Monday, September 30, 2019

Intervista/ Astrit Leka: Unë, njeriu kyç i marrëveshjes NATO-UÇK


Astrit Leka, rrëfen peripecitë e jetës: "Enveri më shpëtoi nga vdekja e më çoi në kazmë".
Lidhja me Partinë Komuniste. Demaskimi i marrëveshjes së Mukjes dhe si i shpëtoi vendimi për pushkatim me ndihmën e Nako Spirut. Lidhjet me NATO-n dhe UÇK-në.
 
Astrit Leka

Leonard Veizi

-Ai vazhdon të bëjë një jetë shumë aktive edhe pse është gati 90-vjeç. Megjithatë thotë se do të vazhdojë të luftojë sidomos për “ngritjen e prestigjit të shqiptarëve në botë”. Gjatë një interviste për “Shekullin” Astrit Leka rrëfen jetën e tij që nga njohja me Enver Hoxhën në Liceun Francez e deri tek lidhjet që bëri mes NATO-s dhe UÇK-së.

Keni prejardhjen nga Bregu, pikërisht nga Borshi. Mund të na tregoni diçka rreth familjes suaj të Lekajve?
Si familje jemi me origjinë nga Borshi i Sarandës dhe pse brezi im s’ka jetuar atje. Nga studimet që kam bërë, ku jam përpjekur të jap ndihmesën time si atdhetar, mund të them se në Borsh ekziston një kishë me emrin “Kisha e Lekajve”. Vura re se atje ndiznin qirinj të rinj myslimanë, ortodoksë edhe pse rrënojat e kësaj kishe janë ato të kishës katolike të Lekajve të themeluar në vitin 1272, në kohën kur kishim si mbret Karl Anzhu të Regnum Albbaniae (mbretëria shqiptare). Për mua, vetëm fakti që tradita e respektimit të një kulti si katolicizmi që nuk ekziston më në atë krahinë, është një vlerë kombëtare që mund t’ia paraqesim Evropës, si një bashkëjetesë fetare.
Si ka qenë arsimimi juaj?
Shkollën fillore e kam bërë në Elbasan, ku im atë ishte Prokuror Shteti. Kam mendimin më të mirë për mësuesit e mij, që kishin studiuar të gjithë në Austri. Shkollën e Mesme e kam filluar në Liceun Francës të Korçës, ku kam pasur mësues kujdestar Enver Hoxhën me të cilin bëja 6 ditë në javë mësim. Por e ndërpreva pas pushtimit Italian. Kam vazhduar shkollën e mesme “Francesko Krispi” në Tiranë e më pas vazhdova në kolegjin Çikonjini, në Itali, ku më ndodhi një incident që u bë shkak për drejtimin e ri që mori jeta ime. Një ditë pasi Vasil Laçi qëlloi Viktor Emanuelin, e gjithë Italia u ngrit në këmbë kundër shqiptarëve. Sekretari i rinisë fashiste të shkollës, një arrogant, para gjithë shkollës përdhosi flamurin e Skënderbeut, duke përmendur Spatat e Liktorit që kishin aplikuar anash shqiponjës. E humba dhe e godita. Ai ra përtokë u përgjak dhe u shtrua në spital. Qemal Stafa që ishte student në Firence, vjen në kolegj dhe më këshillon si të mbrohesha, për të mos më përjashtuar nga shkolla.
Çfarë ju motivoi që bëheshit pjesëtar aktiv në Luftën NAÇL, pasi ju vini nga shtresat e pasura?
Unë nuk luftoja për komunizmin por për Atdheun, si gjithë të tjerët. Takimi me Qemal Stafën bëri që të kthehesha në Shqipëri e të filloja luftën me Grupin e Shkodrës kundër pushtuesit. Në gjimnazin e Tiranës me qëlloi të jem në një klasë, ku që me krijimin e Rinisë Komuniste Shqiptare u krijua një grup luftëtarësh. Dhe ishim të gjithë pa përjashtim mirë nga ana ekonomike, me përjashtim të Ramiz Alisë që vinte nga shtresa e varfër. Grupi ynë i dha Luftës 11 dëshmorë, gjë e rrallë në Evropë, për një klasë, si p.sh. Manush Alimani, Siri Kodra, Bedri Karapici, Bahri Shaqiri, Thoma Kuqali, Gjergj Frashëri, etj. Po nga ky grup KQ i Rinisë dërgoi nëpër Qarqe, Ramiz Alinë në Berat, Manush Alimanin në Shkodër, mua në Elbasan, Siri Kodrën n./komandant batalioni në Dumre etj.
Cilat janë disa nga aksionet më të spikatura tuajat, sigurisht bashkë me shokët?
Pata rast të dallohem në Luftën e Njësiteve Guerile, si anëtar i njësiti dhe si drejtues njësiti e aksionesh të një rëndësie kombëtare, por studiuesit e sotëm thonë dhe ndërkombëtare. Psh: për të realizuar një aksion të madh në Kosovë, ku u sigurua ushqim për brigadat e krijuara, m’u desh të hyja në zyrën e ministrit të ekonomisë së asaj kohe, megjithëse ai me dy truproje te dera dhe me një kobure në kokë t’i marr një autorizim të bardhë. Kjo kërkesë i ishte bërë Mustafa Gjinishit nga Enver Hoxha, po ai edhe pse ishte shumë trim nuk i takonte të bënte gjë të kësaj natyre. Është interesant fakti që me rastin e 40 vjetorit të PPSH në konkursin e shpallur, një dramë e Ndrek Lucës “Një firme me revole” ku ai vendos emrin e protagonistin nga Astrit në Petrit, fitoi konkursin letrar. Ndërsa unë isha dënuar për veprimtari armiqësore. Dhe vuaja dënimin duke punuar në kazmë. Gjatë luftës kam bërë më se 44 aksione që kanë hyrë në histori, apo figurojnë në pllaka bronzi etj. Por emri im nuk është.
Përse nga regjimi komunist, prurjen e të cilit e ndihmuat me luftën tuaj, ju trajtoi me ashpërsi?
Me porosi të Enver Hoxhës bëra një shërbim te misionet britanike në Shqipëri, ku kërkohej të zëvendësohej Koço Tashko. Kur u ktheva në Labinot, konstatova se mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm NÇL po prishin marrëveshjen e Mukjes, një gabim fatal që e pagoi shtrenjtë kombi ynë. U shpreha kundër prishjes së marrëveshjes. Këtë e pagova shumë shtrenjtë gjatë luftës e gjithë jetën, sepse disa herë kanë dashur të më pushkatojnë, por vendimet nuk u zbatuan. Herën e fundit në 1945 kur vendimi ishte i sigurt u bë garant presidenti i Rinisë, Nako Spiru. Edhe pse maturën e mora pas çlirimit me çmimin e ministrisë së Arsimit ku konkurronin gjithë maturantët që kishin marrë pjesë në luftë mua nuk m’u tha kurrë një bursë studimi. Fillova studimet me korrespodencë, se duhet të siguroja bukën e gojës, ku në 1950 nga 600 të regjistruar u diplomuan 3 kandidatë, Qemal Haxhihasani, folkloristi më i mirë, Shaban Demiraj, kryetar i Akademisë dhe unë që u diplomova në dy fakultete Gjuhë-Letërsi dhe Histori Gjeografi. Por që gjithë jetën kam njohur vetëm pushime nga puna. Më pas m’u desh të studioja paralelisht në dy fakultete, Fakulteti Ekonomik dhe ai 4 vjeçar Histori-Gjeografi, jo se doja koleksion diplomash , por isha i motivuar
Jeni pushuar nga arsimi dhe keni punuar si punëtor i thjeshtë krahu?
Në vitin 1967 Shqipëria komuniste imitoi revolucionin kulturor kinez. Në atë kohë jepja frëngjisht e gjeografi duke kryer detyrën shumë mirë. Pas fjalimit të 6 shkurtit të Enver Hoxhës, filluan fletërrufetë, u goditën në Tiranë disa kuadro të institutit të shkencave, prof. i shquar Selman Riza, Dhimitër Pilika, Zija Shkodra, me transferime. Dy prej tyre, një shoku im i Brigadës I, Dilaver Radëshi u burgos ndërsa një tjetër Bektash Bedo, vrau veten. Manush Myftiu e Fadil Paçrami bënë një goditje kundër meje, në shkollën Partizani, se nuk bëra autokritikë. U pushova nga puna me motivin për “veprimtari armiqësore”. Nuk më çuan në burg pasi sekretariati i KQ të PPSH me Enver Hoxhën, Hysni Kapo, Ramiz Alinë e Xhafer Spahiun e njihnin luftën time, por më dërguan të punoj në kazmë. Gruan time, Emine Leka, me dy fakultete meqenëse nuk më ndahu e çuan të punonte në një stallë me derra.
Jeni kthyer në Perëndim me fillimet e liberalizimit të jetës në vend. Përvoja juaj si emigrant?
Kur “iku” Çaushesku, regjimi komunist i Tiranës për t’i dhënë shenja liberalizimi botës lëshoi pasaporta për herë të parë, pasi në Tiranë do vinte Peres De Kuelar nga OKB dhe senatori amerikan Lantosh. Unë u largova në Amerikë për të shoqëruar vëllanë e vogël Gencin për një problem shëndetësor, ku na priste vëllai ynë i madh dr.Agim Leka një ish i ri ballist, i fundit i mbetur gjallë nga atë që asistuan në Konferencën e Mukjes. Në Nju Jork në Universitet dekani Grinberger më propozoi vendin e bibliografit për gjuhët e huaja dhe pse isha 65 vjeç. Nuk pranova, pasi dëgjova direkt nga goja e Mandelës fjalimin e tij për paqen e vuajtjet në burg. Në atë kohë Shqipëria kishte filluar të lëvizte me ngjarjet e ambasadave, ndërsa Kosova me parlamentin e Kaçanikut. Falënderoj përjetë profesorin Grinberger i cili më propozimin e tij më largoi kompleksin e inferioritetit me të cilin dola nga Shqipëria e ndrojtjen e përballimit të intelektualëve të botës perëndimore. Vendosa që t’i kushtohesha çështjes kombëtare. Dhe kjo mund të bëhej vetëm në Gjenevë. Në Zvicër arrita të vendosem me shumë vështirësi, por rektori i universitetit të Friburgut pas një bashkëpunimi ma dërgoi me shkrim: “Puna, përgatitja, personaliteti juaj na bën ta kemi për nder që ju të jeni bashkëpunëtor e kuadri ynë”. Kjo më dha kurajë që mund të përballoja këto rrethe të ngritura intelektuale botërore

Astrit  Leka, autor i vënies së bustit të Skënderbeut në Gjenevë

---------------------------------------------------------------------------------------
Nga cili aktivitet ktheheni së fundit?
Isha në Kongresin e 39 të Komisionit Ndërkombëtar të Historisë Ushtarake, që u zhvillua në Torino, Itali. Atje kishin ardhur delegatë e 40 shteteve edhe 15 universitetet më të mëdha të botës, që nga SHBA, Japonia, Kina, Rusia, Gjermania, Franca, etj. Sigurisht me erdhi keq që Shqipëria nuk ishte e përfaqësuar, sepse edhe ne kemi një histori ushtarake që ka lënë gjurmë të mira, që nga lashtësia e deri më sot.
Me çfarë statusi ishit i ftuar në Kongres?
Isha i ftuar si veprimtar i historisë ushtarake, anëtar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Zvicrës. Unë jam qytetar zviceran, por në këtë kongres përfaqësova edhe ngjyrat e Shqipërisë. Para se të shkoja në Kongres me rastin e pranimit në Shoqatën e Historianëve Ushtarakë zviceranë, pata një letër falënderimi nga kryetari i shoqatës, gjeneral divizioni, Domenik Juliand që i shkruante këto fjalë “Nuk do të doja ta mbyllja këtë letër pa ju përgëzuar për punët dhe kërkimet e rëndësishme të bëra nga ju, për angazhimet për një botë më demokratike dhe t’u shpreh juve respektin tim përpara kaq dëshmive të shumta të mbështetjes dhe të homazhit që u janë bërë nga personalitete të tjera botërore”. Unë isha i futur në këtë kongres jo vetëm si historian, por edhe si aktor i historisë ushtarake. Rasti e ka dashur gjatë jetës time, prej 7 prillit 1939 e deri në ditët e kongresit, të marrë pjesë në ngjarje historike përcaktuese për fatin e njerëzimit.
Cilat kanë qenë këto ngjarje përcaktuese?
Në Labinot të Elbasanit, natën e 8 shtatorit 1943, i kthyer nga misioni britanik ku më kishte dërguar Enver Hoxha për të zëvendësuar Koço Tashkon, sapo u mor vesh kapitullimi i ushtrisë italiane, u ngarkova të merrja kontakt me drejtuesit italianë në qytete, që ata të dorëzoheshin te partizanët, lënien e armëve dhe shpëtimin e jetës së tyre nga ana jonë nëpër male, edhe pse në kushte të vështira. Ky ishte një aksion i madh për të mos i lënë italianët në dorën e ushtrisë gjermane.
Po pas luftës, cili ka qenë kontributi juaj?
Vite më vonë më është dashur që në Gjenevë të marr pjesë në ngjarje të rëndësishme historike ndërkombëtare, por ajo që është më e rëndësishmja ndërmjetësimi, midis përfaqësuesve të Xhorxhio Napoletanos, president i Italisë dhe të Romano Prodit, ish-kryeministër i Italisë, të autorizuar nga NATO, për të zgjidhur çështjen e karakterizimit terrorist ose jo, të UÇK-së. Përfaqësuesit e NATO-s me këtë rast u paraqitën tek unë me kërkesën që t’i ndërlidhja me përfaqësuesit e UÇK-së, pasi siç shkruan gazetari Maurizio Stefanini: “Astrit Leka ishte studiuar dhe kishte rezultuar se nuk bënte pjesë në asnjë rrjet spiunazhi në Gjenevë, i njohur si qytet jo vetëm diplomatik, por edhe i spiunazhit botëror”. Ata dinin gjithashtu se unë gëzoja besimin e shqiptarëve, por edhe besimin e shqiptarëve të Kosovës. Sipas tyre, unë isha personaliteti më i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje kaq të rëndësishme midis palëve. Nga takimet e ndryshme që u bënë doli se UÇK nuk ishte organizatë terroriste, por luftonte për lirinë e popullit të vet nga zgjedha serbe. Iu kërkua palës së autorizuar nga NATO që ta sanksionon këtë çështje në shtyp me një personalitet të njohur botërisht që të vinte në Gjenevë. Amerikani Gelbart, i njohur si një person kundër UÇK-së deri atëherë, erdhi në Gjenevë, mori kontakt direkt me përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare dhe çdo gjë u shpall në shtyp. Kështu shpjegohet që gazetari Stefanini më paraqiti mua si çelësi i zgjidhjes së çështjes midis NATO-s dhe UÇK-së, që solli më pas luftën e Kosovës, duke mos lejuar në këtë mënyrë që Kosova të bëhej një Bosnje e dytë.
Të kthehemi te kongresi. Çfarë ndodhi atje?
Kongresi  u hap me solemnitet dhe mediat e përmendën shumë rëndësinë e tij, por ajo që na intereson ne si shqiptarë është një artikull nga gazeta “Libero” e Italisë. Ja citime nga një artikull me titull: “Kështu jeton një armik i popullit të kësaj gazete: “Astrit Leka është një nga atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë. Ai ishte një hero i rezistencës…” Artikulli vazhdon “…deri të shtunën vazhdon në Torino Kongresi i 39 me delegacione ushtarake të 40 vendeve e me historianë të 15 universiteteve, ku midis pjesëmarrësve një nga më të moshuarit është shqiptaro-zvicerani Astrit Leka, një 89-vjeçar i kthjellët, që mund të quhet kujtesa e gjallë e shekullit XX e më tutje”. Në një paragraf tjetër shkruhet: “Në Shqipëri kanë bërë një vepër teatrale për aksionet e tij, gjatë luftës partizane dhe kjo vepër ka marrë çmimin e konkursit të 40-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Kryetari i Komisionit të historianëve ushtarakë të Shqipërisë, i përcakton aksionet e tij me njësitet guerilje të rëndësisë evropiane. Kështu ai përmend aksionin që udhëhoqi në bodrumet e bankës së Durrësit, u mori mallin e destinuar për 15 mijë ushtarë gjermanë, që ishte lesh për veshje ushtarësh, më të cilat do të përballonin të ftohtin rus. Ky lesh u vu në dispozicion të partizanëve”. Që të kthehemi te kongresi, unë i ndoqa të gjitha punimet, i bëra vërejtje substanciale kumtesave të delegacioneve të ndryshme, si provë që ndërhyrjet e mija ishin të sakta e shkencore dhe dinjitoze për një historian shqiptar i cili në atë kongres ishte dhe aktor i historisë. Këtë e provoi me faktin se anëtari i komisionit ndërkombëtar të historianëve ushtarak, personaliteti i shquar zviceran, gjeneral dhe prof, dr. Fritz Joeckli, disa herë laureat i disa universiteteve, erdhi e më përgëzoi duke më pyetur çfarë kombësie kisha. Më erdhi mirë që i thashë: “jam shqiptar”. Në këtë kongres nisa përpjekjet për të futur Kosovën anëtarë të këtij Komisioni Ushtarak dhe për këtë mora kontakt  të drejtpërdrejtë me institucionin e drejtuar nga Agim Çeku në Prishtinë.

Gazeta italiane:
Astrit Leka çelësi i tratativave NATO-UÇK
Maurizio Stefanini, në “Gazeta Liberal”, Romë, më 28 nëntor 2012 boton artikullin “Ndërmjetësimi i Lekës” me nëntitull: “Astrit Leka qe njeriu çelës i raporteve midis shërbimeve të fshehta italiane dhe luftëtarëve të UÇK”, ku shkruan: “Kjo ndodhi në kohën e luftës së Kosovës, para ndërhyrjes së NATO-s. Perëndimi i ngarkoi detyrë Italisë që të realizonte një kontakt me luftëtarët e UÇK që të mund ta bënte veprën e tyre në pajtim me kërkesat e NATO-s. Në Gjenevë ishte një personazh, autoriteti i të cilit kishte bërë atë të besueshëm ndaj italianëve, shqiptarëve e kosovarëve, pra ishte njeriu që mund të bënte ndërmjetësimin e palëve. Pikërisht me atë, i dërguari italian foli një ditë të tërë dhe ra në ujdi duke mbetur pa mend kur Leka refuzoi të pranojë çfarëdo shpërblimi financiar nga ana jonë. UÇK pranoi të kufizonte disa veprime të saja. Pastaj Italia vuri në dispozicion bazat ushtarake për avionët e NATO-s që vepruan kundër regjimit të Milosheviçit. Kosova arriti një pavarësi nën administrimin e OKB-së, pastaj erdhi shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Sot Kosova njihet nga 95 vende prej 193 shteteve anëtare të OKB. Qe pikërisht Astrit Leka, njeriu i Gjenevës, dikur viktimë e regjimit të Enver Hoxhës, çelësi i tratativave midis NATO-s dhe UÇK por edhe zgjidhës i kaq shumë çështjeve themelore gjatë këtyre 70 viteve të historisë së Shqipërisë”.



Në federatën e veteranëve
Astrit Leka thotë ka qenë aktiv dhe në forumet botërore të veteranëve të luftës: “Federata Botërore e veteranëve me 37 milionë anëtarë me kujdesin e zv/presidentit të saj Zh.Guzha, mbështeti kërkesën Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, themeluar nga Ymer Dishnica në vitin 1994 por e drejtuar sot nga “Heroi i Popullit” Rrahman Përllaku, për aderimin tonë në Federatë. Në asamblenë e përgjithshme të Federatës në Johanesburg në vitin 2003 u ftova si vëzhgues. Fjala e parë që më tha presidenti i nderit i Federatës qe; “Zoti Leka, hyrjen e organizatës tuaj në Federatë e pranuan 180 organizata veteranësh të botës, vetëm Organizata e Veteranëve të Shqipërisë dha mendim shumë të keq dhe kërkoi mospranimin si anëtare”. Pasi mora dekoratat e luftës për 60 vjet u hesht për mua. Vitet e fundit bota më ka dhënë 8 dekorata ndërkombëtare, prej të cilave 2 janë shqiptare”.

Botuar në gazetën SHEKULLI - tetor 2013



Tuesday, September 24, 2019

I çmenduri i pavionit 3 - fragment romani/ botim i vitit 2012/ OMSCA-1




Nga Leonard Veizi



Një ndriçim i beftë më sulmoi egërsisht mbi kapakët e syve. Ngrita qepallat dhe anova kokën, pa mundur që ta përqendroja vështrimin në atë pikë. Nuk ishin rrezet e diellit, siç mendova në çastin e parë, por një llambë neoni që varej mbi kokën time. Isha në të njëjtën dhomë, mbi të njëjtin shtrat dhe po ashtu i lidhur. Asgjë s’kishte ndryshuar. Vetëm se… E pamundur…
- Ti…?! Si munde të futesh këtu…?
Isha i shokuar nga habia. Ose gjithçka ishte përmbysur, ose diçka nuk shkonte sërish në nënvetëdijen time. Megjithatë nuk ndihesha keq. Një valë entuziazmi më përfshiu menjëherë. Suzana ishte shfaqur te dera. E bukur, me flokë të lëshuar. Nuk kishte përparëse të bardhë. Nuk kishte vdekur…
- Se si kam hyrë, kjo është punë për mua, - tha ajo duke m’u afruar dhe u përkul me të shpejtë mbi shtrat, që të zgjidhte nyjen e fashës që më shtrëngonte krahun e djathtë.
Koka e saj ishte fare pranë fytyrës sime. Nuk dalloja asnjë gjurmë gërvishtjesh, as vija të mavijosura nën gushën e saj. E gjithë skena e përleshjes me të e me Romeon m’u shfaq edhe një herë përpara syve. Kujtesa më sillte të qartë përpara syve gjithçka që kishte ndodhur ndërmjet nesh: zhurmë, thirrje, xhami i dritares që thyhej me rropamë, dhe…
- Por…, por unë… të kam vrarë! - arrita t’i thosha me gjysmë zëri.
Suzana ndaloi. Më pa me ca sy që i picërroi me egërsi, dhe tha:
- Më ke vrarë? Si më ke vrarë? Me çfarë më ke vrarë? Pa më thuaj, kush t’i ka futur në kokë mendime të tilla?
Nuk e kuptoja çfarë po vazhdonte të ndodhte me mua. Isha zgjuar apo në ëndërr?
- Andrea, - i thashë me zë të pafuqishëm
Suzana shfryu dhe vazhdoi përpjekjen e saj për të zgjidhur nyjen e fashës.
- Sa fort e paskan lidhur! - tha nën zë me një mllef të dukshëm.
Unë ngrita kokën si për ta parë më mirë. Sytë tanë ishin vetëm pak centimetra larg njëri- tjetrit.
- Të kam vrarë apo jo? - e pyeta.
Ajo arriti më në fund ta zgjidhte nyjen.
- E si mund të më kesh vrarë kur unë jam këtu dhe po të liroj nga këto djall fashash që të mbajnë të lidhur?
Në zërin e saj kishte shumë nervozizëm. Po zgjidhte fashën, e cila ishte mbështjellë disa herë rreth kyçit tim.
- Po Andrea…?
- Lëre Andrean, - nuk më la ajo ta mbaroja fjalën. - Ai është vetë i çmendur. Nuk do ta besosh? Mos e beso. Por është ai që të ka sjellë këtu.
- Si…?
Suzana doli nga krahu tjetër. Nyjet e fashave ishin koklavitur keq.
- Andrea të donte me çdo kusht në pavionin e tij. Ne të gjithë e dinim që ti i ngjaje shumë djalit të tij të vdekur. As këtë nuk e beson…? E pra, ishte profesori ai që nuk të la. Edhe Semi ndërhyri që ti të mos shkoje tek ai. Por Andrea e kishte fiksim këtë punë dhe ja, e arriti, e bëri të mundur. Atë natë, nëse të kujtohet. Andrea erdhi në pavionin tonë. Askush nuk ka parë gjë tjetër përveç hijes së tij. Të ka neutralizuar me një goditje elektrike. Dhe të ka tërhequr deri në katin e tretë. Nuk ka dëshmitarë për këtë. Përveç njërit. Ai s’ka pasur gjumë atë natë. Ka ndier zhurmë dhe ka nxjerrë vetëm kokën në korridor. Kaq u desh dhe ia ka parë fytyrën.
Suzana arriti ta zgjidhte dhe nyjen e krahut tjetër.
- Cili ishte ky? - pyeta unë me ankth, i tronditur nga gjithçka që po dëgjoja.

Suzana dihaste me vështirësi.
- Princi, - tha.
- Princi! - thirra. - Si ka mundësi? Po unë atë e kam vrarë.
Me një veprim të shpejtë Suzana më vuri dorën e saj mbi gojë.
- Mbylle dhe mos bërtit! - m’u hakërrye. - Duhet ta dish se ti nuk ke vrarë askënd. Unë nuk e di se ç’të ka thënë Andrea, por duket se të ka broçkullitur ca si shumë. Të ka manipuluar. Pastaj të ka shqepur me qetësues. Edhe elektroshok duhet të të ketë bërë se s’bën. Ndryshe, nuk do të ishe në këtë gjendje. Tani ti nuk je më vetvetja. Por do ta kalosh. Jam e bindur për këtë. E marr unë përsipër. Tani më thuaj, e pse duhet ta vrisje Romeon?
Gjithçka në mendjen time ishte zhbërë. Më dukej sikur po lundroja në një hapësirë imagjinare.
- Si pse…?! Sepse e kapa duke bërë dashuri me ty. E tmerrshme, apo jo? Ishit krejt lakuriq. Ti sipër tij. Por rënkoje…
Suzana shtrëngoi nofullat dhe picërroi sytë, si të dëgjonte gjënë më absurde në botë.
- Unë me Romeon?! Je në vete ti…? Ha-ha…! Më bëre të qesh.
E qeshura e saj e sforcuar zhurmoi në dhomë si të godiste mbi metal.
- Ja… e mbaj mend… më kujtohet gjithçka, të kapa për flokësh, të tërhoqa zvarrë…
Nga nënvetëdija e thellë ulërima e Suzanës doli si nga një humbellë. E ndieva atë fare pranë.
- Mjaft! - thirri Suzana, - Këto që thua ti, ekzistojnë vetëm në kokën tënde. Asgjë të vërtetë nuk ka. Andrea të ka bërë të besosh se na ke vrarë të dy. Dhe ti e hëngre… Ç’idiotësi!
Ajo po mundohej shumë për të zgjidhur nyjen e fashës që ma mbante të shtrënguar këmbën e majtë.
- Ç’punë ka Andrea në këtë mes? - iu kundërvura. - Unë kam përpara syve gjithçka ka ndodhur. Veç nuk po e kuptoj: si ka mundësi që ti të jesh këtu?!
Suzana e la përpjekjen e saj për të zgjidhur nyjen dhe mbështeti duart mbi shtrat, duke më vështruar drejt e në sy. Nga sytë e saj dukej sikur dilte zjarr.
- Ja pra, që ka! - tha ajo gjithë mllef. - Por më mirë pse nuk më ndihmon të lirojmë këmbën tjetër? Na duhet t’ia mbathim që këtu.
“T’ia mbathim!”. E ku do të shkonim? Dritaret ishin me hekura. Dera e jashtme ishte e blinduar.
- Ku do të shkojmë? - e pyeta.
- Në polici, - tha. - Andrea duhet denoncuar. Ai të ka masakruar. Shikoje si të ka katandisur. Do të marrim dhe Romeon me vete.
Tërhoqa këmbën, si të doja që ajo të mos e zgjidhte nyjen e fashës.
- Jo, atë jo! - i thashë i trembur.
Suzana ngriti supet.
- Është i vetmi që e ka parë ngjarjen, - tha duke e ulur tonin e zërit. - Është i vetmi që mund të dëshmojë.
“Princi, - fola me vete, - sërish dëshmitar kyç.”
- Si mund të dëshmojë një fantazmë? - i thashë. - Ai ka vdekur. Edhe ti fantazmë je.
Suzana hodhi sytë nga dera e pambyllur e dhomës, pastaj m’u drejtua:
- Duhet të më besosh. Nuk jam unë hija qe endet nëpër spital… Legjenda urbane, besoj se të kujtohet?
Unë tunda kokën si për të mohuar gjithçka, ndërkohë që mendova: Nga t’i dijë Suzana gjithë këto gjëra? E pra unë s’kisha biseduar me askënd tjetër. Veç në ia kishte thënë vetë Andrea. Në kokë kisha një rrëmujë të pazgjidhshme.
- Nuk je ti i çmenduri i pavionit 3, - vazhdoi ajo. - Është ai, Andrea. Ai duhet lidhur këtu, me fasha e me rripa meshini. Duhet izoluar.
Isha i lirë, asgjë s’më pengonte të turresha me vrap nëpër korridor, të zbrisja shkallët me furi, të kaloja çdo pengesë që do të më dilte përpara dhe të nisesha për në shtëpinë time. Por nuk mundesha. Kyçet e duarve dhe të këmbëve i kisha pa fasha, por vazhdoja t’i ndieja të lidhura. S’mund të lëvizja dot.
- Ik! - iu drejtova Suzanës. - Unë nuk dua të shkoj askund. Do të qëndroj këtu.
Isha i kapitur.
Muskujt më ishin shtendosur. Kapakët e syve më rëndonin.
Suzana më tërhoqi nga krahu, por unë nuk lëviza nga vendi. Ajo donte të ulërinte atë çast, por nuk mundi. Më vështroi për disa sekonda me sy lutës dhe… një çast më vonë pa thënë asnjë fjalë e pa bërë as më të voglën grimasë në fytyrën e saj engjëllore, u largua si hije, pa bërë zhurmë. Dera e rëndë metalike e dhomës kërciti dhe ndriçimi në dhomë u shua. Errësira mbretëroi në çast dhe unë e ndieva veten krejt bosh. U shtriva në shtrat. Isha vërtet i lodhur. I sfilitur. Nuk mund të mendoja asgjë. Veç mbylla sytë dhe… fjeta.



Tuesday, September 17, 2019

"Lora" - fragment romani/ botim i vitit 2015/ OMSCA-1


Në komisariatin e policisë në Tiranë



Drin Kelmendi thirri menjëherë në pyetje Teuta Velçanin. Në duar mbante dosjen e plotë me të gjitha raportet dhe faktet që ishin bërë të mundura deri në atë çast. Policit shoqërues ia bëri me shenjë që të dilte jashtë. U ul përballë saj, e hoqi kapelën dhe e vuri mbi tryezë.
- Duhet të flasim, - iu drejtua pasi e la dosjen përpara tij dhe shtypi aparatin e regjistrimit, - kam shumë pyetje për t’ju bërë.
Teuta u mundua të tregohej sa më mënjanëse.
- S’u bë i gjallë avokati im?
- Do të vijë. Ndërkohë unë do t’ju bëj vetëm ca pyetje të thjeshta. Një formalitet më shumë. Gjithçka po regjistrohet.
- Urdhëro, - u tregua e gatshme Teuta.

Drini i zgjati një fotografi, që ta shihte.
- Njihesh me njëfarë Rron Grabova?
Ajo i hodhi një sy të shpejtë fotografisë.
- Po, e kam shok të vjetër.
- Kur e keni takuar për herë të fundit?
- Para disa ditësh. S’më kujtohet mirë.
- Ku u takuat?
- Erdhi në apartamentin ku banoj. Herë pas here vjen tek unë. Pimë ndonjë gotë verë bashkë. Flasim.
- Për çfarë folët këtë herë?
- Gjëra të zakonshme. Kush e mban mend?
- Ju tha se kishte ndër mend të largohej për në Amerikë?
- Po.
- Ishte në dijeni ai për një thikë të tipit luftarak që ju e mbanit poshtë shtratit?
Teuta nuk u vonua të përgjigjej.
- Ia pata treguar dikur. Ishte thikë e veçantë. I thashë se e mbaja për vetëmbrojtje. Mbaj mend që nuk tregoi ndonjë interes të veçantë.
- E mori në dorë?
- Natyrisht. Një thikë e tillë...
- Gjatë kohës së qëndrimit në apartament - për takimin e fundit e kam fjalën - a doli jashtë vëmendjes suaj?
Teuta u mendua pak.
- Për disa sekonda, ndoshta për një minutë e lashë vetëm. M’u desh të shkoja në tualet.
- Kur u kthyet, a vutë re ndonjë gjë të dyshimtë?
Teuta mblodhi buzët.
- Asgjë. Ai po shihte një album fotografish, me sa mbaj mend.
- A dyshoni se mund ta ketë marrë ai armën tuaj?
- Pse, armë quhet ajo?
- Ajo është armë e ftohtë. Ju lutem, përgjigjjuni pyetjes.
- Se di, ndoshta. Kështu si po ma paraqitni ju, dyshoj edhe te vetja e jo më tek ai.
- Do të vijmë dhe te kjo pikë, - tha Drin Kelmendi duke i hedhur një vështrim të mprehtë. - Njiheshe ti me Lora Emersonin?
- Jo. Kush është kjo?
- Po Lora Voroni të sjell gjë ndër mend?
- S’më kujtohet, - tha Teuta duke bërë mënjanësen. - Nuk të kuptoj, ku do që të dalësh?
- Tea, - iu drejtua Drin Kelmendi. Teuta u drodh nga shqiptimi i shkurtuar i emrit të saj. Vetëm dy persona e thërrisnin në atë mënyrë: Rroni dhe Enki. - Je futur në një telash ku do të të duhet një alibi e padiskutueshme, që të dalësh e larë.
Teuta kërkoi të ndizte një cigare. Drini e lejoi. Pas kësaj ai i vuri mbi tryezë fotografinë e Lorës. Teuta i largoi sytë menjëherë prej saj.
- Më kujtohet, - i tha.
- Në një qendër rehabilitimit në Mynih, emrat Teuta Velçani dhe Lora Voroni janë pranë njëri-tjetrit.
Teuta nxori një shtëllungë tymi dhe e thithi cigaren për të dytën herë.
- Unë isha atje për t’u trajtuar nga droga. Kjo për të cilën po flet ti, nuk e di për se kishte ardhur, por për një gjë isha e sigurt, nuk ishte narkomane.
- Megjithatë ju të dyja keni qëndruar për shumë kohë bashkë. Keni flirtuar?
Teuta shau nëpër dhëmbë dhe e thithi sërish cigaren fort.
- Thjesht bisedonim, - tha ajo.
- Megjithatë ajo nuk pranoi të flinte me ty, edhe pse iu vardise keq.
Teuta lëvizi e nervozuar.
- Ajo një kurvë rrugësh ishte, vetëm se e bukur si kukull. Atje në atë qendër rehabilitimi nuk kishe se çfarë të bëje tjetër. Doje të ngushëlloheshe diku.
- Po këtë e njeh?
Drin Kelmendi i kishte vënë sërish përpara një fotografi.
- Ç’është ky?
- Grigor Aleksej. Një rus, nga Moska. Sillet vërdallë sa në Gjermani, në Francë, në Zvicër... Ku nuk e gjen.
- Unë jetoj në Tiranë.
- Ka ardhur edhe në Tiranë. I ka siguruar ca ngarkesa të mira. Dhe ia ka mbathur sërish pa i hyrë gjemb në këmbë.
- E pse duhet ta njoh?
- Ndoshta vetëm për shkakun e thjeshtë se Lorën e mori ai.
Teuta përplasi duart mbi tryezë.
- Po kujt i plasi për Lorën?! Je apo s’je në vete ti?! Sa kishte si ajo! Kurvat e Lindjes kishin mbushur rrugët e Perëndimit. Kush pyeste andej nëse ekzistonte njëfarë Lora Voroni, ose Lora Emersoni, siç thua ti. Atje të gjitha quheshin Lora, vetëm mbiemri u ndryshonte. Ato ishin veç fasada, femra që kërcenin mbi kub, rrotulloheshin në tub dhe hiqnin brekët për njëzet euro. Ja, t’i thashë të gjitha ç’kisha për të thënë.
- Nuk më ke thënë diçka tjetër.
- Çfarë mutin do më shumë se kaq?
Drin Kelmendi po e zhbironte me vështrimin e tij të mprehtë.
- Me çfarë misioni jeni ngarkuar nga shefi juaj?
Teuta Velçani i hapi tej mase sytë, e alarmuar.
- Unë nuk i përgjigjem më asnjë pyetjeje tuaj pa praninë e avokatit.
Drin Kelmendi kishte kërkuar hyrje-daljet në çdo pikë të kalimit të kufirit. Donte të verifikonte të gjithë ata që kishin pasaportë ruse, ukrainase ose moldave. Nga Rinasi i kishin dërguar edhe listën e hyrjeve të fundit, ku njëri prej emrave e bëri të dyshonte edhe më shumë.
- Kjo është pyetja e fundit.
- Në fillim më the se kishe pyetje për procedurë. Pastaj e trashe. Kurse tani... Në çfarë kurthi kërkon të më futësh?
Drini e fiku aparatin e regjistrimit. Shkoi pranë Teutës, u ul buzë tryezës dhe e kapi nga mjekra. Ajo nuk kundërshtoi. Pastaj Drini filloi t’ia shikonte sytë me vëmendje.
- Pa prit pak... - tha. - Bebet e syve i ke të zmadhuara. Mos je gjë nën efektin e drogës?
Teuta e largoi kokën e forcë.
- Unë nuk marr më drogë. Jam e pastër.
Drin Kelmendi e humbi qetësinë në atë çast dhe e kapi nga flokët duke ia tërhequr pas.
- Dëgjo këtu ti, lesbike e ndyrë, - iu drejtua duke skërmitur dhëmbët. - Do të flasësh apo të ta përplas kokën pas murit? Kujton ti se nuk e di unë se cila kategori rekrutohet nga shërbimet sekrete, nga zbulimi, nga kundërterrori. Dije pra, se një pjesë të studimeve i kam bërë në Gjermani, në Akademinë Bavareze, aty në Mynihun tënd, atje ku ti drogoheshe e palloheshe sa të dilnin sytë. Tani më thuaj nga erdhi urdhri për eliminimin e Lora Voronit.
- Unë nuk marr urdhra nga askush, - foli Teuta duke shtrënguar dhëmbët për të mos e nxjerrë klithmën që i shkaktonte dhembja.
- Të paskan instruktuar mirë! Por ti s’e ke marrë vesh që ne këtu dimë ca metoda të tjera. E, po filloi trajtimi me to, do t’i thuash lamtumirë instruktorit tënd.
Drin Kelmendi ishte afruar te hunda e saj dhe nuk ia ndante atë vështrimin që të priste si teh thike.
- Unë do të të padit për kërcënim e dhunë psikologjike, - tha duke u dridhur Teuta. - Nuk do ta kalosh pa u lagur për këtë që po më bën.
Drini ia shtrëngoi edhe më shumë flokët.
- Dhe unë të jap fjalën që, po nuk bashkëpunove, do të të rrjep të gjallë me të njëjtën thikë që ti ke futur midis shalëve të mikes sate.
Teuta Velçani merrte frymë me vështirësi. Koka i dhembte nga tërheqja e flokëve, por ajo nuk po ankohej. Vetëm tha me zë të shuar:
- Unë nuk kam vrarë njeri.
Celulari i Drin Kelmendit u drodh. Ai i hodhi një sy dhe pas kësaj u drejtua nga ajo që kishte përballë.
- Avokati yt po vjen. Ki kujdes për çfarë do t’i thuash. Ndryshe do ta këput gjuhën.


Monday, September 9, 2019

Makinat me të cilët udhëtonte Enver Hoxha. Historia e “Mercedes 600”



Nga Leonard Veizi

Në historinë njerëzore të 100 viteve të fundit, një nga kureshtitë më të mëdha ka të bëjë dhe me markat e makinave me të cilat kanë udhëtuar krerët e shteteve. Sidomos e atyre drejtuesve të lartë, jeta e të cilëve ka qenë e mbuluar me më shumë mister se sa e yjeve të muzikës apo të kinemasë të cilët kanë qenë shumë më të hapur për median dhe publikun…

…Një Mercedes 600 tip limuzine ka qenë diamanti mbi kurorën e makinave me të cilat ka udhëtuar drejtuesi i lartë i shtetit komunist Shqiptar, Enver Hoxha.

Dëshmitë
Në ditët e sotme gjetja e një Pullman 600 që nuk është në pronësi të dikujt cilësohet si një gjë mjaft e vështirë. Duhet pasur parasysh nga ky tip i shtrenjtë e plot shkëlqim, i projektuar dhe montuar mes viteve 1963 dhe 1981, janë vetëm 2.677 ekzemplarë.
Megjithatë Enver Hoxha ka parapëlqyer që nëpër rrugët e kryeqytetit apo udhëtime të shkurtra të përdorte një Mercedes 300 SEL. Për të shkuar në zyrën në Komitetin Qendror, Enver Hoxha nuk përdorte makinë, por shkonte në këmbë. Ndërsa limuzina gjashtë dyershe lëvizte rrallë.
Ky dossier është mbështetur mbi tre dëshmi që cilat më janë dhënë gjatë kohëve: e Sulo Gradecit, ish-shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, Arif Bizhgës, një prej shoqëruesve të tij pas Luftës dhe Hamdi Sinës, ish-shofer i familjes Hoxha.

Rregulli
Nëse Enver Hoxha ulej në sedijen e pasme të makinës, nuk kishte me trimëri, por as frikën s’mund ta njihje, ndërsa pakujdesia më e vogël shënohej me “bojë të kuqe”. Drejtuesi i automjetit duhet të kryente detyrën me përpikëri, ndërsa oficeri shoqërues ndiqte të gjithë procesin me një vëmendje dyshuese deri në çastin e fundit. Në bulevardet e kryeqytetit, por dhe në rrugët inter-urbane, Benzi 300 SEL me benzinë, një prodhim super i perëndimorëve gjermanë, nuk duhet t’i kalonte 60 kilometrat në orë. Vetëm kështu jeta e drejtuesit të shtetit ishte e siguruar në çdo rast. Gjithçka e përcaktuar nga ekspertët ishte firmosur nga vetë kryeministrit Mehmet Shehu.

Pas Luftës
Menjëherë pas Luftës, Enver Hoxha ka përdorur një Fiat “Millecento” e pas saj ka marrë një “Alfa Romeo”, të dyja prodhim italian. Por pas kësaj periudhë filloi futja e makinave të prodhimit lindor. Për delegacione të nivelit të lartë, si në rastet kur në Shqipëri erdhi Hrushovi, Sianuku e Çu En Lai nxirrej ZIM-i sovjetik, i zbuluar. Enveri kishte pasur një ZIM që në vitin 1950 dhuratë nga Stalini me targën 0331. Në 1954 e ndërroi po me një ZIM pasi rusët në atë kohë sollën  makina të këtij lloji për gjithë udhëheqjen. Në vitet ’60 për të erdhi dhe një makinë kineze “Flamuri i Kuq”. Ndërkohë Enver Hoxha përdorte dhe një “Gaz 69” për rrugë malore, 4×4 që ishte një prodhim sovjetik shumë e mirë.

Prodhimet perëndimore
Pas viteve ’70 në “Bllok” u rikthyen sërish makinat perëndimore. Në atë kohë u porositën dhe 8 Benza në Gjermani. 7 prej tyre ishin “280 SEL” që i morën anëtarët e Byrosë Politike. Makina e 8-të ishte “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer për Enver Hoxhën. Sipas njerëzve që i shërbyen nga afër udhëheqësit komunist  “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer ishte elektronik, me sofieta që ngrihej kur kishte rrugë të këqija, me xham që pengonte komunikimin me shoferin e me sediljet e pasme që mblidheshin për të krijuar një hapësirë të madhe. Shpenzonte gjithsej 15-16 litra benzinë për 100 km.


Nga arkivat
Bossat që mbanin Mercedes 600
Po të kërkosh në revistat e kohës, do të gjesh materiale që flasin për prodhimin e shtrenjtë Mercedes 600 dhe njerëzit që kishin mundësi të kishin në përdorim të tyre një prej ekzemplarëve të rrallë. Projektuar dhe ndërtuar bukur, modeli i limuzinës Mercedes 600 ishte shumë ekskluziv dhe astronomikisht i shtrenjtë (makina më e shtrenjtë në botë, në vitin 1965 shkonte në më shumë se 22,000 dollarë). Ajo pati klientë të shquar, ku përfshiheshin diplomatë, industrialistë dhe yje të skenës dhe kinemasë. Personazhe të famshëm kanë pasur në pronësi Mercedes 600, përfshirë: Coco Chanel, Elvis Presley, Elizabeth Taylor, John Lennon, Aristotel Onassis, Jack Nicholson dhe Bob Jane. Trendi i këtyre makinave u shndërrua në trendin e makinave të diplomatëve dhe personazheve politikë, shumë prej të cilëve, krerë komunistë. Kanë pasur në pronësi Mercedes 600 në vite: Hirohito, Idi Amin, Jomo Kenyatta, Nicolae Ceauşescu, Leonid Brezhnev, Enver Hoxha, Pol Pot, Fidel Castro, Josip Broz Tito, Saddam Hussein dhe Kim Il Sung.

Fundi i makinave të rralla
Për shumë vite, disa nga makinat e Enver Hoxhës kanë qenë në fondin e Kinostudios e cila i përdorte për të luajtur filmat e kohës.
Mercedes 600 i rrallë i Enver Hoxhës tanimë nuk është më në listën e Parkut të Delegacioneve ku ai pati shërbyer për vite më radhë, në të cilin kanë hipur shumë nga personalitetet e huaja që zbritën në tokën shqiptarë pas vitit 1990. Mercedes 600 prodhim i viteve ’70 është ndërruar me një tjetër Mercedes 600 serie, shumë më modern por me shumë më pak vlera.

Makinat të cilat ka përdorur Enver Hoxha

Fiat Millecento
“Alfa Romeo”
ZIM
Flamuri i Kuq
Gaz 67
Gaz 69
Kadillak
Mercedez Benz 300 SEL