Wednesday, February 27, 2019

Zoti Kryeministër, aman mbaj dorën!


Nga Leonard Veizi

Toni, një miku im, ka ca kohë që vërdalloset Tiranës si i papunë. Sa herë e takoj dhe e pyes, ngre supet. Është i shkolluar dhe nuk ka punuar asnjëherë në profesion, që do të thotë me pak fjalë se nuk ia përton punës, kur gjen gjen, por kur nuk gjen, nuk gjen dhe s’ke ç’i bën. Herën e fundit që e takova kishte një dosje nën sqetull:
-Hajër haber inshalla, - i them ende pa takuar duart, duke i bërë me shenjë nga dosja.
-I jam futur gjermanishtes, - më tha. – Aty te zyra ku aplikova më thanë se do pres ca, se ka shumë aplikime, ndaj rri që rri thashë, po i futem gjermanishtes, e po shkoj ezber në Munih.
-Domethënë po i ngrike leckat edhe ti?!
-Oj të ngritur... Nuk shtyhet më. Këtu punët po shkojnë për morth. Vetëm se duhet të presësh ca, - më thanë ata të zyrës së aplikimeve, - se paska shumë radhë, nja 300 mijë veta po një herë.
-Ç’thua, - shqeva sytë unë. – Domethënë shqiptarët po e shpopullojnë territorin. Mendova mos  ishin thashetheme kazani këto që po më thua.
-Lëre kazanin Nardo, po bëj gati dokumentet një orë e më parë dhe nisu dhe ti andej nga Shtutgardi, se këtu nuk ia del dot. Punët po shkojnë për morth. Nuk po ka më shpresa. Dhe fajet për të gjitha këto na i ka ai... i Gjati. - tha miku im, shtrëngoi dosjen me leksionet e gjermanishtes, uli kokën dhe iku pa më thënë as mirupafshim.
Nuk e kam marrë ende për bazë këshillën e tij. Nuk kam pranuar as këshillën për refugjatllëk në Itali. Në Greqi jo e jo.
Të them që e bëj për patriotizëm, nuk dua ta trash muhabetin, se asnjë lloj budallai nuk e ha më një gjë të tillë. Por thellë-thellë kam përshtypjen se jam ca i paaftë për t’u përballur me një jetë tjetër atje përtej kufirit. Ç’përshtypje aman...: jam i paaftë dhe pikë. Edhe një gjë të tillë edhe pse ia them vetes, sërish mundohem ta fsheh.
Ore po burrat sot nuk nisen në luftë, nisen në emigracion. Ja dhe unë do mendohem edhe një herë vënçe se mbase më vijnë mendtë.
...përderisa dhe mjekja e familjes te klinika e lagjes ku bëj vizitat periodike, i kishte hipur “Lufthansa”-s duke e lënë vendin vakant deri në emërimin e mjekes tjetër...
Kanë të drejtë shokët e miqtë që më këshillojnë t’ia mbath andej tutje. Sepse këndej nga ne qeveria po merret me kozmetikë, herë me lyerje vetullash e herë me heqje qerpikësh, por bisturinë e kirurgut s’e ka marrë ende në dorë.
Protestat antiqeveri, e kanë një të mirë, se djegin ndonjë gomë makine dhe kur era e katranit të shpon hundët të bën të kthesh kokën e të pyesësh: Ç’po ndodh? Kështu edhe me protestat e fundit besoj. E mira do ishte që protestat të organizoheshin nga sindikatat, por ne si popull politik që jemi, kemi qejf kur na thërrasin “nën armë”, o Luli, o Mona, o Vini. Për të tjerët nuk para pyesim.
Por kur vjen fundi, protestat me ngjyrime politike cilësohen si të manipuluara. Pra, hiç gjë për popullin. Politikanët dalin të fituar gjithsesi; o Vini, o Luli, o Mona.
Po gjende mirë, sa pa gjë... Të paktën populli del në rrugë dhe mundohet ta trembi qeverinë, që të kthejë kokën nga zverku i trashur, e të përballet me të pathënat e deritanishme. Se punët në bazë nuk janë si në tryezën ovale të Këshillit të Ministrave, ku të lëshojnë ajër të kondicionuar në vend të gazit lotsjellës.
Me këtë rast, ministra e deputetë duhet të kuptojnë, se asgjë nuk po shkon mbarë në këtë vend. Asnjë punë e qeverisë nuk po del në dritë. Veç në i shkofshin mbarë punët çdo ministri tek e tek dhe kryeministrit në tërësi.
E ardhmja ka filluar të më trembë për vdekje. Jo se ikin ditët o ora afrohet. Por sepse kohët e fundit jam njohur me dy thashetheme mediatike të tmerrshme: e para ka të bëjë me rritjen e moshës së pensionit për burra në 70 vjeç, ndërsa  e dyta ka të bëjë me shtimin e dy taksave të reja te karburantet, gjë që padyshim do ta çojë litrin e naftës në 200 lekë të reja.
“O Zot mbaj dorën”!
Shprehja më doli nga shpirti. Një sekondë më vonë u kthjellova. Ç’them dhe unë. Ç’hyn Zoti këtu? Shprehja është e vjetër, jashtë mode, e me një kontekst që i përket dikujt të cilin nuk e njohim, por vetëm i lutemi në eter.
“O Kryeministër, aman ore mbaj dorën, se shumë të rëndë e paske”!
Kjo po, ka vlerë. Tek e fundit i lutesh njeriut konkret: Edi Ramës. Se mbase qëllon me të mira dhe e vendos dorën nga ana e majtë. Mund t’i dërgosh një sms për hallin që ke, se të përgjigjet ai, të dërgon ose tek inspektoratet online me njëqind yçkla, ose të paktën të tregon derën e mensës sociale, varet nga halli që ke. Por edhe një koment te statusi në Facebook mund t’ia shkruash, se ta tregon vendin pa kaluar minuta, hazër xhevap. Të orienton si të paguash taksat, pasi të kesh filluar një punë me pagë nën minimumin jetik. Dhe me një llogari krejtësisht amatore, po e fillove punën 16 vjeç se nuk të “rrojnë shqerkat”, do të të duhet që për 54 vite më radhë, si bleta punëtore, të kontribuosh në arkën e shtetit, me qëllim “që mjaltin, - ashtu siç shkruan dhe dramaturgu i njohur rumun Tudor Mushatesku – ta hajë partia jonë Liberale”.
Shkurt: paratë shkojnë tek tenderi i radhës.
Se shteti duhet mbajtur, domosdo.
Kryeministër, vëre dorën në zemër të kam rixha. Ne jemi vërtet popull heroik, por jo sa të vdesim duke firmosur në bordero, ca pasi kanë punuar me kazmë e lopatë se aq kanë nxënë në rininë e tyre, e ca të tjerë në zyrat e shtetit se janë treguar më dobiça dhe e kanë marrë nga një diplomë, qoftë dhe pa i hyrë plagjiaturave.
Kryeministër mbaj dorën. Aman.
Mos fut nëpër biruca hallexhinjtë sepse të korruptuarit të kanë zënë për gryke. 
Reformat vërtet bëhen kur nuk ka lek. Por këtu tek ne duket sikur ka para me bollëk. Po ore po, duhet të ketë para aq sa s’na i pret mendja. Le ta marrim logjikën e ciklit të ulët: E gjithë Shqipëria është kthyer në një kantier, pa hapen gropa kanale, rrugë të reja, rikonstruksione godinash. Prish një të vjetër, ngri një të re. Por asgjë nuk mbaron. Prej vitesh. Vetëm punohet. Ose bëhet sikur punohet. Por nejse, kjo është një çështje e dorës së dytë. Mbi të gjitha, gjithçka në punime e sipër kërkon tenderim, dhe ritenderim. Sepse gjithmonë dalin gjëra të papritura, “toka shembet atje ku s’e pret, hapen papritur gropa, hone, humbella, shpërthejnë gazra sulfurik...” dhe duhen hedhur para shtesë për një modifikim të mundshëm, për ca beton  më shumë, për ca asfalt më tepër. Epo kjo do kohë, se duhet miratuar buxheti i vitit pasardhës, se aktuali nuk mban më. Aq e kish.
Dhe kështu nuk mbarojnë prej vitesh as rruga e Kombit, as rruga e Elbasanit, as baypass-et e Vlorës, apo Fierit, as... e ku di djallin tjetër se çfarë kantieresh janë hapur e nuk mbyllen në Shqipëri.
Dhe që të mbushet sërish buxheti i shtetit fillojnë manovrimet me 5-lekshat e “qelbët” të popullit.
“Po mi Hajrie po. Pesë fronga t’qelbta këtu e pesë fronga aqje, nuk jan' mo t’qelbta ato, se u ka dalë era me vakt”.
Epo këto janë rrugët e pasurimit të shpejtë. Se vetëm ca shqiptarë pasurohen, shumë e shumë të tjerë shtrëngojnë rripin. Të tjerët kanë marrë arratinë. S’do ketë më krahë pune. Atëherë dhe skema e pensioneve do falimentojë. Nuk ka nevojë më të shkosh 70 vjeç të marrësh pensionin. Atë s’ka për ta marrë dot kush.
Kryeministër, mbaj dorën vëlla. U meruam!

Botuar në:

http://www.gazetadita.al/zoti-kryeminister-aman-mbaj-doren/

Saturday, February 16, 2019

Kauza e munguar e një “revolucioni”


A ka ardhur koha për revolucion? A mund të jetë një protestë “madhështore” prologu i një lëvizjeje Çartiste apo si ajo e marrjes së Bastijes”...?
Jo, or jo. Nuk ka vend për aludime të këtij karakteri superior. Se nuk para thithim nga ajo anë.
Ne si popull mund të luftojmë kaçakëshe, por jo të bëjmë revolucione ku të merret Kryeministria si dikur Bastija.
“Do hosten bualli, po pickime pleshti”.
Kjo batutë filmi m’u kujtua teksa po ndiqja qetësisht në ditën e parë të fundjavës, një protestë popullore në bulevardin e madh të Tiranës, pikërisht atje ku prej 77 vitesh qëndron godina e Këshillit të Ministrave, ngritur dhe përuruar prej pushtuesve italianë në Luftën e Dytë Botërore.
“Po me urën ç’patën, xhanëm”?
Kjo është batuta e dytë filmi që më vinte ndër mend, kur shihja nga ekrani 42-polësh HD e me dekoder, ca rob që po kacavirreshin për ta bërë godinën ku ministrat marrin vendimet e rëndësishme për popullin, në mos pluhur e hi, të paktën të arrinin t’i shkulnin ndonjë pllakë mermeri.
Epo kur të erren sytë nuk pyet për mure e për tulla. Yxhym përpara.
Që te jem realist deri në fund, as që kisha ndërmend ta ndiqja zhvillimin e protestës as në televizor e as në radio, por nuk e di se si një kanal informativ, kur e lëviz pultin më shumë se sa duhet, m’u fanit para sysh e mbeti aty.
Tani do të ngrihen ca e ca e do thonë se nuk paskam frymën e revoltës dhe as të bashkëpunimit.
E pranoj, jam ca indiferent.
Ç’është e vërteta, unë nuk është se mbahem për pjesëmarrje në protesta me hu në dorë, për përleshje trup më trup  në “taekwondo”, apo për rrahje të policëve të paarmatosur me rripin e pantallonave.
Nga një analizë e shkurtër dhe e pa thelluar, duke i thirrur kujtesës dhe për gjithfarë lajmesh kanë qarkulluar prej kohësh, arrita në përfundimin që mund ta them me fare pak fjalë: protesta nuk kishte KAUZË. Domethënë... për ta sqaruar më mirë: nuk kishte KAUZË. Nuk e di në më kuptuat, por nuk arrij ta sqaroj dot më mirë se kaq. Shkurt, mungonte gjëja më kryesore: KAUZA.
Që të mos futemi në qorrsokak; KAUZA, nuk është emër njeriu.
Dhe si e tillë, - pra në mungesë të kauzës - protesta "madhështore" ishte e destinuar të dështonte që para se më trimat e turmës të prishnin një instilacion përrallash apo të hipnin mbi platformën elektronikë të dritave që Rama ka vendosur për qejf të vet në hyrje të Kryeministrisë.
Kur them nuk kishte KAUZË, nuk besoj se ndonjë komentues anonim do të më mbushë mendjen për të kundërtën. Sepse, edhe pse qeveria është e zhytur në korrupsion, nuk besoj se besoni që protesta bëhej vërtet në përpjekjen e pazakontë për ta zhdukur këtë korrupsion, nga ata që ishin po aq të korruptuar kur ishin vet në pushtet. Se kësaj i thonë që hajduti thërret: kapeni hajdutin! Dhe këtë modë e njohin mirë politikanët tanë, herë qeveritarë e herë në opozitë, sipas rastit.
Tani, më mirë se ne, drejtuesit e protestës e dinë qëllimin e vërtetë se përse zhvillohej kjo protestë, për të cilën angazhuan shumë shqiptarë, që ta bënin punë ditën e pushimit. Ka dhe plot nga ne të tjerët që bëjmë sikur e dimë, mbase jo aq mirë, por i afrohemi disi, motiveve të vërteta të zhvillimit të “protestës madhështore”.
Dhe në dukje të saj, në këtë protestë, protestuesit as që e dinin se çfarë duhet të bënin, të sulmonin me krahëmarrje, apo në “formë pyke”.
Sepse, kush nuk e di ta mësojë, se kauzat e vërteta kthehen në revolucion. Dhe revolucioni e merr mbarë kryeministrinë me themel dhe të gjitha godinat e tjera qeveritare. Ndërsa “protesta madhështore” e opozitës nisi me zbrazje fishekzjarrësh e thyerje xhamash dhe përfundoi tek pjata e fasuleve në tryezën e varfër, ku secili protestues u ul të hante një çapë buke pas qëndrimit 5-6 orë në këmbë te bulevardi.
Për më tepër, një “protestë madhështore” me pjesëmarrjen e të papunëve, muratorëve, karpentierëve, e teknikëve të lavatriçeve, nuk arrinte të merrte vlerën e duhur nga kundërvënia që i bëhej ca më tutje prej një “mitingu madhështor” me pjesëmarrjen e zgjeruar të nëpunësve të shtetit, drejtorëve e shefave të departamenteve si dhe asistenteve të tyre.
Kjo performancë, - e protestës dhe e mitingut bashkë - hyn tek estradat, madje afrohet më shumë si një “kabare show”, badjava.
Dhe është krejtësisht qesharake kur doktori e doktoresha deklarojnë se janë të mërzitur me qeverisjen e Ramës, vetë shefi i qeverisë pëllet me megafon nga 150 kilometra larg, ndërsa kreu i shtetit prej dritares së Presidencës bën thirrje për qetësi.
Protesta "madhështore" e opozitës, që angazhoi jo pak shqiptarë vërtet të mërzitur nga qeverisja e Rilindjes, doli si një flluskë sapuni. U thyen ca xhama dhe u prish një “kërpudhë”, që na i pat dhuruar një artist më famë ndërkombëtare.
Dhe kaq...
...takohemi të enjten...
Nga Leonard Veizi

Saturday, February 2, 2019

“Parla”menti, vendi i burrave “llapa”qen


Nga Leonard Veizi

Mos prisni që në Kuvendin e Shqipërisë të dëgjoni gjëra të mençura e me perspektivë shumëvjeçare. Atje nuk zhvillohet ndonjë mbledhje e Akademisë së Shkencave dhe as ndonjë simpozium shkencor me të rejat më të fundit nga fusha e Albanologjisë. Në fakt, atje është ringu ku burrat bëjnë më keq se gratë e provincave, të cilat zihen ose nga maja e ballkonit, ose përballë portave me sofat, që i ndan një rrugicë kalldrëmi.
Kuvendi i Shqipërisë së sotme nuk ka të bëjë me Kuvendin e Burrave të djeshëm, ku duhet ta masje bythën mirë e të nxirrje ndonjë fjalë pa mend nga goja. Se peshën e asaj fjale do ta mbanin mbi supe edhe brezat pasardhës.
Kuvendi i sotshëm në fakt e ka humbur rëndësinë e dikurshme dhe është kthyer në... Parlament. Dhe etimologjia e fjalës “parlament” vjen nga latinishtja  “parlamentum” e për rrjedhojë nga italishtja, ku “parla” do të thotë “fjalë” apo “me fol”. Dhe italianët, meqenëse janë ca si popull që flasin pa doganë, i shkon për shtat dhe termi “Parla”ment.
Ndërsa për ne shqiptarët, që jemi mbajtur për burra pushke e me mustaqe dy pëllëmbë sa që mund t’i lidhje pas koke, nuk kanë vlerë fjalët e tepërta. Ne kemi qenë popull aksioni dhe në logun e burrave nuk përmendeshin defektet e të tjerëve, si për shembull: t’i mblidhje rripat a t'i bëje presion një burri që kishte shtëpinë në majën e kodrës duke i përmendur se na paskësh zënë një dashnore që jetonte pranë bregut të lumit.
Kjo histori ka të bëjë me të shkuarën, se sa për të tashmen...
Sot në Parlament të përmenden gjithfarë horrllëqesh; që ke dashnore, që ke bëre letrat e divorcit me gruan, që ke para të fshehura në dyshek, që je hajdut me çizme, ashtu si “maçoku” që në një nga nëntë jetët e tij kishte qenë hajduti më i madh në Santiago De Compostela.
Turli akuzash, fyerjesh e fjalësh pa masë e peshë thuhen në sallën e sotme të Parlamentit Shqiptar. Dhe burrat e mileniumit të ri nuk kanë më qylafë në kokë dhe as mustaqe demode, por mbajnë kollare me ngjyra dhe pasi modelojnë mjekrat në qendra estetike u hedhin një kile parfum “Victoria Secret’s”. Ata dinë ta përballojnë me dinjitet një fyerje publike, dhe kur i shajnë nga nëna, nga motra a nga gruaja, nuk janë aq gjaknxehtë e tendenciozë sa të nxjerrin “10-tëshen” e mbushur plot e përplot, a ndonjë kamë të fshehur në çorape.
Dhe pastaj na akuzojnë ne shqiptarëve se marrim zjarr me një fije kashte.
Thënë shkoqur, Parlamenti sot është kthyer jo në “folezën” e burrave llapazanë, por në stallën e meshkujve llapaqen. Domethënë kur i jep e i jep gojës më shumë se të mban gurmazi, nuk mund të quhesh më burrë zamani dhe as burrë llapazan në rastin më të keq por: llapaqen.
Historia e Parlamentit të Shqipërisë është unik për llojin e metamorfozës së tij. Gjen në seancat e tij; shpërthime frenetike, gjuajtje me këpucë e çizme, hedhje mielli e vezësh, goditje me grushte e me bidona uji, sharje me libër shtëpie. Nuk ka problem në parlamentin tonë të dëgjosh se “X” e ka gruan kurvë, ndërsa “Y” motrën prostitutë. Dhe e gjitha kjo e bën të trishtueshme historinë parlamentare të  30 viteve të fundit.
Por shumë e shumë e marrin me të qeshur të enjten e seancave. E kanë braktisur “Portokallinë”, nuk e kthejnë kanalin nga “Al Pazari” dhe e shohin me përçimin “Duplex"-in.
"Je në vete, kemi parlamentin që të gajas fare. Dhe jo me humor të stisur, me skenar të shkruar, regji të përcaktuar e aktorë të sforcuar në role. Ata janë vetvetja, janë origjinalë fare, pa makijazh e paruke në kokë, dhe të dhjesin gazit".
Kjo duhet të jetë e vërteta e ditëve të sotme, krejt moderne dhe mëse të kuruar, që burrat e shtetit të mos duken aq të pagdhendur në sallën e miratimit të ligjeve, sa të nxjerrin nga thellësia e shekujve Kanunin.
Ata janë të përmbajtur tanimë. E gëlltisin me vetëmohim fyerjen.
Ndaj, mos prisni që në Kuvendin e Shqipërisë të dëgjoni gjëra të mençura e me perspektivë. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë simpozium shkencor. Sepse aty edhe kur flitet për gurin themeltar të shtetit; Kushtetutën, i bëhet një skanim fjalorit me shprehjet e rralla nga i cili huazojnë me shpejtësi togfjalësha të tipit: nga “lavire bulevardi” deri tek “dobiçat” që dalin në dritë pas ekspertizës mjeko-ligjore të ADN-së.

Botuar në