Saturday, April 30, 2016

I mbarë, viti i trishtë i shqiptarëve


Leonard Veizi

Viti i Ri nuk është se filloi aq i mbarë për shqiptarët. Dhe kjo nuk është hera e parë. Trokitjes së gotave në kapërcyellin e viteve iu përgjigjën lajmet e zeza sitë një buletini lufte. Gjithsesi: “fillimi i mbarë, gjysma e punës” nuk është një shprehje domosdoshmërisht me besueshmëri të lartë.
Orët e para të 1 janarit, dhe më pas ditët e para të krejt vitit, u shoqëruan me tension. Shpërthimet e fishekzjarreve u përzjenë me krismat e plumbave. Bilanci, bazuar në titrat e lajmeve të ekraneve informative, kishte të bënte jo vetëm me aksidente, por dhe vrasje me armë e grabitje. Për shumë familje në nevojë, ardhja e Vitit të Ri nuk ishte një ogur i bardhë. Ftohtë, shi, përmbytje, borë, ngrica, aksidente, atentate, të vrarë, varfëri, mjerim, papunësi. Kështu u përcoll në edicionet informative fillimviti.
E nëse këtu mbaron seriali gri me lajmet nga vendi, nisin axhanset nga bota. Viti i Ri u festua në Evropë, pornën masa të forta sigurie. Pasiguri ndaj akteve të mundshme terroriste. Qytete të mëdha e plot jetë, për së largu ngjanin më shumë si garnizone të rrethuar me “tela me gjemba” ku ndoshta mungonin vetëm tabelat e verdha: “Ndal. Zonë ushtarake”.
Shërbimet sekrete japin vazhdimisht sinjale për njerëz të çmendur që mund të shpërthejnë eksploziv në sheshe me përqendrim të madh njerëzish, metro apo supermarkata. Shqipëria gjithashtu nuk është e imunizuar nga ky kërcënim masiv.
Viti që lamë pas e shmangu katastrofën e një Lufte të Tretë Botërore. Viti që sa u fut… mund ta ketë në axhendë për shqyrtim. Duhet vetëm një shkak i vogël, sa rrëzimi i një avioni luftarak dhe, sherri nis. Paqja është aq shumë e brishtë.
E pra situata nuk është aq rozë sa mund tëtransmetojë atmosfera e një fillimviti që nis me ditë pushimi e relaksi, për të tretur yndyrnat, sheqerin dhe alkolin e konsumuar pa mëshirë.
Ama festë.
Megjithatë, varet si e sheh gjysmën e gotës.  Herë bosh, herë plot. Nuk ka vend për pesimizëm.
Ne priremi ta nisim me buzëqeshje çdo Vit të Ri, me pritshmëri që i kemi paracaktuar vetes prej kohësh. Kërkojmë një motiv të ri, një arsye më shumë për të çuar jetën përpara, t’ia ngrejmë vlerat asaj, edhe nëse rastësitë e këqija na e presin udhën. Një shfaqe teatri a kinemaje, një lexim libri apo një ekspozitë pikture, janë një arsye më shumë për ta parë jetën në një kënd tjetër. Dhe jo vetëm kaq.
Ndaj nuk do të thotë gjë që, meqenëse një fillim viti që nis me ngjarje të zeza të jetë i tillë deri në fund. Viti 2016 mund të jetë një vit i mirë për shqiptarët. Por gjithsesi, që të vërtetohet kjo duhet pritur deri në 31 dhjetor.

Postuar më: 06 Janar 2016 16:50



Ditët e urisë dhe një pjatë në vit


nga Leonard Veizi

Një spektakël i zi qarkullon këto ditët e fundit të vitit, ashtu si në çdo fundvit tjetër. Është e njëjta situatë, aktorët ndryshojnë. Përvit ky teatër absurd përbën “lajm”. Dhe lajmi është mbreti, një “as-maç”. Ai duhet të shkojë në çdo shtëpi dhe të bëhet i njohur.
Papritur duket sikur janë kthyer në ditët e urisë. Kudo shfaqen pjata me ushqim. Presidenti shtron tavolina për klerikët, Kryeministri mbledh për darkë gazetarët, Kryetari i bashkisë “ulet këmbëkryq” me të moshuarit. Të gjithë me nga një pjatë përpara. Ditët festive duken si ditë zije. Kombi ka nevojë për ushqim. Krizë. Janë sulur të hanë. Duket se i përshtaten një slogani të vjetër e patetik: “Ta mbyllim vitin të ngrënë se si dihet çfarë na pret vitin tjetër”.
Vërtet jemi në ditë kaq të këqija, apo është vetëm një mirazh që të pushton kokën në këto ditë me diell e pa rreshje…?
Padyshim, të moshuarit, jetimët dhe jo vetëm këta, janë shtresa në nevojë. Por nuk duan vetëm një pjatë të thyejnë urinë me rastin e festave. Kur duhen 3 pjata të tilla në ditë, ose përndryshe 1095 pjata në vit. Në të vërtetë, ata duan pak më shumë se kaq, të jetojnë më me dinjitet.
Por nuk ka para mjaftueshëm, as për shpërblimin qesharak të pensionistëve që vihen në rradhë si dikur për tallonin. Duket sikur kemi të njëjtën situatë, dikur dhe sot. Asgjë nuk ndryshon. Veç thellohet ndarja e klasave.
Të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit edhe më të varfër. Shtohen përditë njerëzit që presin pjatën festive dhe në këmbin të një pjate u kërkohet një votë.
Interes i ndërsjelltë. Kompromis me stomakun.
Por tanimë edhe të varfrit kanë ca më shumë informacion. Dinë dhe ca gjëra që do të do të ishte e mira të mos i dinin fare. Dhe jo vetëm për këtë arsye spektakli qeveritar nuk merr asnjë vlerë.
Uria shtohet.
Nuk e di kush mund të gënjehet sot me një pjatë në vit?!



“Ditë kafenesh”



Leonard Veizi

2015-ta ishte një vit i mbarë për shqiptarët e administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës 1 janar që në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lere pastaj kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasadhëse.
Se pas kësaj vijnë beneficet e tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim, nja 20 ditë pune që merren si “leje e zakonshme” dhe 104 ditë fundjava. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si në rastin e dëmshpërblimit shtetëror që sakrifikon ditën e hënë nëse një festë qëllon të bjerë në ditën e pushimit zyrtar, por edhe festat e 7-8 marsit që  bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar.
Pra me një llogari të thjeshtë ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 145 prej tyre kalohen në relaks të plotë, apo duke shëtitur kafe më kafe, për t’u çlodhur e marrë veten.
Nejse, kur t’i jep qeveria ditët e pushimin s’ke pse të mos ia marrësh më gjumë. Veç ne je idiot e të bësh të kundërtën. Apo më keq akoma, si dikur, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit për të rritur normat. Deri këtu nuk mund t’i hash haku njeriu se “të vret Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar, pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli kërkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.
Për këtë arsye, dhe jo për punë lekësh e rrogash, se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash, shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në administratën publike. Përpos kësaj ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qefi është kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë, në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria ekonomike është e fundit në listë.
Viti 2016 ka po të njëjtin trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që këtë herë do të sakrifikohen katër të hëna, meneqëse ca nga festat e zyrtarizuara bien në fundjaven e pushimin. Lum si punonjësit e administratës, se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhi kështu.
Shkurt ajo që pëlqejnë shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më shumë se kaq në kafe. Ndaj rradha për të hyrë në një punë shtetërore do jë jetë gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një force politike do të sofistikohet edhe më shumë.

Postuar në Mapo 05 Dhjetor 2015



Pronari im…


nga Leonard Veizi

Ndonjëherë habitem me veten, me vetëdijen a nënvetëdijen, s’di ta them. Jetojmë në vitin 2015 apo 1000 vjet prapa!? Nuk ka të bëjë me kthim a fluturim në kohë. Se nuk është e nevojshme të sforcohesh për të bërë një udhëtim aq të gjatë dhe që s’ia vlen as bara qiranë. Ka të tjerë që ta sjellin te hunda sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Janë njerëz që i takojmë çdo ditë, në bilardo, qebaptore apo te “15 katëshi”. Pra jemi ne me njëri-tjetrin, që ndonjëherë na mbulon idiotizmi i theksuar e ndonjëherë servilizmi i tepruar.
Nuk ka gjë më qesharake kur gjatë një bashkëbisedimi hyn si pykë shprehja “pronari im”, apo më keq akoma “pronari yt”. Mirë me veten, po me mua pse…? Jemi në mijëvjeçarin e tretë që nga koha kur përfundoi numërimi mbrapsht. Dhe prej kohësh as “pronari im” nuk ka ndonjë të drejtë mbi mua, ashtu si dhe unë s’di që të kem ndonjë të drejtë mbi “pronarin tim”. Por kjo nuk do të thotë që të mos ketë dhe ca të tjerë, të cilëve u pëlqen tutela e “pronarit” dhe e kanë me qejf, se tek e fundit janë te “padroni” që u tregon rrugën e u mban frerët.
Unë e pranoj që ka njerëz të cilëve u pëlqen të kenë nga një pronar mbi vete, por ka shumë të tjerë që nuk e pranojnë këtë vartësi. “Ç’thotë ai pronari yt?”, – të pyet tjetri dhe buzët i shkojnë vesh më vesh a thua se të ka pyetur për shëndetin e rrobve të shtëpisë. “Pronari im…???” Të ndizet gjaku sa bëhesh gati t’i futesh sherrit vënçe. Ai është pronar i vetes, domethënë i biznesit të tij, i klubit, i mejhanes, magazinës, fabrikës, kompanisë, e ç’t’i dojë qejfi kur bie fjala për hekura, tavolina e karrige… por jo pronari im. Se unë vetëm një pronar kam: vetveten.
Epo hajde se për kompromis po e mbyllim një sy për pronarin, pasi te e fundit të jep rrogën nga paratë e vete, por thika të shkon deri në kockë kur në skenë del drejtori. "Ky është drejtori im". Çfarë thua more, pse qenke bërë me drejtor? Habi e madhe sa s'ka ku të vejë. Se qëllon që drejtori të jetë i institucionit, po i punonjësve. Por me sa duket qenka dhe e kundërta. Po ky çdo o byrazer, ky rri në shtepi me qera e ka marë kredi që e shlyen çdo fund muaji, përse ma prezanton si Mesian. Apo vetëm pse firmos që paratë e shtetit të kalojnë në llogarinë private?
Sa për njohuri fillestare, koha e skllavo-pronarëve ka shekuj që ka perënduar. Janë bërë luftra e është derdhur gjaku lumë të paktën që kur u revoltua Spartaku. Por edhe epoka e bujkrobërve e ka mbyllur ciklin, madje për këtë punë janë sakrifikuar edhe koka mbretërish. Pa u bënë revolucione, u shkruan manifeste e konventa. Dhe ja tani kemi “njeriun e ri”, të pa shtypur të pashfrytëzuar, me 40 orë pune në javë, të shtunë e të djelë pushim, e mbi të gjitha të mbrojtur nga një tufë kode e nenesh ligjorë,  sa duhet të ngjeshësh libra në të dy sqetullat e jarebi t’ia dalësh dot e t’i mbash.
Por me ç’duket, “njeriu i ri” pa fre qenka si puna e atij kalit të harbuar, si dihet ku e mban yryshin. Ndaj i duhet një tjetër që ta administrojë, një pronar e kam fjalën. Dhe kur sheh se nuk e zë njeri me dorë ofrohet vetë, me zell të madh madje.
“Ky është pronari im”, e nis tjetri prezantimin e radhës gjithë entuziasëm. “Pronari” fodull të zgjat dorën. Prangat kanë dalë nga moda. Ai ka mbushur gishtat dhe kyçin me unaza e byzylykë floriri. Epo pronar hesapi. Mban dhe sejmenë që si shqiten asnjë çast për t’i ruajtur “fasadën e pasme”. Vetëm se kohët kanë ndryshuar vërtet. Skllevërit modernë, nuk punojnë më për një “çapë buke” apo për ca metilike në fundin e ditës, por marrin rroga të mira një herë në muaj, o me zarf në dorë ose paratë u kalojnë drejt e në llogari bankare. Dhe ec e mos thuaj pastaj: Pronari im.
Gjene mirë, “po të kërkosh, do ta gjesh”, thotë populli. Se, përderisa ti ofrohesh si një “skllav”, patjetër që do të të duhet edhe një “pronar”. Dhe sigurisht që do ta gjesh një të tillë.

Postuar në  Mapo 26 Nëntor 2015




Shqiptari politik, njeriu larg kulturës


Leonard Veizi

Jemi popull politik. Nuk do as mend as kalem për ta kuptuar.
Në periudhën e mbretërimit të Zogut vështirë se shqiptari ishte njeri politik. Ishte ca rural po, edhe blegtor, edhe nallban, d.m.th zejtar. Por pak ishin ata që e vërtisnin fjalën rreth politikës. Ai që formoi bindshëm njeriun politik ishte regjimi i Hoxhës, në fshat apo qytet po të jetoje. Kishte lexim shtypi të organizuar, tabelë emulacioni, konspekte mbi veprat e udhëheqësit dhe diskutime në masë të gjerë për vendimet e Kongresit të Partisë. Ja kështu u formua njeriu i ri, ai që sipas ideologjisë së asaj kohe fillimisht duhet të ishte politik më shumë se sa profesionist në zanat.
Kjo na ka shoqëruar edhe gjatë këtyre 25 viteve të fundit, ose më saktë edhe në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri, kur menduam se shumë gjëra i lamë pas. Por jo, avazi vazhdon. Në Shqipërinë e vogël, çuditërisht prodhohet shumë politikë dhe komentohet shumë mbi të. Imagjino ç’mund të ndodhte në Shqipërinë e madhe...
Politika fillon në mëngjes, lexohen titujt e gazetave në TV, pastaj hapet linja telefonike për të pakënaqurit. Mbaron pjesa e parë e informimit publik. Unë bëj gati një çantë të vogël që e marr me vete kudo dhe zbres pa ashensor. Në kafen poshtë pallatit shoh qamet sa herë që futem, por ja që ndonjëherë më duhet ta pi kafen edhe aty. “Ja të pyesim dhe Nardin, meqenëse është gazetar”. Unë ngre veshët përpjetë, porosis një kafe dhe tërheq një gazetë nga banaku. “Si thua ti, do ‘divorcohen’ Rama dhe Meta?”. Unë dua t’i shpëtoj debatit, në tërësinë time nuk jam njeri politik. Madje dhe për të votuar nuk votoj. “Pse kur na qenkan martuar?”. Ata qeshin me zor. “Lëri shakatë, si mendon ti?”. “Nuk mbuloj politikën” – u them. “Po mirë ti aty je, në redaksi i merr vesh të gjitha. Si thua do përçahen prapë këta?”. “Nisur nga historiku, them se e majta është solide, do t’ia hedhë dhe këtë herë”. “Të lumtë goja” – më uron njëri. Shpëtova. Unë fillova të pi i qetë kafenë, ata vazhdojnë debatin e divorcit. Hap gazetën nga faqja e fundit. Kam më shumë se 20 vjet që e bëj një gjë të tillë. E filloj me sportin, pastaj me kulturën... Ja te faqet e kulturës flitet për sezonin e ri teatror “Zbutja e kryeneçes” rivjen në skenë nga regjisorja Elma Dorezi. Nuk do mungoj ta shoh. Mezi kam gjetur biletë kur regjisori Fatos Haxhiraj e vuri në skenë në vitin 1990, për të parë një kryeneçe si Eva Alikaj. Sot të shikosh një teatër nuk ka nevojë të zësh radhë. Gjen vende sa të duash.
Vazhdoj me leximin e gazetës. “Duke menduar Medean” një projekt teatral mes Shqipërisë dhe Zvicrës, ndërsa në Teatrin e Operës...
“Ka ndonjë gjë të re për CEZ-in?”- më pyesin nën zë. “Po lexoj rubrikën e kulturës”, - ua kthej qetësisht. “Lëre kulturën se nuk të jep bukë ajo”. Keni të drejtë, them me vete, kultura nuk të jep bukë. Ngrihem të iki. Si shqiptar i vërtetë që jam, e kam marrë me nge dhe dua të pi një kafe të dytë. Vetëm. Për dhjetë minuta mbërrij në Bllok. Epo Bllok jo shaka. Ulem në një kafe “hight class”. Rrëzëllen çdo gjë. Porosis kafe por nuk marr gazetë. Përqendrohem te celulari për t’u njohur me të rejat e fundit. Teknologji e lartë, por humbet printi. Nuk përqendrohem dot. Zërat e disa grave më gumëzhijnë në vesh. Janë të përditshme në atë kafe. Jemi bërë fytyra të para tashmë. Tema e ditës ishte zbërthim teksti i telenovelës “Bidai”. S’ke nga ia mban. Për djall kisha harruar dhe kufjet. I nënshtrohem fatit: Dëgjoj të rejat mbi bashkëjetesën e Sadnës dhe Alekut. Pastaj një heshtje e lehtë dhe... befas, si rrufe në qiell të pastër vjen një pyetje që nuk di kujt i drejtohet: Dini gjë çfarë u bë më atë Priftin...?  Jo, jo. Nuk marr përsipër të ngatërrohem kaq thellë. Dy prej grave më kishin ngulur vështrimet. Çuditërisht, për rastësi apo si me magji, celulari më kishte mbetur në dorë tek një gazetë politike me një foto erotike. Sapo kisha lexuar dhe diçiturën dhe isha i informuar taze. “Në kishë do jetë me siguri”, - flas unë meqë jam më afër tyre edhe pse pyetja nuk më ka shigjetuar drejtpërdrejt. Gratë e marrin lehtë, qeshin të gjitha. “Mëkatar i madh”, kuturis njëra prej tyre.
Për shans kjo situatë nuk vazhdon gjatë. Më bëjnë një telefon dhe më thërrasin për kafe në një tjetër lokal, afër Televizionit Shqiptar. Sërish për kafe. Po, po... Kafeja është ritual te ne, është dhe punë... është gjithçka. Një nga kolegët ka gati një libër të ri dhe kërkon ta prezantojë në Panairin e Tiranës. Do t’i japim ndonjë mendim, demek ta ndihmojmë që të dalë faqebardhë. Ne duam t’i bëjmë shumë pyetje rreth librit që shpreson ta nxjerrë nga dita në ditë, por s’të lë njeri... “Ja pyesim këta gazetarët”, - na ndërpret dikush, që me siguri njeh ndonjë nga ne. Shyqyr që ishim tre gazetarë e nuk më binte vetëm përgjegjësia. “Si thoni do ketë zgjedhje të reja?”. Ne ngremë supet. “Ç’na pyet ne a derëbardhë, - i them, - shiko ‘Opinionin’ e Fevziut dhe e ke të zgjidhur hallin”. Por ai ngul këmbë të marrë përgjigje nga ne edhe pse i sheh të gjitha me radhë ‘Opinionin’, ‘Top Show-n’ e çfarë t’i dilte përpara. “Besoj se po” - thotë shkurt kolegu tjetër, si për mbyllur debatin që kërkonte të na përfshinte dhe ne. “Të lumtë goja – e uroi tjetri. - Të vijë dhe një herë Berisha në pushtet pa në djall të vejë”. Mua nuk m’u durua: “Basha, - ndërhyj pa shumë takt. - Kryetari i partisë bëhet kryeministër”. “Çfarë Bashe mor burrë, - ma kthen tjetri me indiferencë, -  Berisha o Berisha, ai u vjen hakut”.
Ngrihemi të ikim. “Sqarohemi në telefon” u them miqve të mi. Kam bërë një ofertë ku mund të flas tërë ditën dhe minutat nuk kanë të sosur. Natyrisht, shumë punë zgjidhen edhe me celular. Në lokale zor se gjen vend ku mund të thuash dy fjalë për librin, teatrin a pikturën; flitet vetëm për politikë.



Postuar në ResPublica 30 Shtator, 2015

Shkrimtar apo shpërdorues fjale?


Leonard Veizi

Kur më sugjeruan të jepja ndonjë mesazh për ngjarjet e fundit, u çudita ca. Të jap mesazh? E pse? Se je shkrimtar, e fjala jote ka peshë.
Çfarë thua more, kush e peshoi?! Pastaj me çfarë peshoreje se?
Dua të futem drejt e në temë, por më duhet t’i bie ca më gjatë se e kam të vështirë të shkruaj shkurt e t’i them të gjitha me një paragraf. Natyrisht ndihesh i përkëdhelur kur të thonë: je shkrimtar. Edhe pse për ta vlerësuar këtë titull mbi supe, si spaletat e një ushtaraku, apo siç mbrohen gradat “Doktor” e “Profesor”, nuk mblidhet asnjë lloj akademie. Megjithatë ky gradim i rregulluar “pa ligj” është po aq i rëndësishëm sa dhe ata që mbrohen me volume punimesh, në mos më shumë. Ndërkohë, këtë titull me kaq vlerë në botë, kushdo shqiptar mund t’ia atribuojë vetes sapo shkruan librin e parë, duke rendur më pas të krahasohet me Cvajgun, Stendalin, Shekspirin, Balzakun apo edhe ndonjë tjetër të këtyre përmasave. Tek e fundit nuk ka doganë. Kush do t’i kërkojë llogari? Që nga ai çast edhe fjala në gojën e një shkrimtari merr peshë të pabesueshme.
Sygjerimi ndërkohë kishte mbetur pezull.
Deri ku është hapësira ime ku unë mund të tollovitem mes fjalëve dhe të mos cenoj asgjë nga tjetri? Vështirë të vendosësh kufij. Veç në e mbyll gojën fare.
Mblodha supet. Mblodha dhe buzët. Po pse fjala e inxhinierit nën tokë, e mjekut roje nate, apo farmacistit që shet barna poshtë pallatit nuk ka peshë?! Po e një hidrauliku, shoferi taksie apo tekniku lavatriçeje sa vlerë ka? Ka, ka, po shkrimtari është person publik. Fjala e tij qëllon fort, sepse misioni i tij ka peshë. Ndaj hidhu me sulm. Mos e lër rastin të të ikë nga dora. Jep mesazhe. Ca kolegët e tu veç reagojnë. Për çfarë? Për atë që ndodh në Shqipëri. Në Shqipëri çfarë nuk ndodh, të reagosh për të gjitha nuk të mbetet as frymë të marrësh. Po mirë zgjidhe vetë temën, të jetë pikante, sa më shumë pikante. Po mirë, të reagoj për dhunën në familje, apo për numrin e lartë të aborteve. Jo, jo, nuk është kjo tema e ditës... Për prostitucionin atëherë, apo për aksidentet... Jo or jo, s’po e kap fillin fare. Dua të shmangem, por s’më lenë. I bie drejt. Aha... mos është fjala për atë kishën që u shemb. Tani u fute në temë. Për kishën që u rrafshua, ose për ato këngëtaret që u baltosën... Hë, se ti i di më mirë këto gjëra, mos bëj si naiv. Po ka reaguar KOASH, ç’hyj unë në këtë mes... E ç’rëndësi ka. Hidhu dhe ti në sulm, jep një mesazh...
Presioni i madh e ka dhe një të mirë të madhe, të nxjerr në dritë. Përndryshe mund të mos e marrësh iniciativën asnjëherë. Por, të mendohem pak...
Ideja ime e kahershme ka qenë se roli i mesazherit nuk më shkon. Mund ta kem krejt gabim por, në rastin më të mirë do ta rishoh përsëri këtë pozicionim, me nerva më të qeta. Pastaj kam menduar se të marrësh rolin e njeriut që jep mesazhe duhet të kesh këllqe të forta, e që fjala jote të peshojë si qytetar e shkrimtar bashkë duhet punë e gjatë dhe e mundimshme. Pra duhet të jesh dikushi, djalli ta marrë. E meqë na zuri goja një institucion fetar, dua të them se mesazhe ka dhënë Buda, Jezusi e Muhameti. Por dhe Konfuci, Sokrati apo Ciceroni. Nuk di të ketë mbetur ende ndonjë sentencë e pathënë, që ka udhëtuar në kohë për të ardhur deri në vitin 2015 krejt e “virgjër”. Kurse ne jemi vënë në garë kush ta rrëmbejë i pari e të marrë autorësinë.
Aleluja!
Më moralin e përgjithshëm, një shkrimtar (e kam fjalën për atë shkrimtar të sërës që e ka fituar të drejtën të jetë njeri publik) e ka për detyrë të jetë dhe njeri i angazhuar në debatet e së përditshmes. Reagimi i shkrimtarit merr vlerë ndaj fenomeneve të shëmtuara sociale apo politike, por të hyjë në grindje sporadike e humbet peshën. Pra nuk besoj se dëshira e madhe për të reaguar duhet ta kthejë atë në një mekanizëm që bën zhurmë për çdo gjë. Përndryshe mbetesh në kuadrin e një megafoni, apo siç kanë qejf ta quajnë ca të tjerë “portavoçe”. Dhe në vend të mesazhit të shumëpritur s’bën gjë tjetër veç zhurmuesin.
Se ndodh më së shumti që reagimet bëhen thjesht për të qenë në treg, pra për të bërë interesantin. Shembulli i Konicës që grindej me gjithçka ka hyrë në modë. Por Konica nuk e kishte aspak për modë grindjen e tij.
Jo, jo, jo… kjo që po shkruaj do më fusi në bela me shkrimtarët.
...............................................................
Megjithatë s’më rrihet pa i shkuar deri në fund.
Se dua të ngre dhe një pyetje tjetër: a duhet marrë për bazë “gazetaria online”, thënë më qartë statuset në rrjetet sociale tip Facebook apo Twitter. Se ndodh që kryeministri flet nga Twitter-i e të tjerët shkojnë pas berihait. Kur në fakt këto statuse duhen vlerësuar si qëndrime krejtësisht personale, të cilat nuk mund të amplifikohen dhe bëhen publike në mënyrë kaq artificiale.
Vijmë sërish te mesazhet, por te ato që marrin rrugë zyrtare.
Mesazhe jepen çdo ditë. Ato i japin burra shteti e njerëz me influencë në jetën shoqërore. Jo se janë më të mençur se të tjerët, se ata që nuk janë burra shteti dhe që nuk janë kaq influent. Por sepse u jep peshë i gjithë mekanizmi shtetëror e shoqëror bashkë. Mesazhe japin nobelistët, fitues të tjerë çmimesh të mëdha. Por nëse ke bërë një libër e fillon të japësh mesazhe, kjo me sa duket do të thotë se qëllimi parësor nuk është letërsia, por dhënia mend për gjëra që nuk të takojnë. Shkurt, letërsia përdoret si trampolinë.
Sa keq.
Sot kemi të bëjmë me të drejtën e fjalës së lirë, dhe “fjalë e lirë” do të thotë t’i thuash hapur gjërat. Por këtu kemi të bëjmë dhe me përçudnimin e saj më shumë se asnjëherë tjetër. Keqpërdorje. Se këndej dhe andej kufirit të dinjitetit, fjala shket e shkon në skajin më të largët. S’e kap dot më, ta fusësh nën dhëmbë e ta përtypësh.
Shkruaj një status. Jep një mesazh.
Po nuk jam Mesia, more zotëri. A e di çdo të thotë të japësh mesazh? Apo mesazhi përkufizohet si në një sentencë groteske e tipit “jeta është e bukur, jetojeni”. Ka plot shkrimtarë që nuk flasin, vetëm shkruajnë letërsi. Ka plot që japin mesazhe dhe e harrojnë letërsinë. Ka shkrimtarë të përbotshëm që prononcohen për tema të mëdha, por ka dhe shkrimtarë që nuk e kalojnë famën përtej provincës dhe prononcohen për tema lokale.
Patrik Modiano është një shkrimtar nobelist i përkufizuar si “fanatik i heshtjes”. Ai flet duke heshtur. Ose vetëm shkruan. Nobelisti gjerman Gynter Grass zgjodhi të fliste. Në jetëshkrimin pas vdekjes u tha se ai tërhoqi vëmendjen me pozicionime publike, jo vetëm për çështje gjermane, por edhe për çështje botërore.
Vajta larg më duket, po ngatërrohem me nobelistët. Të vdekur e të gjallë atyre u peshon çmimi, fama e fjala.
Po çfarë duhet të bëj unë në Tiranë, në një qytet kaotik me 1001 probleme? Thjesht nuk dua të abuzoj nën emrin: shkrimtar.

Postuar në ResPublica 27 Gusht, 2015



Imazhi shet


Leonard Veizi

Imazhi shet. Kjo duhet të jetë vërtet një fjalë kyç, ose thënë ndryshe: togfjalësh magjik. Fjala është për portretin tënd, të stampuar apo në lëvizje, të trasmetuar në gjithfarë mediash, pra të bërit publik.
“Duhet ta bësh të njohur në ndonjë gazetë” më thanë miqtë e mi kur botova librin e parë në vitin 1997. Vit i vështirë. Dola në gazetë. “Duhet bëhesh sa më shumë mediatik”, më thanë sërish kur botova librin e tretë në vitin 2005. Kohët kishin ndryshuar. “Duhet të dalësh sa më shumë në televizion”, më sugjeruan kur sapo prezantova librin e shtatë. Kaluan disa vite që atëhere. “Sa më shumë reklamë televizive”, ma përsëritën kur botova librin e tetë, një roman triller. “Imazhi shet”, i vunë vulën kur prezantova librin e nëntë. Domethënë...? Domethënë duhet të dalësh sa më shumë në televizion e në portalet online, nuk e sheh çfarë bëhet”. Natyrisht që e kam parë. Për shans kam qenë pjesë e medias elektronike që kur filluan të lulëzojnë në mënyrë private. Por me kokëfortësi kam menduar se libri ka një tjetër specifikë, d.m.th nuk është si puna e modës së rrobave të banjës, që për t’i reklamuar mund të dalësh edhe lakuriq. “Epo sot nuk ka rëndësi në është fjala për rroba stine, ushqime të konservuara apo libra. Imazhi shet”, më thanë si për të ma vërtetuar katërcipërish. U binda.
Por, çështë e vërteta, më shumë u binda këtë verë.
“E para ishte fjala” - thuhet në Bibël.
“Gjithçka është imazh” - përkthehet në ditët e sotme. TV, PC, Smartfon, ngado të hedhësh sytë përballesh me imazh. Asgjë të tepërt nuk ka këtu.  Veç fjala po humb peshë. Të gjitha portalet kanë nga një strishë me lajme rozë, foto më shumë vajza nga ato të “jashtmet”, por dhe këto tonat nuk mbeten pas. Imazhi shet. Po, po, e drejtë është.
Atyre që u ra rasti të kalonin edhe adoleshencën nën regjimin komunist u mësuan me një slogan standard të “partishmërisë proletare”, pra të një morali inert, prishja e së cilës tanimë cilësohet dhe si degjererim. Në revistën “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, apo gazetë ditore ishte e thjeshtë të dilje duke punuar në brezare, me shallin e rinisë në qafë dhe me kazmën në krah. Asgjë tjetër nuk mund të mendohej veç kaq. Sot që të dalësh në portale e të marrësh klikime duhet të nxjerrësh ca gjoksin, ca kofshët, të kesh buzë me botoks e vetulla tatuazh. Përndryshe nuk je në treg. “Shqiptarja del nudo në televizionin gjerman”, “Të pasmet tunduese të Xhesikës” , “Enca vendos të tregojë gjithçka”. Këto janë disa nga titujt me foto femrash që i janë kushtuar botës së spektaklit.  Foto tunduese që me dy rreshta sqarim, marrin mijëra klikime. Njerëzit sot kanë nga një aparat celulari me internet 3 e 4G kudo ndodhen, në makinë, në lokal, në plazh, dhomën e gjumit apo tualet. Shohin imazhe, klikojnë, japin pëlqime. Lumturi në ekstrem. Në fund të fundit ky është trendi...
“Nuk duhet të dalim nga tregu”, më këshillon një mik, gjithashtu shkrimtar. Hapa krahët. “Duhet menduar diçka”, këmbëngul ai. “Të shkruaj një roman erotik”, marr iniciativën unë. Ai më sheh me dyshim. “Nuk të shkon, -  ma kthen. - Je i prerë për triller”. Hoqa dorë.
Akoma po mendojmë për rrugë të reja. Them të bëj një set fotosh në plazh. Ca kur djelli lind, ca në kundër-dritë, kur perëndon. Jam shëndoshur ca, por po të futem në palestrën e fotoshopit them se dal si bodybuilding... të mos e teproj, të paktën si notar amator. Pastaj them t’i shpërndaj në rrjetet sociale. Mbase më japin dorë në marketim. Shes ca nga kopjet e mbetura stok nëpërmjet pamjes së re. Po nuk ia dola dot, më duhet të hap krahun.
Imazhi shet.
M’u tipos kjo djall shprehje. Ndoshta unë nuk jam shumë mediatik. Ose jam, por jo mjaftueshëm. Dhe jo vetëm unë e kam këtë defekt. Ka shkrimtarë më të mëdhenj në moshë që nuk dalin kurrë në media. Jo se nuk duan, por nuk ua var njeri. Po si i bëhet? Po vazhdojmë të kërkojmë mundësi, gjithsesi.
Në fakt të gjitha këto tregojnë se tregu tanimë është drejtuar rëndshëm drejt imazhit. Nuk ka rëndësi se çfarë shet ti, po çfarë shet imazhi yt. Për më tëpër që edhe unë vetë, ashtu si dhe shumica me një celular patllake në dorë veç shoh imazhe dhe lexoj statuse deri në tre fjali, jo më shumë.
Imazhi shet.
Po të mos jesh femër, me flokë mbi fytyrë, bluzë mbi kërthizë e që qemeri i pantallonave të kalojë poshtë barkut, si zor e ke. Nuk përbën imazh. Domethënë... nuk ekziston.



Postuar në ResPublica 21 Gusht, 2015

Media në mllefin e politikës - Publicistikë


Leonard Veizi

A doni t’í numërojmë kusuret e gazetarëve dhe të medias në përgjithësi? Gjen sa të duash, nuk është nevoja për shifra besoj. Megjithatë motoja: “të gjithë e duan median, të gjithë e shajnë median”, i zotëron të gjithë, njerëzit publik dhe ata fare anonim. E kështu do të vazhdojë ngaherë, përderisa vetë misioni i saj është të lajmërojë e të jetë në opozitë të përhershme. Por media më Shqipëri ka dhe një specifikë më të përparuar se shumë vende të tjera të Europës, gjithmonë merr një faturë nga politika, sidomos në raste krizash apo kur punët ecin ibret.
Besoj se një hyrje të tillë e gjen në shumë shkrime a opinione kolegësh, e ma do mendja s’kam thënë ndonjë gjë të pathënë, në mos po, kam bërë thjesht një “plagjiaturë”. Por gjithsesi për t’i ardhur problemit në qendër duhet të biesh ndonjëherë edhe nga “unaza” e madhe. E që ta shkoqis muhabetin, dua të them se ditët e fundit më kanë tërhequr vëmendjen deklaratat e dy politikanëve nga më kryesorët në Shqipëri, një kryeministër në fuqi e tjetri ish-kryeministër. Të dy e kanë me median; e zbrazin nganjëherë mllefin kur ajo nuk u vjen pas avazit. Por nuk është hera e parë që e bëjnë kështu. E duan me vrap kur është fjala për të prerë ndonjë shirit inaugurimi, kur duan të thyejnë ndonjë rekord personal noti, kur duan të bëjnë fushatë elektorale për të fituar vota, por dhe kur ndreqin ndonjë tullë tek ndonjë vepër publike. Por po të thuash se “në fasadën e kryeministrisë ka një strehë me drita që nuk shkon” mllefi zbrazet sërish.
Që media të sulmojë nga njëra anë dhe të bëhet vetë epiqendra e sulmit nga të tjerët, kjo është një gjë që duhet të funksionojë rëndom në një shoqëri demokratike. Padyshim që për “X” interesa çdo media në botë prodhon (apo thënë ndryshe fabrikon) lajme të paqena. Prandaj janë dhe gjykatat. Ato vendosin kush ka të drejtë, nëse puna shkon deri aty. Por në vendin tonë, ajo që kërkon të ndodhë rëndom është që këtë “makineri propagandistike” siç kërkon ta cilësojë kryeministri aktual Edi Rama, duan ta vënë me çdo kusht në shërbim të politikës. Me ç’kuptoj, ky pozicioni i ushtrimit të detyrës së kryeministrit, në të njëjtën zyrë ku ka drejtuar për 45 vjet dhe Enver Hoxha, Mehmet Shehu e në fund Adil Çarçani, i bëjnë kryeministrat të kthehen në kohë e të huazojë ca nga fjalori i diktaturës.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, Rama merret jo pak me median, duke cituar mes të tjerave: “Unë respektoj pa kushte qoftë të drejtën e komentatorëve për të thënë çfarë të duan, qoftë të drejtën e botuesve e të redaktorëve për t’u sjellë me publikun si të duan. Por askush ama nuk ma heq dot mua të drejtën që të kem opinionin tim për median e komentatorët, dhe ta shpreh këtë me zë të lartë kur e shoh të arsyeshme! Më anë tjetër, unë nuk besoj se qeveria duhet të komentojë lajmet që jepni ju, apo të përgënjeshtrojë informacionet e rreme që prodhon përditë tezga e tregut mediatik... Mbase do të kishin të drejtë po të nxirrnin pas 23 qershorit 2013, qoftë edhe një faturë të vetme reklamash qeveritare - nga ato që qeveria e shkuar i kishte kapicë, - për të lyer rrotën e montuar të makinerisë së saj propagandistike në ndonjë makineri mediatike private”. Nuk do shumë për të kuptuar mllefin ndaj medias të një njeriu që është prodhuar si politikan pikërisht prej saj. Tërhiq e mos e këput. Thotë ca fjalë të mira e të përgjithshme në fillim, dhe në fund: helmi. Por kryeministri duhet ta kuptojë mirë, që nëse plani në tatime e dogana nuk arrin të realizohet e buxhetit i hapet një gropë e madhe, fajin për këtë nuk e ka media, të jetë i sigurtë. Dhe unë për veten time kaq lexova nga kjo intervistë, se më poshtë kisha përshtypjen që do flitej për arritje e suksese të qeverisë apo realizim planesh 5-vjeçare, që çështë e vërtetë më sjellin në mend dhe një film të studios së Pekinit “Nga fitorja në fitore”.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Berisha, njeri karizmatik e fort mediatik, gjithashtu i përdor të dyja anët e medaljes, kur i intereson ajo që thuhet në media dhe nuk i intereson. Për së fundi, në faqen e tij në facebook shprehet për një ditë të zezë, apo siç mund ta citoj: “një rekord i zi në historinë e mediave tona të shkruara”. Çështë kjo ditë e zezë, ditë e qametit? U merrova mor amani se thashë, ka ndodhur gjëma e jam i fundit që e marr vesh. Më pas vjen shpjegimi: Sepse disa prej tyre kanë censuruar, pra nuk kanë transmetuar një lajm që atij i interesonte të kishte një përhapje sa më të gjerë. Megjithatë, nuk di kush i ka mbushur mendjen Berishës se një lajm duhet doemos të kalojë nëpër faqet e të gjitha gazetave apo portaleve online.
Por tjetërkund çalon puna. Të ankohesh për profesionalizmin e medias është një e drejtë themelore. Se, kush është ai bu“rr”ë që e ka ndaluar një gjë të tillë? E në këtë linjë nuk ka lënë njeri pa u çjerrë, pa sharë e pa denoncuar fakte nga puna e dobët dhe jo profesionale e gazetarëve. Por të gjithë këta, politikanë apo jo të tillë, (ç’rëndësi ka), më pak e dinë se sa profesionale është puna e tyre, sa realizojnë nga ato që premtojnë... etj.
Për ta mbyllur, sërish do të shkruaj diçka fare të zakonshme apo pse jo të bëj një “plagjiaturë” të dytë, për të thënë se, në kontekstin e përgjithshëm, media është në shërbim të publikut, të informojë dhe të kritikojë për gjithçka nuk ecën mirë në një shoqëri të emancipuar apo në emancipim e sipër. Por në fakt, në një ekonomi të hapur, ku tregu vendos për gjithçka, asaj i duhet të prodhojë dhe lajmet që i shiten, pra në këtë mënyrë ajo vihet dhe në shërbim të vetes, natyrisht.

Postuar në ResPublica 14 Gusht, 2015



Duro tri ditë dhe më pas askush nuk do merret me ty - Publicistikë


Leonard Veizi

“Çudia më e madhe tri ditë zgjat”. Shprehja është proverbiale. Koncentrim i përvojës popullore. Krejt aktuale. E aplikueshme deri në pikën e fundit. Ditën e katërt ka mbaruar gjithçka. Çudia quhet e vjetër, ka nisur një e re. E kështu me radhë çdo tri-katër ditë. Është vetëm një rreth vicioz...
...A nuk duket tejet groteske loja me denoncimet dhe deklaratat se së shpejti zyrtarëve të lartë të korruptuar do t’u vihen prangat? Se po vjen dita që ata do të futen pas hekurave e do të dalin para drejtësisë, e të tjera e të tjera. Por dita si për çudi nuk vjen asnjëherë. E çuditërisht nga të gjitha anët vijnë denoncime, me emra konkretë e me shifra konkrete të përfitimit të pandershëm të parave, të favorizimit në tendera, e ku të mundin. Akuzat shigjetojnë majën e piramidës shtetërore për t’u shtrirë pastaj në të gjitha dikasteret e linjave. Nga kjo sasi denoncimesh të duket sikur punët në demokraci po ecin aq mirë sa nuk thuhet. Të gjitha thuhen, transparencë e paparë për publikun. Por në fakt, asnjë lek i vjedhur nuk kthehet pas në buxhetin e shtetit, të përdoret për të rritur mirëqënien e njerëzve të thjeshtë dhe ndihmën e atyre në nevojë. Ato para të vjedhura qëndrojnë në kasaforta të blinduara, janë investuar në biznese krejt të pastra aq sa nuk i kap dot as për mosdhënien e një faturë tatimore, apo janë në formë zerosh elektronike në ndonjë bankë përtej oqeanit. Përfituesit nuk i hyn gjemb në këmbë. Ai i ka të garantuara ato, nuk i pakësohen. Në u shtofshin po. Ndërsa brenda kufijve tanë mbeten vetëm denoncimet. Edhe ato shtohen përditë, si për të mbushur një statistikë, e cila nuk ka kuptim të qëndrojë si një faqe krejt e bardhë.
“Çudia më e madhe tri ditë zgjat.” Është mëse e vërtetë. Vetëm tri ditë duhet të durosh presionin, të qenit në qendër të vëmendjes, të të pasurit fuqi për të mohuar gjithçka. Ditën e katër bën sikur nuk të njeh njeri. Mund t’i bësh pushimet kudo në Shqipëri dhe ata që të shanin deri dje duke të vënë etiketime të tipit: kriminel, trafikant, i korruptuar... janë gati të të puthin dorën si të jesh “padrino”. Gjithçka është harruar dhe ti ia ke hedhur. Rradhën e ka tjetri.
Tri ditë zgjat çudia, asnjë sekondë më shumë.
Por si ka mundësi që gjithçka bie si në vesh të shurdhët apo futet në “kalendat greke” nga ku nuk dalim më. Media denoncon çdo ditë. Në Kuvend denoncimi i ka kaluar kufijtë me kohë, çfarë nuk thuhet atje. Pastaj i vjen radha denoncimeve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka denoncime pa fund për shpërdorim fondesh, që me një gjuhë tjetër do të thotë: vjedhje. Prokuroria herë pas here hedh shashka për arrestim zyrtarësh të korruptuar. Prit të shohim ndonjë... Jo. Asnjë i dënuar deri tani. Që prej 20 vitesh askush nuk dënohet për krim, korrupsion, favorizime të palishme, shkelje të ligjit me të dyja këmbët. As zyrtari i lartë në fuqi as dhe ai që mban parashtesën “ish”. Vetëm denoncime ka. Letra që mbushin dosjet, që me sa duket kanë vetëm një efekt, atë të të bërit presion.
Si ka mundësi, vërtet çuditë zgjasin vetëm tri ditë, apo kjo ka mbetur vetëm si një batutë filmi?!
Me sa duket e ka një të vërtetë dhe kjo. Se ndryshe nuk ka mundësi. Kështu janë mbuluar të gjitha, vrasjet e mëdha, korrupsioni mega. Madje edhe kur denoncimi bazohet mbi një audio apo video, personi me zë e figurë del i pastër si pas një dushi me ujë të kloruar. Nuk ka ekspert që përputh zërin me figurën. Elektronika e bota virtuale po bëjnë çudira, montazhe, fotomontazhe, fabrikime. Asnjëherë nuk dihet kush ka të drejtë. Dhe çështja mbyllet për “mungesë provash”. Nuk ka më asnjë çudi.
Në fund të fundit çfarë janë tre ditë akuza, presion dhe afishimi i emrit si person që duhet të dalësh përpara drejtësisë. Nëse xhepat janë mbushur plot ia vlen sakrifica.
Duro tri ditë se më pas askush nuk do merret me ty.

Postuar në ResPublica 11 Shtator, 2015


Pse turizmi kulturor duhet të dalë mbi turizmin patriotik - Publicistikë


Leonard Veizi

E zbehur ca, por gjithsesi vazhdon të mbetet bazë ajo që tanimë ka marrë emërtimin e plotë si: “turizëm patriotik”. Shumë nga shqiptarët e Shqipërisë i prenotojnë pushimet verore në Antalian turke, në San Torinin grek, apo në Palma de Majorkan e Spanjës. Ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, si dhe shumë të ardhur nga Zvicra apo Gjermania, gjithashtu shqiptarë, prej vitesh frekuentojnë bregdetin e Shëngjinit, Durrësit, Vlorës apo Sarandës, megjithë problemet e pazgjidhura që ato mbartin. Të huajt nuk dominojnë në plazhet tona edhe pse ne rrekemi për të thënë se numri i tyre rritet çdo vit. Ky “ndërrim rolesh” sot thuhet se ka mbetur në kufijtë e “turizmit patriotik”, të atyre njerëzve që me aq sa munden duan t’i lënë kursimet e tyre vjeçare po në Shqipëri dhe askund tjetër. Pra, t’i japin vendit amë një të shtyrë në malore.
Dollarët dhe eurot mund të jenë dhe sheshit, por në Shqipëri shpesh janë mësuar të futen në rrugë të tjera. Ndërsa ajo që mund të prodhojë para pa kursim, madje në mënyra fare të ndershme dhe korrekte, është shfrytëzimi i resurseve, apo thënë ndryshe, turizmi kulturor.
Mbase nuk është kaq e nevojshme që në ditët e sotme të mundohemi për rritjen e rendimentit në nxjerrjen e kromit prej nëntoke dhe as të mendojmë për montimin e uzinave që shkrijnë çelikun. Në kohët e sotme, kur kodet dhe barrierat nuk ekzistojnë, shumë vizitorë të huaj do të kishin dëshirë të njiheshin me të “kuqen” e famshme të Onufrit, por dhe penelatën e çmuar të Davit Selenicasit, me manastirin e Ardenicës apo Kishën e Shën Triadhës, kalanë e Skënderbeut apo fortesat e Ali Pashë Tepelenës. Dhe gjithçka mund të ishte më e reklamuar në ekrane vizivë nëpërmjet spoteve publicitare, me postera, apo fletëpalosje.
Por duket se dhe pse është thënë shumë, sërish pak është punuar në këtë drejtim. 
E duket se kjo nuk ndodh fort në realitetin mediatik shqiptar, pasi lajmi i parë vjen nga kronika e zezë, pastaj sërish nga kronika e zezë dhe… politika. Ndërsa turizmi kulturor?! Veshi i shqiptarëve ende nuk është vrarë nga ky togfjalësh i formësuar së fundmi edhe pse ai përmendet shpesh.
Në fakt, ky lloj turizmi është një fushë pak e eksploruar në Shqipëri, ndërkohë që vlerat e tij ekonomike janë provuar tashmë në shumë vende të rajonit. E në këtë kuadër, turizmi kulturor dhe ai historik për çdo vit vihet në fokusin e vëmendjes së qeverive. Por mesa duket vetëm në fokus. Realiteti tregon tjetër gjë.
Por në Shqipëri, miliardat e dollarëve, në vend që të fitoheshin, kanë humbur në vite. Dhe është normale ta mendosh se këto para nuk mund të futen në një vend, ku vila luksoze të pasanikëve të rinj ngrihen mbi shkallaret e një amfiteatri antik, siç është ai i Durrësit.
E pra, karshilliku i antivlerës mbi vlerën ndeshet hapur.
Ndërkohë bregdeti shqiptar sot ofron shumë hapësira për zhvillimin e industrisë së turizmit. Nuk janë vetëm dielli, rëra dhe uji, që plotësojnë ciklin e pushimeve dhe argëtimin e një pushuesi, por ajo që tashmë është futur në termin “turizëm kulturor”. Kush ka rastin të kalojë pushimet në Sarandë, me siguri kalon për të vizituar qytetin antik të Butrintit dhe të shijojë një mrekulli të botës antike, edhe pse një pjesë e zbulimeve janë trafikuar në vendet fqinje. Kjo ndodh ashtu si dhe në Greqi, ku turistët me rroba banjo të plazheve të nxehta, nuk mund të harrojnë se me Akropolin duhet të njihet gjithsesi, pasi ka lënë në sportel dhe paratë për biletën e hyrjes.
Por në Shqipëri rëndom ndodh ndryshe. Kur vizitorët vijnë, dyert e muzeumeve janë të mbyllura “E diela, pushim”. Në disa institucione të tjera tabela njofton: “E hëna pushim”. E kështu grotesku vazhdon.
E megjithatë turizmi kulturor nuk kushtëzohet vetëm me bregdetin dhe mbetjet antike në afërsi të saj. Gjithçka që nis nga kalaja e famshme e Rozafës, për të vazhduar me Thethin e Valbonën e për të përfunduar në Voskopojë apo klimën malore të Dardhës, kanë të bëjnë me resurse pak të pashfrytëzuara. Dhe të mendosh që në listën e kalave brenda territorit shqiptar rreshtohen 29 në tilla. Miliardat e dollarëve, apo euro qofshin ato, janë aty, krejt “të ngrira”, të cilat vazhdojnë të humbasin çdo vit.
Tanimë, forma klasike e turizmit nuk mund të mbetet e vetme. Ajo më së shumti kërkon një ndërthurje dhe zhvillim të turizmit kulturor në një rajon që i ka të bollshme dhe me vlerë monumentet e kulturës.
Por edhe larmia jo e vogël e aktiviteteve kulturore gjatë gjithë vitit, siç është një festival teatri apo muzike dhome, konkurse të ndryshme bukurie apo koncerte me muzikë alternative janë pjesë përbërëse e turizmit kulturor. Madje dhe vënia në skenë e një opere masive, si “Aida” apo “Cosi fan tutte”, është në funksion të turizmit kulturor. Janë pikërisht ato që plotësojnë më së miri kohën e lirë të pushuesit dhe i japin mundësi të angazhohet me aktivitete.
Por jo gjithmonë ndodh kështu.
E ndërkohë rajoni i jugut shqiptar nuk ka vetëm Butrintin... Saranda u ka dhënë kënaqësi dhe shenjtorëve, madje jo pak, por plot 40 të tillëve. Këtë e tregon më së miri manastiri i famshëm i 40 shenjtorëve, nga e ka origjinën dhe emri i qytetit. Por në modën të kureshtisë vizive janë dhe Manastiri i Mesopotamit, i Demës, Finiqi i lashtë etj. Vetëm që këto duhet të bëhen të vizitueshme. Por si gjithkund tjetër, problem mbetet infrastruktura rrugore, që të shpie në këto monumente të rëndësishme kulture, e cila ose lë shumë për të dëshiruar, ose nuk të çon dot fare në destinacion...


Postuar në ResPublica 09 Gusht, 2015