Thursday, January 28, 2021

Letërsia shqipe në kurthin e Kadaresë

 
Ismail Kadare - shkrimtar



Nga Leonard Veizi

Në fatkeqësinë e saj, prej kohësh letërsia shqipe identifikohet vetëm me emrin e Kadaresë. Dhe jo se nuk mund të identifikohej edhe me emra të tjerë të letrave kombëtare. Por duket se një pjesë e tyre dalëngadalë e humbën peshën.
Sot, vendi i “mbretit” të letërsisë shqiptare është i zënë. Pretendenti hipi në fron qysh më herët dhe tanimë duhet një “revolucion” për ta rrëzuar prej andej. Por konkurrentët e tij më të fortë për sa ishin gjallë, tanimë nuk jetojnë. Ndaj ai është i lirë të mbretërojë. Dhe mbretërimi ka koston e vet, të cilën duhet ta mbajë mbi shpinë me të drejtën e “liderit”.
Prej kohësh Ismail Kadare shijon suksesin e të qenit në majën e toplistës së shkrimtarëve shqiptarë. Zyrtarisht 
është thënë, - në qarqet letrare dhe nga maja e piramidës drejtuese, -  se ai është më i miri ndër letrarët që janë ende aktivë. Edhe pse në botën e artit në përgjithësi e në atë të shkrimtarëve në rastin konkret, të gjithë janë gjeni por të pazbuluar ose të pakuptuar në kohën e tyre. Por disa zëra më të thelluar kritikësh letrarë bëjnë me dije se Kadare i ka eklipsuar edhe ata që bënë epokën e letrave shqipe, pararendësit e tij. Pra, duke marrë për bazë këto lloj analizash, dhe prapashtesat që i shtohen shkrimtarit për të treguar kapacitetin e tij, dilet në përfundimin se ai është më i miri i të gjithë trevave dhe i të gjitha kohërave, për sa u përket atyre që i përkasin mentalitetit shqiptar.
Sa e mirëqenë mund të merret kjo? Cili është “kandari” i përdorur si njësi matëse për të vlerësuar në kilogram talentin e një shkrimtari, dhe a ka peshore që mund t’i japë atij në mënyrë të patjetërsueshme sasinë e bindjes për të mbretëruar, qoftë dhe pa kurorë?!
Ky është një abuzim fund e krye, pasi pesha e talentit është e vështirë për t’u krahasuar, dhe etalonet në art nuk janë të qëndrueshme. Ajo çka është e mirë për një njeri nuk është e mirë për dikë tjetër. Një shkrimtar i vlerësuar si i patalentuar sot mund të jetë një gjeni nesër, po si shkrimtar. Thjesht ndryshojnë kohët dhe qasja ndaj llojit të letërsisë.
Duke iu përmbajtur metodologjisë së vjetër, jemi mësuar me idenë që shkrimtarët, - ashtu si dhe piktorët, - ta marrin famën pas vdekjes. Madje të bëhen edhe të pasur pasi e kanë lënë botën e të gjallëve. Padyshim, kjo është një teori e tejkaluar tashmë. Pasi në kohët e sotme, mund të jesh po ti që i shijon frytet e punës tënde për sa je gjallë mbi dhé. Duhet veç një agjent letrar që të gjejë tregun dhe pak marketing, që me fjalë të thjeshta do të thotë: dalje në gazetë e televizor. Dhe mund të jetosh në profesion të lirë. Si askush shkrimtar tjetër Kadare e ka të kompletuar prapavijën e tij, duke iu dhënë dhe shansi i madh për të qenë i lirë në profesion.
Por cila është kostoja që shkrimtari të mbajë edhe staf? Pra të ketë në dispozicion njerëz që i shërbejnë makinerisë së tij.
Në rastin e Kadaresë ka qenë vetë shteti i cili ka marrë në dorë fatin e tij. Në kohën e diktaturës së egër po se po, por jo pak dhe në vitet e demokracisë liberale. Ndaj ai është nga ata autorë që po i shijon frytet e punës së mundimshme, për sa kohë është gjallë, pikërisht falë edhe këtij ingranazhi të vënë në punë qysh herët.
A është një veprimtari e suksesshme kjo që meriton termin “Pakt me Djallin”?? Dhe se ky “pakt” e ka ndihmuar atë të hipë dhe në “fron”???...
Kur shkroi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” Kadare, me siguri nuk e dinte se shkrimtarët e tjerë bashkëkohës, dashur pa dashur ranë në kurthin e letërsisë së tij. Sepse “Gjenerali...” - edhe pse sprova e parë e rëndësishme në prozë që ishte botuar prej tij, - qëlloi të ishte një kryevepër. Këtë sigurisht ai nuk e bëri me kast për të ngritur çarkun. Pasi për një 27 vjeçar, i cili ende nuk e dinte se ku do ta nxirrte udha e jetës, ishte ende herët të futej më labirintin e logaritmeve për të ardhmen. Por padyshim më pas do të ishte ai iniciatori i ngritjes së çarqeve, e do të bëhej një mjeshtër “kurthesh” e “leqesh”.
Por si arriti ta bënte këtë?
Do të ishte ai që do të sprovonte publikun me tema të mëdha të aktualitetit, duke guxuar madje t’i jepte një bojë fytyrës portretit të diktatorit, gjë që për hir të së vërtetës për shkrimtarët e tjerë ishte krejt tabu. I vënë në qendër të kritikave të herëpashershme, për shkak të lënies në hije të strategjisë socrealiste në një vepër letrare, Kadare mori një kthesë dhe zgjodhi të merrej me temat historike dhe mitet. Shtrirja e gamës kohore dhe e vetë temave të përzgjedhura, bëri që ai të merrte copën më të madhe dhe më të mirën natyrisht të tortës, për të lënë në tavolinën letrare copëza e më shumë thërrime. Këto ishin kurthet e tij të reja, por këtë herë jo rastësore, por të përllogaritura mirë.
Askush pas tij nuk do të guxonte të shkruante romane me të njëjtat tema. Shkaku ishte i thjeshtë. Kadare e kishte ngritur goxha lart stekën. Të kapërcejë mbi këtë limit duhet të kishe vërtet stofin e gjeniut. Për të kaluar poshtë stekës ishte shumë më e lehtë, por kjo nuk do t’i jepte askujt medaljen e Heroit.
Kadare i ka futur të gjithë në kurth, shkrimtarë të vjetër e të brezit më të ri. Por dhe ata që nuk kanë qenë gjallë në majën e lavdisë së vet, sërish i çuan drejt këtij kurthi.
Kjo e rriti dimensionin e tij, qoftë dhe në mënyrë artificiale.
Por një gjë e tillë kishte dhe një risk, ndoshta të paparashikuar, i cili prodhoi dhe një defekt kryesor. Sepse bota letrare shqiptare sot ecën mbi paterica, ku njëra prej tyre mban emrin e Kadaresë.
Ai vazhdon të cilësohet si autori më i mirë shqiptar, më i përkthyeri dhe më i kërkuari në treg. Dhe nëse ai është kampioni, ende nuk dimë të kemi një nënkampion apo qoftë dhe një sfidant. Ai është i vetëm atje në majën e Olimpit. Dhe natyrisht mund të mbretërojë, qoftë dhe i pakurorëzuar.
Ndërkohë, që mes përkëdheljeve dhe anatemimeve mediatike, të cilat i janë bërë shkrimtarit në vazhdimësi, - pjesë e kostos së mbretërimit, - është thënë se shkëlqimi i shkrimtarit në tregun perëndimor të letërsisë, ishte një dhuratë e pushtetit të kaluar, i cili për shkak të interesave të ngushta, i vunë në dispozicion gjithçka që i duhej për ta marrë këtë shkëlqim. Mbi të gjitha ai pati luksin të kishte një përkthyes të jashtëzakonshëm nga frëngjishtja dhe agjentë marketingu që ditën të vendosnin marrëdhënie me botues të ndryshëm në emër të shtetit. Dhe kjo tashmë nuk është më “top secret”. Ndoshta këtu qëndron dhe kleçka e të bërit “Pakt me Djallin”.
Por po aq në dijeni është dhe fakti se sistemi politik i para viteve ’90 të shekullit të kaluar, hodhi në tregun Perëndimor, po aq dhe në Lindje, edhe disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë, por që lexuesi përtej kufijve nuk i kapërdiu dot. Rezultoi se në tregun e ashpër të një marrëdhënie kapitaliste, ku nuk pyet njeri për shokun, mikun e partinë, vetëm vepra e shkrimtarit Kadare arriti të rezistojë madje duke pasur një tërheqje maksimale.
Padyshim ai diti ta shfrytëzojë mirë situatën konjukturale dhe vetë dhuratën që i bëri shteti deri në vitet ‘90, sepse me rënien e regjimit rrugët u mbyllën dhe shkrimtarët mbetën “jetim”. Tanimë një shkrimtar shqiptar të botohet në një gjuhë të huaj i duhet të kalojë në stërmundime dhe sërish të mos ketë suksesin e garantuar.
Gjithsesi, përçapjet e tij për të krijuar një disidencë artificiale post diktaturë nuk kanë pasur ndonjë rezultat për t’u marrë parasysh. Dhe po aq e panevojshme ishte pompimi i shkrimtarit Kadare si një armik ndaj regjimit komunist...
Letërsia e tij ka arritur të thyejë me sukses rregullat strikte të realizmit socialist dhe t’i japë botës së mbyllur të shqiptarëve një dritare nga ku kushdo lexues mund të shihej përtej. Dhe kjo ishte e mjaftueshme për ta nxjerrë atë nga vatha e shkrimtarëve dogmatikë.
Kadare, përveçse një shkrimtar i mirë do të ishte dhe një hero, nëse vërtet do të ishte përplasur ashpër me regjimin aq sa të vihej në diskutim liria e tij, gjë që nuk rezulton. Por duket se kompromisi, apo “pakti me Djallin”, e ka kompromentuar jo pak.
Ndoshta edhe pse për këtë shkak nuk e arrin dot “Nobel”-in e shtrenjtë, ai sërish mbetet në majën e letrave shqipe.


Thursday, January 21, 2021

Lojë me maska



Nga Leonard Veizi

Për shkak të inteligjencës, e cila në evolucionin e viteve e ka rritur gamën, raca njerëzore ka pasur gjithmonë nevojë për të mbajtur një maskë në fytyrë. Sepse vetëm maska nuk do tregonte emocionet tona të vërteta. Nuk do na tradhtonte. Nuk do të na tregonte më të dobët para tjetrit, nuk do ta tregonte lumturinë e epërme. As trishtimin e tepruar. Sepse tjetri nuk e do lumturinë tënde. Sepse tjetri do të të shohë vetëm duke vuajtur.
Por si i bëhej për t'i mbuluar të gjitha këto?
Vendoset një maskë.
Dhe njeriu e gjeti mënyrën si ta ndërtonte maskën, me të cilën në fakt nuk e kishte pajisur krijuesi i tij. Por i kishte dhënë inteligjencën. Dhe maska nuk ishte  prej pambuku, as plastike, madje as si ato të kirurgjisë abdominale. Por gjithsesi, ishte një maskë e cila ta mbulonte mirë fytyrën aq sa askush nuk mund të depërtonte për të parë se cili ishte fytyra e vërtetë e tjetrit.
Sepse siç më thotë nga njëherë, ai i ka shtyrë gjithmonë që të kenë një maskë, një maskë hipokrizie që Beni nuk e duron dot”, do të shprehej personazhi Fredi i filmit “Hije që mbesin pas”, i cili shpjegonte për dhëndrin Agron marrëdhënien e Adnanit baba me të birin Beni, ku mospërputhja midis tyre kishte një shkak thelbësor: mbajtjen e “maskës”. Dhe Adnani baba, si burrë i mençur e me përvojë që ishte, kërkonte që Beni aguridhe dhe i pamësuar me jetën ta mbante maskën, se do t’i duhej për t’u ngjitur në atë që ai e cilësonte si “karrierë zyrtare”.
Viti 20 i mijëvjeçarit të ri tregoi se ne u futën në epokën e maskimit. Dhe ky është një maskim i trashë, pa shumë elegancë dhe pa përdorur fare inteligjencën.
Sot ne kemi vënë të gjithë nga një maskë. Është e detyruar, duam apo nuk duam. Madje na thuhet se është për të mirën tonë. Dhe për këtë ka një vendim qeverie. Një vendim i thjeshtë fare, por që të penalizon fort. Po e hoqe maskën merr një gjobë për të cilën do të thartohesh mirë. Kështu që më mirë i nënshtrohesh fatit dhe e mban, paçka se ajo s’ka asnjë vlerë, dhe pse trumbetohet se është pikërisht ajo që po na mbron nga viruset; nga ky fort i rrezikshmi Covid, por dhe nga një seri virozash, që për të thënë të vërtetën prej një viti u janë harruar emrat dhe simbolet.
Ndërkohë që fytyra jonë e vërtetë, pa maskë inteligjente dhe pa maskë artificiale, ka të bëjë me individualitetin e secilit prej nesh. Sepse të gjithë e kemi nga një fytyrë të ndryshme, dhe kur ajo nuk është e bukur. Dhe gjenialiteti i krijuesit është pikërisht këtu, që na ka bërë të gjithëve në këtë botë, nja 7-miliardë e kusur njerëz, të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po ashtu si dhe shenjat e gishtërinjve. Ndërsa maska e humbet atë dhe i bën njerëzit të njëtrajtshëm. Si në ata filmat me robotë, ku mekanizmat bëjnë të njëjtat veprime të urdhëruara nga ordinatori qendror. Dhe në këtë mënyrë, çdo njëri prej nesh mbetet vetëm si një numër në databazën e të dhënave. Pa identitet.
Ne nuk e tregojmë sot fytyrën tonë. Një i huaj nuk e di se me kë ka të bëjë kur të ndalon në rrugë për të të bërë pyetjen më bazike: “ku është “filan” rrugë? Ai nuk shquan dot plastikën e bashkëbiseduesit, mimikën e tij. Nuk ia ndjen dot as skuqjen prej mashtrimit dhe dhe as zverdhjen e saj prej frikës.
Maska na vjen në ndihmë, pikërisht atëherë kur ne për shkak të paaftësisë nuk e realizojmë dot një maskë natyrale e cila na mbron nga ballafaquesi.
Maska tanimë është bërë pjesë e gardërobës tonë. Shumëkush kujdeset që të ketë disa syresh, me dizajnë e masa të ndryshme. Për verë dhe për dimër. Për xhiron e paradites dhe për atë të darkës. Dhe të dalësh pa maskë sot është njëlloj si të dalësh... pa pantallona fjala vjen. Dhe nëse nesër do ta heqim maskën, por me vendim qeverie, do të na duket vetja nudo e s’do kemi me çfarë ta mbulojmë lakuriqësinë tonë.
Ne të gjithë mbajmë maska dhe mbulojmë fytyrën deri tek sytë.
Po çfarë duam të mbulojmë me to???
Kapuletët dhe Montagët, armiq të betuar, u ngatërruan fort midis tyre në një ballo me maska, pikërisht se nuk po kuptonin kush ishte miku dhe kush ishte armiku. Përfitoi vetëm një çift të rinjsh nga e gjitha kjo: Romeo dhe Zhuljeta.
Volfgang Amadeus u trondit kur pa babain e tij Leopold të hiqte nga koka një maskë me të cilën ishte mbuluar gjatë gjithë kohës së një mbrëmjeje festive. Besoj se e mbani mend këtë sekuencë të filmit “Amadeus”. Dhe ky vizion nuk iu shqit Mozartit gjithë jetës, gjë që e bëri ta vendoste si personazh skene në një nga operat e kompozuara prej tij që titullohej “Don Zhuani”.
Novela “Ëndërr” e shkrimtarit Arthur Schnitzler frymëzoi regjisorin Stenley Kubrick për të realizuar filmin e shumëpërfolur “Eyes wide shut” i cili në metrazhin e tij kulmonte me një ballo erotike maskash, nëpërmjet të cilave, të ftuarit, për shkak të anonimatit, vëzhgonin të pa emocionuar një orgji ku dhe vetë ishin të përfshirë si lojtarë të dorës së parë.
Eh... çfarë bëjnë maskat.
Ushtarët e Hamasit gjithashtu mbanin maska në fytyrë. Ata të ISIS-it po se po. Gjithfarë banditësh në vitin e mbrapshtë 1997 mbanin maska e të grabisnin në mes të rrugës apo në qendër të qytetit. Maskat janë mbajtur gjerësisht edhe nga hajdutë ordinerë të cilët mundoheshin të mos linin gjurmë njohje në kamerat e sigurisë së lokaleve, teksa thyenin ndonjë bravë për të vjedhur sende me pak vlerë.
Pra maskat nuk janë dashur vetëm për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, por janë përdorur dhe për të mos u njohur në një ambient publik. Kjo të jep mundësinë të bësh ç’të duash. Dhe nuk është nevoja për të vendosur atë maskën e tejdukshme të hipokrizisë. Sepse kjo e detyruara, është shumë më e thjeshtë. Ka kosto të ulët dhe ta mbulon krejtësisht fytyrën. Dhe nëse deri dje për t’u identifikuar policia të kërkonte të të shihte surratin, sot ka gjithë të drejtën ligjore të të dënojë pse e mban zbuluar fasadën.
Të themi që bota është rrotulluar mbrapsht...?
Maskat në fytyrë tanimë janë kthyer në trend. Me gjasa ato nuk do t’i mungojnë më procesionit të veshjes sonë. Dhe nesër kur Covidi të mos ekzistojë do të mbahet përsëri me sebepin e ajrit të ndotur, të viruseve sezonale. Dhe njerëzit sërish do të fshehin fytyrën pas një cope.
Nëse nuk do të takosh njeri, mbaj një maskë në fytyrë. Askush nuk do të të përshëndesë dhe askush nuk do të të ndalojë në rrugë për të të të bërë pyetjet klishe të shëndetit dhe të mbarëvajtjes në punë. Nëse nuk do të njihesh e të jesh më i shpenguar për të bërë gjithfarë “bëmash” të cilat as mund t’i imagjinoje më parë, mbaj gjithashtu një maskë.
Ne sot po mbajmë të gjithë maska. Po fshehim të keqen tonë. Kjo po na kthehet gati organike. Ne nuk do të mund të bëjmë dot pa maskat, nëse detyrimi për t’i mbajtur ato do të zgjasë dhe pak në kohë. Ndoshta ky është dhe qëllimi i OBSH-së, i vetë qeverive që e aplikojnë me kaq zell të tepruar.
Ne sot të gjithë kemi nga një maskë, ata që duan ta kenë një të tillë me se s’bën, dhe ata që nuk e kanë të nevojshme një koperturë pëlhure të zezë.
Jetojmë kohë të çuditshme.
 

Thursday, January 14, 2021

Mjekët, këta “heronj” të pamerituar


Nga Leonard Veizi
 
Mjekët nuk janë heronjtë e ditëve të sotme. Nuk kanë qenë as më parë se kaq. Ata nuk kanë dalë me çantën e instrumenteve në dorë, të kaptojnë male e lumenj, për të bërë humanizmin e radhës në shërbime të jetës humane. Ata thjesht janë paraqitur në vendin e punës, pasi kanë çekuar në listprezencë, dhe më pas kanë nisur të bëjnë vizitat e radhës. Nëse kjo detyrë, pra pjesë e profesionit që kanë zgjedhur, është e rrezikshme, janë të lirë të ndryshojnë profil. Ose të hapin ndonjë bar-kafene, ose të rrinë pa bukë. Ky është thelbi i problemit.
-Pra çfarë bëjnë mjekët???
-Thjesht profesionin me të cilin marrin rrogën. Ose përndryshe, sigurojnë bukën e gojës.
E qartë si kristali.
Në familjen tonë është diskutuar gjerësisht ideja që fëmijët tanë të mund të studionin në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Llogaria është e thjeshtë: Punë e sigurt e me perspektivë. Pavarësisht kësaj, fëmijët e kanë refuzuar këtë ide, për të zgjedhur profesione më pak të sigurta për të ardhmen. Në familjet e tjera të shqiptarëve gjithashtu sot e gjithë ditën diskutohet gjerësisht për t’u dhënë fëmijëve një zanat të qëndrueshëm: atë të mjekut, ndihmësmjekut ose të farmacistit. Garanton të ardhmen këtu në Shqipëri, por thonë se të merr në punë edhe gjermani.
Pra edhe një herë: kemi të bëjmë me një profesion mjaft të lakmueshëm. Mjek me punë e rrogë të mirë.
Ku është heroi këtu?
Sepse emërtimi “hero” është bërë si një fasadë e cila të mbron nga goditjet. Se demek është “hero”. Rrezikon jetën e tij për të tjerët. Si puna e policit. Se ata heronj janë ngaqë përballen në vazhdimësi me krimin. Paçka se brenda radhëve të tyre ka dhe segmente, apo individë të veçantë që marrin në mbrojtje krimin, e u çojnë nga një sms të shumëkërkuarve: Ik, se erdhi policia. Po këta, a janë heronj???
Hero bëhesh nëse je me pushime, bie zjarr dhe të merr trupi flakë pasi je futur për të shpëtuar një fëmijë. Ky është heroi jo zjarrfikësi që ka zgjedhur të bëhet i tillë se ka dhënë prova të mjaftueshme që di të mbajë shllangën e ujit përpjetë dhe të hipi në majë të shkallëve.
Kush detyron në zgjedhjen e profesionit? Mos vallë dëshira e madhe për t'u ardhur në ndihmë njerëzve. Pallavra. Duhet të jesh naiv ta besosh këtë. Gjithkush gjen një profesion, atë që është i mundur të bëjë, në bazë të aftësive fizike dhe asaj mendore, me qëllimin e thjeshtë që të marrin një rrogë e të jetojë. Thënë më shqeto: i bën hyzmetin bukës së gojës dhe të kalamajve.
Vijmë përsëri tek mjekët.
Rasti i fundit: që një sanitare merrte para me grushte nga një paciente dhe i ndante ato me mjekë e ndihmësmjekë, tregon edhe një herë se për mjekët e ditëve të sotme një pacient është thjesht një klient. Kështu ka qenë dhe 100 apo 200 vjet më parë, të kuptohemi drejt. Teknologjia ecën me hapa të shpejtë jo mentaliteti njerëzor. Ke parë mjek ti që të vijë e të bëjë vizitë falas, e të lërë familjen e vet pa bukë, në emër të humanizmit?
Këtu nuk po flasim për një mjek të licensuar si një biznes privat që kontribuon me taksa në buxhetin e shtetit, por për mjekë që rrogat i sigurojnë nga buxheti i shtetit.
Vitet e gjata të tranzicionit treguan më së miri se si u deformua morali i njerëzve në Shqipëri. Një moral i dyshimtë që ishte presuar ca më përpara se të vinte tranzicioni. Dhe mbi të gjitha sot gjithçka është e ngritur mbi korrupsionin. Madje dhe të rinjtë që vijnë me një frymë të re pasi kanë përfunduar studimet jashtë vendit, shumë shpejt bëhen pjesë e mekanizmit. Nisin e u lezetojnë tarifat shtesë të cilat pas një farë kohe u sigurojnë edhe vila dykatëshe edhe makina me zero kilometra. E pastaj flasim për pastrim parash... Tani kemi të bëjmë me një rreth vicioz e të çimentuar ku të duhet vizë për t’u futur, por që nuk ka gjasa t’ja dalësh për të dalë.
Sanitarja e Sanatoriumit, të cilës policia i vuri prangat, është vetëm një prej rasteve. Dhe kjo ka ardhur pas një denoncimi. Por në jetën reale dhe të padenoncuara ka aq shumë raste sa njerëzit kur mendojnë spitalin e kanë më të lehtë të përdorin për veten e tyre shprehjen e plotkuptimtë: “Në kokë e në gropë”. T’i mbyllësh shpejt hallet, sepse po re në dorën e mjekëve, aha...
Por jo të gjitha shkojnë ashtu siç duam.
Pandemia e Covidit, erdhi si me porosi për mjekët tanë dhe për ndihmësmjekët sidomos. Ta kërkosh me qiri sot një ndihmësmjek të të bëjë një gjilpërë a të të vendosi një serum. Çmimet e shërbimit shkuan në stratosferë dhe u standardizuan. Padyshim tregu është i lirë dhe vepron sipas kërkesë – ofertës për sa shërbimi është privat dhe i liçensuar. Por kur ky shërbim vazhdon me të njëjtat çmime edhe në një repart të shtetit, me mjetet e blera nga buxheti ku personeli merr rrogën prej kontributit të pacientëve, këtu duhet ndalur vrulli. Sepse ky nuk është thjesht një abuzim, por një krim. Dhe si i tillë duhet dënuar sipas Kodit Penal.
Mjekët nuk kanë pse të cilësohen si heronj nëpër ekrane televizive, t’u çohen tufa me lule e t’u këndohen serenata. Ata punojnë për rrogën e tyre, ashtu si dhe shumë të tjerë por që s’kanë asnjë përfitim shtesë. Dhe më së shumti u falen “honorarëve” që marrin nga xhepat e shqiptarëve të varfër. Them të varfër, sepse vetëm ata përplasen në dyert e një spitali shtetëror ku të shohin shtrembër e me sytë nga xhepat, që prej sanitares e deri tek shefi i pavijonit.
Ata të shtresës së mesme shkojnë në ndonjë spital privat ku pacienti-klient trajtohet me buzëqeshje e dashuri sepse  xhepat i janë zbrazur që pa e kaluar pragun ku është vendosur recepsioni. Ndërsa të pasurit e kanë edhe më të thjeshtësuar procedurën: Ata e anashkalojnë sistemin mjekësor vendas për t’i hipur avionit e për të shkuar në një spital jashtë shtetit për një terapi më intensive e më cilësore.
Pa dashur t’i fusim në të njëjtin thes punonjësit e shëndetësisë, duhet thënë me zë të lartë se një pjesë jo e vogël e sistemit mjekësor është i kalbur dhe i korruptuar. Mos u rëntë halli e të përplaseni me të se nëse nuk e kuptoni ditën e parë do ta merrni vesh në të dytën se si funksionon sistemi nën një logo aq shpresëdhënëse “Shëndetësia falas”. Sepse në vetvete dhe sipas standardit shtetëror të sanksionuar, mjekësia mund të cilësohet falas, pavarësisht se funksionon në bazë të kontributeve, por nëse nuk paguan nën dorë me shumë gjasa nuk e merr të plotë të gjithë shërbimin. Ndaj të gjithë tkurren e shtrëngohen për të dhënë diçka që është ruajtur për një ditë të zezë, edhe pse kjo “diçka” në fund të ditës e kalon ku e ku rrogën ditore.
Epidemia Covid është një kohë e artë për mjekësinë shqiptare. Rasti i fundit i denoncimit të sanitares së Sanatoriumit, na mësoi saktësisht se cilat janë tarifat me të cilat operojnë mjekët, ndihmësmjekët dhe sanitarët. Dhe ta bëjnë mend mirë ata që nuk i kanë aq para, e të paktën të marrin masa për një kredi afatgjatë. Situata bëhet e frikshme kur mëson se edhe pse ke paguar kursimet e jetës nuk është e thënë se “do ta kalosh klasën”. Dhe t’i marrësh para një njeriu që ndan jetën nga vdekja me një fije peri dhe për më tepër të mos i japësh as shërbimin e detyruar, mban mbi supe një peshë të madhe mëkati e mallkimesh.
Por mjekët nuk kanë frikë nga mallkimet. Duhet të jenë imunizuar tashmë. Sot ata dalin ballëlartë duke thënë se po punojnë në një front shumë të vështirë e me një risk të madh. Kjo padiskutim e ul gramaturën e mëkatit që nuk është kolektiv, për zhvatje e ryshfete nën dorë. E në njëfarë mënyre përligj “5-lekshin” e xhepit.
Po cili është ai profesion që nuk ka risk? Mos vallë minatorët e kanë të sigurt jetën kur futen në galeri? Po ushtarakët të cilët shteti i nis me mision qoftë brenda territorit të republikës apo në një front të nxehtë jashtë kontinentit?
“Shëndetësia falas” tanimë është vetëm një slogan. Betimi i Hipokratit nuk ka vlerë. Ai shkelet me këmbë sapo kupton që ky betim është veç një pengesë. Sistemit të kalbur i duhet një plugim i thellë ashtu si dhe Vettingu në Drejtësi.
Sa herë që ndodh ndonjë denoncim ku një nga të sistemit kapet me presh në dorë, dikasteri thotë se është rast i izoluar.
Jo, nuk është rast i izoluar.
Po pse nuk denoncohen? Sepse secili mundohet me të gjitha mënyrat të mbarojë hallin e vet. Dhe nëse ia hedh, i lë pas të gjitha.
Për të rregulluar imazhin e njollosur dikasteri thotë plot pathos se puna e mjekëve në këtë kohë krize është e madhe.
Po, është vërtetë një punë e madhe. S'e mohon kush. Por të gjithë punojnë, atje ku u ka rënë për pjesë. Kjo nuk do të thotë që të gjithë janë heronj. Cilin gazetar e gënjen mendja se është hero, pasi mblodhi faktet, mes presioneve e kërcënimeve, dhe denoncoi në shtyp një aferë korruptive. Kjo është detyra e tij. Për këtë paguhet. Te e fundit të gjithë punojnë për të jetuar.


Thursday, January 7, 2021

Në vorbullën epike të programeve televizive


Nga Leonard Veizi
 
Po e filloj këtë shkrim me dy sentenca urbane që qarkullojnë prej kohësh, por që nuk kanë arritur të marrin të drejtën e titullit si “fjalë të urta popullore”.
E para: “Kur s’ke punë tund derën”. Por që i përshtatet edhe shprehja tjetër: “Hyr e dil e tund peshqirë”.
E dyta: “Prandaj nuk bëhet ky vend”. Kjo e dyta nuk ka përshtatës, është unike.
Po pse pikërisht këto të dyja, do pyesni ju?! E ka dhe kjo një shpjegim.
E nisim me të parën.
Meqë më qëlloi që një ditë isha pa punë, po krejt pa punë ama, e meqenëse nuk kisha ç’të bëja, u rehatova në minder e nuk e luajta kanalin e televizorit nga një program, për të cilin kisha dëgjuar se kishte një audiencë të pazakontë. Nja dy milionë shikues, më kishin thënë. Ja, kësaj i them audiencë unë. “Shiko kush luan”. Se shkon dhe me “luajtjen e derës”, jo për gjë. Luaj ata, luaj dhe unë. Prezantuese ishte një bionde, po yll fare. Epo ndjekësit shqiptarë nuk ia fusnin kot, se çoç do kishte ky program. Për më tepër që, të ndarë në dy ekipe ishin përfshirë dhe ca fytyra të njohura nga të ekranit. Spektakli vazhdonte. Skuadrat nisën luftën me njëra-tjetrën. Te keqen e zborit. Atëherë të paktën na gënjente mendja se stërviteshim që të mbronim Atdheun. Dikur plasi e ngrëna në kusi e garuzhde, me kusht... Plasën dhe dënimet, kush nuk e mbaronte racionin. Çfarë nuk shpik truri njerëzor. Aktorë e këngëtarë që zhgërryheshin e shlyheshin dënimet. Nam i zi.
“E paske ul pazarin, ke filluar të ndjekësh këto trapllëqet”, - ma pat çuni pa e ngritur kokën nga celulari i tij. Vajza ishte dhe më indiferente kur pyetjes time se pse nuk e ndiqte këtë lloj programi iu përgjigj shkurt: idiotësira.
-Ke të drejt moj bab, se ja dhe unë se si u ndodha,... bosh.
Vazhdoj të jem pa punë, dhe të mos i gjej vetes një mënyrë për ta shkëputur nga televizori. “Qenkam budallallepsur”, - mendova. Futem në  youtube, ku gjej deklaratën e prezantueses që thoshte se spektakli në fjalë kishte kapur dy milion shikime. Dyfish i parashikimeve. Unë si i vonuar duhet të futesha tek milionëshi i tretë. “Pyteee...”. “Të jetë katandisur kështu dhe Shabani ynë”?
Isha në pikëpyetje me veten. Vërtet njerëzit shohin nga këto trapllëqe? Bashkë me mua, kuptohet. Se të thuash se kemi dy milion shqiptarë budallenj, kjo është ca si e rëndë. Ne gjithë-gjithë, me ata që janë tej kufirit dhe në diasporë bëhemi a s’bëhemi nja 8 milionë frymë. E në 8 milionë të kesh 2 milion budallenj duhet marrë seriozisht çështja. Nuk kemi bërë as vaksinën antiCovid, që t’ia hidhnim fajet asaj të paktën.
Epo këto janë risitë e kohës.
Dikur risia e kishte emrin “Big Brother”. Emisione për shpëlarje truri. Paketa të gatshme. U evidentua edhe LGBT-ja aty brenda. Se kishim mbetur prapa ne shqiptarët me deklarimin zyrtar të homoseksualitetit. Kështu që nisëm të ecnim me hapa gjigantë. Gjynah që nuk na pranojnë në BE. Kushtet po i plotësojmë.
Sot ka ecur edhe më përpara. P.sh: kur dy motra vihen në rivalitet për t’u zgjedhur nga i njëjti burrë. Hajde rivalitet hajde. Ta merr tjetra burrin nga dora. Natyrisht kjo nuk është ndonjë gjë e panjohur se ka ndodhur edhe më parë. Kësaj radhe e kam fjalën për një program me emrin tejet të konsumuar “Love Story”. Sentenca e emisionit është bazuar mbi një mashkull, që rri si gjeli majë plehut, dhe nja 20 femra në garë kush të jetë ajo që do t’i fitojë zemrën. Kulmi. Edhe sulltanit të Osmanëve i duhej luftë për të pasuruar haremin. Këtij shqiptarit haremin ia bëjnë qyl. Njëra nga vajzat  që u dogj një nga seancat tha se kishte shumë karakter dhe se ishte e lumtur që po largohej nga loja. Ja për këtë lloj kurajoje kemi nevojë. Bravo i qoftë për karakterin dhe që u largua nga loja pas një muaji jargavitjesh e pasi nuk u përzgjodh nga “gjeli”.
O Zot!
Hap facebook-un nga celulari. Vazhdoj të mos kem punë, por merrem me thashetheme virtuale. “Iksi i jep një përgjigje epike Ypsilonit: Ik or debil”. M’u fut llapa brenda. Kërkoj në google fjalën “epike”. Më dalin “vargjet epike”... Jo, jo, jo, jo, se çka këtu që nuk më shkon. “Përgjigje epike...”. S’ma rrokte dot truri. “Është lojë e produksionit”, shkruhej andej-këtej nëpër rrjetet sociale. Jo more. Po qenka “Produksioni” për të shkuar e për të marrë çmimin Nobel në Stokholm, jo Ismail Kadareja. Hajde Produksion, hajde. Çfarë të bëka Produksioni s’ta bëka Perëndia.
Te një tjetër emision ndoqa ca të rinj e të reja që përlesheshin me njëri-tjetrin. Edhe këta në luftë për të gjetur njeriun e jetës. Sherr jo shaka. Edhe emisioni quhej “Përputhen”. Fiks ia kishin gjetur. Patentë ndërkombëtare. Kush e di që kur nuk aplikohet më dhe shkuam ne shqiptarët ta nxjerrim nga harresa. Se nuk na mjaftojnë rrjetet sociale për të gjetur gjysmën e bashkëshortësisë.
Dikur njeriu i jetës gjendej në frontin e prodhimit, duke punuar në ara, fabrika, kantiere... Tanimë kanë ndryshuar kohët, nuk vlejnë më as lajmërimet në gazetë. Duhet bërë “live” në televizion.
U përqendrova nja 40 minuta të merrja vesh se për çfarë bëhej debati por s’thithja gjë. Se aty ta merrnin fjalën nga goja. S’binte gjë në tokë. Kakofoni. Pastaj i dhashë drejtim: “Ik o Nard futi ndonjë gastare rakie, merr edhe ca turshi që mos të të marrë flakë stomaku, se këto janë emisione trendy e s’i kap dot”, i thashë vetes.
E drejtë.
Kemi qenë trendy dikur, por sot jemi në bisht. Çdo brez ka të tijat. Nuk po mundohem të bëj moral dhe as të them se nuk më pëlqejnë emisionet argëtuese, por... Në fakt po vendose ‘por”-in, mund t’i hedhësh të gjitha poshtë në argumentim.
Argëtues apo të dobishëm, emisionet televizive tanimë po prodhojnë personazhe nga hiçi që më pas shiten si VIP-a dhe zënë vend në faqet rozë që i mbushin ca gazetarë të cilët për djall na duhet t’i quamë kolegë meqenëse punojmë në të njëjtën gjatësi vale. VIP-a të stimuluar. Nga ata që harrohen sapo bie sipari i emisionit. Sepse të jesh VIP e të mos kesh bërë asgjë në jetë, kjo nuk është vlerë!
Po ec e t’i mbushësh mendjen. Si një herë e një kohë “njëri” që kur doli nga “kafazi” tha: E arrita qëllimin, u bëra i famshëm. Sot asnjeri nuk e di nga bëhet ai farë djali.
Mos po e teproj gjë?
Se janë dy milion shqiptarë që i ndjekin këto emisione. Shumë prej tyre i adhurojnë. Shumë të tjerë duan të jenë pjesëmarrës por nuk munden dot. Se s’të lë njeri të kapërcesh gardhin.
Sërish pa punë unë: “Hyr e dil e tund peshqirë”. Merrem me hallet e të tjerëve kur ata vetë janë në kokërr të qejfit.
Këto patentat që blejmë ne shqiptarët me shumë gjasa bota i ka nxjerrë jashtë sistemit. Gjende mirë. Njerëzit duhet të shtyjnë kohën para televizorit, o me telenovela turke, o me emisione shqiptare.
U pa puna, mendova, do t’u kthehesha serialeve indiane, që na zëvendësuan ato të Amerikës Latine. Mbase del ndonjë “Sarasvatiçandra” e re e shtyjmë ca kohë.
Se kot nuk e ka thënë i moçmi: Kur s’ke punë do tundësh derën.
Prandaj s’bëhet ky vend...
Se desh harrova. Kjo ishte sentenca e dytë që nuk na kishte rastisur ta qëmtonim deri tani. Ajo unikja.
 

Wednesday, January 6, 2021

Sandër Prosi, vdekja tragjike e aktorit brilant

Në 35 vite jetë artistike interpretoi më shumë se 100 role 30 prej të cilave në kinema
 

Nga Leonard Veizi
 
Vdekja e tij ishte tragjike, por përditshmëria në të gjallë kishte aq shumë intensitet, ndërsa jetonte jetën e vet dhe atë të personazheve të tij...
 
...Në rrugët e Tiranës ai dukej po aq fisnik e madhështor sa dhe imazhi i doktor Borovës apo i dhaskal Todrit të cilat i pat “gdhendur” me aq mjeshtëri. Por në kujtesën time të hershme qenien e tij prej artisti e kam fiksuar me një llullë në gojë po aq sa dhe profesor Mirushi tek “Dora e ngrohtë”, e pak flokë të gjata sa më kujtonte daj Vranën tek “Yjet e netëve të gjata”. Ndërsa po aq imazhi i tij hijerëndë të linte mbresën e një burri të fortë, ashtu si dhe i mahnitshmi Jaho Labi, që luhej nga i njëjti njeri, nën të njëjtën lëkurë. Dhe padyshim nëse do të përmendet emri i tij si aktor, ai do të lidhej rrufeshëm me atë të Ismail Qemalit, personazhit historik që i dha aq shumë vërtetësi në një interpretim të jashtëzakonshëm. Por jo më pak qenësia e tij aktruese lidhet menjëherë me një tjetër personazh emblematik gjithashtu, me atë të gjeneralit të “ushtrisë së vdekur”, të cilit i dha aq shumë elegancë:
-“Vërtet je kaq e lehtë Beti, apo më duket mua kështu nga lumturia. Sa e lehtë që je ti Beti... Ndërsa tani ti je vetë më i lehti i njerëzve në botë, 3-4 kg, jo më shumë”.
Ky ishte Sandër Prosi... Dhe vazhdon të jetë, gjithashtu... Sepse ka mbetur në memorien kolektive dhe në pelikulën e filmit.
Si aktor brilant që interpretoi në skenën e teatrit shqiptar dhe në sheshxhirime, ai do të linte pas një mori personazhesh të cilët vazhdojmë t’i kemi në ekran. Statistikat thotë se ka interpretuar më shumë se 100 role. Galeria e personazheve të tij është e thellë dhe e gjatë. Por përsëri kjo mbetet një statistikë. Sepse në realitet do t’i mjaftonte vetëm një prej tyre me të cilin do të identifikohej. Dhe për këtë mund t’i mjaftonte Sefedini:
-“O popull sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd, biles edhe naltmadhnija flet nën emrin tënd...
Ndërsa ai ka shumë më tepër se kaq.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe 14 vjeç. Në vitin 1938, pas mbarimit të gjimnazit, përfitoi një bursë, për të studiuar në një nga universitetet e Vjenës. Për dy vite studioi stomatologji dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë bursa iu ndërpre. Në vitet 1942-‘43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, që kishin mbaruar të njëjtën shkollë, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës.
Më 1947 fiton konkursin pranë Teatrit Popullor. Prej këtej filloi veprimtaria e tij artistike.
Për herë të parë luante në vitin 1948 tek komedia "Prefekti" të Besim Levonjës. Më pas do të vazhdonte në teatër me role tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaxha Vanja" etj.
Krijoi dhjetëra role në veprat e autorëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Kol Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role që kanë hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare.
Pas vitit 1961, ku interpretoi në filmin "Debatik", rolet i takojnë kinematografisë me: "Detyrë e posaçme", "Vitet e para", "Horizonte të hapura"...
-“Aspirinë?! Hajd ta marrësh në bigë”, - do të ishte një nga batutat e tij në rolin e kapitenin të bigës lundruese.
Dhe Sandër Prosi do të vazhdonte me filmat e tjerë: "Plagë të vjetra", "Guximtarët", "Gjurma", "I teti në Bronz", "Mëngjese lufte", "Yjet e netëve të gjata", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Në fillim të verës"...
-“Ik or tutje, breshkave u dhamë ne ujë, më njëzetën. Dhe ç’ujë pa, tërë detin... Do hosten bualli, jo pickima pleshti.”
Ky ishte Jaho Labi. Por më pas do të vinin rolet e tjera për të në filmat: "Përballimi", "Fijet që priten", "Njeriu me top", "Gjeneral Gramafoni", "Udha e shkronjave", "Yje mbi Drin", "Vajzat me kordele të kuqe"...
-“E ka fajin 7 prilli o Resul. Mos e harro dhe Selam Musanë me shokë.
Dhe ky ishte Safeti, babai i Dhuratës.
Odiseja e filmave do të vazhdonte me: "Plumba perandorit", "Plaku dhe hasmi", "Qortimet e vjeshtës", "Nëntori i dytë", "Dora e ngrohtë", "Kush vdes në këmbë"...
-“Afrohu dele e perëndisë, afrohu. Ke qenë në Kostur ti Sofi? Do ti them babait të të marrë me vete kur të që ti lutesh Shën Mërisë të të plotësojë çdo dëshirë
Ndërsa ky ishte dhespoti që shkishëroi Petro Nini Luarasin e gjuhës shqipe.
Pikërisht e gjithë kjo galeri rolesh, përvoja e 35 viteve jetë artistike, në krijimin e më shumë se 100 personazheve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, krijuan dhe shkollën shqiptare të aktrimit.
Miqtë e kolegët e tij janë shprehur se Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta për shkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan.
Kështu më 25 mars 1985, Sandër Prosi vetëvritet, ndërsa ishte tek hotel Vollga në Durrës, me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur", të regjisorit Muharrem Fejzo.
Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik Sandër Prosi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës nderoi Sandër Prosin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Në 24 shkurt 2017, Sandër Prosi u nderua me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes.