Monday, November 28, 2016

Elida Cangonji: Të luaj një mjeke në film, jam vetvetja

Elida Cangonji
Studentja e mjekësisë që u zbulua si aktore nga regjisori Saimir Kumbaro. Propozimi i Viktor Gjikës për të luajtur rolin e Zanës tek “Rrugë të Bardha”. Jeta mes Shqipërisë dhe Francës, martesa me një danez dhe puna me të rinjtë që kanë probleme psikike

nga Leonard Veizi

Kur i thanë se mund të luante në film, madje i propozuan rolin kryesor, ajo u step disi, refuzoi, por gjithsesi e shtyrë nga kurioziteti i brendshëm dhe natyrisht nga një motiv disi aventuresk... pranoi. Dhe kaq u desh. Të bënte prapa as që mundej. Megjithëse në auditorët e fakultetit të mjekësisë, vendi i saj, qëndronte bosh sa herë ajo duhej të paraqitej për të bërë dublat e radhës në shesh xhirimi...

Zana e Dedës, Vera e Shpëtimit, Zara e Mato Grudës, apo dhe... Minushja e Kananit, ishte po ajo, aktorja e re që u përzgjodh nga regjisorët si imazhi ndryshe i filmit. Elida Cangonji, aktualisht rezidente në jugun Francës dhe vizitore e herë pas hershme në Shqipëri, rrëfen për gazetën “Shekulli” se si u përfshin në botën e kinemasë, në një kohë kur në Shqipërinë socialiste nuk është se kishte shumë zgjedhje të tjera e për me tepër forma argëtimi tjetërkund.  
A keni menduar ndonjëherë që pasi luajtët filmin e parë në kinema ta braktisnit fakultetin e mjekësisë për të vazhduar artin dramatik?
Jo që nuk e kisha menduar vetë, por edhe kur ma propozoi regjisori, i ndjeri Viktor Gjika, fillimisht i thashë një “jo” të prerë. Unë e pranova rolin pasi isha kureshtare dhe me pëlqente të eksperimentoja gjëra të reja, të argëtohesha në kohen kur kjo gjë nuk ishte shumë e mundur në ato vite për ne vajzat, por në asnjë mënyrë të ndërroja drejtim.
Si u lidhët me botën e filmit? Kush ishte ai që ju zbuloi dhe ju bëri ofertën e parë?
Ishte një rastësi, e kam thënë dhe më parë. Unë e merrja autobusin për të vajtur në fakultetin e mjekësisë në të njëjtin vend ku e merrnin dhe shumë nga ata që punonin në Kinostudio. Me sa duket pjesëtaret e grupit realizues ishin në periudhën e "gjuetisë" së kandidateve për rolin e Zanës. Në këtë kontekst, Saimir Kumbaro, nëpërmjet të "fejuarës" së tij, Lindës, studente dhe ajo në të njëjtin fakultet, kërkoi të prezantohet me mua. U afrova tek grupi i tyre, ku ishte dhe regjisori i filmit, Viktori. Nuk e di sa e njihni Saimirin, por po t'u qep është e pa mundur të thuash jo. Me këtë nuk dua të them se kisha ndërmend të thosha “jo”, por desha vetëm të shprehja dyshimet e mija pasi nuk e shihja veten fare në këtë pozicion dhe nuk desha që t'i shkonte mundi dëm. Ishte e pamundur me mënyrën se si imponohej Saimiri (ndihmës regjisor i filmit), kështu që pas disa ditësh bëra kinoprovat dhe pastaj për nja dy muaj nuk e pamë më njeri-tjetrin. Me grupin e xhirimit u takuam më pas në Tropojë ku xhiruam një pjesë të filmit "Rrugë të Bardha"
Cili ishte impresionoi kur u ndeshët me figurën tuaj në ekranin e madh?
E kisha parë filmin pjesë-pjesë kur bënim dublimet e zërit. Filmin të plotë e pashë natën e premierës në kinema “17 Nëntori”. Ajo që ndjeva ishte diçka që kish të bënte me marrëdhënien që kisha përjetuar me grupin e xhirimit. Koha që kalova me ta ishte magjike në shumë drejtime. Xhirimet mbaruan dhe ne shkuam secili në punën e vet. Unë e vuajta ndarjen nga ajo jetë plot ngjarje, njohje, miqësia, shakara, vështirësia... dhe ja ku vjen çasti i premierës së filmit dhe ne ishim përsëri të gjithë bashkë, në një sallë të mbushur plot me njerëz dashamires që duartrokiten fort. Aty kuptova e ndjeva se unë dhe ata, unë dhe kujtimet e asaj kohë do ishim përgjithmonë bashkë. Dhe u ndjeva aq mirë.
Sa e rëndësishme ishte për një femër në Tiranën e viteve ’70 - ‘80 të ishte dhe person publik?
Në ato vite tejet të indoktrinuara nga propaganda komuniste, ku qendra e vëmendjes ishin ata që na drejtonin, nuk kishte shume vend për të tjerët të ndjeheshin persona publikë të rëndësishëm, të paktën në ndjesinë time. Sa për faktin e të qenit femër dhe person publik bashkë, kjo të bënte me të përgjegjshme, pasi po të dilje nga binaret, ishte shumë kollaj të të bënin kurban që të mësonin të tjerët. Kësaj vështirësie unë i dhashë drejtim duke qëndruar në turmën e mjekëve pa pretenduar protagonizëm.
Cilin nga rolet që keni interpretuar keni më për zemër?
Sigurisht do veçoja rolin e parë, atë të Zanës në filmin “Rrugë të bardha”
Kë do të cilësonit më të dobëtin, apo më skematikun?
Janë dy role fare të vogla në dy filma ku, për hatër të së vërtetës, i pranova pasi xhiroheshin në kohë vere, pra kur isha me pushime dhe paguhesha me rrogë mujore. Të argëtohesh duke punuar dhe të paguhesh... ishte mirë.
Cila ishte përvoja juaj me regjisorët dhe partnerët aktorë?
Duhet të pohoj një gjë... kam qenë me fat. Kam punuar me regjisoret më të mirë dhe kam pasur partnere aktorët më të talentuar jo vetëm për atë kohë por edhe për sot. Regjsorët kane qenë: Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Pirro Milkani, Muharrem Fejzo. Partnerë kam pasur Rikard Ljarjen, Timo Fllokon, Astrit Çermën, për të shtuar pastaj dhe të mrekullueshmin Robert Ndrenika, Tinka Kurti, të ndjerët Minella Borova, Drita Pelingu, etj. Ajo që do veçoja nga përvoja e punës me ta, është dashuria me të cilin të gjithë pa përjashtim e mbështillnin rolin, e bënin të tyren, serioziteti dhe korrektësia në punë, zemërgjerësia dhe toleranca ndaj njëri-tjetrit, sakrificat që duhet të përballonin në sheshin e xhirimit. Këtu mund të flas pa fund, pasi secili është një enciklopedi me vetë. Unë që isha brenda dhe mes tyre, por dhe jashtë, duke i parë me një distancë, kam një opinion më të pa cenuar nga marrëdhënia e përditshme, prandaj duhet të më besosh kur të them se ishin apo janë artistë të talentuar dhe shpirtra humane, janë pasuri kombëtare.
Jeni mjeke e profilizuar në psikiatrinë e fëmijëve e adoleshentëve... Sa e dashur është kjo punë për Ju?
Është aq e dashur sa ndonjëherë me duket dhe si mallkim. Unë kam tre muaj që kam mbushur moshën e pensionit. Kam 14 vjet që bëj vajtje ardhje Shqipëri- Francë. Do ishte më e udhës që te rrija e të shijoja natyrën atje në fshatin ku banoj, ne jug të Francës, por ja që atje shkoj "vetëm për pushime" thotë im shoq. Ndoshta vetëdija që këtu ka kaq shumë probleme në këtë fushë dhe kaq pak mundësia për t'i zgjidhur, më bën të përfshihem qoftë dhe në mënyrë fare modeste.
Do të ishit vetvetja po të kishit rolin e një mjekeje dhe në kinema?
Them se po. Kam bërë 9-të vite studime universitare e pas-universitare për t'u bërë psikiatre për fëmijë. Punova si mjeke e përgjithshme, pastaj si pediatre e me pas si psikiatre. Kam punuar në shërbim ambulator dhe spitalor kur me është dashur, për shumë vite, kam qenë në role drejtuese por dhe krijuese e institucioneve të reja. Pra me gjithë këtë eksperience, them se rolin e një mjekeje do ta bëja mirë... pra do isha vetja jo se do luaja rolin por se jam vetja në këtë rol... edhe pse më mungon shkollimi në artet dramatike.


-Nostalgjia pas një filmi-
Nga “Rrugë të bardha” ajo kujton me nostalgji ditët që nuk kthehen më. “Mbaj mend të qeshurën me lot gjatë qëndrimit në Tropojë, ku e gjithë trupa e xhirimit ishte mbledhur aty dhe po prisnim që të binte borë. Dhe atë ditë si për çudi, nuk kishte ndodhur kurrë më parë në ato vite që të mos binte dëborë, dhe ajo nuk po vinte... dhe kështu rrinim... me aktorë dhe trupën xhiruese. Ishim me aktorët Minella Borova, Robert Ndrenika, Saimir Kumbaro... regjisorë, kameramanë... mbanim brinjët me dorë, bënim shaka e humor. Unë isha më e tërhequr në fakt, se ishte hera e parë për mua që lija shtëpinë, që largohesha nga Tirana, por ishte një shoqëri dhe ambient kaq i këndshëm sa nuk e harroj dot. Më mungon edhe sot”.


-Nga leksionet e mjekësisë në sheshet e xhirimit-
Ajo vazhdonte studimet në një fakultet të vështirë si mjekësia. Por sa e pengonte pjesëmarrja në shesh xhirimi studimet e saj apo punën si mjeke? Elida Cangonji thotë: “Kur kam xhiruar pjesën më të madhe të filmave kam qenë studente, kështu që, pasi kisha rregulluar me dekanatin justifikimin e mungesave, të tjerat i përballoja. Më duhej të flija me pak që të studioja, të vrapoja për të mos humbur leksionet apo praktikat mësimore që shpesh me duhet t'i ndiqja me grupe të tjera për shkak të mungesave. Ja di për faleminderit dekanit, Dr. Ciril Pistolit, i cili në pamundësi që të më pengonte, më paralajmëroi se do më bënte vetëm një lëshim, të me justifikonte mungesat... për të tjerat s'duhet të kisha asnjë pretendim ndryshe nga të gjithë studentet. Po kur je 20 vjeç, si thotë populli “ç’fluturon, hahet”. I bëja të gjitha, shkollën, filmat, zboret, aksionet”.


-Psikika e të rinjve shqiptarë, në kushte alarmante-
Prej kohësh ajo shfaqet në ekranet e televizioneve më shumë si mjeke, edhe pse shumëkush e ngatërron me aktoren. Ndërsa pyetjes se cilat janë problemet psikike që shfaqen vitet e fundit tek të rinjtë shqiptarë, ajo i përgjigjet: “Një ndër problemet tek të rinjtë shqiptare është stresi nën të cilin ata jetojnë. Ka katër vite që jap mësim në universitete. Gjëja e parë që bëj iu mas shkallën e stresit studenteve dhe këtë e bëj jo vetëm për t’i ndërgjegjësuar ata, por dhe për të ditur vetë se me ke po punoj. Është e vështirë të punosh me të rinj 20 vjeçar që e kanë mundësinë e përqendrimit vetëm 4-5 minuta. Gjendja është alarmante, po ashtu dhe shkalla e ndërgjegjësimit për kujdesin e shëndetit mendor është alarmant. Ndryshe si shpjegohet agresiviteti në të cilin jemi te zhytur e notojmë pa e kuptuar se është si noti në ujërat e zeza? Por le te mos ja prishim atmosferën kësaj interviste...”


-Mes Shqipërisë dhe Francës-
Elida Cangonji prej vitesh jetoni mes Shqipërisë dhe Francës. Por si është raporti i kësaj marrëdhënie? Ajo thotë: “Jetoj mes Tiranës dhe një fshati në jug të Francës, unë shqiptare, bashkëshorti danez... Duket e komplikuar, por me besoni se ajo qe kam kuptuar është se ndjehem më shumë vetja në këtë situatë. Më ndodh të konsultoj edhe fëmijë franceze ashtu siç konsultoj fëmijë shqiptarë, ndonjëherë dhe ndonjë danez... dhe kjo të bën të ndjehesh vetja kudo që je dhe të mos kesh nevojë për më shumë”.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 3 shkurt 2014

Monday, November 21, 2016

Në apartamentin e Liri Belishovës, atje ku ruhen reliket e njeriut që u “vetëvra me dy plumba”: Do rrëfej të vërtetën rreth vdekjes së Nako Spirut

Liri Belishova
Leonard VEIZI

Qenësia e tij, në të gjallët e shkurtër apo të vdekurit e përjetshëm, kur shfaqej me mish e gjak tek pragu e shtëpisë, apo futej në të si i tretur në padukshmërinë e eterit, ka qenë krejt dominues në shpirtin e saj. Nuk ishte Demoni i ardhur nga errësira e përtejme dhe as “Djalli i veshur me Prada”, por Engjëlli i saj mbrojtës, i urtë dhe i thjeshtë si ai…

…Teshat e tij janë kujtimi më i çmuar që ajo vazhdon të ruajë në një valixhe të vjetër, në një kënd të veçantë të dhomës së gjumit. Xhaketa gri, bluza, këmisha e kravata, të gjitha autentike si në atë ditë të zymtë nëntori të vitit 1947, të palosura me kujdes dhe të vendosura në një valixhe meshini. Me një egoizëm fanatik, ajo nuk ka pranuar t’ua dorëzojë ato as njerëzve të tij më të afërt, e jo më Arkivës apo Muzeumeve për të cilat as që bëhej fjalë. E megjithëse kanë kaluar afro 7 dekada, gjurmët e gjakut shquhen ende mbi to, aq sa mund të merret një kampion për analiza ADN-je. Dhe po aq të qarta janë dhe vrimat që ka lënë plumbi…

Epilogu pararendës
Ajo e ndjen ende në vesh pasthirmën e tij të fundit, një “Oh…” e fortë, e cila depërtoi muret e dhomës së reanimacionit për të mbërritur tek ajo si një klithmë dëshpëruese. Është sulur të shkojë tek ai, por ca krahë të fortë e kanë penguar të bënte më tej. Askush s’e di ç’po ndodhte me Nako Spiron në ato çaste. Po kujdeseshin që ai të arrinte të vdiste përfundimisht, apo mundoheshin ta shpëtonin me thonj e me dhëmbë nga vdekja? Ishte i plagosur për vdekje, por ende jepte shenja jete. Ekipi i mjekëve më të mirë të spitalit Ushtarak ishte mbledhur me shpejtësi. Por shumë më shpejt se ata, Shërbimi Sekret, sipas një urdhri verbal, kishte rrethuar vendin për të mos lënë të futej në sallën e kirurgjisë askush, madje, as njeriu i tij më i afërt, bashkëshortja. Nga dera e reanimacionit, ku mjekët ishin tërhequr të lodhur e stresuar, Gjeneral Mehmet Shehu me uniformën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, doli për të thënë vetëm një fjalë “Vdiq”. Ishte data 20 nëntor i vitit 1947. Ora e murit shënonte 21:55 minuta…

Debati i fundit
Emri i Nako Spirut, dhe vetë enigma ende e pazgjidhur e vdekjes së tij, është lakuar jo pak në media vitet e fundit. Një gazetë botoi një intervistë të gjatë të ushtarakut dhe historianit Gjergj Titani, Gjeneral, i cili u shpreh se: “Nako Spiru, ky kuadër emblematik dhe shumë i çmuar i Partisë Komuniste, u vetëvra me një plumb pistolete, i cili pasi ka kapur në një kockë të vertebrës, ka rikoshetuar dhe ka mbetur brenda”. Të themi se ky është një version zyrtar, për të cilën historiani i njohur thotë se, është bazuar në dokumente dhe procesverbalin e autopsisë. Asgjë e keqe nga kjo dëshmi, deri në çastin që ajo nuk do të kontestohej në disa pika të saj. Një gjë e tillë na çoi dhe në dyert e apartamentit, ku banon Liri Belishova, diku buzë Lanës, ish-bashkëshortja e Nako Spirut, e cila për të paktën 12 vjet me radhë ka qenë dhe një nga figurat kyçe të Partisë së Punës me cilësinë e Anëtares së Byrosë Politike dhe Sekretares së Komitetit Qendror.

Dëshmia pa fjalë
Është vetëvrarë apo e kanë vrarë? Nën dritën e fakteve të reja, për 20 vitet e fundit kjo pikëpyetje ka qëndruar mbi kokën e kujtdo që ka qenë i interesuar për këtë çështje dhe ka rrëmuar disi në labirintin e panjohur të historisë. Liri Belishova për shumë vite ka besuar se Nako Spiru ka vrarë veten. Por nuk ishte e thënë që gjithçka të mbaronte këtu. Duke parë rrobat e Nako Spirut, të cilat ajo i ka ruajtur që nga dita e vdekjes së tij e për të gjitha vitet në në vazhdim, mund të fillosh të numërosh mbrapsht. Dy apo një, sa plumba vrasës kanë qenë atë natë të fundnëntorit? Ç’është e vërteta, vrima e plumbit hyrës me atë të daljes nuk korrespondon. Ka hyrë sipër gjoksit, afër zemrës, por ka dalë poshtë kafazit të kraharorit, pranë veshkave. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin e bërë më së shumti publik, se “Plumbi me të cilin Nako Spiru vrau veten mbeti në trupin e tij?”, mund të dalim në një deduksion logjik, por aspak të vërtetuar mbi baza shkencore, se Nako Spiru është “vetëvrarë” me dy plumba, ose thënë më shkoqur; është vrarë. Në dorë kemi vetëm teshat e tij. Fotografi të trupit, si dhe përshkrimi i autopsisë mungon.

Mungesa e dokumenteve
Nuk është e lehtë t’i shkosh këtij “hetimi” deri në fund. Përderisa për 64 vjet askush nuk ka arritur t’i shkojë kësaj ngjarjeje deri në fund. Ndërkohë, nuk kemi shumë dokumente në dorë, përderisa dhe Liri Belishova thotë se, nga kërkimet e saj, në Arkivën e Shtetit dhe në Arkivën e Ministrisë së Brendshme, nuk ka gjetur asnjë material, ku të përpilohen autopsia e pasvdekjes së Nako Spirut. Të gjitha këto janë renditur sipas materialeve që janë publikuar deri më tani, pa futur këtu dëshminë e bërë publike në një media se: “Në kolltukun e punës ku qëndronte Nako Spiru është gjetur një plumb”, gjë e cila thellon idenë se përveç një plumbi që ka mbetur në trup, është edhe një tjetër, i cili ka depërtuar për të dalë jashtë tij. Pra, mund të mendohet lehtësisht se qitja është bërë nga afër, me dy plumba.

Dëshmitarët e ngjarjes
Valiçia me teshat e Nako Spirut
Vetë ngjarja ka të paktën 12 dëshmitarë, të cilët mund të vërtetonin vrasjen apo vetëvrasjen e Nako Spirut. Liri Belishova thotë se, ajo nuk është lejuar të jetë pranë bashkëshortit në grahmat e fundit të jetës. Por edhe më pas është ndaluar të shohë plagën, apo plagët, në trupin e tij. Dëshmitarët, pjesëtarë të ekipit mjekësor, por dhe Mehmet Shehu e Nesti Kerenxhi, në cilësinë e dy prej njerëzve më të pushtetshëm të kohës, të cilët janë futur në sallën e reanimacionit, nuk mund të flasin dot më. Të gjithë kanë vdekur. Kiço Ngjela, si një nga dëshmitarët kyç në ngjarje, dhe Muhamer Spahiu, të cilëve Liri Belishova ka mundur t’u marrë me shkrim një pohim mbi atë çka ndodhi mbrëmjen e 20 nëntorit 1947, kanë mbrojtur linjën e vetëvrasjes së Nako Spirut. Të themi se deri në këtë pikë “dosja është e mbyllur”.

Në fund
Këmisha me vrimën e plumbit - përpara
Këmisha me vrimën e plumbit - nga pas
Ishte vetëm 29 vjeç kur u nda nga jeta. Ishte në kulmin e rinisë dhe të potencialit intelektual. Por dukej se më shumë duhej pa zë, të mos kundërshtonte dhe as firmën të mos e hidhte kund. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, ishin acaruar. Ndërsa ai ndodhej në mes të konfliktit. E pra ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të Partisë Komuniste, ekonomist i talentuar dhe idealist i pandreqshëm. Kanë kaluar afro 70 vjet nga nata e vdekjes së tij, por Liri Belishova, është e ndjeshme po aq sa dhe ditën e parë, kur bëhet fjalë për Nako Spirun. Lexon gjithçka që shtypi shkruan për të dhe koleksionon faqet e gazetave. Shprehet se, megjithëse me Nakon bashkëjetoi afro dy vjet si e martuar, qenësia e tij ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shpirtin e saj. Ai ka qenë i pranishëm në ato pak gëzime që erdhën në vitet e mëpasme, por më shumë ka qenë gjatë viteve të errëta kur jeta e ish-gruas së tij po shkonte gjithnjë e më poshtë. Në të gjitha rastet, e për çdo veprim, Liri Belishova thotë se, në mënyrë iluzive e ka pyetur atë, nëse “a duhet bërë kjo gjë kështu?”. Përgjigja ka munguar, por gjithsesi fryma e tij e mbështjellë gjatë gjithë kohës, si atëherë kur ishte e re dhe e bukur 20- vjeçare, ka mbetur edhe tani që ajo i ka mbushur të 85-at.

Xhaketa me vrimën e plumbit - përpara
-Përgjigja me shkrim-
Gjithçka e mbështetur në fakte e dokumente
Liri Belishova ngurron të flasë për çështjen në fjalë, vrasjen, apo vetëvrasjen e Nako Spirut. Është e qartë dhe e kthjellët në gjithçka thotë, e gjithçka kërkon të dijë, për të hequr një herë e përgjithmonë rrethin e pikëpyetjeve të saj. Por gjithsesi kërkon kohë që gjithçka do të mund të argumentojë, ta shkruajë me shkrim. “Dua të jem e qetë dhe e saktë kur të flas rreth kësaj ngjarjeje. Nuk dua të fyej e as të prek ndjenjat e ndokujt. Dhe po një gjë të tillë dua edhe nga media. Gjithçka, duhet bazuar në fakte. Sepse ka njerëz që mendojnë se po japin një dëshmi të vlefshme, por bëjnë të kundërtën, shtojnë pikëpyetjet në kokën time. Dhe asnjëherë nuk marr përgjigje të saktë”, shprehet Belishova. Këto janë fjalët e fundit të saj, pasi na ka mirëpritur në apartamentin e saj, dhe na ka vënë në dispozicion për t’i fotografuar rrobat e Nako Spirut si dhe plumbin që i mori jetën, të cilat ai i mbante ditën e vdekjes së tij më 20 nëntor të vitit 1947.

-Akuzat e paqena-
Pse u sulmua Nako Spiru nga krerët e Beogradit të mbështetur nga Tirana
Xhaketa me vrimën e plumbit - pas
“Jetuam shumë pak bashkë nga janari i 1946-s deri në 20 nëntor të vitit 1947, por ishim njohur shumë më përpara dhe përveçse njerëz të dashur, ishim edhe shokë të mirë. Nako Spiru besonte në fillim se, komunistët jugosllavë ishin internacionalistë dhe do ta ndihmonin Shqipërinë që të shëronte plagët e luftës dhe për zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor. Në të vërtetë, ata ndoqën ndaj Shqipërisë një politikë shoviniste. Herë i demaskuar si tradhtar, herë i lartësuar si hero, pesë herë ia kanë ndërruar vendin e varrit. Nako Spiru doli hapur kundër bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, i bindur se ky do të qe gllabërim prej saj. Ndërsa jugosllavët e kuptuan se Nako Spiru ishte pengesë për të realizuar planet e tyre dhe në qershor të vitit 1947 u dërgua në Tiranë emisari jugosllav, Savo Sllatiç, për të akuzuar palën shqiptare se ishte duke vepruar në dëm të miqësisë dhe bashkëpunimit me
Jugosllavinë. Enver Hoxha në fillim mbajti qëndrim të drejtë. Ai ia rrëzoi akuzat Savo Sllatiçit. Por në fillim të nëntorit të 1947, emisari jugosllav u rikthye dhe kësaj here goditi personalisht Nako Spirun si frymëzues i një fronti anti-jugosllav në Shqipëri dhe si agjent i borgjezisë e imperializmit. Enver Hoxha kapitulloi para këtyre akuzave, ndërsa Koçi Xoxe “nën rrogoz” ishte pro jugosllav. Kështu, në mbledhjen e Byrosë Politike të 18 nëntorit 1947 e akuzuan Nakon. Me këtë rast nuk ishim ftuar as unë, as Mehmet Shehu, Fadil Paçrami e Bedri Spahiu. Nako kërkoi të shtyhej mbledhja disa ditë, por ata i lanë vetëm 24 orë në dispozicion për t’u përgatitur. Byroja u mblodh edhe një herë dhe akuzat u përsëritën. Ndërkohë, Nako shkoi tek Enveri për të folur me të, ai nuk pranoi, u drejtua për te Gagarinovi, përfaqësuesi sovjetik në Tiranë, por dhe as ky nuk pranoi të fliste me të. Atëherë, Nako e pa veten pa shpresë, të humbur”, është shprehur Liri Belishova.

Botuar në gazetën TELEGRAF dhe DITA
Plumbi që i mori jetën Nako Spirut

Friday, November 11, 2016

100 vjetori i Pavarësisë, Arben Puto/ Ngritja e Flamurit në Tiranë dy ditë para Vlorës. Fjalët e Refik Toptanit: Me hidhërim të thellë po ndahemi nga vllaznit turq

 
Arben Puto
nga Leonard Veizi

“Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri”. Sipas kësaj sentence, që  e kam huazuar nga një skenar filmi fort të njohur, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e vëllazërimit me shqiptarët e Europës. Ndërkohë, vështirë ta thuash se edhe shqiptarët, të ndikuar fort nga “dashuria” 500 vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. U desh veç pak muaj, pasi elita intelektuale bëri divorcin me të “sëmurin e Bosforit”, që një tufë fshatarësh me sfurqe në dorë, të grumbulluar rreth një prijësi me mjekër e emrin Haxhi, t’i suleshin Pavarësisë të shpallur nga Ismail Qemali, me shprehjen sa qesharake aq edhe ndjellakeqe: “Bum babën”. Ky ishte prologu fat-ters i shqiptarëve të Erës së Re...

...Arben Puto, profesor e studiues i njohur i historisë shqiptare për periudhën e pavarësisë, na jep këtë tablo të situatës në dy vitet e para kur shteti i ri Shqiptar, pa përvojë administrative, u drejtua do kohë nga myslimani Ismail Bej ish-funksionar i ministrisë së jashtme turke dhe ca më pak prej protestantit Vid nga dera e princërve prusianë:
Jeni njohës i thellë i viteve 1912-1914 të historisë Shqiptare. Çfarë të rejash na vijnë përmes studimeve tuaja?
Mund të them se pas vitit 1990 unë kam qenë ballë për ballë me dokumentacionin, me arkivat me literaturën, tashmë i çliruar dhe nga presioni i ideologjizimit të historisë. Natyrisht tani jam i lirë të mos pyes më njeri, veç dokumentacioni. Libri im “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914” tani vjen si një botimi i dytë. Për herë të parë u botua në vitin 1978. Por kanë kaluar 35 vjet, dhe sigurisht në botimin e dytë duhet parë dhe me një këndvështrim tjetër, një ritrajtim. Më duhet të them gjithashtu se botimi i parë është bërë në kushtet e mungesës së lirisë. Gjatë kësaj kohe kishin dalë dokumente të reja. Pra kemi materiale të reja që e pasurojnë përmbajtjen, për më tepër tanimë është autori që e parashtron historinë sipas bindjes së tij, në kushtet e reja të lirisë së mendimi e krijimtarisë.
Sa e ridimensionojnë epokën e Pavarësisë këto dokumente?
Me figurën e Ismail Qemalit, personalitetin, veprimtarinë dhe vizionin e tij, në këtë botim të ri, jam marrë më shumë. Patjetër që ai është ridimensionuar krahasimisht me botimin e vjetër. Por gjithsesi figura e Ismail Qemalit nuk është tema kryesore, edhe pse është personaliteti kryesor në libër. Por ai nuk mund të qëndrojë vetëm, sepse kjo periudhë ka edhe elementë të tjerë shumë interesante.
Si do ta gjente popullsinë shqiptare, Pavarësia?
Situata në vend ishte shumë e prapambetur. Ndryshimet e mëdha dhe vetë Pavarësia ka qenë vetëm vizioni i elitës së mendimit politik shqiptar, i Ismail Qemali, Sami Frashëri, etj. Ata e parashikonin që kjo ditë duhet të vinte. Por vetë popullsia ishte shumë e prapambetur. Ishte gati-gati një aventurë shpallja e Pavarësisë, sepse kishim të bënin me një terren shumë të vështirë, jo vetëm të prapambetur por dhe rob të fanatizmit fetar. Po e ilustroj këtë që sapo thashë me një raste. U fol së fundmi për mbledhjen që është bërë në Tiranë në 26 nëntor 1912. Kryebashkiaku aktual doli e tha se në Tiranë flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë. Që këtu u duk tentativa për t’ia marrë Vlorës këtë përparësi. Por unë e kam shkruan në libër se çfarë u tha në mbledhjen që u zhvillua në Tiranë atë ditë. Një nga Toptanasit, Refiku, në fjalët e tij, të cilat unë i citoj nga literatura e dokumentet, tha: “O vllazën, me hidhërim të thellë po ju njoftoj se puna e pru me u nda nga vllaznit tanë turq. Ai flamur që u valëvit të shekuj tani duhet të zbresë dhe të ngjisim flamurin Shqiptar. Rroftë flamuri shqiptar” Këto ishin fjalët me të cilat ai iu drejtua masës.
“Dashuria” për pushtuesin është një fenomen shqiptar?
Natyrisht ky nuk është fenomen ekskluzivisht shqiptar. Është me rëndësi të veçantë të theksohet që populli i thjeshtë, i pret këto kthesa këto përmbysje me emocionin se ç’po ndodh, çfarë do bëhet. Sepse ndryshimet e hedhin atë në një botë të pasigurte. Kjo është thënë dhe për Italinë në shekullin XIX. Bashkimin vërtet e arriti Garibaldi, por Masimo d’Azelio, një nga personalitetet e larta të kohës tha një shprehje që eksiziton në tekste: “Italia e fato, bisogno la fare la italiano”. Këto fjalë i kopjoi dhe i botoi në gazetën e Vlorës, Kristo Floqi me një përshtatje. Ai tha: “Shqipëria u bë, tani të bëjmë shqiptarët”. Në këtë mënyrë Ismail Qemali iu vu një detyre shumë të rëndë. Jo vetëm nga pikëpamja e situatës së brendshme, por dhe nga situata në planin ndërkombëtar. Unë nuk e kam thënë në libër por mendoj se populli shqiptar, në ato vite, ka qenë më i prapambeturi në Ballkan.
Çfarë ka ndikuar që ai të rreshtohej në fund të listës?
Mendoj se ka ndikuar konvertimi i fesë. Praktikisht shqiptarët u integruan në fenë islame. Faik Konica në gazetën e tij “Albania” që në vitin 1900 thoshe: “O shqiptar, thuaj ‘jam mysliman’, mos thuaj që ‘jam turk’”
Fuqitë e mëdha, sa e penguan apo sa e ndihmuan Pavarësinë shqiptare?
Këtë e kam trajtuar gjerësisht sidomos Konferencën e Ambasadorëve në 1912-1913. Këtu është trajtuar çështja shqiptare në tre aspekte. Pikës së pari: Si do të ishte statusi i saj, pavarësia apo një lloj tjetër. Fillimisht Konferenca nuk e njohu Pavarësinë dhe pse e Kuvendi i Vlorës shpalli atë që Luigj Gurakuqi e cilësoi: “e mosvarme”. Vendimi i tyre në 17 dhjetor 1912 mori këtë vendim. Kurse në Londër u tha: Shqipëria të bëhet shtet autonom nën sovranitetin apo suzerainitetin e sulltanit. Këto janë koncepte krejt të kundërta. Pra nuk ishte shkëputje. Suzerainiteti është një lloj pavarësie, por ai që është në këtë vartësi quhet vasal. Edhe po të shikosh shtetet ballkanike kanë qenë për një kohë të gjatë vasalë të Portet së Lartë, ndërsa pavarësinë e plotë e krijuan pas Kongresit të Berlinit më 1878. Kjo ndodhi si me Serbinë, Bullgarinë e Greqinë. Si të thuash, ishte një formulë që Fuqitë e Mëdha e kishin të përshtatshme për vendet e prapambetura. Pavarësia e Shqipërisë u njoh 7 muaj më pas në Protokollin e 29 korrikut 1912, kur të gjithë votuan për Principatën Shqiptare.
Po problemi i kufijve?
Çështja e dytë kishte të bënte me kufijtë. Pikërisht aty u bë dhe nami. Shqipëria u la me 28 mijë kilometra katrore dhe një popullsi prej 800 mijë banorësh. Gjysma e territorit dhe e popullsisë u la jashtë këtyre kufijve. Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” organ i qeverisë së Vlorës u shkrua: “U bë Shqipëria një pëllëmbë e gjatë dhe gjysmë pëllëmbe e gjerë”. Kjo ishte një padrejtësi. Ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grei, ishte kryetari i Konferencës së Ambasadorëve. Ai në maj 1913 bëri një deklaratë në dhomën e Komunës, ku tha: “Duke e parë çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale do të ketë shumë vërejtje, por qëllimi ka qenë që të rruhet marrëveshja midis Fuqive të Mëdha, harmonia mes tyre, dhe ne bëmë gjënë më të mirë që ruajtëm paqen në Evropë”. Praktikisht marrëveshjen e bënë duke ndarë tokat shqiptare e duke i shkelur të drejtat asaj. Grei e pranoi që kishte copëtim të tokave shqiptare, por e justifikoi.
Dhe çështja e tretë...?
Çështja e tretë kishte të bënte me organizimin e brendshëm. Por edhe këtu kishte ndërhyrje. Kuvendi i Vlorës, jo vetëm shpalli Pavarësinë, por formoi qeverinë e parë kombëtare me kryeministër Ismail Qemalin si dhe Vlorën kryeqytet. Kjo qeveri pati një jetë të shkurtër dhe e kishte aktivitetin në një territor shumë të kufizuar. Por edhe pse në kushte të vështira në 14 muaj kjo Qeveri arriti të bënte diçka. Këtë e thonë raportet e konsujve të huaj.

-Esat Toptani, si e shkatërroi Vidin me kryengritjen fshatare-
Arben Puto: "Theksoj që përfaqësuesit e Fuqive, konsujt, gjatë muajve të qeverisë së parë shqiptare kanë qenë të gjithë në Vlorë dhe për çdo çështje që dilte, mbanin kontakte personalisht me Ismail Qemalin. Në këtë periudhë kohe nuk bëhej fjalë as për Durrësin e as për Esat Toptanin. Këtë unë e kam interpretuar si një njohje të përkohshme, “de fakto”, që i bënë Fuqitë e Mëdha qeverisë së Vlorës. Kjo shpjegohet dhe me qëndrimin e Austro-Hungarisë që ishte për një shtet shqiptarë me kufij më të zgjeruar, dhe që e përkrahte Qeverinë e Vlorës duke e cilësuar si një bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Por së fundi as Austro-Hungaria nuk e njohu shtetin Shqiptar, megjithëse konsujt qëndruan shumë kohë pranë qeverisë së Vlorës duke bërë lloj-lloj raportesh. Gjithsesi në fund u tërhoq. Dhe më pas vjen protokolli i vitit 1913, ku Shqipëria e Pavarur u njoh si principatë. Më pas erdhi Princi Vidi që qëndroi shkurt vetë, 6 muaj. Por dhe ai ishte një zgjedhje shumë e gabuar. Madje një gjë të tillë e ka pohuar dhe Ismail Qemali i cili është shprehur: “Po të ishte zgjedhur një më i mirë ndoshta do të ishin kompensuar humbjet”. Kur u krijua principata, u krijua dhe komisioni ndërkombëtar i kontrollit nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, që do të qëndronte mbi të. Pra vetëm formalisht ishte e pavarur. Por realisht ishin dy pushtete, kështu që nga kjo përplasje nuk kishte më vend për qeverinë e Vlorës. Detyra që mori përsipër Komisioni, ishte që të eliminonte qeverinë e Vlorës dhe ia arriti. Në janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen. Por Ismail Qemali kërkoi që edhe Esat Toptani në Shqipërinë e Mesme të jepte dorëheqjen që në këtë mënyrë të hapej rruga për formimin e një qeverie kombëtare. Nga ana e tij Esat Toptani vuri kushte: të ishte në krye të delegacionit që do t’i jepte princ Vidit kurorën, njëkohësisht kërkoi dhe dy portofola në kabinetin e ri, atë të Brendshëm dhe të Luftës. Gjithsesi u detyruan ta pranojnë më në fund me shprehjen: “E pranuam por nuk e aprovuam”. Esati Toptani më pas i vuri minat pushtetit të Princ Vidit, duke nxitur fshatarët e çifligjeve të tij në Shqipërinë e Mesme, e cila ishte një popullsi fshatare e prapambetur e fanatike, se nuk kishin pse të drejtoheshin nga një princ i Krishterë. Pra ishte një lëvizje e nxitur prej tij për të minuar qeverinë sepse donte të ishte vetë në krye. Por u zbulua, sepse mbante lidhje me kryengritësit, por kishte me vete dhe disa agjentë italianë, të cilët nga një kodër e Durrësit jepnin udhëzime se ku duhet të godisnin fshatarët e armatosur. Koloneli Tomson i xhandërmarisë, me urdhër të Princ Vidit, e arreston Esat Toptanin dhe kërkoi që ai të dilet para gjyqit. Por një gjë e tillë nuk u realizua. Italianët insistuan që Esat Toptani të lirohej. Ai jo vetëm u lirua por në Itali e pritën si burrë shteti. Ndërkohë kryengritja vazhdonte dhe sa më tepër kalonte koha aq më tepër ajo merrte një karakter islamik. Më interesante ajo u bë kur kryengritësit u hodhën kundër Esat Pashait, pikërisht sepse ai u lidhe me fuqitë e Antandën, pra me vendet e krishtera, dhe doli kundër Turqisë. Pra, jo vetëm principata ishte një zgjedhje e gabuar, por dhe vetë Princi. Po dhe më e gabuar ishte marrja e Esat Toptanit në kabinet”.

-Ahmet Zogu përballë Ismail Qemalit-
“Në këtë 100 vjetor po bëhen tentativa për ta zbehur Ismail Qemalin dhe për të nxjerrë figurë dominuese Ahmet Zogun. Ai vërtet vuri disa gurë në themelet e shtetin shqiptar, krijoi një rend publik solid me ndihmën e anglezëve, adoptoi disa ligje sipas konventave evropiane, por ishte diktator. Në regjimin e tij nuk kishte parti politike, liri fjale dhe ai kishte një politikë shtypëse ekstreme. Në kryengritjen e Fierit firmosi 50 dënime me vdekje, aq sa u sensibilizua dhe opinioni ndërkombëtar. Erdhi në pushtet në vitin 1924 me ndihmën serbe, ku bëri një marrëveshje me kryeministrit, Nikolla Pashiq. Ai e ndihmoi të vinte në pushtet, ndërsa Zogu i dhuroi Shën Naumin. Por më e rëndësishmja është se Zogu mori përsipër të luftojë lëvizjen kosovare, dhe e bëri një gjë të tillë, duke vrarë Bajram Currin e më pas Hasan Prishtinën, por dhe duke heshtur përballë reprezaljeve që serbët bënin në Kosovë. Pra, nuk ka asnjë shans që në këtë 100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë, të afirmohet Ahmet Zogu duke ulur staturën e Ismail Qemalit”, thotë Arben Puto.

- Enver Hoxha detyroi historianët të vlerësonin Haxhi Qamilin-
Historiani i njohur Arben Puto duke folur për librin e tij “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha” botimi i vitit ’78 thotë se i duhej të pasqyronte doemos versionet zyrtare, që ishin të imponuara, edhe pse një gjë e tillë nuk ishin në bindje të historianit. “Duheshin referuar qëndrimet zyrtare që kishin të bënin me pavarësinë e Shqipërisë, ku duheshin trajtuar dhe pikëpamjet e Enver Hoxhës për këtë çështje. Por unë nuk e kisha parë të arsyeshme t’i fusja këto mendime edhe pse në fakt nuk dija që deri atëherë Enver Hoxha të kishte shkruar ndonjë artikull për Pavarësinë. Më vonë në veprën 23 të tij u botua dhe një artikull rreth Pavarësisë, dhe natyrisht unë e mora në konsideratë. Por ajo që e rëndonte më shumë botimin e parë, (gjë që ishte dhe te të gjitha tekstet e historisë) ishte versioni i dhënë për kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Nuk mund të mohohet sfondi social i kësaj kryengritje fshatare, por duhet theksuar se orientimi kryesor i saj ishte bashkimi me Turqinë. “Dum babën” kjo ishte parulla. Por Enver Hoxha e kishte merak luftën e klasave ndaj dhe e qëmtonte këtë luftën në historinë e Shqipërisë. Kështu që këtu u përqendruan historianët. Instituti i historisë e kundërshtoi këtë teze. Por instituti i Historisë u thirr në mbledhje të Byrosë Politike. Unë nuk mora pjesë por ata që u morën u gjendën përpara detyrës së imponuar që t’i përshtateshin këtij fakti. Por kjo nuk ka qenë bindja ime dhe as e kolegëve të mij. Por të gjitha tekstet e kësaj kohe që mos i përmbahej kësaj teze. Botimin e dytë duhet ta lehtësoja nga ngarkesa e theksuar ideologjike. Por doemos kishin kaluar 35 vjet dhe historia nuk mbetet në një pikë të vdekur”.

-Historiografia shqiptare-
Arben Puto thotë: “Figura e Ismail Qemalit ka dominuar gjithnjë në përvjetorët e pavarësisë. Që kur ishim fëmijë u mësuam që Ismail Qemali ishte ai që ngriti flamurin në Vlorë. Pra, ai e shpalli Pavarësinë. Sepse para çlirimit s’ka pasur kurrfarë historiografie, nuk kishte tekste historie. Historiografia filloi të merrte përmasa të gjëra pas vitit 1945. Padyshim që në vitet e komunizmit kishte ngarkesa ideologjike, por kishte dhe fakte historike. Kjo nuk hidhet poshtë”.

-Profesori i historisë-
Arben Puto lindi në Gjirokastër në 1924. Mësimet parauniversitare e kreu në Liceun francez të Korçës (1935-1939), në Liceun francez dhe Liceun klasik në Romë. Mori pjesë në LANÇ, fillimisht në Gjirokastër pastaj në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas çlirimit në gjimnazin e "Tiranës" më 1946. Studimet e larta i kreu në Moskë në Fakultetin e Drejtësisë dhe i përfundoi më 1951 në degën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Me hapjen e UT-së më 1957 punoi si pedagog deri më 1990.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 24 nëntor 2012



Thursday, November 3, 2016

Impresion/ Kliton Nesturi sjell 10 tregime për të na rrëfyer dy epoka

 nga Leonard Veizi 

Pas “I huaj në shtëpi” dhe “Histori tangjente”, Kliton Nesturi vjen me një tjetër vëllim të ri me tregime: “Spaletat”. 

Kur një epokë zëvendëson një tjetër, zakonisht ndodh që ngjarjet ta humbasin ekuilibrin dhe rivendosja e tyre arrihet me një tjetër standard. Dhe të duash të flasësh për ngjarje që ndodhin në një demokraci tranzite, por që zanafillën e kanë prej një diktature traumatike, këtu çështja bëhet fort e komplikuar. Sepse dy epokat që i ndan një fill i hollë si “Muri i Berlinit”, ndajnë dhe psikologji krejt të ndryshme. Por edhe pse duken aq të largëta, ato janë në vazhdimësi të pandërprerë. Këtu çështja duket sikur thjeshtësohet ca. Prandaj ndodh që edhe nga disa tema tregimesh, që mbajnë një titull të vetëm mbi libër, mund të njohësh një epokë amalgamë, psikologjinë njerëzore dhe fate që rrokullisen në një humbellë të thellë.
Kliton Nesturi, një shkrimtar me 6 a 7 botime letrare e një karrierë të gjatë si realizues dokumentaresh; pra një vëzhgues i hollë ngjarjesh që di t’i materializojë në mënyrë krejt artistike, kërkon të na vërë në provë duke na dhënë një titull, për të “shitur” të gjithë vëllimin. “Spaletat” edhe pse një fjalë e vetme është po aq intriguese sa dhe një togfjalësh ritmik. Dhe padyshim, duke qenë se autori nuk e ka kostumin e tregtarit, e në pamje të parë të jep përshtypjen e një shitësi pa përvojë, opinioni i tij i pashprehur duket se adoptohet thjeshtësisht me shprehjen statike: “o të gjitha o asnjërën”. Thënë shkurt: duhet lexuar i gjithë libri për të dalë në të njëjtin përfundim. Ose thënë ndryshe: nëse i ke lexuar të dhjetë tregimet, me siguri ke marrë dhe shijen e një romani.Vëllimi në fjalë ka përkujdesjen Shtëpisë Botuese “Omsca-1”, ndërsa për redaktor mban emrin e një mjeshtri të gjuhës shqipe siç është Loredan Bubani. Kjo na jep garanci, apo bën të besojmë që ende pa e prekur librin fizikisht, se kemi të bëjmë me një letërsi serioze dhe të kualifikuar.
“Spaletat” është vetëm një tregim i Nesturit, por duke mbajtur mbi supe peshën e të gjithë vëllimit që përfaqëson, qoftë dhe simbolikisht, të dhjetë tregimet që përmban vëllimi janë përfshirë nën të njëjtën logo. Në këtë mënyrë duke i vendosur titujt si në një “pazëll” arrijmë të formojmë një mozaik ngjarjesh e të njihemi me plot personazhe që kanë identitet të shformuar, ku mund të ndjekësh si në një kaleidoskop klasik realitete të trishta jetësore.
Për shumëkënd “Bulevardi Stalin” është një term i panjohur, ose i harruar prej kohës, por Nesturi e risjell në vëmendje për të rrëfyer një dramë, e cila ndodh pikërisht në këtë segment që mban për emër ndoshta figurën më problematike të epokës së komunizmit. Dhe nëse personazhi kryesor që ka apartamentin në një nga pallatet buzë këtij bulevardi, internohet për motive politike, edhe vetë simbolika e titullit të jep të kuptosh më shumë se kaq.
Ndërsa tek “Curiculum Vitae” kemi të bëjmë me atë që unë do ta cilësoja si “ndeshje qytetërimesh”. Një femër me një jetëshkrim krejt intelektual, ku bie në sy vendlindja në një kryeqytet evropian, i duhet të përballet në zyrat e shtetit me një drejtor të ardhur nga fshati, i cili ka meritë vetëm ulërimat për partinë në fushatë elektorale, dhe që si njësi matëse për të rekrutuar personelin njeh vetëm një kandar: instinktin seksual që kërkon ta përdorë dhe si një revansh për kohën e humbur në baltë.
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Më tej, një bukiniste, (nëse do ta quajmë kështu) po shet, jo pa dhimbje, të vetmen pasuri që i ka mbetur në shtëpi; një bibliotekë. I duhet të mbijetojë në një botë nuk ka asnjë rregull, dhe që e ka shndërruar nga një juriste në një shitëse librash.
Dhe tregimet vazhdojnë me radhë...
“Por kaq sa për të cytur kureshtjen e lexuesit, - do të shkruante dikur Virgjil Muçi. - Për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së cilës, siç na kumton Nesturi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë njëkohësisht”.
Për Kliton Nesturin, si një shkrimtar në përvojë në prozë e poezi, duket se tregimi mbetet gjinia e tij më e preferuar, përderisa me “Spaletat” e rrit në tre numrin e botimeve në këtë gjini letrare. 

Botuar në: http://www.tiranaobserver.al/impresion-kliton-nesturi-sjell-10-tregime-per-te-na-rrefyer-dy-epoka/
  



Tuesday, November 1, 2016

Portret/ Rezarta Reçi: Unë, gazetarja që dua të iki e re nga kjo jetë... në lëvizje

Rezarta Reçi
nga Leonard Veizi

Të vish në këtë botë kur nuk e di se pse je ti, zgjedhja... Të ikësh prej saj e qetë, me një vetëdashje misterioze... Mbase nuk është aq e trishtueshme sa duket. Mbase... “Do ishte mirë të mos kishte vdekje” i them Rezit të “News”-it, siç jam mësuar t’i them vitet e fundit, teksa zbresim ato 4 shkallë të godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa brenda tij ndodhej trupi i pajetë i një artisti, rreth të cilit bëhen homazhet e fundit. “Të gjithë rendim drejt fundit, - ma kthen ajo. - Por unë dua të iki nga kjo jetë më shpejt. Teksa jam në lëvizje. E re”. Mbetem i befasuar. Hutohem pak. Pastaj qetësohem sërish. Nuk dua ta pyes Rezin: Pse?
Në arsyetimin tim herë të cekët e herë më të thelluar e gjej përgjigjen. Mbase, mund të jetë pak më e gëzueshme nga sa mund ta mendosh. E sërish kjo është dilema e përditshme e jetë-vdekjes. Por, nëse i ke mbaruar detyrimet që të kanë marrë pjesën më të madhe të jetës dhe s’të ka mbetur gjë e lënë në mes, mund të kërkosh të ikësh pak më shpejt. Kush djallin e duron plakjen, dhimbjen e shtyllës kurrizore, artritin, aritminë e zemrës... kancerin. Është një kërkesë e natyrshme brenda jo të natyrshmes, sigurisht. Sepse je ti ai që e di se energjia e mbetur do vazhdojë të të lejojë të buzëqeshësh, kur të tjerët e kanë marrë seriozisht atë që do t’u mungojë më pas.
Ti lemë argumentet. ...E gjitha kjo është një shaka sigurisht... 
Është vetëm një togfjalësh, një ide e hedhur në hapësirë. Asgjë më shumë se kaq. Mundohem të shoh ndonjë gjurmë trishtimi tek Rezarta. Asgjë në pamjen e parë. Madje dhe po t’i hidhja një vështrim të imët e kurajoz, sërish asnjë gjurmë trishtimi nuk do të gjeja. Veç një gazi të çlirët, gati të pambrojtur, që tingëllon si një qelq i hollë tek thyhet mbi syprinën e mermertë. E pra, tanimë s’ka asgjë të panjohur për të, për jetën dhe për vdekjen sigurisht. Dhe për pasvdekjen askush s’do mund ta pyesë më...
Është ajo, Rezarta Reçi, tashmë një ikonë e ekranit televiziv, e palodhur, energjike, me një serial pyetjesh në mikrofonin e saj që herë-herë duket sikur nuk duan të mbarojnë. Po ashtu, pyetjeve të mia, ajo i përgjigjet me po të njëjtën shpejtësi, krejt e shpenguar si për të konkurruar ethshëm në drejtimin e kundërt të kahut të saj. Në këtë lëvizje të shpejtë ajo ka fituar, madje edhe kur është tunduar t’i përgjigjet ekstremisht një pyetjeje krejt të tejskajshme...
Shkojmë të pimë një kafe aty pranë. Te “Noeli”. Artisë e gazetarë gjen nëpër shkallë e bar. Unë dua të bëj një intervistë me të. Pastaj ndërroj mendje. Më mirë të gdhend një portret, mendoj. Nëse ia dal, sigurisht. E për çfarë duhen intervistat në fund të fundit: njëri pyet, tjetri përgjigjet... Mos është një kurth ku ne gazetarët biem dhe kur s’duam?
Çështje profesioni.
Je bërë shumë e njohur, i them. Por ka dhe nga ata që nuk të njohin. Rezi qesh. Ajo ka një natyrë të butë. Nuk konfliktohet asnjëherë. Të bëjë sherr as që mendohet. E ka më të lehtë të hapë rrugë, teksa tjetri mund të ketë qejf të mburret në idiotësinë e tij. Emisioni i përjavshëm që transmetohet çdo të shtunë në “News24” prej 10 vitesh, me një titull intrigues “Arratia e Peshkut të Kuq”, tashmë më ka bërë të njohur dhe të vlefshme për një pjesë të komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. “Janë me qindra personazhet e intervistuar nga unë me mikrofon, - më thotë. - Janë të shumta temat e trajtuara dhe karakteret e zbuluar, janë qindra orë transmetimi radiofonik dhe televiziv gjatë të cilave kam përçuar veten time, kulturën dhe formimin tim, kam ngritur ura komunikimi me njerëz të njohur dhe të panjohur, duke përvijuar kështu edhe portretin tim profesional. Me pak fjalë, Rezarta është gazetarja, e diplomuar për shkenca politike, që pas viteve ‘90 nuk iu nda për asnjë çast trajtimit në mënyrë të kulturuar dhe me finesë të problemeve dhe personazheve që kanë lidhje me sferat sociale, kulturore dhe artistike”.
Epo prezantimi u bë, s’na mbetet gjë tjetër veç të futemi drejt e në temë. Ta shohim Rezin më thellë, të bëjmë të njohur diçka që nuk e transmeton dot përmes pamjes në ekran apo zërit të saj. E pyes pse ka zgjedhur të bëjë gazetaren: Çfarë të ka tërhequr? “Komunikimi, - thotë shkurt. Dhe për më gjatë vazhdon: - Më pëlqen të jem vazhdimisht në kontakte të drejtpërdrejta me persona që shndërrohen në personazhe falë komunikimit, të cilët kanë se çfarë të rrëfejnë, kanë kontribuar me jetët e tyre dhe transmetojnë mesazhe. Për të shtuar këtu, që profesioni që unë kam tashmë lidhet dhe me një ëndërr time të fëmijërisë, që fati dhe këmbëngulja ime ma bënë pothuajse të realizueshme”.
A keni menduar ndonjëherë ta braktisni?
Pyetja është e menjëhershme. Përgjigja nuk vonon: “Janë bërë mbi 20 vite qëkurse nga një studio hijerëndë e Radio-Tiranës, përmes një mikrofoni që ende vazhdon të mbetet i shenjtë, iu drejtova një auditori sa imagjinar aq dhe real me ciklin e emisioneve: “Tema dhe Dilema”. Tashmë është e vërtetë që pas kaq vitesh kam edhe unë dilemat e mia për kohëzgjatjen në këtë profesion. Por e di? Sapo takoj personazhin e radhës dhe përfshihem në realizimin e një tjetër emisioni, i harroj dilemat. mbetet vetëm tema”.
E mbaj mend mirë Rezartën në Radio-Tirana. Ajo guxoi të më ftonte në studion e saj. Them guxoi pasi unë sapo kisha nxjerrë librin tim të parë, një vëllim me novela. Asokohe Radio-Tirana ishte e vetmja dhe me një audiencë të plotë. Ishte viti 1997. E regjistrova atë bisedë. E ruaj në një kasetë “HF” 60 minutëshe, model i vjetër. Sot është ndryshe, shkarkohen drejt në hard-disk. Mund ta hedhësh në FB, ose në Youtube.
Ajo ka një zë magjik. Kështu e konsiderojnë të paktën. Shumëkush vazhdon ta ruajë në kujtesë vetëm nga zëri. “Në transmetimet radiofonike arrita të krijojë imazhin e një figure, të cilës mund t’i besoje rrëfimet më të thella, më tronditëse dhe me të fshehta të shpirtrave njerëzorë, - thotë Rezi. - Por edhe ky trishtim, kjo dhimbje e madh që vërshonte gjatë komunikimit radiofonik më bëri të lumturohem dikur kur në një lokal në plazhin e Durrësit arrita të takohem me fansat e mi, me të cilët njiheshim vetëm nga zëri”.
Profesion i bukur gazetaria, të jep vazhdimisht impulse. Por i vështirë. Edhe për një mashkull madje. Kam më shumë se 20 vjet që e bëj vetë një punë të tillë. Nuk ia kam nxjerrë fundin ende. Tek e pyes nëse ndihet e privuar për shkak të profesionit, ajo më thotë: “Nuk e kam ndjerë këtë. Ndofta është shtuar herë pas herë doza e kënaqësisë, kur të komplimentojnë apo të urojnë njerëz të panjohur. Ndërsa gjithçka tjetër rrjedh thjeshtësisht siç është dhe vetë natyra ime, por edhe vetë mënyra ime e të jetuarit”.
Prej një kohe të gjatë ajo vazhdon e merret me personazhe të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Si e ndjen veten pranë tyre, e pyes: “Si mes miqsh, - më thotë. - Pothuajse të gjithë ato që kam njohur, takuar dhe që më pas janë bërë personazhe të emisioneve të mia janë shndërruar tashmë në miqtë e mi të mirë, tek të cilët mund të mbështetem realisht në çaste të ndryshme, ndonëse koha na bën të patakueshëm a të largët”.
“Arratia e Peshkut të Kuq” është një format i saji origjinal, i konsoliduar me kalimin e viteve. “Gjithçka është fryt i fantazisë sime dhe i frymës së bashkëpunimit me personazhet që më mbështesin me dashamirësi. Më kanë hapur me bujari shtëpitë e tyre, por jo vetëm kaq. Kanë thënë dhe zbuluar edhe strehëza të veçanta të shpirtrave të tyre dhe nuk janë penduar. Unë i falënderoj me të vërtetë”.
Më shtyn kureshtia ta pyes se çfarë ka ruajtur nga këta personazhe. “Kam një arkiv të mirë me një pjesë të emisioneve të realizuara në radio dhe televizion. Kam shënime-mbresash, kam vlerësime të veçanta nga personazhe të ndryshëm. Kam shumë libra dhe piktura të dhuruara me kënaqësi. Kam dhe një album të mrekullueshëm me foto të përbashkëta, me pothuajse të gjithë personazhet e intervistuara, të cilin sa herë që e shfletoj më bën të eci mbrapsht në rrjedhën e kohës dhe të kujtimeve. Nuk e di se çfarë do të bëhet me to kur të mos jem më, por hë për hë rrugëtojmë së bashku”.
Nuk dua të bëhem i bezdisshëm, por kjo punë kështu e ka. E pyes se si ndihet për personazhet që ikin nga kjo jetë? “Ndjej dhimbje për miqtë e mi- personazhe, të cilët kanë ikur nga jeta për të mbetur në arkivin tim të kujtesës, të fotove, të emisioneve të realizuara dhe një pjese të tyre ende nuk arrij t’i heq as emrin, as numrin e regjistruar në celular”.
I ndjek çdo të shtunë personazhet e Rezit. Janë biseda të këndshme. Ndonjëherë të dielave në ritransmetim. Sa janë bërë? “Nuk jam tip i statistikave, - ma kthen ajo. - Por afro 500”. Shumë. Dhe çfarë ke fituar nga eksperienca e tyre? “Riformatimin tim të vazhdueshëm”.
Nuk dua përgjigje më të gjatë. Ç’i do fjalët e tepërta.
E teksa pimë kafenë mendoj se ka ardhur çasti të flasim pak për jetën e saj private. Çdo javë një personazh. Punë e ngjeshur. Keni kohë të lirë? “Kur kam mundohem të ndjek jetën kulturore artistike që na ofron kryeqyteti, ndonjë kafe me shoqërinë, një gotë verë me miqtë dhe fundjavave çlodhem nëse e kaloj pranë detit”.
Ajo lexon vazhdimisht. Më qëllon që sa herë takohemi të flasim për botimet e fundit. E pyes për raportet me librin: “Vazhdoj të jem ende e magjepsur pas tij, - më thotë. - Siç dhe vazhdon dashuria ime e hershme për librin dhe njerëzit e tij, të cilët ndikuan në formimin dhe plotësimin tim. Tashmë jam në një fazë që përzgjedh çfarë lexoj dhe i gëzohem akoma pasurimit të bibliotekës familjare që nuk është e vogël”.
Po familja? Kujtohem sikur kam bërë ndonjë mëkat. Rezarta sërish buzëqesh dhe thotë: “Familja ime është e vogël në numër por e madhe në mbështetjen që më ka dhënë për t'u ndjerë e lirë ne realizimin tim si grua dhe si profesioniste. Nuk ndjehet mungesa ime sepse gjej forma dhe mënyra për të qenë prezent. Me shaka po ju them se një pjesë e mureve dhe e bibliotekës janë të zbukuruara nga fotot e mia dhe... pra: Unë jam”.
Ndërkohë ajo më tregon se është fort e lidhur dhe me vajzën e saj. “Iva, kështu quhet vajza ime, më ngjan në pamje, në karakter ka marrë nga im shoq. Tashmë është një vajzë e rritur, e diplomuar, nuk i pëlqen dhe aq “të shesë mend me mua”, por është e vetëdijshme se tek unë ka miken e thellë që nuk do ta tradhtonte për asnjë lloj arsyeje”.
E pyes për lumturinë. Ç’është e vërteta ndonjëherë më del si koncept disi absurd. Por Rezarta e ka një përgjigje: “Jam ndjerë e lumtur kur arrita t’u dhuroj një buqetë me Margarita të bardha prindërve të mi të dashur në 50 vjetorin e martesës së tyre, së bashku me nderimin tim për një jetë të tillë të gjatë e me sakrifica, me përkushtim dhe me dashuri. E lumtur jam ndjerë në ditën e diplomimit të vajzës tonë Iva. Janë shumë çaste në të cilat unë e kam prekur lumturinë dhe të gjitha së bashku më bëjnë të ndjehem kryesisht një grua me botë të pasur shpirtërore që kërkon gjithnjë lëvizjen dhe intensitetin e të jetuarit”.
Marr frymë thellë. E kishim harruar vdekjen me të cilën nisëm bisedën. Po flisnim për jetën.
Rezarta Reçi dhe Leonard Veizi
Sa herë e takoj ajo është e qeshur. Nuk di si sillesh kur nuk je në humor, i them. “Ose takoj shumë njerëz me të cilët nuk më lidhin gjëra të rëndësishme, ose ec pa mendje me makinë duke dëgjuar muzikë, ose nuk ngrihem fare nga shtrati por kjo është shumë vrastare, ose, ose vishem shumë bukur dhe trukohem shumë mirë. Miqve mundohem tua fsheh trishtimin tim sepse preferoj që me njerëzit që dua të ndaj gjëra të bukura. E thamë që jeta është e shkurtër, nuk kemi shumë kohë për të humbur”.
Mund të flasim edhe më gjatë me Rezin e “News”-it, por dua ta mbyll këtu. Prandaj e pyes: Nuk di si të ta përshkruaj karakterin, pse nuk ma thua ti? Ajo përqendrohet vetëm në dy sekonda... “Paqësore, tolerante, meditative dhe e heshtur, kokëfortë paksa, romantike dhe ëndërrimtare, një peshk që i pëlqen të notojë në ujëra të qeta dhe të paturbulluara, e dashuruar me të bukurën, finesën dhe elegancën, e vetëdijshme për rendjen e shpejtë të kohës që nuk kthehet më”.



Postuar në ResPublica 31 Tetor, 2014