Friday, September 25, 2020

Flutura Açka dhe “Biri”, një libër për të gjallët


Nga Leonard Veizi


Përtej asaj që është e mundshme, në krejt pamundësinë e saj, me një sforco gërryese, ethëse, të brishtë dhe shpërbërëse hera-herës, ajo arriti të ngrihej me plagën e pambyllur. Mori pak letër..., dhe mori një penë. E nisi të shkruajë...

“Nuk është e lehtë për prindin ta lyejë bojën me të zezë...” kishte shënuar më parë se kaq, në faqen e ftohtë të ekranit, teksa në një çast përhumbjeje, në mosbesimin e vazhdueshëm për të mos pranuar fatin deri në skajin më ekstrem, vendosi t’u japë miqve lajmin e trishtueshëm, se djali i saj i vetëm, në një pamundësi jete shkoi përtej, atje ku askush nga të gjallët nuk e di, në është ferri i frikshëm dhe djalli ndëshkues, apo parajsa e pretenduar, shtruar me bardhësinë hyjnore.

Tashmë, e gjithë jeta e saj është e lexueshme, faqe pas faqesh, në një libër me titullin aq të shkurtër, por të gjithëkuptimtë: “Biri”.

Ngushëlluese dhe po aq njerëzore. Sepse është një libër i shkruar për më të dashurin, pjesë e trupit dhe e gjakut; pra vetvetja. E, pa dyshim, është dhe një ngarkesë emocionale, e cila nis të shkarkohet për të të krijuar një lehtësim të përkohshëm, të çuditshëm e, hera-herës, indiferent. Kjo është jeta, dhe ne nuk kemi në dorë asgjë, edhe pse luftojmë aq fort për të qenë mbi dhe, pjesë e një cikli sa të bukur, aq edhe absurd.

Mendimet vijnë e ikin, hidhen mbi letrën e bardhë e bëhen të palexueshme nga lotët që rrëshqasin pa dashur. Dhe të duhet gjithçka ta rishkruash, vetëm se këtë herë në një tjetër mënyrë rreth të njëjtit bosht. 

Prandaj vjen një çast kur gjithçka kërkon ta ndash me të tjerët, miq e shokë, por dhe të panjohur gjithashtu. Sepse duhet që historia jote të depërtojë, për të dhënë një mesazh universal.

Në 6 maj 2018 në postimin e saj informues Flutura Açka do të shkruante: “Miq. Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri ynë i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për prindin ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranojë humbjen e qenies më të dashur që patëm, dhe kemi, mbi këtë dhe. Me drojën se nuk do të mësohemi kurrë me mungesën e tij, urojmë të dëgjojmë vetëm lajme të mira prej jush... Flutura & Richard”.

Më shumë se dy vite pas këtij çasti, ajo ndan një tjetër emocion: botimin e një libri, me jetën e tij e të sajën bashkë. “Ky është libri im, që nuk kam pasur as dëshirë as nevojë ta shkruaj, por fati më shtyu”, – shprehet shkrimtarja, e cila shton gjithashtu se ndihet më e qetë, pas mjegullës ku i është dashur të ecë me plot tension psikik. Sepse, në fund të fundit, dhe gjithmonë bëhet fjalë për një bir, fizikisht të munguar, por që me forcën e fjalës së shkruar do ta mbash në shtrat a poshtë nënkresës për ta lexuar në një vazhdimësi marramendase e torturuese.

 




Nga "Biri" (fragment)

"...Shpesh unë mbyll sytë dhe e përfytyroj tim bir në ceremoninë e diplomimit, tek zë thinja, tek ngre fëmijën e tij në krahë, tek më kujton pas ikjes sime të mbrame, siç e pandeh Oriana Fallaci te “Letra...” e saj magjike fëminë e saj të palindur që rritet dhe i vjen deri te supi, që e zë për dore për të ngjitur shkallët....

Ç’ishte kjo botë kaq e madhe që donte ta përfshinte në trupin e tij të brishtë e të kufizuar njerëzor?! Ishte joshja e dinamikës së jetës së shkurtër?

Që të jem e ftohtë në këtë rrëfim timin, shpesh e “vras” nënën dhe ia lë me bujari shkrimtares radhën që të tregojë dhe ashtu do të doja të gjykohej edhe ky libër, si një rrëfim ku shpesh nëna dhe shkrimtarja kanë bërë hara-kiri për të sjellë një histori përtej personales, dhe që pavarësisht qenieve reale që e popullojnë jetën që përshkruhet në të, mund të lexohet edhe si një histori njerëzore të panjohurish, jetë njerëzish të zakonshëm, substancë nga rrjedh vetë letërsia. Emrat e përveçëm në këtë histori, ndonjëherë janë vetëm konvencione për t’iu afruar më lehtë së vërtetës njerëzore dhe blatimit hyjnor..."



Inteligjenca artificiale, si do t’i marrë në dorë frenat e botës

 

Nga Leonard Veizi
 
Kush e ka parë filmin “Odise hapësinore”, një produksion hollivudian i vitit 1968, do të kujtojë se në bordin e anijes kozmike “Discovery One”, që udhëtonte drejt Jupiterit, veç dy astronautëve, një kompjuter shumë inteligjent i quajtur “Hal 9000”, me një personalitet njerëzor, ishte ai që informonte mbi gjithçka ndodhte me pajisjet elektronike të anijes dhe parashikonte rreziqet që eliminoheshin në kohën e duhur. Me këtë dua të them se me anë të kinemasë është lançuar, të paktën, 50 vite më parë se bota duhet përgatitur për një revolucion tjetër, ai që ka të bëjë me inteligjencën artificiale. Por vetë filmi, i regjisorit të madh Stenli Kubrik, paralajmëroi se edhe një kompjuteri inteligjent dhe të pagabueshëm, si “Hal 9000”, nuk i duhet zënë besë. Sepse në një çast të caktuar ai nuk ishte më një robot në dobi të njeriut, por një mekanizëm i cili u kthye në vrasës të tij. Pra, mekanizmi doli jashtë programimit dhe personaliteti i tij njerëzor bëri që ai të vepronte si i pavarur.
A mund të ndodhë kjo, përveç se në film?
Nëse do t’i besojmë asaj çfarë ka thënë profesori i njohur britanik, Stefën Hauking, duhet të risjellim në vëmendje një intervistë të tij për BBC-në, ku u shpreh se zhvillimi i makinerive inteligjente të pavarura dhe në gjendje të mendojnë vetë, mund të rezultojë me fundin e njerëzimit. Shkencëtari i famshëm, i cili për një kohë të gjatë vuajti nga një sëmundje që i kishte prekur neuronet, u trembej pasojave të ndërtimit të një inteligjence të tillë artificiale të krahasueshme me atë njerëzore.
Po pse mora guximin për të shkruar mbi këtë temë?
Gjithçka nisi teksa lexoja një shkrim të Alex Rodriguez-it, të botuar në gazetën prestigjioze spanjolle “LaVanguardia” ku flitej për inteligjencën artificiale dhe mundësinë e zotërimit të saj, gjë e cila pa dyshim ka sjellë një tjetër garë të re mes superfuqive, po aq sa dhe më parë, kur “Sputnik”-u përfundoi misionin e tij hapësinor.
Me siguri, inteligjenca artificiale do të sjellë zhvillime të papritura dhe do të vendosë ekuilibra të rinj në botën tonë të brishtë.
Fill pas këtij definicioni, aspak të panjohur, i hodha një sy “Artificial Intelligence”, një filmi hollivudian, por këtë herë i prodhuar në vitin 2001, nga regjisori po aq i madh, Steven Spielberg, ku një ndër rolet kryesore e luan i mirënjohuri Xhud Lo. Edhe në këtë rast, filmi jep mesazhin se inteligjenca artificiale, e cila do të përsoset aq shumë sa nuk do të dallohet më nga një njeri prej mishi e gjaku, do t’i kundërvihet prodhuesit të tij, për të bërë një jetë të re e të pavarur. Dhe në këtë përplasje, njeriut do t’i duhet ta luftojë fort krijesën e tij me qëllim mbijetesën.
A janë këto thjesht truke kinematografike, apo mesazhe që duhen marrë në konsideratë?
Jo vetëm këta dy filma që përmenda më sipër, por dhe disa materiale të tjera të sugjeruara përmes platformës Google, më dhanë një mundësi më të madhe për të qartësuar idenë se ku do të shkojë Toka, duke pasur nën kontroll “inteligjencën artificiale”.

Pa dyshim, ajo që po çudit botën në mijëvjeçarin e ri dhe që do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe më thellësisht, është inteligjenca artificiale.
Një robot mund të bëhet i rrezikshëm për jetën tokësore. Sipas të dhënave shkencore, truri i njeriut përmban 100 miliardë neurone. Inteligjenca artificiale është shumë e shumë larg kësaj shifre, e me një numër të papërfillshëm neuronesh elektronike. Por shkencëtarët thonë se për disa dhjetëra vjet situata do të ndryshojë tërësisht. E nëse kjo do të jetë e vërtetë, një roboti nuk do t’i duhen më 16 vjet shkollë për të nxënë e për të dalë në jetë si një inxhinier, matematikan, apo jurist, sepse gjithçka i jepet si dhuratë në memorie dhe ai do të jetë funksional e i gatshëm që në çastin e parë që vihet në punë.
Kur shkencëtarët amerikanë nisën punën për ndërtimin e platformave të armëve, të cilat mund të përzgjedhin objektivin e tyre në fushëbetejë, vunë dhe një pikëpyetje të madhe: a duheshin lënë robotët të vetëvepronin apo duhej qenia njerëzore t’i kontrollonte ata përpara se të tërhiqnin këmbëzën? Si përfundim, fitoi e dyta, duke mos i besuar thellësisht së parës, ndoshta sepse mekanizmi mund të gabojë “pa dashje” e të ngatërrojë objektivin, por ndoshta edhe pse ai mund të marrë komanda personale dhe të qëllojë atje ku nuk duhet, qoftë dhe duke vënë në shënjestër objektivat të cilave u shërben.
Ndërkohë inteligjenca artificiale mendohet se do t’i sjellë një komoditet të jashtëzakonshëm njerëzimit. Pikërisht, për ta zotëruar atë ka nisur dhe lufta e re mes të fortëve të globit: Shteteve të Bashkuara, Kinës por dhe Evropës.
Pa dyshim inteligjenca artificiale ka qenë me ne prej një kohe të gjatë, por kurrë më parë nuk ka qenë kaq e pranishme në jetën tonë në fusha të tilla, si shëndetësia, siguria, transporti... Inteligjenca artificiale përkufizohet gjerësisht si teknologjia që u mundëson makinerive të kryejnë funksione që vetëm njerëzit i kanë bërë në të shkuarën.
Disa vite më parë lajmet andej e këtej publikuan faktin se “AlphaGo”, një program kompjuterik i hartuar nga Google që në 2016, arriti të mundë në lojën elektronike “Go” të shkallës së lartë të vështirësisë, Lee Se Dol-in e Koresë së Jugut, e gjithashtu pas tij mundi dhe kinezen Ke Jie, të dy kampionët e saj. Fitorja në një lojë të lindur në Kinë në vitet e para të mijëvjeçarit të ri, nuk është se po qarkullonte si ndonjë anekdotë. Kjo bëri që Kina të nxiste programin për inteligjencën artificiale, duke nisur dhe një rivalitet të ethshëm, po aq sa dhe kur u ndez shkëndija për të nisur “luftën e yjeve”.
Për më shumë se kaq, një mekanizëm i ri i quajtur “Al” me cilësinë e një mjeku, është në gjendje të analizojë imazhet mjekësore me saktësi mbinjerëzore. Me gjasa kjo teknikë e re do të nxjerrë nga funksioni shumicën absolute të mjekëve, sepse Al, i cili sot është në gjendje të diagnostikojë, nesër do të jetë në gjendje të operojë.
Ky mund të jetë një lajm sa i gëzueshëm, po aq dhe i frikshëm. Të paktën në qoftë se mekanizmin Al, nuk do ta asistojë njeriu nga afër.
Për momentin po jetojmë kohën kur një kompjuter mund të bëjë biseda telefonike, mund të përgjigjet në pothuajse të gjitha pyetjet që mund t’i bësh, mund të mposhtë njeriun në shumicën e lojërave me shkallë të lartë vështirësie, mund të dallojë një fytyrë të paracaktuar në një turmë njerëzish, mund të diagnostikojë shumë më shpejt sesa një mjek i specializuar, apo mund të ngasë makinën krejt i vetëm. Mbikëqyrja video, sistemet e njohjes së fytyrës, ushtarët e së ardhmes do të bëhen veçse nëpërmjet robotëve të specializuar... Inteligjenca artificiale do ta thellojë praninë e saj. Do të jetë motori i ekonomisë dhe do të shkaktojë ndryshime më të thella se ato që shkaktuan në kohën e tyre shpikjet e mëdha, si rrota apo elektriciteti.
Të gjitha këto do të mundësohen nga teknologjia e njohur si inteligjencë artificiale. Dhe nëse do të ecë me ritmin e pretenduar, një ditë në planetin Tokë do të gjenden po aq mekanizma robotë sa dhe trupa njerëzorë.
 

Tuesday, September 22, 2020

Marie Logoreci, zonja e rëndë e skenës dhe e sheshxhirimit

Në 100-vjetorin e lindjes. Pas pjesëmarrjes në 12 filma dhe dhjetëra role të vëna në skenë, ajo mori emrin e “Lokes”, të personazhit që e identifikoi aq shumë aktoren e madhe shqiptare
 
Nga Leonard Veizi
 
Sharmante dhe fort skenike e, për më tepër, me një diksion karakteristik, të padublueshëm, ajo do të dinte të fitonte simpatinë e trupës. Pak më shumë këngëtare, disi më pak aktore dhe me plot telajo pikturash në fond, do ta niste jetën skenike si e plotësuar në të gjitha dimensionet e saj artistike. Dhe pas kësaj do të vinte suksesi i (pa)pritur, ndoshta i (pa)kërkuar, por gjithsesi emocionues e triumfal...
 
Marie
Marie Logoreci

...Ajo dinte të luante plot finesë e ojna femërore një personazh që ishte shkruar nga dora e një shkrimtari që kishte jetuar diku në Perëndimin e Evropës dhe e ndonjë tjetri vështrimi i të cilit tretej në stepat ruse. Por po aq karakter dinte t’i jepte edhe një malësoreje të moçme shqiptare, që ruante me fanatizëm nderin e familjes, duke qenë njëkohësisht e mirëkuptueshme e fisnike.
E shtruar, e butë me një timbër zëri që të ngulitej thellë në kujtesë, ajo diti t’u japë personazheve të saj një energji të jashtëzakonshme. Dhe në përfundim të shfaqjes ishte po e njëjta grua. Të skalitura prej saj, aspak në gur e as në mermer, por në të njëjtin trup e fytyrë njerëzore, ato gjenden lehtësisht në gjithfarë platformash digjitale me pagesë dhe “free” në disa të tjera për konsum masiv.
-“Biri im i shkretë, nuk di as varri ku i ndodhet. Të gjithë thoshin se do të bëhej gjeni në çështjet ushtarake. Ai që në atë moshë ishte komandant i një batalioni. Ju lutem gjeneral, m’i ktheni eshtrat...
Me kostum elegant, syze me skelet të hollë e një kapele me lule mbi kokë, ajo ishte kontesha plakë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dhe në antipodin e këtij personazhi vjen një tjetër, ai i nënës së verbër të “Cucës së maleve”. Por Lokja tek “Toka Jonë”, me shami të bardhë rreth kokës dhe një shall të zi mbi ballë, do t’i jepte një tjetër dimension. Mund të harrosh shumëçka nga kinematografia shqiptare, por Loken e Lekës, Files, Murrashit e Tuç Makut, nuk besoj se e ka harruar njeri, edhe në qoftë se e ka parë një herë të vetme atë film.
-“Shikjo Marë, sa e bukur asht fusha jonë, toka jonë”, do të ishin fjalët e saj në përmbyllje të këtij prodhimi kinematografik, pas së cilës do të shfaqej sigla “Fund”.
Kjo ishte Marie Logoreci. Dhe është ndërkohë një divë nga më të mëdhatë e skenës dhe të ekranit shqiptar. Një ikonë e kësaj skene apo emblemë e saj, nëse mund ta quajmë kështu, rreth së cilës kërkonin të përfitonin sa mundnin dhe shumë aktore të tjera më të reja në moshë. “Pa dyshim që kjo figurë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e spektatorit, por këto mbresa u përforcuan dhe krijuan kurorën e Lokes-Marie kur aktorja luajti edhe Marën te “Përkolgjinajt” e Kolë Jakovës, Tringën te “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës, Prendën te “Cuca e maleve” e Loni Papës, Gjelën te “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës etj.”, shprehet në kujtimet e saj një aktore po aq e madhe, si Margarita Xhepa.
Marie Logoreci u lind në Shkodër në vitin 1920. Mbiemri i vajzërisë e kishte Çurçia. U largua nga Shkodra kur ishte 17 vjeç. Në Tiranë u martua me Kolë Logorecin, një ekonomist i lartë, i diplomuar në Vjenë. E më pas lindi Pjerini, djali i tyre. E filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatër, vizatonte dhe këndonte. Jeta artistike e saj nisi si këngëtare në Radio Tirana, në vitin 1945, ku interpretoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon. Në kujtimet e saj ajo thotë se këndonte në aktivitetet e rëndësishme që bëheshin përkrah të mirënjohurve Gjyzepina Kosturi, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Jorgjie Truja, Hysen Pelingu etj., të shoqëruar nga Lola Gjoka e nga Mario Ettore. Mund të ishte njohur po aq si soliste, por fama si aktore do ta eklipsonte butësisht talentin e saj prej këngëtareje.
Më 1947 nis punën në Teatrin Popullor, ndërsa interpretimi i parë në skenën e këtij teatri ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit.
Në kinema e nisi me filmin “Skënderbeu”, në vitin 1953.
-“Mëso t’i fshehësh ndjenjat moj Donikë. S’i ka hije vajzës së Arianitit t’i shikojë kështu burrat”, - shprehet ajo në një nga batutat e këtij filmi, bashkëprodhim i aktorëve shqiptarë me studion sovjetike “Moskfilm”.
Pra, në të gjitha institucionet ajo ka qenë që në fillesat e tyre, ka vendosur tullën e saj të rëndë, dhe më pas është lartuar ngrehina. Dhe t’ia nisësh nëpër rrugët e pashkelura nuk është fort e lehtë, sepse përveç talentit, pa dyshim të duhet dhe shumë guxim e intuitë artistike. Dhe, me sa duket, Marie Logoreci i ka pasur të gjitha këto, përderisa edhe sot, nga shumëkush kujtohet si “gruaja e madhe e skenës shqiptare”.

Ishte po Marie Logoreci ajo që do të merrte rolin kryesor në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, të regjisorit Hysen Hakani. Por dhe "Tana" që ishte i pari film me metrazh të gjatë, gjithashtu ruan në pelikul imazhin e Marie Logorecit.
Gjithsej në arkivin e filmit ruhen 12 filma ku aktorja e madhe ka pasur role. Ajo ka interpretuar dhe një rol episodik te filmi “Nga mesi i errësirës” ku me shumë ekspresion, jetëson një nënë shqiptare që quhej Mine Peza, në protestën e saj të pakompromis për të ndaluar italianët e fashios të dërgonin në internim djemtë dhe vajzat shqiptare të rezistencës. Një rol i vogël për një aktore të madhe, por regjisori ia ka besuar asaj, sepse në pak sekuenca, pakush si ajo do të mund të jepte në portret maksimumin e një nëne plot dhimbje e të revoltuar.
Për më tej Marie Logoreci ka interpretuar dhe në filmat “Oshëtimë në bregdet”, më 1966, “Detyrë e posaçme”, më 1963, “Njësiti gueril”, më 1969, “Operacioni Zjarri”, më 1973, “Dollia e dasmës sime”, më 1978, “Çeta e vogël”, më 1979.
Në shumicën absolute të rasteve ajo është paraqitur në rolin e një nëne, ndaj dhe emri “Loke” do të ishte aq i përshtatshëm si një emër i dytë i saj.
Një sërë rolesh të tjera të suksesshme të saj në skenën e teatrit, ku ka luajtur më shumë se 40 personazhe, janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Manushaqja te “Drita”, Fatimja te “Halili dhe Hajria” etj. Por pa dyshim, në galerinë e personazheve të saj do të bënte vend dhe një kryerol, Bernarda Alba, e të famshmit Federiko Garcia Lorka.
Ishte një atak kardiak ai që do t’i merrte jetën aktores së madhe shqiptare, pikërisht në 19 qershor të vitit 1988, në Tiranë. Ishte 68 vjeç. Dhe do të ishte 100, nëse do të mund të jetonte si jo pak të tjerë. E, megjithatë, edhe me vdekjen e saj të shpejtë ajo do të fitonte shumë. Një emër të pashlyeshëm dhe një pasuri maramendëse: karrierën artistike prej 40 vitesh. Prandaj puna e saj nuk u la në harresë asnjëherë. Në vitin 1995 u nderua me “Çmimin e Karrierës" në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 dekorohet me “Çmimin e Madh të Nderit”. Përveç urdhrave dhe medaljeve të ndryshme, Marie Logoreci kishte marrë më parë edhe titujt e lartë “Artiste e merituar”, “Naim Frashëri” dhe “Artiste e Popullit”. E për së fundi, me rastin e 95 vjetorit të lindjes, në vitit 2015, presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me titullin më të lartë që akordohet në Republikën e Shqipërisë, “Nderi i Kombit”.

Sunday, September 20, 2020

Rreziku i ri, “parada” nudo e fëmijëve


Nga Leonard Veizi

 

Nuk është hera e parë që më bie në sy, dhe nuk është se s’kam dashur të shkruaj edhe më parë për një gjë të tillë, por këtë herë vendosa ta ngre si shqetësim. Dhe kjo me siguri ka të bëjë me një vetëkontroll, drojë apo autocensurë, kur autori kërkon të publikojë diçka që ka të bëjë me një problem shumë delikat, siç është: pedofilia. Dhe që të jem i sinqertë deri në fund, as që do të kisha marrë guximin të shkruaja për diçka të tillë, nëse vërtet nuk do të përballesha në mënyrë tangenciale me të, por që në thelb është një përplasje e drejtpërdrejtë, nëse nuk do t’i bësh bisht problemit.

Plazhet shqiptare janë mbushur me fëmijë të zhveshur. Kur them të zhveshur, për ata që s’e kuptojnë, kam parasysh fjalën “nudo”. Janë po aq të zhveshur, sa dhe kur i vendosin në inkubator pak çaste pasi kanë lindur. Nuk kanë as pampersa në rastin më idiot të mundshëm, gjë që gjithsesi shkakton jo pak neveri te një pjesë pushuesish, që në mënyrë komode kërkojnë për syrin estetik që çdo fëmijë i çdo lloj moshe, nëse për rrethana të caktuara ndodhet në plazh, që të ketë dhe një veshje të përshtatshme. Fenomeni i fëmijëve nudo besoj tanimë është vënë re nga të gjithë ata që zgjodhën t’i kalojnë pushimet në vijën bregdetare. Nënat e reja, në bashkëpunim me baballarët vendosin njëzëri që fëmija dy, tre vjeç, apo dhe ca më shumë, të bëjë paradën nudo midis pushuesve që kanë marrë masat për të pasur rroba banje, të cilat fshehin pjesët intime. Kjo modë e shfrenuar është e përballueshme kur rastet janë sporadike, por jo kur ato bëhen masive dhe shqetësimi rritet. Madje shtrohen dhe shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje, ku më e zakonshmja prej tyre është: Pse??? Dhe jam dakord kur bie fjala, prindërit bien dakord që djalin pasardhës ta nxerrin me “bile” jashtë, për të treguar se trashëgimia nuk do humbasë dhe se ai do bëhet i zoti për pushkë përpara pubertetit, kur dhe “bilja” fillon e këndon më shumë se pushka. Po për fëmijët vajza... çfarë vlere merr ky konsensus prindëror? Apo “të voçkla janë, s’përbëjnë problem”. Dhe falë këtij konsensusi indiferent ato shëtisin nëpër çadrat e plazhit dhe në breg të detit po aq sa dhe femrat shumë më të mëdha dalin nëpër pasarela, herë për të ekspozuar veshjet e koleksionit e herë për të ekspozuar hiret e trupit me të cilat rrisin pazarin.

Të jetë kjo një logjikë popujsh ballkanikë??? Sepse kam përshtypjen se në Perëndim një gjë e tillë është e tejkaluar tashmë. U referohemi studimeve, shtypit, të dhënave të fundit: alarmet për pedofinë. Maniakët seksualë nuk njohin moshë. Ata janë të gatshëm të kryejnë dhunë seksuale mbi çdo fëmijë, dhe mosha nuk ka rëndësi fare për ta. Ndërsa ti si prind ua çon ushqimin në gojë. Sepse të është tekur t’i nxjerrësh fëmijët lakuriq në plazhet masive, ku në shezlonge ngrohen në diell gjithëfarë lëtyrash, njerëz të shfazuar, që ligësinë e tyre hërë e mbulojnë me syze dielli e herë me veshje firmato, por që në thelb asgjë s’u ndryshon gjë. Dhe ja çfarë thuhet në manualin ku kërkohet ndihmë për fëmijët e abuzuar: “Do të ishte shumë mirë, nëse pedofilët do të dukeshin njësoj, kjo do ta bënte më të lehtë identifikimin e tyre. Pedofilët duken njësoj si çdo pjesëtar tjetër i komunitetit. Pedofili mund të jetë një person i besuar i familjes, një lider në komunitet, miku juaj, fqinji juaj, babai i shokut/shoqes së fëmijës tuaj”. Në një material të bërë publik nga “Medialook” thuhet se: gjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri, 98 persona kanë kryer krime seksuale me të mitur. Mirëpo duhet ditur se kaq janë të zyrtarizuar dhe keqbërësit janë kapur e dënuar sipas ligjit, sepse ka dhe plot të tjerë të padenoncuar. Prandaj vëmendja duhet të jetë shumë më e madhe. Mirëpo prindërit shqiptarë marrin parasysh rrezikun për të luajtur me të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke i nxjerrë lakuriq ata në një paradë të pacipë nudosh. Sepse vetë fëmijët janë në një moshë kur perceptimi për të qenë lakuriq para qindra sysh herë është i mangët, por herë-herë mungon krejtësisht. Dhe nuk po flasim për ata fëmijë që, edhe pse në të njëjtën moshë me “nudistët”, nuk pranojnë të dalin lakuriq, duke u druajtur të zbulohen, gjë që do të thotë se funksioni psikomotor i trurit të tyre arrin të dallojë idiotësinë nga normaliteti. Po herë-herë, një mendje më thotë se nudizmi duke u praktikuar në vazhdimësi, bëhet traditë, nga e cila nuk ke më as drojë dhe as ndonjë shqetësim tjetër që lidhet me anën seksuale.

Mos ndoshta jam unë konservator i pakuptimtë dhe nuk duhet të jem lehtësisht i pranishëm në një botë të hapur dhe pa komplekse?! Në një material të publikuar prej saj Ela Wamsler shkruan se fenomeni i pedofilisë në Shqipëri është një fenomen i hershëm në formë të fshehur dhe relativisht i ri në aspektin e publikimit të rasteve në media. Kërkoj materiale. Më rezulton se për pedofilinë kanë shkruar gjithfarë psikologësh të mëdhenj, ku si gjithmonë kryeson Zigmund Frojd, por nga më cilësorët në trajtimin e problemit mbetet Alfred Adler. Shqetësimi në rritje për fëmijët që bredhin nudo bregut të detit ka të bëhë dhe me fotografimin e tyre dhe hedhjen e fotografive nëpër faqet pornografike të destinuara për pedofilët. Nisur nga gjithçka parashtrova më sipër, më duhet të them se edhe psikologët në Shqipëri duhet të merren më shumë me këto feneomene dhe të vënë alarmin.

Në një shkrim të botuar nga New York Times me titull “Preja e fëmijëve: Psikologjia në zhvillim e pedofilëve”, thuhet se imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve kanë arritur një pikë krize në internet, duke u përhapur me ritme të paprecedenta pjesërisht, sepse platformat e teknologjisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit nuk kanë arritur të ecin me hapin e problemit. Por më pak kuptohet për çështjen që qëndron në themel të të gjithave: Çfarë i shtyn njerëzit të abuzojnë seksualisht me fëmijët? Shkenca në vitet e fundit ka filluar të japë disa përgjigje. Një gjë e kanë të përbashkët shumica e pedofilëve: ata zbulojnë, zakonisht si adoleshentë, që preferencat e tyre seksuale nuk janë pjekur si të gjithë të tjerët. Shumica ngecin në djem ose vajza të së njëjtës moshë që i tërhoqin për herë të parë në fillim të pubertetit, megjithëse disa kanë interes për fëmijët shumë më të vegjël. "Njerëzit nuk e zgjedhin atë që i zgjon – ata e zbulojnë atë", thotë Dr. Fred Berlin, drejtor i Klinikës Gjinore dhe Seksuale Johns Hopkins. "Askush nuk rritet duke dashur të jetë pedofil." Gjatë gjeneratës së kaluar, psikologë, specialistë të forenzikës dhe të tjerë kanë studiuar pedofilinë, një çrregullim i karakterizuar nga "fantazi të përsëritura, nxitje ose sjellje që përfshijnë aktivitet seksual me një fëmijë para moshës", sipas manualit diagnostik të psikiatrisë. Këta ekspertë kanë intervistuar pacientët në thellësi, duke bashkuar historitë e jetës dhe duke kryer një sërë matjesh psikologjike dhe anatomike. Ndërsa asnjë studim nuk ofron një pamje të plotë, po shfaq një portret – ajo që ndihmon, është ai për sqarimin e dinamikës mendore prapa rritjes së imazheve abuzuese dhe shthurjes së thelluar që ato përshkruajnë. Këto zbulime gjithashtu sfidojnë stereotipet e zakonshme rreth asaj se çfarë është pedofilia dhe cilat janë rreziqet për t'u përfshirë në abuzim fizik. Një shumicë e shkelësve të dënuar janë burra që zënë pre fëmijët e moshës 6 deri në 17 vjeç. Por gratë gjithashtu kryejnë vepra penale; vlerësime të përafërta e vënë normën e tërheqjes pedofile në 1 deri në 4 për qind si te burrat ashtu, edhe te gratë. Studimet sugjerojnë që një nëngrup i vogël pedofilësh meshkuj dhe femra kanë interes për të vegjlit, apo edhe foshnjat. Ndërsa shkencëtarët kërkojnë të kuptojnë se si zhvillohet çrregullimi, ekziston një konsensus në rritje që origjina është kryesisht biologjike. Kjo pikëpamje bazohet pjesërisht në studime që tregojnë tipare delikate fizike që kanë një incidencë më të lartë te pedofilët. "Të dhënat biologjike të lidhura me pedofilinë tregojnë se rrënjët e saj janë para lindjes", thotë James Cantor, drejtor i Qendrës së Seksualitetit në Toronto. “Këto nuk janë gjenetike; ato mund të gjurmohen në periudha specifike të zhvillimit në mitër”. Faktorët psikologjikë dhe mjedisorë gjithashtu mund të kontribuojnë, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë ato ose si ndërveprojnë me kushtet e zhvillimit. Në të kundërt, supozimi i zakonshëm që pedofilët vetë u abuzuan si fëmijë, tani ka më pak mbështetje. Viktimat fëmijë janë në rrezik shumë më të madh të abuzimit të substancave në të ardhmen, depresionit, stresit traumatik të vazhdueshëm ose agresionit kriminal sesa të bëhen keqtrajtues. Shumica dërrmuese e shkelësve të ligjit mohojnë çdo abuzim seksual në fëmijërinë e tyre, edhe pse ata mund të fitojnë simpati në gjykatë duke bërë kështu, thonë ekspertët. "Një fëmijëri kaotike rrit gjasat e një moshe madhore kaotike, të çdo lloji," thotë dr. Cantor. Marrëdhënia midis të parit ose mbledhjes së imazheve dhe kryerjes së abuzimit praktik është një çështje e debatit të vazhdueshëm midis disa ekspertëve, dhe një çështje që është kritike për të vlerësuar rrezikun që paraqet një shkelës i ligjit. Deri kohët e fundit, mendimi mbizotërues ishte se vetëm një pakicë e njerëzve të kapur duke parë imazhe të tilla, midis 5 dhe 20 për qind, gjithashtu kryen abuzim fizik. Ky perceptim filloi të ndryshojë më 2007, kur një palë psikologësh në Byronë Federale të Burgjeve raportuan se 85 për qind e shkelësve të dënuar në internet pranuan në terapi se kishin përdhunuar ose abuzuar seksualisht me fëmijë. Ky zbulim qarkulloi gjerësisht para se studimi të botohej zyrtarisht, duke krijuar një trazirë midis terapistëve, studiuesve dhe specialistëve të zbatimit të ligjit. Byroja e burgjeve nuk pranoi ta botonte fare dhe e tërhoqi atë nga një revistë e vlerësuar nga kolegët para datës së botimit.


Tirana (nuk) është si Palermoja e viteve ‘70


Nga Leonard Veizi

 

Sa herë kërcet pushka e bëhet ndonjë vrasje, apo shpërthen tritoli që merr në qafë më shumë se një person, në media e përtej saj dëgjojmë rëndom të thuhet se Tirana është bërë si Palermoja e viteve ’70. Në një farë mënyre kjo do të thotë se në ditët e sotme, pra në vitin 2020, Palermoja ka ndryshuar shumë dhe është “riedukuar”. Ndërsa Tirana ka marrë huqet e saj të 50 viteve më parë. Në fakt, ky është një opinion tejet i gabuar. Pse? Le t’i marrim gjërat me radhë:

Çfarë e lidh Tiranën e sotme me Palermon e djeshme?

Palermoja është kryeqendra e Sicilisë, por vetë Sicilia është një pjesë e Italisë dhe aspak më e rëndësishmja. Shkurt, Palermoja është një qytet periferik, në skajin e poshtëm të gadishullit Apenin. Po Tirana? Kush nuk e di, duhet ta marrë në konsideratë këtë informacion: Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Pra, qyteti më i rëndësishëm i saj. Në kryeqytet funksionojnë institucionet më kryesore të shtetit, fjala vjen Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese, Kontrolli i Lartë i Shtetit, por dhe Ministria e Punëve të Brendshme në vartësi të së cilës është dhe policia me të gjitha strukturat e saj. Në këtë mënyrë, një kryeqytet a priori duket më i mbrojtur dhe i siguruar sesa një qytet periferik, ku ndonjëherë, për shkak të interesit të ulët, “lejohet” të plasë pushka sa të luajë dhe “qeni i kallajxhiut”. Prandaj insistoj të them se Tirana as që mund të krahasohet me Palermon.

Pas ditëve relaksuese të pandemisë dhe karantinës së detyruar, krimi pati një rritje të menjëhershme. Ishte koha kur shqiptarët u çliruan si këlyshët nga zinxhiri, dhe zbrazën çfarë kishin akumuluar gjatë ditëve kur HUMMER-at e ushtrisë, me mitrolozat ngrehur për luftë, demonstronin forcë nëpër rrugët e kryeqytetit, aq sa të dukej vetja se po përsëritej situata “Nikaragua ‘79”. Prej asaj kohe qetësia quhet e prishur dhe herë pas here rendi kërcënohet nga aktet terroriste. Sepse të vrasësh shënjestrën, por dhe ca të tjerë që janë ulur në kafe, për hesap të tyre, vetëm se t’u drodh dora e të luajti tyta e automatikut, është një akt i pastër terrorist.

Megjithatë, nuk do t’i jap shumë rëndësi statistikës së vrasjeve. E rëndësishme është fakti që krimi nuk ka frikë. Ai nuk trembet nga shteti dhe është i gatshëm të veprojë në qendër të kryeqendrës, mjaft të mbarojë punë e të heqë qafe atë që ka vënë në shenjë. Nuk flitet për koston, kush dëmtohet e sa dëmtohet jashtë perimetrit, mjaft që puna të kryhet. “Po të hash bukë, do të bësh edhe thërrime”, thotë një fjalë e urtë. Ja kështu mund të justifikohet lehtësisht i gjithë terrori e kasaphana. Dhe po kështu Tirana kthehet në “arenën e luftimeve”.

Po pse nuk barazohet Palermoja me Tiranën?

Vazhdojmë argumentin...

Mafia italiane nuk ishte aq e marrë, sa të ndizte zjarrin në Romë. I mjaftonte një qytet periferik si Palermoja për të mbaruar punët e veta. Madje, Roma ishte një qytet fare i qetë nga kjo anë. Ajo u shqetësua në vitin 1968 nga lëvizja studentore që pushtoi Evropën, u shqetësua pas viteve ‘70 nga aktet e Brigadave të Kuqe që donin të merrnin pushtetin me dhunë, dhe që pikën kulmore e kishin me rrëmbimin e ish-kryeministrit demokristian, Aldo Moro. Por që gjithsesi u bënë zap, dhe kjo falë një gjenerali që quhej Karlo Alberto Dala Kieza.

Ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Atentatet mafioze, ato për larje hesapesh, për gjakmarrje, për para të pashlyera, për ndarrje territoresh, bëhen të gjitha në kryeqytet. Kjo po, kjo është për t’u shqetësuar. Dhe shumica e ekzekutimeve kryhen në mes të mexhlisit, duke terrorizuar dhe pjesën tjetër të popullatës.

Në Romë shteti fuksiononte për mrekulli. Ndërsa në Tiranë është e kundërta.

Dhe kjo ndodh se njerëzit me probleme ikin nga zonat e tyre periferike dhe “fshihen” në kryeqytet. Se si mund të fshihesh në Tiranë, një Zot e di. Sepse këtu është mundësia më e madhe për t’u gjetur. Dhe kështu ka ndodhur. Problemi në këtë rast është se bashkë me të thatin e ha dhe i njomi. Se ndodh të jesh në vendin e gabuar, në orën e gabuar dhe po plasi tritoli ose kërciti kallashnikovi, mbetesh top në vend dhe nuk merr dot as statusin e dëshmorit. Familja humbet të afërmin, gruaja burrin, fëmijët babanë. Thjesht je një viktimë që ke shkuar për dhjamë qeni dhe vrasja jote nuk i shërben askujt. Në fund fare të bëhet dhe një tjetër fyerje; sepse të bëjnë pjesë statistikore, ku vlera më e madhe është se ke shtuar një shifër në numrin e viktimave.

Si i bëhet që Tirana e vitit 2020 t’i ngjajë Palermos të po këtij viti dhe jo asaj të viteve ‘70?

E thjeshtë fare. Shteti duhet të tregojë dhëmbët. Duhet shtrënguar rendi me strukturat antiterror, duke marrë në konsideratë raportet e Shërbimit Informativ, gjithmonë nëse ka të tilla. Dhe sistemi drejtësisë, i reformuar, të japë dënimet e merituara, jo nga ato të zbuturat, ku zbritet 1/3 e dënimit për shkak se pranon krimin. Sepse po dole pas tre vjetësh, pa të hyrë gjemb në këmbë, do të jesh ti shënjestra e radhës dhe ca të tjerë rreth teje viktima të statistikës.

Kur mafiozët vendosën të vrisnin gjeneralin Dala Kieza, aksioni i natës së 3 shtatorit 1982, u krye në një rrugë pa shumë lëvizje. Në atentat mbetën të vrarë gjenerali, që në atë kohë ushtronte detyrën e prefektit, gruaja e tij Emanuela, dhe truproja.

Po ashtu, edhe kur u vendos të vritej gjykatësi Xhovani Falkone, u hodh në erë një segment rruge ku po kalonte vetëm ai me skortën. Sulmi u bë në 23 maj 1992, në autostradën A29. Nga shpërthimi mbetën të vdekur Falkone, gruaja e tij Françeska, dhe tre oficerë policie.

E njëjta strategji u zbatua edhe me gjykatësin tjetër, Paolo Borselinon. Më 19 korrik 1992, ai u vra nga një makinë bombë në Via D'Amelio, afër shtëpisë së nënës së tij. Sulmi me bombë gjithashtu mori jetën e pesë oficerëve të policisë, mes të cilëve një femër.

Mora këta si shembujt më të njohur të ekzekutimeve mafioze në Palermo. Kjo për të kuptuar ndryshimin mes Palermos dhe Tiranës. Sepse ata të Palermos e kishin një skemë e një platformë. Pra, ishin nga ata që ne i quajmë “me shkollë të lartë”. Ndërsa vrasësit në Shqipëri punojnë nallbançe, si t’u vijë. Nuk pyesin për shkollën. Në këtë mënyrë, mund të “falënderojmë” ekzekutorët e Sicilisë që janë treguar plot “elegancë”, që përveç shënjestrës dhe shpurës shoqëruese nuk vranë apo plagosën një njeri të jashtëm, i cili nuk kishte të bënte me çështjen.

Në Shqipëri, një pjesë e mirë e atentateve janë shoqëruar edhe me viktima krejtësisht të pafajshme. Jo se ka faj një punonjës policie, pjesë përbërëse e skortës, por tek e fundit ai e ka marrë parasysh, se ka zgjedhur një profesion që është në përleshje për jetë a vdekje me krimin. Por të kesh dalë për të blerë bukë, që t’ua çosh fëmijëve në shtëpi, e të mbetesh i vdekur nga një plumb “qorr”, kësaj çfarë t’i thuash.

Herë pas here në Tiranë krimi demostron se nuk ka frikë nga përqendrimi i madh i institucioneve qendrore, i Drejtorisë së Policisë, forcave RENEA, atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë, i helikopterëve të ndjekjes dhe i motoçikletave të ndjekjes që ndonjëherë mbeten dhe pa karburant e nuk arrijnë ta kryejnë deri në fund misionin.

Atëherë përse Tirana duhet të krahasohet me Palermon, kur ato janë vite dritë larg.

Sepse Tirana nuk është dhe s’mund të jetë si Palermoja,

Ajo është edhe më keq...

 

Mira Meksi: “Njëqind vjet vetmi”, qasja e frikshme ku mund të “thyeje qafën”




Nga Leonard Veizi

 

Proza, kjo mjeshtëri burrash tekanjozë, ashtu si dhe lufta po për burra, por aspak të tillë, prej kohësh nuk është më monopol i mbyllur “me kyç” dhe krejt i paprekshëm. E, megjithatë, femrat që i’u imponuan botës së prozës, por dhe të luftërave shumë kohë më para saj, janë ende pjesa e pakicës. Po, për fat të mirë, aspak më mediokre sesa burrat, dhe pse jo aq të vlerësuara sa ata. Ky mund të ishte dhe një perceptim i gabuar, një pyetje e shtruar jo drejt, ndoshta me tendencë, a ndoshta nga një naivitet i shtirë, por Mira Meksi thotë se në rastin konkret perceptimi është i drejtë dhe jo e tillë është ajo që ndodh mes grave dhe burrave në botën e fortë të prozës. Sepse duam apo nuk duam, maskilizmi ekziston po aq i egër sa dhe në mesjetë, edhe pse në botën e ashpër mashkullore kanë kaluar zhurmë e rapullnajë lëvizje feministe e revolucione seksuale, që në një farë mënyre e kanë zbutur atë...

 

 ...Pa dyshim, mes çmimeve letrare, e botimit të veprave të saj nga shtëpi të huaja botuese, ajo ndihet e pakompleksuar dhe kryelartë për atë çka mundur të arrijë në jetë. Elokuente deri në detajin më të skajshëm, Mira Meksi vjen në këtë rrëfim për gazetën “Fjala”, si për të thënë mes të tjerash se me butësinë, a brishtësinë e saj femërore, ka “vënë përfund” plot burra, ca që rreken të shkruajnë romanet dramatike të shekullit e ca të tjerë që kanë “privatizuar” juritë dhe dinë aq mirë të ndajnë qoka çmimesh përmes certifikatave me vulë të patharë institucionesh. E veç kësaj, në debatin e hapur së fundmi, ku mes një përkthimi të Mira Meksit dhe një tjetri të bërë nga Robert Shvarci, po për të njëjtin titull, u vendos një peshore farmacie, ajo di të thotë se përballja midis dy përkthyesve nuk ka asnjë kuptim, debati është i shterpët dhe nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. E, për më tepër, shton se Robert Shvarci ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, që ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. E si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj, Meksi shton se, për shkak të evoluimit të vazhdueshëm të gjuhës, shumë vepra të përkthyera vite më parë duhen përkthyer në kushtet e reja gjuhësore, e në këtë mënyrë ajo vetë ka pasur fatin që të ripërkthejë përkthimin e saj.

 

Së fundmi, panairi i librit “Fier 2020” ju ka akorduar për “Diktatori në kryq”, çmimin e romanit më të mirë. Sa vlen për ju një çmim letrar?

Ndihem e vlerësuar sigurisht. Çmimet letrare janë instrumente jo vetëm të promovimit të veprave letrare, por edhe të ndërtimit të sistemit të vlerave në letërsi. Si të tilla, kanë shumë rëndësi. Madje, kur shoqërohen edhe me një vlerë financiare janë një ndihmë, sado e vogël, për punëtorët e varfër të letrave. Të tillë i kam konsideruar që kur, në vitin e largët ‘94, si bashkëthemeluese dhe drejtuese e të parit fondacion kulturor privat në Shqipëri, “Velija”, krijova çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi. Asokohe konkurrimet dhe çmimet që jepeshin, ndonëse kanë përherë një anë subjektive të pashmangshme, ishin shumë serioze në të gjitha kuptimet. Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe panorama e konkurrimeve e çmimeve letrare në Shqipëri ka ndryshuar krejtësisht. Jo vetëm çmimet që jepen nga Ministria e Kulturës, shoqatat e botuesve, por, për fat të keq, edhe ato që jepen nga individë privatë apo institucionet që kanë ngritur, çka është për t’u përshëndetur, kanë degjeneruar në çmime tarafesh, qokash, interesash vogëlane, nepotizmash, lidhjesh politike... Juritë e tyre janë mediokre dhe dashakeqe ndaj vetë letërsisë, janë përherë të njëjtat, të mbyllura brenda një qerthulli mjeran të paaftësh për të gjykuar letërsinë dhe individësh që nuk marrim as mundimin t’i lexojnë prurjet letrare të konkurrimit. Kështu ndodh që e çorodisin për tmerr sistemin tonë të vlerave që mezi mbahet në këmbë. Dhe lexuesi ndihet pastaj jo vetëm i çoroditur, por edhe i tradhtuar dhe i mashtruar paq, kur sheh se ia shesin sapunin për djathë. Ende nuk po ndërgjegjësohen këta “veteranët” e jurive të çmimeve letrare se sa shumë po e dëmtojnë letërsinë shqipe. Ka edhe anekdota për “juritë”e çmimeve letrare që e kthejnë në tragjikomedi këtë proces të rëndësishëm për zhvillimet letrare. Një shkrimtar, fjala vjen, të cilin një gazetare në një shkrim e ka quajtur “një ndër autorët më të njohur shqiptarë të kohërave të sotme” që ka “korrur” jo pak çmime letrare, madje disa herë të njëjtin çmim, nuk di të shkruaj shqip. Dhe askush prej këtyre “vlerësuesve” të çmimeve, apo kritikët letrarë që shkruajnë edhe artikuj lavdërues për të, nuk e thonë. Njëlloj si fabula e petkave të mbretit: mbreti lakuriq, sa janë përreth lëvdojnë petkat e tij! Kur e pyetën një zonjë, pedagoge e letërsisë, anëtare e jurisë së Panairit të Kombëtar të Librit të vitit të kaluar, për prurjet e atij viti, jo vetëm këputi broçkulla për një roman që as nuk e kishte shfletuar, por edhe pohoi paturpësisht se juria ku zonja bënte pjesë, gjykonte dhe merrte vendime nëpërmjet gjykimit të një “bedeli”. Ky ishte një anëtar i jurisë, i cili, ndonëse nuk linte televizion pa u shfaqur dhe gazetë pa lënë “gjurmët” e gjykimit të tij për letërsinë apo edhe për politikën, vrasjet etj., gjente kohën të lexonte gjithë prurjen e librave të panairit dhe të bënte punën e gjithë anëtarëve të tjerë të jurisë, të cilët shullëheshin ndërkaq në diell. Sigurisht, në këmbim të një statusi të veçantë që fitonte kësisoj, atë të anëtarit “veteran” të jurive letrare. Me këtë analizë nuk dua të zbeh asesi punën e disa anëtarëve të këtyre jurive, personalitete intelektuale dhe të përkushtuar në detyrën që kanë marrë përsipër, për fat të keq, shumë të rrallë, dhe as vlerësimin e drejtë të veprave cilësore që ndodh edhe ky rrallë.

 

Mira Meksi
Mira Meksi - shkrimtare/përkthyese
"E Kuqja e demave", është një roman të cilin e keni rishkruar dhe botuar në frëngjishte. Çfarë shkalle vështirësie kishte një ndërmarrje e tillë?


Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë. Tani përfundoi edhe redaktimi i variantit frëngjisht të “Diktatori në kryq”, i cili së shpejti hyn në procesin e botimit. Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër. Por përfytyroni sa e vështirë është sot të çash në tregun e madh të librit në Francë. Për dijeni, shtëpia e madhe botuese Gallimard, pret çdo javë 6 mijë dorëshkrime për botim. Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera. Gjithsesi, lidhja me gjuhën shqipe është aq e fuqishme tek unë, sa nuk besoj se do t’i shkruaj ndonjëherë drejtpërsëdrejti krijimet e mia në frëngjishte. Versioni shqip do të predominojë gjithmonë.

 

Ju keni themeluar dhe drejtuar revistën letrare "Mehr Licht", e cila sot mungon në treg. A keni një plan të ardhshëm për të?

“Mehr Licht”, botuar së pari më ’96, u krijua në një kohë kur mungonin te ne të tilla revista letrare dhe kur ekzistonin shumë pak shtëpi botuese private. Ideja ime ishte botimi i një reviste a la “Nouvelle revue française”, një revistë letrare dhe kritike letrare, të cilën e lexoja me shumë dëshirë, duke e gjetur me vështirësi që në kohën e diktaturës, e krijuar që më 1908 nga një grup shkrimtarësh të rinj, si Andre Gide etj. dhe e botuar nga Gallimard. Për 16 vjet “Mehr Licht-i”, të cilën e pagëzova me fjalët e fundit të Gëtes (Më shumë dritë), u bë një lloj enciklopedie e letrave shqipe dhe botërore, promovoi vlera letrare, ide, filozofi, shkrimtarë dhe përkthyes letrarë shqiptarë, duke krijuar rubrika të përhershme. Botoi letërsi të traditës, të harruar, apo letërsi të dënuar nga ideologjitë e kohërave, botoi krijime, ide dhe eksperimente letrare të krijuesve të rinj shqiptarë, risitë e tyre letrare. Nxiti zhvillimin e gjinive letrare pak të zhvilluara te ne, siç ishin eseja letrare dhe kritika letrare, duke krijuar edhe një çmim të përvitshëm për esenë dhe kritikën letrare. Për fat të keq, sot një revistë letrare e përmasave të tilla mungon në tregun shqiptar. Edhe gazeta letrare si Ex-Libris, apo të tjera, ndonëse bëjnë një punë të lavdërueshme, nuk e zëvendësojnë dot rolin e një reviste si “Mehr Licht-i”. Nuk është punë e lehtë botimi i një reviste të këtyre përmasave, kërkon jo vetëm mbështetje të vazhdueshme financiare, por edhe staf të përkushtuar, si edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Nuk kam asnjë projekt për botim reviste, i jam përkushtuar tërësisht shkrimësisë, por uroj që ta kemi sa më parë një revistë të tillë letrare.

 

Shkrimtare dhe përkthyese, në cilin nga dy shtratet do të ndiheshit më e sigurt dhe cilin do të kishit më prioritar?

Si krijimtari, e dua edhe shkrimësinë, edhe përkthimin letrar. Ky i fundit më ka dhënë shumë si shkrimtare. Duke qenë përkthyese e mjeshtrave të mëdhenj të letrave botërore, kam qenë edhe çirakja e zejes së tyre, më kanë mësuar të shkruaj. Në faza të ndryshme të jetës sime, herë ka dalë në plan të parë shkrimësia dhe herë përkthimi. Sigurisht, që ndihem më e çlirët, më komode me shkrimësinë time. Dhe dëshiroj t’i përkushtohem më shumë krijimtarisë sime.

 

Duket sikur në raportin femra-meshkuj, në letërsinë shqipe, prozatoret femra janë më të rralla. Është ky një perceptim i gabuar...?

Mendoj është i saktë. Në krye të herës kjo mjeshtëri ka qenë krejtësisht e burrave. Gjithsesi, kjo shoqëria e sotme vazhdon të dominohet prej burrave. Nuk mendoj se është i rëndësishëm numri i zonjave të letrave. E rëndësishme është të vlerësohen si duhet. Dhe duhet vlerësuar individi, jo gjinia. Letërsia është produkt i shpirtit dhe ky s’ka gjini. Zonjat e letrave janë shumë më pak të vlerësuara në krahasim me shkrimtarët meshkuj, edhe kur këta të fundit nuk janë në lartësinë e tyre. Dhe më besoni, kur një krijuese grua arrin të çajë në këtë fushë, me shumë vështirësi duhet theksuar, kur arrin të ketë lexuesin e saj, kur arrin të vlerësohet prej tij, ajo vlen vërtet shumë si shkrimtare.

 

Sa e angazhuar jeni që veç punëve tuaja, t’i kushtoni kohë dhe leximit të autorëve shqiptarë. Në çfarë nivelesh është letërsia shqipe, 30 vjet pas daljes nga skema e socrealizmit?

Lexoj pa dyshim letërsi bashkëkohore shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja. Nuk jam në gjendje të jap një panoramë të plotë analitike të zhvillimeve bashkëkohore të letrave shqipe, por disa gjëra mund t’i them. Liria e rigjetur e krijimit, ose siç thoni ju, dalja nga skema e socrealizmit, nuk solli kryevepra në letërsinë shqipe. Në burgjet komuniste menduam se do të qenë krijuar ndoshta kryevepra letrare. Por jo, patëm vepra të dhembjes, por jo kryevepra letrare. Me sa duket, letërsia u bindet të tjera ligjësive. U bënë, viteve të postkomunizmit, eksperimente letrare të kërkuara, mendoj, nga ato që bota i pati njohur me kohë, pa ndonjë sukses të madh. Sigurisht që ka zhvillime të mira letërsia shqipe, ka vepra dinjitoze, ka tregimtarë dhe prozatorë të mrekullueshëm. Unë kam shkruar për vepra të veçanta që më kanë prekur shpirtin. Ajo që dua të theksoj fort, është se shkrimtarët shqiptarë, në përgjithësi, pak punojnë me gjuhën; pak merren me pasurimin, përpunimin, limimin e saj. Ose aspak. E kam fjalën për shkrimtarët që e përdorin gjuhën thjesht si një mjet komunikimi, gjuhën për hir të gjuhës, për të rrëfyer histori a ngjarje. Këta mund të jenë skenaristë të mirë, mund të jenë edhe krijues trillerash interesantë. Shkrimtarët e vërtetë e përdorin gjuhën ndryshe. Për hir të poetikës apo simbolikës, por edhe për hir të rrëfimit, ata e zhbëjnë dhe e ribëjnë thurimën e gjuhës, e përpunojnë dhe e ripërdorin për nevojat e tyre krijuese, janë mjeshtrat e krijimit të veprave origjinale, të bazuara tërësisht te fjalët.

 

Ditët e fundit ka pasur një debat “Meksi - Shvarc” në lidhje me ballafaqimin e dy përkthimeve të ardhura respektivisht nga këta dy përkthyes të veprës “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. Mendoni se botimit të vitit 2000 i kanë shpëtuar pasaktësi...?

Në mos gaboj, përkthimi nga Shvarci i romanit në fjalë ka ardhur përpara viteve 2000, dhe më pas është ribotuar i riparë nga përkthyesi. Pra ka dy botime nga Shvarci. Në atë kohë janë bërë botime pirate të Marquez-it; madje edhe “Dashuria në kohërat e kolerës”që unë përktheva nga origjinali në fillim të viteve 90’, ndonëse u vu në dijeni prej meje vetë Marquez-i dhe Carmen Balcells-i, që menaxhonte të drejtën e tij autoriale, dhe u dërguan kopje të përkthimit në Barcelonë, sërish ishte një botim pirat. Duke qenë të tilla, askush nuk shqetësohej se nga ç’gjuhë vinte përkthimi. Kur Bujar Hudhri, përpara disa vjetësh, bleu të drejtat e botimit në shqipe të veprës së Marquez-it, u vendosën edhe standardet dhe rregullat e duhura të përkthimit dhe botimit. Doemos vepra e Marquez-it do të përkthehej nga origjinali, kusht ky i padiskutueshëm, dhe agjencia e të drejtave të tij autoriale kërkonte të njihej me CV e përkthyesit përkatës. Z. Hudhri më propozoi përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”. U mëdysha shumë gjatë. Kisha përkthyer gjer asokohe tri vepra të Marquez-it, me shumë sukses, dhe e njihja shumë mirë tërë korpusin letrar të tij; isha shumë e familjarizuar me kolumbianizmat që përdorte në shkrimësinë e tij shkrimtari i botës, madje kisha marrë edhe këshilla prej tij për përkthimine e veprës së tij, gjatë takimit me të në Barcelonë. Gjithsesi, qasja ndaj kësaj vepre ishte tejet e frikshme. Vështirësia përkthimore shumë e madhe. Cilido përkthyes, edhe me një barrë përvoje, mund të “thyente qafën”. Mendoni që ky roman konsiderohet si romani më i madh i shekullit XX, dhe pasuria gjuhësore e tij është e jashtëzakonshme. Kur nisa përkthimin e veprës, i cili zgjati përmbi tre vjet punë e përditshme, Bujar Hudhri m’u gjend në krah. Jo vetëm mori përsipër redaktimit e tekstit, i cili bëhej kapitull pas kapitulli të përkthyer, por nisi të bënte një punë studimore të pazakontë: krahasoi deri në imtësi kuptimore dhe nuancash kuptimore qasjen ndaj tekstit të Marquez-it të shtatë përkthimeve në gjuhë të ndryshme. Midis tyre, edhe përkthimin nga gjermanishtja në shqipe të Robert Shvarcit. Ishte si një lloj misioni i shenjtë letrar për lexuesin e gjuhës shqipe. Punimi studimor që doli është një prurje e rrallë në lëminë e përkthimit të krahasuar që vlen të studiohet nga kurrikulat. Ju më pyesni a mendoj se ka pasaktësi në përkthimin e Shvarcit? Unë nuk e kisha lexuar më parë përkthimin e tij të “Njëqind vjet vetmi”. Por pyetja se ç’mendoj unë apo dikush tjetër nuk ka asnjë kuptim, sepse studimi i Bujar Hudhrit mbi të është i botuar dhe kushdo mund ta shohë; nuk është çështje opinionesh, është shkencë e pastër, e zezë mbi të bardhë, janë qindra shembuj që ilustrojnë përfundimin e tij.

 Ajo që mendoj unë është se përballja midis dy përkthyesve Shvarc dhe Meksi nuk ka asnjë kuptim. Debati për këtë përballje është i shterpët. Nuk ka lëndë dhe as argumente për t’u debatuar. Ajo që mendoj unë është se Robert Shvarci, miku im i ndjerë, ka qenë një përkthyes i jashtëzakonshëm, se na ka sjellë në shqipe autorë të mëdhenj dhe vepra dinjitoze të letrave të botës. Mendoj se emri i tij i nderuar, apo vlerat e tij, nuk duhet të lidhen aspak, apo të vihen në peshore me përkthimin e “Njëqind vjet vetmi”, që mund të ketë qenë ndoshta një aksident në karrierën e tij të shkëlqyer prej shqipëruesi, (cilit përkthyes, sado i madh të jetë, nuk i ndodhin të tilla?) por me veprat e mëdha që shqipëroi nga gjuha gjermane. Nga ana tjetër, mendoj se studimi i Bujar Hudhrit duhet të konsiderohet në thelbin e tij, në atë çka sjell si pjesë e shkencës së përkthimit dhe që i kapërcen emrat e përkthyesve, qoftë të Shvarcit, qoftë të Meksit apo të ndonjë tjetri.

Dua t’ju them edhe diçka tjetër që do ta ilustroj me përvojën time: edhe nëse përkthimi i Shvarcit do të kishte qenë i shkëlqyer, sërish do të dilte nevoja për ta ripërkthyer veprën e madhe: e para, sepse në këta njëzet vjet gjuha shqipe është zhvilluar, ka ndryshuar, nuk përdoren më turqizmat, të cilët në kohën e Shvarcit konsideroheshin nga përkthyesit si “erëzat” e gjuhës, dhe që tani të rinjtë as që i kuptojnë; dhe e dyta, sepse normat e reja të botimit kërkojnë përkthimin e veprës nga origjinali. Siç u shpreha më sipër, unë kam përkthyer “Dashuria në kohërat e kolerës” të Marquez-it në vitin ’91, pra gati 30 vite më parë. Nga origjinali, dhe përkthimi asokohe u konsiderua i shkëlqyer. Tirazhi 30 mijë kopje. E pra, përpara katër vjetësh, pata fatin që ta ripërkthej përkthimin tim, sepse ishte e nevojshme pikërisht për hir të evoluimit të gjuhës, por edhe të përvojës sime tani më të madhe në këtë fushë.

 

Në dijeninë tuaj, a qarkullojnë tituj të ngjashëm të cilët kanë nevojë për një përkthim paralel?

Nuk gjykoj se duhet folur për përkthime paralele, por për disa përkthime të një vepre. Bota e njeh mirë këtë përvojë, dhe për vepra të mëdha ekziston një shumësi përkthimesh nëpër dekada. Fjala vjen, për Don Kishotin në frëngjishte njihen dhjetëra të tilla, apo për veprën e Shekspirit etj. Për arsyet që shpalosëm më sipër. Ne, sigurisht, nuk e kemi një luks të tillë. Gjithsesi, ka pasur dhe ka variante përkthimesh në shqipe të një vepre të caktuar. Është pasuri e letërsisë. Njihen disa përkthime në shqipe të poezive të Lorkës, të Pushkinit, të Burns-it etj. Në dijeninë time ka edhe vepra të Markez-it të përkthyera nga frëngjishtja dhe në mënyrë të pasaktë që në titull, dhe që janë përkthyer më pas nga origjinali, apo variante përkthimesh të autorëve të mëdhenj rusë, si Tolstoi etj.

 

Dhe së fundi një pyetje klishe: Çfarë do të kemi nga ju në të ardhmen e afërt?

Nuk di sa e afërt do jetë koha e botimit të romanit që kam në dorë; ka sfond historik, personazh kryesor Mid’hat Frashërin, por edhe Agatha Christie-n dhe romanin e saj legjendar “Krim në Ekspresin e Orientit”.