Friday, May 28, 2021

Stresi i provimeve, si dera e vetme e hyrjes në jetë


Nga Leonard Veizi

Sistemi shkollor është në prag të provimeve. Temperaturat rriten kudo, brenda klasave dhe jashtë në natyrë. Nxënësit që janë të ndjeshëm priren ta përjetojnë me nivele më të larta ankthi para provimeve. Pakkush është aq i sigurt me veten sa të mos ketë emocione kur afrohet një sezon i tillë. Sepse çdo herë e në çdo kohë ai ecën si mbi një teh thike...
Testohen njohuritë e klasave të 5-ta, ato të klasës së 9-të dhe sidomos të maturave. Shumë të rëndësishme për fatin e kujtdo. Të një nxënësi që kërkon pikët maksimale, sepse kjo do t’i sigurojnë një degë të mirë, apo dhe ndonjë bursë, por dhe për ata që kërkojnë pikët minimale aq sa për të marrë diplomën, e cila gjithashtu ka të bëjë me sistemin e të punësuarit. Në të dyja rastet, nxënës a studentë qofshin, janë në stresin e pragprovimeve.
Dhe stresi dihet çfarë sjell...
Askush nuk do ta humbasë fëmijën për shkak të një depresioni të tillë, ndaj një pjesë e mirë prindërish marrin masat për të krijuar një situatë më të qetë brenda familjes, më të favorshme, duke bërë dhe një punë psikologjike. Veçohen ata që nuk ia kanë idenë në çfarë klase e kanë fëmijën dhe as që e dinë se stresi i provimeve ka kosto të rënda nëse nuk menaxhohet si duhet.
Nxënësit janë të stresuar.
Ky vit është dhe më keq se më parë, pasi 80 për qind e leksioneve janë dhënë nëpërmjet sistemit online, çka do të thotë se mund të jetë marrë informacion më i cunguar dhe vetë përgatitja e nxënësit është testuar jo aq sa duhet, si në kushtet kur mësimi zhvillohej normalisht në një klasë, ku gjithçka është e drejtpërdrejtë. Kjo i fut edhe më shumë në stres nxënësit. Dhe nuk janë pak, por nxënësit e klasave të pesta, të nënta, dhe maturantët. Nuk po përfshijmë këtu studentët, sepse ata si më të rritur arrijnë ta menaxhojnë më mirë veten e tyre.
Provimet nuk janë gogoli, i cili ose të ha e të çon për skrap, ose të zbardh faqen me limë. Jo kaq shumë nga provimet varet fati i jetës, edhe pse ato në vetvete janë shumë të rëndësishme për ecurinë e një fëmije. Por meqenëse rrugët për të mbërritur tek suksesi janë të shumta, sezoni i provimeve nuk duhet parë si porta e vetme hyrëse që siguron jetën po aq sa siguron të ardhurat në një bankë të nivelit të dytë.
Ndaj stresi duhet zhbërë. Jeta vazhdon dhe pas provimeve.

 

Për pandeminë, shtetrrethimin dhe lirinë utopike


Nga Leonard Veizi
 

Pandemia vazhdon.
Prej ditësh çështja e zgjedhjeve, - e fitores së ndershme e legjitime apo e ndonjë vjedhjeje me dorën e majtë, si dikur maçoku me çizme, - ka rënë nga kreu i klasifikimit e ka kaluar si lajm i dorës së tretë.
Po aq lajm i dorës së dytë mbetet dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike që e kemi nga mesi i qershorit. Them lajm i dorës së dytë sepse sipas zërave që vijnë nga brenda PD-së, - edhe zërat nga jashtë merren parasysh këtu, - Lulzim Basha e ka të garantuar fitoren mes katër kandidatësh garues, kështu që zgjedhjet nuk do të kenë aq shumë interes. 
Jemi në situatë pandemie.
Megjithatë shtetrrethimi i shpallur nga qeveria nuk është më aq nopran sa të na mbajë mbyllur edhe ditën për diell. Për më tepër që maji po e mbyll plot shkëlqim ndërsa sipas të gjitha gjasave me qershorin nis me shëllim masiv mbi shezlonat e plazhit. Veç s’duhet harruar vaji me karotë, ndryshe u përcëllove.
Helbete, dimri i këtij viti na e nxori bojën fare. Na duhet një regjje e re.
Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh dhe këtë herë. Mjekë me emër e drejtues të institucioneve shëndetësore. Lançuan ca masa lehtësuese. Me qëllim që t’u vijë në ndihmë njerëzve. Por jo se kufizimet u hoqën tërësisht. Sepse edhe kjo u vjen në ndihmë njerëzve. Pra Komiteti Teknik veproi sipas parimit: “mishi të piqet e helli të mos digjet”. Nga ora 23.00 e mbrëmjes deri në 06.00 të agimit nuk do të ketë lëvizje. Koha më e mirë për të fjetur. Si në Kampin e Pionierëve.
Pandemia vazhdon.
E megjithatë njerëzit tashmë janë më të lirë. Nuk ka nevojë më të mbajnë maska në rrugë. Edhe pse një gjë e tillë ishte bërë fakt i kryer prej të paktën një muaji, duke shpërfillur gjithashtu edhe ca masa të tjera. Por tani e kemi të ligjëruar thithjen e ajrit pa pengesë të ca oksigjen të pastër... e më shumë dioksid karboni.
Virusi nuk e ka mbyllur ciklin afatgjatë.
Të paktën 750 mijë shqiptarë e kanë bërë nga një dozë vaksine dhe shumë nga këta i kanë marrë të dyja dozat. Ca kineze, ca amerikane, e ca të tjerë ruse. Ja kështu e kemi rregulluar punën. Se ndryshe mbeteshim me gisht në gojë. Për më tepër, të mërkurën e 26 prillit, pas 244 ditësh vdekjesh të vazhdueshme, nuk u shënua asnjë viktimë nga Covid-19. Kjo është një datë për t’u shënuar, por jo aq sa të shpallet kreshmë. Dhe nëse do të besojmë katërcipërisht se vaksinat na kanë marrë në mbrojtje, të paktën për nja 6 a 8 muaj mund t’i gëzohemi lirisë së përkohshme.
Por dhe kjo ka koston e vet. Se kopenë po e lëshove nga vatha... aha...
Është ulur ndjeshëm numri i viktimave nga Covidi, por është rritur ai i vrasjeve dhe vdekjeve aksidentale. Pa përmendur ata që deri dje i cilësonin “me sëmundje bashkëshoqëruese”. Se edhe sëmundjet bashkëshoqëruese të çojnë në “Shën Triadhë”. Dhe numri i viktimave mbetet i njëjtë. Pra, ku jemi: hiçgjëkundi. Ishim më mirë kur ishim keq. Këtë gjë e kam thënë edhe në një shkrim të mëparshmin. Mirëpo thonë se përsëritja është nëna e dijes, edhe pse për djall ka baba mërzinë.
Shifrat e statistikat kanë hyrë në një bilanc pozitiv. Dhe njerëzit duket se janë të kënaqur me kaq. Hë për hë. Se “oreksi vjen duke ngrënë” saktëson një fjalë e urtë. Megjithatë askush nuk është në gjendje të thotë se në të përfunduar të verës, - andej nga shtatori, apo tetori ndoshta, - a do të kemi sërish një riaktivizim të virusit?
Alarm ajror...
Çështja mbetet e hapur. Asnjë mjek apo epidemiolog nuk mund të garantojë diçka të pagarantueshme. Sepse Covidi, ose ata që e ndërsejnë atë, është dinak dhe mund të ndryshojë formë po aq sa kameleoni ngjyrën. Dhe të godet atje ku s’e pret.
Eh..., luftë.
Luftë the?!
Po, Po. E drejtë! Për më tepër statistikat thonë se në të gjithë botën, pandemia ka rezultuar me vdekshmëri më të lartë te meshkujt.
Domethënë, burrat që nuk i ka ngrënë plumbi i ha Covidi.
Kështu balancohet dhe numri i popullsisë në botë. Për aq sa mundet sigurisht.
Dashur padashur dalim tek teoritë që konspiracionistët, - ata të vërtetët, - nuk i hedhin anë e kënd rrjeteve sociale, po i kanë shkruar nëpër libra: “Këshilli i Treqindëve”, “Klubi i Romës”...
Shtetrrethimi vazhdon.
Ç’rëndësi ka në hiqet apo jo ora policore. Në del nga shtëpia një orë më herët dhe hyn një orë më vonë. Dikur ia mbyllëm ne dyert Evropës, e kishim klon që të mos guxonte kush të vinte këmbën ndër ne. Sot është Evropa që nuk të lë ta nxjerrësh këmbën nga gardhi. Në rastin më të mirë të kërkon pasaportën e vaksinimit si dhe një tampon 80 dollarësh ku të vërtetohet se nuk je i infektuar me Covid.
Jemi në situatë pandemie.
Liro, shtrëngo.
Vazhdojmë të jetojmë në burgje edhe pse jo në formën klasike të tij, një qeli dy me dy, hekura tek dera e dritarja dhe një WC një metër larg krevatit.
Pandemia vazhdon...
Shtetrrethimi gjithashtu.
Liria mbetet tek termat utopike të saj.

Sunday, May 23, 2021

Përpjekjet dëshpëruese të Shqipërisë për t’u bërë bisht i Evropës


Nga Leonard Veizi
 
Fituesi nuk gjykohet. Kështu thuhet në një nga sentencat fort të përdorura, ku flitet për gara e ndeshje për titull. Sepse thjesht fituesi ka fituar. Ndërsa humbësit po, atij i bëhet analiza, ku ka çaluar puna e ku mund të përmirësohet. Dhe me humbësin kanë të drejtë të merren të gjithë për ta kryqëzuar sipas dëshirës.

Italia, përfaqësuar nga “Maneskin” një grup “hard” është fituese e Eurovizionit për vitin 2021. Pas 31 vitesh, prej çastit kur Toto Kotunjo u shpall fitues në Zagreb me këngën: Insieme.
Shqipëria ka dalë gjithmonë e zhgënjyer nga Eurovizioni edhe pse ka 17 vjet që pretendon në vazhdimësi. Në fakt Italia kishte dyfishin e saj. Dhe ç'është e vërteta, në skenën e këngës evropiane Shqipëria ka dërguar nga këngëtarët më të mirë të vendit.
Herën e parë, në vitin 2004, kur Shqipëria mori pjesë në Eurovizion, Anjeza Shahini u rendit e 7-ta në top-listë. Një rreshtim dinjitoz, sidomos për një vend që debutonte për herë të parë në Eurosong.
Për së fundi, në vitin 2021, Shqipëria u rendit në vendin 21, duke marrë vetëm 22 pikë nga juritë profesionale dhe 35 pikë nga publiku.
Është bërë e njohur tanimë se juritë e Evropës ia japin shifrat e mëdha të pikëve, vendeve me të cilat kanë marrëdhënie më të mira apo të ndërsjella. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se bëhet gjeopolitikë edhe në një festival kënge. Fjala vjen: Ukraina ia jep pikët Rusisë meqenëse kanë qenë në vasalitet, Belgjika Francës, Austria Gjermanisë, Shqipëria… Greqisë.
Zakonisht ka ndodhur që Shqipëria i ka dhënë pikët maksimale Greqisë, dhe ajo ia ka kthyer me gjysmën e shifrës. Por sa pa gjë...
Këtë herë Greqia s’na dha asnjë pikë, megjithëse jemi gati t’i falim dhe detin për ta marrë me të mira. Ndërsa pikët maksimale nuk ia kurseu Qipros. Dhe ky flirt ka vite e vite që ka rënë në sy.
Këtë herë asnjë pikë nuk na dha edhe Italia, me të cilën kemi qenë nën një kurorë, atë të perandorit August Viktor Emanuelit III. Por duket se dhe strategjia e Italisë synon diku më larg se sa të shpenzojë pikë me Shqipërinë e vogël.
Ja që edhe kjo puna e vasalitetit nuk qenka gjë.
Por Italia doli fituese në këtë betejë dhe fituesit nuk i gjykohet as teksti, as muzika dhe as juria që jep pikët. Sepse edhe pa ndonjë pretendim fillimisht, Italia doli fituese pasi rezultati u përmbys në mënyrë të befasishme nga pikët që kishte dhënë publiku.
Anxhela Peristeri është një këngëtare me potencial të madh, po aq sa dhe Elhaida Dani, Rona Nishliu apo Juliana Pasha, të cilat gjithashtu kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer në edicionet e mëparshme të Eurosongut. Dhe po aq ka shkëlqyer si këngëtar mashkull dhe Eugent Bushpepa.
Në historikun e rasteve kur Shqipëria është munduar me shumë zell të bënte një performancë maksimale në skenën e festivalit, ka gabuar. Ajo ka qenë gjithmonë një hap prapa. Sepse kur në Eurovizion shpërthente moda “folk”, Shqipëria paraqitej me balada. Kur baladat zotëronin skenën, Shqipëria paraqitej me folk, e kur në skenë triumfonin këngët ritmike, Shqipëria delegonte një këngë vaji. Ndaj dhe në disa raste as që jemi marrë në konsideratë për të performuar në natën finale të këtij eventi.
Eurovizioni vazhdon të jetë një spektakël pa ndonjë reputacion të madh. Por megjithëse eventit në fjalë i ka rënë reputacioni ndjeshëm, sërish mbetet një pikë referimi. Për më tepër në 65 vite jetë e mbijetesë, Eurovizioni e ka bërë historinë e tij.
Eurovizioni sot e gjithë ditën është dhe një barometër ku secili ndjekës kupton se nga fryn era e vlerave, por dhe antivlerave që na shiten për vlera... Mbresëlënëse padyshim janë kartolinat që përgatiten për çdo interpretues, e ku Evropa shpalos bukuritë e saj mahnitëse, të cilat i kanë ndërtuar evropianët e vjetër, të cilët arritën ta kthenin kontinentin plakë në një vatër të iluminizmit.
Ndërsa sot, në vitet e shpërthimit kibernetik, Evropa duket krejt provinciale që pikët e një spektakli muzikor i ndan ashtu... fshatçe.
E megjithatë, me reputacion të lartë apo në rënie të lirë, Shqipëria e ka të vështirë të marrë vendin e parë në Eurovizion e të bëhet së paku një herë të vetme organizatore e spektaklit të radhës. Për ta realizuar një gjë të tillë duhet bërë lobing më shumë se sa ajo që po bëhet për çeljen e negociatave.
Shqipëria mbeti e zhgënjyer edhe këtë herë. Të gjitha përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e Evropës, herë me politikë, herë me sport e herë me këngë, nuk ia kanë dalë dot. Dhe shqiptarët janë kaq të pasionuar për t’i treguar Evropës se janë pjesë integrale e tyre, sa janë gati të sakrifikojnë diçka më shumë nga vetja, duke i rënë fort kambanave se pikërisht ky vend ka qenë pjesë e Perandorisë së Romës e më pas e Kostandinopojës. Ndërkohë që mentaliteti lë ca si shumë për të dëshiruar. Prandaj ka mbetur dhe në bisht të perandorisë së re Evropiane që në termat aktualë quhet: Bashkim.
Eurosongu i ka zhgënjyer në vazhdimësi shqiptarët, po aq sa dhe Kampionati Evropian i Futbollit, ku sentenca klishe është: Përfaqësuesja luajti në mënyrë të shkëlqyer, por u ndëshkua në minutën e fundit.
Në fakt, duke e kuptuar se tentativat për një çmim që të na rikthejë nderin është pa vlerë, gjithçka tjetër duhet marrë me zbritje. Duhet shijuar si festë. Pavarësish se kur futesh në garë, kërkon të fitosh e jo të humbësh.
Në këtë edicion të Eurosongut, Shqipëria u mbështet vetëm nga katër shtete, Malta, që dha 12 pikët maksimale të saj, Danimarka që dha 7 pikë, San Marino që kontribuoi me 2 pikë dhe  Holanda që e bëri zemrën gur me 1 pikë. “Miqtë e vjetër” nuk u panë në horizont. Madje aq Maqedonia e Veriut me aq shumë shqiptarë brenda saj.
Por nëse mund të ngushëllohemi, do përmendim Britaninë Madhe dhe Gjermaninë, shtetet më të fuqishme të kontinentit, që dolën me zero pikë, qoftë nga juritë profesionale, qoftë dhe nga votat e publikut.
Këtu po, kemi dalë me fitim.
Prandaj, çështja e performancës në Festivalin Evropian të Këngës duhet marrë më me sportivitet, po aq sa dhe ëndrra tjetër e madhe e shqiptarëve për të luajtur futboll në një Kampionat Evropian.

Thursday, May 20, 2021

Ligji xhunglës në mes të Tiranës


Nga Leonard Veizi

 
Në metamorfozën e përgjithshme të qenies njerëzore, në kushtet hibride të pandemisë globale, shqiptari zë një vend të veçantë. Jo se është më i zgjuar apo më trim, jo se është më debil a frikacak, madje jo se është më punëtor a dembelhane. Ai thjesht është më i çakorduar në rrethanë kur përballë ka si armik a kundërshtar vetveten, pra një njeri të së njëjtës racë.
Të themi që pozita gjeografike në bash të Mesdheut, na ka dëmtuar duke na bombarduar me rreze diellore, aq sa mund të nxihemi pa pasur nevojë për vaj plazhi, po dhe të na e rrudhë ca trurin?!
Sociologëve e njerëzve të tjerë që merren me psikikën njerëzore do t’u duhet ende kohë për të arritur në një përfundim apo për të dhënë një definicion shterues mbi problematikat e qenësisë shqiptare në përballje me pasqyrimin.
Mund të jetë dhe rasti i Narcisit, për të cilin legjenda thotë se i përkiste popullit helen, apo grek siç jemi mësuar ta quajmë sot. Por tek e fundit ai ra në dashuri me vetveten. Shqiptari, për të cilin thonë se është derivat i ilirëve të lashtë, e që jetonin pranë helenëve po aq afër sa dhe këta të sotmit me emra të rinj, çuditërisht e urren vetveten.
Diávolos douleiá
Në një meridian e paralel jetojmë.
Po të vijmë ca më pranë, se kështu siç e kemi zënë zor se kupton njeri. Sikur nuk po ndjejmë hiç rehat në ato që po themi. E kemi kapur lart shumë. Të ulemi ca...
Lajmet e fundit thonë se agresiviteti i Sars Cov-2-shit ka rënë ndjeshëm. Covid-19 nuk është më ai i pari. Epo jemi te ‘21-shi tani. Rrodhën ujërat... u shpëla. Kjo po, është për t’ia marrë valles. Të pimë e të gëzojmë se jetën e kemi me pikatore.
Mirëpo...
...A mos ndoshta ishim më mirë në ethet e Covid-it, por në një qetësi absolute ku nuk ndodhte asgjë, dhe veç diçka pritej me ankth: transmetimi i buletinit të përditshëm nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, ku flitej për situatën epidemiologjike në vend? Por po aq me ankth priteshin dhe lajmet nga bota ku vaksina ishte në rendin e ditës.
Ëëëëë... ishin kohë të arta më duket. Karantinë. Rri në shtëpi shiko televizor. Koka po tërë ditën e ditës në frigorifer. Ha e pi e mendjen mos e vri. Gjumi po gjumë... Tërë të mirat e botës demek.
Do thoni ju, se paskam rrëshqitur. Po unë do bëj çmos të them të kundërtën. Ja se do t’ia nxjerrim kokën muhabetit, mos u mërzisni dhe pak.
Sot në mënyrë apriori jemi të çliruar prej pandemisë dhe maskat gjithmonë e më pak po i mbajmë mbi fytyrë. Kemi nisur të çlirohemi e të mendojmë plot gaz e hare për ditët e lumtura që na presin, qoftë me planet pushimore, ku përfshihen masazhet SPA në pikë të diellit, qoftë me turet travel për t’i rënë anekënd botës sapo të liberalizohet trau i doganës.
Subhan Allah!
Por që nga çasti që nisi “rikthimi në normalitet” mirazhet tona plot nuanca e ëndërrim oazesh me ujë kristali, u prishën nga shkreptimat.
-Nisi shiu. S’po mban hiç koha këtë behar.
Ç'është e vërteta edhe stinët janë bërë lëmsh.
-Çfarë shiu thua or derdimen, ishin krisma kallashi. Sapo e hoqën qafe njonin. Lexoje në celular, mo e mbaj kot në dorë!
In nomine Patris, et Filii, et Spiritus Sancti.
Tanimë buletini i situatës epidemiologjike është zëvendësuar me një buletin të ri. Ky del nga Ministria e Punëve të Përbrendshme. Dhe është i mbushur me vdekje të pashembullta: ose larje hesapesh, ose për motive të dobëta, ose për trafik influencash e ndarje territoresh, ose nga... aksidentet. Gjithsesi të gjitha vdekje janë, po aq sa dhe nga Covidi.
Nuk po gjejmë kund karar.
Ore po vritemi me njëri-jatrin. Ne nuk jemi as shumë. Nuk kemi qenë shumë asnjëherë. Veç kësaj shumicën e hëngri emigracioni. Përsëri duam ta ulin numrin e popullsisë vendase.
Ndërkohë bangladeshasit janë duke pritur...
Prisni-prisni, do vijë dhe dita juaj. Kështu si ka nisur...
U desh pak, sa të çliroheshin nga virusi që të fillonim me serialin e denoncimeve për dhunë brenda familjes si dhe dhunën seksuale. Vetëm në dy ditë tre raste. Ore po ne kemi qejf ta hamë njëri-tjetrin me gjithë lecka. Nga “dashuria” e kemi. Ashtu siç ndodhi në romanin “Parfumi” të Patrick Suskind, ku Jean-Baptiste Grenouille, personazhit kryesor ia hëngrën kockat dhe rrobat e trupit, vetëm pse derdhi mbi kokë një parfum me aromë mahnitëse. Kjo do të thotë se njerëzit e hanë njëri-tjetrin jo vetëm nga urrejtja, por dhe nga adhurimi.
Nejse... Pas denoncimeve nisën dhe arrestimet. Ata që nuk e duronin ngujimin në shtëpi, tani do ta “shijojnë” normalitetin në qeli.
Mos ishim më mirë kur ishim keq? Se birinxhi, të paktën ruheshim nga Covidi. Antibiotikë sa të duash, kishim marrë dhe nga një bombulë oksigjeni. Dhe dinim si t'ia bënin hyzmetin vetes. Pjesa e mbetur në dorë të Perëndisë, jo në dorë të robit.
Tanimë nuk di nga të ruhesh. Se të merr tjetri përpara me makinë dhe kur je duke ecur me hallin tënd në cep të trotuarit.
Përfundimisht nuk dimë ku është e mira jonë: te situata pandemike ku në orën 20.00 të nisë shtetrrethimi e të mos ketë këmbë njeriu të vërdalloset, apo të hapen lokalet e mejhanet dhe të nisë mbijetesa si në perëndimin e largët. Kush është i zoti le të rrojë, në mos po... 
...ligji i xhunglës në mes të Tiranës.

Wednesday, May 19, 2021

Ahmet Golemi, njeriu që bashkëjetonte me dy pasione: boksin dhe letërsinë


Nga Leonard Veizi
 
Tek ai qëndronin bashkë, sporti për burra të fuqishëm që hanin grushte në ring e nuk binin mbi tapet, po aq dhe letërsia, ku fuqia e trupit nuk “pinte ujë” dhe duhej vetëm forcë e përqendruar truri, fantazi e çmendur dhe kulturë shumëplanëshe ruajtur në memorien afatgjatë.
Ai i kishte të gjitha këto, e si rrallëkush, ishte po aq magjepsës pas një mikrofoni radiofonik dhe si komentator sportiv. Në këtë mënyrë ai ndihej perfekt dhe i realizuar.
Ka njerëz që mendojnë se një boksier, me trup të fortë e gjithë muskuj, e ka të vështirë të jetë po aq dhe një shkrimtar, pak delikat e ndoshta fort i brishtë. Por ky nuk ishte rasti i Ahmet Golemit, i fortë sa për të mundur këdo i dilte përpara dhe elegant si shkrimtar e publicist gjithashtu.
Ahmet Golemi e la këtë botë vetëm 20 ditë përpara se të mbushte 85 vitet e tij. Ishte fort aktiv dhe vetëm një muaj më parë nga një studio televizive rrëfeu plot gjëra të pathëna për jetën e tij. Madje u shpreh se ishte në proces duke shkruar në vazhdimësi e duke hedhur ca kujtime që nuk duhej të shkonin kot.
Ai u lind në Tiranë, në 5 qershorin e vitit 1936. Jetëshkrimi i tij thotë se ishte një nga 5 më të mëdhenjtë e boksit shqiptar. Për më tepër se kaq ai kishte ngritur kupën e kampionit të boksit, duke synuar në vazhdimësi për të qenë dhe një shkrimtar, gazetar e komentator sportiv.
Në karrierën e tij plot lavdi, rreshtohen 9 tituj, pesë prej të cilëve si kampion i vendit dhe katër herë të tjera ka qenë nënkampion i tij. Pra do të duhej vetëm kaq që ky emër ta meritonte panteonin. Për më tepër Ahmet Golemi ishte certifikuar dhe si “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Që prej rinisë së tij për ca e ca ai do të ishte “Kasius Klei shqiptar” e për ca të tjerë cilësohej si “Muhamet Aliu shqiptar”. E kishte nisur sportin te Shtëpia e Pionierit, ku një tjetër legjendë e këtij sporti mjeshtri-trajner Ali Kastrati i pati veshur për herë të parë dorezat e boksit. Në vitin 1951, në Elbasan u shpall kampion kombëtar për të rinjtë, në peshën 48 – 51 kg. Dhe prej këtej emri i tij si kampion i ri do të merrte udhë.
E adhuronte më të madhin e boksit botëror aq sa do të sakrifikonte dhe ca vite nga jeta e tij, vetëm që duelin e shekullit mes Kleit me Xhorxh Foreman kampion në fuqi, të mos e linte pa parë. Ishte 30 tetori i vitit 1974. Fitorja e Kasius Kleit, apo thënë ndryshe Muhamet Aliut, e entuziazmoi aq shumë Ahmet Golemin, sa për nder të tij ai do të festonte duke blerë edhe një tortë.
E çfarë kishte këtu për t’u survejuar nga Sigurimi i Shtetit?
Mirëpo duket se Ahmet Golemi e kishte tepruar me simpatinë e tij ndaj një boksieri amerikan, kur vetë në Shqipëri, sporti i boksit ishte ndaluar që prej vitit 1964. Sepse boksi u cilësua si “armik” në Shqipërinë Socialiste, ndërsa ushtruesit e tij do të detyroheshin të konvertoheshin për të vazhduar të ushtroheshin në disiplina të tjera.
E me gjithë ndalesat e mundshme, duke ndërprerë me zhurmues dhe valët e stacioneve televizive që vinin nga perëndimi italian, apo stacionet e “sllavit” në veri, të pasionuarit do të gjenin mënyra nga më të ndryshmet për të ndjekur ndeshjet e mëdha të boksit, të cilat kulmuan në vitin 1974 me duelin Kasius Klei kundër Xhorxh Foreman, në Kinshasa të Kongos. Por jo më pak do të ishte dhe ndeshja e Kasius Kleit me Xho Frejzer.
Ahmet Golemi duhet ta kishte tepruar vërtet duke shprehur simpatinë e tij për një kampion të pamatshëm si Kasius Klei. Dhe Sigurimi i Shtetit e kishte shënjuar me rreth të kuq. “Në qoftë se nuk e mbyll ti gojën, ta mbyllim ne”. Në fund të fundit, përveçse ishte boksier, Kasius Klei për djall ishte dhe amerikan. Dhe amerikanët nuk kishin vend në Shqipëri, qoftë dhe si imazh ardhur përmes botës së televizionit, parë me antena të sajuara që mund të përthithnin valët e RAI-t apo të Titogradit.
Katër vite më pas, në 14 tetorin e vitit 1978, një “Gaz” i Degës së Brendshme e priste Ahmet Golemin poshtë shtëpisë, ndërsa i thanë se duhet ta çonin në Poligrafik ku kërkohej ndihma e tij si redaktor, pasi materialet e gazetës “Sporti Popullor” ishin “ngatërruar”. Itinerari i çuditshëm i “Gaz”-it të Degës,  nuk e shqetësoi Golemin e pafajshëm, por përballja me qelitë e burgut të Tiranës ishte tronditëse. Do të depersonalizohej me gjithfarë presionesh psikologjike në një hetuesi të gjatë 7-mujore, kur çuditërisht do t’i kujtohej edhe torta e blerë për nder të fitores së Kleit. Më 7 maj 1979, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor "për agjitacion e propagandë kundër shtetit". Dënimi nuk ishte i lehtë, me 5 vjet heqje lirie, për një njeri që nuk kishte bërë asgjë ku cenohej vija e Partisë. Dhe kaq duhej për të shkatërruar gjithçka kishte mbledhur një njeri, me punë të palodhur e plot pasion.
Gjithsesi erdhi viti 1990, muri i Berlinit kishte rënë dhe pakkujt ia merrte mendja se perdja e hekurt do të binte edhe në Shqipëri. Ahmet Golemi nisi të bënte jetën e tij, tanimë veç si shkrimtar, publicist e komentator sportiv. Boksi mbeti po aq një pasion kujtimesh e rrëfenjash nga i cili nuk u nda asnjë çast.
Dhe letërsia artistike do të ishte pasioni tjetër, të cilës Golemi iu përkushtua aq shumë duke botuar romanin “Pasionet”, novelën “Përbindëshi i bardhë” por dhe romanin “Fundi i dorezave të zeza”, për të cilin siç është shprehur vetë autori, titullin e ka pagëzuar Ismail Kadareja. Dhe ishte letërsia që e miqësoi fort atë jo vetëm me Kadarenë, por dhe me Dritëro Agollin e Vath Koreshin.
Ahmet Golemi u largua nga kjo botë vetëm pak ditë para se të mbushte të 85-sat e tij. Në skedarët e kompjuterit apo në dosjet e shkrimeve personale ka lënë në mes punime që presin të shohin dritën. Duhet të ishte dora e tij deri në faqen e fundit. Por tanimë kjo është e pamundur. Por me siguri, gjithçka që tanimë ka rënë të flejë nëpër foldera, një ditë do të zgjohen...

Thursday, May 13, 2021

O Zot, na mbro nga shërbëtorët e tu të marrë!


Nga Leonard Veizi

Vatikani ndodhet në vështirësi. Grigja po shthuret. Morali i çimentuar në 2000 vite predikime teorike dhe interpretime pa fund, po skadon. Njerëzit po kërkojnë gjithmonë e më shumë të kalojnë gardhin që mban të rrethuar institucionin e lashtë bashkë me të gjallët e të vdekurit nën dhè. Edhe pse po aq turren nga dera kryesore e mësyjnë institucionin o për të rrëfyer mëkatet e mendjeve diabolike, o për të kërkuar ndjesë e ndëshkim rrahjesh me kamxhik vetëm që mëkatet t’u falen. “Opus Dei” mbetet i vetmi që vigjilon, po aq konservativ sa dhe ditën e parë të themelimit të tij, e mbi parimin bazë: ideja e thirrjes universale për shenjtëri.
Për gjithçka nuk shkon mbarë njerëzit e dobët ulen në gjunjë e luten, për pak shëndet më të mirë, për ca para më shumë, për fat më të madh se ai që kanë. Për më tepër, në kundërshtim me të gjithë dogmën dhe Biblën të cilën mbajnë poshtë jastëkut, kërkojnë dhe bekim për veprimtari për të cilat Vatikani nuk i ka pasur kurrfarë në mëdyshje që prej krijimit të tij: bekimin e martesave homoseksuale.
Vatikani ndodhet sërish në ditë të vështira. Nuk është hera e parë. Sakrilegji bëhet më i madh kur sfida vjen nga emisarët e tyre të cilët janë emëruar si barinj nëpër tempujt katolikë romanë. Akoma më e habitshme bëhet gjithçka kur vërtetohet katërcipërisht se priftërinjtë të cilët i janë shmangur boshtit ideologjik të Biblës, i përkasin popullit gjermanik.
E pse gjithë kjo habi pikërisht për ta...?
E pagabueshmja BBC na informon se priftërinjtë në rreth 100 kisha katolike të Gjermanisë do t’u ofrojnë bekimin çifteve të gjinisë së njëjtë. Prestigjiozja britanike na bën të ditur gjithashtu se: Lëvizja “Dashuria fiton” u shfaq, pasi Kisha Katolike në Vatikan tha në muajin mars se Zoti “nuk mund ta bekojë mëkatin”.
Lajmi ka marrë dhenë tanimë. Ajo nuk mund të mbulohet më. Thjesht është zbuluar, ose më saktë është vetëofruar.
Edhe prestigjiozja spanjolle “La Vanguardia” shkruan se kjo është një sfidë ndaj dokumentit të fundit të Vatikanit që riafirmoi kundërshtimin e Kishës Katolike ndaj unioneve të të njëjtit seks, dhe në mënyrë të qartë vuri veton ndaj bekimeve të tilla.
Me sa duket levat e Vatikanit nuk po binden. Sipas asaj që na është predikuar në vazhdimësi, ato po bëjnë punën e Djallit në dëm të Zotit. Ndeshja e përjetshme.
Fushata e nisur në 9 maj 2021, në një ditë simbolike për Evropën, është përhapur me shpejtësi në qytete të tilla si Berlin, Mynih, Frankfurt, Hamburg, Hanover apo Këln. Praktikisht në gati të gjithë Gjermaninë.
Si ka mundësi një metamorfozë e tillë.
Vetëm 80 vite më parë Europa dridhej nën çizmen e ushtarit gjerman i cili çonte në dhomat e gazit, apo në furrat e djegies masive jo vetëm hebrenjtë, rusët e polakët, por dhe homoseksualët. Në boshin e ideologjisë naziste, e cila fliste për një racë të pastër e superiore, nuk konceptohej që një gjerman të ishte gjysmak e i sakatosur dhe as homoseksual. Ai duhet të ishte vetëm një ushtar i denjë i Vermahtit i cili duhej të luftonte për lavdinë e Rajhut të Tretë. Ndaj kësaj reprezaljeje, Evropa, por dhe një pjesë tjetër e botës, shpëtoi vetëm pasi feldmareshali Wilhelm Kaitel, i Komandës së Lartë, në 9 maj të vitit 1945, u ul të nënshkruante kapitullimin.
Tani Gjermania po sfidon sërish Vatikanin. Po aq frikshëm sa dhe 500 vite më parë kur e sfidoi Martin Luteri me protestantët e tij.
E me sa duket Vatikani nuk është më në ditë aq të mira, sa ta kundërshtojë me forcë e bllokojë nismën e emisarëve të saj, të cilët guxuan marrëzisht të dalin kundër gjithë doktrinës që kanë mësuar rrënjësisht në bankat e shkollës teologjike. Ata ose po luajnë një kartë, e cila futet në teoritë e konspiracionit... ose i ka kapur amoku e nuk dinë ç'bëjnë.
Fali Zot!
Kisha Katolike në vitet e fundit është përfshirë jo pak në skandale seksuale. Por kulmi i të gjithë rrëshqitjes së njerëzve të saj kanë të bëjnë me pedofilinë dhe homoseksualitetin. E megjithatë idhtarët e devotshëm nuk është se e kanë braktisur, të bindur se njeriu në tokë, qoftë prift apo murgeshë, me mish, me gjak, e ndjenja njerëzore, - të cilat ndonjëherë sundojnë mbi betimin që çdokush prej tyre ka bërë me veten dhe me Zotin, - gjithsesi është i gabueshëm.
Njerëzit kanë shkuar çdo të dielë në Kishë, me qëllimin e vetëm, të pastrojnë shpirtin, të jenë më afër Zotit dhe të dëgjojnë më shumë, se si mund ta mbajnë të pastër e të shëndetshme qelizën bazë të të gjithë shoqërisë: familjen. Kisha është nga ato institucione e cila nuk ka bërë pakte në emër të të drejtave të njeriut përpara dogmës dhe as ka pranuar divorcin, nëse një çift e kishte marrë bekimin e bashkëjetesës në altarin e saj.
Tanimë, priftërinj të kësaj kishe, emisarë të saj kërkojnë një revolucionarizim të tejskajshëm duke trumbetuar gjithçka që cilësohej si heretike, në një veprimtari që kërkon bekimin e tyre.
Po tani? Çfarë do të predikohet në meshat e së dielës?
Kësaj radhe sfida nuk është thjeshtë si ajo e Nikolla Kopernikut, as si e Xhordano Brunos që u dogj në turrën e druve, dhe as si e Galileo Galileit që u mbajt kyçur në shtëpi për shkak të teorive të tij lidhur me Tokën, Diellin dhe Universin. Tanimë kemi të bëjmë me anën morale.
Si do edukohen brezat kur në familje në vend të nënës dhe babait ai njeh dy nëna apo dy baballarë, apo një grua që bën rolin e mashkullit dhe një mashkull që luan rolin e nënës?
A është ky fillimi i fundit të njerëzimit? A është kjo një platformë e detajuar, për ta bërë njeriun e sotëm një hibrid, i cili duke mos riprodhuar vetveten, në një të ardhme do të pushojë së ekzistuari?
Vendimi i fundit i priftërinjve gjermanë më sjell në mend romanin “Sekreti i tretë” shkruar nga amerikani Steve Berry. Ai na ka lajmëruar që 15 vite më parë se sekreti i tretë i Fatimas, - apo i zojës së Bekuar që në vitin 1917 u shfaq përpara tre barinjve të vegjël portugezë, - një sekret i ruajtur për mbi 80 vjet me radhë nga Vatikani, ka të bëjë me rrezikun që i vjen themeleve të institucionit ku besojnë më shumë se një miliard njerëz. Dhe kjo ka të bëjë me çështjet e orientimit seksual dhe me atë çfarë duhet të bëjë Kisha në të ardhmen. Edhe pse një fiksion, tanimë jemi mësuar se pikërisht këto, romane apo filma, kanë qenë pararendëset e asaj çka ardhur më pas si realitet befasues.
Këto mund të jenë teori konspiracioni, po aq sa dhe ideja se Zoti për ta ndëshkuar njeriun kur del vrullshëm nga rruga e tij, dërgon një “ekzekutor” si SIDA, Ebola apo Covidi më së fundmi.
 

 

 

Sunday, May 9, 2021

Për shqiptarët që i zhgënjeu raketa kineze

Nga Leonard Veizi

Tronditja ishte e madhe kur portalet nisën të transmetonin lajmin se raketa kineze “Long March 5B”, e cila kishte humbur kontrollin në hapësirë dhe i ishte drejtuar tokës si shigjetë, diku mes orës 03.00 – 06.00 të mëngjesit të 9 majit 2021, kishte një probabilitet të mundshëm, të binte dhe mbi territorin shqiptar. Një gjë e tillë na kujtoi tmerrin që hoqën ndërsa kometa “Halley” e cila 35 vite më parë me trajektoren e saj mund të na kishte bërë qametin. Por ja që Perëndia vuri dorë dhe e shmangu katastrofën.
Këtë herë katastrofa vinte nga dora njerëzore. Por nuk është se kjo i trembi aq shumë shqiptarët sa të rendnin nëpër zyra noterie, të zinin radhën e të linin testamentet. Shumë prej tyre, e morën me avashllëk këtë punë, madje me shumë optimizëm dhe nga shtrati, tek mbanin sytë përtej dritares, për ta parë spektaklin. Nisën lumin e komenteve pas çdo lajmi që afishonin agjencitë mediatike, e ku flitej për “kërcënimin” kinez ndaj Shqipërisë: Inshallah bie në Parlament!
Ç'është kështu bre burra? Mos u nxitoni, shqiptarë janë dhe ata.
Mirëpo ca e ca, të mllefosur boll, u përgjëruan që mbetja e raketës 20-tonëshe, të bënte atë që nuk bëri dot Covidi. Dhe të mendosh që një pjesë e mirë e mallkuesve-komentues ishin nga ata që kishin mbajtur radhën për të votuar në 25 prill. Por ja që kishin ndërruar mendje dhe ishin bashkuar me ca të tjerë, që kishin të njëjtën dëshirë, pra raketa të binte... jo mbi kryeministrinë, as mbi godinën e Ministrisë së Jashtme apo tek ajo e Mbrojtjes, madje as te Bashkia e Tiranës, por drejt e mbi sallën plenare.
Të thuash që ky është një tregues se sa shumë i duan shqiptarët politikanët e tyre?
Për vete u tremba qamet sa, nisur nga histeria, besova që të hënën e 10 majit, nuk do zhvillohej seanca e radhës dhe Presidenti nuk do shkarkohej nga detyra. “S’na u ndanë kinezët, - mendova. - Nga njëra anë po bëjmë vaksina kineze të mbrohemi nga Covidi, nga ana tjetër na duhet të mbrohemi nga raketa, po kineze. Le po prishëm dhe bunkerët e merhumit. Të paktën strehoheshim aty:
- Alarm ajror. Futuni në strehimet më të afërta...
Vendosa të qëndroja zgjuar e ta shihja me sytë e mi katrahurën... Nata ishte e gjatë, qielli i pastër. Kur hap sytë ora ishe 08.00 e mëngjesit. Kisha fjetur sa nuk kishte top e raketë të më zgjonte. I hedh një sy portaleve. Marr vesh se “Long March 5B” kishte rënë andej nga oqeani indian. Ia hodhëm dhe kësaj radhe, - mendova. Pastaj u kujtova: Po deputetë?
Çfarë shansi. Me siguri do kenë bërë pakt me djallin.
 

Thursday, May 6, 2021

Apel ndërkombëtarëve: Aman na bllokoni internetin!


Nga Leonard Veizi

Pse jemi marrosur të gjithë me veglën që e mbajnë tërë ditën në dorë, e alarmohemi nëse e harrojmë një çast mbi lavamanin e tualetit ku kemi hyrë për ca punë personale?
Në 70-të vitet e tij, komunizmi u lodh shumë për të formatuar njeriun e ri, por nuk ia doli dot. Sot njeriu i ri është i formatuar. U deshën më pak se 20 vjet, që kur eksperimenti i valët wifi të kufizuar, u shtri anembanë si “interneti pa kufi”. Një gjë e tillë pak nga pak po kthen qenien njerëzore në një algoritëm kibernetik.
Jarebi o Perëndi, sikur të ndodhte ndonjë blackout, një re kozmike a një tufan ndërplanetar, e të na i ulte automatin e internetit, çfarë do të ndodhte?
Pyetje me 1001 të panjohura.
Më ka qëlluar të ndjek gjithfarë informacionesh që qarkullojnë në youtube, ca të licensuara e shumë më tepër pa kurrfarë kontrolli. Aty ndesha dhe në disa mini-emisione me tituj bombastikë dhe krejt hipotetikë, si fjala vjen: “Çfarë do të ndodhë në Tokë nëse Dielli zhduket?”
Heu bre... a përnjimend a...
Dhe për ta bërë edhe më të besueshme, të gjitha këto formate nisin duke përmendur NASA-n, si t’i kishin zyrat e saj shtëpinë e tyre. Dhe fillonin: NASA beson se nëse dielli zhduket papritur, pas 24 orësh do të ulej temperatura në tokë. Pas 10 ditësh do të... ndërsa pas një muaji...
Klikoj mbi emisionin tjetër: “Çfarë ndodh me Tokën nëse Hëna do të zhdukej”?
Ore po si u zhdukërka Hëna me një të rënë të kalemit? Mirë Dielli, mbase i mbaron vajguri e s’ka çfarë të djegë. Dhe nis sërish nga arsyetimi: NASA beson se... detet dhe oqeanet do të ulnin nivelin e baticave dhe zbaticave. Netët në tokë do të ishin më të errëta... etj.
Në fund vinte qershia përmbi tortë: “Çfarë ndodh nëse Toka ndalon së rrotulluari”?
Hajde imagjinatë hajde. Ku të shkon mendja mor burrë i dheut. Femër ma ke të shkretën.
Dha vijon komenti hipotetik: NASA beson se atmosfera do të shpërbëhej dhe do të...
Ohu, ç’ia ke ngenë!
Por edhe pse kërkova me search askund nuk gjeta fjala vjen: Çfarë i ndodh Shqipërisë po t’i ulej automati e nuk do të merrte më internet?
Ruajna Zot! Kjo as është parë e as është dëgjuar. Je në metro ti?
Por unë them, - jo NASA sigurisht, - se atëherë me siguri njerëzit do të ishin më njerëzorë, do të ishin më të ngrohtë me njëri-tjetrin, do detyroheshin të takoheshin e të shihnin në sy, të dërgonin letra dashurie të shkruara me laps plumbi, t’i fishkëllenin dashnores me sinjale të njohura huazuar nga ndonjë këngë ritmike, madje mund ta thërrisnin shoku-shokun nga ballkoni:
-O Vasooooo... Kanë ardhur ata të xhamllikut të bëjmë një katërshe me porta të vogla. 100 lek dora.
Atëherë do vinte çdo vinte. Se që Toka do shpërbëhet një ditë, atë e di dhe bufi. Por që të mos ketë internet nuk ka buf që mund ta marrë me mend. Dhe pastaj, ç’është ky muhabet; pse duhet luajtur me porta të vogla, kur shkarkon një alamet loje dhe luan nga playstation-i me fanellat e kujt klubi të ta dojë zemra.
Po çfarë të mirash të tjera do të kishim nëse do të na fikej kandili i internetit? Kjo është edhe më hipotetike se sa mungesa e Hënës në sistemin tonë diellor.
Kryesorja është se do fitonim kohë, atë kohë që e humbasim për të parë numrin e like-ve kur marrim për postimet që bëjmë, duke deshifruar dhe emrat e gishtngritësve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi çlirohemi nga një barrë e kotë, po aq sa sikur të të heqin taksat që t’i rrasin te fatura e ujit.
Mbase do thotë ndonjë prej jush se e kam personale e po pëlcas nga zilia. Po ore... edhe personale e kam. Se në këtë pikë ma marrin të gjithë. Mesatarja e shkrimeve të mija, kur i postoj është 30 like. Mesatarja e një pjate tortelini që e hedh një femër, e cila tek kategoria “about” shkruan: “person publik”, është 300 like e kacafiu... Dhe nuk po flasim për instagramin babe. Se aty merr dhenë...
Prit more djalë ta shkoqisim këtë punë. Nuk bëhet me inate personale kjo punë.
Ç’është kjo xhelozi publike? Si nuk e kisha kuptuar më parë? Po, po. Njeriu është pus i thellë dhe veten nuk e njeh dot kurrë.
-Na kënaqin ato shkrimet e tua kur i lexojmë, - më ishte shprehur në shumës një ditë, një dashamir, a thua se shkrimet e mija lexoheshin në mënyrë kolektive si dikur gazeta “Zëri i Popullit”. Ç’është e vërteta mua m’u bë qejfi, e veshët m’u rritën sa të Pinokut që deshi na u bë gomar. Po kur u ankova se feedback-u në facebook nuk ishte dhe aq i kënaqshëm dhe kjo ma ulte nivelin e entuziazmit, tjetri ia pat:
-Aman o po kush ka nge të lexojë shkrimet e tua!
Domethënë...
Nuk isha demoralizuar, isha xhindosur.
Më parë se kaq isha xhelozuar pa fund kur nja dy “persone publike”, për çdo bluzë të re që postonin, edhe pse e kishin blerë të “gabi” merrnin aq like sa unë s’i merrja për një vit të tërë duke ekspozuar herë kopertinat e librave, herë shkrimet dhe herë fotografitë e mija ku pozoja si kapadai, apo thënë ndryshe... si gjeli majë plehut.
Ore, femrave nuk ua marr dot unë, e di që e kam të humbur davanë, por për djall edhe turli meshkujsh që postojnë timonët e makinave, ma marrin në kthesë.
Jo... nuk i kam mirë punët kështu.
A ia vlen të xhelozohesh?
Ndonjëherë të vjen të plasësh, por meqë thonë se uthulla e fortë e prish enën e vet, nisa të bëja gjënë tjetër, të numëroja deri në 100. Andej nga 70 nisja të qetësohesha. Te 90 nisja të qeshja dhe kur binte gongu tek 100 më dukej vetja edhe më idiot. Kësaj i thonë të luftoj me mullinjtë e erës.
Ndaj jam me shpresën e ndërkombëtarëve të cilët edhe pse bëjnë sikur na ndihmojnë nuk është se na kanë fort me sy të mirë. Prandaj dua t’u nis një apel me portavoç: “Vini dorë e na i hiqni këto rrjetet sociale se na morën në qafë. Lërini zgjedhjet se ato nuk i prishin punë njeriu, aman na bllokoni internetin se u çmendëm”!
Ata po e kanë më të lehtë të na e heqin fishën, po aq sa dhe të anulojnë kalimin pa viza për në botën e lirë, e të na lënë të notojmë në gjolin tonë.

Wednesday, May 5, 2021

Guljelm Radoja, ikja e aktorit që varfëroi jetën dhe pasuroi vdekjen


In memoriam
 
Nga Leonard Veizi

Elegant si ai. E kush më mirë do të luante rolin e sinjor Albertos me mustaqe spicë e flokë të krehura me brilantinë?!
I sertë si ai. E kush më shumë do t’i futej nën lëkurën një virtyti kombëtar si Petro Nini Luarasi, me mustaqe burrash, vështrim impozues, që nuk rrëzohej përtokë as nga plumbi e as nga helmi.
Dhe jo vetëm kaq, sepse ai ishte po aq dhe Lym Kepi, besnik e i çartur sa të vinte kokën atje ku Ismail Qemali vinte këmbën në rrugëtimin e tij të vështirë për ta bërë Shqipërinë.
Ndërkohë që askush më shumë se ai nuk do të mund të skaliste portretin e një mësuesi të gjuhës shqipe si Stefan Bardhi, në përballje me armiqtë më të betuar të shqipes dhe Shqipërisë.
E pra, rolet e tij, dje dhe sot na bëjnë të ndihemi po aq shqiptarë, madje edhe kur luante i futur nën veladonin e një prifti që vinte me mision nga përtej detit, për të nxjerrë nga toka eshtrat e ushtarëve të një ushtrie të huaj që ishin vrarë si pushtues...
 
 ...Guljelm Radoja nuk është më në jetë, por gjithsesi ai mbetet po aq pranë nesh me të gjithë galerinë e personazheve dhe karakteret që i ka dhuruar filmit shqiptar.
U lind në qytetin e Shkodrës më 2 korrik të vitit 1945. Dhe vetëm dy muaj para se të mbushte 76 vitet e tij u nda nga jeta në një spital periferik të kryeqytetit, në 5 Maj 2021. Ishte ende në modë, sharmant e plot energji, i aftë për të luajtur në skenën teatrore, dhe po aq i gatshëm për të marrë një rol të ri në kinematografi. Por fati nuk e ndihi në përballjen me virusin më të çuditshëm të 100 viteve të fundit, i cili para tij kishte sakrifikuar dhe jetën e disa kolegëve të tjerë, po aq ikonikë, pjesë e plejadës së artë të kinemasë shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, pjesë e të cilës ishte prej vitesh, i bëri një apel shtetit shqiptar: Mos e lini këtë aset kombëtar të na iki! Dërgojeni në një spital të specializuar jashtë vendit!
Ishin ende në kohë.
Në fakt, rrugëtimi i tij i fundit, nuk ishte me avion çarter, por me një ambulancë prej spitalit rajonal të Durrësit, ku qëndronte prej gati një muaji, në një nga shtretërit e spitalit “Shefqet Ndroqi” të Tiranës. Jetoi vetëm tre ditë në një intubim të thellë e me injeksione venoze gjithfarësh. Por nuk ia doli dot. As ai dhe as personeli që kujdesej për të.
Kështu ishte “e shkruar”.
Tani që iku, dhe diagnoza në kartelën mjekësore, në ishte virusi Covid shkaku i vërtetë apo një sulm kardiak i papërballueshëm, ka vlerë vetëm për të mbushur bazën e të dhënave, ku Guljelm Radoja mbetet veç një emër në listën statistikore. Në të vërtetë, tek krevati i Senatoriumit, intubuar me maskë e rrymë të fortë oksigjeni, u shua një nga aktorët më të ndriçuar të skenës dhe ekranit shqiptar.
Por kush ishte Guljelm Radoja?
Kjo vlen për ata që ekranin shqiptar e kanë braktisur dhe janë zhytur me kokë të marrin vëmendje me sentenca banale nga rrjetet sociale.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se ka studiuar për Dramaturgji dhe në vitin 1972, pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, nisi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.
Do të largohej më pas nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit "Bylis" të qytetit të Fierit. Dhe, si për ta vërtetuar thënien “e treta e vërteta”, lëvizja e tij e fundit do të ishte në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës ku u stacionua përfundimisht si aktor i trupës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Por shkëlqimin më të madh ai e ka në kinematografi ku në pelikulën e Kinostudios apo në shiritat manjetik të Televizionit Shqiptar ka mbetur i gjallë në të paktën 38 role.
Do ta niste karakterin e tij të parë si një inxhinier pyjesh tek filmi "Gjurma", i prodhuar në vitin 1970. Do të vazhdonte me rolin e fotografit Taf, në vitin 1974 tek filmi “Shtigje lufte”. Më tej do të vazhdonin si Tenente Aleko Gruabardhi në filmin "Në fillim te verës" prodhim i vitit 1975. Por do ta mbyllte si babai i Albanit tek filmi "Dashuria s'mjafton" një prodhim i vitit 2019.
Nuk mund t’i numërojmë të gjitha rolet që ai ka interpretuar, sepse ato janë vërtet shumë, të gjitha të spikatura, të gjitha të realizuara me mjeshtëri e shumë dashuri njëherazi.
Për së fundi Guljelm Radoja ishte pozicionuar si një nga mbështetësit e nismës për ta mbrojtur godinën historike të Teatrit Kombëtar, edhe pse përpjekja e tij dhe e shumë aktorëve të tjerë shkoi kot.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Padyshim, kjo ishte pak për një artist të kalibrit të tij. Dhe ajo që mbetet tanimë, është një vlerësim pas vdekjes, që gjithsesi do të kishte vlerën e vet.
Dhe në epilog, nëse ka një gjë ngushëlluese ajo do të përmblidhej në një tjetër sentencë: Kur ikën një artist jeta varfërohet, dhe ajo që pasurohet prej tij është veç vdekja.

Monday, May 3, 2021

Shkollat filluan... urra, urra, urra

 
Nga Leonard Veizi

Kur Komiteti Teknik i Ekspertëve vuri dorën në zemër e na i liroi burgjitë nja dy sahat mbi orën 20.00 të mbrëmjes, të gjithë u gëzuam pa masë, po aq sa dhe të liruarit nga qelitë e 313-tës. Por kur Komiteti Teknik e vuri sërish dorën në zemër dhe shtypi dritën jeshile për frekuentimin e shkollave nga nxënësit e 9-vjeçares dhe të mesme, më së shumti u gëzuan prindërit si dhe gjyshërit. Se ata që kërkojnë mbarëvajtjen e fëmijëve, më shumë se fëmijët vetë, herë të përgjegjshëm e herë jo fort të tillë, janë prindërit e shkretë që gjatë gjithë kësaj kohe janë qarë: Si do t'i nxjerrim fëmijët në jetë, kur të gjithë sistemet shkollore, që nga klasa e dytë fillore e deri te ata që mbrojnë masterin, po e mësojnë me korrespodencë? 
Mirë ca e ca që i kanë vënë punët në vijë, me mundësi të plota për të marrë njohuritë bazë duke u mbështetur mbi sistemin online, por hall i madh ishte për ata që ankoheshin se nuk e kishin një kompjuter aq të mirë, por as dhe një celular aq të mirë sa të përcillte zërin e mësuesit që lodhej e djersinte nga pas ekranit. 
E si të mos mjaftonin këto hallet vijonin me shkëputjen e herë pas hershme të linjës së internetit. Nga ana tjetër, jo të gjithë e kanë mundësinë ta kenë nga një vilë, ku fëmijët të kenë nga një dhomë të pajisur tej e tej, me mjete të teknologjisë së lartë, ndaj në kushte të zakonshme mësimi online jo rrallë përzihej dukshëm dhe me tringëllimat e lugëve dhe tenxhereve të gatimit ku gjyshja e shtëpisë ose provonte kripën tek fasulet që zienin mbi vorbë, ose ia niste tërholljen e një byreku me hithra apo lakra të egra. 
Epo pa ngrënë nuk do rrimë de. Se ja... prindërit vijnë të lodhur nga puna dhe e duan një çapë buke.
Mirëpo halli hallit nuk i ngjan, thotë populli. Sepse kishte ca të tjerë që ankoheshin se kur vinte interneti dhe nxënësit bëheshin gati t'ia nisnin mësimit, binte leva e transformatorit e thënë shkurt: iknin dritat. Atëherë vinte ç’vinte... E meqenëse kompjuteri i instaluar mbi minderin e ashefit nuk punon me zjarr edhe frekuentimi i mësimit mbeti te leksionet e semestrit të parë.
Po ja që hallet nuk mbarojnë këtu. Se me kaq jemi mësuar e nuk na bën përshtypje. Puna është kur të ngacmojnë inteligjencën... Fjala vjen, për të ditur mbarëvajtjen e fëmijës, mësuesi kujdestar të sjell një mesazh ku shkruan: “Ju lutem merrni masa të shkarkoni nga App Store, aplikacionin WhatsApp”. 
Pirdh, pirdh... 
Oh, ç’na gjeti. Domethënë zotrote thua t’i lemë dhitë pa mjelë e të bëjmë kurs për përdorimin e celularit. Kot nuk e ka nxjerrë përvoja popullore thënien e koncentruar: Lere dasmën e shko për shkarpa.
Në këto kushte, nisja e mësimit nëpër klasa ishte zgjidhja më e mirë, në kushtet kur dhe Covidi duket se është njohur më shumë me ne dhe nuk po na i ha xhanin si disa muaj më parë.