Friday, February 24, 2023

Shqiptarët, ky popull emigrantësh që nuk gjen qetësi


Nga Leonard Veizi

Të paktën në 30 vitet e fundit Shqipëria nuk po njeh stabilizim dhe emigracioni vazhdon me ritme të larta. Kjo na ka bërë që herë pas here ta quajmë veten, – po aq sa na cilësojnë edhe të tjetër, – se jemi një popull në emigrim të vazhdueshëm. Po kaq të pastabilizuar kemi qenë edhe përpara vitit 1939 që përkon me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Aso kohe shqiptarët i ishin larguar vendeve orjentale që ishin pjesë e Perandorisë Otomane dhe kishin hedhur sytë drejt Perëndimit. Dhe veç vendeve evropiane, rendën të kapërcenin Atlantikun për të shkuar në Amerikë, madje të kalonin dhe Paqësorin për të shkuar në Australi. Në këtë kërkim ambicioz shqiptarët gjetën dhe Australinë e Zerlandën e Re ku formuan koloni të reja. Sa për vendin e tyre, atë e lanë prapa dhe e kujtonin në raste festash.
E vetmja periudhë që shqiptarët u cilësuan si të stabilizuar ishte në vitet e regjimit komunist, ku kufiri u mbyll dhe emigracioni nuk njihej si një veprimtari e ligjshme. Ajo u cilësua si plagë e së kaluarës dhe shqiptarët u mbajtën me dhunë brenda kufirit ku më të shumtën e rasteve u dhanë ose një kazmë ose një lopatë në dorë që ishin dhe mjetet të cilat simbolizonin ndërtimin e vendit, po aq sa dhe drapër çekani. Kalimi i kufirit quhej si arratisje dhe dënohej me të paktën 10 vite burg. Dhe veç kësaj për emigrantët e vjetër që kërkonin të vizitonin varret e të parëve, kishte viza të pakta, pas një skanimi alla shqiptarçe nga Sigurimi i Shtetit.
Pas vitit 1990, ku regjimi komunist kapitulloi, gjithçka ndryshoi. Shqiptarët të etur e të paparë, u turrën dyerve të ambasadave, pastaj hipën në anije dhe plot të tjerë morën malin në këmbë me qëllim që të shkonin në botën e lirë ku të siguronin dhe një jetë më të mirë për veten dhe familjen.
Tanimë jemi në vitit 2023. Plot 33 vite më pas. Dhe vazhdojmë quhemi në tranzicion. Mënyra e jetesës ka ndryshuar kryekëput. Por përsëri shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre, jo nëpër qytetet e vogla të ngritura nga komunizmi, as në qytetet e mëdha, ku ndërtimet e reja dominojnë, por tej kufirit.
A është kjo një sindromë?
Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin, si çdo vit edhe tani, ka bërë publike se kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian për vitin 2022 ishin më të lartat e tre viteve të fundit.
Kjo nuk hyn tek ëndrrat. As te fabrikimet. Sepse shifrat vijnë nga agjenci serioze ndërkombëtare. Pra shqiptarët nuk po gjejnë qetësi. Ata kërkojnë punë nëpër vende të huaja edhe pse e dinë mirë që nuk shihen me sy të mirë nga vendasi, madje mund të themi: me racizëm.
Pamjet filmike tregojnë se si shqiptarët, po aq sa dhe plot refugjatë me kombësi të tjera, u hipin gomoneve dhe lundrojnë nëpër ngushticën e La Manshit me qëllim që të kalojnë nga Franca në Angli.
Shumë vite më parë shqiptarë bënin po të njëjtën aventurë, me gomone, por për të kaluar një tjetër ngushticë atë të Otrantos që lidhte brigjet e Durrësit e të Vlorës me to të Barit dhe Brindizit.
Padyshim, lëvizja e lirë është një nga të drejtat themelore të njeriut. Dhe shqiptarët po mundohen ta gjejnë veten diku në ekonominë e tregut që kërkon forca pune të trajnuara. Por gjithmonë me synimin për në dhe të huaj.
Në vitin 1945, e sapo dalë nga lufta, Shqipëria kishte rreth 900 mijë banorë. Në vitin 1968 Shqipëria numëronte dy milion banorë dhe kjo u cilësua si një arritje. Ndërsa tetëmbëdhjetë vite më pas, e pikërisht në vitin 1986 arriti të kishte tre milionë banorë. Censusi i vitit 2011 tregoi se brenda kufijve të shtetit banonin diçka më shumë se 2,8 milion shqiptarë. E pra kishin kaluar 25 vjet nga viti 1986.
Rrudhja e popullsisë kishte nisur të dukej.
Tanimë, sipas raportit të INSTAT, në janarin e vitit 2022 në të njëjtin territor jetonin 2,7 milionë shqiptarë e ca bishta që plotësojnë shifrën zyrtare. Në fakt, rritja demografike e viteve 1945-1990, tregonte se sipas këtij ritmit, në vitin 2022 Shqipëria duhet të kishte brenda territorit shtetëror të paktën 5 milion banorë. Por në të vërtetë ka vetëm gjysmën e kësaj shifre.
Në fshatrat e qytetet e Shqipërisë, më së shumti sheh njerëz të moshës së tretë dhe shumë më pak njerëz si forcë prodhuese. Nëpër vitrinat e lokaleve gjithmonë do të gjesh lajmërime ku kërkohen punëtorë. Por njerëz të aftë për punë ka gjithmonë e më pak. Ata i ka thithur tregu i huaj, pra emigracioni.
Të gjitha këto tregojnë se ne vazhdojmë të jemi të pastabilizuar në shtëpinë tonë dhe shumë prej të rinjve të aftë për punë, kërkojnë të ndërrojnë banesë.
Pra me zemër të thyer na duhet të pranojmë se jemi një popull në emigrim, ashtu siç kemi qenë dhe shumë vite më parë.

Wednesday, February 22, 2023

Mimika Luca, e buta e roleve të forta

Nga 
Leonard Veizi
 
Ajo do të mbahet mend më së shumti si një aktore e roleve të buta. Dhe ndoshta më shumë se në kinema, ajo ka mbetur në kujtesën e spektatorit me një kryerol në teatër. Ishte motra Lajde e dajë Zenos dhe nëna e djalit Alber me gradë shkencore në fizikë:
-Milua, çupa e Jetës... Dëgjo Zeno, unë të kam vëlla, të kam shpirt, por tani jam me Alberin. Jam me djalin Zeno. Tani po vete në pazar por jam me djalin.
Në vitet e saj më të mira, ajo iu përkushtua thellësisht artit dramatik ku pati një sukses të padiskutueshëm. Dhe për kritikën njihej si një aktore shumëdimensionale në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Mimika Luca do të mbahet mend për rolet e buta e me karakter të fortë që i dhuroi ekranit të gjerë të kinemasë.
Ajo ishte nëna e Etlevës tek filmi “Treni niset më shtatë pa pesë”.
-Si pse qaj...? Po na turpërove, na nxive faqen. Na fute të gjallë në dhè. Mos më thuaj “jo” se jam gati të ulërij që të tundet dheu. Ik... ik të thashë.
Por ishte dhe nënë e Marigosë tek filmi “Përrallë nga e kaluara”.
-U pupupu... zbrit se na turpërove, zbrit se të shohin bota të preftë perëndia ditët. Ule zërin se u bënë theatro do qeshi bota me ne. Zbrit të keqen nëna, zbrit o xhan, zbrit o gëzimi i parë.
Por ishte dhe Shega, sanitarja e Pallatit të Kulturës tek filmi “Rrethimi i vogël” që s’i kishte punët mirë me drejtorin:
-Po për kokë të çupës në i thashë gjë. Po hë mo shoku kryetar të thashë gjë. Drejtori më ka marrë zët. Të tëra fajet mua mi ngarkon, e pse, se e kritikova para ekipit. Sot më mëngjes më thirri dhe më tha: Do të të pushoj se je e paaftë. Unë i thashë nuk më pushon dot. Ai më tha: Do të pushoj se je menklatura ime. Po unë tërë ditën me shkop e me leckë në dorë mbeta.
Një tjetër rol emblematik i saj është ai i Florës, nënës së Anës dhe Mirit dhe gruaja e shoferit Stefi Petro që ishte “i pikuari nga qielli” tek filmi “Në shtëpinë tonë”.
-Si jo moj, po të ka parë djali. E kur të ka parë djali merre me mend bota. Ç’janë ato pritje e përcjellje, ditën e natën. Po ti sikur na dhe fjalën. Sot u bëmë për të vrarë veten, kurse ti mendjen tek stërvitja. E dëgjon more Stefi; unë jam nevrike, unë nuk di se ç’them. E dëgjon si i përgjigjet bija nënës.
Ndërsa tek filmi “Nxënësit e klasës time”, Mimika Luca do të kishte rolin e drejtoreshës së një gjimnazi:
-Disa herë jemi ndeshur me këtë problem. Të gjithë jemi dëshmitarë të luftës dhe ndërhyrjes që bëjnë disa prindër për notën fiktive. Rritja e nivelit të shkollës duhet të jetë e pa shkëputur nga rritja e nivelit të mësuesit. Këtë duhet ta kuptojmë mirë të gjithë.
Dhe po si mësuese ajo do të kishte një rol edhe tek filmi “Shoku ynë Tili”:
-Drejtë ke menduar Besa, por Tili a e di se si ka thënë me vete: Ia hodha mësueses dhe këtë radhë pa u lagur. Ndërsa po ta njihje Tilin po ashtu si e njohim edhe ne do kishe vepruar në mënyrë të atillë që dhe fajin ta kuptonte por dhe të mos lëndohej.
Dhe me po aq butësi e seriozitet ajo do të interpretonte dhe rolin episodik të një edukatoreje tek filmi “Taulanti kërkon një motër”.
-Taulanti, çfarë emri do t’i vësh kukullave? Tani nuk ke por do kesh më vonë edhe motër edhe vëlla. Hë xhan vëri nga një emër kukullave.
Por në karrierën e saj nuk mund të mungonte dhe roli i një gruaje të fortë. Dhe ajo ishte Laja tek filmi “Kur hidheshin themelet”.
-Selim Myrtoja don me ngrit dorë kundër Kryetares së Këshillit. Lshoje, lshoje more po të them.
Dhe nuk po vazhdojmë më, sepse rolet e saj vazhdojnë edhe në filmat: “Botë e padukshme” “Zambakët e bardhë”, “Detyrë e posaçme” apo “Kryengritje në pallat”
Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Mimika Luca u lind në 24 dhjetor të vitit 1937 në Gjirokastër. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, të  paktën për një dekadë, mes viteve 1951 – 1962. Më vitin 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor. Ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet. Por ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Djali i tyre është Gjergj Luca, aktor e regjisor, por që prej shumë vitesh më së shumti njihet si njeri i biznesit. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, ku më e njohura është ajo me titullin “Drita”. Në vitin 1977 fillon punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.
Tanimë Mimika Luca nuk është më mes nesh si njeri me staturë fizike. Sepse u ngjit në panteon. Apo: “mori rrugën për në Parajsë”, siç shkroi djali i saj në lajmërimin e tij për nënën e ndjerë. Ekrani humbi kështu një tjetër ikonë të tij. Por në pelikulën e filmit, gjithsesi do ta shohim në vazhdimësi. Ishte mëngjesi i 21 shkurtit të vitit 2023, kur u nda nga jeta dhe ajo vetë i kishte mbushur 85 vite. Por nuk do të jetë vetëm në amshim. Sepse dhjetëra kolegë të saj kanë zënë vend tashmë në po të njëjtin panteon. Dhe ata janë yje që shndrisin në përjetësi.

Tuesday, February 21, 2023

Shqipëria, Republika e 1100 çudirave

Nga 
Leonard Veizi
 
Në vitin 1975 shkrimtari i njohur Bedri Dedja botoi një libër për fëmijë që fliste për Shqipërinë e asaj kohe si një vend avangardë për nga çudirat magjike, por që me sa dukej do t’i paraprinte dhe një Shqipërie tjetër, asaj që do të vinte në kohë, nja 35-40 vite më pas.
Tanimë, me plot gojën ne jemi një vend çudirash. Fiks si “Republika e 1100 çudirave”.
Ky është dhe titulli i librit që ka shkruar shkrimtari i madh për fëmijë e të rritur Bedri Dedja. Fantazia e këtij shkrimtari skrupuloz shkonte larg, shumë larg. Por mendja diabolike e shqiptarëve, në të vërtetë shkon edhe më larg. E kalon troposferën e del në stratosferë. Por Bedriu ka vite që nuk është më në këtë jetë, e nuk mund të hedhin në letër bëmat e reja të bashkatdhetarëve të tij në një vëllim të dytë të “Republika e 1100 çudirave”.
Por cila është bëma e radhës së shqiptarëve? Vetëmburrja me cilësinë e të qenit “Vëllai i Madh”. Por mos u gënjeni, se nuk është fjala për një spektakël komik. Tjetërkund fle lepuri. Dhe për ta arritur këtë kujt i është tekur ka montuar nga një kamera në mes të rrugës apo në majë të semaforit. Sepse cilësia e Vëllait të Madh ta jep këtë mundësi. Që ti të vëzhgosh gjithçka, ato që duhen se sjellin rrezikshmëri, por sidomos ato që nuk të hyjnë në punë fare.
U desh pak kohë për të kuptuar se kamerat që kishin mbirë kudo në shtylla elektriku e mbajtës semaforësh, nuk ishin të qeverisë, siç na ka gënjyer mendja. Se ne flinim të qetë nga ai krah, duke përsëritur në çdo rast atë sentencën aq domethënëse të popullit: “Qeveria e kap lepurin me qerre”. Që e kap e kap... po ku është qerrja?
Ndaj një ditë na u bë e ditur se nuk kemi qenë të survejuar nga shteti, por nga privati.
-Qe baba duart: unë s’kam gisht në këtë punë.
Po çfarë kuptimi ka fjala “privat”, në këtë rast?
Ne vëzhgohemi në rutinën e jetës tonë nga një mori kamerash të vendosura nëpër rrugë. Në çdo dyqan që hyjmë ka kamera. Dhe kjo në ditët e sotme është mëse normale. Nëse nuk do të kishte kamera do të ishte e kundërta. Por ndryshe është të survejosh ambientin tënd privat, apo ku ushtron biznesin, dhe ndryshe është në dalësh në rrugë e të vësh dylbitë. Sepse monitorimet në rrugë nuk mund të jetë pronë e çdo personi. Ato bëhen për një qëllim më të madh, e që ka të bëjë ose me parandalimin ose me zbulueshmërinë e krimit.
Mirëpo aksioni i fundit i policisë së shtetit tregoi se me gjasa nja 8 ndër 10 në kamera ishin të vendosura nga njerëz që ose kishin precedentë penalë ose i përkisnin botës së krimit të organizuar. Demek shteti në këtë pikë kishte mbetur tek “arra e Tares”. Edhe po të ndodhte ndonjë krim e duheshin pamjet, duhej me iu lut kriminelit që t’ia jepte policisë.
-Or ti cub, nigjo ktu. Mrom kan hup dy dele, nuk mi prune për 10 dekika, si berr kam me t’varr për dy komsh. Homo pra ho, se kena me e pa ene kët pun.
Ky është alamet bashkëpunimi.
Kështu si ka nisur jo vetëm Policia por edhe Shërbimi Informativ do t’i kërkojë krimit të organizuar ta ndihmojë për përgjime telefonike, se ata me siguri duhet të jenë më përpara me teknologjinë.
Vazhdojmë të mbetemi vend çudirash. Po ashtu si “Liza në botën e çudirave”.
Të zë tjetri pusinë m’u në akset kryesore. Ti po s’ke nga vete.Veç në bëhesh zog e të fluturosh. Ai tjetri prapa ekranit rri e numëron. Ja, kaloi Beni,Titi, ja dhe Gimi....
-Dulja..., po rend edhe Shefedini... Mallkuar qofshin zemërpulat.
Montimi i kamerave vrojtuese në shërbim të krimit të organizuar, ka bërë kaq përshtypje sa dhe gazeta britanike “Financial Times” ka publikuar një artikull me titull “Bandat shqiptare vendosën qindra kamera spiune për të qenë një hap përpara policisë”.
Nga aksioni i policisë thuhet se u çmontuan 500 kamera. Epo gjysma e të keqes, se me këtë ritëm, do montoheshin 1000 e kusur.
Aksioni na është bërë në qytetet kryesore të vendit. Që do të thotë se në të gjitha këto qytete ka krim të organizuar. Fshati nuk ka nevojë për kamera, se përdor përgjimin analog. Kështu bien shpenzimet e instalimeve me këtë rast..., si dhe ato të çinstalimeve.
Dikur, në kohën e Partisë, nuk kishte as sy magjik, duhet të hapje ca portën për të përgjuar. Tani janë krijuar të gjitha kushtet që krimi i organizuar të mos fshihet më në ilegalitet e të mbajë mbledhje nën dritën e fenerit me vajguri, por të qëndrojë i qetë se salla e vrojtimit është më e sofistikuar se salla operacionale që ka policia e shtetit.

Wednesday, February 15, 2023

Amshimi i Petraq Kolevicës


Nga 
Leonard Veizi
 
Petraq Kolevica shkoi në amshim.
Ishte arkitekt e inxhinier ndërtimi, dhe po aq ishte poet. Por shumë më tepër reflektonte një qytetari të pashembullt e mjaft fisnikëri. Ndoshta sepse ishte prej Korçe... Ndoshta se familja kishte jetuar mirë e pa shtrëngesa me ca dynymë toke më tepër, të cilat Pushteti Popullor ia shtetëzoi për të realizuar reformën agrare... Ndoshta thashë... Sepse njeriu ndonjëherë është qytetar e fisnik dhe pa asnjë prej këtyre komponentëve.
Kemi bërë intervista gjithfarësh bashkë. Një herë në një gazetë, e herë tjetër në një tjetër gazetë. Se kështu vinin punët. Dhe kemi folur për gjithfarë temash: një herë për ndërtimin e shesheve, herën tjetër për projektet e 15-katëshit, për Ekspozitën “Shqipëria Sot” për pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, për bibliotekën e Korçës... por edhe për vargjet hajk ku ishte një mjeshtër solid. Sepse ai e donte fort vargun e siç pat thënë vetë ishte poezia ajo që vinte tek ai dhe aspak e kundërta.
Petraq Kovelica ishte një avangardist në arkitekturë. Ka projektuar vepra të mahnitshme në një Shqipëri të ngurtë, të cilat herë janë zbatuar në ndërtim e herë ka pasur ndërhyrje që projekti të mos realizohej i plotë. Kjo do ta merrte në qafë. Sepse në një vend të kuadratuar që rrekej të ndërtonte socializmin, nuk mund të dilje nga rreshti. Ndaj dhe Petraqi do të vihej përballë burokratëve të aparatit partiak shumë më tepër se atyre të aparatit shtetëror.
Petraq Koleviaca u nis për në amshim. Vargjet do ta shoqërojnë. Sepse ndërtesat e ngritura prej tij nuk lëvizin vendit.
Nuk përtonte kurrë Petraqi të takohej me gazetarin te lokali pranë shtëpisë, e t’i dhuronte një libër të ri me autograf. Sepse ai nuk qëndronte kot. Vazhdimisht punonte. Edhe pse kishte probleme me shikimin. Por ai që ka vullnetin për të bërë diçka, do t’ia arrijë qëllimit pavarësisht nga mungesat e arsyeshme. Dhe këtu e ndihmonte pa kushte ajo që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës, edhe në çastet më të vështira, bashkëshortja e tij Edit Logoreci apo Kolevica, siç njihej ndryshe.
Ai nuk pajtohej me problemet e tij shëndetësore dhe nuk donte të mbështetej në krahun e askujt për të ecur ato pak metra që ndanin banesën e tij me lokalin më të afërt, ku pinte kafe e takonte miqtë. Mbështetej veç te një karrocë portative që luante rolin e një bastuni lëvizës. Dhe kaq. Sepse nuk donte të bezdiste njeri, e nuk bëhej fjalë që të kërkonte ta mëshironte njeri.
Sot ai nuk është më, ka shkuar në amshim. Por ka lënë plot gjëra pas për t’u kujtuar në vazhdimësi.
Në intervistat e tij ka kujtuar gjithë punën dhe përpjekjet e pashembullta, në një kohë kur arti modern quhej herezi dhe prangat për të të çuar nga dhoma e gjumit në qelinë e burgut të qëndronin gjatë gjithë kohës varur mbi kokë. Po kemi folur në këto intervista dhe për bëmat e Enver Hoxhës apo Mehmet Shehut... si dhe për vitet e demokracisë ku vetë Petraq Kolevica u zgjodh deputet i forcave progresiste në të parin Kuvend demokratik.
Ishte burrë i shtruar Petraqi. Vërtet kishte probleme me shikimin, por aspak me dëgjimin dhe për më tepër me argumentimin.
Dilte thuajse çdo ditë nga apartamenti i tij, të cilin e kishte në një pallat 5-katësh me tulla të bardha pranë Ministrisë së Jashtme.
Prej vitesh, arkitekti i mirënjohur, inxhinier e projektues kishte shumë më  tepër kohë të merrej me artin e tij poetik apo me shënime në prozë dhe më pak mundësi të sillte për Tiranën kaotike një maket të ri arkitekture. E pra, një pjesë e pallateve të banimit apo institucioneve të tjera të rëndësishme në vend mbajnë firmën e projektit të tij.
Por ai vetë nuk është se ishte fort optimist për gjithçka ishte bërë e po bëhej në kryeqendrën shqiptare, e më pat theksuar në një tjetër intervistë tjetër se: në fund të fundit, as projekti italian i paraluftës, as ndërthurja e modeleve fashiste me ato të kulturës ruse dhe as ndërtimet e fundit që janë lartuar në Tiranë, nuk kishin sjellë ndonjë gjë të pazakontë në arkitekturë.
Petraq Kolevica iku në amshim. Ishte 89 vjeç. Jetoi mjaftueshëm për të bërë në jetë atë çfarë ishte më i aftë të bënte, dhe pavarësisht peripecive, gjithmonë ia kishte dalë. E megjithatë, si çdokush që ka jetuar në këtë botë, padyshim ai mori me vete dhe pengjet e tij, që me siguri nuk ishin të pakta.

Friday, February 10, 2023

Pak ndihmë për të gjunjëzuarit nga tmerri i një tërmeti


Nga 
Leonard Veizi
 
Tronditja vjen atëherë kur se pret. Në mes të natës. Në një gjumë të thellë. Krejtësisht e pabesë dhe po aq e pamëshirshme. Të merr ty... ose shumë më keq: të merr më të mirën tënde dhe ty të le në rrugë të madhe që të vuash ekstremist.
Një nënë shtrëngon në gjoks djalin që arrin të shpëtojë i gjallë.
Një burrë shtrëngon po aq në gjoks, dhe nuk e lëshon kurrsesi, djalin e tij të vdekur.
Nuk është e pabesueshme. Është një tmerr që na fanitet si në një ëndërr. Por që është krejt e vërtetë. Jo sepse na e transmetojnë rrjetet televizive. Por sepse e kemi përjetuar ne vetë. Fare pak vite më parë: nëntorin e vitit 2019.
Lajmet që vijnë nga zona më e “nxehtë” e globit janë ngjethëse. Imazhet shumë më tepër. Shembje pallatesh të larta si me dinamit të telekomanduar. Britma njerëzish në panik. Klithma fëmijësh. Nëpër rrugë shihen njerëz që marrin arratinë por nuk dinë ku të shkojnë, sepse mbi të gjitha pas kanë lënë më të afërmit e tyre. Ndaj ata kthehen sërish pas dhe nëse pasgoditja e rradhës do t’i njehësojë me të vdekurit e tjerë.
Ishte tërmeti.
Është një territor i ndarë mes Turqisë dhe Sirisë. Kufiri duket si një term abstrakt, por ai ekziston jo vetëm kur njerëzit luftojnë me armë kundër njëri-tjetrit, por dhe kur një fuqi e madhe edhe e përballueshme i vë përfund ata.
Njerëz që janë të gjunjëzuar nga fatkeqësia.
Ndërkombëtarët shpejtuan të dërgonin emergjencat civile drejt Turqisë. Nisën operacionet e shpëtimit, të evakuimit. Siria është në luftë. Nuk ka ndihma për ta. Vështirë të kalosh kufirin, edhe pse ai kalohet me një hap. Sepse ai është veç një term konvencional që hera-herës a në segmente të caktuara ruhet me ushtarë të armatosur. Por njerëzit janë njëlloj, andej dhe këtej klonit. Në të njëjtën tokë.
Sistemi “Harp” thotë dikush, duke gjetur fajtorin. Po the sistemi Harp do të thotë që nuk ka një dorë mistike, por një dorë njerëzore. Dhe ky është gjenocid. Po aq sa dhe Holokausti dikur. Kjo do të thotë se lufta midis qenieve njerëzore është thelluar edhe më shumë.
Por a mund t’ia bëjë njeriu-njeriut një gjë të tillë? Ta vendosë në një sfidë të tmerrshme ku ta lërë veç me këmishën e trupit dhe t’i marrë të gjithë çfarë ka,  familjarët dhe atë pak pasuri që ka vënë me punën e krahut?
Padyshim që mundet. Madje ai është më i keq se kaq. Njeriu është i pamëshirshëm në hakmarrjen e tij. Por ndodhia në mëngjesin e 6 shkurtit nuk ka të bëjë me sistemin “Harp”, që godet nëntokën me rreze e shkakton cuname e tërmete artificiale. Njeriu në hakmarrjen e tij nuk do të ndalej me varrosjen nën gërmadha të 15-20 mijë vetëve. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore një kamp si ai i Aushvicit eliminonte në dhomat me gaz e furrat e djegies deri në 20 mijë veta në ditë. Dhe kjo bëhej përditë. Ishte qenia njerëzore që zhdukte qenien njerëzore. Sistemi “Harp” i supozuar si armë lufte mund të eliminojë disa milion njerëz me një të “rënë të lapsit”, nëse dikujt vërtet i shkrep në mendje ta përdorë.  Por kjo nuk është çështje sistemesh elektronikë e të programuar. Është veç dora e djallit.
Turqia dhe Siria u goditën keqas. Njerëzit mbetën nën gërmadha. Por gjithmonë ka shpresë. Veç duhen njerëz dhe mjete. Që shumë jetë të tjera të shpëtojnë. Sepse kohë nuk ka asnjëherë.
Kjo është një goditje natyrore. Nuk është një luftë me rregulla, ku frontet janë të ndara dhe nderi e do të mos goditen civilët e paarmatosur. Tërmeti nuk njeh rregulla. Ai thjesht godet. Nuk njeh racë e gjini, popuj e perandori. Sepse është perandor mbi perandor.
Zona e tërmetit po përjeton ditë-netë të tmerrshme. Të mbijetuarit nën gërmadha mundohen të mposhtin të ftohtin. Të ngujuarit nën traversat e betonit shpresojnë që dikush t’ua heqë barrën e rëndë që i ka zënë.
Shqipëria dërgoi në frontin e nxehtë njerëzit e saj. Disa në emër të shtetit e të tjerë në mënyrë vullnetare. Mund të mos kemi shumë mundësi për një gjë të tillë, por jemi njerëz gjithsesi dhe veç ligësisë, humanizmi në raste të caktuara na dominon.
Duhet shumë pak për të kuptuar se sa delikate është jeta njerëzore. Atë që ne herë e vlerësjme e herë jo. Sepse kur jemi mirë, mendojmë veç si llupësa për të pasur sa më shumë. Dhe vetëm kur jemi keq nisim e mendojmë për jetën minimale.
Sepse shqiptarët tanimë e dinë mirë se çfarë është tërmeti. Nuk flitet për tërmetin e Dibrës në 1967, as për atë të Shkodrës në 1979. Flitet për nëntorin e vitit 2019. E kanë ende të freskët. 52 jetë njerëzish humbën. Dhe ndihmat emergjente qenë të menjëhershme.
Në zonën e sotme të Turqi-Sirisë, numërohen mijëra viktima. Të plagosur shumë herë më tepër. Por të lënduarit nga ana psikike dhe emocionale janë pafund. Nëna e baballarë që nuk gjejnë dot fëmijët e tyre nën gërmadha. Fëmijë që nuk dinë ku i kanë prindërit. Kjo është më shumë se një tragjedi.
Këtej dhe andej kufirit nga ka vend për ndarje me klon, për ndarje popullsish, për ndarje etnike e politike. Në fund të ditës, - po aq sa në fillim të saj, - të gjithë janë njerëz.
Nuk ka kohë për vajtim. Sepse gjithmonë ka një fije shprese pas së cilës duhet të kapemi e të shtrëngohemi. Dhe ccdo jetë njerëzore që shpëtohet ka është një vlerë.
Globi është i mbushur me qenie humanoide, si asnjëherë më parë. Të paktën 8 miliardë. Por gjithmonë ata janë pak për ta mbipopulluar atë. 
Të gjithë janë në sulm, çdo minutë e ikur rrezikon një jetë.
Koha është e pamëshirshme, sepse është e pandalshme.

Wednesday, February 8, 2023

Mevlan Shanaj, i buzëqeshuri i ekranit


Nga 
LeonardVeizi
 
Në fillim të muajit të dytë të vitit, përkujtohet ditëlindja e tij. Sepse për “X” arsye, - aspak të kalkuluara padyshim, - ai u lind në 7 shkurt të vitit 1945. Por mosha, si në një term kozmik është veç një konvencion, e cila të bën të mos ndihesh ai që je në të vërtetë, pasi të kornizon dhunshëm mes shifrash hibride. Dhe kjo do të thotë që në bazë të një përllogaritjeje astronomike, çdo  rrotullim i tokës rreth diellit të plak një vit më shumë, që prej ditës kur ke lindur.
Kjo formulë matematike e vjetruar nuk vlen më.
Ai nuk ka moshë. Dhe s’ka se si vitet t’i rëndojnë mbi supe. Madje as termi pensionist nuk ka kurrfarë kuptimi: sepse është artist. Dhe artistët nuk e njohin moshën dhe pse ajo ndryshon numrin sa herë që toka vjen në të njëjtin pozicion, si në çastin e parë. Nuk e dinë asnjëherë cila është shifra e radhës në ditën e lindjes së tyre.
E megjithatë, ata dalin në pension - si në një marrëveshje fjale - ndaj shteti për punën e madhe krijuese u jep ca lekë kafeje dhe u siguron vizita falas në ambulancën e lagjes. Kjo vlen dhe kur ke tituj: je Artist i Merituar, apo Mjeshtër i Madh, siç është Ai. Por ai mbetet po aq artist, tani, po aq sa kur linte sheshin e xhirimit për të firmosur në bordero, ca vite më parë se kaq.
Dhe të qenit artist më shumë se një vendim administrativ ka të bëjë me vlerësimin mbarëpopullor që e bën të mos e njohë kufirin në kohë.
Sot e gjithë ditën ai është po aq elegant sa dhe në rininë e tij. Ka të njëjtën buzëqeshje të veçantë që i shihet në çdo rol. Imponues me butësinë që e karakterizon, regjisor me sqimë dhe mjeshtër në aktrim. Ndaj spektatori e ka të fiksuar më së shumti me rolet e tij.
Dhe ai kujtohet si Nebi Surreli tek “Rrugicat që kërkonin diell”, djaloshi që shtynte karrocën e Gani Herrit mbushur me thasë qymyri, dushk edhe shkozë, por edhe me pak shqopë...
-Do bëj çmos që të mbeteni i kënaqur. Jam nevojtar. Por po ju kushtoj shumë më lirë se do t’u kushtonte po të mbanit një kalë.
Edhe si Memo Kovaçi tek “I teti në bronz” që ashtu i plagosur, bënte propagandë në shtëpinë e doktor Borovës:
-Doktor, kjo është e vërteta. Ju po të doni merreni dhe si përçarje. Por do të më vinte keq që vajza juaj një ditë të quhej vejusha e një tradhtari.
E më pas si Birçja, djali i Safa Ymerit që kërciti e iku në mal natën e dasmës pa i bërë adetin nuses.
-Në ke ndërmend të më rrahësh unë ika që sonte. Mbeç me shëndet!
Dhe këto ishin role nga vitet e luftës. Por po me staturën e tij elegante, të butë dhe imponuese, ai u shfaq dhe në rolet e viteve të paqes. Ndaj mbetet në kujtesë si Besnik Struga, vëllai i Benit që e kishin thirrur ushtar të ruante nëndetëset e Bazës së Pashalimanit se mos i rrëmbenin rusët, por dhe që sqaronte politikisht të fejuarën për çështjet e politikës së madhe...
-Zana dëgjo. Mos ma vër re. Unë jam i tronditur. Unë isha atje, në epiqendrën e çarjes. Më kupton, në epiqendër. Toka shembej aty ku s’e prisje. Hapeshin befas gropa, hone, humbella, shpërthenin gazra sulfurikë sa të erreshin sytë. Atje ndihej gjithë lëkundja e globit.
Dhe ishte ai poeti i çartur Viron, shoku i ngushtë i një kryetari të Komitetit Ekzekutiv, që nuk bënte dallavere as kur binte puna për vjehrrën dhe kunatin e as për shokët kur kërkonin favore të padrejta:
-Ej, mos më bërtit mua se do thonë çfarë i bëri ky kryetarit. E di si i thonë kësaj o Beso: më bëre një herë nder të them faleminderit. Ndërsa të dytin ta dua se e ke për detyrë!
Por jo vetëm kaq. Sepse do të shfaqej në rolin e një mjeku si shef pavijoni tek “Pranvera nuk erdhi vetëm”, drejtuesi i kursit të alpinistëve tek “Guximtarët”, Kujtimi tek “Unë e dua Erën” apo Sfinksi tek “Lule të Kuqe Lule të Zeza”.
Nuk besoj se ka njeri i cili nuk e ka kuptuar që e kam fjalën për Mevlan Shanaj, një aktor aq të dashur, e një regjisor po ashtu.
Në karrierën e tij ai është përzgjedhur nga regjisorët për të marrë atë që në gjuhën e kinemasë së kohës quheshin: role pozitive. Sepse një rol negativ nuk mund t’i shkonte kurrsesi natyrës së tij të paqtë dhe buzëqeshjes që transmetonte në fytyrë.
Si regjisor ai ka punuar për të paktën 30 filma televizivë e dokumentarë, por ndoshta më emblematikët janë “Plumba Perandorit” dhe “Fletë të Bardha”.
Mevlan Shanaj, dje dhe sot, është po aq i pranishëm në familjet tona përmes ekranit me buzëqeshjen e tij të veçantë, i butë dhe imponues.

Friday, February 3, 2023

Ushqimet e barkut, malli “zh” i cilësisë që po na rrasin në gojë


 
Nga 
Leonard Veizi

A do t’ia fusësh tjetrit sa krahu e të bësh para për vete sa të mos ketë qese plastike të t’i nxërë: shiti mallin e cilësisë “zh” për cilësi “a” dhe vendosi çmimin e kripur sa më s’ka. Ai tjetri, - që ne rastin konkret jemi unë e ti, pra konsumatorë nga halli, - do e blejë me qejf e do të thotë nja 10 herë “rrofsh se na shpëtove”.
Për çfarë shpëtimi është fjala?
Se do ta hajë gjithë qejf sapunin për djathë, pasi e ka paguar sa frëngu pulën...?
“Çmim i lartë, mall i mirë”. Këtë sentencë ikonike e kanë kuptuar të gjithë tashmë dhe nuk ngurojnë që në katrahurën e ngritjes së çmimeve, një mall kërkundi t’i vënë një çmim stratosferë. Shqiptari po është mësuar me frazeologjinë: Malli i mirë është i shtrenjtë... por e di se çfarë ha.
Që e ha... kjo s’diskutohet!
Po sikur ta kthejmë përmbys e të themi: Mirë, kur i miri që është i shtrenjtë, po ai që nuk është i mirë, çfarë çmimi ka? A është vërtet
më i lirë?
Aspak. Sepse dhe ai konkurron denjësisht me një performancë të shkëlqyer në aparencë. Këtë e kanë kuptuar jo vetëm tregtarët që janë “nona” e kësaj praktike, por edhe fshatarët që shesin nëpër cepa e trotuare, e që ia kanë marrë mirë dorën hileve. Policia Bashkiake nuk i lejon tregjet e palicensuara, por në fakt prodhimet artizanale, - pa datë skadence e që nuk duket në çfarë rifuxhoje janë prodhuar, - arrijnë të gjejnë treg. Dhe i gjen aty, buzë rrugës, - me pluhur çimentoje nga ndërtimet e gazra makine, - qumësht, gjalpë e djathë stalle, por edhe vezë nga qymezi.
Po çfarë ndodh?
Një emision investigativ, i transmetuar në një televizion kombëtar, - por që e gjen pa vështirësi dhe në youtube, - na zgjon nga dremitja për të na thënë se sa na i fusin me një produkt si djathi ku hilet bëhen varda: qumësht pluhur, niseshte dhe vaj palme. Këto janë përbërësit. Prodhuesit fusin në produkte dhe elementë të tjerë kimikë, për të shtuar vëllimin apo masën, gjë që e vë në dyshim cilësinë ushqimore. Kjo ndodh me produktet blegtorale, por nuk duhet harruar se përbërës problematikë ka mielli, e domosdo dhe buka, asortimenti i pandryshueshëm i tavolinave tona.
Asnjë gjë e hajrit.
Ne, si konsumatorë të thjeshtë e pa shumë pretendime vijmë vërdallë tregut e bëjmë sikur marrim vesh, e përsëri biem në grackë: e blejmë mallin surrogato sa ia do qejfi të zotit të dyqanit.
Mirëpo po t’i vësh mend emisionit ku flasin specialistët e fushës, ata të kujtojnë se gjithçka duhet të ketë një etiketë ku të jenë të afishuar përbërësit. Dhe Ti, si konsumator i interesuar, duhet të jesh i informuar një për një.
Po ku është etiketa???
-Hë mo sa i vini re këto vogëlsira!
Shpeshherë ne nuk na pëlqen as malli i markatës së certifikuar, edhe pse shumë nga malli i markatave të certifikuara janë të pacertifikuara. Se jemi në Shqipëri. Vend i botës së tretë. Aspirojmë për në BE por nuk përmbushim asnjë standard. Ndaj kur bëhemi për te mjeku, kujtohemi se kemi konsumuar pa kriter mall të cilësisë “zh” dhe kjo na ka dhënë probleme shëndetësore: tension po e po, yndyrna të larta e diabet, dhe jo rrallë edhe sëmundje më problematike se kaq.
Mjekët të bëjnë me dije se sëmundjet kronike janë rritur për shkak të kequshqyerjes. Ndërkohë që edhe sëmundjet kancerogjene sa vijnë dhe shtohen.
O Zot mbaj dorën!
Sepse kemi dëshirë të konsumojmë ca djathë të bërë vetë, ca qumësht të sapomjelë e vezë të nxjerra nga pula që ha gurë dhe jo koncentrat me pak grurë.
Por ndeshemi me fshatarë që bidonët plastikë i mbushin me qumësht, që ca i gjejnë rrugëve e ca i nxjerrin nga kazanët e mbeturinave.
Sërish ngrihet pyetja: “Ku gjendet Shqipëria në raport me vendet e BE-së?”. “Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë?”
Megjithëse ka një vendim të Këshillit të Ministrave të mbështetur mbi nenin 100 të Kushtetutës, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, sërish këto rregulla nuk respektohen dukshëm. Mirëpo, mungesa e etiketës përbën shkelje ligjore. Dhe shkelësit duhen dënuar.
Jo, në fakt. Ata vazhdojnë të shesin mallin me cilësinë “zh”. Të gjitha pasojat bien në kurrizin e konsumatorëve.
Si mund të shpëtojmë nga kjo grackë?
Duhet të ketë një vendim personal, që ka të bëjë me kokën e gjithsecilit: Çfarë malli duhet blerë e konsumuar. Në të kundërt duhet abandonuar.
Po ku pyesin banorët e metropolit. Në kushte mbijetese hanë gjithçka, edhe bajga lope të paketuara, po të doni.
Pensionistët të thonë se e dinë se çfarë ushqimesh ju duhet, po me mundësitë e tyre të pakta janë të detyruar t’i drejtohen tezgës së pacertifikuar ku mund të gjejnë ca gjëra që të mbushin zorrën. Dhe kaq, se paratë e tjera u duhen për të marrë medikamentet që trajtojnë problemet që japin zorrët.
A mund të themi se jemi gati që tanimë të realizojmë atë që kemi në dorë, t’i braktisim ushqimet pa cilësi dhe të konsumojmë ato që kanë cilësinë e duhur?
Veç po të mbetesh pa ngrënë?!
Dhe ky është një akt pesimizmi. Por dilet në këtë përfundim nisur prej situatës.
Në kushte aktuale ne asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh se cili mall tregu është me parametrat e duhura. Dhe këtu na duhet ndihma e shtetit, i cili të ushtrojë presion, që pazari ushqimor të mos vazhdojë të jetë si “Pazari i Roskovecit”, një herë e një kohë.
Dhe nëse do vazhdojë që malli “zh” për nga cilësia do të dominojë tregun, ne të gjithë do të jemi pacientë, - herë ambulatorë e herë spitalorë, - shumë më shpejt nga parashikimet.

Wednesday, February 1, 2023

Agim Qirjaqi, aktori elegant i skenës së rëndë

Nga 
Leonard Veizi
 
Në kastin e aktorëve potencialë ai ishte ndër më elegantët. Në skenën e madhe të interpretimit, fuqia e tij goditëse kishte gjithashtu një finesë të pamasë. Dhe kjo e bënte të rrallë. Ishte cilësuar si aktor poliedrik. E thoshin se po aq kishte një sjellje aristokratësh, në skenë dhe në përditshmërinë e tij.
-Si mund të qëndrosh brenda i mbyllur kur jashtë është kaq bukur. Tamam si në përrallat e Andersenit. Nuk kam parë kurrë një pamje të tillë. Kudo bardhësi. Bile ja se ç’po shkruaj:
Pishëzë gazmore në bregun atje tej
T’i zbardhi qerpikët dëbora e re
Pishëzë gazmore vellon hedhur ke,
miliona flutura të bardha bien mbi dhe.
Është Agim Qirjaqi. Me rolin e mësuesit, Gëzimit, në një rreth të largët, që shumëkush e thërriste profesor, ishte dhe roli i tij i parë në kinema. Kështu mjeshtri i regjisurës Viktor Gjika i kishte hapur dyert e karrierës në vitin 1974 me filmin “Rrugë të Bardha”. Dhe dy vite
më pas po i njëjti regjisor do t’i ofronte rolin e Aretos tek filmi “Përballimi”.
-Sot nuk po ju kuptoj shoku Miti, kjo që thoni ju është e tmerrshme. Kohë të vështira po jetojmë shoku Miti, kohë të mëdha.
Roli brilant i drejtor Luixhit të jetimores, tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” konfirmoi elegancën e tij jo vetëm para telespektatorëve, por edhe për mjeshtrin tjetër të regjisurës Dhimitër Anagnostin, i cili i kishte besuar këtë rol kaq potencial. Rol i cili në Festivalin e II të Filmit të vitit 1977 i dha çmimin e parë.
-Zonjusha Valandri nuk është fort e kënaqur nga ju për herën që shkoi. Tregohuni të sjellshëm dhe mos e mërzisni. Aq më tepër që zonjusha i do shumë fëmijët. Në mënyrë të veçantë ju që jeni jetimë. Ankesa mos të ketë më! Kush të bëjë zhurmë të dënohet! Bela, mund të filloni. Kur të mbaroni dalim bashkë, ju pres.
Gjithçka do të përsëritej kur do të merrte rolin e një oficeri nazist tek filmi “Dimri i Fundit”, dhe akoma më shumë si shkrimtari Adrian tek “Radiostacioni” i regjisorit Rikard Ljarja:
-Shiko një pamje kurioze. Është regjenca. Katër-çerek mbretër. Pamje apokaliptike, apo jo?! Janë po ata të ftuar të përjetshëm. Duket sikur kanë ardhur po tek e njëjta darkë që ka 2000 vjet që ka filluar, që nga koha e darkës së konsullit romak, Paulus Emilius. Ai ka qenë pushtuesi i parë i Shqipërisë atëherë. Darkë shumëvjeçare.
Në vitin 1983 Agim Qirjaqi sërish do të interpretonte në një nga rolet emblematik të tij, atë të profesor Janit në filmin “Apasionata” me regji të Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitros.
-Mirën nuk e ke te pianoja, e ke lart, pozon për Gurin. Dëgjo Artur, u thuaj të mos rrinë më tepër, nuk është mirë.
Në jetëshkrimin zyrtar të tij thuhet se karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, në vitin 1973, fill pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më pas punon si regjisor në Televizion, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma. Por kishte përvojë si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Në vitin 1989 largohet për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler në Teatrin “Pikolo” të Milanos dhe pastaj në Teatrin “Elizeo” të Romës.
Ndonëse interpretonte në teatër dhe film, ai ishte gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me "Rikardi III" të Shekspirit në vitin 1992 dhe vazhdon me "Fando e Lis" të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin "Aleksandër Moisiu" në Festivalin e vitit 1994, "Marrëzia e madhështisë" të Vangjel Kozma, "Këngëtarja tullace" të Ioneskos dhe mbaron me "Armiku i popullit" të Ibsenit.
Ndërkohë në rolet kyç si aktor teatri ai do të kulmonte jo vetëm si mbreti Rikard në "Rikardi III" i Shekspirit, por dhe me interpretimin e Sër Endriu Eguç, në komedinë “Nata e 12” po e Shekspirit.
-Çdo t’i punoj unë atij, çdo t’i punoj unë atij. Sa për të sharë nuk ma kalon njeri. Jam mjeshtër i vërtet: zuzar, thatim, kaqol...
Në vitin 1996 regjisori Kujtim Çashku i besoi rolin e ushtarakut drejtues të bunkerizimit në filmin “Kolonel Bunker”.
-Dua të vallëzoj deri natën vonë. Unë jam gjeneral, a më kupton? Nuk jam kavje eksperimentale.
Ndërsa në vitin 1998 sërish do të merrte një tjetër rol ikonik, atë të avokatit tek "Dasma e Sakos", me regji të Vladimir Priftit.
-Ti Penelopë e Odisesë dhe ti Ante, biri i tokës..., Shekspir..., Molier. I thashë të gjitha. Tani jam i qetë. Unë jam vetëm një karagjoz Alush Bej.
Dhe nuk po ndalemi më tek rolet si Drejtori i Shkollës në filmin “Parullat”, dhe te ballisti Ethem në filmin “I dashur Armik”, të dy filma të regjisorit Gjergj Xhuvani. Por filmografia e tij është më e gjatë se kaq, dhe rolet në teatër ia dyfishojnë gamën.
Në anën akademike në vitin 1996 Agim Qirjaqi mori titullin "Asistent Profesor". Ndërsa nga ana administrative në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Por Agim Qirjaqi ishte një aktor në thelbin e tij. Ai u lind në Kolonjë, në 27 janar të vitin 1950. Vdiq në Tiranë më 28 mars të vitit 2010. Vetëm gjashtëdhjetë ditë mungesë që të mund të quhej 60 vjeç fiks. Prej kohësh ishte i sëmurë dhe vuante fatin e tij. Ishte i parapëlqyeri i regjisorëve, por thuhet se në fund të gjithë e braktisën dhe e lanë në vetmi.
Sot, rolet e interpretuara prej tij e bëjnë atë të pavdekshëm.