Monday, March 26, 2018

Iluzioni absurd i shqiptarëve; një revolucion Facebooku


nga Leonard Veizi

Si popull kemi treguar trimëri të rrallë pikërisht atëherë kur si na e kanë shtrënguar litarin sa na kanë dalë sytë kokërdhokë, në përpëlitje e sipër ia kemi dalë të mbijetojmë. Atëherë po, sa e kemi hequr lakun nga qafa, me sy të errur prej zemërimit, kemi marrë gjithfarë armësh në dorë, kobure, kosore, qysqi e ndonjë mitraloz dy këmbësh nga ata që ftohen me ujë, e kemi hedhur në tokë ç’na ka dalë përpara. Gëzhojat kapicë. Gjaku po deri në gju. Thoni “jo”, po deshët.
Por sa për protestat, atje ku kërkohen të drejta me paqe të nënkuptuar e presion të zhurmshëm bashkë, me pankarta, banderola e thirrje orale kundërshtuese, nuk para i kemi aplikuar. Madje kohët e fundit termi “protestë” na ka rënë në fundin e këmbëve, si puna e brekëve. E kemi mbetur fare pa to. Ndaj gojët e liga thonë se pikërisht tani, LGBT-ja ka gjetur terren e po na vërtitet nëpër shalë. Por ca të tjerë thonë se ne si shqiptarë, kryelartë e kokëderra, e kemi pasur për turp të dalim si delenxhinjtë nëpër rrugë, të kërkojmë ndonjë të drejtë që dhe po nuk e patëm në fund të fundit, s’na prish ndonjë punë të madhe. Se burrat maten në luftë or lum miku, nuk ka këtu tërrci-vërrci. O ta fus, o ma fut plumbin. Rrugë të mesme nuk ka.
Këto i themi mëngjeseve nëpër klube ne, deri andej nga dreka. Por në darkë kur mblidhemi në shtëpi, hesapi na del ndryshe. Një e drejtë e humbur këtu, dhe një tjetër atje, një të drejtë na e marrin nga e hëna e një tjetër na e rrëmbejnë nga e premtja, kur vjen dita e pushimit shohim se nuk na ka mbetur një dyshkë në xhep, jo për drekë nga bregu i detit, por as për kafe të lagjja. E kur vete puna deri këtu nuk të bën derman as pushka. Se klasikët, të cilëve iu referuam 45 vite me radhë e kanë lënë një llaf: Revolucion me barkun bosh nuk bëhet.
Atëherë s’na mbetet gjë tjetër vetëm të ngremë sytë nga qielli e t’i lutemi Zotit, jo pesë herë në ditë, por dhe ca më tepër. Se vetëm ai na bën derman këtu ku jemi katandisur.
E me sa duket, Zoti, këto lutjet tona gjysmë fetare e gjysmë ateiste, do t’i ketë dëgjuar nga ndonjë vesh. Se ka ndritur shansi dhe për fakirët. Ja, kohët e fundit teknologjia na ka ardhur në ndihmë ne shqiptarëve që të mos mbetemi prapa shoqërive të tjera. Të paktën të jemi aty-aty me fqinjët, se vështirë ta hedhim çapin më larg, të kaptojmë kufirin e, jallah, të futemi në Evropë.
Po bereqaversën dhe me kaq.
Tani kemi gjetur një mënyrë të re: shfryhemi në Facebook. Çfarë nuk shkruajmë, çfarë nuk themi, çfarë nuk shajmë mor aman. Ta ka ënda t'i lexosh a t'i dëgjosh nga ndonjë tjetër. Flasim për ngritje taksash, e shtrëngim të rripit të mesit. Flasim për mungesë të ndërgjegjes qytetare dhe ngritje të frymës së protestës. Por në protestë meazallah se sheh këmbë njeriu. Bulevardi plot vetëm për raste festash. O për 14 shkurt, o për 14 mars. Aty-këtu, vetëm partitë politike arrijnë të mbledhin ca militantë për t’i futur nëpër çadra, fiks si ato që kemi parë te filmi Skënderbeu, ku shëlleheshin azapët e ushtrisë osmane. Por sindikatat…, aha, s’ia thonë fare asaj ane. E me sa di unë, kur flitet për punë rrogash, pensionesh, taksash e ndonjë gjë tjetër të këtij kallëpi, lëvizjet kanë frymë sindikaliste. Po sindikatat këtu te ne janë tretur si kripa në ujë. E vetmja që rezulton se po funksionon është ajo e artistëve që mbron Teatrin Kombëtar.
Po a thua ndreqim ndonjë punë duke sharë në Facebook, për më tepër kur kësaj agjencie gjigante po i bien kreditet rëndshëm pas skandalit ruso-amerikan të zgjedhjeve presidenciale? A dëgjohet në botë zëri i shqiptarëve, aty në oqeanin e madh të shfryrjes masive të Facebook-ut, të cilët shajnë Qeverinë për taksën e rrugës së kombit dhe LGBT-të që do japi leksione nëpër shkolla?
Mbase dhe dëgjohet.
Ja, ca e ca besojnë se qeveria mund të tërhiqet nga çështja e koncesionit për Rrugën e Kombit, madje dhe të disa rrugëve të tjera të cilave u janë kopsitur dosjet. E në këtë vazhdë ndryshimesh LGBT si shoqëri e margjinalizuar nuk do të shkojë nëpër shkolla për të treguar historitë e trimërive rreth heronjve të tyre. Dhe po u arritën të zgjidhen këto dy çështje madhore, padyshim që meritat do t’i marrin ata që ishin në vijën e parë të sulmit, zërat anonimë që kanë sharë vënçe në Facebook, me libër e prag shtëpie. Se janë pikërisht ata që kanë ngritur një kauzë përmbi tjetrën.
Sa për protestat qytetare...???
...e në fund të fundit, për çfarë t’i duam. Kohët kanë ndryshuar. Armët e protestës, gjithashtu. E këtu nuk di pse papritur më vijnë në mend dy vargje të Frederik Shilerit nga drama “Vilhelm Tel”: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”
...çfarë iluzioni absurd...


Botuar në:

Thursday, March 8, 2018

Luan Rama sjell shqiptarët e dy shekujve më parë, kryelartë e me armë argjendi


nga Leonard Veizi


Ca e ca e njohin Shqipërinë përmes refugjatëve që kaptuan detin në përpjekje për të gjetur Eldoradon. Një foto e anijes “Vlora” vlente sa një mijë fjalë. Ndoshta më shumë. E cilësuan eksod biblik, sepse një e shkrepur e aparatit fotografik dokumentoi më shumë se sa puna e një piktor që për të njëjtën pamje do t’i duheshin ditë e net të tëra pune të mundimshme.
Kjo ishte Shqipëria e viteve 1990.

Thuhet se ishim futur thellësisht në kohët moderne. Por ne ishim shumë më të prapambetur nga ajo çka ofronte Perëndimi. Pesëqind vite më parë, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, duhet të ketë pasur një eksod thuajse në të njëjtat përmasa. Por asokohe nuk kishte celuloid që fiksonte pamjet, dhe piktorëve të perëndimit nuk u bëri peneli të ilustronin  këtë histori shqiptarësh. Ata u kujtuan më vonë, por gjithsesi u kujtuan. Sepse gjithmonë ka dhe një Shqipëri tjetër. Ka tani, ka pasur dhe dikur.
Shqipëria e viteve 1800. Ajo ishte po aq interesante sa dhe në kohën e Bizantit.
Duke bërë zbritje ca zarare në shërbim të Portës së Lartë, me jeniçerë të përbetuar e pushtues të mëdhenj, Shqipëria kishte dhe një tjetër faqe që ia tregonte me krenari fqinjëve përtej Adriatikut. Në këtë mënyrë trojet e saj filluan të eksploroheshin nga udhëtarët e huaj. Ca linin shënimet e tyre, të tjerët e ilustronin me pamje. Gjithsesi dëshmitë nuk mungojnë.
Përmes veprave të piktorëve francezë, në imagjinatën tonë rikrijohet jeta e shqiptarëve në rrugëtimet e gjata të historisë.
Ishin kohëra pa njerëz që largoheshin nga atdheu por me ata që e mbronin atë, pa trima që marketonin prostituta, shisnin drogë me pako, i të vrasin pas shpine, por me ata që dinin të dyluftonin në sheshin e burrave e syri nuk u trembej, e për më tepër në ato vite Shqipëria ishte pa djem veshur kokë e këmbë me meshin, tokëza bronzi e baseta poshtë veshit, por me ata që mbanin nga dy pëllëmbë mustaqe spic, të veshur shik me xhubletën e fustanellën tradicionale.

Këta ishin shqiptarët e dy shekujve më parë. Dhe me gjasa të tillë kanë qenë dhe para se akënxhinjtë dhe azapët të suleshin mbi këto troje.
Padyshim që shekulli i XIX veç Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjeve për Pavarësi, ishte dhe shekulli i portretizimit të shqiptarëve. Deri asokohe qarkullonin vetëm portretet e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Por në shekullin XIX bota perëndimore u njoh me imazhet e shqiptarëve të thjeshtë, pamjen e tyre, veshjet, gjë që me sa dukej përcillte në vazhdimësi dhe këngët e vallet e tyre epike.
Të gjitha këto nuk bëhen të njohura vetëm nga pena e shtegtarëve prej perëndimi, por dhe nga peneli i piktorëve të tyre.

“Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autoreve franceze të shekullit të XIX”, është një libër ku na ofrohet gjithçka tjetër, atë që jemi mësuar më pak ta shohim, sepse në fund të fundit më pak dritë kemi pasur për to. Por tanimë, studiuesi skrupuloz Luan Rama, na sjell një tablo të qartë se si është peneluar nga piktorët e perëndimit, bota shqiptare që thënë të vërtetën i kishte shpëtuar paq asaj çka i imponohej vazhdimisht nga Lindja, e për më tepër nga Lindja e Mesme, kultura e të cilëve ndryshonte fort me atë të vendalinjve të cilët jetonin në atë pjesë të Evropës që quhej “Gadishulli Ilirik”. Siç thotë vetë autori: “Delacrioix, Decamps, Corot, Gerome, Papety, Bida, Gleyre etj., një plejadë artistësh të mëdhenj na ofrojnë sot imazhin e shqiptarit të shekullit XIX, figurën e tij herë heroike e tragjike dhe herë lirike.”
Ajo çfarë të bën përshtypje në këtë panoramë kaq informuese janë dhe ilustrimet e një udhëtar nga francez Normandia i quajtur Thodose du Moncel. Në morinë e vizatimeve të tij pasqyruar në librin me mbresa: “Nga Venediku në Stamboll përmes Greqisë”,
krahas grekëve, ndeshim shpesh dhe shqiptarët me fustanellat e tyre të bardha, diku në sfond apo pranë tempujve të rrënuar, fragmenteve të kapiteleve, kishave të vjetra, objekteve fetare etj.
Dhe kështu shqiptarët vijnë fisnikë në librin e Luan Ramës, aspak demode  e për më tepër të zhveshur. Por mbi të gjitha të armatosur me shpata e kobure të stolisura me argjend.

“Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e autoreve franceze të shekullit të XIX”, është një tjetër kontribut i madh që studiuesi i mirënjohur Luan Rama jep për letrat shqipe.




Thursday, March 1, 2018

Absurdi sot, tekstet shkollore për fëmijë


nga Leonard Veizi


Mund ta them qarte, dhe pa frikë se ajo që ndodh me librin shkollor ka të bëjë veçse me një biznes, jo të pastër. Nuk dua t’i hyj anës së tenderave, e të mos më ndijë kush se po merrem me një investigim të tillë. Dua të them fare pak gjëra, që dalin thuajse çdo ditë nga puna ime apo e bashkëshortes si prindër, me fëmijët tanë. Shqetësimi mbi librat e fëmijëve. Kjo filloi që kur vajza jonë nisi klasën e parë. Fillimisht i përballëm me një gabim në faqen e tretë. Rastësi, menduam.Nnë faqen shtatë gjithashtu gabim, tre faqe më tutje gabim trashanik. Herë unë e herë gruaja, filluan të ndiheshim në panik. Çfarë po u mësojnë fëmijëve në shkollë. E pra, është Klasa e Parë. I fotografuam të gjitha gabimet e abetares së Klasës së Parë. 28 gjithsej. Kulmi. Mbi kapakun e Abetares, autori mbante firmën “Profesor Doktor”. Alamet titulli. Mendova të bëja një shkrim diskreditues në gazetë. Fundja për këtë punë paguhem, gazetar jam. Por hoqa dorë. As vetë se di pse u bëra pesimist e mendova se halle të tilla të mëdha, nuk i zgjidh dot as media. Librat tanimë janë një objekt tregu nga ku nxirren përfitime të mëdha. Aparatçikët e minsitrisë së Arsimit, ose ndajnë paratë, ose janë në gjumë. Megjithatë iku klasa e parë..., e dyta..., e treta. Nëpër libra gjeja gabime pa fund, drejtshkrimore, llogjike, parimore, çfarë të doni ju. I mbylla sytë. Tani vajza është në klasën e katërt. U rrit, e më pak nevojë ka për ne. Megjithatë jo më larg se sot, datë 25 shtator 2012, mendova ta ndihmoja në detyrat e shtëpisë së gjuhës. Ishin një tufë fjalësh me të cilat nxënësi duhet të bënte një tregim. Dakord deri këtu. I hodha një sy kërkesës ku mes të tjerash më ranë në sy fjalët “pazar” dhe “ofertë”. Nuk më besohej. Mbi kapak ishte shkruar “Gjuha Shqipe”. Mendova se kishte të drejtë kryeministri kur deklaronte se me turqit ishim vëllezër. Mirë fjala “pazar” po “ofert”-a çfarë kërkonte në tek “gjuha shqipe”. Nuk dija nga tja mbaja, veç të shfryja dufin në eter. Vajza më shikonte me habi. “Pazar” është fjalë turqisht, si te “Sulejmani i Madhërishëm” - e sqarova unë. I acaruar i lashë kontrollin e detyrave përgjysmë. Në fund të fundit të vajzës ishin, unë të mijat i kam pas bërë me një shqipe të kulluar, sipas standardit të miratuar në Kongresin e ’72-shit. Por habitem thellësish me tekstet e shkruara vitet e fundit. Nuk ka redaktorë, nuk ka filtra, dhe s’duhet të ketë asnjë hallkë tjetër përderisa librat mësimorë për fëmijët dalin për faqe të zezë. Nuk është e nevojshme të bëhet Kongres tjetër për të ndryshuar ‘72-shin, gjuha është bombarduar nga fjalë e shprehi të huaja që shumë më bukur qëndrojnë në shqip. Ndërsa viktimat janë fëmijët tanë, të cilët “Ok” që përdorët rëndom në rrugë, së shpejti do ta mësojnë si shprehje të shqipes në tekst.

Kur “pushtohet” qendra e qyteti


nga Leonard Veizi

Tirana në ditë festash kthehet një qytet mostër, as më pak e as më shumë se një emërtim i tillë. Sidomos, nëse për fat të keq dita është me diell. Askujt të mos i vijë çudi e për më tepër keq. Tmerr i vërtetë. Unë për vetë, lus Zotin,  që për Vitin e Ri, Shën Valentinin e Ditën e Punëtorëve, të bjerë shi me gjyma e të përmbyten rrugët aq uji të shkojë në gju të kalit. Përndryshe bulevardi kryesor i kryeqytetit dhe të gjitha rrugicat qorre kthehen në tubime njerëzish që mbajnë tullumbacet nga njëra dorë e sufllaqet në dorën tjetër. Megjithatë nuk është se e kam të keqen vetëm nga kjo. Herën e fundit, në ditët afër festës së 100 vjetorit të Pavarësisë, tentova që një mëngjes, pasi kisha çuar vajzën e madhe në shkollë, të prisja bashkëshorten me djalin e vogël ndanë rrugës, që këtë të fundit ta çonim në kopsht. Vetëm dhjetë minuta ngjau e gjitha dhe u betova se kjo nuk do të ndodhte më, Më gënjeu mendja për pak ajër të pastër. Jo vetë thjesht e mendova, por dhe e vura në zbatim këtë ide të çartur, për të zezën time. Dhe gjithçka u përqendrua në një pritje të padurimtë. Nuk është se rruga në fjalë, që çuditërisht ka marrë vlerën kryesore në Kryeqytet, por gjithsesi hyn tek të rëndësishmet, përderisa quhet “Komuna e Parisit”, e që nuk di se për çfarë arsye Bashkia e ka cilësuar “Medar Shtylla”. Humor emrash, si gjithmonë. Gjatë kësaj kohë, gati të pa përfillshme, u ndesha me një fenomen “alla shqiptar” që, në fund fare, pasi mora dhe djalin në krah, të mendoja me shpejtësi: të rrëmbeja pasaportën biometrike nga vendi ku e kisha fshehur e të zhdukesha për kush e di se ku. Bori makinash pa fund, bllokim rruge me motive nga më idiote, sherre dhe ulërima njerëzish të denja për derrat e fermës së tipit të lartë, dhe ndotje masive ambienti nga njerëz e kafshë së bashku që kishin dalë së bashku për të shkuar në ‘punë’. Kjo vlen vetëm për mëngjesin. Në drekë nuk më rastis thuajse kurrë të jem në të njëjtin vend për shkak të punës time, përndryshe do të çmendesha nga larmishmëria që më ofron modeli i sotëm ‘qytetar’. Por edhe kaq më lë të dal në përfundimin. Që fshati ka rrethuar qytetin, këtë e kam komentuar në një përsiatje tjetër, por që qyteti ka rrethuar kryeqytetin, këtë është hera e parë që po e trajtoj. Në një rrugë të ngushtë, që Bashkia e ka lënë sa për të kaluar kuajt dhe gomerët, kalojnë gjithfarë makinash, mercedesë e fuoristrada, të gjitha mora e fundit, për të ta hequr kapakun e kokës. Që në këtë rrugë ka gjithfarë biznesmenësh, që kohët e fundit lahen nëpër hidromasazhe dhe u hipin makinave me ajër të kondicionuar, kjo nuk të habit. Por që në këtë rrugë përditë shëtisin me makina të shtrenjta gjithfarë gomerësh, për aq sa rruga ka qenë e aplikuar pak vite më parë edhe kjo është një gjë krejt e dukshme, nuk ka nevojë për raporte lokale. Sa për qendrën e kryeqytetit, aty ku  njerëzit orientohen shumë më thjeshtë duke thënë: te Skënderbeu, është edhe më keq. Prej vitesh aty nuk kaloj më shumë në një herë në tre-katër muaj.


Letërsia për fëmijë dhe edukimi i munguar



nga Leonard Veizi

E dini cila është industria më fitimprurëse në fushën e botimeve? Nuk hyn tek “pyetjet enigmë”, dhe as tek “quiz”-et, e siguroj lexuesin. Sepse ka mundësi që një pjesë e madhe e tyre ta dinë vërtet. E pra, është letërsia për fëmijë. Sigurisht.
Po pse gjithë kjo siguri?!
Natyrisht nuk mund të ketë kontestime, si fjala vjen: se, në fakt, industria më fitimprurëse e letrave mund (apo duhet të ishte) ajo që cilësohet si letërsia e verdhë, ajo që ka ngjyrime rozë apo ajo që mban mbi kopertinë emrat e mëdhenj të nobelistëve, domethënë safi letërsi.
Por dhe kjo e ka një shpjegim:
Padyshim asnjë individi, pjesëtar i një familjeje shqiptare, nuk mund t’ia imponosh dot, që në bibliotekën e shtëpisë, të ketë një libër të Balzakut, Markesit apo Ismail Kadaresë. Por janë ata, fëmijët e vegjël, të cilët arrijnë t’u imponohen më së miri prindërve të tyre që, të blejnë pa kursim jo një, por kolana të tëra librash me ilustrime, për parashkollorë apo me vlera për nxënësit e ciklit të ulët. Për shkak të pjellorisë, të cilin si komb, vazhdojmë ta kemi në nivele të larta, fëmijë të vegjël Shqipëria ka boll.
Ky është shkaku kryesor, përse kjo letërsi është më fitimprurësja.
Këtë konstatim, në dukje fare të lehtë, më shumë se kushdo e dinë vetë botuesit. Prandaj, në të gjitha rastet, pasi kanë botuar Mopasanin, Tolstoin apo Servantesin, gjejnë mundësinë për të botuar edhe nga një kolanë me tituj për fëmijë, kontingjenti i të cilave, pothuaj në të gjitha rastet konsiderohet i shitur, në raste jo fort të rralla dhe në një kohë rekord. 20 faqe me ngjyra, dhe një çmim i shtrenjtë kopertine në fund, i nxjerr nga falimenti të gjithë ata që janë duke “u mbytur”, ndërsa të tjerëve që e kanë kapur veten, ua ngroh xhepat më mirë se sa vetë titujt me emrin e Shekspirit, Remarkut apo Hygoit.
Por nuk do të ndalemi këtu.
Gjithë problematika e fabulës, nisi atëherë kur vajza ime e vogël 5-vjeçare m’u lut t’i lexoja një nga librat me përralla, që ia kishim blerë me shumicë, me të vetmin mendim, edukimin e saj që në fillesa. Për të thënë të vërtetën prej shumë vitesh nuk kisha lexuar as edhe një rresht nga letërsia për parashkollorë. E megjithatë intuita më bëri të përzgjedh një fabul, me protagonist arushin e famshëm “Pooh”.  Ishte krejt e pabesueshme, që ndërsa vajza ime 5-vjeçare më ndiqte gjithë dëshirë teksa lexoja me zë të lartë, unë vetë nuk isha i zoti të ndiqja dhe as ta kuptoja jo e jo esencën e fabulës. E lexova deri në fund, dhe pastaj iu riktheva edhe një herë, kësaj radhe me zë të ulët, domethënë “leksioni” nuk vlente më për vogëlushen, por për mua.
Kjo ishte sa për fillim. Më pas mora përsipër të lexoja të gjithë literaturën për fëmijë që kisha në bibliotekë dhe më rezultoi si më kryesore, gabimet ortografike, drejtshkrimore dhe më pas logjike...
...Në fakt duhet t’ia filloja nga fundi.
Gjithsesi, pyetja që shtrova me vete, dhe pastaj e shkruajta për gazetën, duke menduar se padyshim është shumë më tepër se sa ta thuash me zë të lartë, ishte: A kemi mundësi ne të edukojmë fëmijët e këtij tranzicioni të stërzgjatur?
Pas kësaj mund të vijnë dhe një duzinë pyetjesh të tjera por që me sa duket nuk kanë shumë vlerë.
Duke menduar se në një farë mënyre, e njoh këtë fushë, më vjen keq të them se pjesa me e madhe e botimeve (flasim gjithmonë për letërsinë e fëmijëve) nuk kalon në asnjë filtër specialisti, redaktor apo korrektor letrar. Dhe e gjitha kjo bëhet për të pasur një kosto sa më të lirë. Kështu, në mungesë të një literature serioze, stendat e librarive janë mbushur me ato “performanca” që populli, në gjuhën e tij u thotë akoma më shkurt: paçavure. Dhe kjo është padyshim, dhuratë e botuesve tanë.
Në këtë mënyrë, në vend që fëmijëve t’u mësohet gjuha letrare shqipe, apo thënë ndryshe ajo e njehsuar, nuk po mund të ruhemi dot, as nga ndërhyrja e dhunshme e fjalëve nga fjalorët e huaj dhe natyrisht as dialektalizmave, kësaj here vendase.
Një nga shqetësimet e tjera që dua të ngre në këtë shkrim të shkurtër është se në këtë mori botimesh, përralla me fabula shqiptare ka shumë pak, edhe pse folklori ynë e ka furnizuar pafundësisht  këtë gjini. Por duket se ashtu siç e thamë dhe më sipër, një kosto pak më e lartë apo pak më e ulët, varet pikërisht nga kjo. Dhe e gjitha kjo padyshim që është në dëm të fëmijëve tanë, të këtij brezi, dhe të atyre që do të vijnë më vonë, nëse asgjë nuk ndryshon.



Në udhëkryqin ku është shtruar shtypi


nga Leonard Veizi


Nëse është vënë re, forca e shtypit ka rënë ndjeshëm në Shqipërinë e viteve të fundit. Efekti më i madh është kur ato lexohen nga ndonjë zë bas në emisionet televizive të mëngjesit. Gjithmonë e më pak ka “skupe”. Më pak blerës ka gjithashtu edhe pse të gjitha gazetat mbijetojnë duke lundruar në tregun informal. Titujt janë po ata që jemi mësuar të shohim gjithmonë dhe nëse njëra “falimenton” dy të tjera ia zënë vendin shpejt e shpejt. Por kjo nuk ka të bëjë me shqetësimin e këtij shkrimi. Tregu është i lirë dhe vendimtari për këdo që ka qejf t’i futet “detit në këmbë”. Sot asnjë prej gazetave nuk arrin të kapi një shifër standarde si ajo e dhjetë viteve më parë ku shtypi që kryesonte tregun prodhohej apo shitej në 40 mijë kopje. Pesëmbëdhjetë vite me parë steka e shitjeve ishte në një lartësi tjetër, gazeta kryesuese në treg tregtonte 70 mijë kopje në ditë. Sot, maksimumi i gazetës kryesuese arrin deri në 5 mijë kopje në ditë. Por kur ka ndonjë “të pabërë” në titullin e parë, gazetë nuk gjen për bë në asnjë kioskë. Pra lexuesi është po aty, ai nuk të tradhton. Mjafton ti japësh atë që kërkon. Gjatë analizës do të gjejmë fakte pa fund, dhe fajin kryesor patjetër do t’ia hedhim dyluftimit me një kalorës të armatimit të rëndë siç është televizioni, interneti ca më keq akoma. Të shpejtë, të drejtpërdrejtë, ezaurues. “Lajmi më parë kalon nga ata”. E vërtetë. Falë kësaj konkurrence, ç’është e vërteta edhe media e shkruar ka marrë masat e saj, është thelluar më shumë në personazhe e dosserë, ka zgjeruar rubrika që kohë më parë i mbanin në periferi, gjë që në një farë mënyre e ka nxjerrë nga rutina e lajmit të transmetuar orë e pa orë nga media elektronike. Por nuk mendoj se është vetëm kjo. Duket se ajo që i ul më së shumti pikët medias sot ka të bëjë me mospublikimin e aferave korruptive, një gjë për të cilën vite më parë janë hapur debate e gjyqe pa fund. Media sot përveç informacionit standard, gjithmonë e më pak po e luan këtë rol, ndërsa vendin ku dikur publikoheshin dosjet e korrupsionit sot e zënë faqet rozë me foto të këngëtareve e modeleve toples. Pikërisht dhe këtu konkurrenca është bërë më e fortë. Nëse deri dje, për shqiptarët e prapambetur, zhveshja e një femre në publik përbënte herezi, tani shoqërohet me tifozllëk. Nuk ka rëndësi ajo që ke veshur, rëndësi ka të jesh në treg, me çdo çmim. Gjithashtu më pak vend ka sot në faqet e gazetave për suplementet letrare, por fjalëkryqi nuk mungon në asnjërën prej tyre, për të gjithë mediokrit që mendojnë se ashtu si dhe”yçi”, - përdorur si batutë  në një film artistik shqiptar, - u zhvillon mendjen. Të paktën dy herë, që e kam ngritur si version të mundshëm, që njëra prej gazetave në Shqipëri, të marri përsipër të botojë në një nga faqet inerte të saj, letërsi artistike, sipas mënyrës europiano-perëndimore e më shumë asaj amerikane, kanë rënë poshtë nga drejtuesit pa bërë më parë asnjë bilanc. Pra ende nuk ka ardhur koha që në Shqipëri të kemi “bestseller” nëpërmjet shtypit të ditës. Por natyrisht ka fituar pikë faqja me letrat nga populli dhe mbi të gjitha ajo me këshilla mjekësore, që gjithashtu janë shërbime të domosdoshme, sidomos për ata që mendojnë se me 30 lekët e gazetës, do kursejnë 2000 lekët e vizitës tek mjeku privat. Në fund më duhet të them se shtypi shqiptar sot, është në udhëkryq.


Botuar në revistën KULT

Kur fshati rrethon qytetin



nga Leonard Veizi

Sot është e thjeshtë, që me pasaportë në xhep, të marrësh rrugën e Rinasit, t’i hipësh avionit Boeing 777 në “Busness Class”, e të zbresësh në këdo kryeqytet Evropian, aty ku ta do zemra. Ndërkohë është po aq mbresëlënëse të marrësh furgonin-urbanin e bësh xhiro në periferinë e Tiranës, me një biletë 30 lekëshe. Aty përballesh me një realitet tjetër. Nuk flas për ndërtimin e vilave që të mahnitin. Kjo ka të bëjë vetëm me fasadën e asaj çka fshihet pas mureve të suvatuara e oborreve që ndriçohen tejembanë me energjinë e papaguar. Ajo që më bën fort përshtypje ka të bëjë me nivelin e të rinjve e sidomos të fëmijëve që rriten në këto zona, herë informale e here gati për legalizim. Këtu doja të ndalesha e jo tek ndryshimi i periferisë me dyqanet e rrugës “Myslym Shyri”. Ta lëmë mënjanë këtë disnivel që nuk na nxjerr kund.
“E para është fjala”, thuhet në Bibël. Me siguri, në shumë derivate e saj, mund të nxjerrësh dhe variantin: “Fjalën si ta përdorësh”. E pra të duhen kjo xhiro për të kuptuar se si funksionon pjesa tjetër e kryeqytetit, ajo që ndahet tek “vija e verdhë” plus-minus ca shtëpi më tepër te të dyja anët. Besoj s’gaboj po të them se në këto zona nuk ka varfëri duhani e pijesh alkoolike, por një varfëri ekstreme fjalori. E vetmja që nuk ka nevojë për meremetime është fjalori i rrugës. Nuk pretendon njeri për vënien në skenë të teatrit absurd, e as për ndonjë pasarelë mode, në këto zona. Dhe mbase nuk është shumë e nevojshme, pasi në të gjitha shtëpitë, po të hysh, do të gjesh televizorë “high definition”, marka e fundit. Por gjithsesi libraria a biblioteka shkon për shtat kudo. Megjithatë këto vetëm sa tentojnë të zbusin një nivel, të cilën me sa duket nuk arrin ta bëjë as shkolla. Frekuentimi i saj nga fëmijët është krejt fakultativ, madje edhe kur pushteti ndërton një godinë model. Dhe vetëm kaq të duhet të kuptosh se si sentenca e Mao Ce Dun-idesë, “fshati rrethon qytetin” nuk ka të bëjë me një botëkuptim kinez, por është kthyer në realitetin e trishtë shqiptar.
E bëra këtë performancë për të thënë se ajo që po na mundon më së shumti sot është krimi, që më së shumti na vjen nga këto shtresa. Lajmi i parë në masmedian sot ka në fokus vetëm këtë temë. Nuk di të kem dëgjuar që: një inxhinier vrau një mësuese, apo një jurist i preu kokën ekonomistes. E pra, krimi qëndron diku tjetër. Dhe nuk është vetëm se: “fshati ka rrethuar qytetin”. kjo do të ishte vetëm një pjesë e vogël e të “keqes”. Problemi është më i thellë se kaq. Këta njerëz, që nuk e dinë se rreth qendrës së kryeqytetit ku kanë ardhur të jetojnë, ka kinema, shfaqe cirku, e panair libri, po dominojnë dhunshëm mbi pjesën urbane. Mjaft që një pjesë e tyre ka nxjerrë fëmijët të shesin cigare, të lypin, a të vjedhin. Dhe pas kësaj vjen krimi, me fishekë luftarakë, apo armë të ftohta. Muajt e fundit kemi pasur bilance lufte. E kështu, në BE apo jashtë saj, Shqipëria vazhdoj të jetë në kohën e tranzicionit të saj, pabesueshmërisht të stërzgjatur e të pambarimtë.   

Botuar në revistën KULT