Friday, October 27, 2023

Taksat, paguajmë sa na thyhet mesi e prapë na thonë: S’paguani gjë!


Nga Leonard Veizi
 
Nuk thonë kot që: qeveria e kap lepurin me qerre. Këtë herë shkas mora nga taksa e re që po përgatitet të vendosë qeveria. Flitet për “taksën e fjetjes” që do të paguajnë në të ardhmen turistët për çdo natë qëndrimi. Se qeveria punën me të mirë që di të bëjë është të vendosë taksa. Madje dhe aty ku s’ta pret mendja.
Por taksa për turistët nuk është objekt i këtij shkrimi, edhe pse indicia u mor nga ky shkak. Mirë turistët, po shqiptarët sa taksa paguajnë?
Në tërësinë e tyre mua si individ pak më kanë interesuar taksat. Ose më saktë, pak më ka interesuar sa taksa paguaj në shtet. Kam ditur vetëm se, çfarë më ka kërkuar shteti si detyrim e kam dhënë me dëshirë. Pasi në nënndërgjegjen time është gjithmonë zgjuar si roje nate sentenca me spektër të gjerë e dalë nga përvoja popullore: me ujin, zjarrin dhe me qeverinë nuk bëhet shaka.
-Jepu xhajë kampioneve... jepu!
Jo vetëm për mua, por në përgjithësinë e tyre njerëzit kanë interes të dinë se sa para marrin në dorë që të shtyjnë muajin dhe pak u intereson se sa shteti përfiton nga puna e tyre.
I futem kërkimit për të gjetur materiale që do të më krijonin një ide të saktë se sa paguaj në shtet, unë si individ, që në njëfarë mënyre do të thotë se sa paguan një shqiptar i punësuar me një rrogë të themi mesatare.
Si nën rrogoz, shpesh marrim vesh se taksat rriten dhe ne vazhdojmë të kemi po ato rroga. Se nuk është e lehtë të të rritet rroga?! Por është shumë më e lehtë të të rriten taksat. Dhe taksat më së shumti rriten tek ato që quhen gjëra luksi. Fjala vjen: ti paguan goxha taksa kur ble një paketë cigare, një shishe alkool, si dhe një litër naftë. Mirëpo shteti thotë gjithmonë se nuk i del, ndaj e shtyn edhe për ca kohë indeksimin e rrogave, rritjen e rrogave. Për të mos folur për pensionet. Tek e fundit kush është pensionist nuk prodhon. Kështu që dhe rritja e pensionit nuk i takon. Gjende mirë që nuk i heqin nga gjendja civile të gjithë pensionistët.
Dhe nuk u desh shumë seanca kërkimi të gjeja atë, thembrën e Akilit. Pasi shumë shpejt u ndesha me një video që qarkullon rëndom, në rrjetet sociale dhe që e bën zbërthimin në mënyrë mjeshtërore.
Materiali në fjalë në fakt jo vetëm më sqaroi por dhe më shokoi. Ishte një material i postuar që në tetorin e vitit 2020, kur një këshilltar për financat si Pano Soko, bënte zbërthimin e taksave, vetëm nëpërmjet asaj që tanimë mund ta cilësojmë dhe si “Çështja Marsela”. Sepse Marsela, një gazetare kurajoze, e pyeti kryeministrin drejtpërdrejt për çështje taksash... e nuk po i futem më në thellësi. Por kryeministri iu kundërpërgjigj po me një pyetje: Sa taksa paguan ti...?
Me gjasa Marsela nuk ka ditur t’i japë përgjigje kryeministrit. Por këtu i doli zot një specialist i fushës që bëri këtë performancë:
Ai mori në shqyrtim një rrogë prej 70 mijë lekë. Pra, nëse gazetarja në fjalë merr 70 mijë lekë në muaj atëherë paga bruto e saj është 87, 202 lek nga të cilat paguan tatim mbi të ardhurat 7.436 lekë. Vijmë te sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ku paguhet 9,500 njëra dhe 1.700 tjetra. Në total nga kjo pagë, deri tani, mbahen 18.636 lekë. Punëdhënësi për punën e gazetares paguan 14.562 lekë. Pra gazetarja në total paguan 33.198 lekë tatim direkt dhe sigurime shoqërore. Sepse ka dhe tatim indirekt.
Po si është tatimi indirekt??? Specialisti shpjegon: Për 70 mijë lekët e rrogës, sa herë që prishen duke bërë pazar, paguan taksa kur ble bukë e makarona, kur paguan ujët dhe dritat... etj. Por dhe ato ndryshojnë. Kur ble naftë paguar 60 përqind të vlerës taksë. Edhe cigaret kanë të njëjtën gjë. Por këto tek e fundit janë çështje qejfi. Ndërsa kur ble ujë, bukë, veshmbathje paguan 20 përqind. Pra, kushdo, jo vetëm gazetarja me emrin Marsela taksohet në mënyrë indirekte, pasi është tatuar më parë në mënyrë direkte. Jo mo se nuk qenka dhe aq e vështirë. Se si, po prishet lëmshi.
Vijmë përsëri tek "Çështja Marsela”: Mesatarisht taksimi shkon diku tek 25 përqind e vlerës. Kështu që për 70 mijë lekë të prishura gjatë një muaji, 17.500 lekë tatim indirekt bashkohen me 33.198 mijë lekë tatim direkt. Në këtë mënyrë, Marsela si shembull, paguan në shtet 50.698 lekë. Të themi 50 mijë për t’i vënë kapak. Sipas specialistit, kjo do të thotë rreth 600 mijë lekë në vit, apo për shqiptarët e thjeshtë që flasin me të vjetra 6 milionë lekë të vjetra në vit ndërkohë që gazetarja merr 8.4 milionë lekë të vjetra pagë vjetore.
-Bo bo... sa shumë... Epo, të paktën pak nuk janë.
Të mos mendojë kush se paguan pak taksa, dhe për këtë qëllim i duhet ta mbajë kokën varur. Se demek është shteti ai që po e mban me bukë. Përkundrazi. Ndryshe nuk do të mund të mbahej administrata, ushtria, policia, sistemi arsimor dhe ai mjekësor. Askush nuk duhet ta ndjejë veten inferior se nuk paguan dhe aq shumë taksa. Paguan dhe paguan mirë. Edhe pse sipër këtyre, shumë e shumë njerëz nuk gjejnë shërbim në klinikat dhe spitalet e shtetit ndaj i drejtohen privatit.
Shteti të thotë se ta ka siguruar diagnostikimin. Të ka siguruar analizat edhe pse reagentë herë pas here mungojnë dhe t’i s’e merr vesh nga se vuan e si duhesh kuruar. Të ka siguruar edhe një shtrat që ti të qëndrosh për sa kohë të duhet të rikuperohesh... të ka siguruar edhe një sallë kirurgjikale. Por mekanizmi është aq i ngadaltë dhe jofleksibël sa njerëzit për të shpëtuar jetën e tyre i drejtohen me urgjencë privatit.
E pra, taksat janë paguar ndërkohë. Por me ato para nuk dihet se çbëhet.
Kjo do të thotë se shqiptarë paguajnë shumë më tepër për shëndetin e tyre me pjesën e parave që u ka mbetur pikërisht pas detyrimit për të paguar të gjitha taksat në mënyrë që të mbetesh i pastër dhe në rregull me Qeverinë. Se qeveria të fut në burg po nuk pagove taksat. Dhe aty jo vetëm nuk paguan më taksa, por dhe bukën e ha qyl.
Ka dhe shumë të tjerë që nuk e shohin të udhës t’i çojnë fëmijët në shkollat e shtetit dhe gjithashtu i drejtohen privatit. Por taksat u janë mbajtur ndërkohë. Se shteti nuk të pyet ku i merr shërbimet ti. Ajo është zgjedhja jote. Ai nuk mban përgjegjësi këtu.
Por taksat t’i kërkon një më një ndërkohë. Provo të mos i paguash?!
I heqim të gjitha. Nuk na hyn në punë as debati i gazetares me kryeministrin dhe as debati i kryeministrit me gazetaren. I referohemi vetëm fjalëve të ekspertit. Sa na dhemb kurrizi ne të gjithëve, kur paguajmë taksat në shtet? Ose kur nuk i paguajmë ne me dëshirë por na i mban shteti me dhunë. Paguajmë sa thyhemi në mes për atë punë. Me këto taksa mbahet i gjithë aparati i shtetit. Dhe me kaq sa paguajmë për mbarëvajtjen e mekanizmit shtetëror duhet të ndihemi krenarë. Sepse tek e fundit paguajmë.
Por çfarë thotë kryeministri: “Taksat tona, taksat tona, taksat tona... Sikur ta dini sa taksa paguajnë ata që flasin për taksat do ishte vërtet një hap i madh përpara”.
Pano Soko e dinte se sa taksa paguan një shqiptar i punësuar. Por ja që unë nuk e dija. Tani që e mora vesh jam i gatshëm të futem në negociata e të bëj një marrëveshje: Mos e do gjithë rrogën time vëlla, ta derdhim në buxhet e ta mbyllim këtë muhabet...?
 

Friday, October 20, 2023

Në ditën e Enverit, evropianet hanë e pinë në Tiranë dhe mbushin me para Serbinë


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë u pa nga samiti?
Çfarë s’u pa thuaj.
U panë të gjitha në fakt. Se kamera kishte kudo. Dhe transparenca ishte maksimale
-Se ç’u tha e se ç'u bë unë s’mora vesh gjë. Por jot shoqe i mori vesh te gjitha. Po përgjonte prapa derës.
-Jo more.
Edi Rama edhe një herë e tregoi veten si organizator të paparë eventesh. I priti liderët e Evropës, dhe ata të Ballkanit Perëndimor, me këngë, valle e melodi. U ndez sheshi u ndez. Sepse dhe këta të fundit për herë të parë dilnin nga istikamet e tyre, për t’u mbledhur në një vend që deri dje e njihnin vetëm nga krismat e kallashit.
Po a i arriti qëllimet samiti?
-Besoj tani se ia arritëm qëllimit me këtë mbledhje. Ta mbyllim dhe secili prej nesh duhet të nxjerrë detyrat që i takojnë.
Thuhet se kur Bashkimi Evropian mbylli derën e anëtarësimeve, dhe i la ballkanasit në cep si jetimë të varfër, e gjendur ngushtë që kish përdorur sopatën, hapi Procesin e Berlinit me negociata. Dhe Procesi i Berlinit, - me pak fjalë dhe pa u trashur shumë,  - ka për qëllim që t’i bëjë vendet e Ballkanit Perëndimor të ndihen sikur janë pjesë e BE-së por pa u futur në BE.
-Është me një fjalë si një mashurkë e pabërë, - do të shkruante Shekspiri tek Nata e Dymbëdhjetë.
Kësaj i thonë të kënaqesh me lugën bosh.
-Jo mjaft i vjetër për të qenë burrë dhe jo mjaft i ri për të qenë djalosh.
Pare u dhanë boll se qëlloi që astari i një xhepi ishte grisur. Por përsëri u tha se Sebria mori pjesën e luanit. Dhe të mendosh që Presidenti Serb anashkaloi këtë takim të rëndësishëm, sepse kishte një takim akoma më të rëndësishëm. I kishte hipur avionit për në Kinë. Domethënë Evropa po e mban me të mira Serbinë dhe Vuçiçi vazhdon të hedhë vickla.
-Hidh vickla Lisimak Voci hidh, se të kanë lënë në hergjele.
Dhe meqë i kishte siguruar paratë e Evropës, vajti të hedhë një sy nga Lindja e Largët. Atje ku bën pjesë dhe Rusia.
-Në atë krah fli ti, një këtu e një atje. Një për dimër e një për behar. Nuk e pe që i ndritën sytë si të maçokut kur e pa atë që kaloi këtu.
Ndërsa kryeministri grek, edhe pse shumë i mërzitur që çështja “Beleri” nuk po merr zgjidhje, erdhi në Tiranë dhe pranoi të bënte një fotografi me kryeministrin shqiptar edhe pse i nxinte surrati.
-Nuk është mirë kështu. Të çarmatosësh patriotët nacionalistët.
Samiti kaloi në aheng të plotë ku vallëtarët e Ramës i valviti para syve Micotaqesit flamurin grek dhe atë shqiptar, si për t’i thënë se grekët e vërtetë kanë gjithë të drejtat e Zotit në Shqipëri e si nget kush. Por ata që kanë zell të madh të hiqen si grekë, - meqë kanë marrë një pasaportë të tillë, - i ka kapur ligji si hajdutë votash.
- Dhe ligjin e ka nxjerrë qeveria, nuk e bën Maliqi.
- Fjalë me vend. Nuk kemi asnjë ankesë. Na vret Zoti.
Evropianët u pritën si mos më mirë në Tiranë. Ata u shkulën së qeshuri ne shakatë e kripura të Duçes... të këtij Ramës, se u ngatërrova. Sidomos kur kryeministri, që luajti dhe rolin e një shefi kuzhine me specialitet brumrat, u dhuroi pjesëmarrësve nga një kuti picash ku brenda kishte nga një pjatë të stolisur me lloj lloj ngjyrash.
E pavarësisht se në gaz e sipër, Makroni, që ishte pjesë e Samitit por që erdhi dhe për vizitë zyrtare në Shqipëri, ia pat një thagme për mëdyshjen e liberalizimin e vizave të BE-së me Kosovën.
Epo Franca, si Franca. Ka të tjera terbjete.
-Po Evropi ç'thotë Ismail Bej?
-Po të jemi të bashkuar e në një mendje, do të na njohë.
-Aha, se ha atë pykë ajo rrospi, jo.
Samiti ishte i monitoruar e i fortifikuar. Policë në çdo kryqëzim. Gardistë majë pallateve me snajpera e dylbi. Dhe njerëzit e security-së me kostume të zeza ishin kudo. Nuk lëvizte miza e jo më ndonjë terrorist.
Pastaj si e qysh e tek, Samiti u zhvillua ditën e lindjes së Enver Hoxhës, pra më 16 tetor, në një ndërtesë që vazhdon të simbolizojë Muzeun e Diktatorit, dhe në një vizite tek vila 31 në të cilën ka jetuar Enver Hoxha, por që thuhet se është projektuar të shndërrohet në rezidencë artistësh... këto ose janë rastësira të patreguara, ose mbeten kode ende të pazbërthyeshme. Por me siguri do të  zbërthehen më vonë.
-Domethënë, qenka thënë të ngordh i shurdhër.
-Lëri llafet, ky është urdhër
Padyshim, Rama si mikpritës bëri maksimumin për t’i bërë të ftuarit të ndiheshin si në shtëpinë e tyre, me të gjitha llojet e performancave që ofroi. Dhe padyshim që në fund të fundit Samiti i Berlinit që kërkon të fusë brenda BE-së Ballkanin Perëndimor, por duke e mbajtur jashtë, mund të cilësohet i suksesshëm.
 


Tuesday, October 17, 2023

Tre anijet e mëdha të luftës, si u fundosën në bregdetin shqiptar


Nga Leonard Veizi
 
Në shekullin e XX, bilanci i ushtrisë italiane, në Shqipëri, nuk ishte aspak mbresëlënës. Në dy luftërat botërore, veç të tjerash, marina italiane do të linte në brigjet shqiptare dhe dy nga anijet më të mëdha të flotës së saj. Njëra prej tyre, “Regina Margerita”, një anije e rëndë lufte, e cila në vitin 1916 do të përfundonte në thellësinë e detit të Vlorës. Tjetra, anija-spitali “PO” do të fundosej në vitin 1941. Ndërkohë që edhe SS Lins, i mbiquajtur “Titatiku austriak” në vitin 1918 u bombarduua dhe u mbyt vetem pak milje nga Kepi i Rodonit. E megjithëse të zhytura në afërsi të brigjeve shqiptare asnjë prej anijeve të mëdha të flotës italiane, dhe as ajo austriake nuk u dëmtua nga forcat vendase, por nga kundërshtarët në rrethanat e përplasjeve të armatosura...
 
 
Regina Margerita”, kryqëzori italian shpërtheu në brigjet e Vlorës
 
Ajo njihej si anija më e fuqishme e flotës mbretërore italiane. “Regina Margerita”, u projektua si një kryqëzor. Me një gjatësi.6 metra, gjerësi 23.8 metra e lartësi 8.9 metra, ajo lundronte me shpejtësie 20 nyje e barabartë me 37 km tokësore. Ishte e armatosur me topa të kalibrave të ndryshëm ku më të mëdhenjtë ishin 4 topa 305/40 mm, 4 të kalibrit 203/40 mm,12 copë 152 mm, 20 copë 76 mm, etj. Si një anije pa të dytë të atyre përmasave deri në atë kohë, “Regina Margerita” do të luante rolin e flamurmbajtëses të flotës italiane. Ishin ditët e Luftës së Parë Botërore. Dhe veç kësaj kryqëzori në fjalë do të përfshihej edhe në Luftën Italo-Turke.
 
Në radën e Vlorës
Në muajin prill 1916 “Regina Margerita” mbërriti në radën e Vlorës nën komandën e kapitenit Giovanbattista Bozzo Gravina duke marrë funksionin e anijes udhëheqëse të divizionit naval e cila udhëhiqej nga kundëradmirali Cusani Visconti. Nuk ishte angazhimi i parë i këtij kryqëzori në ujërat shqiptare. Italia kishte vendosur hegjemoninë e saj mbi ishullin e Sazanit dhe mundohej të kontrollonte ngushticën e Otrantos. Mbas një cikël operacionesh në Vlorë, në muajin dhjetor të vitit 1916 jepet urdhri për rikthimin e “Regina Margherita” në bazën e Tarantos. Motivacioni fliste për kryerje punimesh mirëmbajtje. Ditën që duhej të lundronte për në Taranto rajoni i Vlorës u përfshi nga një mot me erë e dallgë e kushte shumë të vështira meteorologjike. Rreth orës 21.00, pas zvogëlimit të shtrëngatës, “Regina Margherita” me 889 burra në bord fillon lëvizjen për të dalë nga gjiri i Vlorës e shoqëruar dhe dy nga anije gjuajtëse “Indomito” dhe “Ardente”. Thuajse 30 minuta nga nisja e lundrimit, rreth orës 21.34, ndërsa gjendej në korridorin e kanalit të daljes së zonës së minuar ndërmjet Ishullit të Sazanit dhe Kepit të Gjuhës, dëgjohen dy shpërthime të forta. Sipas dëshmive të kohës, të marra prej të mbijetuarve, shpërthimi përfshiu pjesën fundorë të anijes dhe qendrën e saj deri në lartësinë e kaldajave. Kjo shkaktoi shpërthimin e kaldajave me avull si dhe të depos së eksplozivit. U deshën vetëm 5-6 minuta nga shpërthimi që anija të përfundonte në fund të detit. Komandanti i kryqëzorit dhe 614 anëtarët e ekuipazhit u mbytën. Vetëm 18 oficerë dhe 257 detarë u shpëtuan, falë ndihmës së anijeve të tjera. Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të Flotës Italiane në Luftën e Parë Botërore. E ndërtuar nga konstruktori Benedeto Brini, si një anije moderne, “Regina Margerita” konsiderohej e pamposhtur. Por nuk ndodhi kështu.
 
Historia e kryqëzorit
Viti 1901 është viti i përfundimit të ndërtimit të kryqëzorit Regina Margherita me një peshë prej 14. 574 tonelatash. Më parë ky kantier detar nuk kishte ndërtuar anije të këtij kapaciteti. Mbreti Umberto vendos që anijes t’i vihej emrin e bashkëshortes së tij. Me këtë rast ai nxori dhe një dekret mbretëror që mban datën 24 shtator 1898. Por Umberto nuk pati fatin ta shikonte të përfunduar anijen, pasi u vra në Monza në 29 korrik. Në vazhdim, do të ishte djali i tij, Viktor Emanueli III, që në 30 maj 1901 do të prezantonte publikisht këtë vendim. Kjo anije i dorëzohet Marinës Mbretërore në datën 14 prill 1904 dhe në datën 11 maj të të njëjtit vit, në bazën e marinës në Spezia, i dorëzohet flamuri i luftës nga vetë Mbretëresha Regina Margherita me motivacionin: “Për nderin e Italisë”. Për vetë rëndësinë e sajë anija “Regina Margherita” mbeti një anije flamur dhe në dispozicion të admiraliatit deri në datën 15 dhjetor të vitit 1910. Në fillim të vitit 1913 “Regina Margherita” caktohet me Forcat Detare të Bashkuara për patrullim dhe vëzhgim në Mesdheun Lindor në mbrojtje të ishujve të pushtuar të Egjeut
 
Konspiracioni mbi shkatërrimin e kryqësorit
Ende edhe sot nuk dihen shkaqet e vërteta të mbytjes së kryqësorit “Regina Margherita”: ishte një silurë e lëshuar në det nga ndonjë nëndetëse austriake që e shkatërroi, apo anija hasi aksidentalisht në ndonjë minë. Në relacionin zyrtar për mbytjen e kësaj anije, autoritetet deklarojnë: “Mbytja e anijes nuk mund të lidhet me veprime armiqësore, por më një fatkeqësi fatale të lidhur me shumë rrethana që e kanë shtyrë Komandën në vlerësime dhe vendime të gabuara“. Ndërsa të gjitha burimet dokumentare austro – gjermane ja atribuonin mbytjen e “Regina Margherita” një nëndetëse gjermane që i përkiste bazës detare austro -hungareze të Polas në Kroaci. Por këtë të dhënë e konfirmonin edhe historianët më në zë të marinës austro – hungareze. Së fundi, në një dokument gjerman të asaj kohe lexohet: “11 Dezembr 1916. Montag vor Valona sinkt Regina Margherita auf einer von U C- 14 gelegten Mine (ca. 600 +)”, ku praktikisht thuhet se anija ishte shkatërruar nga një minë e lënë në det prej nëndetëses UC -14. Ky version i fakteve mund të jetë edhe shpjegimi thirrjes të bërë nga komandanti i anijes Bozzo në çastin e shpërthimit të parë: “E kemi nga austriakët, ata na e kanë bërë!”.
 
Rigjetja e mbetjeve
Për shumë vite mbi vendndodhjen e anijes nuk ishte mësua asgjë. Në gushtin e vitit 2005 një ekspeditë italiane, me ish-oficerë marine e zhytësa, mbërritën në Shqipëri. Qëllimi i misionit të tyre ishte të gjenin reliken e anijes së Luftës së Parë Botërore. Ekspedita e IANTD kërkonte rrënojën e “Mbretëreshës Margerita” me objektivin kryesor që të kishin një mundësi e të përkujtonin njëqind vjetorin e fundosjes së saj. Nisur nga rëndësia e përvjetorit, pas marrëveshjeve me autoritetet shqiptare, ekspedita e IANTD filloi kërkimin në Vlorë nga 8 deri në 11 dhjetor 2005, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Në këtë rrënojë, të cilësuar me rëndësi të madhe historike, morën pjesë trajnerë, instruktorë dhe zhytës të IANTD, ekspertë në përdorimin e përzierjeve trimix dhe nitroks dhe me aftësi të dobishme për kryerjen e detyrave të ekspeditës; ato janë: Udhëheqësi i ekspeditës Fabio Ruberti, Udhëheqësi dhe organizatori i ekspeditës Cesare Balzi, video operatori Massimiliano Canossa, menaxheri organizativ Carla Binelli, menaxheri i sigurisë Fabio Agostinelli, fotografi Andrea Bolzoni, fotografi Nicola Boninsegna, zhytësi Michele Cocco, zhytësi Jacopo Ruberti, zhytësi Ilir Capuni.
I pari që kontaktoi me anijen e mbytur ishte Cesare Balzi, i cili përcaktoi dhe thëllësinë në të cilën ndodhej relika: 68 metra. Udhëheqësi i ekspeditës Fabio Ruberti me këtë rast ka publikuar dhe një artikull ku flet me detaje rreth historisë së kryqësorit “Regina Margherita” dhe zbulimit të relikeve në afërsi të Vlorës prej ekspeditës së IANTD Zbulimi, shkaktoi një interes të madh në mjaft media ndërkombëtare, ndërsa u pasqyrua fjalë ​ në të gjitha gazetat kombëtare, si dhe edicioni i lajmeve në kanalin kryesor të informimit për Italinë TG1.
-----------------------------------------------------
Historia e anijes spital “Po”
Edda Ciano, si i shpëtoi vdekjes në brigjet e Vlorës vajza e Musolinit
 
Ajo fle vetëm, 33 metra nën det, dhe vetëm një milje larg bregut të Radhimës. E shtrirë në pozicion lundrues, me bashin në drejtim të Sazanit dhe kiçin nga Radhima, vendndodhja e saj nën ujë është vetëm një milje nga bregu. Mbetjet e saj janë ende në gjendje mjaft të mirë ku strukturat e sipërme arrijnë deri në 17 metra nga sipërfaqja. Është anija spitalore "Po", e cila për nga madhësia cilësohet dhe si “Titaniku i Adriatikut”. E ndërtuar mes viteve 1909-1911 ajo pati një jetë 30 vjeçare. Ndërsa në vitin 1941 u mbyt në mënyrë tragjike, në brigjet e Vlorës.
 
Fronti
Lufta e Dytë Botërore kishte nisur ethshëm. Pas zbarkimit më 7 prill 1939 të ushtrisë italiane në Shqipëri, Musolini hodhi shikimin më tej. Në gusht 1940, ushtria fashiste, me rreth 120.000 trupa, sulmoi Greqinë, përmes territorit shqiptar. Pas një përparimi të përkohshëm, italianë u ndeshën në një territor tepër të thyer dhe në rezistencën e forcave greke. Dimri ishte i ashpër. Në lojë u fut dhe aviacioni britanik. Ushtria Italiane po shkonte drejt disfatës. Në kushte të tilla në dhjetor 1940 – janar 1941 filloi tërheqja nga fronti grek. Riatdhesimi i të plagosurve ishte në rend të ditës. Një nga pikat operative që u caktua në këtë periudhë, për sistemimin e të plagosurve, kurimin e riatdhesimin e tyre ishte edhe Radhima, në të cilën ndodheshin të dislokuara disa reparte ushtarake. Për këtë arsye në lug të Viroit u ndërtua një spital fushor. Meqenëse morali i ushtrisë italiane, veçanërisht i të plagosurve kishte rënë shumë, në prag të pranverës 1941, ata i vizitoi vetë udhëheqës fashist Benito Musolini.
 
Angzhimi
Imazhet që tregojnë Musolinin gjatë vizitën në Shqipëri e paraqesin atë të zymtë e të mposhtur. Ministri i Jashtëm, Galeazzo Ciano, i cili është dhe dhëndri i tij, e shoqëron kudo. Italia kishte sulmuar Greqinë por gjërat kishin shkuar shumë keq. Kishte filluar përmbysja e fashizmit. Ato muaj të ftohtë dimri, fronti grek ishte gjëja më e rëndësishme në axhendën italiane. Deri në ato çaste boshti Romë-Berlin-Tokio, nuk kishte humbur asnjë luftë. Ndërkohë që Italia po tregonte se ishte pika më e dobët e këtij boshti. Dhe kjo ishte një gjë shumë e rëndë për egon e Musolinit. Për të ndalur ekspansionin e ushtrisë greke e cila duke thyer në vazhdimësi trupat e ushtrisë italiane, dhe ishte futur në thellësi të territorit Shqiptar, Benito Musolini u nis drejt Shqipërisë. Ai e viziton të gjithë vijën e frontit nga Vlora deri në Tepelenë. Për t’i dhënë moral ushtarëve, Musolini angazhon të gjithë familjen e tij duke i sjellë në Shqipëri. Ishte Musolini i cili rekomandoi që edhe vajza e tij, e cila ishte gruaja e ministrit të Jashtëm Ganeazzo Cianno, të angazhohej me Kryqin e Kuq për tërheqjen e të plagosurve të luftës. Ndërkohë që edhe vetë Galeazzo Ciano ishte i pranishëm në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.
 
Spitalieri
Në Shtator të 1940, “Po” ishte anija e parë spitalore që u dërgua në Shqipëri. Kreu një mision transporti për të lënduarit dhe të sëmurët, si pjesë e operacioneve të pastrimit të spitaleve shqiptare në përgatitje të sulmit ndaj Greqisë. Ky plan "evakuimi mjekësor" u përfundua nga anija “Po” me një mision të dytë të të njëjtit lloj, në tetor 1940. Në mbrëmjen e 14 marsit 1941, “Po” mbërriti në Vlorë për të marrë të plagosurit dhe të sëmurë që kishin mbërritur nga dy spitale fushorë, numri 403, dhe një tjetër që ndodhej në kodrat përpara gjirit të Vlorës. Operacioni që do të zhvillohej të nesërmen në mëngjes. Pas mbërritjes, anija u ndal në gjirin e Vlorës, rreth një milje e gjysmë nga bregu. Edhe pse e pajisur me shenja për njohjen gjatë natës, anija u detyrua nga Komanda e Marinës së Vlorës të mbante dritat fikur, duke pasur parasysh frikën nga identifikimi i anijes “Po” në rast të një sulmi ajror, i cili do të përfshinte edhe vendndodhjen e njësive të tjera ushtarake dhe tregtare të ankoruara në afërsi.
 
Sulmi
Pas orës 23.00 të së njëjtës mbrëmje, kur shumica e ekuipazhit të njësisë ishin duke pushuar në ambientet e tyre, gjiri i Vlorës iu nënshtrua një sulmi nga ana e “Fairey Swordfish” të skuadronit 815 të Flotës Ajrore Britanike e cila ishte nisur nga aeroporti grek i Paramithisë. Luftanijet italiane “Luciano” dhe “Stampalia”, përdorën perde zjarri për vetëmbrojtje si dhe për të mbrojtur spitalierin. Por në orën 11:15 spitalieri “Po” u godit përpara në anën e djathtë nga një silur 730 kg, i lëshuar nga bombarduesi i togerit Michael Torrens Spence. Anija filloi të fundoset me shpejtësi. U dëgjua alarmi dhe ekuipazhi e personeli mjekësor u mblodhën në kuvertë, pas së cilës u ulën barkat e shpëtimit. Gjatë braktisjes së anijes, një prej varkave të shpëtimit u rrëzua: dy vullnetarë të Kryqit të Kuq, Wanda Secchi dhe Emma Tramontani, u plagosën, ranë në ujë dhe u mbytën. Maria Federici, gjithashtu një tjetër vullnetare e Kryqit të Kuq u mbyt edhe pas përpjekjeve të një oficeri, i cili u hodh në det për ta ndihmuar. Vetëm pak minuta pas bombardimit anija ishte fundosur.
 
Bilanci
Disa prej të mbijetuarve u kapën në pjesët e shkëputura të anijes, të tjerët notuan drejt bregut. Disa të mbijetuar, mes të cilëve dhe Edda Ciano, e hipur në anije si vullnetare e Kryqit të Kuq, u morën nga një varkë peshkimi, teksa ishin kapur pas copave të një varke shpëtimi të dëmtuar, e cila mbeti gjysmë e zhytur sepse ishte ende e lidhur me anijen spitalore. Në fundosjen e anijes “Po” nga 240 njerëz në bord, humbën jetën 23 prej tyre, 3 punonjëse të Kryqit të Kuq dhe 20 detarë. Propaganda italiane nuk fliste për një sulm të qëllimshëm, sepse anija “Po” ishte lënë në errësirë, por nxori në pah vdekjen e 23 personave, veçanërisht vullnetarëve nga Kryqi i Kuq. Ndërsa u bënë përpjekje me urdhër të drejtpërdrejtë të Mussolinit, për të mos nënvizuar praninë e Edda Ciano-s midis të mbijetuarve. E megjithatë lajmet u përhapën në mënyrë të shpejtë.
 
Nga avullore pasagjerësh në spital me 600 shtrerër
E ndërtuar mes viteve 1909 dhe 1911 së bashku me binjaken “Helouan” për Lloyd Austriak, me qendër në Trieste, anija u quajt “Wien”. Ajo fillimisht ishte me avullore, me 7357 tonazhe bruto dhe 3199 tonazh neto: ndërsa valëviste flamurin austro-hungarez. Me gjatësi 134, gjerësi 17 metra, anija kishte dy motorë me avull, mundësuar nga tetë kaldaja dhe kapte një shpejtësi mjaft të mirë për kohën, 17 nyje. Në kabina mund të futeshin 185 pasagjerë në klasin e parë, 61 në të dytin dhe 54 në të tretin. Në funksion të hyrjes së Italisë në Luftën e Dytë Botërore, anija “Po” në 21 maj 1940 u regjistrua si anija ndihmëse e Shtetit, këtë herë si një anije e vërtetë spitalore, me 600 shtretër. Anija, e pajisur me mjete mjekësore të përshtatshme e cila përfshinte një dhomë operacioni, disa klinika dhe salla zhveshjesh, dhoma të pajisura për laboratorë radiologjie dhe analize dhe staf mjekësor të hipur në bord, hyri në shërbim në korrik të 1940. Gjatë kohës së shërbimit të saj si anije spitalore, “Po” realizoi 14 misione, duke transportuar gjithsej rreth 6600 të lënduar e të sëmurë, 2300 të plagosur, si dhe 4300 të sëmurë nga Libia dhe Shqipëria.
----------------------------------------------------------------
 
SS Lins, “Titatiku austriak” që u fundos në brigjet shqiptare
 
Ajo është cilësuar dhe si një nga tragjeditë më të mëdha detare të historisë. Për më tepër se 100 vjet skeleti i saj me gjithçka kishte brenda prehet në ujërat shqiptare. Ndërkohë, mbetjet e anijes së madhe transportuese u zbuluan në Dhjetor 2000 nga zhytësit austriakë në një thellësi prej 45 metrash... Gjatë Luftës së Parë Botërore, anija “Linz” e mbiquajtur dhe si “Titaniku austriak” do të lundronte nga Kroacia drejt brigjeve të Durrësit me mbi 1003 persona të regjistruar në bordin e saj që ishin ushtarë, personel i kryqit të kuq, si dhe shumë robër lufte.
 
Udhëtimi i fundit
Lufta e Parë Botërore ishte në vitin e fundit por ende nuk kishte përfunduar. Mesnatën e 19 marsit të vitit 1918, anija transportuese e marinës Austro-Hungareze Linz, e cila ishte nisur nga Rjeka e Kroacisë po i afrohej Durrësit. Vetëm 7.4 kilometra në veriperëndim të Kepit të Rodonit transportieri u godit nga një silurë. Ky është edhe një nga versionet, pasi një i dytë pretendon se aniha kishte hasur në një minë. Paniku ishte i madh, pasi në bordin e anijes ndosheshim me qindra njerëz, civilë e ushtarakë që duhet të zbrisnin në port. Në panikun e çmendur, ishte e pamundur të organizoje shpëtimin e njerzve që ndodheshin në bord. Më kot oficerët e anijes bërtisnin: "Gratë së pari!". Askush nuk i dëgjoi. Madje paniku nuk u zbut as kur oficerët e anijes u përpoqën të ndalonin ushtarët në panik me të shtëna arme. Turma e pavetëdijshme u hodhën sipër njëri tjetrit për të marrë varkat e shpëtimit. Vetëm 20 minuta pas shpërthimit i janë dashur anijes transportierit të madh që të përfundonte 30-40 metra poshtë sipërfaqes së ujit, e të përplasej me fundërrinën e Adriatikut. Mbi sipërfaqe, me dhjetra njerëz që kishin arritur të dilnin po kërkonin ndihmë, ndërsa shumë të tjerë anija i kishte marrë me vete. Vetëm 300 persona u arrit të shpëtohen. Shkaqet e vërteta të mbytjes nuk do të sqaroheshin dot kurrë.
 
Itinerari Rjeka-Durrës
Itinerari i zakonshëm ishte nga Rijeka për në portin e Zelenikës në Gjirin e Kotorrit, dhe prej andej anija merrte rrugën për në Durrës. “Lins” kryesisht transportonte trupa, dhe në udhëtimin e saj të fundit dërgonte përforcime në frontin shqiptar, ushtarë që ktheheshin nga liridalja si dhe 413 robër italianë. Kishte 30 gra midis udhëtarëve, që ishin gra të oficerëve dhe infermiere të Kryqit të Kuq. Shumica e të burgosurve italianë vinin nga kampi i burgut Ostffyasszonyfa dhe drejtoheshin të punonin për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Anija “Lins” ishte nën komandën e Kapiten Tonello Hugo. Transportuesi zgjidhi litarët pasditen e 18 Marsin në 6:30 dhe u nis nga skela Zelenika. Nisja u zhvillua në një atmosferë pothuajse paqësore. Por fakti që nuk ishte një ekskursion u bë i qartë nga shoqërimi i armatosur, i një torpediniere, e cila, që nga çastin e nisjes, shoqëroi anijen nga afër përmes ujërave të rrezikshëm të Adriatikut. Ndërsa ishte në udhëtim nga Rijeka në Durrës “Lins” shoqërohej gjithsesi nga nga tre anije të Marinës Austro-Hungareze: Kryqëzori “Balaton”, si dhe dy anije të tjera luftarake me silura TB-74 dhe TB-98. Madje sipas raportimeve në komandën e lartë ushtarake Austro-Hungareze, dhe TB-98 u sulmua nga një nëndetëse armike por pa sukses. Pas dëmtimit të “Lins”, “Balaton” dhe dy torpedinieret, apo thënë ndryshe “anijet me silurë”, arritën të shpëtonin 306 pasagjerë si dhe ekuipazhin.
 
Në bord
Anija kishte zyrtarisht në bord 1,003 pasagjerë, nga të cilët 413 ishin italianë të burgosur lufte që transportoheshin në kampe pune në Shqipëri. Pas një ndalese në portin e Zelenikës, Linz mendohet të ketë pasur në bord të paktën 3000 frymë. Fillimisht u dha lajmi zyrtar se një total prej 697 pasagjerësh dhe ekuipazhi humbën jetën, përfshirë 283 italianë të burgosur lufte dhe një infermiere Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq. Por mendohet se anija mbante gjithashtu disa qindra pasagjerë të paregjistruar, kryesisht ushtarë austro-hungarezë që ktheheshin nga pushimi, të cilët hipën në Linz ilegalisht në Zelenika. Kjo do të nënkuptojë se numri i viktimave ishte shumë më i lartë se 697; disa vlerësime shkojnë deri në 2,700 njerëz të mbytur në ujrat e Adriatikut.
 
Të dhënat
“SS LINZ” ishte një anije tregtare prej 3820 tonë, e ndërtuar në vitin 1909 dhe e zotëruar në kohën e humbjes së saj nga “Lloyd Austriaco” në Trieste, Itali. Linz u rekrutua nga ushtria austriake dhe përdorej për të transportuar trupa dhe të burgosur për në Shqipëri. Anija kishte një gjatësi prej 105 metrash, e gjerë 13,3 metra, 3,819 GRT (tonazh i regjistrit bruto) nuk ishte një nga njësitë më të mëdha, por nuk ishte menduar për ujëra të largëta, dhe përfundoi kryesisht si anije poste dhe trafiku për udhëtarë. Helika e tij e vetme mundësohej nga një motor me avull me 3.900 kuaj fuqi, i cili e lejoi atë të arrinte një shpejtësi të fortë 12.5 nyjesh.
 
Epilogu
Në qytetin e Durrësit është përurua pranë mureve të kalasë memoriali në përkujtim të 2700 viktimave të anijes “Loyd Linz” dhe anijeve të tjera të Marinës Austro-Hungareze, të cilët humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore. Tragjedi të tilla kanë ndodhur edhe me disa anije të tjera austro-hungareze. Ky memorial ku shkruhet në tri gjuhë: shqip, gjermanisht dhe në gjuhën hungareze kujton pikërisht tragjeditë detare të asaj kohe me motivin: Përkujtoni ata dhe të vdekurit e të gjitha luftërave – fati i tyre na bën thirrje për pajtim.

Thursday, October 12, 2023

Nga Hrushovi te Makroni..., shqiptarët paguajnë tavolinat


Nga Leonard Veizi
 
Shqipëria po ia bën fora. Po hedh lek të madh për të nderuar veten. Nuk është hera e parë. Se kemi pasur dhe raste të tjera. Fjala vjen: ia kemi bërë fora kur na ka ardhur për vizitë tavarish Nikita. Mish e raki pa hesap. E gjezdisëm edhe ku deshi. Deri në Butrint e çuam. Por atij nuk i hyri në sy antikiteti i Butrintit. Ta bëjmë bazë nëndetësesh, tha.
Kulmi.
Më pas na erdhi shoku Çu i Kinës. E pritëm me limuzinë të hapur. Pastaj u shtrua vençe, aq sa dhe shokët e nderuar të Partisë: Enveri, Hysniu e Mehmeti u ngritën në valle për të shoqëruar Çu-në.
Por si burrat ia kemi bërë edhe kur na erdhi Shtrausi i Bavarisë. Hajde si ka valuar mishi i pjekur në hell asokohe. Një qengj të tërë e hëngri Franci, fill i vetëm. Dhe la për kamerierët që lëpinin buzët vetëm garniturën: Ç’i dua, - u tha atyre kur e pyetën se përse nuk i konsumoi karotat e marulet. - Të gjitha këto, i ka ngrënë ky, - dhe drejtoi gishtin nga kockat e qengjit. Barku po i ishte bërë kacek. Nënteksti ishte i qartë: Ai ka ngrënë ato, unë hëngra këtë. Zinxhiri ushqimor me një fjalë.
Dhe kur ndodhte kjo hata pa, pikërisht kur në dyqanet tona shkruhej “mish” e brenda gjeje vetëm një kasap, por pa hanxhar në dorë.
Tani së fundmi kemi mysafirë krerët e Evropës: Ursulën, Olafin, Emmanuelin... e të tjerë e të tjerë.
Mikpritje e paparë. Lajmet thonë se Samiti i Procesit të Berlinit që do zhvillohet në Tiranë do kushtojë 51 milionë lekë. Rrumbullak. Të reja ore, se mos e merrni jangëllësh. Shqipëria përsëri e zgjidh qesenë. Në djall të vejë, një herë vdes njeriu. Pse për kaq gjë do turpërohemi ne? E të mbahemi mend në Marenë e të thonë: Na ishte një herë një... Lëre fare. Më duket se ngatërrova regjistër.
Shkurt muhabeti: Për të tilla raste nuk kursehemi ne. Po pse si thoni ju, me kafe e ujë të gazuar do t’i përcjellim miqtë? Një herë “martohet” robi.
Dhe Samiti në fjalë mbahet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Domethënë ata... evropianët po na bëjnë goxha nder. Dhe kujt pa...
Shqipëri hesapi.
Prandaj dhe ne nuk duam të turpërohemi e të na përflasin pas krahëve: Vajtëm te Rama po s’u tund vendit hiç. Na bëri një trahana për darkë mos na binte rëndë në bark. Një çaj me bustinë në mëngjes dhe na përcolli në aeroport. Ndaj më nuk shkelim asaj ane.
Jo, ne shyqyr që e kapëm zogun... rastin, e kisha fjalën. Tapete të kuq. Flamuj në çdo shtyllë elektriku dhe muzikë: baladë për violinë e orkestër nga altoparlanti.
Po paskemi pasur paratë e dynjasë ne si buxhet?! Pse qahemi? Ja, mezi u ngritëm ca rrogat deputetëve dhe gjyqtarëve, por nuk na del për pensionet, jo po, po dështon skema e sigurimeve shoqërore... jo po... ujku të të çajë.
-Ka pare Hekurani, ka pare. Mos e bëni qejfin qeder, – u thoshte të ftuarve majë karrocës Hekuran Romalini që ishte dhe baba e MaoCeDun-it e që kish ftuar në ditëlindjen e të birit dhe vetë ambasadorin e Kinës së Madhe.
Në Fletoren Zyrtare numër 146 saktësohet se efekti financiar, prej pesëdhjetë e një milionë lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.
Birinxhi. Ja u zgjidh edhe kjo punë.
Një herë e një kohë u bë “Dasma e Malos”. E mbani mend besoj. Për ata që s’e njohin historinë e gjejnë pa vështirësi në youtube. Ahengu për Malon zgjati një javë. Dasmorët lanë punën dhe shkuan të hanin e të pinin sa t’u mbante barku. Dhe për këtë u ngrit edhe një këngë, që u bë e famshme e mori dhenë.
 
Po martojmë Malon
Harxhet shkojnë lumë
600 dasmorë
Gjashtë net pa gjumë.
 
Dëme solli dasma
Harxhe nga sikleti
Më shumë se këto dëme
Solli veç tërmeti.
 
Veç kur dasma mbaroi i zoti i shtëpisë që kishte zgjidhur qesen, ku pa që në qese nuk i kishte mbetur asnjë qindarkë, vuri gratë e shtëpisë të mblidhnin para sa të mundeshin duke i vënë një çmim të kripur edhe kafes së çikores edhe gotës me ujë pusi.
-Duhet të dorovisim gjë?
-Epo e do zakoni.
Dhe monedhat e fundit përplaseshin mbi tabaka.
-Me jetë të lumtur. E me një borokoç mashkull.
Ne si vend me sa duket e kemi kaluar periudhën e tranzicionit. Ndaj nuk na e bën më syri tërrt. Po ecim përpara me hapa gjigantë. Madje kemi kaluar dhe periudhën e fukarallëkut. Plasi leku, plasi.
-Dhjetë franga e lart. Para jo llafe.
-Shtet i madh byrazer. Duçja e ka bërë Italinë xhenet mor xhenet.
Ore po kam hall se nesër do dalim përsëri për ndonjë eurobond andej nga pazari?! Se si shumë të zhytur jemi. E kështu si e kemi zënë do dalim e të lypim bankë më bankë ndonjë pare të thatë.
-Më jep dy lek zotni!
-Zoti të dhashtë!
 
 

Wednesday, October 11, 2023

Komandanti Çe, rebeli që u vra për një kauzë tiranike


Nga 
Leonard Veizi
 
Të rinj të pamësuar me dhunën e një regjimi diktatorial siç ishte ai i së majtës ekstreme komuniste, por dhe të tjerë që e besojnë si ideal, - që pikërisht ky regjim politik do ta lulëzojë botën dhe do bëjë që njerëzit të jenë të barabartë, - e mbajnë portretin e tij të stamposur nëpër bluza pambuku ose e kanë bërë tatuazh në një nga pjesët më të dukshme të trupit...
 
...Tanimë ai është kthyer në një mit. Revolucionar idealist, ai ishte një komunist që mbeti i papërlyer me pushtetin, paratë dhe favoret. Por iu përkushtua kauzës. Për këtë dhe u vra. Ndaj fytyra e tij me mjekër tipike dhe beretë në kokë ku bie në sy ylli i kuq pesëcepësh, është një simbol që shfaqet dukshëm kudo ku ka grupime me idealë të së majtës.
Fidel Kastro, pas fitores në Kubë, nuk arriti ta mbante dot pas tavolinën e ministrit në kabinetin kuban. Guevara zhveshi kostumin, veshi rrobat ushtarake, mbathi kambalet, vuri përsëri në kokë beretën dhe u nis për revolucionet e ardhshme. Ai ishte i prerë për të qenë një luftëtar edhe pse Amerika Latine nuk arriti të bëhej e Kuqe ashtu si Lindja me Bashkimin Sovjetik në krye e Kinën në bisht.
Në vetvete Guevara, apo Komandanti Çe, mbeti një rebel i pakthyeshëm, një komunist idealist që me sa duket nuk arriti ta kuptojë thellësisht, ose nuk pati kohën e mjaftueshme për të kuptuar se sa viktima solli regjimi për të cilin ai dha jetën.
 
Nëpër Amerikën Latine
Për Ernesto Çe Guevarën gjen informacione pafund, në gjithfarë botimesh ku flitet për jetën dhe bëmat e tij. Për të thuhet se u lind në Rosario të Argjentinës më 14 qershor 1928. Ishte më i madhi nga pesë fëmijët e një familjeje të shtresës së mesme. Babai, por më shumë nëna e tij, ishin aktivistë politikë. Në vitin 1948, Guevara hyri në Universitetin e Buenos Aires për të studiuar mjekësi, por u largua për të nisur atë që do të njihej si "ditarët e tij me motor".
Udhëtoi i vetëm nëpër Argjentinën veriore në vitin 1950 me një motoçikletë të improvizuar. Mes viteve 1951-1952, me mikun Alberto Granado bëri një udhëtim 8000 miljesh, tetë muaj në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut dhe në veri në Majami. Guevara ishte dëshmitar i varfërisë dhe padrejtësive ekstreme. Udhëtimi nxiti interesin e tij në rritje për komunizmin - dhe një urrejtje për kapitalizmin. Ai nisi të besonte se një zgjidhje mund të arrihej vetëm me revolucion të dhunshëm.
Guevara u kthye në shkollë dhe mori një diplomë mjekësie në vitin 1953. Ai shpejt udhëtoi përsëri nëpër Amerikën Latine dhe përfundimisht në Guatemala, iu bashkua një përpjekjeje të armatosur të pasuksesshme për të mbrojtur përmbysjen e presidencës së reformistit të majtë Jacobo Arbenz të mbështetur nga CIA. Kjo përvojë çimentoi angazhimin e tij ndaj marksizmit, si dhe përbuzjen e tij për Shtetet e Bashkuara.
 
Me Kastron
Guevara mbërriti në Mexico City, ku u martua me Hilda Gaeda. Në vitin 1955 takoi udhëheqësit rebelë Fidel dhe Raul Kastro, të cilët po planifikonin revolucionin e tyre të armatosur për të rrëzuar qeverinë e diktatorit Fulgencio Batista. Më 1 janar 1959, komunistët përmbysën qeverinë dhe morën kontrollin e Kubës. Guevara u bë shtetas kubanez, u divorcua nga gruaja e tij e parë dhe u martua me një kubane të quajtur Aleida Març. Ai u emërua president i Bankës Kombëtare të Kubës, dhe më vonë kreu i Ministrisë së Industrisë, e cila përfshinte udhëtimet globale si ambasador për Kubën. Por në vitin 1965, Kastro njoftoi se Guevara i kishte shkruar një letër lamtumire, ku e linte Kubën dhe shtetësinë kubaneze për të luftuar imperializmin në vendet e tjera të Amerikës së Jugut.
 
Takimi i fshehtë me Mehmet Shehun
Ernesto Che Guevara ka mbërritur edhe në Shqipëri. Vizita e tij është zhvilluar mes datave 3 dhe 5 Mars 1960. Ky është një fakt i bërë publik tanimë. Ishte një ditë e ftohtë dhe binte një shi i imët kur heroi i luftërave ilegale të Kubës, mbërriti në Rinas. Misioni i tij ishte i fshehtë dhe asnjëri prej atyre që shoqëruan Çe Guevarën nuk e morën vesh se çfarë bisedoi ai me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu. Ky mision mbeti i kyçur për 50 vite me radhë në kasafortat e arkivit të shtetit si edhe në kartotekën e kujtesës së Mehmet Shehut.
Mehmet Shehu e ka pritur me shumë përzemërsi luftëtarin e paepur të së majtës ekstreme. Për Çe Guevarën, Kryeministri shqiptar, ishte luftëtar i shquar i Brigadave Internacionaliste në Spanjë, ish-komandanti legjendë i Brigadës së Parë Sulmuese Partizane, dhe udhëheqës i shquar i Shtetit Shqiptar. Në takim ishin të pranishëm vetëm katër vetë. Në fund Kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë-surprizë. Dëshmitarët kanë thënë më pas se Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar nga Shehu, u ul në gjunjë dhe puthi armën.
 
Fundi i aventurës luftarake
Në vitin 1965 Guevara u nis për në Kongon Afrikane, për të mbështetur dhe trajnuar rebelët e të udhëhequr nga Laurent Désiré Kabila. Përpjekja për çlirim dështoi keq, dhe Guevara shpejt u kthye në fshehtësi në Kubë. Më pas ai udhëtoi për në Bolivi, ku u bashkua me rebelët guerilë në një përpjekje për të rrëzuar René Barrientos. Mungesa e mbështetjes lokale, ardhja e CIA-s dhe një gjueti e udhëhequr nga “Rangers” bolivianë të stërvitur nga Amerika, do t'i sillnin një fund të shpejtë misionit.
Më 8 tetor 1967, forcat “Rangers” të Bolivisë kapën Guevarën dhe, më 9 tetor, ai u ekzekutua në La Higuera me urdhër të komandës së lartë të ushtrisë. Sipas The New York Times, një oficer i CIA-s ishte i pranishëm për ekzekutimin e Guevarës, megjithëse operativi më vonë tha se CIA e donte atë të gjallë.
Fotot e trupit të vrarë të Guevarës u bënë publike dhe duart e tij u prenë dhe u dorëzuan në Kubë për të vërtetuar vdekjen e tij. Megjithatë, vendi i varrimit të Guevarës u mbajt sekret deri në vitin 1997, kur eshtrat e tij u identifikuan dhe u kthyen në Kubë. Ai u rivarros në një mauzoleum në Santa Clara.
Udhëheqësi revolucionar komunist, ishte 39 vjeç kur u ekzekutua.
 
“Përgjithmonë komandant”
“Hasta siempre” është titulli i këngës së kënduar nga Natali Kardone, si versioni më i qarkullueshëm.
“Hasta Siempre, Comandante,” “Përgjithmonë komandant”, është një këngë e vitit 1965 nga kompozitori kuban Karlos Puebla. Teksti i këngës është një përgjigje ndaj letrës së lamtumirës të revolucionarit Çe Guevara kur ai u largua nga Kuba, në mënyrë që të nxiste revolucionin në Kongo dhe më vonë në Bolivi.
Teksti tregon çastet kryesore të Revolucionit Kuban, duke përshkruar Che Guevara dhe rolin e tij si komandant revolucionar. Titulli është pjesë e thënies së njohur të Guevarës "Hasta la victoria siempre!" (“Deri në fitore, gjithmonë!”).
 
Një mit i suvatuar
Guevara u kthye në një nga ikonat më të diskutueshme të shekullit të XX. I romantizuar si martir dhe hero nga shumë njerëz, fytyra e tij është stampuar në monedhën kubane. Jeta e tij ka qenë temë e filmave, librave dhe dokumentarëve. Një imazh tashmë i famshëm i Guevarës i veshur ushtarak, me një beretë me yll është bërë një simbol ikonik i rebelimit, i suvatuar jo vetëm në bluza e postera por dhe në shumë mure qytetase. Por të tjerë e konsiderojnë atë një tiran të pamëshirshëm që promovoi komunizmin, fajtor për shkeljet e të drejtave të njeriut.
Pesëdhjetë vjet pas vdekjes së Guevarës, The New York Times shkroi se, “në mënyrë paradoksale, rebeli ishte bërë një simbol i ndryshimeve historike me të cilat ai nuk identifikohej, për të cilin ai nuk luftoi dhe që u rrit vetëm pas vdekjes së tij.”
 

Monday, October 9, 2023

Sikur të isha vajzë... dhe jo djalë


Nga 
Leonard Veizi
 
Nami në rrjetet sociale. Aq nam sa njerëzit nisën e të flisnin përçart. Thonë se në këto raste, çka barku nxjerr bardhaku. Po ec e ta vërtetosh...
Një herë e një kohë Haki Stermilli shkroi romanin “Sikur të isha djalë”. Por sot ka ardh puna me u shkrujt një tjetër roman por këtë herë me titullin: “Sikur të isha vajze”. Po pse?, - do pyesë ndokush. Në fakt ky nuk është as ndonjë mendim i im i drejtpërdrejtë, por rrjedhojë e humorit mbarëpopullor. Sepse ndodh rëndom që kur merret vesh se sa paguhen eskortat e klasit të lartë, shumë meshkuj tundin kokën të trishtuar dhe thonë: Si s’na boni Zoti femna por jahu.
Kështu më ndodhi me një të njohurin tim, tek po ndanim një kafe dhe ai si si gjithë të tjerët, - meqë përtonte të blinte një gazetë, -  kishte zhytur kokën brenda ekranit të celularit nga ku mendonte se po merrte informacione me diapazon ndërkombëtar.
Trapeza e kafesë kishte mbetur pa tekst, por atë çast ai lëshoi pa kujdes aparatin e celularit mbi syprinë, ngriti kokën e tundi pak e duke shqyer sytë tha mendueshëm: Sikur të isha vajzë.
Duke e menduar fillimisht si lapsus ia ktheva: E ke gabim. Haki Stërmilli ka shkruar romanin: Sikur të isha djalë. Por ke hak, kanë kaluar vite dhe e ke harruar.
Tjetri tundi përsëri kokën por këtë herë me një tjetër nënkuptim, si për të më thënë: je në këtë botë ti apo jo.
-Lere Hakiun, se ka 100 vjet që e ka shkruar atë roman. Duket që nuk je azhurnuar me lajmet e fundit. Le po je dhe gazetar.
Pika pllakave... Se u ngatërrova: pika gazetarit, - desha të them.
U ndjeva në faj. E që të mos dukesha nul hapa dhe unë celularin që prej ca kohësh kam vendosur ta përdor vetëm në rast rreziku. Po të le njeri... Që në ballë më doli lajmi se një femër VIP nga Shqipëria i kishte shku nata në Dubai... fififiuuuuu... O të keqen lala e t’u bofsha kurban.
-Prandaj po të them, duhet shkruar një roman i ri tani, - vazhdoi i njohuri im. – Se ti je dhe si punë kamelxhiu, si ai.... Nesti i Postës. Ndaj futju punës.
Unë ngrita supet nga paaftësia aq sa u bëra për t’i ardhur keq gurit e drurit.
-Se shkruaj dot, se jam mashkull.
Dhe në mend më erdhi sërish një batutë nga filmi “Përrallë nga e kaluara”
-Pije uratë, pije
-Po jam prift njeri
-E di urat, e di po pije.
Dhe urata vuuuu... gotën e verës me fund aq sa nuk pa më nga sytë e ia mori valles.
Domethënë na paska ardhur koha të shkruajmë romanin “Sikur të isha vajzë”.
Tobestrakurullah.
-Një javë punë byrazer dhe i thua fukarallëkut tutje. 100 mijë dollarë nata. A e sheh se ç'bëhet?
-E shoh o Qazimo, e shoh.
Lek vëlla lek. U shqepën shqiptarët me pare. Ca me shtëpi bari, ca duke u bërë qefin sheikëve. E ca të tjera kriminelëve. Epo një punë do ta bëjnë tani se dhe duarkryq nuk rrihet.
Pasaniket e Dubait janë vënë në garë. Para me grushte për femrat VIP. Jo vetëm e bukur dhe seksi, por të jetë dhe personazh publik. Këshu thonë axhanset, pa ç’rëndësi ka në është e vërtetë apo një falsitet. Ku ka zë nuk është pa gjë. Se nuk është hera e parë që flitet për femrat shqiptare të Dubait. Edhe po të jetë e vërtetë sërish ç'rëndësi ka. Te e fundit me djersën e tyre të ballit po jetojnë. Të jep njeri lek qyl? Asnjeri. As një gur me ça kokën s'ta jep tjetri, se i dhimset. Një pjatë supe edhe mundet...
Tirana tronditet herë pas here me lajme për femrat shqiptare që u çanë duke bërë para të thata e të patatueshme në vendet e pasura me arin e zi. Lajme sekrete. Lajme misterioze. Lajme që përbëjnë sekret hetimor, por kanë rrjedhur nga dosjet. Domethënë flitet për njerëz me precedent. Se djemtë e mirë nuk përfundojnë tek dosjet e SPAK-ut.  
Po kush i nxirrka këto lajme? Se nuk është hera e parë që na rrjedhin sekretet nga dosjet e kasafortës. Kush është ai kodosh prokurori që hedhka në treg sekrete? Se duhet të jetë goxha trim besoj.
-Jo, duhet trimëri apo jo. Trimëri edhe aftësi. Ju i keni të dyja. Jeni dhe i pashëm - i thoshte duke nënqeshur oficeri i OVRAS tenente Gurabardhit, teksa ky i fundit po bënte hazër një duhan me të dredhur. Le po i kujtoi dhe shtratin e butë të sinjora Bertinit.
Në Dubai njerëzia shkon edhe pa viza. Hipi avionit dhe drejt e në vend të shpie. Pazari po është kopsitur. S'ka tërci e vërci.
-Eh sikur të isha vajzë, - psherëtinte bashkëbiseduesi im dhe vazhdonte të lexonte lajme nga celulari.
Me siguri po i kthehej në obsesion.
-Thonë që bëhesh, por duhet me kapërcy ylberin, - ia ktheva.
Dhe ec e ta gjesh ylberin. Rrugë e gjatë.
-Ore po thonë që janë mashtrime pale... videot i paska bërë njoni me inicialet AI. Di gjë ti?
Me siguri e di prokurori nga dosja e të cilit ka rrjedhur informacioni. Sepse mua atë çast m’u kujtua vetëm batuta e Çelos tek filmi “Nxënësit e klasës time”
-Dje më kapi Çelo Kasapi. Kërkonte të ndërhyja mik për të birin “Më mirë një mik se një çiflig”, - me tha. Ore Çelo, - i thashë, - unë nuk punoj në çiflig. Unë jam agronom në fermë.
Kështu dhe puna ime: unë gazetar në fund të rreshtit aty në gazetë jam. Nga ta di unë i ziu.
Po te e fundit ç’rëndësi ka nëse ishte i vërtetë lajmi në fjalë apo e kishte prodhuar inteligjenca artificiale. Lajme të tilla ka boll, dhe janë krejt reale.
 

Wednesday, October 4, 2023

Xhenis Xhoplin, vdekja tragjike e mitit të bluzit amerikan


Nga 
Leonard Veizi
 
Mbrëmjen e më 4 tetorit të vitit 1970, në dhomën 105 të hotelit “Landmark Motor” në Hollivud – i cili tanimë mban emrin Highland Gardens - u gjet pa jetë në dysheme trupi i një femre të re. Ishte ditë e diel. Ai që e gjeti kufomën, me një cigare në njërën dorë dhe disa paratë në dorën tjetër, ishte miku i saj i ngushtë Xhon Bërn Kok. Alkooli ndihej i pranishëm në dhomë. Fillimisht autoritetet policore përveçse një shishe alkooli vunë re gjithashtu dhe një shiringë, por jo drogë. Edhe media fillimisht raportoi se nuk kishte droga dhe aq mjete të tjera të pranishme. Por e vërteta ishte krejt ndryshe, pavarësisht alibive dhe teorive të konspiracionit që u ngritën rrufeshëm rreth vdekjes së saj. Nuk ishte e vështirë për të vërtetuar se ajo kishte konsumuar dhe drogë gjë që e kishte përshpejtuar procesin. Në raportin zyrtar të mjekut u shkrua se ajo vdiq nga një mbidozë heroine. Ndërkohë që shumëkush e konsideroi si një: mbidozë aksidentale. Vajza, e cilësuar si legjenda e rock and roll-it quhej Xhenis Xhoplin. Dhe ishte 27 vjeçe...
 
...Në vitet 60 ajo u njoh gjerësisht si ikona amerikane e muzikës rok dhe si i këngëtarja kryesore e bardhë femër e bluzit, e cila mahniti dëgjuesit me egërsinë e saj. Cilësohej si një nga interpretueset më të suksesshme të epokës së saj. U shqua për një vokal mezo-soprano të fuqishëm dhe performancë elektrizuese në skenë.
 
Xhoplin në Tiranë
Në Tiranën e viteve ’80 Xhenis Xhoplin ishte një këngëtare që njihej vetëm nga grupime të caktuara njerëzish, ose më saktë nga individë të veçantë që kishin një qasje tjetër ndaj rrymave të ashpra të muzikës moderne. Të paktën 10 vjet pas vdekjes së saj, në Tiranën e mbyllur e me informacion të kufizuar, Xhoplin nuk kishte jehonën e Bitëllsave, Rollingstones të Elvis Preslit apo të Bob Marlin. Aso kohe shumica e të rinjve kishin qasje ndaj Majkëll Xheksonit apo Madonës që po startonin ethshëm dhe shumë më tepër ndoshta ndaj Tina Tërnerit.
Xhenis Xhoplin ishte më pak e preferuar ndoshta sepse muzika e saj e egër rrok dhe bluz ishte më pak e perceptueshme se sa ajo Pop dhe Rrok që kishte më shumë përparësi.
 
Rritja eksponenciale
Jeta dhe karriera e Xhenis Xhoplinit, në mënyrë krejt rutinë është shpejt e arritshme për shkak të materialeve pa fund të ekspozuara në faqet e internetit. Për të thuhet se u lind të Port Arthur, Texas. Kishte një fëmijëri aspak të kënaqshme, disi dhe bulluese, në një familje të klasës së mesme. Deri në vitin e fundit të shkollës së mesme, Xhoplin kishte krijuar një reputacion si një vajzë e ashpër që pëlqente të pinte alkool dhe të ishte e egër. Ndoqi Kolegjin Shtetëror të Teknologjisë Lamar dhe Universitetin e Teksasit në Austin përpara se ta linte shkollën në vitin 1963 për të ndjekur hobin e saj, të këndonte këngë popullore dhe veçanërisht bluz në klubet e Teksasit.
Në fund të viteve 1960 ajo u bë këngëtarja kryesore e grupeve “Big Brother” dhe “Holding Company”. Më pas doli si një artiste solo. Dhe ka të regjistruara katër albume me zërin e saj.
Në youtube gjendet lehtësisht kënga “Ball and Chain”, kënduar nga Xhoplin në Festivalin Pop të Montereit në vitin 1967. Pikërisht në këtë video ka një fragment ku këngëtarja mjaft e njohur e grupit rok folk, “The Mamas the Papas”, Ellen Naomi Cohen, e njohur gjerësisht si “Mama Cass” shihet të reagojë me një impresion mbresëlënës nga interpretimi i jashtëzakonshëm që Xhoplin i bën këngës “Ball and Chain”. Kamera e ka fiksuar Cass në minutën 3:29 ku ajo shihet se është qartësisht e mahnitur. Dhe po aq në fundin e këngës, në minutën 5.29 kamera ka fokusuar sërish fytyrën e saj të impresionuar duke u shprehur: “Uau”. Dhe duhet pasur parasysh se Mama Cass ishte një interpretuese e nivelit të lartë.
 
Piedestali i një statusi
Vitet 1960 pa dyshim sollën ndryshimin më eksperimental në muzikën moderne amerikane. Periudha pas presidencës së Ajzenhauerit prodhoi mendime të reja, të nxitura po aq nga eksperimentimi i drogave psikedelike, aq edhe nga trazirat sociale dhe kulturore të Luftës së Vietnamit.
Në verën e vitit 1966, Janis Joplin ishte një këngëtare endacake dhe jo fort e njohur. Por katër vjet më vonë, kishte kapur majën si një legjendë e rock-and-rollit. Ajo ishte shndërruar nga një soliste e panjohur në gjeneratë me fuqinë e një shfaqjeje të vetme, të çuditshme në Festivalin Ndërkombëtar Pop në Monterey në verën e vitit 1967. Më pas erdhën tre vjet turne dhe regjistrime që çimentuan statusin e saj. Sipas fjalëve të një kritiku, “Xhenis Xhoplin është e dyta pas Bob Dilanit për nga rëndësia si krijues, mishërim i historisë dhe mitologjisë së brezit të saj”.
 
Problemet me veten
Xhoplin kishte pasur gjithmonë probleme serioze të abuzimit me substancat. Një mik i saj, Bill Graham, është shprehur se veteshkatërrimi i Xhoplin u shkaktua pjesërisht nga fama e saj. "Ajo kishte një siguri të jashtëzakonshme në skenë, por jashtë skenës, privatisht, ajo dukej se ishte shumë e frikësuar, shumë e ndrojtur dhe naive. Unë nuk mendoj se ka ditur ndonjëherë se si ta trajtojë suksesin. Mendoj se kjo i krijoi probleme Xhenisit," – është shprehur ai.
Duke u ndjerë në mënyrë unike nën presion për të provuar veten si një artiste solo femër në një industri të dominuar nga meshkujt, kritika shkaktoi shqetësim për Xhoplin.
Kishte kaluar vetëm një vit që kur ikona e kundërkulturës shpërtheu me "Piece of My Heart" për mijëra fansa në Festivalin Udstok të vitit 1969.
Ajo dha shfaqjen e saj të fundit në stadiumin Harvard në Boston në vitin 1970, vetëm disa muaj para vdekjes së saj. Xhoplin do të jepte një intervista më 30 shtator 1970, vetëm katër ditë para vdekjes së saj.
Në vjeshtën e vitit 1970, ajo ndodhej në Los Anxhelos për korrigjimet e fundit në albumin që do të rezultonte të ishte hiti më i madh i karrierës së saj, “Pearl”. Megjithatë, ajo nuk jetoi për të parë publikimin e tij. Vdiq dhe u zbulua në dhomën e saj të hotelit pasi nuk u shfaq në një seancë regjistrimi të planifikuar.
Trupi i Xhoplin u dogj në një krematorium në Los Angeles. Shërbimi funeral u zhvillua në Pierce Brothers, dhe të morën pjesë vetëm familjaret e Joplin. Hiri i saj u shpërnda nga një avion në Oqeanin Paqësor dhe përgjatë Stinson Beach.
 
Post vdekja
Në vitin 1988, në atë që do të ishte ditëlindja e 45-të, Memoriali i Xhenis Xhoplin, me një skulpturë origjinale prej ari, nga Dagllas Klark, u kushtua gjatë një ceremonie në Port Arthur, Teksas.
Në vitin 1992, u botua biografia e parë e madhe e Joplin në dy dekada, “Love, Janis”, me autor nga motra e saj më e vogël Laura Joplin.
Në vitin 1995, Joplin u fut në Sallën e Famës Rock and Roll. Në vitin 2005, ajo mori një çmim Grammy Lifetime Achievement. Në nëntor 2009, Salla e Famës dhe Muzeu i Rock and Roll-it e nderoi atë si pjesë e serisë së saj vjetore të Masters Music
Më 4 nëntor 2013, Joplin u nderua me yllin e 2510-të në Hollywood Walk of Fame për kontributin e saj në industrinë e muzikës. Ylli i saj ndodhet në Bulevardin Hollywood 6752, përballë Institutit të Muzikantëve.
Në vitin 2015, u publikua filmi dokumentar biografik “Janis: Little Girl Blue”, me regji të Amy Berg.
Në vitin 2004, revista “Rolling Stone” e renditi Xhoplin në vendin e 46-të në listën e 100 artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe të 28-ën në klasifikimin e vitit 2008, të 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Në vitin 2023, Rolling Stone e renditi Xhoplin në vendin e 78-të në listën e 200 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.