Monday, December 27, 2021

Liqeni i vargjeve Lasgushiane të Poradecit të thellë


Nga Leonard Veizi
 
Ai rremonte fort në vargjet e tij. Po aq sa peshkatari që kish dalë me varkë mes dallgësh në liqen. Lirik i thellë. Krejt i dashuruar me gjithçka të bukur mbi këtë tokë. Liqenin, qiellin, bregun, valëzat e ujët në krua. Quhej Llazar dhe ishte nga Pogradeci. E padyshim liqeni i madh që shtrihej gjerësisht përballë tij duhet të ketë luajtur një rol epik, për të mos thënë të jashtëzakonshëm, në muzën e përhershme e të pashtershme.
 
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhúrë si një hije.
 
Ato nuk ishin thjesht vargje lirike. Ato ishin Lasgushiane. Sepse askush tjetër veç tij nuk do mund të thurrte vargje me një ritëm të tillë, me kode e një kriptogrami, fort të mundimshme për t’u deshifruar.
 
Se s'dashuronja-as un' as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri - një fshehtësi
M'e fshehur sesa fshehtësija.
 
Për dashurinë dhe liqenin do të shkruante vargje në pafundësi, nëse do të kishte mundësi e jetë të përtejme. Kurrë s’kishte për t’u lodhur. Dhe asnjëherë nuk do t’i tretej frymëzimi. Sepse ai ishte i dashuruar me liqenin dhe qytetin e tij të vogël e madhështor. Por dhe nga e bukura femërore padyshim që ndihej i frymëzuar në çdo çast. Ndaj ishte ai që shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e çdo lexuesi.
 
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.
 
Ai ishte një poet vetmitar, ndoshta bohem, që në shëtitjen e përhershme buzë liqenit kishte një mik besnik, një qen i vogël e leshator që quhej Cuci. Krejt i përveçëm për atë që e frymëzonte dhe e transmetonte, ai do të dilte mëngjeseve herët a mbrëmjeve vonë buzë liqenit, duke marrë mbi vete dhe mërmëritjen e njerëzve, në sytë e të cilëve trupi i tij i vogël ishte si një vigan: Është Lasgushi.
 
Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut që t’u fal.
 
Në një lojë fjalësh estetike, filozofia e vargjeve të tij duket se e ka burimin nga gjithçka e bukur e jetësore, dhe për më tepër fort ndjesore.
 
Mi zall te pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u perflak
Posi me zjarr e me flori.
 
Dhe pse emri i tij i vërtetë është Llazar Gusho ai u njoh për së shumti si Lasgush Poradeci. Sepse ky ishte dhe pseudonimi i tij letrar i krijuar nga një bashkim gërmash që gjithsesi kishin të bënin me identitetin e tij.
 
Shpirti im që sot u mbyll
dhe gëzimin m'a përzuri.
nëpër mal e nëpër pyll
zu dëbora prej qëkuri.
 
Lasgushi shkroi vargje aq sa duhet shkruar, jo më shumë se 100 poezi. Një pjesë e tyre u kthyen në hite, dhe qarkullojnë gojë më gojë si në një legjendë, nga ata që s’e patën lexuar kurrë atë. Por që vargjet ia njihnin. Sepse kjo është magjia e poetit, ai të thurë vargje dhe të tjerët t’ia ngrejnë në monument.
 
Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë.
 
Thonë se ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore. Por në fakt një gjë e tillë është krejt e dukshme në të gjithë krijimtarinë e tij.
 
Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.
 
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të tij
Përvëlohet edhe ndizet.
 
Në jetëshkrimin e tij thuhet se u lind më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec. Studioi në Manastir në Athinë e Bukuresht. Por së fundi regjistrohet pranë Universitetit të Gracit "Karol Francik" në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike.
Në Tiranë punoi si përkthyes pranë shtëpisë botuese "Naim Frashëri" deri kur doli në pension më 1974, ku solli në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Megjithëse ndodhej në Tiranë, kur u nda nga jeta më 12 nëntorin e vitit 1987, trupi i tij prehet në vendin e tij të lindjes, në Pogradec.
Dy vite më vonë, më 1989 vepra e plotë e Lasgush Poradecit pa dritën e botimit.
 
Me zjarr ju flas..., me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr...
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr...
 
Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak.
 
Tanimë, me emrin e tij janë të lidhura vende të cilat e mbajnë në kujtesë si të konservuar e të paoksiduar emrin e vargjet e tij.
Lasgushi sot është "Nderi i Kombit".  Pogradecit i dha titullin "Qytetar nderi" bashkë me një shtatore bronzi që lartohet në lulishten kryesore të qytetit. Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin tij. Dhe po ashtu një shkollë 9-vjeçare në kryeqytet. Por dhe rruga te Diga, te Liqeni artificial i Tiranës, mban emrin: Lasgush Poradeci.

Friday, December 24, 2021

Në Tiranë nuk ka parking!


Nga Leonard Veizi
 
Tanimë ndodhemi përballë një lufte të re, e cila në fakt ka nisur prej kohësh. Do të harrohet Covidi i Madh bashkë me Deltën e Omikronin. Do të mësohemi me rritjen e çmimeve dhe me mosindeksimin e rrogave. Lufta këtë herë do të jetë për parkingjet. E zhurmshme, e ashpër... vetëmohuese.
Do të bëhesh i pasur vëlla? Bli një copë toke dhe ktheje në parking. Investimi fillestar mund të jetë “0”, se nuk ka nevojë për shumë takëme. Ose për ta bërë sa më komode ngastrën tënde të rrethuar me tela, mund t'i hedhësh vendit një dorë zhavorr e ca zift sipër, dhe është e kryme. Pastaj, duhet të vendosësh një tra ku të varësh dhe një karton me çmimet e shënuara.
1 orë – 100 lekë
3 orë – 200 lekë
...e kështu me radhë
Hyr e dil makina tërë ditën e ditës. Varda lekët. Nuk mbetet një vend bosh. Puna është të mos mbash as kasë tatimore, se merr veten në qafë. Investim më të mirë nuk ka. Le po të kesh edhe ndonjë burim tjetër për ca pare më shumë e të bësh një pallat me nja tri kate parkim poshtë. Atëherë vete ç'vete. Do rrjedhë paraja si lumë. Vetë parkingu do të nxjerrë të ardhura më shumë se sa shitja e apartamenteve. Pastaj ia vlen të punosh dhe si roje parkingu. Nuk dihet sa fiton.
- Roje, sa profesion fisnik...
Sa për dijeni, këto janë ca këshilla falas. Se po iu drejtove ndonjë avokati a këshilltari ligjor për të tilla probleme, për be nuk të lëshon njeri një fjalë pa pagesë, por të marrin para nga portofoli sa të rrjepin kokën.
-Do bëhesh milioneri ti me llafet tona... Shko ore pirdhu!
E ja... kështu venë këto punë.
Mirëpo jeta çdo ditë bëhet më e vështirë. Do nisësh ta lyesh rrotën e qerres që në pikë ta sabahut. Edhe akshami, duke lyer rrotën e qeres të zë. Veç të tjerave, që i kemi taksative, tani na është shtuar edhe parkimi. Se ne s’kemi as transport urban për t’u pasur zili. Kur vjen autobusi i linjës në stacion duket si ato Skodat shytë, që mblidhnin tek agjencia në të dalë të qytetit, ç’të gjenin, burra e gra, shkollarë e ushtarë, se përpara me shoferin e kishte vendin ndonjë polic. Hip në karroceri, ashtu rifuxho.
-Shofer... na ngjeshe si sardelet...
Shtetit sipër e Bashkisë ca më poshtë po ia bëjmë kabull ndërhyrjen me gjoba mbi xham, të cilat kërkojnë të rregullojnë trafikun dhe parkimet. Por nuk të lë rehat as “privati”. Sapo mbaron orari shtetëror, 7 me 7, dhe nis epoka e liberalizimit, fillon revanshi personal ku të vetëpunësuarit ngulin bidonë uji në vendet boshe dhe nisin të mbledhin paratë e parkimit. Zonat e influencës janë ndarë më mirë se ato të shpërndarjes së drogës. Dhe kjo situatë është e dukshme jo në periferi, por në mes të kryeqytetit. Madje tek Blloku, si zona rezidenciale ku një orë parkim shkon sa frëngu pulën.
Po kështu është kur do ta pish kafen në mes të luksit e ahengut.
Parkimi i automjetit është bërë hall i madh. Sidomos në Tiranën tonë. Njerëzit nuk dinë ku të ngecin makinën, që të shkojnë në shtëpi e të hanë një çapë buke pa ua zënë kush në fyt.
-Ec ore hap rrugën, se kam dy orë që pres surratin tat.
Jo mo, po kjo është dhe sebep sherri. Dhe ne si shqiptarë na heq sherri me gjitonin. Jemi gati të dalim me levë nga dera e shtëpisë, po qe se nuk e kemi një të tillë në sediljen e makinës. Qëllon që ndonjëri të dalë dhe me kallashnikov. Se e kemi treguar që për një vend parkimi vritemi.
Dikur, thuhej, se shqiptarët edhe për të blerë buke shkonin me makinë. Sot nuk ka më tangërllëqe të tilla. Madje me makinë nuk mbaron as hall. Do të të duhet të marrësh taksi. Se të dalësh nga parkimi ku ke zënë vend, do të duhet të bësh nja 3 a 4 telefonata, që njerëzit të vijnë e të heqin makinat që të kanë zënë hyrjen e ti mund të nisesh me urgjencë për të mbaruar punët e tua.
Makina sot është një tmerr. Por njerëzit përsëri qëndrojnë më majë të timonit.
Çmimi i karburantit është rritur, por të gjesh parkim do të duhet t'i biesh disa herë vërdallë lagjes, duke shpenzuar para për karburant më shumë se sa kur ke shkuar për pushime në Sarandë. Në këto kushte mbajtja e një makine është kthyer në ferr. Por jo, shqiptarët vazhdojnë blejnë makina. Madje makina të mëdha e motor të fuqishëm që shpenzojnë naftë sa një maune. Se ne i kemi problem makinat e vogla ekonomike. Dhe një makinë e madhe është sa për dy të vogla në parking.
Mesatarisht ne kemi nga një makinë për familje. E meqë fëmijët rriten duhen dy të tilla, por edhe tre në jo pak raste. Gruaja me makinë, burri me makinë, goca me makinë...
-Po çuni?
-Është i vogël dreqi, se ka marrë patentën akoma.
Mirëpo Tirana ajo që ka qenë mbetet, nuk është si llastiku që hapet e shkëlyhet.
E tani na ka dalë dhe një problem tjetër.
Shqiptarët e varfër, me makina mbi 25 deri në 60 mijë euro parkojnë mbi trotuar e ku të mundin. Këta janë tjetër kategori. Se pordhën e kanë gjyle për të blerë një makinë me motor traktori që duket sikur do lërojnë arrat e kooperativës, por kursejnë paratë për parkingun me pagesë. Dhe e plasin pikërisht aty ku shkruhet: Mos parko para derës.
Panorama e çdo dite është: cirk për t'u ruajtur nga rrotat, se ato janë më të shtrenjta se një funeral njerëzor.

Friday, December 17, 2021

Shqiptarët dhe “miqësia” 500 vjeçare me “kardeshët” osmanë


Nga Leonard Veizi
 
Miqtë e mëdhenj nuk na lënë kurrë vetëm. Sidomos kur me ta kemi afeksion aq sa të na quajnë e t’i quajmë vëllezër-kardeshianë. Vërtet nuk jemi të një gjaku, si ne në Europë e ata në Azi, por thonë se po të rrish gjatë me një person merr pamjen e tij. Madje po qëndrove gjatë në një vend me armikun, nis e  të zë ajo që tanimë quhet “sindromi i Stokholmit.
Ushtarët, jeniçerë dhe azapë nga Azia e Vogël, edhe pse me shpata në duar e topa hedhur nëpër araba, na kanë ardhur në shtëpi si “miq”, na kanë ndihmuar, paçka se më pas u rehatuan në qoshe të minderit e na u bënë zot në çatinë tonë.
“Bashkëjetesa” e shqiptarëve me turqit-osmanët, në fakt nuk ka ndonjë çudi të madhe. Po aq, njerëzit e trojeve ilirike bashkëjetuan me ushtrinë e Romës, sa i dhanë perandorisë një duzinë perandorësh pa përmendur gjithfarë gjeneralësh që shkonin nëpër luftëra për zgjerimin e kufijve latinë.
Për Perandorinë e Lindjes, që jemi mësuar ta quajmë Bizant, gjithashtu nga këto troje dolën perandorë të rinj dhe gjeneralë fushatash sa nuk dihet ku mbaron lista. Dhe për ironi të fatit Stambolli i sotëm, dhe Kostandinopoja e djeshme mbante për emër atë të perandorit Konstantin, reformatorit të madh me origjinë ilire.
Nuk kish si ndodhte ndryshe dhe në bashkëjetesën me perandorinë ambicioze të Azisë së Vogël, që ia kishte qejfi të shihte diellin se si lindte në Evropë dhe për këtë vendosi një këmbë në Ballkan. Vërtet nga trojet arbërore nuk doli ndonjë sulltan që të drejtonte Perandorinë, se kodi e donte që ata të ishin pasardhës së dinastisë turke, por prej Vezirit të Madh, - që ishte dhe numri 2 i kësaj perandorie, - e poshtë, administrata ishte mbushur me arnautë safi, aq sa nuk po kuptohej kush dhe e kujt ishte perandoria...
Së fundi, shqiptarët vendosën të qeverisnin veten. Erdhi 28 nëntori i vitit 1912. U ngrit flamuri i Pavarësisë dhe u ndamë nga turqit e rinj. Po në 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti ngriti të njëjtin flamur në Krujë, duke u pavarësuar nga turqit e vjetër.
Mirëpo kur mytesarifi i Durrësit, - i emëruar prej Stambollit, - i tha Ismail Bej Vlorës, se nuk do të shkuleshin me një të ngritur të flamurit, por pas do i kishin tërë jetën, ne fakirët e morëm me shaka. Epo batutë filmi, s’ke ç’i thua.
Sot, 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë, po shohim se selxhukë të dikurshëm, osmanët e mëpasshëm, dhe xhonturqit në fund të perandorisë, na janë varur vërtet pas qafe, aq sa tani na duket se i kemi pasur gjithmonë rreth vatrës, ashtu si dikur, vëllezër për kokë të vëllezërve.
-Ne jemi si vëllezërit siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri.
Të keqen o Mytesarif ku mi ke gjetur këto batuta... Epo gjaku s’bëhet ujë. Një xhami na e ndërtuan vëllezërit, na dhuruan dhe një spital memorial. Pa përmendur vaksinat...
Ambasador Murati, - jo sulltani Murati, mos ma merrni jangëllësh, - por mëkëmbës në Tiranë i “sulltanit” më të ri të Republikës Turke, po na thotë anash e anash se po vjen koha që vilajeti i mbetur i Shqipërisë, ai i Shkodrës, t’i bashkohet Portës së Lartë, se meqenëse e kemi në gjak ta drejtojmë Portën, ne para e ata pas mund ta pushtojmë jo vetëm Ballkanin, po t’i hyjmë Evropës me themel duke i rënë nga Vatikani. Për tre vilajetet e tjera shqiptare, atë të Kosovës, Vilajetin e Manastirit dhe të Janinës, Porta e Lartë ka tjetër axhendë.
“Osmanët erdhën këtu për të mbrojtur trojet shqiptare”, është shprehur diplomati turk gjatë një bisede me studentët e universitetit të Shkodrës në ditët e mes-dhjetorit 2021. Deklarata, - që bëri xhiron e rrjetit, - u lëshua në Shkodër, në universitetin që mban emrin “Luigj Gurakuqi”, i cili ishte dhe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë. Citoj ambasadorin Murat: “Lëvizjet osmane në Ballkan nuk ishin vetëm ushtarake, por edhe kulturore, historike, sociale, arkitekturore dhe ekonomike”.
Amin o Zot.
Tjetrin po e lë të flasë do thotë ç’t’i dojë zemra atij.
Natyrisht ambasadori “harroi” pa përmendur këtu, qëndresën 25-vjeçare të Gjergj Kastriotit. Dhe as mund të përmendeshin luftërat e vazhdueshme të Aranitëve, Muzakajve, Bushatllinjve, Ali Pashait të Tepelenës... të cilat nuk e linin në qetësinë e haremeve sulltanin e fermanëve. Pra osmanët turq nuk erdhën për shëtitje këtej nga anët tona. Dhe ne as i ftuam si miq e as i pritëm si miq. Përndryshe ç'vlerë do të kishin 500 kryengritje të shqiptarëve kundër perandorisë në 500 vjet. Dhe po kështu, pjesë e bashkëjetesës nuk mund të ishte as prerja në besë e 1000 prijësve të Toskërisë, të cilët në korrikun e vitit 1830 u ftuan për negociata në Manastir por aty, në pabesi, mbetën të masakruar më shumë se gjysma e tyre.
Në fakt historia tregon se ishin 500 vjet pushtim, ku shqiptarët të palodhur u ngritën çdo vit në kryengritje të armatosur. Dhe pavarësisht administratës osmane që nuk e lejonte gjuhën shqipet të mësohej nëpër shkolla, ajo arriti të mbijetonte.
Mirëpo sot, ka të tjerë sharlatanë që kërkojnë që historia të rishkruhet sipas interesave. Dhe pushtimin e dikurshëm ta quajmë administrim.
Të keqen e mendjes, o vëlla-kardesh.
Gati dy vjet me parë, në shkurt të vitit 2020 u organizua po në Shkodër konferenca me sloganin “Turqishtja, gjuha e tolerancës në Ballkan” që kishte në fokus fjalët e përbashkëta midis gjuhëve. I njëjti ambasador asokohe u shpreh se “Turqishtja dhe shqipja përmbajnë më shumë se katërmijë fjalë, shprehje dhe idioma të përbashkëta”.
Nuk them: Jo. S'ka dyshim që në fjalorin tonë ka plot mbetje nga fjalori turk. Padyshim që dhe kjo është një tjetër meritë e bashkëjetesës. Mbi to do përpunohen dhe platformat e boshtit Ankara-Tiranë. Gjithçka po ecën sipas parimit: “500 vjetëve vëllazërim, nuk shkulen me një të ngritur të flamurit”. Kuptohet, kultura osmane na qenka shtruar këmbëkryq në këtë pjesë të botës që quhet Gadishulli Ilirik, dhe ne nuk na mbetet veç ta pranojmë... e në fund të fundit të pranojmë dhe njëfarë suzerainiteti nga sulltani.
Në takimin e fundit, ambasadori u kujtoi studentëve shkodranë të “Luigj Gurakuqit” rolin e veçantë që kishte luajtur Hasan Riza Pasha në mbrojtjen e Shkodrës, pikërisht atëherë kur perandorisë i ishin varur poturet e nuk mbronte dot as veten.
Epo kështu do shkojnë punët derisa të gjitha stacionet televizive shqiptare transmetojnë telenovela turke, sidomos ato ku glorifikohet historia e ngritjes së perandorisë me Erdogrulin në krye, të cilët asokohe ishin në ndeshje të vazhdueshme me mongolët.
Sot, në Tiranë, tek kodra e Liqenit Artificial ndodhet e ngritur një pllakë memoriale në nderim të ushtarëve turq që ranë gjatë grushtit të shtetit në mbrojtje të rendit kushtetues së Republikës Turke. Krejt pa lidhje. Mirë Hasan Riza Pasha që na mbrojti Shkodrën, po asnjë nga këta ushtarë nuk ra për rendin kushtetues në Shqipëri?!
Ngriji supet sa të duash. Ja kështu erdhën dhe italianët para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, me gramafon dhe muzikë... Pastaj me kryqëzorë dhe nëndetëse.
Edhe bazës detare të Orikumit i kemi mbajtur emrin “Pashaliman”. Nuk na ndahet shpirti nga e kaluara. Kot thonë se ne harrojmë shpejt. Ja, kështu, pak nga pak merr formë Vilajeti i Shkodrës. Se me atë të Kosovës, Manastirit dhe Janinës nuk kemi punë hë për hë.
Megjithëse në bazë të shkëmbimeve reciproke edhe Shqipërisë i lind e drejta që t’i kërkojë qeverisë turke të ngrihet një memorial në ndonjë lulishte të Stambollit, për dëshmorët partizanë të brigadës... së XXII sulmuese, po themi. Sepse jetojmë në kohë marrëdhëniesh reciproke dhe jo në epokën e vasalitetit.

 

 

Tuesday, December 14, 2021

Mes vargjesh kozmike të Arben Dukës


Nga Leonard Veizi
 

Mund të shtrosh kilometra të tërë me vargjet e tij, po aq sa makineria shtron asfaltin mbi gurë e çakull. Sepse ai shkruante çdo ditë. I duhej vetëm një penë, pak bojë e ca letër. Dhe puna ecte vetë. Pa ndaluar. Nuk kish pushim për të.
 
Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,
jo thjesht për faktin se më la rinia,
po Bota krejt lëviz-në të vërtetë,
o nga urrejtja-o nga dashuria.
 
Ai thurte vargje papushim, kur ishte mirë me shëndetin dhe kishte optimizëm me tepri, por dhe kur kishte probleme të pashprehura dhe pesimizmit i vinte fre. Nuk jetonte dot ndryshe. Poezia për të ishte po aq si oksigjeni. Dhe nëse nuk do të kishte njërën, nuk do të kishte as tjetrën.
Stili i tij njihej nga të gjithë, amatorët e poezisë dhe profesionistët sigurisht. Duheshin vetëm pak vargje për ta kuptuar se ishte ai:
 
S’shkruaj si Ezopi,/ apo Anderseni,
dhe kur nuk vë emër,/ thonë: “Ky është Arbeni!”
 
Arben Duka iu bashkua poetëve të tjerë në panteon. Iku lart. Nuk ka më garë tokësore. Zënka e debate për gjëra të vogla. Dhe as sherre për kauza të mëdha. Tanimë gjithçka do të jetë hyjnore dhe krejt e pakonceptueshme. Sepse të gjallët nuk i kuptojnë dot kurrë të vdekurit.
 
Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!
 
Ai ishte një poet i lindur, nuk kish dyshim. Mendonte duke rimëzuar vargje. Në kokën e tij, si në një memorie të pafund që pranonte të stivoste gjithçka, strofat zinin vend mbi njëra-tjetrën.
Begraundi i tij është nga më të rrallët për një poet. Me tremijë tekste këngësh dhe 50 vëllime poetike të botuara, ai mbetet në krye të klasifikimit.
 
Kur shuhet një zjarr,/ Mbetet një dorë hi,
Kur shuhet një zjarr,/ Dhe një dashuri!
Mbi një zjarr të tretur,/ Mos u lodh më kot,
Se hiri i mbetur,/ Zjarr nuk bëhet dot!
 
Dhe po aq sa kish vargje të tjera për erosin dhe dashurinë, aq dhe qëndrimet e tij social-politike i shprehte po në vargje, të cilat botoheshin nga shtypi i ditës. Sepse ai e kishte të lidhur jetën e tij edhe me një gazetë që do ta kishte në krah të djathtë, për të botuar e bërë publike tek gjithkush që e dashuronte artin e tij, vargjet e sapodala prej frymës nga diafragma.
 
Të gjitha kurrë s’mund të thuhen,
në pllakë të varrit për njerinë,
ndaj unë kam lënë që të më shkruhen:
“Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!”.
 
Dhe po aq i njohur është edhe në prozën e tij. Sepse shumëkush e mban mend sinonimin, kur për vite me radhë në një gazetë periodike javore, ai realizonte intervistat plot satirë e humor nën identitetin Kaso Kosa.
Sepse Arbeni donte t’i thoshte troç gjërat, ka u fshehur nëpër vargje, dhe pa nënkuptime.
Në jetëshkrimin e Arben Dukës thuhet se ai ka marrë dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Kaq është shumë për të. Por gjithsesi, ai mbeti i pavlerësuar nga shteti, në të gjallët e tij. Sepse nuk ishte një “Mjeshtër i madh” dhe as një “mjeshtër në perspektive...”.
 
Sot asgjë në Shqipëri,/ nuk është si njëherë,
sepse fjala besë e nder,/ nuk ka asnjë vlerë!
 
Po sistemi që jetojmë,/ s’e sheh si të metë,
besa rron nëpër legjenda,/ se s’është e vërtetë!
 
Dhe për nderin e shqiptarit,/ s’kam pse ju flas kot,
sepse po të jesh i ndershëm,/ të quajnë idiot!
 
Arbeni u ngjit në panteon, së bashku me poetët e tjerë. Ishte një opozitar i pandreqshëm dhe nuk donte të bënte kompromise të pamoralshme. Ndaj dhe në një epitaf virtual, do të gdhendja vargjet e tij:
 
Njeriu në jetë,/ rrugë të mesme s’ka,
o do jetë i ndershëm,/ ose maskara!
 
Arbeni u largua për në panteon. Atje ku e ka vendin. Atje ku e prisnin.
Lamtumirë mik!

Friday, December 10, 2021

Policia e droguar


Nga Leonard Veizi
 
Shqeva sytë dhe nuk po u besoja as veshëve ku si gazetar kulture që mbuloja faqet e fundit, u informova nga kolegët e mi të ballit të gazetës, se në Policinë e Shtetit, të cilës i kemi besuar jetën dhe kuletën, kishte një tufë policësh pa din e iman që merrnin drogë, sa u kishin dalë sytë kokërrdhoqe. Dhe këtë e thoshin analizat e testit antidrogë, sa nuk e luanin jo topat e Isarit, por as bateritë bregdetare me obusë 100 milimetërsh.
- Tobe Estakfrullah. Çfarë s’po ndijmë në këto kohëra të turbullta.
Nisa t’i bija kokës me grushte duke menduar se në çfarë derexheje kishte përfunduar policia. Dhe po aq thellësish po mendoja me veten se testit anti-drogë duhej t’i nënshtroheshin edhe ushtarakët, arsimtarët si dhe punonjësit e administratës. Atëherë kush e di se ç’do të dilte?! Droga sheshit.
Bela e madhe!
Domethënë, ne presim nga segmenti, segmenti bie vetë brenda.
Tani... kishim dëgjuar për policë të korruptuar, nga ata që marrin ndonjë pesëmijë lekëshe kur të kapin ndonjë dokument mangët të makinës, por për policë me shiringë në dorë dhe me damarët e bërë copë nga shpimet, s’më kishte rënë rasti të dëgjonim.
Por qeveria ia heq petët lakrorit byrazer. Kot nuk thonë që e kap lepurin me qerre.
I dhashë të drejtë Ministrisë e Këshillit të Ministrave, që po ndërmerrnin reforma radikale, e po e spastronin policinë nga të fëlliqurit që mbanin nëpër xhepat e uniformës paketat plastike në doza njëgramëshe, dhe age njëpërdorimshme, si të ishin për insulinën që rregullon sheqerin në gjak.
-Duhet bërë ky vend. Ja kështu fillojnë pak nga pak... Këta të përlyerit do shkojnë në hesfel. Dhe do kemi një polici të pastër si kristali.
Nisa të qetësohem. Ca gjëra nuk duhen parë me aq imtësi tek e fundit.
Epo djem të rinj, - i dhashë karar dhe u mundova ta kapërceja me vete, - edhe polici njeri është, do ta thithë ndonjëherë. Jetë e vështirë, nuk shtyhet ndryshe.
Mirëpo kur mora vesh se për dreq, mosha mesatare e policëve që ua kishte qejfi për ca adrenalinë, i kalonte të 50-tat e shkonte deri në 63 vjeç, shfryva sa më dolën bulçitë:
-Kjo s'ka bythë ku të rrijë. U shthur dynjaja. O At i madh, tunde një herë...
Atëherë u binda fort në shprehjen popullore: Një herë në rini e një herë në pleqëri. Epo nuk kanë dalë nga asgjëja këto sentenca bazike. Koncentrim i përvojës popullore. Kot nuk thoshin të moçmit se, kur i afrohen pensionit, burrat nisin e lajthisin, ose bien në dashuri, ose, ia fusin me raki. Pa shkollë ka qenë i moçmi por ca gjëra i ka ditur ezber.
-Mos e  merr kaq përpjetë, - u mundua të më qetësonte një koleg, kur pa që unë po shkulja leshtë e kokës nga kjo gjëmë që na kishte pllakosur.
Ama mendje. Domethënë vari trapin policisë, vari trapin mjekësisë... vari trapin dhe ushtrisë. E ç’na mbetet? Prandaj ecin punët morth në këtë vend or babam. Nuk bëhemi or jo, kot mundohemi!
Deri dje të droguar njihnim vetëm hipitë që morën malet e zbritën fushave me “armë” në dorë për të na zhvilluar një revolucion... seksual. Mirëpo jo. Paska avaze puna. Jetojmë në epokën e kibernetikës. Ku revolucioni seksual, ku revolucioni teknologjik.
Nisa të mendoj: Ore, çfarë droge përdorin këtë qerratallarë? A thua ndonjë ekstazi?
Pirdh-pirdh. Me rrogat që marrin policët maksimumi mund të konsumojnë heroinë të përzierë me ca aspirinë e pak pluhur neoni.
Le të tjerat, po do u plasë dhe sherri në familje. S'ke nga ia mban. Do tregosh të vërtetën në "gjyq".
-Na i bëj kabull Jurusun efendi...
Të kërkon llogari gruaja, s'ka gili-vili. Unë punoj e më del djersa çurg të mbaj familjen, zotrote pallohesh me drogë sintetike. Se të shkosh në shtëpi e të thuash se je pezulluar nga detyra se doli që në gjak kanë mbetur gjurmët e simulantit, është po aq e turpshme sa të thuash se ke dalë seriopozitiv. Domethënë ke shkuar me kurva.
Mos e dhëntë Zoti!
Epo ku nuk e fut hundën njeriu i shkretë.
Ajo që nisi të më jepte një shpresë të vakët ishte se mes gjithë kësaj të keqeje, i duhej parë ana e mirë gjësë. Shifra e policëve që doli si të droguar mund të na fusë në Gines. Me polici të tillë kush nuk ta jep një çmim. Kështu fitonim diçka e nuk dilnim pa gjë: njëri shpallet shenjt e tjetri hero.
Mirëpo gjërat qartësohen. Se kështu është kur e merr me hyxhym që në fjalën e parë. Kolegu që e ndiqte çështjen, me një tufë letrash në duar, u mundua të më shpjegonte se vërtet ca e ca policëve u kishin dalë do probleme në analiza, por kjo nuk vinte nga përdorimi i drogës apo i substancave të tjera narkotike.
-Alla hile, pa hë një herë, - hapa sytë e veshët.
Shpjegimi ishte i thjeshtë, fare i zakonshëm dhe krejtësisht banal. Në testet anti-drogë, laboratori nxirrte si elementë “keqbërës” substancat toksike të ilaçeve të tensionit, ato të hollimit të gjakut të diabetit, madje-madje dhe të menopauzës.
Luj more vendin...
Ç'drogë zeza... E ka fajin laboratori, plako. Aparatura e elementë farmaceutikë për t'u hedhur në hale e jo për t’u përdorur te njerëzit. Edhe policët e shkretë e paguajnë nga xhepi faturën e laboratorit.S’ka rimbursim. Po kështu është kur të hapet gryka e do të hash nga të katër anët.
-Domethënë ... të dhjefsha aparaturën.
Ec o burrë se jemi mësuar me këto. Shyqyr që shpëtuan policët nga “sherri” me gratë dhe nuk i hoqën nga puna për "imoralitet". Çudia më e madhe tre ditë zgjat.

Tuesday, December 7, 2021

Edi Luarasi, emblema e munguar e një skene


Nga Leonard Veizi


Ngjitja e saj në skenë si Kler Cahanasian, me fustan nusërie, proteza kudo në trup, dhe me një çek marramendës dollarësh në dorë, do të ishte fillimi i një kulmi të ri. Kishte punuar si një rrobaqepëse me normë dhe bashkëshortin e kishte veç një bojaxhi. Por ja që ndriste në skenë me të gjithë sharmin dhe imponimin e saj interpretuese.
-Jap një miliard dollarë për Gylenin kush vret Alfred Ilin. – Ka qenë dimër zotërinj kur kam ikur nga ky qytet me një kostum marinari, me bishtalecat e kuq, me barkun te goja dhe me qytetarët që më thonin kurvë. Por unë vendosa që të kthehesha një ditë. Ja pra ku erdha. Tani i diktoj unë kushtet. E diktoj unë pazarin. Me fuqinë time financiare mund të ndërtosh një rend të ri botëror. Bota më bëri mua kurvë. Tani do ta bëj unë atë, bordell. Jap Gylenin për një vrasje, lulëzimin ekonomik për një kufomë.
Prej pothuaj 20 vite që ishte larguar nga skena, megjithatë forca dramatike si aktore nuk kishte humbur asnjë gram. Ishte Edi, që edhe pse nga vajzëria kishte trashëguar mbiemrin Mirdita, si një emblemë e origjinës së saj, do të preferonte ta konvertonte atë me emrin e një fshati fort të njohur nga Kolonja, Luarasi. Dhe kjo për një shkak shumë të thjeshtë, sepse po këtë mbiemër mbante bashkëshorti i saj Mihal, një regjisor me nam në vitet ’70 por që partia e shpuri për riedukim sa në burgun e Burrelit po aq dhe nëpër shkollat e Tiranës ku lyente muret me gëlqere të bardhë. Dhe meqenëse ishte mësuar të ishte gjithmonë i pari, edhe në profesionin e ri të detyruar Mihallaq Luarasi, apo Mihali thënë ndryshe, do të merrte kategorinë e 7-të si bojaxhi. Pra një mjeshtër në zanat.
Por Edi nuk e la asnjë çast vetëm regjisorin e saj të cilit i kishte huazuar dhe mbiemrin. Do të merrte shpesh rrugën e largët për ta takuar në burg. Sepse pas Festivalit të 11 prezantuesja e bukur e lozonjare me fustanin ekstravagant, do të çohej gjithashtu për riedukim. Nga teatri drejt e në rrobaqepësi. Dhe meqenëse ishte po aq e zonja dhe egoiste, edhe ajo do të kategorizohej si një rrobaqepëse me të 7-tën, pra po aq mjeshtre e zanatit. Kështu do të ishin 17 vitet e ardhshme të çiftit Luarasi aq të njohur në Tiranën e viteve ’70.
Por në fakt skena ishte mjeshtëria e saj. Dikur si një këngëtare e pasionuar, e pasi njohu dhe bashkëshortin e saj të ardhshëm dhe si një aktore e tillë.
Edi Luarasi për të paktën 17 vite me radhë do të ishte emblema e munguar e skenës së Teatrit Kombëtar.
Tanimë ajo nuk është më mes të gjallëve. U nda nga jeta ditën e 3 dhjetorit 2021. Por Kler Cahanasian, partizania Afërdita apo inxhinierja Drita, do të mbeten në pelikulë për të na treguar ne dhe brezave pasardhës se ajo është po aq e gjallë sa dhe në rininë e saj, atëherë kur ishte çapkëne, lozonjare, po aq dinjitoze e që të gjitha cilësitë e saj dinte t’i transmetonte edhe nëpër role.
Në jetëshkrimin e saj zyrtar shkruhet se Edi Mirdita lindi në Tiranë më 7 maj 1940. Ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën Estradës së Ushtarit e më pas në atë të Teatrit të Estradës.
U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin. Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
“Njolla të murrme” ishte pararendësja e dramës familjare të çiftit Luarasi. Por gjithçka do të merrte rrokullimën pas Festivalit të 11 të Këngës në Radiotelevizion, në 1973, ku regjisori Mihallaq kishte përzgjedhur për të moderuar festivalin Edin në krah të Bujar Kapexhiut. Era e liberalizmit kishte marrë fund dhe mbi kokën e artistëve ishte ngritur shpata e Demokleut. Ndaj në janarin e vitit 1974 Edi Luarasi do ta linte pas Teatrit dhe skenën e tij të shenjtë. Ndërsa bashkëshorti i saj do të dënohej 8 vjet me motivin absurd qesharak “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”
Çifti Luarasi kishin edhe dy fëmijë: vajzën Lea dhe djalin Eldon. E me gjithë vështirësitë e mundshme, në një regjim represiv,  ata arritën ta mbanin solide familjen e tyre.
Pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, do të ishte regjisori Gëzim Kame i cili në vitin 1991 e thërret ne Teatrin Popullor dhe i beson rolin kryesor tek drama “Vizita e damës plakë”. Ishte një superdramë e shkruar nga Frederik Durrenmate, cila erdhi në skenën shqiptare në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe ku shkëlqimi i Edi Luarasit përkrah kolosëve të tjerë të teatrit, si Ndrenika, Mani, Qezari e Malaveci, binte fort në sy.
Gjatë jetës së saj artistike Edi Luarasi ka interpretuar mbi 70 role ne skene edhe tri role ne kinematografi, ku bie në sy roli i Afërditës në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Dhe nëse nuk do të punonte si rrobaqepëse për të larë "mëkatet" e "Njollave të murrme" dhe Festivalit të 11, me siguri trashëgimia kulturore do të pasurohej edhe shumë role të tjera të cilat do të ishin jetësuar prej saj.
Edi Luarasi është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”. Mbante titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, por mbante gjithashtu dhe medaljen “Naim Frashëri”. Ndërkohë për rolin e Leas në dramën “Njolla të murrme” shkruar nga Minush Jero, e me regji të Mihal Luarasit mori medalje ari, dhënë me rastin е Festivalit të Katërt Kombëtar të teatrove.
Pas “Vizita e damës plakë” Edi Luarasi interpretoi edhe në dramën “Hekurat”, e cila u vu në skenë në vitin 1995. Cikli i roleve të saj do të vazhdonte me sukses edhe në dramat “Cilindri”, apo “Streha e të harruarve”.
Vitet e fundit të jetës do t’i kalonte në qetësi, edhe pse prej katër vitesh i mungonte gjysma e saj, regjisori Mihal Luarasi, i cili ishte ndarë nga jeta më 30 tetor 2017.
Prej 4 dhjetorit 2021 ata do të jenë sërish bashkë, në përjetësi.

Friday, December 3, 2021

Laboratorët mjekësorë që zëvendësuan byrektoret e “trustit të lulelakrës”



Nga 
Leonard Veizi
 

Nisem nga lajmet e fundit që qarkullojnë rëndom nëpër analet mediatike ku flitet për të infektuar të shumtë, të shtruar në spitale, të intubuar dhe gjithashtu të vdekur me shifra në rritje.
Prognoza nuk është optimiste, edhe pse njerëzit të lodhur tashmë në një lojë të madhe me nervat e kanë humbur vigjilencën. Por mjekë e specialistë shëndeti, mbledhur në tryeza televizive rekomandojnë dy gjëra: vaksinim në llërë dhe një maskë mbi fytyrë.
 

O miq, qytetarë, Romanë, më dëgjoni!
Vij ta varros, jo ta lëvdoj Qesarin...
E keqja që ka bërë, çdo njeriu i mbetet.
E mira i mbulohet shpesh në varr me koskat.
 
Çfarë do të thotë që në tregun ndërkombëtar të gjësë së gjallë, qarkullon një virus i pathyeshëm, i cili ka futur në panik të gjithë njerëzit që frymojnë mbi këtë dhe?
Zakonisht, të pathyeshmit nuk janë të vetëm në luftë, ata kanë dhe aleatë.
Gjëegjëza merr pak a shumë të njëjtën vlerë me atë të tregtisë së zarzavateve nga “trusti i lulelakrës” dhe gangsterëve të Bronksit prej Nju Jorku.
Kjo situatë paradoksi u çpif andej nga Çikago në fillim të viteve ‘30 të shekullit në 20-të. Mirëpo tanimë jemi në vitet ‘20 të mijëvjeçarit të 3-të. 
Në pamje të parë duket si lojë shifrash... Po jo. Historia përsëritet.
Në ndihmë të historisë këtë herë ka ardhur jo një Arturo Ui, me mustaqe si të miut dhe flokë të krehur anash si viç i lëpirë, por një virus i padukshëm për të cilin nuk mban përgjegjësi njeri.
 
Vij që të flas në funeralin e Cesarit.
Ish miku im, më qe i drejtë dhe i besës.
Po Bruti thotë, qe ambicioz;
Dhe Bruti është burr’ i ndershëm.
 
Tregtia e zarzavateve duhet të shkonte përpara, dhe për mbarëvajtjen e saj kujdesej krahu i djathtë i gangsterit njujorkez, Xhivola çalamani, Xhiri hajduti dhe vetë Ernesto Roma me të cilin kishin bërë plane të ndërhynin edhe në Cicero.
Sot njerëzit jetojnë në panik po aq sa tregtarët e zarzavateve 100 vite më parë, kur u derdhej vajguri mbi lulelakër dhe u vihej zjarri në dyqane.
 
Cesari qante kur thërrisnin të vobektët.
Ambicia duhej t’ish me zemër më të ashpër.
Po Bruti thotë, qe ambicioz,
Dhe Bruti është burr’ i ndershëm.
 
Sot virusi lëviz lehtësisht në treg duke përcaktuar dhe çmimet. Fillimisht ishte gjyshja “Corona” që polli “Sars Cov-2” i cili shndërrohet në “Covid-19”. Ky është djali i madh demek. Dhe nisi epopeja e pjelljes masive e mbesave dhe nipërve të tjerë. Në fillim doli, "Eta", e pastaj "Iota", "Kapa", "Lambda", për t’i vënë vulën me “Mu”-në.
Por nuk mbaroi këtu. Do të vazhdonte rendi alfabetik i pjelljeve nga ndërzimi me “Alpha”, “Beta,” “Gama”, “Delta”...
Shyqyr që kemi Greqinë ngjitur që për çdo variant e ka nga një emër dhe kjo sikur na e lehtëson ca dhimbjen.
Tani, së fundi, në jetë erdhi “Omicroni”.
-Me jetë të gjatë!
 
Cesari qante kur thërrisnin të vobektët.
Ambicia duhej t’ish me zemër më të ashpër.
Po Bruti thotë, qe ambicios,
Dhe Bruti është burr’ i ndershëm.
 
Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohë, dyvjeçare, që nga dhënia e alarmit se bota do pushtohet nga Corona, ndaj duheshin marrë masat?
Ju do të thoni se kjo e gjitha u bë për të shitur vaksinat.
Po mor po. Por populli e ka një fjalë të urtë që të bën të mendohesh ca kur thotë: Ujku, ujku... po çakalli bën kërdinë.
Vaksina është asortimenti i fundit në treg.
Fillimisht bursa u hap me shitjen e tonelatave alkool, të miliona maskave njëpërdorimshme, dhe po aq miliona dhe doreza plastike, që tanimë kanë përfunduar nëpër oqeane për të ushqyer ujorët.
Dhe thonë pastaj se kanë gjetur mbetje plastike në zorrën e trashë të peshkut.
Domosdo.
 
Tri her’ i dhashë një kurorë mbretërore
Edhe tri her’ e hodhi poshtë; qe ambicje kjo?
Po Bruti prapë thotë, qe ambicios,
Dhe është, pa dyshim, një burrë i ndershëm.
 
E menjëhershme ishte dhe shitja e të gjitha antibiotikëve që qëndronin stoqe nëpër depo. Fushata do të vazhdonte me antiviralët.
Dhe si me magji, në çdo dhjetë metra u ngrit një laborator analizash.
-Po ec o burrë bëje një tampon se qyl e ke... Nga 150 mijë të vjetra ka ra çmimi në 30 mijë. Pesë herë më pak. Përfito nga rasti.
Këta janë laboratorët privatë. Se laboratorë ka dhe shteti. E po t’i mbledhësh të gjithë bashkë, bëjnë më shumë se të gjitha pikat e byrektoreve, ku zëmë radhën për të ngrënë një mëngjes “fast”.
Padyshim, të gjitha këto u kanë ardhur në ndihmë njerëzve, që nuk dinin ku ta përplasnin kokën nga frika e betejës me të panjohurën. Por shumë më tepër ndihmën e ka ndjerë xhepi. Sepse gjithmonë e kurdoherë në ditë krizash bëhet para e madhe.
-Ne këtij or tungjatjeta i themi: spekulim.
 
Nër egërsirat paske ikur, o gjykim,
Dhe njerëzit e paskan humbur arsyen!
Duroni pak, se e kam zemrën te Cesari,
Aty, dhe pres sa të më kthehet prapë.

 


Wednesday, December 1, 2021

Në Lushnjën e Kongresit laik dhe Manastirit ortodoks


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi

Në një dilemë “hamletiane”, në duhet t’ia mbathja për andej nga Fieri e të përfundoja në Vlorë..., u ktheva në Lushnje. Motivi ishte krejt i përciptë, madje po ta mendosh hollë-hollë, fare banal. Më kishin zënë be e rrufe, që kur të më binte rruga aso ane, të ndalesha në qytet e të haja byrekët e paparë që bëheshin aty. Dhe që rruga të mos më shkonte kot, e mira ishte ta shoqëroja edhe me një tas kos. Meqenëse shqiptar safi, - ose më gënjen mendja si i tillë, - nuk e bëra dysh, sidomos kur vjen fjala për byrekë, kos e fasule, e me raste edhe paçe këmbësh. Ndaj preva timonin majtas dhe u ktheva në Lushnje...
 
...Nëse do të përmendim Lushnjën gjëja e parë që do të na bjerë në mend është "Kongresi Kombëtar" i zhvilluar në këtë qytet janarin e vitit të largët 1920. Pas kësaj do të mendojmë me shpejtësi se Lushnja gjithashtu është njohur gjithmonë si hambari i Shqipërisë, për shkak të fushës së Myzeqesë, nga më pjelloret në vend, një pjesë të mirë të së cilës e ka nën juridiksion. Dhe vetëm po të mendohemi ca më thellë do të kujtojmë se në Lushnje ka ekzistuar Uzina e Lëndëve Plastike, si industria më e madhe për prodhimin të plastikës në vend, e cila u vu në shfrytëzim në vitin 1976. Ishte koha kur vazhdonim ta kishim grurë me Kinën motër, e cila vazhdonte të investonte hekura në Shqipëri.
 

Atraksioni 
i pa munguar
Që nga çasti që u hap për qarkullim autostrada që shkonte drejt Fierit, qyteti i Lushnjës mbeti disi e mënjanuar. Përveç atyre që kishin lidhje të drejtpërdrejta me të, pakkujt tjetër i binte në mendje të shkonte në Lushnje si për të kaluar një ditë turistike. Të mësuar më së shumti me qenësinë e industrisë së plastikës, kemi menduar gjithmonë që Lushnja nuk kishte ç'të ofronte tjetër, sepse për shans të keq nuk ishte as një qytet që kufizohej me bregdetin. Divjaka dhe laguna e Karavastasë, edhe pse nën juridiksionin e saj të drejtpërdrejtë sërish ishin 30 minuta larg, ose të paktën 28 kilometra.
Në materiale enciklopedike informohesh se në disa zona të Lushnjës janë gjetur elementë të varrezave ilire, por kjo nuk përbën asnjë rëndësi për vizitorët e thjeshtë, përveç arkeologëve të pasionuar pas kërkimeve shkencore.
Por kur mendon se aty pranë është “Manastiri i Ardenicës”, rreth 8 kilometra nga qendra,  atëherë bën mirë të pish një kafe në qytet e më pas të ngjitesh në kuotën e 237 metrave mbi nivelin e detit, ku ndodhet ky objekt i rëndësishëm kulti. Manastiri mesjetar mban emrin “Lindja e Hyjlindëses Mari”, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, - madje dhe si ajo që ndodhet brenda territorit të qytetit të lashtë të Apolonisë në Pojan të Fierit, - në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit. Manastiri i Apolonisë gjithashtu daton rreth këtyre viteve. Pra në njëfarë mënyre kemi një seri kishash dhe manastirësh për të cilat është investuar në të njëjtën periudhë.
 

Mundësitë e rrugëtimit
Guida elektronike të jep tre mundësi që nga Tirana të mbërrish në Lushnje. Të kalosh nga Durrësi, me një distancë prej 85 kilometrash e kohë mesatare udhëtimi me makinë 1 orë e 18 minuta. Mundësia e dytë është ajo që kalon nga rruga e Ndroqit me një distancë prej 79 kilometrash por që të ha më shumë kohë, sepse mesatarisht do të udhëtosh për 1 orë e 30 minuta, dhe kjo dihet, nga rruga e amortizuar që nga Kombinati të nxjerr te Plepat e Durrësit. Rruga e tretë është të marrësh autostradën e Elbasanit, të ecësh në periferi të Dumresë për të dalësh tek rrethrrotullimi i Rrogozhinës. Rruga është 90.6 kilometra dhe aksesimi i destinacionit kap kohën mesatare prej 1 orë e 24 minuta.
 

“Shëtitorja 
e Palmave”
Për t’u futur në qytetin e Lushnjës do të marrësh një rrugë të mbushur me palma, por që vetëm në hyrje të qytetit cilësohet si “Shëtitorja e Palmave” pikërisht në hyrje të qytetit do të kalosh mbi shinat e hekurudhës, por e cila nuk ka as semafor dhe as postobllok, që do të thotë se treni nuk kalon më nga ajo anë dhe nuk përbën me rrezik. Kjo do të thotë akoma më shumë se puna dhe vdekja për ndërtimin e kësaj hekurudhe e aksionistes 14-vjeçare Shkurte Vata, - e cila është jetësuar nga skulptori Muntaz Dhrami, në një bust bronzi me kazmën përpjetë diku në zonën e Dushkut ku makinisti në lokomotivë sa herë kalonte para saj duhet t’i binte sirenës, - paska shkuar për dhjam qeni.
-Shqipëri bahçe me lule...
Në të majtë të rrugës, pikërisht në hyrje të qytetit, bien në sy varrezat e dëshmorëve, sipas udhëzimit nga “lart” që të rënët në Luftën Nacionalçlirimtare duhet të qëndronin në pikat dominuese të çdo qyteti.
 

Historia e qytetit
Një gojëdhënë fort e përhapur në këtë trevë, tregon për "Hanin e Salushes" si burim nga  rrjedh dhe emri i qytetit të Lushnjës. Për Salushen hanxheshë, thuhet se ishte e veja e një Pashai. Ca të tjerë e kundërshtojnë e thonë se ishte vajza e tij. Domethënë vajzë oborri ç'i do fjalët.
Ama... histori shqiptarësh, si gjithmonë. Ec e ta marrësh vesh.
Domethënë, emrat e vjetër të Ilirisë antike e kanë një histori të dokumentuar diku, ndërsa të mesjetës më së shumti ekzistojnë sipas gojëdhënave, sepse nuk ka asnjë të shkruar.
Pikë e zezë!
Zakonisht për këto harresa historike ne ia hedhim fajin Perandorisë Turke, që si na pushtoi e na sakatoi, na la dhe në atë që jemi mësuar ta cilësojmë si "errësira mesjetare otomane".
Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar deri më tani, e që e citon Lushnjën si qendër banimi, është ai i vitit 1431, ku emri shkruhej "Lusnia", e që rezultonte të ishte një fshat vetëm me 15 shtëpi dhe rreth 100 banorë. Është bërë dhe një regjistrim me këtë rast.
Ka qenë periudha kur Muzakajt, që i kishin dhënë emrin dhe gjithë trevës së Myzeqesë, kishin ngritur duart përpjetë para “Portës së Lartë” edhe pse në fakt më parë se kaq kishin thyer ushtrinë e krajlit serb Vukashin dhe kishin dërmuar gjithashtu edhe ushtrinë e Bizantit.
Tanimë kur kanë kaluar më shumë se 500 vite nga ajo kohë, regjistri thotë se Lushnja qytet ka rreth 60 mijë banorë.
Epo marshallah!
 

Statujat e qytetit
Lushnja është një qytet, qendra e të cilit është e mbushur me statuja e buste bronzi.
Në qendër, identifikuese tanimë për qytetin, ndodhet ansambli monumental “Toka Jonë” e skulptori Perikli Çuli, inauguruar në vitin 1987.
Përballë shtëpisë ku u zhvillua Kongresi Kombëtar, qëndron “Shqiponja” një vepër e skulptorit Ilirian Shima, e cila është vendosur në bash të vendit në vitin 2015.
Në oborrin e Shtëpisë së Kongresit ndodhen dy buste, një i veprimtarit për çështjen kombëtare Sheh Ibrahim Karbunarës dhe tjetri i Sulejman Delvinës si kryeministër i parë i Shqipërisë që doli nga Kongresi Kombëtar, i cili u mbajt në shtëpinë e patriotit Kasem Fuga.
Statuja e Vaçe Zelës, duke i rënë kitarës, një vepër e skulptorit Arben Bajo ndodhet në lulishten pranë bashkisë së qytetit. Por meqenëse jemi në kuadrin e festave të nëntorit dhe së shpejti vijnë dhe festat e dhjetorit, përballë shtatores së këngëtares së famshme është montuar një kënd lodrash elektronike, ku fëmijët bëjnë xhiro me makina, gjë që e zë krejtësisht pamjen e statujës prej bronzi.
Por nuk mungon as memoriali që përkujton ngritjen e flamurit në 27 nëntor të vitit 1912.
Me rastin e festave kombëtare të fundnëntorit, Lushnja ishte zbukuruar me banderola e flamuj kuq e zi, gjë që e bënte më atmosferën krejt alegro.
Po në një lulishte pranë qendrës së qytetit do të gjesh dhe një instalacion me germat “LOVE”.
Busti i Rrahman Uruçit, komandanti i batalionit të parë të Myzeqesë në vitet e Luftës kundër fashizmit, ndodhet po në qendër të qytetit.
Pak më tutje një memorial dhe një basoreliev kushtuar dëshmorit partizan Loni Dhamo.
Ndërsa tek qendra e artit "Vaçe Zela" do të ndeshesh dhe me dy skulptura origjinale, njëra që tregon një valle dyshe myzeqare dhe tjetra një grup vajzash balerina.
Në krah të bashkisë është busti i atdhetarit Besim Nuri, i cili ka qenë dhe kryetari i bashkisë së qytetit në vitet 1919-1920.
Por këto nuk ishin të gjitha, pasi lashë pa përmendur edhe disa buste të tjera, emblema të qytetit. Dhe nëse do të fusnim këtu edhe kishat e xhamitë, shënimet e një udhëtimi rutinë do të merrnin vlerë enciklopedike.
 

Epilogu
Teksa largohesh nga qyteti i Lushnjes, do të marrësh sërish “Shëtitoren e Palmave”, dhe si u ke hedhur një vështrim shkarazi Varrezave të Dëshmorëve do të kalosh mbi shinat e trenit që të mbërrish tek rrethrrotullimi, i cili të jep dy mundësi: ose të marrësh autostradën në të majtë për në Fier e Vlorë, ose t'ia mbash djathtas për në Durrës e Tiranë.