Friday, December 16, 2022

Prozatorët dalin skarco, ordinatorët ngjeshen te Lidhja e Shkrimtarëve


Nga 
Leonard Veizi
 
A ia vlen të shkruhet më letërsia artistike si në kohën kur shkrimtarët nën dritën e qiririt përdornin pendën e palloit dhe bojë të bëhej nga bloza e tretur në ujë kanali?
Po çfarë thua o babam, i ke mend e kokës apo të kanë rrjedhur fare?
Se shkrimtarët kanë maninë që kërkojnë të shikojnë ëndrra me sy hapur, dhe kur nuk është e nevojshme. E veç kësaj u duket se po kullojnë djersën për të mirën e popullit, që demek duke shtrydhur trutë t’u japë atyre racionin e ushqimit shpirtëror, që merrte gjithmonë pas dreke, si ke ngrënë tasqebap me uthull molle dhe hudhra safi, apo makarona me fasule dhe një qepë bahçeje për shoqërim. E pasi ke mbushur barkun duhet të mbushësh dhe kokën.
U pika që s’të bie... mu në kokë!
Nejse. Që kohët kanë ndryshuar kjo nuk diskutohet më. Se në vend të qiririt kemi poçin elektrik e në vend të pendës së palloit, kemi një laptop me bateri. Kursejmë dhe bojën me këtë rast. Dhe mund të shkruajmë letërsi sa të duam e ta ngopim popullin me përralla. Se shkrimtarëve çfarë s’u thotë mendja.
Por sa për vete, vendosa të heq dorë nga letërsia, që nga çasti kur mora vesh se u arrit edhe një hap i madh në fushën e inovacionit: inteligjenca artificiale na paska nisur të shkruajë romane. Se punët e tjera i ka vaftisur me kohë. Në faqet italiane të internetit gëlonin lajmet se ishte shkruar romani i parë, ku një ordinatori të ftohtë e pa jetë i kishte ardhur në ndihmë dhe një shkrimtar prej vërteti. Dhe tak-fak romani. Jo si ca shkrimtarë që duan nga pesë vjet për të qullosur ca faqe.
Megjithatë, meqenëse i përkas një gjenerate që kemi besuar vetëm tek inteligjenca e qenies njerëzore mbi tokë, - ku shkrimtarët ishin prej mishi e gjaku, - nuk do marr më mundimin të lexoj ndonjë roman të ri, por vetëm do të shfletoj ata të vjetrit, për të cilët kam bindjen e patundur se janë prodhuar nga inteligjenca natyrale e mendjeve brilante, si fjala vjen: Shekspiri, Dante, Hygoi, Dostojevski, Balzaku, Gëte,...
Sa për njohuri të atyre që ende nuk janë futur në brazdë e s'po kuptojnë gjë: Shkrimtaria artificiale ka të bëjë me një nga versionet komerciale të GPT-3, gjenerata e fundit e OpenAI, projekti i financuar nga Elon Musk dhe i zhvilluar nga Microsoft. Është një algoritëm që përdor të mësuarit e thellë për të prodhuar tekste të ngjashme me ato të shkruara nga një qenie njerëzore.
Kështu, përvoja mbërriti te shkrimtarit Italian, Roko Tanika, që në bashkëpunim të ngushtë me një mjet robotik i quajtur Out0mat-B13 nxori në dritë vëllimin me titull: "Ne nuk kemi qenë kurrë në Tokë".
Por si funksionon punëtoria e një shkrimtari të ndihmuar nga Inteligjenca Artificiale?
Nëpërmjet shkrimeve botuar andej-këtej në shtypin italian informohem se shkrimtari përdori faqen ShortlyAI, sepse sipas tij "u përgjigj më mirë në italisht". Por tanimë ka dhjetëra shërbime të shkrimit automatik në dispozicion. Në rastin e ShortlyAI mund të zgjedhësh midis dy mënyrave kryesore, "artikull" ose "histori", pastaj thjesht shkruani një titull dhe një përmbledhje të shkurtër të temës. Duke klikuar në butonin "shkruaj për mua" shkrimtari merr një tekst në madhësinë e dëshiruar: të shkurtër, të mesëm ose të gjatë. Nëse kërkoni një stil të veçantë, thjesht "ushqeni" sistemin me një pjesë shembullore, deri në 3500 karaktere. Shkrimtari Roko Tanika është shprehur se ai e ushqeu sistemin me një roman të Italo Kalvinos dhe me një tjetër nga Dino Bucati. Ndërkohë shtoi dhe tekste nga Çarls Dikens, për të marrë një stil retrospektiv, si dhe ka provuar të fusë në lojë dhe hajkun japonez. Miks fare.
Shkurt: jepi ushqim vëlla se kjo punë qenka bërë si lopa. Fut foragjere: tërshërë e tërfil e nxirr qumësht. Fut koçanin e misrit e nxirr pakon e djathit. Fut... lëre mos e nga më mirë.
Përkthyer në kushtet e Shqipërisë, kushdo që i teket të shkruajë një libër, - qoftë ky dhe hajvan për nga natyra, - mund të mbushë platformën digjitale me ca Kadare, pak Agoll, ndonjë gramë Kongol dhe vargje nga Fishta... Mundet që kjo të mos të të bëjë shkrimtar, se me këtë formulë dukesh më shumë si shef kuzhine në fakt: një filxhan oriz, 100 gramë gjalpë, ndonjë erëzë, e... “lluku-lluku, e lluku-lluku, bëhet mjalti”.
Ta lumsha moj teknologji...
Tanimë tekstet e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, ndër të tjera, janë të garantuara si 100% origjinale: pasi janë në gjendje të kalojnë kontrollet e plagjiaturës.
Ja ku u bë dhe kjo punë!
Dhe kur shkruan një roman, inteligjenca artificiale se ka për gjë fare të shkruajë një artikull gazete, mjaft që platformën në fjalë ta furnizosh me emrat e anëtarëve të qeverisë dhe tenderat e zhvilluara, se del vet në përfundim në ka korrupsion, apo qeveria ka punuar me pastërti si shërbëtor i popullit dhe ne i biem kot në qafë.
Kështu që edhe si gazetar do mbetem pa punë.
Jallah...
Përballë këtyre sfidave, njerëzimi do të duhet të bëhet edhe më inteligjent, përndryshe do të mbetet në klasë. Sepse ka të ngjarë që një ditë klasikët e letërsisë do të ndahen midis atyre të shkruar vetëm nga njerëzit dhe atyre të shkruara në bashkëpunim, nga njeriu dhe softueri, ose ndoshta vetëm nga një ordinator. Në këtë kuadër mund të jetë e nevojshme një revolucionarizim i ri: përditësimi i rregullave për Çmimet, si për Nobelin në Letërsi ashtu dhe Pulitzer në Gazetari. Se një kompjuter inteligjent, patjetër që kërkon dhe një çmim për punën e tij krijuese.
Ndërsa shkrimtarët e vërtetë, ata prej mishi dhe gjaku, do të dalin të gjithë në pension. Në mos do shihen me syrin e dështakut. Kurse në “Lidhjen e Shkrimtarëve” do të vërshojnë kërkesat e letrarëve të rinj. Sepse edhe ata do të kenë emra. Nuk është vetëm Out0mat-B13 në lojë.
Ky do jetë trendi i ri, këtej e tutje.
Tek e fundit, përse duhet vrarë aq shumë mendja: - për të gjetur një motiv, për të thurur një intrigë e për të pasur një sintaksë të rregullt, për përshtatje sinonimesh, për të gërmuar në fjalor për të gjetur fjalë të vjetra e të papërdorura, për ca sens poetik brenda prozës, - kur një kompjuter e bënte këtë punë shumë më mirë, shumë më lehtë, fare pa kosto e në një kohë rekord.
Deri para do kohësh kisha lexuar në vazhdimësi se inteligjenca artificiale do të ndihmonte njeriun në punët e shtëpisë, pra do të ishte si punë skllavi. Ca më tej ai u intensifikua dhe e rriti pjacën: nisi të bëjë rolin e kirurgut. Dhe kur bën kirurgun, farmacistin e bën me sy mbyllur. Deri këtu nuk më është dukur se ka gjë të keqe. Përkundrazi. Sepse bën vaki që një tru elektronik të të japë indikacione më të sakta se dora njerëzore në një ndërhyrje kirurgjikale. Por a mund të jetë një kompjuter më i aftë se njeriu për të prodhuar fraza letrare? Për të pasur një ndjeshmëri shpirtërore aq sa t’i japë jetë një fabule?
Bota mund të mos vuajë më për materiale letrare, sepse me siguri do të ketë me bollëk, pjesë për t’u vënë në skenë, humor, drama e skenarë filmash. Ose ndoshta shkrimtarë jo fort të afirmuar, tanimë do të kërkojnë ndihmën e një ordinatori, ku ky i fundit të shkruajë, dhe tjetri, - frymor me inteligjencë të ulët, - të vendosi emrin sipër dhe të presë t’i shitet vepra e të bëjë para me të.
Por çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Sepse kjo mënyrë do të rregullojë përfundimisht egon e shkrimtarëve. Tani nuk do të ketë më shkrimtarë të shquar dhe mediokër, vepra të zakonshme dhe kryevepra. Sepse të gjithë do të jenë në lartësinë e duhur.

Friday, December 9, 2022

Në kushtet e keqësimit të klimës, shqiptarët i largohen “besës”


Nga Leonard Veizi
 
Ku është shqiptari në kushtet e reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë? A po njehsohet ai me të keqen, apo është vënë përballë saj?
Vite më parë shkrimtari Ismail Kadare u mundua të japë një përgjigje në faqet e fundit të romanit: “Kush e solli Doruntinën”. Edhe pse romani në tërësinë e tij, - si zhanër a gjini, - ka të bëjë me një fiksion, ai është mbështetur fort mbi një legjendë thellësisht shqiptare, e cila ka qarkulluar dhe me modele të përafërta në treva të ndryshme të Ballkanit. Pavarësisht se ngjarjet e romanit janë vendosur një kohë të largët e në tjetër kontekst, edhe atëherë flitej për një përkeqësim të klimës së përgjithshme, apo siç thotë autori: një kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme. Sepse klima e përgjithshme, e rajonit, e kontinentit, por dhe e vetë botës, jo vetëm rrezikohet herë pas here në mënyrë ciklike, por ka raste kur brenda një kohe të shkurtër përkeqësohet më shumë se një herë, pa i lënë të ketë frymëmarrjen e duhur.
Kadare shkruan se pikërisht Kapiteni Stres, “shefi i komisariatit të policisë” së kontesë, i cili kishte ndërmarrë hetimin mbi udhëtimin e çuditshëm të Doruntinës së gjallë, motër e shtatë vëllezërve, me një kalorës së vdekur, apo... me një kalorës fantazmë e që nuk ekzistonte - për të cilin pretendohej se ishte vëllai i saj që i kishte dhënë fjalën se do ta sillte me patjetër nga kështjella e largët e bashkëshortit ku ishte martuar në shtëpinë vëllazërore, -  doli pikërisht në këtë përfundim që e bëri publik në prani të parisë dhe klerikëve:
Çdo popull, përballë rrezikut, mpreh mjetet mbrojtëse dhe, kryesorja, krijon mjete të reja. Duhet të jesh dritëshkurtër që të mos kuptosh se Arbri ndodhet përpara dramave të mëdha. Herët a vonë ato do të mbërrijnë në kufijtë e tij, në mos kanë mbërritur. Atëherë del pyetja: në këto kushte të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë, në këtë kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme, ç'fytyrë do të ketë njeriu i Arbrit? Do të njehsohet ai me të keqen, apo do t'i vihet përballë asaj? Me një fjalë do të shfytyrohet për t'iu përshtatur maskave të kohës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet, apo do të ruajë fytyrën e pandryshueshme, duke rrezikuar të tërheqë mbi vete zemërimin e kohës? Për Arbrin po afrohet çasti i provës, i zgjedhjes midis dy fytyrave. Dhe, në qoftë se populli i Arbrit ka filluar të përpunojë në thellësitë e tij struktura të tilla sublime, siç është Besa, kjo tregon se Arbri është duke e bërë zgjedhjen e vet. Këtë mesazh u ngrit për t’ia sjellë Arbrit dhe gjithë botës, nga fundi i gropës ku qe shtrirë, Kostandini.  Por ky mesazh nuk është i lehtë për t’u pranuar. Ai do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi. Më i rëndë se kryqi i Krishtit do të jetë ai”.
Kadare e dha një ide. Një ide që sipas të shkruarit të tij fiksional, ka pasur të bëjë me institucionalizimin e Besës, pikërisht në periudhën para se ushtritë osmane të Azisë së Vogël të hidheshin mbi Ballkan për të bërë të pamundurën më pas të ndryshonin shtyllën kurrizore të një populli. Dhe ndoshta ia arritën në një përqindje të madhe ta deformonin atë, por qartësisht nuk e ndryshuan dot tërësisht. Sepse shqiptarët e sotëm, edhe pse me tipare të njëjta, janë ndryshe nga arbrit e gjashtëqind, shtatëqind apo tetëqind viteve më parë.
Sot, shqiptarët ndodhen sërish përballë kushteve të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë. Çfarë po institucionalizojnë ata këtë herë? Sepse deri tani ajo që është e dukshme, më shumë se sa Besa, që do ta mbante të bashkuar kombin, është largimi. Ikja nga kjo tokë. Shpopullimi i saj. Dhe largimi nëpër vende të tjera, nuk e mban më të bashkuar njësinë arbërore. Ata nisin ta humbin traditën. Do ta humbin pak nga pak në hapësirë dhe në kohë. Dhe gjashtëqind, shtatëqind, apo tetëqind vite më pas, vështirë të jenë më shqiptarë, po ashtu siç arritën të mbeteshin arbëreshët e Kalabrisë.
Çfarë po bën ai në këto kushte në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet? Po njehsohet me të keqen, apo është vënë përballë asaj? Sepse koha po tregon se më shumë se njehsimi me të keqen apo përballja me të, është mënjanimi prej saj.
Mirëpo Kostandini, - që u ngrit prej fundit të gropës për t’i dhënë botës mesazhin për fytyrën e re të Arbrit, - e kreu misionin, dhe nuk mund të ketë një ngritje të dytë të tij. Dhe s’ka më rëndësi, u ngrit apo s'u ngrit i vdekuri nga varri, për ta kryer vetë atë që duhej të kryente, s'ka rëndësi cili qe kalorësi dhe ç'kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis, ç'krahë mbanin frerin, ç'këmbë shkelnin yzengjitë dhe mbi flokët e kujt binte pluhuri i udhës. Sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën tashmë.
Ndërkohë na duhet një Konstandin i ri. Për të dhënë mesazhe të reja
Po ku është ai?
Shqiptarët duket se kanë rënë në apati. U mungon frymëzimi për ngritje kauzash dhe mbrojtje të tyre. Mund t’ia hedhim fajet perandorisë osmane dhe trysnisë së saj 500-vjeçare. Por mund të fajësojmë dhe regjimin komunist që në emër të njeriut të ri, vazhdoi procesin për të krijuar një hibrid pa identitet.
Dhe tanimë shqiptarët gjenden në një tjetër udhëkryq.
Megjithatë sot nuk është e dukshme që shqiptarët të jenë ballë për ballë me të keqen, ta mbajnë të mbërthyer atë që të mos ketë mundësi të bëjë hapa para. Shqiptarët thjesht po largohen, pa e vrarë shumë mendjen se e keqja do mbulojë atë ç’ka lënë pas.

Friday, December 2, 2022

110 vite shtet... na ishte një herë ushtria!


Nga 
Leonard Veizi
 
Tanimë datën e themelimit të Forcave të Armatosura, e përkujtojmë si për të thënë: Na ishte një herë ushtria! Banda luan marshe ushtarake nëpër qytet, por në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ndihen kërcitja e këpucëve të rënda mbi pllaka, të ushtarëve veshur me kamuflazh, as gumëzhima e zinxhirëve të tankeve dhe as motorët e IFA-ve dy-diferencialëshe që tërhiqnin pas vetes topat e kalibrit të rëndë 120 milimetra. Dhe për më tepër, mbi qiellin e Tiranës nuk përshëndesin me fluturimin e tyre skuadriljet e avionëve MIG-19, që ishin pjesë e arsenalit të Forcave Ajrore.
Sepse parada nuk organizohen më, prej vitesh.
Në këtë 110 vjetor të shtetit shqiptar, 4 dhjetori i vitit 1912 na kujton se menjëherë pas shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë prej Portës së Lartë, detyra kryesore ishte mbrojtja e asaj që sapo ishte fituar. Dhe fitorja mbrohej me armë. Ndaj vetëm gjashtë ditë pasi Ismail Qemali kishte marrë detyrën e Kryeministrit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe u shpall formimi i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Çetat dhe luftëtarë vullnetarë të zonave përreth, që kishin mbërritur në Vlorë për të mbrojtur Flamurin, u bënë dhe bërthama e ushtrisë së sapoformuar.
Por mbrojtja nuk merrte më vlerë nga vullnetarët me gjysmë opinge, ndaj duhej mobilizuar një forcë që të ishte e aftë të përdorte armatimin dhe të vepronte në terren sipas praktikave të artit ushtarak. Në këtë sipërmarrje shqiptarët i ndihmuan edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh holandezë.
Por zhvillimi i dy Luftërave Ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të ushtrisë shqiptare.
Megjithatë, edhe në vitet 1914-1920  Forcat e Armatosura u munduan të organizoheshin sërish.
Në funddhjetorin e vitit 1924 nën drejtimin e Ahmet Zogut si kryeministër, Ushtria nisi të marrë pamje dhe përmbajtje më të plotë, duke u kompletuar dhe me bazë ligjore. Kjo situatë do të vazhdonte deri në vitin 1939. Për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej një përqindje e lartë e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, përballë pushtimit fashist, forcat ushtarake shqiptare rezultuan një dështim i vërtetë. Kufiri Shqiptar sërish u mbrojt nga vullnetarët. Ushtarakëve madhorë u rrofshin gradat që varnin mbi supe, sepse nuk përfillën as betimin se do të binin për atdhe kur ta lypte nevoja.
Ushtria Popullore nën drejtimin e Enver Hoxhës mban si datë krijimi 10 korrikun e vitit 1943. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kulmin e fuqisë së saj, kjo ushtri kishte një potencial prej 60 mijë ushtarë të gatshëm, dhe 16.500 oficerësh komandues. Ndërsa në rast alarmi arrinte të rekrutonte në 72 orë deri në 800 mijë njerëz nën armë. Por dhe kjo ushtri, e cila pas vitit 1992 iu nënshtrua ristrukturimit, u shkatërrua në fillim të vitit 1997. Nga e gjithë kasaphana, shpëtoi vetëm Divizioni i Kukësit, i cili një vit më vonë do të përballej në kufi me ushtrinë serbe.
Prandaj duhet ushtria! Jo për t’u kapardisur bulevardit me grada dhe dekorata të pamerituara.
Pavarësisht se në kushtet e reja të globalizmit duket sikur ushtarakisht, askujt nuk i bie në mendje për Shqipërinë, sërish mbajtja e një trupe të aftë për t'u përballur me një armik potencial, është domosdoshmëri. Se ne në të shumtën e rasteve mendojmë: Na mbron NATO. Ose zhvlerësojmë: he mo se nuk na sulmon njeri. Mbase edhe Ukraina kështu mendonte deri para sulmit rus, por sot me njësitë e saj ushtarake po arrin të mbrojë territorin.
Rezymeja e shkurtër e ushtrisë shqiptare, në 110 vitet e jetës së shtetit, ishte sa për fillim. Se vetë ecuria e saj tregon qartë se më së shumti jemi shquar për reforma dekonstruksioni. Dhe ushtria ka qenë e para që i është nënshtruar shkatërrimit.
U ndërtua nga Ismail Qemali. U prish. U ndërtua nga Ahmet Zogu. U prish. U ndërtua nga Enver Hoxha. U prish.
Tani kemi një ushtri simbolike. Një ushtri që sa herë i jepen detyra, aq herë del zbuluar se nuk ka as mjetet më minimale, qoftë dhe për emergjenca civile. Një ushtri pa avionë, pa tanke, pa raketa, madje dhe pa topa e mitralozë, por vetëm me armë të lehta, disa motovedeta që patrullojnë bregdetin si dhe rreth 20 helikopterë që nuk janë të aftë as për patrullime dhe as për luftë, por që përdoren më së shumti për ngarkesa gjithfarësh.
Se për luftë frontale as që bëhet fjalë.
Sepse jo vetëm nuk kemi armatim të rëndë dhe të prodhuar afër në kohë, - gjë që e bën ushtrinë një njësi moderne, - por nuk kemi as këmbësori mjaftueshëm.
Ah po... nuk duhet të qahemi dhe aq shumë. Sepse ushtria e dikurshme na ka lënë një arsenal të vërtetë, të cilat kanë qenë në vazhdimësi mollë sherri. Sepse me këtë arsenal janë bërë shumë para.
Me pronat e ushtrisë janë bërë e bëhen dallavere pafund. Pra ushtria në Shqipëri vlen për diçka. Duke e çmontuar nxjerr goxha përfitime. Sepse po të nxjerrësh nga qarkullimi çdo lloj arme, do përfitosh prej metalit të saj. Qoftë dhe nga kondakët që mund t’i përdorësh për dru zjarri. Përfiton dhe nga baruti i municionit. Përfiton nga pajisjet elektronike të radiolokatorëve. Përfiton nga shkrirja e spitaleve fushorë, ku nuk mbetën as shtretërit, as medikamentet dhe as pajisjet kirurgjikale.
Në vitet e diktaturës, për shkak të një organizimi masiv, Shqipëria kishte në organikë 800 batalione. Ishin vërtet shumë. Njësi të tmerrshme për një luftë frontale. Se me to formoheshin 127 brigada dhe 34 regjimente. Këmbësorisë i bashkoheshin dhe rreth 1200 tanke dhe mjete të blinduara, rreth 240 avionë dhe helikopterë si dhe të paktën 100 anije të formateve të ndryshme që ishin në përbërje të Flotës Detare. Kjo e bënte Ushtrinë Shqiptare që të merrte një llokmë të madhe nga buxheti i shtetit. E meqenëse deri në vitin 1978 ndihmat nga Kina ishin të jashtëzakonshme në fushën e mbrojtjes, ndërprerja e tyre bëri që e gjithë barra të binte mbi kurrizin e shtetit shqiptar. Kostoja për të mbajtur në gatishmëri një teknikë të madhe në numër dhe që po vjetrohej me shpejtësi, bëri që ekonomia shqiptare të shkonte drejt falimentimit.
Padyshim, ushtria ka kosto të lartë. Nuk është e lehtë ta mbash.
Sot jemi në ditët e festimeve të 110 viteve të shtetit shqiptar. Në zyrat e ushtarakëve madhorë ka ajër të kondicionuar dhe frigoriferë ku mbahen pije energjike. Por mungojnë shtretërit me batanije leshi dhe pajimet e gatishmërisë si helmeta dhe kundragazi. Ushtarakët janë trashur tashmë e nuk bëjnë as stërvitje terreni dhe as qitje me pistoleta. Por mund të mburren se kanë mësuar anglisht dhe se merren vesh mirë me koordinatorët e NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes ka një territor të pabesueshëm, nga ana institucionale dhe zyra kuadrosh pa fund. Por ushtri fizike ka shumë më pak në organikë.
Jemi në ditët e festimeve të 110 vjetorit të shtetit shqiptar dhe të ushtrisë së tij, sigurisht.

Monday, November 28, 2022

Shqipëria, shqiptarët dhe 110 vitet e Pavarësisë


Nga 
Leonard Veizi
 
Jemi mësuar që Shqipërinë tonë të dashur, - që herë i themi Mëmëdhe e herë Atdhe, - më shumë ta shajmë se sa ta lëvdojmë. Sepse në majë të gjuhës e kemi shprehjen aq shumë të përdorur në vitet e tranzicionit: nuk bëhet ky vend.
Po pse nuk bëhej? Ç'faj ka vendi? Ç'faj ka toka tek e fundit? Kur e mblodhëm na dha prodhim. Kur ngritëm digat, ujët e lumit na dha energji. Kur gërmuam, nxorëm krom e bakër sa deshëm. Çfarë ka këtu për të thënë: Nuk bëhet ky vend?
Padyshim, janë njerëzit ata që e bëjnë vendin. Dhe njerëzit kanë bërë të lulëzojnë vendet nordike, - Norvegjinë fjala vjen, - që kur del diell bëhet festë kombëtare, jo më Shqipërinë me 300 ditë të ngrohta e të ndriçuara mirë, me ujë pa kursim e plot pasuri të tjera që nuk ia vlen t’i themi në këtë shkrim të shkurtër.
Ne shqiptarët e vegjël instinktivisht kemi ecur në të kundërt të shprehjes së shqiptares së madhe Nënë Tereza e cila thoshte aq butësisht: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”!
Epo... për justifikim mos thoni që është rritur çmimi i qiririt të paktën.
Por ne sot, - ambicien e kemi aq të madhe sa duam të jemi në kuota të njëjta me Holandën e Danimarkën, - nuk duam të kuptojmë që në fund të fundit, në 110 vite shtet kemi bërë hapa të mëdhenj përpara edhe pse në renditje sërish jemi në fund të Evropës. Sepse kur u formua shteti shqiptar dolëm nga Porta e Lartë në mënyrën më të zezë të mundshme, aq sa mezi e gjetëm një flamur, për të cilin ka nja tre versione, dhe arritëm ta ngremë nga ballkoni i katit të dytë të sarajeve të Vlorajve. Por ngaqë nuk kishim arkiva e humbëm jo vetëm flamurin por dhe letrën origjinale të deklaratës së Pavarësisë. Sot e kemi një institucion arkivor, madje të disiplinuar mirë i cili ka arritur të dokumentojë për aq sa ka mundur jetën ekonomiko-politike dhe kulturore të vendit. Dhe ky është një hap përpara.
110 vjet më parë baballarët e kombit shqiptar shkruanin turqisht, se shqipja ishte e ndaluar të shkruhej, dhe 96 përqind e popullsisë ishin krejt analfabetë.
Sot 110 vite më pas debati bëhet për nivelin e masterit apo për një gradë shkencore. Kemi dhe Universitete plot, kemi pasur dhe Institute Shkencore që përbënin Akademinë e Shkencave, edhe pse sot ka mbetur vetëm Akademia se institutet janë paralizuar prej vitesh. Ja që kemi bërë dhe dy hapa të tjerë përpara, pavarësisht se një e kemi pas. Se ka edhe dështime në këtë jetë.
Të sapodalë nga kthetrat e perandorisë osmane, asokohe popullsia vishej me çitjane alla turka, burrat mbanin në kokë feste të zinj e gratë ferexhe. Sot mund të dalësh dhe toples në mes të Tiranës e s’të thotë njeri plaç. Dhe në këtë pikë kemi bërë nja tre hapa përpara.
Asokohe dinim veç të mbathnim kuajt me patkonj e të zienim raki me kazan, sepse kjo ishte gjithë-gjithë industria jonë. Por vite më pas u shtuam me aq shumë hekura në industrinë e rëndë dhe atë përpunuese saqë një pjesë i çuam për skrap ngaqë nuk po ia dilnim t’i përdornim. Edhe këtu kemi bërë hapa para e hapa mbrapa. Por sa pa gjë...
Pavarësia e gjeti Shqipërinë vetëm me 160 kilometra rrugë për qerre. Pra mjeti i vetëm që lidhte fshatrat dhe qytetet, padyshim ishte mushka dhe gomari, se nuk flitej për automjete, ndërkohë që në qytetet evropiane transporti përfshinte tramet në qytete dhe trenat për udhëtime interurbane. Por pas 110 vitesh, rrjeti rrugor shqiptar përfshin rreth 18.600 kilometra. Pra e kemi shumë më të lehtë për t’u lidhur me çdo cep të vendit, edhe pse hekurudhën, ashtu si shumë gjëra të tjera, e nxorëm nga qarkullimi si të tepërt.
Territorin që na la Konferenca e Ambasadorëve në Londër e administruam si Principatë, e bëmë Republikë, e kthyem në Monarki, kaluam në Socializëm e tani në Demokraci Parlamentare. Fillimisht nuk kishim asnjë nen kushtetues për funksionimin e këtij shteti, por sot Kuvendi ynë prodhon nene, akte ligjore e nënligjore sa të furnizojmë Evropën, se 2.8 milionë njerëz që kemi mbetur në këtë territor, nga 5 milionë që duhet të ishim me bazë statistikore, drejtohen edhe me shumë më pak ligje. Këtu kemi bërë nja dhjetë hapa përpara dhe jemi në krye të klasifikimit. Pra në fund të tunelit ka dritë, sepse në disa aspekte të jetës ne si shqiptarë kemi treguar veti të shkëlqyera.
Para 110 vjetësh shqiptarët nuk arrinin të mbushnin barkun me bukë misri, por në vitet ’70 të shekullit të kaluar u dha sihariqi që e gjithë buka u prodhua në vend. Sot, përsëri nuk prodhojmë dot grurë aq sa na nevojitet, por buka nuk na mungon më.
A është ky evolim? Pra nuk jemi më aq të prapambetur sa themi gjithë mllef nëpër tavolina kafenesh. Mund ta shohim pak më me optimizëm jetën në këtë vend. Sepse ne duam që të bëhemi njësh me Suedinë e Belgjikën, sa më shpejt e me pak punë. Dhe në njëfarë mënyre ia kemi arritur. Se të vijnë suedezët e të shohin sa Volvo kanë shqiptarët do vënë duart në kokë, se aq nuk kanë as vetë ata që e prodhojnë. Se sa për gjermanët ata e kanë marrë vesh me kohë që në Shqipëri, mbreti i makinave është një, Mercedez Benz.
Përse duhet ta shajmë Shqipërinë, e ta bëjmë copa këtë vend, sikur nuk është e aftë as të mbijë bari, kur është po kjo tokë që ka mbajtur paraardhësit tanë në mijëra vjet?!
Se ikin vërtet shqiptarët për një jetë më të mirë. Ca e ca thonë se nuk do ta kthejnë kurrë më kokën pas. Kaq me pathos e kanë largimin. Por kalon ca kohë e malli i bren. Ulin kokën dhe e kthejnë pas. Pastaj vijnë po këtu, në këtë tokë të shkretë ku nuk mbin asgjë, dhe ndërtojnë vila, blejnë apartamente buzë njërit prej deteve që lag tokën tonë, për të kaluar ca vite të denja nën shoqërinë e diellit që e kemi pa kufi.
Jetohet dhe në Shqipëri, po qe se vendos t’i investosh energjitë e tua në këtë vend me qëllimin për ta bërë diçka më të mirë.
Jetohet dhe në Shqipëri, sidomos tani që kanë kaluar 110 vite nga dita e Pavarësisë.

Wednesday, November 23, 2022

Tyryfyçkat e blogeve, që duan të ndikojnë me shitje brekësh e çorapesh


Nga 
Leonard Veizi
 
Që në botë ka pasur burra me mend që kanë ndikuar në historinë e saj, kjo është një gjë që dihet. Edhe nëse nuk dihet, mësohet që në ciklin e ulët në 9-vjeçares. Ka ndikuar Platoni e Aristoteli, Cezari e Mark Antoni, Karli i Madh dhe Papa Piu, Frojdi dhe Fromi…. e s’po vazhdoj më. Por që tani fuqinë e kanë marrë damat, kjo është një gjë për t’u shkoqitur mirë, se nuk dalin llogaritë.
Kur “dikush”, në një bisedë televizive tha se me profesion ishte “influencër” u habita, sepse nuk e njihja këtë terminologji të re e të pastudiuar. E meqenëse m’u duk një fjalë kozmike as që iu afrova bibliotekës apo Fjalorit Enciklopedik për shpjegim, sepse isha i sigurt që nuk ta kishin në refene. Por meqenëse kohët e fundit kam filluar të zë mend, u sula në gugëll, si mbi varkën e shpëtimit, i bindur që vetëm atje mund të merrja një përgjigje të saktë. Dhe parashikimi im, – po aq sa i Nostroadamusit, – doli i vërtetë. Nga kërkimet më rezultoi që “influencërat” na qenkan influencues, ose thënë trashë e trashë në shqip: ndikues.
-Bir Selman i nënës ç’të të qaj më parë…
Fillimisht kisha menduar mos ishte punë ushtrie. Se ndoshta “influencër” ishte ndonjë gradë, a forcë e armatosur dhe të bënte namin si Putini me bombat bërthamore.
Ja një çështje të koklavitur e zgjidha qetësisht e pa u munduar shumë. Kjo sa për fillim meqenëse kishte të bënte me shpjegimin e emrit. Por më mbetej për zgjidhje e dyta, që pa dyshim ishte dhe më e vështira, për të cilën, as gugëlli fort i zgjuar nuk më jepte dot shpjegim.
Në çfarë fushe influenconte kjo influencërja?
-Ti Shaqo bën ca pyetje që të prish gjakun, të prish…
Epo këtu sharra mbeti në gozhdë. E mo, një rast është, – thashë me vete dhe i hoqa vizën gugëllit që po më mbante lidhur. Di dhia ç’është tagjia.
Mirëpo kjo puna e influencërve na u bë modë. Se nuk kaloi shumë dhe dëgjova sërish një tjetër çupërlinkë të vetëdeklarohej si “Influencër”.
Jaallahhhh…
-Jam nderuar dhe lavdëruar një jetë të tërë, ta mbyll tani në fund me një njollë. E përse? Sepse një tyryfyçkë atje tek ju ngul këmbë që ne paskemi planifikuar me rezerva, – i thosh Baki Branica drejtorit të drejtorisë që e kish dhe kandidat për dhëndër.
Ore, për kë tyryfyçkë e ke fjalën? Se si shumë u bënë.
-Hajd shnet pra…
Fillova të vras mendjen; demek kjo tyryfyçka me anë të një faqeje në media sociale pretendon se thotë gjëra që drejton shijet tona të të pëlqyerit, na vë në mendime, dhe na bën t’i japim të drejtë: “Po, po, ashtu është, siç thua ti”. Dhe në fund vjen dhe qershia mbi tortë. Të mundohemi të kopjojmë stilin e saj…
Epo këtu i vajti fundi muhabetit.
-O pika që s’të bie në kokë ty, shpirtit tënd, Onjeginit tënd,… dhe influencërit tënd.
Më kapi inati.
Njihem me faqet e tyre influencuese. Më doli që tek njëra postoheshin pallto leshi dhe golfa deveje, ndërsa tjetra reklamonte sandale igeliti dhe atlete skarco.
-O ty të marrsha të ligat…
Aha thashë me vete, po qe se shqiptarët mbetën në dorë të influencimit të tyre…
Mirëpo e kisha gabim. Sepse një pasdite, në një bar-kafe, dëgjoja një idiot që u mburrej dy vajzave të cilat e shoqëronin në tavolinë, se kishte dhënë jo pak para tek nja dy “influencere” me qëllim që ato t’i reklamonin në blogët e tyre asortimentet e biznesit të tij, se demek ato kishin “folloursa” pa fund. “Hajde gamor hajde”. Tani, për edukatë, tjetrin kur nuk e njeh e ke ca të zorshme që t’ia thuash të vërtetën në sy, por të paktën me vete e mbusha gojën duke thënë: Sa gomar qenke mor gomar.
-Si i ke punët or mik? – shkruante tek një komedi kohë e kohë më parë Shekspiri, një ndikues prej vërteti. Dhe përgjigja ishte kjo:
 -Mirë me armiqtë dhe keq me miqtë. Sepse miqtë e mi më lavdërojnë që jam gomar. Ndërsa armiqtë ma thonë troç që jam gomar. Kështu që armiqtë më ndihmojnë që të njoh vetveten.
Tek e fundit ky është biznesi që bëhet sot. Por që të mos i ngatërrojmë punët. Zotësia për të bërë para, nuk ka të bëjë me ndikimin. E keqja ndodhet tjetër kund.  Kur kërkon t’i japësh vlerën e floririt një copë teneqeje?!
Aftësia për të shitur brekë e çorape përmes internetit, nuk ka asgjë të keqe. Por që të të gënjejë mendja aq shumë sa të mendosh se po influencon me budallallëqet e tua në jetët tona është e tepërt.
Dhe pastaj rri e më kujtohen burra që kanë bërë epokë me mendimin e tyre: Platoni e Ciceroni, Kanti e Kamyja, Balzaku e Dostojevski… e nuk po vazhdoj më se nuk ia vlen.

Shqiptarët, kur çështjet globale i shtrojnë për zgjidhje duke pirë raki


Nga 
Leonard Veizi
 
-Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri, - i thoshte dhespoti i kazasë, kaçakut Kajo, që një Zot e di nga i ishte futur në dhomën e gjumit brenda kishës në mesin e natës dhe kërcënonte hirësinë e tij, duke aluduar për kokat e njëri-tjetrit në lakmi të një plumbi të vetëm. Po kjo është një sekuencë e shkëputur nga filmi “Mësonjëtorja” me skenar të Natasha Lakos e regji të Muharrem Fejzos. Dhe e gjithë batuta e interpretuar nga aktori Ardian Cerga më erdhi ndër mend teksa në klubin e lagjes, aty ku pihet kafe por dhe ndonjë gotë rakie, bëhen dhe bisedat e rënda të politikës së madhe. Pikërisht aty marr vesh të rejat se çfarë ndodh në Kuvendin e Shqipërisë por dhe në korridoret e Kryeministrisë, më shumë se sa në mbledhjet e redaksisë së gazetës ku raportohen të gjitha lajmet e ditës.
Se është në traditën tonë si shqiptarë që rakinë e pijmë duke hedhur zarat e politikës e diplomacisë, dhe jo vetëm vendase, por dhe ato që shqetësojnë botën.
-E di unë, i ka thon Amerika atij që të iki me lezet. Shife kur të japi dorëheqjen këto ditë. E ka pre latën...
Heu bre. Si nuk e kishte kap asnjë nga gazetarët tanë këtë lajm thagmë? O po e marrin rrogën kot qafirët. Faj ka dhe kryeredaktori që nuk u shtrëngon rripat. U kalon lajmi m’u te hunda dhe s’e marrin vesh fare.
-Po mor po, në atë krah fli ti. Ai ka hik që me sabah për në Bruksel me mor udhëzimet e reja. Edhe në pushtet ka me ndenjt sa Enver Hoxha.
Dy teket e para të rakisë kishin mbaruar dhe klientët e muhabeteve të rënda po prisnin me padurim t’u vinte gota e dytë.
-Do ta lshoj se s’bo se ka hy ene gjermani në lojë, bashkë me atë... Makronin e Francës.
Të keqen vëllai, thashë me vete. Duhen pushuar të gjithë gazetarët nga puna. Nuk kishte si bëheshin më të paaftë. Lajmet sheshit ata raportojnë: jo komisioni i ekonomisë, jo buxheti i shtetit, jo po xhi-di-pija... Mjafton këta të dy dhe bëhet gazeta blind. Të kapi dhe shitje rekord. Se nuk del kollaj lajmi që amerikoni i paska thon kryeministrit me dhon dorëheqje se kështu dashkan ene gjermoni ene francezi. Po taljoni??? Apo se pyt njeri atë?!
Rakia vazhdon, muhabeti shtrëngohet tek protestat e shkuara dhe ato të ardhmet që do tronditin shtetin. Se nuk ka mundësi që të pish raki e të mos futesh në të thella.
-Sot kam gëzim, bëni qejf e mos u merrni me të thella. Raki e mish ka sa të doni, - u thosh Safa Ymeri njerëzve që kish ftuar në dasmën e të birit, të cilët harruan dollitë e po merreshin me punët e luftës
-Ashtu, ashtu po njeriu nuk do vetëm bukë. Apo jo? – ia ktheu Aliu, që interpretohet nga Vangjel Heba, të cilit i pëlqente ta ngiste llafin kur vinte puna për çështjet madhore.
-Nuk thashë, por politika ngatërron dynjanë zoti Ali.
-A, na s’bëjmë politikë. Dëgjove njeri ti këtu?
-Ashtu. Urtë e butë e plot tiganin, - do t’i vinte kapakun Safa Ymeri, i luajtur nga Kadri Roshi e që është një prej personazheve të filmit “Malet me blerim mbuluar” me skenar e regji të Dhimitër Anagnostit.
Ja kështu kanë qenë shqiptarët, si atëherë dhe tani. Nuk duan vetëm mish e raki, por dhe ca politikë, që t'u shkojë në vend.
Dhe ky është një muhabet i përditshëm. Lojtarët ndërrohen herë pas here, ose tavolinat më të nxehta kanë dhe më shumë se dy lojtarë. Dhe kur kalon dopio e dytë biseda nxehet vërtet. Aty merr vesh se si Bajdeni ka rroitur nga mendt e kokës, se Putini që i ka vënë gishtin në këmbëzën e bombave bërthamore, nuk është i vërteti por sozia e tij. Se baba sulltani i Turqisë po pret vitin 2023 që të shpërthejë e të vendosi kufijtë e vjetër të perandorisë... e të tjera, e të tjera.
-Po me Kim Jungun ç’u bë?
-Iu sos ujët e gamiljes.
Ou... edhe ky e paska fiksuar batutën e aktorit Teodor Rupi, në rolin e mytesarifit tek “Mësonjtorja”. Dhe unë i varfri kujtoja se ai dinte vetëm të ndante pazaret e mëdha në tavolinën e rakisë.
Ja këta i dinë të gjitha, çfarë thuhet në kancelarinë gjermane dhe në Presidencën amerikane. Dhe meqenëse nuk po e ndanin dot punën e pushtetit se helbete, njëri ishte me Ramën dhe tjetri me Berishën, në lojë kërkuan të më fusnin dhe mua si të paanshëm, por si gazetar që isha duhet patjetër të kisha një informacion të klasit të parë.
Pyetjet erdhën rrufeshëm tek në tavolinën time derisa kafeja më mbeti në fyt. Nuk doja t’i zhgënjeja njerëzit që po mbanin shpresën tek unë dhe meqë nuk u jepja dot përgjigje ia pata: - A t’u jap nga një teke nga ana ime?
-Po mër jahu, kush ta prish ty!
Sado që u mundova t’i shmangesha debatit për çështjen e ngritjes së çmimeve, bordit të karburanteve dhe protestave të opozitës, sërish pyetjet e tyre më mbanin pezull. Çfarë t’u thosha mor aman...
-Leni mo llafet, na thuj ktu kush i fito zgjedhjet lokale. Kush do ta mor Tironën këtë herë?
Tobestrakfrullah. Çfarë më gjeti!
-Po unë jam gazetar që merrem me histori të vjetra dhe me problemet e kulturës, si fjala vjen panairi i librit. S’para ia thek nga politika dhe as nga gjeopolitika.
-Demek na e futë ëëëë. Nuk i hamë ne ato. Po thoj që nuk do me nxjerr sekretet.
-Zgjedhjet i fito ky i gjati, - ia mbyta unë me seriozitet dhe me mendimin që pas kësaj vëmendja do të largohej nga unë.
-Ç’ia fut kot! Ky do japi dorëheqje këto ditë. E di si buka që ha. I ka thon amerikoni...
Mirëpo isha fort i acaruar që kafeja të cilën po e pija me aq qejf më kishte shkuar pas kurrizit aq sa e ndërpreva pa shumë takt:
-Po mirë mo, kur e di si buka që ha e që i paska thon amerikoni, për çfarë më pyet mua?
Mendova se ndoshta me kaq debati do të fashitej. Por jo, ai u ndez më keq. Dhe kjo është panorama në çdo bar e qebaptore, kur në tavolinë shtrohen për raki dy shqiptarë e sipër.
-Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri, - m’u kujtua shprehja e interpretuar nga aktori Petrika Riza tek filmi “Mësonjëtorja”, - ndaj është më mirë të pish ndonjë gotë raki.

Tuesday, November 22, 2022

Në Elbasanin e Ditës së Verës, më ballakume, aheng e xhiro tek kalaja


Nga Leonard Veizi
 
Nëse do të festosh Ditën e Verës këtë mund ta bësh vetëm në Elbasan. Sepse vetëm në këtë trevë janë ruajtur me fanatizëm të gjitha terbjetet e një feste, që cilësohet pagane, e që krahina të ndryshme të Shqipërisë festohet në ditë të ndryshme. Por asnjëra prej tyre nuk krahasohet me 14 marsin e Elbasanit. Dhe hijeshia e festës mbulon krejt qytetin, por dhe zonën përreth, të cilin Sami Frashëri e cilëson si “kërthiza e Shqipërisë”...
 
...Për Tiranën, që i përket bashkësisë së rretheve të Shqipërisë së Mesme, 14 marsi është një festë demokracie. Sepse vite më parë, 14 marsi as që konsiderohej si ditë feste, pararësisht se njihej për procedurë. Dhe një tirons që donte të festonte, merrte turravrap rrugën e Kërrabës për të mbërritur në Elbasan.
 
Festa
Gjithsesi, në Elbasan, Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarjeje. Dhe në historinë e Elbasanit nuk mbahej mend që kjo ditë të mos ishte festuar sipas të gjitha terbjeteve, përveç 14 marsit të vitit 2020, e cila nga një datë me rreth të kuq është kthyer me rreth të zi. Sepse në këtë 14 mars, u shfaq Covidi, dhe vendin e popullit që shëtiste në bulevard e zuri ushtria e forcat speciale të policisë, që trembnin njerëzinë të mos dilnin kuturu nga shtëpitë se shpërndanin virusin agresiv.
14 marsi i vitit 2022 ishte krejt ndryshe. Vërtet rusi ia ka nisur luftës, por Ukraina është larg gjithsesi. Ndërsa shqiptarët tanimë janë të lirë e pa orë policore. Po ashtu dhe elbasanasit iu rikthyen traditës së vjetër, e ta presin Ditën e bekuar të Verës sipas zakonit.
 
Gostia
Mëngjesi i Ditës së Verës edhe këtë herë gdhiu si ditë vere. Elbasanasit ishin sajdisur enkas për këtë festë, dhe një pjesë e atyre që bënin xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, kishin dalë me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Në Elbasan festa fillon që mbrëmjen e 13 marsit. Me një darkë festive në shtëpi. Se terminologjinë vendase kjo është një “gosti”. Shtrohet tryeza më se e plotë. Nuk mungojnë aty gjeli i detit, qulli me ara, tava me pestil, tava e kosit, palat e fikut, për të vazhduar tek vera e rakia me bollëk. Natyrisht, në përmbyllje të të gjitha të ngrënave nuk mungojnë ballakumja e revania, të cilat amvisat i kanë gatuar që më parë. Dhe po të ngrihesh nga tavolina pas një darke a dreke të tillë, me siguri do të kesh shtuar 5 kile njëherazi e tensioni do të ketë shkuar,... sa për spital.
Shkurt: mund të të bjerë damllaja.
 
Sekreti
Për ditë vere tanimë është bërë zakon që ballakume gjen në çdo markatë e dyqan lagjeje. Por po t’i krahasosh ato me atë që prodhojnë elbasanasit e vjetër, do të të duken si biskota 5-lekëshe, nga ato që prodhonte kombinati.
-Eh, sa do zanati!
Sepse ballakumet e Elbasanit mund t’i prodhojnë vetëm elbasanllinjtë. Dhe kjo punë, përveç elegancës, ka disa sekrete.
Të jemi të qartë: sekretet nuk janë nga ato të kyçurat në arkiva e katakombe. Ato janë të hapura për çdo amvisë.
"Sekreti" i vërtetë është tek përbërësit, tek koha e punimit dhe tek enët, tek të cilat kryhet i gjithë procesi.
Dhe ka nga ato që ta japin formulën, duke e ditur mirë që sado të përpiqesh, përsëri nuk do të mund të bësh një ballakume, fjala vlen në Laçin e veriut apo në Patosin e jugut, të njëjtë me atë të Elbasanit.
Fillimisht merren enë bakri. Dhe flitet për enë të cilat janë të ruajtura në familje brez pas brezi. Pastaj do të merret miell misri i situr ose siç quhet ndryshe maja e miellit të misrit. Sheqeri duhet pluhur, dhe nëse ai është pak më i ashpër, gratë e punojnë fort me një nga enët e bakrit, për ta bërë sa më të imët. Preferohet gjalpi i freskët lope, i cili në fillim tretet në zjarr, - cilësia e tij ndihet nga aroma karakteristike që mbush ambientin, - dhe rrihet me sheqerin për të paktën nja dy orë të mira.
Shumë nga praktikantët heqin dorë se nuk ia dalin dot me këtë praktikë gjimnastikore. Por elbasanasit ia kanë marrë dorën.
Meqenëse procesi është i gjatë e i lodhshëm, ena e madhe e bakrit kalon dorë pas dore te gratë e shtëpisë, të cilat e rrahin për nga 20 minuta secila. Vezët, të verdhat e të bardhat bashkë hidhen një e nga një në enën e bakrit, duke u përzierë me sheqerin pluhur e gjalpin e tretur më parë. Mbi to, së fundi, hidhet maja e miellit të misrit. Nuk rrihet me forcë, por trazohet derisa lidhet dhe bëhet homogjene, gjithmonë në enën e bakrit. Me një lugë të madhe druri, përbërësi ndahet në forma topi dhe piqen me zjarr të ngadaltë.
-Hej shyqyr që ia dolëm!
Ky është i gjithë procesi i bërjes së ballakumes. Duket i thjeshtë në sqarimin me shkrim, por fakti është që askush nuk e arrin dot magjinë e një elbasanaseje të vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim. Edhe revanija, si ëmbëlsira tjetër e barasvlefshme e Ditës së Verës, pak a shumë ka të njëjtën praktikë pune. Por në këtë gatim special përdoret edhe finja, që del nga hiri i drurit të djegur mirë që hidhet në ujë e më pas kullohet. Ajo që percepiton nga kjo formulë përdoret për ëmbëlsirën e revanisë.
 
Rituali 
Festa ka zakonet e vjetra, një pjesë e të cilave janë trashëguar brez pas brezi, dhe ca të tjera janë produkt i epokës moderne që po jetojmë.
Që ta festosh Ditën e Verës duket pak a shumë të ndjekësh këtë itinerar: Në mëngjes çohesh pa zbardhur dita. Dhe vishesh me rroba të reja. Hapet dera e rrugës për të hyrë e mira e për të dalë së andejmi e keqja.
Pas kësaj vihen për t’u zjerë vezë fshati për të gjithë personat e familjes. Me ujin e tyre shpëlahet fytyra. Është ky një veprim që bëhet për të uruar fat, mirësi e shëndet, i cili duhet të jetë i bardhë si lëvozhga e vezës.
Ky është prologu i ritualit.
Pastaj këputet një fije që vendoset tek guri i zallit pranë derës, e që nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë.
Itinerari vazhdon me vendosjen e veroreve në kyçin e njërës dorë. Veroret janë fije pambuku dyngjyrëshe, e kuqe dhe e bardhë, që do të thotë dashuri dhe paqe. Ndërsa fëmijët e vegjël bëjnë ‘kam” ose këmbë, tek të afërmit e tyre në shenjë mbarësie. Sepse ata konsiderohen si engjëj. Dhe është më e vlerësuar nëse këtë hap të parë e bën një fëmijë i gjinisë mashkullore. Për këtë veprim mbarësie fëmijëve u dhurohen pako me ëmbëlsirat tradicionale.
Pastaj nis xhiroja në bulevardin kryesor të qytetit, i cili mban emrin “Qemal Stafa” një segment i së cilit kalon përbri mureve të kalasë mesjetare të  qytetit dhe që është vendi më atraktiv në pjesë urbane, pasi aty pranë janë gjetur dhe gjurmë të një qytetërimi të vjetër mbi 2000-vjeçar, pjesë e qytetit të vjetër, i cili quhej Skampa.
Në orën 10 tradicionalisht mbahen karnavalet, me numra të ndryshëm argëtues.
Por hapet dhe një një panair me produkte artizanale, që vitet e fundit është kthyer në një trend. Dhe pasi je lodhur duke bërë disa kilometra xhiro, ke pirë kafe dhe ndonjë gotë rakie, je i uritur për të nisur drekën. Dreka në këtë eveniment është një veprimtari e cila bëhet në shtëpi vetëm në rast të një kohe me shi. Sepse riti thotë së ajo duhet konsumuar me familjarët, për të ndarë sa më shumë gëzim mes njëri-tjetrit, në një ambient të hapur.
Para viteve ’90 të shekullit të kaluar, askush nuk drekonte në shtëpi por festohej në Parkun Rinia dhe në kodrat e Krastës.
Sot kanë ndryshuar kohët, paguan lekët dhe prenoton një lokal, ku ke në dispozicion këngëtar live, apo një dixhej, e ku këndohet kënga “Më mirë në pyll se në qytet”.
 
Epilogu
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, pranvera nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 mars, është baraznata e pranverës dhe që quhet: ekuinoksi i pranverës.
Terma shkencorë.
Pikërisht në 21, data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
U kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi. Por meqë thuhet se është pagane, duhet të jetë të paktën 2000-vjeçare.
Por, kjo festa e 14 marsit e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Në shkurtin e vitit 2021 edhe Elbasani u mbulua nga dëbora.
Duhet me ba kujdes mer bab e me i hap sytë katër, se atë që nuk ta bën Covidi ta bëjnë “plakat”.
 

Friday, November 18, 2022

Në ishull Lezhë, Shëngjin e Patok, aty ku Zoti ka hedhur mrekulli pa kursim

Shënime udhëtimi
 

Nga Leonard Veizi
 
Për shansin tonë të mirë, Shqipëria ka një vijë bregdetare të mrekullueshme. 316 kilometra, jo pak. Pa futur këtu që 73 kilometra të tjera janë vijë liqenore. Dhe sërish për shansin tonë, deri para 20 vjetësh ka qenë e pashfrytëzuar. Që do të thotë e virgjër. Vitet e fundit vende-vende është hedhur ca si shumë beton, por mundësitë janë ende shumë të mëdha kur sheh se kilometra të tëra vazhdojnë të jenë të paprekura. Ndaj dhe në 316 kilometra të kesh disa laguna në gjendje të lirë, me bimësi, zogj e kafshë gjithfarësh, e bën atë pjesë të bregdetit edhe më interesant.
 
...Nëse të duhet të zgjedhësh një vend turistik e me mundësi të shumta, sepse do të kalosh fundjavën larg zhurmave mbytëse, nuk është vështirë për ta gjetur. Në hartë, zona më e afërt me kryeqytetit është qarku i Lezhës. Duke parë topografinë dhe relievin, mundësitë e mëdha që të ofron, mendova që udhëtimi i radhës të ishte ky territor. Dhe kështu mora rrugën...
 
Drejt ishull Lezhës
Qarku i Lezhës ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Dhe me google maps apo me një hartë dore, mund të orientohesh për t’u njohur me disa pika të jashtëzakonshme të bukurive natyrore. Ato kanë të bëjnë përgjithësisht me dy lagunat e famshme, ajo e Patokut dhe e parkut natyror Kune-Vain-Tale.
Nga lashtësia, historia thotë se zona njihet që gjatë luftës mes Pompeut dhe Cezarit në vitin 48 para Krishtit pasi në këtë bregdet zbriti flota e Mark Antonit. Por kjo është sa për fillim. Sepse historia nuk ka fund.
Vija blu në google maps të tregon se janë 65 kilometra nga Tirana në Hotelin e Gjuetisë. Sepse Hoteli në fjalë ka një emër shumë të famshëm, të paktën 75-vjeçar. Ambientet e tij favorizojnë më së shumti eventet masive, sidomos dasmat si dhe angazhimin për sete fotosh për këdo që do të ketë kujtime në natyrë.
 
Pak histori
Përndryshe ajo njihet dhe si Vila e Konti Çiano, ose si Hoteli i Gjuetisë, një kompleks turistik, i projektuar nga italianët dhe i ndërtuar në vitet ‘38-‘39 të shekullit të kaluar, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Galeaco Çianos. Ajo ka historinë saj dhe vlera arkitekturore që i ruan ende edhe sot. Konti ishte ministër i Jashtëm i Italisë, ndër hierarkët më të besuar të Benito Musolinit, ndoshta dhe për faktin se ishte dhëndër i tij. Ai ishte i ngarkuar të mbulonte dhe Shqipërinë. Ishull Lezha ishte vendi më i preferuar i tij.
Në korrikun e vitit 1940 territori lagunor në perëndim të fshatit Ishull-Lezhë deri në Detin Adriatik u shpall rezervat gjuetie. Pas çlirimit të vendit, Vila e Konti Çiano u emërtua Hoteli i Gjuetisë. E kaluara dhe tradita, vazhdon të ruhet në pjesën funksionale të rezidencës. Vendasit thonë se Hoteli i Gjuetisë është një ndërtesë historike shumë e bukur, gjithmonë e vlefshme për t’u vizituar.
Sot laguna së bashku me disa territore, nën emërtimin “Kune-Vain-Tale”, sipas VKM nr. 432, dt. 28.04.2010, ka statusin e kategorisë IV: Rezervat Natyror i Menaxhuar/ Park Natyror.
Në dokumentet historike turko-veneciane të shek. XV përmendet shpesh Ishulli i Lezhës. Pasi qyteti i Lezhës u pushtua nga turqit me 1478 dhe qyteti u dogj, banorët e tij u zhvendosen në një zonë, jo shumë larg në ishullin e formuar në grykëderdhjen e lumit të Drinit. Ishulli i Lezhës u bë një vendbanim kryesor për lezhjanet.
Informacionet historike bëjnë me dije se në vitet 1478-1501, për 23 vjet, Ishulli i Lezhës, ishte i vetmi vend në bregdetin e Shqipërisë së Veriut, që qëndroi i lirë, i pavarur dhe i vetëadministrueshëm.
 
Nocioni absurd
Quhet “Laguna e Vainit”, por ky emër nuk ka lidhje me terminologjinë tradicionale. Ajo ka një histori qesharake, por që tanimë çuditërisht ka marrë një qytetari të pakthyeshme. Në vitit 1947, në këtë zonë u instalua një repart ushtarak, i koduar si: VAIN. Katër gërmat janë inicialet e: Vrojtim Ajror, Informacion, Ndërlidhje. Ky emërtim, për shkak edhe të qëndrimit për gati 50 vjet të repartit ushtarak, fitoi të drejtë e një emërtimi zyrtar ngaqë u fut në përdorim masiv.
 
Fauna dhe flora
Deri tek Hoteli i Gjuetisë ka asfalt, dhe po punohet për restaurimin e rrugëve dhe trotuareve. Por më pas rruga është me çakull dhe më tej akoma një rrugë natyrale ku makinat që kalojnë për të vizituar lagunën kanë lënë vijëzimet e tyre. Atu ndesh pa vështirësi edhe një tufë delesh pa çoban, të cilat nuk i tremben as makinës...
Akoma më tej, natyra duket mrekulluese. Zogj pa fund që ulen e ngrihen mbi ligatinë. Gjithçka është mahnitëse. Mund të ulesh dhe të kundrosh fluturimin e shpendëve, ose të pozicionohesh për të bërë fotografi.
Aty në fushë të hapur ndodhet një kullë prej elementësh metalikë e cila lëviz sa majtas-djathtas dhe nuk është fort e përshtatshme për të soditur, pasi është dhe fort e vështirë që të përqendrohesh për të regjistruar me kamera, sepse mungon bazamenti dhe nuk ke as ku të mbahesh. Por tek e fundit kjo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.
Laguna ka qenë një zonë e veçantë apo rezervë gjuetie ndër më të pasurat në vend, me rosa të egra, fazanë, disa lloje kafshësh, dhe shumë lloje peshqish. Në materialet e sugjeruara enciklopedike thuhet se në Vain, ka vegjetuar fuqishëm flora dhe është rritur një faunë shumë e pasur. Veçohen grumbujt pyjorë me vidh, frashër, rrënjë, etj. Ndër kafshët veçohen vjedulla, dhelpra, lepuri, disa brejtës, lundërza, etj. Po ashtu, laguna ka qenë e rëndësishme për peshkim.
 
Në Shëngjin
Shëngjini përbën një nga resurset më të veçanta turistike detare, jo vetëm të Lezhës por edhe të Shqipërisë. Nga Hoteli i Gjuetisë për në Shëngjin do të duhen dhe 10.3 kilometra rrugë e cila në një rrugë përshkohet për të paktën 17 minuta. Relievi fushor, i rrethuar nga lumi Drin, laguna e Vainit, plazhi i Vainit dhe nga qyteti i Lezhës, e bëjnë një zonë të bukur dhe shumë interesante.
Vite më parë, në vitin 1924, Qeveria e Nolit qytetit të Shëngjinit i vuri emrin Qyteti Uillson në nder të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Uidrou Uillson. Emërtimi u mbajt deri në vitin 1945 kohë kur në pushtet erdhën komunistët.
Por vitet e fundit qyteti ka pësuar një evolucion të thellë, veçanërisht përmes zhvillimit të industrisë së ndërtimeve. Shëngjini është ai që nuk ka qenë.
Shëngjini ndodhet rreth 7 km në perëndim të Lezhës dhe ka një popullsi prej 4,000 banorë. Padyshim, në verën e nxehtë numri i banorëve që akomodohen për turizëm shumëfishohet. Por në vjeshtë e dimër shihet qartë se një shumicë dërmuese lokalesh, sidomos me emërtime që i përkasin zonës së Kosovës, janë të mbyllura e nuk shërbejnë.
Edhe pse ditë vjeshte. Në plazhin e Shëngjinit gjerësitë njerëzit e pasionuar pas plazhit marrin rreze dielli dhe lahen në det. Vendet që mund të eksplorosh në zonë janë të shumta. Udhëtimet me anije janë në dispozicion gjatë muajve të verës, duke marrë turistë për t’u prezantuar Ranën e Hedhun, Rrjodhin dhe Kepin e Rodonit. Bukuria e saj me malin pranë e bën Shëngjinin një vend interesant.
Qyteti dallohet për portin e tij dhe për plazhin e gjerë, por dhe për bazën ushtarako-detare që ka funksionuar gjatë periudhës së regjimit komunist.
 
Në lagunën e Patokut
Përndryshe njihet dhe si “Kompleksi Ligatinor i Patokut”. Nga plazhi i Shëngjinit për në lagunën e Patokut janë rreth 30 kilometra rrugë, e cila përshkohet për 36 minuta.
Padyshim që Laguna e Patokut është një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë. Kjo lagunë e vogël, e cila është mes dy lumenjve, Matit dhe Ishmit, qëndron disi fshehur nga autostrada Tiranë-Kurbin, por mjafton të zhvendosesh gjashtë kilometra, për të gjetur këtë mrekulli të jashtëzakonshme. Zona është një parajsë e veçuar nga rrëmuja urbane, ku më së shumti ndihen zhurma e flatrave të shpendëve.
Përgjatë vijës bregdetare 8-kilometërshe të Patokut, gjen qetësinë e pakrahasueshme, që prishet hera-herës nga zhurmat e motorëve të varkave, të cilat nisen për peshkim, dhe tufave të pulëbardhave, që më së shumti sillen rrotull qiellit.
Falë pozicionimit vetëm 57 km larg Tiranës, peizazhin e zbukurojnë akoma më tepër kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi lagunë, ku mund të shijohet gatimi tradicional i restoranteve. Ngjyrat e qiellit që reflektohen në lagunë e bëjnë këtë të fundit një pasqyrë të rrallë natyrore që dhuron emocione të shumta.
Mbi 358 specie bimësh të larta e deri në 179 lloje shpendësh popullojnë të gjithë zonën, duke e kthyer në një parajsë të vërtetë për të pasionuarit mbas biodiversitetit. Flora dhe fauna e Lagunës së Patokut tërheqin çdo vit me mijëra vizitorë.
Dhe kaq për një ditë fundjave, ku mund të argëtohesh jo duke u shtruar në një tavolinë restoranti e cila gati sa nuk thyhet nga pesha e pjatave, por më së shumti duke u afruar më pranë natyrës bio, të cilat tanimë e kemi kaq të kufizuar.


 


Thursday, November 17, 2022

Letërsia, ringu i sporteve të rënda ku ndeshen peshat e lehta


Nga Leonard Veizi
 
Tetori është muaji i letërsisë, nëntori muaji i panairit të librit. Hajde ç’vete hajde. Luks i madh për botën shqiptare të letrave. Dy muaj ku letërsia dhe letrarët ngrihen lart, në majën e Olimpit, e për të shkuar në zenith,... por me lugën bosh, si gjithmonë. Se kur ngjitesh shumë lart do mendosh dhe si do ulesh poshtë, me shkallë apo me ashensor. Por kur nuk i bën mirë llogaritë, ka gjasa t’i biesh shkurt e të hidhesh me kokë.
Portalet gumëzhijnë nga lajme gjithfarësh, ku çuditërisht në qendër është veç libri. Bota po vërtitet rreth librit. Aleluja. E si qershia përmbi tortë qëndron libri artistik.
Libri? Çne libri?
Sondazhet kanë nisur. Kush lexon më shumë. Kur përballemi me statistikat e shteteve të tjera evropiane dalim për faqe të zezë, por brenda llojit jemi mirë, mbahemi. Përderisa ka ende librari, dhe jo të gjitha janë kthyer në qoftore, prodhohen libra të rinj dhe ka edhe dy panaire, një në Tiranë e një në Prishtinë, kemi shpresa akoma.
Lajmet kanë mbërthyer tregun mediatik. Kopertina librash fluturojnë, dalin në çdo cep. Citate autorësh të mëdhenj i bllokojnë ekranet.
Kjo është njëra anë e fasadës. Tjetra nuk ka të bëjë më me lexuesit e thjeshtë që mundohen të lexojnë ndonjë faqe, dhe plot të tjerë e kanë si hobi të bëjnë një foto me një libër në dorë ku në sy të bjerë sa më shumë një kopertinë e ilustruar mirë: O një çift duke u puthur, o një femër nazelie duke ecur nëpër shi, o një burrë shpatullkërrusur duke u menduar aq thellësisht sa....
Megjithatë kjo punë nuk ka vetëm dy faqe, por gjashtë të tilla, po aq sa dhe “kubi i Rubikut”.
Hap rrjetet sociale. Nisin lajmërimet: autorë pa fund kanë hedhur në treg librat e tyre.
Mizëri librash.
Kësaj i them jetë kulturore unë o të keqen. Edhe në kohën e “xhaxhit”, kur punohej me normë e çdo rreth kishte degën e vetë të Lidhjes së Shkrimtarëve nuk prodhohej kaq shumë letërsi. Tani në demokraci, ku letërsia nuk mban dot as veten e vet, rivaliteti për prodhim, silazhim e ambalazhim, ka kapur majat.
Më rezulton që në faqen time të facebookut, më shumë më dalin shkrimtarë të rinj, ca të mesëm e më pak të vjetër, që në tërësinë e tyre janë shumë më tepër se ata që deklarojnë me gojën plot se vetëm konsumojnë letërsi.
Jo byrazer, ne jemi popull prodhimtar. Duam të çajmë tregjet. Do ta hamë Evropën me kulturë. Që të habiten e t’u vijë turp që nuk na pranuan në BE. Se ne vërtet jemi ca hollë nga xhepat, por kokën e kemi plot. Flet puna vetë: çdo shqiptar e ka bërë një libër në këtë jetë. Mjaft që di shkrim e këndim. Por thjesht, meqenëse nuk ka kujt t’ia shesë, është futur në modën e shkëmbimit reciprok.
-Po plakat i pranojnë atje me reciprok, mor djalë. Se dua ta ç’këmbej me një pelë të re?
Ja këtij i them pazar unë. Si pazari i Korçës një herë e një kohë:
-Më jep një roman të të jap dy libra me poezi.
-Ik or tutje, unë romanin tim e shkëmbej vetëm me filozofi.
Ja kështu është katandisur edhe libri në Shqipëri. Si Shabani që nuk ndahej nga Kanani.
-Vlash, të keqen nëna, mos i ngordh të gjitha, Çoja zotit Lam se ai i do të gjalla. Nuk kemi kokërr kripe në shtëpi.
Dhe ikte Vlashi të shkëmbente ngjalat e zënë në kënetë, herë me kripë, e herë me ndonjë grusht misër. Se pare s’kish gjëkundi...
-Pare...?! Po unë s’jam bankë mor djalë.
Dhe pas gjithë kësaj performance mbresëlënëse, nisin ftesat: Ju pres për autografe. Bukur shumë.  Dhe kësaj i thonë të në mbushet mendja si autor i madh aq sa fotografia jote bashkë me autografin duhet shitur, se bën para me to. Në fund fare gjithë ankth presin çmimet e Ministrisë së linjës, kur sapo të mbyllë siparin të fillojnë nga thumbat: Isha për çmim kombëtar, por ma futën ata të jurisë...
Ec mo...
Po letërsia në vetvete është një sport i peshave të rënda. Nuk është për skilipecë. Mirëpo ç’e do kur të gënjen mendja. Ke lindur prematurë, por vetja të duket si Xho Frejzer kur ndeshej me Kasus Klein.
Tetori dhe nëntori janë muajt e librit në Shqipëri. Luks i tepërt. Për më tepër në një vend ku letërsia nuk mban dot veten e vet e jo më të zotin. Mos dëgjoni se ç’thonë statistikat e zyrave. Se po të jetë për to, ne dalim vendi që shet më shumë libra në botë.
E megjithatë, gara mes shkrimtarësh është fort revanshiste.