Sunday, December 31, 2023

Artistët që na lanë gjatë vitit 2023



Nga Leonard Veizi
 
Viti 2023 ka qenë fort i trishtuar. Në ikjen e tij të ditë pas ditshme ai mori me vete dhe një pjesë shpirtit artistik të vendit. Por kujtesa artistike mbeti gjithsesi. Ajo nuk zhbëhet asnjëherë. Dhe ikën nga bota e të gjallëve: Petraq Kolevica,Mimika Luca,Lutfi Hoxha,Vladimir Prifti,Zef Deda e Mirush Kabashi. Padyshim, ka pasur dhe artistë të jetë që kanë ikur bashkë me ta, por që për arsye objektive nuk janë pasqyruar në faqet e të përditshmes “Fjala”.E megjithatë edhe ata i kanë dhënë vendit po aq art me dashuri.
 
Petraq Kolevica
Petraq Kolevica shkoi në amshim. Në 13 shkurt 2023, kur u nda nga jeta ishte 89 vjeç. Jetoi mjaftueshëm për të bërë në jetë atë çfarë ishte më i aftë të bënte, dhe pavarësisht peripecive, gjithmonë ia kishte dalë.Ishte arkitekt e inxhinier ndërtimi, dhe po aq ishte poet. Por shumë më tepër reflektonte një qytetari të pashembullt e mjaft fisnikëri.
Petraq Kovelica ishte një avangardist në arkitekturë. Ka projektuar vepra të mahnitshme në një Shqipëri të ngurtë, të cilat herë janë zbatuar në ndërtim e herë ka pasur ndërhyrje që projekti të mos realizohej i plotë. Kjo do ta merrte në qafë. Sepse në një vend të kuadratuar që rrekej të ndërtonte socializmin, nuk mund të dilje nga rreshti. Ndaj dhe Petraqi do të vihej përballë burokratëve të aparatit partiak shumë më tepër se atyre të aparatit shtetëror.
Petraq Koleviaca u nis për në amshim. Ishte 89 vjeç. Jetoi mjaftueshëm për të bërë në jetë atë çfarë ishte më i aftë të bënte, dhe pavarësisht peripecive, gjithmonë ia kishte dalë. E megjithatë, si çdokush që ka jetuar në këtë botë, padyshim ai mori me vete dhe pengjet e tij, që me siguri nuk ishin të pakta.
Vargjet do ta shoqërojnë në botën e përtejshme. Sepse ndërtesat e ngritura prej tij nuk lëvizin vendit.
 
Mimika Luca
Ajo do të mbahet mend më së shumti si një aktore e roleve të buta. Dhe ndoshta më shumë se në kinema, ajo ka mbetur në kujtesën e spektatorit me një kryerol në teatër. Ishte motra Lajde e dajë Zenos dhe nëna e djalit Alber me gradë shkencore në fizikë.
Në vitet e saj më të mira, ajo iu përkushtua thellësisht artit dramatik ku pati një sukses të padiskutueshëm. Dhe për kritikën njihej si një aktore shumëdimensionale në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se u lind në 24 dhjetor të vitit 1937 në Gjirokastër. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, të  paktën për një dekadë. Më vitin 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor. Ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet. Por ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Djali i tyre është Gjergj Luca, aktor e regjisor, por që prej shumë vitesh më së shumti njihet si njeri i biznesit. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, ku më e njohura është ajo me titullin “Drita”. Në vitin 1977 fillon punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve.
Tanimë Mimika Luca nuk është më mes nesh si njeri me staturë fizike. Sepse u ngjit në panteon.Ekrani humbi kështu një tjetër ikonë të tij. Por në pelikulën e filmit, gjithsesi do ta shohim në vazhdimësi. Ishte mëngjesi i 21 shkurtit të vitit 2023, kur u nda nga jeta dhe ajo vetë i kishte mbushur 85 vite. Por nuk do të jetë vetëm në amshim. Sepse dhjetëra kolegë të saj kanë zënë vend tashmë në po të njëjtin panteon. Dhe ata janë yje që shndrisin në përjetësi.
 
Lutfi Hoxha
Ai mbahet mend mirë nga telespektatori shqiptar për shpullën që i dha Til arrakatit kur mendoi se po vidhte paratë e shtëpisë për të luajtur bixhoz a për të blerë cigare.
Po aq mbahet mend dhe si Musai i shtëpisë së të moshuarve “Lulet e Vjeshtës”
Ai është Lutfi Hoxha, aktori emblematik i trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që në kujtesën time vjen dhe me një rol tjetër tek drama “Gërsheti i Luftërave”, si një nga luftëtarët besnikë të çetës së Azem Galicës.
Por tanimë Lutfi Hoxha nuk do të jetë mes të gjallësh. Sepse më 10 shtator 2023, në moshën 89-vjeçare zemra e tij pushoi së rrahuri.
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike.
Për kontributin e tij në skenën e teatrit dhe sheshin e xhirimit Lutfi Hoxha ishte nderuar dhe me titullin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Ai tanimë nuk jeton, por rolet e tij mund t’i shohim sa herë transmetohen nga televizionet filmat shqiptarë. Dhe në këtë mënyrë Lutfi Hoxha ka gjetur përjetësinë, po aq sa dhe aktorët e tjerë që kanë mbetur në kujtesën mbarëpopullore.
 
Vladimir Prifti
Në piedestalin e krijimtarisë së tij padyshim është filmi emblemë “Udha e shkronjave”. Por në të njëjtin pozicion, as më pak e aq më shumë është dhe filmi tjetër ikonë “Kush vdes në këmbë”. Të dy këta filma mund të qëndrojnë lirshëm në majën e vendit të parë, pa u ngushtuar aspak, madje duke i lënë hapësirën e plotë njëri-tjetrit. Sepse të personfikoje Petro Luarasin me portretin e një aktori si Guljelm Radoja ishte po aq e vështirë sa të personifikoje portretin e Theodhor Haxhifilipi, apo i njohur ndryshe si Dhaskal Todri, me portretin e një tjetër aktori si Sandër Prosi. Regjisori Vladimir Prifti ia ka arritur më së miri, duke na lënë në pelikulë dy nga dëshmorët e parë të gjuhës shqipe.
Por Kinematografia Shqiptare sot ndjehet më e varfër tanimë pa Vladimir Priftin. Sepse të dielën e 5 nëntorit 2023, në moshën 81-vjeçare, ai u nda nga jeta dhe nga vetë arti. Por Vladimir Prifti ka lënë pas një pasuri të tërë, e cila do të vazhdojë të shkojë si ushqim shpirtëror për brezat. Sepse gjithçka ka të bëjë me historinë ka mbetur në bobina filmash të digjitalizuar dhe mund të shihen në çdo kohë, pa pasur merakun e politizimeve dhe propagandës partiake, nga e cila nuk shpëtuan shumë e shumë filma të tjerë.
 
Zef Deda
Në historinë e teatrit shqiptar ka plot aktorë që kanë luajtur mjaftueshëm në skenë, por për fatin e tyre të keq nuk u mbahet mend as personazhi dhe as ndonjë batutë. Ndërsa ai do të kujtohet në vazhdimësi qoftë dhe se ishe aktori më i përshtatshëm që mund të luante “kunatin e shokut Xhemal”. Dhe një prej batutave emblemë të humorit shqiptar, – pjesë e materialit letrar të Paulin Selimit, – është lëshuar prej tij kur në rolin e Lonit iu përgjigj pyetjes së kandidates për vjehërr: Si e pini kafen? -Të mesme me pak, si shoku Xhemal.
Ashtu si dhe në shumë raste të tjera, ikja e një aktori që ka lënë gjurmë të thella tek spektatori, nuk arrin ta dimensionojë të gjithë aktin e vet tragjik. Sepse për aktorin, më shumë se sa në të gjallë të tij flitet pas vdekjes, atëherë kur ai nis të jetojë në një tjetër dimension. Kështu që ai mbetet sërish mes njerëzve si një kujtim, që në tërësinë konceptuale ka më tepër vlerë se sa koha e shkurtër që ai kalon mbi tokë fizikisht, me mish e kocka.
Kështu do të ndodhë edhe me të. Sepse prej 24 nëntorit 2023 kur dha frymën e fundit, ai do të jetë përjetësisht mes njerëzve si një aktor i gjallë e plot humor dinamik edhe pse në fakt nuk jeton më.
Zef Deda iku paqësisht nga kjo botë. Ishte 24 nëntor. Ai i kishte mbushur 73 vjeç. Nuk ishte koha më e mirë për të ikur. Por meqenëse thuhet rëndom se kjo punë nuk ka rradhë, edhe ai nuk e priti rradhën.
 
Mirush Kabashi
E kush nuk e mban mend Makun, atë që zëvendësonte gratë në ndërmarrjen e grumbullimit, i cili nuk arrinte t’ia merrte mirë dorën punëve, por që drejtor Miti e kishte mik, ndërsa shef Nesimi i financave e quante “hiç njeri”.
E kush nuk e mban mend Lithanin, asketin në ishullin e gjarpërinjve i cili helmoi piktorin Andrea që zbukuronte kishat e kazasë, por që theu rregullat dhe u dënua nga Peshkopi Athanas.
E kush nuk e mban mend Zimon, pensionistin qejfli që la paratë me telefonatat e 0900-tës, e që Semi, proletarja e shtëpisë së të moshuarve “Lulet e Vjeshtës” e quante: të degjeneruar.
Por ai ishte dhe mësues Nardi që i bënte presion zysh Norës që t’i rregullonte notat djalit të Kristoforit, i cili ishte me pozitë në Komitet.
Dhe po aq ishte sociologu Apostol, i cili vërtet nuk lëshonte receta dashurie për vajzën e tij por nuk donte që ajo të martohej me një këngëtar.
Ndërkohë ai ka interpretuar dhe një nga batutat emblemë të filmit shqiptar kur luante në rolin e “mësju” Braushit, shokut të burgut të Besim Shkëmbit, që duhet të lante borxhet e hajdutit Spahi:
Tanimë Mirush Kabashi, ky aktor aq i dashur për publikun e me aq shumë klas, nuk do jetë më mes të gjallëve. U largua fizikisht pas mesnatës së 5 dhjetorit të vitit 2023, për të na lënë si trashëgimi në pelikulë gjithfarë karakteresh e personazhesh të cilat ai i interpretoi me aq mjeshtëri. Ai ka në arsenalin e tij të paktën 100 role, nga të cilat 20 janë në kinematografi.

Friday, December 29, 2023

Një parashikimin astrologjik për shqiptarët, 2024-tra miell për petulla dhe para me thasë


Nga 
Leonard Veizi
 
Mirë apo keq, viti me numër tek 2023 iku. Presim atë me numër çift 2024. Por si do të jetë ai për shqiptarët?
E mo rrotë, ku të shkon mendja, - iu drejtova vetes me superlativë. - Ti nuk di ç’do bëhet me fatin tënd, e jo të marrësh vesh ç’fat do të kenë shqiptarët?!
Mirëpo krimbi s’të lë. Sepse dhe fati i individit është i lidhur më atë të popullit, që do të thotë se dhe fati im mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e shqiptarëve. Fjala vjen, fati i keq i vendit të futet në luftë... Domosdo, do më thërrasin nën armë. Një pushkë model 56 në sup, një vezme me fishekë dhe nja tre a katër bomba dore në brez, kundragazin pas qafe dhe yxhym në front. Me pak shans mbetesh dëshmor dhe nderon kombin e familjen.
Qoftë larg lufta!
Por si do jetë viti 2024 për shqiptarët? Jo për gjë, por që t’i dalim të keqes përpara.
Pyetjes time idiote kishin mirësinë që ca njerëz të mençur t’i përgjigjeshin: Shiko horoskopin.
U pataksa. “As për kaq gjë nuk të shkoi mendja?”
Mirëpo del dikush tjetër dhe të lehtëson nga brerja e ndërgjegjes: Debil je ti të merresh me budallallëqet e horoskopit? Drejtoju astrologjisë më mirë e do marrësh përgjigje ekzakt.
Ja, kjo është punë, më erdhi dhe pas midesë. Po si t’ia bëja, se kush e di sa e kishin orën ata që shihnin yjet nga penxherja e dhomës së gjumit. Të thajnë piten sot, sa t’u biesh në dorë.
Por Zoti s’të lë pa risk. Kësaj radhe të vjen një këshillë tjetër, e qartë dhe e kthjellët si kristali: Epo qenke merhum fare o derëzi. Pyet në internet se ta jep xhevapin vetë. Nuk të vjen asnjë faturë.
Birinxhi.
U futa me kokë si baldosa në thekër, drejt e në google. Studiova sa më dolën sytë vendit dhe pas kësaj nxora nja dy përfundime të vlefshme: Viti 2024 do të jetë për shqiptarët më i mirë nga ana ekonomike. Dhe këtë nuk e them unë, që nuk marr vesh nga bilancet dhe prodhimi i brendshëm bruto. Këtë e thonë yjet. Dhe yjet do të na favorizojnë ne si shqiptarë. Mjaft kemi vuajtur. Viti 2024 është numri “8” që në numerologji do të thotë se është një numër që tërheq paranë.
-Punë ka për të gjithë. 10 franga e sipër
-Po daleni mo ta marrim vesh ç'thotë!
-Thotë se Italia e ka shtruar sofrën xhaxha, se zotrote duhet të mbash lugën në brez.
-Lugën the?!
Po pse viti 2024 mban numrin “tetë”?
Pyetje një milion dollarëshe. Po që t’i fitosh këto para duhet dhënë një përgjigje. Epo paska qenë e thjeshtë. Mjafton të mbledhësh numrat që shifrojnë vitin.
2+0+2+4=8
Ja ku është i gjithë sekreti o t’u bëfsha! Nga një milion dollarë zbriti në 10 dollarë përgjigja.
Nejse. Lek dhe suksese.
Të keqen o Jupiter!
-Eeeee. Do të shqepemi me petulla, - ia thekën ballistët e Selfo Qorrit, pasi i vodhën shoferit që transportonte armë, nja dy thasë më miell e fishekë bashkë. E pas kësaj ia morën këngës:
 
Dhe flamuri kuq e zi
Dhe kombi lart po shkon
Shqiptarët për Shqipëri
Ja të vdesim ja të rrojmë!
 
Dhe ne i kemi dhënë drejtim: do rrojmë e do gëzojmë! Për më tepër ku astrologjia dhe vetë horoskopi të favorizon e të thotë se këtu do të dyndet leku. Po si e qysh, e tek??? Për këtë yjet nuk jepnin ndonjë shpjegim sagllam.
Gjithsesi, astrologjia të sqaron se në vitin 2024 planeti i Jupiterit futet në shenjën e Demit... apo ka tranzit shenjën e Demit. Në vetvete, shenja e Demit përfaqëson anën financiare, pra një shenjë që tërheq paranë. Kjo ka të bëjë me të qenët i organizuar e me plane të mëdha. Kjo është ideja e Demit si shenjë.
Ndërkohë numri “8” ka të bëjë dhe me rritjen në detyrë. Si dhe me manifestimin e ideve që do të thotë: atë që manifeston atë do tërheqësh, ose ajo do të të vijë. Po manifestove gjëra negative do të vijë e keqja.
Aman o shqiptarë dema, mendoni pozitivisht që të shohim ndonjë ditë të bardhë.
Ndërkohë në letrat “Tarot”, numri “8” i ashtuquajtur ndryshe “Strength” do të thotë: fuqi. Kjo ka të bëjë me shenjën e Luanit. Këto dy shenja, pra Demi dhe Luani do jenë në lojë në vitin 2024. Shenja jo shaka. Një Dem dhe një Luan. Kafshë të rrezikshme boll. Por dhe me dinjitet. Do thoni ju, tek e fundit kafshë janë. Po ja që kështu qenka e ndarë bota. Ec e mos beso po deshe!
Po 2023 që lamë pas tanimë?
2023 në numerologji mbahej si numri “7”. E thjeshtë dhe kjo. S’do mend e kalem tanimë. Mjafton të mbledhësh shifrat e vitit. Dhe numri “7” ka të bëjë me energjinë kur t’i ngujohesh në shtëpi dhe punon me veten: çfarë ke bërë në të shkuarën, çfarë po bën në të tashmen e çfarë do të bësh në të ardhmen. “7” në numerologji ka të bëjë me të mësuarit në çdo fushë të jetës. Ka të bëjë dhe me të punuarit me veten. Por pa plane e projekte. D.m.th pasi kemi mësuar shumë gjatë vitit 2023 që të hapen sytë për të kapur ndonjë lek gjatë vitit 2024.
Ja, kaq e thjeshtë ishte.
Po të jetë i saktë ky parashikim edhe për shqiptarët?
U jallah!
Demek do të shqepemi me petulla... nga “mielli i gjermanit”.

 


Friday, December 22, 2023

Shqiptarët, vrasje e grabitje sa u ha dora në ditët e festave. T’i anulojmë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Marr shkas nga një deklaratë e Ministrit të Brendshëm që po e citoj: “Në përgjithësi gjatë kohës së festave ka një rritje të veprimtarisë kriminale që lidhet me grabitjet apo me vjedhjet”.
Nuk është ndonjë gjë që nuk dihet. Por gjithsesi merr më tepër besueshmëri kur del nga goja e një zyrtari të lartë që përgjigjet për mbarëvajtjen e rendit e të qetësisë dhe që ka informacion më të detajuar se ne të tjerët.
Po a ka shef policie e ministër rendi që i mban në udut shqiptarët? Sidomos kur ka festa e aheng, ku luajnë sazet e ku kërcet vallja?
Populli thoshte dikur: “Ujët fle, hasmi nuk fle”. Kjo mund të abdejtohet edhe si një sentencë me përmbajtje disi më kontemporane, pra afër kohës: “Kur populli gëzon, krimineli feston”.
Dhe nuk është se e them unë këtë. E tha ministri i rendit. Unë kalemin kam në dorë.
Pra, shkurt e qartë. Në ditë festash, hani, pini e këndoni, por dhe kini mendjen mos vajtoni!
Epo me rimë vajti dhe kjo punë. Poezi tallagjareje.
Po sa festa kemi ne si shqiptarë?
Sa të duash mor jahu. Zoti mos na lëntë pa festa. Në janar jo dhe aq, po nga shkurti e marsi plas ahengu. Vlon gërneta dhe çingijet që këndojnë: Ti më morsh të keqen/ e ti m’u bofsh kurban,
Se me burrin isha/ me jaranin jam. Apo nuk fillon dhe ndërrimi i gjakut. Kështu që dhe për hajdutët, grabitësit e vrasësit ka punë sa të duash.
Se ne e kemi zakon: Dasmë pa mish nuk ka, - thotë populli. Edhe mort pa një çikë humor. Demek qari dhe qederi janë motër e vëlla, një vizë i ndan.
Megjithatë, festat janë festa e duhen festuar, pavarësisht incidenteve rrugës. Por ka festa pagane, festa fetare e festa kombëtare. Populli do të festojë doemos. Po të lodhesh duke punuar ke të drejtën legjitime të çlodhesh e të dëfresh.
Po nuk të lë njeri rehat or jo. Hajduti fap... gjen rastin. Ke parë hajdut që në valën e punës t'ia marrë me gjumë? Edhe kur ti si popull dremit në autobus se të ka rënë bretku në punë, kur zgjohesh duhet menjëherë të kontrollosh xhepat se me shumë gjasa do të të ketë fluturuar portofoli... me gjithë xhep e çakmak. Ikën dhe rroga mujore bashkë me kartën e identitetit dhe atë të shëndetit. E mbetesh kothere në tepsinë bosh.
Dokumentet zëvendësohen tek e fundit se online janë, u gjendet dermani. Po paret kush t’i zëvendëson? Se jo të gjithë kanë dashamirësinë e djalit të madh të Kapedanit që ishte oficer i Ushtrisë Popullore, që bashkë me nusen balerinë i zëvendësuan paratë e djegura me llullë plakut zevzek.
-Para ke?
-Hë, mirë që më kujtove. Merri, merri. O po merri se unë të mijat i dogja mbrëmë me çibuk. As ju nuk i keni gjetur në rrugë. Por megjithatë unë po të marr një qinçe.
Këtu e kisha fjalën. Duhet t’i bësh derman vetes, se jo të gjitha festat dalin për mbarë.
Kësaj i thonë të jetosh me frikë në zemër. Hajduti të ka bërë me hije. Duhet të qëndrosh natë-ditë me sy hapur. Si dikur kur prisnim armiqtë të na desantonin nga ajri, nga deti dhe nga kufiri tokësor. 360 gradë rrotullim sysh.
Po tani kanë ndryshuar kohët: armiku i jashtëm na është bërë armik i brendshëm. Nga të ruhesh më parë.
Në fakt nuk guxon të hapësh televizorin e të shohësh edicionin informativ se do shokohesh gjithmonë nga lajmet e “kronikës së zezë”. Vjedhje e grabitje po e po, por dhe plot vrasje.
-E paskan vrarë të shkretin. Duhet njoftuar xhandarmëria që ta kapin fajtorin.
-Mirë thua Selo. Bëj zamet e shko deri në komunë të dërgojnë një xhandar.
-Kot e mundon qehajanë deri në kasaba o Bej. Nuk kanë për ta gjetur.
-Ehu, qeveria e kap lepurin me qerre. Mos e thuaj atë fjalë! Është qeveri e fortë kjo.
-Lepurin e kap por jo ujkun. Ai kush e di se ku bredh me kalë.
Ja kjo është esenca e vlefshme në çdo kohë: Atë të pardjeshmen, të djeshmen, të sotmen e me siguri edhe në të ardhmen.
Domethënë shqiptarët ose ruajnë ditët gjatë festave se ulet vigjilenca e njerëzve, ose gjatë këtyre ditëve për shkak të entuziazmit të përgjithshëm, vepron dhe një forcë e madhe negative e agresive për të qëlluar me plumba prej vërteti ndaj tjetrit a për t’i grabitur gjënë më të çmuar që ka.
Për ditë festash policia ka gjithmonë një plan masash. Ajo shton vigjilencën.
Por dhe keqbërësit nuk mbeten prapa. Edhe ata me plane operacionale punojnë.
Në ditë të tilla, për shkak të qejfeve festive, kalon dhe ndonjë kuintal “miell” kontrabandë. Se tani shqiptarët nuk janë më ata shpërndarësit e vegjël që prisnin ndonjë gramë nga bosat e mëdhenj. Tani ata të thajnë piten. Dhe tek trau i doganës kalon gamori me gjithë ngarkesë.
Festat po na marrin në qafë. Nuk di nga t’ia mbajë i ziu njeri. Hall të mos festojë se jeta i bëhet më monotone dhe më stresante, hall të festojë se me gjasa mbetet lakuriq në mes katër rrugëve.
Si i bëhet?
E gjeta.... “Eureka”, -  thërriste Arkimedi atje në Sirakuzë...
Duhen anuluar festat.
-O ty t’u thaftë goja! Na e dashke të mirën.
Po pra, po për të mirë po përpiqem dhe unë. Kjo është një ide brilante që duhet shoshitur nëpër tavolinat e jetës politike dhe shoqërore.
Pak vullnet i mirë nga Parlamenti dhe me një votim i anulon të gjitha ditët e festave. Kështu mund të ulim një përqindje të mirë të kriminalitetit.
Medalja ka dy faqe.
Në fund të fundit, në qoftë se festat na vijnë për keq, ku qëndron fakti se duhet të jemi të gëzuar, të hamë e të pimë e të mendojmë vetëm për gjërat e mira të kësaj bote?!

Wednesday, December 20, 2023

Vdekja e Mehmet Shehut, motivet e vetvrasjes për të mos u vetvrarë

 18 dhjetor 1981


 

Nga 
Leonard Veizi
 
Në 18 dhjetorin e vitit 1981 shteti shqiptar u shkund nga themelet. Për më tepër që ishte një shtet me vendimmarrje vertikale e ku kupola e udhëheqjes ishte kthyer në një mit. Pikërisht në atë kohë, si një rrufe në qiell të pastër – edhe pse moti ishte fort i keq, - u njoftua vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu.
Njerëzit mbetën të shokuar, por askush dhe askujt nuk iu tha që për një çast të vetëm të hiqte dorë nga jeta e tij private, e të solidarizohej me mish e shpirt për t'iu përkushtuar përballimit të fatkeqësisë.
Vdekja e një udhëheqësi shteti, në vitet e diktaturës komuniste çuditërisht konsiderohej si një gjëmë. Dhe gjëma përfaqësohej me shkulje flokësh, çjerrje faqesh e me klithma: ah i mjeri unë, ç'më gjeti. Shpalleshin disa ditë zije kombëtare, flamuri ulej në gjysmë shtize dhe në mënyrë vajtuese e tmerrësisht bezdisëse i vetmi ekran shqiptar ai që konsiderohej thjesht “Tirana” transmetonte muzikë funebër. Gjithçka kthehej në të zezë sterrë. Nuk kishte asgjë argëtuese. Në bar-bufe e restorante nuk mund të bëjë dot shaka pasi shiheshe shtrembër si një njeri që po prishte zinë. Dhe nuk ishte çudi që po ta teproje zullumin se kishe pirë ndonjë gotë më shumë natën ta kaloje në birucat e rajonit të policisë, ku nuk mungonin “formalitetet”. Dhe në këto kushte, për t’iu larguar idiotësisë së përgjithshme ose duhej të pikturoje, - për atë që kishte talent, - ose në vetminë tënde të lexoje letërsi artistike. Ndryshe ditët nuk shtyheshin.
Isha në shkollë 8 vjeçare, në klasën e 6-të, - pra vetëm 11 vjeç - kur shtatorin e vitit 1979 u dha lajmi se Hysni Kapo, udhëheqësi i lartë i Partisë dhe krahu i djathtë i Enver Hoxhës, kishte vdekur në një spital të Francës ku kishte shkuar për kurim. Mësimi u pezullua. Mësuesit qanin. Ne nuk është se kuptonim ndonjë gjë të madhe por gjithsesi na duhet të qëndronim të mërzitur, për më tepër kur në klasë na u vendos një radio me qëllim që të ndiqnim drejtpërdrejt ceremoninë mortore.
Isha 13 vjeç, kur dhjetorin e vitit 1981 u transmetua lajmi që ishte edhe më i kobshëm. Kishte vdekur Mehmet Shehu. Për më tepër ai kishte vrarë veten në kushte depresive, apo siç u tha në njoftimin zyrtar: “pas një krizë nervore” .... Dhe akoma më tepër, që në fillim u dyshua për një ftohtësi në marrëdhëniet e partisë-shtet me njeriun e dytë më të rëndësishëm në vend, i cili vetëm një muaj më parë kishte marrë votëbesimin dhe kishte ngritur kabinetin e ri qeveritar me ministra krejt të vjetër.
Pak më vonë do të zbardhej edhe ftohtësia e qëndrimit të Byrosë Politike. Mehmet Shehu u shpall armik.
Nuk ishte ndonjë gjë e re. Armiq të shtetit e partisë ishin shpallur plot. Ishte shpallur edhe zëvendëskryeministri Beqir Balluku, edhe Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, pa folur këtu për grupet antiparti në kulturë ushtri, ekonomi... etj.
Por për ne që konsideroheshim ende të vegjël këto nuk është se kishin ndonjë kuptim të madh. As kuja kolektive që të fuste në depresion po aq sa Mehmet Shehun natën e vetvrasjes. E rëndësishme ishte që për ne që ishim në kufirin e fillimit të adoleshencës ishte të mos na cenoheshin aktivitetet tona. Pjesa tjetër nuk merrte kurrfarë rëndësie. Sepse do të isha 17 vjeç, kur pas një largimi të papritur të mësuesit të Vizatimit teknik, kthimi i tij në klasë do të shoqërohet me një lajm edhe më të kobshëm. Kishte vdekur vetë Enver Hoxha. Na u dhanë udhëzimet përkatëse se si duhet të vepronim, ku më së shumti mbaj mend: mos qeshni në rrugë.
Por le të kthehemi tek vdekja e Mehmet Shehut.
Ai njihej si njeriu i ashpër që qeveriste me dorë të hekurt ekonominë e vendit. Ndaj që nga nata kur u bë i njohur lajmi se ai kishte vrarë vete, nisën dhe thashethemet. Njerëzit që nuk besonin se ai ishte vetëvrare nuk ishin të paktë. Dhe në se nuk kishte vrarë veten, do të thosjte se e kishin vrarë. Sepse lami zyrtar njoftonte për pistoletë, plumb e gjak. Në të kundërt do të ishte thënë se Mehmet Shehu vdiq nga një sulm kardiak.
Nata e 18 dhjetorit, në kalendar shënonte e premte. Pas edicionit shokues të lajmeve, të cilin nuk është se e perceptova thellësisht, isha i ngazëllyer që më në fund TVSH nuk ndërpreu transmetimet për të dhënë në mënyrë të mërzitshme muzikë funebre. Përkundrazi, meqenëse ishte nata e shfaqes së rubrikës “Teatri në ekran” televiozioni nuk e ndryshoi programin, po  trasmetoi për herë të parë dhe të fundit komedinë e shkruar nga Gjik Kurtiqi “Miq të paftuar”, punuar si një version mbi romanin e famshëm të Jaroslav Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk” ku flitej për pushtimin e Çekosllovakisë nga ushtritë e Traktatit të Varshavës kryesuar nga Bashkimi Sovjetik, e ku në rolin e Shvejkut e interpretonte aktori i mirënjohur Fadil Kujovska.
Vite më vonë, rastësish – si shumë rastësi të tjera në këtë botë – u gjenda në mes të një vorbulle: u vetvra apo e vranë Mehmet Shehut. Kjo nisi pas një interviste që aso kohe realizova me mjeshtrin e fotografisë në ish Kinostudio Ilia Terpinin i cili duke folur për punën e tij si operator tregoi dhe disa detaje nga regjistrimi i Kongresit të 8 të PPSH së si dhe disa grimca nga qëndrimi dyshues i Mehmet Sheht në skenën e Teatrit të Operas ku zhvilloheshin ditët e Kongresit të Partisë së Punës. Nga ai çast, - meqenëse u pa si interesante, - m'u ngarkua si detyrë nga redaksia, për ta vazhduar hulumtimin e të tërheqja fillin e sapo zgjidhur, duke rendur për të gjetur një version të saktë apo të përafërt mbi fundin e kryeministrit komunist. Në disa dhjetëra a qindra intervista, të bëra për një periudhë gati 10 vjeçare. ku gjithkush nga të intervistuarit tregonte episodin e tij në marrëdhënie me Mehmet Shehun, nuk është se arrita në një konkluzion të qartë, pasi ata që mbronin faktin që Mehmet Shehun e kishin vrarë, dhe atë që i besonin versionin zyrtar, ishin të ndarë përgjysmë në bindjet e tyre. Them bindjet pas fakte konkrete i afroheshin fundit, por nuk shkonin dot deri në fund. Sepse të gjithë personat që realisht mund të njihnin realitetin apo mund të ishin dëshmitarë realë, nuk jetonin më.
Misteri mbetej.
Në tërësinë e tyre, të gjithë do ta mbronin ish kryeministrit sipas stilit të tyre: ata që besonin se ishte vetëvrare që ai të mos binte në dorë të hetuesisë së kohës, ku do të kishte të njëjtin fund me paraardhësit e tij, dhe versioni i vrasjes për të eliminuar një pengesë të madhe në prespektivën e venduar nga Enver Hoxha.
Çfarë vlere ka kjo tanimë?
Asnjë. Përveç faktit që si gjithmonë njerëzit kanë kureshti të njohin diçka më shumë nga analet e errëta të historisë. Sepse nuk ka një version shterues as si vdiq Ahmet Zogu si ish kryeministër. Vdiq sepse i erdhi radha, apo radhën ia përshpejtuan.
Nuk ka një version shterues se as si vdiq Ismail Qemali, kryeministri i parë i shtetit shqiptar, e helmuan në hotelin e Peruxhias italiane ku do të jepte konferencën për shtyp, apo aq e kishte të shkruar ymrin.
Madje po të shtyhemi në kohë ka një hije misteri edhe mbi vdekjen e Gjergj Kastriotit. Vdiq sepse vërtet i erdhi koha, e helmuan turqit përmes venedikasve, apo vetë venedikasit që pavarësisht marrëveshjeve dhe aleancave nuk është se e kishin fort qejf kryetrimin shqiptar?
E për më tepër njerëzit besojnë se teoritë e konspiracionit kanë nisur që me vdekjen e Aleksandrit të Madh, për të vazhduar më Cezarin dhe për të vazhduar në pafundësi me vdekje udhëheqësish politik e drejtues fushatash ushtarake.
Dhe së fundi: u vetvra apo e vranë Mehmet Shehun si kryeministër në detyrë?
Kjo besoj do të mbetet ende mister. Dhe nuk besoj se mund të ketë dokumente arkivorë që mund ta zbardhin ngjarjen, edhe për arsyen e thjeshtë se regjimi në kulmin e represionet, nuk e kishte fare të vështirë të rregullonte letrat, ashtu siç do ta bënte më të besueshme. Mehmet Shehun u vetëvra, dhe ky ishte një veprim i dënueshëm nga Partia. Për të fashitur zërat Enver Hoxha bëri publike dhe “Tablonë sinoptike” ku e denoncoi veprimtarinë e kryeministrit 27 vite në detyrë, si anti-parti dhe vetë Mehmetin si një poliagjent.

Friday, December 15, 2023

Lufta e pushteteve, Shtypi i Lirë në morsën e Drejtësisë


Nga 
Leonard Veizi
 
A e keni parë filmin dramatik e me shtrat politik “Nothing but the Truth” i cili i ardhur në shqip mban titullin “Asgjë veç të Vërtetës”? Është një produksion amerikan i vitit 2008, me skenar e regji nga Rod Lurie. Filmi është bazuar mbi një histori të vërtetë, ku flitet për një nga parimet bazë të lirisë së shtypit: atë të mbrojtjes së burimit konfidencial.
Dhe nuk është se ky film është i vetëm në llojin e tij. Sepse filma me temë shtypin e lirë dhe gazetarët nuk janë të paktë. Por ndoshta "Nothing but the Truth" është më emblematiku mes tyre.
Filmi është frymëzuar nga rasti i Xhudit Miller, - e cila në film interpretohet nga Kejt Bekinseill me emrin e personazhit Rashel Armstrong - një gazetare e New York Times, e cila kreu 85 ditë burg për refuzimin e përmendjes së burimit të saj.
Në jetën reale, raportimi, saktësia dhe objektiviteti i Millerit u vunë në pikëpyetje të mprehtë. Ndërsa Rod Lurie e anashkalon me mençuri historinë reale për t'u fokusuar në pyetjen themelore: Cili është më i rëndësishëm, parimi i konfidencialitetit apo siguria kombëtare?
Në korrik të vitit 2005 Xhudit Miller u burgos për shpërfillje të gjykatës për refuzimin dhe për të dëshmuar para një jurie të madhe federale që hetonte një rrjedhje informacioni që cilësonte Valerie Plame si një operative të fshehtë të CIA-s.
Dhe kaq me filmin. Sa për citim. Sepse do vijmë në kushtet e Shqipërisë, e cila njihet për brishtësinë e institucioneve të saj.
Në Shqipërinë e mesdhjetorit të vitit 2023, një gazetar thirret në zyrat e Prokurorisë së Posaçme dhe mbahet për orë të tëra në hetuesi me qëllim që ai të tregojë burimin e një materiali konfidencial, të cilin e ka bërë publik. Deri tani gazetari nuk e ka tradhëtuar profesionin e tij. Dhe për këtë ështê për t'i hequr kapelen gazetarit Elton.
Ku qëndron problemi këtu?
Se gazetari për atë punë është. Të bëjë të njohur gjërat e panjohura, aferat e pista, dallaveret e pushtetit politik dhe të vetë drejtësisë. 
Dhe veç kësaj, gazetarit i bëhet kontroll banese dhe i sekuestrohen mjetet e punës. Që do të thotë, njësi kompjuteri e usb ku arshivohen materiale.
A është e drejtë kjo?
Të gjithë thonë që: E drejta është me mua. Por tanimë çështja është e hapur. Për fatin e saj do të vendosë një organ edhe më suprem: Gjykata.
Për cilin gazetar bëhet fjalë?
E ç’rëndësi ka se kush është gazetari. Edhe pse ai e ka një emër në pasaportë e quhet: Elton Qyno. Por këtu nuk po flasim për emrin rendor të Gjendjes Civile dhe as atë të pagëzimit. Flasim për atë që ai përfaqëson, dhe ai është një gazetar i Shtypit të Lirë. Kaq mjafton besoj. Dhe liria e shtypit mbrohet me ligj.
A kemi në materialet e publikuara prej tij gjëra që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare? Me cenimin e saj?
Kjo mbetet për t’u vërtetuar. Por dhe nëse është i tillë materiali, cili është faji i gazetarit? Që e publikoi? Kjo është detyra e tij. Nuk është ajo e gjetjes së fakteve dhe arshivimit në dosjen Top Secret. Detyra e gazetarit është të gjejë mundësinë që nga dosja Top Sekret ta publikojë në gazetë. Atëherë misioni quhet i kryer. Përndryshe shtypi nuk do ishte pushteti i katërt.
Gazetari u la i lirë pas më shumë se 10 orë hetuesie. Mund të ishte cilido prej nesh në dhomën e errët të Prokurorisë. Pavarësisht se ajo realisht mund të jetë një zyrë plot dritë dhe me ajër të kondicionuar, sërish mbetet një zyrë e errët. Në kohët të caktuara për çështje të caktuara shumë gazetarë kanë publikuar materiale konfidenciale. Ka pasur dhe procese ndaj tyre. Por me sa duket pakkush e di që një gazetar bën të pamundurën për të marrë një material që klasifikohet “top sekret”. Nëse ai bindet, e boton dhe nuk e ndalon kush. Po aq është dhe i mbrojtur nga ligji. I gjithë problemi ka të bëjë me mbrojtjen e materialit pa rënë në dorën e gazetarit. Sepse nga ai çast gjithkush është i zbuluar.
Pas kësaj, proceset ku në qendër të vëmendjes është një gazetar i kryqëzuar i cili kërcënohet me fjalën “trego”, duket më së shumti si filmat neorealist të pasluftës së dytë botërore.
Detyra e shtypit nuk është t'i nënshtrohet pushtetit, por të kontribuojë në kontrollin e tij duke nxjerrë në pah, ku është e nevojshme, shtrembërimet dhe gënjeshtrat.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të mbrojë gazetarin në fjalë. Si Elton Qyno, e kam fjalën. Ky shkrim thjesht kërkon të mbrojë profesionin, autori i të cilit aderon prej 32 vitesh. Dhe në ditë të tilla, gazetarët duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin. Sepse, nuk është ndonjë gjë e pazakontë ajo që i ndodh një gazetari sot, t’i ndodhë një gazetari tjetër nesër... dhe shumë shpejt të vjen radha dhe ty. Mjafton një precedent. Ndaj nuk mund të qëndrosh duarkryq, duke ndjekur spektaklin.
Më ka qëlluar të jem i kërcënuar me procese gjyqësore. Më është kërkuar të tregoj burimin. Nuk pretendoj që në të paktën dy raste kur e kam ndjerë veten ngushtë, të kem pasur të bëj me materiale që cenonin sigurinë kombëtare. Por gjithsesi, ajo ka qenë një punë hulumtuese e mirëfilltë që më kanë kryqëzuar. Përvoja të tilla kanë plot gazetarë në Shqipërinë e post demokracisë. Shumë të tjerë janë vënë në bankën e të akuzuarve dhe janë dënuar me gjoba nga gjykata. Përvojat janë të ndryshme.
Kështu që sot e ndjej edhe më shumë për detyrim që të jem në të njëjtin front në mbrojtje të gazetarit, si emër i veçantë dhe si profesion, domosdoshmërish.

Friday, December 8, 2023

Shqiptarët, ky popull byreqesh

Nga 
Leonard Veizi
 
Një ditë m’u tek për byrek. Ndoshta ngaqë nuk është një ushqim që mund ta konsumoj shpesh, m’u krijua dhe një neps i paparë çuditërisht. U ndala në tre vende që paralajmëronin me gërma të mëdha BYREK. Në të treja gjeta radhë aq sa...
Ne shpesh marrim në konsideratë radhën e vajgurit në kohën e diktaturës. Radha për byrek në ditët e ekonomisë së tregut m’u duk edhe më keq. M’u duk vetja si idiot duke mbajtur radhë për një byrek, për më tepër që pas meje erdhën dhe të tjerë të cilët gjithashtu po bënin hesap se sa byrek do merrnin dhe me çfarë shijesh.
Joooo, po kësaj i thonë t’ia heqësh vetes: bam...
Që bota është duke u futur në krizën e ujit këtë e kuptoj unë. Por që të bësh “luftë” për byrek me gjizë këtë si ta kuptoj?!
20 minuta në radhë për një byrek të formatit trekëndësh. Shfryva nëpër dhëmbë dhe u largova. Tek e fundit nuk ia vlente barra qeranë.
Dhe meqenëse m’u bë fiksim kjo punë, në vend t’i kërkoja bashkëshortes të na bënte një byrek familjar, të nesërmen sërish u ngrita me mendimin. Do gjej një byrektore e do ha byrek, ja rashë e vdiqa. Nuk të lë njeri as të vdesësh, por as të blesh byrek.
Radha-radhë. Që në pikë të mëngjesit. Byrek or byrek. Nga ata trekëndëshit, që në menu janë ose me gjizë, ose me qepë e domate, ose me spinaq. Ka dhe me kungull. Si tek Ollga e “Zonjës nga Qyteti”:
-Ha kungullin Lefkë, ha!
Mirëpo te “Mëngjese Lufte” ndryshonte puna, se aty peshkatari i justifikohej ushtarit gjerman që dyshonte se ç’donin 10 fëmijë në një varkë që mezi mbante katër veta:
-Koran, sa më shumë koran!
-Koran gud, - ia ktheu pushtuesi me pamje të vrerosur.
Tani batuta ka ndryshuar. Se nuk jemi më të pushtuar.
-Byrek, sa më shumë byrek!
Ore, po do na vdesë gluteni, edhe yndyra...
Mirëpo radha vazhdon. Ushqim i shpejtë. Mirë e lirë.
Atje në Amerikë për mëngjes duan dy vezë të fërguara. Ne duam byrek. Ku qëndron problemi këtu? Edhe amerikanët rrinë në radhë për dy vezë. Nuk është se kjo është një risi shqiptarësh?!
Merr more bukë me vete më mirë. Si në kohën e xhaxhit kur hipnim në autobuzin “Shkodra” me bukën nën sqetull, të mbështjellë me gazetën Zëri i Popullit. E rëndësishme ishte që gazeta të mos kishte fotografinë e udhëheqësit. E në vend të haje bukën mund të haje burgun.
Ikën e vanë ato kohë. Thamë se radhat do mbaronin. Por jo.
Ç’t’i bëj nepsit. Ore po një neps i paparë. Për byrek, e merrni vesh apo jo. Kur e pret e nuk e ha, bëhesh më keq.
I dhashë karar. Do qëndroja në radhë derisa të blija një byrek. Po ke parë ti që nuk më eci hiç. Herën e parë sa vajta te banaku shitësja e lodhur, por me fytyrën që i shkëlqente nga djersët, ia pat: U mbaruan! Por kemi futur të tjerat. E sa të pres moj motër? Po nja 10-15 minuta o vëlla. I ke taze
Unë për vete asnjëherë nuk e kam blerë një byrek pa mbajtur radhë. Ngaqë ai është produkti më i kërkuar në treg. Më i kërkuar dhe se diamantët. Sepse ne or tungjatjeta jemi të thekur për të ngrënë byrek.
Në pikë të mëngjesit poshtë pallatit, në një byrektore të hapur prej vitesh i shoh të gjithë, kalamaj që shkojnë në shkollë, burra që e duan një byrek sa për të ndezur cingaren apo edhe gra që u përton prapanica të gatuajnë dhe i futin 8 copë byrek për 4 anëtarët e familjes. Mirëpo byrektorja dy punonjëse ka, bëj byrek e shit. Njerëzia vazhdon në radhë.
Duket sheshit që ne si shqiptarë vdesim për byrek. E kemi dhe gatim tradicional pa le. Pyes lart e poshtë dhe më të vjetrit nisin e bëjnë ironi. Tradicionale zeza. Byrekun na e ka lënë Turqia. Po ore po, ashtu ai na ka lënë bakllavanë por dhe rakinë. Po ndonjë gjë tonën kemi mo? Kemi opingat.
Të paktën i kemi. Nëse i kemi gjithmonë?!
Në Maqedoni, sa herë kam shkuar menuja e shqiptarëve ka qenë: byrek me jogurt. Domethënë byrek i shoqëruar me kos. Dhe kjo më kujton një batutë tek filmi “Streha e re”, ku ndihmës traktoristi Tasi këndonte duke treguar gavetën e groshës bosh:
Pa dëgjoni ju katundarë/ Është mor për të qarë hallë/ Të mjerin ju ta kujtoni/ Se me të mor do punoni!
Dhe një nga personazhet e tjerë të filmit i jep haberin:
-Mos u mërzit o Tasi se sot për drekë do kemi byrek!
-Aty më rri Ferhat, se edhe me fasule na u bë barku daulle.
Pranë redaksisë ku punoj në të dy anët e saj janë tri byrektore. Plot ore plot. Të duket si në epokën e pandemisë kur doli vaksina e covidit dhe të gjithë u turrën të shpëtonin nga makthi që i mbante prej muajsh shtrënguar. Të gjithë në radhë për byrek.
-A ke byrek me gjizë? - ia pat pallmës tjetrit që nuk i durohet.
Dhe vajza e byrektores ia kthen kujdesshëm: Dy të fundit. Presim të tjerat të dalin nga furra.
Të keqen e furrës! Nuk dihet sa byrekë pjek çdo ditë. Një mal, a ndoshta vetëm një kodër, se e zmadhova shumë.
Tek e fundit kërkesë tregu.
Të gjithë shesin byreqe. Është bërë si modë tashmë. Byrektoret po e po se janë të licensuara për të bërë një gjë të tillë, por dhe furrat e bukës. Dhe nuk është çudi të futesh në ndonjë dyqan me materiale ndërtimi e të gjesh byrek dhe aty. Se fitimi është i garantuar sigurisht. Shqiptarëve bukën dhe byrekun nuk duhet t’ia heqësh nga tavolina, se për të tjerat bëjnë si bëjnë.
 

Wednesday, December 6, 2023

Mirush Kabashi, mjeshtri i batutave të thella


Nga Leonard Veizi
 
E kush nuk e mban mend Makun, atë që zëvendësonte gratë në ndërmarrjen e grumbullimit, i cili nuk arrinte t’ia merrte mirë dorën punëve, por që drejtor Miti e kishte mik, ndërsa shef Nesimi i financave e quante “hiç njeri”.
E kush nuk e mban mend Lithanin, asketin në ishullin e gjarpërinjve i cili helmoi piktorin Andrea që zbukuronte kishat e Kazazë, por që theu rregullat dhe u dënua nga Peshkopi Athanas.
E kush nuk e mban mend Zimon, pensionistin qejfli që la paratë me telefonatat e 0900-tës, e që Semi, proletarja e shtëpisë së të moshuarve “Lulet e Vjeshtës” e quante: të degjeneruar.
Por ai ishte dhe mësues Nardi që i bënte presion zysh Norës që t’i rregullonte notat djalit të Kristoforit, i cili ishte me pozitë në Komitet. Dhe po aq ishte sociologu Apostol, i cili vërtet nuk lëshonte receta dashurie për vajzën e tij por nuk donte që ajo të martohej me një këngëtar.
-Pu,pu, pu... Artist. Këngëtar. Tralalalala këtu, tralalalala atje. Pa karakter. Profesion shumë i dyshimtë për moralin familjar.
Ndërkohë ai ka interpretuar dhe një nga batutat emblemë të filmit shqiptar kur luante në rolin e “mësju” Braushit, shokut të burgut të Besim Shkëmbit, që duhet të lante borxhet e hajdutit Spahi:
-Më kanë thënë se ke bërë kthesë, i je futur studimeve, i je përvesh hekurave. Ah, jo profesor, të rre mendja. Po Braushin e di ç’do të thotë “bishti i qenit”. Ia ka pirë lëngun jetës Braushi profesor. Bishti i qenit është i shtrembër dhe atë sado që ta tërheqësh, hop, ... prapë i shtrembër mbetet. Kështu dhe puna jote. Derisa ke qenë një herë i dënuar, deri në varr bisht qeni do të mbetesh.
Tanimë Mirush Kabashi, ky aktor aq i dashur për publikun e me aq shumë klas, nuk do jetë më mes të gjallëve. U largua fizikisht pas mesnatës së 5 dhjetorit të vitit 2023, për të na lënë si trashëgimi në pelikulë gjithfarë karakteresh e personazhesh të cilat ai i interpretoi me aq mjeshtëri.
-Jam dezinjator.
-Çfarë the more, dezertor?!
-Jo, jo shoku partizan. Jo dezertor. Dezinjator... Domethënë piktor.
Këto ishin batutat nga filmi “Ne vinim nga lufta” ku Mirush Kabashi do të kishte rolin e Stilianit. Dhe po aq ai shkëlqeu në rolin e topografit Veniamin tek “Emblema e Dikurshme”, që hapte gropa e fuste shishe nën tokë dhe që për pak e shqyen qentë e fshatit.
-Unë duhet të vendosja thellë nën tokë sinoret e çifligjeve që po zhdukeshin. Ata shpresonin që do kthehej përsëri koha e tyre dhe tokat që po u ndaheshin fshatarëve t’i merrnin përsëri.
Artistët po ikin një e nga një. Është një hemorragji e vazhdueshme. Vetëm një javë më parë u ngjit në panteon Zef Deda. Sepse kështu është jeta, e s’mund të ndodhë ndryshe. Po ikin edhe yjet e brezit të dytë të aktorëve të mëdhenj shqiptar. Plejadë e mahnitshme. I dhanë aq shumë kinemasë dhe teatrit. Sepse Mirush Kabashi ishte dhe një aktor që shkëlqeu në skenën teatrore.
Pakkush e kujton që Mirush Kabashi bëri epokë edhe në komedinë “Kartela e verdhë” shkruar nga Haxhi Rama. Ndoshta sepse hija e Toger Shazivarit, që mbante rendin në qytetin e Lushnjës, tek “Koncert në vitin ‘36” do të ishte shumë më e madhe se sa ajo e një tifozi sporti. Por ai dinte t’i luante mjeshtërisht të dyja, si në skenën e teatrit po aq dhe në sheshin e xhirimit. Ndaj po aq të njohur do t’i bënte ai dhe batutat e filmit “Gëzhoja e Vjetër” ku si shofer pijanec i premtonte bashkëbiseduesit Pandi Mylla që e dendi me raki:
-Mos çaj kokën hiç. Ke Baken ti ore. Po kam “Tarponin” aty jashtë, atë bardhoshin. Shi, shi, qenke budalla ti. Natën kontrolle s’ka. Po unë për dy orë e gjysmë kam kap Korçën. Nuk çan kokën Bakja po të them unë ty.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Mirush Kabashi u lind më 17 prill 1948 në Shkodër dhe u rrit në Durrës, por se origjina e tij është nga Gjakova. Me vitin 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, mes viteve 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, është aktivizuar dhe si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Mirush Kabashi u largua nga jeta tokësore. Por pas la veten e tij në dhjetëra role. Ai ka në arsenalin e tij të paktën 100 role, nga të cilat 20 janë në kinematografi. Interesant është roli i interpretuar prej tij si gazetari Kujtim tek “Telefoni i një mëngjesi”.
-Ja për shembull unë. Pse shkrova një artikull për ata që përdorin motorin e shtetit për punë personale më thyen xhamat e shtëpisë. Tani kam marrë masa, kam blerë xhama rezervë.
Ndërsa në rolin e Nikollaqit tek komedia muzikore “Karnavalet”, Mirush Kabashi shkon edhe më tej.
-Sikur të ma ngrinit ca rrogën. Ajo që më jepni nuk më del.
-Po ti nuk e shikon se ç’bëhet o lumëmadh? Pastaj unë shpresoj që të ha ndonjë gjë nga ti, e ti shpreson që të hash nga unë. Lëre Loni lëre, u katandis kokoshin një thelë. Një Nikollaq Samarxhiu e di se sa rrota duhet të lyejë në ditë.
Mirush Kabashi iku i ‘ngopur’ nga jeta tokësore. Veç duartrokitjeve pa fund dhe mirënjohjes së spektatorit ai është vlerësuar me shumë çmime, e medalje.
Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës. Ishte pikërisht “Apologjia e vërtetë e Sokratit” që do ta nghrinte atë në piedestal.
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit tek komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.
Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”me rolin e Nokes në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.
E përveç gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me rolet, recitimet dhe drejtimin e spektakleve, - ashtu siç janë shprehur kolegët e tij, - Mirush Kabashi ishte: etalon i një aktori jashtëzakonisht punëtor, njeri shumë familjar dhe shumë korrekt në jetën shoqërore.
Por ai do të mbahet mend jo vetëm për aktrimin e tij, por edhe për vitalitetin në maratonën e notit që bënte thuajse çdo mëngjes, nga kalata e Portit të Durrësit deri në plazhin Iliria.
Dhe në çdo rast, si aktor shumërolësh, si njeri me të njëjtin karakter të pandryshueshëm, ai do të ketë gjithmonë të njëjtin emër: Mirush Kabashi.

Friday, December 1, 2023

Dhuna ndaj grave, kënaqësia e burrave


Nga Leonard Veizi
 
25 nëntori është “Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave” ose përndryshe “Dita Botërore për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”. Me këtë rast media botërore i kishte lënë një vend të veçantë. Dhe me këtë rast u bënë publike plot shifra alarmante të botës së qytetëruar që flisnin për dhunën ndaj grave dhe vrasjen e tyre qoftë dhe nga dora e partnerit, bashkëjetuesit apo bashkëshortit.
Po çfarë përfaqëson kjo ditë?
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave është vendosur më 17 dhjetor 1999, me rezolutën 54/134. Në fakt 25 nëntori shënon vrasjen brutale të tre motrave Mirabal në Republikën Domenikane në vitin 1960. Ato, të lidhura me Lëvizjen Revolucionare të 14 Qershorit, kundër diktaturës së Rafael Trujillo-s, u rrëmbyen dhe u rrahën për vdekje përpara se të hidheshin nga një shkëmb. Zhdukja e tyre u bë simbol i rebelimit, i institucionalizuar në vitin 1999 nga Kombet e Bashkuara.
Ja e sqaruam dhe këtë pikë.
Për dhunën ndaj grave dhe eliminimin e saj janë prononcuar shumë emra të njohur të botës së artit, gra e burra bashkë.
Shkrimtarja italiane Alda Merini shkruan: “Ne jemi dashur dhe urryer, adhuruar dhe mohuar, puthur dhe vrarë, vetëm sepse jemi gra”.
Ndërsa kanadezja Margaret Atwood shkon më tej kur thotë: “Burrat kanë frikë se gratë do të qeshin me ta. Gratë kanë frikë se burrat do t'i vrasin.”
Po Shqipëria?
Tek ne 25 Nëntori i vitit 2023 kaloi i vakët. Në vitet paraardhës janë nxjerrë nëpër shkallët e Pallatit të Kulturës dhe tek Sheshi Nënë Tereza këpucë të kuqe në simbol të tyre. Në vitin 2023 mezi u dëgjua se ishte një ditë e tillë me këtë motiv. Sepse për dhunën ndaj grave ne si shoqëri e kemi të vështirë të flasim. Temë tabu.
Do shihni ju ç'do të ndodhë për 14 shkurtin. Aty jemi zhveshur nga tabutë. Do të lozë qeni i kallajxhiut. Pa do të kërcasë dollia me dhallë, si atëherë kur gratë u mblodhën të hanin shalqin në oborrin e xha Shahinit se shoqja e tyre Vali do ikte me punë në Komitet.
Pastaj ç’i do llafet?! Ne si shqiptarë kur vjen puna për dhunë ndaj grave zëmë një vend të respektueshëm. Këtë na e kanë lënë të parët tanë. Që atëherë kur cucat martoheshin me fishek në pajë.
Që gratë ta sjellin në majë të hundës kjo nuk është ndonjë gjë e re, ndaj dhe ne burrat i biem shkurt: i rrahim sa na dhemb dora. Le kur grave u mbushet mendja se në familje kanë postin kyç të kabinetit, herë ministre e financave, herë ministre e brendshme... dhe harrojnë se familja ka zot. Një kryeministër. Aty nis prap e rrahura. Dru or dru sa të të dalin sytë vendit.
U bone ti...
25 nëntori kaloi në heshtje. Burrat futën kokën në rërë si struci... Po nuk u ndjenë as gratë. Le që janë mësuar me rrahje e s’u bën zemra të ndahen nga druri.
Hapim statistikat. Në një raport të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes Sociale thuhet, se në vitin 2023, - sepse viti 2023 është në vazhdim - 4000 gra dhe vajza nga gjithë Shqipëria denoncuan nëpër komisariate policie dhunën me bazë gjinore. Po këtë vit u lëshuan mbi 2400 Urdhra Mbrojtje.
Ja kjo është statistikë për t’u marrë shembull.
Ne dimë të rrahim sa të të thyejmë kërbishtet. Por dimë dhe të vrasim. Pastaj, përse të vrasim një herë kur mund të rrahim përditë. Ose një herë në dy-tre ditë të paktën. Është një kënaqësi mazogiste që nuk ta fal kush.
Shqiptarët,  - në mungesë të thënieve të shkrimtarëve, - i kanë dhe nja dy shprehje folklorike të bukura fort për rrahjet.  Fjala vjen: “Kush të rreh të do”. Sintezë e përvojës popullore kjo. Pastaj vjen tjetra: “Druri ka dalë nga xhehneti”. Kjo ka edhe më shumë sens.
Opo në fund të fundit druri të bën njeri. Se ne mendojmë që njeriu u bë njeri nga evolucioni majmunor. Ka më shumë shanse të jetë bërë nga druri. Duke menduar ditë-natë si t’i shpëtosh hallit edhe truri fillon gjen zgjidhje. Domethënë punon. Nuk është i fokusuar vetëm te bananet dhe uji i pellgut. Dhe kështu majmuni, - nëse kemi qenë të tillë, - dru pas druri na u bë njeri. Dhe çfarë njeriu se.
Mirëpo druri vazhdon edhe pse evolucioni e bëri punën e vet. Ka mbetur si pjesë e instinkteve. Ose si zora qorre që në mjekësi quhet: apendicit. Me sa duket njeriu në kërkim të përsosmërisë vazhdon të ushtrojë zanatin e drurit. Por jo në kurriz të vet, por në kurriz të tjetrit. Dhe në kurriz të gruas është akoma më mirë, se duke qenë më të dobëta se meshkujt fizikisht, ulin kokën dhe e pranojnë drurin. Dhe burri ka ku e tregon trimërinë në fund të fundit.
-E ç’t'i këndojmë më parë burrërinë apo trimërinë?!
Ndërkohë, “Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave”, presupozon se kohës së drurit e të vrasjeve, - që klasifikohen si çështje emocionale dhe krim brenda familjes, - i duhet treguar vendi. Këtë do ketë pasur parasysh dhe Noli i madh kur shkroi vargjet: Ngrehuni e bjeruni...
Ndaj burrat duhet ta tregojnë burrërinë për gjëra të tjera, e jo duke rrahur gratë e tyre.
Tani, ç'është e vërteta,  dhe ne si shqiptarë nuk jemi si 100 vite më parë. Po qytetërohemi.
Bereqaversën.
Tani edhe te ne ka plot burra që ose janë kthyer në gra ose bëjnë më keq se gratë. Por kjo është tjetër temë, e s’po e ngasim më tej. Se për këtë kategori shoqërore, OKB-ja ende nuk ka vendosur një datë përkujtimore.