Thursday, September 30, 2021

Në panteon nuk ka më vend!


Nga Leonard Veizi
 
Në panteon nuk ka më vend. Struktura prej betoni nuk mund të jetë më e pasur se kaq.
E ngritur në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Brendshme, na kujton çdo çast faktin se për të mbrojtur jetët njerëzore, ca të tjerë njerëz kanë hedhur tej jetën e tyre. Dhe ne për forcë zakoni, nuk kemi çfarë të bëjmë më tjetër, veç kur kalojmë aso ane, i përshëndesim lehtë me kokë, të heshturit dëshmorë.
Shkurt e thjeshtë, ata quheshin policë, e do të vazhdojnë të quhen si të tillë. E kurrfarë rëndësie nuk ka grada, as pozicioni. Sepse jeta njerëzore ka të njëjtën peshë në familjen e secilit prej nesh. Dhe plumbi që u ka marrë jetën, gjithsesi ka qenë i njëjtë.
Sot për ta vlen një memorial. Aty ku qenia humanoide me gjak e frymë kthehet në një materie të ftohtë e të pashpirt, metal në formën e një ylli pesë cepash që filetohet pa shumë mund tek një vidë bronxi.
Dhe yjet shtohen.
Konstelacioni është formuar tanimë. Nuk është “Rruga e Qumështit” por as galaksia “Andromeda”. Edhe pse konstelacion, në një kuptim hyjnor e krejt astronomik, do të thotë një shumësi yjesh. Në fakt, ata janë shumë më tepër: të jetësakrifikuarit.
Në panteon nuk ka më vend!
I emërtuar si “Muri i Kujtesës” aty, tanimë, emra të vdekurish thirren në apel. Nuk marrin shërbimin me armën në brez, antiplumb kraharorit apo skafandër mbi kokë. E megjithatë janë aty, si për të qenë në një shërbim të përhershëm e të pandërrueshëm, e për të vazhduar të na mbrojnë nga një e keqe e cila nuk zvogëlohet asnjëherë. Sepse shoqëria jonë, e trysnuar dhe margjinalizuar sa më s’vete, ka nevojën e gjithhershme për ta.
Së fundi u shtua edhe një yll. Në ditën e fundit të shtatorit 2021. Ishte i fundit nga forcat e policisë që mbeti i vrarë në krye të detyrës. Ishte i 225-ti në radhë, që pas vitit 1990. Dhe po t’i shtosh listës edhe nja 40 të tjerë të rënë më parë se kaq, ajo zgjatet si një letër faksi  që del nga foleja e makinës transmetuese, e ku mezi pret që zhurma e motorinos, e cila vë në punë pajisjen, të pushojë.
Në panteon nuk ka më vend!
Statistikat janë edhe më të ftohta, terrorizuese dhe krejtësisht negative. Por dhe po aq kokëforte e të pandryshueshme. 225 policë të rënë dëshmorë në 30 vjet. Matematikë e thjeshtë; me një derivat prej 7.5 policë të vrarë në vit. Sepse statistika është statistikë, dhe ajo nuk vepron me gjak e shpirt, ndaj nuk e ka për gjë ta ndajë jetën njerëzore në dy pjesë dhe gjysmën t’ia kalojë për balancë vitit pasardhës. Dhe po kjo statistikë, në mënyrë krejt mizore, por pa kurrfarë ngurrimi, na thotë se në tri dekada arritjesh të mëdha, me investime infrastrukturore aeroportuale dhe rritje rrogash drejt niveleve të pakonkurrueshme, në çdo 48 ditë një polic vritet në krye të detyrës.
“Mos i çoni djemtë në Akademi!... Mos i çoni!”
Është një thirrje e papërmbajtshme, fataliste dhe krejt e pamoralshme. Për më tepër që ne kemi shumë nevojë për ta. Sepse kur rendi mungon, na vjedhin, na grabisin, na përdhunojnë a na sakatojnë dhe jemi të pazotë të dalim nga ky batak kënete, nuk ngurrojmë të kërkojmë veç ndihmën e tyre. Madje dhe atëherë kur i shajmë e anatemojmë, sërish i duam dhe bëhemi më trima kur i kemi pranë. Sepse gjithmonë e në çdo kohë, çdokush prej nesh ka nevojë të mbështetet diku që është më i fortë e më imponues. Ndaj ata janë yje të vërtetë, aspak të kthyer në metal pa mish e kocka, e të vidhosur në një mur betoni.
Në panteon nuk ka më vend!
Numri i të vrarëve shtohet në mënyrë të vajtueshme... të pandërprerë. Dhe muri me yjet e kujtesës është po i njëjtë. Qëndron po aty, në të njëjtin format. Por yjet shtohen. Radhët ngjeshën. Hapësira zvogëlohet.
Politikanët bëjnë homazhin e radhës dhe flasin nëpër media për grushte të forta kundër krimit. Por vrasjet vazhdojnë... çdo 48 ditë...
Ndërkohë, një tjetër vidë qëndron në radhë, e futur thellë në beton, e gatshme të presë yllin e ardhshëm, që do të ngushtojë edhe më shumë hapësirën e brendshme... Dhe ky polic dëshmor nuk do të mungojë, në një shoqëri të trysnuar e margjinalizuar po aq, e cila qëllon pa mëshirë mbi bijtë e vet. Ndaj jetët njerëzore kthehen papritur në copa metali të shndritshëm. Një yll për çdo polic të rënë.
Konstelacioni është formuar tashmë. Ai lundron në hapësirën e pamat, mes “Yjësisë së Qumështit” e galaksisë “Andromeda” në një destinacion të ri prehjeje...


Monday, September 27, 2021

REPORTAZH/ Pushuesit zhvishen në plazh, shfrytëzojnë rrezet dhe ujin e patatuar


Fundjava e ngrohtë e vjeshtës në gjiun e Durrësit, plazhit më të madh të vendit
 
 Nga Leonard Veizi
 
Megjithëse frynte pak erë e ftohtë, dielli ishte i ngrohtë dhe njerëzit kishin dalë me rroba banje për të marrë rreze të cilat ende janë të shëndetshme për trupin, duke transmetuar dhe në vazhdimësi Vitaminën D...
 
...Sezoni veror quhet i mbyllur tashmë dhe shkencërisht jemi në stinën e vjeshtës apo thënë ndryshe në vjeshtën astronomike sepse 21 shtatori daton dhe me ekuinoksin, që më konkretisht do të thotë se dita dhe nata janë të barabarta, nga 12 orë secila. Që nga ky çast shkencëtarët thonë se toka nis e largohet nga pak prej diellit, dhe moti brenda atmosferës bëhet më i ftohtë. Për konspiracionistët është ndryshe: nuk është Toka që rrotullohet rreth Diellit, por anasjelltas... e ca më shumë se kaq.
 
Ekuinoksi vjeshtor
Fillimi i vjeshtës në Shqipërinë e vitit 2021 ka dy pamje: spitalet Covid që po mbushen vazhdimisht me të sëmurë që kanë marrë virusin Sars Cov-2, varianti Delta e me vdekshmëri në rritje, dhe një sezon plazhi që duket ka gjasa të ketë qenë vërtet i suksesshëm, sepse moti po mban i mirë dhe paketat turistike vazhdojnë. Ndaj veç shqiptarëve, në plazhin e fundjavës së fundmuajit shtator kishte dhe plot të huaj, të cilët gjithashtu preferonin të merrnin rreze e të laheshin në ujërat e Adriatikut, - të cilat tani nuk i akuzon dot për qarkullim mbetjesh e lubrifikuesish industrialë, - ndaj janë edhe më të pastra në muajt korrik-gusht. Sepse fundjava e ardhshme përkon me fillimin e tetorit dhe ndoshta moti nuk do të jetë kaq dashamirës sa të dhurojë rreze si në një ditë vere të vërtetë. Por asnjëherë s’i dihet...
 
Udhëtimi i rrezikshëm
Për të shkuar në plazhin e Golemit, këtë herë mund të mos marrësh mbikalimin pa u futur në Durrës e që të çon tek Plepat, por mund të udhëtosh në rrugën piktoreske mespërmes plazhit tradicional. Sepse në ditë sezoni kjo rrugë është aq e mbipopulluar sa vështirë të dalësh prej andej pa të shkuar djersa në ulluk, e pa t’u ngritur qimet e kokës përpjetë nga nervat. Por përpara së të vish tek kjo rrugë piktoreske, do të duhet të udhëtosh nëpër autostradën Tiranë-Vorë-Durrës, ku dhe një pilot si Eirton Sena do ndihej ngushtë e s’do dinte nga të kalonte. Sepse përveç budallallëkut njerëzor me okë, që bëjnë akrobaci të papara, vetë rruga është aq shumë e arnuar, sa ta bën makinën për amortizatorë të rinj vetëm me nja 2-3 xhiro lart e poshtë. Mjerë ata që për shkak të punëve e bëjnë përditë këtë rrugë!
 
Nostalgjia për “Breshkën”
Sa zbret nga mbikalimi në kufi me Portin Detar, makina çan në rrugën e Plazhit. Lagja e dikurshme e Shkozetit të Durrësit është transformuar totalisht e meqenëse kaloj shumë rrallë andej, ka gjasa të mos më kujtohen të gjitha yçklat. Megjithatë, ashtu si mund të bëhej një ushtrim matematikor për të mbajtur zgjuar kujtesën dhe unë kërkoja të vija në imagjinatë sinorët sipas stacioneve. Ndaj nisa numërimin: Teuta, Apolonia, Hekurudha..., Iliria. Kampi i Punëtorëve, ai i Kuadrove, bashkë me pistën Iliria ishin pjesë e sektorit Iliria. Po aty rrotull, mes Ilirisë dhe Hekurudhës ndodhej dhe “Breshka” lokali i famshëm, se ishte pika e referimit për të gjithë ata që vinin nga Tirana. Kabinat e dikurshme të dërrasave janë zhdukur me kohë, por pallate dykatëshe nga ato të “kohës së partisë”, vazhdojnë të jenë në funksion për familjarë por dhe për pushues. Pas Ilirisë vjen Blloku, ku si atëherë dhe sot vazhdon të jetë i rrethuar dhe i ruajtur. Kampi i Pionerëve ndodhet mes konvaleshencës së  Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Ministrisë së Mbrojtjes. Por sot nëse konvaleshencat e ushtrisë dhe policicë kanë ruajtur identitetin, kampi i pionierëve nuk ekziston më si emërtim, jo si territor. Dhe pas kësaj vjen Shkëmbi i Kavajës, i cili përveç telave me gjemba si kufiri me konvaleshencën ushtarake, ndahet dhe nga një kanal i ujërave të zeza ende funksional. Kemi dalë nga juridiksioni i Durrësit dhe jemi futur në atë të Kavajës, por më saktë në atë të Golemit.
 
Jashtë sezonit
Megjithëse jashtë sezonit, sërish duhet të shohësh mirë për ndonjë vend parkimi të lirë pasi të duket si një ditë e zakonshme plazhi ku për të parkuar duhet t’i lutesh Zotit. Një pjesë e mirë e shezlongëve dhe të çadrave janë çmontuar duke lënë hapësira boshe. Por shumë nga segmentet vazhdojnë të funksionojnë, madje me shumë pushues që qëndronin shtrirë sa gjatë-gjerë me pamje nga deti, në horizontin e të cilit nuk kishte më skafe e motora uji të shpejtësisë së lartë, por anije transporti që rrinin pa lëvizur në radë, në pritje për t’u futur në Portin e Durrësit për shkarkim. Në bregun e detit veç plazhistëve ka nga ata që ushtrojnë vrapin, por herë pas here kalon edhe ndonjë trim me biçikletë “mountinbike” që ia ther me çantë mbi shpinë bregut dukshëm më pak të populluar.
 
Pamja e përgjithshme
Koshat e mbeturinave tanimë janë të mbushura në më pak se gjysmën e kapacitetit mbajtës. Por aty-këtu sheh togje me mbeturina edhe pse kazanët e mëdhenj ndodhen fare pranë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me punën e pabërë të pushtetit lokal, por dhe me edukatën e vetë qytetarëve, të cilët në pjesën dërmuese lenë shumë për të dëshiruar.
Edhe muzikë me zë të lartë tani nuk ke ku dëgjon më. Përveç ndonjë rasti si nja dy kompani të cilët kishin organizuar një aktivitet për punonjësit e tyre. Muzika e lartë dhe kërcimi në rërë në këtë rast shërbente për ç’tensionim dhe heqje stresi.
Shitësit ambulantë ishin të rrallë dhe ofronin fare pak asortimente dhe jo si në muajt e sezonit ku të vinin te goja që nga akulloret e misrat e pjekur, tek petullat e yndyrosura e gjithfarë frutash të sezonit.
Dhe po aq nga pedonalja ishin zhdukur me magji edhe lypësit, të cilët gjatë muajve korrik-gusht i ke çdo dy metra largësi, ose të vijnë në tavolinë për të kërkuar lëmoshë e për të të zënë kafen në fyt, çdo 2 apo 3 minuta.
 
Pushimi i papaguar
Pushuesit janë turrur të shijojnë çdo mundësi që ofron natyra shqiptare. Nga të vetmet mrekulli që nuk e paguajmë ende janë rrezet e diellit. Edhe futja në det ende nuk ndalohet me tra dhe me faturë plastike që mos të të laget nga uji. Dhe kjo derisa dikujt t’i shkojë në mendje e ta privatizojë, ku bashkë me shezlonin e çadrën të të faturojë dhe 5 orë diell, tre paradite e dy pasdite si dhe dy futje në det nën cilësimin e “banjës” po aq sa dhe hyrja në hamam ose “banja turke”. Dhe veç kësaj 20 përqind TVSH do të ishte po aq dinjitoze, në ndihmë të buxhetit të shtetit.
 
Menuja e tavolinës
Në restorante, menuja është e njëjtë. Çmimet po ato. Në disa pika nuk ka nevojë të shkosh deri në Jug për të treguar faturat e çmendura... Por dhe restorante popullorë ka plot, ku përveç shqiptarëve të varfër sheh me shumicë të huaj, për të cilët thuhet se e kanë xhepin plot. Po kur vjen puna për të paguar edhe ata nuk falin kollaj. Jo pak prej tyre kanë marrë dhe ndonjë plitkë me vete, sepse në dhomën e hotelit mund të bëhet ndonjë pilaf i shpejtë sa për të shtyrë drekën. E sa për kafen, nuk ia vlen, sepse atë ta shërbejnë kudo deri para orës 09.00 të mëngjesit vetëm për 50 lekë të reja. Ndaj bashkë me kafenë, mund të shijosh dhe flladin e mëngjesit me pak jod e kripë.
 
Rrugë e gjatë për në shtëpi
Kur kthehesh nga pushimi i fundjavës, duhet të bësh ushtrime joge dhe psikologjike për të kaluar me sukses udhëtimin. Sepse fillon me vështirësinë e kalimit nga një rrugicë mes pallatesh për të dalë në rrugën dytësore, ku nuk ke mundësi të shohësh kush të vjen nga e majta dhe kush nga e djathta. Edhe këtu duhet t’i lutesh fort Zotit, që të gjesh sekondin e duhur për t’u futur në një rrugë me precedent të lartë rrezikshmërie. Megjithatë, askush nuk përplaset. O kemi fituar imunitet, ose Zoti i dëgjon lutjet tona?! Dhe pas kësaj nis vozitja në rrugën panoramike të plazhit tradicional për të dalë në autostradën Durrës-Vorë, ku arnat nuk të ndahen dhe amortizatorët amortizohen. Sapo kalon dhe mbikalimin e Rinasit futesh në një segment ku mund të të duket vetja si zotni. Dhe për më tej nuk po flas më... sepse prej vitesh preferoj rrugën e Ysberishtit për të anashkaluar tmerrin e Astirit.

Sunday, September 26, 2021

Minjtë impotentë të një rehatie banale

 

Nga 
Leonard Veizi


Nisa të kem respekt për minjtë, edhe pse dikur i neverisja si brejtës që dinin të jetonin veç nëpër kanalet e ujërave të zeza. Por duket se ata dukshëm kanë prirje thuajse të barabarta me qeniet humanoide që frymojnë mbi tokë. Dhe për ta vërtetuar këtë u desh një eksperiment, i cili edhe pse u përsërit 25 herë me radhë dha të njëjtin rezultat.
Kur u njoha me "Univers 25", eksperimentin e shumëpërfolur të shkencëtarit amerikan John Calhoun, nuk mund të them se u trondita aq sa të vija duart në kokë. Edhe pse në të shumtën e informacioneve të ekspozuara për lexim, ai ishte trajtuar si një nga eksperimentet më të tmerrshëm në historinë e shkencës. Veç mendova: minjtë po aq sa dhe njerëzit paskan të njëjtat parime në jetë. Dhe pas kësaj, më pak respekt nisa të kem për njeriun. Sepse në të vërtetë ai kishte të njëjtat pikëpamje me një mi dhe bënte jetën e tij.
Calhoun, për eksperimentin e tij zgjodhi brejtësit, megjithëse qëllimi përfundimtar i kërkimit ishte gjithmonë një parashikim për të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Ai bëri një analogji të drejtpërdrejtë me njeriun, duke shpjeguar se tipari kryesor njerëzor, - fati i tij natyror - është të jetojë në kushtet e presionit, tensionit dhe stresit.
Për ta shpjeguar me pak fjalë: John Calhoun krijoi një "botë ideale" apo atë që u cilësua si "Parajsa e Minjve" në të cilën qeniet e tij eksperimentale do jetonin duke pasur ushqim, ujë dhe hapësirë jetese me bollëk. Eksperimenti nisi me katër çifte që në një kohë të shkurtër filluan të riprodhohen. Pas 315 ditësh riprodhimi i tyre filloi të ulet ndjeshëm. Kur numri i brejtësve arriti në 600, mes tyre u krijua hierarkia. Papritur u shfaqën të ashtuquajturit "të mjerët". Brejtësit më të mëdhenj nisën t’i sulmonin. Rezultoi që shumë meshkuj u "shemben" psikologjikisht. Femrat nga ana tjetër u bënë agresive ndaj të vegjëlve të tyre, shfaqnin elementë izolimi dhe mungesë të humorit riprodhues. Lindjet u ulën dhe vdekshmëria u rrit. Pastaj, u shfaq një klasë e re e brejtësve meshkuj, të ashtuquajturit "minj të bukur". Ata nuk pranuan të çiftoheshin me femrat ose të "luftonin" për hapësirën e tyre. Gjithçka për të cilën kujdeseshin ishin ushqimi dhe gjumi. Erdhi një çast kur, "meshkujt e bukur" dhe "femrat e izoluara" përbënin shumicën e popullsisë. Me kalimin e ditëve, vdekshmëria e të miturve arriti 100% dhe riprodhimi ra në zero. Midis minjve të rrezikuar, u vu re homoseksualitet dhe kanibalizëm, pavarësisht faktit se nuk vuanin për ushqim. 1780 ditë nga fillimi i eksperimentit, që përkon me vitin 1973, ngordhi dhe miu i fundit në “Univers 25”.
Nuk ishte më e nevojshme që John Calhoun të bënte konkluzionet, sepse në bazë të të dhënave gjithkush e nxjerr një përfundim. Në një mirëqenie të dukshme njeriu bëhet i plogësht, pa iniciativë, nis nga veset e rëndomta dhe për më tepër humbet sensin për jetën.
Në njëfarë mënyre mund të thuhet se: mirëqenia prodhon njerëz të dobët.
E gjitha kjo më kujton thënien e Shejh Rashid, themeluesit të Dubait, i cili kur u pyet nga gazetarët për të ardhmen e vendit të tij, u përgjigj: “Gjyshi im hipi në deve, babai im hipi në deve, unë hipi në një Mercedes, djali im udhëton me një Land Rover dhe nipi im në të ardhmen do të ngasë një Land Rover... por stërnipi im do të duhet të hipë përsëri në një deve.” Kur gazetarët e pyetën se përse duhet të ndodhte kështu, ai u përgjigj: “Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë. Burrat e fortë krijojnë kohë të lehta. Kohërat e lehta krijojnë njerëz të dobët. Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Shumë nuk do ta kuptojnë këtë, por ju duhet të rrisni luftëtarë, jo parazitë.”
Sipas kësaj thënie fort të mençur, po jetojmë kohë të lehta. Ose jemi në fillim të kohëve të vështira.
A nuk po jetojmë një kohë me mirëqenie ekstreme? Përderisa tavolinës tanimë nuk i mungon gjë, udhëtimet me avion konsiderohen rutinë e çdokush prej nesh e ka në përdorim një makinë. Flas gjithmonë për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.
Ne po jetojmë mirëqenie ekstreme kur çdonjëri prej nesh është i pavarur për të parë nga ekrani i celularit atë që dëshiron dhe nuk ka përse bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes të ndjekin një kanal në mënyrë uniforme.
Ne jetojmë mirëqenie ekstreme përderisa gjithçka na vjen te goja vetëm me një telefonatë apo me një sms. Sepse blerjet bëhen online, tanimë janë futur në modë, dhe pakoja me rrobat e dimrit të vjen me triçikël te dera e shtëpisë. E tanimë nuk ka më nevojë të shkosh as në bibliotekë, pasi google të mundëson gjithçka, dhe aplikacione shkarkimi përmes internetit ka sa të duash.
A thua kjo situatë mirëqenieje ekstreme ka sjellë një rritje galopante të impotencës apo homoseksualitetit njerëzor, po aq sa dhe në eksperimentin e minjve që John Calhoun e nisi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar?
Besoj jemi të qartë.
Natyrisht, qenia njerëzore vendos arsyen në çastin vendimtar dhe nuk arsyeton me mendjen e miut, por gjithsesi një eksperiment me minj tregon se dhe njeriu i pajisur me tru inteligjent drejtohet më së shumti nga instinktet.


Thursday, September 16, 2021

Kinostudio, si na mësoi të rrihnim gratë


Nga Leonard Veizi
 
“Druri ka dalë nga xheneti”, thotë një fjalë e urtë popullore. Por duke ndjekur dhe terminologjinë, nuk kuptohet mirë se nga cili popull ka dalë. Sidoqoftë, ne si shqiptarë e kemi përvetësuar, e themi se është pjesë e folklorit tonë.
Mirëpo, sado që e kemi të standardizuar në kanunin e Veriut a qoftë tek kodet e Jugut, se mbi gratë nuk vihet dorë, ne si shqiptarë e kemi ves që t’i rrahim gratë, sidomos kur na e sjellin shpirtin në majë të hundës. Për më tepër, kjo bëhet evidente kur të tjerët të thonë se pikërisht kjo është rruga e duhur për të vendosur autoritetin: druri. Se po kaloi një herë miu nën mustaqe... aha, e bëri rrugë dhe ec e ta zësh pastaj.
E kështu, secili prej nesh mundohet ta tregojë veten para gruas, ose duke bërtitur e duke u çjerrë, o duke e shaluar në dru sa t’i dhembin kryqet një javë rresht e të mos guxojë të ngrejë kokë. Por, po nuk i doli kjo, ka dhe një mënyrë të fundit, shumë efikase: i fut një koqe plumbi dhe ia mbyll një herë e mirë gojën.
Dhe këto kohët e fundit, sipas statistikave, burrat shqiptarë e kanë shtrirë goxha dorën. Me të drejtë. Se tek e fundit  duhet të duken që janë burra:
-Po mancipimi ku është këtu, - do të shtronte pyetjen ekzistencialiste me karakter filozofik Agushi, postieri i Marenës te “Shoqja nga fshati”.
Ouuuu..., pa prit pak... se u kujtova. Por si e morëm ne burrat këtë model, përderisa doket dhe zakonet na e ndalojnë të rrahurit paq të gruas? Se zakonisht modeli është vetëm një, - etalon me vlera të rralla, - e pastaj shumëfishohet me copy-paste.
E gjeta, - u hodha përpjetë.
Në ndihmë me erdhi televizori i cili ka mbetur i stacionuar te kanali i filmave shqip, ku më së shumti jepen ata të Kinostudios. Se unë jam fort i dashuruar pas kinemasë në tërësinë e saj, dhe jo pak pas filmit shqiptar në veçanti. E duke i parë në vazhdimësi kam rënë në përfundimin: Kinostudio, me emrin “Shqipëria e Re”, një nga mjetet më të rëndësishme me të cilën bëhej propaganda në vitet e komunizmit, na mësoi si të rrahim gratë. Më saktë, na mësoi dhunën në familje, por në veçanti si mund t’ia rrasësh në shpullë një gruaje sa t’i dalin sytë xixa, apo thënë ndryshe: “t’i duket prifti gomar”?
E di që s’do bini fort dakord me mua, por ta shohim një herë... E marrim me qetësi. Pa i nxehur gjakrat.
Sa gra rrihen prej burrave në filmin shqiptar? Dhe nisa të mbaj një evidencë, e cila më rezultoi si më poshtë:
-Tek “Brazdat”, kur dikush e lëndoi te pika e dobët dhe i foli për ujqërit me dy këmbë që nuk e kishin frikë traktorin, Azemi ia plasi në shpullë Martës e cila lëronte arat e kooperativës që me natë.
Një në dorë.
-Kujtimi ia ngjeshi surratit Liljanës tek filmi “Kur xhirohej një film”, sepse nuk duronte dot që ajo të bridhte majë makinave për të ndjekur në terren realizimin e projekteve të ndërtimit, ndërsa ai të bënte punët e shtëpisë: demek të lante enët, t’i fuste një fshesë shtëpisë e të gatuante ndonjë tavë me patëllxhanë.
Ja u bënë dy.
-Bardhyl Kraja shaplloi në dru të fejuarën Liza tek “Kur hapen dyert e jetës”, sepse kjo e fundit nuk donte ta shoqëronte doktorin e ri në vendin e punës, ngaqë Partia e kishte emëruar në majë të malit.
Rasti i tretë.
-Kryeinxhinier Emili  tek “Rikonstruksioni” e fyen Adelinën kur shpullën e dublikoi edhe me termin: “dhi shterpë”, sepse demek ajo e kishte fajin që shtëpia kishte mbetur pa pasardhës.
U bënë katër raste.
-Inxhinier Jani e lëshoi pa teklif pëllëmbën mbi Teutën, sepse dyshonte që ajo po flirtonte me kolegun e tij inxhinier Gencin dhe vetë filmi titullohej “Shokët”.
Ky ishte incidenti i pestë.
-Llano Bleta ia rrasi në shpullë Klarës, që ishte vajza e drejtor Baki Branicës, që e kishte marrë për grua, por që e ëma nuk ia njohu kurrë, sepse Klara e kishte ca të zorshme të shkonte deri në fshatin e lindjes së burrit. Kjo ndodhi tek "Dhe vjen një ditë".
Koktejl shpullash me gjashtë variante.
Në fund të filmit “Të mos heshtësh” Ardi i futi duart në fyt e gati sa si nxori sytë vejushës Silvi, që i thoshte se e dashuronte e donte ta merrte për grua me gjithë djalin jetim.
Veç skena e dhunës edhe pse erdhi rrotull mungoi nga i përmbajturi Hariz tek “Dritat e Qytezës”, i cili bashkë me e Tanën që e mbante dritë shtëpinë, kishin vendosur ta ndërtonin jetën në Ksamil. Po ku të linte Seferi, kushëriri që donte vetëm sherr.
Ky ishte dhe raundi i parë i statistikës. 
Për së shumti thuhej se filmat në kohën e Partisë, ishin edukues. Herë me frymë proletare e herë me frymë fshati. Vetë Partia deklaronte se emancipimin e femrës e kishte në rend të ditës. Por me sa duket nuk paska qenë tërësish ashtu. Pse pak u duken këto që përmendëm më sipër?
Mesazhi ishte dhënë ndërkohë.
Vijmë tek raundi i dytë i statistikës. Sepse pas kësaj tek filmi artistik i Kinostudios "Shqipëria e Re" fillon dhuna në familje ku baballarët rrahin fëmijët e vëllezërit motrat:
-“Me turpërove bushtër, s'kam sy e faqe të dal para fshatit” - ia fërshëllen babai Ganiu, te “Streha e re”, vajzës së tij Verka, sepse i kishin thënë që ajo kishte nisur t’i luante syrin traktoristit të fshatit, ndërkohë që familjet e tyre ishin në mëri prej një kohe të gjatë.
Një situatë e ngjashme ndodh dhe në filmin “Përsëri Pranverë” ku Dino Bregu ia jep një flakurimë të bijës, Linda, se ajo i tha që kishte rënë në dashuri me kryeagronom Ilirin, me të cilin kishin kontradikta punë si përgjegjës sektori që ishte.
Dru hëngri dhe Tili te “Shoku ynë Tili”.
-Po unë të pash vetë more, - qëllon Qemal marangozi djalin që po merrte ca para nga bufeja ku i mbanin fshehur, duke menduar që i biri o kishte filluar duhan, o i donte për të luajtur bixhoz.
Te “Përtej mureve të gurta”, bakërxhiu Haziz e shtron në dru Asimenë, se luante “e ka kush e ka” me çunat e lagjes.
Ndërsa te “Rethimi i vogël” xha Zenuni ia dha mbrapsht të birit m’u në zyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv: “Dorë të rëndë paske Zenun Boriga”.
Te “Malet me blerim mbuluar” Safa Ymeri i jep shpullën e fundit djalit dhëndër, pikërisht në natën e martesës dhe pas kësaj Birçja doli partizan që të na sillte lirinë.
Ndërkohë edhe shoferi Stefi Petro i jep një mësim të mirë Mirit, që nuk linte dy gurë bashkë tek “Në shtëpinë tonë”, duke ia “përkëdhelur” ca faqen.  
Por dhe Petriti te “Fushë e kuqe fushë e blertë” na rrëfen se si mund të rrihet motra, sidomos kur flirton me futbollistin e skuadrës kundërshtare që e ke halë në sy.
Po e vazhdoj me skenën epope, tek "Në fillim të verës", ku Vera qëllohet me mashën e zjarrit nga babai fanatik, sepse ajo kishte filluar të bënte çorape për partizanët te shtëpia e Nazos.
-Me shoqet, me shoqet. Nuk të mjaftoi dita por dhe nata moj trularaskë.
E si për t'i vënë kapakun po përmend skenën skandaloze te filmi "Një vajzë dhe një djalë" ku babai arrogant gati sa nuk e shqeu djalin Artan, se na paskësh rënë në dashuri me telefonxheshën Arjana, e cila ishte ca vite më e madhe në moshë.
Ja këto ishin rastet që numërova shpejt e shpejt, duke mos dashur të përmend Nashon, të cilit babai ia hodhi rakinë në surrat te “Pesha e kohës”, as baba Sazani te “Dy herë mat” që i shkul veshin vajzës sepse nuk e rrihte dot në shah dhe as Dodë Gjinarin tek “Komisari i Dritës”, që e hapte krahun për të rrahur Rudinën, të cilën e mbante në shtëpi si vajzën e vet.
Në këtë mënyrë, përmes imazhesh filmike, të transmetuara në vazhdimësi, ne kemi mësuar se si të rrahim njerëzit e familjes. Por me së shumti gratë, si qenie më delikate se burrat, të cilët kanë muskuj e mbajnë mustaqe sedërliu.

Thursday, September 9, 2021

Shqiptarë, mos hani më bukë... se latë namë



Nga Leonard Veizi

 
Plasi skandali.
Tani shqiptarët janë revoltuar paq. Dhe janë gati t’i hidhen në fyt kujtdo që kërkon t’i marrë bukën nga goja. Se shqiptarët mund të ngrihen në një demonstrim të përgjithshëm e agresiv vetëm në dy raste: nëse kërkojnë t’u marrin lekët nga kuleta, apo t’u fusin dorën në trastë për t’u marrë bukën. Se pa gjellë rron shqiptari, pa bukë as edhe një ditë.
Pastaj diskutimi për çështje të tjera; jo po akciza..., jo po fletë kuitanca..., çmimi i karburanteve... apo... nuk e çon njeri menderen nga minderi i shtëpisë ku janë rehatuar për të ndjekur lajmet propagandistike të mbrëmjes.
Së fundmi u tha se çmimi i bukës do të shtrenjtohet.
-Luj more vendit... Mos more ç’na bënë.
Na lanë pa bukë, jo për gjë. Se ne bukën e kemi të parën kudo. Ndaj dhe dita kur u dhe lajmi për rritjen e çmimit të bukës, me gjasa mund të shpallet si ditë zije kombëtare.
Apo nuk kemi vuajtur për pak bukë gruri, derisa arritëm të prodhonim 100 përqind nevojat e vendit.
-Aaaa... Këtu po lajthitni. Partia dhe shoku Enver na porosit që çështja e drithit është çështja e të gjithëve, - thuhet në një prej batutave të filmit “Përballimi”, ku anëtari anonim i Plenumit të rrethit i bën vërejtje shokut Kopit, homologut të tij disfatist, në prezencën e sekretarit Martin që dilte nga tregu i zi për të matur pulsin e kulakëve.
Dhe meqenëse ishim një popull që nuk e kishim mbushur barkun as me bukë misri, - siç na e ka lënë të shkruar dhe Migjeni – kur binim në bukën e grurit meritonim atë shprehjen: ra si daci në kos.
Duke e analizuar thellësisht këtë mangësi në shoqërinë shqiptare, detyra kryesore në vitet e socializmit ishte “sigurimi i bukës në vend”. Kjo donte të thoshte se duhet të prodhonim aq grurë e misër sa të ishim të pavarur nga eksporti. Po të hanim me nikoqirllëk ama. Dhe prap mirë, se te e fundit nuk ktheheshim në obezë, si tani.
Diku nga vitet ’70 të shekullit XX, me shumë sforco në fakt, sigurimi i bukës në vend u arrit. E plasi festa e u morën zotime të reja për pavarësinë ushqimore të shqiptarit, i cili edhe po të mos kishte me çfarë ta lyente bukën, mund ta hante thatë. Ose siç bëjnë andej nga Elbasani, bugaçe. Bukë, me një petë byreku brenda. Ose thënë akoma më shkurt: Bukë me bukë.
Opo buka të mban, ç'i do llafet.
Në vitet '80 po të shekullit të kaluar, pas tufëzimit të bagëtive, ku duhej tolloni - dhe më shumë akoma njohje miqësore apo krushqi me shitësen, - për ca mish brazili, buka u bë edhe më e domosdoshme.
Mirëpo pas viteve ’90, kur toka u la djerrë e nuk mbillej gjë prej gjëje, Shqipëria nuk prodhonte grurë as sa për muajt e verës, jo të shtynte dimrin. Gjithçka eksportohej. Gruri na vinte me të lirë herë nga Kanadaja e largët, por më së shumti nga Serbia që e kemi këtu pranë. Ne vetëm hanim. Epo bukë hesapi. Më lirë se aq nuk bëhej.
Tanimë kanë kaluar 30 vjet nga hapja e dyerve dhe kufirit. Jep e merr me njëri tjetrin e përsëri vazhdojmë të themi se jemi në tranzicion. S’kanë të mbaruar vuajtjet e shqiptarit. Edhe emigracioni nuk e ndryshoi dot traditë e tavolinës, ku fillimisht në mesin e saj vendosej kanistra e bukës. Edhe në restorantet me pesë yje një shqiptar i vërtetë e do një fetë buke, qoftë dhe të prerë hollë, se nuk shtyhet ndryshe. Kështu që vazhdojmë të blejmë nga një pllakë buke për çdo dy veta. Imagjino një familje me 6-të veta... Bllokohet wc-ja.
Tani po thonë se ky gruri që na vjen nga Serbia është cilësia “zh”, s’ka duk fare. Ne po nuk duam t’ia dimë nga ajo anë dhe vazhdojmë të hamë bukë... me bukë. Ç'rëndësi ka cilësia, dhe sasia e bojës që hidhet mbi krunde, që buka të marrë një ngjyrëëëëë... mysybet.
-Ejani të hamë një kafshatë bukë, - vazhdon të thuhet ende në familjet tona, kur të ftojnë në tryezë për mëngjes, drekë apo darkë. Sepse elementi kryesor i tavolinës është buka. Imagjino të ishte mishi...
-A do vini të hamë një çapë mishi...?
Sikur nuk shkon. Ka lezet buka. Na është mësuar edhe veshi dhe syri.
Por si t’ia bëjnë që t’ia heqin shqiptarit bukën nga menuja?
Ja, i rrisin çmimin.
Në fakt çmimi i bukës ka kohë që ka shkuar në statosferë. Sepse sasia e një buke është zvogëluar nja dy a tri herë me atë ç’kemi pasur një herë e një kohë. Se, me një bukë 50 lekshe të para viteve ’90 sot i bie të hajë tërë mëhalla. Ndërkohë, që siç po shkon puna, çdo shqiptar do marrë bukën e vet e s’do ta ndajë me njeri tjetër. Gjashtë veta në shtëpi, gjashtë bukë në sini. Nga 1000 lekë të vjetra buka... iku dita e punës. Do mbeten dritat pa paguar. Kush duron burgun.
Aman o shqiptarë, mos hani kaq shumë bukë se latë nam. Hani ore... banane... Se u del më lirë.

Afganistani i Khaleidit, me dy fytyra



Nga Leonard Veizi
 
Kur u njoha me Khaledin dhe me rrëfimin e tij, kuptova realitetin e një populli për të cilin dija më pak se pak. Por kjo nuk ishte tregues i mendjengushtësisë time dhe as i mungesave enciklopedike. Meqenëse Afganistani ishte larg, edhe lajmet që vinin prej andej mbesnin rrugëve e pakogjë vinte deri në Agjencinë Telegrafike të Tiranës e cila po aq censurohej për t’u transmetuar në TV Tirana apo për t'u botuar tek "Zëri i Popullit". Dinim vetëm që atje luftohej, por nuk dinim në bëhej jetë sociale apo jo. Sepse kudo, në çdo kohë, njeriu ka nevojë për jetë sociale. Ndaj jetë sociale është bërë edhe në Shqipërinë e pushtuar prej ushtarëve të Fashos Italiane, madje dhe kur u fut gjermani me të cilin shkalla e shakasë binte ca shkallë ndjeshëm.
Por Khaledi, me urtësi e dashuri më tregoi gjithçka tjetër, për të cilën as që më kishte shkuar në mend të interesohesha më parë. I urtë e i shtruar ai më rrëfeu se çfarë kishte ndodhur në vendlindjen e tij, përpara se ushtari i parë sovjetik të kapërcente kufirin e të niste pushtimi.
Në parantesë, me Khaledin më prezantoi miku im, botuesi Luan Pengili. Ai më tregoi se Khaledin e kishte gjetur në tregun italian ku kishte bërë namin në shitje kopjesh, ndaj vendosi ta sillte dhe në Shqipëri duke marrë sipas rregullave dhe të drejtën e autorit. Pengili më la romanin e tij në dorë e më tha: Lexoje dhe do ta shohësh... nuk do zhgënjehesh. I prirë të besoja se nuhatja e një botuesi të mirë nuk do më zhgënjente vërtet, romanin “Gjuetari i balonave” e lexova gjatë asaj pasditeje, në redaksinë e gazetës Ballkan ku punoja asokohe, teksa prisja që puna ime ditore si gazetar terreni të faqosej e të dilte në boca.
Qëlloi që shkrimtari afganas, i natyralizuar si amerikan tashmë, të ishte vërtet një zbulim. Një letërsi e bukur dhe një histori e trishtë që të mbante të mbërthyer deri në faqen e fundit për nga surprizat që dukeshin sikur nuk do të mbaronin. Dhe pasi ktheva dhe kopertinën e librit për të parë tek e fundit dhe fotografinë e shkrimtarit, kuptova që e njihja Afganistanin, sepse kisha jetuar në Kabul e rrethinat e tij po aq sa dhe Khaledi.
Padyshim nëse ka një realitet tjetër të Afganistanit, përveç kronikave filmike të atyre viteve, ka mbetur e zeza mbi të bardhë ajo çka është shkruar prej shkrimtarit Khaled Hosseini. Ashtu si dhe Perëndimin, shqiptarët e njohën fillimisht shkrimtarin afgan përmes librit të tij të parë "Gjuetari i balonave". Ndërsa më pas saga do të vazhdonte me "Një mijë diej vezullues" e "Dhe malet oshtijnë".
E me këtë rast më duhet të them se krijimtaria e Khaled Hosseinit nuk është vetëm një realitet letrar, por po aq dhe autobiografik dhe gjithashtu historik. Ai ishte një pasqyrim e realitetit të panjohur.
Që prej vitit 1979 ishim mësuar të dëgjonim se Afganistani ishte pushtuar nga ushtria sovjetike. Dhe kaq. Pas largimit të sovjetikëve, dhe përfshirjes së vendin  në një luftë civile, mësuam se Afganistani u mor nga Talebanët. Pra një grupim vendasish radikalë që ishin një prej fraksioneve të luftës civile në Afganistan. Pastaj mësuam se në Afganistan ndërhynë trupat amerikane. Sërish kaq. Sepse Afganistani për ne ishte larg dhe prej tij vinin vetëm lajme lufte. Duhet pasur parasysh se dhe Shqipëria u bë e njohur e bëri xhiron e botës, pikërisht në vitin 1997 kur u futën në luftë ... “me Zotin”, e ç'praznim pa fund armët në qiell.
Leximi i romanit të Hosseinit më dha një përfytyrim tjetër të Afganistanit. Sepse ne kuptonim që në Afganistan lindnin vetëm luftëtarë dhe po ashtu vdisnin si  të tillë. Dhe se mjeti më i dashur për ta, po aq sa dhe shqiptarët, ishte kallashnikovi. Mirëpo ja që Khaled Hossein më tregoi se Kabuli kishte qenë një kryeqytet ku jetohej po aq sa në pjesën tjetër të botës.
Se në Kabulin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, gjeje po aq sa dhe në perëndimin evropian plus gjithçka nga tradita vendase. E për më tepër Khaledi më tregoi se në vendin e tij, kur ishin të vegjël, përveçse pinin coca-cola, filmat hollivudianë western me aktorët e njohur të atyre viteve, që shihnin në kinema i shijonin në gjuhën vendase. Pra ishin të dubluar. Në Shqipërinë evropianë edhe në vitin 2021 kjo teknologji është gati inekzistente. Sepse ne përdorim titrat, të cilat kanë dalë nga qarkullimi këtu e... kush e di sa vite më parë. Kjo donte të thoshte se Afganistani, që në perceptimin tonë ishte një vend krejtësisht i prapambetur, në fakt ishte më e zhvilluar se Shqipëria e viteve ’70 kur vendi drejtohej nga Byroja komuniste dhe coca-cola konsiderohej një pije “e degjeneruar”.
E ç'tjetër më tregoi për vendin e tij Khaledi, përderisa pas ndërhyrjes sovjetike, qoftë dhe i mishëruar në personazhin e tij Amir, u detyrua të lejë Kabulin me çajtore e mejhane që binin erë mishi të pjekur, e të shkonte në Amerikë. Dhe më e tmerrshme do të bëhej situata kur vendin e zaptuan radikalët talebanë.
Sot 20 vjet pas ndërhyrjes së ushtrisë amekiane në Afganistan historia po përsëritet. Talebanët kanë rimarë Kabulin e janë shtruar këmbëkryq në pallatin presidencial. Po aq sa brigadat partizane në nëntorin e vitit 1944  vërshuan në hollin plot shkëlqim të pallatit mbretëror, ndërsa vetë partizani Meke u shtri sa gjatë gjerë në krevatin ku kohë më parë kishte fjetur i pari i Savojës perandorake, Emanueli III.
Afganistani është pushtuar nga talebanët. Shqipëria, e përfshirë në zbutjen e krizës humanitare, ka bërë gati krevatet ku do të strehojë një pjesë të afganasve të arratisurve prej realitetit të ri. Njerëz të tmerruar nga ky fakt kapen pas rrotave të avionëve me shpresën për t’u larguar nga një vend ku mendojnë se nuk kanë asnjë ditë të ardhme.
Kahled Hoseinit do t’i duhet të ulet sërish në skrivani e të shkruajë sërish për vendin e tij. Për amerikanët dhe talebanët. Dhe për fëmijët e tjerë që nuk kanë mundësi të gjuajnë më balona.