Friday, August 25, 2023

Mendon se je qytetar, por nuk e di që je gomar


Nga 
Leonard Veizi
 
Ti jeton në pallat por me mentalitet si në fshat. Këpucët i lë te dera që të mos bësh pis brenda. Se je pastërtor sa nuk ka ku të vejë. Dhe nuk e kupton se jeta në komunitet të kushtëzon.
Liria jote, - por dhe e imja bashkë, -  mbaron aty ku fillon liria e tjetrit.
Por ti nuk e di këtë sentencë. Dhe kur e dëgjon ose të duket krejt arkaike, ose shumë moderne sa nuk e vë “ujët në zjarr” e ta zbërthesh.
Ndoshta kjo ndodh meqenëse në fshatin ku je lindur e rritur për djall nuk ke pasur as librari dhe as bibliotekë. E shkollën e ke bërë me klasa mikse ku nuk e merr vesh i pari të dytin. Dhe meqenëse ishte aq ambicioz sa nuk duroje dot t’i hidhje hapat në jetë sipas kutit tënd, u hodhe me katapultë nga fshati, - jo në një qytet të çfarëdoshëm, - por drejt e në kryeqytet.
Këtu të heq kapelën. Sepse edhe këtu ka vlerë një proverb popullor që thotë: Sa të mendohet i mençuri, budallai ka mbaruar punë.
Ti mban qen në shtëpi se të kujton jetën e fshatit. Mban dhe kanarina që të të kujtojë pulat. Dhe të vjen keq që nuk e mban dot lopën, por je i detyruar ta blesh qumështin e fabrikës në markatë. Dhe kjo mungesë të bën që të dukesh si lopë me qerre nëse bën veprime lope të dukshme.
Ti nuk e njeh semaforin dhe i futesh me kokë rrugës pa parë majtas e djathtas se mos vjen ndonjë makinë që nuk e bën hesap dritën e kuqe, e të fshin. Por ty të kanë thënë që po të ecësh mbi vijat e bardha nuk të gjen gjë, se e ha shoferi po të preku edhe një fije floku. Ndaj ty të duket vetja trim dhe me imunitet.
-Hape rrugën o debil se është radha ime! Je ti me të kuqe e unë me jeshile.
Ndoshta është daltonik?!
-Çfarë është daltoniku???
Oho... të fillojmë sërish nga fillimi thua ti?!
Ti lan brekët e tua, por dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, dhe i ekspozon duke i varur që të thahen te dritarja e shtëpisë, paçka se ato rigojnë ujë drejt e në kokat e njerëzve.
-Po mos kalo aty poshtë, se do laj dhe ballkonin tani, e uji do rrjedhë çurg.
Ti je gomar, por shan të tjerë për trashësi gomari. Dhe kjo padyshim të kujton kohën kur shëtisje me gomar, samari i të cilit të duket më i rehatshëm se i Benz-it që ka blerë yt bir kohët e fundit.
Ti nuk e di që në qytet ka kosha mbeturinash dhe e lë qesen tek cepi i shkallëve. Ndërsa letrat e byrekëve, pasi ke fshirë dhe buzët me yndyrë i hedh ku të mundesh. Sepse nuk e kupton që ambienti i përbashkët duhet mbrojtur e duhet mbajtur i pastër.
Ti duhet të trajnohesh, si të sillesh në komunitet. Dhe kjo duhet bërë falas dhe me detyrim. Se ne dikur e bënim në shkollë. Sot është e dukshme që në shkollë nuk bëhet më. Ndaj duhen marrë masa të tjera. Ose përndryshe shapkat, qeset e plehrave dhe brekët e pathara do t’i kemi mbi kokë përgjithmonë.
Ti pi një freskuese, se helbete vapë e madhe është, por kanoçen bosh - të cilën për shans  nuk e mban më si orendi mbi bufe, - edhe pse mall  i riciklueshëm, e vërvit mbi barin e lulishtes më të afërt.
-Ec mo vari trapin, ata të Gjelbërimit kot e marrin rrogën.
Tani... edhe aq kot nuk e marrin. Mjafton që pastrojnë këllirën që le ti pas.
Por ti vazhdon me tënden. Pi duhan e  pështyn në tokë. Jashtëqitjet e qenit i le mbi trotuar e s’të bën përshtypje hiç që njerëzit u disgustuan. Se ti nuk mban më as qen stani, siç ta do zanati, por ke blerë për merak një rodvajler, që t’u bësh karshillëk atyre që mbajnë bulldog.
Mire që je fshatar. Por nuk e di që je dhe gomar.
Dhe të qenit fshatar nuk ka të bëjë me qenësinë tënde ku jeton. Sot shumë qytetarët, njerëz me pasuri e katandi, po e lenë qytetin dhe po kërkojnë fshatin.
Se mund të jetosh në fshat e ke mendësi qyteti, siç mund të jetosh edhe në kryeqytet dhe ke  mendësi province. Ndaj dhe thuhet sentenca e radhës, që na vjen në mend rrjedhshëm: Ti ikën prej fshatit, por fshati nuk del prej teje.
Ti do të fyhesh kur të lexosh për veten tënde. Kur ta kuptosh se ky shkrim është posaçërisht për ty. Pale kur miqtë e shokët, ata që “të duan të mirën” sigurisht, do të të informojnë nxitimthi: Kishe dalë në gazetë... ëëëëëë... Dhe do nxehesh e do shash e nuk do lesh gjë pa thënë kundër gazetarit.
Por dhe mund të gëzohesh se nga një personazh anonim ka gjasa të bëhesh publik. Sidomos po ta thellosh zullumin. Por bën mirë t’i marrësh si mësim këto rreshta dhe jo si fyerje kundrejt teje. Sepse tek e fundit ti nuk je i vetëm. Ti je përfaqësues i turmës laramane që si jeni ngulur në një vend që ndan mentalitet krejt të kundërt me ju, nisni e ta urreni jetën në komunitet, njerëzit që zbresin nëpër shkallë e ngjiten me ashensor, trafikun e çmendur dhe vetë semaforët.
Por ndoshta vërtet nuk e dini që të gjithë këtë katrahurë ju e rëndoni edhe më shumë me veprimet dhe mosveprimet tuaja.
Dhe së fundi ata që duhet të ndihen të fyer çdo mëngjes kur dalin për të shkuar në punë e çdo mbrëmje kur rikthehen në shtëpi, janë ata që dinë të jetojnë me rregulla në qytet.
Mos e teprova gjë. Jo, se varet sa të mban kurrizi pa samar.
 
 
 
 
 

Tuesday, August 22, 2023

Gënjeshtra: “Njeriu shkeli në hënë”, e vërteta “Njeriu u ul në hënë”


Përtej Lajmit

Nga Leonard Veizi
 
Më 20 korrik të vitit 1969 Neil Armstrongu, një kozmonaut i NASA-s preku me këmbën e tij të majtë tabanin me pluhur të sipërfaqes së Hënës dhe u bë njeriu i parë i cili shkeli në një trup qiellor përtej Tokës.
Më 19 gusht 2023, anija hapësinore ruse “Luna-25” humbet kontrollin dhe përplaset në sipërfaqen e Hënës. Mes dy datave ka një hapësirë prej 54 vitesh.
Prej vitit 1969 e deri në mesvitin 2023, askush tjetër nuk është ulur më në Hënë. Kanë dështuar disa misione njëra pas tjetrës. Në një epokë ku teknologjia ka ecur përpara në mënyrë të jashtëzakonshme, njeriut i ka mbetur pa eksploruar planeti më i afër që është realisht dhe sateliti i tij.
Ndërkohë misioni “Artemis” bëhet gati dhe e shtyn në vazhdimësi uljen për herë të dytë të një sonde me njerëz në Hënë.
Së fundmi është lënë që “Artemis”, - i emëruar sipas perëndeshës greke të Hënës dhe motrës binjake të perëndisë “Apollo”, - do të dërgonte një grua në sipërfaqen e satelitit të Tokës deri në vitin 2024. Përveç uljes së gruas së parë në Hënë, “Artemis” gjithashtu do të dërgojë personin e parë me ngjyrë në sipërfaqen e Hënës.
Por deri tani këto kanë mbetur në letër apo përndryshe veç “ëndrra në diell”.
Pra: kemi pasur një teknologji më të prapambetur dhe jemi ulur në Hënë. Kemi një teknologji më të përparuar dhe nuk arrijmë të ulemi dot. Cili është realiteti? Është ulur njeriu në Hënë, apo kjo është thjesht një fabrikim?
Ndërkohë i referohem një libri ku flitet për pikëpyetjet nga më të mëdhatë që mundojnë botën. Dy autorët e librit voluminoz “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve”, Xhonatan Vanckin dhe Xhon Ueilen marrin në konsideratë disa nga pikëpyetjet duke pretenduar se kanë dhënë dhe zgjidhjen. Me nëntitullin “Misteret, mashtrimet dhe intrigat më të mëdha të historisë” përkthyer nga Valter File ka për titull orgjinal: “The Fifty Greatest Conspiracies of All Time” - Jonathan Vancki and John Whalen botuar në vitin 1995 nga “A Citadel Press Book - New York”.
Në pjesën “11” të vëllimit ndodhet kapitulli nën titullin “Mashtrimi “Apollo”. Që në nëntitull hedh dyshime nëpërmjet dy pikëpyetjeve: “Ku ka shkelur Neil Amstrongu, në sipërfaqen e Hënës, apo në një kinostudio super sekrete pranë Las Vegasit?”. “Në qoftë se NASA ka bërë këtë mashtrim fenomenal, përse e ka bërë, dhe cili ka qenë përfitimi i mashtruesve?”
Sipas autorëve, Amstrongu e kreu kërcimin e vet gjigant për lavdinë e njerëzimit jo 386.160 kilometra larg Tokës, në detin e pajetë të qetësisë, por vetëm 150 kilometra në veri të qytetit të Las Vegasit që gjallonte nga jeta, në një kinostudio super sekrete.
Më parë se kaq Bill Keizingu, shtroi teorinë e vet me hollësi në librin “Kurrë nuk kemi shkelur në Hënë; mashtrimi i tridhjetë miliardë dollarëve të Amerikës”, i cili u botua në 1976 dhe u ribotua nga “Health Research Books” në vitin 2002. Bill Keizing ishte kreu i njësisë së prezantimeve teknike në Laboratorin e Fushës së Propulsionit Rocketdyne nga viti 1956 deri në 1963. Kjo periudhë përfshinte planifikimin kryesor për motorin dhe komponentët e projektit “Apollo”.
“Mashtrimi për të cilin Amerika pagoi 30 miliardë dollarë”, - vë në dukje ai, - vazhdoi edhe me pesë zbritje të tjera të falsifikuara në Hënë dhe përfshin “fotografi të falsifikuara mirë”, shkëmbinj të falsifikuar hënorë dhe “astronautë të programuar”.
Sipas Xhonatan Vanckit dhe Xhon Ueilen, një regjisor me famë si Stenli Kubrik ka ndihmuar në plotësimin e planit, duke shfrytëzuar eksperiencën e vet nga filmi “2001: Odiseja kozmike”, një prodhim i vitit 1968. Pra, vetëm një vit përpara se ekranet televizive të trasmentonin Neil Amstrong duke shkelur në Hënë, regjisori Kubrik punoi edhe mbi efektet speciale hollivudiane, të nevojshme për të bërë të besueshëm sajesën e NASA-s për publikun jo dyshues.
Dhe ja si e përshkruan Keizing realizimin e projektit në vija të përgjithshme: “Një raketë e zbrazët “Saturn V” fluturon nga Florida para syve të një publiku të shumtë, nëpërmjet të cilës sajesa “Apollo” merr startin e autenticitetit. Mirëpo menjëherë porsa humbet nga vështrimi i njerëzve, raketa fantazmë zhytet në ujërat e Polit të Jugut”.
Po përse qe e detyruar NASA të falsifikonte fotografitë hënore të “Apollo”?
Keizing shpjegon se: me sa duket, agjencia kozmike u mor me këtë falsifikim të komplikuar, sepse pas dështimeve shumëvjeçare teknike dhe burokratike, u bë e qartë se NASA nuk do të arrinte të dërgonte njeri në Hënë të paktën deri në fundin e viteve ‘60-të. Për të mos u gjendur Amerika në një pozitë të pafavorshme para botës, NASA dhe fronti i padukshëm i ushtarakëve, seksioni i kundërzbulimit i Ministrisë së Mbrojtjes, përpunojnë një operacion super sekret, të cilin Keizing e quan “Projekti i fluturimit të simuluar të “Apollos”.
Madje ai shton se skenografët e NASA-s e kanë ditur, që do ta kishin të pamundur të gënjenin astronomët profesionistë me një sfond yjor artificial, në kushtet e mungesës së atmosferës.
Fakti që për 54 vjet me radhë asnjë këmbë tokësori nuk ka shkelur më në Hënë është një tregues dominant. Por konspiracionistët e sotshëm kanë avancuar edhe më tej. Për ta planeti Hënë, nuk është gjë tjetër veç një hologramë dhe praktikisht mbërritja e njeriut atje vazhdon të jetë e do të mbetet një ëndërr.
“Luna-25” dështoi. Të shpresojmë në suksesin e “Artemis”.

Friday, August 18, 2023

Shqipëria si Amerika, vendi ku mund të trepunësohesh e të mos tatohesh


Nga 
Leonard Veizi
 
Ca kohë më parë mendoja thellësisht për një punë të dytë, por meazallah se gjeja një të përshtatshme për profilin tim. Pastaj thashë me vete: duhet me punu edhe jashtë profilit.
Sot të lusin për punë. Kohët kanë ndryshuar. Dhe kjo më kujton një batutë romani e filmi bashkë:
-Mbarë po bëhet, shyqyr mbarë! Mban mend, vjet nuk kish kaq shumë njerëz. Ishin më të dëshpëruar njerëzit vjet. Sivjet ka qejf, ka qejf, ka para... – i thosh kamerieri që fërkonte duart nga kënaqësia, banakierit, tek “Përballimi” i Teodor Laços, pasi kish porositur për të tërhequr nga banaku dy shishe raki, që i kërkonte një punëtor i fabrikës së miellit.
Që vende pune ka por nuk ka specialistë kjo nuk do as mend as kalem. Madje ka aq shumë sa kam frikë se shumë shpejt do jem duke bërë punë në ndihmë të sezonit turistik. Ndaj mos u çudisni nëse ndonjë ditë do të më shihni pas banakut duke mësuar të bëj kafe turke, dhe duke shfryrë ekspresin e kafesë. Sepse me siguri ndonjë pronar lokali, do më kapë për zverku e do më fusë në punë:
“Nuk kemi personel vëlla. Mjaft e ke zënë tavolinën me një bidon uji dhe duke parë celularin. Na e jep një dorë ndihme!”
Kjo situatë e stisur në mendjen time funksionon si balancë meqenëse prej kohësh flitet se punë ka sa të duash por nuk ka profesionistë.
-Moj Frosë nuk di si të ta shpërblej po më rregullove çupën në punë. Vendin ia kam gjetur. Një copë banakiere e parë...
Epo ja, kështu përsëritet historia.
Duhet me punu vëlla se me një zanat nuk i dilet. Pensioni po afron e kështu duhet me pat nëpër xhepa “argumenta të forta” ndryshe përfundon te gaveta e supës që jepet nga organizatat jofitimprurëse për njerëzit pa mbështetje e pa përkrahje.
Qoftë larg! Sa të na punojë dora e mendja... do t’i shfrytëzojmë.
Po ja, nëse deri dje shikonim rrugës dyqane, gjithfarë pusullash që kërkonin shitëse butiku apo personel për bare-restorante, ku kushti kryesor ishte diploma e shkollës së lartë, dhe nja dy-tri gjuhë të huaja në dispozicion, -por edhe me përvojë disavjeçare, - sot të luten edhe të thonë se ka shkuar aq keq puna sa kushtet kanë rënë të gjithë mjafton të pranosh të punosh.
Ore, u bë deti kos... e ia arritëm ta shohim, që Zotit i qofshim falë, jarebi!
Shqipëria po zien nga vala e turistëve të huaj. Por po të ndjekësh lajmet në televizor, do të të duket vetja si në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ku flitet për tejkalim plani në të gjitha sektorët, edhe pse në fakt njerëzia kish nisur racionimin dhe furnizimin me tallon.
Propaganda... Propaganda... Propaganda. Tri herë “Propaganda” – Ec aty, të keqen e Gëbelsit. S’ka rëndësi se çfarë bën. E rëndësishme është se çfarë reklamon.
Në këto ditë të nxehta vere, shumë pronarë kërkojnë krahë pune se kanë mbetur pa punëtorë. Ata që kanë pasur ia kanë mbathur në Europë. Ca nëpër vendet latine, të tjerët në hapësirat Gjermanike e ca më të fortë kanë marrë me not detin e kanë mbërritur në ishullin britanik.
-Po këtu kush do punojë o babam?
Fjalët që dolën poshtë e lart se në Shqipëri të mësynte krah i lirë nga Bangladeshi nuk zuri vend.
Dhe nisin nga puna si kamerier e banakierë djem të rinj shkollarë që janë me pushimet e verës, krejtësisht të patrajnuar e që s’dinë të mbajnë as tabakanë në dorë, por që u duhet ndonjë lek të shtyjnë dimrin kur të shkojnë përsëri në shkollë.
Dhe pronarët janë vazhdimisht në kërkim. Se ç’është e vërteta asnjërin prej tyre nuk e la mendja t’i përvishet punës e të bëjë një rol në pronën e tij... Ai është thjesht shefi. E kemi këtë të mirë ne shqiptarët. Shefi drejton, nuk punon. Prandaj dhe kemi ca dëshirë të bëhemi të gjithë shefa. Jemi apo s’jemi shqiptarë.
Ndaj mos u çuditni ndonjë ditë kur të më shihni duke u trajnuar tek ekspresi i kafesë dhe tek mbushja e gotave me uiski, pa njësi matëse, thjesht me sy.
-Ma mbush një dopio usta... me akull se mos harrosh.
-Çfarë thu mor jahu. Me akull origjinal të marrë drejt e nga Poli i Veriut, jo nga ai i gatshmi që bëhet me ujë lumi.
Por është bërë keq dhe për profesione më të ulëta për nga rëndësia, siç është roje apo lavazhier. Edhe këta nuk gjenden kërkundi.
Dhe nuk do jetë çudi që kur të shkoj për të larë makinën, i zoti i punës të më thotë: Të vë në dispozicion stekën e ujit me presion dhe detergjentet, si dhe gjysmën e çmimit, por të kam rixha merr leckat dhe futju vetë punës se jam tek pullë këto kohët e fundit aq sa nuk po marr dot frymë.
Kështu dhe nuk tatohesh, se në fund të fundit makinës tate po ia bon hyzmetin.
Gjatë një vizite të shkurtër që isha në Amerikë, në kontakte me miq e shokë shqiptarë, kur i pyesja për çështje pune ma kthenin: A ke fuqi vëlla se punë ka sa të duash.
Dhe kishin filluar shqiptarët e shkretë të bënin dy e tri punë. Edhe të jetonin edhe të mblidhnin ndonjë para mënjanë.
Kjo ditë erdhi dhe në atdheun tonë, buzë Adriatikut.
Ore po si e kapëm veten kaq shumë. U hapën frontet si asokohe në Socializëm, kur brigadat me vullnetarë dilnin të vrisnin karkalecët që dëmtonin prodhimin? Përgjigja që i vjen pyetjes është ca e hidhur, por ne jemi mësuar tashmë me të.
-E jo a ty mbylltë, ka ikur tërë rinia jashtë. Pse të punojë kamerier në Shqipëri me 100 lekë të vjetra bakshish kur këtë punë e bën në një nga vendet e zhvilluara të Evropës dhe qesenë e ka plot?!
Atë thuaj!
Por çdo e keqe e ka një të mirë. Ja ne që kemi mbetur mund të punojmë sa na mban vuxhuti. Që të mos ketë vend shprehja: Punë ka por s’ka profesionistë. Sepse duhet modifikuar. Punë ka por dhe profesionistët i kemi.
Duhet me pa për një punë të dytë e pse jo dhe një të tretë. Se jeta është edhe e gjatë edhe e vështirë.

Wednesday, August 16, 2023

Nga Pogradeci e Tushemishti në Shën Naum e Ohër, gjatësia e një vije turistike

 

Shënime Udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Si fillon e zbret nga kuota më e lartë e Qafës së Thanës, edhe pse e ke parë me dhjetëra herë, pamja duket po aq befasuese sa dhe kur je ndeshur me të për herën e parë. Është liqeni i Ohrit. Disa kilometra më tutje, si ke lënë në të majtë Linin e famshëm të shqiptarëve, përballesh me pamjen urbane të qytetit të Pogradecit...
 
 ...Ditët e verës janë edhe të gjata edhe të nxehta. Pushimet e tua mund t’i përdorësh si të duash. Mund të qëndrosh i shtrirë në një shezlon me çadër mbi kokë dhe të freskohesh me ujët e liqenit. Por mund të gërmosh aty-këtu, për të gjetur mundësi të tjera relaksimi, të cilat ndonjëherë quhen dhe si: pushime kulturore.
Një shëtitje turistike në një aks që përvijohet nga Pogradeci në Ohër është një prej tyre.
“Si i bëhet me dal nga kufiri, çfarë dokumentesh duhet?”, - pyes. Se sado i sigurt që të jesh, e mira është dhe të pyesësh. “Kartë identiteti, dokumentet e makinës dhe... kartën jeshile mos e harro”. Shoh dokumentet e makinës por nuk kam asnjë letër jeshile. “Çfarë është karta jeshile”. “Siguracioni vëlla. Mos u bëj merak se e pret dhe në kufi. Vlen për dy javë”. “Ç'thua ore, unë dy orë dua të rri matanë kufirit, se kam punë. Nejse. Ka ndonjë mënyrë tjetër për të kaluar doganën?”. “Ka si s’ka. I shikon ato taksitë atje? Merr një prej tyre dhe je si Pasha. E ke në dispozicion. Rri në Ohër jo dy orë po katër po deshe”. “Rrofsh o Bej!”.
Marr taksinë. 50 mijë lekë të vjetra pazari. Rrasemi familjarisht nëpër sedilje. Unë përpara, meqenëse isha si Pasha. Shoferi nga Pogradeci. Burrë i shtruar. Ai bën në mënyrë të shkëlqyer edhe udhërrëfyesin tonë. Ta paguash guidën dhe s’ke ku e gjen, jo më ta kesh brenda paketës.
Google maps-i raporton se nga Pogradeci deri në Ohër janë 53 kilometra të cilat përshkohen për 1 orë e 5 minuta. Nga Pogradeci në Shën Naum janë 12 kilometra dhe distanca shkurtohet ndjeshëm kur mbërrin në pikën e kalimit të kufirit. Shumë njerëz preferojnë që këtë distancë ta bëjnë në këmbë, në formën e një pelegrinazhi.
 
Tushemisht e përpjetë
“Ndalesën e parë dua ta bëj në Shën Naum”. “Patjetër, - ma kthen udhërrëfyesi unë. – Ku do shkosh pa parë Shën Naumin?! Kishën e famshme. Ka vlera po aq sa dhe Kisha e Laçit. Është vend mrekullirash”. Udhërrëfyesi fliste me aq pasion sa të jepte përshtypjen e një ortodoksi të thekur, edhe pse nga emri merrej vesh qartë që ishte mysliman safi.
Në rrugën që të çon nga Tushemishti deri në pikën doganore bëheshin punime. Rruga po zgjerohej e asfaltohej.
Eh ta lumsha moj Qeveri!
Doganën shqiptare e kalojmë pa problem. Tek ajo maqedonase, si ngadalësojmë para tabelës “Stop - Policija” udhërrëfyesi më thotë: Kujdes me celularin, se këta nuk kanë qejf t’i regjistrosh. E futa celularin menjëherë mes këmbëve dhe sediljes së makinës. Nuk kisha frikë se mos ma sekuestronin, por jarebi më cilësonin “non grata”. Ec e të hiqja njollën pastaj.
-Zdravo! - përshëndet miqësisht udhërrëfyesi, i cili ngaqë e bën shpesh këtë punë është miqësuar me policët shqiptarë e ata të Maqedonisë së Veriut.
-Zdravo! - ia kthen tjetri me një gjysmë buzëqeshje dhe merr dokumentet që i verifikon në kompjuter.
Kalojmë pa eksese. Se nuk është ndonjë çudi që me Ballkan të Hapur a me Ballkan të mbyllur, në pikat e kalimit kufitar, ne shqiptarëve të na gjejë belaja për hiçmosgjë. Marr frymë thellë dhe me nxitim nxjerr celularin të regjistroj.
-O vëlla, këta qenkan copë-copë, - i them udhërrëfyesit, duke i treguar rrugën e ngushtë. – Kot e shajmë qeverinë ne shqiptarët. Me fondet që po hidhen, Pogradeci do bëhet... – Tjetri më shikon në sy me habi, e unë ngaqë s’di ç'të them më ia mbys -  ...si Venecia.
-Inshallah, - ma kthen tjetri.
Makina-taksi merr majtas ndërsa një tabelë na paralajmëron “Sveti Naum”.
 
Ndalesa në Shën Naum
Një rrugë e drejtë, krejtësisht e gjelbëruar dhe fort e pastër më bëri t'i rimendoja fjalët që kisha thënë pak më parë. Të paktën të kisha gjetur një qytet nga jugu i Italisë për të krahasuar Pogradecin. Barin për shembull. Ose Leçen.
I gjithë vendi i quajtur “Shën Naum” që thuhej se ishte në pronësi të Kishës, ishte një mrekulli. Buzë liqenit bëhej plazh dhe brenda në liqen lëviznin plot mjete të vogla lundruese, por dhe anije më të mëdha në formën e një trageti.
Manastiri dhe kisha, që në tabelat orientuese shkruhej “St. Nahum” ishin fort të mirëmbajtura. Vendi është një atraksion i vërtetë, ku turistëve të shumtë që vizitojnë ambientet dhe bëjnë fotografi u bëjnë shoqëri edhe fazanët që lëvizin qetësisht në territorin përreth.
Tek Kisha njerëzit ndezin qirinj. Ata blihen me dinarë, euro, por dhe me lekë shqiptare. Dhe si ke kryer këtë ritual, mund të pish pak ujë e të lash sytë tek një çezmë, për të cilin thuhet se është mirë të marrësh edhe një bidon me vete.
 
Histori problematike
Në historinë zyrtare thuhet se Shën Naumi është manastir ortodoks buzë liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, i dedikuar Shën Naumit mesjetar që e themeloi. Enciklopedia Zyrtare e botuar në vitin 1985 shkruan se “Shën Naumi është një nga manastiret më të njohura shqiptare, 10 km në verilindje të Pogradecit. Manartiri i kushtohet kryeengjellit Mëhill. Manastiri mendohet të jetë ndërtuar në vitin 900 nga Naumi i cili punoi, vdiq dhe u varros atje më 910. Gojëdhënat thonë që Shën Naumi e ka varrin në kishë”.
Si pasojë e mistifikimit është menduar se kisha ka rezistuar më shumë se 1000 vite. Por dokumentet thonë se gjatë sundimit otoman ajo u shkatërrua dhe u ndërtua sërish.
Enciklopedia Shqiptare vazhdon: “Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonku (trifletëshi). Kisha e sotme është ngritur rreth shek. XVI mbi të parën. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të Kostandin Jeromonakut, piktor i fundit i shekullit XVII-XVIII që ka punuar në zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan, shquhet për elementet baroke perëndimore, të cilat ushtruan ndikim në piktorët e mëvonshëm. Piktura murore e kishës është vepër e vitit 1806 e Tërpo Korçarit, i biri i Athanas Zografit. Edhe kishëza e vogël, një ndërtim i mëvonshëm, gjithashtu është e pikturuar. Në brezin e sipërm shtjellohet cikli i mrekullive të Shën Naumit. Mbi arkivolin e Shën Naumit paraqitet në një kompozim origjinal vdekja e tij, ku midis figurave që vajtojnë dallohet qartë Klementi i Ohrit”.
Çështja e Shën Naumit, historia e kalimit të tij nën administrimin e ish-Jugosllavisë në vitin 1925, është pjesë e historisë së ndërlikuar të kufijve shqiptarë.
Enciklopedia Shqiptare, prodhim i Akademisë së Shkencave, e cila nuk ka ende një të dytë, thotë se: “Në korrik 1925 Shën Naumi iu dhurua Jugosllavisë nga mbreti Zog si shpërblim për ndihmën që dha ajo për shtypjen e Revolucionit të Qershorit dhe për kthimin e tij në Shqipëri”.
Iu dhurua jugosllavëve, nga ana e qeverisë së Ahmet Zogut, u shit apo u shkëmbye, kjo është një çështje që i takon historisë. Sepse në “shënime udhëtimi”, kur ke shkuar për të shëtitur, për t’u shëllyer në diell apo për të ngrënë ndonjë pjatë me piskavica, është e tepërt të nisësh të gjykosh çështje ku historianët vazhdojnë të përplasin dokumentacionin pa arritur të ratifikojnë një version shterues. Por ajo që duhet e s’ka nevojë për argumente të shumta është fakti se Shën Naumi, ashtu si dhe shumë toka të tjera të Shqipërisë Etnike, mbetën jashtë kufijve të shtetit Shqiptar.
 
Në Ohrin e vjetër dhe të ri
Mbërrijmë në Ohër. Dukshëm qyteti ka fytyrën dhe stilin jugosllav, po aq sa dhe qytetet e mëdha të Kosovës. Pedonalja e qytetit, e cila të çon deri në buzë të Liqenit atje ku ndodhet moli, - dhe ku dukshëm janë vendosur monumente shenjtorësh, si ai i Shën Klementit, - ka ngjashmëri me pedonalet e qyteteve shqiptare, ku në njëfarë mënyre do të gjesh një lloj orientalizmi nëpër dyqanet që të ofrojnë gjithfarë sendesh, veshmbathje dhe sidomos ushqime zgare me yndyrë.
Shumë më tepër se pjesa urbane e moderne e qytetit, më intereson ajo e vjetra ndërtuar në shpatin e kodrës, në majë të së cilës ndodhet dhe një kështjellë.
Ohri është njëri nga qytetet më të vjetra e më të vizituara në Maqedoninë e Veriut, por edhe nga qytetet me identitet të theksuar historik dhe turistik. Ohri është i vendosur në brigjet verilindore të Liqenit të Ohrit, kurse prapa ka malin e Galiçicës i lartë 2255 metra, mal që ndan dy liqenet, të Ohrit dhe të Prespës.
Qyteti ka rreth 50 mijë banorë, nga të cilët përqindja më e madhe i takon komunitetit maqedonas. Në qytet ka mbetur vetëm një lagje në Pazarin e Vjetër, ku ende flitet shqip. Por para një shekulli qyteti kishte 80 për qind popullsi shqiptare.
Para 2400 vjetëve, me emrin Lyhnida, Ohri është themeluar nga fisi ilir i enkelejve qysh në parahistori. Nga viti 148 p.e.r. ka rënë nën pushtimin e Perandorisë Romake, periudhë gjatë së cilës u zhvillua sepse gjendej në rrugën e vjetër dhe më të rëndësishme romake në Ballkan, Via Egnatia. Gjatë mesjetës së hershme, në vitin 867, qytetin e pushtuan bullgarët, të cilët e shpallën kryeqytet të perandorisë së tyre si dhe qendër kulturore.
Liqeni i Ohrit, i cili konsiderohet më i vjetri në Evropë, së bashku me qytetin janë ndër trashëgimitë kulturore dhe natyrore të UNESCO-s që nga viti 1980.
Kalaja e Samuelit, është një nga vendet më të rëndësishme kulturore dhe historike. Gjatë historisë, kalaja është rrënuar dhe rindërtuar shumë herë, kështu që mban gjurmët e pothuajse të gjitha epokave historike të qytetit të Ohrit. Shumica e mureve të kalasë dhe periferisë, së bashku me kullat e ruajtura, mendohet se datojnë që nga koha e mbretit Samuel. Sot janë ruajtur 18 kulla dhe katër porta të kalasë.
Menjëherë poshtë kalasë ndodhet Teatri Antik i cili është përdorur në periudhat helenistike dhe romake. Mendohet se u ndërtua në shekullin e 3-të para erës sonë. Nga kjo epokë dhe nga periudha e mesjetës janë ruajtur shumë artefakte. Teatri Antik është rinovuar tërësisht dhe që nga viti 2001 në skenën e hapur janë vënë në skenë drama, koncerte muzikore, shfaqje dhe manifestime të ndryshme.
 
Kthimi në Pogradec
Pasditja na gjen në Pogradec. Kur je në shtëpinë tënde di të kullandrisesh më mirë. S’ka nevojë as për euro e as për dinarë. Lekut tonë ia dimë marifetet. Merr vesh sa do paguash e sa kusur do të të kthejnë.
Pogradeci është nga qytetet më relaksuese. Paradite bën plazh, e natën fle me batanije. Madje po të bjerë ndonjë dorë shi, të duhet dhe një xhaketë të përballosh uljen e temperaturave. Por ndihesh shumë më mirë kur sheh aplikacionin që të tregon se në Tiranë temperaturat janë aq të larta sa mund të ziesh vezët pa korent.
Pogradeci gjithashtu ka një lagje të vjetër me ndërtime karakteristike. Ka dhe disa kisha ortodokse mjaft interesante. Dhe në majë të një kodre janë mbetjet e një kalaje të lashtë. Pra ka gjithçka që ka dhe Ohri. Por zakonisht ndodh që kur shkon për vizitë tek tjetri, edhe pse kondrabufenë dhe tavolinën e mesit e ka po si të tuat, ato të duken më të bukura.
Bela e madhe.
Pasdite, në Odeon mbahet një koncert instrumental ku interpretojnë një trupë e ardhur nga Teatri i Operas dhe Baletit, me soprano e balerinë si pjesë e saj. Koncerti është spektakolar. Njerëzit që janë mbledhur për t’u argëtuar nuk e kanë mendjen as tek kuarteti i harqeve, as tek sopranoja dhe as tek balerinët që luanin “Arrëthyesin” dhe “Liqenin e mjellmave”. Madje nënat me fëmijë, të cilave iu këshillua të mos i linin të vegjlit të luanin në skenën e Odeonit, bënë të kundërtën.
Jemi të paparë... ndaj dhe jemi shqiptarë.
Por argëtimi vazhdon, sepse në një nga lokalet e shumta mes shëtitores dhe buzë liqenit, një orkestër luan “live” jo vetëm serenatat e Korçës por dhe potpuri nga Shqipëria e Mesme.
Dhe kështu vjen mesnata, ku duhet të shkosh e të mbledhësh kockat në shtrat se në mëngjes mund të ndërmarrësh një tjetër rrugë panorameske, por këtë herë brenda territorit shqiptar.

Friday, August 11, 2023

Makthi i takimeve me njerëzit në rrugë: Më boto një shkrim në gazetë!


Nga Leonard Veizi
 
Më ka zënë tmerri të takoj njerëz në rrugë. Është e sigurtë që 99.99 përqind e atyre që takoj, pa më dhënë dorën e pa më pyetur fare për shëndetin a për familjen, thjesht më kërkon një informacion që dihet, por që duhet konfirmuar edhe një herë drejt e nga burimi:
-A punon më në gazetë???
Deri dje u jam përgjigjur me krenari e gojën plot: PO. Sot nuk di ku ta fus kokën e si të gënjej, se thonë që fshati që duket nuk do kallauz. Sepse fill pas pyetjes së parë dhe pohimit, vjen pyetja e dytë që përsëri nuk ka të bëjë as me shëndetin dhe as me familjen: a do më botosh një shkrim?
Në vend mor jahu, ça thu ti?! Unë në bahçen e kooperativës punoj, pse mos e botoj dhe shkrimin tënd. Aty në thes me të tjerët.
Por kjo punë ka marrë përmasa të gjera. Aq të gjera sa habitem. Sepse të gjithë duan të botojnë shkrime… Nuk ka njeri të mos e ketë shkruar një shkrim sa një studim.
Ore ka njeri në këtë vend që punon si tornitor, a ka në treg ndonjë frezator, a ndonjë axhustator. Se po më duket vetja si në kohën e Rilindjes, të gjithë me laps e penë për Mëmëdhenë.
Të gjithë shkruajnë, ngrejnë probleme shqetësuese… por bëjnë dhe qoka, më së shumti. Pastaj vijnë vërdallë të gjejnë ndonjë mik në gazetë e kërkojnë me këmbëngulje t’ua botosh. Dhe jo vetëm kaq por dhe t’ua nxjerrësh në faqen e parë, përndryshe zemërohen. Dhe përsëri tek unë përplasen.
Kjo më kujton batutën e filmit “Zëvendësi i grave”.
-Me çfarë po merresh tani Maku? - Me futboll. - Po me kë luan? - Ah jo, janë të tjerët që luajnë me mua. Unë jam topi.
Dhe mua më duket vetja si kosh. Të gjithë zbrazen tek unë për të përmbushur ambiciet e tyre. Më sjellin shkrime, si Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, që në ëndrrën e përnatshme shihte familjarët me letrat dhe telegramet e ushtarëve të vrarë në dorë: Divizioni i Hekurt, Regjimenti Lavdia, Batalioni Alpin… Merrini ua botova. Ishte një terren i vështirë dhe shpesh bënte mot i keq…
Shkund kokën. Ç’është ky haluçinacion? Ekzibicionizëm… Ëndrra prishet. Realiteti vazhdon.
Formula, si për çudi, është e gatshme, një për të gjithë. Ndoshta e kanë lexuar në internet, se të jetë rastësi e gjitha kjo më duket si çudi. Dhe ja: ai të thotë: Shikoje një herë shkrimin, ke dorë të lirë, po qe se nuk bën mos e boto. Dhe ti nuk e boton… meqenëse ke dorë të lirë. Por pas tre ditësh ai të merr në telefon e të vë me shpatulla për muri: Si ore nuk ma botove atë shkrimin tim? Po sikur më le dorë të lirë o vëlla? Se dhe të vjen keq t’i thuash që nuk bënte se demek kishte gabime parimore. Shfryj e mundohem ca, si përfundim arrin t’ia botosh atë palo shkrim, dhe mendon se më në fund do të të bien veshët rehat. Mirëpo kush të lë? Që në mëngjes bie zilja e celularit. Mendon se po të të shqetëson për të të falenderuar. Ia vlen shqetësimi…. tek e fundit. Por buzëqeshja të ngrin në buzë.
-“Po mirë mo, kaq problem e kishte të ma nxirrje në faqe të parë?” – Ou… e pse kështu? – “Po kush e di se kam botuar një shkrim ku kam ngritur probleme thelbësore të ekzistencës… po s’u lexua emri në mëngjes kur lexohen titujt e gazetave në televizor”?.
Po kësaj çfarë t’i thuash?!
Ndihesh i turpëruar. Se nuk ia bëre nderin deri në fund atij që të erdhi tek dera.
Dhe siç e përmenda më parë, kjo është një formulë që në mënyrë uniformë e përdorin të gjithë.
Ore, unë gazetar jam. Se gazeta ka dhe redaktor, edhe kryeredaktor dhe drejtor… Janë shumë yçkëla rrugës. Ose thënë ndryshe, filtra. Pse çfarë u bëra unë? Kulti i individit. Vetë firmos e vetë vulos. Pastaj jo të gjitha shkrimet dalin në faqe të parë. “Lëre-lëre, më mirë mos të ma kishe botuar fare”. Po unë s’ta botova ore, për kokën tënde. Po ç’të të bëj që më gjete dhe mik të fortë e ma kape kokën me derë…
-Kësaj i thonë hip se të vrava e zbrit se të vrava. Si do vejë ky halli im?
-I ziu ti.
Së fundi kam ndryshuar taktikë. Kur më pyesin: “Punon akoma te gazeta” dhe kjo nuk do konfirmim, përgjigjem me kokën lart: – Po vëlla!
-Do më botosh një shkrim?
-Jo!
Shkurt dhe saktë.
Pse mo kaq të vështirë e ke? Është shkrim i mirë, flet për rendimentin e grurit, dhe për hapjen e tokave të reja, për kultivimin e panxharit. Pastaj ju çfarë nuk botoni…
Dhe ky është njëri nga modelet, se modeli i dytë është: Ti boton shkrimin e parë ai me vrap të sjell shkrimin e dytë. Dhe me një shënim të veçantë: Është e mira ta botosh që nesër. Të këput tjetri. Nuk bëhet shaka me të. Po pse me kaq axhele? Se ashtu është puna.
-Kësaj i thonë: më bëre një herë nder, të faleminderit.Të dytin do ma bësh se e ke për detyrë!
Ore nuk po punojmë me normë këtu. As nuk e mbulojmë sektorin e qokave… Pse nuk hap një gazetë tënden dhe boton çfarë të të dojë kokrra e qejfit.
Dhëmbët zbardhen.
Shaka.
-Ama shaka gjete të bësh dhe ti?!
E megjithatë një gjë ende nuk kam arritur ta kuptoj. Përse duan me se s’bën të jenë njerëz publikë, e të botojnë shkrime pa asnjë vlerë vetëm e vetëm që të jenë për ca orë në qendër të vëmendjes ku shokët e miqtë t’u dërgojnë mesazhe: Urime për shkrimin! E dëgjova në mëngjes te Bashkimi. PS: Pak më vonë do ta lexoj se tani po çoj qumështin në shtëpi.
Dhe mendoni ju se ka nge njeri të lexojë. Hiç fare.

Skëllevërit e rinj të një rendi të vjetër


Nga 
Leonard Veizi
 
 Sapo Ti lind dhe qan për herë të parë në këtë botë të panjohur për ty, më përpara se nëna jote të vjen Shteti dhe të vendos nën kokë në vend të jastëkut një çek letër me një shifër modeste. Dhe ky është hapi i parë për të të krijuar një ide të rreme se ato pak qindarka një ditë do të bëhen sa një mal e Ti do jetosh si milioner në jetë të jetëve. Ndërsa vetë ai, Shteti, do jetë pas teje e do kujdeset për ty deri në vdekje, madje më shumë se vetë nëna, e cila lehonë mezi pret radhën të të takojë. Se ti para se të jesh bir i nënës tënde, je matrikulluar si punëtor i rradhës dhe si ushtar fronti, gjithmonë për interesat e Shtetit.
Askush nuk e njeh, por të gjithë e kanë frikë, prandaj kanë nxjerrë dhe shprehjen e famshme: Shteti (qeveria) e kap lepurin me qerre.
Ti kujton se Shteti vërtet po kujdeset për ty, se të jep falas ujë, sapun dhe brisk për t’u rrojtur. Por ç’është e vërteta, kur Ti vdes Shteti nuk është se të hedh ndonjë lopatë dhe. Vetëm arshivon numrin tënd të matrikullës dhe fërkon duart që pikërisht Ti, zevzek dhe i letuar, muajin pasardhës nuk do të kërkosh më ilaçe të rimbursueshme dhe nuk do të marrësh më pensionin. Kështu që shteti që të premtoi aq shumë në fillim të lë në mes të rrugës sepse më parë se kaq të ka hedhur në mes të rrugës. Por ty do të të mbulojnë përsëri. Sepse edhe po të mos kesh njeri të afërt, do gjenden ca fqinjë që do mundohen të bëjnë kuotën për një varrim modest me një gur mbi kokë. Ndërkohë Ti gjithë jetën tënde ke punuar më shumë për Shtetin se sa për veten tënde.
Ti je nënshtetas, ke një emër, por për Shtetin je veç një numër – të cilin e ke në matrikull – dhe një krah pune, sigurisht.
Ti je i lumtur se të kanë mbushur mendjen se të është dhënë dhurata e jetës. Ndërkohë që Shteti, të merr frymën pak nga pak duke të përmendur orë e çast se dhurata vërtet është falas, por Ti duhet ta meritosh atë. Ndaj duhet të punosh dhe të prodhosh sa më shumë për të mirën e…Shtetit. Mundësisht edhe ditën e pushimit, si punë vullnetare. Se zëri i taksave në faturë rritet gjithmonë.
Pra jeta nuk ëshët aq e lehtë sa duket në fillim.
Ndaj Ti punon tëre jetën për diçka abstrakte që quhet: Shtet. Që kërkon para prej teje të mbajë administratën, ushtrinë, policinë… Ti je i taksuar në çdo hap që hedh. Dhe kur refuzon se të ka ardhur shpirti në majë të hundës, policia e paguar prej teje të vë prangat. Drejtësia e paguar po prej teje të dënon me heqje të lirisë. Ndaj Ti duhet vazhdimisht të paguash, qoftë dhe duke qëndruar në një qeli burgu me krevat marinarësh. Sepse shteti abstrakt nuk ngopet asnjëherë. Madje të thotë pa pikën e turpit: këto para po i përdor për të mirën tënde.
Kjo moto përsëritet edhe kur Ti shkollohesh me paratë e tua se shteti nuk të ofron atë që duhet, mjekohesh duke paguar një mjek privat që punon dhe në shtet, edhe pse Ai rrogën e merr prej teje.
E për çfarë të duhet Shteti, atëherë??? Që deputetë e zyrtarë të lartë që marrin rroga të majme dhe shëtisin me makina që kanë motor sa një lokomotivë, me paratë e taksave të cilës paguan Ti?! Se po si pagove përsëri, institucione ligjzbatuese të tregojnë qelinë e burgut, gavetën e supës dhe… sapunin.
Hëm… të keqen e Shtetit.
Shteti, ky term abstrakt na ka hipur mbi shpinë.  Dhe pse me gojën plot përditë na thotë atë që nuk duhet ta harrojmë: Ne për Ju mendojmë!
Kohët e fundit në një shtet si Italia, shteti vendosi një taksë prej 40% mbi fitimet e marra nga normat e interesit. Në një shtet si Shqipëria, shteti po orvartet të bëjë ligj e të të detyrojë të sigurosh shtëpinë nga tërmeti. Kjo do të thotë më shumë para për shtetin dhe më pak për Ty. A nuk të duket se je veç një skllav që paguan veç detyrimet?
-Po si pak o zoti Lam. A e di sa jam lodhur?
-Hë, ju brekgrisurit vlerësoni më shumë një grusht mistër se sa kokën.
Në shtete të tjera, shtetet mundohen të gjejnë hapësira për të të shtuar ndonjë taksë. Sepse gjobat janë risku i përditshëm i çdonjërit prej nesh.
Dhe ti vazhdimisht paguan.
Thuhet se vetëm ajri ka mbetur pa u taksuar. Sepse uji si domosdoshmëri jetësore, që dikur pihej në çezmat e lagjeve, tani është konservuar nëpër bidona e blihet në dyqan. Dhe për ujin paguan sa frëngu pulën. Do pish kafen me një bidon uji. Do hash drekën me një shishe uji. Dhe llogaria në fund të muajit të bie që ke paguar për ujin po aq sa për ushqimin.
Po ajri? Vërtet ka mbetur i pataksuar dhe shteti mendon aq shumë për ne sa atë na e ka lënë falas, si bonus?
Ky është një gabim shumë i madh. Dhe këtu duhet vënë në punë truri, për të gjetur kleçkën. Pikërisht ajri, oksigjeni jetik është më i taksuari. Sepse Ti nuk thith dot oksigjen të pastër. Do ta thithësh të ndotur e të mbushur me gazra sulfurikë. Dhe mushkëritë e tua do dalin jashtë funksionit më shpejt nga sa i kanë orët e punës. Pastaj do bëhesh një pacient i poliklinikës së lagjes dhe më pas i spitalit onkologjik. Dhe do paguash aq shumë para sa s’ta merr mendja që të mund të thithësh pak oksigjen të pastër përmes aparaturës.
Dhe kështu Ti mbetesh një skllav i ri në Shtetin që je munduar aq shumë ta ngresh vetë. Por që ai të është kthyer kundër e nuk pyet më për Ty. Nuk pyet as për atë mundim të madh derisa Ti e ngrite dhe e vure në lëvizje me qëllimin e mirë që të të shërbente. Ai tani nuk njeh më Zot, dhe flirton vetëm më atë që hipën në pushtet dhe merr timonin. Flirton me atë që është kryekuzhinier dhe ka në dorë tepsinë.
Sepse ai tanimë ka marrë superxhiro dhe askush nuk mund ta ndalë më. Ai mund të të shtypë nëse Ti padashur i del përpara, dhe të shtyp pa mëshirë nëse Ti i del vetë përpara duke bërë përpjekjen e radhës t’i prishësh ndonjë ingranazh me qëllim që ta ndalësh. Por në këtë dyluftim ai do të dalë triumfues, si gjithmonë.

Wednesday, August 2, 2023

Në satirën e hollë të Minella Borovës


Nga Leonard Veizi
 
Në galerinë e roleve të tij numërohen 17 personazhe të ndryshme filmikë dhe ato shtohen më shumë kur bëhet fjalë për të paktën edhe 50 role të tjera në skenën e teatrit. Por gjerësisht ai u njoh dhe si pedagog i “Mjeshtrisë së Aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Si aktor filmi Minella Borova fitoi emër të mirë, sepse realizoi një spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme, por ku më shumë u shqua si aktor i planit satirik. Me siguri, sepse dinte të hidhte batutën aty ku duhen dhe ashtu siç duhej.
-E mor vëlla, merr shembull nga ky ti. Ky ustai nuk ndihet fare. Veç prite, prite kur të vijë ndonjë ditë e të na thotë: E di si është puna, liromëni një çikë dhomën se do të sjell nusen. Epo si do thoshte i madhi Gani në të tilla raste: Është se ç’është, mbushin tre gota dhe çfarë bëjnë?
-Pijnë Fato, pijnë. Po jo tre, katër...
Këtu ai është në rolin e Fatos tek filmi “Rrugë të bardha” që kishte preferuar ta festonte Vitin e Ri me shokët e tij.
Por ai ka sjellë në mënyrë të shkëlqyer rolin e oficerit o OVRA-s, që ishte shërbimi sekret i ushtrisë italiane, tek filmi “Në fillim të verës”, kur i dehur e i bërë tapë sa nuk e mbanin këmbët, shkon të provokojë një oficer shqiptar.
-Nuk ju pëlqen vizita ime. Domosdo, unë nuk jam as zoti Piçioni, as zoti Bertini. Jam një oficer i vogël i perandorisë.... Mos u shtirni! Ju nuk jeni hero! Ju, bie fjala, do të zgjidhnit më mirë shtratin e butë të sinjora Bertinit se sa një qeli ftohtë e të lagur...
Por një rol kryesor plot kripë e piper Minella Borova do të merrte tek filmi “Udhëtim në Pranverë”, ku ai ishte shofer Skode dhe kishte rënë në dashuri me Valbonën që ishte këngëtare ansambli, por që nuk arrinte dot t’ia shprehte dashurinë.
-Prapë nuk i thashë. Për të gjitha thonë se jam djalë i shkathët, por kur vjen puna për dashurinë, atje benzina sikur ka ujë. Nuk ecën fare.
Dhe po aq satirë e humor ai sjell dhe rolin e drejtorit të shtëpisë së kulturës tek filmi “Rrethimi i Vogël” ku meqë kishte kunatin Kryetar Komiteti, e nuk punonte dot se s’ia kishte idenë asaj që duhet të bënte, ia kërciste me raki me shokët e ekipit që i kishin shkuar për kontroll.
-Vaso, merr një këngë dashurie që të më theri në zemër, se pastaj e fut në Festival unë... Ç’mjeshtër more! Dëgjo Vaso, unë do të të bëj ty “Artist të Merituar”... po kjo pula nuk qenka pjekur aq mirë... Hëm, moj ti Shegë, shko tani e na raporto tek Sekretari i Parë.!
Por një rol të këndshëm, interpretuar plot finesë, ai ka dhe tek filmi “Shoku Ynë Tili” ku luan rolin e bashkëshortit, Shpëtimit, që gatuante drekë e darkë për mësuese Besën, sepse kjo e fundit kish gjetur belanë me shkatarraqin Tili, aq sa u operua nga apendiciti.
-Epo hë moj grua ç’u bëre, se na bëre merak? Po pse, ti do t’i ndreqësh të gjitha moj grua? Epo nuk ke lënë ndonjë orë mësimi pa bërë, besoj?!
Por rol simpatik është edhe ai i doktor Kristofor Mihalit tek filmi “Botë e padukshme”, mjeku që i bënte punën shkencore shefit, që të mund të përfitonte prej tij.
-Dëgjo Gjergj. Unë e njoh Iljazin më mirë se ti. Po cili jam unë... Më duhej një emër, një pasaportë. Unë i jap dikujt diçka që nuk e ka për të marrë atë që hë për hë nuk e kam: emrin. Kështu i dashur Gjergj. Unë nuk vjedh njeri. Unë luftoj me trurin dhe djersën time.
Ndër rolet e tij në kinema ka qenë dhe ai i agjitatorit fodull tek filmi “Përballimi” që vinte vërdallë fshatrave të Korçës që t’u mbushte mendjen fshatarëve të dorëzonin tepricat e drithit, sepse qyteti ishte në prag të urisë.
-Për çfarë e keni fjalën shoku Miti? Mos kujtuat se bëmë piknik. Erdhi shoku Martin aty dhe u krijuan ca brigada agjitacioni. Ja atë qimen tuaj u munduam të nxjerrim nga qulli... O ç’të rrëzuar, ramë me hundë. Çoç mbollëm, po s’duruam ta korrim... Ç’na prallis, panik do të bësh?
Në jetëshkrimin zyrtar shkruhet se Minella Borova u lind më 22 shkurt të vitit 1947 në Korçë.
Më 1969 mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, për aktrim. Për 10 vjet punoi si aktor pranë teatrit “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës. Më pas për 14 vjet të tjera, punoi si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë.
Në skenën e teatrit ka realizuar mjaft role, si tek drama: “Njollat e murrme”, “Qyteti i akuzuar”, “Mësuesi i letërsisë”.
Më 1993 emigron në Buones Aires, Argjentinë, atje ku jetoi me gjithë familjen e tij deri në fund të jetës, për 20 vjet rresht. Por edhe në kontinentin e largët ai nuk hoqi dorë nga arti dhe aktrimi. Ka interpretuar në teatrin “San Martin”, në Buones Aires, pjesë teatrore të cilat i ka sjellë edhe në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Në vitin 2007 pas një ndërprerjeje rreth 15-vjeçare nga skena shqiptare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina, me të cilin kritika thotë se riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike.
Në vitet 1980-1990 ai ka shkruar edhe mjaft artikuj kritikë për teatrin, si dhe ka botuar vëllimin poetik “Ku puthen dy oqeanet”.
U nda nga jeta në 30 qershor të vitit 2013 në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Ajres. Ishte 66 vjeç.

Tuesday, August 1, 2023

Gobseku, ky fajdexhi i tmerrshëm që dinte të të shpëtonte nga robëria e mirënjohjes


FTESË

PËR 

LEXIM



Nga 
Leonard Veizi
 
Ai ishte i tmerrshëm. Fajdexhi që nuk të falte asnjë qindarkë, meqenëse dhe në parimet e jetës së tij ishte një adhurues i parave dhe i arit. Dhe ishte nga ata që ta tërhiqte lakun deri në fund nëse nuk i shlyeje detyrimet.
Nga e gjithë novela “Gobseku”, - një libërth me format të vogël, i lexuar shumë e shumë vite më parë, - më kanë mbetur në mendje vetëm fjalët e fajdexhiut fort të urryer, por që në vetvete, përveçse një lakmitar për të pasur sa më shumë para, ishte dhe një filozof.
Teksa avokati Metre Dervil, - në një ambient të borgjezisë parisiene, ku kishte një konflikt mes nënës dhe vajzës për arsye të dashurisë së kësaj të fundit me një kont të falimentuar, - për të shuar debatin detyrohet të tregojë mes të tjerash për marrëdhënien e tij të ngushtë me një fajdexhi i cili e kishte zgjidhur problemin në fjalë. Dhe ky ishte Zho-Ester van Gobsek. Kështu avokati Dervil rrëfen dhe një episod:
Ditën që i shpura shumën e fundit që i detyrohesha, e pyeta se çfarë ndjenje e kishte shtyrë që t'i paguaja interesa aq të larta dhe për ç'arsye nuk kishte dashur të më bënte me të vërtetë një të mirë mua, që isha miku i tij.
-Biri im, - më tha, - desha të të shpëtoja nga barra e mirënjohjes, duke të dhënë të drejtën të besosh se nuk më detyroheshe asgjë dhe, për këtë arsye, ne jemi miqtë më të mirë në botë.
Dhe kaq duhet që ndonjëherë të gjesh shumë më tepër botëkuptim njerëzor në shpirtin e një fajdexhiu  të gdhendur letrarisht si krejtësisht negativ.
Ti mund të mbetesh peng i mirënjohjesh, për faktin se dikush në një çast të caktuar të ka bërë një nder. Por fajdexhiu Gobsek nuk ishte i këtij mendimi. Sepse nëse duhet të bësh jetën tënde, duhet të jesh i çliruar nga fenomeni i mirënjohjes së tepruar që vendos një barrierë mes teje dhe atij tjetrit që ta ka bërë këtë të mirë.
Ky libër ndoshta është vepra më e mirë e shkurtër, shkruar nga Balzak, dhe e quajtur thjesht sipas personazhit kryesor të novelës: Gobsek.
Gobsek ishte fajdexhiu më i njohur në Paris. Një nga ata që vendoste fatet e mijëra njerezve dhe të të gjithë shoqërisë. Dhe veç se fajdexhi ishte dhe fort koprac. Aq sa pas vdekjes së tij, përveç një pasurie shumë të madhe në para, tek bodrumet e shtëpisë iu gjendën edhe mallra ushqimore, mish e peshk, të sekuestruara në formë fajdesh të cilat kalbeshin në ambientet e brendshme për shkak se nuk kishte kush t’i konsumonte. Por për fajdexhiun kjo nuk kishte rëndësi. E rëndësishme për të ishte që ai ua kishte zhvatur borxhlinjve paratë që u kishte dhënë dhe kamatën mbi to. Dhe gjithashtu të sekuestruara në arsenalin e tij kishte dhe shumë orendi prej metali të çmuar, ar dhe argjend. Dhe e gjithë kjo pasuri, meqenëse nuk kish të afërm, i kaloi një mbese të gruas së tij.
Ky ishte Gobseku.
Darvili ishte i vetmi që Gobseku i rrëfehej. Sepse në çastet njerëzore të tij edhe Gobseku i ftohtë, i kalkuluar e i pamëshirshëm, kërkonte një njeri që t’i besonte të fshehtat e errëta të skutave të tij. Ata ishin fqinj. Dhe për më tepër Gobsekut i duheshin dhe këshilla juridike, por pa pagesë. Sepse ai nuk paguante për asgjë. Vetëm merrte. E ku gjente më mirë se fqinji i tij, ende pa përvojë, një këshillë me vlerë që kishte jo pak kosto nëse do t’i drejtoheshe një zyre konsulence. Kështu ai i tregon avokatit për jetën e nëndheshme të një qyteti magjepës siç ishte Parisi, për zonjat e shtresës së lartë që firmosnin kambiale në zyrën e tij, pasi i ishin lutur në gjunjë. Ai dinte gjithçka. Jo jetën e gënjeshtër të ballove mondane, por atë reale ku fisnikët ishin zhytur në baltë deri në grykë dhe ishte po ai që mbante fijen e tyre të shpresës. Por Gobseku nuk ishte nga ata që i dhimbsej ndokush.
Gobseku ishte në një betejë të vazhdueshme e të përhershme midis vesit dhe lakmisë. Dhe tek ai vinin njerëz të vesit që jetonin jetë të dyfishtë. Pikërisht kjo e bënte Gobsekun të ishte i fuqishëm, aq sa të drejtonte botën e errët të kryeqendrës franceze të shekullit XIX. E gjithë shtresa e lartë shoqërore, detyrohej të kërkonte para hua tek ai, për shkak të shpenzimeve të pamata që bënin, sidomos kur këto shpenzime nuk duheshin të binin në sy të të tjerëve. Merrnin para dhe jepnin kamatat. Ky ishte trendi i kohës. Gobseku ishte në krye të kësaj veprimtarie, që herë dukej komike dhe herë prodhonte tragjedi.
Gobsek ishte njeri i pashoqërueshëm, por të vetmen marrëdhënie miqësore që vendosi ishte ajo me fqinjin e tij, avokat të ri të quajtur Metre Dervil. Por edhe mikut të tij që i qëndronte pranë dhe i jepte këshilla juridike falas, nuk i bëri asnjë lëshim. Dhe pikërisht këtu ai tha dhe shprehjen e tij lapidare: “desha të të shpëtoja nga barra e mirënjohjes”.
Me novelën e tij, - të famshme tashmë, - Honore de Balzak na ka dhënë një pikturë të realitetit të atëhershëm borgjez por dhe të tanishmit. Sepse novela e shkruar prej tij gati 200 vite më parë, është po aq aktuale.
“Gobseku” është nga ato libra që nëse lexohet nuk mund të harrohet. Kjo ka ndodhur edhe me mua. Ndaj dua ta rekomandoj për një brez që ndoshta nuk ia ka idenë se në botën letrare ekziston një kryevepër e tillë. Kjo vepër erdhi në shqip në vitin 1944, fillimisht i përkthyer nga Tajar Zavalani me titullin "Fajdexhiu Gobsek". Më pas pati një variant tjetër përkthimi, këtë herë nga Vedat Kokona, botuar në vitin 1970 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” me një numër prej 130 faqesh. Sot ka disa variante të këtij libri, nga disa përkthyes dhe disa shtëpi botuese. Por nëse ju duhet një variant korrekt, gjithmonë duhet drejtuar nga certifikata më e mirë e mundshme: nga përkthimi i Vedat Kokonës.
Honoré de Balzak, romancier i famshëm francez i shekullit të XIX ka një korpus të shkruar prej tij ku përfshihen të paktën 100 tituj veprash të ndryshme e të përmbledhura nën okelion “Komedia Njerëzore”. Shkrimtari na ka dhënë një panoramë të jetës franceze të pas vitit 1815 që përkon dhe më rënien e Napoleon Bonapartit dhe që u quajt si: koha e restaurimit Francez.