Thursday, November 14, 2019

Duro Mustafai: Ne, gazetarët e “socializmit”


EKSKLUZIVE/ Flet Duro Mustafai, gazetari që punoi për 30 vjet në organet e ndryshme të shtypit
 
Ne, gazetarët e “socializmit”
 
Leonard VEIZI
 
Media dhe gazetarët. Termi është i përgjithshëm, ndërsa jeta brenda saj bëhet më shumë se e larmishme, po të mendosh se asnjë shkrim nuk merr ngjyrë nga zyra e ngrohtë e redaksisë, por pikërisht atje, ku jeta lëviz pambarim. E, megjithatë, ka patur gazeta dhe gazetarë në kohë të ndryshme. Shtyp të lirë dhe të kontrolluar. Të censuruar dhe të autocensuruar. Lajme që trasmetoheshin rrufeshëm dhe të tjerë që seleksionoheshin për t’u futur “në sitrar”. Ndërsa nëpër rrugë, në këmbë, me biçikleta, në sediljet e para të autoveturave, në trena pasagjerësh apo karroceri makinash të tonazhit të rëndë, udhëtonin gazetarët. Lajme, reportazhe, shkrime kritikë e ilustrativë, vinin në redaksit e gazetave për të marrë “OK” e shefave “hijerëndë”. Ndërsa në zyrat më lart, çdo shkrim lexohej pa u nënvleftësuar aspak. Me sa duket, kështu ndodh gjithmonë…  
 
Prej kohësh më kishte lindur dëshira të pasqyronim në gazetë diçka për jetën e punën e kolegëve të hershëm, për ata që ushtruan detyrën e gazetarit në ato vite, që u quajtën “vitet e socializmit”. Në këtë mënyrë kërkova kontakt me njërin prej tyre, Duro Mustafain, gazetarin me një përvojë të gjatë pune.  Ai ka punuar në tre organe të ndryshme shtypi. Disa prej pyetjeve të gazetës “Dita”, ai në fillim iu përgjigj me ngurim, duke thënë se “janë gjëra që dihen e janë thënë”.  Sidoqoftë, me Duro Mustafain ndodhi ajo që ndodh shpesh me ne gazetarët: “Ata që dijnë të shkruajnë, nuk dijnë të heshtin”. Dhe kështu gazetari i vjetër i tre gazetave, nga më të rëndësishmet e kohës, tregoi për disa të vërteta që, ose nuk janë thënë të gjitha, ose janë thënë në mënyra të ndryshme. Është një bashkëbisedim për ato vite të “punës nën diktaturë”, që i intervistuari ynë i cilëson si “vite të vëshira, me të papritura e rreziqe, por që brenda tyre nuk mungonte gëzimi, mirësia e solidariteti midis kolegësh”. Për gazetarin e mirënjohur Guro Mustafanë, shtypi është një armë e fuqishme, që kur përdoret mirë, “ngjall frymëzimin për shpresa të bukura”. Po sipas tij, “një përdorim i keq, i vdes shpresat”. Megjithatë gjithçka interesante për punën e gazetarit, marrëdhëniet ndërmjet tyre, për raportet ndërmjet shtypit e politikës, censurës e autocensurës, pasqyrimit të temave të “mprehta” e të “rrezikshme” dhe pasojave që sillnin, për kritikën dhe “nxirjen e realitetit” e të tjera, do ta lexoni në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Dita”.
 
Fillimisht dua t’u pyes: Si e kaloni kohën, me se merreni?
Ç’është e vërteta, tani rroj me kujtimet, hedh vështrimin prapa për të parë ç’kam bërë mirë e ç’kam bërë keq. Dhe më duhet të pohoj se ato vitet e punës në gazetë, sado të vështira, mbeten më të bukurat e jetës sime. Po, natyrisht, njeriu shikon dhe të sotmen, për të kuptuar dhe më mirë si do të jetë e ardhmja. Dhe s’mund të mbetet vetëm ëndërrues. Kohët e fundit botova një libër me subjekt jetën shoqërore e familjare dhe jam duke përgatitur një libër të ri. Nganjëherë shkruaj edhe në gazeta. Me një fjalë vë në lëvizje trurin që të mos plaket.
 
Përse zgjodhët profesionin e gazetarit në jetë?
Në kohën tonë, edhe e zgjidhje vetë profesionin, por edhe ta zgjidhnin, pra ta caktonin. Kjo varej, jo vetëm nga dëshira e predispozita, por edhe nga biografia. Duke i pasur këto për mirë, mua më buzëqeshi fati. Po më mirë t’i  përgjigjem pyetjes suaj direkt.
Në rininë time diku kisha lexuar një rrëfenjë, në mos gaboj, për Xhon Foster Dallesin. Ai pat mbaruar studimet për gazetari, por asnjë ditë nuk e ushtroi profesionin e gazetarit. Dhe kur e pyetën se përse kishte vepruar kështu, Dallesi ishte përgjigjur: “Është fare e thjeshtë: nuk desha të shkruaj për të tjerët, të tjerët të shkruajnë për mua”. Me mua ka ndodhur e kundëtra. Që në bankat e shkollës së mesme, kur nisa të botoj shkrime në gazetën “Pioneri”, “Rinia” e më vonë dhe në organet letrare, duke shkruar “për të tjerët”, e ndjenja veten më të lidhur e më të dashur me ta. E kjo më jepte kënaqësi.
 
Le ta shtjellojmë pak më gjatë këtë ide. Sipas jush, ku qëndron përfitimi i të qenit gazetar?
Përfitimi? Është i madh, i pallogaritshëm. Është e vërtetë që gazetaria të merr shumë nga energjitë e tua, por ama të jep akoma më shumë në fushën e intelektit, të formimit shpirtëror, të përvetësimit të dijeve. Të bën person publik. Dhe natyrisht ndikon në vetëdijen për të qenë i përgjegjshëm për ato që thuaj, se të lexojnë mijëra njerëz, me ide e bindje të ndryshme. Kështu nuk i shpëton përgjegjësisë. Paçka se në ditët tona mund të “vrasësh e të presësh” si të duash dhe s’mban asnjë përgjegjësi. Por kjo është një temë tjetër.
Sa për përfitimet e të qenit gazetar, do të shtoja se gazeta na ka bërë të shihnim e të njihnin Shqipërinë në çdo skaj të saj, të takonim njerëzit, në fushë e në male, të vëzhgonim hallet dhe shqetësimet. Po kush mund ta mohojë që natyra dhe njerëzit përbëjnë një pasuri që nuk e gjen dot as në librat më të mirë? Me mjekun, ekonomistin, inxhinierin e përgjithësisht me njerëzit e profesioneve të tjera nuk ndodh kështu. Hapësira e punës dhe jetës së tyre është e kufizuar.
 
Kam dëgjuar se gazetarët e para viteve ’90 ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Atëhere si shpjegohet që disa prej tyre u dënuan apo u pushuan nga puna?
Sa për solidaritetin, ajo gjë nuk mund të mohohet. Kur nisa punë në “Zërin e Popullit”, atje gjeta me detyrën e gazetarit, Dritëro Agollin, Hamdi Sollakun, Vangjush Gambetën, Shelin Gjonin, Isuf Alibalin, Niko Nikollën. Pastaj erdhën pas pak kohe Pavllo Gjidede, Irfan Bregu, Mitro Çela, Filip Çakuli, Xhevahir Spahiu, Mehmet Elezi, Frrok Çupi, Besnik Mustafai, Fahri Balliu, Astrit Nuri, Shaban Sinani e të tjerë. Ata kishin pasion letërsinë. Ishte kënaqësi dhe një vlerë të gjendeshe në rrethin e tyre se, sa herë që ktheheshin nga shërbimet, do të tregonin: “Ja, isha atje, në fshatin, uzinën... Takova disa, zbulova një temë... Do të shkruaj një poezi, një tregim, një novelë... Ishte krijuar këtu një rreth miqsh letrarë, si ai që pat krijuar Pushkini në “Llambën e blertë” në Carkoje-Sello, ku të gjithë diskutonin për krijimet e tyre. Dhe ai që do të ishte “babai shpirtëror”, që do të punonte pa u lodhur dhe pa shenjë mërzie me ta, qe fisniku dhe shkrimtari ynë i madh, Dritëro Agolli. Tani le të pyesim: Ku janë ata sot? Janë të gjithë gazetarë të gjohur, shkrimtarë, poetë e publicistë të nderuar, personalitete të shquara në fushën letrare. Dhe kjo ndodhi se bazat e formimit të tyre i patën në punën si gazetarë, në atmosferën krijuese, që ishte si një shkollë gazetarie. Por edhe për shkaqe të tjera. Dikush ka thënë se edhe diktatura i bashkon njerëzit. Po të jetë kështu, kjo qënka një gjë e mirë. Sidoqoftë, ne kishim solidaritet, sepse puna jonë ishte e vështirë, e lodhshme, një punë pa orar, natën e ditën, ku kërkohej ndihma e shokut, mendimi i tij. Por për të hedhur pas shpine lodhjen, shpesh organizonim mbrëmje dëfrimi, ekskursione familjare, festonim ditëlindjet. Dhe të gjitha këto na afronin e na bënin ta donim njëri-tjetrin.
 
JETËSHKRIMI
Nga reportazhet, te skenari i filmit
Duro Mustafai ka lindur në qytetin e Vlorës më 21 shkurt 1933. Mësimet e para i kreu në shkollën tetëvjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Më pas ndoqi shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe shkollën e lartë në Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Tiranë. Fillimisht ka shërbyer si mësues i gjuhës shqipe dhe drejtor në një nga shkollat e qytetit të Vlorës. Në fillim të vitit 1967 u emërua redaktor në gazetën “Zëri i Popullit” dhe për afro 30 vjet është marrë me gazetari. Gjithashtu ka punuar dhe si pedagog i jashtëm në Degën e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Për gjashtë vjet ka qenë kryeredaktor i gazetës “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Më pas shërbeu po i kryeredaktor, por këtë herë për gazetën “Shqipëria” (për disasoprën), pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë detyrë doli edhe në pension. Ai njihet si  autor i shumë poezive, tregimeve, skicave letrare, të cilat janë botuar në organe të ndryshme të shtypit. Gjithashtu emri i tij është i lidhur me disa qinda artikuj e reportazhe. Por Duro Mustafai është autor edhe i novelës “Nën qiellin e turbullt të Prishtinës”, skenarist i filmit artistik “Gunat pëmbi tela”, vëllimit “Edhe ti do të bëhesh gjysh” etj. Punën krijuese të tij, Duro Mustafai e nisi që në vitet e para të shkollës së mesme, ndërsa në vitet që do të vinin më pas, ai u bë një nga gazetarët e publicistët më të njohur në vend.
 
DËNIMET/ Si u “riedukuan” në bazë gazetarët Frok Çupi, Filip Çakuli dhe Irfan Bregu
 
Dënimi i Muftiut për vargjet e Kadaresë
 
Ç’ndodhi kur doli artikulli: “Peshku qelbet nga koka”. Pse reagoi Komiteti Qendror dhe masa që u mor për gazetarin
 
Duke folur për dënimin e gazetarëve për gabimet e tyre të rastit, Duro Mustafai, ish-kryeredaktor i gazetës “Drita”, që ishte organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, thotë se raste të tilla ka pasur, madje ndonjë dhe u pushua nga puna, ndërsa të tjerë i çuan në bazë për riedukim. Pyetjes konkrete, në janë dënuar gazetarë të kohës së socializmit, ai i përgjigjet: “Po, kjo është e vërtetë. Po të mos harrojmë sistemin që jetuam. Që të ishe gazetar atëhere, nuk duhet të kishe “kleçka në biografi”. Veç kësaj, shkrimet e botuara iu nënështrohshin kritereve politike e ideologjike. Kush i shkelte këto, e pësonte. Ndodhte si me atë këmbësorin, që s’duhet të kapërcejë vijat e bardha në rrugë. Po t’i shkelësh ato, o të shtyp makina, o të gjobit polici. Filip Çakulli, për shembull, u largua nga gazeta dhe u dërgua në bazë për shkak se gjyshi i tij “u zbulua” se paskesh qenë me “Ballin”. Kurse Irfan Bregu u dërgua në Lushnjë për sebepin e një nipi të tij që deshi të arratisej nga Shqipëria dhe e kishin kapur në kufi. Po mund të ndodhte edhe ndryshe. Frrok Çupi botoi në gazetë një artikull nga ata që ne i quanim “artikull bombë”. Titulli i këtij artikulli ishte: “Kur qelbet peshku nga koka”. Në artikullin e tij Frrok Çupi kritikonte ndërmarrjen e peshkimit në Lezhë, konkretisht drejtorin, që kishte lënë për ditë të tëra në diell peshkun, i cili ishte qelbur. Koka e peshkut të qelbur për ne dhe për Frrok Çupin ishte drejtoria. Por një gjë e tillë u mor për aludim “për kokën” lart. Prandaj dhe autori i shkrimit u dërgua me “porosi nga lart” të punonte në rrethin e Mirditës. Raste të tilla, madje dhe më të rënda gjer në burgim, ka pasur në organet e tjera të shtypit. Kjo është një e vërtetë që s’mund të mohohet. Kur isha në gazetën “DRITA”, për dy vargje të Ismail Kadaresë te poema “Pashallarët e Kuq, që ishin “thikë me dy presa”, sekretari i Kolegjumit të gazetës, Abdurahim Muftiu, një njeri i ditur dhe i përgatitur, u dërgua të punonte si mësues në Kavajë. Dhe e gjitha kjo për një gabim që mund t’i kalonte kujtdo gazetari. Po atëhere analizohej se ç’nuancë merrte fjalia. Dhe për këto nuanca e ndikime sartriste në një poezi, u dënua dhe Xhevahir Spahiu, Mojkom Zeqo e ndonjë tjetër. Por më duhet të them se këto ndëshkime nuk i ndërmerrnim ne. Ato vinin me urdhër nga lart”.
 
CENSURA
Njohja e platformës politike dhe ideologjike
Duket qartë se e gjitha kjo çka doli nga një pjesë e intervistës me gazetarin e mirënjohur Duro Mustafain, ka pasur të bëjë me kontrollin mbi mendimin e lirë dhe me censurën e rreptë që ekzistonte para viteve ‘90. “Natyrisht, censura ka ekzistuar. Por unë do të thosha se ka pasur edhe autocensurë. Ne kishim përpara një platformë politike e ideologjike dhe asaj i përmbaheshim. Ne dinim për çfarë duhej shkruar e si duhej shkruar e kjo na shpëtonte nga rreziqet. Ata që nënvleftësonin rrezikun edhe e pësonin”, shprehet ekskluzivisht për gazetën “Dita”, ish kryeredaktori i gazetës “Drita”, Duro Mustafai.
 
 
AKTUALITETI
Duke e pyetur për evoluimin e shtypit shqiptar në 14 vitet e fundit, postsocialiste, ish-kryeredaktori i gazetës “Drita”, Duro Mustafai thotë: “Duke qenë se shtypi i sotëm konsiderohet si biznes, ai është i prirë nga sensacioni. Dhe sensacionet i japin temat e “zeza”. Kështu ndodh që, në faqen e parë me gërma të mëdha, të dalin jo rallë alarme dhe shqetësime për korrupsion, trafik droge, prostitucion. Kurse kronika, që ka të bëjë me shkrimin, vrasjet dhe vetëvrasjet, zë një vend të madh dhe të pamerituar. Me këto duket sikur duan të thonë: “Asnjë të mirë nuk ka në Shqipëri”. Prandaj gazetarët tanë, nuk duhet të anashkalojnë temat që ngjallin shpresë dhe optimizëm si dhe për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Sepse edhe politikanët dhe “baballarët e kombit” nuk lenë rast brenda dhe jashtë vendit pa sharë e mallkuar Shqipërinë. Kjo të çon te humbja e shpresës dhe perspektivës. Dikur Dikensi ka thënë: “Të të vjë turp nga vendi yt, është mjerane”.
 
PASAKTËSIA
Telegrami i Enverit për mikun e “vdekur”
 Gazetarët kanë qenë nën syrin vëzhgues të pushtetit në të gjitha kohët. I pyetur, nëse në kohën socializmit ka pasur raste kur gazetarët e kritikuar  kanë hedhur lumin thjesht me me një autokritikë, Duro Mustafai përgjigjet:Natyrisht. Por kjo varej nga personaliteti dhe autoriteti që kish krijuar gazetari, por dhe nga besimi që gëzonte te udhëheqja. Vangjush Zallëmi, një gazetar i njohur atëherë, pat shkruar një reportazh “Në rrugën e Shtabit të Përgjithshëm”. Në reportazh përmendej emri i një djaloshi që u fliste eskursionisëve të rinj, se babai i tij kish mbajtur në shtëpi Enver Hoxhën me shokë. Gazetari kishte pyetur një fshatar që kish përkrah. “Përse nuk flet babai për këtë ngjarje, por flet i biri.”. Fshatari i ish përgjigjur: “Babai i tij ka vdekur!” Dhe gazetari shtonte: “Kështu ndodh te ne, historia përcillet nga një brez te një tjetër”. Mirëpo reportazhin e kishte lexuar Enver Hoxha dhe për mikun e tij kishte urdhruar të bëhej një telegram ngushëllimi në emër të tij. Në çastet e fundit, Komiteti i Partisë së Elbasanit njoftoi se plaku ish shëndoshë e mirë. Ky ishte një skandal, pasi i gjalli, që ishte një njeri jo do si do, ishte shpallur në gazetë si i vdekur. Dhe Vangjushin e dërguan në Elbasan për t’i kërkuar falje të “ndjerit”e për të bërë autokritkë. Por kishte ndodhur ajo që nuk e priste askush. Plaku nga Elbasani e falënderoi gazetarin për “nderin që i kishte bërë”, se kish dëgjuar që dhe Enver Hoxha ish përgatitur për t’i dërguar një telegram ngushëllimi e se telegrame i kishin dërguar shumë shokë e miq të tij, përveç dhjetëra të tjerëve që kishin marrë rrugën për të ngushëlluar familjen. “Tani e kuptova se sa më kanë dashur”, i kishte thënë plaku. Dhe fjalët e tij, që të mos dënohej gazetari, ishin marrë parasysh nga lart. Dhe kjo çështje u mbyll me një “vërejtje me gojë”.
 
 
EKSKLUZIVE/ Duro Mustafai, ish-kryeredaktori i “Dritës” vazhdon rrëfimin: Gazetarët e socializmit, të guximshëm
 
Lufta e Dritëro Agollit kundër lustrës
 
Si i shpëtonte shtypi direktivës së qartë të Komitetit Qendror: “Të mos e nxijmë realitetin tonë socialist”
 
Leonard VEIZI
 
Thonë se puna e gazetarit në kohën e socializmit gjithsesi shërbente për mirë. Shprehet se ishin idealistë dhe mendonin se Shqipëria me gjithë hallet që kishte do të ecte përpara. “Pse? Po ja, në fëmijërinë tonë e kishim gjetur atdheun të vuante nga analfabetizmi, sëmundjet kronike bënin kërdinë, s’kishte drita elektrike, s’kishim çerdhe e kopshte për fëmijët, mungonin qendrat shëndetësore, hekurudhat, uzinat e hidrocentralet nuk i njihnim. Kurse në rininë tonë, shikonim se si ndërtoheshin ato që mungonin, që nga llampa elektrike, gjer te universiteti. Kjo na kish krijuar bindjen se Shqipëria po ecte përpara, pa çka se në ndërgjegje kishim edhe ndonjë rezervë “të pashpallur”. Por jo deri në atë shkallë, sa disa nga kolegët tanë të dikurshëm, ta prezantojnë veten “disidentë”. Sikur nuk janë ata që kanë qenë, të përkushtuar e të përbetuar të atij sistemi. Unë e kuptoj, që në procesin e ndryshimeve, gazetarit i duhet të ndryshojë konceptet e mendimet, por nuk e kuptoj se si mund të ndryshojë edhe gjakun. Edhe eshtrat. A thua se të gjitha fatkeqësitë tona erdhën nga censura?”, shprehet gjatë intervistës së tij, Duro Mustafai.
 
Pse ju mendoni se censura ka dhe anë të mira?
Në disa drejtime them se po. Në ato vite, ne dënoheshim, jo vetëm po të shkelje vijën e partisë në aspktin ideologjik dhe politik, por edhe në fushat shoqërore e familjare, madje, edhe kur shtrëmbërohej gjuha e bastardohej drejtshkrimi, edhe kur shkelej etika e komunikimit. Kush të lejonte të hyje në jetën familjare, të shpifje e të denigroje, të shpallje në gazetë se ai apo ky është “hajdut”, “kriminel”. Kjo dhe mund të bëhej, por pas vendimit të gjykatës. Shikoni ç’farë ndodh në shtypin e sotmë, shajnë, shpifin e askush nuk përgjigjet edhe kur vertetohet se janë të pabazuara, janë gënjeshtra. Gazeta vihet kështu në rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, gjë që s’i takon. Flasin se në demokraci mbrohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe haptazi i nëpërkëmbin. Dhe këtë e bëjnë në emër të “shtypit të lirë”.
 
Thuhet se në ato vite gazetarët ishin të ndruajtur, nuk kritikonin?
Ne ishim më tepër të kujdesshëm, se sa të ndrojtur. Dhe s’është aspak e vërtetë ajo që kam dëgjuar se në gazetat e atëhershme bëheshin vetëm lavdërime. Shkrimet e Vangjush Gambetës, për shembull, dalloheshin për temë të fortë kritike dhe të mos harrojmë, se ato i adresoheshin një fushe të tillë të rëndësishme, siç ishte ekonomia. Ishte dhënë një direktivë e qartë: “Të mos e nxijmë realitetin tonë socialist”. Megjithatë, temat më tërheqëse për Dritëro Agollin ishin ato “kundër lustrës, kundër zotimeve me bujë e që nuk realizoheshin. Edhe atëhere kritikohej pse s‘vjen uji në katet e larta të pallateve, “kur uzinat pijnë ujë Selitë”, pse ndodhi që për një orë Tiranës iu prenë dritat elektrike. Shkruhej me tone kritike për kushtet e punës, për rendimentin e cilësinë, për higjienën e pastërtinë, gjer për jetën e organizatave të partisë. Po të lexosh sot shkrimet kritike të Mitro Çelës në ekonomi, Niko Nikollës, Arqile Aleksit, Filip Çakulit, Pavllo Gjidedes, Sedat Brahës, Irfan Bregut dhe Bashkim Hoxhës në fushën e kulturës e të artit, që ishin të mprehta, “të rrezikshme”, gjithkush do të çuditej për guximin qytetar. Dhe është interesante, këto shkrime bëheshin objekt diskutimesh në kolektiva ndërmarrjesh e në dikastere. Jepeshin njoftime për masat e marra. Gjë që nuk ndodh sot. Botohen shkrime kritike, por mbeten “sa për njoftim”, se askush nuk jep përgjigje. Natyrisht kritikat e atëhershme e kishin një kufi. Kritikoheshin kuadro nga baza, nga rrethi, në dikastere, por udhëheqja e “kupolës” nuk prekej, sepse, siç thuhej, “uji rrjedh i pastër nga lart, por turbullohet rrugës”. Kjo ka qenë e dëmshme, por e nevojshme për sistemin. Dhe të ngriheshe kundër saj, do të thoshte t’i bije murit me kokë.
 
Çdo të na thoshit për raportet ndërmjet politikës e gazetarisë?
Gazetaria është e pa shkëputur nga politika. Është shprehje e opinioneve dhe bëmave të saj. Në këtë vështrim, më duket i pakuptimtë vetetikimi si “gazetë e pavarur” dhe “gazetar i pavarur”. Si është e mundur që, për probleme të rëndësishme politike, të shprehesh politikisht e të kesh guximin të thuash: “Jam i pavarur”! Kjo shikohet sot si në dritën e diellit. Askush nuk mund të jetë i pavarur nga bindjet e tij, që i përkasin edhe së majtës edhe së djathtës. Tjetër është si i ndërton marrëdhëniet me të vërtetën, ke guximin t’i thuash ato haptas apo të tundon paraja. Të frikësojnë kërcënimet, presionet, që edhe këto për mua janë forma të kamufluara të censurës. E censurës që të dikton çfarë të shkruash e çfarë të mos shkruash sipas interesave politike. Sot në pluralizëm ka rrugë të hapura për të shkruar atë që ndjen, po ka dhe sinjale e presione që i mbyllin këto rrugë. Triumfon i guximshmi. Zëra të tillë dëgjohen me respekt. E ndër këta gazetarë me një zë të vetin, paçka se shprehim qëndrime të caktuara politike, po të një politike të drejtë, janë Mustafa Nano, Andrea Stefani, Mitro Çela, Andi Bejtja, Andi Bushati e të tjerë.
 
Diçka për trajtimin e gazetarëve?
Vlerësimi i gazetarëve bëhej, natyrisht, në bazë të aftësive profesionale, por notën e vinte publiku që lexonte. Shpesh vinin në redaksi “letra nga populli”. Në to, për shkrime të ndryshme, bëheshin lavdërime, por dhe kritika. Madje këto kritika analizoheshin me seriozitet, sidomos kur u adresoheshin punës e sjelljes së gazetarëve, kur kish pasaktësi të fakteve, emrave, por edhe kur “shkelej vija e partisë” e orientimeve të saj. Në këtë rast mbahej edhe qëndrim. Dhe qëndrimet më të ashpra ishin “qarkullim në bazë”, transferim në prodhim “për të njohur jetën”, ulje në detyrë etj.  Dhe kur kritikat vinin nga lart, ndëshkimet ishin më të rënda. Por më duhet të them se gjatë punës sime në tre organe shtypi, nuk ka ndodhur ndonjëherë që të jetë burgosur  ndonjë gazetar për ndonjë shkrim të gabuar. Përjashto disa  raste në Radio-Televizion e në ndonjë organ tjetër të shtypit, ku janë burgosur disa gazetarë, por dhe ata, jo për shkrime “anti-parti” apo nxirje të realitetit”, por për “tendencë arratisjeje” apo “agjitacion e propagandë”. Flas për gazetarët dhe jo për krijuesit letrarë apo të arteve, ku ka paaur të burgosur dhe kjo tashmë dihet. Mund të lindë pyetja se, përse ndodhte kjo me gazetarët: Ndoshta sepse ruheshim e na ruanin  nga që ishim jo të parëndësishëm për sistemin. Gjithkush gjykohet në kohën që ka jetuar. Megjithatë më duhet të pohoj se të burgosur nga radhët e gazetarëve ka pasur dhe këta 15 vjetët e fundit dhe ata janë më shumë se dhjetë, pa përmendur proceset gjyqësore, që ende janë të hapura. Pra edhe në kushtet e “demokracisë”, të vendosjes së “pluralizmit politik” e të “fjalës së lirë”, pushteti tregon dhëmbët, kur preken interesat e tij.
 
Së fundi, çfarë do t’u këshillonit gazetarëve të rinj?
Ne punuam dhe jetuam në një kohë tjetër, ndryshe nga e sotmja, në rrethana e kushte që na privonte nga shumë gjëra që i duhen profesionit të gazetarit. Ne na kanë mbetur ende gjëra të pathëna! Dhe jo se nuk deshëm, por nuk mundëm. Me gazetarët e sotëm është krejt ndryshe. Unë do të dëshiroja që ata të mos lodhen së kërkuari e së pasqyruari të vërtetën. Sado e hidhur që të duket ajo, është gjithnjë shëruese, dobiprurëse. Sapo përfundova së lexuari një libër kujtimesh të një 82-vjeçari. Ai është Maman Saliu, njeriu që ka marrë 13 plagë në Luftën Antifashiste. Ai duke kritikuar ata kalemxhinj që shtrembërojnë të vërtetat e historisë, i referohet një njeriu të ditur, i cili thotë: “Të gjithë do të vdesin një ditë, por e vërteta nuk vdes kurrë”. Le të jenë këto fjalë rruga ku duhet ecur.
 
 
DËSHMIA 
Reportazhi i Petro Markos që vuri në siklet kryeredaktorin e gazetës “Drita”
 
Telefonata e Mehmetit dhe Dhimitër Tonës
 
Ju gazetarët që ishit anëtarë partie, a nuk e ndjenit veten më të “lirë” e më të privilegjuar, në raport me kolegët tuaj pa parti?
Të privilegjuar?! Ne shpesh na kujtonin se duhet të ishim “të parët në sakrifica dhe të fundit në pretendime”. Që në një farë mënyre do të thoshte të ishim të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm. Madje të mbanim përgjegjësi edhe për gabimet e të tjerëve, që mund të ishin shokët tanë pa parti. Po më duhet të them se midis nesh kishte dhe nga ata që respektoheshin e mbaheshin “me sy të mirë” dhe të tjerë jo. Madje shpesh për këtë nga udhëheqja e partisë nuk kishte mendime të njëjta. Po ju tregoj një shembull që s’e harroj kurrë. Kur punoja në gazetën “Drita”, një ditë vjen në zyrë shkrimtari ynë i madh, Petro Marko. Ai shfaqi dëshirën të shkruante një reportazh të frymëzuar. E botuam menjëherë në numrin e ri të së dielës. Por të hënën në mëngjes bie zilja e telefonit. Dëgjova zërin e kryeministrit. Ishte hera e parë që bisedoja me Mehmet Shehun dhe fjalët e para të tij ishin: “Si e kam Petron? E lexova reportazhin, e ka shkruar mirë. Është i zoti, po tani me se merret, a shkruan ndonjë gjë...”. Të them të drejtën më shkriu gjaku, se mund të bënte edhe ndonjë kritikë. E dija që për Petro Markon nuk kishte ndonjë opinion të mirë nga udhëheqja e lartë. Dhe peripecitë e tij janë të njohura. Sidoqoftë fjala e Mehmet Shehut më kish çliruar nga ankthi, që s’do të zgjaste shumë. Pas ndonjë ore do të me merrte në telefon drejtori i Shtypit të Komitetit Qendror, Dhimitër Tona. Ai njihej si njeri i dashur, i urtë e që dinte të komunikonte me gazetarët. Më foli qetë-qetë: “Keni bërë gabim që i botuat Petros reportazhin. S’kishit ndonjë shkrimtar tjetër. Ju duhet ta njihni atë...” Nga toni i butë me të cilin fliste e kuptova se kjo kritikë nuk ishte e tij. Ajo vinte më nga lartë. Atë ditë pata një gëzim dhe një shuplakë që më trishtoi. Por trishtimi do të përsëritej, kur te dera u duk Petro Marko. Më pyeti se si ish pritur reportazhi, por unë nuk dija si t’i përgjigjesha. Ti thosha që njëri të lavdëroi e tjetri të kritikoi? M’u desh vetëm t’i belbëzoja “mirë, mirë” dhe t’i shtrëngoja dorën, pa i shprehur aspak mërzinë. Petron e kisha njohur që në rininë time dhe ndjeja për të respekt e dashuri si shkrimtar dhe si njeri.
 
TEMATIKA
E bardha dhe e zeza
Është krijuar përshtypja se gazetarët e epokës së socializmit punonin me tema të diktuara nga lartë. Por Duro Mustafai e kundërshton një gjë të tillë: “Temat orientoheshin nga realiteti. Shoqëria shqiptare e ka pasur dhe e ka brenda saj të “bardhën dhe të zezën”. Sigurisht, që ne prireshim nga e “bardha”, pra, pozitivja, sepse kështu mendonim se zhvillohej edhe shoqëria. Spekullohet shpesh sot, se temat ishin të komanduara dhe diktuara nga lartë. Kjo nuk është  e vërtetë. Ne kishim një platformë të caktuar dhe brenda saj nxirrnim tematikën e shkrimeve tona. Natyrisht, ndodhte që për një temë të planifikuar më parë e që duhet ta pasqyroje në gazetë, kur shkoje në bazë, nuk gjeje atë, por ndesheshe me një temë tjetër që ishte më e rëndësishme. Këtë temë trajtoje, pavarësisht nga planifikimi. Dhe është fakt që artikujt më të mirë kanë qenë ata për probleme, me të cilat jemi ndeshur rastësisht në bazë. Por kjo s’do të thotë që, për probleme aktuale dhe tema të mprehta, të mos caktoheshin dhe tema nga lartë, për të cilat ngarkoheshin gazetarët më të aftë”, shprehet ish-kryeredaktori i gazetës “Drita”.


    

Tuesday, November 5, 2019

Kur si fëmijë janë gjeni e si të rritur mediokër


Leonard Veizi

Që nga çasti që bëhen me fëmijë, çdo lloj prindi mendon njëkohësish se pas një pune djersitëse e plot kalkulime gjenetike, jo vetëm ka bërë vajzën apo djalin më të bukur në botë, por dhe gjeniun e radhës. Bëhet katërcipërisht e besueshme një gjë e tillë që kur fëmija nis me veprimet e para, ndonjë buzëqeshje e rastit fjala vjen, e deri tek ngritja në këmbë dy javë para afatit, që gjithashtu është një veprim instiktiv, por që në shumicën absolute përjetohet si një triumf. Imagjino sa gjeni do ishte çdo mëz a kërriç që ngrihet në këmbë një orë pasi është pjellë. Por jeta ka treguar se kërriçi bëhet gomar, e asgjë më shumë.
Të mos largohemi nga tema.
Sipas kësaj logjike bota do të kishte rreth 7 miliardë gjeni dhe fare pak budallenj apo njerëz me probleme mendore. Them 7 miliardë se fëmijët rriten, dhe globi vazhdon të shumohet me gjeni në rinj. Domethënë, në këtë mënyrë do kishim një inflacion të paparë. Por nuk po merremi me problemet globale. Me këtë po të dojë le të merret OKB-ja a UNICEF-i. Ne jemi në Shqipëri, dhe si shumë gjëra të tjera, ç’është vërteta edhe çështja e gjenive, është fort e theksuar. Pra, me një matematikë rruge dhe aspak të ndërlikuar, kemi rreth 3 milion gjeni, sipas brezave, pa përfshirë këtu ata që ia kanë mbathur e punojnë lart e poshtë nëpër botë, o në fushën e bujqësisë, o në ata të kanalizim-pastrimit. Them tre milionë, sepse mendoj që edhe ata të cilët tanimë janë në moshën e tretë, dikur kanë qenë fëmijë, dhe nëse nuk gaboj, çështja e rivalitetit mes prindërish nuk është se doli këto vitet e fundit kur teknologjia mori zhvillim të paparë. Ky mentalitet kanë qenë edhe atëherë kur burrat i çonin gratë për të lindur, hipur mbi gomar.
Të vijmë prapë aty ku e nisëm.
Fëmijët e shqiptarëve të mbetur brenda kufijve të Republikës janë të gjithë gjeni, që pasi kanë mbaruar exelent, o “Petro Ninin...” o “Sami Frashërin”, kanë shkuar me turma të diplomohen në “Harvard” në “Yale University”, ose në “Cambridge”. Ata më fakirët, që kanë nxjerrë ndonjë 9 në fizkulturë se nuk kanë kapur dot të normat e 800 metërshit apo kalimin e kaluçit, zakonisht frekuentojnë “Sorbonën” apo “La Sapienzën”. Po diplomimi nuk është gjë fare, ajo është thjeshtë qershiza mbi tortë, sepse ata e kanë nisur jetën si gjeni.
Fëmijët shqiptarë për fat janë të gjithë të talentuar, o kanë veshë për muzikë, o kanë këmbë për balet, o kanë dorë për pikturë. Dhe që të gjithë si emërues të përbashkët kanë atë që janë dhe shkrimtarë të afirmuar, pra dinë të shkruajnë poezi sa do tronditnin dhe Migjenin po të ishte gjallë. Dhe meqenëse qëndrojnë gjithë ditën në youtube, e shohin gjithfarësoj filmash, të gjithë dinë po aq gjuhë të huaja sa dinte Noli ose Konica. Dmth nga 14-15 të tilla.
Hajde poliglotë, hajde...
Fenomenin e fëmijëve gjeni do ta ndeshësh kudo, që nga postimet në facebook, deri tek tavolinat e kafeve ku ka më shumë se dy gra. Në kësi rastesh do informohesh e do dëgjosh thagma për fëmijë të talentuar që kanë habitur grekun dhe italianin bashkë, që po çudisin gjermanin e që ia kanë vënë syrin t’i plasin damllanë amerikanit. Do mësosh nga bisedat informale në tavolina ku pihet dekafeinato e çaj xhinxheri, se një djalë 12 vjeç ka botuar librin e dytë me vjersha, një vajzë 11 vjeç ka hapur një ekspozitë pikture në akuarel dhe po përgatitet t’ia nisi bojës së vajit, dhe një tjetër me zë soprano e tenori bashkë, ka lënë nam tek juritë e “Voic”-it andej nga vendet e Evropës Lindore, sepse kur ka interpretuar në oktavat e sipërme, i ka bërë shkulin leshtë.
Ne kemi fëmijë gjeni që për nga statistikat ua kalojmë të gjithëve. Por në fakt gjithmonë konkurrojmë për vendet e fundit andej nga lista e shteteve të prapambetura. Ndërkohë, rëndom mendohet se kjo forcë madhore intelektuale do ta kishte bërë këtë vend më të lulëzuar se Zvicra e San Marino bashkë.
Po kush e di ku ngec sharra në gozhdë...
Dhe të mos largohemi shumë nga tema.
Prindërit stimulojnë që fëmijët e tyre edhe pse në moshën e pubertetit duhet të shfaqen para publikut artdashës o me një vëllim esseistik, o me një ekspozitë instalacioni, o me një ndeshje boksi ku kundërshtarin ta hedhin nokaund o në raundin e parë o në të tretin.
Shumë vite më parë në televizor doli një fëmijë gjeni që bënte me mend veprime matematikore që si bënte dot as ordinatori, ca më vonë doli një i dytë me të njëjtat cilësi. Nuk kaloi shumë kohë kur në ekran u shfaq dhe një i tretë. Trurin kompjuter. Me këtë ritëm, ne duhet të ishim vendi që nuk kish pse të eksportonim hashashin, mjafton të eksportonim matematikanët. Do kishim bërë para me thasë.
Duket se shteti nuk e ka parë me përparësi këtë punë. Ndoshta dhe ka bërë mirë. Se është një fushë, që edhe pse e kemi linçuar shumë, që nuk na ka dhënë prodhim të mbarë.
Epo, ka mbetur sharra aty te gozhda... Kush e di kush na ka mallkuar.
Kur këta fëmijë kanë dalë në televizion si talente ata kanë qenë nga 10-12 vjeç. Po kur janë rritur...? Në fakt ata të rritur boll janë tanimë por Ajnshtajna nuk janë bënë dot. Mundësia më e madhe është që të jenë bërë mësuesa matematike në rastin më të mirë, a ndoshta emigrantë në kërkim të fatit në rastin më të keq. Se po t’i kishin zënë vendin Ajnshtanjit apo dhe Zuckerbergut, do ta kishim marrë vesh se s’bën. Do na ishte çarë daullja e veshit prej fonivë të radiove dhe televizorëve. Se ne trumbetojmë me të madhe çdo njëri me emër në Perëndim, që ka ose gjyshin ose gjyshen nga arbëreshët e Kalabrisë, që do të thotë se para 500 vjetësh kanë qenë shqiptare puro, jo më të mos trumbetojmë këta qa kanë lindur te “Mbretëresha Xheraldinë”, apo në maternitetet e rretheve, sidoqoftë.
Megjithatë në Shqipëri ka fëmijë gjeni sa s’ka në botë. Dhe do kishte më shumë, në qoftë se rivaliteti mes të rriturve, në tavolinash kafe dhe “takim me prindërit”, më shumë se do realizonte ëndrrat e tyre, do t’i vriste ato.

Botuar në:
https://americaneye.al/kur-si-femije-jane-gjeni-e-si-te-rritur-medioker/?fbclid=IwAR1b1uYlQpkZ2TnuZXqCKbDaANazl9vpdxVvAoSnu_Fu6qwrypu1KXyqfVQ