Saturday, January 14, 2017

Pesë fragmente nga romani "Rrënimi"


nga Leonard Veizi


Pas ekspozitës së nudove

Ata ishin njohur në galerinë e arteve “Vizual”, ku një mik i përbashkët i kishte ftuar në hapjen e ekspozitës së tij me fotografi nudo. Ajo i kishte ndjerë si thikë vështrimet e Martinit. “Ke pozuar në ndonjë nga këto fotografitë” - e kishte pyetur ai duke iu afruar lehtë. Kostumi blu i errët që kishte veshur i shkonte shumë dhe po aq papioni që mbante në vend të kravatës. Ajo me një gotë vere në dorë po shihte foton bardhë e zi të një gruaje shtatzënë e cila kishte hapur këmbët në pozicionin për lindje. Seksi i saj ishte në qendër të objektivit. “Jo, - i ishte përgjigjur. - Nuk më pëlqen të ma shohin të gjithë”. Ingridi kishte veshur një fustan të zi, mbi gjunjë dhe bizhuja e vetme që mbante ishte një zinxhir i hollë floriri rreth gushës. “Unë dua të ta shoh, - i kishte thënë Martini pa e zgjatur shumë. - Ti më josh shumë me të gjithë trupin tënd dhe që të mos lëmë nam këtu në galeri më mirë shkojmë në ndonjë hotel. Makinën e kam jashtë”. Ingrid nuk ishte habitur aspak. Kishte pritur prej kohësh diçka të tillë. Ishte propozimi më joshës që i ishte bërë. I dha gotën kamerierit që kaloi aty pranë me tabaka në dorë dhe i futi krahun Martinit duke i thënë: “Shkojmë”.
Kur kishin hyrë në dhomë, Martini i kishte thënë me një zë urdhërues: Zhvishu. Ajo nuk kishte nguruar të zbërthente zinxhirin e fustanit ndërsa ai e ndiqte me sy çdo veprim të saj. Ndërsa hoqi mbathjet dhe qëndroi krejt lakuriq përpara tij, ajo i kishte thënë: Tani mund të ma shohësh. Si të duket? “Mrekulli”, kishte mërmëritur Martini duke shqyer sytë. Gjithçka kishte ndodhur më pas ishte e vështirë të vinte në kujtesë. Mbante mend vetëm që ai ishte hedhur mbi të pa u zhveshur. Dhe meqë ishte ngatërruar për të zbërthyer rripin e pantallonave dhe s’kishte mundur dot, kishte hyrë brenda saj ashtu siç ishte me kostumin e veshur dhe papion në rreth qafës.

Seks me mësuesen

Ai kishte një bilanc të keq në jetën e tij sentimentale. Në mendje i ishte fiksuar se nuk kishte sukses me femrat. Ky ngërç i madh kishte nisur nga periudha e adoleshencës dhe e kishte përndjekur gjatë gjithë kohës. Kishte rënë në dashuri për herë të parë dhe dështimin e saj e kishte përjetuar si dramën më të madhe të jetës së tij.
Ishte koha kur fantazia e shtynte drejt marrëzive. Vazhdimisht kërkonte të bënte dashuri me mësuesen e tij një mesogrua e kolme që zakonisht vishej në funde mbi gjunjë. Vetëm se nuk dinte çfarë të bënte. Dhe padyshim, kjo ishte marrëzia më e madhe që kishte menduar në atë kohë. Pavarësisht se kjo marrëzi i dukej e pamundur, sërish ishte gjëja më e bukur që kishte menduar dhe ndoshta përkushtimi më i ëmbël që e torturonte vazhdimisht. Si pa kuptuar, ai kishte rënë në dashuri me të dhe kjo ishte dashuria e parë e tij, që për çudi ishte jo aq romantike siç mund të mendohej për një moshë të tillë, por tërësisht seksuale.
Ai rrinte gjithmonë në bankën e fundit dhe gjatë gjithë orës së mësimit e vështronte me endje mësuesen e tij, kur ajo lëvizte lirshëm në klasë, kur shpjegonte mësimin, hidhte shënimet mbi regjistër dhe gjatë gjithë kohës mendonte vetëm një gjë, ç’fshihej pas asaj veshje elegante, pas bluzës, fundit, getave, pas asaj tërësie enigmatike që fshihej e fshihej me këmbëngulje diku thellë, ku vështrimi dhe imagjinata e tij nuk arrinin dot.
Dhe një herë si pa kuptuar u tendos aq shumë sa ishte gati të shpërthente në një pasthirrmë kënaqësie që s’e kishte ndjerë asnjëherë më parë. Por pikërisht atëherë ndodhi më e keqja. Mësuesja e tij, pikërisht në çastin ku ai po ëndërronte më të pa ndërrueshmen me të, i kish thirrur emrin për t’u ngritur në mësim, dhe ai e ndjeu se jo vetëm iu shprish gjithçka por nuk mund të ngrihej as në këmbë pasi… ishte tepër i eksituar.


Koloneli


-Eh lufta... - psherëtiu koloneli.
Tashmë zyra e tij e madhe në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asgjë të përbashkët me çadrën e fushimit që kishin ngritur fare pranë kufirit.
Ngriti kokën në tavan dhe si vështroi për pak sekonda abazhurin e varur, e uli shikimin mbi tavolinë. Ndihej bosh, si një objekt në ajër. I dha hov me forcë këmbës së djathtë dhe poltroni bëri një rrotullim të plotë. Sërish u ndje si një trup pa pikë mbështetje. Sapo rrotullimi ndali vuri duart mbi syprinën e tavolinës dhe nisi të godasë me gishta si të luante muzikë mbi një tastierë.
Ishte mësuar me fishkëllimën e predhave që çanin ajrin, me shpërthimin e minave kundër tank dhe qitjet e vazhdueshme të mitralozave që krijonin perdet e zjarrit kundër aviacionit. Megjithëse dukej si kohë e largët, imazhet i shfaqeshin në kujtesë çdo ditë, madje dhe kur i vinte gjumë e lëkundej në poltronin e rehatshëm pranë tavolinës ngjyrë vishnje të errët, nga ku ndiente vetëm gumëzhitjen e ëmbël të kondicionerit që pastronte ajrin. Nuk ishte e nevojshme të lodhej shumë sepse çdo punë të rëndomtë që kishte të bënte me printime shkresash, fotokopjime dhe gërmime në arkiva, në vend të një adjutanti, ia mbaronte sekretarja që hynte e dilte vazhdimisht duke i raportuar se urdhrat që kishte dhënë ishin zbatuar, ndërsa nga frigoriferi me derë xhami që e kishte vetëm dy metra larg, kishte pije freskuese dhe kafe të gatshme. Ky komoditet e dembelos një ushtarak, kishte menduar atëherë kur ishte futur për herë të parë në atë zyrë.
Koloneli ndjeu në hundë erën e djegur të fasuleve dhe stomaku iu mblodh. Mendoi se kishte ardhur koha për të ngrënë diçka. Në barin e ministrisë mund të porosiste një omëletë me proshutë. Por gjithsesi kjo meny nuk kishte për t’ia hequr nga hundët erën e fasuleve të djegura. Pa orën. Ishte ende shpejt.
U përqendrua sërish të lexonte raportin që kishte përgatitur grupi i ekspertëve ku flitej me shifra mbi arsenalin e armatimit që vazhdonte të klasifikohej nga depot e ushtrisë.


Ambicia


Ambicia për të qenë dikushi në këtë jetë, ishte një nga arsyet më të forta brenda vetes, ajo që i kishte aktivizuar gjithçka në mendjen e tij, ekstremisht, deri në marrëzi. Ishte pikërisht ajo që e kishte pushtuar të gjithin, si një ethnajë ku vetja shpesh i shpërfytyrohej, aq sa dhe ai vetë kishte frikë prej atij tjetrit, por që në të vërtetë ishte veçse ai. Tundimi qe i madh. I jashtëzakonshëm. Ishte një dëshirë e papërballueshme për të shkuar gjithmonë e më lart, për të kapur një majë, të cilën me gjithë përfytyrimet ekstreme, nuk i kishte dhënë dot një formë të përshtatshme. E joshte pa fund ideja për të qenë një yll i largët dhe i shndritshëm. Por kjo kishte të bënte vetëm në fantazinë e tij së pasmesnatës. Ndërsa kur ngrihej në mëngjes dhe binte me këmbë në tokë pranonte që të ishte një i kërkuar i përhershëm, më i lakmuari ndoshta, idhulli i të tjerëve. Për të qenë ai që, edhe nëse nuk ishte, duhet të bëhej.
-Duhet të ngjitem deri atje, - kishte folur një ditë me zë, duke parë nga maja e kullës më të lartë të qytetit. Ishte i vetmi objekt që i krijoi një iluzion të përafërt me atë që kishte imagjinuar. Ai ishte ekzaltuar, që tek e fundit, një objekt real i kishte ardhur më pranë fantazisë së tij të çartur. - Sa shkallë duhet të ketë vallë?
Një burrë i thyer në moshë, që ishte ndodhur afër tij atë çast, e që me sa duket e kishte keqkuptuar i kishte thënë:
-Merr ashensorin, për dy minuta kap katin e fundit.
Por Martini i kishte hedhur një vështrim përbuzës. “Trap”, kishte mërmëritur, por nuk i kishte thënë gjë, vetëm se kishte tundur kokën në shenjë mohimi. “Ashensorin merre vetë. Unë do të ngjitem në këmbë”.
Kaq i ishte dashur, që çdo sukses të tijin ta përfytyronte si ngjitjen e shkallëve të ndërtesës më kryelartë të qytetit. Me mendjen e tij, ai besonte se ishte diku në gjysmën e rrugës dhe vështirësia në ngjitje prej atij çasti bëhej edhe më e madhe. Por ai kishte vendosur t’i shkonte deri në fund, pavarësisht kostove, frymëmarrjes së lodhshme, dobësisë që mund t’i shfaqej rrugës apo ndonjë ataku kardiak të paparashikuar. Por kur të ngjitej në katin e fundit dhe të ndihej aq i lumtur sa e përfytyronte do të shtronte një banket madhështor. Të ftuarit do t’i hipte në ashensor. Askush nuk mund ta rivalizonte.
Marrëzia ishte bërë e pranishme tek ai pa ndonjë sforco të madhe. Ishte i etur pafundësisht për të bërë diçka të jashtëzakonshme që dhe pse kishte guximin e duhur, s’po mundte ta arrinte dot.
Nuk e kujtonte se kur i kishte lindur ky mendim, pra që kur kishte filluar të mendonte pafundësisht se kishte diçka prej gjeniu që e dallonte nga të tjerët ndaj duhej të ishte sipër tyre. Qysh prej çastit kur mendimi ishte konsoliduar në mendjen e tij, çdo impuls i tij shkonte vetëm për atë qëllim. Punonte përgjatësisht, i sforcuar, duke gërryer vazhdimisht gjithçka që e pengonte rastësisht. Ishte si një makineri.
Karriera shtrihej përpara tij si një sfidë e frikshme, ndërkohë që gara kishte nisur kohë më parë me të gjithë rrapullnajën e saj agresive. Ishte një garë e egër, ku nuk mund të mendonte për asgjë, veç se të tjerët t’i linte pas, e të prekte i pari fundin. Atje, askush nuk e shihte si mik, si një qenie për të cilën mund t’i vinte dhe keq nga i gjithë ai stërmundim që po kalonte. Atje ishe veç një qenie, shpesh pa emër e me një identitet të humbur, që duhej të largohej sa më parë nga ideja dhe veprimi fizik. Të mbetej larg gjithçkaje të mundshme rivalizuese. Askush nuk mund ta donte, veç në donin dështimin e tij, rrënimin e asaj që kishte ngritur. Kërkonin ta shihnin si të mekej, të shkumonte e të thërriste për ndihmë, aty në mesin e oqeanit shumëballësh. Dhe me siguri askush nuk kishte ndërmend t’i jepte një dorë e ta ngrinte në varkë, a në fund të fundit t’i hidhte një kamerdare shpëtimi. Ata veç donin ta shihnin si të mbytej e veç të qeshnin ligsht me fatin e tij. Por ai nuk kishte ndër mend t’i linte të ngazëlleheshin pas kësaj komedie tragjike. Ai do të ndeshej për të qenë në krye e të mos linte kënd të tallej me të. “Ç’njerëz” - shfrynte me vete. Sepse e dinte që nëse ai nuk dështonte në këtë tentativë, atëherë ishin ata të gatshëm t’i prishnin gjithçka. Pa mëshirë. Deri në mizori.
Gara ishte e tmerrshme. Jonjerëzore. E pacipë.
Pikërisht aty ishte dhe kufiri ndarës të cilin ai nuk e kishte kuptuar kur e kishte kapërcyer. Tanimë ndodhej në një territor tjetër. Atje kishte të tjera ligje.

Porosia


Koordinatori kishte mbërritur në pikën e takimit me një “Mercedez Benz” CLS 500 ngjyrë të zezë. I qetë si gjithnjë Greg hipi në ndenjësen e parë për të bërë tridhjetë metra rrugë deri sa koordinatori gjeti një vend të përshtatshëm për ndaluar makinën e tij të re.
-Këtu ke çfarë të duhet, - tha koordinatori dhe si u përkul pak tërhoqi një zarf të verdhë nga kroskoti i makinës.
Greg e hapi menjëherë. Nxori një letër dhe i hodhi një sy emrit dhe adresës që ishte shkruar në të. E njihte vendin. Pastaj u përqendrua te tre fotografitë që i tërhoqi pasi preku lehtë dhe kartëmonedhat që ishin një pjesë e shpërblimit të tij. Në dy prej fotografive shënjestra ishte vetëm. I qeshur, gati i lumtur.
-Çfarë mund të bëjë një arkitekt që meriton vdekjen? - pyeti pa e vrarë mendjen nëse kjo tregonte një dobësi të tijën.
Tjetri duket se u ndie i bezdisur nga kjo pyetje, megjithatë u përgjigj ftohtë:
-Kjo nuk ka çfarë na duhet, as ty, as mua. Thjesht e ka mbushur kupën. Ai që paguan kërkon ta heqim qafe dhe pikë, - Koordinatori fliste me zë të ulët edhe pse nga xhamat hermetike të makinës nuk përcillej asnjë zë. - U vendos dhe këtë punë ta besuan ty. Duhet të ndihesh i vlerësuar. Do marrësh dhe një dorë të mirë me këtë rast. U bënë ca kohë që nuk të kanë aktivizuar për gjë. Veç duhet punë e pastër. Të duket si vetëvrasje. Ti je mjeshtër.
Greg nuk foli. Tani po e kuptonte se përse pas një farë kohe heshtje i kishin ofruar një punë. Kur bëhej fjalë për vrasje që donin të jepnin mesazh organizata përdorte dikë tjetër.
Sytë e Gregut ishin përqendruar mbi fotot. Tek e treta shënjestra ishte përkrah një femre. Me siguri bashkëshortja. Gruaja ishte e bukur. Gjithashtu e qeshur gati në ekstrem. Greg nuk u ndie i lirshëm. Duhej të vriste një arkitekt. Për më tepër një njeri që dukej aq i lumtur.
-Po gruan? - pyeti ai.
Koordinatori hapi derën e makinës dhe zbriti. Edhe Greg po ashtu.
-Me atë s’kemi punë, - tha dhe mbylli dyert e makinës me pult. - Po ia gjete anën mund ta mbash si dashnore. S’të thotë njeri gjë. Në fund të fundit vejushë do mbetet. - Si bëri dy hapa koordinatori ndaloi dhe u kthye përballë: - Kam njohur një njeri i cili më pat thënë se nuk kishte gjë më të bukur se kur u pallonte gratë atyre burrave që u kishte futur plumbin. Si të duket kjo gjë?
Greg ngriti supet si për t’i thënë se nuk i bënte ndonjë përshtypje të veçantë.
-Unë nuk ngatërrohem me to.
Të dy u futën në hollin e supermarkatës. Njerëzit që lëviznin në të ishin të paktë. Koordinatori  i tha se me këtë rast donte të bënte ca blerje të vogla.
-E fillojmë këtej nga ëmbëlsirat.
Greg e ndoqi pa ndonjë kënaqësi.
-Kur duhet të mbarojë kjo punë? - pyeti.
-Sot patjetër. Afati i fundit nesër në mëngjes.
Koordinatori ishte një burrë mbi të pesëdhjetat, me një pamje krejt të zakonshme, jo fort elegant edhe pse i veshur me një kostum të modës, sy kafe dhe flokë ngjyrë lajthie që kishin filluar t’i thinjeshin.
-Nesër ndiq lajmet e mëngjesit, - tha Gregu.
Koordinatori kishte tërhequr nga rafti një çokollatë të zezë.
-Nuk kam ndër mend ta prish gjumin, kam besim të plotë, - i tha me vështrimin e përqendruar te përmbajtja e produktit në pjesën e pasme të ambalazhit. - Ah…, më mirë po marr dy nga këto. Qenkan prodhim i ri.
Greg e kuptoi që biseda aty kishte përfunduar. Nuk duhet të pyeste më. Ai hodhi në karrocë zarfin me adresën dhe fotografitë e shënjestrës që ende mbante në dorë.




Wednesday, January 11, 2017

Tortura e ujit - fragment nga ditari i një pacienti të spitalit psikiatrik


nga Leonard Veizi



Nuk e mbaj mend se kur më ka ndodhur kjo, as se si më ka ndodhur. Vetëm më kujtohet se kisha shumë... shumë etje. Kisha një etje aq të madhe, saqë askush s’mund ta përfytyrojë dot. Kam provuar të rri pa ujë për disa orë nën zhegun e diellit, natyrisht kur kam qenë në plazh. Kam pasur etje vërtet. Por si atëherë, jo. Më dukej sikur kisha një kohë shumë të gjatë pa pirë ujë. Por sa mund të kisha, vallë?! Koha nuk konceptohej më tek unë, ashtu siç nuk konceptohej as dëshira për të pirë ujë, sasia e tij ose ndjesia për të qenë brenda në një kazan të madh, ku lagështia të depërtonte në të gjitha poret e lëkurës, për të më dhënë sërish gjallërinë e mëparshme. Sytë më mjegulloheshin. Trupi më ishte tharë i tëri. Buzët po më plasariteshin. Çfarë torture!

Nuk ishte torturë, por një autotorturë, domethënë torturë e vetes. Nisa të luaja me fjalën: vetëtorturë ose makinë-torturë. Oh sa e tmerrshme të merreshe me artikulimin e fjalës. Fjala vjen: auto-tort(ë)-urë. Dilnin tri fjalë të ndryshme, që për nga kuptimi, më vete, nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Por ama të tria bashkë…

Nuk di pse ia bëja vetes këtë gjë, e lodhja dhe e stërmundoja, por gjithsesi ujë nuk pija. Shpretka, mëlçia, stomaku, mushkëritë, venat, gjithçka punonte me një ritëm të ngadaltë, për të pushuar së jetuari pak nga pak. Qenia dhe mosqenia ishin aty pranë meje për ta bërë më të afërt idenë e një absurdi të ri.

Askujt s’i kishte shkuar ndër mend kjo. Askush s’do ta kishte marrë një guxim të tillë. Ndoshta edhe mund ta kishin menduar, por nuk mund ta realizonin dot. Kurse unë po. Isha i sigurt se do t’i shkoja deri në fund. Do ta duroja etjen, duke bërë kështu dhe sfidën time më të madhe.

Më vonë, sikur m’u fanitën disa mirazhe, të cilat as tani nuk mund të arrij t’i konceptoj dot. Dukeshin ngjyra dhe nuanca, me zbërthimin e tyre deri në imtësi. Duhej të kishte shumë nuanca, aq sa u mërzita duke u munduar që të përcaktoja dallimin ndërmjet  tyre. Ishte një lojë për të harruar etjen. Në fakt, duhet ta kisha harruar vërtet, pasi nuk e kisha ndier për shumë kohë. Isha duke u marrë me shifra, mbledhje dhe zbritje. Shumëzimin dhe pjesëtimin nuk i përdorja dot, pasi ishte një ngarkesë tepër e madhe për ato çaste. Më vonë, figura, hije dhe imazhe tepër të papërcaktuara silleshin përqark meje, duke më treguar diçka të largët, që në të vërtetë nuk kishte lidhje aspak me mua. Por unë po i ndiqja me shumë vëmendje, edhe pse në fakt nuk kuptoja asgjë.

Por mirazhet u zhdukën dhe vështrimi m’u kthjellua papritur. Ndjeva se më pihej tmerrësisht ujë. Doja ujë. Doja të ma sillnin në një gotë, të ftohtë, pasi vetë nuk isha në gjendje ta merrja dot. Durimi kishte marrë fund. Mjaft më me këtë marrëzi të marrësh!

Me shumë mundime, duke u zvarritur deri në stërmundim, arrita te lajtorja. Nuk shikoja mirë, por intuita edhe në këtë rast nuk më gaboi. Rubineti ishte aty. Zgjata dorën dhe e kapa. Ndjesia e një prekjeje të ftohtë më bëri që të gulçoja. “Shpëtova”, - thashë me vete. Ishte një çast i shkurtër, teksa përfytyroja ujin duke më rrjedhur nëpër duar, krahë, fytyrë. Duke më lagur buzët e përzhitura. Duke më rrëshqitur në gjoks e duke më njomur këmbët.

Por ujë s’kishte. Asnjë pikë. Nga tubi i hekurt doli veç një zhurmë vakumi dhe, megjithëse e godita disa herë me forcën që më kishte mbetur, nuk rrodhi asnjë pikë. Ç’torturë e tmerrshme! Edhe atëherë kur autotortura kishte marrë fund, ishte dikush tjetër që vazhdonte të të torturonte, që vazhdonte të të ndëshkonte, pasi kishte ndëshkuar veten. Metali i çezmës ishte krejtësisht i tharë dhe mua m’u shtua etja dyfish. Trefish. Një mijë fish. Mijëra f… Po çmendesha! Përfytyrimi im kishte të bënte vetëm me masive uji, me lumenj, ujëvara, liqene, dete e oqeane. Por ujë s’kishte. Asnjë pikë. Asnjë gjurmë. Çdo gjë, e thatë. Deri në marrëzi. “O Zot! - thirra. - Pak ujë. Vetëm një pikë ujë, se do të vdes me të vërtetë!”