Monday, July 24, 2017

Një tur arkeologjik për emrat e shqiptarëve, nga Teuta dhe Agroni te Pamela e Andersoni


Nga Leonard Veizi

Çudi e madhe me emrat e shqiptarëve. Në lashtësi të çante emri Bato, aq sa mund të mendosh se ky emër ishte i përhapur në dy të tretat e popullsisë ilire. Nga mesjeta u përqafua fort emri Konstandin. Ca më pas në modë do të futeshin emrat Islam e Qeramudin. Gjatë vitet të ndërtimit socialist të vendit u vendos një rregull i zbatueshëm për të gjithë ku shtetasit e porsalindur shqiptarë të pagëzoheshin me emra shqip. U hartua dhe një listë e iu la dezhurnit të maternitetit me qëllim që çiftet e reja, ca fetarë, ca ateistë e ca paganë, të hiqnin dorë nga emrat e shenjtorëve e të orientoheshin me emrat shqip. Por shqiptarët, si gjithmonë ia gjenin anën e t’ia shkisnin regjimit, qoftë dhe me një element të tillë. Fjala vjen, ata të mijtë nuk ma vunë emrin Ilir dhe as Bardhyl, por Leonard.
E për të thelluar argumentin, po vazhdoj si më poshtë:
Dikur, por dhe në ditët e sotme, arrin ta njohësh menjëherë një grek, vetëm nga emri. Se vetëm Niko vërtitet në ato treva. Një turk po e po. Natyrisht, nuk do bëjmë ADN-në për t’i gjetur origjinën e vërtetë. Por edhe një italian gjithashtu e dallon po nga emri ku dominion Serxho e Anxhela. Ndërsa shqiptaret jo. S’ka burrë që mund t’i dallojë nga emri, veç nga prerja e jashtme ku nuk do shumë mundim. Dhe kjo ndodh sepse këtu te ne ka nga të gjitha llojet e emrave. Emra grek, turk e italianë, nga të gadishullit ballkanik, e ata që na erdhën nga stepat e Uraleve. Së fundi përqafuam dhe pjesën e Andeve.
Demek, turli emrash.
E meqenëse ka zëra që thonë se ne si popull jemi ca si kozmopolit, këtë punën e emrave nuk po e rendis tek gjërat e këqija të shqiptarëve.
Mirëpo ajo që më shqetëson këto kohë, e më bën ta ngre si shqetësim, është se vitet e fundit, jo vetëm ua huazojmë emrat amerikanëve dhe francezëve, por kemi filluar t’i shkruajmë edhe si ata.
“Nuk e kam emrin Ana, por Anna. Kështu dua të më shkruhet”. Ishte koha kur kisha çelësat e një redaksie në dorë e më duhet të vendosja dhe për shkrimet që sillte mileti i apasionuar për të shkruar gjithfarë gjërash. “Po në gjendje civile si e ke? – e pyeta. “Lëre gjendjen civile se ata janë prapa bote, do t’u bëj dhe një kërkesë që të ma ndryshojnë se e kanë bërë dhe të tjera më parë se unë” - argumentoj artikullshkruesja. Nëse ndodh kjo, duhen marrë masa ndaj nëpunëses së Gjendjes Civile, besoj unë. A mund të shkelen në këtë mënyrë rregullat e drejtshkrimit? E përcolla Anna-n, duke i thënë të gjente një gazetë tjetër ku të plotësonte trillet e saj.
“Me quajnë Brajan...,  e kam me “Y”,- më tha një djalë dhe rrudhi buzët teksa po i shkruaja emrin. “E shkruajta ashtu siç e shqiptove” – ia ktheva. “E kuptoj, por unë i kam me “y” jo me “aj”. U nxeha, por e mbajta veten: “Po këtu nuk jemi ne Mançester, mo shoku, as në Belfast. Si u shkruajtka me “y” e u shqiptoka me “aj”.
Ka dhe një rast tjetër kur njëfarë Anila më tha që emri i saj shkruhej “Anyla”, por këtë herë i mësuar me këtë situatë, nuk ia fërshëlleva fare.
Dhe po e mbyll me rastin Christian, me të cilin e mbylla kapitullin pa e hapur.
Po e thelloj argumentin në dëm të vetes:
Ca kohë më parë, kur një botues më tha se do të bëja kërdinë në shitjen e romanit tim të ri që kisha çuar për botim, nëse në kopertinë do të mbaja mbiemrin “Veiss”. Nuk pranova.
"E njoh mirë tregu, - kërkoi të më mbushte mendjen botuesi. - Veprën e ke të mirë. Por e keqja është se shqiptarët nuk kanë besim të autorët shqiptar”. “Si i bëhet? - e pyeta jo pa shqetësim”. “Po ja, atë që thashë, të ndryshojmë pak emrin”. "Po ç’të keqe ka emri im?”. Jo ore jo, emrin e ke tullë ti. Leonard. Si Leonardo Da Vinçi. Po mbiemri... Ndaj të them, ta ndryshojmë pak. Fare pak. Ç’i ka gjetur këngëtaret që kanë emra skene”. Mirëpo unë i kisha shkruar ca libra me firmën “Leonard Veizi”, pa përmendur disa mijëra shkrime në gazeta. “E çfarë sjell kjo?”, e pyeta sërish. “Do dukesh si gjerman, - më tha ai. - Sa ta marrin vesh që je shqiptar, ikën 10 mijë kopje. Përndryshe nja 300 kopje do shesësh, e shumta 500”. Nuk pranova. Doli siç tha ai.
Nuk jam penduar ende për këtë veprim “monstruoz” timin. Do kisha shitur 10 mijë kopje për dy “ss” Nuk pranova ta deformoja fare pak mbiemrin që më ka lënë babai, dhe babait ia ka lënë i ati, d.m.th gjyshi im. Në botë plot shkrimtarë kanë shkruar me pseudonime. Në Shqipëri gjithashtu: Kuteli, Poradeci, Sazan Goliku e së fundmi Tom Kuka. Po unë... Kaq e vështirë ishte të bëhesha “Leonard Veiss”. Nuk ishte as pseudonim, vetëm një deformim i vockël, gati i papërfillshëm. Por unë qëndrova stoik, pas mbiemrit otoman që nuk dihet se në çfarë sanxhaku të Azisë së Vogël e ka prejardhjen e u rrafshua në gjysmën e Jugut të Shqipërisë, por dhe pas drejtshkrimit të shqipes, që nuk lejon përdorimin e dy shkronjave të njëjta, përveç rasteve të veçanta.
E bëra këtë shkrim jo sepse më ka shkuar mendja ta ndryshoj mbiemrin, pasi tanimë ata që më njohin, më njohin kështu. Tek e fundit përderisa jam shqiptar, pse duhet të ngjasoj me një gjerman, qoftë dhe për fasadë.
Dhe në fund të asaj që doja të shtroja:
Të çuditshëm fort ne shqiptarët. Në kohën kur u TV “Tirana” transmetoi një serial brazilian me titullin “Skllavia Izaura” në maternitetet gëlonin, aq sa me këtë emër quanim dhe ca furgona të vegjël policie, prodhim italian, që me të shtyme nxinin dy vetë e gjysmë brenda. Ca kohë me parë ishim në ndikimin e Dorës dhe Anjezës së Dikensit pasi u trasmetua telefilmi “David Koperfild”. Pas viteve ‘90 u futëm në periudhën e art të Pamelës. Ndërsa tani po përjetojmë epokën e Alehandros. Dhe së fundi me dy “nn” a me dy “ss” shyqyr që e kemi nga një emër. Se sa e vështirë do ishte marrëdhënia njerëzore pa të.

Botuar në



Friday, July 21, 2017

Oriana Kurteshi, sopranoja shqiptare që këndon në Milano, Berlin e Paris

Ne artistët shqiptarë, si po i pushtojmë skenat e botës

Jeta ime, një itinerar evropian me qendër në Tiranë


nga Leonard Veizi

Brenda së njëjtës veshje, krejt demode a ndoshta disi groteske, ëndrra mbetet sërish e tillë dhe nëse tenton ta zhbësh e të dalësh tej në realitetin “divers”. Të qenit brenda saj, si protagonist i panjohur a si spektator i rëndësisë së veçantë të bën të ndihesh krejt tjetër. Emocioni, gjithashtu, mbart të njëjtën vlerë, me rrahje pulsi të pambarimtë a një ankth të tejkaluar, gjithsesi. E padyshim brenda mureve të saj gjithçka vazhdon të jetë po ajo. E njëjta famë. Çdo gjë që vërtitet mbi skenë, plate e lozha, në dritë a gjysmëterr, mbetet po aty, e jashtë saj asgjë s’lëviz. Nuk shfaqen filma “triller” tredimensional dhe as zara si mbi ruletë e kazinosë nuk vërtitet, natyrisht. Atje bota është e vjetër si në përrallë dhe magjike njëkohësisht. Çlirohen nota instrumentesh të akorduar deri në përsosmëri dhe klithmat akustike mbeten në eter...

...Duket se boshtit i stërzgjatur; Tiranë - Strasburg - Paris - Gjenevë e me stacion në fundit në Venecia, nuk ka asnjë gjasë të njihet në analet e politikës dhe as në hartat e planeve të luftën inreale të komandave shtab. Por duket se edhe pa ndonjë rëndësi strategjike, për të është shumë e çmueshme, derisa e nisur nga “Nënë Tereza - Aeroport” ka mbërritur në  “Leonardo da Vinçi”, “Charles de Gaulle” e “Marco Polo”, me kërkesën e përhershme për t’u kthyer sërish në pikën e nisjes. Oriana Kurteshi, një soprano e famshme tashmë dhe e kërkuar në skenat e mëdha të perëndimit europian, tenton vazhdimisht të kthehet në skenën e Tiranës, ku edhe pa ajër të kondecionuar, mund të këndojë me një pasion të marrë e përvëlues Aidën, Lisetten apo Xhildën e brishtë të “Rigoletos”
Cila ka qenë axhenda juaj e në këtë sezon?
Po filloj nga recitali im i fundit, i cili u zhvillua në tetor 2012, në një nga sallat me prestigjioze të Parisit, në sallën “Cortot”, ku isha e shoqëruar nga pianisti tashmë i njohur Genc Tukiçi. Një muaj më pas, në nëntor kam kënduar për 140 vjetorin e Korit të Strasburgut  “Messen St. Cecile” të kompozitorit Gounod me filarmoninë e Strasburgut. Në të njëjtën kohë kam kënduar e lajmëruar në minutën e fundit rolin e Manon te “Massent” në Gjermani, Phorzheim, rol që do vazhdoj ta këndoj edhe në vitin e ardhshëm. Para një jave isha përsëri në Strasburg, tek “Magnificat e Galuppi”, për kor dhe orkestër. 
Ndërkohë, është përcaktuar vijimësia e turit për vitin në vazhdim?
Vitin 2013 e kam filluar përsëri në Gjermani me “Manon”, pastaj operën “Flauti Magjik” rolin e Pamines, për të vazhduar në Venezia “Teatrin Malibran”. Më pas kam dy recitale për soprano dhe harpë në Normandi, Paris, dhe Aix-en-Provence, me muzikë të Debussy, Schumann, Fauré, Schousson.  Si të mbaroj këtë tur do të vazhdoj me operën "Il Turko in Italia" një kompozim i Rossinit, ku do të jap shfaqe në sallat prestigjioze të Francë dhe në Nantes, Angers dhe Lukseburg...
Sa ia dedikoni suksesin, studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura dhe sa asaj që keni përfituar në Austri, Itali apo Francë?
Jam munduar dhe mundohem të kem një aktivitet të vazhdueshëm artistik. Dhe këtë ja dedikoj shumë shkollës përgatitjes në Akademinë e Artëve të bukura në Tiranë, punës në Liceun Artistik. Kuptohet edhe jashtë kam fituar shumë për sa i përket rritjes artistike por baza ime është Tirana. Ah po një gjë kam fituar jashtë, gjuhet e huaja; italishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten perfekt dhe njohja e një bote muzikore të pa fund.
Shtypi shqiptar nuk iu ka evidentuar për aq sa është fama juaj reale. Ka qenë media e pavëmendshme ndaj jush apo ju keni qëndruar larg saj?

Ju falënderoj për vlerësimin me fjalën “famë”, por besoj se ajo nuk është e madhe. Ndoshta janë që të dyja, si media në Tiranë edhe unë që gjithashtu kam qëndruar larg. Të them të vërtetën ka dhe shumë artiste të tjerë me shumë vlera që bëjnë të njëjtën gjë si unë!
Aktualisht në skenat e mëdha interpretojnë disa këngëtarë shqiptare. Mendoni që shkolla e arteve në Shqipëri ka nxjerrë artistë të mëdhenj?
Është shumë e vërtetë që shkolla jonë ka nxjerrë dhe uroj që të jetë kështu dhe në të ardhmen artistë të mëdhenj duke u dhënë skenave të botës një art shumë të bukur, dhe jo vetëm këngëtare por edhe instrumentistë, piktorë, balerinë, koreograf, dhe mua personalisht tani më bën të jem krenare duke ditur që dhe ata pak miq të mij që kam bëjnë pjesë në këtë ambient. Ata po nderojnë këtë vend të vogël por dhe shumë të madh në të njëjtën kohë. 
Cilat janë rolet që i mendon si më të arriturat nga ana vokale dhe interpretative?,

Role që kam luajtur më shumë në skenat e huaja dhe me dirigjentë të mëdhenj si Riçardo Muti, Daniele Gati, Daniel Oren, janë disa; si roli i Oscarit në operën “Ballo in Maschera” të Verdit, sepse ka shumë energji e jetë dhe them se e kam arritur mirë. Në rolin e “Lisettes” në operën "La Rondine" të Puçinit e kam ndier veten më të sigurt dhe më të rritur nga ana profesionale në mënyrën e interpretimit të rolit. Një tjetër rol tjetër që më pëlqen shumë është edhe “Sonnambula” e Bellinit. Zëri im ka ndryshuar për sa i përket sensibilitetit e pjekurisë artistike. Punoj më shumë tani me brendësinë time sesa me anën e jashtme. Kjo gjë më ndihmon shumë për të ardhmen në karrierë”.
Cila është diferenca e të kënduarit në “La Scala” nga ajo në TKOB?
Ne skenën shqiptare nuk jam shumë prezent dhe në fakt është ajo që më mungon shumë. Nuk ka asnjë ndryshim për mua të kënduarit në “La Scala” nga ajo në Teatrin e Operës në Tiranë, përkundrazi edhe më e vështirë më duket në këtë të fundit sepse publiku ynë është shumë i pasionuar e kritik. Duartrokitjet në Shqipëri nuk i ndërroj me asgjë. Ato janë shumë të shtrenjta për mua duke mos harruar që kanë qenë dhe të parat që më kanë mbështetur në këtë rrugë”.
Besoni se në perëndim ka racizëm për shqiptarët edhe kur kanë të bëjnë me emra që tashmë i përkasin një publiku më të gjerë
Mendoj se racizëm nuk ka ndaj nesh. Mund të mendoj fjalën xhelozi sepse është e vërtet, si ju përmenda dhe sipër shkolla jonë po nxjerr shumë më shumë artistë me vlera, dhe ju siguroj se niveli jashtë është shumë më i vogël. Uroj që të jetë kështu.
Cilat janë të rejat e Orianës në planin personal?
Sa i përket të rejave në fushën personale, u them se jam martuar, bashkëshorti im është një francez me profesion arkitekt. Tanimë jetën time e ndaj midis Zvicrës-Strasburgut- Parisit- Venecias... e padyshim Tiranës.

  
Karriera në vite
Ajo ka interpretuar në “La Scala”, me një kastë shumë të njohur artistësh. Vetëm 6 vjeç Oriana Kurteshi do interpretonte në skenën e Pallatit të Pionierëve në Tiranë. Më pas do të ishte pjesëmarrëse në Festivalet e Këngës për Fëmijë. Falë talentit u zgjodh të interpretonte në rolin kryesor të së parës operetë për fëmijë në Shqipëri, “Albi dhe karikaturat”. Do të vazhdonte studimet në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve. 17 vjeç interpretoi rolin e Zerlinës në operën “Don Giovanni” dhe Despinën tek “Così fan tutte”, të dyja vepra të Moxartit. Zëri i saj impresionoi dhe sopranon e famshme Katia Ricciarelli, e cila e zgjodhi atë për t’u formuar në Akademinë e Mantovës (Itali), mes shumë të tjerësh nga e gjithë bota. Pas Akademisë së Mantovës, do të vazhdonte studimet në Akademinë Zenobio në Treviso, Akademinë Moxart të Salzburgut e në Akademinë Richard Wagner në Venecia.


Botuar në gazetën SHEKULLI 16 shkurt 2013


Saturday, July 15, 2017

Antoneta Papapavli, aktorja e mirënjohur e teatrit dhe kinematografisë

Ju rrëfej karrierën time, si e luajta Luiza Milerin dhe Afrovitin e Karnavaleve

  
Leonard VEIZI

Ëndrra e saj e përnatshme e çon në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, të paimagjinueshme disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak dhe befas ajo gjendet atje, mes errësirës dhe në dritë, rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshojnë papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme shpërndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndron drejt, pa u mbajtur kund. Nuk ka nevojë për karrocë invalidësh, e as për paterica paraplegjikësh nuk do t’ia dijë. Habia është zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë rrëzohen njëherazi. E ndërsa skenat ndërrohen vazhdimisht, ajo interpreton mbi të e nuk ndjen lodhje. Zëri rrëshqet mbi koka spektatorësh në plate... dhe ajo vazhdon të luajë, të luajë, të luajë...

...Është po e njëjta Antonetë; pak “Luizë” dramatike, a ndoshta “Afrofiti” tekanjoze, diku një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmë orientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo është veç një ëndërr, imazhi i së cilës përsëritet atëherë kur do dhe kur nuk ia ka ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe kinemasë shqiptare, prej më shumë se 20 -vjetësh jeton veç ëndrrën e saj. Është tërhequr nga skena dhe, teatrin nuk ka mundësi ta ndjekë nga pas, as si spektatorja e radhës së fundit. Ndaj vetëm kënaqet me ekranin televiziv, teksa pulti kërkon pareshtur mes zhurmës aksion e thriller hollivudian, të ngujohet në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje; “Kinostudio Shqipëria e Re”. Ndoshta kjo dhe jo vetëm... por dhe ca gjëra të tjera që ajo i ka përjetuar dhimbshëm e plot kurajë, përgjatë këtyre viteve të vështira, e kanë bërë atë të jetë më e mbyllur dhe thuajse pa kontakte përtej mureve që e rrethojnë. E padyshim, ajo nuk do më, në pakujdesinë e saj shfrenuar dikush ta shqetësojë, me një tringëllimë telefoni, a një të trokitur të padëshirueshme dere. Veç ndjen, hapat e djalit të saj në shkallë, çelësin teksa lëviz mbi bravë dhe vazhdon të qëndrojë e patrazuar në pozicionin që ka zgjedhur për t’u çlodhur. E këtë qetësi të palëvizshme, të ngurtë e të ngujuar njëherazi, ka munduar ta shprishë veç këtë herë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari, i cili nuk pati fatin të kthehej nga rruga si të tjerë. E pas kësaj tabuje të thyer, ndoshta ka ardhur çasti që pas kaq vitesh heshtje ajo të vazhdoje të jetë po aq publike, për të gjithë ata që e mbajnë mend nga pelikula e kinemasë, apo shiriti elektronik i kamerës televizive. Edhe ja çfarë thotë aktorja e njohur Antoneta Papapavli, në një intervistë të rrallë e ekskluzive për gazetën “Telegraf”: 

Si filloi karriera juaj në skenë, një kronologji e shkurtër?
Unë kam lindur në qytetin e Përmetit, por që herët, 4 vjeç, kam ardhur me gjithë familjen time në Tiranë, ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën më ka shoqëruar që në moshë të vogël në shkollë fillore e deri në të mesme. Merrja pjesë aktive në festat e ndryshme, në korin e shkollës, balet e recitime. Këto gjëra i frekuentova dhe zhvillova edhe gjatë gjimnazit. Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” filluan të krijoheshin grupet e para artistike nga fundi i viteve ‘50. Kam marr pjesë dhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60 hyra në shkollën e lartë për aktore, me ndihmën dhe mbështetjen e z.Tef Pali, z. Pjetër Gjoka dhe z. Pandi Stillu. Ky i fundit këmbënguli që unë ta vazhdoja dhe Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emërova aktore në Teatrin Popullor Tiranë.

Cilat ishin ambiciet, vështirësitë në rolet që keni interpretuar në vite?
Ambiciet, të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë, sepse ishin vetë pedagogët dhe regjisorët që duke më njohur nga vitet e shkollës, me jepnin role kryesore qoftë dhe dytësore, por që më vlerësonin gjithmonë e më shumë. Unë i arrija rolet dhe konsiderohesha nga stafi si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Karriera ime filloi në fakt që gjatë jetës studentore. Duke punuar me aktorë të talentuar të teatrit, fitova një përvojë të jashtëzakonshme, e cila e përsosi më tej punën time në skenë. Gjatë viteve ‘60 - ‘70 kam interpretuar role të shumta, por fatkeqësisht këto nuk janë regjistruar sepse në ato vite nuk ekzistonte Televizioni Shqiptar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë e mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si p.sh: “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i Vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”.

Ku qëndron ndarja e roleve në teatër e kinema dhe ç’ndryshim ka midis tyre?
Besoj se s’ka aktor që mos të pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël! Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin. Ndërsa të luaje një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize, sepse filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.

Si e përjetuat ju si aktore periudhën e post-liberalizimit në vitin ‘73 dhe a patët pasoja?
Pas vitit 1973 edhe arti si çdo fushë tjetër e jetës u godit rëndë nga Partia në pushtet lidhur me tendencat properëndimore dhe luftën kundër tyre. Unë personalisht nuk pata asnjë problem apo ndryshim të jetës profesionale. Megjithëse shikoja kolegët, të cilët herë pas here merrnin vërejtje e kishin pasoja të ndryshme në karrierë. Fatmirësisht unë nuk pata të tilla gjëra dhe i qëndrova besnike këshillave për të bërë detyrën time sipas parametrave të asaj kohe. Ndërkohë ndonjë kolege, që ishte komuniste, më kritikonte shpesh që të mos mbaja pantallona kauboj apo ndonjë veshje tjetër që nuk ishte e moralshme për kohën.

Po në skenë si do të ndihej kjo frymë e re?
Më kujtohet se atëherë filluam të vinim në skenë edhe shumë pjesë me regjisorë kinezë. Sa çudi?! Të kemi parasysh që në ato vite kishte ndikime dhe nga Revolucioni Kulturor. Por për punën e pantallonave, për të cilat në fakt kritikohesha ca si shpesh, justifikohesha sepse vetëm kështu nuk na dukeshin këmbët, apo shalët (siç thoshim me shoqet) kur hipnim e zbrisnim nëpër kamionë me të cilët shkonim për shfaqje në gjithë Shqipërinë, fshatra e qytete.

Cili është roli që keni interpretuar së fundmi në teatër apo kinema dhe kur u larguat nga jeta artistike?
Unë u largova nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve të mia, të cilat nuk kishin më forcë të mbanin mbi to trupin tim dhe lëvizjet e mia në skenë e në filma. Nuk isha më e aftë të qëndroja për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosa që të dal në pension të parakohshëm që në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur unë u shkëputa tërësisht nga aktiviteti. Mbaj mënd në mes të viteve ‘80 në mos gaboj, dy role të mija në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Këto dy komedi ishin rolet e mia të fundit. Ndërsa në këtë periudhë kisha xhiruar në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe. Kujtoj ditët e xhirimeve në Sarandë dhe pamjet e qytetit aq të pastër dhe të bukur, të cilat më erdhën shumë pranë kur e pashë në një stacion televiziv para pak kohësh, filmin, “Nxënësit e klasës time”.

A keni pasur propozime të tjera për të luajtur në skenë apo kinema?
Edhe këtë periudhë që kam qenë e sëmurë kam pasur shumë propozime për role në teatër, por që kam qenë e detyruar t’i refuzoj të gjitha sepse nuk lëviz dot nga paraliza që më ka mbërthyer. Personalisht ka ardhur në shtëpi z.Kiço Londo dhe më ka propozuar për bashkëpunim me teatrin e tij dhe përsëri kam refuzuar. Ai më ka dashur shumë si aktore dhe më shikonte si protagoniste në shumë role, të cilat ai i vinte në skenë. Këtë përkushtim nga ana e tij e çmoj shumë dhe njëkohësisht e vuaj që nuk ja dhashë kënaqësinë për të qenë pjesë e stafit të tij. E përshëndes Kiçon dhe i uroj sukses në punën e tij si regjisor.

Si përjetohej në familje karriera juaj dhe si reagonin familjarët për rolet të ashtuquajtura problematike?
Kryesisht familja më ka mbështetur dhe asnjëherë s’ka qenë pengesë për karrierën time të çfarëdo roli qoftë. Burri dhe djemtë vinin gjithmonë të më shihnin  kur kisha premiera dhe kënaqeshin e më prisnin deri sa mbaroja shfaqen. Kjo më jepte një kënaqësi të madhe, madje shpesh më thërrisnin me emrin e rolit, duke më ngacmuar si: Cuca, Zonja Hatixhe, Klea, Afroviti etj.. Ishte vërtet bukur sepse kjo tregonte që unë i kisha arritur rolet.

A komunikon tashmë me koleget tuaja të dikurshme dhe cilat janë marrëdhëniet me to?
Tanimë po bëhen me shumë se 18 vjet që jam sëmurë, por disa kolegë e shoqe të punës nuk më kanë harruar dhe kanë ardhur për të më vizituar. Kujtoj këtu, shoqen time Mimika Luca, Edi Luarasi, Besa Imami, Marika Kallamata etj.. Kujtoj edhe disa shokë si, z. Pëllumb Kulla, Vladimir Prifti, Ali Bega etj., që për këtë çast nuk i kujtoj dot, e të më falin. Erdhën edhe këta shokë në kohë të ndryshme e tepër të vështira dhe më dhanë shumë jetë e kënaqësi.

Rivaliteti mes jush, ekzistonte?
Për sa i takon rivalitetit, kjo gjë nuk ka ekzistuar të unë. Shoqet i kam dashur e respektuar shumë. Qoftë më të mëdha apo më të reja, për mua ato ishin të talentuara e të respektuara: si Mimika, Roza, Besa, Pavlina, Margarita, Edi Luarasi, e shumë të tjerë, vetëm respekt dhe dashuri ndjej akoma për ta. Bashkë ndanim të gjitha hallet dhe problemet gjatë xhirimeve apo turneve. Solidariteti ishte motivi kryesor i punës dhe i karrierës. Por koha bën të veten dhe njerëzit harrohen, largohen sepse kanë hallet e veta dhe jetën e tyre. Gjithmonë do kem nostalgji për vitet e shkuara, të cilat nuk kthehen më mbrapa, por ato vijnë me shumë forcë nëpërmjet fotove ekranit etj..

Jeni nostalgjike për atë çka keni dhënë dhe doni ta shihni veten në ekran?
Më pëlqen t’i shoh filmat shqiptar në televizor. Dhe natyrisht, nostalgjia e skenës është shumë e madhe njëkohësisht edhe ajo për filmat. Por s’ke ç’i bën, kështu e solli fati.

Ju shkuat për kurim në Greqi? Ishte e vështirë terapia?
Duke qenë e sëmurë dhe duke mos pasur mundësinë të kurohesha këtu, kam vajtur me ndihmën e disa miqve të burrit, Teodorit, në një spital në Greqi dy herë: në vitet 1994 dhe 1998. Aty ishin edhe djemtë, të cilët më ndihmuan gjatë gjithë kohës që kreva vizitat edhe operacionet. Kalova çaste të vështira dhe operacioni doli relativisht me sukses. Më vonë pas vdekjes së burrit (viti 2001) unë u sëmura shumë dhe pësova një paralizë në vitin 2003. Edhe sot e kësaj dite, në saj të ndihmës së djalit tim po kaloj në shtëpi çaste të vështira, por jam e kënaqur dhe me këto kushte…

Flet djali i artistes, Albenc Papapavli
Antoneta do që njerëzit ta mbajnë mend siç ka qenë
Antoneta Papapavli, aktorja e skenës dhe e ekranit prej gati 22 vitesh është shkëputur nga aktiviteti artistik. Shkak mbetet gjendja e saj shëndetësore. Por imazhi i saj është po kaq i gjallë në pelikulë ashtu sikundër të gjithë e mbajmë mend me rolet e Afrovitit tek “Karnavalet e Korçës”, Sania tek “Hije që mbeten pas”, të drejtoreshës tek “Shoku ynë Tili”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri” etj. Në karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema. Gjithsesi, ajo vazhdon të jetë një grua e fisshme, e rregullt, me flokët e mbledhur dhe tiparet e theksuara. Pavarësisht sëmundjes që ia ka vështirësuar ritmin e jetës, ajo përpiqet të ruajë pamjen e dikurshme dhe këtë e arrin vetë, me forcat e saj. Siç thotë djali i saj, Albenci, i cili është dhe njeriu që kujdeset më shumë për të, Antoneta kërkon medoemos të ruajë figurën me të cilën të gjithë e njohin. “Nëna e rregullon portretin e saj me dorën e majtë. E bën këtë çdo ditë, pavarësisht mundësive. Nuk lejon të merret tjetër kush me një gjë të tillë. Përpiqet dhe ia arrin qëllimit”. Vitet e fundit sipas Albencit, nëna e tij ka hequr dorë nga daljet publike. Për shkak të pamundësisë për të ecur, ajo ka zgjedhur, herë shtratin e herë karrigen me rrota, si të vetmet vende, ku mund të ndihet mirë dhe e qetë gjë që me sa duket e bëjnë të jetojë me kujtimet që e rrethojnë. “Ajo nuk do të jetë më publike sepse kërkon që njerëzit ta mbajnë mend ashtu, një zonjë grua, të bukur, aktore profesioniste dhe mbi të gjitha një fisnike në shpirt. Nuk do që njerëzit që e njohin e ta shohin në karrocë”, thotë Albenci.

Gjatë karrierës së saj ka interpretuar në 130 role

Rolet në pjesë teatrale

1.Rrugë të tërthorta                 1963
2.Rrethimi i bardhë                 1965
3.Vajza optimiste                    1964
4.Ariu                                      1966
5.Orfeu zbret në ferr               1969
6.Shokët                                  1968
7.Orët e Kremlinit                   1976
8.Prefekti                                1977
9.Karavidhet                           1978
10.Tre të shtëna pushke          1966
11.Nga errësira në dritë           1979
12.Bashkë me agimin              1980
13.Pas provimit të fundit        1983
14.Një nuse për Stasin              1979
15.Viti 1961                               1965
16.Karnavalet e Korçës           1977
17.Një ngjarje në fabrikë         1968
18.Cuca e maleve                    1969
19.Arturo Ui                           1969
20.Luiza Miler                         1977
21.Lumi i vdekur                    1978

Rolet në kinematografi

1.Komisari i Dritës                  1963
2.Tinguj Lufte                         1976
3.Kërcënimi                             1978
4.Përballimi                             1981
5.Nxënësit e klasës time          1981
6.Ata ishin katër                      1983
7.Apasionata                           1984
8.Shoku ynë Tili                      1984
9.Shoqja nga fshati                 1979
10.Përtej mureve të gurta        1979
11.Hije që mbeten pas             1982
12.Zonja nga qyteti                 1980
13.Gjurmë në kaltërsi              1979
14.I treti                                  1979


Botuar në gazetën TELEGRAF e mërkurë 9 mars 2011


Monday, July 10, 2017

Misioni “UNOMIG”/ Ushtarakët shqiptarë me "Beretat e Gjelbra", paqeruajtës në Gjeorgji

Major Kasem Saliasi, rrëfen për 10 vitet e misionit paqeruajtës në Gjeorgji. Si e përqafuan ushtarakët shqiptarë kodin e “Beretave të Gjelbra”. Monitorimi i shtetit me probleme të luftës etnike. Përse ushtarakët shumëkombësh patrullojnë të paarmatosur dhe çfarë përfaqësojnë oficerët shqiptarë.


Leonard VEIZI


Me mbarimin e Luftës së Ftohtë në Evropë, por sidomos në vendet e ish-kampit socialist, pati ndryshime të mëdha. Në pjesën socialiste të Evropës, ndryshimet më radikale u zhvilluan në ish-Bashkimi Sovjetik. Federatat e mbledhura nën ombrellën e konfederatës së madhe ishin shpërbërë me shpejtësi. Republikat njëra pas tjetrës kishin fituar pavarësinë. Ishin mëvetësuar pa shumë dhimbje Letonia, Estonia apo Bjellorusia, duke bërë që çizmja e ushtarit rus të mos shkelte më mbi pavarësinë e tyre. Por asgjë nuk do të mbyllej kaq lehtë. Konfliktet midis etnive do të thelloheshin dhe më tej. Jo vetëm Çeçenia rebele, por edhe brenda republikës gjeorgjiane problemet nuk po merrnin zgjidhje.

Në Republikën e Gjeorgjisë
Me statusin e “Republikës”, Gjeorgjia përbëhej nga disa kombësi brenda të njëjtit shtet. Një prej këtyre kombësive ishte dhe Apkazia. Territori i saj shtrihet në kufijtë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por Apkazia nuk dëshironte të ishte nën përbërjen e protektoratit gjeorgjian. Kërkesa e saj e dukshme që në fillim të shpërbërjes së shtetit të sovjetëve, ishte ribashkimi me Rusinë. E gjitha kjo nuk kishte të bënte vetëm me ndërhyrjet nga qarqet e caktuara ruse për të rimarë një pjesë të territoreve të humbura, por sepse vetë apkazët e ndjenin veten shumë më pranë shtetit “mëmë”, si nga traditat, zakonet, ashtu edhe nga gjuha. Gjithsesi asgjë nuk mund të zgjidhej me anë të bisedimeve. E si në të gjitha rastet, në prag konfliktesh, diplomacia nuk ka qenë në rolin e duhur. Dhe incidentet brenda republikës gjeorgjiane filluan të rëndoheshin së tepërmi. Lufta civile kishte filluar… Nga ana e tjetër autoritetet e shtetit gjeorgjian nuk mund të lëshonin një territor si Apkazia, e cila padyshim ishte më e mira e gjithë republikës. Në bazë të të gjithë treguesve, Apkazia njihet si një vend me pjellori të madhe, pyje e lugina që sigurojnë lëndë të parë me shumicë dhe me një nëntokë të pasur. Nëse Gjeorgjia mbeste pa këtë pjesë të sajën, atëherë dhe ekonomia vendase do të kishte probleme të mëdha.

Marrëveshja e Moskës
Pas më shumë se një vit luftimesh, të cilat u zhvilluan në harkun kohor 1992-1993, organizata të ndryshme ndërkombëtare u mblodhën në Moskë, për të vendosur rreth fatit të mëtejshëm të republikës së vogël. Nga kjo mbledhje doli një marrëveshje, e cila më pas u quajt thjesht si “marrëveshja e Moskës”. Pikërisht nga kjo marrëveshje me 12 pika u vendos që një mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vëzhgonte zbatimin e 12 pikave të miratuara në Moskë, ku më së shumti flitej për probleme të vetëvendosjes dhe vetadministrimit të Apkazisë. Në këtë mënyrë Apkazia mori një lloj pavarësie ku, midis të tjerave, i dukej të krijonte dhe strukturat e saj organizative për të administruar jetën e brendshme.

Paqeruajtësit shqiptarë
Në përbërje të misionit vëzhgues të OKB-së u rreshtua dhe Shqipëria. Misioni filloi punën e tij në vitin 1994 me komandën qendrore në thellësi të Apkazisë, në një territor i cili ishte më larg sulmeve të një rebelimi ekstrem. Për tetë vite me radhë Shqipëria është paraqitur në mision me një oficer vëzhgues të cilin e zëvendësonte një herë në gjashtë muaj. Ndërsa në dy vitet e fundit, me ardhjen në krye të ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majkos, kjo metodë ka pësuar një ndryshim të madh. Tashmë në misionin e OKB-së shërbejnë tre oficerë shqiptarë, të cilët zëvendësohen një herë në vit. Ky mision paqeruajtës ndërkombëtar u kodua nën emrin “UNOMIG”.

Kasem Saliasi
Dëshmitari i largët
Major Kasëm Saliasi është një nga tre oficerët vëzhgues që aktualisht po shërben në Apkazinë gjeorgjiane gjatë vitit 2004. Gjatë një ndalimi tranzit në Tiranë, me një lejë të shkurtër vetëm disaditore, ushtaraku i lartë shqiptar tregohet i gatshëm të sqarojë ekskluzivisht për gazetën “Dita” gjithçka ndodh me ndërkombëtarët dhe ekipin shqiptar të misionit. Megjithëse një i ri 37-vjeçar, Kasëm Saliasi mban një gradë madhore të ushtrisë shqiptare, ndërsa mbi shpatulla i rëndojnë 15 vite punë. Ndërsa përveç shkollimit dhe kurseve specializuese si oficer aktiv, ai ka realizuar edhe disa trajnime në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe median.

Fjalët e mira
Gjëja e parë që thotë major Saliasi është se shqiptarët kanë lënë një shije shumë të mirë mes ushtarakëve të tjerë të misionit, por dhe kontaktet me popullsinë në terren. Madje, jo vetëm për shkak të misionit, oficerët shqiptarë janë paraqitur krejt të barabartë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s apo jashtë saj. “Ata kanë kryer të gjithë detyrat tepër të rëndësishme që përmban ky mision. Unë që jam i fundit, deri tani, mund të them pa frikë se kam mbledhur shumë opinione qytetarësh, të cilët flasin me respekt për ushtarakët shqiptarë, paraardhësit e mij, të cilët kanë shërbyer në këtë mision të OKB-së. Në rrethana të tilla, për më tepër kur je larg atdheut, edhe emocioni është më i madh”, shprehet për gazetën “Dita”, major Kasëm Saliasi. Sipas tij, në misione të tilla një ushtarak ndjen një përgjegjësi të dyfishtë. “Së pari, sepse duhet të mbash me nder dhe të ndjesh përgjegjësi për dinjitetin e uniformës që mban emrin e Shqipërisë: Së dyti, sepse kjo përgjegjësi vlen dhe për vetveten, personalitetin dhe karakterin tënd”, sqaron major Saliasi.

Politika ndryshe
Vite më parë, kur luftërat në Gjeorgji sapo kishin reshtur për shkak të marrëveshjes, edhe incidentet mes dy kombësive brenda të njëjtit shtet ishin më të mëdha. Rreziku padyshim ishte më i madh. Por vitet e fundit këto incidente janë rralluar. Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka kaluar përmes vështirësive të shumta. Por ai shton se pas përmbysjes së ish- peridentit Shevernaxe edhe politika gjeorgjiane ka ndryshuar dukshëm në favor të paqes. Presidenti i ri Shakashvil duket se po ndjek një politikë më të zbutur, gjë që ka bërë që të fitojë dhe dashamirësinë e të dy palëve. Në bazë të kësaj politike Shakashvil ka gjetur dhe një përkrahje më të madhe nga organizmat ndërkombëtarë si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Dy anët e lumit
Lumi Ingori njihet dhe si kufiri natyral i Gjeorgjisë me Apkazinë. Në të dyja anët e lumit funksionojnë nga një sektor të misionit, pra gjithsej dy sektorë. Sektori, i cili mban nën vëzhgim pjesën apkaziane, ka në përbërjen e tij 50 oficerë, ndërsa ai që vrojton pjesën gjeorgjiane ka 37 oficerë. Pjesa tjetër e oficerëve qëndrojnë në Komandën Qendrore të misionit. I gjithë misioni ka në përbërje 120 oficerë, por po të marrësh edhe pjesën e kuadrit civil, ai përbëhet nga rreth 400 pjesëtarë. Të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim: Monitorimin e paqes dhe i 12 pikave të nënshkruara mes palëve në konflikt. 

Patrullimi monitorues
Major Kasëm Saliasi thotë se detyra monitoruese dhe patrullimi kryhet çdo ditë. Si rregull udhëtojnë dy makina me nga dy oficerë secila, si dhe një përkthyes. Gjatë patrullimit, oficerët ndërmarrin takime me autoritetet vendase, por në pjesën më të madhe ata respektojnë kontaktet me popullin e thjeshtë, pasi pikërisht aty problemet dalin dhe më drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë i gjithë informacioni përpunohet dhe dërgohet në Komandën Qendrore të misionit. Komanda Qendrore ka për detyrë, që nëpërmjet një relacioni të detajuar, të informojë zyrën e OKB-së në Nju Jork. Për shkak të rreziqeve që paraqiten herë pas here, të gjithë oficerët që mbërrijnë në mision, i nënshtrohen një kursi trajnimi njëjavor, ku u mësohen shumë gjëra. Kështu oficerët trajnohen se si duhet të sillen me vendasit për të kryer detyrën. Në këtë mënyrë atyre u kujtohet edhe një herë se duhet të jenë të qetë, të kulturuar, të mos provokojnë, apo mos bien pre e provokimeve.

Misionarët e vdekur
“Ka pasur raste kur misionarët janë marrë rob nga rebelë vendas. Kjo ka ndodhur disa herë. Por OKB-ja kishte paralajmëruar që në fillim, që në asnjë rast për shkëmbimin e tyre, nuk duheshin premtuar para. Pas disa tentativave të pasuksesshme, misionarët janë lënë të lirë dhe të paprekur”, tregon për gazetën, major Kasëm Saliasi. Por, sipas tij, rasti më ekstrem me pjesëtarë të misionit ka ndodhur disa kohë më parë, diku në kufi të Gjeorgjisë me Çeçeninë. Ishin pikërisht ato forca, të cilat nuk e donin praninë e OKB-së dhe as monitorimin ndërkombëtar. Pikërisht atëherë të rebeluarit qëlluan një helikopter patrullimi me oficerë dhe civilë të misionit. Rrëzimi i helikopterit mori dhe jetën e pjesëtarëve të të gjithë bordit, në të cilin ndodheshin 16 persona.

Ushtarakët e paarmatosur
Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka si kusht kryesor, kryerjen e patrullimit pa armë. Në këtë mënyrë oficerët shumëkombësh, kanë të drejtë të mbajnë vetëm një radiomarrëse në dorë, por asnjë mjet që përbën “armë zjarri” apo “armë të ftohtë”. Për çdo incident të mundshëm, lajmërohet me radio dhe menjëherë vjen ekipi i shpëtimit me helikopter. “Gjithsesi, patrullimi kryhet nën masa të larta sigurie, pasi i gjithë terreni gjeorgjian me Apkazinë, konsiderohet si një arenë lufte”, shprehet major Saliasi.


PAS KUINTAVE
Jeta civile e ushtarakut në mision
Makinat e “UNOMIG”, janë fuoristrada të reja, tip TOYOTA, të cilat gjithashtu janë në ngjyrë të bardhë për të simbolizuar paqen. Në paretet anësore është shkruar kodi i misionit. OKB ka misione të tilla dhe në Kosovë, Siera Leona e Kamboxhia. Ndërsa kriteret për t’u pranuar si anëtar i misionit janë: gjuha angleze, njohuritë në kompjuter dhe patenta e makinës. Të gjithë oficerët e këtij misioni paguhen nga fondi i OKB-së me një pagë të barabartë prej 70 dollarësh në ditë. Por misioni nuk siguron mjetet e jetesës, duke lënë që gjithkush të bëjë zgjedhjen e tij, sipas dëshirës, dhe duke mos i detyruar të bëjnë jetën e kazermës. Në këtë mënyrë oficerë apo civilë kanë marrë apartamente me qira, ndërsa mund të drekojnë apo darkojnë në restorantet e ndryshme të qytetit. Në të gjitha rastet, ata janë të lirë që ta administrojnë si të duan jetën e tyre private, nëse këtë e përballojnë me rrogën që marrin si pjesëtarë të misionit. Major Kasëm Saliasi thotë se megjithatë në mision punët shkojnë shumë mirë. “Të bën përshtypje harmonia dhe ndjenja humanitare që kanë ushtarakët e të gjithë kombësive për njëri-tjetrin. Nëse shprehet se ke një problem, të gjithë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre”, shprehet Major Saliasi. Për sa i përket uniformës, çdo oficer i misionit mban uniformën e ushtrisë së shtetit që përfaqëson.


MISIONI
Si u krijua misioni për paqen gjeorgjiane
Misioni “Beretat e Gjelbra” ka ende kuptim, jo vetëm në terminologjinë gjuhësore, por dhe në veprimtarinë që merr përsipër një mision i tillë delikat. Jo vetëm “Beretat e Gjelbra”, por dhe “Kaskat Blu”, kanë të njëjtin qëllim: të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve që nënshkruhen në prani të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto marrëveshje, zakonisht funksionojnë mes vendeve që kanë probleme etnike apo të luftës civile. Edhe Shqipërisë, mbas futjes së ushtrisë së saj në paktin e “Partneritetit për Paqe” (pakt i dalë nga marrëveshja e Dejtonit në Shtetet e Bashkuara), krijoi strukturat e veta paqeruajtëse. Në këtë kuadër, midis shumë misioneve të përbashkëta me OKB-së, ku ushtria shqiptare ka marrë pjesë, është dhe misioni që shërben në Gjeorgji. Aktualisht Gjeorgjia konsiderohet si një vend me një rrezikshmëri të lartë, ku problemet etnike mund të shkaktojnë të njëjtin kaos që krijuan dhe 12 vite më parë. Por prej 10 vjetësh, misioni ndërkombëtar “Beretat e Gjelbra” mban nën mbikëqyrje të rreptë gjithçka ndodh jashtë kuadrit të një rezolute, ndërmjetëse e së cilës është OKB-ja. Në këtë mision, Shqipëria, ashtu si dhe 22 shtete të tjera, ka statusin e vëzhguesit. Ky mision ushtarak përbëhet nga 120 oficerë që përfaqësojnë 23 vende të ndryshme të botës, ku përveç vendeve të fuqishme perëndimore si Anglia, Franca apo Shtete e Bashkuara, marrin pjesë me ushtarakët e tyre vëzhgues edhe ekipe nga Pakistani apo Bangladeshi. Ndërsa Ballkani në këtë mision përfaqësohet me ekip nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. E veçanta tjetër e këtij misioni është se Italia ka tërhequr përfaqësuesit e saj, pas një incidenti të ndodhur, ku nota e protestës e qeverisë italiane nuk mori përgjigje.

Botuar në gazetën DITA më 13 korrik 2004

Wednesday, July 5, 2017

Kur Shqipëria u bë me 3 milionë banorë


Historia e fëmijës që u cilësua: “i tremilionti”. Si e priti familja ngjarjen e rrallë dhe çfarë përfitoi nga shteti. Vizita e anuluar e Ramiz Alisë në familjen Bega. Emri i vendosur nga Komiteti Qendror dhe ceremonia ku mori pjesë Lumturi Rexha


Nga Leonard Veizi

Megjithëse çështja e shtimit të popullsisë ishte një detyrë parësore për shqiptarët, të paktë ishin ata që e dinin se statistikat e lindjeve po rriteshin nga viti në vit. E ndërsa mosha mesatare zbriti në 27 vjeç, brenda 18 vjetësh numri i shqiptarëve brenda kufijve shtetëror, shkoi nga 2 milionë banorë, në 3 milionë. Aktualisht, kanë kaluar po 18 vjet të tjera, por tashmë askush nuk e di saktësisht se sa shqiptarë jetojnë brenda kufijve. Ndërsa për ata që janë jashtë, as që bëhet fjalë...

...Ishte apo s’ishte fëmija i tyre i tremilionti, për familjen Bega, në qytetin prej minatorësh të Memaliajt, kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të madh. Për ta e rëndësishme ishte që fëmija i tyre i tretë ishte djalë dhe gëzonte shëndet të plotë.

Ngjarja
Shteti lëvizi menjëherë sapo në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë, mbërriti lajmi se Shqipëria më në fund u bë me 3 milionë banorë. Ka qenë mesdita e datës 27 shkurt të vitit 1986, (diku rreth orës 11.30) kur ka lindur banori i 3 milionët i Shqipërisë. 18 vjet më parë, Shqipëria kishte festuar për banorin e 2 milionët të saj. Drita Rexha, fëmija që do të lindte në maternitetin e Bulqizës, dhe do të shënohej si një e 2 milionta pjesë e Shqipërisë, do të kishte përparësinë që emrin e saj ta zgjidhte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxha. Sapo kishte përfunduar elektrifikimi i vendit dhe emri më i përshtatshëm u gjet: Drita. Ndërsa Gëzim Bega, që do të lindte në maternitetin e Memaliajt, do të pagëzohej me këtë emër nga Ramiz Alia, i cili, pas vdekjes së Enverit më 1985, kishte të njëjtat funksione. Fati e donte që si Drita Rexha, ashtu dhe Gëzim Bega, të lindnin në qytete minatorësh dhe kjo ndoshta i jepte më shumë kuptim ceremonive që stimuloheshin nga zyrat e larta të Partisë. Gjithsesi, në 27 shkurt 1986 Shqipëria rrumbullakosi një shifër, për të cilën folën gjatë Radioja, Televizioni dhe gazetat e kohës. Kjo gjë pa dyshim ka rënë dhe në sy të Sali Berishës, i cili në vitin 1991, gjatë një fushate propagandistike në Memaliaj është shprehur se: “I tremilionti i lindur në këtë qytet, është pjesë e historisë”.

Ankthi për lindjen
Qemal Bega ishte një elektricist turni, i cili punonte në minierën e Memaliajt. Ishte martuar me Lavdijen dhe së bashku kishin dy vajza, Jugertën, 6-të vjeç dhe Suelën, 3-vjeç. Por Qemal Bega, si shqiptar i vërtetë, kishte vendosur të bënte patjetër një djalë. Gjatë shtatzënisë së tretë, Qemali ka qëndruar muaj të tëra nën ankth, në fëmija që do të vinte në jetë, do të ishte vërtet mashkull, apo femër, siç kishte ndodhur rëndom me shumë të tjerë që kishin këmbëngulur tek pasardhësi. Pak ditë përpara lindjes, teksa kishin bërë një konsultë tek gjinekologu, në ambientet e maternitetit, Qemali i ishte drejtuar seriozisht së shoqes, Lavdijes: “Po s’bëre djalë, këtu do ta kesh vendin”. Atë mëngjes të 27 shkurtit, Qemali sapo kishte dalë nga nëntoka, ku kishte punuar për turnin e tretë, ndërsa gruaja e tij ishte shtruar me dhimbjet e lindjes në maternitetin e qytetit. Sapo ka marrë vesh lajmin, Qemali është nisur për të qenë më afër gruas. I lodhur nga puna dhe stresi, ai është ulur në një nga lokalet e afërta për të pirë një kafe dhe për të pritur lajmin e mirë. Ka qenë ora 11. 45 minuta, kur shoqja e ngushtë e gruas së tij, Hatixhe Hajlaj, ka vrapuar drejt tij gjithë gëzim duke i thënë: “Sihariq. Djalë”. Entuziazmi i tepruar ka bërë që Qemali të nxjerrë nga xhepi një kartëmonedhë për të shpërblyer lajmësen sipas zakonit.

Lajmi i pazakontë
Familja Bega sapo kishte marrë një hyrje të re në Mamaliaj, pasi deri në atë kohë kishin jetuar në kushte mjaft të vështira, në barakat e minatorëve. Pas gëzimit të marrjes së shtëpisë, lindja e një djali do të ishte një gëzim më i madh. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç kishte menduar Qemali në çastin e parë. “Në shtëpi erdhi me një frymë vjehrra ime, Xhero Meçaj dhe më tha se më kërkonte për një takim në zyrën e saj kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Memaliajt, Lina Kuçi. Nuk e dija se përse më kërkonte, ndaj u nisa me të shpejtë”, kujton Qemali nga ajo ditë e pazakonte e jetës së tij. Sapo janë përshëndetur me njëri-tjetrin, Lina Kuçi i është drejtuar Qemalit me fjalët: “Djali yt pati fatin të plotësojë numrin 3 milionë të shqiptarëve të Republikës. Por duhet të kesh kujdes. Pritet që të të vijnë për vizitë nga Komiteti Qendror i Partisë. Je dakord apo jo?!” Qemali ka mbetur i hutuar një çast pastaj ia ka kthyer: “Të urdhërojnë. Me gjithë qejf. Por që ta dini, kënaqësia ime më e madhe është që më lindi një djalë pas dy vajzave”.

Frenimi për vënien e emrit
Pas marrjes së lajmit për vizitë nga të “mëdhenjtë”, Qemali ka nxituar të nxjerrë gruan nga materniteti, bashkë me foshnjën e sapo lindur. Por të nesërmen, kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të Memaliajt, Lina Kuçi e thërret sërish në zyrë. “Se mos i vësh emrin, se për djalin tënd kanë menduar mysafirët që do të vijnë nga Tirana”, e ka porositur ajo. “Më lajmëruan se në shtëpinë time do të vinte vetë Ramiz Alia, i cili do t’i vinte dhe emrin djalit. Në atë periudhë ai kishte bashkëshorten Semiramisë, shumë të sëmurë, ndërsa vizita e tij u anulua, sepse ajo vdiq. Në këtë mënyrë e dërguara e tij ishte Lumturi Rexha, në atë kohë Presidente e Gruas Shqiptare”, kujton Qemal Bega nga ato ditë plot emocione. Por shtëpia e tij ishte fare e re dhe e parregulluar, ndërsa përpara pallatit kishte vetëm gropa dhe baltë. “U mobilizua gjithë lagja që të rregullonte pjesën përpara hyrjes, ndërsa unë i mora borxh kolltukët Medi Durës, një ish- deputeti të Kuvendit Popullor, ndërsa vazot me lule ia mora Spiro Gjikës, po fqinji im i një shkalle. Në këtë mënyrë shtëpia ime u rregullua disi”, kujton Qemali nga pjesa e peripecive.

Rikthimi në maternitet
Ditën që do të vinin të dërguarit e Komitetit Qendror, organizatorët e rrethit, vunë re se Lavdija dhe fëmija i porsalindur ishin në shtëpi. Me urgjencë i drejtohen Qemalit: “Po ty kush të tha të nxjerrësh gruan nga spitali. E di që protokolli e do që nënën dhe djalin ta nxjerrë nga materniteti Lumturi Rexha? A e di që të gjitha këto do të regjistrohen me kamera dhe do të jepen në televizion. Merr gruan dhe çoje sërish në spital”. Por Qemali ka shqyer sytë dhe u është kundërpërgjigjur. “Ç’thoni more. Gruan e kam lehonë, s’duhet të lëvizë nga vendi”. Por organizatorët e ceremonisë nuk e kanë zgjatur, kanë vënë një makinë në dispozicion dhe e kanë kthyer Lavdijen dhe djalin e saj disa ditësh, sërish në maternitet. Qemal Bega pohon për gazetën, se protokolli u realizua, Lumturi Rexha së bashku me zëvendësen e saj Lavdije Leka, erdhën në Memaliaj me një “Peugeot” fringo të ri, dhe në prezencë të kamerës, nxorën nga materniteti shqiptarin e “tremiliontë” dhe nënën e tij. Gjatë ceremonisë merrte pjesë dhe sekretari i Parë i Tepelenës, Skënder Kuçi.

Dreka me ftesat e veçanta
Për zyrtarët e Tiranës ishte porositur dhe një drekë e mirë. Kjo drekë u shtrua në shtëpinë 1+1 të sapomarrë të Qemal Begës. Së bashku me drekën, nga Komiteti Ekzekutiv erdhi dhe një liste me emra, të cilët do të ishin të pranishëm. Por në të nuk figuronte as vëllai i Qemalit dhe as disa të afërm të tjerë. Kur pyeti, i thanë: “Kjo drekë është e përcaktuar. Pasi të mbarojë, bëj ç’të duash dhe fto kë të duash”. Natyrisht që ashtu u bë. “U vu në dispozicion kuzhinieri më i mirë i Memaliajt, ndërsa ushqimet e përgatitura në një lokal tjetër, i sollën në shtëpinë time disa makina me targa të Tiranës. Të miat kisha vetëm pjatat dhe… sigurisht paratë. Për të përballuar shpenzimet, prisha lekët që kisha mbledhur për të blerë frigoriferin”, kujton Qemali detajet e ceremonisë së lindjes të djalit. Po gjatë asaj dreke, Lumturi Rexha ka hapur një zarf dhe prej andej ka nxjerrë një letër me emrin e djalit të sapolindur. Udhëheqja kishte menduar ta quante GËZIM.

Publiciteti
Ngjarja kishte marrë dhenë. Në drejtim të familjes vinin telegrame të shumta urimi, nga njerëz të njohur e të panjohur. Edicioni i lajmeve të Televizionit Shqiptar kishte mbajtur të gozhduar publikun duke i bërë të ditur lajmin se Shqipëria ishte bërë me 3 milionë banorë dhe se udhëheqësit e partisë e të shtetit kishin vizituar Gëzimin, fëmijën që rrumbullakosi dëshirën 18-vjeçare të shqiptarëve për të pasur dhe një milionë më tepër. “Në Memaliaj erdhi dhe një grup xhirimi, i cili qëndroi një javë dhe bëri një reportazh për ne. Regjisor ishte Kujtim Gjoni, ndërsa kishte filmuar dhe më parë operatori Gaspër Shllaku. Më kujtohet që grupi i xhirimit po priste çastin të filmonte kur fëmija do të qante. Por ai, si për inat, nuk qante. Atëherë u detyruam ta shponim me gjilpërë që të plotësohej kuadri i reportazhit”, kujton Qemali ngjarjen duke qeshur.

Dhurata nga Ramiz Alia
Pasi ka kaluar dhe të 40-tat nga vdekja e bashkëshortes, Ramiz Alia nuk ka harruar të surprizojë familjen që solli në jetë të “tremiliontin” e shqiptarëve. Me porosi të tij, shkojnë në familjen Bega, në qytetin e vogël të Memaliajt, zëvendëspresidentja e Gruas, Lavdije Leka dhe Lumturi Micka, e cila ishte funksionare në kryesinë e Gruas. Me porosi të Ramiz Alisë, për fëmijën 3- muajshe, Gëzimin, erdhi nga Tirana një pako, e cila përmbante: një krevat portativ, me të gjitha kompletet e mundshme, si edhe një copë kostumi për Lavdijen, nënën e Gëzimit. “Për mua s’u kujtua njeri”, qesh Qemali 18 vjet pas ngjarjes.

Në Kongresin e grave
Disa muaj më vonë, në Shqipëri është organizuar kongresi i Gruas. Gjatë pjesës së spektaklit, (e cila zhvillohej në një seancë të veçantë) ishte parashikuar që të takoheshin i “dymilionti” me të “tremiliontin”. Në këtë Kongres u ftua e gjithë familja Bega. Por ata nuk e morën dot Gëzimin e vogël, duke e lënë në Memaliaj, nën kujdesin e gjyshes së tij. E instruktuar nga regjisorja e mirënjohur Xhanfise Keko, vajza e madhe e familjes Bega, Jugerta 6-vjeçare, i ka dhënë një tufë me lule Ramiz Alisë dhe i ka recituar këto vargje:
Xhaxhi Ramiz, xhaxhi Ramiz
I “tremilionti” është vëllai im
Por ai është akoma i vogël shumë
Ndaj në vend të tij, erdha unë.
Gjatë këtij Kongresi, mbeti si kujtim dhe një fotografi, ku Lavdije Bega dhe e “dymilionta”, Drita Rexha, (e cila në atë kohë studionte në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve), janë përkrah ish -antarit të Byrosë Politike, Pali Miska.

Sëmundja e rëndë
Qemal Bega kujton se djali i tij Gëzimi nuk kishte mbushur ende vitin, kur u sëmur rëndë nga sistemi i frymëmarrjes. “Djali kishte mbledhur ujë në mushkri. E çuam urgjent për në pediatrinë e Gjirokastrës, edhe pse rruga ishte zënë nga dëbora. Gjatë rrugës, djali bëri një vdekje klinike, por falë një injeksioni, u kthye në jetë. Nga Tirana u nis me helikopter një grup mjekësh specialistë. U thirr për vizitë mjeku më i mirë i krahinës, Andrea Gulla. Me helikopter ka ardhur për ta vizituar dhe anëtarja e Byrosë Politike, Lenka Çuko. Por një ndihmesë të madhe për jetën e djalit dhanë dhe mjekët: Ekaterina Vashko dhe Çerçiz Myqfari”, kujton Qemal Bega nga ato çaste të vështira. Por djali shpëtoi për mrekulli. Shteti ishte vënë sërish në lëvizje. Nderi ia done që i “tremilionti” të ishte në jetë. Që nga ajo kohë, i Gëzimi ka pasur si mjeke personale pediatren Fato Xhelili, e cila e vizitonte rregullisht në shtëpi.

Përfitimet
“Nuk kam përfituar asgjë nga shteti. Madje kam pasur një shtëpi 1+1, edhe pse isha vet i pestë. Ndërsa aktualisht jam në pension dhe marr 10 mijë lekë në muaj”, tregon Qemali. Atij i është dashur që, për arsye ekonomike, të shkojë e të punojë në Greqinë fqinje, porse një pjesë të parave të fituara me djersë i ka humbur tek “firmat piramidale”.


POHIMI/ “Punoj për të ndihmuar familjen”
Gëzim Bega tashmë është 18 vjeç. Për arsye ekonomike ai është detyruar të vazhdojë shkollën e mesme natën tek “Kristoforidhi”. Ndërsa ditën, i duhet të punojë si punëtor i zakonshëm në një magazinë. Të gjitha këto 18-vjeçari i bën për të ndihmuar familjen e tij, e cila vazhdon të vuajë nga financat e pakonsoliduara. Mendjen e ka pasur për të ndjekur shkollën “Harry Hultz”, por nuk ia ka dalë të paguajë dot kuotat e detyrueshme financiare. Dëshira e tij e vetme është që të bëhet inxhinier elektrik, pasi, siç shprehet vetë ai, telat, pincat e kaçavidat i dalin dhe në ëndërr. Në moshën 13 -vjeçare, së bashku me familjen, Gëzimi është shpërngulur nga Memaliaj, për t’u vendosur në njësinë Kombinat, të Tiranës. Jeta në qytetin e zhurmshëm ka nisur pa shumë probleme për të, pasi ishte në një moshë kur mund të miqësohej shpejt. Për më tepër që në Kombinat, kishte dhe plot tepelanas të tjerë. Ajo që i ka mbetur në mendje gjatë fillimit të jetës në kryeqytet, ka qenë një orë mësimi historie në shkollën 8-vjeçare, “Musine Kokalari”. Mësuesja e historisë (e cila, për hir të së vërtetës nuk e kishte me sy të mirë Gëzimin), e ngre në mësim dhe, përveç lëndës së ditës, i bën dhe këtë pyetje që nuk kishte asnjë lidhje me mësimin: “Kur lindi banori 3 milionët i Shqipërisë dhe si quhet ai?”. Gëzimi ka mbetur një çast, ndërsa shokët e klasës që e njihnin ngjarjen, gati sa s’kanë shpërthyer në të qeshura. “Banori i 3 milionët i Shqipërisë ka lindur në 27 shkurt 1986 në qytetin e Memaliajt. Tani është 13 vjeç, quhet Gëzim, mbiemrin e ka Bega dhe ndodhet në këtë klasë, përpara jush”, është përgjigjur Gëzimi. Por mësuesja e historisë ka mbetur pa mend. “Me kë tallesh ti. S’ke turp. Dil përjashta”, ka ulëritur ajo. Por në ndihmë të Gëzimit janë vënë dhe nxënësit e tjerë, të cilët janë munduar t’i shpjegojnë mësueses së tyre të historisë se Gëzim Bega ishte vërtetë i “tremilionti”. Për të sqaruar konfliktin, në klasë është thirrur dhe nëndrejtori i shkollës, Guri Halili, i cili ishte po nga Memaliaj. “Është e vërtetë, Gëzim Bega është banori i 3 miliontë i Shqipërisë”, ka pohuar nëndrejtor Guri, i cili e njihte mjaft mirë familjen Bega. Atëherë mësuesja e historisë, kokulur, është detyruar të japë notën maksimale për Gëzimin, gjë që s’kishte ndodhur më parë. Të gjitha këto, Gëzim Bega i tregon ekskluzivisht për gazetën “Dita”. Ndërsa pohon duke qeshur se më shumë se sa në emër, shoqëria e tij e thërret “o tremilionësh”.


LETRA
Në emër të familjes Bega, pas lindjes së Gëzimit, erdhën shumë letra e telegrame urimi. Fragmenti i njërës prej letrave, (sipas origjinalit) po botohet në këtë numër gazete:

Nënës; Lavdije Bega
Unë që po ju shkruaj këtë letër urimi, jam një kosovar me banim në qytetin e Kukësit, me punë përgjegjës i gjendjes civile të rrethit. Jo vetëm pse këtë ngjarje të shënuar ne të Gjendjes Civile e kemi ndjekur çdo ditë, sa arriti tek lindja e djalit tuaj Gëzimit, që të kapë shifrën 3 milionë Shqipëria Socialiste në më pak se 18 vjet, por dhe nga ne kosovarët, që e ndjejmë më shumë këtë ngjarje të shënuar, kur ndërkohë vëllezërve e motrave tona, nënave tona të Kosovës, shovinistët serbomëdhenj, po u mohojnë me lloj-lloj formash edhe lindjet e shumta që ka ajo trevë, duke treguar kështu, se janë hapur tani kohët e fundit kundër çdo fëmije që lind i kombësisë shqiptare. Të dashur prindër të Gëzimit; i dashur Gëzim, edhe pse jemi larg, ne malësorët e këtyre anëve e ndoqëm ngjarjen tuaj dhe të gjithë Shqipërisë me interesim të madh. Gëzimi juaj është dhe gëzimi i malësorëve të veriut. Edhe një herë përfitoj nga rasti t’ju sjell urimet më të mira të zemrës, për lindjen e ushtarit të 3 milionët të Shqipërisë sonë të Re, të Bukur, të Fortë e të Pamposhtur Socialiste.
Mexhit Olloni, Komiteti Ekzekutiv Kukës.


Botuar në gazetën DITA më 27 mars 2004