Monday, June 29, 2020

Besim Zekthi, shqipja e valleve tona

Besim Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku do të jepte kontributin e tij për më shumë se 50 vjet me radhë. Ai shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist, duke qenë në shumë raste dhe koreograf i tyre. Në repertorin e tij do të numëronte mbi 200 valle të interpretuara

Nga Leonard Veizi

Nën gjëmimin e fortë të daulleve, që dukej sikur do të plasnin nga çasti në çast, dhe ritmit të fizarmonikës, klarinetës, llautave  e violinave, ai nuk ndalej. Lodhjen nuk mund ta ndiente, sepse lodhje nuk kishte. Dhe pas valles së parë vinte e dyta, e treta e me radhë. Shputat dhe majat e këmbëve vetëm sa preknin skenën, por nuk arrinin të rëndonin mbi të. Dhe ai ishte i lehtë. E ndërsa në sytë e spektatorëve dukej mahnitës, me veten e tij ai ishte njeriu që nuk mund të kënaqej kurrë. Sepse çdo herë dhe në çdo dalje në skenë, diçka të re kërkonte, diçka që të mund ta çonte në një vend të skajshëm. Dhe këtë mund ta bënte veç një zog fluturues, ndoshta një feniks që ringrihej nga hiri i tij, a ndoshta një shqiponjë që jetonte aq shumë, sa nuk dinte të vdiste. Dhe ai kërkoi ndihmën e kësaj të fundit...

...Tek ngrihej lart me krahët e shqiponjës, ai jo vetëm i jepte gjithë kompozimit koreografik të valles “Kreshnikët e lirisë”, por dukej sikur fuste brenda krahëve të tij gjithë trupën e valltarëve. Dukej shumë madhështor për të menduar se do të qëndronte në tokë apo nën të, ndaj imazhi i tij është i fiksuar thellësisht se si qëndronte mbi të tjerët, një bojë njeriu sipër. Ndërsa aleatja e tij e përhershme, ky shpend krenar dhe simboli i flamurit kombëtar, ishte ajo që e karakterizoi aq shumë në vallet e udhëhequra prej tij, qoftë dhe në vështrimin e mprehtë si prej luftëtari a kaçaku me pushkë e pisqolla brezit…

                                                                                             ***
Bota e të vdekurve po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Dhe Besim Zekthi sot i përket një bote tjetër. I kishte mbushur 84-vjeç kur mbylli sytë. Në njoftimin e zakonshëm thuhej se ai u largua nga jeta pasditen e të dielës së 28 qershorit 2020, në shtëpinë e tij, diku në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë. Ndërsa ishte lindur më 5 shkurt të vitit 1936, po në Tiranë.
Bota e artit është në zi sot. Dhe kohët e fundit ajo ka marrë goditje të herëpashershme. Janë larguar nga kjo jetë korifenjtë, njerëz që i kanë dhënë aq shumë botës shqiptare të gjërave të bukura. Të tjerë kanë ikur prej kohësh. Në panteon shtohen yjet dhe imazhet e shenjtëruara. Vendet e mbetura bosh kërkojnë të zihen me shpejtësi. Konkurrenca duket e fortë. Por jo në të gjitha rastet bilanci është i njëjtë. Sepse ka vende që mbeten vakante për një kohë të gjatë, dhe konkurrenca nuk hyn fare këtu. Vendin e Besim Zekthit vështirë ta marrë njeri, as sot dhe as për vitet në vazhdim. Brezat kanë nisur të ndërrohen. Më të rinjtë ende nuk e njohin të shkuarën. Por ata që e bënë epokën e tyre tashmë nuk mund të harrohen. Dhe nëse duam t’i harrojmë, sërish nuk mundemi. Ata janë aty, të gjallë, madje të rinj e vitalë. Sepse ka një mekanizëm që i bën të pavdekshëm. Dhe kjo është më e rëndësishme se fletëlavdërimet në letër, çmimet që kanë marrë, apo dhe një pension kacidhesh, akorduar nga shteti për punën e tyre madhore.
Besim Zekthi do të mungojë në botën e të gjallëve. Nuk do të jetë i pranishëm për një kafe, për një bisedë shoqërore, për të dhënë një mendim të çmuar e profesional a qoftë dhe për të bërë një dorë tavëll a letrash brixh, nëse luante diçka të tillë. Por imazhi i tij aspak. Ai ndodhet nëpër bobina me shirita magnetikë të Televizionit Shqiptar, në ato të filmit që ruhen me fanatizëm tek Arkiva e ish-Kinostudios. Ato vazhdimisht transmetohen. Sepse repertori i tij është i shumëllojshëm për një valltar që s’ka ditur të ndalej. Pa dyshim brezat e rinj, ata që kërcejnë nën ritmet dehëse të hip-hopit apo dhe rock and rroll-it nëse ekziston akoma, duhet të dinë se mbi gjithçka ka qenë dhe është tabani kombëtar. Dhe këtë më shumë se kushdo na i tregojnë vallet e Ansamblit, ato që janë interpretuar prej Besim Zekthit, Liljana Cingut, Enver Birkos, Rexhep Çelikut, Besim Jazexhiut, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Besim Zekthi
Por Besim Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist. U bë pjesë e këtij Ansambli që në vitin 1957, kur u krijua nën drejtimin e “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Më herët, në vitin 1952, ai ishte prezantuar te Filarmonia e Shtetit, në një konkurs ku kishte fituar pikët maksimale, dhe vetëm në këtë mënyrë pati mundësinë të fillonte karrierën si valltar. Dhe do të jepte kontributin e tij artistik për më shumë se 50 vjet me radhë. Ato që mbahen mend më shumë nga repertori i tij i çmuar janë “Vallja e shqipeve”, “Kreshnikët e lirisë”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, por dhe “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj. Në repertorin e tij Besim Zekthi numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, dhe do të përfaqësohej në kërcim me kërcime nga të gjitha trevat shqiptare, të Tiranës, valle nga të Devollit, të Dropullit, por dhe kërcime mirditore, kuksiane e dibrane.
Ndërkohë Besim Zekthi ishte po aq dhe koreograf. Dhe ishte ai qa ka ideuar vallet: “Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Për flamur, për atdhe”, “Motivet e Librazhdit”.
Duke qenë një kërcimtar i jashtëzakonshëm, mjeshtër i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi u bë dhe ndër protagonistët kur në vitin 1970 Shqipërisë iu dha “Gjerdani i Artë”, në festivalin e Dizhonit, në Francë. Pas kësaj Zekthi e çoi vallen shqiptare në shumë vende të botës, Në Evropë, Azi e Afrikë, dhe pa dyshim  për këtë ndihej shumë krenar.
Për gjithë kontributin e tij të madh në kulturën shqiptare, Besim Zekthi mbante titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Sot vendi i Besim Zekthit është bosh, dhe po aq bosh ka mbetur dhe vendi i Rexhep Çelikut apo Enver Birkos. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nuk është në ditët e tij më të mira. Për të mos thënë që ditë të mira ka kohë që nuk ka pasur dhe Shqipëria nuk ka qenë mjaftueshëm e përfaqësuar në evenimente ndërkombëtare. Sepse ka qenë ky Ansambël dhe këta emra të mëdhenj të valles popullore shqiptare që kanë ngritur në këmbë publikun e Algjerisë, Marokut, Kinës, Turqisë, Francës, Vietnamit, Rumanisë, Suedisë, Norvegjisë, Greqisë, Italisë, Austrisë, Tunizisë, Gjermanisë, Egjiptit, Zvicrës, Finlandës, Danimarkës, Australisë, Maqedonisë, Libisë, Kroacisë, Belgjikës, Kanadasë, Spanjës, e Portugalisë.


Friday, June 26, 2020

Pluton Vasi: Fëmija i përdhunimit, një film mbi skenarin e Bashkim Hoxhës


Leonard Veizi dhe Pluton Vasi
Nga Leonard Veizi

Makineria është bërë gati, skenari tekniko-regjisorial është zbërthyer tashmë dhe njerëzit e ekipit mbështetës e dinë mirë se ku i kanë vendet e tyre. E, megjithatë, çaku i parë ende nuk është përplasur, që xhirimet të quhen të nisura. Ka ende ca detaje të papërfunduara, por kjo nuk i sjell ndonjë ngërç. Natyrisht, do të ishin në një situatë tjetër, nëse gjithçka nuk do ta kishte ndërprerë pandemia “Covid” dhe vendimi për izolimin e plotë të shoqërisë brenda mureve të shtëpisë që quhej karantinë...

...“Motor...” “Ka motor...” “Këtu vallëzohet me hijet! - 14 dubël një”.
Ai është mbreti i sheshit të xhirimit dhe si i tillë duhet të jetë një diktator në miniaturë, apo simbolikisht i tillë. Ndoshta kjo që them ka të bëjë me shkollën e vjetër, sepse ai nuk e manifeston një gjë të tillë dhe arrogancën nuk e zotëron. Por titullin e “mbretit” nuk ka përse ta refuzojë, përderisa çdo segment filmik nuk mund të bëhet pa urdhrin e tij. “Mbretëresha”, po nga e njëjta dinasti, është Vjollca Dedei, e me një begraund të gjerë mban pozicionin e producentes. Thirrja e vjetër, arkaike, me një portavoçe me bateri tashmë i përket së kaluarës. Kamerat digjitale, aparaturat e zërit, miksterat dhe ekranet e kontrollit janë aty. Teknikat për realizimin e një filmi kanë ndryshuar dhe një dron milimetrik që regjistron nga ajri zëvendëson ngritjen e një helikopteri lufte.  
Mbështetur te një skenarist me përvojë si Bashkim Hoxha, duket se Pluton Vasi ka siguruar suksesin paraprak dhe tani po mendon më së shumti se kujt do t’ia besojë rolin kryesor, një aktoreje shqiptare apo një të huaje, jo domosdoshmërisht. Për së fundi me shumë guxim regjisori i njohur shfaqi filmin “Ndërkombëtarët” dhe ca më herët “Maya” realizoi objektivin për të thyer një mori tabush provinciale. Këtë herë nuk e dimë nivelin e rrezikut, por, natyrisht, ai do të jetë i lartë. Fabula që ka zgjedhur ngjall grishje pas një titulli fantazmë që, gjithsesi, të ngjeth: “Këtu vallëzohet me hijet!”. Skenat paraprake i ngjasojnë horrorit. Në një dhomë pihet konjak, cigare dhe dëfrehet. Në po të njëjtën dhomë përdhunohet. Dëshmitarë janë muret. Por ato nuk flasin. Flet vetëm Ziguri, një agjent ligavec i shërbimit sekret që përgjonte gjithçka ndodhte mes një grupi artistësh të cilët kërkonin të merrnin nga jeta ca më shumë sesa pikatorja me të cilën i ushqenin. Piktori i filmit, Adnand Kastrati, ka skicuar qindra ide, ndërsa në kokën e regjisorit imazhet janë të qarta. “Nuk mendoj se ka ndryshuar ndonjë gjë... mendoj se “...akoma vallëzohet me hijet”! thotë regjisori i njohur i filmit artistik dhe dokumentarëve. E për më tej, për gazetën “Fjala” Pluton Vasi zbulon disa prej detajeve të filmit të ri:

Bashkim Hoxha dhe Pluton Vasi
Projekti juaj i fundit është një film artistik me metrazh të gjatë. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë ndërmarrje?
Bashkëpunëtorët në zhanrin tonë nuk mund të futën në një dadabaze për të thënë në fund se janë “X” bashkëpunëtorë. Sepse bashkëpunëtorët në këtë profesion janë gjithmonë në lëvizje, shtohen dhe pakësohen. Por nuk mund të rri pa përmendur këtu bashkëpunëtorin tonë kryesor që është skenaristi Bashkim Hoxha. Është fat për mua që pas kaq e kaq vitesh që jetojmë në një qytet, siç është Durrësi, erdhi ora që unë të bashkëpunoj me të. Përveç kësaj, në periudhën e gjimnazit e më parë, unë thuajse jam rritur me poezitë dhe tregimet e Bashkim Hoxhës. Thënë shkurt, është fat që po bashkëpunoj me një emër të tillë, si Bashkim Hoxha. Sigurisht, pasi ramë dakord për skenarin, në listën e bashkëpunëtorëve rreshtohet Vjollca Dedei, e cila është dhe producente e filmit që, sigurisht, është dhe një ndër bashkëpunëtoret e mia kryesore, si në aspektin e marrjes së vendimeve, ashtu dhe në aspektin e udhëheqjes drejt zhvillimit të filmit. Një tjetër bashkëpunëtor është piktor i filmit, Adnand Kastrati. Nuk mund të lë pa përmendur konsulencat me miq të ndryshëm. Sepse, pasi vendoset për skenarin, merren konsulenca se ku duhet ndërhyrë dhe ku jo, çfarë duhet sugjeruar dhe çfarë nuk duhet. Filmi është një art kompleks, pra është një martesë e disa gjinive siç është muzika, loja e aktorit, piktura, imazheria. Në këtë aspekt, bashkëpunimi paraprak është në konsulencë e sipër.

Është tërësisht produksion shqiptar?
Në këtë status që jemi është produksion shqiptar. Por ne kemi marrë një “ok” dhe pothuaj është një proces i mbyllur, bashkëpunimi me një studio belge përfaqësuesit e së cilës e kanë pëlqyer jashtëzakonisht projektin. Së fundmi, kemi një trokitje dere nga ana e maqedonasve, sepse mendohet që do të hyjnë edhe ata në bashkëpunim. D.m.th gjithmonë shikohet statusi i subjektit, i asaj që serviret, që në historinë e bashkëprodhimeve, unë do t’u thosha në kuptimin simbolik “paterica”. Janë këto patericat që na ndihmojnë. Do të ishte shumë mirë që bashkëprodhimet të mos ishin të karakterit të shpëtojmë dhe të zgjidhim problemet financiare dhe të mbeten paterica. Bashkëprodhimet të ishin të përcjellëse të ideve, sa më koncize e sa më konkrete.

Filmi do të luhet i gjithi në Shqipëri, apo ka dhe skena jashtë vendit?
Kjo varet nga bashkëprodhimi, sepse një pjesë e mirë e bashkëprodhuesve kanë kushte edhe për lokacionin, për vendet ku kryhen xhirimet. Por nëse hyjnë në lojë maqedonasit, do të ketë skena edhe në Maqedoni. Sepse duhet thënë që në film është personazh edhe figura e Nënë Terezës. Karakteri kryesor i filmit është një gazetare, e cila jeton jashtë dhe vjen në Shqipëri për të bërë një reportazh për Nënë Terezën. Përveç takimeve me të afërmit e shenjtores në Tiranë, ajo do të shkojë edhe në Maqedoni, të regjistrojë vendin ku ka lindur Nënë Tereza, ku ka shtëpinë në Shkup, apo nga ka dalë në manastirin e Strugës. Këto janë elemente që sjellin apo ndërtojnë  historinë e bashkëprodhimit.

Vjollca Dedei dhe Pluton Vasi
Sapo treguat detaje nga filmi, por do të doja të dija më shumë rreth përmbajtjes së skenarit?
Skenari i Bashkim Hoxhës është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë. Fillimisht ka qenë e shkruar si dramë, por pasi ramë dakord u përshtat për skenar. Është historia e një vajze shqiptare, e lindur në Shqipëri; nëna e saj ishte një artiste, balerinë. Në vitet ‘90 edhe vajza bashkë me shumë shqiptarë të tjerë emigrojnë. Jeton në një vend perëndimor dhe pas shumë vitesh rikthehet në Shqipëri për të bërë një reportazh për Nënë Terezën. Ditën e parë që vjen, shkon në shtëpinë ku është rritur. Ajo është një shtëpi e braktisur, pasi nëna kishte më shumë se një vit që i kishte vdekur. Por në shtëpi troket dikush. Është një burrë i moshuar i cili i prezantohet si Ziguri dhe i thotë se i bëhej qejfi që takohej me të. Ai i thotë se dinte gjithçka rreth asaj shtëpie, njihte çdo tingull e çdo lëvizje. “Dhe dua që këtu të vdes, të var veten”,  – i thotë në fund. Kjo është ndër gjërat që krijon goditjen e parë, ose hedh ngjitëset e para për të krijuar një suspancë interesante. Pyetjes së vajzës se kush ishte, ai përgjigjet se ishte një ndër njerëzit, por më kryesori, që kishte përgjuar jetën e nënës së saj. Sepse në atë shtëpi nëna e saj bashkë me miqtë bënin mbrëmje dëfrimi apo party, siç quhen sot. Dhe Sigurimi i Shtetit i përgjonte të gjitha lëvizjet e këtij grupi artistësh, ku midis të tjerave kishte dhe elementë përtej barrikadës. Pra, ishin pjesë disidente. Jo në kuptimin e disidentëve aktivë, por disidentë të shkarkimit emocional dhe ideor. Filmi ka një retrospektivë ku kthehet, dhe e bija njihet me të gjitha ngjarjet. Paralelisht, teksa bën punën për Nënë Terezën, ajo është e detyruar të dëgjojë edhe historinë e nënës së saj prej Zigurit, i cili e ka përgjuar. Në fund të tregimit Ziguri i thotë që, veç të tjerave, ishte babai i saj, pasi ai kishte përdhunuar nënën e saj. Por i thotë, gjithashtu, se ajo grua ishte dashuria e tij e rrallë. Ndërsa vajza nuk e pranon dhe ia kthen që ajo e kishte një baba. Ditën që mbaron reportazhin për Nënë Terezën, dhe bëhet gati të ikë, në shtëpinë e saj gjen të varur Zigurin. Pra, ai kishte varur veten pikërisht te vendi i krimit, pikërisht në vendin ku ai kishte përdhunuar nënën e vajzës.
Dua ta theksoj këtë që thelbi i filmit është një ndër problemet kryesore që kemi ne shqiptarët, sipas mendimit tim, krejt ndryshe nga çfarë thuhet dhe krejt ndryshe nga ç’është. Ne e kemi shumë lehtë të themi, të flasim për të tjerët dhe, ç’është më kryesorja, mbetet shumë e rëndësishme marrëdhënia e njerëzve, pavarësisht ambientit dhe vendit ku ndodhin. Për mua është shumë e rëndësishme marrëdhënia midis njerëzve, edhe po qe në diktaturë, por edhe po qe në demokraci. Janë të tjerë parametrat që përcaktojnë marrëdhënien midis njerëzve më fort sesa sistemet. Kodi që vendosin dy njerëz, duke u marrë vesh me sy, mund të jetë dhe një superdiktaturë,  por komunikimi midis njëri-tjetrit është shumë më me vlerë dhe shumë më njerëzor. Ky është dhe thelbi i filmit.

Postproduksioni, është shpejt për të folur, por a do ta lançoni këtë film në festivale ndërkombëtare, duke qenë se tema të tilla janë të prekshme jo vetëm për shqiptarët?
Përpjekjet dhe hapat e parë janë shumë premtues. Sigurisht, nuk mund të lë pa thënë se përgjithësisht në festivale të kategorive ku bërtitet, apo janë ato festivale që po “shenjtërohen”, e them me cinizëm këtë, duhet se s’bën një ndërmjetësim i domosdoshëm i shtetit. Ku ndërmjetësimi nuk ka si qëllim individin, por përfaqësimin. Prej kohësh shteti ynë është shumë  indiferent karshi  artit, dhe kur them shteti, e kam fjalën për njerëzit, sepse shteti nuk është një mobilie. Pra shteti janë njerëzit që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë ose të zhvillojnë artin,  ose përfaqësimin e Shqipërisë  kudo në botë, jo kanë fjetur gjumë, por nuk janë dukur fare.
Insistoj që shteti duhet të rishikojë rritjen e buxheteve  në sferat e artit. Nuk them vetëm për kinemanë, them për teatrin për pikturën... Duhet ta marrë shumë seriozisht këtë gjë. Jemi një komb që mendohemi para se të flasim, dhe kjo është treguar historikisht. Dhe në fushën e artit, në një vend ku ka 300 ditë diell, ku lulëzon gjithçka, dhe është një vend i bekuar nga natyra, sigurisht që komunikimi është shumë më i mirë dhe shumë inteligjent.
Pluton Vasi - regjisor


Thursday, June 25, 2020

Tryeza pa këmbë e Uashingtonit



Nga Leonard Veizi

Një fjalë e urtë thotë se “kur zihen elefantët, shkelet bari”. Pra me një deduksion logjik të ftohtë e pragmatist, fati i barit varet nga këmbët e elefantëve.
Të bësh lodra fjalësh mbi një temë të nxehtë, nuk është ndonjë zgjuarsi e madhe, por kur pret që gjërat të shkojnë mirë, ashtu siç është proklamuar, por të të ngatërrohen ferrat nëpër këmbë, aq sa ta bësh rrugën me pengesa, në rastin më të mirë, të duhet të qeshësh nga marazi.
Prishtina e Beogradi mund të kishin bërë një hap të madh përpara, në tryezën e 27 qershorit, të lançuar plot optimizëm. Investimi i madh që ka nisur qysh herët ishte në prag të inaugurimit. Por 50 për qind e lojtarëve tanimë kanë dalë jashtë loje, nga një lëvizje surprizë. Dhe lojtarët me përvojë e dinë mirë se në raste krizash të mëdha lëvizjet surprizë janë pas porte.
Në këto kushte delegacioni që përfaqësonte Kosovën në bisedimet Prishtinë-Beograd apo Kosovë Serbi, nuk ndryshon asgjë specifike nga emërtesa, për së fundmi ka marrë një tjetër goditje. Ndaj fluturimi problematik në kohë Covid-i është anuluar.
Në tryezën e Uashingtonit mund të jetë e gatshme të shkojë Serbia. Por për çastin nuk ka me kë të bisedojë. Tryeza e negociatave është vetëm me një këmbë dhe nuk e mban dot të gjithë peshën. Maksimumi, Vuçiçi i Serbisë, pasi ka ftohur kokën në sallonet e Moskës, dhe dukej më i freskët, mund të shkëmbejë cigare me arbitrin amerikan. Por Kosova mbetet e papërfaqësuar, gjithsesi.
Por nga erdhi lëvizja surprizë? Nga Moska?
Jo. Duket se planet i ka prishur Brukseli, ku burrat që merren me retorikën politike thonë të merakosur se kryeqendra e Evropës politike na qenka xhelozuar, meqë rolin për zgjidhjen e problemeve edhe këtë herë e ka marrë Uashingtoni, ashtu siç ka ndodhur dhe më parë.
Në fakt, nuk është hera e parë që Brukseli nuk e nxjerr qimen nga qulli. Jo se Evropa nuk ka potencial politik, ekonomik e ushtarak, aq sa të marrë vendime të rëndësishme globale, por se duke vazhduar të jetë e fragmentarizuar, vendimet nuk arrijnë të kanalizohen plotësisht në të njëjtin drejtim. Dhe kjo mund të jetë një e metë e madhe e Bashkimit Evropian, ashtu siç mund të jetë dhe vlerë po ta shohësh në prizmin e fraksioneve brenda kuadrit të madh vendimmarrës.
Titanët kanë treguar edhe kësaj radhe muskujt. Protagonizmi në skenën politike, për të zgjidhur mosmarrëveshje të mëdha, edhe këtë herë ka sjellë thellimin e ca lopatave me dhe të hequr nga hendeku këtej dhe andej Atlantikut. Marrëdhëniet e mira sipërfaqësore, në më të shumtën e rasteve thjesht mundohen të mbajnë të kamufluara gropat mes dy bashkimeve të mëdha perëndimore, Evropës dhe Amerikës. Një marrëdhënie e tillë është reflektuar herë pas here dhe nuk duhet marrë si “rrufe në qiell të pastër”, dhe as duhet të zhgënjejë ndokënd për prishje të unitetit nga mendimet ndryshe.
Por në përplasjet e tyre të madhe ka gjithmonë humbës të vegjël.
Në situatën e brishtë, kur nuk lihet rast pa folur për Covid-in dhe namin me kufoma që po bën nëpër botë, titanët kanë gjetur kohën të bëjnë karshillëk nga dritaret e sofatet përkundruall njëri-tjetrit. Energjia që deri dje shkonte në thirrje për shtim fondesh që të gjendej vaksina e cila do të sillte botën në normalitet, tanimë është kanalizuar në pengesa e akrobaci të nivelit të lartë. Dhe një nga këto pengesa është edhe “Çështja e Kosovës”.
Një takim i shumëpritur, është sakrifikuar. Kosova dhe Serbia ishin thirrur në një tryezë të përbashkët në Uashington. Vetëm tri ditë para këtij takimi, Prokuroria Speciale e Hagës “kujtohet” të hedhë në treg akuzat e ngritura për krime lufte. Dhe akuzat bien mbi presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe 9 ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 20 vjet pasi ka përfunduar kjo luftë, Prokuroria e Posaçme ngre akuza për 100 vrasje të paligjshme nga Thaçi & Co. Edhe më herët, e njëjta prokurori ka ngritur dhe akuza të tjera të këtij tipi, por pa sukses. Në rastin konkret suksesi ishte i paracaktuar, sepse në këtë mënyrë autoritetet që do të udhëhiqnin bisedimet për Kosovës u neutralizuan. Dhe bëhet fjalë për presidentin aktual, dikur kryeministër dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Pra, emra shumë të rëndësishëm të skenës politike të Kosovës.
Çfarë po bën Evropa? Asgjë që s’e ka bërë më parë.
Ndërsa të interesuarit ishin në pritje se çfarë do të dilte nga takimi mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, Berlini dhe Parisi kanë njoftuar organizimin e një takimi tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, këtë herë në korrik, po të vitit 2020.
Revansh...? Me siguri.
Gjithsesi, dështimi i bisedimeve dukej i paralajmëruar në një farë mënyre, pasi gjithandej në media e portale të mëdha do të gjeje lajme të vogla që flisnin për “duelin” e mundshëm mes të dërguarit special amerikan për bisedimet Serbi-Kosovë, Richard Grenell-it dhe Mirosllav Lajçakut, gjithashtu i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, por këtë herë nga Evropa. Dhe loja nën sytë e vëmendshëm të kritikëve tregon se gara mes emisarëve kishte të bënte më tepër me shpejtësinë e bisedimeve sesa me përmbajtjen. Dhe nëse është përsëri kështu, Kosova gjithashtu do të marrë një tjetër goditje.
Këtë herë veprimi është i dukshëm. Nuk ka nevojë të deshifrosh kode, as referenca diplomatike me më shumë se dy kuptime. Edhe të duam të flasim për një klimë mirëkuptimi, nuk është se kemi argumentet e duhura që çështjen ta deklarojmë të mbyllur.
A thua do të kemi bisedime të frytshme nga kjo ngutje titanësh, bisedime që do të plotësojnë orekset e të dy palëve për njohje, reciprocitet apo shkëmbim territoresh? Pra, gjithçka që është hedhur mbi tavolinë për bisedime.
Akuza e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm ka vlerë për krime lufte. Dhe kjo anë e peshores ka vite që rëndon nga shqiptarët, se me serbët punët i mbylli Milosheviçi dhe vdekja e tij akute gjatë gjykimit. Ndërkohë që në këtë luftë ata për të cilët Prokuroria e Posaçme ngre akuza, kanë qenë duke mbrojtur shtëpinë e tyre. Dhe të mbrosh shtëpinë tënde është lufta më e drejtë e pa kompromis që mund të bësh. Ku është krimi këtu? T’i kundërvihesh me të drejtë tjetrit, pasi të ka dhunuar, po këtu ku gjendet krimi?
Krim i detyruar për vetëmbrojtje, nëse duam ta marrim në mbrojtje. Krim ndaj civilëve të paarmatosur, nëse duam të ngremë mjegull në ditë me diell. Mirëpo, a ka krim më të madh sesa spastrimi etnik kundër shqiptarëve, pikërisht në shekullin e emancipimit, nëse mund ta quajmë kështu shekullin XX? Dhe të mendosh se pas holokaustit që u dënua me të gjithë forcën e mundshme, spastrimi etnik i shqiptarëve ishte një tjetër krim i përsëritur, ku serbët nuk kishin zënë mend.
Haga nuk është hera e parë që luan me këtë nonsens, edhe pse deri tani nuk është se ka fituar gjë, veç përdorimit të akuzave kur i duhen. Nuk përfitoi gjë edhe kur thirri në bankën e të akuzuarve kryeministrin në detyrë të kohës, Ramush Haradinajn. Madje, nuk përfitoi gjë as nga akuzat për trafikim organesh te “shtëpia e verdhë” që “zbuloi” me aq zell reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Mirëpo, në rastin e fundit, akuzat ndaj krerëve të UÇK-së ende nuk janë konfirmuar, pasi kjo aktakuzë duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili, sipas rregullores, ka afat deri në muajin tetor. Pra, kemi të akuzuar, por fajtorë ende.
Akuza e zyrtarizuar vetëm tri ditë para takimit të Uashingtonit e godet fort Kosovën, jo aq shumë pas shpine, sesa drejt e në lule të ballit. Sepse loja ka filluar të luhet pa doreza tashmë. Mesazhet janë të qarta.
Por, a mund të ketë një kahje pozitive e gjitha kjo?
Varet si e sheh gotën, gjysmë bosh apo gjysmë plot. Nëse takimi do të shtyhet për në vjeshtë, në përfundim të fushatës elektorale sigurisht, duhet parë dhe klima postzgjedhore amerikane. A do të konfirmohet republikani Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, apo do të vijë era e re e Joe Biden-it. Sepse më optimistët mendojnë se epoka “Biden”, ndoshta do ta varrosë njëherë e mirë idenë e shkëmbimit të territoreve. Dhe kjo nuk është pak.
Gjithsesi, na duhet të presim.




Saturday, June 20, 2020

Sejdin Cekani: Kallpazanët e shqipes, ja pse duhen redaktorët


Redaktori është personi më i rëndësishëm në redaksinë e një shtëpie botuese, ndonëse përherë puna e tij mbetet në hije dhe nuk përmendet thuajse në asnjë rast. Po ashtu, ai është dhe bashkëpunëtori më i ngushtë për çdo autor e përkthyes


Nga Leonard Veizi

Më shumë se ai vetë flet puna e tij. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ka punuar për 13 vjet si gazetar në shtypin e shkruar. Por ka firmosur si redaktor në të paktën 400 libra, punë e cila është bërë përgjatë 24 viteve të fundit. Redaktor dhe drejtues redaksie në disa shtëpitë botuese, Sejdin Cekani, tregon për “Fjala” se sa i rëndësishëm është një redaktor letrar në një libër artistik.

Pas viteve ’90 u krijuan një numër i madh shtëpish botuese. Çfarë sollën ato në mjedisin kulturor shqiptar e sidomos në fushën e botimeve?
Shtëpitë botuese private e nisën veprimtarinë e tyre menjëherë në fillim të viteve nëntëdhjetë. Me sa mbaj mend, ishin dy apo tri të tilla që u themeluan nga profesionistë të fushës së botimeve. Më tepër se biznes, drejtuesit apo pronarët e tyre e nisën këtë veprimtari falë pasionit për letërsinë. Ata ecnin në një fushë që e njihnin fort mirë dhe e dinin se çfarë u mungonte lexuesve shqiptarë nga letërsia botërore, por edhe nga autorët e ndaluar shqiptarë. Mbi të gjitha, ata krijuan edhe redaksi me bashkëpunëtorë profesionistë, duke përzgjedhur përkthyes, redaktorë e korrektorë letrarë nga më të mirët. Gara e botimeve, natyrisht, ia doli të kthehej edhe në një biznes shumë fitimprurës në fillimet e veta. Kjo ishte edhe arsyeja që në Tiranë, por edhe nëpër rrethe, ashtu si kërpudhat pas shiut, mbinë dhjetëra shtëpi botuese. Në më të shumtën e rasteve, me pronarë, themelues apo drejtues që nuk kishin asnjë lidhje me letërsinë. Apo edhe më keq: që nuk kishin lexuar asnjë libër në jetën e tyre.

 Ajo çka bie në sy është mungesa e redaktorëve në një pjesë të madhe të shtëpive botuese. Ky konstatim imi është i drejtë apo unë nuk kam të dhëna të sakta?
Është e kuptueshme që këto kinse shtëpi botuese pa redaktorë, pa njohur e respektuar asnjë lloj etike në fushën e botimeve, u krijuan vetëm për arsye fitimi. Ato sollën një dëm të madh e të shumëfishtë, sepse e mbushën tregun e librit (madje duke depërtuar edhe deri nëpër shkolla në të gjithë vendin) me surrogate “krijimesh” nga lloj-lloj bejtexhinj e profanësh, me botime pirate, me të ashtuquajtura përkthime amatorësh, si dhe pa respektuar asnjë lloj rregulli gjuhësor e gramatikor. E gjithë kjo të kujtonte kallpazanët, batakçinjtë e mashtruesit që prodhonin dokumente, pasaporta e deri te paratë false nëpër bodrume të errëta. Kësisoj, kallpazanët e shqipes po bënin një masakër të vërtetë ndaj librit, po edhe ndaj lexuesve. Kjo lloj inercie vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndaj dhe konstatimi juaj është plotësisht me vend. Ka ende shtëpi botuese që vazhdojnë të “prodhojnë” libra të paredaktuar, që sjellin në shqip autorë të huaj nga përkthyes mediokër e që nuk zotërojnë as njohuritë fillestare të shqipes e jo më të gjuhëve nga përkthejnë. Sidoqoftë, ky lloj kaosi nuk mund të vazhdojë pa fund. Të bën optimist fakti që ndër njëqind e ca shtëpi botuese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre, janë një duzinë prej tyre që funksionojnë me kritere profesionale, me stafe redaktorësh e korrektorësh, që përzgjedhin letërsi të mirë dhe ofrojnë vlera të vërteta.

Si redaktor me një përvojë mbi 20-vjeçare e që keni redaktuar më shumë se 400 libra gjatë këtyre viteve, çfarë do të thoshit për rolin e redaktorit në një shtëpi botuese?
Siç e theksova edhe më lart, ajo çka vihet re është se pjesa më e madhe e shtëpive botuese nuk kanë fare redaktorë. Disa të tjera kanë punësuar individë që thjesht bëjnë punën e korrektorit, por vetëquhen redaktorë apo cilësohen si të tillë nga pronarët e shtëpive botuese. Korrektura, natyrisht, është një proces shumë i rëndësishëm, por bëhet pas redaktimit të librit. Redaktori është personi më i rëndësishëm në redaksinë e një shtëpie botuese, ndonëse përherë puna e tij mbetet në hije dhe nuk përmendet thuajse në asnjë rast. Po ashtu, ai është dhe bashkëpunëtori më i ngushtë për çdo autor e përkthyes. Në njëfarë mënyre, shpesh bëhet pjesë e rëndësishme e suksesit apo dhe e dështimit të një libri, por ka edhe rolin e “ndërmjetësit” mes autorit dhe lexuesit. Këtu e kam fjalën për redaktorin e vërtetë, atë që zotëron aftësi dhe kompetencë profesionale të dallueshme e jo për redaktorë që marrin role prej furacaku. Redaktimi nuk është thjesht një profesion si gjithë të tjerët. Nuk mjafton të kesh përfunduar studimet për gjuhë-letërsi dhe aq. Përveç përgatitjes solide filologjike, njohjes së krijimtarisë së autorëve, stileve të të shkruarit dhe shprehimësisë, redaktori duhet të zotërojë dije themelore nga shumë fusha, por sidomos nga ato të kulturës, artit, historisë dhe shkencës.

Dhe cila është detyra kryesore e një redaktori në raport me një libër?
Mendoj se, së pari, duhet një lloj talenti për të lënë gjurmë në këtë profesion. Pra, duhet të zotërosh me doemos mjeshtërinë e krijimit, të rrëfimit. Te jesh mjeshtër dhe magjistar i fjalës. Besoj se, kur të dhënave që theksova më lart iu bashkohen pasioni, kompetenca profesionale dhe përvoja, atëherë i ke plotësuar kushtet për t’u quajtur vërtet redaktor. Pasi libri lexohet dhe shqyrtohet në redaksi, redaktori argumenton nëse ia vlen të botohet apo jo. Kur arrihet në përfundimin se ka vlera të qenësishme artistike dhe ia vlen të botohet, atëherë nis procesi i redaktimit. Më kryesorja gjatë redaktimit është që të ruhet stili i autorit, fryma e tij, mënyra e tij e të rrëfyerit. Me ndërhyrjet e tij, redaktori zgjedh fjalën e bukur, i jep asaj vlerë, si të thuash, e lëmon, e përkëdhel, i jep tingëllimë. Po ashtu, heq apo zëvendëson fjalët parazitare. Bën kujdes që të respektojë rendin e gjymtyrëve të fjalisë sipas sintaksës së shqipes. Ndërkaq, dua të theksoj edhe një element që pak vihet re. E kam fjalën për ritmin e brendshëm që i duhet ruajtur (ose që i duhet dhënë kur nuk e ka) tekstit letrar, sidomos prozës. Sepse edhe proza, në shumë raste, ashtu si poezia, ka ritëm. Dhe ritmi përftohet deri dhe nga mënyra si ndërtohet dhe organizohet fjalia, nga shenjat e pikësimit që përdorën, nga fjala që zgjidhet, nga shtimi apo heqja e një lidhëze apo parafjale. Është një bashkëveprim e një lloj koherence elementesh të rrëfimit, atyre stilistikorë, kuptimorë e gramatikorë. Është, në fund të fundit, magjia e bukur e artit të fjalës.

Cili është niveli i të shkruarit të teksteve letrare dhe librave që janë në qarkullim?
Kemi një fat të madh, sepse zotërojmë një pasuri të vyer me modele të shkëlqyera të mënyrës sesi është shkruar e lëvruar shqipja. Kjo përbën atë që quhet traditë, trashëgimi. Por, a po e ruajmë këtë trashëgimi dhe a po ecim në gjurmët e kësaj tradite? Duket se jo. Madje të çudit një lloj lehtësie, që do ta quaja të admirueshme, për të shkruar romane a vëllime poetike. Një “modë” që ndiqet nga një lukuni grafomanësh e gjysmanalfabetësh që janë të mirëpritur nga disa redaksi për të botuar me shpenzimet e vetë “autorëve” (një ortakëri që vazhdon prej vitesh). Këta “autorë” kanë krijuar edhe grupe nga më të çuditshmet nëpër rrjete sociale. Pastaj “themelojnë” edhe shoqata kinse shkrimtarësh a poetësh dhe tellallisin gjithë kohën për t’u bërë pjesë e këtyre grupeve dhe gati me përdhunë përgjërohen e këmbëngulin t’ua lexosh “veprat” e tyre. Pastaj mblidhen nëpër zijafete apo dafrunga dhe i japin njëri-tjetrit lloj-lloj çmimesh a certifikatash. Më së shumti, këta janë bjerraditës që, për të dalë nga kotësia dëshpëruese, rreken ta kenë emrin patjetër në kopertinën e ndonjë defteri dhe ta shohin atë në raftet e librarive. Shkollimi i tyre mbetet përherë i dyshimtë, ndërsa shqipja e tyre e shkruar, që sillet në një numër tejet të kufizuar, prej 200-300 fjalësh, nuk ka asnjë lloj përkimi me gramatikën, sintaksën apo rregullat më elementare të të shkruarit. Ngaqë nuk kanë lexuar më shumë libra se gishtat e të dyja duarve (nga klasikët apo autorët bashkëkohorë të letërsisë botërore e asaj shqipe as që mund të bëhet fjalë), kur iu bie në dorë ndonjë gjë që e kanë shkruar sivëllezërit e klanit të tyre – zakonisht vetëm disa faqe e jo librin deri në fund – përpallin se kanë zbuluar një gjeni të letrave shqipe dhe nisin e anatemojnë shtëpitë botuese që e kanë lënë në hije “gjeniun” e sapozbuluar. Madje shkojnë edhe më tej: përgojojnë, mallkojnë e thurin intriga për shkrimtarët e vërtetë, për ata që kanë lënë emër në letërsinë shqipe dhe përfshihen në botime antologjike apo në tekstet e letërsisë për nxënësit e studentët. Pengu i tyre më i madh është se askush, madje as familjari më i afërt, nuk mund t’i lexojë “librat” (me tirazh 100 apo 200 kopje) që i falin majtas e djathtas, ndërsa kopjet që i çojnë nëpër librari zverdhen e zënë pluhur. Ajo çka mund të quhet vërtet shqetësuese është se, kohë pas kohe, disa prej këtyre grafomanëve ia kanë dalë që me paçavuret e tyre mediokre t’iu imponohen edhe nxënësve të shkollave duke ua shitur si “libra jashtëshkollorë”.

Po për nivelin e përkthimeve, çfarë mund të thoni?
Sigurisht, ka përkthime të mira. Ka përkthyes që vazhdojnë të mos e komprometojnë pasionin dhe profesionin e tyre. Ata vërtet vuajnë e mundohen për ta sjellë sa më të plotë në shqip tekstin letrar të çdo autori të huaj. Përmenda më lart se disa shtëpi botuese po i ruajnë fort kriteret profesionale të botimit. Këtë po e bëjnë edhe me përkthimet dhe përzgjedhjen e përkthyesve. Po ndërkaq, përkthimi nga lloj-lloj individësh që nuk kanë lidhje me artin e përkthimit është kthyer vërtet në shqetësim. Sigurisht, faji dhe përgjegjësia bie mbi shtëpitë botuese që priren vetëm nga fitimi dhe që ia kanë kthyer shpinën me kohë profesionalizmit. Shembujt më tipikë të masakrimit të shqipes i gjejmë në shumë libra që mbushin raftet e bibliotekave. Përkthyesit e tyre janë individë që kanë marrë vetëm disa njohuri të cunguara nga ndonjë gjuhë e huaj e mësuar në nxitim e sipër. Sa për shqipen, atë e zotërojnë në nivel të mjerueshëm dhe as që e kanë idenë e gramatikës. Ndërsa sintaksa e tyre është si “sintaksë” xhenerikësh. Por ama këta kanë krijuar njëfarë “tregu” dhe peshkohen lehtësisht nga “botues” sharlatanë që i paguajnë si argatë.
Me një vështrim fare të shpejtë në tre-katër libra, gjen “xhevahire” të tilla: “Ajo e kishte parkuar gishtin tregues tek zilja. Pastaj e la gishtin të lirë dhe u kthye mbrapsht.” “Asgjë në paraqitjen dhe prezencën e tij nuk të bënte të mendoje se kishte ardhur këtu për t`u dukur i rëndësishëm, për të provuar ndonjë ndjesi speciale apo se mund të ishte gënjeshtar notorik.” “Në veturë ishte ulur në karrigen e shoferit.” “E ndjente pulsimin t´i rrinte në tëmtha.” “Të shohim nëse mund të derivojmë ndonjë gjë.” “Prania e saj kishte shkaktuar disa ngritje çuditërie vetullash.” “Ai do të revanshonte dy herë, tre herë më shumë.” “Ai e dinte se si punonte proçesi i tij i të llogjikuarit.” “Kam parë njerëz me uri për t’u bashkuar rreth disa çështjeve të përbashkëta e thelbësore dhe kjo më ka bërë krenare.” “E la mendjen të endej në gjendjen e vëmendjes së qetë.” “Tregojini atij çfarëdolloj gjëje që në mendimin tuaj ai mund ta mbajë për vete.” “U përpoq të lëvizte dhe koka e tij vendosi të mos e dënonte, kështu u ngrit ndenjur.”
Shembuj të tillë gjen pafund. Për çdo punëtor të shqipes, kjo situatë është sa dëshpëruese, po aq dhe revoltuese. Disa nga problemet më të mëdha që bien menjëherë në sy në pjesën më të madhe të përkthimeve (madje edhe në libra që i kanë shqipëruar përkthyes me emër) janë: përkthimet e fjalëpërfjalshme, që bëhen të pakuptueshme në shqip; për rendin e gjymtyrëve të fjalisë nuk respektohet sintaksa e shqipes, por zbatohet ajo e gjuhës prej nga bëhet përkthimi; përdoren fjalë që nuk i përshtaten fare kontekstit ose mund të përdoren në kontekste të tjera; emra foljorë e kompozita që janë jashtë natyrës së shqipes; inflacion fjalësh të huaja; përdorim i panevojshëm i përemrave vetorë e pronorë, aq sa kthehet në bezdi; fjalë parazitare e bezdisëse (sigurisht, ndikuar nga përkthimi i fjalëpërfjalshëm, po që nuk janë në natyrën e shqipes) të llojit: “hyri brenda në dhomë”, “kishte qenë brenda në shtëpi”, “doli jashtë nga dhoma dhe shkoi në ballkon”, “mbështeti çantën në kolltuk”, “mbështeti dorën në ballë”, “veshi xhaketën e tij”, “u ul mbi karrige”; përdorimi i gabuar i parafjalëve, që sjell edhe deformimin e kuptimit të fjalëve; etj, etj. Kur përkthimi nuk vlerësohet si art më vete nga botuesit, por si mjet fitimi e punë angari, kuptohet që asgjë nuk mund të ndryshojë vetvetiu.

Si një nga njerëzit që merreni me gjuhën dhe fjalën shqipe, si mendoni, a ka lëvizur gjuha shqipe nga standardi i miratuar në vitin 1972?
Çdo gjuhë pasurohet e përsoset në mënyrë të pandërprerë. E njëjta gjë ndodh edhe me shqipen. Unë mendoj se që nga viti 1972 e këndej, ka vazhduar pasurimi i vazhdueshëm i shqipes me fjalë e shprehje të reja, sidomos falë shkrimtarëve e mjeshtërve tanë të fjalës. Por ajo që vë re unë është njëfarë dembelizmi për të mësuar shqipen standarde dhe për të ndjekur pasurimin dhe begatimin e shqipes. Nëse do të bëhej një sondazh apo një studim i thelluar për mënyrën sesi e shkruajnë shqipen, fjala vjen, të diplomuarit në universitete (madje edhe në Fakultetin e Filologjisë apo të Gazetarisë), druaj se përfundimet do të ishin zhgënjyese. Po nëse një studim i tillë do të shtrihej më gjerë e të përfshinte edhe kategori të tjera individësh, atëherë mbase do të ishin dëshpëruese. Fati i shqipes së shkruar, po dhe i shqipes së folur, po bëhet çdo ditë e më shumë shqetësues. Duket se këto kohë shqipja ka mbetur jetime dhe e braktisur prej të gjithëve: shtetit, Akademisë së Shkencave, Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Është e papranueshme që nëpunësit e administratës shtetërore, mësuesit, gazetarët apo ligjëruesit publikë të mos dinë ta shkruajnë e ta flasin shqipen në mënyrë korrekte. Për të gjithë këta duhet të jetë i detyrueshëm zbatimi i normës letrare të shqipes, ashtu siç veprohet edhe në vendet e tjera me gjuhët përkatëse. Disa herë më kanë tërhequr vëmendjen raste të shpërfilljes së çdo norme gramatikore dhe sidomos shtrembërimi e keqpërdorimi i fjalëve. Kështu, p.sh, gjysmanalfabetët e portaleve kanë shkruar deri për “korrjen e portokajve” dhe “korrjen e rrushit”. Duhet t’ua mësojë dikush dallimin e foljeve “korr” dhe “vjel”, se ndonjë ditë do të na shkruajnë për vjeljen e barit apo të grurit. Apo kur nuk dinë të zgjedhojnë as foljet dhe shkruajnë: “nxjerri” për “nxori”, “do ta pret” për “do ta presë”, “mund të ngrit” për “mund të ngrejë”, “rrahet” për “rrihet”, “mund të quheshte” për “mund të quhej”, “mund të bëheshte” për “mund të bëhej” etj. Masakruesit e shqipes po shtohen përherë e më shumë. I shohim përditë nëpër gazeta, televizione e tribuna. Madje deri edhe nëpër klasa shkollash e auditorë universitetesh. Me sa duket, të gjithë kanë nevojë të kryejnë të paktën një kurs të përshpejtuar të gjuhës shqipe, përpara se të nisin të shkruajnë, para se të ulen nëpër studio apo t’iu drejtohen foltoreve. Në shkrimet e të përditshmeve apo në bisedat në studiot e televizioneve vërshojnë fjalë e fraza të çuditshme që e “begatojnë” përditë babiloninë tonë. Nuk mbeten pas “ligjëruesit” e Kuvendit të Shqipërisë, zëdhënësit e institucioneve shtetërore apo ata që “kujdesen” për faqet e ndryshme në internet. Duket qartë se “dinë gjithçka”, por jo gramatikën dhe sintaksën e shqipes.

A jeni ju për një kongres tjetër drejtshkrimi apo është ende shpejt?
Nuk besoj se nga kjo gjendje na nxjerr një kongres tjetër për drejtshkrimin apo standardin. Problemi është se mungon vullneti e dëshira për ta mësuar shqipen, mbi të gjitha për ta njohur e përvetësuar pasurinë e madhe leksikore të Veriut e Jugut. Ata që, thjesht për arsye dembelizmi, nuk duan ta njohin dhe ta përdorin këtë pasuri, doemos që nuk kanë asnjë lloj ndjenje gjuhësore, por do të shkruajnë e do të flasin sipas dialektit të mëhallës prej nga vijnë. Respekti për gjuhën, që është pronë e të gjithë shqipfolësve, është respekt për të gjithë shqiptarët. Prandaj do të ishte mirë që, së paku, t’i njohim pasuritë e mëdha të shqipes – sidomos fondin e leksikut të të gjitha trevave – dhe ndonjëherë t’i riktheheshim gramatikës dhe t’i rifreskonim njohuritë.

Monday, June 15, 2020

“Moikomiada” / Poeti lë penën dhe shkon të pushojë





Nga Leonard Veizi

Në të gjallë të tij nuk guxova t’i marr një ese mbi vdekjen, ngritur mbi një pyetësor nga ku do të zbërtheja vetë ekzistencën e tij, të një njeriu me tru të ndërlikuar. Për këtë jam fort i penduar, sepse gjithsesi ngërçi që të flisja për vdekje me një njeri që e dinte se po bashkëjetonte etshëm me të, nuk më linte ta çoja deri në fund egoizmin tim. Isha tërësisht i bindur që nuk do të hezitonte të ma përkufizonte ekzistencën e vdekjes ashtu siç e përfytyronte vetë ai në halucinacionet e patrajtshme, por ja që arrita ta kaloja dot autocensurën, mekanizmi i të cilës më pengon sa herë kërkoj të jem më shumë i shpenguar.
Sot, më duhet të shkruaj për vdekjen e tij. Por tanimë nuk ia vlen. Sepse për vdekjen ai do të shkruajë shumë më mirë vetë, kur të mbërrijë atje ku i takon, në parajsë a në ferr, mos qoftë thënë. Ndaj unë edhe tani jam i detyruar të shkruaj për jetën e tij. Veç fare shkurt. Sepse shumë të tjerë, e njohin shumë herë më mirë, e mund të shkruajnë shumë herë më shumë.
Në varfërinë time prozaike me siguri do të shkruaja se Moikom Zeqo u lind në Durrës e vdiq në Tiranë. Bosht 30 kilometrash në vijë ajrore, a ndoshta më pak. Por i pasuruar nga vepra e tij nuk do ta bëj këtë gabim foshnjor i denjë për një gazetar diletant. Sepse unë duhet të shkruaj diçka tjetër... por që në fakt nuk di se çfarë.
Një tërësi veprash poetike botuar në të gjallë të tij mban emrin “Mishellanea”. Një tërësi veprash të tjera, që me siguri do të botohet pas vdekjes së tij do duhet të mbaj një tjetër emër: “Moikomiada”. Është plejada e tij. E një njeriu të vetëm që pa frikë mund të përfaqësonte një grupim të tërë. Dhe ky është tërësisht një mendim personal, asgjë më shumë.
Nëntorin e vitin 2015, gazetari Xhevdet Shehu botoi në gazetën “Dita” një shkrim me titullin apel: A ka një shtrat për Moikomin? Në këtë mënyrë ai ndau me lexuesit dhe lajmin fort të trishtë se shkrimtari shqiptar ishte diagnostikuar me një leucemi kronike.
Pak ditë më vonë, teksa e takoja dhe isha i detyruar t’ia përmendja këtë fakt, mora si përgjigje atë çfarë i kishin thënë mjekët: 7 vjet jetë në bashkëjetesë me të keqen. Te e fundit njeriu ngushëllohet dhe nga ky fakt. 7-të vjet jetë nuk janë pak.
Qershori i vitit 2020 tregoi se sëmundja u tregua krejt e pabesë, duke i marrë nga premtimi të paktën dy vjet prej atyre që u menduan si të dhuruara. Dhe padyshim, për një njeri si Moikomi, që gjumi e zinte mbi libra e gdhihej po mbi ti, dy vjet nuk janë pak. Sepse 700 ditë jetë mund të përkthehen dhe në disa vepra të tjera, mundësuara prej dorës së tij.
Me Moikomin kemi qenë kolegë. Që te jemi të qartë: jo se unë kam qenë deputet në ndonjë legjislaturë, as drejtor i ndonjë institucioni simotër, porse me të kemi punuar krah për krah në dy gazeta të përditshme. Pra kemi qenë gazetarë. Dhe po t’i futem e të shkruaj kujtimet që kam me të, nuk kam për t’ia dalë kurrë. Sepse kemi bërë biseda të gjata mbi artin e historinë, ku unë bëja “pyetësorin e Prustit” e ai kishte përgjigje për gjithçka. Por edhe kafe kemi pirë, ndonjë gotë rakie e kemi kthyer, por edhe ndonjë birrë me meze çasti e kemi konsumuar. Moikomi ishte natyrë e thjeshtë, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që kishte, e që ua kalonte dhe oligarkëve të cilëve u përmendet emri në Kuvend. Moikomi duhet të ruhej me truprojë, ashtu si shumë institucione të rëndësishme të shtetit. Por ai shëtiste rrugëve nëpër Tiranë, i fshehur poshtë kapelës së tij republike. Në kokën e tij Moikomi kishte njohuri sa një Akademi Shkencash, dhe nëse kjo vlerë do të konvertohej në para, mund t’i jepte hua shtetit sa të kalonte krizat e tërmetit dhe të covidit bashkë. Por “Mjeshtër i madh” Moikom, kishte një pension shteti dhe që t’ia dilte, botonte vazhdimisht shkrime nga bota e tij e madhe enciklopedike.
Në bibliotekën time kam një dhuratë të çmuar prej Moikomit. Është libri i tij “Nostradami në 3 qershor - Antiprofecitë” të cilin ai e bleu tek një bukinist dhe shënoi me stilolaps një autograf për vajzën time. Në faqen e parë të librit, një botim i vitit 1999, mbante dedikimin “Ky libër i kushtohet Arnisës në 18 vjetorin e saj, më 12 korrik”. Poshtë dedikimit, autografin me dorën e tij e citoj “Geas së vogël, që ta lexojë këtë libër e të më kuptojë – Moikomi 2006”
Sepse nuk është e lehtë të kuptohet Moikom Zeqon as në filozofinë e tij të të shkruarit, as pikturën e tij moderniste. Mund të kuptohej qartësisht vetëm oratoria e tij, ku arrinte të shkoqisë gjithçka në detaje e ku me shumë pasion fliste si për letërsinë, ashtu dhe për historinë.
“Në botë nuk është vetëm kritika që shkruan për librat, edhe shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë për njëri-tjetrin”, më pat thënë një herë gjatë një bisede informale, fjalë që i kam përdorur si argument sa herë më është dhënë rasti.
Dukur e quajta “Përbindësh”. Edhe sot nuk e di në kam bërë mirë apo gabim në këtë cilësim që fillimisht erdhi tek unë i bëftë e në mënyrë pasiononte. Ishte viti 2017 dhe në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ai kishte drejtuar për 8-të vite me radhë, u mbajt një simpozium rreth krijimtarisë së tij. Dhe folën shumë prej miqve, njerëz të letrave e të shkencave sigurisht. Po unë çfarë mund të shkruaja për Moikom Zeqon, përtej një lajmi të varfër. Fillimisht vendosa titullin intrigues ““Përbindëshi” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100 vepra”, dhe si më poshtë nisa tekstin:
Krijimtaria e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur. Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh. Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq. Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke mundësi t’ia arrish dot, kuptohet. Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat. Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas Krishtit, si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete, atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i çlirët nga mbidozimi. Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune...
Shkrimi që bëra më ketë rast fluturoi si era e u botua në disa portale. Pas kësaj pata një çast pendimi, por zot i shkrimit më nuk isha për të bërë një retush, ndoshta të domosdoshëm. A ishte “përbindësh” fjala e duhur për ta simbolizuar një poet elegant si Moikomi, një piktor ai, një studiues historie e një arkeolog nënujor gjithashtu. Dilemën ma hoqi vetë ai në një takim të ca ditëve më pas, teksa më përqafonte e qeshte me të madhe. “Si më cilësoje?... Përbindësh... Ha ha ha. Shumë e bukur ishte”. “Epo, - u justifikova unë, - me më shumë se 100 vepra të botuara nuk më vinte në kokë asnjë fjalë më e përshtatshme. Te e fundit, vetëm një përbindësh mund të përtypi aq shumë vepra sa ke përtypur ti”.
Moikomi ka ikur të pushojë tashmë, pas një lufte të ashpër me sëmundjen e pabesë që i shkurtoi të paktën dy vjet nga jeta e “premtuar”. Por vepra e tij ende nuk mund të quhet një cikël i mbyllur, sepse padyshim ai ka lënë pas dhjetëra a qindra letra të tjera formati në dorëshkrim, që do të presin radhën për të parë dritën e botimit. Por gjithsesi, për studiuesit e tjerë, vepra e Moikom Zeqos nga ky çast mbetet e hapur, për interpretim. Dhe në këtë mënyrë ai do të jetë gjithmonë mes njerëzve duke marrë dhe titullin e përjetësisë.

https://www.facebook.com/watch/?v=265583451318820



Sunday, June 14, 2020

Po vjen “depresioni blu”



Nga Leonard Veizi

Në kulturën anglosaksone të psikologjisë ajo njihet si “depresion blu”.
Por a e dini çfarë është depresioni blu?
Që të mos futemi në shpjegime të lodhshme, shkurtimisht mund të themi se kjo njihet si një gjendje që vjen pas mbarimit të pushimeve dhe kthimit në punë. Pra, pasi ke marrë mjaftueshëm një dozë antistresi dhe të duhet të përballesh sërish me stresin. Por është dhe një gjendje depresive që ndodh pasi ke kaluar mjaftueshëm një gëzim, ku ke pasur një gjendje të lartë euforie. Fill pas kësaj vjen rënia.
Shkurt, depresioni blu, edhe pse ka një emër të mahnitshëm, është një nga ato gjëra që ta prish fare qejfin që ke kaluar, aq sa bëhesh për t’i thënë vetes: Isha më mirë, kur isha keq.
Kështu edhe në rastin konkret. Shqiptarët nisën të mësoheshin me karantinën edhe kur ajo i kaloi të 40-at. Më pas filloi të na lirohej zinxhiri, dhe tani jemi mjaftueshëm të lirë. Por nga çasti i fitores së pergamenit ku cilësoheshe “i lirë” e deri më tani,  lajmet që vijnë për ditë nga podiumi i Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se më afër lirisë kemi sërish prangat e karantinës.
“Depresioni blu” vërtitet mes nesh.
Pra na u deshën vetëm pak ditë lirie të qeta, dhe aspak të harbuara për mungesë mundësish, dhe menjëherë shifrat në rritje bënë që ca e ca të vlerësonin më shumë mungesën e lirisë, sesa vetë lirinë. Nuk themi, ka plot njerëz që jeta në burg u duket më e mirë se jashtë saj. Ka ca të tjerë që sipas cilësimit “sindromi i Stokholmit” edhe gardiani të dera e qelisë që e penalizon me nga një shkop gome kurrizit, i duket “vëlla e kaluar vëllait”. Mirëpo fatit nuk i shpëton dot edhe në vrimën e miut të fshihesh, e jo më në “burgun” e shtëpisë. Për këtë rast populli ka një shprehje që thotë se “plumbi të kap dhe kur je shtrirë”.
Problem mbetet kontingjenti i atyre që urrejnë burgun, madje janë gati të vdesin e të mos e kalojnë një ditë në mungesë të lirisë.
Shifra e të prekurve me COVID 19, që tani mund të cilësohet dhe si më seriozja e fillimshekullit të ri, në trojet e Republikës së Shqipërisë fillimisht kishin nga një dhjetëshe përpara, pra 17 apo 18 si me thënë. Pastaj dhjeta u bë njëzet, e njëzeta tridhjetë... e me radhë, e tani së fundi kemi shifrën 50 e kacafiu, të padëgjuar kurrë më parë nga këto anë, që kur nisi epopeja e luftës frontale me armikun e padukshëm.
Keq puna.
“Depresioni blu” po vërtitet mes nesh si fantazma e Bankos... Po fantazmën e Bankos e njihni? Nëse nuk dini gjë as për të mos prisni t’jua shpjegoj. Në fund të fundit një fantazmë ishte. Dhe fantazmat duket sikur trembin vetëm fëmijët, por, në fakt, ato trembin edhe të rriturit. Në shumë institucione nuk të lënë të futesh pa maskë. Mirëpo OBSH-ja pasi ka kundërshtuar disa herë veten, sërish ka dalë në përfundimin se maskat, që të zënë gjysmën e fytyrës aq sa të dukesh si grabitës profesionist, nuk janë të nevojshme.
Në Tiranë në ca institucione të tjera nuk të lënë të futesh pa vënë dhe doreza plastike. Mirëpo OBSH-ja pasi ka kundërshtuar ca herë të tjera veten edhe në këtë pikë, na ka bërë të ditur se dorezat plastike më shumë na dëmtojnë se na mbrojnë.
Si t’ia bëjmë?
“Depresioni blu” është ulur këmbëkryq, edhe pse ne nuk po arrijmë ta perceptojmë si duhet.
Ne informohemi çdo ditë për të prekurit nga Covid, por nuk dimë gjë rreth vdekjeve me diagnoza të tjera. Nuk dimë çfarë ndodh me pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, as nga ata që kanë metastazat kanceroze nëpër trup. Ne dimë vetëm atë që na japin. Nëse do të na thoshin zyrtarisht se ka shpërthyer malaria, edhe në mungesë të kënatave e të mushkonjave anofele, sërish do ta besonim. Por nëse do të na e kishin kursyer këtë informacion të frikshëm, për të cilat janë angazhuar gratë e Institutit të Shëndetit Publik, punët pa dyshim do të shkonin më mirë.
Mirëpo, duke na i bërë publike çdo ditë, duket sikur heqin nga vetja peshën e rëndë të informacionit “top secret”. Ç’është e vërteta, kjo është një transparencë që kur s’e duam na i japin, kur e kërkojmë, informacioni bëhet krejt hermetik. Edhe këtu nuk ke nga ta kapësh, dhe mundësia që të mësosh të vërtetën lakuriqe është në kufijtë e zeros.
Në Amerikën e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, u shpik termi “Depresioni i Madh”. Tani, në vitet ‘20 të një shekulli më pas, me sa duket, jemi në ditët e “depresionit blu”.
“Depresioni blu”, emër i bukur. Ashtu si “Batalioni blu” i “Gjeneralit” të Kadaresë, repart ushtarak ndëshkimor, që udhëhiqej nga një kolonel me inicialin “Z” por pa mbiemër. Ashtu si “mbreti blu”, heroi negativ i dramës “Gjaku i Arbrit” të Fadil Krajës, që dërgonte ngado kasnecë aleancash me kuaj të mbuluar me pëlhurë blu. Pra, në të gjitha rastet “blu”.
Emër i bukur. Fama, aspak e tillë.
Shqiptarët janë në dilemën e madhe, në do të bëjnë ndonjë ditë plazh këtë vit apo fare. Më kokëshkretët e kanë nisur zhytjen në det dhe shullimin nën rrezet e diellit, edhe kur janë penguar nga policia “bregdetare”. Ndërkohë, sinjalet e mjekëve tanë, që sigurisht orientohen nga raportet që rifreskon OBSH-ja, pasi thanë që uji i detit e shpërndan më shpejt virusin, dolën në një konkluzion të dytë: bëni plazh, se s’ju gjen gjë, uji i detit e largon virusin.
Kë të besosh?
Se po bëhen 8 muaj që OBSH-ja, e cila ka nën mbikëqyrje majën e shkencës botërore të shëndetësisë, çfarë thotë sot e mohon nesër.
Ky është një panik paraprak. Apo më mirë të themi një panik paralajmërues. Demek: mos na thoni, që nuk ju thamë.
Pa dyshim, e gjithë kjo situatë e paqartë lë vend për interpretimin e teorive konspiracioniste, të cilat mbrojnë idenë e frikshme se “Sars Cov 2” është një virus i manipuluar nga dora njerëzore, i cili po përdoret si armë biologjike... Për më tepër, ajo që pretendojnë konspiracionistët përveç se e frikshme, duket edhe e pamundur: shkaktimi brenda një 10-vjeçari i 6 apo 7 miliardë kufomave, për ta lehtësuar botën nga teprica njerëzore. Një gjë të tillë nuk e kishte parashikuar as themeluesi i kësaj teorie, ekonomisti anglez Tomas Maltus, i cili për çudi, a për ironi të fatit, mbante dhe rrason e priftit. Një gjë të tillë nuk e shkaktuan as dy luftërat e njëpasnjëshme botërore, ku numri i viktimave në ditë, i atyre që vriteshin në front dhe i atyre që digjeshin nëpër krematoriume e kalonte ku e ku shifrën e vdekjeve që i faturohen COVID-19.
Që në fillim të pandemisë “Sars Cov 2” u tha se nga fillimi i vjeshtës do të kishte një valë të dytë. Tani ca e habitshme që të dish prej marsit se çfarë do të ndodhë në shtator. Edhe Nostradamusi do të ishte më i kursyer në këto parashikime. Por, po e marrim të mirëqenë. Se parashikuesit e sotëm janë më të talentuar se ata të mesjetës. Ndaj po përgatitemi që diku nga vjeshta, pesë ditë para a pesë ditë pas, do të zbarkojë një valë e dytë e virusit “Sars Cov 2”, ndoshta i njëjtë me atë që na përfshiu në dimrin e këtij viti, ndoshta me një mutacion të ri... surprizë.
Kjo do të thotë se karantinën e kemi në prag. 
“Depresioni blu” ka mbërritur tashmë.

Friday, June 12, 2020

Dhimitër Gjoka: Jeta ime, nga ekrani në një libër




Nga Leonard Veizi

Pas siglës 10-sekondëshe, herë me glob që rrotullohet e herë me shirita që kryqëzohen e shpalosin një slogan, busti i tij mbush ekranin e televizorit në një nevojë të përnatshme e të pashtershme për të ditur se ç’ndodh përreth dhe pak më tej: “Po japim lajmet”. Përballja është e përditshme, e butë, e njëtrajtshme, inatçore, e mërzitshme deri në marrëzi. E, megjithatë, ai është aty, i pamërzitur, i pavrenjtur dhe krejt i paqortueshëm, por shumë miqësor me të gjithë ata që ndjekin çdo grimasë të tij përmes ekranit shumëpolësh, por që ai nuk mund t’i shohë dot nga gryka optike e kamerës së studios. Ai është aty, dhe ka qenë qysh më parë, te “Revista Televizive”, “Edicioni informativ” apo thjesht “Lajmet”. Dhe, pa dyshim, është më i njohur se presidenti i Republikës, kreu i qeverisë dhe ai i Bashkisë, sepse është ai që për 45 vite me radhë, ka transmetuar për ne lajmet e ditës, ato që ka përgatitur redaksia me montazhierë, operatorë e gazetarët në terren. Dhe për të gjithë punën e madhe të 45 viteve në ekran, por edhe për jetën e tij përtej ekranit, ai ka menduar të bëjë një libër. Për më tej, Dhimitër Gjoka, regjisor në profesion dhe folësi më i dashur për publikun e lajmeve, për lexuesit e gazetës “Fjala”, tregon disa detaje nga libri ende i padalë në treg, e që ka për fabul jetën e tij dhe punën e përbashkët me kolegët e Radio Televizionit Shqiptar.

Libri që nuk ka dalë ende nga shtypi është libri juaj i katërt. Çfarë përmban ai?
Është një libër autobiografik. E shkrova vetë. Them e shkrova vetë, sepse mund të kisha abonuar dhe dikë tjetër për ta shkruar. Por vetëm kur e bën vetë një gjë të tillë, merr më tepër ndjesinë e të shkruarit dhe të hedhurit të shpirtit në letrën e bardhë. I përjeton më mirë ngjarjet, sepse ke të bësh me një ndjesi ndryshe. Prandaj nuk ia besoja dikujt tjetër të shkruante biografinë time.

Përse kjo autobiografi në këtë kohë?
Mendova që ajo të dilte pikërisht, me rastin e 60-vjetorit të Televizionit Shqiptar. Unë vetë kam një jetë 45-vjeçare nëpër televizione. Mendova që në këtë sinkron të hedh në letër gjithë ecurinë time në Radio dhe Televizion. Besoj se është diçka interesante.

Kapitulli i parë i librit, nga e keni filluar?
Nga fëmijëria. Me ndjesinë e prindërve të mi, të gjyshërve të mi që u munduan të më fusnin në rrjedhën e artit, duke më detyruar të lexoja romane, tregime, të mësoja poezi të autorëve të ndryshëm, përveç atyre që bënim në shkollë. Kështu që shpesh herë në fillore apo në 8-vjeçare m’u dha mundësia që dhe të recitoja nëpër evente të ndryshme. Në shkollë të mesme gjithashtu interpretoja në teatër. Deri në vitet e gjimnazit pata një aktivitet të gjallë artistik, në të cilin falë pasionit dhe përkushtimit të njerëzve që më rrethonin e më dhanë krahë, unë them se arrita rezultate.

Pas kësaj vazhduat me Institutin e Arteve...?
Instituti doli si nevojë e mëvonshme. Në çastin që unë dëshiroja të shkoja në shkollë të lartë, nuk m’u dha kjo mundësi. Ishte koha kur nëse kishte një vëlla apo motër më të madhe në shkollë të lartë, nuk e merrje këtë të drejtë edhe po të ishe me rezultate shumë të mira. Kështu që u detyrova të shkoja ushtar. Për kohën, unë kisha një biografi të mirë. Por dhe biografia, me sa duket, ashtu siç të ngre edhe të ul ndonjëherë. Në rastin konkret mua nuk më vlejti, sepse shkollën s’e bëra dot në kohën e duhur, por bëra tre vjet ushtri. Pikërisht atëherë më kishte përfshirë pesimizmi.

Ku e kryet shërbimin e detyrueshëm ushtarak?
Pata fatin të isha në regjimentin e helikopterëve në Farkë. Shumë shpejt edhe në ushtri u hapën dritare për mua. U bënë festivale teatrosh midis regjimenteve. U njoha me shumë personalitete. Pata fatin të punoja me Marie Logorecin si regjisore. Më pas pata fatin që të merrja pjesë në një konkurs për spikerim në RadioTirana. Nga të gjithë pjesëmarrësit unë arrita të marr një vlerësim të madh. Edhe pse ushtar, vija në Radio Tirana si bashkëpunëtor i jashtëm. M’u besua mikrofoni. M’u besuan shumë emisione. M’u besua revista radiofonike e mbrëmjes. Njoha shumë yje të mikrofonit, që ishin profesionistë të Radio Tiranës siç ishin Piro Noti, Elsa Xhaji, Meropi Mathia, Liljana Meçani, Vera Zheji. Njoha shumë gazetarë, njoha Agron Çobanin etj. Njoha regjisorë si Xhelil Aliu. Njoha shumë teknikë e montazhierë. Dhe kjo më mbrujti e më mbajti gjallë në tre vitet e ushtrisë.

Dhe pas ushtrisë...?
Pas ushtrisë në një farë mënyrë u detyrova të konkurroja në Institutin e Lartë të Arteve. Kuptohet ky nuk ishte më një vendim i Komitetit Ekzekutiv që të jepte të drejtën e studimeve, por ky ishte një konkurrim. Shkova në konkurs me ndjesinë që, nëse fitoja, do të kisha të drejtën të bëja dhe shkollën e lartë. Konkurrova, fitova, madje u vlerësova shumë mirë. Pas kësaj nga Radio kalova në Televizion, megjithëse nuk u shkëputa nga radio.

Ku u emëruat pasi përfunduat studimet?
Pasi mbarova Institutin e Arteve u emërova si regjisor në Teatrin Popullor. Por televizioni doli më i fortë si institucion dhe mbeti pezull ëndrra ime për skenën që të isha dhe regjisor dhe aktor e që të isha bashkë me korifenjtë e artit. Kisha menduar dhe se çfarë do të vija në skenë për mbrojtur diplomën. Mirëpo fati nuk më la ta ushtroja profesionin e regjisorit në Teatër dhe një fuqi madhore si politika bënë që unë të vazhdoja punën në Televizion. Unë ngaqë kisha filluar në prej kohësh në Televizion isha bërë dikushi, isha bërë një autoritet ekrani, dhe teleshikuesi më donte. Drejtuesit e institucionit kishin respekt dhe simpati për mua duke thënë: “Na erdhi një zë si i Kiço Fotiadhit”. Pra, për drejtuesit ishte një zbulim i madh. Ndërsa unë kërkoja zbulimin në Teatrin Popullor. Doja të bëhesha një regjisor i skenës.

Në 45 vite punë, çfarë u ka dhënë Televizioni?
Televizioni më dha një sadisfaksion, më dha njohje, më ka dhënë vlerësim. Por më dha dhe shumë dritare të cilat unë fillova t’i hapja një e nga një. Nisa të ngjisja shkallët e po vlerësohesha me çmime kombëtare. Këto ishin privilegjet që kisha si njeri publik në Televizion, krahas me Teatrin.

Shumë njerëz ju njohin si folës. Ndërkohë jeni regjisor. Çfarë keni sjellë në anën e padukshme të punës suaj?
Njohja si folës është ana e dukshme e ekranit. Si regjisor je prapa kuintave. Unë kam ecur paralelisht, sepse në televizion nuk mund të jesh vetëm në një profil. Në regji kam bërë që nga Rubrika Sportive, lajmet, dokumentarë, telereportazhe e deri te spektaklet.

Si e vlerësoni rolin e regjisë televizive në ditët e sotme?
Ka shumë mangësi. Regjisorët sot janë kthyer në teknikë pulti, shtypës butonash. Ka varfëri mendimi regjisorial në emisione. Nëse gazetari është skeleti i ndërtimit të një emisioni apo të një dokumentari, regjia është ajo që e mbush me mish, i jep frymë, i vesh kostumin, i jep fjalën, i jep lëvizjen, gjallërinë ritmin, Prandaj nuk mund të shkëputen gazetaria më vete dhe regjia më vete. Sepse televizionet lindin në funksion të ecjes paralel të këtyre dy gjinive. Në TV gazetari nuk bën dot pa regjinë dhe anasjelltas. Janë të dy si një trup i vetëm që ecin.

RTSH-ja nuk ka një enciklopedi për jetën e vet. Libri juaj është nga të paktët i shkruar nga një punonjës me kontribute. Mendoni se kjo është mënyra më e mirë për të lënë gjurmë e për të treguar jo vetëm historinë personale, por edhe atë të Televizionit?
Sigurisht, me këtë ndjesi unë u ula të shkruaj. Është një epokë ku ka punuar një ekip i caktuar. Ata kanë dhënë mundin e djersës, kanë arritur rezultate, kanë kapur majat. Dhe nga kjo anë unë shkunda diçka për t’i risjellë sërish ish-kolegët e televizionit pas kaq vitesh. Një nga shtysat ishte që pas disa vitesh endeje në televizione private, unë u ktheva në Televizionin Publik. Ndjeva keqardhje, sepse sigurisht koha bën të vetën. Shumë nga ish-kolegët e mi kishin dalë në pension, shumë të tjerë kishin mërguar për arsye ekonomike, por sërish gjeta një bërthamë shumë produktive në TV, gjeta elementë shumë të suksesshëm, të cilët i kisha lënë në kohën që fillova të lëviz nëpër televizionet private. Por gjeta dhe shume të rinj të talentuar, gjithashtu. Dhe një gjë e tillë më mbushte, sepse kisha ardhur sërish në shtëpinë time.

Flasim për vitet para ’90. Sa trysni ka pasur një folës lajmesh që punonte nën një regjim që nuk i falte gabimet?
Në profesion nuk ka regjime. Profesioni është i njëjtë kudo. Nëse je një profesionist i mirë, nuk do të thotë se duhet të jesh dhe një partiak i mirë. Mund të mos e llogaritësh fare anën politike të gjërave. Dhe nëse shikon punën tënde, pra nëse ushtron profesionin tënd, në shkallën dhe nivelin e duhur, këtu nuk hyn më politika. Edhe nën diktaturë, te ne, profesion bëhej ashtu si dhe tani. Pra në TVSH si atëherë, edhe tani, profesioni nuk ka ndonjë dallim në thelb. Ndryshe është po të flasim rreth përmbajtjes që sjell formën, e që të dikton mënyrën e të qëndruarit. Nëse në kohën e diktaturës gjërat ishin pak më strikte dhe brenda disa kornizave të caktuara, era e re e pas viteve ‘90 i zhveshi nga kjo mënyrë e të konceptuarit. Por profesioni i njëjtë mbeti si atëherë, edhe tani.

Libri që nuk ka dalë ende në treg përmban dhe çaste tuaja të vështira gjatë jetës profesionale?
Momente të vështira përveç se me veten, unë nuk kam pasur. Kam pasur të bëj me gjendje shpirtërore në të përditshmen e daljes në ekran. Kam qenë mirë apo jo fizikisht, kam qenë sëmurë, duhet të qeshja kur nuk më qeshej apo të flisja kur nuk më flitej. Sepse këto t’i detyron profesioni përpara kamerës. Gjithmonë para kamerës duhet ta ushqesh veten që ke një destin të caktuar. Destini është teleshikuesi që të ndjek. Dhe ti a ka mundësi që atë teleshikues nëpërmjet formave dhe aftësive të tua ta bësh për vete që të të shohë vetëm ty. Ky është koncepti bazë. Kjo punë shkon deri në personalizim të orareve. Fjala vjen, në qoftë se në orën 20:00 është Dhimitër Gjoka në ekran, ai teleshikues e di që do të ulet para televizorit, sepse do t’i shohë lajmet me Dhimitrin. Mirëpo që ta bësh këtë duhet punë, punë, punë. Ky është destini ynë. Ky është qëllimi ynë, i njeriut që del në ekran. Nuk janë thjesht 30 minuta para kameras. Por çfarë të bën që ta thithësh tjetrin, që ta bësh të thotë se lajmet do t’i ndjekë me këtë folës. Mirëpo ky është një ushqim i përditshëm, ndaj për ditë duhet të mendosh edhe në punë, por dhe në shtëpi, në tavolinë duhet të mendosh se çfarë të veçante do të bëj sot nga dje, kur të dal në ekran, që telespektatori të më ndjekë hap pas hapi.

Të gjithë kolegët ju njohin për përkushtimin dhe ndihmën që keni dhënë ndaj tyre. Sa bashkëpunojnë sot brezat me njëri tjetrin?
Ka një vlerësim jo shumë serioz të përgatitjes së elementit që del në ekran. Dhe kjo është puna regjisoriale që është e dobët. Në mos është e mangët. Pra, një njeri që del në ekran, nëse nuk kalon në filtrin regjisorial, nuk mundet që siç vjen nga rruga të dalë para kameras. Pra kemi të bëjmë me një bashkëpunim të munguar.