Monday, November 27, 2017

Dy pasardhësit e Ismail Qemalit, Ariana dhe Darling Vlora rrëfejnë si u la në harresë nga regjimi komunist, familja e burrit që i dha shqiptarëve Pavarësinë


nga Leonard Veizi

Nuk është se i besojnë thjesht a në mënyrë të verbër një formulimi shkencor që flet për transmetimin e kodit gjenetik nga njëri brez tek tjetri. Ata shkojnë më tej se kaq, me një ndjesi të brendshme që e bën dhe më të papërballueshme temperaturën e asaj çka kërkojnë të thonë. Bashkë me ADN-në kanë marrë dhe sasinë e mjaftueshme të kohës që u duhet për të përligjur aureolën që i jep prapashtesa e emrit. Ndaj duket se përjetojnë gjithçka, si të kenë qenë edhe ata të dy pikërisht atje, 102 vite më parë, mbi ballkonin e shtëpisë dhe kanë vendosur duar e tyre mbi dorën e tij, për të ngritur Flamurin. Nuk është thjesht një ëndërr që fanitet diku pas mesnate e prishet në mëngjes pa aguar, por një ndjesi që fluturon në kohë me shpejtësi kozmike për ta përsëritur të njëjtin veprim disa qindra herë me radhë, pa u lodhur...

...Të paktën dy prej djemve të tij prodhuan meshkuj të tjerë. E as që mund të mendohej se vazhdimësia e familjes Vlora do ta kishte pikën e këputjes te vdekja e Ismail Qemalit. Për më tepër që ai la pas vetes 9 fëmijë, 6 djem edhe 3 vajza. E megjithatë për shumëkënd, familja Vlora, në vijimësinë e saj mashkullore pushoi së ekzistuari. Në qitapë ishte shënuar data e vdekjes së tij. Më tej asgjë... Por nuk ishte kështu. Ariana Vlora, pasardhëse e Ismail Qemalit dhe mbesa e Qamil Vlorës, si dhe Darling Vlora, me të njëjtin status rrëfejnë detajet e panjohura të jetës së familjes patriotike, e cila jo vetëm i dha Perandorisë më të madhe të kohës disa drejtues të fuqishëm guvernash, por dhe kryeministrin e parë të shtetit Shqiptar, të cilin ai vetë e shpalli “të mosvarme”.

Si e keni ndjerë veten kur u përballët me faktin se jeni një nga pinjollët e familjes së Ismail Qemalit?
Ariana Vlora: - Kjo ndjesi e fortë, në fakt ka ardhur shumë natyrshëm tek unë. Jam rritur në një familje ku flitej për tradita e vlera njerëzore dhe isha e parapërgatitur që unë isha trashëgimtare e një familje që kishte vlera dhe që kishte bërë diçka të mirë për vendin. Dhe natyrisht kur u përballa dhe mësova plotësisht të vërtetën e ndjeva veten shumë krenare. Kur në shkollë bënin lëndën e historisë e letërsisë dhe kur flitej për rilindjen, pavarësinë e posaçërisht për figurën e Ismail Qemalit, unë ndjeja një krenari të ligjshme që isha një pasardhëse e tij. Pra isha pinjolle e familjes që shkriu pasurinë për të bërë shtetin shqiptar. Në familje ne mbanim një album me fotografitë e rilindësve dhe të shumë figurave të tjera të shquara të kombit, ku për të thënë të vërtetën, ajo e Ismail Qemalit dominonte dhe ishte më e madhe se të tjerat. Kur mësuesit na kërkonim që të sillnin në klasë dhe tekste jashtëshkollore për të ilustruar më mirë lëndën, unë me një dëshirë të madhe çoja gjithmonë këtë album.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë familja juaj u përfaqësua gjatë ceremonialit. Për 50 vjetorin një gjë e tillë nuk ndodhi. Përse?
Darling Vlora: - Marrëdhëniet e familjes Vlora me sistemin komunist nuk kanë qenë aspak të mira. Gjyshi im, Qamil Vlora nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin e Hoxhës kështu që me një pretekst për armëmbajtje pa leje, ai kaloi dy vite në një burg ordiner. Më pas familja e tij u la në hije të plotë duke e detyruar të ndërronte dhe mbiemrin, me qëllim që të mos bëhej lidhja e pasardhësve me Ismail Qemal Vlorën. Dhe morëm mbiemrin Ismaili. Pas vitit 1990 ne rimorëm sërish mbiemrin tonë të vjetër, atë që na takonte. Regjimi komunist përkujtonte burrin që shpalli Pavarësisë, por denigronte familjen e tij, madje deri aty sa u tha se Ismail Qemali nuk ishte martuar e nuk trashëgoi fëmijë. Ndërkohë unë vetë jam marrë me studimin e pemës gjenealogjike që e kam përfshirë në një libër të ribotuar së fundmi. Në vitin 1962, në festimet e bëra me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, asnjë prej pjesëtarëve të familjes Vlora, pasardhësve të Ismail Qemalit nuk ka qenë pjesëmarrës dhe as i ftuar. Por në 100 vjetor përfaqësuesit e familjes Vlora ishin të pranishëm në të gjitha aktivitetet e bëra me këtë rast. Kemi pasur ftesa nga Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministria e Ministria e Jashtme. U deshën 50 vjet që ne pasardhësit e Ismail Qemalit të mos ishim më anonim.
Të qenit pasardhëse e njeriut të Pavarësisë u jepte mundësinë të ishit “e para e klasës”?
Ariana Vlora: - Aspak. Nuk ndihesha e privilegjuar. Madje më bënte përshtypje, sepse disa nga shokët e shoqet e klasës, që familjarët e tyre kishin lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare, bie fjala kishin ndonjë partizan apo dëshmor, trajtoheshin moralisht shumë më mirë se unë që isha pasardhësja e drejtpërdrejtë e atij burri që i dha pavarësinë Shqipërisë. E njëjta gjë ndodhte edhe me vëllezërit e motrat e mia. Analiza erdhi më pas, por unë kam menduar që atëherë me trishtim: “Përse ne që jemi trashëgimtarët e këtij patrioti, për të cilin flitej shumë në mësimet e shkollës dhe kudo, trajtoheshim moralisht më pak se të tjerët?” E megjithatë mbetesha shumë krenare edhe pas këtij “diskriminimi”. Madje një gjë e tillë më bënte mua, por dhe të gjithëve ne që ishim pjesë e familjes Vlora, që ta kultivonim këtë krenari edhe më shumë.
Sa probleme do të sillte për ju, fakti që ishit nipi e mbesa e Qamil Vlorës djalit të Ismail Qemalit?
Darling Vlora: - Mund të them vetëm që ishte qesharake të shpjegonim se përse e kishim ndryshuar mbiemrin. Shpesh gjenim arsye atje ku nuk kishte arsye. Fjala vjen, u shpjegonin fqinjëve tanë që nuk na lejohej të mbanim për mbiemër një emër qyteti. E kështu me radhë. Pra nuk mund ta thoshim hapur se na kishin detyruar ta bënim një gjë të tillë. Megjithatë të gjithë fqinjët në lagje e dinin historinë e familjes sonë. Në shkollë, pasi krijova besim me disa nga shokët gjithashtu u tregova se si qëndronte puna. Në atë kohë flisja hapur kundër regjimit me Benin, Anilën e Tomin. Por një herë ndodhi që kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të thërritesha nga komandanti i batalionit për shkak të një thyerje disiplinore që kisha bërë. Më pyeti se nga isha me origjinë. “Nga Kanina”, i them. Qëlloi që edhe ai ishte nga Kanina. E më thotë: “Kanina ka nxjerrë burra të famshëm, si Ismail Qemalin, ndaj dhe ti nuk duhet të gabosh më”. Ç’t’i thosha. Heshta për momentin, por ia shpjegova më pas se unë isha një nga pasardhësit e Ismail bej Vlorës.
Për shumë kohë nuk njiheshin pasardhësit e Ismail Qemalit. Ndërkohë që ata jetonin në mes të Tiranës. Si u izolua familja juaj?
Ariana Vlora: - Familjen Vlora e ka ndjekur një histori e gjatë persekutimi. Ajo është lënë në harresë qëllimisht. Fillimisht i kam bërë pyetjen vetes: “Vërtet nga shqiptarët na vijnë këto të këqija?”. Dhe përgjigjen sigurisht e kam marrë. “Natyrisht që jo”. Kanë qenë linjat anti-shqiptare që kanë vepruar fort për ta mbajtur nën presion familjen e atij burri që i dha pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur trojet tona lakmoheshin të copëtoheshin mes fqinjëve. Babai im, Ismail Vlora, studimet e mesme i kreu në Paris. Në vitet e para të pushtimit mori pjesë në lëvizjet antifashiste studentore dhe bojkotoi studimet në Siena të Italisë. Por, duke parë vijën që po ndiqte lëvizja nacional-çlirimtare, shpejt u distancua dhe shkoi në Vjenë, për të vazhduar studimet e larta, në Fakultetin e Mjekësisë. Studimet e larta nuk i përfundoi dot, pasi u kthye në Tiranë për të takuar familjen dhe nuk mundi të largohej më, për shkak të mbylljes së kufijve. Pavarësisht se im atë kishte një kulturë të gjerë, ishte shkolluar në Perëndim, fliste disa gjuhë të huaja, në Shqipërinë komuniste ishte thjesht punëtor. Megjithatë e rëndësishme është që ai jetoi kryelartë, duke nderuar veten e tij dhe emrin që trashëgonte”.
A keni qenë gjatë gjithë kohës krenar që paraardhësi juaj shpalli Pavarësinë e Shqipërisë?
Darling Vlora: - Them se krenaria ka qenë dhe është maksimale, por nuk është se më bën superior. E kam menduar gjithmonë me vete se jo dhjetë për qind, por edhe sikur një për qind t’i ngjaj Ismail Vlorës jam shumë i lumtur. Sepse ajo çka bëri ai ishte një vepër e madhe, që i qëndroi kohës dhe e përkujtojmë edhe sot pas 102 vitesh. Por gjithsesi, jo çdo çast më duhet të mburrem me këtë fakt. Kjo vlen vetëm për situata të caktuara. Në të kundërt unë jam një njeri i thjeshtë, që merrem me punët e mija e me familjen time.
Jeni pinjolle e fisit Vlora. Cila është pema gjenealogjike që ju çon tek Ismail Qemali?
Ariana Vlora: - Ismail bej Qemal Vlora la 6-të djem, njërit tyre, më i vogli, Qamil bej Vlora ishte dhe gjyshi im. Në fakt, vetëm dy nga djemtë e Ismail Qemalit, i madhi dhe i vogli, lanë trashëgimtarë meshkuj. Qamili u trashëgua me dy djem Ismail Vlorën që është babai im dhe Xhevdet Vlorën. Ismaili gjithashtu do të trashëgohej me dy djem Qamilin dhe Darlingun. Bëra të ditur vetëm degën e meshkujve, meqenëse ata trashëgojnë edhe mbiemrin. Si pinjollë të familjes Vlora ne jemi shumë afër, vetëm dy breza na ndajnë nga Ismail Qemal bej Vlora.
Cila ishte historia e familjes Vlora para shpalljes së Pavarësisë?
Darling Vlora: - Një nga familjet e mëdha që luajti një rol të rëndësishëm në historinë tonë ishte edhe familja ‘Vlora’, e cila, siç thekson Ismail Qemali, në ‘Kujtimet’ e tij: “për shkak të origjinës së saj të lashtë dhe të karakterit të pasur gjeografik të rajonit, ku ushtronte pushtetin, ka pasur ndikim të madh mbi çështjet dhe fatet e Shqipërisë”. Familja Vlora drejtoi për gati 5 shekuj, thuajse në mënyrë të trashëguar, një nga sanxhaqet më të rëndësishëm, atë të Vlorës, që zinte një sipërfaqe prej gati 7.000 km². Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishëm të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur e me shumë tradita. Por familja Vlora ka nxjerrë shumë burra të shquar, që në vitet 1500 kur i pari prej tyre, Sinan Pasha do të merrte poste të larta në Perandorinë Osmane. Pas tij edhe disa të tjerë që u emëruan kryevezirë e guvernatorë. Por në të gjithë linjën familjare, objektivi kryesor ka qenë i njëjtë: Të punojmë për perandorinë por t’i shërbejmë edhe kombit tonë, Shqipërisë. Dhe kështu u mbajt Shqipëria derisa Ismail Qemali arriti të shpallë Pavarësinë. Duhet saktësuar që gjyshin e Ismail Qemalit e ekzekutuan në Stamboll pikërisht se kërkonte t’i jepte autonominë vendit të tij, babanë e tij gjithashtu. Ismail Qemali pavarësisht se punonte për Portën e Lartë si qëllim të vetëm në vetvete kishte bërjen e shtetit Shqiptar. Dhe në fund ia doli.
A keni relika e dokumente të tjera nga Ismail Qemali?
Ariana Vlora: - Ne kemi arritur të ruajmë fare pak relike nga shtëpia e madhe e Ismail Qemalit. Në vitin 1926, disa vite pas vdekjes së Ismail Qemalit, sarajet e tij u shpërdoruan dhe u shkatërruan. Njerëzit e tjerë të afërt të tij jetonin jashtë shtetit dhe kështu që pasuria e tij pësoi një fat të keq. U zhdukën dhe shkuan në duar të tjera, shumë sende me vlerë dhe dokumente të cilat nuk po i gjejmë më. Prej kohësh edhe dy vëllezërit e mi janë aktivë në çështjen e familjes Vlora, por më shumë spikat Darlingu. Ai ruan si gjërat më të shtrenjta dhe disa relike të familjes.
Çfarë keni të ruajtur nga reliket e Ismail Qemalit?
Darling Vlora: - Ato që ruaj unë janë shumë të pakta. Kam në koleksionin tim disa gazeta e revista që mbante Ismali Qemali, e ku kishte dhe intervista të tij. Ndër to kam një revistë të vjetër franceze të vitit 1917 me një intervistë interesante. Por kam dhe disa foto origjinale. E veçantë është një kartolinë e vitit 1908 kur karroca e tij tërhiqet nga njerëzit për ta futur në Vlorë. Por kam dhe një Kuran të tij ose më saktë të familjes. Është një gjë e rrallë, sepse është unik. Një kuran me format të vogël, të cilët bëheshin me porosi nga shkrues të veçantë.
Pra shtëpia e Ismail Qemalit nuk ekziston më?
Ariana Vlora: - Jo. Atje tani është ndërtuar “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa pikërisht atje ku është vendosur shtiza që mban flamurin Kuq e Zi, binte dhoma ku është ngritur realisht flamuri me shqiponjë në 28 nëntor të vitit 1912. Më pas shtëpia e Ismail Qemalit u përdor si selia e parë e shtetit shqiptar, sepse në ato kushte natyrisht që nuk flitej për ndonjë godinë tjetër. Ismail Qemali vuri në dispozicion të shtetit të sapoformuar gjithçka të tijën, paratë dhe sarajet. Sigurisht që kemi foto origjinale, por madje ne kemi dhe skicat e shtëpisë. Natyrisht jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo shtëpi të rindërtohet pikërisht aty ku ka qenë, me qëllim që të ngrihet në kultin që i takon, vendi ku u ngrit flamuri i shtetit Shqiptar dhe selia ku mori vendimet qeveria e parë shqiptare.
Ku jetojnë pasardhësit e Ismail Qemalit, tanimë?
Darling Vlora: - Një pjesë janë në Tiranë, por ka me banim edhe në Itali, Francë e Angli.

Botuar në:

Friday, November 24, 2017

Rreth libri të Luan Ramës “Bonjur D’Albania – shkrime nën hijen e bombave”

Nga Leonard Veizi

Padyshim që francezët janë ndjerë mirë në territorin shqiptar, mes një populli sa mosbesues ndaj të huajve me uniformë, aq edhe miqësor e besnikë po t’u fitohej besimi. Natyrisht ky nuk është një konkluzioni i im, por në këtë përfundim dal pasi kam lexuar librin “Bonjur D’Albania – shkrime nën hijen e bombave”. Edhe pse ishte kohë lufte, madje edhe pse Shqipëria ishte në një situatë të mjerueshme ekonomiko-shoqërore, trupat e ushtrisë franceze gjetën një aleat të çmuar tek popullsia vendase. Gjithçka e mundshme vjen për lexuesit nëpërmjet ditarëve, letërkëmbimeve dhe telegrameve të vetë ushtarakëve francezë, të cilët fronti i Luftës së Parë Botërore i kishte sjellë në Shqipëri. Dhe i gjithë ky pasqyrim origjinal bëhet i njohur për publikun, nga puna e çmuar e shkrimtarit dhe studiuesit njëkohësisht, Luan Rama, i cili ka gërmuar me durim në arkivat e Francës për të na sjellë me një realitet – sa të njohur aq edhe të panjohur – Shqipërinë e viteve 1914-1918.
Të paktën 10 vjet më parë pasi isha njohur me Luan Ramën nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët, kam realizuar bashkëpunimin e parë me të, një intervistë të gjatë, thuajse dy faqe gazete, ku ai ka folur më së shumti për jetën e tij si krijues. Në vazhdën e bashkëpunimeve tona, ne kemi realizuar edhe intervista të tjera qoftë të karakterit “dossier” të jetës së tij si diplomat, por dhe të fushës së kulturës e letërsisë. Gjithmonë më ka bërë përshtypje eleganca e tij. Padyshim nuk flas për pamjen e tij të jashtme dhe as për modelin e kostumit, por të asaj që ai përcillte qoftë nëpërmjet fjalës së thënë po ashtu dhe të asaj së shkruar. Tanimë unë hyj tek ata njerëz që janë shumë dashamirës me veprën e tij si autor, vepër e cila përfshin një korpus prej më shumë se 30 tituj në letërsi, studime e publicistike si dhe shumë tituj të tjerë në fushën e përkthimit. Duke parë volumin e madh të krijuar prej tij, disa mijëra faqe të botuara, mendoj se ai është jo vetëm skrupuloz në atë që shkruan dhe që kërkon të publikojë, por ka dhe një përqendrim dhe vullnet të jashtëzakonshëm në përkushtimin e kësaj pune, gjë që bashkë me atë çka do botohet më pas, do të krijojë një trashëgimi të vyer në letrat shqipe.
Në librin e tij të fundit “Bonjur D’Albania”, Luan Rama, si një qëmtues i mirë i fakteve historike ka mundur të na japë një panoramë mjaft interesante të Shqipërisë, gjatë viteve të Luftës së Madhe, dhe kjo nëpërmjet shënimeve të gazetarëve francez në front si dhe të shumë ushtarakëve të tjerë që kanë lënë shënime, gjatë ditëve kur ata luftonin në një vend si Shqipëria. Në mënyrë absolute ne të gjithë (e kam fjalën për auditorin konkret) i njohim kushtet në të cilat u zhvillua Lufta e Parë Botërore. Ishte koha kur pas shpalljes së Pavarësisë, qeverisjes 14 mujore të së parës qeveri shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin dhe mbretërimit 6-mujor të Princ Vidit, paria e vendit, apo administratat lokale, nuk arrinte të administronte as 28 mijë kilometrat katrorë që u vendos t’i mbeteshin në pronësi shtetit Shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në këtë ndeshje të ashpër të politikës dhe ushtrive të dy kampeve të mëdha, “Antantës” dhe “Bllokut Qendror”, Shqipëria pa asnjë lloj objektivi, ishte kthyer veç një terren lufte gjysmë i fortifikuar, ku kaloi çizmja e 14 ushtrive të huaja.
Faktet që vijnë drejt e nga fronti i luftës janë të jashtëzakonshme. Në të jepet me ngjyra të gjalla, jeta mesjetare e Shqipërisë që sapo kishte dalë nga sundimi i gjatë 500 vjeçar i Portës së Lartë. Them “sundimi” meqenëse kohët e fundit ka dalë dhe teza e re e “administrimit” që na kanë bërë osmanët, si në vjeljen e të mirave në ekonomi ashtu dhe në atë të rekrutimit të ushtarëve për t’i përdorur në repartet e sulmit të parë. E megjithatë, ushtarakët francezë, ushtarë të thjeshtë apo drejtues regjimentesh thonë se edhe pse tejet e varfër dhe e prapambetur, në Shqipëri kishte dhe oaze ku mund të jetohej, siç ishte rasti i qytetit të Korçës. Qëndrimi i francezëve ndaj kësaj kazaje, ndihma e madhe politike dhe administrative që iu dha krerëve të rinj, bëri që në një shtet pa shtet, “Republika autonome e Korçë” të bënte epokë edhe pse jetëgjatësia e saj ishte diçka më shumë se një vit. Gjithsesi duhet theksuar se krerët lokalë në juglindje të vendit, dhe vetë popullsia e zonës kërkoi një autonomi nën autoritetin e Francës, gjë që i vinte fre dhe tundimit të madh dhe tentativave agresive të Greqisë për aneksimin e kësaj zone. E quajtur si “Republika franceze e Korçës”, ajo do të jetonte prej dhjetorit të vitit 1916 deri në shkurtin e vitit 1918, kohë kur u abrogua protokolli për funksionimin e saj. Pas luftës francezet do të qëndronin në Korçë deri në majin e vitit 1920, dhe më pas trupat e tyre do të tërhiqeshin përfundimisht. Megjithëse një kohë relativisht e shkurtër dhe për më tepër në kohë lufte, sërish ndikimi francez në juglindje të vendit do të ishte i tillë që përveç “Liceut”, emërtimeve të objekteve të veçanta në terminologjinë franceze, vetë Korçës do t’i mbetej si një pagëzim togfjalëshi: “Parisi i vogël”
Dua të them se nëpërmjet këtij libri, shqiptarët njihen më mirë me qenësinë e tyre në Luftë, me figura si Themistokli Gërmenji e Sali Butka, që edhe pse cilësoheshin rëndom si “komitaxhinj”, në ditarët e francezëve, duhet thënë qartë se ata ishin patriotë dhe luftëtarë që në idealin e tyre kishin vetëm Shqipërinë etnike dhe të pacoptuar, gjë që ata shpresonin ta bënin përmes aleancave me fuqitë e mëdha të Francës apo Austro-Hungarisë. Ndërkohë, po në të njëjtën luftë dhe demarshe për aleanca, ishte dhe një figurë tjetër që prezantonte shqiptarët, por që vazhdon dhe sot e kësaj dite të mbetet krejt e panegociueshme, dhe që ishte ajo e Esat Pashë Toptani, i cili gjithashtu ishte i gatshëm të bënte marrëveshje, por më shumë se me Fuqitë e Madha preferonte fqinjët tanë veriorë apo dhe ata që shtriheshin në Jug, veç jo për konsolidimin e kombit, por vetëm për interesa krejt personale.
Libri në fjalë është i pajisur me një numër të madh fotografish të rralla të atyre viteve ku aparati është bërë një dëshmitar i rëndësishëm duke fokusuar çaste nga jeta reale e ushtrisë franceze në Shqipëri, që padyshim e bëjnë më interesant historinë e rrëfyer, sa përmes ditarëve aq edhe me narracionin e vetë autorit. Përmes imazheve tregohet qarte se trupa të armatosura shqiptare iu bashkuan në luftë ushtrisë franceze. Të gjitha këto, fotografi dhe ditarë autentikë të ushtarakëve francezë, që Luan Rama na i sjell në shqip, pasqyrojnë Luftën e cila filloi 100 vite më parë, dhe ku për fat të keq nga vetë shqiptarë, dëshmitarë të atyre viteve, kjo pjesë e historisë rezulton të jetë thuajse e paevidentuar.
Mendoj se në fund të këtij prezantimi të shkurtër do të ishte me vend ta mbyllja duke huazuar fjalinë e një shkrimtari si Remark, i cili duke perifrazuar stërlodhjen e të gjitha palëve ndërluftuese në ditëve të fundit të Luftës së Parë Botërore, tek bëheshin gati bisedimet për Paqe shkruante thjeshtë: “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Por në fakt në frontin e Ballkanit, fundi i Luftës së Madhe do të jepte një paqe të përkohshme. Shqipëria do të përballej me sfida të reja. Ndërsa epilogu kësaj lufte për francezet e Shqipërisë do të ishte një varrezë për ushtarët e vrarë dhe një memorial në nderim të tyre ku shkruhet “Rënë për Francën”.


Thursday, November 23, 2017

“Uragani” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra

PËRTEJ NJË LAJMI

nga Leonard Veizi

Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet…

…Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit si për të si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi.
Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune.
Dhe kështu, në ditë dilemash si këto që përmenda më sipër, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar të quajtur UNESCO, u promovua krijimtaria letrare dhe historike e  studiuesit të njohur Moikom Zeqo. Veçanërisht, ky takim promovues kishte të bënte edhe me librin: “Tatuazhet e shpirtit: Transletërsia e Moikom Zeqos”, të autorit Fatmir Minguli. Dhe për një çudi, aspak befasuese në fakt, kjo ishte hera e parë që vetë Moikomi merrte pjesë në një takim ku flitej për krijimtarinë së tij. Siç u shpreh ai vetë për të pranishmit, që prej daljes nga shtypi të librit të parë që mbante mbi krye emrin e tij e deri në atë të fundit të dalë pak ditë më parë, ai nuk kishte bërë asnjë promovim, as kish tentuar madje, as që e kishte marrë mundimin. Për shkrimtarë si Moikom Zeqo, libri ka rrugën e tij, dhe ndërhyrjet mediatike a propagandistike, merreni si të doni, nuk është se ia rregullojnë biografinë.
Në këtë takim u mblodhën shumë emra të njohur të letrave shqip, miq e dashamirës të studiuesit të njohur. Në panel ishin gjithashtu Presidenti i Akademisë Shqiptare së Arteve dhe Shkencave, Prof. Dr. Isuf Kalo, Prof. Dr. Fatos Tarifa. Prof. Dr. Ksenofon Kristafi, Dr. Dorian Koçi, Nasho Jorgaqi, Fatmir Minguli e Josif Papagjoni.
Duke e cilësuar si një “dukuri letrare” veç të tjerash Fatos Tarifa do të thoshte për të se “ishte një intelektual publik i angazhuar, ndërsa letërsia e tij nuk shkruhet për t’u komentuar, por për t’u shijuar”. Fatos Tarifa, diplomat e sociolog i njohur do të mbante një kumtesë të shkëlqyer rreth krijimtarisë së Moikom Zeqos. Sipas tij, shkrimtari Moikom bën një letërsi aspak letrare dhe një histori si jo të tillë. Për më tej ai shtoi se në veprat e Moikomit nuk ndihet letërsia, as eseistika dhe as historia gjithashtu, por të gjitha bashkë. Dhe Tarifa shkon edhe më tej kur e krahasoi krijimtarinë e Moikom Zeqos me një muzikë xhazi, spontane dhe të thellë.
Për drejtorin i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, “Moikom Zeqo përfaqëson një etalon dhe një vijë mendimi ku me të drejtë autori Fatmir Minguli i ka vënë emrin “Moikomiane” e cila është e veçantë në llojin e vet dhe dallon mes emrave të tjerë të mëdhenj të publicistikës shqiptare”.
Ndërsa Josif Papagjoni do të shtonte se kur je përballë Moikom Zeqos ndihesh inferior, për shkak të enciklopedisë së madhe që ai zotëron.
Dhe kjo qëndron. 
Sepse sigurisht, Moikomi e ka një përgjigje për gjithçka ndërsa atij tjetrit që i ka zënë rrugën a i është ulur në tavolinën e kafesë i duhet të gërmojë e të gërmojë vazhdimisht në labirintet e trurit për të gjetur diçka, që më së shumti as që e gjen dot. 
Moikom Zeqo njihet si një enciklopedist apo erudit, eseist, prozator e poet, por dhe si arkeolog e piktor. Korpusi letrar i tij përmban mbi 100 vepra. Për së fundi ai vjen për lexuesin me librin e tij më të ri mbi jetën dhe letërkëmbimet e Lasgush Poradecit.

Botuar në:

Friday, November 17, 2017

“Thesaret e gjuhës shqipe” në duart e Xhevat Lloshit, studiuesi i njohur zbulon fakte të jashtëzakonshme


PËRTEJ NJË LAJMI


Nga 
Leonard Veizi

A doni më për shqiptarët, cilët janë dhe çfarë kanë bërë? Gjithçka e dyshimtë për gjuhën a prejardhjen e tyre merr përgjigje nga vëllimi “Thesare për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike”, një përmbledhje letërkëmbimesh që profesor Xhevat Lloshi na e sjell me aq skrupulozitet. Dhe pasi ke lexuar vëllimin në fjalë prej 630 faqesh, padyshim do t’i bësh një lexim krejt ndryshe rrugëtimit të gjuhës shqipe në histori.
Takimi i përjavshëm “Klubi i leximit pranë muzeut”, i cili u zhvillua në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, iu kushtua prof. Xhevat Lloshi ku u fol gjerësisht për librin e tij më të ri: “Thesare për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike”.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën përshëndetëse të tij me këtë rast tha se korpusi i veprave të prof. Dr. Xhevat Lloshit është një ndihmesë e çmuar që saktëson shumë gjëra në fushën e albanologjisë, të gjuhësisë e më gjerë se kaq. Ndërsa vetë autori nga ana e tij vlerësoi nismën e Muzeut Historik Kombëtar, duke u shprehur për auditorin se leximi merrte edhe më shumë vlerë në këto kohë kur më shumë se libri përdoret celulari.
Por si erdhi “Thesare të gjuhës shqipe...” deri në duart e lexuesve?
Të paktën 45 vite më parë dhe pikërisht në pranverën e vitit 1972, për herë të parë shkuan në Londër dy studiues shqiptarë. Ata ishin Arben Puto dhe Xhevat Lloshi. Asokohe ishin hapur arkivat britanike për vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe shteti shqiptar ishte i interesuar që me studiuesit e vet të qëmtonte në to. Xhevat Lloshi kujton se i përhumbur thellësisht në dosjet e kësaj arkive, papritur zbulon disa dokumente krejtësisht të panjohura rreth Shqipërisë të afro 200 vjetëve më parë, të cilat i përkisnin Shoqërisë Biblike. Këto dokumente lidheshin me fillesat e shqipes dhe librit shqip. I entuziazmuar për këtë zbulim, u kërkon punonjësve të arkivit se si mund të siguronte një kopje të tyre. Rruga ishte e thjeshtë... E pasi pagoi dhe ca stërlina shtesë nga xhepi i tij, Xhevat Lloshi arriti të merrte fotokopjet e dokumenteve që i duheshin. Këto iu bashkëngjitën dokumentacionit për të cilin studiuesit kishin mbërritur në Londrën e atëhershme ku nuk kishte përfaqësi diplomatike shqiptare dhe kaluan “doganën” e shtetit amë, i cili që prej 5-së vitesh ishte shpallur dhe si i vetëm shteti ateist në botë, duke ndaluar në këtë mënyrë dhe qarkullimin e literaturës fetare. Që prej asaj kohe do të niste puna voluminoze e këtij studiuesi për të gjetur sa rrënjët e shqipes, por edhe të vetë librit shqip.
Pjesën më të madhe të 590 dokumenteve të klasifikuara nga Xhevat Lloshi e përbëjnë raportet dhe relacionet e “Shoqërisë Biblike” lidhur me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Parimi i “Shoqërisë Biblike”, ishte që bibla të përkthehej në të gjitha gjuhët e botës, prandaj nuk pati asnjë pengesë nga dy kishat e tjera që predikonin në Shqipëri, nga ajo ortodokse dhe katolike.
Për ilustrim mund të citojmë se në letrën e Robert Pinkertonit për Londrën në gusht të vitit 1816, e cila ndodhet në faqe katër (4) të librit thuhet: “Pajisja e shqiptarëve të paktën me Dhiatën e Re në gjuhën e tyre është një objekt që e meriton në shkallën më të lartë të tërheqë vëmendjen e shoqërisë Biblike Britanike dhe për vendet e huaja. Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikumit të lashtë dhe të Epirit ndërsa flet një gjuhë e cila duket se nuk ka asnjë afri gramatikore me sllavishten, turqishten, greqishten ose latinishten. Shumica e shqiptarëve janë të besimit të krishterë dhe i përkasin kishës lindore: pjesa tjetër janë zhytur në një padituri kaq të thellë për parimet e krishterimit saqë kanë përqafuar besimin mysliman”.
Shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe, pavarësisht nga alfabeti që përdorej, filluan të botoheshin dhe të përhapeshin kudo. Në atë kohë asnjë nga dy kishat e mëdha të Shqipërisë nuk e kishin në projektet e tyre përkthimin në gjuhën shqipe të biblës. Prioriteti i tyre kishte të bënte me atë se fjala e Zotit duhej të predikohej në greqisht për kishën Lindore, ose në latinisht për atë të Perëndimit. Për të vazhduar konkretizimin citoj se në letrën e C.Hamlinin nga Bebeku për T.Lloyd Philipsin nga Stambolli në vitin 1857 mes të tjerash thuhet: “Kisha greke ka bërë përpjekje të mëdha për t’i helenizuar shqiptarët duke ngritur shumë shkolla greke…” Ndërsa në raportin 63 të shoqërisë biblike për vitin 1866, në faqen 169 të librit shkruhet gjithashtu: “Mes popullsive që përfshihen brenda kufijve të Turqisë Evropiane asnjëra nuk është dënuar me një mospërfillje të tillë të rënda sa shqiptarët”.
Ç’është e vërteta, mendësia e kishave tradicionale në Shqipëri, e asaj ortodokse dhe katolike, do të zëvendësohej nga mendësia pragmatiste e kishës protestante, e cila kishte një koncept të ri për përhapjen e shkrimeve të shenjta, atë të përkthimit që fliste çdo grup etnik.
Nga raportet e Shoqërisë Biblike sqarohet se përkthimi i Biblës fillimisht iu besua Vangjel Meksit, i cili u nda nga jeta pa e përfunduar tërësisht, e më pas Konstandin Kristoforidhit. Por disa broshura fetare janë përkthyer dhe nga Grigor Gjirokastriti. Në qershor të 1957 Kostandin Kristoforidhi i kontaktuar për të përkthyer Biblën, harton si raport për Agjencinë “Memorandum për gjuhën shqipe” e më pas “Shënime për Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”. Të dy këto dokumente të sjella nga Xhevat Lloshi marrin një rëndësi të madhe për të kuptuar rëndësinë e popullsisë shqiptare që jetonte e shtrirë në atë pjesë të gadishullit në mënyrë homogjene e që sot është e copëtuar në pesë shtete përveç tërësisë që njihet zyrtarisht si Republika e Shqipërisë.
Ajo që të bën përshtypje tjetër nga letërkëmbimi i misionarëve të shoqërisë biblike ka të bëjë me faktin se harmonia fetare e trumbetuar mes shqiptarëve herë si konkrete e herë si mit, ka qenë e vërtetë, dhe një gjë e tillë është vënë re madje dhe është raportuar nga misionarët e shoqërisë biblike. Në faqe 598 në raportin e Agjencisë së Stambollit për vitin 1883, përshkruhet një tur shëtitës për shitjen e biblave në Shqipërinë e Mesme, e më saktë në Tiranë, ku thuhet se një hoxhë e vlerësoi Dhiatën dhe foli për të pranishmit: “Këtu është Teurati, Zeboari, dhe Inxhili, që ne i besojmë, ndaj këta libra janë të shkëlqyer. Vetëm ata që nuk mund t’i lexojnë thonë që janë të këqij” dhe më pas raporti vijon: “Hyri një mysliman tjetër, u gëzua që po shihte libra në shqip dhe bleu një Ungjill…”
Gazetari i njohur Xhevdet Shehu shkruan se Prof. Dr. Xhevat Lloshi është një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, në gjuhësi, filologji, historiografi, e studime letrare. Ndërsa unë shtoj se botimi i librit “Thesare për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike” është padyshim një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila pret të marrë vlerat që i takojnë.
Në fund të këtij takimi, Prof. Dr. Xhevat Lloshi i dorëzoi arkivit të Muzeut Historik Kombëtar dy faksimile, një botim të alfabetit të parë shqip shtypur në vitin 1825 dhe ftesën e hartuar për Kongresin e Manastirit, që gjithsesi nuk kanë qenë bërë publike më parë se kaq.



Botuar në: 

Thursday, November 16, 2017

Thoma Thomai: Si i realizova veprat e mëdha, nga Skënderbeu e Fan Noli tek Enveri e Nënë Tereza

Skulptori i Popullit Thoma Thomai rrëfen punë e tij 50 -vjeçare prej artisti


nga Leonard VEIZI

Ai vazhdimisht godet me daltë dhe heq prej masivit të rëndë gjithçka të tepërt e pa vlerë, të madhe a krejt të imët, të ashpër dhe fort tekanjoze. Duket si një luftëtar i heshtur beteja e të cilit zgjat e zgjat pambarim, në kufirin e tendosjes agresive të nervave, mes një zhurme monotone që e krijon po ai vetë. Dhe vetëm pas ka gërryer pjesën më të imët e të padukshme, ka shkundur duart e pluhurosura dhe ka rrëzuar plot zhurmë skelën e dërrasave është zbuluar gjithçka e panjohur, ajo që për ditë e netë me radhë ka jetuar vetëm në imagjinatën e tij të thellë, atje ku mund të shkojë vetëm ai.

Sapo kalon pragun, të konsideron si mik dhe nuk ndihet i bezdisur se duhet të të shoqërojë për të bërë një shëtitje njohëse në të gjithë mbretërinë e tij. Në fakt, ajo që ai e cilëson “mbretëri” është një studio estetikë, plot skulptura të vogla, bocete, dhe grafika që padyshim i përkasin punëve të ardhshme. E ndërkohë, me mesin e tyre, padyshim që e ndjen veten si në mesin e një mbretërie pa kufij. Megjithëse në pamje të parë “mbretëria e tij” të duket disi e vogël, ky është vetëm një iluzion optik. Në të vërtetë ajo shtrihet shumë më tepër nga ai kufizim metrash katrorë të atij atelieri. Dhe rrugëton me portrete, basorelieve e monumente, nga Tirana në Shkup, nga Borova e Kolonjës në Zidoll të Krujës, nga figura e Skënderbeut, tek Nënë Tereza e Kalkutës. Por asgjë nuk mbaron këtu... Thoma Thomai, me titull Profesor apo Skulptor i Popullit, një gjë që tanimë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për të, tregohet i gatshëm që të rrëfejë fragmente nga jeta e tij prej artisti, në faqet e gazetës “Telegraf”, dhe padyshim disa të fshehta që nuk i di gjithkush:
Duke parë punimet tuaja dal në përfundimin se ju i keni shpëtuar shumë shpejt censurës dhe artit skematik të para viteve ‘90...?
Në fakt unë nuk kam dashur asnjëherë të ngatërrohesha me vepra që kishin motive politike dhe u mora më shumë me portrete. Pas Pleniumit të IV të Komitetit Qendror, ku dhe unë u kritikova për frymën e punimeve të mija, u mundova të bëja vepra më realiste, vepra që i përkisnin historisë. Natyrisht që edhe historia është e glorifikuar. Më saktë, nuk ka asnjë vend në botë që nuk e glorifikon historinë, pasqyruar kjo dhe në veprat e artit. Por gjithmonë jam përpjekur të jap një entuziazëm të natyrshëm në këto vepra dhe asgjë demonstrative.
Cilat janë veprat me tematikë historike që keni punuar?
Punova për bazorelievin e Vasil Laçit që është vendosur tek Rruga e Durrësit në Tiranë. Lexova shumë për të, madje shfletova dhe gazetat italiane të kohës. Më kujtohet që u bë një gabim, në vendosjen e datës, sepse gazetat e pasqyronin atentatit ndaj Viktor Emanuelit një ditë me vonesë. Dhe ishte vendosur kjo datë në bazoreliev, por u rregullua kur u derdh në bronx. Por kam punuar shumë edhe me monumentin “Prita e Barmashit”. Edhe për të ideuar këtë vepër kam lexuar shumë nga kronikat e kohës.
Po me tematikë para Luftës Antifashiste?
Në vendin e quajtur Zidoll, në të hyrë të Krujës, ka qenë vendosur një lapidar 10 metra i lartë, ku mbi bazamentin dhe një skelet betoni u vendos një punimi im në qendër të të cilit ishte bazorelievi 2 x 2 metra i Skënderbeut mbi kalë, më sipër një shqiponjë, si dhe armët e tjera të kohës. Ky punim u vendos në atë vend, ku gjatë rrethimeve të Krujës, Skënderbeu i dilte natën ushtrisë turke duke e sulmuar vazhdimisht. Monumenti u vendos në vitin 1968 me rastin e 500 -vjetorit të Gjergj Kastriotit. Por në vitin 1997 bronci i tij është vjedhur dhe tani atje ndodhet vetëm skeleti i betonit.
A ka vepra të tjera tuajat të cilat janë dëmtuar?
Është dhe monumenti prej mermeri i Enver Hoxhës, i cili ishte i vendosur në qëndër të “Piramidës”. Këtë punë e kam bërë së bashku me skulptorin Kristaq Rama. Monumenti u bë copa më sharë elektrike. Pjesët e mermerit u morën nga Ndërmarrja e Veprave të Artit, që ishte një ndërmarrje shtetërore në atë kohë dhe unë u detyrova të blej disa copa mermeri, me të cilat më pas bëra skulptura abstrakte.
Ju i bletë copat e mermerit për nostalgji të punës së dikurshme?
Në fakt i bleva për shkak të cilësisë. Ai ishte një mermer i një cilësie shumë të lartë, të cilin e kishim porositur në Greqi. Unë kam qenë në përbërje të ekipit kur u bë porosia. Më kujtohet se një skulptor i njohur grek që na shoqëronte na tha: “Ju po i bëni monument një diktatori. Vetëm një fat keni, që diktatori juaj paska qenë i bukur.
A ishte e vështirë të bëhej një punë e tillë?
Natyrisht që kishte shumë vështirësi. Por njëkohësisht ishte dhe një përvojë shumë e madhe. Jo çdo skulptori i jepet mundësia të punojë me vepra më përmasa aq të mëdha dhe me një mermer të asaj cilësie. Ne kishim 5 punëtorë të ardhur nga Korça të cilët hoqën pjesët voluminoze të mermerit derisa e sollën në platformën që e kërkonim ne për të filluar punën tonë.
Vetëm këtë vepër të Enver Hoxhës keni punuar?
Në fakt unë isha pjesëmarrës edhe për monumentin në qendër të Tiranës. Paraqita një bocet, i cili u pëlqye shumë. Në Galerinë e Arteve, ku u bënë publike bocetet, modeli im mori shumë pikë, por nuk fitoi. Mesa duket njerëzit ishin të lodhur me portretet standarte dhe kërkonin diçka të re. Unë i kisha dhëna Enver Hoxhës një model tjetër, nga ai që pretendohej.
Kishit pretendime për të fituar?
Të gjithë u futën në garë më këtë pretendim. Ishte një konkurs ku morën pjesë jo vetëm skulptorët por edhe piktorët, madje dhe amatorë. Ishin më shumë se 130 bocete. Nga këto fillimisht u kualifikuan 30 dhe pastaj vazhdoi faza tjetër e përzgjedhjes.
Po me figurën tjetër historike, Skënderbeun çfarë raporti kishit, pas lapidarit në Zidoll?
Unë kam pasur shumë dëshirë të bëja një kalë. Dhe një të tillë e kam ende në projekt. Por rasti e solli që të bëja Skënderbeun mbi kalë. Ky monument u vendos në Shkup të Maqedonisë, në pjesën e banuar nga shqiptarët.
Ndërkohë edhe shtatorja e Nënë Terezës tek Korpusi i Politeknikut, mban firmën tuaj...
Më 2004 fitova çmimin e parë për shtatoren e Nënë Terezës. Përurimi i tij me iniciativë të presidentit të asaj kohe Alfred Moisiut u bë më 28 nëntor të vitit 2006.
Larg figurave të historisë shqiptare ju keni dhe një portret të Van Goghut...?
Van Gogh unë e kam paraqitur si një vepër prej vitit 1989 e në vazhdim. Ky piktor i madh më ishte shfaqur me vështrimin e tij gjurmëlënës. Vizatoja, i modeloja tiparet dhe kisha ndjenjën se në të lexoja jetën e tij plot pasion dhe vuajtje. Vallë ishin këto momente që zgjuan tek unë thirrjen e hershme dëshirash të fashitura?
Cila vepër ju ka lodhur më shumë?
Them se asnjëra. Unë nuk e ndjej lodhjen fare. Isha 71 vjeç kur bëra Skënderbeun dhe jam ngjitur e zbritur me qindra herë nga shkallët e skelës. Ngrihesha që në pesë të mëngjesit dhe mendoja vetëm për të. Pija një kafe dhe përcaktoja se me cilën pjesë do të merresha. Haja drekën dhe pastaj drejt e në skelë deri në mbrëmje vonë. Kjo punë mund të bëhet vetëm me pasion. Unë jetoj duke menduar për këtë punë. Dhe nuk lodhem.

NË VITE
Jetëshkrimi i shkurtër i një artisti
Thoma Thomai Dhamo, u lind në Barmash të Kolonjës në vitin 1936. Në vitet 1950-’45 do të niste mësimet në Liceun Artistik, kursi i skulpturës në që atë kohë drejtohej nga Odise Paskali e më pas nga Janaq Paço. Ndërsa në vitet 1955-1961 ai do të shkonte për studime në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajnërit në Pragë, në kursin e profesor Otto Eckert. Do të diplomohej për skulpturë të aplikuar (qeramikë). Me kthimin në Shqipëri do të emërohej si modelist në fabrikën e Porcelanit në Tiranë ku do të punonte për pak kohë. Që nga viti 1968 ai do të ishte dhe pjesë e stafit akademik si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku atë vit për herë të parë u hap atelieu i qeramikës. Në vitin 1971 do të emërohej Shef i Katedrës së arteve të aplikuara. Ndërsa në vitin 1989 do të zgjidhej dekan i parë në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe udhëheqës i ateliesë së skulpturës.

SUBJEKTI
Të gdhendësh një nudo
Në studion e tij nuk mungojnë nudot. I pyetur rreth punës me subjekte të këtij lloji, skulptori i popullit Thoma Thomai thotë: “Pas viteve ‘90 u spekulua shumë me nudot. Në atë kohë u konsiderua si një ndjenjë lirie. Por unë u mundova të krijoj një situatë tjetër me to. Për mua nuk ekzistonin thjesht vajzat e bukura e të stisura, por një subjekt brenda kësaj nudoje. Një nga këto subjekte, e cila më ka dhënë frymëzimin për të bërë një nudo është pjelloria”

ÇMIMET
1974-Çmimi i parë në relievin “Atentatori i Perandorit”
1981- Çmimi i dytë në skulpturën monumentale për relievin "Kryengritjet Fshatare të viteve 1915-1920” 
1984-Çmimi i parë i skulpturës monumentale për “Prita e Barmashit”
1986- Çmimi i veçantë i jurisë ndërkombëtare në Bienalen Euroaziatike për “Portret vajze”, në gur
1989-Çmimi i parë i skulpturës monumentale për “Borovë 1943”
1994-Çmimi i parë në konkursin për shtatoren e Fan Nolit në Tiranë
1994-Çmimi i dytë për skulpturë në ekspozitën kombëtare “Onufri” 
1997-Çmimi i parë për skulpturë në ekspozitën kombëtare “Onufri” 
2004 Çmimi i parë për shtatoren e Nënë Terezës
2005-Çmimi i parë për monumentin e Skënderbeut në Shkup, Maqedoni
2006-Çmim i parë për bustin e Azem Jasharit në Tiranë
1988-Skulptori popullit 
1995-Profesor

VLERËSIMET
Dhimitër Anagnosti-regjisor
Shtatorja e krijuar nga skulptori i shquar Thoma Thomai Thamo, për të përjetësuar figurën e të madhit Fan Noli, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, ka rezultuar një figurë përgjithësuese që i bën homazh të gjithë “Murgjve” të çështjes shqiptare, duke filluar nga koha e Skënderbeut. Shtatorja rrezaton vullnet, qëndresë, mendim, brengë të gropëzuar bukur dhe të gjithë këto mbështjellë me një mugëtirë mistike.

Prof. Edi Hila - piktor
Më pëlqen mjaft ideja e trupit, evokues e njëmijë ndjesive misterioze që sjellin me vete format e tij. Thomai punon mbi këtë formë. Ai shtyp me kujdes mermerin dhe lë gjurmë të butë mbi të, dhe ajo është një formë e ngrohtë herë sensuale e provokative dhe ndonjëherë të dhemb kur ajo ndërpritet papritur. Kështu mund t’i shpreh mendimet e mija për grupin e fundit të punëve në skulpturë që Thomai ka realizuar në dru e mermer.

Suzana Varvarica Kuka - studiuese arti
Vepra është vendosur në një pikë të rëndësishme të fshatit Borovë. Autori e ka realizuar i mbushur me emocionet e dhimbjes e me ankthin që ka pushtuar viktimat. Thoma Thomai, në tërësinë e krijimit ruan një ndjeshmëri brenda vetes aq të vlershme sa që e transmeton në çdo vepër arti. Ajo është ndjesi dhe shpallet nga gjurmët e ngjeshjeve të autorit mbi plastikën e relievit, duke u bërë element dallues artistik i individualitetit të tij dhe shpallje e fenomenit estetik në skulpturë.




Tuesday, November 14, 2017

Dorian Nini më dhuroi dy këngë, e treta mbeti e pashkruar

Enxhi Nini, violinistja e njohur shqiptare: Puna ime në dy orkestrat më të mëdha të Italisë. Bashkë me Inva Mulën luajtëm në skenën “Rigoleton”, me Josif Gjipalin interpretuam në Egjipt




nga Leonard Veizi

Nuk ka dilema. Aty është pika më nevralgjike e botës së muzikës klasike a ndoshta qendra e gjithçkaje që vërtitet rreth saj. Ndërsa ajo e nisur pikërisht nga Shqipëria mbërrin aty. Rrugë e gjatë... Dhe për më tepër nuk e shoqëruan njerëz artificë që ta mbanin me hatër e t’i jepnin lavde për lavdi të pakuptimtë. Aty ku ajo shënoi emrin në pritjen e ankthshme gjithçka ndahej nga gabimi i mundshëm i një gjysmë note akustike. Askush s’të falte dhe sikur të mbaje në pasaportë simbolet e një familje papnore a perandorake. E pas fitores mbi këtë ‘terror spartan’, ajo, po aq elegante sa dhe imazhi që përcjell nga ekrani, thotë se ishte shkolla shqiptare e violinës që i transmetoi të dhënat teknike, të cilat e bënë të kapërcente më pas pengesat e ‘lartësisë së epërme’. Dhe vetëm kështu, e sigurt, mes shkallëve të panumërta në ngjitje, mbërriti pikërisht atje..., ku Belini dhe “Casta diva” e munguar i dhanë jetë “Norma”-s ndërsa “Nabuco” ringriti Verdin pas një dështimi të pashpresë. Është “La Scala”...

Enxhi e Dorian Nini
... Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli”, violinistja e njohur shqiptare Enxhi Nini rrëfen për jetën e saj artistike në skenat e mëdha të botës perëndimore:
Prej vitesh jeni rezidente në Itali, ku jetoni aktualisht?
Në këtë periudhe jetoj në qytetin e vogël Piacenza por meqenëse dy vite më parë fitova konkursin në orkestrën e RAI-t një pjesë të mirë të kohës e kam kaluar në Torino. Të Tiranë kam mbaruar Liceun Artistik. Ndërsa më pas studimet i përfundova në Konservatorin e Romës, ku dhe jam diplomuar. Më pas u transferova në Milano sepse pata mundësinë të bëja një audicion.
Ndiheni e huaj tashmë...?
Vetë fjala e huaj merr më shumë kuptim kur je larg vendit tënd dhe vetëm duke jetuar mund të kuptohet. Është e vështirë, për disa më shumë e për disa më pak. Përveç kohës që duhet të ambientohesh me mentalitetin duhet të tregosh veten për atë që vlen, dhe për fat të keq të huajt në përgjithësi janë të paragjykuar. Por kjo ndjehet shume më pak në ambientin artistik.
Një përvojë në La Scala... patët ndonjë rekomandim apo dikë që ju ndihmoi?
Them që për të arritur deri aty më janë dashur vite e vite punë. Nuk mund të futeshe në “La Scala” apo në çdo orkestër tjetër të Italisë, as me miq dhe as duke menduar thjesht “unë i bie violinës”. Fiton ai që ka të dhënat për të qenë pjesë e orkestrës. Natyrisht, duhet një përgatitje e gjatë, prej vitesh. Duhet të studiosh shumë. Ka qenë nxitje për faktin sepse vlerësimi i mirë të jep kurajë për të ecur përpara. Audicioni i parë ku mora pjesë ishte viti 2002. Unë jetoja në Romë dhe ishte hera e parë që udhëtoja për Milano. Ishte një audicion ndërkombëtar dhe, kushdo mund të paraqitej. Mjaftonte të bëje kërkesë për pjesëmarrje dhe mund të luaje përpara një komisioni. Në të gjithë botën artistit i jepet mundësia të tregoj aftësitë e veta dhe nëse je i zoti i përgatitur në maksimum nuk ke nevoje për asnjë rekomandim. Në këto 10 vite u desh të bëja disa prova të tjera për të vazhduar bashkëpunimin dhe nuk ka qenë aspak e thjeshte por një eksperiencë e paharrueshme.
Enxhi Nini dhe Violeta Gjoka
Ndërkohë, ju konkurruat për në orkestrën e RAI-t?
E vërtetë është. Konkurrova në orkestrën e RAI-t ku dhe fitova fatmirësisht. Pra unë kam hyrë me konkurs. Diferenca nga audicioni në konkurs janë gjëra teknike, por të rëndësishme. Audicioni është për të thithur bashkëpunëtorë ndërsa konkursi për vend punë përfundimtare. Atje ishin regjistruar gati 300 persona, por u paraqitën 130 prej tyre.
Kishte dhe shqiptarë të tjerë që konkurronin?
Përveç italianëve kishte edhe të huaj, por edhe shqiptarë mbase. Të them të drejtën përpara një konkursi je e përfshirë nga emocionet dhe preokupimet e nuk ke kohë të shohësh se kush merr pjese. Aq me tepër që ky konkurs u zhvillua në ditë të ndryshme. Por në konkurse të tjera jam ndeshur dhe me shqiptarë të cilët i kisha njohur në okazione të tjera pune. Ndërkohë shqiptarët kanë qenë dhe janë të pranishëm vazhdimisht dhe në “La Scala”.
Në orkestrat e mëdha italiane ka shqiptarë të tjerë?
Patjetër që ka. Ka dhe shqiptarë të tjerë instrumentiste e unë njoh disa prej tyre, ndërsa për sa i përket sopranove apo tenorëve ata punojnë me kontrata të shkurtra nuk janë definitive në një teatër. Ndërsa në korin e teatrit te La Scala-s këndon një djalë shqiptar me të cilin kemi qenë në shkollë që në fëmijëri në Tiranë
Duket se shkolla shqiptare e muzikës është në nivele të mira?
Është e vërtetë, ne e kemi shume të fortë shkollën e muzikës. Me shkollën e violinës kemi ecur goxha, por edhe kantoja nga ana tjetër. Fakti që muzikantët apo këngëtarët shqiptarë janë kudo ndër të mirët në botë e konfirmon këtë. Megjithatë, nuk duhet vetëm shkolla e fortë, por edhe përshtatja e mënyrës së të rënit. Të mësosh diçka më shumë për orkestrën, për Muzikën e Dhomës. Shkolla shqiptare si bazë ka teknikën. Pasi ke përvetësuar atë, me vitet njeriu piqet edhe muzikalisht. Di diçka më shumë.
Keni lëvizur në orkestra të tjera në Evropës për të dhënë koncerte?
Kemi lëvizur me grupet nga Italia. Me një orkestër që unë punoj vazhdimisht. Po kam bashkëpunuar me shumë orkestra, po një bashkëpunim të gjatë, që fillon prej vitit 2003, e kam pasur dhe kam akoma me orkestrën simfonike të Radio Televizionit të Luganos në Zvicer. Por kam punuar njëkohësisht dhe me “Santa Cecilian” në Romë. Dhe aty kam qenë pjesëmarrëse në një konkurs, ku kam mbërritur deri në finale, por nuk munda të marr vendin fiks.
Spektatori shqiptar ju mban mend edhe si këngëtare. A keni dëshirë të merrni pjesë në një tjetër festival, pra të riktheheni?
Do të kisha shumë dëshirë por asnjëherë nuk gjej kohë për ta realizuar, shumë vështirë të mbash shumë impenjime në të njëjtën kohë. Më duhet të kombinoj punën në Itali. Shpeshherë nuk kam dashur të prish punën atje e për t’u kthyer e për të kënduar një këngë festivali. Pastaj një këngë të mirë është dhe e vështirë ta gjesh, sepse duhet të përshtatet me natyrën dhe zërin e këngëtarit. Unë gjithmonë e kam pasur problem këtë, sepse të them të vërtetën kam kënduar, por asnjëherë një këngë që e kam zgjedhur vetë dhe që të më këtë pëlqyer paraprakisht. Zakonisht, mbeteshin këngët nga njëri te tjetri dhe për mua mbetej njëra, që unë mundej ta këndoja si mundesha. Pa iu përshtatur Enxhit apo sepse i pëlqente Enxhit.
Ndonjë recital do t’u pëlqente ta keni në axhendë?
Do më pëlqente vërtet. Ne kemi një trio në Itali, ku i biem shpesh bashkë. Por ka disa probleme financiare. Sepse nëse kjo orkestër e vogël vjen në Shqipëri, nuk vjen për përfitim. Dhe natyrisht, që ky aktivitet e do një sponsor që të merret me lehtësimin e kushteve. Në qoftë se, dikush na e mundëson do më pëlqente të vija të luaja muzikë dhome. Në këtë fushë e ndjej veten dhe më mirë.
Jeta juaj në aspektin personal?
Në aspektin personal mund të them që jam e lumtur, kam një vajzë Mia-n, me njeriun tim të zemrës që është një italian. Nuk do te doja te flisja shumë se kaq.
Plan për t’u kthyer përfundimisht në Tiranë?
“Mai dire mai”, thotë italiani. Jetës nuk i dihet asnjëherë. Megjithatë, mendoj se e kam ndërtuar jetën në Itali tashmë. Me sakrificë e kam mundësuar lejen e qëndrimit. Por, natyrisht, edhe në Shqipëri nuk mungoj. Vij shumë shpesh. E megjithëse nuk shoh asnjë perspektivë për t’u kthyer përfundimisht në Tiranë, ndonjëherë jeta është plot me surpriza.

Inva Mula në Parma
“Në fillim do takoj shqiptarët pastaj të huajt”
Në kujtesën e largët vjen Tedi Papavrami, por dhe Klodjana Skënderi e Arben Spahiu. Më pas do të ishte Enxhi Nini që do të kishte po aq shkëlqim. Të gjithë do të zinin vende të rëndësishme në orkestrat e mëdha evropiane të muzikë simfonike. Ndërkaq, Europa do të njihte në skenat e saj dhe këngëtarët lirikë të “importuar” nga Shqipëria. Duke folur për bashkëpunimet e saj me disa prej tyre Enxhi Nini thotë: “Ka rastisur të jemi në të njëjtën skenë me sopranon me famë botërore tashmë, Inva Mula. Luhej opera “Rigoleto” e Xhuzepe Verdit, disa vite më parë. E kam takuar, edhe në Parma në një koncert. Më kujtohet që ajo u tregua shumë e sjellshme. U fut midis orkestrantëve dhe tha: “Unë dua të shikoj njëherë shqiptarët e t’i takoj, pastaj të respektoj të huajt e tjerë”. Por dihet se në këto raste ka shumë njerëz kur mbaron opera ata dhe vrapojnë të gjithë për ta takuar”.

Me Josif Gjipalin në Egjipt
Italianët thonë: “Na mbytët ju shqiptarët”
Disa prej tyre janë bërë të famshëm në të gjithë botën. Lëvizin nëpër turne, ku rastis jo rrallë të bashkëpunojnë me po të njëjtët njerëz, si të ishin pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, këtu në Tiranë. Duke folur për këto bashkëpunime, Enxhi Nini thotë: “Kam pasur mundësinë të bashkëpunoj edhe me emra të tjerë të njohur shqiptarësh të njohur në skenat e botës si për shembull me Josif Gjipalin. Kemi bërë një koncert bashkë në Egjipt. Atje e kam njohur. U prezantuam të dy si shqiptarë, në të njëjtën trupë, plus që kjo merr më shumë vlerë kur janë solistë dhe me famë në të gjithë botën. Unë isha pjesë e orkestrës dhe ai këndonte në skenë. Sa herë kemi raste të tilla u themi kolegëve tanë italianë: Ah, e shikon atë, (ai, apo ajo) është shqiptar. Dhe italianët me shaka na thonë: “Na vdiqët ju shqiptarët, na mbytët”.


Këndova dy kompozime të babait tim, Dorian Nini
Dorian Nini, një kompozitor i talentuar, por me një fat të trishtë pas Festivalit të 11 në RTSH, është edhe babai i të talentuarës gjithashtu Enxhi Nini. E pyetur rreth bashkëpunimeve me të ajo thotë: “Unë kam kënduar dy këngë të babit dhe një të tretë të cilën nuk mundëm ta realizonim plotësisht. Bashkëpunimi i fundit qe po aq i bukur por tanimë dhe i dhimbshëm. Mundësia që na dha Pandi Laço në emisioni e tij “Histori me Zhurmues” qe si një dhuratë për ne. Na dukej të kishim këtë kujtim të bukur dhe emocionohem kur kujtoj kohën qe kemi kaluar bashkë në ato ditë përgatitjesh për emision. Ishte bashkëpunimi i parë serioz me babain. Mendova se do të ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë, sikur çdo gjë po rilindte, por asnjëherë se dimë se ç’na pret në të ardhmen. Ai u nda nga jeta dhe shumë gjëra mbetën përgjysmë”.

Me orkestrën e “La Scala”-s, turne në gjysmën e Botës
“Kam marrë diplomë, gjithashtu edhe në Muzikën e Dhomës. Pas diplomës kam punuar dy vite në orkestrën rajonale në Romë. Më pas mora pjesë në një audicion ndërkombëtar në orkestrën filarmonike të La Scala-s, ku dola e dyta. Ndërkohë, punoj edhe në Orkestrën e Zvicrës Italiane, Radio Zvicera. Plus kësaj, kam bërë edhe muzikë të lehtë. Kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë të famshëm italianë, duke filluar me Renato Zeron, e duke e mbyllur me Gigi D’Alession, gjithashtu, kam bashkëpunuar në mjaft emisione televizive në Rai e Mediaset e TMC TV. Puna në orkestra të rëndësishme e të famshme më ka dhënë mundësinë të ngrihem shumë profesionalisht e, për më tepër, kam pasur mundësinë të shikoj botën. Me orkestrën “La Scala” kemi bërë shumë turne. Kam qenë në shumë vende, në Meksikë, Japoni, Kinë, Egjipt, Siri pa përmendur këtu koncertet në teatrot e sallat më të njohura në Europë. Orkestra “La Skala” është një orkestër me traditë të konsoliduar dhe jo çdo orkestër ka mundësitë e saj. Kam qenë një vit në Spanjë, sepse fitova një konkurs në një orkestër spanjolle. Një eksperiencë e re për mua, në një vend që nuk e njihja”.

Botuar në gazetën SHEKULLI më 17. 02. 2013