Friday, May 26, 2023

Vajtimi për yllin komunist dhe librin e Enverit tek mozaiku “Shqipëria”


Nga Leonard Veizi
 
Ka plasur rëndshëm debati virtual mbi retushimin e mozaikut në ballinën e godinës së Muzeut Historik Kombëtar.
Në Perëndim, veprat monumentale ku tregohet madhështia e një epoke, apo që kërkon të përçojnë një doktrinë të caktuar, janë më të rralla. Por në vendet e ish-bllokut socialist, qoftë në Evropën Lindore e ca më fort në Azi, këto vepra kanë qenë në mes të çdo qyteti. Mund të shohësh një territor urban mizerabël që jeton nën nivelin e varfërisë por që në sheshin qëndror të tij monumentet e mëdha të liderëve autoritaristë ngrihen deri në re. Nëse Perëndimi ka gradaçelat, në Lindje konkurrojnë përmendoret. Lartësia shkon në barazim.
Mozaiku në ballinën e Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës nuk mund t’i shpëtonte këtij ndikimi. Dy ndërhyrjet restauruese, - një herë 30 vite më parë, që konsistoi me heqjen e yllit të verdhë që qëndronte mbi shqiponjën e zezë në flamur dhe një tjetër tani së fundmi ku bashkë me implementimin teknik që restauroi fasadën e dëmtuar, na u zhduk dhe libri që një përfaqësues i klasës punëtore mbante në gji, - nuk është se i kanë bërë dëm mozaikut, përveç faktit që e bën të jetë më afatgjatë në kohë. Pra, në njëfarë mënyre e çliron nga dogma.
Retushimi është i papërfillshëm, ndërkohë që padyshim për dikë që i ka të shenjta këto simbole është dramatik.
A është e drejtë kjo?
Përgjithësisht thuhet se veprat e artit i takojnë një epoke të caktuar dhe si të tilla nuk preken. Por blasfemi do të ishte nëse nuk do të kishte precedent.
Mirëpo precedentët janë të panumërt.
Kur Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën urdhëroi që një kryevepër si Shën Sofia nga Kishë të kthehej në Xhami. Godina vazhdon të jetë po aty prej qindra vjetësh por ikonat e pikturuara nëpër mure u zhdukën. Veprat e artit i mbuloi boja dhe godinës solide iu shtuan minaret. Këtij po i thonë retushim 100 përqind. Sepse ikonat janë po aty. Po t'u hiqet boja dalin sërish në dritë.
Nuk po i futemi faktit që Enver Hoxha veproi ku e ku më keq, duke ua ndërruar destinacionin objekteve të kultit, sepse ca i bëri magazina drithi, ca i ktheu në kazerma ushtarake e ato më me fat u kthyen në vatra kulture. Po të përmendim dhe faktin tjetër që pjesës së mbetur iu vu tritoli, zullumi bëhet kala.
Tek e fundit kjo është historia.
Mozaiku “Shqipëria” edhe me mungesën e yllit dhe të librit sërish ka elemente të shumtë që na kujtojnë periudhën 45 -vjeçare të ndërtimit socialist të vendit, ndërkohë që vetë mozaiku me 13 figura paraqet historinë 2500-vjeçare të kësaj toke.
Duke ndjekur kronologjinë kohore të figurave do të dalësh në përfundimin se periudha 5-vjeçare e Luftës Nacionalçlirimtare na del më e rëndësishme se qëndresa 25-vjeçare e Gjergj Kastriotit. Dhe ja të shohim e ta shkruajmë: Nga e djathta e gruas në qendër, e cila simbolizon Shqipërinë, është një ushtar ilir, pastaj vijnë 3 luftëtarë të mesjetës, vijon me një mendimtar që të kujton rilindjen dhe një luftëtar të kësaj kohe që në përditshmëri u kemi thënë kaçakë, që gjithashtu është pjesë e rilindjes në luftë kundër osmanëve. Fill në krah të majtë të Shqipërisë vjen një punëtor me përparëse që duket se është prodhim i viteve '70-'80 kur Shqipëria po tentonte të kthehej nga një vend bujqësor-industrial në të anasjelltë industrialo-bujqësor. Nga krahu i majtë i gruas Shqipërinë qëndrore është një partizane dhe dy partizanë, që bëhen vetë i tretë, me pushkë e yll në ballë. Pastaj vjen një grua fshatare me pushkë në dorë. Dhe fill pas saj, në krah të gruas sërish një partizan me yll në ballë e flamur në dorë. Të gjithë të frymëzuar nga Lufta e Dytë Botërore. Duke hequr figurën qendrore të gruas që simbolizon Shqipërinë, gjashtë nga figurat, pra gjysma e tyre na kujton 50 vjet histori, ndërsa 6 figurat e tjera 2500 vjet histori.
A është kjo në baraspeshë?
Për momentin nuk kemi kandar ta peshojmë. Por e marrim me mend.
Kur flitet për blasfeminë e heqjes së yllit, - që si simbol daton ku e ku vite më parë se në botë të shfaqej komunizmi - duhet pasur parasysh se më e vjetër se Ylli, - apo bashkëkohëse ç’rëndësi ka, - është dhe Svastika, që fillimisht njihej si një shenjë e lashtë e Diellit. Por nazistët e viteve '30 të shekullit të kaluar e shpërdoruan aq shumë sa tanimë askush nuk i kthen më sytë nga një simbol që dikur simbolizonte paqen dhe begatinë. Po aq u shpërdorua edhe ylli. Një yll në mes të Tiranës nuk na nderonte, sado pjesë e historisë të jetë ai. Përndryshe ç'vlerë ka që u rrëzuan dhe monumentet e tjera të asaj kohe. Sipas kësaj teorie: meqenëse ishin vepra arti përmendorja 8 metra e lartë e Enver Hoxhës duhet të qëndronte në mes të sheshit Skënderbe. Dhe po në dy anët e bulevardit Dëshmorët e Kombit duhet të kishim dhe tavarish Leninin bashkë me Josif Visarionoviçin.
Ylli me pesë cepa ka qenë një element i shumë kulturave dhe ai bënte pjesë në hierarkinë e shumë simboleve e shkollave mistike kudo në botë pasi simbolizon esencën e materies. Toka, zjarri, uji dhe ajri janë katër elementët materialë, por pas tyre vjen elementi i pestë, eteri, ai që formon kuintesencën ku fillon ajo që quhet njerëzore. Ndaj ylli me pesë cepa është gjetur në Egjiptin e lashtë por bën pjesë dhe në ikonografinë e lindjes së Krishtit. Ndërkohë që pa dashjen e tij u bë dhe simboli i diktaturës së proletariatit.
Nuk i vjen e keqja Shqipërisë nga heqja e ndonjë elementi simbolik. Dhe nuk ia vlen të qajmë e të vajtojmë yllin dhe as librin në dorën e punëtorit proletar, që mund të supozojmë se do ketë qenë një vepër e Marksit apo e Leninit, por që nisur nga kushtet ku është vendosur vepra, me shumë gjasa duket të ketë qenë një vepër e Enver Hoxhës. Nuk besoj se do ngrihet dikush për të na mbushur mendjen se libri simbolizonte Bibliotekën Kombëtare dhe herezia e zhdukjes së tij e bën zullumin edhe më të madh. Kur në fakt, vepra në dorën e përfaqësuesit të klasës punëtore nuk ishte “Revolta e Atlasit” e Ain Rend por sigurisht një nga filialet e “Imperializmi dhe Revolucioni” të Enver Hoxhës.
Heqja e një ylli apo e një libri nuk i prish ndonjë gjë mozaikut madhështor, as i zgjeron diapazonin e kohës dhe as ia ngushton atë. Tek e fundit çdo turist i thjeshtë që kalon mes përmes sheshit e kupton menjëherë se vepra është frut i realizmit socialist dhe si e tillë ka mjaftueshëm elementë për të na kujtuar gjithë ditën një kohë ku Shqipëria pati një zhvillim të sforcuar që më pas u lëshua në rënien e lirë të degradimit.
E megjithatë, mozaiku mbetet një vepër arti e mahnitshme.
 


Tuesday, May 23, 2023

Në tmerrin e vrasjeve të lajmëruara dhe të paparalajmëruara


Nga Leonard Veizi
 
Ajo që ndodh prej vitesh në Shqipëri, si në një film horror me skena të pandriçuara, ka të bëjë me vrasje të paralajmëruara dhe ato me paralajmërim. Vrasje të qëllimshme dhe vrasje aksidentale. Vrasje në eksitim e sipër apo vrasje të përllogaritura.
Risku mbetet i lartë.
Nuk ka nevojë të të lajmërojnë, për të të thënë se je në gjak me dikë e duhet të kthesh kokën pas në çdo çast se gjaksit nuk i duhet ku ta ka zënë pusinë. Ti je gjithmonë një shënjestër e lëvizshme. Me raste dhe krejt i palëvizshëm a i murosur. Ti je nën syrin thep-shqekës kur ke bërë ndonjë mëkat dhe je i akuzuar, por edhe kur je duke ecur në rrugën tënde dhe je i çliruar nga çdo lloj akuze.
Ti, si pjesëtar i kësaj shoqërie, do të ndihesh gjithmonë i kërcënuar nga gryka e një arme dhe sikur ajo të mos ekzistojë kund. Dhe ti po aq je gjithmonë një viktimë e mundshme. Madje, ti je një viktimë në të gjitha rastet.
Ca vite më parë Shqipëria ngjante më shumë si Siçilia e viteve ‘70 ku shumëçka zgjidhej përmes armëve. Po herë-herë më së shumti ngjan me vitet ‘90, ku në bastionet e krimit e drogës në Medillinin kolumbian të Eskobarit, jeta nuk vlente dy lek.
Në Shqipëri krimi nuk fle asnjëherë. Ai është roje.
Ti fle, se je i qetë, se nuk të rëndon asnjë faj dhe nuk ke përse të përballesh me të. Por ai të gjen dhe kur ti je në gjumin e thellë të pasmesnatës, sepse do të të duhet të mbledhësh energjitë për të shkuar disa orë më vonë në frontin e punës, në ndërtim fjala vjen, apo në një uzinë ku punohet me hekura. Sepse e tillë është jeta. Ajo nuk të merr me të mira.
Ti je viktimë e krimit, edhe kur mbi ty askush nuk ka qëlluar me plumb të nxehtë dhe as me armë të ftohtë, por sepse në mëngjes, ndërsa ngrihesh për të përgatitur ca bukë me vete, ndez televizorin dhe informohesh... për një krim që ka ndodhur në mesnatë, ose përpara mesnate. Por në atë kohë ty të kishte zënë gjumi, sepse nuk mund të rezistosh aq gjatë sa për të ndjekur dhe lajmet e vona në televizor.
Ti nuk je i vdekuri fizik, por je viktimë gjithashtu.
Po bëhet e udhës që vrasjet sot po bëhen në sy dëshmitarësh. Jo dëshmitarë të zakonshëm rruge, por familjarë. Një gjyshe vritet në sy të mbesës. Një nënë në sy të vajzës. Një baba në sy të djalit dhe një djalë në sytë e babait të tij.
Dhe çfarë pastaj... Do të na duhet të vëmë kujën, apo të bëhemi të fortë e të përballojmë dhimbjen. Sepse krimi është fakt. Ai nuk mund të zmbrapset për ta ripërsëritur skenën në një version të ri. E për më tepër të ngushëllohemi se demek: “Këto janë punët e Zotit” dhe se “Zoti të mirin e do pranë vetes”. Ç’e ngatërroni Zotin në fronin hyjnor me larjet e hesapeve të tokësorëve.
Së fundi, një tjetër skenë krimi e pamëshirshme u përhap rrufeshëm nëpër titra nga televizionet informative dhe portalet. Aparati kishte fokusuar një baba që qëndronte pranë të birit të vdekur. Të vrarë me plumb në praninë e tij. Duke pirë kafe. Dhe asnjë burrë tjetër s’do të donte të ishte në vendin e tij. As ai vetë. Por plumbi nuk të pyet, kur del i nxehtë nga tyta e armës, pasi një gisht ka vënë në lëvizje mekanizmin e shkrepjes.
Ç’rëndësi ka motivi përse u vra. Nuk na duhen motivet. Ato i përkasin palëve. U vra se kishte një mëkat mbi shpinë apo se qëlloi në orën e gabuar në vendin e gabuar. Tek e fundit u vra një njeri. Dhe askush tjetër nuk ndihet i sigurtë më. Për të mos thënë që ndihet veç i kërcënuar.
Ne qajmë për fatin tonë. Që jetojmë në një botë të kriminalizuar, ku vriten njerëz çdo vit po as sa janë vrarë dhe në një luftë frontale.
Veç këta nuk janë dëshmorë, janë veç viktima.
Jetojmë në kohë makthi. Jemi shënjestra të lëvizshme të krimit pa fytyrë e pa emër.
Dhe krimi është futur thellë në jetët tona. Bashkëjeton me ne. Ne flemë me të e gdhihemi në mëngjes duke psherëtirë nën vete se e kaluam dhe një natë. Por nuk dimë ç’do të ndodhë gjatë ditës. Sepse krimi të vret natën dhe ditën. Ai është roje. Ai nuk njeh kohë.
Dhe kjo është një jetë e jetuar nën një panik të presuar, me një frikë të patreguar. Por fundi është i njëllojtë për këdo të qëlluar.
Dhe pas kësaj mbetesh thjesht një kujtim...

Friday, May 19, 2023

Shqiptarët me qentë përkrahu e macet mbi qafë


Nga 
Leonard Veizi
 
Që qeni hyn tek kafshët besnike e të pakorruptueshme, ky është një fakt i vërtetuar katërcipërisht dhe nuk ka nevojë për eksperimente të reja. Prandaj ka lindur dhe miqësia e njeriut me qenin. Sa për macet, ato u futën në jetën e njerëzve që kur u morën për të kapur minjtë që u vërtiteshin nëpër këmbë, pasi kishin hyrë e dalë nga gjirizet dhe përhapnin murtajën. Që nga ajo kohë dhe macet nuk u hoqën më nga shtëpitë, edhe pse për to nuk është folur ndonjëherë për çështje të rëndësisë së veçantë siç është besnikëria. Tanimë kjo miqësi e njeriut me kafshët është stërholluar aq shumë në vite sa tani jemi në epokën e dashurisë së tyre. Provo e shaji qenin dikujt?! Nxjerr koburen tjetri, se i ke sha robin e shtëpisë.
Këto isha duke menduar një mëngjes, pasi në barin ku pija kafen, tre burra e dy gra rreth të njëjtës tavolinë bënin muhabet për qen e mace. Aty u informova mirë e qartë për të gjitha huqet e kafshëve shtëpiake sa me t’u hap barku. Fjala vjen: Çfarë mishi parapëlqente qeni e çfarë salsiçesh shijonte macja. Se është punë preferencash. Dhe mbi të gjitha, si i kishin zakonet e të dalit jashtë, apo të ndoturit siç mund ta quajmë me një gjuhë tjetër. Ja, aty i vihej kapaku muhabetit.
Ndodh rëndom që në pjesën e jashtme të barit, do gjesh një tufë qensh, ca me qime të gjata e ca me të shkurtra, ca të bukur e ca të shëmtuar si mos o Zot... të cilët qëndrojnë pranë të zotërve, pas grindjeve të rastit, me të lehura e tentativa përleshjesh, që ta çojnë kafen pas qafe.
Kjo nuk ka të bëjë me rastësinë. Kudo që të ulesh për kafe do gjesh të njëjtën performancë. Tanimë në çdo tre veta, njëri mban një qen përdore. Macet zakonisht qëndrojnë në shtëpi e nuk dalin shëtitje.
Dikur, në dyert e bareve dhe restoranteve shkruhej “Nuk lejohet hyrja e qenve”. Sot nuk çan kokë njeri për pusulla të tilla. Dhe qentë i ke aty, poshtë tek këmbët e tavolinës.
Në shtëpi, qentë rrinë në dhomë e macet në kuzhinë. Tualeti është i përbashkët. Por që të mos zihen për radhën e të bëhen sebep sherri edhe në pallat, është më mirë kur i nxjerr jashtë për t’u liruar. Prandaj rrugët e qyteteve tona janë plot me mbetje qensh. Se qeni e lëshon, i zoti bën sikur s’e shikon, në vend që ta mbledhë në një qese e ta hedhë në kazanin e mbeturinave që për shans i kemi në çdo shtyllë elektriku. Po kujt i thua?! E rëndësishme është që ata duhen.
Padyshim, çdo fenomen e ka një shpjegim. Edhe shtimi në masë i qenve dhe maceve të shtëpisë e ka një domethënie. Dhe ajo që kap majën e shpjegimit është fakti se shqiptarët në mungesë të marrjes vesh me njëri-tjetrit e kanë më të lehtë të merren vesh me kafshët. Tek e fundit kafsha është besnike, njeriu jo.
Në një mungesë të theksuar të bashkëjetesës në komunitet, njerëzit u afrohen kafshëve, sepse japin e marrin dashuri me ta.
“Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët” lartësohet shprehja me autor gati anonim, sepse herë i atribuohet Sokratit apo Diogjenit dhe herë Viktor Hygoit apo Mark Tuenit. Po tek e fundit çfarë rëndësie ka kush e ka thënë?! E rëndësishme është që ajo është kthyer në një sentencë hyjnore.
-Kush është aty se lëshova qenin e të bëri copa, - kërcënonte Osmani te filmi “Malet me blerim mbuluar” partizanët që i kish zënë halli, teksa piqte në hell mishin për dasmën e nipit.
-Nga qentë s’kemi frikë, - ia pat tjetri që e njihte gjuhën e qenve.
Ore, po ne ishim ata shqiptarë që ankoheshim se mezi mbushnim barkun me bukë dhe hanim pras tre herë në javë. Tani mendojmë për menunë dhe dietën e qenit e të maces.
Dashuria për kafshët është e hershme sa vetë njerëzimi.  Ndaj kemi dhe 4 tetorin, Ditën Botërore të Kafshëve, të paktën që prej  vitit 1929.
 -Ç’vishu Sami! Ç’vishu se mbete tërë ditën me qen e arinj nëpër duar!
- Kam dobësi të madhe për kafshët. Macet gjithmonë mbi kurriz i kam mbajtur megjithëse më gërricnin, – i thosh Samiu nëndrejtori Kolit që po vdiste për t’u bërë drejtor tek filmi “Ëndërr për një karrige”.
Shqiptarët sot po investojnë për medalionët e floririt me emrin e qenit në qafë: Reksi, Lordi, Çapi. Për macet, emrat janë edhe më të bukur: Pegi, Silva, Sindi... S’di si t’ia bësh, se thërret macen por një në tre vajza kthejnë kokën, se mendojnë që thirrën emrin e tyre. Po kështu vajti kjo punë. Nuk ke nga ia mban!
Tek e fundit kafshët janë relaks. Dhe e kuptoj dashurinë e njerëzve për kafshët. Por mirë ca që zgjedhin të shoqërohen nga qen të vegjël e të lezetshëm, po ca e ca të tjerë që zgjedhin të mbajnë në një apartament 1+1 ose një bulldog, ose një rotvailer nga ata që hanë kë gjejnë përpara. Imagjinoni pastaj ca të tjerë që mbajnë sipër krevatit një pastor tedesk nga ata që dikur i përdorte ushtria për të na ruajtur kufirin nga diversantët e sot i përdor policia si qen antidroge.
Hajde ç’vete hajde!
Qen dynjaja.
Vetëm se kur del në rrugë ndesh aq shumë nga ndotjet e tyre sa të vjen krupë.

Tuesday, May 16, 2023

“Fitorja e Pirros” në zgjedhje pa elektorat


Nga 
Leonard Veizi
 
Fitorja është fitore edhe kur është si ajo e Pirros. Sepse në betejën e Herakleas me ushtrinë e Romës, në vitin 280 para Krishtit, kryekomandanti Pirro humbi aq shumë nga ushtria e tij saqë tha shprehjen lapidare e cila ka mbërritur deri në ditët tona: "Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në Epir”. Dhe prej asaj kohe, - 2300 vite më parë, - ka mbetur shprehja: "Fitore si e Pirros".
E vendosur në kontekstin e zgjedhjeve në Shqipëri, krahasimi nuk merr vlerën e duhur. Sepse krahasimet gjithmonë çalojnë. Por nënkuptimet janë të qarta, gjithsesi.
Në Shqipëri zgjedhjet vazhdojnë të fitohen. Nga njëra palë sigurisht. Por me numër gjithmonë e më pak votuesish. E megjithatë, një fitues përfaqëson shumicën. Por cilën shumicë? Të asaj që e votuan. Sepse Kodi Elektoral nuk ka vendosur një kufi, i cili do të çonte në përsëritje të procesit nëse numri i votuesve do të ishte më poshtë se steka.
Shifra 37 përqind e pjesëmarrjes në votime, e bërë me dije nga kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, është një shifër domethënëse.
Përse shqiptarët nuk dolën të votojnë?
Natyrisht, çdo pyetje e ka një përgjigje. Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 elektorati që hodhi votën në kutinë e votimit ishte më i pakët se çdo herë tjetër në 30 vitet e fundit.
Analiza është e thjeshtë. Nuk është se do të të duhet kohë për t’u menduar e për të dalë në përfundime.
Mosbesim dhe zhgënjim.
Problemi është që këtë analizë duhet ta bëjnë partitë politike dhe të gjejnë mekanizmin që do t’i joshte shqiptarët drejt kutisë së votimit.
Qytetarët tanimë po i qëndrojnë më larg zgjedhjeve. Janë më pak entuziastë. Ata janë në dilemë dhe e kanë më të thjeshtë të mos dalin fare nga shtëpia ditën e zgjedhjeve, por procesin ta ndjekin nga televizori.
Prej ca kohësh, për këta njerëz është formuluar togfjalëshi: “Elektorati gri”. Padyshim, përbërësit e elektoratit gri nuk kanë të bëjnë me militantët, të cilët në kohë me diell a në kohë me shi, të shëndoshë si kokrra e mollës apo të sëmurë sa për t’u shtruar në spital, janë të paepur në mbajtjen e radhës për të hedhur votën  e tyre në shërbim të kauzës.
-Ja provinca. Do ta mposht me dy oficerë, dy kuaj dhe tetë ushtarë... ah po, dhe me ty o mbretëresha ime!
Por kjo është vetëm një batutë filmi.
Elektorati gri janë ata të pavendosurit, që herë votojnë për njërën forcë politike e herë për tjetrën, ashtu si t’u mbushet mendja, pasi kanë dëgjuar programin dhe e kanë shoshitur mirë se nga qëndron e mira e tyre apo e mira e shoqërisë në tërësi.
Por në këto zgjedhje, ashtu si dhe në ato më përpara që ishin për pushtetit legjislativ, nuk kishte program. Sepse në Shqipëri, prej ca kohësh është futur në modë praktika që zgjedhjet fitohen dhe pa program, vetëm duke i rënë defit e duke hedhur batuta që të gajasin së qeshuri.
-Rrugës u shkulëm së qeshuri me shakatë e kripura të Duçes, - u thosh gjeneral Piçioni vartësve të tij, duke kujtuar udhëtimin me kreun e fashos në karrocatën “Roma”.
Padyshim, zgjedhjet janë manifestime të rëndësishme. Dhe si të tilla duhen respektuar, sepse çdonjëri prej nesh si pjesë integrale e shoqërisë ka detyrimin moral për të hedhur një votë vetëm një herë në dy vjet: një herë për zgjedhjet kuvendore e një tjetër për drejtuesit lokalë.
Problemi këtë herë është edhe më i thellë, sepse do të ishte gjysma e së keqes nëse votuesit do të shkonin drejt kutisë edhe pse fletën me emrat e kandidatëve do ta bënin të pavlefshme. Ata kanë gjetur një rrugë më të thjeshtë. Atë të bojkotit masiv.
Në Shqipëri e drejta e votës është një e drejtë kushtetuese. Por jo detyruese. Që do të thotë se detyrimi mbetet moral. Por në demokraci, e drejtë kushtetuese është edhe të mos votosh. Sepse kjo ka të bëjë me lirinë e individit.
Fakti që një shumësi votuesish as nuk i hodhën sytë nga qendrat e votimit, lë vend për t’i vënë gishtin kokës: Pse shqiptarët nuk po na ndjekin më?
Paralelizmi që bëhej në media e rrjete sociale kishte të bënte me vënien përballë të dy elektorateve, atij shqiptar që nuk i kapërceu dot 50 përqind të votuesve dhe të atij turk, i cili në po të njëjtën ditë kishte zgjedhje, por që shifra e pjesëmarrjes në këtë vend kapi vlerën e 90 përqind të elektoratit.
Qytetarët janë mosbesues. Qytetarët janë të zhgënjyer. Fitorja me një pjesëmarrje prej 37 përqind e elektoratit është një triumf shqetësues. Është një fitore si ajo e Pirros në vitin 280 Para Erës Tonë.

Friday, May 12, 2023

“Daullet e shiut” të një fushate pasive


Nga 
Leonard Veizi
 
Kohë votimesh. Në mendjet tona end e feks reminishenca që ditë të tilla janë plot të papritura. Hungërima. Kërcënime. Kuti të mbushura dhunshëm. Edhe ndonjë rrahje komisionerësh. Zbrazja e armëve në fund është si qershia mbi tortë. Se e kemi në gjak. Duhet me i shku punëve deri në fund! Pastaj ne e zbrazim armën në dasma e ahengje, jo në konfront me kundërshtarin...?! Me një fjalë: turli ngjarjesh.
Por me sa duket nuk është më ashtu. Domethënë nuk është më ashtu në 100 përqind të kapacitetit. Është ulur volumi. Kohët e fundit fushata zgjedhore dhe vetë procesi ka ndryshuar në Shqipëri.
-More Vani, po këto kohët e fundit Sandri sikur ka ndryshuar?
-Lëre aman, o po ku më dole atje ku desha të dal... Ti do të thuash që Sandri ka ndryshuar...
Mirë po ky ndryshim do të thotë se jemi qytetëruar ca më shumë. Nuk ka mitingje me megafon ku bëhen thirrje patetike. Postera të ngjitura nëpër mure si afishet e kinemave. Dhe as ulërima kundërshtarësh që shajnë para e mbrapa kandidatët e partisë rivale. Jo se nuk ka vërtet, por ato bëhen në mënyrë të kulturuar.
Çështje perceptimi.
Sepse herë pas here qetësia prishet dhe incidente ndodhin. Ndryshe nuk ka se si.
-Aaaaa... shikoni ekzekutimin, kulturën, aftësinë. Mos pranoni asnjë ndërhyrje. Se raste të tilla edhe mund të ketë.
-Se pa një çikë ndërhyrje nuk do të rrimë... se ke frikë se ta zë vendin tjetri.  Tani nuk është mirë, por jam i detyruar.
Kjo është një kohë e mirë për zgjedhje. Edhe pse në formatin e përgjithshëm, një njollë boje të vendoset mbi gisht, ashtu si demave që u vendoset mbi vithe me hekur të nxehtë një numër matrikullimi.
Kjo do të thotë që nuk jemi qytetëruar aq sa duhet. Domethënë se një njeri që e ka hedhur një herë votën, nuk duhet të tentojë të hedhë dhe një votë të dytë për afeksionistin e tij. Prandaj masat e sigurisë vazhdojnë të mbeten në fuqi.
Rruga është e gjatë.
Po gjende mirë me kaq. Të paktën prej ca kohe nuk dëgjojmë më tim-tamet, apo “daullet e shiut”, siç shkruan Kadare tek romani “Kështjella”. Sepse ne jemi të mësuar me ritmet otomane. Me ahengje mitingjesh që simbolizojnë fitoren e afërt. Me flamuj e banderola që mbajnë stampën e partisë. Me thirrje frenetike për kandidatin të cilit përveçse i jep votën bën dhe tifozllëk me ulërima deri në ngjirje: “Partia Socialiste”, “Partia Demokratike”. “Rroftë Partia e Pu...”
Lëre aman!
Fundja, të dyja nga i njëjti bark kanë dalë. Thjeshtë kanë ndarë elektoratin. Ca mendojnë se Partia Socialiste është inerci e Partisë Komuniste e nuk i ndahen “pazarit të parë”. Të tjerëve u është bërë fiksim që Partia Demokratike është forcë e djathtë, edhe pse ka program të majtë.
Çështje perceptimi.
Ca vite më parë, mund të rriheshe e të vriteshe për punë partie. Edhe muhabeti i tavolinës rreth partive politike vërtitej. Nuk kish më muhabet sporti. Sot është më vështirë të gjesh bedelë që bëjnë tifozllëk pa para. Të paktën në këtë pikë shqiptarët janë ndërgjegjësuar. Bëjnë tifozllëk, por kundrejt pagesës.
-O tate, paske ardh tina? Më jep pesë franga!
-Hik ore dreq me gjithë pesë fronga. Si i lyp ore, si me qenë ndonjë copë bukë thatë.
Atmosfera e zgjedhjeve nuk është se po ndihet rëndshëm. Për të mos thënë që gjithçka ka të bëjë me zgjedhjet është në një miniaturë. Vetëm nëpër ekrane dalin kandidatët e qyteteve të mëdha që shpalosin programet e vogla.
Tek e fundit, kaq këllqe kemi: ujë, drita, e ndonjë rrugë fshati.
Vite më parë, fushata elektorale ishte fort e elektrizuar. Pas liderëve partiakë vraponin dhjetëra gazetarë. Kamera gjithashtu. Sot ka regji qëndrore. Nuk lodhesh fare. Ti as nuk e merr vesh se çfarë ndodh realisht në terren, por situata është e qetë gjithsesi..., dhe shumë rozë. Edhe nëse jepen para për blerje votash ato jepen nën dorë, dhe askush nuk bën zë.
-Një kavalier shijon dhe hesht, - shkruan Kadare tek roman Dimri i Vetmisë së Madhe. - Një qen gjithashtu.
Epo e paskam kapur me Kadarenë sot.
Çështje perceptimi, sigurisht.
 


Wednesday, May 10, 2023

Në kalanë e Beratit, me kisha, xhami dhe 24 kulla

Shënime udhëtimi




Nga Leonard Veizi
 

Berati është një atraksion i mrekullueshëm turistik. Ndoshta sepse bashkohet elementi natyral me atë historik. Ndoshta them, sepse për shumë të tjerë vlen më shumë arti i kulinarisë. Por të marrësh rrugën për në Berat, se të ka shkuar mendja të hash tre a katër pjata, bashkë me ëmbëlsirën në fund, hyn te mundimet e kota. Sepse mund të kënaqesh duke pirë vetëm një kafe dhe duke u njohur me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.
Nëse nisesh nga Tirana me destinacion përfundimtar Beratin ka dy rrugë: E para nga autostrada e Durrësit 131 kilometra që përshkohet për pak më shumë se dy orë.
E dyta nga Autostrada e Elbasanit 97 kilometra që bëhet për 1.40 minuta. Natyrisht versioni i dytë është më i dobishëm...
 
...Kalaja e Beratit çdo ditë ka vizitorë të panumërt, sepse ajo është një nga monumentet më të mëdha, më të bukur dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare. Por në fundjavë turistët bëhen më të shumtë. Rruga që të çon deri në hyrje është e asfaltuar. Vetëm disa vite më parë ajo ishte një rrugë krejtësisht e amortizuar dhe vështirësia më e madhe ishte e autobusëve me turistë që mezi merrnin kthesat. Databaza të tregon se gjatë vitit 2022 Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, prej rreth 400 mijë vizitorësh, 80 përqind e të cilëve ishin të huaj. Sepse vitet e fundit kalaja është bërë lehtësisht e aksesueshme.
Tek parkingu në hyrje të kalasë, vende ka sa të duash, por vend gjen me vështirësi. Por gjithsesi rregullohesh.
 

Historia
Po çfarë thotë Fjalori Enciklopedik, që është dhe zëri zyrtar i Akademisë së Shkencave?
Mendohet se në lashtësi Berati i sotëm është quajtur“Antipatrea” dhe përmendet që prej vitit 216 para erës sonë, kur e mori Skerdilajdi gjatë luftërave maqedono-romake. Nga romakët u quajt edhe “Albanorum oppidium” apo e ardhur në shqip si: Fortesa e Arbërve. Fillimisht, kalaja ishte një vendbanim protourban. Si një pikë strategjike e rëndësishme, ajo u shndërrua në qytet-kështjellë me një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik.
Në shekullin IX u pushtua nga bullgarët kur ishte epiqendër e luftës kundër bizantinëve dhe u quajt Beligrad (qyteti i Bardhë), emër nga i cili vjen trajta e sotme shqipe Berat. Bullgarët e mbajtën qytetin deri në shekullin XI. Mbeti përsëri qendër me rëndësi në periudhën e Anzhuinëve. Mihail Komneni e zgjeroi dhe bëri rindërtime në vitin 1205.
Pushtuesit serbe hynë në qytet në vitin 1345. Zgjerimin më të madh e pati gjatë kohës së principatave të Arbrit, që ishte dhe qendër e Muzakajve. Lulëzoi zejtaria e sidomos punimi i mëndafshit. U ndërtuan brenda në kala disa kisha me afreske të çmuara dhe pati një shkollë pikture e të bukurshkrimit, që vijoi me pas si traditë.
Me zmadhimin e qytetit përtej mureve të kalasë, rrëzë kësaj lindi lagjja Mangalem. Më pas qytetin e kanë zotëruar Balshajt. Osmanët e pushtuan në vitin 1417. Por Muzakajt e rimorën në periudhën e Skënderbeut.
Ndërtimi i Kalasë u përket periudhave të ndryshme që nisin qysh nga shekulli IV para Krishtit dhe përfundojnë gjatë viteve 1813-1821, kohë e sundimit të Ali Pashë Tepelenës.
 

Kalaja
Për t’u njohur më shumë me Kalanë e Beratit i referohemi dokumentacionit:
Gërmimet arkeologjike janë bërë më 1973-1975 dhe 1978.
Kalaja e Beratit, me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi, është ngritur në një kodër 187 metra të lartë, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij. Muret kanë një perimetër prej 1400 metrash, brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620 metra ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 m.
Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla.
Brenda kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive (Xhamia e Kuqe dhe Ak Mesxhid), sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur Fusha e Madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bahçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala.
Kalaja ka gjithashtu katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ajo e anës juglindore. Pasi kalon në të futesh në një oborr të fortifikuar, ku përpara të del një portë e dytë pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku, ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të vitit 1204. I ndërtuar ashtu si i gjithë kompleksi mbrojtës nga Despoti i Epirit Mihail I. Porta me monogramin në formë kryqi me inicialet M.K. edhe sot ruan po këtë emër “Porta e Mihail Komnenit”.
Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.
Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qenë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin. 
 

Muzeu
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga ikonografët si: Onufri, Nikolla, i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini). Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX.
Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin 1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Në një arkë të drunjtë pranë ikonostasit konservohen eshtrat e dy Shenjtorëve Gorazdi dhe Angjellari. Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek IX pas Krishtit. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e Unesco-s.
 
Ura

Në vendin e quajtur Ballkon, dallohet qartazi e gjithë struktura e qytetit të Beratit. Një teleskop u ofron vizitorëve pamjet me atraksion të qytetit. Ajo që bie në sy është ura mesjetare, ku regjisori Viktor Gjika ka regjistruar disa nga episodet e filmit epope “Gjeneral Gramafoni”.
-Po i ndez o Veiz?
-A po i ndez o, po i ndez...
Ura e Goricës është një nga urat e gurit më të mëdha në trevat shqiptare, njëkohësisht njëra prej urave më të vjetra të vendit. U ndërtua në shekullin XVIII dhe është e ngritur mbi lumin Osum, në qendër të Beratit. Konsiderohet prej urave më të bukura të periudhës së Perandorisë Osmane ku vlerësohet veçanërisht për vlerat e veçanta arkitektonike. Gjatësia e urës është 127 metra dhe gjerësia 5 metra. Ka tetë këmbëza të ngulura thellë në ujë si dhe dy këmbëza të forta anësore në brigjet e lumit Osum. Ura lidh qendrën e qytetit me lagjen Goricë. Kurse në mesjetë, ajo ka pasur funksion më të madh, pasi lidhte Beratin me Janinën dhe Gjirokastrën me Vlorën.
 

Kisha
Kisha e Shën Triadhës ka afreske mjaft interesante. Ajo është një nga më të vjetrat në qytetin e Beratit. Pavarësisht terrenit të pjerrët ku ajo ndodhet, kisha hedh një vështrim panoramik mbi Goricë dhe një pjese të qytetit. Kisha është një nga më të vizituarat në zonën muzeale të Kalasë dhe konsiderohet nga më cilësoret e 28 kishave që ka patur gjithë zona e Mangalemit në qytetin e Beratit. Ndërtimi i kishës daton rreth fundit të shekullit të XIII ose në fillim të shekullit XIV. Ajo është një nga modelet më interesante në strukturën e ndërtimit ku gërshetohen tjegulla të modelit bizantin me radhë të forta guri, si mbajtëse të pjesës së poshtme të ndërtesës. Kjo teknikë duket se ka qenë vendimtare për të mbrojtur objektin nga dëmtimet. Afresket murale në faqet e brendshme janë të dëmtuara për shkak të vjetërsisë. Megjithatë gjurmët e temave biblike që tregojnë dishepujt e Krishtit, elementë të “Darkës së Fundit” apo ditët dhe ritualet që i paraprijnë Pashkëve duken ende mbi muret e kishës. Kohët e fundit po bëhen përpjekje për të rikuperuar pjesët më të dukshme të afreskeve të brendshëm.
Pas kishës së Shën Todrit gjenden dhe kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.
 

Qyteti
Është quajtur ndryshe dhe si qyteti i “një mbi një dritareve”. Ka një popullsi prej të paktën 60 mijë banorësh, nëse i referohesh censusit të vitit 2011.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në vitin 2008 ka marrë në Listën e Trashëgimisë Botërore qytetin e Beratit, i cilin në vitin 1961 ishte shpallur "Qytet Muze".
 
Turistët

Vetëm gjatë një dite të vetme në rrugicat e kalasë së Beratit mund të dëgjoje të flitej në gjuhën gjermane, italiane, franceze, polake. Por kishte dhe turistë brazilianë. Dhe nuk mund të mungonin aziatikët. Me aparate në duar, të gjithë bëjnë fotografi, dhe padyshim ulen të pushojnë dhe të drekojnë në një nga restorantet me gatime tradicionale. Pamjet janë vërtet mahnitëse. Përballë Kalasë është Mali i Tomorit. Poshtë Kalasë qyteti dhe lumi i Osumit. Brenda Kalasë koka prej guri e Konstandinit të Madh.
Dhe pasi ke bërë të gjithë itinerarin, ke blerë dhe ndonjë suvenir... vjen ikja.


Saturday, May 6, 2023

Nga Ian Gilan te Luizi, 450 euro në mes


Nga Leonard Veizi
 
Në fillim të vitin 2007, u dha lajmi që në Tiranë do të zbarkonte më i famshmi britanik grup i Hard-Rockut, “Deep Purple”, me në krye solistin e jashtëzakonshëm Ian Gilan. Padyshim “Deep Purple” nuk ishte në ditët e tij më të mira. Kitaristi i jashtëzakonshëm Riçi Blakmor nuk ishte pjesë e grupit dhe as tastjeristi me famë Xhon Lord. Për më tepër Ian Gilan ishte 62 vjeç. Kam qenë dhe vazhdoj të jem idhtar i këtij kompleksi muzikor, aq sa shumë më herët se kaq mendoja se po të vinte ky grup hard-rroku në Tiranë, do të blija një biletë me çdo çmim, mjaft që ta ndiqja drejtpërdrejt.
Grupi mbërriti në Tiranë. Isha i bindur se grupi në fjalë, i prenotuar në arena të përbotshme, do të kishte një biletë me një kosto të madhe, për më tepër që koncerti jepej në një sallë të mbyllur si ai i Pallatit të Kongreseve kapaciteti i të cilit është 2200 vende. Por çuditërisht sigurova një biletë prej 4 mijë lekësh të reja, që asokohe kapte vlerën e 25 eurove. Le të themi se sot, për shkak të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve, kjo biletë ngrihet në dyfishin e saj; 50 euro. Pra me 50 euro arrita të shihja një koncert fantastik, në një performancë elektrizuese prej dy orësh, të një grupi legjendë.
Kjo ka të bëjë me të kaluarën e 16 viteve më parë.
Rrodhën ujërat, çmimet e biletave ndryshuan. Mirëpo çuditë nuk kanë të sosur.
Tanimë po qarkullon rëndshëm lajmi se për të parë premierën e “Big Brother” çmimi fillon me 500 euro, eeeee... kush e di ku e ka fundin.
Ta marrsha të keqen ta marrsha.
Demek, 50 euro me pa Ian Gilan e Ian Peis dhe 500 Euro për të parë Luizin dhe Krisin.
A ia vlen të paguash kaq shumë para?
Pyetja mund të marrë vlerën e një milion dollarëve për të marrë një përgjigje të saktë. Por në fakt përgjigja është badiava fare.
Në marsin e vitit 2007 shqiptarët nuk kishin kaq shumë para nëpër duar. Megjithatë 25 euro ishte fare pak për të parë një legjendë. Sot shqiptarët kanë shumë herë më tepër, e në përpjesëtim dhe u duhet të paguajnë më shumë. Për më tepër kur bëhet fjalë për të parë idhujt e tyre.
Çdo kohë nxjerr idhujt e vet. Çdo njeri ka idhujt e tij.
Sot Luizi është kthyer jo më një fenomen, por në një ikonë. 133 ditët e ngujimit e kthyen atë në xhevahir. Vendi ku ai ka fjetur tanimë do të kthehet në tyrbe. Vend i mirë. Shqiptarët do shkojnë të ndezin qirinj. Do hedhin dhe monedha, sipas zakonit. Do luten e do falen.
Sepse kështu nis epopeja e përjetësisë.
Luizi është kthyer në fenomen. Ai i ka bërë të gjithë bërë vete. Njerëzit kanë shpenzuar duke dërguar me dhjetëra herë sms me emrin e tij për ta mbajtur si lojtar në shtëpi. Por xhepat nuk u janë zbrazur. Tani pritet të japin goditjen e fundit, 500 euro për një natë spektakli.
Aferim u qoftë!
Sepse është premtuar se kjo natë do të jetë magjike. Do të ketë surpriza. Ndoshta dhe fishekzjarre.
Pastaj, kur i ke 500 euro pse të mos i shpenzosh.
 
Harxhoje paren, mos kurse/ Nuk vlen një kursimtar
Kërce, këndo edhe dëfre/ Se gjo nuk merr në varr.
 
Me të drejtë në fakt. Se të gjithë e kena prenotu nga një biletë edhe për atje: jo vajtje-ardhje.
Por bileta nuk ka vetëm spektakli i Big-ut. Të shkosh sot e të shohësh një shfaqje teatri, biletën e pret me 3, 5 ose maksimumi 7 euro. Dhe kur çmimi shkon 7 euro, ngrihet sherri. Mirë që u rrit çmimi i bukës po u rrit dhe çmimi i teatrit. Ushqimi shpirtëror. Kësaj i duhet thënë: ndal! Kjo është ngritje e paarsyeshme e çmimeve dhe duhet të reagojë ministria e linjës dhe vetë Këshilli i Ministrave. Po ky është abuzim, tek e fundit.
Po, po... sherri ngrihet për një dymijëlekoshe. Prandaj salla e teatrit nuk mbushet asnjëherë plot. Se çmimi është i shtrenjtë e njerëzit mezi ia dalin.
Se si më duket e gjitha kjo. Mos vallë jemi në ëndërr?
 
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?
 
Të paktën unë e ndjej veten të qetë. Se e ndoqa performancën mahnitëse të legjendës “Deep Purple”, që ishte dhe idhulli i rinisë së viteve ‘70-‘80, vetëm me 50 euro. Tani, të më shkrepet në kokë e të dua të shoh Efin e Dea Mishelin, më duhet të shtrëngoj mirë rripat, ose të paktën më duhet të marr një overdraft, se ndryshe nuk ia dal dot.
Megjithatë ka dhe një zgjidhje më optimale: ta shoh qetësisht nga televizori, duke ngrënë kokoshka ose fara e duke e komentuar me gruan:
-Kush do ta fitojë Big Bradhërin moj se po pëllcas?
Nga ekrani do dëgjohet sinjali i njohur:
Bamb.... bimb.... bumb...

Wednesday, May 3, 2023

Roland Trebicka, mjeshtri i rrallë i komedisë në skenën e teatrit dramatik


Nga  Leonard Veizi
 
Në biletarinë e Teatrit Popullor artdashësit që shtypeshin në radhë pyesnin nëse do të ishte ai në trupën e aktorëve që ngjisnin në skenë komedinë e radhës. Sepse pavarësisht cilësisë së aktorëve, dhe trupave që dublonin njëra-tjetrën për të njëjtën shfaqje, ai kishte një vend të veçantë. Dhe rolet e luajtura prej tij tërhiqnin më shumë spektatorë.
Ai ishte i rrallë në skenë, një aktor mjaft popullor, sharmant e plot elegancë dhe lëshues batutash të papërballueshme. Dhe jo vetëm në skenë, por dhe në sheshin e xhirimit ku xhirohej me film 35 milimetërsh.
-Baxhanaku më tha se kandidatura kryesore për drejtor jeni ju. Ai më tha se dhe shoku Sali vetëm për ju kishte folur. Kështu më tha baxhanaku.
Do të shkëlqente si Vaska tek filmi “Ëndërr për një karrige” pasi kishte luajtur më parë Nestin tek filmi “Koncert në vitin 36”.
-Neni 503, 505, 506, ju i dini apo i keni harruar?! Kodi Penal. I thoni tellallit t’jua kujtojë.
Në skenën tragjikomike, emri i tij zë një vend të veçantë. U kanalizua më së shumti në personazhet me sens humori, por ai dinte të luante në mënyrë të shkëlqyer edhe një rol dramatik deri në tragjedi.
-Karonti jam, fol. Fol më fort se s‘të marr vesh. Ashtu...! E kush kështu...? E mirë s’ka problem. S’ka problem se paret i kish paguar. Mbuloje me gjethe dhe plase aty...
Dhe ky ishte roli i një skafisti tek drama “Gomonia” e Mihal Luarasit e regji të Gëzim Kames. Por po aq dramatik ishte dhe në rolin e Petros tek drama “Dadot” të autorit Jorgos Kurti.
-Pavllo, Pavllo mblidh mendjen. Ato që kemi dashuruar kanë qenë të gjalla, kanë qenë të lëvizshme, kanë qenë me naze, lozonjare. Ato vetëm pak t’i prekje dhe të rrëqethej mishi. Ndërsa këtë gërdallën e këtij, pak ta shohësh e të ngrihen qimet përpjetë.
E filloi karrierën e tij artistike në 1961me rolin e Kostës, tek filmi “Debatik”. Por vetëm në vitin 1971 do të bëhej pjesë e Teatrit Kombëtar.
Në vitin 1979 regjisori Rikard Ljarja do t’i jepte një rol tek filmi “Radiostacioni”. Në pelikulë ai është i fiksuar me fytyrën e frikësuar të një punonjësi të Radio Tiranës, i cili në ditët e para të çlirimit të kryeqytetit, teksa një partizan i patrullës i vinte prangat në duar, arrinte t’u thoshte:
-Jo, jo. Unë nuk u shërbej komunistëve.
Ndonëse në kinema ka lënë shumë pak role, Roland Trebicka u shqua më së shumti në skenën e teatrit.
Shumëkush e cilëson kulmin e suksesit në rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176.
-Kësaj i thotë t’ia japësh vetes: bam...
Mund të jetë edhe kështu. Por në fakt nuk është ashtu. Megjithëse një rol i spikatur e me shumë humor, si “xhaxhi Vani”, Roland Trebicka pati një rol tjetër shumë më të arritur, ku ai është nën lëkurën e xha Spirakes, apo Spiridon Gaqe Neçuleskut, tek komedia e njohur e autorit rumun Tudor Mushatesku “Valsi i Titanikut”.
-Edhe ju të tjerët faleni Spiraken që nuk donte të zgjidhej deputet, por siç e shikoni është një zanat që nuk më shkon për shtat.
Por shumë më herët ai ka dhe rolin e Lonit tek komedia “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës. Dhe vite më vonë kur kjo komedi rierdhi në skenë, Roland Trebicka do të ishte Nikollaq Opingari që i thosh të shoqes:
-Jeta është aritmetikë Olimbi. Posi.
Por shumë pak mund ta mbajnë mend për interpretimet e tij të shkëlqyera si sër Endriu Egyç në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, ngjitur në skenë në vitin 1982, dhe në rolin e Janit tek drama “Përballë vetes” e Ruzhdi Pulahës, interpretuar në vitin 1984.
Padyshim, një rol fort simpatik i interpretuar mjaft mirë prej tij ka qenë dhe avokati amerikan, zotin Piterson, që në fakt ishte Petro mavria nga Shqipëria, por që për shkak të famës si avokat i talentuar i vinin propozime nga më të çuditshmet për martesë.
-Xhejms dëgjo se ç’thotë: “Jam e bukur si Helena e Menellaut. Të gjithë më adhurojnë, po unë pa përfillur kandidatët e tjerë për të lidhur fatin tim me juve pranoj vlim dhe martesë të menjëhershme. Kostanca”. U mos më arrifsh moj Kostaqe... e që më qenke e bukur si Lenka e Nellës.
E do të vinin dhe rolet e tjera më pas, si ai i shërbëtorit Dranio tek “Zbutja e Kryeneçes”.
-Më profondo baba.
Një rol fantastik është i i taksistit Vënson tek komedia “Të Gjithë me Huqe”.
-Në fillim më shan nënën putanë ti dhe pastaj pa pikë turpi më kërkon ndjesë. Xhaxhi,,, s’ke parë ndonjë hundëlesh ti. Të ta jap ndonjë turinjve të të lëshojnë sytë xixa.
Dhe nëse do të kishte një rol pa kategori, ai padyshim është Lipi tek “8 persona plus” një personazh banal që vetëm një aktor si ai mund ta ngrinte në art, aq sa sot të cilësohet si i suksesshëm.
-Neve jemi, lideri i familjes...
Padyshim, me kaq nuk mund të cekësh të gjitha rolet e një aktori të madh, por gjithsesi me një kolazh të cunguar i bëhet një homazh sipërfaqësor veprës së tij të thellë.
Roland Trebicka u lind në 17 janar në vitin 1947 në Korçë. Dhe u nda nga jeta ne moshën 66-vjeçare  pas një sëmundjeje të rëndë më 6 mars 2013. Për kontributin e tij në skenë, Trebicka është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe Korça i akordoi titullin “Nder i qytetit”.

Monday, May 1, 2023

Qyfyret gajasëse të fushatës


Nga Leonard Veizi
 
Çfarë po ndodh me fushatën?
Ka ndezur motorra, ka futur marshet e po shkon drejt finishit. Por ndryshe nga automobilistët që marrin ndonjë medalje në qafë, fushata e sotme nesër të jep pushtetin.
Megjithatë, fushata nuk është se po sjell asnjë gjë të re. Djemtë e lodhur të politikës po sillen vërdallë si “kali në lëmë”.
Opozita e caraflitur nuk ka një program bazë. Pozita në pushtet nuk ka çfarë të japë më, plus që për program u mjafton ai i vjetri që vazhdon zbatohet “hap pas hapi”.
Populli nëpër salla të mbyllura e mitingje të hapura brohoret kot, e akoma më kot qesh. U bë ca kohë që fushatat elektorale janë kthyer në shkëmbim batutash.
Një pjesë e militantëve që dalin vrullshëm të dëgjojnë ç’do u thotë lideri janë pensionistë, ata që mbeten janë punonjës të administratës. Askujt prej tyre nuk i intereson të lëvizë krahu i pushtetit. Atyre që u leverdis janë të papunët. Por edhe ata janë vënë në radhë për t’u larguar nga vendi. Me shumë gjasa, pushteti do të mbajë përsëri nga selia ngjyrë vjollcë kobalt. Dhe punët do të ecin në të njëjtin shtrat ku janë futur prej kohësh. Asgjë nuk ndryshon.
Por fushata ka dhe qyfyre sa të gajasesh e të mbash barkun me dorë.
 
Qyfyri 1
Kot nuk thonë: “Miku i mirë në ditë të keqe”. Kështu po ndodh edhe me doktorin që promovon piktorin. Një emision televiziv, si ai “Fiks Fare” hodhi në treg një montazh ku Berisha në disa nga rrethet e Shqipërisë ka përmendur aq shumë Edi Ramën, si të ishte kryetari i shtabit të tij elektoral. Duke thënë vazhdimisht Rama, Rama, Rama, Rama... ka rrezik dhe kur të shkojë në kutinë e votimit votën ta hedhë për Ramën. Dhe kjo situatë të kujton Kadarenë që shkruan tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”:
-Prift, o prift jam unë/ Erdha të pajtohemi. Jam dakord ta zëvendësojmë kolonelin. Kam sjellë listat. Këtu ka plot ushtarë 1.82 të gjatë. Prift a më dëgjon? Ky është 1.82 i gjatë, ja dhe dy të tjerë 1.82... Një tjetër 1.82..., 1.82..., 1.82... Të gjithë janë 1.82. Prift. Ah... më duket se dhe unë jam 1.82.
 
Qyfyri 2
Kandidatët për kryetar bashkish vazhdojnë avazin e vjetër të premtimeve: ujë, drita e rrugë. Që nga Lufta e Parë Botërore kur austro-hungarezët e më pas italianët nisën të ndërtonin rrugë me asfalt në një vend që kishte vetëm rrugë qerresh, u bënë më shumë se 100 vjet që në Shqipëri vetëm premtohen rrugë. Ndërtohen rrugë. Dhe rrugët nuk mbarojnë asnjëherë. Një pëllëmbë vend. Imagjino të kishim territorin e Shteteve të Bashkuara, apo të Kanadasë...
Me dritat e kemi rregulluar ca punën, por sa i përket ujit... Edhe pse një vend që noton mbi ujëra, sërish, më shumë se sa tubit të Bashkisë, njerëzit u besojnë depozitave sipër tarracës. Ta kemi një kanoçe ujë për një ditë të zezë, se s’i dihet.
 
Qyfyri 3
Nga ana e tij Rama duket i qetë në llogore. Kërcen me gratë ku në sfond dëgjohen tingujt e një tallavaje që e quan si produkt të vetin. Ca kohë më parë i binte defit. Populizëm praktik.
Berisha ka si kolonë zanore të fushatës, një këngë metali. Ec aty doktor. Por nderi ia do të rrijë në logun e burrave se nuk është nga ata që kërcen me femrat.
Meta ndjek Berishën.
Nga Alibeaj, heshtje zgjedhore.
Në fund të fundit, duhet të kënaqemi me pak. Se kjo fushatë është disi më e mirë se ajo e katër viteve më parë kur opozita nuk u fut fare në zgjedhje dhe Rama mori Bashki sa deshi..., “nën sqetull”.
 
Qyfyri 4
Bordi uli çmimin e naftës.
Ka shkuar puna që për Bordin është adoptuar shprehja: “Ç’të bën Bordi s’ta bën as perëndia”. Çmimi i naftës vajti 260 lekë litrin dhe asnjë shqiptar nuk e mbylli makinën, përkundrazi, për solidaritet dolën të gjithë të bënin xhiro me makinë. Imagjino tani që bordi e çoi çmimin në 177 lekë litri. Tani do bëhen si centrifugë..., do vijnë vërdallë Unazës së Madhe.
Motive fushate, gjithsesi.
Në rrjete qarkullon një lajm për punë shoferësh, që demek do kenë lehtësira me patentat e me pagesat e gjobave, ku zbritja do të jetë deri në 50 përqind, nëse paraqiten në sportel jo brenda 5 ditëve por brenda 15 ditëve. Puna është ta marrësh me nge, se që do t’i paguash ajo dihet. Por dhe të të falin gjysmat nuk është pa gjë. Më mirë nuk ka ku shkon.
Se mos harron të votosh ore...?
 
Qyfyri 5
Rama thotë se nuk do bashkëpunojë me njësitë që do fitohen nga opozita. Me demek qendra do bëjë hasha anësorët. Armiqtë e klasës... Enveri të çonte në internim. Edi u pret investimet.
-Punë do t’u japim, por jo sipas oreksit!
Bllokadë. Shkoni ta blini grurin në Francë, po deshët!
 
Qyfyri 6
Belind Këlliçi bën publik në bollborderat që administrohen nga Bashkia, një poster ku ka ngritur dy gishtat e mesit përpjetë. Bo, bo... Sharje me libër shtëpie, për të gjithë. Masakrohet nëpër rrjete sociale.
-U bone ti,...
Detyrohet të ndërrojë posterin.
-Hë mo se s’tha ndonjë gjë të madhe!
 
***
Fushata vazhdon. Kush e di sa qyfyre të tjera do të prodhojë deri në fund. Veç të kesh kohë t’i ndjekësh e të gajasesh sa të mbash barkun me dorë.