Thursday, January 28, 2016

Veizi vjen me romanin 'Lora', që zgjoi vëmendjen e publikut - Vera Pelaj RTK

Intervistoi: Vera Pelaj

Në krijimtarinë e tij prej nëntë titujsh, ka lënë gjurmë për lexuesin. Është ky Leonard Veizi, i cili në një intervistë për Radio Kosovën, shpalos para publikut krijimtarinë e bujshme të tij.

Radio Kosova: Z. Veizi, romani juaj i fundit “Lora”, pati vëmendje të madhe nga publiku. Kush është Lora?
Leonard Veizi: Shkurt dhe saktë, Lora është personazh që ka goxha peshë në roman. Nuk është personazh real, por fiksional. Personazh që e kam krijuar unë si autor. Nuk ka të bëjë me asnjë realitet të caktuar, por ndërkohë, nëse lexohet tërësisht, kuptohet që është një realitet i caktuar, pavarësisht se nuk është i motivuar në një ngjarje konkrete dhe me një emër konkret.

Radio Kosova: Përmes “Lora”, paraqitet jeta reale që zhvillohet sot në Shqipëri?
Leonard Veizi: Lora vet nuk është shqiptare, por gjithçka ndodh në një terren shqiptar. Lora, është me kombësi të huaj, por gjen vdekjen në Shqipëri dhe që këtu, nis zanafilla. E para përse u vra, sepse u vra në Shqipëri, e dyta, ka një mekanizëm, të cilin unë jam munduar ta zbërthej. Mekanizmin e shqiptarit të pas viteve ’90-të, në emigracion. Një njeri i ri shqiptar, i cili doli nga frerët e frejgjive të dikurshëm, që pastaj u përball me një jetë tjetër, të cilën nuk e kishte njohur. U përball me një jetë shumë herë më dinamike, dhe kur e kuptoi ai, që këtë jetë mund ta përballonte edhe në forma të tjera, çuditërisht, ky njeri shqiptar, dikur i moralshëm, i kornizuar brenda kornizave të moralit, doli që ishte dhe i pamoralshëm.

Radio Kosova: I pamoralshëm në lidhje me Lorën, apo në përgjithësi me jetën sociale?
Leonard Veizi: “Lora” ishte një prostitutë e trafikuar nga rrugët e Italisë, me kombësi të huaj. Është një zgjidhje e imja. Ndërkohë, një shqiptar, i cili mendon se ka rënë në dashuri me këtë vajzë, në fakt ndodh që ai e trafikon shumë më keq se sa ata që e kishin trafikuar. Megjithëse, gjithmonë ka menduar që këtë vajzë, që ai e dashuronte, e ndihmoi ta hiqte nga rruga dhe ai trotuar ku ajo shërbente për pjesë tjetër. Pra, del që njeriu mund të ç’formësohet aq shumë, sa që për hir të parave, të humbas kontrollin ndaj gjithçkaje, edhe ndaj vetvetes edhe ndaj partnerit me të cilin mendon që e ka dashurinë e jetës dhe nuk shikon më. Thotë: “Paraja mbi gjithçka”!

Radio Kosova: Shkrimtari, pothuajse gjithmonë frymëzohet nga jeta e përditshme. A është dhe kjo temë plagë e shoqërisë sot, apo e keni përdorur atë që në letërsi quhet deus ex machina?
Leonard Veizi: Kjo është plagë e shoqërisë që vazhdon. Nuk është me ritmet që ishte përpara, por është gjithsesi. Duke qenë që prej rreth 25 vjetësh jam gazetar, kam dhe informacionin e duhur për ta kapur këtë lloj plage. Jo për ta kuruar, por thjeshtë për ta trajtuar.

Radio Kosova: Sa ju ka ndihmuar profesioni i gazetarit për të krijuar letërsi?
Leonard Veizi: Një gazetar ka më shumë informacion se sa një lexues gazete. Mund të jesh lexues shumë i vëmendshëm gazetash, por nuk mund ta kesh informacionin që është gjithmonë pas kuintave. Jo gjithmonë, informacionin që e merr gazetari edhe e shkruan, sepse ka dhe gjëra që nuk shkruhen. Këto gjëra i përpunoj në mënyrë artistike dhe normalisht dalin në një platformë romani dhe krijimtaria artistike nuk ka të bëj më me një raportim lajmi. Por, pa diskutim që një shkrimtar fiksional nuk mund të jetë i mbyllur në kullë, të shikojë jetën nga dritarja e të ulet e të shkruaj roman. Është shumë herë më mirë kur e prek realitetin me dorë. Pra, ke kontakte. Unë kam pasur mundësi të kem pak kontakte qoftë më një prostitutë, qoftë me një tutor prostitutash, etj. Pra, ishin gjëra që i kisha grumbulluar në vetvete dhe i përpunova, duke futur edhe politikën dhe jetën sociale të Shqipërisë. Gjëra që i kemi të përditshme dhe i njohim mirë.

Radio Kosova: Si është pritur nga kritika “Lora”?
Leonard Veizi: Janë disa kritika shumë të mira të bëra në qarqet e Tiranës. Një zë shumë i mirë si Mexhid Prençi, kritik i vjetër e me shumë përvojë, ka bërë një shkrim shumë të mirë kritik. Gjithashtu dhe Agim Baço. Janë disa shkrimtarë që kanë folur qoftë edhe me tone më të buta ose me shkrime më të shkurtra. “Lora”, e ka pasur vëmendjen e duhur mediatike. Ndoshta për shkakun e vetëm, them unë, se në krijimtarinë time letrare numërohen nëntë tituj, në fakt tetët prej tyre nuk kanë një vend konkret. Janë romane dhe tregime të vendosura në hapësirë në mënyrë pak a shumë universale, ngjarje që mund të ndodhin rëndom në gjithë botën. Ndërsa “Lora”, është një dramë tipike shqiptare e vendosur në Shqipëri, e vendosur në Tiranë, në Itali, në Gjermani, në Amerikë, me emra e vende konkrete, gjë që e bën me fleksibël. Vetë tema është e tillë që e bën kurreshtar lexuesin.

Radio Kosova: Kush është “I çmenduri i pavionit 3”?
Leonard Veizi: Në roman nuk përcaktohet se kush është, sepse janë shumë të tillë dhe secili mund të jetë njëri prej tyre. Është një spital ku ndodh gjithçka, ku vet fantazia e shkrimtarit mund të ç’thuret për shkak të asaj që ke të bësh me një pavion me të çmendur. Të çmendurit gjithmonë kanë një regjistër të çuditshëm të prodhimit të gjërave. Mund ta shfrenosh lirinë e të shkruarit, ta shfrenosh dorën, mund të shkruash gjithçka dhe përsëri je në rregull, sepse të çmendurit mund të bëjnë gjithçka.

Radio Kosova: Po At Ludoviku, është një mëkatar i zakonshëm, apo shërbyes i devotshëm i Zotit ?
Leonard Veizi: At Ludoviku, është pika ime e dobët. Është personazhi që unë e kam ngritur po ashtu nga asgjëja. Ai është një prift katolik, i cili mbart me vete të gjitha mëkatet dhe molepsjet e një qyteti të vogël, me të cilin unë mendoj që ta them se gjithë kjo molepsje, shkon dhe shfryhet tek një prift, i cili ka për detyrë t’i dëgjojë mëkatarët për mëkatet e tyre. Problemi është se mëkatet janë aq shumë dhe aq të mëdha, saqë në një periudhë 20, 30 ose 40 vjeçare, sa është ky prift në shërbim të famullisë së tij, është i detyruar t’i mbaj gjithmonë me vete, e të mos ia tregoj askujt sepse është prift. Ai, ka informacionin më të madh dhe më të detajuar, të cilin duhet ta mbaj për vete, sepse ky është ligji i rrëfimit. Sa reziston ky prift, që është gjithashtu njeri?! Pra, unë shkoj me mendimin që prifti është njeri, është me këmbë në tokë. Nuk është Zoti, ai që ka vendosur gishtin dhe ka thënë ti bëhu prift dhe do të më shërbesh mua. Ky personazh është i ardhur nga kudo, bën një shkollë teologjike dhe emërohet prift në një famulli. Është njëri dhe ai, mëkatar si gjithë të tjerët, sepse njeriu lind i tillë. Pra, sa është i zoti ky prift të mbajë mbi vete mëkatet e një qyteti, qoftë edhe të vogël. Do të shfryej edhe prifti një ditë, do të shembet, sepse njeri është dhe prifti.

Radio Kosova: Keni pas kritika nga Kisha për këtë roman?
Leonard Veizi: Jo, nuk kam pasur. Në Shqipëri, po dhe në botë, ndodh që po të këtë reagime ndaj librit, do të ketë shumë shitje. Me sa duket ma kanë ruajtur këtë fakt. Kanë thënë më mirë ta lëmë në heshtje.

Radio Kosova: Me “Lora”, “I çmenduri i pavionit 3” dhe “Orgji në famullinë e At Ludovikut”, njiheni në Kosovë. Cilin nga këta tre libra, e konsideroni si më të arriturin tuaj?
Leonard Veizi: Në krijimtarinë time prej nëntë titujsh, këto tria që njihen edhe në Kosovë, janë dhe pikat më dominuese të letërsisë sime. Unë vet do të vlerësoja “Orgji në famullinë e At Ludovikut”, përpara “Lora”. “Lora”, ka marrë shumë vëmendje mediatike dhe është shkruar mirë në fakt, por At Ludovikun e kam më shpirtëror, e kam më afër vetes.

Radio Kosova: Për shkak të temës më të ndjeshme apo pse?
Leonard Veizi: Fillimisht, nuk jam nisur me idenë e ndonjë çështjeje fetare. Në mendjen time nuk jam as praktikant i fesë. Kam lindur në vitin 1968 dhe një vit përpara, shoku Enver e ndaloi fenë me ligj. Pra, në njëfarë mënyre jemi rritur pa fe deri në vitet ’90-të. Kam menduar gjithmonë që jam më afër Kishës Katolike të Vatikanit, prandaj, duke ndjerë se jam si në shtëpinë time, mora për shembull një prift katolik, i cili mban mbi vete dhe mëkatet e të tjerëve.


Radio Kosova: Ka autorë që thonë se është në rrezik libri fizik e në përparësi libri virtual. Ndërkohë, pikërisht ata, botojnë libra fizik. Çka mendoni ju?
Leonard Veizi: Është një problem i madh. Unë vet kam kontaktuar me botues në Amerikë, që librat e mi të jenë në “Amazona”. “Amazona” nuk e suporton gjuhën shqipe, por kam disa libra që janë në platforma të tjera dixhitale. Ky është një libër që shkon në mënyrë shumë të shpejt në Amerikë, në Australi, ku ka shqiptarë që duan të shkarkojnë tablete librash dhe është avantazh shumë i madh. Unë kam provuar të lexojë gjëra artistike në kompjuter dhe në tablet, por e kam shumë të vështirë. E dua librin fizik. Ndoshta është brezi i ri, ai që është më i përgatitur për ta lexuar librin elektronik. Unë dua ende shijen e letrës, erën e librit, të shtypshkronjës, të ngjyrës...besoj që libri elektronik do ta mund librin fizik në të ardhmen, ashtu siç ndodh që çdo gjë e përparuar, e mund të vjetrën. Detyrimisht njerëzit kur hipën në makinë, e lanë kalin dhe gomarin. Mbase 50 vjet më vonë, nuk do të ekzistojë më libri fizik. A është fatkeqësi?! Për momentin nuk di ta them, sepse është një luftë shumë e ashpër. Para disa vjetësh isha në një debat të tillë dhe nuk e pranoja. Por, kur një shkrimtar që ishte 30 vjet më i madh se unë, deklaroi që jam i gatshëm që bibliotekën time ta kem në USB dhe e nxori një para publikut, mbeta keq sepse vazhdoja ta mbroja librin fizik. Libri elektronik po merr përparësi të çuditshme, por ka edhe avantazhin që p.sh botojmë një mijë kopje në Tiranë, e sjellim në Prishtinë ose në Shkup dhe nuk e çojmë më tutje. Libri virtual shkon në Amerikë, shkarkohet në pak sekonda, t’i jep edhe paratë ai që e merr përmes xhirollogarisë në bankë e janë të zgjidhura shumë gjëra. Pra, është praktikë e jashtëzakonshme.

Radio Kosova: Çka pas “Lora”?
Leonard Veizi: Për momentin kam një çlodhje, sepse të tri romanet kanë ardhur shpejt njëri pas tjetrit. Nuk më mungon energjia për të shkruar, por kësaj radhe them se do të mendohem përpara se të nxjerr një libër të ri. Përse do të mendohem? Për arsye se të tre librat, njëri pas tjetrit, patën nga një shkallë rritjeje deri te “Lora”. Duhet që librin tjetër ta nxjerr një shkallë më sipër këtyre. Duhet të mendohem mirë në mënyrë që mos ta zhgënjej lexuesin. Në momentin që e zhgënjen lexuesin, ai të braktis në mënyrë të ashpër. Nuk e nxjerr dot më librin pasardhës. I gjithë problemi është këtu. Kështu që, duhet të mendohem mirë.

No comments:

Post a Comment