Friday, July 29, 2022

Të presësh vdekjen mes lajmeve të rreme


Nga Leonard Veizi
 
Jemi në një valë informacioni dhe disinformimi. Në rastin konkret, nuk ka gjë më të vështirë të ndash atë që në gjuhën popullore quhet ndarja e “shapit nga sheqeri” por që në terminologjinë moderne vjen: ndarja e informacionit nga disinformacioni.
Shoqëria e sotme është e mbytur në disinformacion. Edhe media, e ashtuquajtur e pavarur, nuk ka mundësi ta ndihmojë dot, në mos është pikërisht ajo që shpërndan më së shumti lajme të rreme.
Dezinformimi përshkruhet si “mesazhe të motivuara politikisht të krijuara në mënyrë eksplicite për të shkaktuar cinizëm publik, pasiguri, apati, mosbesim dhe paranojë, të cilat dekurajojnë angazhimin dhe mobilizimin e qytetarëve për ndryshime sociale ose politike”.
Pra dizinformacioni e ka një vlerë. Shumë të madhe madje kur vihet në shërbim të konjukturave të veçanta.
Aktualisht bota është përfshirë nga lajme të çuditshme të cilat po çuditshëm alternohen me njëra-tjetrën. Konspiracionistët thonë se e gjitha është një lojë me algoritmin e saj. Por konspiracionistët nuk është se kanë gjithmonë të drejtë. Sepse ata gjithçka e shohin me dyshim dhe sipas tyre nuk ka asgjë rastësore në këtë botë por çdo gjë është e dirigjuar.
Nga Zoti vallë? Apo nga njeriu i pabindur dhe i panginjur?
A mund të jetë e vërtetë kjo?
Jovan Bregu i “Pallatit 176” thoshte: Pse gënjeshtrat nuk u thënkan sipas teje? Atëherë nga e dimë ne që në botë paska edhe të vërteta edhe gënjeshtra? Po e dimë ngaqë kur është nevoja edhe gënjejmë, por edhe na gënjejnë. Në rastin konkret ne po gënjejmë për mirë...
Kjo do të thotë që gënjeshtra, - në rastin edhe më konkret, - të shërben ty që je pakicë, dhe që mashtron shumicën. Ndaj shumica ka qenë gjithmonë e mashtruar. Edhe gjatë kryengritjes së Spartakut, edhe në revolucionin francez, por sidomos në atë bolshevik...
Ca si me spec kjo punë.
Të vijmë në aktualitet. Vetë rritja e çmimeve e cila u shpall përpara se të kishte një moto reale për të startuar, ishte një gjë e planifikuar. Sot askush nuk e ndal dot. Çmimet rriten për qejf, dhe pakkush është në gjendje të thotë se në xhepat e kujt shkojnë paratë që mblidhen me shumicë, por që në rang global bëjnë miliarda e miliarda? Sepse pakkush e di se si funksionon mekanizmi i cili tanimë na ka sjellë këtë realitet të ri.
Në verën e vitit 2022, - jo si dy verat e mëparshme të paktën, - shpërtheu vala e shtatë e kovidit. Shifrat janë të frikshme. Megjithatë masat mbrojtëse në botë janë ulur krejt. Askush nuk të kërkon më tampon dhe as të mbash maskë. Pra bota është e ekspozuar masivisht ndaj një virusi për të cilën u dha alarmi i kuq deri në “lockdown” që paralizoi jetën ekonomike, publike, politike e artistike të krejt globit. Eksperiment i paparë për të mbajtur disa miliardë njerëz të ngujuar në shtëpi nga frika e një virusi që në njëfarë mënyre kishte qenë mes nesh prej shumë e shumë kohësh, po aktiv.
Ndërkohë, kërcënimi i ri tanimë po vjen dhe nga një tjetër virus i quajtur “lia e majmunit” i cili po merr zgjerim nga dita në ditë. Përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë globale shëndetësore nga OBSH-ja dhe Organizata e Shëndetit po jep përditë shifra, për infektime e vdekje të mundshme. Sepse, në një koncept të përgjithshëm e human, ajo kërkon të shpëtojë racën njerëzore nga shfarosja. Ndaj dhe të paralajmëron: erdhi kovidi, bëj vaksinën. Erdhi lija e majmunit, bëj vaksinën.
Shyqyr që e kemi. Edhe OBSH nga taksat globale mbahet. Dhe mbahet mirë madje.
OBSH na thotë se lija e majmunit mund të bëhet endemike në më shumë vende. Dhe nuk është çudi që nga fillimi i vjeshtës të shpalli pandeminë. Kjo teori, - e vërtetë apo e gënjeshtër, - ka që në pranverë që përflitet. Pra po punohet me plane afatgjata. Dhe duhet të bëhemi gati për këtë gjë, sepse nëse thotë OBSH, lia e majmunit është te dera dhe brenda ditës pushton globin. Nuk është më e nevojshme të shkosh me trupa këmbësore të armatosur për të pushtuar një vend. Mjafton një spërkatje me avion. Dhe lufta bakteriologjike është një term që njihet prej Luftës së Parë Botërore, e jo më tani. Ndërsa dizinformacioni mediatik duhet të bëjë pjesën e vet. Mjafton që në lajmet e ditës të azhornohet një shifër e frikshme inkurajuese, mbi shpejtësinë e përhapjen dhe përqindjen e vdekshmërisë dhe bota bie në kolaps. Kështu nuk na u besua edhe në marsin e vitit 2020, por pandemia plasi e nuk gjenim maska për t’u mbrojtur. As alkool për dizinfektim duarsh. Magazinat hoqën të gjita mallrat stoqe. Se në rast rreziku nuk pyet njeri në është e mirë apo e keqe. Shkurt: gjej e bli.
Se mos harroni pa bërë vaksinat ore...!
Dezinformimi, si koncept e veprim i njohur që në lashtësi, është përkufizuar si "informacion i rremë me qëllim për të mashtruar opinionin publik". Në vitet 1930, u fol për “Shërbimin e Dezinformimit” gjerman, i përfshirë në prodhimin e planeve të rreme ushtarake. Edhe pse nazistët u akuzuan për përdorimin e dezinformatave, emri dhe praktika më e shpeshtë lidhet me KGB-në Sovjetike. Në librin “Propaganda dhe Bindja”, autorët Garth Jowett dhe Victoria O'Donnell e karakterizuan dezinformimin si një origjinë nga “dezinformatsiya”, dhe u zhvillua me të njëjtin emër që i ishte dhënë një departamenti të propagandës së zezë të KGB-së. Sipas “Oxford Dictionaries”, fjala angleze ‘disinformation’, e përkthyer nga rusishtja ‘disinformatsiya’, filloi të përdorej në vitet 1950.
Sot, në vitin 2022, kur Vermahti e KGB-ja nuk ekzistojnë më, a kemi të bëjmë me informacion apo dizinformacion?
Lija e majmunit, përkundër virusit Sars Cov-2 që përhapej me anë të frymëmarrjes, paska një veçori: U transmetoka nga marrëdhëniet burrë me burrë.
Nëse u kujtohet shumë vite më parë plasi SIDA. Virus është edhe ai. Dhe përcillet më së shumti nga marrëdhëniet burrë me burrë ose homoseksuale siç trajtohet në terminologji. Të moçmit thoshin se është hakmarrja e Zotit për zullumet që bëheshin në tokë. Por për SIDA-n sot nuk ka ndonjë alarm në rritje. As për vdekje masive dhe për rritjen e kapaciteteve të krematoriumeve për shkak të vdekjeve prej saj.
Ta mbyllim këtë temë, të vijmë tek tjetra.
Temperatura të larta kanë përfshirë botën, që do të thotë se një gjë e tillë ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngrohjen globale. Anglia që njihet për ditët e saj të ftohta e me shi, këtë verë ka pësuar temperatura ekstreme deri në 46 gradë. Nam i zi.
Në botë kanë shpërthyer zjarre. Në Francë, Angli, Greqi, Itali madje dhe në Kinë. Lajmet thonë: “Po digjet Globi”. Domethënë nga sot e tutje sistemi ynë diellor do të ketë dy yje që digjen: Dielli dhe Toka.
Kjo ka të bëjë dhe me ngrohjen globale, emetimin e gazeve, efektin serë dhe hollimin e shtresës së ozonit. Shkurt jemi në prag katastrofe të cilës që nga shkurti i vitit 2022 iu shtua dhe lufta në Ukrainë, ku lajmi që i mbante më shumë varur njerëzit ishte ai: në do ta shtypte Putini butonin e armëve atomike apo jo. Por ai nuk e ka shtypur deri më sot. Dhe tanimë Lufta në Ukrainë nuk është as në faqet e para të mediave, por ka zbritur andej nga fundi.
Ku jemi me informacionet? Se nuk po i shohim gjëkundi?!

Friday, July 22, 2022

Në tryezën e përbashkët me 22 ambasadorët amerikanë të Shqipëris

 Roland Qafoku me librin e tij të ri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri", një botim i prestigjiozes “Onufri”
 

Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse do të mbledhësh në të njëjtën tryezë diplomatë karriere dhe ish të tillë, - që kanë shërbyer për interesat të ndërsjellat mes dy vendesh për 100 vite me radhë, - duhet ta bësh në mend fort mirë. Sepse dëshira dhe mundësitë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Por që nëse bashkohen, – për rastësi jo hyjnore, - krijojnë atë që në gjuhën teknike cilësohet: sinergji. Dhe jo se do të të mundojë dizenjimi i tryezës, në duhet një klasike me dru arre, moderne prej xhami, apo akoma më thjeshtë dhe krejt e kohës... virtuale. Kjo mund të të vendosi në vështirësi të paparë. Dhe nëse me marrëveshje fjalë do të pranojmë një tryezë të digjitalizuar, po aq nëpër karriget rreth saj do të gjejmë holograma njerëzish që nuk ekzistojnë më. Sepse në 100 vite jetë diplomatike, jetojnë dokumentet, shkresat zyrtare e të protokolluara, por më pak gjasa ka që qenësia prej mish e kockash të udhëtojë në kohë për të ardhur nga viti 1922 në vitin 2022. Periudha është e gjatë, udhëtimi gjithashtu.
Roland Qafoku e ka marrë përsipër këtë risk. Diku më parë ai e ka tentuar me sukses të na sjellë në të njëjtën sofër 33 kryeministra shqiptarë. Të bindur e të urtë, - e aspak kryeneçë e të sertë, - ata janë ulur përreth saj këmbëkryq, për të na treguar si e bënë dhe e zhbënë shtetin shqiptar në 100 vite që nga lindja e tij.
I disiplinuar, për t’i shkuar gjithçkaje deri në fund, Roland Qafoku ka gërmuar në gjithfarë skutash arkivale, për të na sjellë këtë herë në një tryezë me dimensione të tjera, 22 ambasadorët e Amerikës, që fuqia me e madhe e botës i ka atashuar pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Dhe Qafoku, si gazetar me eksperiencë e studiues në fushën e historisë, në mënyrë praktike na ka vënë përpara një fakti të kryer. Tryezën virtuale e ka zëvendësuar me letër të shtypur dhe në vend të hologramave ka preferuar të printojë fotografi. Gjithçka e ardhur në formën e një libri klasik, gjë për të cilën e ka dhënë një ndihmë të çmuar dhe Bujar Hudhri i shtëpisë Botuese “Onufri”.
"Ambasadorët amerikanë në Shqipëri" është libri më i fundit që studiuesi-gazetar sjell për publikun. Për atë publik që ende i ka rezistuar hordhisë virtuale e lexon libra në letër si në kohët e vjetra të Gutenbergut. Dhe autori në fjalë nuk është se na surprizon këtë herë, sepse e gjithë krijimtaria e tij prej pesë volumesh deri më tani, merr në trajtesë fakte historike dhe aspak fiksionale.
Qafoku është futur thellë në jetën e ambasadorëve. Ka mundur të gjejë materiale “komprometuese” për jetën e tyre, dhe t’ia bëjë të njohur publikut me sqimë. Se dhe publiku i kultivuar kërkon ushqimin e tij për ca thashetheme më shumë. Janë 22 ambasadorë, disa prej tyre me atributin: “i jashtëzakonshëm e fuqiplotë”. Të gjithë kanë lënë një gjurmë gjatë misionit të tyre, sepse Shqipëria, vendi i vogël ku mund të mendohej se vihej për verim, krijonte aq shumë përmbytje, sa nuk kish kryeplak vendas dhe diplomat të huaj që të mund ta fuste përsëri në shtrat.
Kemi qenë ca të çartur, për djall. Dhe vazhdojmë të jemi po të tillë, për dreq.
Qafoku ka skanuar jetën diplomatike të 22 misionarëve ardhur me ferman të posaçëm nga Uashington. Sepse Shqipëria edhe pse vend i vogël, mesa duket e kishte një vlerë të madhe, përderisa Presidentët e Shteteve të Bashkuara kanë dërguar diplomatë plot finesë e me një karriere të regjur. Përndryshe, çorapi i koklavitur, që përmendi Edi Rama në fjalën e tij, nuk kish gjasa të shtrihej as me hekur 212 gradë farhrenheit.
Nga Maksuell Bllejk që ngriti siparin te Juri Kim ende në detyrë, për herë të parë ata janë bërë bashkë në të njëjtën “tryezë”, tek një libër i prezantuar në një sallë me ajër të kondicionuar të hotel “Tirana” e me prezencë shtetare që në ngjitej ndalej tek kreu i Kuvendit dhe ai i Qeverisë. Dhe nuk do të mungonte gjithashtu në këtë ceremoni, ambasadorja Juri Kim, të cilën si rrallëherë mund ta shihnim në dy dimensione, reale teksa mbante një fjalë përshëndetëse - ku veç kontributit për librin vlerësoi dhe miqësinë me shqiptarët, - po aq dhe virtuale, si e fundit me fotografi në rreshtin e 22 diplomatëve, por kjo rastësi jo për nga rëndësia.
Libri në fjalë merr vlera të veçanta, jo pse ka një parathënie nga Artan Fuga si Profesor Doktor dhe as pse u përshëndet në mënyrë eksibicioniste nga Edi Rama si Kryeministër, por sepse ky kontribut biblioteke ka të bëjë më së shumti me fondin e kujtesës. Dhe ne nuk duhet të harrojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në ekzistencën tonë. Ndaj amerikanët, - që nuk harruan të na përshëndesnin për hapjen e negociatave me Evropën, - kanë qenë përsëri këtu për të na ndihmuar e dhënë një dorë në malore pasi janë larguar dy herë: një herë për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe një herë tjetër për shkak të refuzimit nga Regjimi Komunist i Enver Hoxhës. Me siguri kjo na bën ne si popull aq thellësisht proamerikanë, dhe jo vetëm se kemi gjetur veten në tokën përtej Atlantikut. Dhe po aq shumë duam ta përqafojmë Evropën si Bashkim pas së cilës jemi shtrënguar me thonj e dhëmbë derisa të na pranojnë në sallonin e madh e të përbashkët.


Pushimet në Shqipëri, emigrantët shpërthejnë në ankesa dhe diarre


Nga 
Leonard Veizi
 
Emigrantët shqiptarë nëpër botë po mësyjnë Shqipërinë. Refreni i përvitshëm. “Toka e premtuar” nuk qenka andej, qenka këtej. Vijnë të bëjnë pushime në vatrat e tyre, të takojnë të afërmit dhe me shumë gjasa të bëjnë pushime me kosto më të lirë.
Hajde ç'vete, hajde! Janë rritur çmimet dhe këtej, po e keni marrë vesh. Ka vajtur rripi te vrima e fundit.
-Qyqja. Më mirë kishim shku në Bora-Bora.
Një mik i vjetër nga treva e Shqipërisë së Mesme, që ka dhe shumë humor njëkohësisht, duke iu referuar rasteve të tilla më përmend një shprehje popullore kuptimplotë nxjerrë nga thellësia e përvojës: Vijnë knej e gjëmojnë kokrrën e ullinit, e nga ana tjetër u ikën barra e vojit.
-Hë mo, se legjenda urbane janë.
Unë nuk e mbështes fort, duke qenë se gjysma e të afërmve të mi janë shpërndarë sa në Europë e në Amerikë. Më duket dhe në Australi kohët e fundit. Edhe duam t’i takojmë e të çmallemi, por nuk i shikojmë fare me sy. Se sa vijnë, ikin.
Pa, pa, pa, si shkasin ditët. Domosdo. Po ta kesh agjendën e ngjeshur po aq sa të kryeministrit që gdhihet në Bruksel e ngryset në Dyseldorf.
Emigrantët vijnë me plane të mëdha që duan t’i mbarojnë brenda dy javëve. Mbërrijnë me një çantë mbushur me bluza të stampuara për dhurata gjithfarësh e ikin me trasta të ngarkuara ku ngjeshin sa mundin shishet e rakisë, ca gjizë baxhoje, turshi fshati, e ndonjë dorë trahanaje. Me të drejtë. Se andej mbetën me pica e hot-dog në dorë. Nuk u zë dora një lugë.
Po si pak ditë janë o xhan i vëllait: 14 ditë pushim, dy ditë janë rrugë... e ç'të mbetet?!
Koha është e shkurtër por intensive.
Fillimisht duan të bëjnë dhëmbët dhe kanë lënë një takim me stomatologun që nga përtej detit, me qëllim që të mos ketë rrjedhje kohe. Se ankohen që andej nga janë nuk kanë shanse ta takojnë dentistin, se u duhet të marrin kredi në bankë për të përballuar shpenzimet. Mirëpo dentisti i shkretë kërkon një muaj kohë për dhëmbët që janë katandisur... si mos o Zot.
-I paske si shkollë nate. 5-sa duhet hequr, 6-ta duhet mbushur... të duhet dhe një urë që lidh... bregun francez me atë të Britanisë së Madhe. Investim gjigant.
Pastaj duan të bëjnë një kontroll sysh bashkë me syzet në paketë, se padyshim nga këto anë ca gjëra janë më të lira se në perëndim. Prenotim edhe tek okulisti.
Vetëm tek analizat e gjakut nuk kanë besim: I bëjmë andej, se dalin sagllam fare. Na i heq vendi i punës.
Epo shëndenë!
Duan të bëjnë pushime në bregdet, mundësisht në rivierën e Jugut ku të relaksohen që kur të kthehen t’i futen punës vençe. Se duan të shesin dhe pak mend duke i treguar botës se s’ka si Shqipëria. Vend i begatë. Deti kristal. Tarracat plot me mollë e agrume. Kemi dhe një lungomare për syrin e keq.
Dhe së fundi nuk refuzojnë të hanë dreka e darka kudo që i ftojnë, se fisi e farefisi mezi i pret. Dhe kërcet mishi i qengjit me dhjamë në 40 gradë celsius.
Mirëpo problemet nisin që ditën e dytë me shëndetin. Fillimisht problematika nis me pjesën abdominale të trupit. Më pas ngrihet temperatura.
-Mos të ka kap kovidi or çun?
-Jo vëlla, më ka zënë purtha, mbeta në hale. Sa herë që vij ditën e dytë, e shumta të tretën, më trazohet stomaku. Çfarë hani ju o byrazer?
Ama muhabet gjete të bësh. Si o çfarë hamë? Atë që gjejmë. Atë që na jep tregu. Foragjere për shembull. Të paska bërë keq perëndimi amigo. Ta ka dobësu stomakun. Se ne si shqiptarë nuk tutemi nga kaq pak gjë. Jemi mësuar me të keq. Nuk bo burri kështu.
Do thoni ju: gjëra të pakontrolluara. Po si kanë bërë të parët tanë kur nuk ka pasur laboratorë analizash dhe as Check Up. Asgjë s’i ka gjetur. Vërtet mosha mesatare ishte 40 vjeç, por jetonin shëndetshëm dhe ishin të fortë si guri. Merrte tjetri dyfekun e nisej për luftë e s’ia bënte syri tërrt. Sot shqiptarët i zeka barku me një gotë ujë Boville, e ta fluturojnë pushkën në lumë e me vrap zënë ndonjë ferrë... për çlirim. Pastaj nisin e shajnë.
-Nuk bëhet ky vend or jo. Nuk është më për të ardhur më.
-Mos hajde! S’të solli njeri me zor!
Mirëpo viti kalon shpejt. Emigrantët i ke përsëri në traget. Kur vijnë janë të përmalluar, me thënë të drejtën. Se sado mirë që janë andej-përtej, thonë se si vendi yt nuk ka.
-Na prit Shqipëri se po vijmë ne, bijtë e tu!
Pirdhni, pirdhni!
Po të paktën mos u ankoni!

Tuesday, July 19, 2022

Lufta e plazheve në një sezon të vakët veror


Nga Leonard Veizi
 
Nuk më durohet ndaj që në fillim dua të jap përfundimin se: sezoni i plazhit për vitin 2022 është... i vakët. Dhe kësaj nuk i bënte derman as muzika e lartë tallava që dilte nga bokset e mëdhenj, mjet me të cilën pronarët e lokaleve ftonin plazhistët të pinin ndonjë kafe a ndonjë gastare ujë me akull.
Dhe këtu nuk flas me statistika.
Nëse do t’u referoheshim statistikave, padyshim ky sezon është i suksesshëm, sa s'ka ku të vejë më, sepse matematikisht do të kalkulohej sa turistë futen në kufi, sa përfitohet nga tatim taksat, sa gjoba vihen këtej e andej, për automjetet që nuk respektojnë rregullat, por që përmirësojnë performancën e buxhetit... e kështu me radhë. Me të tilla statistika, të vitit 1989, Shqipëria shkoi gjithë gëzim deri në Meksikë dhe mori çmimin për ushqim, në kohën kur s’kishim bukë të hanim. Sepse në statistika thuhej që ne jo vetëm hanim aq shumë sa ishim kthyer në obezë, por ato që na mbeteshin ua jepnim të tjerëve që të mos vinin dëm. Dhe Meksika na akordoi një goxha medalje... bakri besoj.
Kohët rrjedhin, por me sa duket nuk ndryshojnë.
Sot kemi vërtet për të ngrënë më shumë se sa 33 vite më parë, por kur vjen puna për të bërë një palë pushime për të qenë... vështirë.
Ajo që më bën më shumë përshtypje, në fundjavën e gjysmës së dytë të korrikut, kur mendohet se është futur piku i sezonit turistik – është fakti se nga ora 8 e mëngjesit kur mbërrij në plazhin e Golemit nga Tirana, territori duket aq i zbrazët sa fillon dhe beson se ky vit e ka sezonin edhe më të keq se sa në kulmin e pandemisë në vitin 2020.
Çfarë sheh me sy të lirë, pa kalkulime matematikore të nivelit të lartë, të jep një tjetër përshtypje, që është më afër realitetit dhe më larg majës së lapsit që për shkak se shton një zero gabimisht – sepse zeroja nuk ka asnjë vlerë në fakt, - tregon për rritje të papara ekonomike.
Ora 07.00 e mëngjesit më zë në superstradën rrangullinë, ku dhe po të duash, ke frikë të ecësh mbi shpejtësinë e lejuar se mund të dalësh nga rruga e të përfundosh në ndonjë kanal apo në ndonjë livadh, në rastin më të mirë. Trafik ka, por jo dhe aq, duke menduar se në ditë të tilla, kur piku i sezonit bashkohet dhe me një fundjavë pushimi, që të shmangësh trafikun duhet të dalësh nga shtëpia që në 05.30. Gjithsesi ngarkesa vlen deri tek kthesa që të çon tek Gjiri i Lalëzit, sepse aty një pjesë e vozitësve marrin veriun e Durrësit, dhe ata që preferojnë pjesën jugore të plazheve, -  duke futur këtu dhe poshtë Kavajës deri në Vlorë, Dhërmi e Sarandë, - përgjysmohen. Në lokalitetin ku preferoj të pushoj prej vitesh, parkoj lehtësisht dhe përsëri kam një mëdyshje: Një mungesë të tillë njerëzish e makinash nuk e kisha hasur as në fundjavat e dimrit, e jo më në mesin e korrikut.
Nis të besoj se çmimet kanë pësuar një kolpo marramendëse, aq sa i ka frikësuar njerëzit sa ta braktisin edhe këtë plazh, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për çmime të shtrenjta, as të kripura dhe as të çmendura, siç ndodh andej nga bregdeti i Vlorës apo Himarës.
Në lokalin e zakonshëm, me pamje nga deti sigurisht, kafen e pi me 70 lekë të vjetra. Kjo e zbuti një pjesë të dyshimit, se kriza e çmimeve do të më bënte ta braktisja këtë vend që e dua shumë aq sa kam krijuar dhe rutinën time. Në markatë mund të blesh gjithfarë asortimentesh me 10 apo 20 lek më shtrenjtë se në Tiranë. Por ky ka qenë një trend i zakonshëm për njësitë e plazhit dhe po aq jemi mësuar ta përballojmë. Një tabelë të paralajmëron se një shezlong me dy krevate portativë ka çmimin e 500 lekëve në ditë. Deri një vit më parë, në fundjava, kjo zonë kishte çmimin 400 lekë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rritje prej 20 përqind të çmimit. Sërish e përballueshme, duke pasur parasysh se në vende të tjera do të të duhet të paguash dyfishin e çmimit si edhe parkingun. Por në këtë zonë të Golemit, përveç plazheve publike, ku mund të shtrihesh në çarçafin e marrë nga shtëpia, gjen edhe shezlong me 300 lekë dita. Dhe kjo është një surprizë e vërtetë.
Në restorantin ku drekoj, çmimet janë po aq sa dhe në pranverë kur u bë e dukshme rritja e çmimeve në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në atë të hidrokarbureve. Një pjesë e menysë kishte rritje deri në 100 lekë të reja, pjesa tjetër ishte po aq sa ka qenë dhe më parë.
Pra, braktisje plazhi për arsye çmimesh nuk mund të kishte. E megjithatë një ditë meskorriku m’u duk shumë e vakët, duke pasur parasysh se 15 korrik-20 gusht, - pra vetëm 35 ditë, - është dhe kulmi i zbarkimit të turizmit në plazh, që të bën të mos gjesh dot as vend parkimi, as shezlong bosh dhe në restorant do të duhet të mbash radhë derisa dikush të ngrihet nga tavolina që të mund të ulesh ti.
E megjithatë njerzit janë trembur. Nuk mund të shpenzojnë qoftë dhe ca qindarka më shumë. Sepse të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.
Pyetësorit, me miq e të njohur, nuk iu përgjigj kush, por si përgjigje mora veç një rrudhje buzësh. Kjo donte të thoshte se pak apo shumë, çmimet janë rritur dhe tek banesat, e nëse doje të bëjë dy javë pushime, do ta rrudhësh në një. Ose në rastin tjetër, sa të shpenzosh para në bregdetin shqiptar, mund të marrësh një paketë turistike “all inclusive” për në plazhet turke të Antalias, dhe je po aty-aty. Por në rastin konkret do shohësh dhe botë me sy. Se portin e Durrësit, atë të Vlorës dhe Sazanin përballë e shohim çdo ditë të vitit.
Fundjava e mesit të korrikut, nuk më la përshtypjen e një sezoni të frekuentuar, përveçse më thelloi bindjen se ne si shqiptarë, herë kryeneçë e herë të pabindur, nuk respektojnë as në këtë rast këshillat mjekësore që tani janë bërë aq bajate ngaqë i dëgjojmë mëngjes, drekë dhe darkë: Pas orës 11.00 deri në orën 17.00 për shkak të rrezeve të fuqishme ultravioletë, të cilat të dëmtojnë lëkurën e jo në pak raste të shkakton dhe kancer, - nuk duhet t’i frekuentosh banjat e diellit. Madje rrezet e forta të diellit dhe rëra e nxehtë bëjnë keq dhe për fertilitetin mashkullor.
Po ku pyesim ne o burrë. Ne s'na ka gjetur gjë nga kolera e malarja, e jo më nga rëra e nxehtë.
Policia patrullon gjatë bregut. Roja bregdetare ka nxjerrë flamurin jeshil mbi kullën e vrojtimit.
Pikërisht mes orës 10.00-11.00 kohë kur njerëzit duhet të largohen nga çadrat, vija bregdetare papritur filloi të popullohej, me njerëz që kërkonin të laheshin në det. E megjithatë, në një kulminacion të tillë, sërish kapaciteti i plazhit ishte në 70-80 përqind të kufijve.
Poshtë hijes së çadrës apo në ajrin e kondicionuar të bar-kafesë, teksa hap celularin për të marrë informacionet e fundit, veç lajmeve për vrasje, plagosje e aksidente, njihem gjerësisht dhe me faturat e makaronave linguini, rizotos me fruta deti e picave me proshutë e sallam, të cilat pushuesit e relievit të Jugut i hedhin në shenjë proteste. Një herë mendova të hidhja dhe unë një faturë, atë të kafes 70-lekëshe, e të bëja thirrje që të pakënaqurit të vinin drejt e në Golem. - Por së fundi ktheva mendje. Duket sikur jemi në një luftë plazhesh. Pastaj secili i di vetë punët e tij. Edhe shpenzimi i parave ka të bëjë me një adrenalinë të brendshme, ndonjëherë të pakuptueshme. Prandaj o vëllezër shqiptarë, prishini paratë tuaja si tua marrë mendja. Por mos na prishni menunë e pushimeve me qaravitjet tuaja. Fundja, po s'të doli të hash një rizoto me fruta deti, futi një pilaf tek tenxherja me presion, dhe të të marrë të keqen me këtë rast edhe linguini me karkaleca e kallamar, që të serviret me aq delikatesë në një pjatë të madhe e të thellë, por që nuk ta mbush dot barkun.


Friday, July 15, 2022

Rikthehet dashuria për Azinë, pas Kinës shqiptarët në krevat me Bangladeshasit


Nga Leonard Veizi

 
Në Bangladesh ka nisur festa. Qejfi i madh. Do nisen për në Evropë. Jo me armë, sigurisht. Por me çekiç e mistri. Shqipëria po kërkon fuqi punëtore. Bum i madh ekonomik. Nuk i dalin të vetët dhe po ka lëshuar “sos” për ndihmë konkrete.
-Ndihmë, po më shpëton kavoja... Shpejt djema...
Aplikimet kanë nisur gjithashtu. Në internet. Se iku koha e letrave të bakallit.
Mediat shqiptare raportojnë se tani për tani në Tiranë bizneset kanë punësuar punonjës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sezon vere. Duhet punë jo shaka.
-Llaç, shpejt llaç.
-Shoku Ropi, lërini fjalët! Po pengoni punë...
Në të gjitha lokalet ke nga një pusullë të ngjitur mbi xham: Kërkojmë banakierë, bufetierë, ndihmëskuzhinierë, pjatalarës,...
Ja kësaj i thonë që punë ka sa të duash, por ku m'i gjen profesionistët. Se të lash pjatat është art më vete. Duhet shkollë, e jo pak.
-Po sa shkollë ke ti xhaxhi Vaso?
-Po të mesmen përveç nja tre kurseve. Pse pak shoferë ka si unë sot.
Pjatat nuk ti beson njeri, po qe se në CV je vetëm me 9-vjeçare. Kështu që na duhet ndihmë nga jashtë.
Priten Bangladeshasit. Edhe pse ata deri tani e kanë përdorur Shqipërisë si trampolinë. Por gjithsesi ku vend në kufi me Indinë, ka shumë banorë. Do vijnë, do ikin e do mbeten këtu. Se do t’i mbajmë ne me zor.
Duam fuqi punëtore. Nuk ka kush na pastron haletë. As rrugët. Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët e kanë kapur aq shumë veten sa të mos bëjnë punë hamallëku e të rinë këmbëkryq në kafene. Por ne në kafene kemi qëndruara këmba mbi këmbë dhe kur punët na kanë ecur morth e jo më tani.
Për çudi, ne si shqiptarë na ka ngjitur gjithmonë miqësia me aziatikët. Ca kohë u dashuruam fort pas osmanëve aziatikë që e futën dhe këmbën në Evropë. Kohë më vonë lidhëm miqësi të pandarë me Rusinë gjysmë aziatike e gjysmë evropiane. Pastaj u shtymë më në thellësi dhe patëm vëllazërimin me Kinën motër të Mao Ce Dunit. Por marrëdhënie të shkëlqyera kemi pasur dhe me Vietnamin e Ho Shi Minit. Tani jemi shtyrë më larg në lindje, po i shtrijmë dorën Bangladeshasve. Edhe krevatin sigurisht. Se po i dhe dorën do ti japësh dhe...
Ore po si nuk pamë një surrat japonezi nga këto anë, apo nga ata të Koresë së Jugut, po vetëm nga këta të botës së tretë dhe të katërt. E Mao Ce Duni bëri një gabim, e ndau botën në tre kategori. Superfuqitë, vendet e zhvilluara dhe ato të prapambetura ku fuste dhe Kinën. Edhe Shqipëria kështu e ka ditur veten, që ka qenë pjesë e botës së tretë. Mirëpo ka dhe një botë të katërt që kërkon punë të bota e tretë. Kësaj ç't'i thuash.
Bangladeshasit po nxjerrin certifikatat. Po i ngjisin dhe nga një fotografi. Dhe janë gati për marrshim. Nis pyetësori:
-Çfarë di të bësh?
-Ç'të duash ti.
-Kamerier për shembull?
-Posi ore, mbaj tabakanë me 16 gota uji sipër. Le që të thaj piten në aritmetikë, nuk më shpëton hesapi.
-Po marangoz?
-Shkollën për marangoz e kam bërë.
-Hidraulik?
-Kam një përvojë punë dy vjeçare në këtë zanat.
-Epo qoftë e bërë. Qenke i kompletuar... deri në detaj.
Këtë të kujtojnë emigrantët shqiptarë në Greqi që i bënin të gjitha, madje dhe presorin e vizatimit teknik me kohë të pjesshme, pasi kishin lyer me gëlqere fasadën e jashtme të vilës së afendikoit.
Shqipëria po kërkon fuqi punëtore. Është në ditë të hallit. Punë ka sa të duash. Mungojnë profesionistët. Dhe kur nuk ke nga të tutë, do kërkosh se s'bën ndihmë nga jashtë. Ashtu siç kërkohen para borxh nga bankat. Paçka se ajo ta zë kokën me derë.
Thuhet se nuk ka më kush të punojë. Të gjithë ia kanë mbathur t’i japin një dorë në malore vendeve të zhvilluara dhe Amerikës si superfuqi. Në Shqipëri vijnë bangladeshasit. Në fillim si me turp, pastaj do nisin kërkesat për rroga më të larta dhe për... nuse. Do shkartiset raca e do bëhemi njësh. Thonë se e ruajtëm veten nga hordhitë osmane në Azisë së Vogël, me ndonjë përjashtim sporadik. Por këta të marrin mbarë. Se janë 140 milionë. Si hordhitë e Xhingis Khanit. Apo si dyndjet sllave të uraleve që u shtruan këmbëkryq në zemër të Evropës.
Dhe ca më vonë me një konventë kombëtare mund ta ndërrojmë emrin e shtetit dhe flamurin. Se mund të mos jetë përfaqësues. Do kenë dhe ata të drejtat e tyre. Jemi apo s'jemi vend demokratik që respektojmë të drejtat e komuniteteve?
Banglandeshasit po bëhen gati të dynden në Shqipëri. Shqiptarët po ia mbathin në Amerikë e Gjermani.
Punë ka sa të duash, profesionistë nuk gjen për qamet.


Wednesday, July 13, 2022

Nga Tirana në Amerikë me një avion britanik

 Shënime udhëtimi
 

Nga Leonard Veizi
 
Në konceptin tërësor, - pa iu referuar rasteve të veçanta, - të gjithë duan të shkojnë në Amerikë. Ca për të punuar e për të rregulluar jetën e tyre, sepse ai është vendi ku bëhen para, - e plot të tjerë për turizëm, - sepse edhe një vend pa histori të lashtë e sërish ke çfarë të shikosh. Tanimë, shumë e shumë shqiptarë e kanë dikë që i pret përtej oqeanit ndaj kërkojnë të shuajnë kureshtjen për “Eldoradon” të cilën e njohin më së shumti nga ekrani i televizorit me filmat “uestern”. Si ke aplikuar në ambasadë dhe je pajisur me një vizë, merr rrugën për në kontinentin e largët. Në udhëtimin e përgjithshëm, - në mungesë të një linje të drejtpërdrejtë, - do të të duhet të shpenzosh të paktën 16 orë kohë nga jeta jote. Por duke qenë se një kohë shumë herë më të madhe njerëzit e kalojnë krejtësisht kot, 16 orë janë të papërfillshme...
 ...Nëse merr udhëtimin me avion e ngrihesh nga toka 3000, 8000 por dhe 11 mijë metra mbi nivelin e detit, - ku asgjë nuk sheh se je mbi re, - ke mbetur veç në dorë të Zotit, dhe të pilotit sigurisht. Por sipas statistikave, udhëtimet me avion janë ku e ku më të sigurta se sa kur merr rrugën me makinë në autostradë dhe je vetëm 30-40 centimetra më sipër nga toka.
 
Në Rinas
Nëse ke zbritur në aeroporte të tjera të botës, padyshim do të bësh dallimin mes një aeroporti si ai i Rinasit, madje dhe i Prishtinës, - pa e klasifikuar fare atë të Kukësit, - që për të thënë të vërtetën janë aeroporte të vegjël, ose më mirë të themi: modest. Hyn nga para del nga prapa. Por me terminale gjigante si ai i Mynihut, Stambollit, apo i Parisit nuk bëhet shaka. Dhe mund të humbasësh po s’e pate mendjen.
Në Rinas procedurat e kalimit të kufirit janë standarde, gjithsesi ato nuk të vonojnë, pasi aeroporti me emrin e madh “Nënë Tereza” ka gjithsej 6 “gate” apo porta dalëse, të cilat e bëjnë më të lehtë organizimin e fluturimeve në kohë. Sapo avioni merr lartësi stjuartët të instruktojnë se si duhet të veprosh në rast rreziku. Pra, nëse avioni merr ndonjë goditje të papritur e nuk ke ku mbahesh. Procedurë e zakonshme standarde deri në mërziti. Nga sipër mund të shohësh relievin e vendit tënd, për aq sa mundesh, një pjesë nga treva e Tiranës, por dhe bregdetin, plazhin e Durrësit, Portin, si dhe vetë qyteti dallohen mjaft qartë. Udhëtimi nuk është i shkurtër, si të shkosh në Fjumiçinon e Romës apo Venizellosin e Athinës, por të kërkon gati dyfishin e kohës për të mbërritur në Heathrow të Londrës, si pika tranzite ku duhet të ndërrosh avion.
Në fluturimet brenda kontinentit, prej vitesh bordi nuk të ofron më një drekë të bollshme si një herë e një kohë, por gjëra të vogla sa për t’u eglendisur. Në rastin konkret një pako patatina dhe një bidon uji.
-Fushatë kursimesh vëlla. Se ne kujtonim se këto ishin shpikjet e Enverit. Edhe në Perëndim kursehet. Duhet të shtrëngosh rripin e barkut. Jo për gjë por tualetet e avionit nuk të bëjnë derman.
Meqenëse këta avionë nuk kanë mundësi të tjera argëtimi, - jo ndonjë koncert rroku, kuptohet, - o duhet të dremitësh ose do të gjesh ndonjë lojë në celular. Sepse edhe pse ka një sinjal që të paralajmëron për internet në bord, nuk ke akses ta përdorësh atë.
Por sot pasagjerët nuk mund të thuash se janë aq modestë sa 30-40 vite më parë, sepse statistikat tregojnë se një shumicë njerëzish udhëtojnë disa herë në vit. Dhe kjo i bën ata pasagjerë të kualifikuar. E megjithatë kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se meqë di të lexosh tabelat saktësisht dhe nuk e humbet orientimin, në një tranzit të shkurtër të mos e humbasësh avionin. Jo çdo gjë është në dorën tënde. Ti shpejton të gjesh Terminalin dhe Gate-n, por të duhet të hipësh edhe në autobus, edhe në tren, sepse aeroportet ndërkombëtarë janë sa një qytet. Kjo do të të vonojë ca dhe humbjet e fluturimeve tashmë janë kthyer në trend. Kështu që do të të duhet të marrësh avionin e radhës. Mund të vonohesh 2 orë në rastin më të mirë, por dhe 24 orë në shumë raste të tjera.
-Hajde për të mira e në gëzime!
Në fakt unë jam një pasagjer modest, por që gjithsesi orientohem aq sa për të lexuar tabelën elektronike të udhëtimeve e të gjej portën time të hyrjes. Me një bindje të tillë mora rrugën për në Amerikë. E megjithatë nuk isha përplasur me një aeroport si ai Heathrow i Londrës.
Avioni  i linjës British Airways, nga Tirana në Londër dhe anasjelltas, është një Airbus A321 reaktiv me rreze të mesme, me dy motorë që transporton 185 deri në 236 pasagjerë.
Në faqen e internetit kompania të sqaron se distanca prej 1898 kilometrash bëhet në një periudhë kohore prej 3 orë e 5 minuta, ku fluturohet me një shpejtësi prej 666 kilometra në orë. Numri i djallit, për djall. Dhe kështu ke mbërritur në aeroportin Heathrow të Londrës.
 
Në Heathrow
I bukur, i organizuar, me një “duty free” të pasur ku mund të gjesh dhe qumësht dallëndysheje, - por me një çmim më të kripur. - Aeroporti i Londrës të duket si një çudi më vete. Edhe për shkak të një greve të një pjese të personelit, që s’u mor vesh mirë si qysh e tek, shumë pasagjerë humbnin udhëtimet e tyre. Radha për të konfirmuar biletat ishte një tmerr. Dhe për çudi nuk ecte fare. 90 përqind e personelit kishin mbërritur nga India. Domosdo, përderisa ka qenë pjesë e Komunuelthit, i kanë dhe ata ca të drejta nga Buckingham Palace...
Por gjende mirë. U rregulluam me një fluturim që duhet të nisej një orë më pas, por që pas dy njoftimeve për shtyrje të orarit u nis dy orë më pas.
-Bir Selman i nënës... Epo i ka këto tranziti. Merre me zbritje... i dhashë kurajë vetes. Tek e fundit unë turist isha. Pasha, e shapkën mbi sy.
Meqë je pasagjer që udhëton për në Amerikë, formalitetet të bëhen edhe një herë, por kësaj radhe jo vetëm duhet të heqësh hekurishtet që ke në dorë, - ndonjë orë a byzylyk sermi jarebi, - por duhet të zbathësh edhe këpucët, gjë që nuk ndodhi në Rinas.
-Po brekët vëlla... do na i hiqni gjë?
Nuk vajti puna deri aty. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbi kullat binjake masat e sigurisë janë përforcuar së tepërmi. Ka 20 vjet që skanohesh nga para e nga prapa. Prandaj bëje mirë hesapin para se të hipësh në avion.
Në përfundim, ne që kalonim të kaptonim Atlantikun na hipën në një Boeing 777. Siguri e lartë demek. Avioni ishte gjigant e komod. Që të gjesh vendin tënd në “economy class”, - se aq para ke pasur në kuletë, - fillimisht duhet të kalosh përmes “business class”. Qejf o qejf! Megjithëse avioni donte dhe 30 minuta të ngrihej, ata të cilët i kishin xhepat me “argumenta të forta” dhe ishin rehatuar në sediljet e para, mbanin në dorë nga një gotë shampanje, me të cilën bordi u uronte mirëseardhjen. Për të tjerët... shyqyr që shpëtuam pa një shqelm në prapanicë.
-Ca të nënës e ca të njerkës... Edhe pse bileta nuk ishte fort e lirë me thënë të drejtën, qoftë dhe po të uleshe në vendin e fundit pranë WC-së.
Por, kështu e kanë këto punë.
Me të drejtë. Ca e ca marrin qetësues për të përballuar stresin, ca të tjerë ia marrin me shampanjë e uiski. Se njëlloj shkon në fund. Stjuardesat servirnin gjithë delikatesë.
-Kur do nisemi vëlla se na zuri nata...
Ehu... Dikur avionët mbaheshin se ishin korrekt në orar. Ka ikur ajo kohë. Por nuk është se e ka në dorë piloti këtë punë, si shoferi i autobusit tek agjencia.
-Autobusi nuk është tren, - guxon e i thotë shoferi Arsenit që priste të dilte kandidatja për nuse nga hotel turizmi i Pogradecit. Nga filmi “Të duash emrin tënd” është huazuar batuta.
-Orari i nisjes është njëlloj për të dy, - ia kthen pasagjeri Arsen, sepse ende nuk kishte siguruar... atë që duhej siguruar.
Është kulla ajo që ul e ngre me përpikëri avionët që përbëjnë shumësinë e trafikut ajror, i cili vitet e fundit është shtuar aq shumë sa nuk dihet me saktësi bilanci i atyre që përdorin makinat në tokë përballë atyre që fluturojnë në ajër.
Nga dritarja e avionit që dergjej në pistë dhe vetëm vonohej, shihja me zili avionët e tjerë që ngriheshin njëri pas tjetrit, me një avancë të shkurtër kohore. Ndoshta vetëm 1 apo 2 minuta.
-Kemi rrugë të gjatë xhan i vëllait. Sikur t’i jepje ca levës...
Dikur avioni ngrihet. I rëndë e me shpejtësi marramendëse. Makinat dhe godinat poshtë barkut të tij u zvogëluan me shpejtësi dhe vetëm në pak minuta humbi kontakti me tokën, sepse në mes ishin futur retë.
Në vetvete, udhëtimi me avion është i mërzitshëm dhe bukurinë e ka vetëm gjatë uljes dhe ngritjes. Sa për udhëtimin mbi oqean, që të kushton nja 6-të orë të mira, nuk të ofrohet gjë tjetër veç një panoramë të bardhë. Ndaj sapo avioni shtrohet e duket sikur nuk lëviz, pasagjerët i futen me kokë ushqimit të paketuar që ta sjellin te hunda.
Nga Londra ngritja u bë me një mot të mugët por mbi re dielli shkëlqente.
Në lartësinë prej 11 mijë metrash, boeing fluturonte me një shpejtësi që i kalonte 1000 kilometrat në orë. Poshtë dukej një shtrat gjigant prej pambuku.
 
Në avion
Destinacioni i Boeing 777 që çohet nga terminali 5 i Heathrow është terminali 7 në John F. Kennedy, të Nju Jorkut. Ka një diferencë kohore 8 orë e 5 minuta midis aeroporteve. Dhe distanca e fluturimit është 5536 km. Avioni oqeanik me rreze të gjatë mban deri në 360 vende një kapacitet mallrash prej 28 ton dhe mund të jetë autonom në një distancë deri në 15,840 kilometra.
Në një udhëtim të gjatë, duhet të menaxhosh kohën tënde. Ose do të shohësh filma në monitor, ose do të luash me celularin tënd. Unë e kam me të thjeshtë sepse mendoj të mbaj ca shënime me të cilat të mund të shkruaj përshtypjet e udhëtimit.
Ndërkohë kam shkarkuar faqe nga interneti të cilat kam kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar me vëmendje. Kur vjen fjala për udhëtimet ajrore informacionet vërshojnë lumë. Aty informohem se rreth 25 për qind e popullsisë së përgjithshme botërore vuan nga aerofobia, ose thënë ndryshe frika nga fluturimet. Por statistika na vënë në dijeni se avioni është mjeti më i sigurt i transportit…
Por çfarë thonë tjetër këto statistika? Po ua përmbledh me pak fjalë:
Në botë ka mbi 50 mijë rrugë ajrore në të cilat kryhen mbi 100 mijë fluturime çdo ditë. Në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit, numri i vlerësuar i pasagjerëve që preferuan të lëviznin me linja ajrore arriti në pak më shumë se 2.2 miliardë njerëz. Kjo përfaqëson një humbje prej 50 për qind në trafikun global të pasagjerëve ajror krahasuar me vitin 2019. Sepse sipas përmbledhjes paraprake të statistikave vjetore globale, numri i përgjithshëm i pasagjerëve në 2019 ishte në kuotën 4.5 miliardë. Sipas këtyre të dhënave i bie që çdo ditë të udhëtojnë të paktën 12 milion pasagjerë në rrugë ajrore.
Gërmoj më tej në faqe. Gjej një thënie të Arnold Barnett, profesor statistikash në “MIT” të Bostonit. Në vitin 2013 kur ai kishte bërë publike një material të tij, kishte konkluduar se rreziku i vdekjes për pasagjerët e linjave ajrore civile është 1 në 45 milionë fluturime. Ndërsa sipas “New York Times”, një udhëtar mund të fluturojë përditë për 123 mijë vjet dhe të jetë sërish i sigurt.
Shtrihem në ndenjësen time të marr një sy gjumë, pasi u sigurova që do të mbërrija gjallë deri në Nju Jork. Tjetër gjë se atje më priste një oficer emigracioni, dhe hyrja ime në tokën amerikane varej prej tij dhe askujt tjetër.
 
Teoria e Relativitetit
Koha është e ndryshme për vëzhgues të ndryshëm. Kjo është dhe baza e teorisë së relativitetit.
Duke udhëtuar m’u kujtua teoria e relativitetit e Ainshtajnit dhe formula e famshme e ekuivalencës masë-energji “E = mc2”. Këtë formulë, që është cilësuar si “ekuacioni më i famshëm në botë” çuditërisht e kam mbajtur mend gjithmonë edhe pse asnjëherë s’e kam kuptuar thellësisht, përveç gjërave elementare të teorisë së relativitetit.
Ajnshtajni konstatoi se një ngjarje nuk ndodhte njëkohësisht dhe në të njëjtën kohë për vrojtuesin dhe për pjesëmarrësin e saj direkt. P.sh., për vrojtuesin i cili e shikon aeroplanin nga toka si dhe për pilotin e aeroplanit koha nuk rrjedh njëjtë. Për pasojë dhe koha e pasagjerit. Pra koha ime.
Epo kjo, thashë me vete.
Të të kujtohet një teori shkencore në 11 mijë metra lartësi, në të njëjtën kohë kur pasagjerët e tjerë po mundoheshin ta bënin sa më të lehtë udhëtimin duke parë... filma me kartona.
 
JFK
Rrotat e avionit kanë prekur tokën amerikane por do duhej dhe nja 15-20 minuta ecje nëpër pistë derisa ai të mbërrinte në terminalin 7, atje ku zbarkojnë avionët British të Londrës. Një pjesë e terminalit 7 të Nju Jorku dukej si Hani i Stavros, por me porta. Edhe për freskim kishin vendosur ca ventilatorë të vjetër. Krahasimisht me Hithroun që shkëlqente, kjo pjesë e terminalit dukej më i vjetër. Gjithsesi ky ishte vetëm një segment, sepse pjesa e parë e tij, nga hyrja, gjithçka fliste për një terminal elegant e aspak konfuz.
Para se të kalosh kufirin, e të quhet se ke hyrë në New York City, i nënshtrohesh edhe një skanimi tjetër. Nuk është e lehtë të futesh në Shtetet e Bashkuara. Mund t’ia dalin ata që zvarriten në kufi me Meksikën, por jo ata që zbresin nga shkallët e avionit. Të verifikohen sytë dhe gjurmët e gishtërinjve. Dhe nëse e sheh të arsyeshme oficeri i emigracionit të bën pyetje shtesë aq sa e mendon ai. Nëse nuk bindet, të kalojnë në një dhomë tjetër ku verifikohet gjithçka. Cili është qëllimi i vizitës tënde në Shtetet e Bashkuara.
Me një autoritet të pavarur oficeri kufitar mund të të kthejë pas. Dhe të jesh i bindur se nuk do t’i telefonojë shefi për t’i thënë nën zë: Kaloje pak se e kam mik. Veç në i thotë ndonjë fjalë në vesh Perëndia.
 
Në kthim
Kthimi për në Tiranë, ku sërish Londra është në mes si tranzitore, udhëtimi duket më i lehtë. Distanca prej 5554 kilometrash përshkohet për 6 orë. Por nëse 6 orë janë në ajër duhet thënë se gjatë ngritjes dhe uljes, avioni rrotullohet nëpër pistë për rreth një orë.
Pra nga 30 minuta për aeroport.
Udhëtimi të merr një kohë të konsiderueshme, sepse fillimisht 2 orë para duhet të jesh në aeroport, 3 orë udhëtimi i përkasin Tiranë- Londër, 2 orë janë tranzit, 8 orë Londër-Nju Jork. Të paktën 1 orë për të kaluar pikën e kufirit..., është e barabartë me 16 orë. Nuk është pak, por gjithsesi është një pikë në oqeanin e ditëve të tua.
 

Tuesday, July 12, 2022

Xhim Morison, legjenda e pavdekur e muzikës


Nga Leonard Veizi       
 
Nga kordat e zërit të tij dilnin nota mistike, diçka që ishte fillimisht veç një imazh i cili kalonte vetëtimthi nëpër tru por që konvertohej në një ritëm muzikor të çartur. Këndonte me një zë të thellë, muzikë të egër, e disi verbuese. Vargjet që shkruante ishin tronditëse, shpesh shokuese, e me raste të paturpta. Ndërsa performancat skenike të shfrenuara, me grimasa erotike të papërmbajtshme, të gatshme për t’u kthyer në një pornografi masturbuese. Ai ishte Xhim Morrison. Inteligjent, rebel, kontrovers... dhe i dehur. Aq sa për shumë vite të tjera skenat botërore të muzikës nuk do të mund të njihnin një të dytë si ai...
 
...Paris. Ishte 3 korriku i vitit 1971. Xhim Morrisoni gjendet pa jetë në vaskën e apartamentit të tij. Pamela Kurson, e fejuara e tij dëshmoi skenën. Hetimi francez bëri të ditur se shkaku i vdekjes ishte sulm në zemër. Ky ishte versioni zyrtar. Sepse kishte dhe jo të tillë si në çdo vdekje të parakohshme të një superstari. Dhe Xhim Morrison ishte vërtet një yll.
 
Morrisoni në Tiranë
Në Tiranën e viteve ‘80 të shekullit XX, fansa të Majkëll Xheksonit dhe Madonës gjeje me shumicë. Dhe po aq pëlqeheshin grupet e rrokut si “Duran-Duran” apo “Europe”, të cilët kishin startuar fort me muzikën e tyre në ato vite. Por shumë më rrallë gjeje njerëz që njihnin Xhenis Xhoplin, Deivit Koverdelin, e aq më pak një bandë muzikore amerikane me emrin “The Doors” e që si lider kishte një këngëtar i cili i shkruante vetë tekstet e këngëve të tij i cili quhej mahnitshëm Xhim Morrison.
Në Klubin e Morrisonit fansat numëroheshin me gishtat e dorës. Sepse si në çdo kohë rinia e atëhershme, për shkak të Hit-Paradës italiane që ndiqnin me fanatizëm, ishte fokusuar në ritmin e popit që në ato vite kishte pushtuar skenat. Por Xhim Morrison ishte aq i veçantë sa dhe fansat e tyre shiheshin me një sy tjetër. Sepse dukej sikur të gjithë ata kishin marrë diçka nga mistikja e Morrisonit të jashtëzakonshëm.
I etiketuar si "mbreti i rrokut orgazmatik”, Morrison ishte konsideruar gjithashtu si "simboli i seksit mashkullor" bashkë me aktorët e mëdhenj të Hollivudit, Xhejms Din dhe Marlon Brando. Deri në atë kohë, jeta e Xhimi Morrisonit dukej si një film. Fantazi delikate në të cilën ai ishte heroi i skenës dhe po aq ishte dhe turpi i shoqërisë. Në foto e videoklipe ai është parë si një autostopist që kthehet në një vrasës masiv por dhe në një Krisht që kryqëzohet. Ai ishte këngëtari dhe vetë kënga.
 
Vdekja si model
Apeli i jetës së përditshme të Xhim Morrison qëndronte në pashmangshmërinë e vdekjes. A e dini se sa e zbehtë dhe emocionuese vinte vdekja në një orë të çuditshme të paparalajmëruar, të paplanifikuar. Si një mysafir i frikshëm tepër miqësor që ke sjellë vet në shtrat.
Por në të vërtetë vdekja e parakohshme e tij tronditi botën e artit dhe i la fansat e tij nën shok. Ikona e “rock”-ut ishte vetëm 27-vjeç kur dha frymën e fundit. Ndërsa vdekja e tij u mbulua me mister. Nuk u krye kurrë një autopsi, e për këtë shkak e vërteta se si vdiq Xhim Morrison ka mbetur e errët për vitet që erdhën në vazhdim. Dhe pyetjet rreth vdekjes së tij kanë zgjatur shumë më tepër se koha e shkurtër që ai kaloi mbi Tokë.
 
Nisma e shpërthimit
Xhejms Dagllas Morrison, i njohur si Xhim, u lind më 8 dhjetor 1943, në Melburn, Florida, të Shteteve të Bashkuara. Babai i tij ishte një admiral në flotën detare Amerikane. Xhimi rrallë e shihte njeriun që ishte jashtë vendit në shumicën e kohës. Prindërit zakonisht e këshillonin Xhimin të priste flokët dhe të mos vishej ekstravagand. Dhe kur u bë i famshëm, ai tha se prindërit e tij kishin vdekur. Dhe kaq. Sepse për ta nuk u fol më kurrë.
U njoh si student i shkëlqyer, por rebel. E filloi shkollimin e tij universitar në vitin 1961 në Kolegjin Junior të Shën Petersburgut në Florida dhe zhvilloi talentin e tij si interpretues duke recituar poezi në kafenenë lokale “Beaux Arts”. Më pas u transferua në Universitetin Shtetëror të Floridës dhe akoma më pas në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, ku studioi për film.
Ambicia e Xhimit, që nga bankat e shkollës, ishte të bëhej shkrimtar. Por u bë këngëtar e kompozitor, themeluesi i një grupi rroku psikodelik.
Në Universitetin Kalifornian u njoh me Rei Manzarek, i cili luante organo, dhe që të dy në vitin 1965, formuan grupin muzikor që e quajtën “Doors”, duke marrë emrin nga libri i Aldous Huxley që fliste mbi meskalinën, “Dyert e Perceptimit”. Me grupin u bashkuan kitaristin Robi Krieger dhe bateristi Xhon Densmore.
 
Famë elektrizuese
Grupi shkëlqeu shumë shpejt dhe pati një famë të menjëhershme. Pas kontratës me “Elektra Records”, u publikuan një varg këngësh hit, duke përfshirë "Light My Fire" dhe "Hello, I Love You". Erotizmi i errët i zërit bariton dhe i teksteve poetike të Morrison-it ndihmuan ta bënin grupin një nga aktet më të fuqishme, më të diskutueshme dhe teatrale të muzikës rock.
Morrison ishte i njohur për përdorimin e alkoolit dhe drogës dhe sjelljen e egër në skenë. Gjatë një koncerti të vitit 1969 në Miami, ai dyshohet se bëri një performancë erotike në skenë dhe më vonë u dënua me akuza për ekspozim të pahijshëm dhe sharje. Ai u dënua me gjashtë muaj burg, por iu dha lirimi me kusht në pritje të apelit të tij. Ai është shprehur se “The Doors” kishte një muzikë mes “country dhe blues”. Në 1971 Morrison u largua nga “Doors” u transferua në Paris për t’iu përkushtuar poezisë.
 
E pashmangshmja
Dukej se në Paris Morrison kishte gjetur paqen. Ai shkruante çdo ditë. Për miqtë, asokohe Morrison shfaqej i lumtur dhe i shëndetshëm. Në fotot e bëra gjatë ditëve të fundit të jetës, dukej i zbukuruar dhe në formë. Dhe kështu për shumicën vdekja e tij ishte e papritur. Por jo të gjithë u habitën.
Ndërsa ishin në Paris, Morrison dhe Kurson me sa duket dëfryen sipas zakoneve të vjetra. Ata frekuentonin gjithashtu klubet e natës pariziane si “Rock'n'Roll Circus”. Dhe çuditërisht, disa pretendojnë se Morrison në të vërtetë vdiq në të njëjtin klub dhe jo në banesën e tij.
Kjo është historia e vdekjes së Xhim Morrison, nga ajo që dëshmitarët pretendojnë se ka ndodhur në të vërtetë.
Dhe së fundi ka shumë që këmbëngulin të besojnë se Xhimi, në fakt, nuk ka vdekur fare dhe e gjithë kjo është thjesht një mashtrim i konceptuar dhe kryer nga mendja e tij dinake. Dhe ndoshta ky spekulim i fundit nuk është aq i çmendur sa mund të duket.
 
Post epilogu
Pak interpretues kanë qenë kaq kontrovers sa Xhim Morrison. Dhe askush nuk ka bërë që kaq shumë në ndërtimin e imazheve gotike në një përpjekje për të përshkruar mistikën. Ai u përshkrua si njeri me një "vizion demonik nga një gojë ferri mesjetare".
Vdekja e tij për disa, u duk si një fund i trishtuar i një spiraleje të gjatë në rënie. Por ai kishte luftuar prej vitesh me famën dhe varësinë ndaj drogës. Për të thuhet se jetoi shumë brutalisht, mes pijeve alkoolike, mungesë gjumi dhe shpërfilljes ndaj qenies së tij fizike. Zakonet intensive të jetesës çuan përfundimisht në vdekje, gjë që do të justifikonte shkakun "zyrtar" të lëshuar tre ditë pas: atak në zemër.
Ai tanimë prehet në varrezat Père Lachaise të Parisit. Varri i tij u bë një Mekë për fansat e muzikës dhe një nga atraksionet turistike të Parisit.
Historia e grupit dhe e vetë Morrisonit u shfaq në ekranin e filmit si “The Doors” një prodhim i vitit 1991, me regji nga Oliver Stone. Veprat e mbledhura të Xhim Morrison: poezia, transkriptet dhe tekstet u botuan të plota në vitin 2021.

Tirana, qyteti ynë i pabanueshëm!


Nga 
Leonard Veizi
 
Tirana po bëhet çdo ditë e më tepër e pabanueshme. Ajo braktiset nga ca e ca dhe mbipopullohet nga shumë të tjerë.
Por ajo nuk bëhet më mirë. Thjesht bëhet më keq.
Tirana, ky qytet me 40 mijë banorë në vitin 1945 dhe me 250 mijë të tillë në vitin 1990, pas vitit 2020 pretendohet të ketë rreth një milion gjallues. Pra gati 40 përqind të popullsisë që jetojnë brenda kufirit shtetëror shqiptar ka sulmuar Tiranën. Të gjejmë një copë pune dhe një vend ku të fusim kokën... Pastaj shohim e bëjmë.
Ky është migracioni.
Tirana i ka pritur me dashuri jabanxhinjtë edhe para se të bëhej kryeqytet në vitin 1920. Por tanimë nuk pyet njeri, se e drejta për të jetuar ku ta merr mendja të favorizon deri në ngulje hunjsh në tokën e tjetrit dhe vendosjen e sinorëve të rinj. Këtu kemi kaluar në mbivendosje pronash. Se merr vesh qeni të zonë.
Tek e fundit të gjithë kanë të drejtë të lëvizin. Të gjithë kanë të drejtë të jetojnë atje ku e shohin më të përshtatshme apo që është më mirë për ta.
Sot Tirana është një qytet i sulmuar. Por ajo në vend të zgjerohej, është ngushtuar. Është tkurrur. Është bërë më e vogël nga sa ishte. Kjo është jashtë realitetit matematikor, por brenda kornizave mentale.
Në Tiranën e sotme janë shtuar pallatet shumëkatëshe por janë zvogëluar ambientet për fëmijët dhe lulishtet. Në Tiranë janë zgjeruar rrugët dhe janë ngushtuar trotuaret. Në Tiranë nuk ka më rruga a rrugica që të nxjerrin nga një rrugë kryesore tek tjetra, sepse kudo do të gjesh një mur, një garazh, një perimetër mbyllur me teneqe për ndërtim që i kanë kthyer ato në rrugë qorre, të cilat nuk të çojnë askund por të kthejnë pas. Dhe ti vjen vërdallë se nuk e njeh më qytetin që pretendoje se e njihje me pëllëmbë.
Shumë qytetarë të Tiranës sot kanë zgjedhur të largohen nga kryeqyteti e të shkojnë provincave të Evropës, sepse në Tiranë çdo ditë e më tepër jeta bëhet e vështirë dhe e papërballueshme. I keni parë pallatet e Bllokut nga jashtë sa të bukura që janë. Po nga ana e pasme, që nuk kufizohen me rrugën, a e dini çfarë katastrofe është? Po ashtu janë të gjitha blloqet e banimit në Tiranë. Fasada interesante nga rruga dhe qelbësirllëk, ujë baltë dhe mbeturina mes tyre. Dhe të gjithë bashkëjetojnë me erën e qenve e maceve të ngordhura dhe të jashtëqitjeve të tyre që i gjen në çdo hap që hedh.
Dhe mbi këtë qelbësirllëk rrjedh Lana, lumi i vogël, dikur me ujin e pastër sa mund të laje lëveret, ku sot derdhen të gjitha mbetjet e qytetit. Kontributi më i vyer për ndotjen mjedisore.
Në asnjë pallat tanimë nuk ka njerëz të cilët kanë jetuar aty prej dhjetëra vjetësh dhe kanë ndarë me fqinjët vajin e kikirikut, qepë e kripë si dhe farën e kosit. Sepse pronarët janë degdisur gjetkë dhe apartamentet e tyre i kanë dhënë me qira për emigrantët e brendshëm. Dhe nuk ka më shkallë të pastra si dikur, kur gratë dilnin e pastronin pjesën e tyre, dhe ambienti ndriçonte. Sot në çdo shkallë, dhe po aq në ashensorë, gjen plehra të cilat të zotët që i kanë bërë, për shkak edukatës së tyre të përçudnuar, dhe një injorance klasike të theksuar, i lënë cepave me qëllimin që vetë të dalin në rrugë të krekosur, por mbeturinat e tyre t’ia rrasin dikujt tjetri t’i hedhë në koshin që është vetëm 20 metra larg shtëpisë.
Tirana është kthyer në një qytet paçavure. Ecën me makinë por nuk di ku të parkosh. Ecën në këmbë por nuk di nga të kalosh. Ecën me biçikletë, por... e di vetë ti pastaj. Dhe pastaj vjen qershia mbi tortë. Gazetarët me nga një mikrofon në dorë pyesin turistët e huaj: Si u duket Tirana?
-Oh, beautiful!
Dhe pastaj i transmetojnë nëpër ekrane. Tirana kryeqytet Evropian.
Po pse çfarë prisni të thonë: është m.... Po ata 15-katëshin dhe Muzeun shohin. Për aq, interesante u duket Tirana, një qytet me gjurmë orientale në zhdukje, pak oksidental por që po i vihet kazma, më së shumti socrealist me pallatet parafabrikate për së fundi, dhe shumë kaotikë me ndërtime masive pa asnjë lloj urbanistike, të cilat kanë plasur si dinamit që nga viti 2000 e këtej.
Kjo do të thotë që mijëvjeçarin, - i cili do dhe 978 vjet që të mbyllet, - e kemi filluar për së mbari. Imagjino si do jetë Tirana në vitin 3000. Futurizëm fare...
Mirëpo ne po qajmë hallet tani. Dhe tani është.... o Zot s'po e them fare.
Mjafton te shikoni pjesën tjetër të botës, që sapo kalon kufirin, për të ndjerë disnivelin se në çfarë llumi është zhytur Tirana, nga e cila u del koka vetëm gradaçelave.
Tirana po bëhet përditë dhe më e pabanueshme, e pamenaxhueshme. Nuk besoj se do ketë studio urbanistike që e merr përsipër rregullimin e saj. Ndaj do vazhdojmë kështu... me kontribut vullnetar, ta bëjmë edhe më të pabanueshme, por me numër më të lartë banorësh brenda saj.

Për burrat delenxhinj të Shqipërisë


Nga 
Leonard Veizi
 
E kam me burrat hajvanë. U them kështu sepse nuk gjej dot një fjalë përshkruese më të saktë fyerjeje për këtë kategori të qenies njerëzore. Pasi në çdo hap që hedh rrugëve të Tiranës ndeshëm me burra hajvanë, të cilët që në pikë të mëngjesit kanë të njëjtën moto, çuditërisht në mënyrë uniformë: të pastrojnë gurmazin dhe të pështyjnë mu mbi pllakat e trotuarit, pa e fshehur veprimin e tyre nakatosës. Dhe më pas të shfryjnë hundët drejt e mbi trotuar, sipas një metode fort efikase: Zë një vrimë të hundës me gishtin tregues e shfry me tjetrën sa të dalin bulçitë. Dhe era e sqetullave të çan hundët sa të mos dish ku ta mbash vrapin.
-Ej... thirri mendjes! Ku je këtu”... Apo ç'e deshe, - thuaj.
Mire që je pa edukatë, idiot e delenxhi, - po qe se nuk i kupton dy të parat, -  por je dhe negativ. Se hundët o qurrash nuk shfryhen përtokë në mes të mexhlisit që t’ua nakatosësh të gjithëve aq sa të mos vënë ushqim në gojë për një javë rresht. Se u fanitet imazhi yt i pështirë, i yndyrosur e me pantallonat ku qemeri ka rënë tek kocka e legenit
Kujt i thua...
Nxirre vëlla, hiç mos e mbaj. Se edhe Shreku që ishte një lloj përbindëshi e që jetonte në moçal na e ka lënë një shprehje proverbiale me amplitudë të lartë: më mirë jashtë se brenda.
Ja ky është realiteti. Jo ai i burrave elegantë, me ora “Rolex”, syze “Armani” e parfum “Versaçe”.
Dhe jo se në rrethet e tjera nuk ndodh një gjë e tillë, por sot të gjithë kanë ardhur në Tiranë dhe zakonet e përditshmërisë i kanë marrë me vete. 
Kur një herë e një kohë bënim orën e “Edukatës morale” na nxirrnin rrugëve të Tiranës me qëllim që, si nxënës, nëse shikonim një veprim të shëmtuar, t’u tërhiqnin vërejtje qytetarëve për një qëndrim sa më dinjitoz, qoftë duke ecur në trotuar e jo në rrugë, qoftë dhe duke udhëtuar me autobus urban, ku sipas një rregulloreje morale më i riu i linte vendin një më të vjetri, e ku parësore ishin gratë shtatzëna.
Sot ora e Edukatës bëhet në të thatë, dhe njerëzor, - po aq sa dhe majmuni, - shohin njëri-tjetri dhe veprojnë po njëlloj.
-E bëri ai e mos e bëj unë. Jazëk më qoftë... Ptuuu...
Aferim! E meriton një certifikatë nderi, për risi në thyerjen e kornizave dhe standardeve.
Po a nuk je një hajvan pas një veprimi të tillë? Se nuk besoj se kërkon të të çojnë në llixha për relaks. Sepse ky lloj hajvani, - jo detyrimisht gomar në rastin konkret, – nuk i nevojiten pushime në ujëra termalë. Duhet çuar me urgjencë në spitalin e mbipopulluar psikiatrik të Elbasanit, pasi vetëm një shtrat i tillë në pavijon i bën derman. Dhe duhet të qëndrojë me këmishë force e gojën e mbyllur me skoç edhe nëse i provon kolegjit medikal aftësi matematikore sa mund të zbërthejë dhe buxhetin e shtetit fije më fije.
Ore hajvan. Po këtu nuk je në majë të malit ku jashtëqitjet edhe mund të përdoren për plehërim. Këtu je në kryeqytet...
Apo: ç’e deshe, - thuaj.
Dhe të themi atë që është, asokohe Tirana ishte ku e ku më e edukuar moralisht se sa nga fundi i viteve ‘80 e në vazhdim. Tanimë nuk e merr vesh qeni të zonë. Por kjo s’na prish punë, se qeni e gjen të zotin me erë, dhe tek e fundit kjo është marrëdhënia mes tyre. Ajo që të trondit sot rrugëve të Tiranës janë burrat legena, që pa asnjë motivacion, vetëm se ndotin qytetin në mënyrën më skandaloze të mundshme.
Se edhe pështyjnë vend e pa vend, edhe kapin çdo rrënjë peme për të urinuar, por kur e kanë mundësinë edhe ulin brekët e shkarkohen në ndonjë cep pallati, duke u bërë njësh me shokët e tyre qen, të ndoturat e të cilëve i ndeshim në çdo hap që hedhim.
Tek e fundit mirë e ke që nuk do të lesh barkun të të pëlcasë e as bythën, pasi ke ngrënë dy duzina qoftesh zgare, një gjysmë buke, të cilat je munduar t’i tresësh me birrë fuçie. Instinkti i njeriut njëlloj është me atë të bagëtive. Ndryshimi i vetëm është se ata nuk mbajnë brekë veshur, e ia japin nga prapa kur u vjen. Por ti çne që ke pasur nge e ke shkuar të blesh një palë të tilla. Edhe nga ato firmatot ku shkruhet rreth llastikut “Calvin Klein”.
-O pika në kokë ty, shpirtit tënd e... Onjeginit tënd... – do thoshte drejtori i Sandër Mafishes te “Pallati 176”, po qe se e mban mend. E këtë batutë ta them që ta marrësh me sportivitet fyerjen që po të bëj. Se realisht meriton shumë më tepër.
Po të paktën ku e di se çfarë muti je, merr dhe masa me vete. Ndonjë letër higjienike, a peceta të lagura se helbete....
Apo: ç’e deshe, - thuaj. Bëjmë dhe pa to.
E vërtetë është, ke të drejtën natyrore të kruash gurmazin ta hedhësh gëlbazën ku të të vijë. Të kruhesh te stacioni i autobusit e brenda tij. Të pjerdhësh sa të të grisen brekët e mos lësh kusur. Por që je hajvan kjo nuk do konfirmim nga lart. Dhe këtë e ke pak. Se shqipja nuk ka sinonime mjaftueshëm. Dhe këtë e kemi huazuar nga turqishtja.
 
Sfondi i mbylljes
Kam vendosur t’i shkoj deri në fund problematikave që kanë të bëjnë me jetën qytetare. Dhe nuk do rresht së vëni në dukje veset e ndyra të shoqërisë shqiptare, për t’u thënë e stërthënë se në llojin e vemjes ku jetojnë, nuk e kuptoj si marrin guximin e të kërkojnë nga Evropa të bëjë më shumë për ta. T’u hapi dyert... se tek e fundit edhe ata njerëz janë.
Për të ndotur qytetet e tyre siç keni bërë me Tiranën.
Jam marrë dhe me gratë më parë se kaq. Kam shkruar një serial të tërë për veset njerëzore të shqiptarëve. E di mirë që për gjëra të tilla nuk e rruan më njeri. Sepse në këto kohë të turbullta rritjesh çmimesh, ku brisku ka vajtur ku e ku, nuk ia vlen ta blesh, por më mirë ta mbash ashtu në gjendje natyrale. Por ja që ca gjëra duhen thënë edhe kur vërtiten në eter, si Gagarini në orbitë.
Ndërsa ti hajvan, sapo ta ndjesh se shëmbëlltyra jote është në këto rreshta, do plasësh nga marazi e s’do lësh kusur pa sharë. Jepi vëlla, nëse dhe kjo të lehtëson sa të të zërë gjumi si pasha mbi trëndelinë. Por damkën e hajvanllikut nuk ta heq dot kjo. Dhe me shumë gjasa as ti vet nuk ke ndërmend t’ia heqësh vetes me një ndryshim sjelljeje, sepse të pëlqen të jesh hajvan.