Friday, August 26, 2022

Në shtator nuk ndodh asgjë... përveçse fillojnë shkollat


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë do të ndodhi në shtator?
Pyetjes i vijnë vërdallë plot përgjigje dhe ajo më e frikshmja është se do të ndodhë kataklizmoja. Kashta një shkrepëse do dhe... Mund të ketë një kryengritje të shkallës sipërore si ajo e Spartakut? Ndoshta një revolucion portokalli apo prej kadifeje, ec e merre vesh? Ose... ndoshta do të bjerë qeveria dhe do ngrihet qeveria?
Tobestrafkulla, ku të shkon mendja. Kjo është blasfemi.
-Po me urën ç’patën xhanëm. Ç'të keqe u bënte ajo.
Si mund të bjerë qeveria për hiëmosgjë. Të bjerë ajo qeveri që i ka rezistuar çdo furtune e tufani... Te e fundit ç'kusur të ka qeveria. Ajo detyrat i veta po i realizon. Madje dhe po i tejkalon.
-Qeveria e fortë kjo, ia ka fut Kalca komt qeveris... qeveria ia ka fut komt Kalcës... ja ka bo tetë me dy.
Duket. Nuk ka nevojë për përshtatje me batuta filmash.
Kështu që në muajin e parë të vjeshtës, - si ka filluar dhe shiu e është freskuar ca, - me siguri të madhe mund të ndodhin të gjitha ç'përmendëm më sipër: kryengritje e revolucione, vjedhje e bastisje, vrasje e kanosje. Por me siguri dhe më absolute s’ka për të ndodhur asnjëra prej tyre. Sepse në shtator, kur prej 20 vitesh jemi mësuar të thuhet se “peshku i madh do dali në sipërfaqe me një nga ato grepat “pe të Përmetit”, në fakt kanë filluar... vetëm shkollat. Këtë vit, çeljes së shkollave në muajtin shtator do t’i shtohet me efektivitet të dukshëm edhe rritja e çmimeve që nuk po njeh pushim. Këtu po, jemi njësha. Ia marrim në kthesë të gjitha vendeve të Evropës me Amerikën të marrë së bashku. Për kthesën e Kasharit e kam fjalën, ose atë të Kamzës meqë është më afër kryeqendrës. Çmimet nuk bëjnë dallim.
Hë mo se mban shqiptari.
Që mban, ajo është një gjë që duket. Se pasi kemi ngrënë e jemi shqepur, protesta jonë e pakufijshme është postimi i faturës së çmimeve në facebook. Që në një farë mënyre do të thotë: na bënë namin andej nga Jugu e na i shojtën portofolet. Por dhe kjo, si gjithëka ka dy fytyra, e mund të interpretohet në dy mënyra: e para që çmimet kanë shkuar në stratosferë e nuk ka më nevojë për konfirmime, dhe e dyta, - që me gjasa është më e rëndësishme – ka të bëjë me personin që e poston këtë faturë: sepse si shqiptar trim e sypatrembur ai tregon se ia mban xhepi dhe është i gatshëm të paguajë jo vetëm faturën e tij, por të qerasi dhe klientët e tjerë, brenda pragut të lokalit, me nga një shots.
-Për shëndetin tim dhe për shëndetin e të bukurave sinjorina.
-Bravo Pepin.
Shtatori po bën këmbë. Është pas dere. Por perspektiva e shtatorit duhet parë ca më gjerë, edhe ca më në thellësi. Se nuk ma do mendja ngrenë kandar cironkat që kanë rënë në rrjetën e SPAK-ut, por që duan t’i shesin për peshkaqen. Apo që vetë ky organizëm përdoret si klloun për të trembur gallofët. Tjetërkund fle lepuri.
-Nuk është nevoja të më mësosh mua. Shiko detyrat e tua, se nuk po i kuptuake hiç mirë, merr vesht.
-Si urdhëron zoti prefekt.
Ndaj nuk duhet harruar se në shtator, njerëzia ka ardhur nga pushimet, është reklaksuar. Nuk u bëhet të futen nëpër zyra e as të kapin punë me dorë. Duan të rrinë vetëm në kafe duke kujtuar plot nostalgji ditët e nxehta e plot diell ku hidheshin me kokë në gjol e bënin xhiro me motoskaf. E ju thoni se ata do të lenë kolltuqet e lokaleve dhe do të marrin nga një hu në dorë për t’u ndeshur te kryeministria aq sa të rrëzojnë kërpudhën bukuroshe që i jep nur livadhit aty në krah të godinës ose të prishin instalacionin plot drita që shkëlqen te ballina, tamam si tek hyrja e një diskoteke.
Në shtator ndodhi kur ndodhi një përplasje e madhe, u vra një deputet dhe për pak u dogj Tirana. Por që atëherë të gjithë i druhen shtatorit.
Melazëm, çfarë po na duhet. Nga shtatori në shtator... Fiks si ai filmi kinez “Nga fitorja në fitore”.
Po koha e revolucionit kulturor, - po aq sa ajo e peshkopit të kuq, - nuk vjen më.
Sot nuk flitet më për luftë frontale. Sot flitet me gjuhën e biznesit: të kapim tregjet. Ndeshjet bëhen nëpër tavolina. Nënshkruhen edhe marrëveshje pa protokoll... ose thënën ndryshe: në mënyrë orale.
-E kemi të mirë këtë agjentin grumbullues shoku Miti, mjaltë nxjerr nga goja
-Posi posi, merresh vesh me të, merresh.
Shtatori po vjen. Duhet të bëhemi gati. Se ndonjëherë ka dhe surpriza... përveç çeljes së shkollave dhe rritjes së çmimeve, që janë taksative.

 


Sunday, August 21, 2022

“Lulet e mollës” befasia e Xhon Golsuorthit me personazhin e Migenit

Ftesë për lexim
 

Nga 
Leonard Veizi
 
Shumëkush e mban mend portretin plot jetë të një vajze të bukur bionde, me kashtore mbi kokë dhe një tufë kallinjsh gruri në krah. Luajtur nga aktorja britanike Imoxhen Stabs, ajo do të mbetej si imazhi i Meginit, personazhit të jashtëzakonshëm të Xhon Golsuorthit, por stampuar në pelikulë si një realizim i regjisorit Piers Hagerd...
 
 ...Jo vetëm “Romeo e Zulieta”, por dhe “Lulet e mollës” është një histori tragjike e dashurisë
“The Apple Tree” cilësohet novela më e njohur e shkruar nga shkrimtar i shquar anglez, nobelisti, Xhon Gollsuorth.
Një përshkrim i jashtëzakonshëm dashurie, por që transmeton dhe ndryshimet jetësore të dy përfaqësuesve të klasave të ndryshme shoqërore. Në këtë vepër Gollsuorth na ka treguar me mjeshtëri të lartë artistike dhe me thellësi psikologjike historinë e dashurisë së Frenkut dhe Meginit. Frenk Eshton, është një djalë i ri i sapo diplomuar në një nga universitetet më të mira të Anglisë, në Oksford. Megin është një vajzë 17 vjeçare që jetonte në fshat dhe merrej me punët e thjeshta të shtëpisë.
Një histori që duket sa romantike e që përfundon tragjikisht. Dashuria mes tyre lindi poshtë një peme molle, ku aroma e luleve të saj ishte aq dehëse. Dhe mbyllet po me “lulet e mollës” mbi flokët e vajzës.
Romani hap siparin në një ditë të mrekullueshme pranvere, në përvjetorin e njëzet e pestë të martesës mes Frenk dhe Stela Eshton, të cilët për këtë rast kanë udhëtuar me makinë në drejtim të fshatit Devon, jo shumë larg vendit ku ishin takuar për herë të parë. Ata ndalojnë pranë një varri në një udhëkryq. Stela nxjerr ngjyrat e saj për të pikturuar, Frenk bie në kujtime. Mendja e kthen atë njëzet e gjashtë vjet pas, kur si një i ri që kishte përfunduar studimet, dhe bashkë me një mikun e tij, Robert Harton, kishin bërë një turne në këmbë në një fermë aty pranë. Atje, pas një aksidenti me këmbën e tij, kishte takuar Megin David, një vajzë me bukurinë e një luleje të egër. Stina dhe rinia e tij, bukuria e fshatit dhe vajza u bashkuan për të çliruar fantazinë e tij të ndjeshme. Aty në kopshtin e mollëve, ata ranë thellë në dashuri me njëri tjetrin. I magjepsur pothuajse po aq nga pafajësia e saj sa edhe nga një ndjenjë aventure e tij, Frenk i propozoi që të iknin së bashku, të jetonin dhe ndoshta së fundi të martoheshin në Londër. Megin pranoi dhe ai u nis për në qytetin turistik të afërt të Torkit, me fjalën e dhënë se do të vinte e ta merrte, sapo të përfundonte punë me një transfertë bankara ng aku duhej të tërrhiqte ca para.
Por gjërat ndryshuan papritur. Sepse atje Frenk u takua me njerëz të sërës së vet, mikun e tij të fëmijërisë Fill Hollidej dhe motrën e tij Stela. Ndaj Golsuorth shkruan: “S’kishte pse ta fshihte: që kur ishte takuar me Hollidejtë, e kishte ndjerë se nuk do të martohej kurrë me Megin. Martesa me të do të ishte thjesht një pasion i shfrenuar, emocionues, i fuqishëm, që do të linte gjurmë në ndërgjegje, kurse pastaj... pastaj do t’i mërzitej dashuria e saj e pakufi, di t’i neveriteshin besimi dhe thjeshtësia e saj, të freskëta si vesa e mëngjesit. Po vesa thahet”
Dhe kështu Frenk u martua me Stelën.
Por Megin priste.
Ky është një libër i shkruar shumë thjeshtë, por në të njëjtën kohë fsheh një pikë reflektimi mjaft befasuese. Në fund të fundit, na tregon për një romancë me të gjitha klishetë dhe vështirësitë e zakonshme dhe të parashikueshme, kur përballë vihen përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore.
Megin vdiq në dëshpërim, duke pritur që dashuria e jetës së saj të vinte dhe ta merte një ditë.  Iku nga kjo jetë në një vetëvrasje të parathënë, me lulet e mollës mbi kokë. Ndërsa Frenk Eshton as që u diuk asaj rruge për 26 vite me rradhë.
“Ndoshta vetë dashuria kërkonte fli” - shkruan autori - “kjo do të thotë se ka të drejtë poeti grek – edhe sot tingëllon po aq e freskët ajo e vërtetë që kumbon në vargjet e tij”:
 
Marrëzia është zemra e dashurisë
Dhe i njomi krahëz i saj, praron.
I përulët, oh, sa thellë magjisë.
Gjithçka përreth në pranverë lulëzon,
Ku rinia veshur me të egrat lule,
Qesh, shkëlqen, rritet e bulon
Në pranverë nën të dashurisë
Diell, toka çel e lulëzon
Gëzo o njeri! Atje sipër mbi gjithçka
Kiprida, Kiprida, froni yt lartëson
 
Lexojeni këtë libër, që në 100 faqe të një formati të vogël, nuk do t’u kushtojë më shumë se një pasdite. Dhe do të befasoheni.


Friday, August 19, 2022

Të na rrojnë pushimet..., poshtë pushimet!


Nga Leonard Veizi
 
Kur Banka e Shqipërisë na dha lajmin se do të hidhte në treg një bankonotë 10.000 lekëshe, si shumëkujt edhe mua, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte: inflacioni. Domethënë, shkurt e qartë, që të mos futemi në të thella: deri dje nëse do të bëje shpenzimet e javës në një supermarkatë, do të të mjaftonte një kartëmonedhë 5.000 lekëshe. Ca vite më parë, të njëjtën gjë e bëje dhe me një kartëmonedhë 2000 lekëshe. Nga sot duhet të kesh në kuletë kartëmonedhën e re prej 10.000 lekë që të mund të përballosh shpenzimet.
Sipas teorive të konspiracionit Bordi i Bankës, kur ka marrë vendimin, me siguri do ketë ditur diçka për lëvizjet e ardhshme në rang global. Fjala vjen: e dinte që po afrohej kriza e Kovidit që do të përshkallëzohej me krizën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, që do të sillte ngritjen e çmimeve zinxhir e që vazhdimësia e krizës mund të jetë ose me linë e majmunit, ose me hapjen e ndonjë fronti të ri lufte. Ndaj mori pasa paraprake.
Dhe mirë bëri, tek e fundit. Kartëmonedha e re është birinxhi. Si puna e 1.000 dollarëshit amerikan, por që është rezervë federale e nuk del në qarkullim.
Arsyeja është e thjeshtë: inflacioni zhvlerëson lekun. Ndaj duhet rritur rroga. Mirëpo ty të rritet rroga por jo standardi i jetesës. Sepse gjithmonë do të blesh po aq sa ke blerë për nevojat e tua. Dhe kur mendon se do kesh kursyer diçka, në fund të muajit ke mbetur përsëri me qindarka.
E që të jemi të qartë, kjo llogari merr vlerë kur qeveria të ç’dëmton duke të llogaritur një shtesë mbi pagën, që ka të bëjë me indeksimin e çmimeve. Në një kohë kur ti prej vitesh nuk e merr këtë indeksim, dhe rroga jote është po ajo e 7-8 viteve më parë, padyshim që je bërë për për të të qarë hallin e do të të duhet, o do t’i thuash ndonjë miku të të huajë ca para që të paguash faturat, o të marrësh “eurobond”.
Në një vend si Shqipëria, rroga përdoret për të ngrënë e për të blerë ndonjë rrobë maksimumi. Se lakuriq nuk do dalësh në rrugë. Nuk flas këtu që vëllai emigrant të sjell një makinë të përdorur që t’i ta prishësh duke bërë xhiro te Blloku. Flas për mesataren e njerëzve dhe të rrogave. Dhe këtu nuk futen as multi milionerët që duam apo nuk duam ne e kapën veten, qoftë dhe duke privatizuar me “letra me vlerë”, - pra për 5 para gjë, - pronat e ish-shtetit. Dhe sot ata cilësohen si investitorë strategjikë.
Iku ajo punë.
Rritja e çmimeve, dukej si fjalë goje në fillim dhe shpesh për të ngushëlluar njëri-tjetrin kemi thënë: po ec o burrë se 100 lekë të reja për asortiment janë rritur çmimet? Ia dalim!
Dhe ç’është e vërteta, kjo është e vërtetë kur bëhet fjalë për biznese popullorë që mbajnë të njëjtin nivel klientele.
Mirëpo jemi në stinën e pushime verore, dhe nëpër plazhe dora nis e lirohet nga pak. Por llogaria në fund të lë pa mend. Dhe si përfundon “me sukses” pushimet plazhore të verës 2022 të bie në mend ajo shprehja e famshme: “The king is dead, long live the king!” e cila edhe pse përfaqësuar më së shumti në gjuhën angleze fillesën e ka nga Franca. Në rastin konkret, shqip ajo transkriptohet më së miri: “Rrofshin pushimet.., poshtë pushimet”!
Ja, do bëjmë një llogari të thjeshtë të një familjeje me katër persona që shkon me pushime në mënyrë modeste. Kjo që të kuptojmë më mirë dhe inflacionin, edhe indeksimin dhe rritjen e çmimeve, edhe xhepat e pantallonave në fund të aventurës.
Do nisesh me pushime me karburant që varion deri në 100 lekë të reja ngritje për 1 litër. Sepse në këmbë nuk shkon dot.
Një dhomë fshati – nuk po flasim për hotelet - është rritur me 500 lekë të reja dhe një çadër me dy shezllone 200 lekë të reja. Pra 700 lekë pa nisur dita. Nuk po fusim në këtë mes, kafe, akullore e ndonjë misër të pjekur që ambulantët ta fusin me zor te goja dhe ec e mos e ha po deshe.  Sepse në fund të fundit jemi me pushime. Dhe po të pjesëtojmë edhe sasinë e karburantit vajtje-kthim, këtu na duhet të shtojmë nja 200 lekë më tepër.
Ndalemi te dreka. Çdo asortiment në restorant ka një rritje prej 100 lekësh. Katër veta, d.m.th katër pjata, katër gota birre apo vere dhe dy pjata mesi. Gjithsej në 10 asortimente kemi 1000 lekë të reja shtesë, shkuan 1900 deri në drekë.Llogari e trashë kjo ore, se mos mendoni që i kam marrë nga Instituti i Statistikave. Se po qe për statistika... e kemi thënë dhe më parë: ne kemi marrë ccmim për ushqimin kur s’kishim bukë të hanim.
Vazhdojmë me hesapet e tjera.
Që ta dini, jemi me pushime. Nuk kemi shkuar për të bërë punë vullnetare e duhet të marrim tenxhere me presion, tiganë, kanoçe e kusi me vete. Pra në djall le të shkojë, se kursejmë një vit që të bëjmë një palë pushime, ashtu “të hajrit”.
Në darkë përsëri në një restorant popullor. Pak më të kursyer këtë herë meqenëse sipas të dhënave që jep “shëndetësia falas” nuk duhet të rëndohemi se na bën keq. Po e ulim dorën me 500 lekë të reja shtesë. Shkuan 2400 lekë shtesë në fund të ditës.
Po qe se ke ndërmend të qëndrosh 10 ditë në plazh, shtesa mbi kuotë do të shkojë 24 mijë lekë të reja. Ndërkohë që rroga mesatare është 35 - 40 mijë lekë...
Të keqen e pushimeve në Turqi, Greqi, e në Spanjë po deshe...
E habiten pastaj se pse ka shkuar turizmi për lesh.
Në këto kushte e mira është që të tërheqësh kuzhinën me vete: e të fillosh përsëri të ziesh fasule e të trashësh orizin për pilaf, meqenëse kanë proteina e fibra dhe të mbajnë. Se deti të lodh e të këput, dielli gjithashtu. Ndaj duhet të hamë që ta përballojmë.
Jemi apo s’jemi me pushime djalli e mori?!
Hajde pushime të mbara!

Thursday, August 18, 2022

Pandi Siku, aktori që shkëlqeu si Ademi e si "Pinxho kapella"

In Memoriam

 
 
Nga Leonard Veizi
 
Ai do të mbahet mend në kinema për të paktën dy role emblematikë: Ademin tek “Brazdat” dhe Adnan Pinxho, i biri i Abdurrahmanit, tek “Njeriu me top”.
 
-Po ti nuk do japësh gjë për partizanët o Pinxho Kapella?
-Nuk ka kohë ai, jo, se i ftohet gjella.
-Mua partizanët nuk më pyetën kur dolën malit, tani le të hanë atë që blojtën!
 
Edhe pse karriera e tij u mbështet mbi role të dyta, ai diti të latonte çdo detaj për t’i dhënë jetë e karakter një personazhi. Qoftë dhe në rolin episodik si shoferi i taksisë tek filmi “Mysafiri”.
 
-Për besë edhe goxillë të isha nuk do haja kaq shumë. Shiko si më është fryrë kaceku... Po bën skopio.
 
Pandi Siku, kishte më shumë se 20 vjet që ishte larguar nga Shqipëria dhe jetonte me familjen në Illinois, të Shteteve të Bashkuara. Por edhe Shqipërinë e vizitonte herë pas here sepse në skenën e Teatrit të saj kishte punuar aq fort me rolet dhe kishte lënë padyshim gjurmë të pashlyera.
Por në 16 gusht 2022, pas betejës me një sëmundje të rëndë, ai u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Pandi Siku ishte lindur në Tiranë më 28 Korrik 1949. Po në Tiranë kishte vazhduar shkollën në degën e dramës në Institutin e Lartë të Arteve, për t’u diplomuar si aktor.
Edhe pse roli i tij i parë debutues ishte në kinema në vitit 1971, dy vite më pas ai do të emërohej si aktor i trupës së Teatrit Popullor të asaj kohe.
Njihet si aktor që ka interpretuar mjaft role, kryesisht të dyta, të cilat jo vetëm i dhanë një emër të mirë por dhe çmimin e “Aktorit më të mirë”. Vazhdoi pranë Teatrit Kombëtar deri në vitin 2001, kur iu desh të emigronte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për jetën e tij profesionale shkruhet se në teatër debutimin e bëri në dramën “Toka jonë” dhe “Bashkë me agimin”. E më pas do të vinin një seri rolesh të tjera.
Një karakter të fuqishëm e tragjik ai do të jepte tek Shpendi në “Epoka para gjyqit” personazhi që priste të ekzekutohej pasi kishte vrarë dy nga spiunët e Portës së Lartë.
 
-Lidhja është gjallë Sulejman. E shoh në sytë e kësaj fëmije.
-Po ai nuk është fëmijë mor zoti Abdyl. Po ai di me ec me kalë, di me shti me pushkë, di me ndejt mes burrash. Po ai di dhe me knu. Hajde ke baba...
 
Dhe po aq sens humori do të transmetonte në skenë dhe me komedinë e famshme të Shekspirit “Nata e 12-të”, ku luan rolin e një prej shërbëtorëve të zonjës Olivia.
 
-Zonjë, zonjë, mos lini grindjen dhe armiqësinë të prishin ngazëllimin e këtij çasti.  Malvolios zonjë ia punuam ne këtë lojë.
 
Në kinema do të ishte pjesëmarrës me debutimin e tij që kur ishte student në vitin 1971 në moshën 22-vjeçare, tek “Kur zbardhi një ditë”; por në vitin 1973 regjisori Kristaq Dhamo do t’i besonte rolin e protagonistit, atë të Ademit tek “Brazdat”, rol i cili do ta bënte fort të njohur tek spektatori.
 
-Si thua Marta, që në shkollë e ke pasur qejf traktorin. Zëri një herë levat e tij me dorë. Shemb një lis, një të vetëm dhe do ta ndjesh veten më të madhe dhe më të fuqishme se Zoti.
 
Për Pandi Sikun kritika do të shkruante se ka ditur me profesionalizëm të ndërtojë tipa e karaktere, ngandonjëherë shpërthyes në interpretime me batuta gazmore, si fshatarin, punëtorin, traktoristin, shoferin... por të riun atdhetar, si në rolin e Mistos tek “Fushë e blerte, fushë e kuqe” të regjisorit Gëzim Erebara.
 
-Gjeneralëve fashist u intereson të na shikojnë ne se si grindemi me njëri-tjetrin. Ata mund të na rrahin dhe shpatullat, sepse duan që ta bëjnë rininë për vete.
 
Pandi Siku u nda nga jeta... por vetëm fizikisht. Sepse, ashtu siç është shprehur dhe miku i tij aktori Leka Sefla, ai do të vazhdojë të mbetet “Djaloshi i përjetshëm”. Për të gjallët e mëpastajmë Pandi Siku ka lënë disa dhjetëra role në pelikulë, të cilat do ta mbajnë në jetë kujtimin e tij.

Wednesday, August 17, 2022

Një pelegrinazh i shkurtër në Kryegjyshatë, aty ku të gjithë jetojnë në paqe


Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1930, Selia e Shenjtë Botërore e Bektashinjve u vendos në Tiranë dhe nisi ndërtimi i godinës.
Në vitin 1939 pranë saj u mblodhën atdhetarët për të kundërshtuar pushtimin fashist.
Në vitin 1941 godina e Kryegjyshatës përfundoi së ndërtuari.
Në vitin  1941, pikërisht në 28 nëntor, Kryegjyshi Sali Njazi Dede, bie dëshmor i Atdheut. U vra  pas një debati me Jakomonin, mëkëmbësin e Perandorit Emanuel sepse nuk pranoi të firmosë dokumentin e pushtimit të Shqipërisë.
Në vitin 1967, kur në Shqipëri shpërtheu vala kundër besimeve fetare selia e kryegjyshatës ndërroi përkohësisht destinacion duke u kthyer një azil pleqsh.
Në vitin 1991, godina iu kthye pronarëve të ligjshëm...
 
...Thonë se të gjitha krahasimet çalojnë. Ndaj dhe kur për bektashinjtë thuhet se janë si “katolikë të fshehur” apo si “protestantët”, padyshim që krahasimet nuk funksionojnë. Sepse ata nuk janë as si katolikët e fshehur dhe as si protestantët e hapur. Ata janë thjesht Bektashinj. Kanë rrymën e tyre, dogmën, idhujt dhe udhëheqësit shpirtërorë.
 
Udhërrëfyes
Vendndodhja e saj është në një nga pikat dominuese të kryeqytetit. Zyrtarisht kryegjyshata njihet se është pjesë e rrugës “Dhimitër Kamarda”. Por rruga më e përdorshme që të çon në destinacion është “Ali Demi”. Përpara se të mbërrish tek Ish-Poligrafiku duket të kthehesh në të djathtë tek rruga “Bajo Topulli”, pas rreth 200 metrave  duhet të kthehesh majtas tek rruga “Hysen Loci” dhe ke mbërritur në dyert e Kryegjyshatës Botërore. Por tanimë, për të shkuar në të njëjtin destinacion mund të marrësh dhe bulevardin “Bajram Curri” përgjatë lumit të Lanës deri tek rrethrrotullimi i Shkozës. Aty duhet të kthehesh sërish djathtas në rrugën dytësore që është po “Ali Demi” dhe pastaj të bësh të njëjtin itinerar.
Një pjesë të territorit të Kryegjyshatës, sistemi komunist e përdori për të ndërtuar Kombinatin Poligrafik. Kombinati në fjalë, - i cili ishte i destinuar të përçonte rrymën socrealiste, - u ndërtua në vitin1975 dhe përmblidhte 18 shtypshkronja në Tiranë dhe rrethe. Tanimë nga Poligrafiku i dikurshëm ka mbetur si relike vetëm një oxhak. Ambientet e tjera të tij janë përshtatur për një spital. Në disa magazina të tjera ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme.
 
Historia
Në faqen zyrtare thuhet se Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka historinë e saj të hershme dhe të sotme, si një nga të katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri. Historia e tarikatit bektashian nis nga shekulli XIII. Në vitin 1826 nga Sulltan Mahmuti i II-të, për tarikatin bektashian u morën masa shumë të ashpra, deri në vrasje, burgosje apo internime të klerikëve të cilët ushtronin këtë besim.
Selia botërore e bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë në vjeshtën e vitit 1925,  kur qeveria turke me një vendim të posaçëm mbylli teqetë.
Më parë se kaq, më 15 qershor 1826,  rebelët jeniçerë u masakruan. Trupave jeniçerë, dikur të zgjedhurit e sulltanit, u kishte ardhur fundi. Ata u shpallën të jashtëligjshëm. Shkatërrimi i këtyre trupave, që e quanin veten "Djemtë e Haxhi Bektashit", padyshim që do të rëndonte edhe mbi teqetë bektashiane...
Kështu Kryegjyshata Botërore Bektashiane mbërriti në Shqipëri ku ngriti një bashkësi të pavarur e të njohur nga të tjerët. Qeveria e Mbretit Ahmet Zogu duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashi, me dekret të veçantë e emëroi në mars të vitit 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve dhe në gusht të këtij viti caktoi qendrën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në teqenë e Melçanit të Korçës. Disa muaj më pas, me Vendimin nr. 659, dt. 02. Gusht 1930, Selia e Shenjtë Botërore u vendos në Tiranë.
 
Naimi
Në territorin e Kryegjyshatës, - ku mund të shkosh në çdo kohë për të gjetur qetësi shpirtërore e të ndezësh një qiri, - ambienti është i bukur, i pastër, ku janë mbjellë dhe shumë trëndafila. Në qendër të kompleksit veç flamurit me ngjyrën e gjelbër dhe shenjat e bektazhizmit qëndron dhe flamuri i kuq shqiptar me shqiponjën e zezë dykrerëshe.
Sapo hyn në territorin e oborrit, në të djathtë të bie në sy një bust i Naim Frashërit. Sepse ai ishte një bektashi i madh. Poshtë bustit janë gdhendur dhe dy vargjet e tij lapidar.
“Ti Shqipëri më jep nder
Më jep emrin shqipëtar”.
Naimi shkroi, “Fletorja e bektashinjve”, ku sipas tij, udha bektashiane, është një udhë që bashkon dhe asnjëherë nuk ndan.
Pikërisht në këtë vend në 28 nëntor të vitit 1939 pranë varrit të Naim Frashërit populli i Tiranës u mblodh duke kundërshtuar pushtimin fashist. Një pllakë përkujtimore është vendosur aty pranë në nderim të këtij aktiviteti atdhetar.
 
Enveri
Pas fjalimit programatik të Enver Hoxhës, në 6 shkurtin e vitit 1967: “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fushata kundër fesë për ironi të fatit nisi nga gjimnazistët durrsakë të shkollës “Naim Frashëri”. Kjo fushatë, që mbylli dyert e të gjitha kulteve fetare, nuk do të kursente as komunitetin bektashi, megjithëse një pjesë e baballarëve luftuan me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi nazi-fashist. Sipas statistikave gjatë viteve 1945 – 1990 janë pushkatuar, burgosur dhe internuar 55 dervishë dhe baballarë.
Dhe më pas bëhet e ditur se gjatë viteve të errëta të diktaturës, bektashizmin e mbajtën gjallë teqeja e Baba Rexhepit në Detroit e cila edhe pse e pashpallur u bë si një kryegjyshatë botërore, por dhe e teqeja e Gjakovës, e Pejës etj.
Teqeja e Tiranës njëkohësisht edhe si Kryegjyshatë Botërore u rihap në 22 mars të 1991 bashkë me festën e Sulltan Novruzit dhe në praninë edhe të vetë Nënë Terezës.
Në këtë rilindje u vlerësua roli i ish-Kryegjyshit Botëror, Dede Reshat Bardhit.
 
Odeoni
Tanimë për bektashinjtë ka dhe një odeon madhështor. Një tjetër qendër e madhe e Kryegjyshatës Botërore. Pikërisht aty në oborrin e asaj ekzistues, nisi të ndërtohej në vitin 2004. U përurua më 7 shtator 2015.
Në ambientet e Odeonit - ose Faltorja e Madhe, - ndodhet edhe Muzeu Bektashian. Ky muze prezanton nëpërmjet dokumenteve, fotografive dhe objekteve origjinale historinë e Bektashizmit në shkallë botërore dhe në veçanti Bektashizmin shqiptar. Ai është i organizuar në 12 stenda e 12 vitrina, duke respektuar 12 Imamët. Një kënd shumë i rëndësishëm është ai që i kushtohet tolerancës dhe harmonisë fetare.
Në ballë të odeonit është vendosur kjo shprehje: Zot juaj tha: Lutmuni mua, do ju përgjigjem!
 
Haxhi Bektashi
Në faqen zyrtare thuhet se: “Bektashizmi i themeluar nga Haxhi Bektash Veliu është një dogmë mistike islame që merret me përsosmërinë shpirtërore të njeriut dhe respekton të gjitha fetë monoteiste”.
Në oborrin e Kryegjyshatës një vend i posaçëm është edhe për këtë lider shpirtëror ku lartohet shtatorja e Haxhi Bektash Veliut.
Që prej vitit 1941, shtatë kryegjyshë botërorë janë varrosur në tyrbet e Kryegjyshatës dhe që të gjithë janë nga Shqipëria.
Tanimë Kryegjyshata Botërore drejtohet nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Monday, August 15, 2022

“Seks drogë dhe rock'n roll”, festivali që mblodhi legjendat e muzikës

 Woodstock 1969
 


Nga Leonard Veizi
 
Në Tiranën e viteve ’80 një koncert me këngëtarët më në modë të muzikës rok i cili u mbajt në një vend që quhej Udstok, ishte kthyer në legjendë. Ata që kishin pasur mundësinë ta ndiqnin nëpërmjet kanaleve të huaja televizive, e kishin kaluar gojë më gojë për të ardhur tek më të rinjtë  të cilët pas vitit 1973 e kishin shumë më të vështirë të shihnin qoftë dhe një kronikë se si ishte organizuar një koncert që u cilësua festival dhe që vazhdoi për katër ditë me radhë pa ndalim. Ndonjë tjetër që kish mundur të siguronte ndonjë kasetë videoje, gjithashtu mblidhte me pikatore shokë e miq të besuar dhe së bashku shihnin festivalin e famshëm...
 
...Ishte viti 1969. Bota po ndryshonte me shpejtësi dhe një grup të rinjsh amerikanë po kërkonin vendin e tyre brenda saj. Në atë kohë konflikti dhe pasigurie, tre ditë paqe dhe muzikë dukej se ishin pikërisht çka nevojitej. Ajo që filloi në një skenë në mes të një fushe të vogël pranë Nju Jorkut, përfundoi në skenën botërore. Askush nuk e dinte në atë kohë, por ato tre ditë muzikë, baltë dhe kujtime do të lindnin një fenomen të tërë kulturor.
Festivali i Udstokut, - që u zhvillua 15-18 gusht, 1969 në fermën e Maks Jasgo në Bethël të Nju Jorkt e që ishte 65 km në jugperëndim të qyteti Udstok, - u konceptua fillimisht si një koncert 3-ditor - të cilit iu shtua dhe një ditë të katërt – e që përfshinte atë që në vitet ’60-‘70 ishte në modë “seks, drogë dhe rock'n roll”. Por këtë herë i ishte shtuar edhe shumë baltë. Sepse ra shi. Në këtë festival me famë të jashtëzakonshme mëpastaj kënduan ikonat e lëvizjes hippi: Xhenis Xhoplin, Xhimi Henriks, Sho Koker, Karlo Santana, e shumë të tjerë...
Festivali i Muzikës Udstok i vitit 1969 tashmë është kthyer një ikonë e protukulturës hippi të viteve 1960.
 
Organizatorët
Festivali i Muzikës Udstok ishte ideja e katër djemve të rinj, të gjithë poshtë moshës 27 vjeç, që kërkonin një mundësi investimi: Xhon Roberts, Xhoel Rosenman, Arti Kornfeld dhe Majkëll Lang. Lang kishte organizuar Festivalin e suksesshëm të Muzikës në Miami në vitin 1968 dhe Kornfeld ishte nënkryetari më i ri në “Capitol Records”. Roberts dhe Rosenman ishin sipërmarrës të Nju Jorkut të përfshirë në ndërtimin e një studio regjistrimi në Manhattan. Të katër djemtë formuan “Woodstock Ventures, Inc”. dhe vendosën të organizojnë një festival muzikor. Gjetën një vend për ngjarjen në një park industrial në Uollkell të Nju Jorkut. Shtypën bileta me vlerë 7 dollarë për një ditë, 13 dollarë për dy ditë, dhe 18 dollarë për tre ditë. Megjithëse organizatorët kishin parashikuar fillimisht rreth 50,000 pjesëmarrës të festivalit, paraprake u shitën rreth 186,000 bileta.
 
Angazhimi
Por gjërat nuk shkuan dhe aq mirë. Gjëja e parë ishte vendi. Pa marrë parasysh se si të rinjtë dhe avokatët e tyre e nxorën lejen, qytetarët e Uollkellit nuk donin banda hippi të droguara pranë qytetit të tyre. Pas shumë përçapjeve, qyteti i Uollkellit miratoi një ligj më 2 korrik 1969, i cili në mënyrë efektive ndaloi koncertin pranë qytetit. Të gjithë organizatorët e përfshirë në Festival u panikuan. Dyqanet refuzuan të shesin më shumë bileta dhe negociatat me muzikantët ranë ndjeshëm. Vetëm një muaj e gjysmë para se të fillonte Festivali, duhej gjetur një vend i ri. Për fat të mirë, në mes të korrikut, para se shumë njerëz të kërkonin rimbursime për biletat e blera, fermeri 49-vjeçar i qumështit Maks Jasgo, ofroi fermën e tij prej 600 hektarësh në Bethel. Ndryshimi i minutës së fundit në vendin e ngjarjes do të vendoste seriozisht afatin kohor të Festivalit. Duhej të përpiloheshin kontrata të reja për të marrë me qira fermën dhe zonat përreth, dhe duhej marrë leja për vazhdimin e Festivalit. Ndërtimi i skenës, pavijonet e artistëve, parkimi, stendat dhe sheshi i lojërave për fëmijë mezi përfunduan pak para ngjarjes. Të rinjtë u përpoqën të sillnin më shumë tualete, më shumë ujë dhe ushqim. Gjithashtu e mundimshme ishte rregullimi i turneve me oficerët e policisë që duhet të patrullonin jashtë detyrës.
 
Turmat
Më 13 gusht - dy ditë para fillimit të Festivalit, - rreth afro 50,000 njerëz iu afruan kampit. Ata kishin ecur përmes boshllëqeve të mëdha sepse gardhet dhe portat nuk ishin vendosur ende. Meqë nuk kishte asnjë mënyrë për t'i zhvendosur 50,000 njerëz dhe për të ngritur portat e shumta, organizatorët u detyruan ta linin këtë veprimtari të lirë. Deklarata se koncerti do të ishte i lirë kishte dy efekte negative. E para se organizatorët do humbnin shumë para. Efekti i dytë ishte se ndërsa lajmi u përhap se koncerti ishte i lirë, rreth një milion njerëz u nisën për në Bethel. Është vlerësuar se rreth 500,000 njerëz mësynë në fermën e qumështit. Askush nuk kishte planifikuar një shifër të tillë. Autostradat në zonë u bënë si parkingje. Njerëzit braktisën makinat në mes të rrugës dhe ecnin në këmbë. Trafiku ishte kaq problematik sa që organizatorët punësuan helikopterë për të zhvendosur interpretuesit nga hotelet e tyre në skenë. Guvernatori i Nju Jorkut Nelson Rokfeler thirri organizatorin e festivalit Xhon Roberts dhe i tha se po mendonte të urdhëronte 10,000 trupa të Gardës Kombëtare të ndërhynin për rivendosjen e rendit, por Roberts e bindi të mos e bënte një gjë të tillë. Qarku Sallivan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Gjatë festivalit, personeli nga baza e afërt e Forcave Ajrore “Stevvart” ndihmoi në sigurimin e rendit.
 
Festivali
Pavarësisht problemeve Festivali Udstokut filloi gati në kohë. Të premten e15 gushtit, Riçi Heivens u ngjit në skenë dhe hapi zyrtarisht Festivalin. Muzika filloi përsëri menjëherë pas mesditës të shtunën dhe vazhdoi pa ndërprerje deri në mëngjesin e së dielës rreth orës 9:00. Ishte e qartë për të gjithë që të dielën, Festivali Udstok ishte duke u mbytur. Kur Xhimi Hendriks, muzikanti i fundit që luajti në Udstok, përfundoi grupin e tij të hënën në mëngjes, turma ra në vetëm 25,000 vetë. Përkundër linjave që furnizonin me ujë dhe të paktën një orë radhë për të përdorur tualetin, Festivali i Udstokut u cilësua si një sukses i madh. Kishte shumë drogë, shumë seks dhe lakuriqësi,si  dhe shumë baltë e cila u krijua nga një shi që ra ato ditë.
 
Audienca
Audienca në Udstok ishte e larmishme dhe një reflektim i kohërave që ndryshonin me shpejtësi. Disa ndiheshin të tjetërsuar nga një shoqëri e zhytur në materializëm. Në vitin 1969, vendi ishte në Luftën e diskutueshme të Vietnamit, një konflikt që shumë të rinj e kundërshtuan me forcë. Ishte gjithashtu epoka e lëvizjes për të drejtat civile, një periudhë trazirash dhe protestash të mëdha. Udstok ishte një mundësi për njerëzit që përhapnin mesazhe uniteti dhe paqeje. Megjithëse turma në Udstok përjetoi mot të keq, kushte me baltë dhe mungesë ushqimi, uji dhe kanalizime të përshtatshme, atmosfera e përgjithshme ishte harmonike. Duke parë mbrapa, disa njerëz ia atribuojnë mungesën e dhunës numrit të madh të drogave psikodelike që u përdoren. Të tjerë besojnë se hipitë thjesht po jetonin sipas parimit të tyre: "bëj dashuri, jo luftë".
 
Siguria
Mjekë vullnetarë, EMT dhe infermierë drejtonin tendën mjekësore të Udstok. Shumica e lëndimeve ishin të lehta si helmimi nga ushqimi dhe plagosja e këmbëve zbathur.
Është raportuar gjerësisht se tetë gra përjetuan abort. Një adoleshent humbur jetën pasi u përplas nga një traktor. Një tjetër person humbi jetën si pasojë e drogës.
 
Pas Festivalit
Woodstock” është festivali i konsideruar gjerësisht si një çast kulminant në historinë e muzikës pop, si dhe një ngjarje përcaktuese për brezin e kundërkulturës. Rëndësia e ngjarjes u përforcua nga një film dokumentar i vitit 1970, një album muzikor shoqërues dhe një këngë e shkruar nga Xhoni Mitçell që u bë një hit. Në vitin 2004, revista Rolling Stone e renditi atë si numrin 19 të 50 çasteve që ndryshuan historinë e “Rock and Roll”-it. Në vitin 2017, vendi i festivalit u rendit në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike.
 

Friday, August 12, 2022

Kostumet e zbardhta të politikanëve të nxirrë... prej diellit


 
Nga 
Leonard Veizi

Politikanët i kemi në shtëpi dhe atëherë kur nuk duam t’i dëgjojmë: si në rastin e pushimeve për shembull. Me retorikën e tyre si demagogë universalë, ata nuk mungojnë asnjëherë në faqet e gazetave dhe ekranet televizive. Por kjo nuk vjen vetëm nga dëshira e tyre, por dhe nga dëshira jonë si popull që e duam këtë muzikë: mëngjes, drekë darkë...
-Duhet lajmëruar qendra zoti Fotaq. Janë ndezur gjakrat.
-Si u ndezkan gjakrat për muzikë ore aman. Le të këndojnë toger, le të këndojnë. Për qeverinë është mirë kur populli do të këndojë.
Mirëpo ajo që dëgjomë së shpeshti këto kohët e fundit ka të bëjë me faktin se: shqiptarët janë lodhur nga politika në këto 30 vjet tranzicioni, dhe tashmë ka ardhur koha për pak relaks...
Por llogaria bëhet ndryshe. 30 vjet janë të demokracisë. Se për 45 vjet diktaturë shqiptarët e kishin kryer stazhin te bregu i lumit duke zbërthyer fjalimet e plenumeve të Komitetit Qendror.
Kur u hapën dyert dhe dolën në det të hapur shqiptarëve u gënjeu mendja se ishin të përgatitur mirë politikisht dhe kërkuan të merreshin thellësisht me çështjet globale. Dhe zgjidhja e çështjeve globale bëhej nga tavolina e kafesë. E kthyen pllakën vetëm kur e kuptuan që prej kafeneve ku bëhej politikë e hapur dhe konstruktive, se pas detit na ndodhej dhe oqeani, dhe në ato ujëra nuk lundrohej më as me varkë, as me gomone e as me skaf me dy motorësh.
-Koburet nuk qëllojnë me gjyle që thua ti. E unë... tragete s’ kam...
Kështu u kthyen përsëri të çështjet lokale.
Ku ka si bahçja jote: e prashit, e ujit dhe merr ndonjë kokërr prodhimi.
Politika, po në plan të parë. Madje dhe kur krimi gëlon, apo ekonomia shkon dishezë. Titujt e mëdhenj të gazetave ishin e vazhdojnë të jenë monopol i një lajmi politik, edicionet e lajmeve në radio hapen me një kronikë politike, edicionet informative në krye të listës: një informacion politik. Politikanët po vazhdojnë të jenë në garë: kush të thotë thagmën më të madhe që të dali i pari në lajme. Pra të bëjë dhe xhiron e rrjetit. Se dhe kjo punë ka sekretet e veta. Prandaj paguhen një taborë me këshilltarë e zëdhënësa shtypi.
E gjitha panorama zgjat jo pak por plot 11 muaj të vitit, pa asnjë ditë pushimi. Çdo ditë e në çdo festë politikanët të parët. Edhe kur kishte festa fetare, edicioni nuk hapej: Sot shqiptarët festuan ditën e... por: Kryeministri dha urimin e tij nga selia e komunitetit...
Ne i kemi politikanët këmbëkryq në shtëpitë tona. Edhe kur nuk duam.
Dhe vinte muaji i 12-të. Jo dhjetori domosdoshmërish. Gushti në rastin konkret. Epo, thanë shqiptarë e rrymës gri, - ata të pavendosurit që herë anonin majtas e herë djathtas por larg të qenit militantë të thekur dhe aktivë: - shyqyr që të na bien veshë rehat ca ditë. Se dhe politikanët do bënin ca ditë plazh, larg Tiranës.
-Ejjj, dëgjuat. Jeni nën komandën time tani, këtu.
-Dëgjuam dëgjuam o Refat, po na lër rehat
Po largësia është element relativ, tek e fundit.
Halli është edhe tek mediat. Se ato nuk mund të qëndrojnë pa u hapur me lajmin politik. Dhe zgjidhja është gjetur në të mirë të të gjithëve. Një ditë njëri e një ditë tjetri, politikanë të rëndësishëm e shtetarë me peshë, lënë shezlonin e plazhit, i hipin makinës dhe drejt e në Tiranë. Në zyrë për çdo rast kanë lënë një xhaketë e zbardhur që e hedhin krahëve dhe lexojnë atë çfarë i ka përgatitur stafi. Hedhin ndonjë llaf për rritjen e çmimeve, për korrupsionin dhe për aksionin politik që do të bëjë namin. Edhe po nuk e bëri... e rëndësishme është të jenë të rreshtuara njëra pas tjetrës kamerat e televizioneve. Një regji qendrore që do e kishte zili dhe Kinostudio punon me plane të shkurtra statike, plan detaj, zum dhe plan panoramë.
Hajde film, hajde. Hollivud.
Pasi i përgjigjen dhe ca pyetjeve të gazetarëve fët e fët, - o burra në makinë, dhe urgjent në shezhllonin e plazhit. Mungesë 2-3 orëshe por me shumë bereqet.
Nga riviera vërshojnë selfiet dhe video ku politikanet janë duke bërë thagma në det. Por ka dhe më, kur bëjnë rolin e atij që se ka mendjen dhe një “paparac” ta shkrep një foto në çastin më të keq. Dhe del në portal pa mendje. Nami në rrjet. Pikë maksimale.
Eh, sa ka zanati.
Dhe politikanët i ke përsëri në shtëpi. Në ditë punë e në ditë pushimi. Nuk të ndahen ata, derisa të hedhësh votën në kutinë që duhet dhe nga kutia të dali ai që duhet.
Jemi në muajin gusht. Të gjithë janë me a pushime, edhe gjykatat, edhe prokuroria, madje edhe SPAK-u ka ulur qepenwt. Timpanet e politikës nuk pushojnë.
Ne po, vdesim t’i dëgjojmë.
 

Tuesday, August 9, 2022

Në Uashington D.C, kryeqytetin perandorak të amerikanëve


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Kur mbërrin në Shtetet e Bashkuara dhe vendbazimi yt qendror është në Nju Jork, duhet të bësh në mend se prej kësaj pike nevralgjike do të duhet të nisesh, nëse ke si opsion të parit lart e poshtë edhe të një qyteti tjetër. Në rastin konkret, për të quajtur të kryer apo si të suksesshëm një vizitë në Shtetet e Bashkuara, - pasi fillimisht je njohur me disa emblema të qytetit ikonik të Nju Jorkut, - e mira është të shohësh dhe kryeqytetin: Uashington DC.
Mes Nju Jorkut dhe Uashingtonit janë 226 milje rrugë - të cilat konvertohen në 363 kilometra, - e që përshkohen për të paktën 4 orë, nëse do të bësh edhe ndonjë ndalesë të shkurtër në autogrill. Nga Nju Jorku në Uashington DC mund të shkosh me tren, autobus, makinë, aeroplan ose metro. Por faqet në internet të orientojnë me të paktën 10 mundësi lëvizjeje, duke të vënë në dispozicion dhe çmimet përkatëse të biletave. Dhe ti mund të zgjedhësh.
Për të nisur udhëtimin 4 orësh për në kryeqytet, itenerari në formë të shkurtuar është ky: 
Guida na tregon se duhet të kalojmë mbi “Verrazzano Narrous Bridge” e më pas në “Goethals Bridge” për të dalë nga Nju Jorku e për t’u futur në shtetin e Nju Xhersit. Kemi lënë rrugët e pamirëmbajtura të Nju Jorkut dhe jemi futur në autostradën kombëtare, e cila ishte e shtruar në mënyrë uniforme. Kudo paguhej. Por për një rrugë të mirëmbajtur në fakt. Si kemi lënë mënjanë Pensilvaninë, futemi në tokat e shtetit Delauer dhe kalojmë mbi urën “Delaware Memorial Bridge”. Më pas futemi në Baltimora ku do të duhet të merrnim “Baltimore Harbor Tunnel”, që kalon nën lumin “Patapsco” në juglindje të qendrës së Baltimorës. Më tutje se kaq, megjithëse autostrada herë zgjerohej në 6 korsi e herë ngushtohej në 3 korsi, qëllonte që të kishte aq trafik sa të dukej sikur në një ditë sezoni po shkoje në plazhin e Durrësit përmes dy korsive të një autostrade miniaturiste dhe jo se po kalon në tokat e Meryland. Dhe si ke kaluar këto peripeci të këndshme, je futur në kryeqytetin perandorak të Shteteve të Bashkuara. Në Uashington DC.
 

Të dhëna enciklopedike
Uashingtoni është një qytet i shtruar, krejt i pastër, i projektuar që në gjenezë për të qenë një kryeqytet me ndërtesa solide dhe jo të larta, sipas modeleve të lashta të kulturës greko-romake. Duke parë korpusin e ndërtesave shtetërore herë të duket se je në Athinë e herë në Romë. Por këtë herë me dimensione të reja.
Enciklopedia na mëson se në 16 korrik 1790, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi krijimin e një distrikti të kryeqytetit siç lejohej nga Kushtetuta. Ai quhet Distrikti i Kolumbias, pra shkurt “DC” dhe nuk është pjesë e asnjë prej shteteve amerikane. Shtetet Maryland dhe Virginia dhuruan toka përgjatë lumit Potomac për të formuar distriktin federal. Kongresi e konsolidoi të gjithë distriktin nën një qeverisje të vetme bashkiake në vitin 1871. Qyteti është emëruar për nder të Xhorxh Uashingtonit.
Forma fillestare e distriktit federal ishte një katror me brinjë 10 milje ose 16 kilometra, pra me një sipërfaqe prej 100 milje katrore ose 260 kilometra katrore.
Sot Uashingtoni është shteti i 18-të më i madh në Shtetet e Bashkuara, me një sipërfaqe prej rreth184 mijë km2 dhe shteti i 13-të më i populluar, me më shumë se 7.7 milion banorë. Shumica e banorëve të Uashingtonit jetojnë në zonën metropolitane të Seattle.
 

Karakteri i qytetit
Uashingtoni cilësohet si një qytet i jashtëzakonshëm, me shumë personalitete: një qytet që funksionon si federal, një metropol ndërkombëtar, një destinacion piktoresk turistik, një thesar i pakrahasueshëm i historisë dhe objekteve të vendit dhe një qendër kozmopolitane që ruan ambientin e një qyteti të vogël. Roli që luan Uashingtoni si kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara shpesh e lë në hije historinë e tij të gjallë si dhe çështjet komplekse të politikës, ekonomisë dhe ato sociale. Disa qindra-mijëra njerëz në zonën metropolitane DC punojnë për qeverinë federale.
Uashingtoni është shtëpia e qeverisë amerikane, e shumë organizatave ndërkombëtare si dhe e 174 ambasadave të vendeve të huaja.
Arkivat Kombëtare përmbajnë mijëra dokumente të rëndësishme për historinë amerikane, duke përfshirë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe Deklaratën e të Drejtave. E vendosur në tri pjesë të ndërtesës së Kongresit, Biblioteka e Kongresit është biblioteka më e madhe në botë me një koleksion prej mbi 147 milionë libra, dorëshkrime, dhe materiale të tjera. Ndërtesa e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara u përfundua në 1935. Më parë, gjykata i mbante seancat në Dhomën e Vjetër të Senatit në Kapitol.
 

Shtëpia e Bardhë
Në Uashington nuk shkohet për të bërë shopping. Një turist i zakonshëm do të bënte çmos që brenda një kohe të shkurtër të shihte vetëm pikat më të nxehta të kryeqytetit dhe padyshim do ta fillonte me Shtëpinë e Bardhë. Nëse e prenoton, ke të drejtën e një vizite në disa ambiente të saj, qoftë dhe duke parë dhomën ovale. Në të kundërt duhet të mbetesh i kënaqur që pas hekurave të bësh një set fotografish dhe video sa të ta marrë mendja.
Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi më vendosjen e gurit të themelit më 13 tetor 1792, sipas projektit të arkitektit irlandez Xhejms Hoban. Ajo u bë gati për banim në 1 nëntor 1800.
Për kuriozitet, në Shtëpinë e Bardhë janë 132 dhoma, 35 banjo, si dhe 8 palë shkallë. Gjenden gjithashtu 412 dyer, 147 dritare, 28 oxhaqe, si dhe tre ashensorë.
Në kohë të ndryshme të historisë, Shtëpia e Bardhë është njohur si “Pallati i Presidentit”, “Shtëpia e Presidentit” dhe “Rezidenca Ezekutive”. Presidenti Teodor Rusvelt vendosi emrin formal “White House – Washington”.
E konsideruar si një nga ndërtesat më të dallueshme në botë, Shtëpia e Bardhë përdor një sërë masash të sofistikuara për të mbrojtur Presidentin dhe administratën e tij. Kompleksi i Shtëpisë së Bardhë mbrohet nga Shërbimi Sekret dhe Policia Federale.
 
“Qendra Kombëtare"
Aty mund të ndeshësh ketra që janë aq të familjarizuar me njeriun sa mund të të presin rrugën e të të kërkojnë ushqim.
“Qendra Kombëtare” apo “National Mall" është një park i madh, i hapur, në qendër të qytetit, midis Përkujtimores Linkoln dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të quajtur ndryshe Kapitol. Tanimë “Capitol Hill” në Uashington D.C. supozohet gjerësisht se ka marrë këtë emër sipas emërtimit të Kodrës së Kapitolinës që është një nga shtatë kodrat e shenjta ku u themelua Roma e lashtë e nga ku nisi dhe historia e lavdisë së saj.
Për nga rëndësia, "National Mall" është shpesh qendër e protestave politike, koncerteve, festivaleve dhe përurimeve presidenciale. Aty ndodhet Monumenti i Uashingtonit dhe Guri i Xhefersonit, Përkujtimorja Kombëtare e Luftës së Dytë Botërore, Përkujtimorja e Veteranëve të Luftës së Koresë dhe Përkujtimorja e Veteranëve të Vietnamit. Ndodhet dhe Muzeu Përkujtimor i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara.  Një tjetër atraksion është Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane një muze i Institutit Smithsonian.
Institucioni Smithsonian është një fondacion arsimor i krijuar nga Kongresi në 1846 që mban shumicën e muzeve dhe galerive zyrtare të vendit. Qeveria amerikane financon pjesërisht Smithsonian, duke i bërë kështu koleksionet e tij të hapura për publikun pa pagesë.
 

Obelisku
Monumenti i Uashingtonit është një ndërtesë në formë obelisku brenda Qendrës Kombëtare në Uashington DC, e ndërtuar për të përkujtuar Xhorxh Uashingtonin, i cili mes viteve 1775-1784 ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Kontinentale në Luftën Revolucionare Amerikane, dhe më pas, mes viteve 1789–1797, Presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara.
Monumenti i Uashingtonit është projektuar nga Robert Mills dhe i përfunduar nga Tomas Keisi dhe Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane. I ndërtuar në formën e një obelisku egjiptian, duke evokuar përjetësinë e qytetërimeve të lashta, Monumenti i Uashingtonit mishëron potencën, respektin dhe mirënjohjen që ndjente kombi për Atin e tij themelues. I vendosur pothuajse në lindje të Pishinës Reflektuese dhe Memorialit të Linkolnit, monumenti, i bërë nga mermeri, graniti dhe guri blu, është edhe struktura prej guri më e larta në botë 169,046 metra.
 
Tempulli i Linkolnit
Mbi kokën e tij është kgjendur ky epitaf: "Në këtë tempull, si në zemrat e njerëzve për të cilët ai shpëtoi Bashkimin, kujtimi i Abraham Lincoln është i ngulitur përgjithmonë."
Memoriali i Linkoln është ndërtuar për të nderuar presidentin e 16-të të Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkoln. Është në skajin perëndimor të Qendrës Kombëtare në Uashington, DC, përballë Monumentit të Uashingtonit dhe është në formën e një tempulli neoklasik. Arkitekti i memorialit ishte Henri Bejken. Ndërtesa është në formën e një tempulli grek Dorik dhe përmban një skulpturë të madhe të ulur të Abraham Linkoln dhe mbishkrime të dy fjalimeve të njohura të tij.
Linkoln njihet si burrështeti që udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile, duke ruajtur bashkimin. Ai hoqi skllavërinë, forcoi qeverinë federale dhe modernizoi ekonominë.
Memoriali ka qenë vendi i shumë fjalimeve të famshme, duke përfshirë fjalimin "Unë kam një ëndërr" të Martin Luther King Jr. mbajtur më 28 gusht 1963, gjatë mitingut në fund të Marshimit në Uashington për Punë dhe Liri.
Ky tempull ka qenë gjithmonë një atraksion i madh turistik dhe që nga vitet 1930 ka marrë rolin e një qendër simbolike të fokusuar në marrëdhëniet racore.
 
Kujtesa ndaj Luftës

Memoriali i Luftës së Dytë Botërore është një memorial me rëndësi kombëtare kushtuar amerikanëve që shërbyen në forcat e armatosura, - por dhe si civilë, - gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dizajni i tij fillestar u dorëzua nga arkitekti austro-amerikan Fridrik Florien. Memoriali u hap për publikun më 29 prill 2004. Përkujtimi është një formë ovale me dy harqe 43 metra, që përfaqësojnë teatrot e Atlantikut dhe Paqësorit në luftë. Pesëdhjetë e gjashtë shtylla përfaqësojnë shtetet, territoret dhe Distriktin e Kolumbisë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Dy kurora prej bronzi të gdhendura zbukurojnë çdo shtyllë. Bazat e granitit dhe bronzit janë stolisur me vulat e shërbimit ushtarak të Ushtrisë, Trupave të Marinës Luftarake, Forcave Ajrore të Ushtrisë, Rojës Bregdetare dhe Marinës Tregtare. Ujëvarat rrethojnë një mur me 4.000 yje të artë, ku secila përfaqëson 100 vdekje amerikane në luftë. Një kopsht rrethor, i quajtur "Rrethi i Kujtimit", është i mbyllur nga një mur guri.
 
Turistët

E gjithë qendra e Uashingtonit është një lokacion mjaft i preferuar për turistët. Vetëm Parku Kombëtar vizitohet çdo vit afërsisht nga 24 milionë turistë. Përafërsisht 6,000 njerëz vizitojnë Shtëpinë e Bardhë çdo ditë. Turistë të shumtë mbërrinin në një nga vendqëndrimet e “Pensilvania Avenu”, me autobuzë apo mikrobuzë, një pjesë e të cilëve ishin të hapur në katin e dytë me qëllim që turistët të sodisin e të fiksojnë gjithçka me kamerat e tyre.
Shumë nga turistët preferojnë të udhëtojnë nëpër qytet me monopatina e biçikleta, me qëllim që të shmangin trafikun dhe të arrijnë sa më shpejt në destinacion. Krejt të shpenguar ata mund t’i gjesh duke kërcyer edhe përpara Shtëpisë së Bardhë.
 
Epilogu

Udhëtojmë nëpër “Pensilvania Avenu”. Është pikërisht rruga ku Presidenti amerikan ecën në këmbë, shoqëruar nga shpura e tij, pasi ka bërë betimin.
Pensilvania Avenue është një rrugë diagonale në Uashington D.C., që lidh Shtëpinë e Bardhë dhe Kapitolin. E gjithë rruga ka një gjatësi prej 9.3 kilometrash, por konsiderohet më e rëndësishmja segmenti që lidh Shtëpinë e Bardhë me ndërtesën e Kapitolit, e cila kap një gjatësi lineare prej 1.9 kilometrash.
Në të dyja anët e rrugës gjen shitësa ambulantë ku pas lodhjes dhe qëndrimit disa orësh në diell, mund të freskohesh me një pije të gazuar apo akullore, por gjithashtu mund të hash dhe një “ushqim të shpejtë” tipik amerikan. Në të ikur mund të ndeshësh edhe disa nga godinat kryesore të shtetit siç është Departamenti i Drejtësisë apo Arkiva dhe Libraria e Kongresit.
Për më tej duhet ta lësh Uashingtonin dhe të marrësh rrugën 4-orëshe me makinë, për t’u kthyer sërish në vendbazimin fillestar: Nju Jork Siti.