Rudolf Ejbëll. Pauers ishte një pilot i CIA-s që, më 1 maj 1960, ishte kapur nga sovjetikët kur avioni i tij U-2 u rrëzua në territorin e Bashkimit Sovjetik gjatë një misioni për të fotografuar objektet ushtarake sovjetike.
 
Ngjarja
Misioni i pilotit amerikan Fransis Geri Pauers mbi territorin sovjetik ishte pjesë e një operacioni të spiunazhit i quajtur “U-2 reconnaissance flights” të udhëhequr nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, quajtur ndryshe CIA. Misioni konsistonte në mbledhjen e informacioit të ndjeshëm mbi aktivitetet ushtarake sovjetike, në lidhje me bazat ushtarake, veçanërisht mbi vendndodhjen dhe përparimin e armëve bërthamore dhe raketave të Bashkimit Sovjetik. Ai duhej të fotografonte rreth 2.000 milje territor sovjetik për të mbledhur informacione inteligjente.
Avioni ultra i sofistikuar “Lockheed U-2” ishte projektuar për fluturime të larta dhe mund të fluturonte në altitudë rreth 21 km, ku ishte shumë i vështirë për t'u arritur nga raketat dhe avionët sovjetikë të kohës.
Pauers u nis nga Peshauari në  Pakistan më 1 maj 1960, por gjatë fluturimit mbi territorin sovjetik, pranë qytetit të Sverdlovsk Oblast në Malet Ural, avioni i tij u godit nga një raketë tokë-ajër sovjetike dhe u rrëzua. Pauers u hodh me parashutë dhe ra i gjallë në tokë, ku u kap nga forcat sovjetike dhe u mbajt për t'u marrë në pyetje nga KGB-ja.
Më 5 maj, sekretari i parë i BRSS, Nikita Hrushovi, njoftoi se avioni amerikan i spiunazhit ishte rrëzuar. Dy ditë më pas zbuloi se Pauers ishte shëndoshë e mire, dhe se kishte pranuar që ndodhej në territorin sovjetik për një mision inteligjence nga CIA.
Pauers u bë një çështje e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik, pasi u akuzua dhe gjykua për spiunazh.
Ky incident ndodhi në një periudhë shumë të tensionuar të Luftës së Ftohtë, që që solli një krizë diplomatike mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, duke kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duke ngadalësuar përpjekjet për të arritur marrëveshje mbi armët bërthamore.
Pas disa muajsh, Pauers u dënua me 10 vjet burg. Por më 1962 ai u shkëmbye për spiunin sovjetik Rudolf Ejbëll në një marrëveshje të ndërmjetësuar. Spiuni sovjetik Rudolf Ejbëll, ishte kapur nga autoritetet amerikane që në vitin 1957.
Ky shkëmbim i të burgosurve u bë në Urën Glienicke, e cila ndodhej mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore, duke shënuar një çast kulminant të tensioneve të Luftës së Ftohtë.
Shkëmbimi i të burgosurve ishte një manifestim i përpjekjeve të dy superfuqive për të zbutur tensionet ndërkombëtare dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit të mundshëm. Historia e këtij shkëmbimi, si dhe pozita e Pauers në të, mbetet një pjesë kyçe e historisë së Luftës së Ftohtë dhe e marrëdhënieve të tensionuara SHBA - BRSS.
 
Libri
“Ura e spiunëve” është historia e vërtetë e Luftës së Ftohtë në një libër jofiksonal botuar në viti 2010 nga Xhajëlls Uitëll. Libri dokumenton shkëmbimet e të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si spiunë të tyre gjatë Luftës së Ftohtë. Libri u botua për herë të parë nga “Broadway Books”. Si libri i Uitëll ashtu edhe filmi i Spillbërg bazohen në të njëjtat ngjarje, megjithëse libri fokusohet në tre të burgosur që u bënë pjesë e procesit të shkëmbimit.
 
Filmi
Ngjarja e shkëmbimit të Fransis Geri Pauers dhe Rudolf Ejbëll ka qenë inspirim për disa filma, dhe një nga më të njohurit është "Bridge of Spies" i ardhur në shqip si “Ura e Spiunëve”, i cili u realizua nga regjisori Stivën Spillberg dhe u publikua në vitin 2015. Në kastin e filmit u përfshine aktorët: Tom Henks, Mark Rajlens, Emi Rajen dhe Alen Aldën.
Filmi tregon si avokati amerikan Xhejms B. Donovan, i luajtur nga Henks, mori rolin e negociatorit për të realizuar shkëmbimin, një detyrë e vështirë që kërkoi mençuri dhe guxim për të balancuar interesat e të dy palëve. "Bridge of Spies" nuk trajton vetëm çështjen e shkëmbimit të Pauers, por gjithashtu tregon kontekstin e tensioneve të Luftës së Ftohtë. Ky film ishte i suksesshëm dhe u përshëndet për realizimin e tij, si dhe për paraqitjen e tensioneve dhe të sfidave etike dhe politike që dolën nga ngjarjet historike.
Filmi u shpërnda nga “Walt Disney Studios Motion Pictures” përmes etiketës “Touchstone Pictures” më 16 tetor 2015, në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada dhe nga “20th Century Fox” në vende të tjera. Ai mori vlerësime kritike për skenarin e tij, interpretimet e Henks dhe Rajlens, regjinë e Spillberg, partiturën muzikore të Tomas Njuman dhe vlerat e prodhimit.
Filmi ishte një sukses në arkë, sepse u prodhua me një buxhet prej 40 milionë dollarësh duke fituar 165 milionë dollarë në mbarë botën. Gjithashtu filmi mori gjashtë nominime për çmimet “Oscar”, duke përfshirë filmin më të mirë dhe skenarin më të mirë origjinal, ndërsa faktikisht Rajlens fitoi si aktori më i mirë dytësor.
 
Epilogu
Pas rikthimit në SHBA, Pauers  u largua nga CIA. Në vitin 1970, ai botoi një libër mbi operacionin e tij sekret dhe incidentin që pasoi. Në vitin 1977 Pauers  u vra pas rrëzimit të një helikopteri.
Ndërkohë Ejbëll u rikthye në Moskë, ku u detyrua të dalë në pension nga KGB-ja, e cila druhej se gjatë viteve të burgimit, autoritetet amerikane e kishin bindur të bëhej një agjent i dyfishtë. Ejbëll-it iu dha një pension modest, dhe në vitin 1968 botoi kujtimet e veta me miratimin e KGB-së. Vdiq në vitin 1971.
 

Friday, February 7, 2025

Zhyl Vern, shkrimtari i fantazive të çmendura që u bënë realitet


Nga Leonard Veizi
 
I pabesueshëm në fantazinë e tij, ai solli për mes letërsisë, një botë ireale që çuditërisht vite më pas u bë krejt reale. Një objekt hekuri që zhytej në det, - pra nëndetëse, por jo bërthamore, - një balon që fluturonte rreth globit, dhe më pas çmenduri bëhet edhe më e madhe kur flitet për një udhëtim nga Toka në Hënë. Dhe ishte puna e tij që e ktheu në postulat shprehjen “Atë që një njeri mund të imagjinojë, një tjetër do të jetë në gjendje ta arrijë një ditë"...

...Cilësohet si një autor produktiv, shkrimet e të cilit hodhën shumë nga themelet e trillimeve shkencore moderne. Dhe nuk ka njeri në botë, që ka bërë qoftë një arsim fillestar, të mos e njohë autorin e përbotshëm të letrave franceze. Zhyl Vern, është i mirënjohur për romane të tilla revolucionare shkencore si “Rreth botës për 80 ditë”, “Njëzet mijë lega nën det”, “Pesë javë në balonë”, “Udhëtim në qendër të tokës”, dhe më pas “Nga Toka në Hënë”. Me siguri do të ketë qenë ca “i lojtur nga fiqiri” që të paktën 150 vjet më parë, kur shkenca revolucionare ende nuk kishte filluar të merrte xhirot e saj, ai guxoi të shkruante një letërsi krejt realiste mbi një fantazi të shthurur.
 
Fillimet
Në jetëshkrimin e tij të botuar nga “Britannica” thuhet se babai i Vern-it, duke synuar që Zhyl të ndiqte hapat e tij si avokat, e dërgoi atë në Paris për të studiuar drejtësi. Por i riu Vern ra në dashuri me letërsinë, veçanërisht teatrin. Ai shkroi disa drama, punoi si sekretar i “Theatre Lyrique” apo “Teatri Lirik” dhe botoi tregime të shkurtra dhe ese shkencore në revistën “Musée des Familles”. Në 1857 Vern u martua dhe për disa vite punoi si ndërmjetës në bursën e Parisit. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi të shkruante, të bënte kërkime në “Bibliothèque Nationale” apo siç vjen në shqip: “Biblioteka Kombëtare”, dhe të ëndërronte për një lloj të ri romani - që do të kombinonte faktet shkencore me trillimet aventureske.
I frymëzuar nga dashuria e tij për udhëtime dhe aventura, Vern bleu një anije dhe së bashku dhe gruan shpenzuan shumë kohë duke lundruar dhe qëndruar në porte të ndryshme, të cilat i ofruan  materiale pa fund për tregimet dhe romanet e tij.
Në shtator 1862, Vern u takua me botuesin Pierr-Zhyli Hitzala, i cili ra dakord të botonte pjesën e parë nga “Udhëtimet e jashtëzakonshme” të Vern, që njihet me titullin “Pesë javë në balon”.
Romani u bë bestseller ndërkombëtar dhe Hitzala i ofroi Zhyl Vernit një kontratë afatgjatë për të prodhuar shumë vepra të tjera "fiksioni shkencor". Vern më pas la punën e tij në bursë për t'u bërë një shkrimtar me kohë të plotë dhe filloi atë që do të rezultonte të ishte një bashkëpunim shumë i suksesshëm autor-botues që zgjati për më shumë se 40 vjet dhe rezultoi në më shumë se 60 vepra në serinë e njohur “Voyages Extraordinaires”.
Gjatë këtyre viteve Vern u vendos me familjen e tij në Amiens dhe bëri një udhëtim të shkurtër në Shtetet e Bashkuara për të vizituar qytetin e Nju Jorkut dhe Ujëvarat e Niagarës. Gjatë kësaj periudhe ai bashkëpunoi për të adoptuar në teatër disa prej romaneve të tij dhe fitoi famë botërore por një pasuri modeste.
 
Problemet
Nga viti 1886 deri në vdekjen e tij në 1905, mund të konsiderohet periudha pesimiste e Vernit.
Edhe pse po shijonte një sukses të madh profesional në vitet 1870, Zhyl Vern nisi të kishte shumë probleme dhe konflikte në jetën e tij personale. Kishte problemet në rritje me djalin e tij rebel, Mishel. Ai e dërgoi djalin e tij në një kolegj riedukimi më 1876, dhe disa vjet më vonë Mishel i shkaktoi edhe më shumë telashe, pas marrëdhënieve të tij të paligjshme me një vajzë të mitur.
Vështirësitë financiare e detyruan të shesë jahtin. Por mori goditje emocionale edhe nga vdekjet e njëpasnjëshme të nënës dhe mentorit të tij Hitzala.
Në vitin 1886, Vern u qëllua aksidentalisht në këmbë nga nipi i tij Gaston me probleme mendore, duke mbetur i çalë për pjesën e mbetur të jetës.
 
Epilogu
Megjithatë shkrimtari vazhdoi të ishte produktiv deri në fund të jetës së tij më 1905.
Kur Vern vdiq, ai la një sirtar me dorëshkrime pothuajse të përfunduara në tryezën e tij.
Ndikimi i Vern shtrihet përtej letërsisë dhe filmit në botën e shkencës dhe teknologjisë, ku ai frymëzoi breza të tërë shkencëtarësh, shpikësish dhe eksploruesish.
Gjatë shekullit XX, veprat e Vernit u përkthyen në më shumë se 140 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët më të përkthyer në botë. Një numër filmash të suksesshëm u bënë nga romanet e Vern-it, duke filluar në 1916 me “20,000 lega nën det” film i cili u ribë në vitin 1954 nga “Walt Disney”. Më pas u ekranizua “Ishulli misterioz” me dy prodhime në vitet 1929 dhe 1961, filmi “Nga Toka në Hënë” u realizua në vitin 1958, ndërsa “Udhëtim në qendër të Tokës” më 1956.
Në vitin 1954, Marina e Shteteve të Bashkuara lëshoi ​​nëndetësen e parë në botë me energji bërthamore, të quajtur “Nautilus” në nder të shkrimtarit të madh francez. Ky ishte emri që Zhyl Verni i kishte vënë anijes së tij që lundronte nën ujë në romanin e titulluar “20 mijë lega nën det”.

Wednesday, February 5, 2025

Kur shqiptarët ndahen në dy fronte për shkak të një xholi apo një gjesti


Nga 
Leonard Veizi
 
Atë që Gjesti i bëri shqiptarëve nuk ia ka bërë dot as UDB-ja, – një organizëm që kishte për detyrë të ndante e të shkatërronte, por që, me sa duket, nuk kishte imagjinatën e mjaftueshme për të krijuar një skenë kaq teatrale. Gjesti, me talentin e tij të pazakontë, arriti të ndante shqiptarët në dy fronte, duke na bërë të duket sikur kemi harruar që jemi i njëjti popull.
Gjesti me gjeste... apo gjestikulacione, se s’po e marrim vesh... E vështirë shqipja, me këto fjalët me dy kuptime, ose me një kuptim por me disa devijime.
Nuk guxon kush të prekë me gisht kosovarin e vetëm në shtëpinë me të famshme në Republikën e Shqipërisë se ata mbi kufirin verior ia japin pallmës: Po na e marrin në qafë djalin. Dhe hapin thesin duke na sharë ne shqiptarëve që kemi kryeqytet Tiranën me kuç e me maç, apo me libër shtëpie, merreni si të doni se çështje dialektesh është tek e fundit. Dhe ne, me librin e shtëpisë në dorë, mundohemi të kuptojmë se si një çështje dialektesh mund të shndërrohet në një krizë kombëtare.
Ore, në Shtëpi ishte dhe Gramozi, por s'bënte njeri kështu për të. Për Gjestin është gati të ngrihet një revoltë e tërë.
Po kush është ky Gjesti?
Ismail Kadare tek novela e njohur “Natë me hënë” që Edmond Budina e ngjiti në skenën e teatrit si regjisor,  thotë për personazhin Mariana, një vajzë e bukur e plot hire, që sipas Sekretares së Partisë sillte vërdallë gjithë burrat e ndërmarrjes dhe ca gra të lëna gjithashtu.
-Të kishim qenë ndërmarrje kapitaliste do kisha menduar se na i kanë futur rivalët.
Edhe Gjesti kështu është si punë xholi, por që ata të Top-it e peshkuan vetë dhe nuk ua rrasi askush tjetër.
-Gjesti është fenomen, - na vjen mesazhi nga pas doganës së Morinit, pikërisht aty ku Gjestin e nxorën fishek përjashta nga një shtëpi po aq e famshme, por këtë herë në Prishtinë.
Padyshim që po. Fenomen është, ajror madje.
-Ajri, ajri. Vozdu, vozdu... – dublonin njëri-tjetrin marinarët shqiptarë e ata sovjetik të bazës së Vlorës tek filmi “Ballë për Ballë”, para se të mbyllej kapanxha qendrore e nëndetësja të zhytej në ujë.
Në këtë kontekst, Gjesti nuk është thjesht një personazh apo një figurë e izoluar, por një simbol i një realiteti më të gjerë shoqëror madje dhe politik. Ai përfaqëson një lloj force që ndan dhe bashkon njëkohësisht, duke krijuar tension dhe debat në mes të shqiptarëve.
-Qyqja, paskan mbet punët e vendit në dorën e Gjestit.
Dhe Gjesti, - që kur arrin të lidhi tre fjalë bashkë, se me dy fjalë ia del, na duket fitore, - ia ka dalë për bukuri të krijojë dy fronte shqiptarësh, aq sa kur lexova komentet, sidomos kur u tha se Gerta në dasmën e Jozit na e paskësh kishte larë vogëlushin me birrë e shampanjë në kokë, aq sa atij i kishte ikur shikimi prej alkoolit dhe e kishin çuar me urgjencë tek okulisti dhe kirurgu i bllokut operator, mendova se do plaste lufta. "Duhet me u bo gati", thashë me vete,- "çfarë sjell ora nuk e sjell moti." Si çun Tirone, - pra në qytetin pritës të jabanxhinjve në Shtëpi që po na vijnë edhe nga Evropa, - u ndjeva ngushtë për gafën e Gertës që i prishin ceremoninë edhe Loredanës, ndaj u mata t’i bëja telefonatë një mikut tim në Ministrinë e Mbrojtjes e ta pyesja se mos ndoshta vallë repartet tona të ushtrisë kishin kaluar në gatishmëri numër 1?!
Pastaj u zmbrapsa, sepse mendova që tek e fundit, presidentja Osmani i ka dy këshilltarë më mend që t’i pëshpëritin qetësisht në vesh: Nuk është e nevojshme të çojmë mjetet e blinduara e të rrethojmë Tiranën. Tek e fundit punë kalamajsh është.
Por, në fund të ditës, Gjesti është ai që fiton – sepse, ndërsa ne debatojmë, ai qëndron në qendër të skenës, duke u kënaqur me një buzëqeshje të pafajshme fëmije.
-E kemi thënë ne, po nuk e fitoi Big Brother-in e të çojë në Prishtinë 100 mijë euro me taksa të paguara në Tiranë, do ia fusi produksioni.
Ja, kjo është ideja e përgjithshme e komentuesve, që kënaqen e bien në harlisje kur vjen puna për paratë e supozuara që mund të marrë Gjesti.
Eh, ku përfundoi kjo punë. Lëmë çdo punë përgjysmë e merremi me thashethemet e një Shtëpie të monitoruar nga 100 kamera. E pastaj thonë se ne shqiptarët jemi punëtorë të mëdhenj. Padyshim që ia fusin kot. Shqiptarët e kanë mendjen tek tifozlliku, dhe duartrokasin o për Gjestin dhe Juventusin, o për Luizin dhe Barcelonën, ose për Eglën, Eglin dhe Maradonën bashkë me Madonën. Ç’ne ne tek kazma dhe lopata? Ne dihet për çfarë shquhemi. E thonë dhe vargjet:
-Ç'kërkoi Shqiptari ndër shekuj..../ Pak bukë, pak kripë e pak hekur.
Jemi në Big.
Dhe unë, ç'është e vërteta, e shoh me të njëjtin interes që e ndjek dhe Neda me Arbrin, por pa pasur pretendimin të bëhem analist në poltron. Më mjafton karrigia e gazetarit. Dhe për djall, edhe pse zotohem që nuk do shkruaj për "cingërima" sërish motivohem për t'i zhgrapur ca fjalë.
Në BBV-4 – akronimi i Big Brother VIP-4 - sherret janë të shumta. Ditën dhe natën. S’ka ndalim. Se eksperimenteve sociale fillimi u duhet, kur të gjithë bëjnë si të lumtur, se fundin nuk e sheh njeri siç ndodhi me Nostroadamusin apo Baba Vangën.
Një ditë në shtëpinë më të famshme të Republikës së Shqipërisë plasi debati dhe u hodh mesazhi se janë gjëra që ngjasin ngaqë disa prej vajzave u kishin ardhur tezet.
Mrekulli, le të futen brenda të shkretat, mos rrinë pas dere. Se helbete rrugë e largët.
-Po hallat?
Pyetja ngrin, siç ngrijnë banorët kur nga altoparlantët lëshohet thirrja: “Ngriva”. “Më ka ngrirë Ledioni” thoshte njona që i kishin ardhur “tezet” bashkë me mamanë aty në mes të shtëpisë.
Meqë ra fjala, si vajti puna me pyetjen për hallat? Se gjithmonë fisi i babait nëpërkëmbet, Ato të nënës dalin gjithmonë në krye të listës.
Ohu, çfarë themi ne e çfarë thotë ky. Është fjala për “ato” robo. Kupton apo hiç?
Të vdesësh gazit në këtë Big Brother.
Po flisni moj çupani, ne jemi dhe shoqëri e emancipuar, apo që po emancipohemi dita-ditës. Thashë mos ishte ndonjë ilet i mendjes.
-E, shtu pandyem ç'është e vërteta. Se sa për t’u nxehur nxehem dhe unë. Dhe kur nxehem unë i thyej të tëra, me pjata e me filxhana. Jo po të mos më bëjë mua nga ato!
Mirë femrave, por mos u vijnë gjë dhe çunave “ato” tezet?
-Tobekstrakfrullah!
-Fol me ndonjë student të mjekësisë, - i shfrynte Monda tek “Dimri i Vetmisë së Madhe” djaloshit me emrin Ben, që mendonte se ajo kishte mbetur shtatzënë. Se një student mjekësie mund të të ndriçojë aq sa të kuptosh se jo në të gjitha rastet kur të vonohen “ato”, ke mbetur me barrë.
"Vajzat e shtëpisë" – të cilat, me tezat e tyre që "u erdhën" si një stuhi e papritur, - na kujtojnë se jeta në Big Brother nuk është thjesht një lojë, por një laborator shoqëror ku çdo gjë, nga emocionet deri te hormonet, është nën mikroskop. Dhe, ndërsa ne të tjerët po pyesim veten nëse tezat janë një fenomen biologjik apo një strategji e sofistikuar për të fituar simpatinë e publikut, ato vazhdojnë të luftojnë me një realitet ku asgjë nuk është private – as edhe ato që duhet të jenë. Ironia? Në fund të ditës, ne të gjithë po i ndjekim me interes, sikur të ishte një serial dramatik, duke harruar se jeta e tyre reale është duke u zhvilluar para syve tanë, pa asnjë "pausë" për të marrë frymë.
Debatet thellohen në Big. Me zë të lartë e agresivitet.
Gojët e liga thonë se kur bie ritmi i debateve në lojë futet produksioni. Dhe e bën lëmshin akoma më lëmsh. Megjithatë motori nis të punojë.
Ore për çfarë keni ardhur këtu? Mos mendoni se është Kampi i Pushimeve Dimërore? Si ai hoteli i Stefan Kingut ku interpretonte Xhek Nikolson?
-Ore për budallenj na merrni ne?, - i vuri me shpatulla për muri Shemshedini djemtë e  grupit agjitator, tek filmi dhe romani i Teodor Laços “Përballimi”. - Demek, sikur s’e dimë ne që gjithçka bëhet për klikime.
Dhe sherret në Big Brother vazhdojnë. Gjesti sillet vërdallë si një kukull e kurdisur. Por në krye të tyre është Xhibani.

Monday, February 3, 2025

3 shkurt/ Koreshi dhe Agolli, pak fjalë për dy titanë të letrave shqipe

-Kur ndahen nga jeta korifejtë e letërsisë-


Nga Leonard Veizi
 
Vath Koreshi dhe Dritero Agolli nuk i bashkon veç fakti që ishin shkrimtarë, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë duke përfaqësuar të dy Partinë Socialiste. Ata i lidh përfundimisht edhe data 3 shkurt. Sepse pikërisht në një ditë të tillë fillim muaji kanë vdekur të dy. Fillimisht Vath Koreshi në vitit 2006 në një spital të Romës dhe 11 vite më pas në po të njëjtën datë të vitit 2017 ndahet nga jeta Dritëro Agolli në atë që quhet Spitali Universitar Shefqet Ndroqi, por që njihet si Sanatoriumi i Tiranës. Por Dritëro Agolli i kishte kaluar 85 vite nga jeta kur u largua për në amëshim, ndërsa Vath Koreshi donte edhe dy muaj të bënte 70 vjeç....
 
... Koreshi dhe Agolli janë dy nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e letërsisë moderne shqiptare. Secili prej tyre ka pasur një ndikim të veçantë, duke ofruar një pasuri temash, karakteresh dhe stilistikash që janë aq të rëndësishme për lexuesit shqiptarë.
 
Vath Koreshi
Pa dashur të ripërsëris veten, por duke dashur tw trasmetoj tw njwjtwn vlerw, në një shkrim të mëparshëm botuar në gazetën Fjala, me titullin “Universi i Vath Koreshit, letërsi në të gjitha dimensionet” kam shkruar këto fraza:
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit rrugëtoi ethshëm nëpër linjën e detit, me një shpejtësi të skajshme, për të ardhur nga Roma në Tiranë vetëm për një të qindtën e sekondës. “Ndërroi jetë”. Pastaj shpërndarja e fjalëve në një gjysmë zëri ishte po aq e shpejtë për të ardhur tek secili nga ne me pasigurinë e një lajmi që në fakt nuk duhej të ishte i tillë. Një klithmë habie dhe pastaj heshtje… për ta marrë mbi vete masën e plotë të vërtetësisë se diku atje, në shtratin e një spitali të largët, të një toke të huaj,
Vath Koreshi nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm, të cilit qoftë prej mediokritetit apo mosthënies së asgjëje me vlerë në fushën e letrave, do t'i ishte harruar emri mes rreshtash, apo do t'ia kishte varrosur veprën një pluhur bodrumesh në bibliotekat e lagjeve. Por, në fakt, ai ishte Shkrimtar, me plot kuptimin e fjalës, dhe si i tillë as që mund të priste një prapashtesë mbështetëse, fjala vjen: i talentuar, i madh, i shquar, apo i jashtëzakonshëm...  Pse, tituj për Vathin ishin këta? Për Vathin që dukej hijerëndë e thuajse kozmik në pamje të parë, por që ishte aq i thjeshtë e njerëzor, nëse e njihje nga afër. Ai ishte shkrimtar, dhe kaq duhet për t’i pasur mbi vete të gjitha, titujt zyrtarë dhe ata verbalë.
Ka bërë letërsi në të gjitha dimensionet. Krijimtaria e Vath Koreshit është shumë e begatë, po të kemi parasysh tregimet, novelat, romanet, skenarët e filmave dhe dramat, të cilat ai i ka përshirë në të gjithë krijimtarinë. Në të gjallë të tij me shumë gjasa nuk do të pranonte ta cilësoje si të tillë, por në heshtjen e tij mbi tokë kemi të drejtë të themi se ai ishte ndër shkrimtarët elitë të prozës shqipe, për të mos shkuar më tej. Kritika është shprehur se si shkrimtar kishte ardhur gjithnjë në rritje, duke perfeksionuar mënyrën, këndin e vështrimit të realitetit dhe duke e rritur cilësinë artistike të prozës. Pas viteve ’90, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë që nuk u shkëputën dot plotësisht nga realizmi socialist, ai krijoi vepra krejtësisht të tjera me konflikte të ashpra, me ide universale, me mesazhe njerëzore, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare.
Koreshi punoi si gazetar te "Zëri i Rinisë" dhe më pas, te "Drita". Është autor i disa romaneve, novelave e vëllimeve me tregime si “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”, “Requiem për një grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Konomea”, “Një grua me të verdha”, “Rrugë për larg”. Ai gjithashtu është skenarist i së paku 20 filmave si “Liri a vdekje”, “Balada e Kurbinit”, “Syri Magjik”, “Dasma e Sakos”, “Besa e kuqe”, “Rrugë të bardha” etj. Ndërsa romani “Ulku dhe Uilli”, i cilësuar si një nga më të mirat e tij, është krahasuar nga kritika në lartësinë e veprave më të mëdha të letërsisë shqipe. Ndonëse në pak më shumë se 100 faqe, autori përmbledh me mjeshtëri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e fshehtë mes moralit fetar dhe fetar dhe mëkatit njerëzor.
 
Dritero Agolli
E vështirë të shkruash në vazhdimësi për një shkrimtar si Dritëro Agolli. Ndaj edhe në këtë emër do të mjaftohem me pak rreshta të shkëoputur nga shkrimi me titull “Dritëro Agolli, i përjetshmi i letërsisë”, botuar po në gazetën Fjala:
Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk bie me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. Dhe titujt e çmimet për të nuk kanë munguar. Gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe, në lëvrimin e vargjeve poetike dhe në të shkruarin e prozës gjithashtu.
Dritëroi ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë.
Pas viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, - tanimë me një peshë të dyfishtë për atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, - hija e tij e rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke tymosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.
Me flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.
Sot në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria e tij është shumë më e gjerë se kaq.
Ai vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte, por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të pamjaftueshme.
Vite më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën, reportazhin dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe skenarin e filmit. Më i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar
 
Ndikimi
Ndikimi i Vath Koreshit dhe Dritero Agollit në jetën letrare shqiptare është i jashtëzakonshëm dhe i pandashëm nga zhvillimi i letërsisë moderne shqipe. Secili prej tyre ka pasur një ndikim të thellë, duke formësuar botëkuptimin e lexuesve dhe duke kontribuar në pasurimin e shprehjes letrare dhe të tematikës letrare. Të dy shkrimtarët kanë lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të ndikojë dhe të frymëzojë letërsinë dhe lexuesit shqiptarë.


Friday, January 31, 2025

Gustav Klimt dhe “Puthja” e tij, simboli i dashurisë universale

 


Nga Leonard Veizi
 
E famshme në të gjithë botën “Puthja” është një pikturë e shprehjes së fuqishme të dashurisë, intimitetit dhe lidhjes ndërmjet dy qenieve njerëzore. Arketipi i butësisë dhe pasionit. Erotike në magjepsjen e saj. Por ajo është dhe një nga veprat më ikonike të piktorit austriak Gustav Klimt...
 
...Gustav Klimt, një nga artistët më të shquar të shekullit XX dhe figurë kyçe e lëvizjes së “Vienna Secession”, krijoi "The Kiss" - mes viteve 1907-1908, - apo siç njihet ndryshe në gjuhën gjermane “Der Kuss”, si një kryevepër që sintetizon fuqinë e dashurisë dhe ndërlidhjen shpirtërore midis dy qenieve. Piktura shquhet si një nga veprat më ikonike të artit modern dhe simbolizon kulmin e periudhës së tij të "artit të artë". Ajo ruhet në Muzeun “Belvedere” të Vjenës.
Klimt jetoi dhe punoi në kryeqendrën austriake në një kohë kur qyteti ishte dhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe intelektuale. Periudha e “Art Nouveau”, e njohur në Gjermani si "Jugendstil", ishte në kulmin e saj, dhe Klimt ishte një nga figurat kryesore të kësaj lëvizjeje. "The Kiss" – një tablo me përmasa 180 me 180 centimetra, - u krijua në një kohë kur Klimt po eksperimentonte me stilistikën e tij të veçantë, duke kombinuar elemente të artit bizantin, simbolizmit dhe dekorativizmit.
Piktura përshkruan një çift të përqafuar, të mbështjellë në një mantel të stolisur me ar dhe motive dekorative. Në informacionet e botuara më herët mendohet se Klimt dhe shoqëruesja e tij Emilie Flozh kanë modeluar për veprën, ndërsa të tjerë kanë spekuluar se ishte kompozitorja austriake Alma Maler. Të tjerë sugjerojnë se femra ishte modelja e njohur si 'Red Hilda'. Por nuk ka asnjë provë për t’i vërtetuar të gjitha këto.
 
Teknika
"The Kiss" është një pikturë që përdor një kombinim të teknikave tradicionale dhe inovative. Klimt përdor një paletë të pasur me ngjyra të arta dhe argjendi, duke krijuar një atmosferë të shkëlqyer dhe të magjepsëse. Pjesa më e madhe e pikturës është e mbuluar me modele të ndërlikuara dhe motive gjeometrike, të cilat janë karakteristike për stilin e Klimt.
Figurat në pikturë janë të përfshira në një përqafim të ngushtë, me trupin e tyre të mbuluar nga një mantel i dekoruar me motive të ndryshme. Motivet e përdorura në mantel janë të frymëzuara nga arti bizantin dhe arti i lashtë egjiptian, duke shtuar një dimension simbolik në vepër.
Format janë të thjeshta, por të ndërlikuara për nga simbolika. Koka e gruas është e kthyer me delikatesë drejt burrit, me sytë gjysmë të mbyllur, duke pasqyruar dorëzimin emocional dhe intimitetin. Ndërsa burri, duke u përkulur drejt saj, sugjeron adhurim dhe pasion. Sfondi i artë e nxjerr çiftin jashtë kohës dhe hapësirës, duke i vendosur ata në një realitet universal të dashurisë.
 
Simbolika
Në "The Kiss," Klimt eksploron jo vetëm aspektin fizik të dashurisë, por edhe atë shpirtëror dhe kozmik. Motivet e përdorura – si rrethet, spiralet dhe format florale – përfaqësojnë lidhjen midis natyrës dhe njerëzimit, si dhe përjetësinë e ndjenjës njerëzore të dashurisë.
Figura e gruas simbolizon bukurinë natyrore dhe frymëzimin krijues, një temë që Klimt shpesh e trajtoi në veprat e tij. Nga ana tjetër, figura mashkullore mund të interpretohet si simbol i energjisë racionale dhe fuqisë mbrojtëse. Së bashku, ato formojnë një njësi të pandashme, një arketip të unitetit ndërnjerëzor.
Kritika e kohës shkruan se: Klimt përdor arin si medium kryesor, duke i dhënë veprës një cilësi të shenjtëruar, pothuajse hyjnore, e cila kujton mozaikët bizantinë. Figura e burrit është e veshur me modele gjeometrike të forta, ndërsa gruaja me motive lulesh dhe forma rrethore, duke krijuar një kontrast që thekson dallimin dhe harmoniën midis gjinive.
 
Konteksti
E krijuar gjatë periudhës së Art Nouveau dhe kulmit të periudhës së tij të artë, piktura përfaqëson një lloj rezistence ndaj normave të artit tradicional akademik. Në një Vjenë që po përjetonte transformime të mëdha kulturore dhe shoqërore, "The Kiss" përfaqësonte një estetikë të re që vendoste ndjenjën dhe bukurinë përpara racionalizmit dhe formalizmit.
Veç kësaj, piktura pasqyron marrëdhënien komplekse të Klimt me gratë. Ai e idealizonte gruan si burim frymëzimi, duke e portretizuar shpesh me një sensualitet të guximshëm, por edhe me një ndjeshmëri të thellë. "The Kiss" është një kulm i kësaj filozofie, duke mishëruar idenë se dashuria dhe bukuria janë forca transcendentale.
 
Interpretimet
"The Kiss" është një vepër e pasur me simbole dhe metafora. Ajo ka tejkaluar kufijtë e kohës dhe vendit, duke u bërë një simbol universal i dashurisë dhe intimitetit.
Përqafimi i dy figurave mund të interpretohet si një shprehje e dashurisë dhe intimitetit, por edhe si një simbol i lidhjes ndërmjet dy qenieve njerëzore. Manteli i dekoruar me motive të ndryshme mund të shihet si një simbol i kompleksitetit të marrëdhënieve njerëzore dhe të ndërlikimeve të dashurisë.
Një tjetër interpretim i mundshëm është se "The Kiss" përfaqëson një lidhje midis artit dhe jetës. Klimt ishte i interesuar në eksplorimin e lidhjeve ndërmjet artit dhe realitetit, dhe kjo vepër mund të shihet si një manifestim i këtij interesimi.
Ngrohtësia e pikturës, e kombinuar me ndërlikimet e saj simbolike, fton shikuesin të reflektojë mbi përvojat e veta emocionale dhe të gjejë një ndjeshmëri universale brenda saj.
Kjo kryevepër nuk është thjesht një pikturë; është një shprehje e ndjenjave më themelore të qenies njerëzore – dëshira për dashuri, për lidhje dhe për përjetësi. Në këtë mënyrë, Klimt krijoi një vepër që rezonon në mënyrë të përjetshme me çdo epokë dhe kulturë.
 
Ndikimi  
Kritika e ka konsideruar "Puthjen" jo thjesht si një pikturë, por një eksperiencë që na fton të depërtojmë në thellësitë e emocioneve dhe të lidhjeve njerëzore, duke na kujtuar fuqinë dhe bukurinë e artit.
Tabloja në fjalë ka pasur një ndikim të madh në artin modern dhe bashkëkohor. Stili i Klimt ka frymëzuar shumë artistë të rinj. Piktura është bërë një simbol i dashurisë dhe romancës, dhe është përdorur në shumë kontekste të ndryshme, nga libra dhe revista deri te filmat dhe reklamat.
 
Fundi
Gustav Klimt vdiq më 6 shkurt 1918 pas një goditjeje cerebrale dhe pneumoni të shkaktuar nga gripi spanjoll. Piktura të shumta prej tij mbetën të papërfunduara. I cilësuar si “mjeshtri i stolive” dhe “piktori i grave joshëse” ai u varros në një varr nderi në Varrezat “Hietzing” në Vienë. Ndërkohë, më parë se kaq,  Gustav Klimt u lind në 14 korrik të vitit 1862. Dhe jetoi 56 vite.