Saturday, March 30, 2024

Nga Ian Gilan tek Deivit Koverdell, kur të famshmit e “Deep Purple” mbërritën në Tiranë

2007 - 2008
Impresione

 
Nga Leonard Veizi
 
Kanë kaluar 17 vjet nga ajo natë. Ndërsa unë mes relikeve të shenjta ruaj ende biletën e tyre të koncertit. Në kohën time më të mirë, as në ëndërr nuk më kishte vegëtirë se një ditë do mund të zbrisnin shkallët e avionit në aeroportin e Rinasit, po ashtu siç ndodhte rëndom në aeroportin e Los Anxhelosit apo të Mynihut. Por në kohën time jo aq të mirë më, ata mbërritën vërtet në Shqipëri. Legjenda e tyre vërtitej prej kohësh në etër. Nuk ishte thjesht muzikë. Ishte një frymë. Diçka që solli një revolucion në të gjithë atë që më pas do të quheshin “metalet e rënda”. Muzika “hard” sapo kishte nisur. Pesë djem ambiciozë nga Londra, formuan një bandë muzikore. Dhe u konsideruan pionierët e Metalit... Ishte viti 1967.
 
...Që “Deep Purple” apo Di Parpëll do të vinte për një koncert në Tiranë këtë e kishte thënë ish-Ministri i Kulturës së kohës Edi Rama: "Deep Purple" do të jetë në Tiranë deri në fund të vitit 2000. Unë vë bast, për ardhjen e tyre në Shqipëri. Jemi duke vepruar në rrugë e sipër", ishte shprehur Edi Rama, në një emision televiziv. Por “Parpllat” – siç thërriteshin në zhargon, - nuk u panë gjëkundi.
Në fakt, “Deep Purple” erdhën vërtet, por shumë kohë më vonë, në vitin 2007 dhe Edi Rama asokohe kishte lënë portofolin e Ministrit të Kulturës sepse ishte zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht ato ditë, kur lajmet për mbërritjen e grupit legjendar të hard rrokut i ndiqja pa ndonjë kërshëri të madhe, shoku im i klasës së Politeknikumit, Luani, më njoftoi me telefon se po më bënte një surprizë... Si ishte shtyrë e çjerrë nëpër sportele, mes të tjerësh më kishte prerë edhe për mua një biletë e cila më lejonte të kaloja pragun e Pallatit të Kongreseve. Sepse të famshmit “Deep Purple” do të performonin pikërisht aty ku dikur bënte kongreset Partia e Punës. Dhe kjo ishte dhuratë prej tij.
Ç’është e vërteta unë isha një tifoz standard i këtij kompleksi muzikor. Nuk mund të them se bëja si i çmendur pas tyre, por natyrisht isha kujdesur për të ndjekur të gjithë veprimtarinë të regjistruar në kaseta magnetofoni. Dhe për këtë isha munduar me një seriozitet të paparë. Sepse duhet t’i bije Tiranës cep e më cep për të siguruar një kasetë me këngët e tyre. Dhe akoma më shumë për të gjetur një të dytë. Dhe kaq duhej për të më etiketuar si “tifoz absolut”, se tifozët e muzikës janë po aq të fortë sa dhe ata të sportit. Dhe unë, - si për çudinë time, - isha tifoz dhe me kombëtaren angleze. Pra, në njëfarë mënyre isha një filo anglo-sakson. Bëhu tifoz me Çelsin, - më thoshte shoku tjetër Nori, me të cilin ndanim të njëjtat qëllime, - se ata janë të çmendur. Por unë mjaftohesha me ekipin bazë të Bobi Robson.
Meqenëse ofertës bujare ia ktheva me indiferentizëm: “Pse ngenë e Parpllave kemi tani...?”, Luani i shokuar nga përgjigja ime ma ktheu me një kundërsulm: “Katër vjet na ke bo lavazh për Papllat sa që u bëra dhe unë tifos i tyre. E tani më bën numra. Shoku... ke një biletë në dispozicion. Po nuk erdhe po ia fal kujt të më dalë përpara”.
Je në vete ore, biletën time do falësh ti. Dhe kujt, mua, që vija vërdallë nëpër Tiranë me një bluzë ku një piktor amator, - ose më mirë të them dezinjator, - pas kërkesës time të sforcuar më stampoi mbi një bluzë të bardhë “Deep Purple”.
Ktheva kokën pas. Vitet kishin kaluar dhe ritmi i jetës kishte ndryshuar. Kisha ca kohë që veç familjes, i isha kushtuar profesionit dhe i bija Tiranës cep e më cep, por këtë herë për të kapur lajmin. Dhe kjo nuk më linte fort kohë të plotësoja boshllëqet e adoleshencës me trillet e moshës së mesme. Dhe vetja m’u duk edhe më trap përballë Luanit, i cili për shansin tim ishte në anën tjetër të linjës e nuk e shihte fytyrën time. Por dhe që biletën time të koncertit ta merrte ndonjë kastravec që nuk ia kishte haberin nga e kishin shtëpinë Parpllat, edhe kjo nuk bëhej.
Nga inati vajta.
 
Vigjilja e një spektakli
Nëpër shkallët e jashtme të Pallatit të Kongreseve, - të cilin Arditi i të “Dielës...|” e ka pagëzuar si Pallatin e Koncerteve, por që si për inat të tij nuk e ka marrë qytetarinë – u takova me miqtë e mij të Politeknikumit të cilët po më prisnin të armatosur me uiski. Më dukej sikur po shkonim në luftë. Një shishe e mbante Kola dhe një tjetër Nori. Ca si shumë, shpreha habinë unë. Ata tundën kokat. Hajd, se mbaron shpejt, - më thanë.
Tek hyrja u ndesha me fytyra të harruara prej kohësh, të cilët gjithashtu mezi prisnin të shihnin Deep Purple. Ca vazhdonin të mbanin pantallona kauboj, ose i kishin veshur për snobizëm. Nja dy të tjerë kishin rritur basetat aq sa m’u dukën si personazhet e vitit 1800 të filmit “Dombi dhe i  biri” bazuar mbi romanin e Çars Dikensit. Heu, ia bëra me vete. Kot thoshin se kishim hyrë në mijëvjeçarin e ri të “hajtekut”. Vetja m’u duk si në kohën e manifakturave.
Hymë në platenë e Pallatit të Kongreseve. Në sfond Eugent Bushpepa dhe banda e tij e metalit nisi të këndojë si parahyrje e grupit britanik. Ne dhe shumë të tjerë nisëm të lagnim gurmazin. Epo, duhet të nxeheshim dhe ca më shumë. E kalonim shishen dorë më dorë. Maksi me bujari më dha të pija dhe pjesën e tij. Nuk i bëra naze. Se atmosfera kishte filluar të bëhej me xixa. Ndoshta kërkonim të dukeshim sikur po përjetonim “Udstokun ‘69”. Jepi rini, jepi. Po pra: “seks, drogë, rok end roll”. Nuk e di pse e bënim në atë kohë, por sot them: e sigurt nga budallallëku. E megjithatë isha 39 vjeç i vjetër, siç thuhet në gjuhën angleze.
Pas 30 minutash alkooli mbaroi, ndaj çuam një detashmen të shkathët e të shpejtë të na blinte uiski me gota plastike në hollin e Pallatit të Kongreseve. Uiski i thënçin, Me shije më keq se konjaku i Rrogozhinës prodhuar nëpër bodrume, dhe me çmim më të shtrenjtë.
 
Nga “Mark 2” tek “Mark 8”
Deep Purple u shfaq në skenë me formacionin “Mark VIII”. Ithtarët e vërtetë të tyre do të kishin dashur të shihnin formacionin bazë atë të “Mark II” i cili ka qenë dhe më i suksesshmi: Në kitarë Riçi Blakmur, vokalist Ian Gilan, tastierë Xhon Lord, kitarë bas Roxher Glover dhe bateri Ian Peis.
Por ndërkohë grupi kishte pasur disa ndërrime instrumentistësh dhe në Tiranë kishin mbërritur: Ian Gilan, Stiv Mors, Don Eiri, Roxher Glover, Ian Peis.
Kamerat nuk lejoheshin. Truprojat shqyenin sytë mos ua hidhte ndonjë trafikant. Ndaj nga ky koncert i hatashëm janë vetëm disa sekuenca të shkurtra me celularë që regjistronin me megapiksel të ulët. Por gjithsesi koncerti ishte një magji e vërtet. Nuk doje shumë për të kuptuar se të pestët e Deep Purple ishin djem të lindur në skenë. Marrëdhënia e tyre me spektatorin ishte diçka e panjohur për ne deri në atë kohë. Ian Gilan ishte aty, vetëm disa metra larg. I magjishëm, i adhuruar. Nuk ishte më 25 vjeçar ai atëherë kur interpretonte “Speed King” apo “Into the Fire”, por një 62 vjeçar ende në formë për të mbajtur një koncert me repertorin bazë, i cili nuk e kishte në playlist të lavdishmen “Child in Time
 
Në retrospektivë
M’u kujtua Tucja, një shok gjithashtu i shkollës së mesme, - që nuk dija në çfarë shteti kishte përfunduar si emigrant, - që në vitin 1987 shprehej gjithë patos: Po erdhën Parpllat në Shqipëri unë do shes shtëpinë e do blej një biletë. Pse shtëpinë? Por nuk ia bëra këtë pyetje. Thjesht iu bashkova me trimëri: Edhe unë. Ekstazë adoleshentësh. Me siguri do kishim pirë ndonjë teke kaçurrel më shumë nga sa mbanim. Sepse asokohe shtëpitë nuk shiteshin në Shqipëri. Ne të gjithë ishim qiraxhinjtë e shtetit. Pastaj dhe nëse shiteshin, si do të mundja unë të shisja shtëpinë e babait. Se për vete jo që s’kisha vënë ndonjë tullë, por i kisha ngrënë ca tulla. Hajde trap hajde, i thashë vetes. Çfarë nuk thotë njeriu kur është tapë. Por Tucja ma përsëriti idenë e tij të çmendur dhe kur ishte esëll. Asnjëherë s’e mora mundimin ta pyesja se ku do ta nxirrte shtëpinë për shitje, në bursën e Nju Jorkut apo atë të Tokios. E lash Tucen në çmendurinë e tij të dyfishtë, të shitjes së shtëpisë, dhe të shijimit të një koncert të Deep Purple në Shqipërinë Komuniste, që asokohe të internonte edhe pse mbaje radion Iliria tek “Pozdravi”. Dhe pse gjithë këto deklarata naive? Sepse na ishte thënë nga një tjetër tifoz i grupit se kishat të dhëna të sakta që Deep Purple në kulmin e suksesit të tyre e kishin biletën 2000 dollarë. Sa ore sa...? Po 2000 dollarë bënte një MZ gjermanolindore te dyqani i valutës, aty te 9-katëshet. Domethënë 2000 dollarë të viteve ’80 me siguri përkthehen në 10 mijë dollarë në ditët e sotme. Ndoshta dhe më shumë. Se inflacioni bën të vetën. Të shpresoja se shtëpia e Tuces, dy dhoma e një kuzhinë tek parafabrikatet andej nga Porcelani të vlente më shumë se kaq.
Eh, ta dinte Tucja se Parpllat do vinin në Shqipëri dhe çmimin e biletës do ta kishin vetëm 40 mijë lekë të vjetra që me kursin e kohës do të thoshte 25 euro.
 
Retrospektiva vazhdon
Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ne që pëlqenim “Deep Purple” e njihnim njëri-tjetrin. Nuk ishim shumë. Në vitet ’85 kishte marrë hov të madh Majkëll Xhekson, Madona por dhe Duran Duran. Ndërkohë po bënte përpara dhe Modern Talking. Dhe shumë të rinj ishin të fokusuar më së shumti në muzikën e ditës, duke iu shmangur britmat çjerrëse të tenorëve metal. Me mua mund të rriheshe nëse përmendjen emra të tillë grupesh muzikore. Dhe Adi, që rrinte një bankë para meje në mësim, sikur ma bënte për inat, që afeksonohej pas çdo grupi elementar i cili shpërthente papritmas në Hit Paradën italiane, e më thoshte në orën e matematikës se një grup me emrin “Baltimora” kish nxjerrë një këngë të re të papame të titulluar “Tarzan Boy” edhe një tjetër “Bananarama”... O tempora, o mores... Kulmi. Në fakt këtë e them tani, sepse aso kohe i thosha shkurt e saktë: o trap me nyje. Jo mo, po s’bëhet ky popull. Dhe për djall, Adit nuk i bënin përshtypje as kërcënimet e mija për ndonjë “grusht turinjve” nëse do ta tepronte zullumin. Por te e fundit unë vetëm kërcënoja, se Titit, - një tjetër shok klase, - po t’i shaje Rollingstonsat dhe Mik Xhekerin, nuk ta bënte të gjatë fare por të godiste drejt e në hundë.
Në pavetëdijen time, dhe aspak i trysnuar nga të tjerë, isha kultivuar fort me rrymat e rënda por dhe muzikën xhaz e bluz, ca Xhim Morison dhe ca Xhenis Xhoplin. Por tek Deep Purple kisha ngecur keq: si dhelpra në bigë. Shija absolute për të qenë idhtar i njërit prej dy vokalistëve të tij, ishte e madhe. Sepse si Ian Gilan po aq dhe Deivit Koverdell ishin të jashtëzakonshëm si interpret. Dhe nuk kisha ndonjë simpati as për Rod Evans si solist i parë i tyre, e aq më tepër për amerikanin Xhoi Li Tërner, që nxori vetëm një album me grupin britanik “Slaves and Masters”.
 
Diapazoni vokal
Në platenë me poltrona portokalli të Pallatit të Koncerteve tifozët kërkonin të këndohej “Smoke On The Water”. Sa herë kujtoheshin Deep Purple gjithmonë e para kujtohej dhe kjo këngë legjendë, që për mua çuditërish vazhdon të mbetet një këngë klasike por e zakonshme e repertorit të tyre. Dhe pakkush kujtohet se ky grup muzikor ka dhe një simfoni 12.5 minuta si “Aprile”, në bashkëpunim me një orkestër filarmonike edhe pse kënga këndohet nga një solist me vokal modest si Rod Evans. Për të mos shkuar tek “Child in time” – 10.18 minuta, - që nxjerr në pah një vokal të jashtëzakonshëm si Ian Gilan, për të cilin nga ata që e njohin më thellë muzikën thuhet se arrinte një gamë vokale deri në 4 oktava, nga E3 poshtë në A5 sipër. Dhe thuhej gjithashtu se në kulmin e tij, Gilan zotëronte një gamë shumë të gjerë, e cila u përfol të ishte 3-3.5 oktava por që thashetheme të tjera të pavërtetuara trumpetonin se ai arrinte 4.5 deri në 5 oktavë me forcë e saktësi të jashtëzakonshme në regjistrin e sipërm, ku falsetot ishin jashtëzakonisht të fuqishme dhe inovative.
 
Fama e një grupi muzikor
“Deep Purple”, së bashku me “Led Zeppelin” dhe “Black Sabbath”, janë referuar si "trinia jo e shenjtë” e hard rock-ut dhe metalit të rëndë britanik. Purple u renditën në Librin e Rekordeve Botërore Guinness të vitit 1975 si "grupi më i zhurmshëm i globit" për një koncert të vitit 1972 në Teatrin “Rainbow” të Londrës. Dhe si një grup me famë kanë shitur mbi 100 milionë albume në mbarë botën.
Por Deep Purple ka kaluar në një histori të jashtëzakonshme, krijimtarie, koncertesh e keqkuptimesh mes anëtarësh.
Tek formacioni “Mark III” i Deep Purple, solisti Deivid Koverdell dhe Glen Hjus zëvendësuan respektivisht Gilan dhe Glover, ndërsa tek “Mark IV” u paraqiti në audicion Tomi Bolin, një kitarist unik që zëvendësoi të pakrahasueshmin Blakmur. Grupi u nda në korrik 1976 dhe Bolin vdiq pesë muaj më vonë nga një mbidozë droge.
Në 2002, Xhon Lord me probleme shëndetësore u largua nga grupi dhe u zëvendësua nga Don Eirei, i cili u interpretoi në tastierë për njëzet vitet e ardhshme, derisa kitaristi Stiv Morse njoftoi largimin e tij nga grupi në 2022 duke u zëvendësuar nga Sajmon Mekbrajt. Dhe kështu së fundmi kemi formacionin “Mark IX”
Deep Purple u renditën në vendin e 22-të në programin Artistët më të mëdhenj të Hard Rock-ut të VH1, dhe një sondazh në stacionin radiofonik “Planet Rock” i renditi ata në vendin e 5-të në mesin e "grupeve më me ndikim ndonjëherë". Grupi mori çmimin "Legend" në “World Music Avvards 2008”. Deep Purple u futën në “Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2016.
 
Epoka Koverdell
Koverdell erdhi në Shqipëri në 3 korrik të vitit 2008. Një vit pas Ian Gilanit me “Deep Purple”. Koncerti i grupit të themeluar prej tij “Whitesnake” u ndoq nga të paktën 4000 spektatorë. Koverdell ishte 6 vjet më i ri se Gilan. Ai ishte 57 vjeç kur erdhi në Tiranë. E megjithatë vetëm një si ai mund të ngrinte lart stativin e mikrofonit si pjesë e spektaklit. Po ashtu siç performonte në skenën me ngjyra ylberi të Kalifornisë në vitit 1974 kur këndoi të jashtëzakonshmen “Mistreated”. 
Deivit Koverdell ishte zëri brilant që zëvendësoi Gilan në një grup të kompaktësuar. Dhe kjo nuk ishte fort e lehtë. Në kohën e tij më të mirë ai kishte një gamë vokale prej 4 oktavash që shtrihej nga B1 - A5 dhe cilësohej si bariton.
Pas largimit të Ian Gilan nga “Deep Purple”, për shkak të mosmarrëveshjeve me liderin e grupit, kitaristin Riçi Blakmur, u mbajtën audicione për zëvendësimin e vokalit kryesor. Ata vendosën për Deivid Koverdell, që aso kohe ishte një këngëtar i panjohur nga Saltburn në Anglinë verilindore, kryesisht sepse Blakmur i pëlqente zëri i tij mashkullor, me nuancë blu. Dhe më përpara tij në grup ishte pranuar dhe Glen Hjus si basist dhe zë i dytë si tenor. Hjus dhe Koverdell sollën harmoni vokale dhe elemente të fank dhe bluz. Dhe nxorën dy albume krejt të veçanta si “Burn” dhe “Stormbringer” Kjo padyshim mund të cilësohet dhe si “epoka Koverdell”
 
Ian Peis in Tirana
Pjesëtarët e Deep Purple nuk iu ndanë Tiranës, edhe pse e kishin zbuluar vonë. Kështu kohë më pas u organizua një koncert rok me Ian Peis bateristin legjendar të Deep Purple, me “Ian Paice & Matt Filippini Band” në Akademinë e Arteve, Tiranë.  Projekti “drum clinic” vuri në qendër të vëmendjes Ian Peis, ku bateristë dhe publiku i ftuar i drejtuan pyetje rreth teknikës të baterisë dhe historisë Deep Purple.
 
Epilog i panevojshëm
Deep Purple vazhdojnë të këndojnë ende. Shumë pjesëtarë të këtij grupi legjendar janë larguar dhe dy prej tyre Tom Bolin dhe Xhon Lord kanë vdekur. Por Ian Gilan është po aty, megjithëse po i afrohet 80-tave, dhe është po aq vital sa dhe ai që ka kënduar me një teknikë të përsosur dhe fort të ndjerë të mrekullueshmen "Jesus Christ Superstar".

Friday, March 29, 2024

I lumtur deri në... budallallëk

Nga 
Leonard Veizi
 
Të lumtur në jetë të jetëve...
Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është më shumë i trishtë. Dhe njerëzit në mungesë të lumturisë reale, kanë shpikur përrallën. Aty dhe vetëm aty njeriu mund të arrijë gjëra që s'i arrin dot në realitet. Dhe vetëm aty mund të jetë i lumtur në jetë të jetëve.
Për të qenë të sinqertë deri në fund, duket krejt utopi të gjesh a të mendosh se ka njerëz që u shkëlqen fytyra nga lumturia. Nga dhjami po, gjen sa të duash. Por nga lumturia...? Edhe nëse gjen, duket të jetë një jonormalitet. Përderisa akrepat e orës i kanë mbetur në tre pa një çerek.
U motivova të shkruaja mbi një temë të tillë, kur mësova se 20 marsi na qenkësh ditë feste. Mendova se do ishin gabuar ata që ma thanë, dhe se në të vërtetë festa kishte të bënte me datën 22 mars që është dhe Sulltan Novruzi i Bektashinjve. Por jo, gabimi ishte imi.
Gjithsesi bëra një kërkim, nisur nga fakti se 20 marsi na qenkësh Dita e Lumturisë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, - e cila mendon vazhdimisht për ne, - ka shpallur një rezolutë në korrikun e vitit 2012, sipas të cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit pikërisht më 20 mars.
Epo kësaj i thonë të ngopesh me tasin bosh, e me lugën e zbrazët.
Po ç'kuptim ka fjala “lumturi”?
Hap fjalorin. Ai më sqaron: Të qenët i lumtur, gjendja e atij që gëzon të gjitha të mirat; ndjenja dhe gjendja e kënaqësisë së thellë dhe e gëzimit të madh që kemi kur na plotësohet një dëshirë e zjarrtë, kur ia arrijmë një qëllimi të lartë, kur gjithçka na vete mbarë.
Oho... u bë deti kos më duket.
E si ta kuptojmë këtë?
Demek është në gjendje deliri, fjala vjen, ai që kap tre shtata, që i bie bingo ose xhekpoti... Një nga këto duhet të jetë ma merr mendja, sipas asaj që na shpjegon fjalori. Ndryshe nuk ka si shpjegohet “kënaqësia e thellë”.
Kënaqësia lidhet edhe me ushqimin, fjala vjen të hash një pjatë të preferuar. Por a është kjo “e thellë”? Ca si zor.
Ah po, nëse ke rënë në dashuri të pamundur dhe papritur e papandyer, ëndrra realizohet. Kjo po, mund të sjellë lumturinë. Ndoshta në jetë të jetëve, ose deri sa “vdekja të na ndajë”.... ose, ose deri sa të na ndajë... gjykata.
Këta të Kombeve të Bashkuara e kanë të terezi o vëlla. S’kanë lënë ditë të vitit pa i bërë nga një bisht. Dhe kjo e Lumturisë është si qershia mbi tortë.
Duket qartazi se nuk mund të ketë lumturi “të përjetshme”. Aq më tepër për çështjet dashurore, kur mbaron një fazë e nis një tjetër. Dhe dashuria më e madhe për njeriun, ajo që e bën realisht të lumtur, me sa duket janë paratë. Sa mirë do ishte të punonim të gjithë nëpër banka, e të shihnim aq para sa të na ngopej syri. Mbase do kishim një sens lumturie më të zgjatur në kohë.
Ikën ndjenjat. Mbeti ana materiale. Imagjinoni kur të na fusin dhe atë çipin që na kanë premtuar. Atëherë “lumturi” nuk do të ekzistojë as si fjalë.
Thonë, se lumturia është një gjendje emocionale e ndjesive të kënaqësisë dhe gëzimit të skajshëm. Njerëzit e përjetojnë atë kur ndjehen të kënaqur, të realizuar dhe të plotësuar me jetën e tyre. Por thonë se lumturia ndryshon nga një person në tjetrin dhe mund të vijë nga suksesi personal, marrëdhëniet e mira, realizimi i qëllimeve dhe shumë faktorë tjerë.
Kush thotë, do pyesni ju? Teoricienët, e kush tjetër.
Jo mo, po kaq teorike sa e bën literatura, bie në dëshpërim të thellë që në paragrafin e parë jo më të vazhdosh më tej.
Është vështirë që në një botë si kjo që po jetojmë të gjesh prototipin e njeriut të lumtur. Mund të gjesh prototipin e njeriut të pasur, të ngopur dhe të dehur, por jo të lumtur. Mund të shohësh pafund njerëz të depresuar edhe pse Depresioni i Madh ka kaluar në SHBA dhe BE të paktën 95 vite më parë.
E për çfarë na duhet Dita e Lumturisë?
Platoni mendonte se vetëm njerëzit që ndjekin parimet e moralit mund të jenë të lumtur.
Aristoteli thoshte se “lumturia varet nga vetja jonë” dhe besonte se lumturia ishte qëllimi përfundimtar i ekzistencës njerëzore.
Në filozofinë e Shopenhauerit lumturia shpreh aktet egoiste të cilat janë të drejtuara nga interesi vetjak, ku vetëm dhembshuria është diçka morale.
Niçja besonte se lumturia ishte një lloj fuqie që njerëzit mund të ushtronin mbi botën përreth tyre.
Frojdi kishte një tjetër qasje për lumturinë. Ai sugjeronte që instinktet biologjike kanë frenat e drejtimit të jetës, ndaj sipas tij dhe lumturia arrihet atëherë kur këto instinkte plotësohen.
Eh, ç'na gjeti!
Domethënë, lumturia është një lloj orgazme, që sado e gjatë të jetë, përsëri është e shkurtër. Dhe njeriu bie përsëri me këmbë në tokë. E nis të mendojë për hallet që i kanë hipur në kurriz njëra mbi tjetrën. Ky këndvështrim është si ta shikosh gotën gjysmë bosh... por si e ke parë ca më parë gjysmë plot.
Ç'është e vërteta, të shohësh një njeri të lumtur mes mijëra të dëshpëruarish, me siguri do të duket asocial, për të mos thënë fare budalla.
A duhet të kemi frikë nga lumturia?
Përgjithësisht njerëzit i tremben asaj edhe pse e kanë ëndërruar pafund. Sepse në stereotipin njerëzor, pas një lumturie të madhe me siguri vjen një fatkeqësi. Kerofobia është termi psikologjik që tregon frikën nga lumturia.
Megjithatë e themeluar që në vitin 2006, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë festohet në mbarë botën në 20 Mars. Dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, e ka cilësuar lumturinë si një qëllim themelor për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit.
Epo ta gëzojmë festën!


Tuesday, March 26, 2024

Sazani, misteret e një ishulli në kohë lufte dhe në kohë paqeje



Nga Leonard Veizi
 
Ne kishim besuar se Sazani, bashkë me Karaburunin, i veshur me çelik e beton, si “vija e parë e frontit” me armikun e mundshëm, ishte një barrikadë e fuqishme për t’i bërë ballë çdo invazioni të supozuar. Sepse kështu ishte shprehur Enver Hoxha në një nga aktivet e Partisë së Punës: “Kyçin e Otrantos e kemi ne shqiptarët. Sazani dhe Karaburuni, pa pasur frikë se them ndonjë sekret, janë shkëmbinj të veshur me hekur e beton, ku s’kalon dot flota ushtarako sovjetike”
Dhe këtu sipas Hoxhës bëhej fjalë për Flotën Sovjetike e cila mund t’i vinte në ndihmë Ushtrisë Jugosllave në rast të një konflikti të hapur me shqiptarët, por nuk përmendej aspak Flota e 6-të amerikane, e cila vinte vërdallë nëpër Mesdhe.
Gjithsesi kjo kishte të bënte me luftën konvencionale të shekullit të kaluar. Në ditët e sotme, më shumë se një ishull lufte, Sazani shihet si një ishull turistik. Dhe nëse në të shkuarën ka ngrënë shumë para për beton e armatim, nuk është çudi që në të ardhmen e afërt të fillojë e të prodhojë para duke u përdorur për plazh e argëtim.
 
Historia luftarake
Ishulli i Sazanit, i cili po përflitet kaq shumë në ditët e sotme, si një vend ku pretendohet të ngrihet një resort luksi, ka një histori mijëvjeçare, ku në vazhdimësi është trajtuar si një pikë dominuese, lufte e mbrojtje. Dhe historia nis që nga përplasjet e Cezarit me Pompein në tokën ilirike, për të vazhduar me të gjithë llojet e ushtrive të mëdha që kanë kaluar mes Lindjes dhe Perëndimit, ku kanali i Otrantos ishte dhe mundësia më e mirë e lidhjes.
Ishulli ka dy pika dominuese një në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Si dhe ka një vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km, të thyer, me përbërje shkëmbore monolitike.
Duke qenë se ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar si dhe kanali i Otrantos, gjatë Mesjetës ishulli u vendos në zotërim të Venedikut. Por edhe mbreti Ferdinand i Napolit në vitin 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake.
Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët, aq sa dhe limani i njohur i Orikumit mori emërtimin: Pasha Liman.
Por gjatë Luftërave Ballkanike ishulli i Sazanit është pushtuar edhe nga Anglia. Ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli ra nën zotërimin e Italisë e cila e mbeti nën sundim deri në vitin 1943, kur Shqipëria u pushtua nga trupat e Rajhut gjerman. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare duke u bërë pjesë e shtetit Shqiptar.
Gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, u shndërruan në një ndër pikat kyçe të Kampit Socialist në Mesdhe. Në vitin 1954 në ishull, pas ndërtimit të bankinave prej betoni u krijua skuadrilja e parë me 12 katër silurues të modelit Pr.123 bis, prodhim rus.
Në vitin 1959, në bazë të një marrëveshje dypalëshe, sovjetikët sollën në Sazan 12 nëndetëse, - të cilat në kodin e NATO-s njiheshin si “Whiskey”, - 4 prej të cilave - “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360”  - do t’u dorëzoheshin forcave detare shqiptare. Bashkë me to erdhi edhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov”.
 
Ndjesi personale
Në ishullin e Sazanit personalisht mund të kem qenë 10 apo 12 herë. Ndoshta dhe më shumë. Por asnjëherë për turizëm. Nuk është se kam mbajtur shënime dhe as kam mundur të bëj fotografi. Jo vetëm sepse nuk mund të pozoje me bluzën me vija të ngushta bardhe e blu pranë një anije luftarake me silura e raketa, por sepse në vitin 1988 ende nuk kishin dalë në përdorim celularët të cilat të japin dorë të bësh selfie pa pasur nevojën e ndihmës së ndonjë amatori.
Pikërisht në vitin 1988 isha rektutuar nga Baza Ushtarako Detare e Vlorës, - që shkurt njihej me emrin BUD, - për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Dhe meqenëse shërbeja në një anije lufte, e destinuar kundër nëndetëseve, si Gjuajtësi Detar, ndalimet në Sazan, qoftë dhe për të marrë frymë e për t’u çlodhur pak, ishin të zakonshme. Padyshim, nuk kam ndërmend të them se ishullin e njoha në pëllëmbë të dorës, por gjithsesi isha i përgatitur më shumë se të tjetër për të kuptuar se si funksiononte jeta ushtarake dhe ajo civile në vend me dhjetë pallate trekatëshe e një klub, por me 162 gryka zjarri dhe një regjiment katrash silurues.
 
Dëshmia e një komandanti
Vite më pas, në një intervistë që kam realizuar me Kolonel Sulejman Abazin, - i cili ka qenë dhe komandanti i Garnizonit të Sazanit, për të paktën 6-të vite me radhë, - kam mësuar edhe më shumë gjëra për ishullin strategjik. Ai ka rrëfyer për lexuesit e gazetës të fshehtat e ishullit, i cili në vitet të socializmit, ishte i disponueshëm me ushqime, karburant e municion, për të përballuar një luftë 6 mujore, të projektuar në hartat e shtabit.
 
Fuqia ushtarake e një ishulli të armatosur
Po çfarë fortifikimi dhe potenciali kishte ishulli? Kësaj pyetje ish komandant Sulejman Abazi gjatë intervistës në fjalë i është përgjigjur: Në ishull, efektivi i kohës së luftës shkonte deri në 2780 vetë, ndërsa për kohë paqe ishte i kompletuar në masën, 45%, një normë e lartë gatishmërie, pa llogaritur këtu forcat e gatshme të Regjimentit i Katër Siluruesve dhe anijeve mbiujëse, të cilat në vitit 1988 u zhvendosën në bazën e Pasha Limanit.
Sipas ish komandantit: Organika e kohës së paqes, në çdo kohë rezultonte e kompletuar 100%. Me mbi 290 oficerë, mbi 100 nënoficerë dhe me 1000 ushtarë aktiv të dy viteve të shërbimit, në një hapësirë aq të ngushtë, detyra në ishull kërkonte përgjegjësi të lartë. Ishulli i Sazanit ishte i vetmi vend në territorin e Shqipërisë, ku lejohej fortifikimi për mbrojtje në rrethim.
Në disa rajone mbrojtje batalionesh, vetëm për mitraloza të rëndë dhe automatikë kishte 2840 qendra zjarri dhe një sistem të gjerë tunelizimi për strehimin e rezervave të municioneve, ushqimeve dhe gjithçka tjetër që nuk duhej të ishte në sipërfaqen e tokës.
Në sqarimin e tij të mëtejshëm kolonel Abazi tha se në sistemin e mbrojtjes rol të veçantë kishte artileria bregdetare, ajo tokësore dhe artileria kundërajrore. Regjimenti Bregdetar i Ishullit ishte me 6 bateri të kalibrit 85, 100 dhe 122 mm top obuz, me një larghedhje nga 11.9 km deri në 24 km.
Artileria tokësore ishte e mbështetur në grupin e mortajave 120 mm, bateritë e topave 76 mm dhe në topat reaktivë 12 grykësh, me një fuqi zjarri të madhe. Në mbrojtjen kundërajrore dominonte kalibri 57, 37 dhe 14.5 mm, Ishulli i Sazanit mbrohej nga mbi 162 gryka zjarri gjithsej dhe me një kryqëzim zjarr me bateritë e artilerisë në Karaburun, Zvërnec dhe bregut të Vlorës.
 
Ishulli ushtarak dhe jeta civile
Duke folur për jetën e ushtarakëve dhe familjet e tyre në një vend të izoluar si Sazani, ish-komandanti është shprehur: “Në Ishullin e Sazanit funksiononte një qendër e banuar, me rreth 148 familje. Në vitet 1972-‘74 në ishull u ndërtuan pallate trekatësh, veç ndërtesave ekzistuese, duke e përmirësuar ndjeshëm jetesën. Për banorët e ishulli, rreth 480 vetë, ishte e lehtë sepse ata gëzonin privilegje nga shteti në trajtimin ushqimor, arsimor, të ndihmës mjekësore, të pajisjes me elektroshtëpiake, furnizime të veçanta, me librari, bibliotekë, kinema falas, kopsht dhe çerdhe për fëmijë, shkollë 8-vjeçare (rreth 80-90 nxënës), të trajtuar 100% me bursa të zgjedhura etj. Por për ta ishte edhe e vështirë, sepse nuk mund të hapnin dyert e shtëpive për njerëzit e tyre, veç babait, nënës, motrës dhe vëllait. Për një rast urgjent, duhej të vihej në dispozicion mjeti i shpejtë i lundrimit për të dalë kohë pa kohë në Vlorë”.
 
Ishulli, një fortesë e papushtueshme
Për të paktën 6 vite me radhë ai ka qenë jo vetëm banor i ishullit, por dhe komandant i krejt garnizonit ushtarak. Por çfarë ishte ishulli i Sazanit në vetvete, për sa i përket efektit të mbrojtjes si një bazë strategjike? Kolonel Sulejman Abazi shpjegon: “Ishulli i Sazanit, si një “objekt i rëndësisë së veçantë” në kuadrin e mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes së përgjithshme të vendit, ishte një nga pozicionet prej nga ku kontrollohej porta e Adriatikut dhe e Jonianit, si pika më e avancuar në perëndim të vendit. Në një sipërfaqe të kufizuar, 5.8 km katrorë dhe një perimetër 11.3 km, me rreth 2.8 km katrorë në pjesën lindore të pyllëzuara me pishë dhe pjesa tjetër e mbuluar nga shkurre, që shkonin deri në lartësinë 2-2.5 metra, me një terren shkëmbor në 60% të sipërfaqes së tij, me një sistem rrugor jo fort të mirëmbajtur deri në 60 km, me disa kilometër tunelizime, me një sistem ndërlidhje nëntokësore, me një central elektrik me kapacitet të mbante deri në dy lagje të qytetit të Vlorës, me rezerva karburanti dhe uji të mjaftueshme dhe me shumë elementë të tjerë ndihmues logjistik, ishulli i Sazanit, në planizimin luftarak rezultonte të luftonte 6 muaj në rrethim, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Në rezervat ushqimore ruheshin mbi 600 ton miell, që freskohej në çdo 3 muaj dhe një mori artikujsh, që plotësonin për çdo racion ditor deri në 3300 kalori për individ. Rezerva farmaceutike dhe veshmbathjet për kohë lufte i shtoheshin kujdesit që çdo element të ishte i mbështetur sipas përllogaritjeve të bërë nga specialistët".
Po sipas kolonel Abazit: "Në çdo sekondë në ishull, afërsisht 360 vetë ishin në shërbim drejtimi, shërbim roje dhe shërbim kufiri. Ky ishte Ishulli i Sazanit, ku toka, njeriu dhe arma ishin bërë një trup i vetëm”.
 
Të tjera
Duhet thënë se një anije e pagëzuar si “Postali”, ishte anija e përhershme që bënte rrugën Vlorë- Sazan.
Veç pallateve të banimit, shkollës dhe kopështit për fëmijë, në sazan kishte dhe, kinema si dhe vatër kulture.
Në ishull, shërbyen qindra e qindra ushtarakë, si ata shumë-armësh, ashtu dhe të Flotës Detare
Duke qene se Sazani ishte një ishull i thatë uji vinte nga Vlora me një anije çisternë.
Sa i përket ndriçimit dhe ndërlidhjes telefonike, gjithashtu kjo bëhej e mundur me kabllot nënujorë po nga Vlora.
 
Ishulli sot dhe nesër
Ne si shqiptarë, në 28 mijë kilometra katrorë ku shtrihet Republika, kemi vetëm Sazanin me sipërfaqe 5.7 kilometra katrorë, të cilin e mbajmë fort, dhe dy tre mini-ishuj që nuk shërbejnë për gjë. Shteti fqinj, Greqia, ka ishuj pafund, një pjesë e mirë të të cilëve janë kthye në atraksione të fuqishme turistike. Personalisht, nuk është me me intereson shumë nëse në Sazan investon dhëndri i Trampit, djali i Trampit, apo vetë Trampi. E rëndësishme është që Sazani nga një ishull i fjetur dhe pa asnjë aktivitet, të kthehet në një industri prodhuese.
 

Friday, March 22, 2024

Vlasov Sulaj, talenti i një fotografi



Nga Leonard Veizi
 
Tek një sekondë të vetme, a më pak se aq, mund të varet e ardhmja jote. Nuk ka nevojë t’i thërrasësh nënndërgjejes për të gjetur shtigje e rrugëzgjidhje dhe as të bësh veprime të ndërlikuara me kalkulator. Sepse pas atij sekondi të pakapur, asgjë s’ka më vlerë. Ndaj në lidhjen universale me botën përtej, atje ku vështrimi nuk arrin e asgjë nuk shquhet më, një objektiv me xhama shumëfish të sjell fare pranë jetën e padukshme, atë që ti më pas e ngjiz... në celuloid...
 
...Ai është fotograf plot talent. Dhe po aq thotë se është dhe një historian çastesh. Sepse sipas tij historia s’do të ishte kjo që është, nëse në fushën e betejës nuk do të ishin dhe ata... fotografët. Në shkrepje aparati, kur nuk ke kohë të mendohesh gjatë e as të zgjedhësh këndin më të mirë e me më shumë dritë, po aq sa talenti brenda teje të hyn në punë instinkti dhe përvoja. Sepse në një fragment sekonde, që është më e vogël se vetë sekonda, të duhet të fiksosh të papërsëritshmen. Atë që nuk ka shanse të vijë për herë të dytë por që padyshim mund të kthehet në shansin tënd më të madh. Dhe vetëm kjo do të të japë mundësinë e madhe që në përballje me kolegë profesionistë e amatorë që i gjen kudo me celularë në dorë, të kesh sjellë në tavolinën e punës, ku bëhen bilancet e mëdha, shkrepjen më të mirë të mundshme. Dhe kjo është shkrepja jote e jetës. Nuk ka nevojë për flokë të krehura, botoks e rimel për të llangosur sytë, me qëllim të mbushësh kuadratin me bukuri artificiale. Është ajo që në gjuhën e ndërlikuar tregon një veprim të thjeshtë e… por që cilësohet si çast fluid.
Vlasov Sulaj, me një diplomë "Pikturë, Tekstil dhe Modë" nga Universiteti i Arteve, dhe Master në Fotografi, por i magjepsur më së shumti pas fotos bardh e zi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Fjala”, rrëfen për sirtarin e mbushur me çmime ndërkombëtare dhe ndjeshmërinë e tij si fotograf i shumfishtë; i reporterit në terren dhe detajistit në studion artistike.
 
Sapo jeni vlerësuar me një çmim ndërkombëtar. Me çfarë u paraqitët?
Kur u paraqita për çmimin ndërkombëtar, e përqendrova vëmendjen në një projekt të veçantë. Jo pa qëllim përzgjodha një imazh të shkrepur gjatë ciklit të pas-tërmetit në Shqipëri, në vitin 2019, që ka një ngjyrë të thellë emocionale. Grumbullimi i rrënojave dhe gjetja e një fotoje personale nën to tregon historinë e një individi, ndërsa komunikimi në what'sapp dhe dhembja për traumën e kaluar shprehin ndjenjat e një shoqërie të prekur nga fatkeqësia. Rrezatimi i shpresës që shfaqet në këtë imazh është një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe ndërtimit të kujtimeve, edhe nën kushte të vështira.
 
Çfarë është fotografia për ju?
PASION dhe një fat shumë i rrallë, si dhe profesion. Fotografia është një mënyrë për të shprehur veten, për të kapur momente të veçanta dhe për të ndarë histori. Për mua, ajo është një mënyrë për të komunikuar/kontribuar pa fjalë. Fotografia është një gjuhë universale që lidh njerëzit nëpër kohë dhe hapësirë.
 
Cili është raporti i fotografit me aparatin, një foto e mirë bëhet për shkak të këndvështrimit apo luan rol dhe aparati?
Raporti i fotografit me aparatin është i rëndësishem por jo thelbësor. Aparati i mirë është lehtësi në punën time, por në fund jam unë ai që fitoj.
 
Cilën nga fotografitë vlerësoni më shumë atë artistike apo atë të çastit që hyn tek fotoreporteri?
Vlerësoj të dy zhanret, janë esencialë për mua si profesionist dhe prandaj i vendos gjithmonë të harmonizohen bashkë!
Mendoj që unë i kombinoj disa zhanre dhe më efikasi që më del është pyetja juaj!!!! Në foto gazetari ndihmohet nga koncepti artistik dhe e kundërta në projekte artistike kam një ndihmesë shumë të madhe nga shkathtësia dhe intuita që më jep fotogazetaria.
 
A keni marrë pjesë në kompeticione të tjera ndërkombëtare dhe sa jeni vlerësuar?
Kam marrë pjesë në disa kompeticione të fotografisë. Në 2013 fitoj vendin e 1-rë në konkursin që organizon Photo-si, Riccione. "Fokus 13" përzgjidhem fitues me vendin e 1-rë në kategoria Press-News. "Fokus 14" fitues me vendin e 1-rë në kategorinë Land.
 
Kevin Carter, fitoi çmimin Pulitzer me fotografinë "Vajza që lufton", por që kjo i kushtoi shumë. Si do vepronit në një rast të tillë, ose të ngjashëm: do vinit profesionin para humanizmit?
Sot gjërat kanë ndryshuar shumë për mirë dhe nuk do të qe nevoja që atë fëmijë ta lija aty, sepse file-t sot aplodohen me shumë lehtësi dhe nuk duhet të fitosh kohë të vyer për të zhvilluar filmin! Në rastin e Kevin Carter është një dilemë e vështirë. Si fotoreporter, detyra jonë është të dokumentojmë ngjarjet, por gjithashtu duhet të kemi ndjenjën e humanizmit. Personalisht, unë punën e fotogazetarit e bëj për t’i ardhur në ndihmë më të dobëtit, normalisht që do ta ndihmoja atë fëmijë! Por është një balancë shumë e vështirë dhe ndoshta boshllëku momental që Carter tregoj në atë çast hipotekoi edhe fundin!
 
Kam parasysh që shqiptarët kanë ecur në gjurmët e një shkolle mjaft interesante të fotografisë që fillon me Marubin, për të vazhduar me Sotirin e deri tek Gjon Mili... A janë të talentuar dhe brezi më i ri?
Shqiptarët kanë një trashëgimi të pasur në fushën e fotografisë. Marubi, Sotiri dhe Gjon Mili janë vetëm disa prej emrave të njohur. Brezi i ri ka talent, potencial, por bota nuk është më njëlloj si dikur dhe perceptimi mbi artin ka ndryshim rrënjësor në tërësi jo vetëm mbi artin e fotografisë, ka zhvillim shumë intesiv dhe padiskutim që edhe fotografët e rinj do të stilizojnë këtë periudhë.
 
A keni një plan për një ekspozitë personale?
Jo vetëm ekspozitë por edhe një libër fotografik. Shumë shpejt kam një plan për një ekspozitë personale. Është një mundësi për të ndarë historitë e mia përmes fotove dhe për të komunikuar me publikun. Në fund, fotografët janë historianë të momenteve, artistë të dritës dhe ndjeshmërisë, pa ta Historia s’do të qe kjo që është!

Po vijnë shqiptarët


Nga 
Leonard Veizi
 
Po vijnë shqiptarët.
Ky togfjalësh të kujton një shprehje më të lashtë: Po vijnë barbarët. Por jo se janë të barasvlershëm. Madje jo se fjala barbar ka një kuptim kaq negativ, sepse nga historia kemi mësuar së grekët dhe romakët e vjetër quanin barbarë të huajt, që nuk flisnin gjuhën e tyre dhe që i mbanin si më pak të pazhvilluar. E meqë kaluam në botën antike, togfjalëshi i mësipërm po aq vjen si përshtatje edhe përmes titullit të një prodhimi filmik italian i vitit 1962 “Arrivano i titani” që në shqip vjen si: “Arritën titanët”.
Po vijnë shqiptarët...
Një lajm i atashuar së fundmi bën me dije se: shqiptarët po vijojnë të ikin nga vendi i tyre i origjinës me ritme që janë ndër më të lartat në botë, në raport me popullsinë, duke u drejtuar në shtetet e Bashkimit Evropian për të kërkuar azil.
Sa për kuriozitet, sipas Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Evropian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE.
Në raport me popullsinë këto shifra tregojnë se Shqipëria është e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë, pas Sirisë që është në vend të parë dhe pas vendit të dytë që e mban Gjeorgjia.
Po vijnë shqiptarët...
Në fakt shqiptarët kanë shkuar gjithmonë nëpër Evropë, edhe 100 vite më parë, dhe ka plot vende ku ata kanë ngritur komunitetet e tyre. E çfarë pune i prishi Evropës kjo? Shqiptarët kanë kërkuar punë dhe kanë punuar. Tjetër gjë që vitet e fundit kanë bërë dhe ndonjë dallavere. Ndoshta kjo në njëfarë mënyre e rikthen në vëmendje shprehjen e vjetër tashmë: Po vijnë shqiptarët.
Sepse ishin shqiptarët ata që shkuan me anije drejt një vendi Evropian si Italia, ku brenda 24 orësh zbarkuan në portet e Brindisit të paktën 25 mijë prej tyre. Ca kohë më vonë vetëm transoqeaniku 12 mijë tonësh “Vlora” zbarkoi në Bari të paktën 20 mijë shqiptarë që kërkonin portat e perëndimit. Për të mos thënë që disa mijëra të tjerë kaluan kufirin tokësor në këmbë. Kjo padyshim e shokoi botën perëndimore që kishte vite që jetonte në mirëqenie, dhe që prurjet e pakta nga bota e tretë i shihte si njerëz që do t’u pastronin rrugët dhe kanalet.
Por gjithsesi shqiptarët nuk janë më ata të parët. Nuk janë më njerëzit e ndrydhur nga diktatura më e egër e ish-kampit socialist. Edhe pse vazhdojnë të kërkojnë rrugë të reja për të rritur mirëqenien e tyre që është e dukshme që nuk e realizojnë dot në trevat ku kanë lindur.
Po vijnë shqiptarët...
Duke iu referuar mediave të huaja shtypi vendas shkruan se aplikimet e shqiptarëve për në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian janë kryesisht për arsye ekonomike. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, Gjermania renditet e dyta.
Po vijnë shqiptarët...
Ky togfjalësh nuk tremb më njeri, duke parë se shqiptarët jo vetëm nuk janë gogolë, por madje janë integruar thellë e kanë marrë në dorë çelsa të rëndësishëm portash në vendet ku jetojnë. Kështu që shqiptarët në perëndim nuk janë më kërcënim, ashtu si vikingët e Ragnar Lothbrok-ut të cilët gjatë shekullit IX kryenin bastisje të shpeshta kundër Britanisë ishullore por dhe ndaj Francës në kontinent.
Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara, që mat cilësinë e jetesës përmes indeksit të lumturisë parashtroi se Shqipëria mbetet ndër shtetet më të palumtura në Evropë, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Ndërkohë, si për ironi të fatit, sapo kaluam dhe Ditën e Lumturisë. Sepse që në korrikun e vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka shpallur një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.
Po vijnë shqiptarët...
Sepse shqiptarët vazhdojnë të ikin nga atdheu. Ai nuk ua përmbush dot dëshirat.
Tani ç'është e vërteta, kur shkojnë në emigrim, edhe punojnë më shumë edhe sillen më mirë. Por kur kthehen në vendlindje, punojnë më keq, sillën edhe më keq. Pastaj ankohen se Shqipëria është një vend që nuk bëhet dhe përsëri hedhin torbën krahut, për të shkuar në “tokën e premtuar”.
Është ca e koklavitur marrëdhënia e shqiptarëve me vendin e tyre. Në tryeza kafenesh, ku kalojmë kohë me shumicë, s’lëmë gjë pa e sharë Atdheun tonë. Ndaj shumica e kanë mendjen për të shkuar në Evropë, e ca të tjerë për të kaptuar oqeanin e për ta gjetur veten, o në Kanada, o në Amerikë, o në Zelandë të Re e Australi.
A ka më tej se kaq? 
Gjithsesi shqiptarët, në shumicën dërmuese të tyre pëlqejnë të strehohen në vendet evropiane dhe të jenë shtetas besnikë të një federate si Bashkimi Evropian. Në mënyrë krejt instinktive ata po luajnë një kartë paneuropiane, duke e bërë të dukshme që kufiri i tyre është deri në Lisbonë nga perëndimi, me një shtrirje deri në Sofje apo Bukuresht nga Lindja. Shumë më të pakët janë shqiptarët që preferojnë të kapërcejnë Bosforin për të shkuar në tokat e ish-perandorisë, ku deri dje kemi shirë, kemi bërë të parin e vendit duke lënë dhe një komunitet 5 milionësh. Prandaj dhe kur na i do puna, e quajmë njëri-tjetrin vëllezër, apo “erkek kardeş” siç thonë vetë turqit e sotëm.
E që të mos largohemi nga tema...
Revista “Monitor” duke iu referuar fakteve të fundit bërë publike nga Eurostat, shkruan se: gjallërimi i emigracionit vitet e fundit po shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, që nga disponueshmëria e fuqisë punëtore...
Por kjo pak i intereson njeriut shqiptar, i cili kujdeset vetëm për veten, apo dhe për familjen e tij. Kjo ka të bëjë me shtetin dhe politikat e tij. Dhe rregulli do të jetë kthyer në invers vetëm kur ne të arrijmë të themi për veten: Po vijnë shqiptarët...
 
 

Tuesday, March 19, 2024

Vladislav Spilman, polaku-hebre që i shpëtoi vdekjes nga një Baladë për Piano

Nga Leonard Veizi
 
Ai luajti “Baladën” e Shopenit në “G minor”. Gishtat e bërë kallkan nuk ishin ngrohur prej kohësh. Dhe ishte ftohtë, shumë ftohtë. Palca e dimrit të Varshavës në janarin e vitit 1945. Por ai duhet të interpretonte. Ishte me origjinë hebreje dhe përballë kishte një oficer të Vermahtit. Ishte i uritur dhe krejt i rraskapitur, por nuk kishte si bënte ndryshe. Dhe gishtat e tij prej vitesh nuk kishin prekur tastet e pianos. Vdekja ishte e sigurt, por në lojë ishte dhe jeta. Duhej të ishte në një kamp përqendrimi, por ia kishte dalë të mbijetonte fshehtas në zemër të qytetit. Ai besonte se pas disa vitesh izolimi dhe frike tanimë mund të quhej i marrë fund dhe kapiteni gjerman që qëndronte i ftohtë para tij do ta qëllonte me plumb në kokë, pas performancës në piano. Ndaj me lojën e tasteve dukej se mblodhi fuqinë e fundit për t’i thënë lamtumirë jetës. Tingujt akustik kumbonin në banesën e zbrazët, lundronin nëpër rrugët e mbushur me kufoma dhe shtëpive të rrënuara nga bombardimet, e përplaseshin në krahun tjetër të rrugës për t’u kthyer pas si një jehonë e heshtur, melankolike. Por ai duhet të luante... Të luante...
 
...Vladislav Spilman shpëtoi. Pas goditjes së fundit të tastierës, nuk u ndie zhurma e mbushjes së armës dhe as goditja e gjilpërës mbi kapsollë. Mes tyre qëndronte heshtja. Vetëm “Balada” e Shopenit ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë... Gishtat e tij të kallkanosur, gjithashtu. Pianisti i dërmuar dhe i uritur dhe nuk mbeti viktimë e kapitenit Vilm Hosenfeld. Përkundrazi, oficeri gjerman i Vermahtit i magjepsur nga talenti i tij dhe forca interpretuese, e ndihmoi të vazhdonte mbijetesën edhe pse ishte një hebre i arratisur prej getos. Por ai ishte pianist. Dhe dinte të luante mrekullisht në pianoforte.
 
Bashkëprodhimi
Vladislav Spilman mbijetoi, për të na sjellë menjëherë pas luftës kujtime të trishta. Autobiografia e tij, e njohur tashmë gjerësisht si “Pianisti”, u shndërrua në një nga filmat epope dhe më të vlerësuar në kohë. Filmi me regji të Roman Polanskit, ka për skenarist Ronald Haued dhe Edrien Brod, është një bashkëprodhim i Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe Polonisë. “Pianisti” u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë 2002, më 24 maj 2002, ku fitoi Palmën e Artë. Filmi mori një vlerësim të gjerë nga kritikët. Në çmimet e 75-të të Oscar-it, filmi fitoi për regjinë, skenarin dhe aktorin më të mirë si dhe u nominua për katër të tjerë. Ai gjithashtu fitoi çmimin BAFTA për regjinë më të mirë në 2003, dhe shtatë “Césars” francez. Nga një sondazh i BBC-së “The pianist” u përfshi në 100 filmat më të mëdhenj të shekullit XXI.
 
Filmi polak
Një film polak i vitit 1950 me regji nga Jezhe Zazhetski, i bazuar mbi të njëjtin libër autobiografik, arriti të dalë në dritë e të shfaqet, por fort i  censuruar nga qeveria komuniste e kohës. Versioni i parë polak mbante titullin "Robinson Warszawski" apo “Robinsonët e Varshavës”, por që më pas u kthye në  “Miasto nieujarzmione” ose “Qyteti i pamposhtur”
Skenar i filmit u realizua nga: Jezhe Andrejevski, Jezhe Zazhetski dhe Çesuaf Miłosh.
Filmi tregon historinë e fatit të Robinsonëve të Varshavës në sfondin e shkatërrimit të kryeqytetit polak pas përfundimit të asaj që njihet si: Kryengritja e Varshavës. Gjithçka u krijua në bazë të kujtimeve të luftës të Vladisłav Spilman. Filmi është një dokument i jashtëzakonshëm i artit filmik polak: është xhiruar në Varshavën e shkatërruar nga lufta dhe është një rekord i pamjes së qytetit të shkatërruar vetëm pak vite pas luftës. Në film mund të shihen disa rrugë dhe ndërtesa karakteristike të Varshavës në një gjendje rrënimi total. Filmi është gjithashtu unik për shkak të skenave që përmban, të cilat janë rikonstruksione besnike të veprimeve të grupeve gjermane të krijuara për të plaçkitur, djegur dhe shkatërruar kryeqytetin. Filmi u realizua nën censurën e rreptë të autoriteteve komuniste, të cilët bënë ndryshime të shumta në skenar, duke shtrembëruar idenë origjinale të skenaristëve.
Në vitin 1949 u realizua versioni i parë i filmit dhe iu prezantua pjesëmarrësve të Kongresit të Filmbërësve, i cili u zhvillua në datat 19-22 nëntor 1949 në Visla. Pavarësisht nga një numër i madh ndryshimesh që shtrembëruan plotësisht idetë e skenarit të Andrejevskit dhe Miłoshit, filmi u prit me një valë të madhe kritikash. Muzika e Artur Malavskit u akuzua për formalizëm dhe u hoq nga filmi. Roman Palester u ngarkua të shkruante muzikë të re. Si mjet i fundit, u ndryshua edhe titulli, ku në vend të "Robinson Warszawski" u quajt "Miasto Nietajmione". Vetëm në këtë version, në dhjetorin e vitit 1950 filmi u shfaq në ekran.
Është pothuajse e sigurt që versioni i mëparshëm i filmit - me muzikë nga Malavski - nuk ka mbijetuar. Skena nga filmi në të cilin Stanisłav Rozheviç, - që ishte dhe asistent regjisori, - me një uniformë Vermahtit komandon një bateri rakete-hedhësish “Nebelwerfer” u shfaq në shumë dokumentarë që tregonin Kryengritjen e Varshavës. Megjithatë, ai u filmua në vitin 1948 ndërsa shpërtheu një shtëpi në qendër të qytetit Vrocuaf.
 
Libri
“Pianisti” është një biografi e shkruar nga Vladisłav Spilmen në të cilin ai përshkruan jetën e tij në Varshavë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri u botua për herë të parë në polonisht në 1946 me titullin “Śmierć Miasta” apo e ardhur në shqip si "Vdekja e një qyteti", redaktuar nga Jezhe Valdorf, një kritik muzikor polak dhe mik i Spilmanit. Në hyrjen e tij, Valdorf shpjegon se ai e kishte shkruar historinë siç tregohej nga Spilman. Një përkthim gjermanisht nga Karin Volf në 1998, “Das wunderbare Überleben: Warschauer Erinnerungen” e ardhur në shqip si: "Mbijetesa e mrekullueshme: Kujtimet e Varshavës", vendosi Vładisłav Spilman si autorin e vetëm të librit. Në vitin 1999 një përkthim në anglisht nga Anthia Bell u botua si “Pianisti - Historia e jashtëzakonshme e mbijetesës së një njeriu në Varshavë, 1939–‘45”.
 
Ngjarja
Në shtator 1939, Vladisłav Spilman, një pianist polako-hebre, po luan drejtpërdrejt në radio në Varshavë kur stacioni bombardohet gjatë pushtimit të Polonisë nga Gjermania naziste. Duke shpresuar për një fitore të shpejtë, Spilman gëzohet së bashku me familjarët e tij në shtëpi kur mëson se Britania dhe Franca i shpallin luftë Gjermanisë. Por ndihma e premtuar nuk vjen.
Luftimet zgjasin pak më shumë se një muaj, me ushtritë gjermane dhe sovjetike që pushtojnë Poloninë në të njëjtën kohë në fronte të ndryshme. Varshava bëhet pjesë e Qeverisë së Përgjithshme të kontrolluar nga nazistët. Së shpejti, hebrenjtë nuk lejohen të punojnë ose të kenë biznese, dhe gjithashtu detyrohen të mbajnë shirita blu të Yllit të Davidit.
Në nëntor 1940, Spilman dhe familja e tij detyrohen të largohen nga shtëpia e tyre në geton e izoluar dhe të mbipopulluar të Varshavës, ku kushtet vetëm përkeqësohen. Njerëzit vdesin nga uria, rojet SS janë brutale.
Më 16 gusht 1942, Spilman dhe familja e tij do të transportohen në kampin e shfarosjes Treblinka si pjesë e operacionit “Reinhard”. Megjithatë, një mik në policinë e getos hebraike e njeh Vladisłavin dhe e ndan atë nga familja e tij. Ai bëhet një nga punëtorët që bëjnë jetën e skllavit. Aty mëson për një revoltë që hebreje duan të bëjnë brenda getos. Ai ndihmon rezistencën duke kontrabanduar e futur armë brenda në geto. Spilman përfundimisht arrin të arratiset dhe fshihet me ndihmën e një miku, Andrej Boguski, dhe gruas së tij Janina.
Në prill të vitit 1943, Szpilman shikon nga dritarja e tij teksa shpërthen Kryengritja e Getos së Varshavës, dhe më pas dështon. Pasi një fqinj zbulon Spilman në banesë dhe tenton ta persekutojë, ai ikën dhe fshihet në një vend tjetër. Apartamenti i ri ka një piano, por ai është i detyruar të heshtë. Ndërsa fillon të vuajë nga uria përfundimisht vuan edhe nga verdhëza.
Në gusht 1944, gjatë Kryengritjes së Varshavës, rezistenca polake sulmon një ndërtesë gjermane. Banesa ku fshihet Spilman shkatërrohet nga një predhë tanku, duke e detyruar atë të ikë dhe të fshihet në një spital të braktisur. Gjatë muajve në vijim, Varshava shkatërrohet tërësisht.
Me të vërejtur trupat gjermane që mbërrinin në spital, Spilman arratiset dhe përfundimisht strehohet në një shtëpi të zbrazët. Në kërkim të mbijetesës gjen një kanaçe me tranguj turshi. Ndërsa përpiqej të hapte kanaçen, Spilman zbulohet nga oficeri i Vehrmahtit-it, Vilm Hosenfeld. Kur mëson se Spilman është pianist ai i kërkon të luajë në pianon e shtëpisë. Spilman i dëshpëruar arrin të luajë "Baladën nr. 1" të Shopenit. Hosenfeld e lejon të fshihet në papafingo të shtëpisë dhe e furnizon herë pas here me ushqime.
Në janar 1945, gjermanët po tërhiqen nga presioni i Ushtrisë së Kuqe. Hosenfeld takohet për herë të fundit me Spilmanin, duke i premtuar se do ta dëgjojë në radion polake pas luftës. Hosenfeld e lë Spilmanin me një sasi ushqimesh dhe pallton e tij për ta mbajtur ngrohtë.
Në pranverë, polakët e sapoliruar kalojnë pranë një kampi të improvizuar të të burgosurve rusë të luftës dhe Hosenfeld është mes të burgosurve. Polakët hedhin fyerje ndaj gjermanëve përmes gardhit, por kur Hosenfeld dëgjon se njëri nga polakët është violinist, ai shkon te gardhi dhe i thotë se e ka ndihmuar Vladyslavin dhe i kërkon që t'i kthejë favorin. Muzikanti polak me të vërtetë e kthen Spilmanin në vend por rusët e kanë transferuar kampin. Spilman nuk është në gjendje të ndihmojë Hosenfeld, por ai kthehet të luajë piano për stacionin radiofonik.
Sekuencat e fundit të filmit japin Szpilman që interpreton "Grande Polonaise brillante" të Shopenit për një audiencë të madhe prestigjioze.
 
Balada
I vdekur në moshën 39-vjeçare Shopen kishte deklaruar që më parë se Balada Nr.1 e kompozuar prej tij, - i cili është luajtur në film, - është një pjesë shumë e vështirë për t'u interpretuar. Ndërsa studiuesit e muzikës, janë shprehur se i gjithë kompozimi i Shopenit ka të bëjë më së shumti me vetminë.
Në film, Spilman kapërcen disa pjesë në interpretimin e tij. Dhe specialistët e muzikës janë shprehur se ai ka anashkaluar pjesët e gëzueshme sepse ato nuk mund të interpretoheshin pikërisht në ato ditë tragjike të Luftës. Spilman zgjodhi të luante përpara kapitenit Hosenfeld Baladën e Shopenit, u bë pikërisht se kompozitori qe polak.
Po sipas specialistëve të muzikës që janë shprehur mbi filmin, muzika e luajtur për oficerin gjerman ishte në fakt një redaktim i Baladës Nr.1 të Fredérik Shopen në G Minor. Në realitetin e ditëve të Luftës, Vladislav Spilman ka luajtur “Nocturne No.1” të Shopen në C Minor.
Merita të veçantë në këtë fragment kyç të filmit merr edhe interpretimi i aktorit gjerman Tomas Kretshman. Në çastin kur ai dëgjoi melodinë e zbërthyer përmes gishtat e aktorit amerikan Adrien Brodi, shoferi i tij jashtë makine lëvizte me shqetësim në dritën e hënës. Në pak sekonda në ekran, regjisori dhe vetë aktorët kanë transmetuar shkretimin, tensionin, ankthin, vetminë dhe shqetësimin e peizazhit të rrugës së shkatërruar nga lufta, të zhytur në mënyrë dramatike në bukurinë melankolike të dritës së hënës.
 
Epilogu
Një epilog të filmit, me titra thuhet se Spilman vdiq në vitin 2000 në moshën 88-vjeçare, ndërsa Hosenfeld vdiq në vitin 1952, në një gulak sovjetik.

Friday, March 15, 2024

Shegushe Bebeti realizon ëndrrën në sirtar, vesh bidonët plastikë me çizme e fustan

 


 
Nga Leonard Veizi
 
Toka po kontaminohet. Lumenjtë marrin me vete llumin e prodhuar nga mendja djallëzore më shumë se sa nga dora njerëzore. Oqeanet po mbushen me plastikë. Mbetje të riciklueshme gjen kudo.
Si do shpëtojmë nga e keqja që po e helmon tokën pak nga pak...?
 
...Mund të marrësh një kuti reçeli dhe pasi ke mbaruar produktin ta përdorësh ambalazhin për të bërë diçka tjetër, që ndoshta mund të marrë formën e një vajze me fustan e sandale. Edhe një shishe vere, pa verë brenda, mund t’i japësh një kuptim tjetër, nëse e modifikon e vesh me pantallona kauboj, i vesh çizme deri në gju dhe i vendos një pistoletë me vezme në brez. Këtë na e sugjeron aktorja e mirënjohur e Teatrit për Fëmijë, Shegushe Bebeti kur sqaron: “Riciklimi është jetë. Riciklimi të ndihmon të mbash pastër ambientin. Të kesh sa më pak mbeturina. Të bësh gjëra të bukura. Kështu më erdhi një ide në mendje për ta zgjeruar e për ta bërë më funksionale. Dhe pastaj mora çfarë kisha gjëra të mbetura në shtëpi, copa pëlhure, kuti reçeli e shishe vere dhe u përpoqa t’i fusja nëpër objekte”.
Dhe çfarë bëri me këto mbetje, do të pyesni ju? Përgjigja është e thjeshtë: Një ekspozitë me kukulla.
Artistë të ndryshëm herë pas here dalin me iniciativa për të përdorur materiale të riciklueshme. Është një thirrje për të shpëtuar Tokën edhe pse më shumë se thirrja e tyre dëgjohet makineria e përpunimit nëpër landfille. Janë miliona ton mbetje. E çfarë mund të bëjnë artistët me një mal me mbeturina?
Mirëpo duket se çdo gjë e ka një zgjidhje, sado duket se situata nuk gjen zgjidhje në kushte optimale.
Nënë Tereza thoshte: “Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën. Kështu, të gjithë së bashku do të kemi më shumë dritë”.
Në këtë kuadër, Shegushe Bebeti, kjo aktore fort e njohur dhe po aq e dashur e Teatrit të Fëmijëve, i është bashkuar iniciativës botërore, për të ndezur qiririn e saj, dhe jo për të mallkuar errësirën. Me shpresën e madhe se nëse do të bëjë bashkë qindra-mijëra artistë, nxënës, studentë e njerëz të gjithfarë profesioneve, për t’i angazhuar në përdorimin e materialeve të riciklueshëm e për t’i kthyer ato nga objekte koti në një objekt me vlerë, Toka do të jetë më pak e kontaminuar dhe oqeanët do të përtypin më pak plastikë.
Imagjinojeni sikur çdo familje nga mbeturinat e përditshme që prodhon, të ketë frymëzimin që me to të bëjë diçka të mirë, e që t’i shërbejë komunitetit.
“Ndoqa një emision tek RAI, që thoshte se viti 2024 është viti i riciklimit dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të luftojmë shumë për të pastruar ambientin, - sqaron për më tej Shegushe Bebeti, në rolin e një kuratoreje. -  Kështu mendova: Dikur nënat tona na i bënin kukullat prej lecke ose prej druri nëse nuk kishin mundësi t’i blinin. Atëherë thashë me vete se ka ende komunitete fëmijësh që nuk kanë mundësi, dhe përse të mos i mësojmë që me ato pak gjëra që kanë në shtëpi të sajojnë një lodër që mund të lozin dhe të argëtohen”.
Kështu Shegushe Bebeti, vetëm pak ditë më parë, në 11 mars 2024 çeli në Galerinë Zenit tek Pallatet Agimi në Tiranë, ekspozitën “Arti i riciklimit i sjellë në kukulla”. Ajo solli në këtë ekspozitë personale, një “ëndërr në sirtar” me dizenjimin e 40 subjekteve, 30 prej të cilave kukulla, gjithmonë me materiale të riciklueshme.
“Sigurisht kukulla është pasioni im sepse kam 40 vjet që merrem me to. Shpresoj që me këtë nismë timen të bashkohen edhe të tjerët e të vazhdojnë e të bëjnë gjëra më të bukura. Madje edhe fëmijët nëpër shkolla ta kenë këtë motiv dhe këtë mundësi”, - u shpreh aktorja e njohur me titullin “Mjeshtër i Madh” gjatë çeljes së ekspozitës në fjalë.
Shumëkush është rritur me personazhet kukulla të interpretuara nga Shegushe Bebeti. Është mes tyre i famshmi Pinoku, Borëbardha, Kësulëkuqja, Kokëarra, por dhe Bardhoshja. E mbani mend Bardhoshen?
 
Rosë moj rosë pendë ndritur/ Motrat pata më kanë çuar
Për ditëlindjen e Bardhoshes/ të të them se je e ftuar
 
Të gjithë këta personazhe tanimë janë me trupa nga plastika që mbante pije të gazuara. Dhe veshjet e tyre, deri në imtësi, gjithashtu janë mbetje që njerëzit në mënyrë të pakujdesshme i hedhin andej-këtej. Hedhin rroba sepse u ikën moda, hedhin këpucë, sepse dalin nga moda, dhe hedhin mbi të gjitha çdo ditë në mënyrë mizore, shishe 1.5 litroshe, pasi më parë se kaq kanë fryrë barkun me gaz e sheqer. Por një dorë e kujdesshme si ajo e artistes Bebeti, i ka përpunuar me kujdes të gjitha mbetjet, për të na dhënë së pari një mësim të mirë, duke na dhënë gjithashtu dhe një kënaqësi.
Dhe jo vetëm kaq por Shegushe Bebeti shkon edhe më tej kur shprehet: Të bërit e kukullës, të punuar me vatinë dhe me gjilpërë, për t’i dhënë formën e fytyrës dhe të duarve, është një proces shumë i vështirë por është një proces i bukur për të cilin unë do të bëj edhe dy Uorkshope me fëmijët e shkollave”.
Pra asgjë nuk mbyllet këtu. Ekspozita të tjera na presin... sepse dhe mbetje të riciklueshme ka pafund.