Wednesday, February 27, 2019

Zoti Kryeministër, aman mbaj dorën!


Nga Leonard Veizi

Toni, një miku im, ka ca kohë që vërdalloset Tiranës si i papunë. Sa herë e takoj dhe e pyes, ngre supet. Është i shkolluar dhe nuk ka punuar asnjëherë në profesion, që do të thotë me pak fjalë se nuk ia përton punës, kur gjen gjen, por kur nuk gjen, nuk gjen dhe s’ke ç’i bën. Herën e fundit që e takova kishte një dosje nën sqetull:
-Hajër haber inshalla, - i them ende pa takuar duart, duke i bërë me shenjë nga dosja.
-I jam futur gjermanishtes, - më tha. – Aty te zyra ku aplikova më thanë se do pres ca, se ka shumë aplikime, ndaj rri që rri thashë, po i futem gjermanishtes, e po shkoj ezber në Munih.
-Domethënë po i ngrike leckat edhe ti?!
-Oj të ngritur... Nuk shtyhet më. Këtu punët po shkojnë për morth. Vetëm se duhet të presësh ca, - më thanë ata të zyrës së aplikimeve, - se paska shumë radhë, nja 300 mijë veta po një herë.
-Ç’thua, - shqeva sytë unë. – Domethënë shqiptarët po e shpopullojnë territorin. Mendova mos  ishin thashetheme kazani këto që po më thua.
-Lëre kazanin Nardo, po bëj gati dokumentet një orë e më parë dhe nisu dhe ti andej nga Shtutgardi, se këtu nuk ia del dot. Punët po shkojnë për morth. Nuk po ka më shpresa. Dhe fajet për të gjitha këto na i ka ai... i Gjati. - tha miku im, shtrëngoi dosjen me leksionet e gjermanishtes, uli kokën dhe iku pa më thënë as mirupafshim.
Nuk e kam marrë ende për bazë këshillën e tij. Nuk kam pranuar as këshillën për refugjatllëk në Itali. Në Greqi jo e jo.
Të them që e bëj për patriotizëm, nuk dua ta trash muhabetin, se asnjë lloj budallai nuk e ha më një gjë të tillë. Por thellë-thellë kam përshtypjen se jam ca i paaftë për t’u përballur me një jetë tjetër atje përtej kufirit. Ç’përshtypje aman...: jam i paaftë dhe pikë. Edhe një gjë të tillë edhe pse ia them vetes, sërish mundohem ta fsheh.
Ore po burrat sot nuk nisen në luftë, nisen në emigracion. Ja dhe unë do mendohem edhe një herë vënçe se mbase më vijnë mendtë.
...përderisa dhe mjekja e familjes te klinika e lagjes ku bëj vizitat periodike, i kishte hipur “Lufthansa”-s duke e lënë vendin vakant deri në emërimin e mjekes tjetër...
Kanë të drejtë shokët e miqtë që më këshillojnë t’ia mbath andej tutje. Sepse këndej nga ne qeveria po merret me kozmetikë, herë me lyerje vetullash e herë me heqje qerpikësh, por bisturinë e kirurgut s’e ka marrë ende në dorë.
Protestat antiqeveri, e kanë një të mirë, se djegin ndonjë gomë makine dhe kur era e katranit të shpon hundët të bën të kthesh kokën e të pyesësh: Ç’po ndodh? Kështu edhe me protestat e fundit besoj. E mira do ishte që protestat të organizoheshin nga sindikatat, por ne si popull politik që jemi, kemi qejf kur na thërrasin “nën armë”, o Luli, o Mona, o Vini. Për të tjerët nuk para pyesim.
Por kur vjen fundi, protestat me ngjyrime politike cilësohen si të manipuluara. Pra, hiç gjë për popullin. Politikanët dalin të fituar gjithsesi; o Vini, o Luli, o Mona.
Po gjende mirë, sa pa gjë... Të paktën populli del në rrugë dhe mundohet ta trembi qeverinë, që të kthejë kokën nga zverku i trashur, e të përballet me të pathënat e deritanishme. Se punët në bazë nuk janë si në tryezën ovale të Këshillit të Ministrave, ku të lëshojnë ajër të kondicionuar në vend të gazit lotsjellës.
Me këtë rast, ministra e deputetë duhet të kuptojnë, se asgjë nuk po shkon mbarë në këtë vend. Asnjë punë e qeverisë nuk po del në dritë. Veç në i shkofshin mbarë punët çdo ministri tek e tek dhe kryeministrit në tërësi.
E ardhmja ka filluar të më trembë për vdekje. Jo se ikin ditët o ora afrohet. Por sepse kohët e fundit jam njohur me dy thashetheme mediatike të tmerrshme: e para ka të bëjë me rritjen e moshës së pensionit për burra në 70 vjeç, ndërsa  e dyta ka të bëjë me shtimin e dy taksave të reja te karburantet, gjë që padyshim do ta çojë litrin e naftës në 200 lekë të reja.
“O Zot mbaj dorën”!
Shprehja më doli nga shpirti. Një sekondë më vonë u kthjellova. Ç’them dhe unë. Ç’hyn Zoti këtu? Shprehja është e vjetër, jashtë mode, e me një kontekst që i përket dikujt të cilin nuk e njohim, por vetëm i lutemi në eter.
“O Kryeministër, aman ore mbaj dorën, se shumë të rëndë e paske”!
Kjo po, ka vlerë. Tek e fundit i lutesh njeriut konkret: Edi Ramës. Se mbase qëllon me të mira dhe e vendos dorën nga ana e majtë. Mund t’i dërgosh një sms për hallin që ke, se të përgjigjet ai, të dërgon ose tek inspektoratet online me njëqind yçkla, ose të paktën të tregon derën e mensës sociale, varet nga halli që ke. Por edhe një koment te statusi në Facebook mund t’ia shkruash, se ta tregon vendin pa kaluar minuta, hazër xhevap. Të orienton si të paguash taksat, pasi të kesh filluar një punë me pagë nën minimumin jetik. Dhe me një llogari krejtësisht amatore, po e fillove punën 16 vjeç se nuk të “rrojnë shqerkat”, do të të duhet që për 54 vite më radhë, si bleta punëtore, të kontribuosh në arkën e shtetit, me qëllim “që mjaltin, - ashtu siç shkruan dhe dramaturgu i njohur rumun Tudor Mushatesku – ta hajë partia jonë Liberale”.
Shkurt: paratë shkojnë tek tenderi i radhës.
Se shteti duhet mbajtur, domosdo.
Kryeministër, vëre dorën në zemër të kam rixha. Ne jemi vërtet popull heroik, por jo sa të vdesim duke firmosur në bordero, ca pasi kanë punuar me kazmë e lopatë se aq kanë nxënë në rininë e tyre, e ca të tjerë në zyrat e shtetit se janë treguar më dobiça dhe e kanë marrë nga një diplomë, qoftë dhe pa i hyrë plagjiaturave.
Kryeministër mbaj dorën. Aman.
Mos fut nëpër biruca hallexhinjtë sepse të korruptuarit të kanë zënë për gryke. 
Reformat vërtet bëhen kur nuk ka lek. Por këtu tek ne duket sikur ka para me bollëk. Po ore po, duhet të ketë para aq sa s’na i pret mendja. Le ta marrim logjikën e ciklit të ulët: E gjithë Shqipëria është kthyer në një kantier, pa hapen gropa kanale, rrugë të reja, rikonstruksione godinash. Prish një të vjetër, ngri një të re. Por asgjë nuk mbaron. Prej vitesh. Vetëm punohet. Ose bëhet sikur punohet. Por nejse, kjo është një çështje e dorës së dytë. Mbi të gjitha, gjithçka në punime e sipër kërkon tenderim, dhe ritenderim. Sepse gjithmonë dalin gjëra të papritura, “toka shembet atje ku s’e pret, hapen papritur gropa, hone, humbella, shpërthejnë gazra sulfurik...” dhe duhen hedhur para shtesë për një modifikim të mundshëm, për ca beton  më shumë, për ca asfalt më tepër. Epo kjo do kohë, se duhet miratuar buxheti i vitit pasardhës, se aktuali nuk mban më. Aq e kish.
Dhe kështu nuk mbarojnë prej vitesh as rruga e Kombit, as rruga e Elbasanit, as baypass-et e Vlorës, apo Fierit, as... e ku di djallin tjetër se çfarë kantieresh janë hapur e nuk mbyllen në Shqipëri.
Dhe që të mbushet sërish buxheti i shtetit fillojnë manovrimet me 5-lekshat e “qelbët” të popullit.
“Po mi Hajrie po. Pesë fronga t’qelbta këtu e pesë fronga aqje, nuk jan' mo t’qelbta ato, se u ka dalë era me vakt”.
Epo këto janë rrugët e pasurimit të shpejtë. Se vetëm ca shqiptarë pasurohen, shumë e shumë të tjerë shtrëngojnë rripin. Të tjerët kanë marrë arratinë. S’do ketë më krahë pune. Atëherë dhe skema e pensioneve do falimentojë. Nuk ka nevojë më të shkosh 70 vjeç të marrësh pensionin. Atë s’ka për ta marrë dot kush.
Kryeministër, mbaj dorën vëlla. U meruam!

Botuar në:

http://www.gazetadita.al/zoti-kryeminister-aman-mbaj-doren/

No comments:

Post a Comment