Sunday, February 28, 2021

“Policia është me ne”


Nga Leonard Veizi
 
Tek dëgjoja këshillën e gruas që të vendosja maskën mbi hundë, ende pa dalë nga dera e shtëpisë, si burrë zamani që më gënjente mendja se isha, ia ktheva nën zë: Hë moj se nuk më gjen gjë!
Dhe vazhdova.
Po kush të lë të shkosh për dhjamë qeni?! Shyqyr shokë e miq kemi plot. Mos na lëntë Zoti pa ta! Ia pat një gjiton që më paralajmëron: “Ke policinë aty. Po s’pate maskë futu te kjo farmacia e bli një 300-lekëshe se ma hëngre 30-mijëshen”. U stepa. Jo ky është tamam mik pe vërteti. Të mbron krahët dhe buxhetin. Sidomos përballë strukturave të shtetit që jarebi nuk duan t’ia dinë se kush je, njeri publik apo jo publik.
Do bëhemi si Evropa apo jo???
Me shpejtësinë e rrufesë nxora maskën e bezes nga xhepi dhe e ngjesha në fytyrë. Ku ka trimëri këtu.
Dhe me të drejtë, pak më poshtë një çift policësh, një femër dhe një mashkull demek, kishin ndaluar dy femra, pa maska, njëra që po nxitonte për në shkollë dhe tjetra që kishte ulur në tokë dy qese ushqimesh. Të dyja po e prisnin qetësisht vendimin për gjobë. Ç’t'i bësh, e përmban ligji. Dhe me tre gjëra nuk bëhet shaka në këtë jetë: me zjarrin, me ujin dhe sidomos me qeverinë.
Tek shihja skenën makabre të gjobvënies nuk di pse ishte gati të më dilte nga fyti shprehja: “Policia është me ne”. Si të doja t’i jepja një mesazh patrullës policore: “Merreni ca qetësisht vëllezër, nuk janë kriminelë...”
Pak më tutje situata u përsërit. Sërish policë me blloqe gjobash duke shkruar. Këtë herë viktimat ishin një djalë dhe një vajzë.
Ç'është kështu? Fushatë?
“Policia është me ne”!
Në vitin 1991, kur shqiptarët u sulën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës nga piedestali në mes të Tiranës, nisën dhe thirrjet: “Policia është me ne”. Ai që e tha i pari mbeti anonim, por shprehja në fjalë u masivizua brenda 30-të sekondash. Qëllimi ishte i thjeshtë, të mos hanin dru me shkopa gome, megjithëse këtej e andej gardhit e kishin qëlluar njëri-tjetrin me ç’të mundnin, armë të ftohta e mjete rrethanore. Por meqë policia kishte dhe ca vegla më shumë, u pa e arsyeshme të gjenin fjalën me njëri-tjetrin. Se dhuna pjell dhunën, thonë.
Ky ishte xhoinvenshëri i parë modern, ku populli kërkonte të “inkriminonte” dhe strukturat e shtetit në një veprimtari antishtetërore, siç ishte sulmi ndaj busteve e shtatoreve, të cilët kishin nisur të mbroheshin dhe me një ligj të veçantë.
Bashkë me sentencën “policia është me ne” nisën puthjet e përqafimet me djemtë e policisë që mbanin skafandra në kokë, por që u kishte ngrirë shkopi i gomës në dorë. Ca prej tyre i hoqën skafandrat e mburojat plastike, u çliruan nga djersët dhe u shkrehën.
Monumenti shkoi për lesh.
Në fund të fundit shqiptarë ishin të dyja palët: ca këndej hendekut e ca nga ana tjetër.
Asokohe policia e kishte dorën goxha të rëndë. Të fusnin ndonjë shkop në ndonjë qoshe pallati, por të rrihnin sa u hante palla e dorës kur të rrasnin brenda në qeli.
-Emrin...? - Vuuuu druri. - Si e ke emrin mor po të them?
-Aman ore mos gjuj dy herë me një vend...
-Emrin e babës?
Vuuuu druri sa të këputej kërbishtja, nga sytë të dilnin xixa, e  truri të ikte vendit.
-Ça emri do mor jahu... Unë s’mbaj mend emrin tem jo të babës...
Iku ajo kohë.
Në vite shprehja nisi të harrohej sepse dhe policia nisi të ndryshonte. Ndryshoi uniformën, ndryshoi sjelljen... Nisën reformat. Policët nisën të quheshin “ruajtësit e rendit”. Nuk ishin më në ruajtje të diktaturës së proletariatit.
30 vite më pas, në vitin 2021, është bërë imediate që thirrja “Policia është me ne”, të dalë përsëri në shesh. Gjatë gjithë këtyre viteve u kuptua se shqiptarit nuk ia del dot me të keq. Domethënë rrihe sa të duash, i është bërë kurrizi shollë e s’do t’ia dijë nga ajo anë. Ndaj nisi strategjie e re. Një strategji paneuropiane e panamerikane të marra së bashku. Nisi epoka e gjobave. Këtu po, të dhemb kurrizi dhe xhepi bashkë me të.
Për një farë periudhe, shoferë e drejtues automjetesh me nga një muaj kurs zunë tmerr.
-Pse s'e mban rripin e sigurimit? 10 mijë lekë të vjetra gjobë.
Si urdhëron! Jo me të drejtë se vihet në hesap koka.
Para do kohëve policëve u lindi e drejta të mbanin një përqindje për çdo gjobë. Hajde ç’vinte, hajde. Kështu që... o burra kush të vinte sa më shumë gjoba. Kur u teprua u tha se ishte praktikë e gabuar.
Ta mbyllim vëlla, të shkuara e të harruara! Se këtu vetëm gabime bëhen.
Tani në periudhën e artë të pandemisë ka ndryshuar formula. Policia është dinjitoze. Nuk korruptohet më nga përqindje si bakshish kamerierësh.
-Ku e ke maskën? 30 mijë lekë të vjetra gjobë.
Dale o babam,,, bo, bo, sa dorë të rëndë paske. Se këto kohë s’kemi punu fare.
Epo kaq e ka ligji. Po e përsërite e ha më keq.
Recidivist, demek.
E drejtë në fakt, se mirë që e merr kovidin për vete, ngaqë nuk dihet ku e fut hundën, por ua çon edhe të tjetrëve drejt e te rryli i fytit.
“Policia është me ne”, bramp paret nga xhepi. Aman o se jemi shqiptarë. Të paktën mos qëllo dy herë në të njëjtin vend se s'e mbaj më.
Por policia e ka marrë seriozisht detyrën.
Një ditë vendosa të numëroj sa gjoba do viheshin, përgjatë rrugës që shkoja për në redaksi. 30 minuta gjë ishte. Dita e parë: 6-të gjithësej. Çudi e madhe, 5 femra dhe 1 mashkull. Rastësi, besova.
Një ditë më pas raporti ishte 3 femra dhe një mashkull. Ore, vërtet çudi? Por jo aq e madhe. Të ishte një diskriminim seksist??? D.m.th, një polic mashkull ndalonte si të pamaskë një femër dhe niste t’i vinte gjobë...???
“Mjaft me dyshime gazetarësh” - i thashë vetes, - “policia është me ne”.
Ditën e tretë një patrullë po tentonte të hipte në makinën bardhë e blu me alarme ndezur një 18-vjeçar. Ai jo vetëm që s’kishte maskë, por nuk kishte as kartën e identitetit.
Ky meritonte ta hante sa krahu. Në Rajon e kishte vendin.
Me të drejtë. Se po e more në shtëpi edhe do ta sajdisësh. Ndërsa në Rajon një çapë buke e një gavetë supe do ai. Apo ndoshta është më mirë me i fut një gjobë e me këtë rast rregullon dhe bilancin e buxhetit, se sa të merresh me shkresurina.
Ha debat muhabeti.
Këto kohë policia është bërë po aq e frikshme sa dhe në vitet e arta të Diktaturës së Proletariatit. Tani s’di as nga të ruhesh, se mbi shpinë ke tre lloj policie: atë të rendit, policinë rrugore dhe policinë bashkiake. Të qethur e të hekurosur për merak, polici nuk nxjerr më shkopin e gomës nga milli, por bllokun e gjobave nga xhepi.
-Emrin...?
Vu gjoba
-Emrin e babës...?
Aman ore unë s’mbaj mend emrin tim tani. Duhet me punu tre ditë të shlyej gjobën. Apo s’jemi dhe në kohë pandemie. Osht tremb leku. S’ke ku e gje.
Tanimë gjëja e parë që kontrolloj para se të dal nga dera e shtëpisë është maska. Më mirë të dukem si hajdut pulash se sa të më rrasin gjobën ata të policisë. Se nuk ta zgjasin hiç. Në mbrojtje të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë, sigurisht.

 

Thursday, February 25, 2021

Leonard Veizi mes shkrimtarit dhe gazetarit




Autori i 11 librave, mes tyre 6 romane, 4 tregime, novela dhe 1 publicistikë, Leonard Veizi është një ndër emrat më të spikatur të gazetarisë dhe letërsisë shqipe në tre dekadat e fundit. Në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” Leonard Veizi flet për krijimtarinë e tij mes letërsisë dhe gazetarisë. Çfarë ka ndikuar në pasionin e tij për të shkruarën si dhe projektet për të ardhmen.
 
-Zoti Veizi, ju keni një karrierë të pasur si në gazetari ashtu edhe në letërsi, por nga anoni më shumë?
-Ka plot gazetarë që thonë se ndodhen aksidentalisht në gazetari, por unë nuk hyj tek ata. Nuk mund të them që vij rastësisht në gazetari. Personi që më rekomandoi kishte lexuar shkrimet e mia.
 
-Kush ishte ky?
-Llazar Vero, gazetar i vjetër i gazetës “Bashkimi”. Ai më orientoi te kjo gazetë në vitin 1991 ku kryeredaktor ishte Qemal Sakajeva. Faktikisht unë aty kam filluar si korrektor. Dy muaj pasi kisha filluar punë në gazetën “Bashkimi” propozova që të bëja një shkrim. Ata e mirëpritën këtë propozim dhe të nesërmen kur kam parë emrin në gazetë ndjeva një emocion të papërshkrueshëm.
 
-Dhe më pas si arrite që në vitin 1997 ke nxjerrë librin “Grahma e shpirtit në mjegull” ?
-Minimalisht që nga mosha 14 vjeç unë e ndava mendjen me veten time që do isha një shkrimtar në të ardhmen. Fjala shkrimtar në fakt edhe sot më duket e madhe. Pikësynimin e kisha shumë të qartë megjithëse isha futur në një shkollë profesionale, Harry Fultz sot. Poezitë e para datojnë që nga mosha 11 vjeç. Mbaj mend që kam shkruar një vjershë për dëshmorët, por që nuk ia mbaj mend vargjet.
 
-Cili shkrimtar ka ndikuar te ti?
-Pasi kisha lexuar pas një farë kohe letërsi të mirë, deri në moshën 14-vjeçare, një ditë të bukur zbulova Balzakun. Kur njoha Balzakun unë u shpërfytyrova në kuptimin e mirë të fjalës,
 
-Pse pikërisht te Balzaku?
-Forcën goditëse e kishte shumë të madhe dhe e kam filluar me Xha Gorionë. Unë ende vazhdoj të jem i dashuruar me Balzakun sado që lexova më pas Hygonë dhe shumë të tjerë. Ndërsa nga shkrimtarët shqiptarë padyshim që ka ndikuar Kadareja.
 
-Pse Kadareja?
-Ka qenë viti 1980 kur bashkë me prindërit shkojmë te kinema “17 Nëntori” dhe shikojmë filmin “Ballë për ballë”. Filmi më la një mbresë të jashtëzakonshme pasi flitej për skena masive, skena lufte, dhe kërkova librin. Ky është impresioni i parë nga Kadareja. Po u fute me impresion pozitiv, ashtu ngelet gjithë jetën.
 
-Vijmë në vitin 1998 “Ngrehina e përhumbjes”, tregime.
-U bë shpejt. Shkoj e mbyllem në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda një muaji kam rreshtuar 25 tregime të shkurtra. Çdo ditë bëja një tregim. Në fakt ato janë si synopsus të cilat po më shërbejnë për të kapur tema. U bënë në shpejtësi e sipër dhe me euforinë e librit të parë, nxora librin e dytë.
 

-Në vitin 2005 nxjerr librin “Treni i fundit i metrosë”.
-E pashë që nuk bëhej shaka me letërsinë. Dhe kam bërë disa vite pushim. Ose më saktë, punoja çdo ditë, por nuk botoja. Se fillimisht autori mendon se shkruan për veten e tij. Pastaj kujton se është përballë një lexuesi i cili do dhe ai pjesën e vet. Kështu që u mendova mirë kësaj radhë për të nxjerrë vëllimin e tretë, “Treni i fundit i metrosë” i cili më dha shumë dorë.
 
-Ndërsa në vitin 2006 nxjerr librin “I dënuar me vdekjen”.
-Projekti fillestar ishte në 12 novela, por meqë shtëpia botuese fillimisht më pranoi vetëm 4. Kështu që kisha akoma për të prodhuar një libër tjetër.
 
-Pas 4 librave me tregime, ju vini në një stad tjetër duke shkruar romane.
-Doja ta provoja veten edhe në roman. Pas dy romaneve të para, kuptova thellësisht që të paktën tregu shqiptar ishte i orientuar nga romani. Pra, ishte më e thjeshtë të shisje një roman me një titull sesa një libër me 20 tregime, apo ne 5 novela.

-Cili është romani me të cilin je ndjerë më mirë dhe më tepër i vlerësuar?
-Sa herë botoja një roman ndihesha mirë, pastaj vinte tjetri, vinte tjetri e kështu me radhë. Por mendoj që më mirë jam ndjerë te “Orgji në
famullinë e at Ludovikut” për të cilin them që në 11 librat mendoj që është ai ylli në krijimtarinë time, është pika më e mirë, ndoshta më e larta. Por edhe te “Lora” dhe te “Rrënimi”. Me këto tre tituj do thosha që kam marrë shumë benefite personale. Nuk po them që kam bërë namin në shitje apo
jam bërë i pasur, thjesht ka shkuar te lexuesi dhe jam i kënaqur.

-A kemi ne në Shqipëri një letërsi tipike post-komuniste?
-Po tani e kemi. U humb orientimi në vitet 1990-2000. Një 10-vjeçar ka shkuar kot, madje edhe ato që dolën kishin një ngërç të madh sepse ishte problemi i kapërcimit. Por pas viteve 2000 u kapërcye ky ngërç dhe tani mendoj që ka letërsi jo vetëm post-komuniste por është një letërsi e shkrirë me atë të letërsisë europiane.
 
-Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, në një intervistë që i kam marrë deklaroi se në nëntor do të mblidhet Kongresi i Albanologjisë dhe një nga objeksionet e kësaj do jetë gjuha standarde. Nuk pritet të ketë ndryshime thelbësore por një nga ndryshimet mund të jetë që fjalët e huaja të shkruhen siç shkruhen në gjuhën e tyre.
-Unë mendoj që duhet të shkruhet siç shqiptohet. Siç e kanë lënë në vitin ’72. Unë jam i ndjeshëm ndaj gjuhës, aq sa mund të jem. Mbas viteve ’90 gjuha standarde u sulmua. Deri tani nuk i është bërë asgjë. Mua standardi më duket i qepur me dorë, kaq i bukur dhe kaq tingëllues. Dhe jam dakord ashtu siç është lënë në ’72, shkruhet siç shqiptohet.
 
 -Ju jeni një lëvrues shumë i mirë në zhanrin e dosierit. Çfarë mund të thoni sot që ju me anë të dosierit keni zbuluar dy-tre fakte që mbeten në histori?
-Unë në fakt e kam gati për ta botuar, por po ngurroj. Mund të them që kam një histori të plotë, ndoshta e kam më të mirën e mundshme, të bëj historinë e armatimit ose ushtrisë shqiptare nga viti 1945 deri në vitin 1997.
 
-Ç’të lidh ty me këtë?
-Rastisi që mora 30-40 ose shumë më tepër ushtarakë të lartë në intervistë dhe po t’i mbledh të gjitha aty bëj historinë e ushtrisë shqiptare nga 1945 deri në 1997 vetëm me ushtarakë të lartë të cilët flasin për problematikën në ushtri.
 
-Dhe cili fakt të ka bërë më shumë përshtypje?

-Që ne kemi pasur armatim sa për gjithë Europën.
 
-Keni 30 vjet që punoni si gazetar. Si është media shqiptare sot?
-Në vitet 2000-2010 unë them se është bërë një gazetari e shkëlqyer në Shqipëri.
 
-E shkëlqyer?
-Shumë e mirë. Gazetari lajmi, gazetari investigative, se sot përveç nja dy emisioneve televizive nuk ke më gazetari. Sot për mua ka marrë fund.
 
-Pse, çfarë ndodhi?
-Sepse u fut kjo që ne sot e quajmë media online. Dhe ajo e shkatërroi gjithë sistemin. Njerëzit të gjithë janë mbi një celular që marrin lajmet në mënyrë të shpejtë dhe të pakontrolluar gjë që i çon në marrjen e informacionit të gabuar. Ne kemi 900 portale pak a shumë zyrtarisht, nga të cilat serioze janë ato që kanë përgjithësisht një gazetë apo televizion nga pas. Janë 15-20 të tilla. Kështu që mbizotërojnë ato që nuk kanë profesionalizmin e duhur. Çdo gazetar televizioni apo edhe online, duhet të kalojnë domosdoshmërisht një kurs 2-vjeçar në gazetë. Të kuptosh se si bëhet lajmi.  



Thursday, February 18, 2021

Lefter Çipa në eterin e përjetshëm


Nga Leonard Veizi
 
Artistët po ikin njëri pas tjetrit. Pa radhë, pa konfuzion, pa ditirambe. Në një qetësi të plotë e thuajse të frikshme...
Teksa marrin rrugën për në banesën e fundit, shoqërohen nga një kortezh miniaturist, në distancë, pa shtrëngime duarsh e përqafime për të shprehur dhimbjen. Por vetëm me lotë të vetmuar. Zija është një luks tanimë. Po braktiset. Nuk mund të mbahet.
Kemi fituar kulturë pandemie. Për mort nuk dërgojmë telegrame ngushëllimi por hedhim statuse në rrjetet sociale dhe ato asociale.
Lefter Çipa iku.
Ishte artist, poet e studiues si ai. Ndoshta i fundit e pa pasardhës.
Nuk është e thënë se për të duhet të luante një marrsh banda e shtetit. Dhe pse gabim nuk do ishte gjithsesi. As arkëmorti nuk kish sens të vendosej mbi një shtrat topi. Sepse në fund të fundit ai ishte një poet. Sepse një poeti me shpirt të ndjerë, mjetet luftarake e ndonjë batare armësh të shkrepura drejt qiellit, do t’ia trembnin brishtësinë e gjumit të sapozënë. Dhe pse në fakt ai vinte një vend i ashpër e luftarak siç është Piluri i Himarës dhe Vlorës marrë së bashku.
Aleksandër Çipa, mik dhe koleg gazetar, por dhe djali i Lefterit të Madh, bënte të njohur faktin e hidhur vetëm me një fjalë “Lamtumirë”. Dhe më poshtë postuar një foto e babait me kostum të bardhë, si ne kohën e djalërisë së hershme. Ky ishte lajmësi.
Pas tij, rrjeti, - ai sociali dhe asociali në mund ta quajmë kështu, - do të mbushej me statuse të njëra pas tjetrës.
Poeti na la...
Poeti kishte ikur vërtet. Poeti i polifonisë. Nuk kish dyshime. As lajm i fabrikuar nuk mund të ishte. Ikja e tij ishte po aq e zhurmshme sa ishte dhe e heshtur njëkohësisht. Ndërsa lajmet poshtë e lartë nëpër portalesh gjithfarësh, bënin të ditur se prej gati një viti poeti përpëlitej me sëmundjen e tij në një luftë të ethshme për mbijetesë.
Por nuk ia doli dot këtë herë.
Aleat me duhanin që nuk e ndante nga dora, kundër vetes, në një aleancë tjetër me optimizmin për ti mundur dy të parët. Por fati njerëzor dihet. Herët a vonë duhet ta lesh këtë botë. Nuk e thonë librat e shenjtë. E thotë vetë jeta, cikli i saj. Vërtet, Lefteri nuk ishte aq i madh në moshë sa të thuash se e kishte ngrënë livadhin e vet e nuk kishte çfarë të bënte më mbi dhe. Ishte 79-vjeç. La pas një thesar të vërtetë; 18 libra me poezi. Por është gjithashtu dhe autor i rreth 1250 këngëve. Kaq thuhet në jetëshkrimin e tij zyrtar. Po kush ia numëroi... Sepse me gjasa mund të jenë edhe dhe ca më tepër. E padyshim, mund të bënte më shumë se kaq. Sepse Lefter Çipa ishte i lindur për të thurur vargje. Atij vargu i buronte. Nuk kish nevojë ta thërriste, as ta kërkonte. Poezia ish me të, gjatë gjitha kohës.
Me të drejtë i madhi Dritëro Agolli, për poezinë e Lefter Çipës do të shprehej “Ai nuk merr fryme, po frymon poezi”.
Lefter Çipa konsiderohet si "princi i sotëm" i polifonisë shqiptare. Dhe të ulesh në fronin e princit nuk është e lehtë. Sepse nuk ka një mbret që të ta dhurojë fronin për shkak të lidhjes së gjakut apo të ADN-së së përbashkët. Për të qenë një “princ poetik”, e për më tepër i një gjeje fort të rrallë siç është polifonia, të duhet shumë talent, shumë muze dhe shumë punë gjithashtu. Lefteri i kishte të tria. Dhe jo më kot vlerësohej si autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit.
Madje vlerësohej si një prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.
Ai ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në gjashtë Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qene i laureuar në çdo njërin prej tyre.
Por sot nuk është më në botën e frymorëve. Dhe ndoshta kjo nuk ka pikë rëndësie. Sepse ai dashur a pa dashur, e ka çuar emrin në përjetësi. Në eter, polifonia dhe vargjet e tij lëvizin shtruar e janë të gjalla në çdo kohë. Do të humbin vetëm nëse atmosfera do të shpërbëhet e Toka të kthehet në një planet të ngurtë e pa jetë. Por me gjasa kjo kërkon edhe disa miliona vjet të tjerë. Prandaj dhe quhet: përjetësi.
Ikja e Lefterit i ka shqetësuar miqtë e tij, artistë e politikanë qofshin ata.
Poeti i vargut elegant, i poezisë me dritë rapsodi famëmadh që rilindi këngën e Bregut”, - do të thoshte për të shkrimtari Sadik Bejko.
Miku, poeti dhe njeriu që s'kishte frikë nga vdekja”, -  do të shprehej muzikologu akademik Vasil Tole.
Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar”, - do të shkruante presidenti Meta.
Ndërsa vlerësimi i kryeministrit Rama ishte: “Zëri gurgullues i bregut shqiptar
Vetëm pak muaj më parë Lefter Çipës i ishte akorduar titullin “Nderi i Kombit”. Ndërkohë ai ishte mbajtës i urdhrit “Naim Frashëri” në të tre klaset e tij. Ndërsa para pak ditësh u botua vepra e fundit përsa ishte gjallë “Njerëz me dritë”.
Dhe si shumë poetë të tjerë edhe Lefter Çipa e paralajmëron ikjen e tij në një prej poezive, në atë me titull: “Shpirti në venitje”, ku shkruan:
 
Si kalojnë vitet, si gjumi në varre,
Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre.
Shpirti më venitet, se s’pret më behare,
Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.
 
Apo si në vargjet e tjera të poezisë “Shpirti im në amanet”

Ikën zogjtë, ika unë,
Lamtumirë o miq dhe shokë!
Do shkoj atje ku kam punë,
Do shkoj në një tjetër botë

Lefter Çipa iku... Por në fakt ai vazhdon të jetë midis nesh.
 

Krijimtaria
Mes poezisë dhe isopolifonisë
Lefter Çipa është autor i një numri shumë të madh të këngëve popullore dhe polifonisë labe.
Ishte konsideruar si një vlerë Kombëtare pasi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ia përkushtoi “Polifonisë Labe”. Polifonia është një vlerë e popullit shqiptar dhe gjithashtu është edhe në listën e mbrojtur nga UNESCO.
Këngët e njohura si “Bejkë e bardhë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Kënga e manushaqes”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Këngë kurbeti”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Zoga kaçake në male”, “Zonjë e bukurisë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë” dhe shumë e shumë të tjera janë pjesë e krijimtarisë se tij.
Por Lefter Çipa është gjithashtu dhe autor i 18 librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, "Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurisë”, etj.


Monday, February 15, 2021

Andon Qesari, ikja e heshtur e mjeshtrit të skenës

In memoriam
 
Regjisor, aktor e pedagog, u nda nga jeta në 13 shkurt 2021, duke lënë pas një galeri karakteresh të realizuara prej tij si dhe shumë pjesë teatrale të ngjitura në skenë



 
Nga Leonard Veizi
 
-“Zotat nuk duan që unë të ta fal lirinë. Unë tani po iki e dashur dhe po shkoj tek nxënësit e mij në klasë. Më puth Klea”.
Batutat e realizuara prej tij me mjeshtëri mbahen mend mirë, jo vetëm në skenën e teatrit por edhe në kinematografi:
-“Zoti komandant. Ky spurdhjaku këtu thotë se ky kalë është për zotërinë tuaj”.
Ai është Andon Qesari, herë në rolin e një filozofi në antikitet e herë në rolin e një ballisti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe po aq batutat e tij mbahen mend gjatë episodit kur ai mbante veshur kostumin elegant të oficerit të kuesturës fashiste:
- “Bëhu i arsyeshëm djalosh. Je i ri. U gabove. Ja ta falëm. Por duhet të pohosh se kishe një minë”...
 
...Vdekja e tij kaloi në heshtje. Nuk ishte vetëm heshtje pandemike. Ishte një heshtje që mbytej prej zhurmës së tallavasë. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë hiç. Sepse një artist, i cili e kalon përmasën e të zakonshmes dhe futet në një tjetër dimension, duhet të nderohet në të gjallë dhe në vdekjen e tij.
 
Lajmi
Andon Qesari u nda nga jeta të shtunën e 13 shkurtit 2021. Ishte 78 vjeç dhe prej kohësh nuk ishte parë në ambientet artistike dhe as në ato të miqve. Zyrtarisht lajmin e bëri të ditur djali i tij, Edon Qesari, i cili në rrjetet sociale bënte të njohur: “Të dashur miq e të njohur. Sot në mëngjes, pas një sëmundjeje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im Andon Qesari u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Dashuria e tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimia më i çmuar që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë...”
Por atë ditë, - çuditërisht në fakt, - rrjetet sociale ishin të zëna. Sepse anë e mbanë vendit po ndodhnin gjëra më të rëndësishme se kaq. Ca njerëz prisnin të binte bora në Tiranë. Sepse bora është një gjë shumë e rrallë në kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe rënia e saj krijon një ilaritet foshnjarak. Ca të tjerë po shkërmoqnin deklaratat politike të krerëve me qëllim që t’i nxirrnin fundit kundërshtarit. Sepse flitej për çështje lekësh, buxhete të shqyera, probleme matematike me rezultate të gabuara e gjumë të thelluar mbi minder. Për më shumë se kaq, të nesërmen, akoma më keq, veç borës që kishte mbuluar pemët, çatitë dhe kofanot e makinave, u shfaq Shën Valentini. Dhe Shën Valentini është një festë e programuar, jo si vdekja që vjen pa paralajmërim. Ndaj rrjeti u mbush me gjithfarë fotosh ku Tirana e mbuluar nga smogu, këtë herë kishte gdhirë e bardhë dhe e vetëpastruar. Ndaj për Andon Qesarin, dhe ikjen e tij të pakthyeshme, mbeti më pak vend.


In memoriam
Ai ishte një aktor i shkëlqyer i plejadës së artë të aktorëve shqiptar, regjisor e pedagog gjithashtu. Një nga emblemat e skenës dhe ekranit. Mjafton të themi se emri i Andon Qesarit është i lidhur ngushtë me komedinë e famshme “Pallati 176” si një bashkëregjisor i saj, dhe kujtdo prej nesh do të na shkonte buza vesh më vesh, e do të mendoheshim ca më thellë rreth aktivitetit të tij artistik. Dhe Andon Qesari ishte nga ata që kishte një aktivitet fort të pasur, në të tre dimensionet e tij artistike.
Një nga studentet e tij të dikurshme, sot një regjisore jo pak e njohur, Elma Dorezi, në “in memoriam” në i bën mësuesit të saj të dikurshëm shkruan:
- "Sa jemi zënë në akademi o profesor, po aq dhe jemi përqafuar në rrugëtimin tim .'Gjetjaaa. Nëse nuk ka gjetje nuk ka shfaqje. Vënie në skenë mund ta bej dhe një student i gjuhëve të huaja. Atmosfera. ' Etj, etj, etj... Sa herë na i përsërisje. Sa here na tregoje shembuj".
Dhe kaq duhet për të treguar se si reagonte një shpirt rebel si i Andon Qesarit, teksa mundohej të jepte më të mirën për ata të rinj që aspironin skenën.
 
Karriera
Në jetëshkrimin e tij të shkurtër thuhet se: Andon Qesari, lindi në Qeparo më 27 qershor 1942. Më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”, Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku”, Kapuleti “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj.
Por ai ishte i suksesshëm edhe si regjisor, e sidomos në pjesët: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj.
Në kinematografi mbahet mend në të paktën 16 filma: tek “Sekretet”, “Tingujt e harresës”, “Dashuria e fundit”, “Stolat në park”, “Tela për violinë” etj.
Ndërkohë Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në një nga njoftimet e tij ka bërë të njohur se Prof. i assoc. Andon Qesari, falë bashkëpunimit me AQSHF, ka botuar dhe librin: “Unë, Ti dhe Teatri, teatri dje, sot dhe nesër”.
Andon Qesari  është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Gjithashtu ai dhe mbante dhe urdhrin “Mjeshtri i madh”  akorduar nga Presidenti i Republikës.

Thursday, February 11, 2021

E vërteta e gënjeshtërt apo e vërteta tragjike?!


Nga Leonard Veizi


E vërteta në vetvete është diçka tragjike. Aspak ajo që e mendojmë si stereotip. Madje është krejt agresive dhe fort depresive njëherazi. Prandaj askush nuk e do atë. Nuk e do edhe kur e kërkon. Që do të thotë se bën sikur e kërkon. Pas të vërtetës “fshihet” shumëçka tjetër. Edhe, është pikërisht kjo “diçka” e panjohur, trazuese, vrastare e cila vë në dyshim ekzistencën e qëndresës tonë.
E gjitha kjo të çon tek një sentencë e modifikuar por që mbetet po aq bazike sa dhe origjinali: “E vërteta është qyrk që s’e vesh njeri”. “Faji është qyrk... ”, në fakt, por që ka shumë sens kur fjala “faj” zëvendësohet me “e vërteta”, që i përshtatet po aq mirë. Sepse askush nuk e pranon të vërtetën, po aq sa dhe fajin.
Jemi në botën e mospranimit dhe të mbulimit, edhe pse kudo flitet parimisht për të kundërtën: pranimin dhe zbulimin. Faji dhe e vërteta.
Refleksion i papërshtatshëm...
Në plan të parë kjo duket si tollovitje fjalësh, apo siç rëndom kërkojmë t’i japim më shumë vlerë një gjëje me jo aq shumë vlerë, duke e quajtur ndryshe edhe: filozofi. Tjerrje fjalësh, domethënë.
Sepse kur do t’i ikësh të vërtetës do të gjesh një mekanizëm për të arritur qëllimin. Dhe një lumë fjalësh për ta zvarritur vëmendjen nga pika “A” në pikën “ZH” është një mekanizëm më se i përshtatshëm.
Por a jemi ne në gjendje të përballemi me të vërtetën? Të vërtetën tonë, atë që na lidh drejtpërdrejt apo me të vërtetat e mëdha globale që na grishin kureshtjen?
Nëse e vërteta ka kosto shumë më të madhe nga sa e kemi menduar, duhet të jemi në gjendje dhe ta mbajmë mbi shpatulla. Sepse pesha e saj mund të na thyejë në mes.
Pesha dhe masa, dy koncepte që ngatërrohen shumë në përditshmërinë tonë. Po të jetonim në Hënë, e vërteta do të peshonte 6 herë me pak edhe pse më të njëjtën masë. Por fatkeqësisht jetojmë në Tokë.
Çështje graviteti.
“Gënjemë po përkëdhelmë”, thotë një tjetër shprehje urbane. Sepse në planin e përgjithshëm njeriu kërkon të dëgjojë atë që ka dëshirë, edhe pse e di mirë se ajo është vetëm një mashtrim i përkohshëm. Dhe zakonisht, dëshira e tij është larg të vërtetës.
Çfarë kuptimi merr e gjitha kjo?
E vërteta shpeshherë është aq e zezë sa përballja me të, të zhgënjen më shumë se ajo që kishe menduar në rastin më ekstrem. Ajo që ndodh e është vakt i kryer, ka gjithmonë një efekt surprize. Sepse e vërteta është e drejtpërdrejtë, e mprehtë e therëse deri në mizori. Madje nuk ka as amortizatorë zbutës, as frena dhe as airbag. Nëse do që e vërteta të vijë tek ty, ajo vjen me shpejtësi skëterre dhe një fuqi dërmuese.
Përse ngjarjet e rëndësishme, ato lokale dhe botërore gjithashtu, mbeten pa u zbardhur? Kur themi pa u zbardhur do të thotë se mbeten në errësirë. Vrasja e Kenedit, rrëzimi i kullave binjake, pandemia Covid... apo: Trazirat ’97, ato ’98, 21 janari... Çështje vdekjesh në përgjithësi... Sepse vetë njeriu është i prirë për të mos e marrë vesh të vërtetën, por për të krijuar derivate të tjera rreth saj. Faji nuk ishte nga ana e djathtë e murit por nga ajo e majta. Dhe anasjelltas. Prandaj kemi të bëjmë me të “vërteta” alternative, ekuilibruese, justifikuese. Të vërteta çliruese.
Dhe faji mbetet pa ndëshkim.
Të vërtetat, mund të mos ekzistojnë më. Sepse ka kaq shumë satelitë që vërtiten rreth saj dhe e rivalizojnë, sa shumë më shpesh merr vlerë e pavërteta e cila ngrihet në mit.
“Na kanë vjedhur historinë”, thonë serbët për shqiptarët. “Na kanë vjedhur historinë”, thonë grekët për shqiptarët. “Na kanë vjedhur historinë”, thonë shqiptarët për grekët dhe për serbët bashkë.
Secili ka ngritur një të vërtetë alternative, sepse ajo e vërteta e kulluar është ngjeshur në errësirën e shumë viteve të lëna pas. Askush nuk guxon të rrëmojë në katakombe. Sepse askush nuk e di se çfarë del prej andej. Ndaj është më e thjeshtë të formulojmë një histori të re, në bazë të kushteve të reja.
Çështje historish.
Këto ishin nga ato të vërtetat e mëdha, sepse ka dhe nga ato të voglat, personale, që kanë të bëjnë me njeriun, qelizën e shoqërisë në bazë të performancës së të cilës merr vlerë i gjithë sistemi. Prej aty fillon gjithçka. Te mashtrimi i vogël i vetvetes, te mospranimi i të vërtetës për veten. Sepse vetja në përballje me pasqyrimin është gjithmonë e trukuar, e rafinuar dhe e mbështjellë me një tis verbërie. Askush nuk arrin ta shohë veten krejtësisht nudo, pa kozmetike dhe pa tymnajën që të deformon vështrimin.
Çështje perceptimi.
Prandaj duhet psikologu. Jo se është ndonjë gjë e zgjuar e di ta ndajë “shapin nga sheqeri”. Por thjesht se ka durim të të pyesë e për më tepër të të dëgjojë në gjithfarë broçkullash. Të shkuarit tek psikologu ka të bëjë me ngacmimin deri në thellësi me pyetje të formuluara rishtazi për të zbërthyer deri në gjenezë problematikën që shoqërojnë individin. Në këtë mënyrë, duke zbrazur gotën që nuk mban më asnjë pikë uji më shumë, vetë pacienti shkarkon energjinë negative, duke shkuar drejt të vërtetës. Dhe në fakt kjo e lehtëson atë. Por që të vijë ai çast duhen seanca të gjata psikoterapie. Sepse njeriu gjithmonë vazhdon të jetë i papërgatitur për t’u përballur me të vërtetën, me atë që nuk e di apo me atë që e mban ndrydhur thellë në nënndërgjegje.
Nëse gjithçka do ishte e vërtetë punët do ishin më të thjeshta. Por në fakt ne vazhdojmë jetojmë në një botë të gënjeshtër. “Toka është e sheshtë jo sferike”; “Fluturimet kozmike janë mashtrim”; “NASA na gënjen me photoshop”. Teoritë konspirative gjejnë terren për t’u lartësuar në një terren ku e vërteta mbahet në errësirë. Gjithçka vihet në dyshim për të ardhur tek heretizmi i thelluar: “Ku është Zoti? Pse nuk del në shesh e të na i thotë ca gjëra?”
Këto janë pyetjet madhore për të mbërritur te skutat e errëta të gjithsecilit. Sepse pikërisht aty qëndrojnë strukur gjithfarë perversitetesh që na mbajnë të mbledhur në të keqen tonë.
E vërteta nuk mund të jetë e tejdukshme, por nuk mund të qëndrojë gjatë gjithë kohës në errësirë sado e tmerrshme të jetë ajo. Edhe çfarë na duhet si këshillë, ta marrim dhe ta japim, e në fund të bëjmë sikur e kuptojmë: Duhet t’i njohim dhe t’i pranojmë dhimbjet negative, në të kundërt do të vuajmë shumë në jetën tonë.
Prej këtu do ta rinisim sërish nga fillimi: Na pëlqen më shumë e vërteta e gënjeshtërt...

Thursday, February 4, 2021

Të gjithë me “shkollë nate”


Nga Leonard Veizi


Pandemia po na tund e po na shkund. Po na shkund tani që po e përjetojmë, por ka marrë masa për të ardhmen e saj, që ta kemi në vëmendje edhe shumë vite më pas. Sepse gjurmët që po lë tani nuk do të mund të shlyhen aq lehtësisht, thjesht me një vaksinë dy-dozëshe mbi llërë.
Pandemia ka avaze shumë. Mos kujtoni se do ta shkulim me Pfizer-in amerikan, as me AstraZeneca-n britanike dhe as me Sputnik-un rus. Pas do ta kemi tërë jetën.
Përditë njoftohemi për fatalitete në jetët njerëzore, kolaps të sistemit mjekësor, bukosje të ekonomisë, por dhe asfiksi të arsimit. Nëse nuk ndihen fort sot se jemi në valën e luftës për mbijetesë, do të ndihet nesër kur të jetë nënshkruar armëpushimi dhe të fituarit të dalin më të fituar, ndërsa humbësit si gjithmonë më të humbur.
Por të ndalemi tek arsimi.
Sepse disa klishe të vendosura nëpër mure shkollash na mësojnë se: “Shkatërrimi i arsimit çon në shkatërrimin e popujve!” Nga njëra anë kjo duket si parullë armiqësore. Po varet kush e ka thënë, se për arsimin kanë folur plot burra të mençur. Gjithsesi, nga arsimi varen shumë e shumë gjëra.
Por të bëjmë një retrospektivë të shkurtër.
Një herë e një kohë, kur njerëzit merrnin 5-mijë lekë rrogë, kishin halle shumë e mezi hidhnin muajin, detyroheshin ta bënin shkollën në mbrëmje: një ditë po e një ditë jo. Pra arsim tre herë në javë.
Me sakrifica vëlla... me sakrifica.
Ca vite më vonë doli moda e korrespodencës. Gjende mirë. Sa pa hiç. Shkoje në sezon dhe jepje provimet dhe nuk stërmundoheshe nga ora 16.00 e pasdites deri në orën 21.00 të mbrëmjes.
Sot jemi në kohë moderne, ka dalë moda online dhe e testeve të shpejta. Investimi më i madh në familje është: ose një laptop me procesor të fuqishëm e harddiske shumëgigësh, ose një celular me të njëjtat të dhëna. Rri këmbëkryq në minder dhe vendos “lodrën” përpara. Në ekran të shfaqet pyetësori. Fjala vjen: “Kur mbërriti Skënderbeu në Krujë, më 1440, 1443, 1800 apo 2010?”. Ai që teston njohuritë vendos një kryq ku t’i mbushet mendja dhe sikur të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Heroit Kombëtar. Po i ra shansi ta vendosë aty ku duhet merr 10 me yll. Por nuk lodhet e të vrasë mendjen aspak e të shkruajë jo po si u motivua Skënderbeu për t’u kthyer në atdhe, jo po si e braktisi fushën e luftës kundër Janosh Huniadit, jo po me sa kalorës rendi drejt Dibrës,... e ca yçkëla të tjera si këto. Ne që u shkolluam me kurrikulat e shkollës lindore hoqëm keq, e shkruanim nga katër faqe fletoreje në një provim. Tani gjërat janë thjeshtëzuar, se dhe kohë nuk ka shumë. Njerëzit janë me punë.
“Ritëm usta, ritëm”.
Statistikat thonë se pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri kishte 80 përqind analfabetë.
Domethënë, det hesapi.
Por 10 vjet më pas, në vitin 1955 u pretendua se çdo shqiptar nga mosha 40 vjeç e poshtë, të paktën dinte shkrim e lexim. Sa të lexonte gazetën ku flitej për vendimet e Plenumit. Enveri na nxori nga analfabetizmi dhe këtë për çudi e pranojnë dhe kundërshtarët e tij më të betuar. Ju bëftë dita njëmijë, jarebi...
Në vitet ’70, të shekullit të kaluar, si e kishim marrë disi veten dhe ca e ca ishin diplomuar nga vendet e “Bllokut”, nisi dhe ambicia për të pasur jo më 4 klasë, as për të mbaruar me sukses 7-vjeçaren e atëhershme, por lufta nisi të bëhej për të pasur një shkollë të mesme.
Në vitet ’80, po të një shekulli më parë, përplasjet për të marrë një të drejtë studimi ishte kthyer në “trendy”. Pëlqehej shumë Juridiku, Gjuhët e Huaja dhe Instituti i Lartë i Arteve. Bashkë me kërkesën për arsim kishte nisur dhe korrupsioni, i cili arriti deri aty sa në këmbim të një degë të mirë e me perspektivë të linin çelësat e “Vespa”-s në dorë. Ishte rritur mirëqenia. Epo për fëmijën gjithmonë bëhen sakrifica. Është njëlloj si t'i lësh në dorë një dekani të sotëm, çelësat e një Benzi GLE prodhim i vitit 2020.
Por sot mundësitë janë edhe më të mëdha. Për korrupsionin e kam fjalën...
Në Tiranën e atyre viteve të hidhnin një sy shtrembër nëse thoshe se të mesmen po e vazhdoje në mbrëmje, te shkolla e cila mbante emrin “Konstandin Kristoforidhi”. Se kështu tregoje veten që nuk ishe aq i suksesshëm me rezultatet sa prindërit të ta bënin kabull, të hiqnin rriskun nga goja, vetëm e vetëm që të të bënin me shkollë dite. Në të kundërt, të kishin plasur të punoje si punëtor pa kategori, që do të thoshte se nuk mund të merrje dot më shumë se 4 mijë lekë të vjetra në muaj. Hamallëk demek.
“Je bërë si shkollë nate”, ishte një sentencë fyese e që shkaktonte humor në ato vite. Sepse mendohej gjithsesi që të rinjtë që kishin një lloj standardi në familje, pra kishin rroga që rrotulloheshin te 7-8 mijë lekëshi, ta ndiqnin shkollimin në mënyrë lineare: 8-vjeçare, shkollë e mesme, universitet, - të gjitha ditën dhe pa i shtrënguar këpuca, pasi siç thuhej në atë kohë: Fëmijët sot i kanë tërë të mirat prandaj tërbohen.
30 vite pasi fituam demokracinë e ndryshuam mënyrën e jetesës, zëvendësuam dhe kurrikulat demode të lindjes me sistemin e Venecias, të gjithë i janë kthyer shkollës me korrespodencë. Online domethënë. Ose siç thuhej në zhargonin e dikurshëm: shkollë nate. Këtu nuk ka faj Qeveria, se mos ma merrni për jangëllësh. Jo or jo, këtu fajin na e ka Pandemia.
Po mbushet viti ku fëmijë e të rritur po zalisen rrugëve e lokaleve, sepse shkollave u është vënë dryni. Dhe shumica absolute e fëmijëve atë duan, të mos shkojnë në shkolla. Rroftë pandemia.
Ndërkohë që janë larguar nga jeta sociale, e duken më shumë si eremitë. Tanimë nuk njohin më as mësuesit, as pedagogët dhe as shokët e klasës apo të kursit. Periudhë kalimtare, do thoni ju. Padyshim, tranzicion brenda tranzicionit. Boshllëqe dhe hendeqe sa të duash, por do t’i mbushë koha. Se koha është ilaçi i gjithë të këqijave.
Tani, po të zuri do ta heqësh. Se Pandeminë nuk e shpikëm ne, thjesht e kemi në paketë: full opsion. Por mos u çudisni kur disa vite më vonë, këta që do të marrin diplomat e “shkollës së natës” do të marrin dhe gazin bashkë me frenat e shtetit në dorë, mjekësinë, arsimin, drejtësinë. Ndaj shteti siç ka vajtur këto 100 vjet, serish rrakapjerthi do shkojë. Se ata që dëftesat i kanë marrë ditën e kanë nxënë ca, po e mbajnë frymën në Gjermani e Kanada.
Ndërsa këtu do të mbeten vetëm ata që s'kanë shkollë hiç e s'kanë ku venë, ose ata... me shkollë nate?!