Thursday, March 31, 2022

1 prilli, kur ne gënjejmë një ditë dhe ata na e rrasin një vit!


Nga 
Leonard Veizi
 
“Gënjemë po përkëdhelmë”. Sentenca është proverbiale dhe nuk dihet kush e ka thënë i pari, ndonjë kokë si Volteri për shembull, Shekspiri... apo Volfgang Amadeus Mozart. Por me shumë gjasa do ta ketë thënë ndonjë anonim, e sot i vishet popullit. Pra, populli ka thënë: Gënjemë por përkëdhelmë! Dhe kjo sentencë në formë testamenti është zbatuar një më një.
Jemi në 1 prill dhe jemi në ditën e gënjeshtrave.
Kjo është një datë që shumë e shumë e presin me qejf të madh, ovacione e thirrje patetike. Sepse në mënyrë legjitime u jepet e drejta të gënjejnë. Domethënë, të thonë ca rrena të vogla e të padëmshme. Dhe gënjeshtra gjithmonë e ka intriguar njeriun. Sepse kur gënjehet për qejf e pa ndonjë qëllim të keq, ka njëfarë lezeti e sjell ca humor të shëndetshëm. Pastaj edhe testohet robi: sa e ka nivelin e inteligjencës për të gënjyer me elegancë aq sa tjetri ta besojë pa bërë as gëk, as mëk.
Puna është kur trashet gënjeshtra... Por këtë e bëjnë marifetçinjtë. Ata që e kanë kthyer në profesion.
-Zot, mbaj dorën! Se njerëzve po ua vulose me ferman, - që jo po të gënjejnë e tërci-vërci, - të bëjnë gjëmën.
1 Prill. Data është epokale. S’ka rëndësi se kujt i shkrepi në mendje ta kthente këtë ditë pranverore në ditë ku për shaka mund të marrësh dhe haberin se ta ka vdekur një i afërm që e doje shumë. Dhe pasi të të bjerë të fikët, të thonë lajmin e gëzuar, se ai ishte top me shëndetin, por ndoshta ti duhet të bësh një vizitë tek kardiologu se të është dobësuar zemra e nuk i mban dot shakatë e gënjeshtërta.
Ja, kështu është përjetuar në vazhdimësi dita e gënjeshtrave. Sepse tek e fundit është ligjëruar e është kthyer në festë.
Ca thonë se kjo punë nisi në kohën e Perandorit Konstantin të Romës e ca të tjerë në vitet e Mbretit Karl të Francës. Në të gjitha rastet ka qenë një njeri me peshë të madhe që ua ka varur njerëzve këtë këmborë. Dhe ata e tundin çdo 1 prill. Se më tej nuk u lejohet. Më tej se kaq të kap ligji. E po të kapi ligji, të kapi tartakuti. Se të dënojnë për mashtrim dhe... evazion fiskal, po deshën. Ndaj duhet me e mbajt gjuhën brenda. Prandaj ka dalë dhe shprehja tjetër: Mos i jep llapës!
Më tej se kaq e për të gjitha ditët e vitit në vazhdim, pa pushim të dielave, janë mbretërit e perandorët ata që gënjejnë mbarë e prapa. Dhe ç’është e vërtetë, kjo nuk është se ka ndodhur vetëm në lashtësinë dekadente apo në mesjetën obskurantiste, ato kanë vazhduar dhe në epokën e iluminizmit, atë të kibernetikës dhe energjisë nukleare.
Jemi në 1 Prill.
Në fakt, për ca të tjerë, kjo datë nuk personifikon asgjë, sepse ata gënjejnë në 364 ditët e tjera sa të shuajnë fare. Dhe janë rrena të rënda, jo si ato të kalamajve. Fjala vjen: Ne na gënjejnë se jemi vendi me të ardhura shumë të mira për frymë. Na gënjejnë kur na thonë se mesatarisht me një rrogë prej 135 eurosh në muaj, ne mund të hamë, të pimë e të fluturojmë...  – jo me pras - me avion kudo në botë për të bërë pushime në “luxury hotels”. Pavarësisht se bileta e avionit e kalon këtë shifër të pagës mujore dhe dhoma e hotelit për një natë është po aq.
Por mbajmë ne Populli i Thjeshtë, nuk ndihemi. Ja ashtu... mendojmë se i kemi bërë pushimet në një hotel me pesë yje, buzë... govatës me ujë bashkie.
Jemi në 1 Prill.
Haleluja!
O po gënjeni sa të mundni, se nuk u vjen radha më. Se në 2 prill ka kush gënjen.
Rrofshin gënjeshtrat, poshtë gënjeshtarët!
-E, e... sa fjalë ka bota...
Ne edhe më parë na kanë shqepur me gënjeshtra. Fjala vjen: na thoshin se po ndërtonim socializmin me forcat tona.
Hajde qyfyr, hajde.
Por nuk është se kjo gënjeshtër i prishte punë njeriu. Pastaj na thanë se Shqipërisë i kishin dhënë një çmim me vlera ndërkombëtare për punë ushqimi. Këtu po, na prishej ca puna, se ishte kur ishim në ditë të zezë e mbaheshim te kotherja dhe talloni na kish mbetur në dorë.
Jemi në 1 Prill.
Sot ka ndryshuar strategjia. Na rrisin çmimet dhe na thonë se çmimet nuk janë rritur, pasi kriza po përballohet nga paratë e buxhetit të shtetit e të qeverisë. Po qeveria ku i gjeti paratë?
-Hë mor, sa shumë pyetje bëni dhe ju gazetarët.
Pa na thonë se do ta pastrojnë Shqipërinë cep e më cep e do ta bëjnë “sharp”, demek si ato saçat, të cilët i kthenim nga Dajti që të kapnim ndonjë stacion të italianit. Dhe mbetjet nuk do t’i djegin me shkrepëse, por me një makineri fringo të re, që kushton ca por na nxjerr nga halli. Dhe pastaj na gënjejnë duke na thënë se do plasin brenda të gjithë horrat dhe maskarenjtë që vjedhin popullin fukara. Por “peshku i madh” nuk duket e nuk duket gjëkundi.
Vetëm për çmimin e karburantit mos na gënjeni mor aman. Pa ngrënë rrimë ne, se ja, mbajmë dhe Ramazan në të njëjtën kohë. Por pa e bërë një xhiro me makinë nuk shtyhet.
Është 1 Prill. Dita e gënjeshtrave.
Po ne na gënjejnë tërë ditën e ditës. Edhe në mëngjes kur sapo hapim sytë bashkë me fejsbukun, edhe në drekë përpara vaktit që të mos na bëjë dëm, edhe në darkë, por këtë herë pasi kemi ngrënë bukë e kos jemi të lehtshëm.
Por dhe ne kusur nuk u lëmë. Se bëjmë sikur i besojmë. Ose na pëlqen të gënjehemi nga pak dhe i pranojmë gjithë qejf ato.
Fundja, me gënjeshtra vërtet barku nuk mbushet, por po të të thonë më shumë se pesë herë që ke qenë për vizitë në Hënë, patjetër do të të duket vetja astronaut. Dhe s’ka burrë nëne që pas kësaj të të mbushë mendjen që nuk ke as patentë zetori.
Ja kështu: gënjemë, por përkëdhelmë!
Ndaj jetojmë të gjithë të lumtur e të gëzuar.


Friday, March 25, 2022

Të jesh lider, jo ka... stravec


Nga 
Leonard Veizi
 
Bota është bërë kaotike vitet e fundit. Dhe jo se nuk ka qenë e tillë më parë. Por ja që gjithçka riciklohet dhe tani jemi pak a shumë si në vitin 1939 të shekullit të kaluar, kur Gjermania po armatosej deri në dhëmbë dhe rrethet e politikanëve dhe qeveritarëve evropianë bënin sikur nuk e shikonin, duke thënë se lufta ishte shumë larg.
Në fakt ajo plasi.
Edhe Adolf Hitleri me aneksime e filloi. Por në shtator 1939 nuk duroi. I hodhi trupat mbi Poloninë.
Edhe Putini me aneksime e ka filluar. Por loja që do të luhet më tutje nuk dihet. Sepse edhe ai Poloninë mund të ketë në axhendë. Po u hap loja, nuk do të ketë më luftëra lokale të tipit “operacion special” me mitraloza e pushkë me dylbi.
Që të mund të frenohet e gjitha katastrofa, duhet të futen në lojë liderët. Ata të vërtetët.
Jo më kot Zelenski i Ukrainës iu drejtua Presidentit Bajden të Amerikës: “Ti je lideri i i kombit tënd të madh. Të uroj të jesh lider i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”.
Administrata e Bajdenit, që dukej sikur ishte në përgjumje e sipër, - se helbete, sheshi i luftës është Evropa, dhe flakët e saj nuk arrijnë dot përtej Atlantikut – u zgjua dhe vetë Presidenti Amerikan nisi një tur takimesh për të marrë nën kontroll situatën.
Kështu është kur të venë përpara përgjegjësisë dhe të varin këmborën e një lideri botëror. Dhe të jesh lider do të thotë të jesh burrë shteti, i përgjegjshëm e që di të marrësh vendimet në kohën e duhur dhe jo të jesh një ka...stravec.
Ç'është e vërteta, liderët asnjëherë nuk kanë dalë nga një sfilatë bukurie dhe as nga audicionet e fshehura. Madje në një sentencë që qarkullon rëndom thuhet: lider lind, nuk bëhesh.
Ndodh që në raste krizash e luftërash në krye të popujve liderët dalin vetvetiu. Marrin përgjegjësitë dhe shquhen për vendimmarrjet.
Sot thuhet se jemi në luftë. Por liderët evropianë nuk po i shohim gjëkund.
Evropës po i mungojnë burrat. Ajo është pa një lider të vërtetë. Edhe një grua si Anxhela Merkel, që ua kalonte dhjetë burrave, tashmë ka dalë nga skena aktive e vendimmarrjes dhe "spektaklin" e ndjek në prapaskenë. Makroni që po tund flamurin e lënë nga kancelarja gjermane, nuk është se të ngjall shpresë si De Gol në vitet e luftës dhe pasluftës së Dytë Botërore. Këmborën e madhe të një lideri të vërtetë nuk po e luajnë dot as pasardhësit e Çërçillit. Le më të flasësh për pasardhësit e Garibaldit!
Po Shqipëria?
Shqipëria ka liderët e saj. Për nga numri i popullsisë mund të mos kemi shumë vlerë, se sa një lagje e Stambollit jemi, por për nga terreni gjeografik kemi vlera të pamasa aq sa mbajmë çelësat e portave të Otrantos. Kjo do të thotë se s’ka burrë nëne dhe as bir kurve që ta kalojë Otranton po mos ia hapëm ne derën. Dhe ky monopol u vendos që atëherë kur Enver Hoxhës iu tek të thoshte në Kongres se meqë kishte të fortifikuar Sazanin dhe Karaburunin kishte futur në xhep “kyçet e Otrantos”. Sot liderët e rinj mendojnë se vazhdojnë ta kenë këtë trashëgimi, ndaj u lind e drejta të marrin nga kasaforta e Enverit çelsat e... kashtës, në fakt.
Pra kemi lider, por sa për vete. Piqemi me dhjamin tonë. Dhe Evropën duam ta ndihmojmë, por me çelsat e kashtës zor se futesh në pazar.
Në skenën evropiane, për shans të tij sot po shfaqet Zelenski, për të cilin thuhet se po bën një mbrojtje heroike përballë një armiku që po e kërcënon edhe me bombën atomike. Por mundet që edhe ai vetë të mos jetë zhveshur tërësisht nga roli i aktorit komik, - si profesion që e  ka pasur dikur, - ndaj vihet ende në dyshim si një lider potencial.
Bota sot po vuan për një lider.
Putini e dogji shansin e tij dhe u kthye në një diktator uzurpues. Si Adolfi dikur. Tani këtë turp të tij nuk e lan dot as ujët e destilës së mullirit të xha Pilos.... o Pinxho kapella.
Në fakt, bota ka qenë prej kohësh në luftë. Ajo nuk plasi tani, me Putinin. Prej shumë vitesh është luftuar në Afganistan, Siri, Libi, Irak. Megjithëse një pjesë e tyre ishin vende naftënxjerrëse, karburanti nuk pati ndonjë luhatje në bursë aq për të vënë duart në kokë.
Vetëm se tani lufta erdhi në Evropë. Dhe më shumë se tymi i luftës ndihet luhatja e çmimeve. Këtë na e bëri Rusia e Putinit. Ndaj doli kriza e furnizimit.
Bota po futet në kolaps.
Lufta, lufta, lufta... në emër të luftës çmimet shkojnë përpjetë në stratosferë. Pastaj vendoset kontrolli mbi to. Domethënë ulen. A mos jemi gjë në një lojë kungulleshkash?
Tani duhen liderat. Të marrin në dorë fatet e kombeve. Ta shpëtojnë Evropën qoftë dhe nga lojërat me zarar të spekulatorëve. Por nuk po shohim dot askënd.
Liderët sot po merren me çmimet e tregut.
Pse punë liderësh është kjo? Lider nuk bëhesh për të vendosur çmimet e miellit, të pijeve me gaz, qoftë dhe të karburanteve.
Kjo është punë xhambazësh.
Madje, lider nuk bëhesh as duke shpërndarë lëmosha për pensionistët. Se dhe kjo nuk është punë lideri: Na një 30-mijë leksh se boll e ke.
Dikur thuhej "Lider lind, nuk bëhesh". Sot organizohen seminare se si mund të bëhesh lider. Duhen të paktën 5 cilësi... për të qenë një lider.... jo... duhen 10 të tilla. Liderët në përgjithësi kanë tipare të ndryshme, por disa më gjithëpërfshirëse janë: vetëdijësimi, vendosmëria, ndjeshmëria, përgjegjësia, vetëbesimi, optimizmi, sinqeriteti…
Ohu…, qenkan shumë. Mjaft se na lodhët!
Por mbase sajohet ndonjë lider edhe nëpërmjet seminareve. Pak i arnuar por gjithsesi...
Puna është të jesh lider, jo ka.. stravec.
Por lider lind, nuk bëhesh.

Thursday, March 24, 2022

Aleksandër Moisiu, miti i aktrimit skenik


Nga 
Leonard Veizi
 
Ai e mori me vete unazën më të famshme të gjermanëve, që kishte për emblemë portretin e gdhendur të një burri me vështrim të thellë dhe mbahej e rrethuar nga diamante. Ishte unaza e Ifland-it, një aktori monumental që kishte vdekur 120 vite më parë, por që unazën e tij e trashëgonin të tjerë aktorë, të cilët duhet të ishin gjermanë dhe po aq të magjishëm sa ai vetë në rolet skenike. Dhe ishte fort domethënëse që Albert Baserman, një tjetër aktor i jashtëzakonshëm, ta hiqte nga gishti i tij trofenë e madhe të jetës, dhe ta linte mbi gjoksin pa jetë të një aktori që sapo kishte vdekur dhe që nuk i përkiste botës gjermanike: ... ty të përket unaza e Ifland-it...
 
...Mjafton të dëgjosh monologu e Faustit, shkruar nga Gëte e interpretuar prej tij - në vetëm në një apo dy minuta të regjistruara në një pllakë gramafoni, - dhe nuk duhet shumë për të kuptuar, madhështinë e aktrimit. Është një zë i thellë, timbrues, e fort rrëqethës, që duket sikur vjen nga një botë tjetër. Nuk dihet se si do të ishte në shqip e njëjta gjë, veç në gjuhën e ashpër gjermanike duket sikur gurgullon.
Është zëri i Aleksandër Moisiut.
Ai ishte i rrallë si aktor, i denjë për të gjitha skenat e botës ku teatri ishte në Olimp. Por ishte shqiptar me origjinë edhe pse kishte lindur në Triesten italiane dhe jetën më të madhe profesionale e kishte në Gjermani, ku gjithashtu mbante një pasaportë të këtij vendi. E megjithatë kishte jetuar për disa vite edhe në tokën e babait të tij, në Durrës e Kavajë, trevë e cila aso kohe ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Por për shqiptarët nën perandori teatri ishte një blasfemi. Ndërsa Aleksandri i lindur në perëndimin latin, mundi të studionte në Pragë e të punonte në Berlin, ndoshta edhe për shkakun se në fundin e shekullit të XIX, Trieste ishte ende pjesë e perandorisë austro-hungareze.
Ndodh që kur për shkak të famës, emri i kapërcen kufijtë e një vend, vetë autori të bjerë në grackën e përvetësimit të origjinës së tij.
Çfarë ishte Aleksandër Moisiu, shqiptar, italian apo gjerman?
Në Gjermani ai shkoi në moshë relativisht të madhe dhe pasaporta nuk e bënte dot gjerman. Çështtë e vërteta në Luftën e Parë Botërore ai luftoi në front për Gjermaninë, si një aviator. Dhe për merita të veçanta iu akordua dhe Kryqi i Artë. Por për shkak të ardhjes së fuqi të nazizmit, Aleksandër Moisi do ta braktiste Gjermaninë për t’u zhvendosur në Austri. E veç kësaj, gjermanët shpesh e cilësonin si hebre, për shkak të mbiemrit “Moisi”, të cilin e lidhnin me emrin e Profetit hebraik. Kur në fakt familja Moisi ishte e krishterë dhe i përkiste besimit ortodoks. Por kishte lindur në një provincë italiane. Edhe pse pas vdekjes arkivoli u mbulua me flamurin trengjyrësh të Italisë dhe në gurëvarrin e tij shkruhet “Alessandro Moissi”, nuk e bën atë aspak italian. Sepse dokumentet arkivorë tregojnë se ai është djali i Moisi Moisiut, apo Konstandin Moisiut nga Kavaja, i cili ishte martuar me arbëreshen Amalia De Rada.
Dhe kaq për origjinën e një njeriu që nuk e mohoi kurrë se ishte shqiptar. E madje për këtë kërkoi pranë autoritetete të shtetit shqiptar që të paisej me një pasaportë shqiptare.
Nga kritika e kohës Aleksandër Moisiu cilësohej si një aktor universal, ku repertori i tij i interpretimeve përfshin një univers të tërë të dramaturgjisë evropiane nga tragjeditë antike të Greqisë deri te shkrimtarët modernë të shekullit XX.
Dhe po aq kritika e mëpasshme do ta cilësonte si një aktor të kompletuar e novator i cili u shqua për një stil origjinal interpretimi të paimituar, për një zë të bukur unik, për temperamentin dinamik, për forcën e brendshme dhe të jashtme shprehëse dhe për përkushtimin e tij në përparimin shoqëror të të gjithë popujve të botës.
Aleksandër Moisi interpretoi një serial të gjatë dramash klasike duke krijuar një galeri të vërtetë personazheshLuajti Fedja-n nga drama “Kufoma e gjalle”, e Tolstoit që njihet dhe si ndër rolet më të arrira të tij. Dhe po aq i suksesshëm ishte dhe në rolin e Hamletit.
Me talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe një pune të mundimshme e skrupuloze Aleksandër Moisi arriti të behej aktori i parë e më i famshëm në të gjithë botën gjermanisht folëse. Dhe po aq i famshëm ishte edhe për Francën.
Jetën private ai e ndau me dy gra. Austriakja Maria Urfus, ishte gruaja e tij e parë me të cilën pati një vajzë Beate (Moisi) von Molo të lindur me 1911. Më pas si u martua me kolegen e tij nga teatri i Reinhard-it, gjermanen Johana Tervin. Nga martesa e dytë nuk pati fëmijë.
Prej vitit 1910 e deri në vitin 1935 Aleksandër Moisi mori pjesë në 14 produksione filmash, pjesa më e madhe e të cilëve ishin filma pa zë.
Ishte në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik, por një e ftohur e thellë do të përshkallëzohej aq sa nga bota e të gjallëve do ta ndante.
Lajmi për vdekjen e aktorit qarkulloi në faqet e para të të gjitha gazetat prestigjioze të Evropës. Pas vdekjes së tij do të flisnin për të emra të shquar të letërsisë botërore si Franc Kafka, Luigji Pirandelo e Stefan Cvajk.
E megjithëse ka lënë pak gjëra të cilat mund të ndiqen e të shijohen edhe në ditët e sotme, emri i Aleksandër Moisiut tanimë është kthyer në një mit të skenës botërore të teatrit.

Friday, March 18, 2022

Për shqiptarët që kanë frikë të thyejnë ligjin


Nga 
Leonard Veizi
 
Ligji është bërë për t’u thyer. Ndonjëherë për t’u shkelur me këmbë. E kur nuk të rri mirë në shtat, duhet ndryshuar. Sepse ligji, - sot e në të gjitha kohërat, - është si puna e Maliqit, që ca i merr me të mirë e i fërkon kokën, e ca të tjerëve ua bën kokën me xhunga. Por jo rrallë ky ligj ta pret gjuhën dhe të plas te “7 dritaret” dhe kur me hir të Zotit, nuk ke asnjë faj.
Të gjitha këto i bën ligji, e nuk ka aspak faj Maliqi, që është vetëm një ekzekutor i devotshëm i tyre.
Golja, - që në një dasmë fshati e morën me shqelma dhe e çuan në fund të sofrës, aty ku mund të hanin dhe qentë, - ishte aq kopan sa e uli qafën përpara nënprefektit të emëruar nga qeveria, që ai t’ia hipte në qafë e të kalëronte ku t’i donte qejfi.
-Qofsh me nder e me shëndet o zoti Maliq! Se punët e qeverisë janë të rënda. Nuk i kuptojmë dot ne. Ja, më merr mua. Po çfarë jam unë, një copë dru, një gdhë, - do të shprehej kaqoli Gole që mjaftohej me pak dhe barkun mund ta mbushte vetëm në raste dasmash.
Dhe një dasmor tjetër, që hynte tek kategoria e njerëzve që nuk rrinin dot pa u grindur ia ktheu:
-Lum si Golja që e di se ç'është. Si t’ia bëjmë ne të tjerët që s’e dimë?
Bashkë me të qeshurën kapërcehet dhe fyerja. Se tek e fundit, çudia më e madhe tre ditë zgjat.
Por, përplasja e forcave të kundërta janë ato që sjellin zhvillim, sepse veç Goles që ishte për “njeriun që duhet të rrijë urtë” dhe një tjetri që mbronte teorinë se “njeriu duhet të grindet, se po nuk u grind nuk është njeri” ka dhe një palë të tretë:
-As njëra, as tjetra, njeriu duhet ta dredhë.
Ja kështu, me një mizanskenë dy-tre-minutëshe, Dhimitër Anagnosti, si regjisori dhe skenaristi i filmit “Përrallë nga e kaluara” na jep sintezën e zhvillimit dy-tremijë vjeçar të njerëzimit.
Nëse ligji do të respektohej, dhe nuk do thyhej asnjëherë, ne do të vazhdonim të ishim nën mbretërimin e Sargonit të Akadit, që njihet dhe si mbreti i parë i një mbretërie që u themelua në Mesopotami 4000 vjet më parë. Ose të paktën nën mbretërimin e Hamurabit, që do të thotë se Dinastia Babilonase do të jetonte në të gjitha kohërat e nuk do t’i humbte firma edhe vula.
Por njeriu, si i grindur që është prej natyre, i ka thyer ligjet dhe i ka ndërruar ato, herë për t’i bërë më të mira, e herë më të këqija nga sa ishin. Por në të gjitha rastet kjo quhet evolucion përmes revolucionit. Dhe nga lashtësia na ka mbetur pako gjë, më saktë ajo që vazhdon të njihet dhe sot si “e drejta romake”.
Gjithmonë ka dhe do të ketë grupime të caktuara që veprojnë në kundërshtim me ligjin në fuqi, sidomos kur thika u shkon në palcë e s'kanë ç’të humbasin më. Kjo është një luftë e përhershme. Dhe ka fitues të ndryshëm. Ndryshe bota nuk do ecte përpara.
Nëse nuk do thyente ligjin, Spartaku do të vdiste si gladiator anonim para gjeneralit Markus Kasus në arenën e Kapuasë dhe jo i kryqëzuar përgjatë Via Apia, por si njeri i lirë dhe i kthyer në legjendë tashmë.
Në ditët e revolucionit, francezët e çuan Luigjin XVI në gijotinë, rrëzuan monarkinë e ngritën republikën, por nuk morën leje: A ta ngremë një barrikadë...? Thjesht dolën me armë rrugëve dhe ligji u thye dhe u copëtua. Kjo solli përparim, sepse e njëjta skenë do të përsëritej e do të dominonte në të gjithë Evropën. Përndryshe, askush nuk ulej nga froni me dëshirë, dhe një klasë sunduese do të ishte e përjetshme, po aq dhe në vitin 2022, ku do të kishte ende patricë e plebenj, barasvlershëm me ata të viteve para se të lindte Krishti.
Sot shqiptarët e kanë ulur kokën. Duket sikur nuk duan ta thyejnë ligjin. Janë të kujdesshëm. U duhet që për një protestë për ulje çmimesh e ngritje rrogash ta certifikojnë në polici: a do më japësh nja dy orë leje të kërkoj të drejtat e mija?
-Po, por me kusht të mos hedhësh parulla armiqësore dhe të mos e shash kryeministrin.
-Si urdhëron!
Mirëpo jetojmë kohën kur propaganda të bën gjëmën. Dhe të gjithë kanë mësuar pak nga i tmerrshmi Gëbels: Propaganda, propaganda, propaganda... tri herë propaganda.
Dhe para protestuesve që duan pak dinjitet më shumë nga ai që u shkelet përditë me këmbë, u thuhet: Jo kështu, se i bëhet qejfi armikut. S’e dini ju që ka plasur lufta???
-Një nxënës si Miri mësuese ne na turpëron të gjithëve. Ai kështu ua bën qejfin armiqve, borgjezëve dhe revizionistëve, - do të thoshte Edlira para klasës, duke mbajtur kështu një qëndrim therës ndaj shokut të klasës që ishte vonuar nja 10 minuta në mësimin e orës së parë e kishte grisur përparësen e zezë majë një muri.
-S’jam borgjez, s'jam revizionist. Jam shqiptar, – do të shkrehej mes ngashërimesh Miri, që u vu para përgjegjësisë nga “sekretarja e byrosë”.
Për herë të dytë në këtë shkrim na vjen në ndihmë mizanskena e ndërtuar prej regjisorit Anagnosti, por këtë herë huazuar nga filmi epope: “Në shtëpinë tonë”.
Mirëpo Edlira është rritur tashmë, ka shkuar me punë lart, në qeveri. Por mendimet i ka njëlloj, si ato të viteve ’70 kur luftonim me revizionizmin rus dhe social-imperializmin kinez. Miri po, katran me bojë... ja ashtu rrugëve të Tiranës duke kërkuar punë. Herë gjen, herë nuk gjen. Se nuk është as profesionist i shkreti, pa "punë ka sa të hanë qentë". Prandaj sa herë del në demonstratë me xhepat bosh, Edlira del te shkallët e Kryeministrisë e i thotë:
-Miri, kot që proteston. Më mirë kthehu nga ke ardhur. Sepse ti kështu i bëni qejfin rusëve dhe Putinit.
Bravo për besë. Po që s’më kishte shkuar mendja hiç. Po hiç fare ama.
Dhe Mirit ose i duhet të kthehet në shtëpi e të shohë lajmet ku flitet për arritje dhe hapje të reja frontesh pune, ose i duhet të luftojë më fort.
Në fakt, revolucionet nuk kanë marrë leje në polici. Ata kanë heronjtë dhe dëshmorët e tyre. Si Gavroshi dikur për shembull... ose si Miri, nëse do të duhet nesër.
Prandaj ligji nuk duhet vendosur në kornizë ku të mos e prekë kush.
Ai është bërë për t’u thyer.

Thursday, March 10, 2022

Shqiptarët reagojnë ndaj rritjes së çmimeve... mbushin dëng hambarët


Nga 
Leonard Veizi
 
Shqiptarët iu përgjigjën thirrjes për luftë... jo si një herë e një kohë me brigadistët në Spanjë, as si me ata që valëvisnin flamurin e ISIS në Siri... dhe mendja nuk i ka lënë akoma sa të shkojnë si bedelë në Ukrainë. Ndaj për ta kthyer dhimbjen në forcë vrapuan drejt magazinave. Si atëherë kur kapitulloi Italia.
Ishte shtator ’43. Partizanë e ballistë, bujq e hamej, ca nga qyteti por më së shumti nga fshati... e harruan luftën dhe shkuan të merrnin nga malli i hasmit ndonjë thes me sheqer, a ndonjë konservë turshi.
-Hajd luaj këmbët. Hë shpejt. Një herë bëhet deti kos, - do t’i nxiste ca punëtorë ngarkim-shkarkimi, Haruni te filmi “I  dashur armik”, rol të cilin regjisori Gjergj Xhuvani ia kishte besuar Ndriçim Xhepës.
Por viti 1943 është larg.
Jemi në vitin 2022. Kryeministri dha berihain: Do rriten çmimet për shkak të luftës.
Dhe pa kaluar 30 minuta, çmimet u rritën. Si me magji. Parashikues i madh ky shefi ynë. Ndaj dhe një trushpëlarë e barazon me Skënderbeun, e një tjetër më keq akoma nga trutë e hipën në majë të Olimpit me Zeusin.
Ashtu si bashibozukët, këtë herë shqiptarët iu turrën markatave. Yxhum përpara. Veç jo me idenë e grabitjes si njëherë e një kohë, as për të shkruar emra në listën e borxhlinjve, por me para “cash” në dorë. Ujë me koli dhe pije energjike, djathë baxhoje dhe gjalpë në kuti, mish të presuar dhe fileto peshku, por dhe patatina e kokoshka se nuk shtyhen lajmet e televizorit në të thatë. Motivi është mëse i qartë: Të blejmë mall e gjë, që armiku të na gjejë me barkun plot. Se ditë të këqija po na vijnë. S'dihet sa zgjat lufta?!
-Putini e paska seriozisht o të keqen. Ne e menduam si gogol për të trembur fëmijët. Ky na vuri pushkën.
Dhe u dendëm me miell, si ata trimat e Selfo Qorrit që na tregon filmi “Kur zbardhi një ditë”, ku në vendfushimin pas “beteje” ca luanin letra, ca pinin raki e një tjetër doli nga qymezi me pula në dorë.
-Po ky qenka miell more... more... zullap.
-Eeee... do të shqepemi me petulla sonte.
Dhe komandant Selfoja, gjysmë tullac e me automatik krahut, qeshte me të madhe e u thoshte trimave të tij:
-Hallall, hallall ta keni o kodoshët e Selfos.
Po ky është film artistik. Se në realitet është edhe më keq.
Veç kësaj, që ta mbyllnin qarkun, shqiptarët u turrën të blejnë brumatriçe, një makineri që vërtit brumin dhe e bën bukën gati. Rrethimin duhet ta kalojmë me forcat tona. Jemi përgatitur për një ditë të tillë që këtu e.... yhyyyy.... vite më parë.
-Po sikur dhe energjia... Jo se thonë që rusi do na e presë...
-T’u thaftë gjuha, t’u thaftë!
Nejse... duhet prerë një latë shkarpash për t’i stivosur në ballkon. Dimër i ashpër ky i sivjetmi. Të paktën të bëjmë zjarr si në kohën e Hyqymetit. Dhe qirinj... sa më shumë qirinj. Të paktën të shohim njëri-tjetrin mos i fusim gishtat në sy.
Ja, kësaj i thonë të jesh krah për krah me ukrainasit.
Si u ngopën me miell e sheqer, shqiptarët nxituan të mbushnin serbatorët e makinave “full”. Nxorën nga sepetet kova, kazanë, kusi e bidonë.
-Të kapim ndonjë gjë me të lirë, sa jemi në kohë, se siç duken bathët, aha, do bëhen sediljet e makinës fole për minjtë.
Kështu u kompletuan. Dhe thoni pastaj që nuk na punon mendja si shqiptarë, e se jemi të fundit në Evropë. Ne për të tilla gjëra jemi të parët. Tregon fakti.
Dhe me të drejtë.
Se çmimet po rriten dita-ditës. Dhe fajet nuk na i ka kryeministri që na paralajmëroi për ditët e këqija: “Dale se s’keni parë gjë akoma”. Tek e fundit, ai për të mirën tonë po përpiqet. Paçka se ca e ca ia marrin jangëllësh.
Ndërkohë, protesta e fundit para Kryeministrisë, për të kundërshtuar rritjen e çmimeve, mblodhi disa-qindra qytetarë, por nuk u bënë dot disa-mijëra, që t’i vinin me shpatulla për muri anëtarët e këshillit të ministrave, sa t’u vinte festja vërdallë.
-Do hosten bualli, jo pickime pleshti, - do thoshte Jaho Labi tek filmi “Në fillim të verës”.
Të kishte qenë ndonjë tubim partie ndryshonte puna, se ne e kemi qejf militantizmin. Edhe në kohën e merhumit dilnim në shesh. Sot themi që na nxirrnin me zot, por sipas derivatit i bie të kemi dalë me zell të madh, e kemi thirrur me të madhe: Rroftë Komiteti Central... me shokun...
Aman ç't’i kujtojmë ato kohë.
Gjithsesi, qeveria e bëri të vetën edhe kësaj radhe. E nxori një ministre që na dha mend për aq sa nuk na shkonte mendja. Ajo, - me të urtë e me të butë, - na këshilloi të mos u hipnim makinave për të blerë bukë te dyqani i lagjes, por të merrnin xhadenë më këmbë. E mundësisht as bukë të mos blinim. Ja kështu, edhe kursejmë, edhe xhepin plot, edhe nuk vuajmë nga obeziteti. Buka e grunjtë të kthen në obez, sipas studimeve nga katedra serioze të shkencës. Po të jesh obez me shumë gjasa do të jesh dhe pacient i diabetit. E sa t’i futesh kot kasavetit, e t’i bësh lekët ilaçe, mblidhi ca rripat. Bëhesh gjeth, sa të fluturosh nëpër shkallë e të mos i hipësh ashensorit. Se dhe hipja në ashensor te shfaqjet e huaja hyn.
Do thoni ju që: e do robi një çapë buke. Por kur nuk konvergojnë dëshirat me mundësitë nga diçka duhet hequr dorë, se lukse të tepërta janë. Pastaj ne jemi betuar që do hamë dhe bar...
I do parë dhe ana tjetër medaljes.
Ja... tani që edhe Covidin e shporrëm, qeveria na e hoqi orën policore. A nuk është ky një lajm për t’u gëzuar e për të festuar?! Ndaj dhe demonstratat duhen bërë ca me marifet. Se shqetësohen ata brenda godinës kryeministrore, që tek e fundit janë shërbëtorët tanë.
Eee, pirdh-o...
Policia i shpërndau demonstruesit dhe si shembull ca i futi në qelitë e komisariateve për formalitet. Epo kishin zënë rrugën. Disa-qindra shqiptarë të tjerë, me timonin e makinës në një dorë e celularin në dorën tjetër, që i përballojnë lehtësisht rritjet e çmimeve, donin të bënin shëtitjen e mbrëmjes andej nga Blloku. Si thua, tua prishnin dyzenin...
Epo ja, ky stan këtë bylmet ka. Ndaj mos u qani për cilësinë!
Dhe mos kërkoni uljen e çmimeve në fund të fundit.
... as rritje rrogash..., se për pak harrova.

Wednesday, March 9, 2022

Shqiptarët “pushtuan” Brindizin, italianët i “gjuanin” me bukë nga ballkonet

Eksodi - 7 Mars 1991  
 
31 vjet më parë në qytetin port të Jugut të Italisë, zbarkuan 27 mijë shqiptarë në një ditë të vetme
 
Nga Leonard Veizi
 

Me një nxitim përndjekës dhe emocion të panjohur deri në ato çaste, ata nuk pritën sa paretet anësore të anijes të mbështeteshin mbi gomat e mëdha të bankinës dhe cimat e trasha të lidheshin fort pas hekurave të kalatës, por u hodhën nga bordi drejt pistës prej betoni duke ngritur dy gishtat përpjetë dhe thirrur me të madhe: Italia-Italia.
Shqiptarët kishin prekur së fundmi botën e madhe të Perëndimit.
Pyetjet që u shtruan në media gjithfarësh, nga reporterë e gazetarë që mbërritën njëherazi për të parë “spektaklin” kishin të bënin sa me lirinë e këtyre njerëzve të hutuar e pa orientim, po aq dhe me gjendjen ekonomike, e cila transmetohej në fytyrat e tyre dhe në veshjet gati uniformë e të një mode që kishte perënduar prej vitesh.
Çfarë po kërkonin këta njerëz që po vraponin ethshëm të kapnin brigjet e asaj që me mendjen e tyre ravijëzohej si “bota e lirë”: një jetë më të mirë, liri mendimi dhe shprehjeje e për ca dinjitet me shumë? Atë dinjitet që kishte humbur në aksionet vullnetare, në rritjen e normave për punë të papaguar, në rradhët e gjata të qumështit e vajgurit dhe në tollonin e mishit...
Deri në ato çaste të gjitha ata dhe të tjerët që kishin mbetur pas, jetën e kishin kaluar në një kamp të madh përqendrimi, rrethuar me klon, posta ushtarake me mitrioloza në gatishmëri, e piramida ku poshtë simboleve bolshevike shkruhej me të kuqe RPSSH. Ishte vendi ku punohej me turne gjashtë ditët e javës për të siguruar një jetë krejt të thjeshtë dhe ditët e pushimit mbusheshin me mbledhje propagandistike në zbërthim të fjalimit të Kongresit, Plenumit apo direktivave që dilnin kohë pas kohe nga zyrat e Komitetit Qendror.
Ishte jeta në Shqipërinë socialiste...
 
...Ky ishte prologu i njerëzve që rrezikuan dhe u arratisën prej Shqipërisë, e cila asokohe mbante ende kudo hidhje sytë imazhet e drapër-çekanit, dhe ku rrugë e qendra të rëndësishme administrative mbanin emrin e diktatorit gjeorgjian Josif Stalin. Ishin vërtet të paorientuar e me një informacion minimal, por instinkti i dërgoi drejt botës së lirë, e cila qoftë dhe për një këndvështrim të afërt e të penguar nga Apeninet, përkufizohej me Italinë.
Bënte ftohtë dhe deti kishte qenë vazhdimisht i trazuar gjatë gjithë natës. Por ata kishin lundruar, ashtu kuturu, pasi kishin detyruar disa oficerë marine dhe timonierin brenda urës së komandimit, të mbanin kursin drejt portit më të afërt përballë brigjeve vendase. Dhe mëngjesi i zuri në Brindizi.
Ishte e enjtja e 7 Marsit të vitit 1991.
Tetë muaj më parë, në korrik të vitit 1990, shqiptarët e kishin bërë një tjetër “hata” të madhe, ku të paktën 5000, duke shembur mure e duke u hedhur nga kangjellat metalike, prej tyre kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore të akredituara në Tiranë.
Fundi i vitit 1990 kishte sjellë ndryshime të papara në jetën politike dhe sociale të Shqipërisë. Ndërsa një muaj pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit, eksodi i shqiptarëve drejt Italisë filloi me mbërritjen, në vetëm 24 e njëzet e katër orë, të rreth 27,000 njerëzve. Anije të ndryshme, tregtare dhe peshkimi, mbushur me njerëz të varfëruar skajshëm e mllefosur deri nën hundë, shkëputeshin dhunshëm nga portet e Durrësit e të Vlorës. Një pjesë i përkisnin shtresave vunerabël, të cilët nuk kishin çfarë të humbnin në Shqipëri, sepse edhe shtëpitë i kishin me qira, por dhe puna e lodhshme në uzina e miniera u siguronte vetëm 5000 lekë të vjetra në muaj. Por kishte dhe shumë intelektualë, inxhinierë dhe instrumentistë orkestrash, që kishin marrë rriskun për të hipur në ato anije. E midis tyre gjeje dhe ushtarakë, oficerë e ushtarë të thjeshtë, që kronikat e kohës i tregojnë duke dorëzuar armët tek autoritetet portuale të Brindizit, të cilët mundoheshin të administronin mësymjen e paparë, nga “pushtuesit” e paarmatosur.
Por kishte dhe shumë familjarë që guxuan të merrnin e vete, - në një aventurë që nuk dihej se si do të përfundonte, - dhe fëmijë të sapolindur me vete. Dukej sheshit se shpirti u kishte ardhur në “majë të hundës”, ndaj kërkuan të mbërrinin me çdo kusht në Itali, duke udhëtuar fare pak milje a kilometra, por që në atë kohë, me ndarjen e botës në blloqe kundërshtare, dukej vite dritë larg.
Në harkun kohor të 30-orëve mbi 24 anije u ankoruan në bankinat e portit të Brindizit. Statistikat e atyre kohëve thonë se ishin rreth 27 mijë shqiptarë, ndërkohë që vetë qyteti port i Jugut të Italisë nuk i kapte 90 mijë banorët.
Anija e parë me 4000 persona në bord ishte “Liria”. Transoqeaniku "Tirana" që sipas pamjeve filmike duket e akostuar tek bankina “Sant' Appollinare” kishte zbarkuar 3000 vetë të tjerë. Ndërsa anija “Legend” e mbiquajtur “panamezja” udhëtoi me 5000 vetë në bord. Dhe pastaj do të mbërrinin me rradhë anijet e thera: Butrinti, Sazani, Sopoti, Alba, Kallmi, Apollonia, etj.
Italianët ishin zënë në befasi. Ishin krejt të papërgatitur për këtë “pushtim”. Dhe vetë shërbimi sekret nuk kishte ndonjë informacion të saktë.
Dukej se shqiptarët ishin krejt spontanë në këtë veprim, aspak të organizuar, sa për të kuptuar se çfarë pritej të ndodhte.
“Brindizianët hidhnin nga dritaret qeset plot me ushqime”, citohet të ketë thënë vite më vonë, - për mediat italiane, - ish-kryetari i bashkisë së Brindisit, Pino Markiona.
“Dritat në shtëpi, zyra dhe shkolla nuk u fikën për tri ditë. Një popull i tërë hapi dyert dhe vuri në dispozicion kohë, forcë dhe mallra për të na pritur. Ishte një mrekulli”. - Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta të kohës nga shumë shqiptarë që më pas u integruan në strukturën shoqërore të Italisë.
Më pas kryebashkiaku Markiona, foli me banorët e Brindisit përmes radios dhe TV lokale: - “Më duhej të isha qetësues, sepse plaçkitja e një dyqani ushqimor do të kishte mjaftuar për të nisur një luftë me gishta të zhveshur. Unë thashë: ‘Ata janë vetëm të uritur dhe të ftohtë, ndihmoji ata’. Mesazhi i regjistruar që në 08.00 të mëngjesit, transmetohej çdo 15 minuta gjatë gjithë ditës. Në orën 13:00 pata sinjalin e parë: njerëzit po hidhnin nga dritaret qeset plot me ushqime”, - ka dëshmuar ai më pas për mediat italiane.
Ishte një garë solidariteti e paprecedentë. Prefekti Antonio Barreli kërkoi që rreth dyzet shkolla, të shndërroheshin në konvikte. Ndërsa kryebashkiaku Markiona kërkoi nga mensat e kompanive të gatuanin dymijë vakte të tjera në ditë. Të tjerat i bënë brindizianët. Vetëm mesditën e pesë ditëve më vonë, do të fillonin të mbërrinin ndihmat e para nga Roma.
“Bukë e liri, këtë kërkuan shqiptarët e mbërritur në rrugë detare atë ditë marsi në Brindizi. Dhe Brindizi u përgjigj” – do të shkruanin mediat ato ditë të vështira, ku shqiptarët në mes të të ftohtit të fillim marsit qëndronin në kalatën e portit të Brindizit të mbuluar me plastmas.
Kjo ishte përpjekja e parë.
Mbërritja e dytë masive do të bëhej më 8 gusht të po atij viti, me ankorimin në portin e Barit të transoqeanikut “Vlora”që nisej nga Durrësi, me njëzetmijë emigrantë në bord.
Ato pamje edhe sot jehojnë në kujtesën e kujtdo.
...Eldorado...
Shqiptarët gjetën Amerikën në Italinë fqinje.

Friday, March 4, 2022

Lufta filloi, ushtria shqiptare “ngre duart përpjetë”


Nga 
Leonard Veizi
 
Lufta nisi. Nuk ishte e pabesueshme, edhe pse fillimisht u duk e pabesueshme. Në fakt, asnjëherë nuk besohet se një konflikt i armatosur do të ndodhë. Edhe kur Hitleri theu kufirin polak e hyri në Varshavë askush nuk besonte se lufta do niste vërtet. Edhe kur Putini e çau kufirin Ukrainas dhe tanket rrethuan Kievin duke hipur dhunshëm mbi makinat e civilëve, askush nuk e besoi se kjo do të ndodhte vërtet, pavarësisht seriozitetit të presidentit rus.
Tanimë lufta është ndezur. Makineria është vënë në punë dhe deri në ndalimin e plotë të saj do të duhet kohë. Edhe pse organizmat ndërkombëtarë po marrin masa e po nënshkruajnë rezoluta. Por historia ka treguar se po plasi lufta, për letra me vulë e firmë nuk pyet njeri, ndaj dhe Hitleri i grisi disa nga pikat e marrëveshjes Molotov – Ribentrop, dhe nisi operacionin “Barbarossa” duke shkallmuar kufijtë e shtetit sovjetik me “luftën rrufe”.
Në rastin konkret janë disa shtete të cilat duan të lajnë hesapet e mbetura pezull nga e kaluar. Prandaj rroftë sebepi. Ndaj nuk është çudi që një konflikt i konsideruar si rajonal për çastin, të kthehet në një trend botëror. Dhe ata që kanë marrë atributin për të bërë parashikime, - si Baba Vanga apo Nostroadamusi, - thonë se pika më e nxehtë nga ku mund të zgjerohet konflikti është pikërisht Ballkani.
Dhe sa e rrezikuar është Shqipëria në këtë mes?
Fare. Po fare-fare. Sepse nëse ndokush që ka bërë plane e do t’i shkrepet në mendje të na pushtojë, atë do ta bëjë shpejt dhe pa humbje. Nuk do duhen disa ditë për të hyrë në Tiranë, por vetëm disa minuta. Dhe kjo nuk do shumë llogari për t'u bërë: sepse ne jemi të kapitulluar para se të nisi ofensiva. Në Shqipëri, - dikur një vend tepër i fortifikuar e me armatim sa për të furnizuar gjysmën e Evropës, - sot do gjesh veç koburet e policëve dhe automatikët që përdorin forcat komando. Por për be nuk e gjen një mitraloz 12.7 milimetër. Një top dygrykësh të kalibrit 37,... le më të bëhet fjalë për gryka të rënda 85 milimetër, 100 apo 120.
Edhe ushtarët profesionistë i paguajmë me aq rrogë sa ata janë gati ta hedhin pushkën në ferra e pastaj të çajnë ferrën. Rezervistë po e po nuk kemi. Veç në mbajmë shpresë tek Forcat Vullnetare. Pra, tek ata që kanë dëshirë t’i bashkohen kauzës në mbrojtje të kufijve territorialë. Por dhe atyre u rroftë vullneti, se me duar nuk luftohet sot.
Pastaj pallavrat se jo po na mbron NATO..., jo po Traktati i Varshavës... janë fjalë në erë. Në këto raste duhet t’i dalësh zot vetes, sepse sipas asaj fjalës së urtë popullore: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.
Po pastaj?
Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, - qoftë dhe për shkak të mendjes diabolike të njeriut të vetëm, - Shqipëria u armatos deri në dhëmbë. Kishte në statistika 25 mijë oficerë dhe nënoficerë, 60 mijë ushtarë të gatshëm, të paktën 1000 tanke rreth 240 avionë dhe helikopterë. Pa përmendur brigadat dhe regjimentet e artilerisë kundërajrore, me 4000 gryka zjarri të kalibrave të ndryshëm. Por dhe nja 200 raketa tokë-ajër. Municion pa fund. Dhe mund të bëjë një rezistencë të gjatë përballë një armiku shumë më të fortë. Sepse dhe Ukraina nuk po bën më shumë se kaq.
Sot ky arsenal nuk ekziston.
Në vitin 1975 armatimi i ushtrisë shqiptare ishte nga më modernët në rajon, duke qenë se u furnizuam që në fillim me një skuadrilje prej 12 avionësh MIG 21, e cila ishte fjala e fundit e aviacionit luftarak për Lindjen. Katër nëndetëset në kuadër të Traktatit të Varshavës erdhën me “0” kilometra, nga baza e Kaliningradit.
Pas vitit 1975 ndërsa vendet e tjera rreth nesh po armatoseshin me shpejtësi dhe mbajtën të njëjtin ritëm, ushtria shqiptare mbeti prapa. Por deri në vitet 2000 gjithsesi arsenali i saj ishte në gatishmëri. U deshën vetëm 20 vite që gjithçka të kthehej në asgjë.
Dikur, ministria e Mbrojtjes, - si godinë, - kishte gjysmën e kapacitetit dhe pa ajër të kondicionuar, por mbante nën hyqëm të paktën 21 divizione të ndara në tre Fronte, apo thënë ndryshe në tre Armata. Në varësi të Shtabit të Përgjithshëm ishin dhe komanda e Forcave Ajrore ato Detare, Divizioni i Xhenios dhe njësi speciale.
Shkurt, mund të cilësoheshim si një shtet ushtarak.
Sot struktura e ushtrisë ka hyrë në ujë. Qeveritarët e të gjitha kabineteve janë shprehur se ne nuk kemi këllqe ta modernizojmë ushtrinë me mjete të reja. Jemi mjaftuar vetëm me disa helikopterë, gjysma e të cilëve nuk ngrihen në fluturim. Të tjerët janë për emergjenca civile. Por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të hedhë një kovë ujë kur pyjet marrin flakë. Praktikisht ajrin tonë e kontrollojnë një çift avionësh, herë italianë dhe herë grekë, në kuadër të NATO-s. Tek forcat detare, nga 100 anije të ndryshme, bashkë me nëndetëset, kemi mbetur me katër anije patrulluese.
Ushtria sot ka në përbërje të saj vetëm një brigadë komando dhe disa batalione. Po t’i mbledhësh të gjithë këto në një njësi, ato duhet të drejtohen prej një ushtaraku që mban gradën e kolonelit. Mirëpo në organika janë të pakën 10 gjeneralë të ushtrisë shqiptare ku një pjesë ka kaluar në rolin e këshilltarëve të burrave të shtetit. Ndërkohë që sipas termave ushtarakë, një gjeneral brigade, - që është dhe grada më e ulët e një gjenerali, - duhet të ketë 10 mijë burra nën armë.
Si justifikohen gradat në një ushtri inekzistente?
Sot godina e ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka kaluar në ambientet e ish-Akademisë Ushtarake, ka dyfishin e kapacitetit. Ambientet janë fantastike, me tapet te dera kryesore dhe ajër të kondicionuar. Por se çfarë platformash mbrojtjeje hartohen aty në dobi të sigurisë kombëtare, nuk është në gjendje ta thotë njeri?! Madje as ministri vetë dhe as shefi i shtabit të përgjithshëm, që gjithsesi e ka gradën e gjeneral majorit.
Nëse konflikti, - me një hipotezë të hedhur ashtu në tym, - do të zhvendosej nga Lindja drejt Ballkanit, dhe ne si shqiptarë do të ndiheshim të rrezikuar, çfarë do të bëjmë....?
Të mbajmë shpresë te NATO pa zbrazur vet asnjë pushkë? A ka kandar që e mban këtë? Mendoni se do vijë të vritet këtu një ushtar amerikan, francez apo italian dhe ne do qëndrojmë duarkryq se demek “nuk kemi mjetet e nevojshme”. Sepse në emër të demilitarizimit i zhdukëm të gjitha armët që kishim, ku ca i premë me sharrë elektrike, me ndihmën e aktorit Majkëll Dagllas që erdhi deri në Gramsh për spektakël, e ca i shitëm si mundëm në tregun e zi.
Sot në Shqipëri ka armë me të cilët mund të vrasim njëri-tjetrin, por jo të mbrojmë Atdheun.
Dhe meqenëse bunkerët i prishëm e u morëm hekurin për skrap, nuk kemi as ku të fshihemi. Ndaj jemi me duar përpjetë që në fillim të konfliktit.
-Ejani o vëllezër, futuni brenda... Mirë se na erdhët!
Se do t’i thuash derrit dajë, kur nuk ke nga ia mban.
Por ne jemi me shpresën se konflikti nuk do zgjerohet. Dhe shpresa vdes e fundit.
 

Thursday, March 3, 2022

Nikolai Gogol, madhështia e një kryevepre


Nga Leonard Veizi
 
"Me fjalën time të hidhur mund të qeshni përjetë". Ky është epitafi i shkruar mbi varrin e tij. Dhe për ata që ia njohin historinë e dinë për kë bëhet fjalë. Është Nikolai Gogol.
Kur vendos të flasësh për një shkrimtar si ai, nuk ka përse të mendohesh shumë thellë, por mjafton të marrësh frymë thellë. Sepse në thellësinë që të zhyt ai, do të të duhet të notosh ca kohë me rezervat e oksigjenit që ke në mushkëri. Dhe kur nuk ke më shanse mbijetesë duhet të çash për të dalë në sipërfaqe.
Mjaft të themi që ai na ka dhuruar një personazh si Çiçikovi, ky tregtar i pasur që blinte lart e poshtë “frymë të vdekura” e me të cilët mburrej se me ta kishte krijuar një ushtri që punonin për të. Dhe kështu në krejt botën do të shfaqej një aventurier rus që do të ecte në krah të Don Kishot spanjoll që Servantesi e kishte shkruar më shumë se dyqind vite më parë.
Historia ka paralelet të përsëritshme, qoftë në një ekstrem të Evropës, qoftë në ekstremin tjetër të saj.
Nikolai Gogol, vinte nga një familje fisnike. Edhe pse me origjinë ukrainase njihet si mjeshtri i madh i letërsisë ruse. Por ai është gjithashtu dhe një nga shkrimtarët më të mirë botëror, vepra e të cilit, ka fituar vlera të përjetshme e të papërsëritshme.
Ishte shumë i ri kur u fut në botën e letërsisë.
Ishte lindur në 19 mars të vitit 1809. Në vitin 1825, si mbaroi gjimnazin shkroi veprën: "Hans Kuhelgarten". Më 1831-1832 shkroi: "Pronarë të mëdhenj të botës së vjetër", "Mbrëmje në çifligun e Dikankës", "Mirgorod" dhe novelën monumentale "Taras Bulba". Në 1835, shkroi "Portreti" dhe "Shëtitorja Njevski". Ndërkohë shkroi edhe drama, si "Revizori", "Bixhozçinjtë" dhe komedia "Martesa".
Thuhet se edhe pse autori i ri, Gogol u bë i famshëm brenda natës. Ndër admiruesit e tij të parë ishin poetët Aleksandër Pushkin dhe Vasili Zhukovski.
Gogol njihet si themeluesi i një lëvizjeje letrare - skena kryesore e "shkollës natyrore" të viteve 1840; Studiuesit modernë besojnë se ai kishte një ndikim të madh në letërsinë ruse dhe botërore
Duke iu referuar kritikave të shkruara për të mund të themi se Nikolai Gogol është konsideruar si një nga figurat e shquara të shkollës natyraliste të realizmit letrar rus, kritikët e mëvonshëm kanë gjetur në veprën e Gogolit një ndjeshmëri thelbësisht romantike, me tendosje të surrealizmit dhe groteskut. Veprat e Gogolit shfaqin variacione të ndryshme të stilit romantik dhe një përdorim mjeshtëror të metaforës, hiperbolës dhe groteskës ironike. Nga pikëpamja shpirtërore, vepra e hershme e Gogolit nuk përmban vetëm një koleksion tregimesh humoristike, por një mësim të gjerë fetar, në të cilin ka një luftë midis së mirës dhe së keqes, dhe e mira fiton pa ndryshim, dhe mëkatarët ndëshkohen.
Njohja me Pushknin dhe sugjerimi i këtij të fundit do të sillte një tjetër kryevepër në letërsinë botërore: “Shpirtra të vdekur”. Kjo është dhe një nga veprat e tij më të qarkulluara në Shqipëri. Por jo vetëm pas. Sepse dy komendi të tij do të ishin repertor në disa nga teatrot më në zë të Shqipërisë.
“Martesa” kjo komedia me dy akte është vendosur nga Sokrat Mio në vitin 1946 duke u bërë kështu ndër veprat e para që Teatri Popullor vinte në skenë.
“Revizori” që njihet ndryshe dhe me titullin “Inspektori nga Qeveria” është vepra tjetër e Gogolit e cila me gjasa ka popullaritetin më të madh në Shqipëri, për shkak se ajo është ngjitur disa herë në skenën teatrore përmes regjisorëve të ndryshëm.
Fillimisht ajo është ngjitur në skenë nga regjisori Sokrat Mio në vitin 1947 por dhe në marsin e vitit 1952 për të përkujtuar 100 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit. Në vitin 1972 “Revizori” u ngjit nnë skenën e teatrit Aleksandër Moisiu të Durrësit nën titullin “Kryeinspektori”. Në vitin 1998 “Revizori” u ngjit sërish në skenë por këtë herë me regji të Andeta Radit e bashkëregji të Ferdinand Radit, por me titullin “Inspektori” ku rolin e Hlestakovit do ta luante aktori i madh i skenës teatrore Roland Trebicka. Dhe së fundi, në vitit 2019 “Revizori” u ngjit përsëri në skenën e Teatrit Komëbtar por këtë herë nën drejtimin e regjisores Driada Dervishit
Nikolai Gogol herë pas here është ndjerë nën trysninë e reagimeve të forta për shkak të botimit të veprave të tij. Pas botimit të romanit “Shpirtra të Vdekur” në vitin 1842, autori u ndje në një presion të vazhdueshme. Gjithsesi, pas shumë kritikave, ai vendosi të shkruajë pjesën e dytë të "Shpirtra të vdekur". 
Ishte koha kur autori u përball me krizat e depresionit. Në prill të vitit 1848, Gogol u kthye në Rusi pas një pelegrinazh që bëri në Jeruzalem. U vendos në Moskë, ku ra nën ndikimin e një prifti fanatik, At Matvei Konstantinovski, i cili duket se ka praktikuar mbi Gogolin një lloj sadizmi shpirtëror.
Disa kohë më vonë edhe pse 42 vjeç e pushtoi frika e vdekjes; hoqi dorë nga studimet letrare, dhe nisi të agjëronte. Pohoi se kishte dëgjuar zëra që thoshin se së shpejti do të vdiste.
Praktikat e ekzagjeruara asketike i shkatërruan shëndetin dhe ai ra në një depresion të thellë. Natën e 24 shkurtit 1852, - mendohet se me urdhër të At Matvei Konstantinovski - dogji disa dorëshkrime të tij, si dhe pjesën e dytë të romanit “Shpirtra të Vdekur”. Pas kësaj, ai u shtri në shtrat, refuzoi ushqimin duke refuzuar njëkohësisht edhe ndihmën mjekësore duke u bërë gati të vdiste. Qëndroi nëntë ditë në këto kushte. Ra në pavetëdije e në prag gjysmëçmendurie, ndërsa mëngjesin e 4 mars 1852 dha frymën e fundit. Ishte vetëm një muaj larg nga ditëlindja e tij e 43-të.
 

Wednesday, March 2, 2022

Mbushjet bërthamore ruse, arsenali i tmerrshëm në dorën e Putinit


Nga Leonard Veizi
 
Bota është futur në ankthin e shpërthimit të një lufte bërthamore. Dhe e gjitha kjo, sepse Vladimir Putin, ka ngritur në gatishmëri detashmentin e forcës bërthamore ruse.
Por, a do të ndodhi kjo?
Thuhet se ushtria e Federatës Ruse ka një arsenal të frikshëm armësh gjithfarësh që ta shfarosin njerëzimin e të mos lënë pemë në këmbë. Por kjo nuk është ndonjë gjë e re. Sepse që prej vitit 1949 Rusia, si bërthama e Bashkimit të Republikave Sovjetike, ka nisur armatimin e saj me mbushje bërthamore, përveç sofistikimit të armëve të tjera: aviacionit, armës së tankeve, nëndetëseve dhe anijeve të tjera mbiujëse.
Më verën e vitit 1949, Bashkimi Sovjetik testoi bombën e tij të parë atomike. Prova u bë një poligon i Kazakistanit verior. “RDS-1”, ishte emri i koduar i bombës atomike 22 kilotonësh e cila shpërtheu mëngjesin e 29 gusht të vitit 1949, në rajonin Semipalatinsk të Kazakistanit.
Epoka e garës atomike kishte nisur. Sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një avancë 4-vjeçare, e kishin provuar bombën e tyre atomike jo më në poligonet e shkretëtirës së Nevadës, por drejt e mbi një qytet të populluar.
Shpërthimi parë ndodhi mëngjesin e 6 gushtit të vitit 1945, pasi një avion i flotës amerikane, bombarduesi B-29 Superfortress, hodhi mbi qytetin japonez të Hiroshimës bombën e mbushur me uran, nën emrin e koduar "Little Boy".
Tri ditë më pas do të vinte katastrofa e dytë bërthamore. Këtë herë mbi qytetin japonez të Nagasakit do të shpërthente një bombë me plutonium e koduar “Fat Man”.
Japonia, e fundit aleate e boshtit Romë – Berlin – Tokio, u dorëzua. Dhe Lufta e Dytë Botërore, përveç Evropës, mori fund edhe në Azinë e Largët.
Gjithsesi fundi i Luftës pati një pasojë të tmerrshme, sepse për shkak të dy shpërthimeve gjetën vdekjen mbi 210.000 njerëz, kryesisht civilë, rreth 140 mijë në Hiroshima dhe të paktën 74 mijë në Nagasaki. Shumë të tjerë mbeten me plagë dhe sëmundje tjera të shkaktuara nga jonizimi e që ishin të pashërueshme. Vetë vendet ku shpërthyen bombat mbetën për një kohë të gjatë nën ndikimin e rrezatimit vdekjeprurës.
Megjithëse u vërtetua plotësisht se sa shkatërruese ishte një bombë bërthamore, dhe megjithëse organizma të fuqishëm ndërkombëtarë u munduan ta frenonin këtë garë armatimi, përgjatë këtyre viteve shumë shtete nuk reshtën për të prodhuar mbushje të reja, më të sofistikuara.
Sot jemi para të njëjtit kërcënim.
Në ditët e para të luftës Rusi- Ukrainë, të paktën dy herë Vladimir Putin, - si zyrtari më i lartë i Moskës, - në një mënyrë apo në një tjetër, ka aluduar për një luftë bërthamore. Herën e parë, indirekt, kur, më 24 shkurt 2022, duke shpallur vendimin për t'i hapur luftë Ukrainës, ai tha: "Kushdo që përpiqet të ndërhyjë ... ose të krijojë kërcënime për vendin dhe popullin tonë, duhet ta dijë se ne do të reagojmë menjëherë dhe rrjedhimisht do të jetë diçka që bota nuk e ka parë kurrë”.
E dyta, më shprehimisht, ishte më 27 shkurt, - pra tre ditë më pas, - kur citoi "deklarata agresive" të paspecifikuara të vendeve të NATO-s dhe urdhëroi që forcat bërthamore ruse të viheshin në gatishmëri.
I çekuilibruar mendërisht apo në ekuilibër normal, inteligjent në shkallë sipërore apo aspak i tillë, tanimë Putin na bën me dije se e do ta hapë kapakun, aty ku pulsanti qëndron në gatishmëri. Sepse ai e ka në dorë fatin e mëtejshëm të shumë jetëve njerëzore.
Këto deklarata të tij nuk mund të merren më lehtë, sepse Rusia, me gjithë një çarmatim të caktuar e të kryer në dekadat e fundit, është ende e pajisur me një arsenal bërthamor të frikshëm, ndoshta edhe më të madh se ai i Shteteve të Bashkuara, i cili, të mos harrojmë, shpenzon të paktën dhjetë herë më shumë se Rusia në fushën e mbrojtjes e të armatimit.
I referohem mediave serioze të perëndimit, pasi tanimë shumë nga faqet online të sistemit rus nuk janë me të aksesueshme. Informacionet nga Moska janë “Top secret
Sipas të dhënave më të fundit, pra ato të siguruara nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, - e cila është një organizatë jofitimprurëse e krijuar për të dhënë një kontribut shkencor në shqyrtimin e problemeve të mëdha ndërkombëtare, - Moska mund të ketë 4477 koka bërthamore efikase, plus 1500 të tjera të cilat janë të çmontuara ose në proces çmontimi, por në çdo rast të papërdorshme. Nga 4,477 koka luftarake efikase, vetëm 1,588 janë tashmë në dispozicion të garnizoneve të ndryshme, ndërsa 2,889 të tjerat mbahen në rezervë. Nga ana tjetër, 1,588 mbushje të dislokuara tashmë, janë të ndarë midis ICBM-ve me bazë tokësore 812 copë, nëndetëseve reaktore 576 copë dhe bombarduesve 200 copë.
Siç shihet, një aparat luftarak mbresëlënës i të cilit duhet theksuar edhe një aspekt tjetër. Raketat, nëndetëset dhe bombarduesit formojnë të ashtuquajturën "treshe bërthamore". Të paktën kështu thonë disa agjenci nga më prestigjiozet e informimit.
Duke filtruar informacionet që vërshojnë lumë përqendrohem tek ato që janë më afër realitetit, në mos po janë krejt të sakta: Rusia ka tre baza të afta për të lëshuar raketa me kokë bërthamore dhe janë në një pozicion strategjik: në Rostov - juglindje të vendit, në kontakt të ngushtë me Donbasin dhe Ukrainën, - në Shën Petersburg dhe sidomos në Kaliningrad. Këtu janë instaluar raketat të tipit 9M729, ato që e shqetësojnë më shumë NATO-n. Ndryshe nga raketat balistike, të projektuara për të fluturuar në distanca më të shkurtra, këto mbulojnë një distancë maksimale prej 2500 kilometrash, praktikisht të gjithë Evropën, deri në Spanjë dhe në Irlandë.
Por fusha në të cilën Rusia ka shkuar më tej, sërish në lidhje me armët atomike, është ajo e të ashtuquajturave “raketat hipersonike”, testuar që në vitit 2018, të cilat janë të afta për të fluturuar me shpejtësi 7 Mach, pra gati 8600 kilometra në orë. Raketa hipersonike “Kinzhal”, ka një rreze prej më shumë se 2,000 kilometra.
Dallimi, në krahasim me raketat "tradicionale", nuk është aq në shpejtësi  - pasi një raketë balistike, kur bie drejt tokës, mund të arrijë edhe 17 Mach, - por në manovrim. Për të mos folur pastaj për sistemet e tjera të armëve si: Avangard. Avioni të cilën NATO e ka koduar si “Avangard”, është i aftë të fluturojë me mbi 20 herë shpejtësinë e zërit në shtresat e dendura të atmosferës, dhe është në gjendje të ndryshojë papritmas trajektoren dhe lartësinë e tij të fluturimit.
Pak a shumë si puna e UFO-ve...
Në terma thelbësorë, është një lloj glideri hipersonik i aftë të udhëtojë në dhjetëra kilometra lartësi në shtresat e dendura të atmosferës dhe më pas të rrëshqasë papritur mbi objektivin duke mbajtur një bombë atomike e cila, në rastin konkret të arsenalit rus, mund të jetë katër herë më e fuqishme se koka më e fuqishme e një mbushje amerikane. Për të paktën disa vjet, rusët kanë punuar për t’u pajisur me sistemin “RS-28 Samat”. Më 24 dhjetor 2019, gjatë ekspozitës së sistemeve moderne të armëve në Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Mbrojtjes, u raportua se Sarmat është i aftë për një "fluturim nën-orbital 35,000 kilometra".
I gjithë ky përparim i skajshëm i armatimit luftarak, është bërë në periudhën e pushtetit të Vladimir Putinit. Sot, në ditët e luftës me Ukrainën, ai mund të ndihet krenar për arritjet e shkencës ruse në favor të armatimit luftarak. Ndaj dhe merr guximin e çmendur për ta kërcënuar botën me shpërthime bërthamore. Ndaj gishtin e ka vendosur mbi pulsantin e kuq.
...ta shtyp, mos e shtyp...
Nuk është më një lojë fjalësh
Por me siguri, nuk është dhe aq i çmendur sa ta shtypi e të nisë raketat për vetëshkatërrim.