Thursday, April 4, 2024

VIP-at shqiptarë që “vdesin” për t’u vetëizoluar e për t’u vëzhguar


Nga 
Leonard Veizi
 
Sot do merrem me “Big Bardhin” dhe me “Fermën e Kafshëve”. Jo atë të Xhorxh Oruellit, sigurisht.
-Kemi këtë Fermën tonë. I kuptova të gjitha. Ama shaka bëre dhe ti.
Edhe pse jam krejtësisht kundër zhvillimit të këtyre spektakleve, sërish nuk le Prajm pa parë. Ke parë ti, jam bërë tifoz edhe unë.
-Të paska bërë mirë shitja e zarzavateve ty.
Sepse thellësisht mendoj që këto programe i lënë me pasoja psikike pjesëmarrësit. Dhe mund të na ndodhë hataja ndonjëherë. Do thoni ju ç’pasojë do t’i lërë Eglës te Big-u? Po ja, do dalë nga dhoma Living me 12 karaktere nga 7 që kishte kur hyri. Nëse kjo është një fitore, atëherë mund të themi se ajo e fitoi lojën e saj. Por 12 karaktere janë shumë. Edhe 7 shumë janë. Ka konflikt interesi.
-Kështu lindin grindjet. Për këtë bën fjalë dhe drama ime.
Ndërkohë që kam vënë dhe një bast me veten. Sepse prej kohësh më ka hipur në kokë të zbërthej togfjalëshin me të cilin shqiptarët etiketojnë veten: “Nuk bëhemi ne”. Pak nga pak po i shkoj fundit. Dhe po më ndihmojnë shumë në këtë ndërmarrje të fuqishme edhe programet televizive të izolimit, të cilat quhen edhe spektakle edhe eksperimente sociale.
Po e nisim:
 
Heidi dhe Maria
Që Heidi do eklipsonte Marien, këtë s’ma kishte marrë mendja kurrë në botë. Por vetë bota është e çuditshme. Në rrjet qarkulloi një foto që ma futi llapën brenda e desh u mbyta... Spektatorët që ndiqnin konkursin ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”, bash në qendër të Tiranës tek Teatri i Operas, nuk e kishin fare mendjen tek konkurrentët që po garonin me nota akute, por ishin përqendruar tek celularët, ku po shpalosej ahengu me këngë tallavaje të dasmës së Heidit me Romeon. Në Big Bradhër po bëhej dasmë.
-Me trashëgime e me një borokoç mashkull!
U dhje muhabeti. Po fare, fare. Dhe të mendosh që sopranot po rrekeshin të interpretonin në maksimum “Mbretëreshën e natës”, të “Flautit Magjik” të Mozartit, pikërisht një nga pjesët më të vështira të botës operistike.  
Ore, që të mos i bie legenit kot unë e dini kush është Mozarti apo t’ia fillojmë prap nga e para?
Jo se e dija unë?! Por e mësova. Sebep u bë një shok lagjeje, Xhevi, që e kisha dhe shok të ngushtë nga 8-vjeçarja. Ai në Lice unë në Politeknikum. Ai më fliste për veglat muzikore, unë për kuzhinjeta dhe dadiçekë. Fitonte ai, se ishte më bukur kur flitej për muzikë. Dhe më merrte me vete edhe kur kishin saxho - që ishte një provim ku kishte dhe të ftuar, - dhe kishin detyrim si klasë të ndiqnin “free” veprat operistike që viheshin në atë kohë. Përfitoja dhe unë me këtë rast. Kështu që do s’do, mora njëfarë kulture edhe nga muzika klasike. Në këtë kohë jam njohur dhe me Mozartin.  Alamet burri, me thon të drejtën. Kjo për ata që kanë pyetje praktike. Meqë ra fjala, s’të linte të fusje dorën në xhep. Por ja që në Shqipëri nuk e pjerdh njeri. Se ne si shqiptarë, e tregojmë veten që vdesim për tallava, për gjizë, qepë...  e ndonjë qofte zgare. S’na shijon gjë po nuk lëpimë ca duart nga yndyra. Po qe puna për shampanja me haviar, nuk na e mban barku e bëhemi si në detin 8 ballë të Otrantos.
E për çfarë po habiten shqiptarët, tek e fundit, se jemi të fundit në Europë... Jemi o posi, të fundit e pas liste. Po lihet dasma për të mbledhur shkarpa? Jeni në vete, apo s’mbushni fare?
Epo, në fakt, një gjë të tillë ne e bëjmë rregullisht.
 
Vëllai dhe Ferma
Hajvanllëku po kap majat. Njerëzit me famë, - të thuash ti se kanë miliarda dollarë në llogari bankare, - të mërzitur nga jeta e zakonshme, po i futen aventurave të jashtëzakonshme. Ca u mbyllën në Big e ca të tjerë u lëshuan në një Fermë. Të gjithë të monitoruar prej kamerave nga hapja e gojës në mëngjes, deri tek dera e halesë. E jo, këtu Stop: jetë private.
Hajde ç’vete, hajde. Dhe ne thamë: shyqyr që shpëtuam nga izolimi. Jo mo po e kërkojmë vetë të keqen. S’na i ka fajet njeri. E themi pastaj pse nuk bëhemi ne si populli? Po si mund të bëhemi aman? Duhet të rrjedhë shumë ujë. Duhet të shpëlahemi fare.
-Ka ustallarë sot babam. Të thonë një herë,,, dy. Ti hiç. Pastaj ta tërheqin kapistallin.
Duhet të jemi vërtetë popull kastravec përderisa na pëlqen izolimi dhe futemi në çdo format prej hajvani që na vjen nga Evropa e qytetëruar. Ose te ne vepron bindshëm sindroma e Stokholmit. Ndoshta nuk duam që të paktën në fushën e spektakleve të mbetemi pas botës, ndaj i blejmë me para në dorë patentat, një herë Big-un e një herë Fermën, me nga një VIP pas.
-A ka mo?
-Osht dhe baba.
Kështu u ndanë dhe influencat. Një grup VIP-sash u futën në një dhomë komode me dizenjo gjithfarëngjyrash. Me këtë ishim mësuar tashmë. Por konkurrenca ka ligjet e veta. Dhe u ngritën konkurrentët e blenë pa një pa dy një tjetër patentë. Aty të duket sikur një tufë vullnetarësh kanë shkuar me punë në fshat. Pa do hapin tarraca të reja, do furnizojnë popullin me qumësht. Le po do bëjnë dhe djathë dhie. Emisioni ka dhe analistë.
- Paska dhe arie. Demek qenkan si punë arixhofkash me shkollë nga Frënca.
Dhe aty u ndesha me një tjetër thagmë, që një çupkë i thoshte Elsa Lilës, pjesë e formatit çuditërisht. “Ik moj, 50 vjeç gru...” e të tjera. Dhe kujt pa, Elsës, që mori tre çmime të para njëra pas tjetrës sa iu futi të dridhurat të gjithë këngëtarëve e vajti deri në Sanremo. Po mirë ti bëhet, çdo Elsa në një Fermë me kafshë?
Nuk bëhemi ne or jo dhe e ka marrë ferra uratën për këtë punë. Ja për këtë bën fjalë dhe studimi im i fundit. Po qe se arrij t’ia dal.
Artistët tanë qenkan marrosur. Se t’u thuash VIP-a, nuk shkon fare. Po hajd, për kompromis fjale, quhet. Në fakt ata janë të njohur, janë persona publikë. Por VIP-a? Apo mos e kam gabim gjë?
Vendos të bëj kërkimet e mia. Gjej përkufizimin: VIP është akronimi i “Very Important Person”. Në sqarim thuhet: “Një person shumë i rëndësishëm është një person të cilit i janë dhënë privilegje të veçanta për shkak të gradës së lartë shoqërore, statusit, ndikimit ose rëndësisë”.
Në tërë Shqipërinë të kërkosh si zor se e gjen një njeri të ketë kaq shumë merita.
 
Rrëfimet melodramatike
VIP-at na hapën zorrët e barkut me ato që tregojnë. Eksperienca melodramatike. Të thuash që e gjithë e keqja e botës u ka rënë atyre mbi shpatulla. Telespektatorët e shushatur mbetën me shami në dorë duke fshirë lotët. Dhe këmbëngulin që paratë u takojnë, një herë njërit e një herë tjetrit, se kanë ngritur kauza. Drama në kufi të tragjedisë. Shekspir fare. “Makbeth” është aty, “Rikardi III” po e po. “Ëndrra e një nate vere”, “Ëndërr për një karrige”. “Ëndërr...”. Bo bo, ndjesë se u bëra lëmsh. Këto të fundit janë komedi. Megjithatë banorët i kanë lanë hallet përjashta e i janë përkushtuar lojës përbrenda. Se leku të luan nga tepeleku. Po luftojnë si luenër. – “Nxirre luanin...” - Ai që është burrë nuk frigohet... por lufton të kapi çfarë ka mbetur nga çmimi i madh. Se çmimi është futur në ujë, si doku i kombinatit. E keni parë sa ka vajtur?
 
Egla iku nga Big-u, pas la... Trojën
Kur Gazi tha në një emision pasditeje se "Big Bardhin" apo Big Bradhërin e fiton Egla desh u shqeva gazit. Propabiliteti, mendova. Atë ka menduar dhe Gazi. Në 7 personalitetet, fitoi njëra, ajo më jo edukativja. Egla na ka kënaqur në këtë Big. Fjalorin e zgjeruar të saj s’e kisha hasur që nga periudha e Politeknikumit ku shahej rrëndshëm. Madje dhe në ushtri fjalori ishte më i kontrolluar.
-Ik moj... ordinere... Do të të bëja një pordhë tani por ç’e do që s’më vjen.
Kjo ishte faturë për Ilnisën, nga Egla.
-Duron Ollgë zeza, po jepi se s’pret puna!
Duron dhe Ilnisa. Madje duron dhe Ledioni, që është bërë si edukator kopshti. Duron dhe Arbri. Nga ana tjetër, andej nga Ferma e Kafshëve do t’i kalitet durimi dhe Kelit. Bravo djema.
Por sharjet me libër shtëpie nuk kanë të sosur edhe kur ka masa disiplinore.
Heu... pse paska dhe kështu. Ka dhe më keq, por s’po i themi të tëra. Po mbaji o Vëlla i Madh! Do thuash se nuk je xhandar. Po plasi mo... kemi fëmijë në shtëpi, po kemi motrat. Po kemi nënat. Po kemi dhe gratë... se u trasha dhe unë. Le që kush pyet për gratë. Iku Lisi që ishte neutralizues sherresh. E pas tij nisi të vlojë tigani, me vaj të nxehtë ku skuqen vezët dhe specat.
Këtu m’u kujtua Hamleti. Ore nuk bëhemi ne, harrojeni.
Ndërsa së fundi, dalja e Eglës nga ambienti “Living” në “dhomën e bardhë” të izolimit më kujton frazat e huazuara nga filmi “Ballë për Ballë” me skenar të Ismail Kadaresë. Bashkëbisedimin e Jelena Mihallovnës, gruaja bionde e një komandanti nëndetëseje me Sergei Ivanoviçin, një inxhinieri nëndetësesh. Kjo i vë vulën situatës:
-Jelena Mihahllovna, nuk e kuptoni se së shpejti këtu do të bëhet hataja. Mirë ne se na ka zënë halli, po ju ç’kërkoni këtu??? Përse nuk largoheni sa më parë... ikni, ikni që këtej.
-Sa i frikshëm që jeni?
-A i patë ushtarët që erdhën nga të dy palët? A i patë fytyrat e tyre, bajonetat? Ai i lexuat gazetat? A e dëgjuat radion?
-Sa i tmerrshëm që jeni!
-Jelena Mihajllovna, ju ç’bëni këtu? Ç’punë keni ju në këtë ferr? Vendi juaj është larg që këtej, shumë larg. Largohuni këtej sa nuk është vonë! Tragjedinë e kemi nën këmbët tona, si nuk e shikojmë vallë?! Së shpejti ne do të shqyejmë njëri-tjetrin këtu, si oktapodët.
-Sergei Ivanoviç, seriozisht e keni?
Mbaroi dhe studimi im ma duket. E gjeta themrën e Akilit, se pse nuk bëhemi ne. Por Kadare mbase e ka gjetur më parë.
-Braktisje Jelena Mihajllovna, dhe mbas teje mbetet... Troja.

No comments:

Post a Comment