Thursday, August 27, 2020

Debati shterpë mbi shqipen standarde



Nga Leonard Veizi

A duhet ta përmbysim gjuhën e sotshme të njësuar, me të cilën komunikojmë e shkruajmë dhe të formojmë një tjetër të normuar? Në 30 vitet e fundit, gjuhës shqipe, asaj që cilësohet si “standard”, i është rënë në qafë vazhdueshëm. Debati hapet e rihapet sapo në shtyp ndonjë individ apo grupim i caktuar më shumë se sa një ankesë rreth saj, hedh një frymë mllefi dhe kërkon tryezë për zgjidhje. Debati ashpërsohet, madje bëhet fyes, kur prononcohet ndonjë zë i fuqishëm që dhe rezonancën e ka më të lartë.
Këtë herë u bë shkak botimi nga ana e grupit mediatik “Fjala” i një fragmenti interviste dhënë nga Ismail Kadareja, për revistën “Hylli i dritës”, ku mes të tjerash shkrimtari i përgjigjej një pyetjeje rreth njësimit të gjuhës dhe drejtshkrimit. Edhe pse shumë i ekuilibruar në përgjigjen e tij, Kadareja sërish u bë objekti i shënjestrës. E si gjithmonë në kësi rastesh, ca shanin e mbronin shkrimtarin e ca të tjerë shanin e mbronin standardin e shqipes. “Thembra e Akilit” që ngriti sërish mllefin e vjetër është se, sipas disa zërave, standardi i sotshëm me bazë dialektin toskë, i ka rënë në qafë gegnishtes.
Specialistët më të mirë të gjuhës, që janë marrë drejtpërdrejt me këtë punë, ca me origjinë nga Jugu i Shqipërisë e ca të tjerë më shumë se kaq nga Veriu, nuk e pranojnë këtë formulë, sepse, sipas tyre, parimi organizues i standardit të sotëm është të ruhet sa më e plotë struktura fonetike e morfologjike e fjalës shqipe.
Tentativa e parë për ta shprishur standardin dhe për të krijuar një hibrid të ri, ishte ajo e vitit 1992, ku katedra e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” shtroi për diskutim: A qe shkencërisht e drejtë zgjidhja e Kongresit të Drejtshkrimit? Pas kësaj pati një deklaratë që sipas krerëve të kësaj nisme u nënshkrua nga jo pak, por 420 gjuhëtarë shkodranë. Pak si shumë specialistë për një qytet, kur një fakt kishte dhe një grupim tjetër gjuhëtarësh që nuk ishin aspak dakord me atë çfarë parashtronin nënëshkruesit e së parës.
Gjuhëtari i njohur Xhevat Lloshi, dikur delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, thotë se po të ndodhë kjo, pra nëse do të ketë ndërhyrje në bazën e gjuhës, pështjellimi do të ishte i përhershëm në sistemin tonë arsimor, duke nisur që me abetaren, por sidomos duke ua çoroditur mendjen mësuesve dhe duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit shpenzime marramendëse për t’i rikualifikuar arsimtarët dhe gjithë të tjerët.
Deklarata e gjuhëtarëve të Shkodrës nuk pati ndonjë sukses, edhe pse një tullë e rëndë mbi mur u vendos nga Arshi Pipa, që ato ditë ndodhej në qytet dhe ishte i ftuar në tubim. Madje, për t’i dhënë vlerë pyetjes së parë që ishte shtruar për zgjidhje, në diskutim ishte hedhur dhe një pyetje e dytë: Cili qe roli i partisë-shtet dhe personalisht i Enver Hoxhës në këtë proces?
Në tryezën e rrumbullakët, ideuar enkas për këtë rast, u përfaqësuan dy rryma, ku e para ishte radikale në mosnjohjen e Kongresit të Drejtshkrimit dhe e dyta e moderuar, që kërkonte përmirësime të cilat do ta bënin standardin të pranueshëm nga të gjithë.
“Në fillim me ngut, u shpreh kërkesa për t’i përmbysur vendimet e atij forumi mbarëkombëtar dhe nëpërmjet një kongresi tjetër, të kalohej edhe te një anarki gjuhësore. Dëshmia më e qartë është e ashtuquajtura Deklaratë e gjuhëtarëve të Shkodrës më 1992. Në veçanti duhet vënë në dukje, se u gjet një grup i vogël njerëzish edhe në Prishtinë, i cili ishte i gatshëm ta shkallmonte frymën e Konsultës aq vendimtare të Prishtinës të vitit 1968 dhe të hapte rrugën për realizimin e synimeve serbomadhe të kahershme për ta përçarë kombin shqiptar edhe nëpërmjet sajimit të dy gjuhëve të ndryshme”, është shprehur në një interviste Profesor Xhevat Lloshi, të cilën e kam botuar gushtin e vitit 2015 me titullin "Këshilli Ndërakademik, “jeniçeri” me prapavijë politike që kërkon shkatërrimin e shqipes standarde”.
Çështja e gjuhës së njësuar, që favorizon një dialekt dhe lë në hije një tjetër, me të drejtë ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm. Por gjithsesi, vështirë që një patformë e madhe, siç ishte ajo e njësimit të gjuhës, të dy dialektet bazë të përfaqësoheshin “50% me 50%”.
Gjuhëtari nga shkodra, Davit Luka, në një shkrim të botuar prej tij shkruan se

“Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standarde” dhe kjo ishte publikuar në veprën e Xhenet Bajron botuar në vitin 1976. Por ky pohim ishte kundërshtuar prerazi nga Androkli Kostallari që ishte dhe kreu i përgatitjes së punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.
Por Kongresi i ‘72-shit, dhe vendosja e toskërishtes në bazën e gjuhës së njësuar, i atribuohet Enver Hoxhës, si një ndërmarrje gati personale e tij, po aq inspirues e organizator. Dhe kjo i vendos palët në një konflikt që rrëshqet nga rrafshi shkencor dhe futet në debatin politik. Ndërkohë “standardi” rezistoi 18 vite i qetë në regjimin komunist, dhe gati dy herë më shumë në kohë, edhe pse i trazuar, gjatë viteve të pluripartitizmit. Megjithatë, duhet thënë se ndikimi i toskërishtes në fakt “hyri në fuqi” që prej vitit 1945.
Gjithsesi, Kongresi i Drejtshkrimit, nuk ka qenë akti i parë normativizues në historinë e standardizimit të shqipes. Ai ka pasur pararendës.
Çështja e standardizimit të gjuhës nuk është se ka nisur pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunistëve në fuqi. Këtë çështje e ka pasur në fokus edhe mbreti Ahmet Zogu, pavarësisht se nuk pati mundësinë për ta përfunduar këtë proces. Gjatë monarkisë nuk pati ndonjë aktivitet shkencor që të merrej me standardizimin e shqipes, por shkresat e administratës shkruheshin në gegnisht. A priori kjo donte të thoshte se nëse do të arrihej një marrëveshje për standardizim, ajo do të bëhej mbi bazën e gegnishtes.
Pra, çështja e të pasurit të një gjuhe të unifikuar nuk është se lindi në vitin 1967 dhe u sanksionua në ’72-shin. Në vitin 1916, periudhë që i përket Luftës së Parë Botërore, nisi punën “Komisia Letrare e Shkodrës”. Sa për saktësim kjo Komisi ishte një nismë e Akademisë së Shkencave të Vjenës dhe nën mbrojtjen e trupave austro-hungareze që kontrollonin territorin e Shkodrës. E meqë austrohungarezët ishin dhe “kumbarë” të shtetit shqiptar, ishin të interesuar që Shqipëria të kishte dhe një gjuhë zyrtare administrative. Kështu hidhet edhe një hap tjetër i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës shqipe.
Albanologu i njohur austriak, Maksimilian Lamberci, i cili u mor gjatë me dialektet e shqipes, në një studim të tij shkruan: Ndërtimi i dy grupeve dialektore, gegërisht e toskërisht, nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme.
Thënë ndryshe, të dyja dialektet ishin të barazvlefshme për të qenë baza e standardit të ardhshëm. Por meqenëse ai që nisi të drejtojë shtetit pas vitit 1945 ishte nga Jugu, për bazën e standardit u mor toskërishtja, ashtu si para vitit 1939, ku gjuha zyrtare, ajo e administratës, kishte bazë gegnishten. Në të dyja rastet, si Ahmet Zogu edhe Enver Hoxha, vepruan sipas logjikës së Luigjit XIV: “Shteti jam unë”.
Por nuk janë të këtij mendimi specialistët të cilët thonë se afrimi i formës së shkruar të dy dialekteve kishte nisur që në vitin 1916, ku Komisia Letrare, pjesa më e madhe e misëve të së cilës qenë gegë, mori disa vendime, ndër të cilat mospasqyrimi i gjatësisë së zanoreve në shkrim dhe kufizimi i pasqyrimit të hundorësisë do t’i afronte edhe më variantet e shkruara me njëra tjetrën.
Nuk dua t’i futem fare debatit se përse ekipi që punoi zgjodh të punonte mbi një dialekt jugor.
Ne shqiptarët, qoftë ai që është lindur e rritur në skajin më jugor të vendit qoftë ai në skajin më verior të tij, por dhe të gjithë ata që duan e kërkojnë të flasin shqip, që të merren vesh lehtësisht me njëri-tjetrin duhet ta nxënë atë që njihet si varianti i prestigjit e që vitet e fundit ne jemi mësuar ta cilësojmë standard. Pastaj kur secili kthehet në qytetin e tij, në fshatin e tij apo në shtëpinë e tij mund të flasë si t’ia dojë qejfi. Madje, brenda shtëpisë mund të merresh vesh edhe me një gjuhë tjetër që nuk është shqip.
Unë, ashtu si shumë të tjerë, jam partizan i shqipes standarde vetëm për një fakt të thjeshtë, sepse atë gjuhë mësuam në shkollë, atë njohim dhe, pa dyshim i përmbush nevojat tona komunikative në të gjitha sferat e jetës. 
Sa për atë që standardi ka nevojë për përmirësime, nuk besoj se ka njeri që e kundërshton tanimë një gjë të tillë. Veç, vendimet e një kongresi mund të hidhen poshtë me vendimet e një tjetër kongresi, jo me muhabete tavolinash e kafenesh. E në këtë prizëm, kur gjuhëtarët të dakordësohen për vendimet dhe përmirësimet, për futjen e paskajores gege apo heqjen e “ë”-së në disa trajta fjalësh, le të mbledhin Kongresin e Dytë të Drejtshkrimit. Në 30 vitet e fundit fjalë, debate e akuza ka pasur plot, por aksion aspak, për të mos thënë që dhe ato nisma që janë ndërmarrë, kanë dështuar. 

Thursday, August 20, 2020

Shqipëria po plaket


Nga Leonard Veizi
 

Nëse janë informuar në kohë reale, tanimë armiqtë tanë shekullorë po fërkojnë barkun. Nuk do t’u duhet të shpenzojnë para për të stërvitur trupa të rregullta që do t’i lëshojnë tej kufirit për një luftë frontale pushtuese. Edhe nëse ndodh vërtetë, nga pala shqiptare thirrjes “nën armë” do t’i përgjigjen burra në moshë të cilët ca si zor ta mbajnë pushkën krahut dhe ta kenë “syrin e pishës” sa të të lënë top në vend që me goditjen e parë. Le të mendosh se mosha e tretë do të luftojë me tanke, obuz 150 milimetra dhe raketa tokë-ajër.
Shqipëria po plaket.
Lajmin e gjen në gjithfarë portalesh e faqe gazetash nga shtypi i përditshëm, ku i referohen një raporti të përgatitur nga Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy e cila ka në qendër të vëzhgimit normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, mosha mesatare në vitin 2020 është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
Shqipëria po plaket.
Alarmi ka rënë në vesh të shurdhët. Askush nuk guxon të japë udhëzime për t’i kthyer gratë në fabrika të prodhimit të fëmijëve, ku çdo çift të këtë të paktën tre kalamaj e të mendojë për të ardhmen e prosperitetin e vendit.
Këtë e bëri një herë e një kohë Byroja Politike, por me orientim, jo me një vendim të vulosur në të njomë e në të thatë. Gjithsesi, për gratë që i tejkalonin parashikimet dhe rreshtonin në tavolinën e bukës më shumë se 7 fëmijë, kishte bonuse. Qeveria komuniste të jepte një lopë, që ta milje për qumësht e dhallë, dhe një teneqe në formë medalje ku shkruhej motivacioni: “Nënë heroinë”.
Në vitet ‘80 shoku Enver pretendonte se po e bënte Shqipërinë “lule”. Kishim dalë nga Lufta e Dytë Botërore nja 800 a 900 mijë shqiptarë, kush e dinte me saktësi, dhe kur u kap njëmilionëshi aty nga viti ‘45, kaloi pa shumë bujë e festime, sepse nuk e mori vesh njeri. Por që Shqipëria në vitin 1968 u bë me 2 milionë banorë, kjo u njoftua me saktësi. Lindja ishte bërë në maternitetin e Bulqizës dhe fëmija ishte një vajzë. Lajmi iu përcoll me shpejtësi Enver Hoxhës, i cili me cilësinë e komandantit të përgjithshëm vendosi ta pagëzonte vajzën 2 milionëshe me emrin Drita. Sapo kishte përfunduar elektrifikimi i vendit dhe nëpër tavolinat e haresë thuhej se ky ishte emri më i përshtatshëm për një rast të tillë. Komandanti nuk kishte gabuar.
Tetëmbëdhjetë vite më pas statistikat shënuan një rekord të ri që tronditën zyrat e Komitetit Qendror. Në 27 shkurt të vitit 1986, në maternitetin e Memaliajt lindi banori i 3 miliontë i Shqipërisë. Ishte një djalë. Po bëheshim fuqi e madhe. Mosha mesatare ishte 27 vjeç. Kulmi i energjisë. E paparë në tërë Evropën. Këtë herë emri i pagëzimit i takoi shokut Ramiz, si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror, meqenëse komandanti legjendar na kishte “lënë triskat” një vit më parë. Dhe ai e gjeti. Djali u quajt Gëzim. Në ato vite, Shqipëria kishte 65 mijë ushtarë të gatshëm dhe mund të thërriste nën armë për 72 orë rreth 800 mijë burra e gra. Sa për armatim, fishekë, tritol e mina s’kishte shtet që na e kalonte. Syri nuk na e bënte tërrt nga armiqtë.
Në vitin 1989 regjistrimi zyrtar njoftonte se numëroheshin 3.182.400 njerëz brenda kufirit shtetëror. Dhe kështu siç e kishim nisur i 4 milionti do të na vinte shumë shpejt në derë. Largësia prej 18 vitesh që na kish munduar nga dyshi tek treshi duhej shkurtuar.
Shqipëria ishte në zenithin e pjellorisë.
Por në vitin 1990 kufijnë u hapën. Ca nga mali e ca nga deti shqiptarët u lëshuan nëpër Evropë si vaji në lakra. Pak vite më vonë, në një mungesë të plotë informacioni thuhej vetëm një gjë: Shqipëria po hynte në ujë. Shqiptarët po e braktisnin me shpejtësi vendin e tyre. Toka kishte mbetur djerrë dhe ushtria nga 22 divizione kishte përfunduar me nja tre a katër brigada që nuk e plotësonin dot as organikën.
Në vitin 2011, pas censusit zyrtar, pa asnjë lloj entuziasmi këtë herë, u tha përmes televizorit se në Shqipërinë e tranzicionit kishin mbetur 2.831.741 veta. Kishin kaluar 22 vite nga shifra e 3 milionshit, dhe sipas rritjes së pretenduar demografike viti 2011 duhet të na gjente me të paktën 4.5 milionë shqiptarë gjithsej. Realisht ata ishin, veç nuk dihej se ku jetonin. Shumica në Greqi e Itali, por ata më finokët kishin kapur ekstremet e globit, o në Zelandën e Re, o andej nga Kepi i Shpresës së Mirë. Ku s’i gjen shqiptarët e shkretë që punojnë e derdhin djersën për investitorët e huaj. Por dhe për Shqipërinë kujtohen. Reminitancat na mbajnë.
Sot kemi vënë kujën. Shqipëria po plaket.
Veç emigrimit të familjeve të reja faktor tjetër i uljes së popullsisë janë dhe normat e ulëta të lindshmërisë së popullatës në vend. Studiuesit thonë se rënia e lindjeve është një pasojë shumë e rëndë sociale dhe ekonomike për të ardhmen.
Sot në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm forca prodhuese. Në Shqipëri moshat e treta do të rrezikojnë pensionet nëse vazhdohet me këtë ritëm, sepse në arkën e Sigurimeve Shoqërore nuk hidhen aq para sa të sigurohet vazhdimësia.
Procesi i plakjes, pohojnë studiuesit, shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve. Nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune në vazhdim.
Shqipëria po plaket. Nuk po e mbajnë më gjunjët. Statistikat duken të frikshme.
Të paktën specialistët na thonë të vërtetën. Nuk na ngopin me lugën bosh. Shqipëria po boshohet. Kot flasin konspiracionistët se “Klubi i Romës” po merr masa për uljen e numrit të popullsisë në botë. Shqipëria aha, s’ngre kandar hiç. Veç nëse flitet për kalkulime andej nga Kina dhe India. Se Shqipëria me këtë numër popullsie nuk ka nevojë për “operacione” speciale. Këtu vetëm nëse shtohet numri i popullsisë në mënyrë artificiale, si në rastin e ligjit që u jep të drejtë të huajve, të vijnë e të na rrasen këtu në shtëpinë tonë, e të jetojmë së bashku të lumtur në jetë të jetëve.
Duke vazhduar me shpjegimet e tyre specialistët njoftojnë se plakja e popullsisë po sjell pasoja në ekonomi, sepse duhet rritur kapaciteti i kujdesit shoqëror dhe shëndetësor për më shumë persona; shpenzimet për pensionet rriten, por ulet numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Dhe si për t’i vënë kapakun të gjithës kësaj vazhdojnë: Shqipëria është vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në rajon dhe një ndër vendet me plakjen më të shpejtë në Europë. Dhe në këtë e sipër propozojnë një ndërthurje mes politikave të ngadalësimit të emigracionit masiv të popullsisë së re në moshë, duke rritur cilësinë e sistemit arsimor dhe cilësinë e jetesës në vend, dhe ndihmës për çiftet e reja, mamatë shtatzëna, kujdesin për rritjen e foshnjës para dhe pas lindjes.
Hajde kokë hajde. Për të dhënë mend japin të gjithë. Pse ju kujtoni se qeveritë, që vijnë e ikin, nuk i dinë këto punë?
Dhe qeveritë nuk kanë qëndruar në heshtje, kanë marrë masa në vazhdimësi. Ca vite më parë njëra nga qeveritë rriti moshën për të dalë në pension. Se kjo ishte mundësia më e shpejtë për t’i bërë ballë të keqes. Dhe kjo gjë dihet: përballë dy të këqijave do zgjedhësh atë më të voglën. 
Sot një burrë duhet të bëhet 68 vjeç pa të vendosë kapelën mbi sy. Një grua që të lidhi shaminë në kokë duhet të bëhet 63 vjeç. Por duket se dhe kjo nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Ndaj ideja më gjeniale ishte propozimi tjetër: që burrat të dilnin 70 vjeç në pension e gratë 65. Pse jo? Kjo tregon vitalitet. Nuk e keni parë që jetëgjatësia po shkon pas të 80-ave dhe nuk po ndalet as tek 90-tat. Kush është ai që do të dalë në pension e të marrë gjysmën e rrogës së dikurshme kur mund të punojë, t’i japi shoqërisë të mira materiale dhe në fund të fundit ta ketë kuletën plot e të mos i dridhet dora të pijë një kafe. Madje kuleta plot të ndihmon për një funeral model nëse taksirati e zë duke punuar në zyrë, ose duke plehëruar tokën me qëllimin e një prodhimi të mbarë.

Fotografia, imazhet që shkruajnë historinë e re

19 gushti Dita Botërore e Fotografisë. Pjetër Marubi hap fotostudion e parë në Shqipëri vetëm 30 vjet pas shpikjes së madhe në Francë
 
 

Nga Leonard Veizi
 
 Ajo njihet si magjia e fotografisë. Dhe është vërtet aq magjepsëse. Jo sepse të sjell para syve një pamje relaksuese malesh me blerim apo mbuluar nga bora dhe as vetëm perëndimin e diellit mbi det a oqean, por sepse mbi të gjitha sjell historinë njerëzore. Është vetëm një çast, i shkurtër dhe i papërfillshëm, që mbi celulozë apo mbi pllakën e hard disc-ut momorizon atë që nuk e përshkruan dot me fjalë: një gëzim të tejskajshëm apo një hidhërim të pamasë. Dhe mes këtyre dy skajeve, gjithçka tjetër e fiksuar gjithashtu në një memorie të pashlyeshme, ka një vlerë të pazëvendësueshme. Aparati, një mekanizëm në dukje i ftohtë e pa emocion, në duart e një mjeshtri që di ta shkrepë në sekondën e duhur, prodhon më shumë jetë nga sa mund të mendohet fillimisht. Shpejtësia e dritës, diafragma dhe vetë kuadrati që futet në thellësinë e fokusit të xhamtë përbëjnë elementet e asaj që pasi stampohet, quhet: fotografi...
 
 ...19 gushti është Dita Botërore e Fotografisë, e në një botë globale, ku teknikat e reja digjitale kanë zëvendeësuar me një shpejtësi marramendëse botën e vjetër të filmit, gjithkush është një fotograf. Në këtë mënyrë, 19 gushti bëhet padashur një nga ditët me përfaqësimin më masiv, sepse kushdo që ka qoftë dhe një aparat celulari demode e me pak mega pixel të përqendruar, mund të gëzojë, duke e quajtur si ditën e tij, dhe të ndajë përvojën e tij në rrjetet sociale me një foto të bërë qoftë në një vend ekzotik, apo një tjetër që përbën një shqetësim urban.
 
Në botë
Ai që e bën historinë më të besueshme se vetë fjala, është imazhi. Që prej kohës kur francezët, Nicephor Niepce dhe Louis Daguerre bënë zbulimin e madh të fotografisë, pikëpamjet tona për historinë kanë një qasje të re. “Një foto, sa një mijë fjalë” është sentenca më e përdorshme kur vjen puna për të bërë vlerësimin e një fotografie domethënëse.
Në Shqipëri, teknologjia dhe teknika fotografike mbërriti shumë shpejt. Më 1826 Niepce ia arriti që të mbarojë foton e parë të rezistueshme. Sepse para saj ato nuk rezistonin ndaj dritës dhe prisheshin pas një kohe të shkurtër. Fotoja e parë në botë tregon pamjen nga dritarja e dhomës së tij. Në Shqipërinë otomane, fotografia e parë u realizua nga Pjetër Marubi, në vitin 1856, pra vetëm 30 vite pasi në Perëndimin e Evropës ajo kishte shpërthyer. Dhe në këtë mënyrë ajo eci po aq shpejt dhe me po të njëjtën cilësi sa dhe në vendet e tjera të Evropës.
 
Në Shqipëri
Po si është shkruar historia e re shqiptare përmes imazhit? Ajo do të niste në mesin e shekullit XIX. Pjetër Marubi, i lindur në Piacenza, Itali, mbërriti në Shkodër, pas ndjekjeve të pushtuesve austro-hungarezë. Ai hapi një studio në vitin 1856 dhe mendohet se fotoja e Hamza Kazazit është dhe fotografia e parë shqiptare.
Trashëgimia lënë nga dinastia Marubi është ndër më të njohurat në fushën e fotografisë evropiane në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX. Ajo ishte e para në Shqipëri dhe ndër të parat në Ballkan.
Në Shkodër Marubi nis aktivitetin e tij artistik në disa fusha njëherazi si fotograf, arkitekt, piktor e skulptor. Me “kutinë magjike” më 1858 ai nisi të fotografojë jetën jashtë studios, ndër to edhe ngjarjet politike të kohës.
Pas vdekjes së mjeshtrit Pjetër Marubi në vitin 1904, Kel Kodheli, i cili mori dhe mbiemrin Marubi, u bë trashëgimtar legjitim i studios duke e transformuar atë në një atelie të vërtetë arti. Pas vdekjes së Kelit, më 1940, trashëgimtar u bë Gega. Ai studioi në Paris, në të parën shkollë kinematografike dhe fotografike te Lumiere-t, në Francë.
Fototeka “Marubi” në Shkodër përfshin rreth 150000 fotografi, shumë prej tyre me një rëndësi të madhe historike, artistike e kulturore.
 
Koleksionet
Por trashëgimia kulturore shqiptare në artin e fotografisë përbën një plejadë artistësh të talentuar që vazhdon deri në ditët e sotme. Më të shquarit mund të përmblidhen si më poshtë:
Kol Idromeno, lindi në Shkodër më 1860 dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Ai është një artist i gjithanshëm, mësoi te Pjetër Marubi fotografinë, gjë që i kthehet në pasion, si dhe piktura.
Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit me rreth 70000 foto, të Dedë Jakovës me rreth 50000 foto e të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me shkollën “Marubi” në Shkodër.
Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë. Janë veprat e Petro Dhimitrit i cili filloi si fotograf në vitet 1890; të Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës së Bukureshtit, i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet ‘20.
Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit në Korçë, student i Kristaq Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara dhe punoi fotograf në Nju-Jork dhe Los Anxheles. Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me piktorin e njohur Vangjush Mio, hapi fotostudion “Sotiri”. Janë ruajtur rreth 14000 fotografi të këtij koleksioni.
Në vazhdim përmenden koleksionet e Ymer Balit në Tiranë, Mandi Koçit në Voskopojë, Jani Ristanit në Gjirokastër, Misto Cicit në Pogradec dhe Xhimitiku në Berat.
Në historinë e fotografisë shqiptare është edhe emri i Gjon Milit, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane “Life” dhe “Fortune”.
 
Sot
Në hisorinë e re të fotografisë shqiptare tanimë rreshtohen shumë emra. Emra të shquar të fotografisë së kohës sonë janë Besim Fusha, Petrit Kumi, Niko Xhufka, Ilia Terpini, Roland Tasho, Armand Babani dhe shumë të tjerë.

 

 

Wednesday, August 19, 2020

Të vdesësh në këmbë si Petro Luarasi

17 gusht 1911 – Vrasja e mësuesit të gjuhës shqipe, i cili u helmua nga njerëzit që punonin për qarqet antishqiptare

 


Nga Leonard Veizi

 

Ai kërkoi të udhëtonte mbi mushkë nga Erseka deri në fshatin e tij, Luaras. Por dëshmitarët thonë se mbeti në Gostivisht. Brenda trupit zbërtheheshin dhe shpëndaheshin me shpejtësi elementet kimike të një substance vdekjeprurëse. Kishte pirë vetëm një kafe te një “mik”, por pas kësaj nisën spazmat e ethshme që i shkaktonin djersë të vazhdueshme dhe mjegullimin e vështrimit. Ndërsa ai mbahej fort pas samarit të mushkës dhe nuk rrëzohej. Veç nxirrte vrerin që binte mbi jelet dhe qafën e kafshës. “Vritmëni, por mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve dhe mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”. Petro Luarasi kishte vdekur vërtet. Pas tij dhe vetë mushka e cila kishte marrë sasinë e mjaftueshme të helmit përmes lëkurës së qafës. Një gjë e tillë do të kishte rrëzuar në tokë çdo burrë tjetër. Por jo Petro Luarasin. Atë natë të 17 gushtit 1911, ishte 47 vjeç...


 ...Petro Nini, mbetet një prej figurave më emblematike të gjuhës shqipe. I paepur si ai. Dhe pse e dinte mirë se ishte në shënjestrën e administratës osmane dhe pjesës shoviniste të klerit grek, që të dy aspak dashamirës me gjuhën shqipe, ai nuk u tërhoq asnjëherë. Dhe veç kësaj mbetet simboli i një burri, vdekjen e të cilit do ta kishte ëndërr çdo shqiptar që merrej fort me punët e Shqipërisë, pikërisht atëherë kur askush prej atyre që na rrethonin nuk donin të flitej shqip dhe, ca më pak, që ajo të shkruhej. Jo se nuk do të ëndërronin një vdekje si ajo e Mic Sokolit mbi grykën e topit dhe po aq si të Selam Musait. Por sepse Petro Nini, shqiptari mbi të cilën ranë aq shumë mallkime priftërinjsh e mitropolitësh, “vdiq në këmbë”, ashtu si nuk do të donin kurrë ta shihnin armiqtë e tij. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”. Dhe ai, si një burrë i vërtetë, i sertë e luftarak, ra dhe u ngrit aq herë sa duhej, duke u bërë njëherazi dhe modeli më i mirë i shprehjes së tij monumentale.

 

Mallkimet

Gjithçka për gjuhën shqipe, deri në vetmohim. Petro Nini mbajti mbi shpinë mallkimet e tre priftërinjve. Ishin tre dhespotët e Kosturit që hynin e dilnin nga Kolonja sa herë informoheshin se Petro Nini kishte bërë “prapësinë” e radhës: Cirili, Gregori dhe Fillareti. Dy të parët e mallkuan për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Por i treti nuk u mjaftua me kaq, sepse asokohe Petro Nini kishte bërë një blasfemi të madhe: kishte përkthyer në shqipe pjesë të psalmeve të cilat u meshuan po shqip në kishën e Luarasit. Ndaj Fillareti e shkishëroi atë familjarisht.

Mesha në gjuhën shqipe i kishte acaruar në vazhdimësi dhespotët e Kosturit, që prej kohës kur Papa Kristo Negovani u masakrua po për të njëjtën gjë. Sepse kjo binte në kundërshtim me udhëzimin e Patrikanës së Stambollit, e cila kërkonte meshim vetëm në gjuhën greke, meqë në strategjinë e tyre ortodoksët shqiptarë i konsideronin grekë, duke ngatëruar qëllimisht fenë me kombësinë.

Asgjë nga këto nuk e tuti Petro Luarasin, që të trembej e ta linte në mes rrugën që kishte nisur. Dhe po ashtu do ta portretizonte Petro Luarasin një aktor si Gulilem Radoja, te filmi “Kush vdes në këmbë” i regjisorit Vladimir Prifti, nëpërmjet një shprehjeje të shkruar nga skenaristi Naum Prifti: “Mua mallkimet e atij horri s’më zënë as opingën.”

I ofruan poste, pushtet e para, e më pas e kërcënuan dhe e burgosën. Por ai u mbijetoi presioneve dhe për 24 vite me radhë nuk e zuri asnjë prej mallkimeve të mitropolitëve që vinin nga Kosturi enkas për të.

 

Jetëshkrimi

E çfarë të reje mund të thuash për jetën e një personaliteti si Petro Nini? Asgjë më shumë sesa faktet e njohura tanimë, të cilat tregojnë se ai luftoi për Shqipërinë e gjuhën shqipe jo vetëm me penë, por dhe më pushkë.

U lind në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Dhe Kolonja ishte një nga trevat që nxori prej gjirit të saj shumë mësues, të cilët kontribuan në hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 Mars 1887, në Korçë.

Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjirokstrës. Qëndroi në shtëpinë e mikut të babait, patriotit Koto Hoxhi, ku mësoi privatisht të shkruante e lexonte shqip. Punën si mësues i greqishtes e nisi në shkollën e Bezhanit. Atje nisi t’u mësonte nxënësve shqip. Më pas dha mësim shqip në disa fshatra të Kolonjës, Pogradecit e Korçës. Përgatiti dhe mësues të ardhshëm të gjuhës shqipe. Punoi si mësues në Shkollën e parë Shqipe të Korçës dhe më pas si drejtor i Mësonjëtores së parë të vajzave. Në prill 1904 Petro Luarasi arratiset nga burgu ku e ishte mbyllur qeveria osmane. Mbërrin në Shtetet e Bashkuara, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje zhvillon një aktivitet të gjerë, duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”. Ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës ortodokse autoqefale shqiptare në SHBA. Themeloi librarinë e parë me libra shqip. Më 1908 u kthye në Shqipëri për të luftuar si komit për çlirim, duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Po më 1908 Petro Nini Luarasi shkoi si delegat në Kongresin e Manastirit. 

 

Libri

Në gushtin e vitit 1911, sipas dokumenteve të kohës, thuhet se ishin agjentë në shërbim të dhespotit të Korçës, Joakimit, ata që arritën ta helmonin. Kërkuan ta shpallnin si të vdekur nga kolera dhe tentuan t’i djegin kufomën me gëlqere. Por hasën në kundërshtimin e fortë të dashamirësve të tij që ishin mbledhur për t’i bërë nderet e fundit. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe, duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 15 muaj më vonë, atë pavarësi për të cilën luftoi aq shumë.

''Priftëria patriarkike bëri vegël të qëllimtë të saj fenë, të cilën e tund si këmborë friksonjëse kundër cilitdo shqiptari që dashuron shkronjat e tij, dhe që ta rrëmbejë më tepër në rrjetat e aforizmit e shkishërimit, duke i lënë vetëm një rrugëz shpëtimi: pendimin d.m.th. të mohuarit të gjuhës amtare shqipe dhe të kthyerit e tij në helenizëm. Ç’të keqe kemi bërë që na pengon neve nga udha që caktoi perëndia për tërë njerëzinë? Përse ndaloni shkrimin e këndimin e gjuhës sonë, kur tërë gjuhët e popujve janë pëlqyer prej perëndisë dhe të vlefshme për të përhapur me ato predikimin e ungjillit?'' do të shkruante Petro Nini Luarasi në librin e tij: ''Mallkimi i shkronjave shqipe dhe shpërfolja e shqiptarit'', që solli jo pak shqetësim në qarqet antishqiptare të kohës.

 


Garcia Lorka, poeti gjenial i avangardës evropiane

 19 gusht 1936 në Granada të Spanjës ekzekutohet nga forcat monarkiste të gjeneralit Franko poeti më i njohur spanjoll i kohëve moderne

 


Nga Leonard Veizi


Kryengritës dhe interbrigadistët e ardhur për ndihmë nga e gjithë Evropa shkëmbenin zjarr të vazhdueshëm me trupat e ushtrisë mbretërore që udhëhiqeshin nga gjenerali Franko. Mes krerëve të së majtës qëndronte Dolores Ibaruri, një grua e fortë që më së shumti njihej si “La Pasionaria”. Spanja qe mbërthyer nga ethet e luftës cilvile. Ishte koha kur lindi shprehja “Katër kolona marshojnë mbi Madrid, e pesta na pret atje për të na brohoritur.” E mbetur edhe sot e gjithë ditën pa autor, meqë i atribuohet herë gjeneralit fashist Kueipo de Lano, herë kolegut të tij Ernesto Mola e jo pak herë vetë Frankos, mori dhenë. Prej saj proverbial u bë togfjalëshi "kolona e pestë", i cili në çdo gjuhë të Evropës shënon pikërisht tradhtarët. Për djall, në ditët e një lufte të nxehtë pakkush mendon me mendje të ftohtë. E nëse je kontingjent te kundërshtarët, ushtar i thjeshtë këmbësorie apo një gjeni gjithfarë, në qofsh, mbetesh në shënjestrën e armës. Spanja e vitit 1936 po përjetonte ditë të tilla. Në Granada, këtë qytet simbol, kapet prej ushtarëve të gjeneralit Franko, njëri prej poetëve më të mëdhenj që ka njohur bota moderne. Ishte në krahun e republikanëve, por të qenët i pashembullt në atë çfarë kishte prodhuar si intelektual, nuk ia kurseu dot jetën. Federiko Garcia Lorka u ekzekutua në mënyrë mizore dhe pakkush i dinte qartësisht rrethanat e vrasjes së tij. Sepse pas kësaj e gjithë ngjarja e mbulua me një vel misteri...

 

...“Vajza e vogël e Bernarda Albës, vdiq e ndershme.... E ndershme...” Këto fjalë drithëruese do të mbyllnin aktin e fundit të dramës. Dhe pas kësaj, mes të qarave mbytëse të katër vajzave të mbetura, duke dhënë urdhër për qetësi, Bernarda Alba, kjo grua e sertë, do të lëshonte vellon e zezë mbi fytyrë.

Kjo ishte dhe zgjidhja në epilogun e dramës që Federiko Garcia shkroi në të gjallë të tij. Dikush e kishte cilësuar si “Lorka i përbotshëm”. Dhe nuk kishte gabuar aspak në këtë cilësim. Ishte poet, dramaturg, aktor, recitues, piktor, muzikant... madje dhe drejtor teatri, atje në Gadishullin Iberik.

Por Lorka kishte pushtuar edhe skenën shqiptare.

Në vitin 1985, studentët e kursit IV të dramës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën regjinë e të mirënjohurit Gëzim Kame, vunë në skenë për punë diplome, një nga kryeveprat e Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës”. Drama u regjistrua nga Televizioni Shqiptar, ku në pultin e regjisë do të ishte një tjetër regjisor, po aq i mirënjohur, Mevlan Shanaj. Ndërsa në skenë, nën një interpretim të papërsëritshëm, Justina Aliaj, në rolin e Bernardës, do të rivinte pas një mungese të gjatë, por të justifikueshme, gjithsesi. Rreth saj pesë protagoniste të së njëjtës dramë që lëviznin në mizanskenë ishin: Gjenovefa Rredhi, Flutura Godo, Rajmonda Bulku, Zamira Kita dhe më e “vogla prej tyre” Elvira Diamanti, në rolin e Adelës. Ishte një dramë pa asnjë rol mashkullor. Sepse do të interpretonin gjithashtu dhe Rita Gjeka, Suela Konjari e me një rol episodik edhe Luljeta Hoxha.

Por Lorka njihej edhe më parë në skenën e teatrit e publikun shqiptar. Në vitin 1963 regjisorja ukrainase, Zinaida Andrejenko, e martuar në Shqipëri me regjisorin Andon Pano, ia pati besuar personazhin e Bernardës, të madhes Marie Logoreci. Dhe, gjithashtu, do të interpretonin përkrah saj të tjera yje të skenës: Violeta Manushi, Behije Çela, Marika Kallamata e Liza Vorfi.

Duke ardhur edhe në skenën teatrore të Shqipërisë së vogël, pa dyshim Federiko Garcia do të përmbushte sentencën profetike “Lorka i përbotshëm”

 

Poet e dramaturg

U lind më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros, një fshat në Granada të Spanjës. Ndoqi studimet në Universitetin “Sacred Heart”. Studioi artin dhe letërsinë, ku dhe botoi veprat e para poetike. Në Madridin e fillimviteve ‘20 ai është i afërt me artistë të famshëm, si Bunuel e Jimenez, por dhe piktorin Salvador Dali, i cili ishte një nga surealistët më të njohur të shekullit XX. Pas diplomimit jeta e tij vazhdoi plot krijimtari dhe aktivitete, por dhe lidhje në miqësi të reja, të cilat shkonin nga Pablo Neruda tek Ignacio Sançez Mejias. Në agjendën e tij ishin dhe udhëtimet e shumta, sidomos në Shtetet e Bashkuara e Amerikën Latine, ku u përball me kontrastet e shoqërive në zhvillim, gjëra që u bënë dhe subjekte të poezive të tij. Krijoi grupe teatrale të pavarura dhe iu kushtua jetës kulturore spanjolle, duke shkruar një seri dramash.

Një nga dramat shumë të njohura të Lorkës është “Mariana Pineda”. Ajo bazohet në jetën e Mariana de Pineda Munoz, kundërshtimi i së cilës ndaj Ferdinandit VII dhe ekzekutimi i mëpasshëm publik, më 1831, për tradhti, ishte bërë pjesë e folklorit të Granadës. Shfaqja u shkrua midis 1923 dhe 1925 dhe u interpretua për herë të parë në qershor 1927, në Teatrin “Goya”, në Barcelonë. Prodhimi u drejtua nga García Lorka, me dizajn skenik e kostume nga Salvador Dalí.

Kritika e kohës thotë se si poet, Lorka do ta pasuronte poezinë me përvoja moderne e, sidomos, me ndjeshmërinë e hollë për ritmin dhe ngjyrat. Ishte promovues i avangardës evropiane midis dy luftërave botërore, por edhe poet i lidhur ngushtë me traditën e poezisë kombëtare. Veprat e tij poetike kryesore janë: "Këngë", "Romanca cigane", "Poeme e kanto kondos", "Vajtim për Injacio Sances Mehijas" e "Poeti në Nju-Jork".

 

Lufta Civile

Pas krizës së madhe ekonomike, në prill të vitit 1931, forcat majtiste në Spanjë fituan zgjedhjet. Pas kësaj, Spanja u shpall Republikë. Mbreti Alfons XIII u largua. Në vitin 1936, koalicioni “Fronti Popullor” i përbërë prej socialistëve, komunistëve dhe republikanëve përsëri fitoi zgjedhjet. Një grup djathtistësh i quajtur “Falanga spanjolle”, me në krye gjeneralin Franko, u nis nga Afrika Veriore me shumë ushtarë, për të përmbysur qeverinë majtiste në Spanjë.

Më 1936, pak para shpërthimit të luftës civile, Garcia Lorka përpiloi dhe firmosi, bashkë me Rafael Albertin, - një tjetër poet i shquar - edhe 300 intektualë të tjerë spanjollë, një manifest në mbështetje të “Frontit Popullor”, i cili botohet në gazetën komuniste “Mundo Obrero” më 15 shkurt, një ditë para zgjedhjeve. Më 17 korrik 1936 shpërthen kryengritja e armatosur kundër Republikës. Nis kështu lufta civile spanjolle. Konflikti i përgjakshëm zgjati deri në vitin 1939.

“Para agimit në 17 gusht 1936, një burrë i veshur me pizhama të bardha dhe xhaketë doli nga një veturë në rrugën që lidh qytetet Víznar dhe Alfacar në fushat e Granadës, Spanjë. Ai, bashkë me tre të burgosur të tjerë, shoqërohej nga pesë ushtarë që mbanin pistoleta gjysmautomatike “Astra 900” dhe pushkë gjermane “Mauser”. Burri në pizhama ishte poeti 38-vjeçar Federiko García Lorka”, përshkruan Aron Shulman në librin e tij “Epoka e mosmarrëveshjeve”.

Lorka ndodhej i fshehur në shtëpinë e Luis Rosales, një poet 26-vjeçar, i cili pretendohet se e dorëzoi mikun e tij të vjetër, edhe pse ai vetë i ishte bashkuar kryengritjes. Të paktën 100 ushtarë morën pjesë në arrestimin e tij, duke supozuar se poeti në fjalë ishte një “bandit legjendar”.

Më 19 gusht 1936 Federiko García Lorka, pak hapa larg një burimi të njohur si “Burimi i Lotëve” në Viznar, ekzekutohet brutalisht pa asnjë proces nga një skuadër prej pesë vetash, kreu i së cilës gjatë arrestimit ishte shprehur: "Ai ka bërë më shumë dëme me një stilolaps, sesa të tjerët kanë bërë me një pistoletë".

Dhe kështu do të mbyllej kapitulli i tij jetësor, për t’u hapur një tjetër kapitull, ai i përjetësisë së paraprirë nga sentenca aq magjike “Lorka i përbotshëm”.

 


Friday, August 14, 2020

Zvjerdhja e shpirtit të brishtë

 

 

Nga Leonard Veizi


Çfarë ka sjellë pandemia në dhjetë muajt e saj të luftës për të gllabëruar globin? Jo vetëm injektimin në masë të vdekjeve. Ajo ka rrënuar dhe po vazhdon ta çojë deri në fund shkatërrimin e jetës shpirtërore. Fillimisht dukej e pabesueshme. Sot po ndodh e kundërta, besohet se jeta kulturore është në përpëlitje, por nuk kuptohet se si do të ringrihet ajo kur e gjitha kjo të ketë marrë fund.

Bota e kulturës po zvjerdhet.

Shpirtrat emocionalë po bëhen të ngurtë. Lajmet e para kanë të bëjnë me vdekjet nga Codid-19”, lajmet e dyta flasin për të prekurit nga “Covid-19”, lajmet e treta për mundësinë e vaksinimit ndaj “Covid-19”, lajmet e katërta për ekonominë që po shkon në zgrip prej karantinës ku na futën për të shmangur “Covid-19”. Lajmet e kulturës dhe ato të sportit që mbyllin çdo edicion televiziv informacioni, por që zënë dhe faqet e fundit të gazetave, janë të papërfillshme. Aktivitetet janë aq të rralla sa nuk ia vlen t’i përmendësh. Projektet kanë mbetur të ngrira.

Fillimi i mijëvjeçarit të tretë, - ku për shkak të zhvillimit galopant teknologjik, u mendua se do ta çonte botën shumë më përpara nga sa ishte në fundin e mijëvjeçarit të dytë, - po bën të kundërtën. Shkenca duket e pafuqishme përballë një virusi që e ka futur njerëzimin në kolaps. Më shumë se medikamenteve me përbërje të forta kimike po u besohet maskave prej bezeje e pambuku si dhe sapunit me sodë të përqendruar të cila mendohet se do të na shpëtojë nga infektimi.

Bota nuk po merr dot frymë. Ajo po ha vetveten. Lufta për mbijetesë është më e madhe se mendimi filozofik mbi jetën dhe vdekjen.

Por dritë në fund të tunelit ka, nëse do ta shohësh atë. Sepse dhe në vitet e luftrave të ashpra të luftës me tanke, mortaja e qytete të shkatërruara nga bombardimet ajrore, kishte gjithmonë nevojë për arte të bukura që e zbusnin shpirtin e ashpërsuar dhe e çlodhin atë nga stërmundimi.

Vlladisllav Shpilmani, ky pianist polak me origjinë hebre, arriti t’i shpëtojë holokaustit vetëm sepse luajti për një oficer gjerman në një piano të gjetur mes rrënojash “Nokturnin” e Shopenit. Në komentet për librin autobiografik “Pianisti” thuhet se kjo ishte një dëshmi e fuqisë së muzikës, e vullnetit për të jetuar dhe kurajës për t’i bërë ballë së keqes.

Gjigandi “Titanik” u mbyt nën tingujt e muzikës. Deri në minutat e fundit, orkestra luajti në kuvertë himnin e kishës "Më afër, Zot, për ty". Pasagjerët dhe pse në panik e sipër duhet të merrnin një masë qetësuese përmes orkestrës së harqeve.

Pra arti u dashka dhe në ditët e luftës dhe në ditët e pandemisë.

Ndërkohë duket se në vitin 2020 njerëzit kanë braktisur jetën kulturore. Nuk ka më tinguj të gëzueshëm në kryeqytet. As në bregdet ku ka pushues gjithsesi. Jeta teatrore ka marrë fund. Për kinemanë nuk pyet kush. Gjithfarë festivalesh, tanimë janë destinuar të pezullohen ashtu si dhe panairet e librave. Askush nuk e di se sa kohë do zgjasi kjo situatë e tillë.

Dhe si do të jetë ridimensionimi pas së gjithës kësaj? Sepse sallat e teatrove, pas një rënieje depresive që patën në vitet 1990-2000 filluan të mbusheshin sërish. Por u desh shumë kohë dhe shumë punë që teatri si institucion të barazohej në vlera konkurruese me teatrin e viteve ’70-‘80 të shekullit të kaluar. Kush na garanton tani se pas një viti, apo shumë më tepër se kaq, ndërprerje, spektatori do të vijë sërish në teatër. Cili është ai spektator, që pasi është traumatizuar për muaj me radhë do të zërë radhën të presë një biletë kinemaje, edhe pse premiera e radhës mund të ketë në kastin e aktorëve yjet e rinj të Hollivudit?

Po stadiumet, a do të ketë më ndeshje që do të mbledhin në të njëjtin vend 120 mijë spektatorë të çmendur më timpanë e banderola?!

Bota e kulturës po zvjerdhet me shpejtësi.

Mbijeton vetëm procesi i botimit të librave. Është aktiv vetëm televizioni. Fokusimi ka mbetur tek televizionet dhe fleshet informative nëpër portale. Por këto nuk janë mjaftueshëm për të mbushur botën kulturore të shumëkujt.

Çfarë do të ndodhë tanimë? A do jetë i njëjti interes për teatrin e kinemanë që janë artet më masive? Natyrisht nuk po flasim për galeri pikture e ekspozita të arteve vizuale. Mungesa e leximit do prodhojë njerëz sipërfaqësorë. Gjatë kësaj kohe që botën e ka sunduar pandemia, kanë ndodhur shumë gjëra. Një vit iku dëm. Në aspektin e jetës njerëzore është shumë një vit humbje. Në aspektin universal kjo periudhë kohore është e papërfillshme. Por ne jemi njerëz dhe mendojmë si të tillë, ku mesatarisht në 70 vite jetë humbja e një viti nuk është pak.

Jemi në periudhën e vyshkjes së intelektualizmit kulturor. Kjo nuk vjen nga mospasja e forcave krijuese.

Bota kulturore po shkon në zgrip.

Ndërkohë duket se shqiptaret janë ambientuar me të keqen. Dhe kanë mësuar përmendësh e në mënyrë sistematike paketën e vyer të OBSH-së: lani duar për 20 minuta me sapun, mbani distancën 2 metra nga njëri-tjetri, vendosni maskën...

Ata po bashkëjetojnë me vdekjen.

Në këto kushte kultura s’ka më vend.

 


Thursday, August 13, 2020

Mësimi online, sistemi me nxënës gjysmë robot


Nga Leonard Veizi

Unë e mbaj mend mësuesen time të klasës së parë, quhej Marjeta. Po gjashtëvjeçarët që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës për vitin akademik 2020-2021, si do të prezantohen me mësuesen e tyre?

Sepse sipas një vendimi të bërë publik nga Ministria e Arsimit, këtë vit mësimet nuk do të merren në klasa dhe auditorë, por nëpërmjet ekraneve të smartfonave apo të kompjuterave portativë. Domethënë do vazhdojmë me avazin e vjetër, me atë që nevoja na detyroi t’ia nisnim që prej marsit të këtij viti. Tani, edhe aq i vjetër nuk është vërtet, sespe avazi nuk vjetërohet me tre muaj, por për ta pasur më mirë parasysh duhet të mësohemi me idenë se që prej shtatorit, kur të marrë xhiron e dytë, merr të drejtën absolute të cilësohet si “traditë”. Dhe me siguri që nga shtatori i vitit 2022 nëse ndokush do të marrë përsipër të kthejë nxënësit në banka e klasa shkolle, do të quhet si një revolucion regresiv, për t’u dhënë të rinjve modernë e të apdejtuar, një modë të tejkaluar dhe krejt të mërzitshme.

Por jemi ende në fillim të gjësë.

Dhe e nisim sërish nga fillimi. Pra, si do të ndihen këtë shtator nxënësit e tjerë që kalojnë nga fillorja në ciklin e lartë, të cilët me shumë gjasa nuk do t’i njohin nga afër mësuesit e tyre? Po nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme, si do t’ia bëjnë, ku do prezantohen me mësuesin e tyre kujdestar? Dilemë e madhe. Le pastaj të mendosh për jetën e tyre sociale brenda të njëjtit komunitet dhe mundësinë e ëndërrimit për shkak të talenteve që nxjerrin në pah! Me mundësitë aktuale, nuk do të kemi njerëz që do të shkojnë nëpër universitete, por gjysmërobotë me ndjesi të kufizuara.

Një nxënës “online” padyshim ka hipur mbi një barkë shpëtimi, dhe kjo ka të bëjë me gjysmën e së keqes. Por jo detyrimisht kjo është mënyra e duhur, sidomos për nxënësit që kanë pak apo aspak përvojë me sistemin “klasë – bankë - dërrasë e zezë”.

Njoftimit të ministrisë se edhe ky vit akademik do të jetë “online” i janë gëzuar plot fëmijë e më të rritur se kaq. Përgjithësisht janë ata që nuk e kanë me qejf ngritjen herët në mëngjes, ashtu si Miri “Në shtëpinë tonë”, përqendrimin në mësim, si Tili te “Shoku ynë...” përballjen me të drejtat dhe detyrat si Goni “Me hapin e shokëve” dhe që më shumë se kaq kanë qejf të lënë ca orë mësimi për të pirë ndonjë “kafe” andej nga Blloku, si në rastin e Besimit, djalit të birësuar të Ahmetit tek “Dora e ngrohtë”.

Besoj jemi të qartë deri këtu.

Vitin që shkoi, nxënësit e arsimit të mesëm dhe 9-vjeçar qëndruan në bankat e shkollës për rreth pesë muaj. Mësimi u ndërpre për nja dy javë në nëntor 2019 për shkak të tërmeteve të njëpasnjëshëm që ranë në atë kohë. Sapo nisi shkolla u fut sezoni i pushimeve dimërore, që nis më Krishtlindjen, por që shyqyr Zotit nuk përfundon më me Festën e Republikës Popullore, por ca ditë më parë se “11 janari”. Pra, edhe dy javë të tjera pushim. Shkollë i thënçin. Më shumë pushime se sa mësim. Ç’kusur kishin brezat tanë që edhe të shtunën e bënim mësimin me 6 orë edhe të dielën që në pikë të sabahut dilnim për punë vullnetare, o për të shkoqitur misrin, o për të prashitur e vaditur ullinjtë në taraca.

Sot, brezi i këtyre viteve të fundit, uikendin e kalon në majë të celularit, se informohet gjerësisht për numrin e gjoksit të një këngëtareje ekstravagande që dhe në dasma këndon me superpozim. Është kjo kategori që kur del me të përbrendshme në instagram të bën të thuash me vete: Rrofsh o celular, që ia arrita kësaj dite.

Por të vijmë përsëri te shkolla, dhe te arsimimi padyshim.

Janari dhe shkurti i 2020-tës ishin të plota lavdi Zotit. Por ditët e para të marsit u dha alarmi për mbërritjen e “Sars Cov-2” në Shqipëri. Shkollat u mbyllën, nisi procesi online i mësimit. Kalamajtë u gëzuan se thanë: kush rri e çan dërrasat me mësuesit. Këtë e kam thënë dhe unë në kohën time. Domethënë nuk është se në këtë drejtim kemi ndonjë evolucion të madh. Për nxënësit që kishin marrë një kuotë formimi kjo nuk përbën ndonjë problem të madh. Problemi qëndronte me nxënësit e klasave të para si dhe maturantët. Për studentët nuk para bëhet fjalë në këto kushte se ata janë të rritur dhe i dalin vetes zot.

Jemi në prag të fillimit të vitit të ri mësimor. Ky është viti i parë kur nxënësit e të gjitha niveleve, përfshi dhe studentët e universiteteve, do të nisin një proces mësimi online, e ku pjesa më e madhe e tyre nuk do të njohin mësuesin e lëndës, apo pedagogun përkatës.

Përvoja e parë që u kalua, tregoi se të rinjtë iu përshtatën shpejt sistemit online. E ardhmja mund të tregojë se njerëzit as që duhet të takohen dhe as të preken me njëri-tjetrin. Nejse ky është tjetër pazar, nuk ka të bëjë thellësisht me temën që po trajtojmë sot.

Gjithsesi të marrësh mësime online, do të thotë të marrësh një arsim të cunguar. Sepse një tablet nuk e zëvendëson një dërrasë të zëzë, dhe të shkruarit me “tach” nuk e zëvendëson dot të shkruarit me shkumës në dërrasën e zezë. Kërkesa e llogarisë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo “sy më sy” nuk është e njëjtë me atë që vjen nëpërmjet recepsionit. “Ç’është ky zë që të vjen si i mizës”, do t’i thoshte Belul Gjonomadhi me gunën hedhur krahëve, gruas së tij që e merrte në telefon nga Tirana. E mbani mend Belulin besoj, atë që i kishte zët radiot dhe radarët. Madje Belul Gjonomadhi, që kasollen do ta kishte andej nga Kanina apo Babica, nuk do të pranonte të hidhej në sulm edhe nëse përmes telefonit komandanti i batalionit do ta urdhëronte të hidhej në sulm për të mbrojtur Atdheun. “Nuk bëhet luftë me telefona more djem, zaten ai është çpikur për dashuri”, do të vazhdonte të thoshte Belul Gjonomadhi, për më tepër po të jetonte në epokën e internetit dhe të telefonave celular. Sepse Beluli ishte njeri praktik, dhe donte që urdhrat t’i jepeshin drejt e në sy, e jo duke u fshehur pas kabllit të telefonit.

Natyrisht, gjithçka fizike ka shumë më tepër vlerë se një marrëdhënie virtuale. Sepse një marrëdhënie virtuale është një proces i shpejtë e ndihmues, por shumë më pak përvetësues.

Sa e sa studentëve u duhet që praktikat t'i zëvendësojnë me leksione online, ndërsa objektet që i kanë për mësim, sipas degës, duhet prekur me dorë për t'i zbuluar vlerën?

Por ta zëmë se e gjithë kjo procedurë është e terezitur. Por a mundet që çdo nxënës e student i Shqipërisë së varfër, të ketë mundësinë e një patllakeje, celular me ekran të madh, me procesor të fuqishëm, me një vlerë monetare mesatarisht sa rrogat e të dy prindërve nëse i ka në punë shteti? Se mund t’i ketë edhe me ndihmë sociale dhe nuk e di që në këtë botë ka celular, por dëshirë për të shkuar në shkollë, padyshim që ka. Se ne arrijmë të shohim vetëm jetën rreth unazës së Tiranës, por nuk e dimë se ca më tej se kaq, shumë njerëz të tjerë janë në mbiekzistencë, dhe nuk ia kanë fort ngenë e një tangërllëku siç është telefoni ku oferta me minuta, sms e internet është më shtrenjë se rrobat e trupit.

Dhe vijmë sërish tek efikasiteti i mësimit online.

Të gjithë lexojmë në ekranin e celularit, por pak gjëra mbajmë mend nga kjo. Përgjithësisht, në bisedat tona të përditshme u referohemi librave, sepse marrëdhënia fizike me letrën na bën të kemi një përqendrim shumë më të madh dhe të përthithim më shumë nga teksti i shkruar.

Kjo situatë padyshim që një ditë do të shpërfaqet me të gjithë dimensionin e saj. Defektet e kontigjentit të nxënësve që po trajnohen tashmë të mësojnë online, me siguri do të ndihen më vonë. Ashtu siç po ndihen në vitet që jetojmë e gjitha problematika që ndodhi me sistemin shkollor në vitet 1997-1998 por edhe në vitet në vazhdim. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Deri rreth viteve 2000 ende nuk kishim analfabetë dhe të gjithë ata që kishin bërë qoftë dhe 8-vjeçaren e dikurshme, dinin të shkruanin shqip sipas rregullave. Sot, një i ri me universitet, - baçelor e master, - handikapin e parë e shfaq me të shkruarin e gjuhës së vet. Dhe këtu nuk po flasim më për kulturën e përgjithshme, se ajo dihet tashmë, shkon nga zogu i Tunës deri tek brekët e Noizit. Po flasim thjesht për gjërat e së përditshmes që bien menjëherë në sy. Dhe në vend që brezat të modifikohen mbi njëri-tjetrin, ato po deformohen. Dhe sistemi online do të arrijë ta thellojë këtë gjë. Sepse shumë shpejt nëpër zyra e dikastere do të kemi njerëz me diploma të cilët nuk dinë asgjë...

Do Zoti e nuk zgjat shumë kjo pandemi, se veç shëndetit fizik dhe atij mendor, po merr në qafë brezat e të rinjve, por padyshim do na marrë në qafe dhe ne më të vjetërve, që pas ca kohësh do të na duhet një shpatull ku të mbështetemi.