Tuesday, January 30, 2024

“Argo”, operacioni supersekret që shpëtoi 6 amerikanë nga Irani hermetik



Nga Leonard Veizi
 
“Argo” pati shumë jehonë në botën perëndimore kur u publikua si film, por mori shumë më pak vëmendje në vendet e Lindjes së Mesme sidomos në Iran. Nuk ishte vetëm një film artistik e triller, por mbi të gjitha ishte mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë e të prekshme fort. Bëhet fjalë për një operacion të fshehtë, qëllimi i të cilit ishte të shpëtoheshin 6-të amerikanë të cilët kishin arritur t’i shmangeshin dhunës së protestuesve ekstremistë, pikërisht në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Dhe ky operacion i koduar “Argo” ishte krejt i panjohur për publikun për një kohë të gjatë. Të paktën derisa doli filmi, i mbështetur mbi dokumente e dëshmi konkrete...
 
...“Argo” tanimë është një film i trasmetuar gjerësisht edhe nga Televizioni Shqiptar, duke bërë të njohur kështu fakte interesante të një ngjarje për të cilën kishin dijeni të përcipta disa nga punonjësit e ministrisë së jashme dhe krerët e partisë shtet të cilët informoheshin përmes dokumenteve “top-secret”, por që ishte një informacion krejtësisht hermetik kur vinte puna për masën e gjërë të popullit dhe që kishin të bënin me revolucionin islamik në Iran rrëzimin e mbretit Shah dhe ardhjen në pushtet të Ajatullah Khomeinit, një udhëheqës fetar që nihet dhe si themeluesi i Republikës Islamike të Iranit.
Gjithsesi, Enver Hoxha, - aso kohe Sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shëipërisë, - mbante një qëndrim pozitiv ndaj revolucionit islamik duke theksuar: “Revolucion antiimperialist i popullit iranian kishte karakter klasor, ishte në themel një revolucion shoqëror dhe jo me karakter fetar”. Madje sipas disa dokumentave të publikuar nga “memorie.al” dhe të marra nga artiva e shtetit, Enver Hoxha në ditarin e tij politik shkruan: “Rojat e Revolucionit” në kryeqytetin e Iranit sulmuan ambasadën amerikane, u futën në të dhe zunë rob titullarin, 60 nëpunës dhe 19 roja marinsa, të cilët ngritën duart lart. Aty u kapën shumë dokumente, të cilat më vonë do t’i shërbejnë popullit iranian. U desh të ndërhynte kryeministri i ri provizor i Iranit, Bazargani, që t’i shpëtonte robërit.”
 
Dokumentacioni
Më 4 nëntor 1979, ndërsa revolucioni iranian arrin pikën e vlimit, militantët sulmuan ambasadën e SHBA në Teheran, duke marrë peng 52 amerikanë. 52 diplomatë e qytetarë së bashku u mbajtën peng prej 4 nëntorit 1979, deri më 20 janar 1981, ose 444 ditë. Pas tentativave aspak frytdhënëse për të negociuar lirimin e pengjeve, ushtria amerikane me urdhërin e drejtpërdrejtë të presidentit Xhimi Karter, u përpoq të realizojë një operacion shpëtimi në 24 prill 1980. I pagëzuar me emrin “Kthetra e shqiponjës”, misioni dështoi. Kjo pasi dy helikopterët amerikanë u rrëzuan, duke sjellë vdekjen e 8 ushtarëve amerikane dhe një qytetari iranian.
Por, në mes të kaosit, në nëntorin e vitit 1979, gjashtë amerikanë arrijnë të rrëshqasin dhe të gjejnë strehim në shtëpinë e ambasadorit kanadez në Teheran. Duke e ditur se është vetëm çështje kohe përpara se të gjashtë të zbulohen dhe ka të ngjarë të vriten, një specialist i "eksfiltrimit" i CIA-s i quajtur Toni Mendez vjen me një plan të rrezikshëm për t'i larguar ata të sigurtë nga vendi. Një plan thuajse i pabesueshëm, që mund të ndodhte vetëm në filma. Por plani funksionoi mrekullisht dhe më 29 janar të vitit 1980 gjashtë shtetasit amerikanë, me ndihmën e kanadezëve, arrijnë të arratisen nga Irani.
“Argo” është filmi triller dramatik historik amerikan i vitit 2012, me regji dhe protagonist Ben Aflek, i cili mori frymëzimin nga një artikull i vitit 2007 në revistën “Ëired” shkruar nga Xhoshua Berman me titull “Arratisja e Madhe: Si CIA përdori një lëvizje të rreme fantastiko-shkencore për të shpëtuar amerikanët nga Teherani” dhe nga kujtimet e Toni Mendez, “The Master of Disguise” botuar në vitin 1999.
Ngjarjet ishin dramatizuar më herët në një film televiziv të vitit 1981, “Escape from Iran: The Canadian Caper”, dhe u përshkruan gjithashtu në një libër nga historiani Robert Rajt, “Our Man in Tehran” botuar në 2010.
 
Ngjarja
Më 4 nëntor 1979, islamistët iranianë sulmuan Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Teheran në shenjë hakmarrjeje, meqenëse presidenti Xhimi Karter i dha Shahut, - një monark absolut që u mbështet nga fuqitë perëndimore, - azil në SHBA gjatë Revolucionit Iranian, për trajtimin e kancerit. Iranianët u zemëruan pasi menduan se Shtetet e Bashkuara, po komplotonin me qëllim rikthimin e tij në pushtet. Vetë Khomeni bekoi marrjen e pengjeve në ambasadë, duke nxitur më tej linjën e ashpër të qeverisë kundër Shteteve të Bashkuara.
 
Filmi
Filmi, i cili gërshetoi pamjet arkivore me pamje të brendshme të tensionuara dhe skena të një Irani që ziente, fitoi vlerësime kritike dhe çmimin e Akademisë për filmin më të mirë.
Filmi fillon me një tregim të shkurtër të ngjarjeve që çuan në përmbysjen e Mohammad Reza Shah Pahlavi dhe Revolucionit pasues iranian dhe hapet në skenën e ambasadës së SHBA në Teheran të rrethuar nga protestues militantë. Brenda, punonjësit po copëtonin dhe digjnin me shpejtsi dokumentet. Në Zyrën e Vizave, e vetmja ndërtesë në kompleks me dalje në rrugë, diplomati Bob Anders, mbledh punonjësit e tjerë—Mark Lijek dhe gruan e tij Kora, Xhoi. Staford dhe gruaja e tij Ket dhe Li Shatz - dhe ata rrëshqasin në rrugë. Ambasadori kanadez, Ken Tejlor, i strehon në vilën e tij. Në Uashington, D.C., Hamilton Xhordan, shefi i kabinetit të presidentit, është informuar për situatën. Departamenti i Shtetit kërkon mënyra për të nxjerrë amerikanët. Xhek O'Donnell  i CIA-s thërret Toni Mendez, një specialist në krijimin e identiteteve të rreme në mbështetje të operacioneve të spiunazhit. Mendez hedh poshtë çdo ide që i sugjerohet për nxjerrjen e gjashtë të ftuarve të ambasadorit kanadez, por më vonë ka idenë që t'i maskojë ata si një grup filmash kanadez që ndodhet në Iran me qëllim të kërkimit të vendndodhjeve të filmave. Mendez dhe O'Donnell kontaktojnë Xhon Kambers, një grimier i Hollivudit që ka punuar më parë me CIA-n. Kambers angazhon producentin Lester Siegel, i cili gjen dhe më pas zgjedh një skenar për një film fantastiko-shkencor të quajtur “Argo” dhe lëshon njoftime për filmin e ardhshëm. Mendez udhëton në Lindjen e Mesme, i maskuar si producent për filmin, dhe takohet me gjashtë amerikanët për të shpjeguar planin dhe për t'u dhënë atyre identitete të rreme si regjisorë kanadezë. Edhe pse amerikanët kanë dyshimet e tyre, ata shkojnë në përputhje me planin, duke përfshirë një turne në qytet të udhëhequr nga një zyrtar i kulturës iraniane. Mendez dhe amerikanët kapërcejnë disa kriza por arrijnë të hipin në një avion pasagjerësh Sëissair dhe të fluturojnë të sigurtë.
 
Vlerësimet
“Argo” i prodhuar nga Grant Heslov, Ben Aflek dhe Xhorxh Kloni, u publikua në Shtetet e Bashkuara më 12 tetor 2012. Filmi u vlerësua për aktrimin, regjinë, skenarin, montazhin dhe muzikën. Filmi mori shtatë nominime në çmimet e 85-të të Academy Aëards dhe fitoi tre, për filmin më të mirë, skenarin më të mirë të adaptuar dhe montazhin më të mirë të filmit. Filmi gjithashtu fitoi pesë nominime për çmimin “Golden Globe”.

 

 

 

 

 

Thursday, January 25, 2024

“Fenerët e kuq” në mes të Tiranës


Nga 
Leonard Veizi
 
Ditët e fundit jam tronditur nga lajmet e më pas nga emisionet e studiove mbështetur mbi lajmet. Nuk flitet më për të vrarë e atentate mafioze se me to xheku jemi mësuar. Madje nuk po na bëjnë dhe aq përshtypje dhe ajo që quhet krimi brenda familjes. Por ka ca krime të tjera që na vënë në mendime për të ngritur pyetjen: Ore jemi në rregull ne si shoqëri, apo po lajthisim dita-ditës? Sa as reagojmë, as debatojmë... por vetëm heshtim e vrojtojmë.
“Prag e përbrenda” thotë një fjalë e urtë e Shqipërisë së Mesme. Por problemi është se halli i tjetrit të vjen nesër ty tek dera e shtëpisë. Si do ia bësh atëherë?
Një mjek, dhe jo dosido por kardiokirurg me vlerë, është nën akuzë për trafikim e abuzim seksual me një të mitur.
Tobekstrakfurullah!
Mbetemi në rrafshin e akuzës dhe ai vazhdon të jetë i pandehur deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata. Por akuzat ngrihen nga Prokuroria pasi Policia ka bërë dhe ndalimin e tij. Megjithatë, çdo çështje sado kriminale ka gjithmonë dy anë medaljeje: njëra ka të bëjë me ligjin dhe tjetra me moralin. Dhe ky kardiokirurug, 42 vjeçar, pretendon se është i martuar me një vajzë  që, por që në fillimet e tyre ishte 14 vjeç e tani është 16 vjeç.
Do thoni ju, nuk është rasti i parë. Se 14 vjeç ishte dhe Gjinoja.
-Edhe dy dëshmitarë të rremë edhe një gotë verë nga prapa dhe yxhum o Gjino të lërosh arën se ta lërojnë të tjerët pastaj.
Gjinua vërtet ishte 14 vjeç, por me një certifikatë të falsifikuar e nxorën si të ishte 18, aq sa ia lejonte ligji të martohej. Sepse në Shqipëri ka pasur gjithmonë ligje. Dhe ligji nuk të lejon të martohesh nëse është vendosur një tavan ku poshtë tij të konsideron minoren.
Po për kardiokirurgun në fjalë, Kodi Penal nuk ka vlerë, sepse ai ndjek një ligj tjetër, atë të sheriatit. Dhe vë dorën mbi Kuran. Dhe sipas tij feja në të cilën ai beson e lejon që ai të martohet edhe një vajzë 14-vjeçare.
Bukur fort!
Po problemi tjetër është se 14-vjeçarja nuk paska qenë as gruaja e parë e doktorit, as e dyta pasi ka ndarë të parën, as e treta pasi ka ndarë dy të tjerat me të cila ka pasur kurorë.... është e katërta. Dhe ai pretendon se është i martuar me katër gra. Dhe këtë sërish ia lejon feja. Kështu është shprehur ai të paktën. Ligjërisht, sipas Ligjit të Republikës së Shqipërisë vetëm njërën ka me kurorë dhe të celebruar në gjendje civile, ndërsa tre të tjerat i bie të jenë bashkëjetuese të tij.
Domethënë një harem i vogël i një pashai që në vend të shpatës ka zgjedhur bisturinë.
E ta lumsha vëlla! Ja më kë duhet të bëjë njeriu biznes.
Po ku është parë e dëgjuar që një burrë të ketë katër gra. Dhe pse? Çfarë ka bërë ky lloj burri për të pasur një privilegj të tillë?
Ma lejon feja, thotë tjetri.
Po ku qenka e sanksionuar, në çfarë qitapi a fermani? Dhe përse mbi të gjitha t’i si burrë zamani paske të drejtë të vërdallosesh mbi barkun e katër grave. Por asnjë nga gratë e tua nuk ka të drejtë të ketë katër burra?!
Me çfarë kemi të bëjmë këtu, me diskriminim gjinor???
-Po emancipimi...
U ç'na the.
Të mendojmë se duam të futemi më thellë. Mos ka ndonjë devijancë këtu? Se nuk ma ha mendja që një libër i shenjtë si Kurani të ketë thagma të tilla. Pra të lejojë që një burrë të shijë mbi gratë.
Dhe nëse ka ndonjë pikë të tillë duhet studiuar me kujdes, se bën vaki e sqaron se në çfarë kushtesh e rrethanash lejohet që një burrë të marrë më shumë se një grua dhe jo më shumë se 4 gra.
Teologë të ndryshëm japin sqarime të ndryshme.
Edhe mua vallahi-bilahi më pikon në zemër të kem nja katër gra dhe një tufë me kalamaj. Nja 7 a 8 për shembull. Por mirë që s’më lë njeri se më marrin me dru sa të më thyejnë kërbishtin në mes të mexhlisit, por mbi të gjitha me se t’i mbaj? Se bëhen nja 10 a 12 gojë të shkretët. Edhe ujë çezme t’u japësh kush e di sa të vjen fatura, jo më me të ngrënë, me të pirë, me të shkolluar e nga një telefon celular që duan të gjithë. Veç në je sheik të keqen vëllai se me rroga doktori nuk ia del dot as një gruaje jo më katër grave.
Vite më parë Televizioni Shqiptar transmetoi një film “Fenerët e Kuq”. Ai është një film dramatik romantik në gjuhën kineze i vitit 1991 me regji të Zhang Yimou dhe me protagoniste aktoren Gong Li, performanca e së cilës u nominua për Oskar në vitin 1991 duke u kthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Është një përshtatje nga Ni Zhen e novelës së vitit 1990 “Ngrini fenerin e kuq” i cili fillimisht është njohur si “Gratë dhe Konkubinat” shkruar nga Su Tong. Në anglisht “Fenerët e Kuq” njihet si “Raise the Red Lantern”
I vendosur në vitet 1920, filmi tregon historinë e një vajze të re, Songlian, që bëhet gruaja e katërt e një burri të pasur gjatë Epokës së Kryekomandantëve. Me të mbërritur në banesën e pallatit, e sapomartuara 19-vjeçare në fillim trajtohet si mbretëreshë, duke marrë masazhe sensuale të këmbëve dhe fenerë të kuq të ndezur, si dhe një vizitë nga bashkëshorti i saj, Mjeshtri Çen. Megjithatë, Songlian shpejt zbulon se jo të gjitha gratë në familje marrin të njëjtin trajtim luksoz. Në fakt, mjeshtri vendos çdo ditë gruan me të cilën do të kalojë natën; këdo që ai zgjedh i ndizen fenerët, merr masazhin e këmbëve, zgjedh menynë e vaktit dhe merr vëmendjen dhe respektin më të madh nga shërbëtorët. Të vendosura në konkurrencë të vazhdueshme kundër njëra-tjetrës, të gjitha gratë janë vazhdimisht në garë për vëmendjen e burrit të tyre.
Dhe kaq me filmin, sa për të treguar se tanimë “Fenerët e Kuq” të Epokës së Kryekomandantëve kinezë, na kanë zbarkuar në mes të Tiranës.

 


Tuesday, January 23, 2024

Salvador Dalí, peneli provokues dhe magjepsës i surrealizmit


Nga Leonard Veizi
 
Ai përshkroi në mënyrë magjepsëse një botë ëndrrash në të cilën objektet e zakonshme deformoheshin ose metamorfozoheshin në një mënyrë të çuditshme dhe irracionale. Ndaj u njoh dhe si piktori më me ndikim për eksplorimet e tij të imazheve të nënndërgjegjes, duke mbetur njëkohësisht dhe piktor surrealist nga më të rrallët që nxori bota. Gjatë karrierës së tij përfundoi 1648 piktura, pa përmendur librat e ilustruar, dizenjimet e skenave dhe kostumeve për teatër, një numër të madh vizatimesh, duzina skulpturash dhe projekte të tjerë, përfshirë dhe një film vizatimor për “Disney”...
 
...Në Shqipërinë e viteve të komunizmit, informacioni për botën e jashtme ishte shumë i pakët. Dhe bëhej më si vështirë penetrimi kur flitej për arte moderne që ishin në kundërshtim me praktikat e realizmit socialist. Informacioni për pikturën, mund të kishte ndonjë dritare në Akademinë e Arteve, por aspak për masën. Ndaj një libër kritik si “Labirintet e modernizmit” shkruar nga Alfred Uçi, mbetej një mundësi për të marrë informacion bashkë me kritikën socrealiste, që shkonte deri në banalitet. Si pjesë e informacionit ishin dhe ilustrimi i vëllimit me një seri pikturash të autorëve modernë, të cilat ishin të stampuara me ngjyra në këtë libër estetike. Nga kjo mund të krijoje një përfytyrim më të saktë rreth asaj që në Shqipërinë e kohës cilësohej si art dekadent dhe degjenerues për rininë me moralin e shëndoshë komunist. Dhe kështu u njoha me Dalinë, për të cilin kisha dëgjuar aty-këtu informacione me kursim.
 
Labirintet... e Dalisë
Dha ja çfarë shkruan mes të tjerash profesor Uçi, në librin e tij “Labirintet e modernizmin – Kritika e estetikës moderniste”: “Figura me e rëndësishme e artit surrealist deri vitet e para pas Luftës se Dytë Botërore, ka qenë Salvador Dali. Jeta dhe veprimtaria e Dalisë janë shumë kuptimplote për personalitetin e degjeneruar të artistit modernist në përgjithësi. Për tablotë e tij Dalia ka thënë se janë produkt i një realiteti krejt spontan e irracional për të fiksuar ëndrrat, kllapitë dhe halucinacionet, por, në të vërtetë, tablotë e tij janë të sajuara, të ndërtuara me kujdes e me vetëdije të plotë, duke kombinuar artificialisht figurat e sendeve ose të pjesëve te tyre. Piktura e tij është një shkatërrim i vërtetë i arti”.
Në definicionin e tij estetisti për më tej Alfred Uçi shkruan: “Pikturat surrealiste nuk i dhurojnë spektatorit asnjë kënaqësi pozitive estetike; ato ngjallin vetëm emocione negative, frikë dhe neveri. Në historinë e artit të shekullit XX surrealizmi mbetet si një simbol i llahtarshëm i degjenerimit të artit borgjez e revizionist”
Kaq për sa i përket informacionit të dikurshëm mbi një artist botëror. Ndërsa sot për Salvador Dalinë gjen informacione pa fund dhe për më tepër në këndvështrime të tjera.
 
Fillimet e Dalisë
U lind më 11 Maj, 1904 në Figueres të Spanjës, pranë kufirit francez në Katalonia. Për Dalínë thuhet se ishte një fëmijë i parakohshëm dhe inteligjent. Pas njohjes së talentit të tij të jashtëzakonshëm, prindërit e dërguan në shkollën e vizatimit në Colegio de Hermanos Maristas dhe në Institutin e Figueres në Spanjë, në vitin 1916. Nuk ishte një student serioz, preferonte të ëndërronte dhe u dallua si ekscentrik i klasës, veshur me rroba të çuditshme dhe flokë të gjatë. Pas vitit të parë në shkollën e artit, zbuloi pikturën moderne. Vitin pasardhës, i ati organizoi një ekspozitë me punimet e tij në karbon.  Në vitin 1922, Dalí u regjistrua në Academia de San Fernando në Madrid. Si student arti Dalí përvetësoi një numër të madh stilesh artistikë dhe shfaqi një strukturë të pazakontë teknike si piktor. Megjithatë, deri në fund të viteve 1920, dy ngjarje sollën zhvillimin e stilit të tij të pjekur artistik: zbulimi i shkrimeve të Sigmund Frojdit mbi rëndësinë erotike të imazheve nënndërgjegjeshëm dhe përkatësia e tij me surrealistët e Parisit, një grup artistësh dhe shkrimtarësh, me të cilët u përpoq të vendoste “realitetin më të madh” të nënndërgjegjeshëm njerëzor mbi arsyen. Për të sjellë imazhe nga nënndërgjegjja e tij, Dalí nisi të nxiste gjendje haluçinative në vetvete me një proces që ai e përshkroi si “kritikë paranojake”.  Metoda përshkruante një gjendje mendore të çorientuar qëllimisht që do t'i lejonte një individi të lidhte gjëra të palidhura, duke krijuar rrugë të reja të mendimit dhe krijimit. Sapo përvetësoi metodën, stili i tij i pikturës u poq me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe mes viteve 1929 -1937 prodhoi pikturat që e bënë atë artistin më të njohur surrealist në botë.
 
Martesa e Dalisë
Në gusht 1929, Dali takoi Elena Dmitrievna Diakonova, një emigrante ruse, e cila ishte 10 vjet më e madhe në moshë. Aso kohe, ajo ishte gruaja e shkrimtarit surrealist Paul Éluard. Mes Dalisë dhe Diakonovës  pati një tërheqje të fortë psikike dhe fizike, ndaj kjo bëri që Elena të largohej nga Éluard, për t’iu përkushtuar të dashurit të ri. E njohur gjithashtu si “Gala”, Diakonova u bë muza dhe frymëzimi i Dalit. Ajo ndihmoi në balancimin – ose mund të thuhet kundërpeshën – e forcave krijuese në jetën e piktorit. I kushtuar fantazisë së tij të egra, ai nuk ishte i aftë të kontrollonte paratë apo thjesht që artin e tij ta kthente në biznes. Kështu që Gala u kujdes për çështjet e tij ligjore dhe financiare duke negociuar kontrata me tregtarët dhe promovuesit e ekspozitave. Çifti i martua zyrtarisht në vitin 1934.
 
Pikëpamjet politike të Dalisë
Pikëpamjet e tij politike ambivalente gjatë ngritjes së fashizmit i larguan kolegët e tij.
Ndërsa lufta po afrohej në Evropë, veçanërisht në Spanjë, Dalí u përplas me anëtarët e lëvizjes Surrealiste. Në një “gjyq” të zhvilluar në vitin 1934, ai u përjashtua nga grupi. Kishte refuzuar të mbante një qëndrim kundër diktatorit spanjoll Françisko Franko. Zyrtarisht, Dalí u njoftua se dëbimi i tij ishte për shkak të "aktivitetit të përsëritur kundër-revolucionar që përfshinte kremtimin e fashizmit nën Adolf Hitlerin".
 
Surealizmi i Dalisë
Do të mbeste si një emblemë sentenca e tij gjatë një replike: "Unë vetë jam surrealizëm".
I njohur për personalitetin e tij madhështor ai u njoh gjithashtu për rolin e provokatorit të djallëzuar, po aq sa edhe për virtuozitetin e tij teknik të pamohueshëm.
Kritika është shprehur se pikturat e tij shfaqin një magjepsje për artin klasik dhe të rilindjes, qartësisht e dukshme përmes stilit të tij hiper-realist dhe simbolizmit fetar.
Dalí i portretizoi objektet me detaje të përpikta, pothuajse të dhimbshme realiste dhe zakonisht i vendoste ato brenda peizazheve të zymta të ndriçuara nga dielli. Ndoshta më e famshmja nga ato imazhe enigmatike është “The Persistence of Memory” punuar në vitin 1931, në të cilën orët e thyera pushojnë në një peizazh të qetë e të frikshëm. Kritika shpjegon se piktura përcjell disa ide brenda imazhit, kryesisht se koha nuk është e ngurtë dhe gjithçka është e shkatërrueshme.
Në fund të viteve 1930, Dalí kaloi në pikturë në një stil më akademik nën ndikimin e piktorit të Rilindjes Rafael. Më pas, ai kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij duke projektuar skena teatrore, ambiente të brendshme të dyqaneve në modë. Por ekspozoi gjenialitetin e tij me punime të bujshme në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi nga viti 1940 deri në 1955. Në periudhën nga 1950 - 1970, Dalí pikturoi shumë vepra me tema fetare, megjithëse vazhdoi të eksploronte tema erotike, të përfaqësonte kujtimet e fëmijërisë dhe të përdorte tema të përqendruara te gruaja e tij, Gala.
 
Fundi i Dalisë
Në vitin 1980, Dalí u detyrua të tërhiqej nga piktura për shkak të një çrregullimi që i shkaktoi dridhje të përhershme dhe dobësi në duar. Duke mos qenë më në gjendje të mbante një penel, ai kishte humbur aftësinë për të shprehur veten ashtu siç dinte më mirë. Në vitin 1982, bashkëshortja e tij vdiq. Këto dy ngjarje e çuan në një depresion të thellë. Ai u zhvendos në Pubol, në një kështjellë që e kishte blerë dhe rimodeluar për bashkëshorten. Në vitin 1984, Dalí u dogj rëndë në një zjarr. Për shkak të plagëve të marra, ai u kufizua në karrige me rrota. Më 23 janar 1989, Salvador Dalí, ky gjeni i pikturës surrealiste, vdiq në qytetin e tij të lindjes nga një sulm në zemër. Ishte në moshën 84-vjeçare. 
 
 
 

Friday, January 19, 2024

Eta Xhejms, diva me zërin e thellë


Nga Leonard Veizi
 
Emri i saj rezonon thellësisht në peizazhin e gjerë të muzikës bluz. Kishte një timbër të rrallë dhe vazhdon të konsiderohet si një nga këngëtaret më dinamike të muzikës. Zotëronte një fuqi vokale emocionuese që mund të kalonte kufijtë, duke depërtuar në zemrat e dëgjuesve. I thellë dhe tokësor zëri i saj kapërceu hendekun mes ritmit të bluzit dhe rock and roll-it. Trashëgimia dhe ndikimi i saj në muzikë mbeten të gjalla shumë kohë pasi zëri i saj është shuar. Pavarësisht nëse këndoi për trishtimin apo gëzimin, ajo u bë mbretëresha e pazëvendësueshme të dhimbjes dhe dashurisë në çdo melodi. E megjithëse ishte ndër këngëtaret femra më të vlerësuara dhe me ndikim ajo nuk arriti dot një sukses të të jashtëzakonshëm mbarëpopullor.
 
Nisja
Janari shënon datën e lindjes dhe të vdekjes së saj, sepse doli në jetë më 25 janar 1938 në dhe vdiq po në janar, vetëm se në datën 20 të vitit 2012. Ishte 74 vjeç, dhe vuajti nga një koleksion sëmundjesh.
E njohur profesionalisht si Eta Xhejms zyrtarisht ajo quhej Xhejmsata Houkins. U lind nga një nënë 14 vjeçare dhe nuk e njohu kurrë babanë e saj.
Gjatë jetës dinamike u përball me një numër problemesh personale, duke përfshirë varësinë ndaj heroinës, abuzimin e rëndë fizik dhe burgosjen. Por kjo ishte Eta.
 
Karriera
Si një këngëtare amerikane interpretoi në zhanre të ndryshme, duke përfshirë gospel, blues, jazz, R&B, rock and roll dhe soul. Në moshën 5-vjeçare, me inkurajimin e nënës së saj, nisi të këndoj në korin e kishës dhe në radio. Në moshën 12 vjeçarë krijoi një grup prej tre vajzash.
E filloi karrierën në vitin 1954, dhe fitoi famë me hite si "The Wallflower", "At Last", "Tell Mama", "Something's Got a Hold on Me", dhe "I'd Rather Go Blind".
Por talenti e Etës nuk ishte i rezervuara vetëm për balada të fuqishme. Ajo dinte të tundte muret e një shtëpie dhe këtë e bëri me këngë të tilla si "Something's Got a Hold On Me" në 1962, "In The Basement" në 1966 dhe "I'd Rather Go Blind" në 1968.
Puna e Xhejms fitoi vëmendje pozitive nga kritikët si dhe nga fansat.
Qasja e saj si ndaj këngës ashtu si dhe ndaj jetës ishte një angazhim i egër, shpesh i dëshpëruar që përfshinte dhunën, varësinë nga droga, grabitjen e armatosur dhe sjelljen shumë kapriçioze. Xhejms këndoi me dhimbje dhe një uri emocionale të pashoqe. Egërsia e zërit të saj dokumentoi një fëmijë të lënë pas dore, një grua që hynte vazhdimisht në marrëdhënie të këqija dhe një artiste që tërbohej kundër një shoqërie që e kishte diskriminuar në mënyrë rutinore.
Ajo shkroi disa këngë të mëdha që i këndoi po vet. Zëri i saj, i cili mund të kalonte brenda një çasti nga i butë në të egër, frymëzoi këngëtaret si Emi Uajnhaus dhe Adele.
Eta Xhejms ishte një yll, por me sa duket e vendosur në vetëshkatërrim.
Kënga “Tell Mama's”, një baladë e mprehtë, e dhimbshme e humbjes dhe xhelozisë, tani qëndron si regjistrimi më i famshëm i Eta Xhejms dhe një nga klasiket e muzikës shpirtërore.
 
Çmimet
Ajo fitoi tre çmime “Grammy” për albumet e saj dhe 17 Çmime të Muzikës Blues. U përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame” në 1993, “Grammy Hall of Fame” në 1999, dhe “Blues Hall of Fame” në 2001. Ajo gjithashtu mori një çmim Grammy për arritje jetësore në 2003.
Revista “Rolling Stone” e renditi Eta Xhejms në vendin e 22-të në listën e 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por ajo u rendit nga “Rolling Stone” gjithashtu në vendin e 62-të në listën e 100 artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Lista e Billboard-it e vitit 2015 me "35 Artistët më të mëdhenj R&B të të gjitha kohërave" përfshinte gjithashtu Eta Xhejms.
“Rock and Roll Hall of Fame” e cilësoi atë "një nga zërat më të mëdhenj të shekullit të saj"
Me veprime sugjestive skenike, Xhejms vazhdoi të performonte dhe të regjistronte deri në vitet 1990. Gjithmonë plot shpirt, zëri i saj i jashtëzakonshëm u shfaq me efekt të madh në publikimet e fundit, duke përfshirë “Blue Gardenia”, e cila u ngjit në krye të tabelës së xhazit Billboard.
 
Epilogu
Në vitin 2003, Xhejms iu nënshtrua një operacioni “bypass gastrik” dhe humbi mbi 90 kilogramë. Rënia drastike e peshës pati një ndikim në zërin e saj. Dhe siç tha ajo për revistën “Ebony”. "Unë mund të këndoj më poshtë, më lart dhe më fort"
Ndërsa hyri në të 70-at, nisi të luftonte me probleme shëndetësore. Ajo u shtrua në spital në vitin 2010 për një infeksion gjaku, së bashku me sëmundje të tjera. Më vonë u zbulua se këngëtarja legjendare vuante nga demenca dhe po merrte trajtim për leuçeminë.
Eta Xhejms publikoi albumin e saj të fundit në studio, “The Dreamer”, në nëntor 2011, i cili mori komente pozitive. Disa javë më vonë, mjeku njoftoi se këngëtarja ishte e sëmurë përfundimisht.
Eta Xhejms vdiq në shtëpinë e saj në Riverside, Kaliforni, më 20 janar 2012.
Autobiografia e saj, “Rage to Survive” e shkruar dhe me ndihmën e David Ritz, u botua në vitin 1995.

Në “burgun” gazmor të VIP-ave me overdraft


Nga 
Leonard Veizi
 
-Ç'bëhet kështu?
-Plasi në Kuçovë. Punëtorët po zihen me sipërmarrësit.
-Dua ta shoh me sytë e mi katrahurën. Hajdeni!
U desh vetëm një spot publicitar, - edhe pse prej kohësh kishin filluar thashethemet - që i madh e i vogël në Shqipëri të ngriheshin në këmbë.
Atë ditë që erdh haberi/ dilni se erdhi Enveri...
-Yshhhhh or dreq...
Jo mo se s'ka të bëjë as me Enverin e as me Saliun kjo punë. Tjetërkund fle lepuri. Ka nisur Big-u. Big-u ore, ai me mbiemrin Brother. Dhe Big-u nis me aheng të madh. Hajde gallatë, hajde. Njëlloj si dikur kur votohej për kandidatët e Frontit Demokratik.
Dhe pas kësaj shqiptarët u ngujuan brenda. Si në kohën e pandemisë. Se kur bie tërmet, zakonisht ia mbathin nga sytë-këmbët.
Në Shqipëri ka plasur bomba... Bomba ore, bomba po u them. Dhe s’gjen me njerëz rrugëve si për Vit të Ri. Në kafe s’ke me kë shkëmben ndonjë fjalë se edhe banakieri me kamerierin e kanë lëshuar tabakanë dhe janë përqendruar tek ekrani.
Hë ç'na e zutë në fyt dhe këtë çapë buke që po hanim.
Big-u është bërë si Kopshti 36. Ose 28. Çështje numrash. U ngjeshën banorët brenda sa mezi po marrin frymë të shkretët. Dhe plasi debati që ditën e parë.
A janë VIP-a VIP-at?
Ore gallatë të mbash hijet me duar.
Po kush është ai që guxon t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje 1 milion dollarëshe. Ndaj kishte të drejtë kolegu Elvis Myrta, - pjesë e kastit, - kur tha: Po mundohem dhe unë të bëhem aristokrat, se deri tani kam qenë Popull i Thjeshtë. Dhe me të drejtë. Si mund të jesh VIP kur thjesht je një rrogëtar. Madje më keq: me overdraft. Kur tollovit fjalët për skemat e lëvizjes së planetëve, e kur shkon të marrësh rrogën të thonë: duku nga java tjetër se kemi ca detyrime të tjera për të shlyer.
Pastaj pjesa tjetër është në rregull: ha e pi e mendjen mos e vrit.
Dhe kjo ndodh në Big, ku per ca përfitime të vogla ia shesin shpirtin djallit. Por që shqipen korrekte togfjalëshi merr kuptimin: të hapësh zorrët e barkut.
Humor burgu ore.
Personalisht, edhe pse kam shkruar disa herë për çështjen e problematikave si një eksperiment social me pasoja në psikikën e njeriut, sërish nuk lë “prajm” pa ndjekur. Dhe këtë herë kam një arsye më shumë, se me Elvisin hokatar që gjuan me batuta të goditura, - që ca më shkurt i thonë Lis edhe pse është 1.60 i gjatë – kemi qenë në të njëjtin front. Kemi punuar në të njëjtën gazetë desha të them.
-Hajde shkojmë shohim se ka filluar filmi në televizor!
-Vemi or po qysh! Hapim sytë. Ore gjitonin njeriu e ka si vëlla, - i thosh Seferi djalit të xhaxhait me emrin Hariz Dane që punonte me traktor për hapjen e tokave të reja në Ksamil. Dhe mblidheshin tek apartamenti i gjitonit me kuç e me maç të shihnin filmin e radhës. Ja kështu është edhe sot. Kohët kanë ndryshuar, prej vitit 1983 kur është realizuar filmi “Dritat e Qytezës”. Mentaliteti jo.
Çfarë kam shkruar për dy edicionet e para, do pyesni ju. Se helbete ose i keni harruar ose s’i keni lexuar fare.
-E çfarë s’kam shkruar... Fjala vjen theva gjyzlykët e mija dhe kam mbetur me një xham. Theva dhe xhamat e teto Sotiricës... 
...Asnjë nga këto në fakt. Se këto i bëri xha Bequa nën ndikimin e fortë të xha Sulos që bënte dhe gabime parimore.
Fillimisht bëra një shkrim me titullin “Eksperimentet sociale që nisin si lojë dhe përfundojnë në dramë”, ku mes të tjerash mora në referencë shkrimtarin anglez Xhorxh Oruell i cili parashikoi ardhjen e “Big Brother” me veprën e tij “1984”: një sy-diktator i madh, i gatshëm për të monitoruar dhe spiunuar çdo lëvizje të individëve. Në të njëjtin shkrim evidentova dhe me filmin dramatik “The Experiment” i cili trajton temën e një eksperimenti social në kushtet e “Big Brother”-it. Vullnetarë që mbërrijnë për një studim psikologjik të udhëhequr nga një mjek, në të cilin pjesëmarrësit do të ndahen në grupe që veprojnë 6-të si roje burgu dhe 20 si të burgosur, ku vetëm në pak ditë situata del jashtë kontrollit aq sa dy protagonistët, arrijnë ta urrejnë e ta rrahin gati për vdekje njëri-tjetrin.
Ndaj duhet pasur kujdes me Big Brother-in. Se nis gjithë qejf, por s’i dihet si përfundon.
-Edhe ty Grunjo ta tregoj unë qejfin po të kapa në ndonjë cep,.... - kërcënonte ndihmësi i rrobaqepësit maxhordomin e pasanikut Petruçio nga Verona tek komedia “Zbutja e kryeneçes” së Shekspirit.
Edicioni i dytë i Big-ut më dha mundësinë të shkruaja dy shkrime “Fundi dramatik i eksperimenteve sociale me njerëz realë” dhe “Shqiptarëve iu prish dyzeni me çuditë e Kiarës dhe Luizit”. Të dytin po e anashkalojmë se nuk ia vlen, por tek i pari mora në referencë një film, në gjuhën italiane me titullin origjinal “Il giorno prima”, që në anglisht njihet si “Control” por i ardhur në shqip nën titullin: “Një ditë më parë”, e që flet për një eksperiment në lidhje me efektet psikologjike të lodhjes mendore tek ata që janë të mbyllur në një ambient për një periudhë të gjatë kohore. Si puna e Big-ut dhe ky. Janë 15 vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kundrejt një pagese prej 10 mijë dollarësh, bien dakord të marrin pjesë në një eksperiment të promovuar në Frankfurt nga një kompani që ndërtonte strehime antiatomike.
Fundi i filmit nuk është aspak optimist.
Besoj se tek edicioni i tretë i Big-ut VIP do shkruaj tre shkrime dhe do ta ndjek spektaklin edhe më me vigjilencë. Gati-gati si opinionistët. Ndoshta pikërisht sepse aty brenda bashkëvuan kolegu Lis Myrta, me të cilin kemi bashkëvuajtur jashtë si pjesë e një skuadre.
Mbahu Elvis vëllai! U fute pa dhëmbë në Big, por do dalësh me proteza fringo. Edhe në instagram ndjekësit po shtohen si me magji.
Big-u nisi ethshëm. Duket si një mekanizëm që ta mbajë populizmin brenda 4 mureve. Pastaj nis Kampionati Evropian dhe njerëzve do t’u bëhet mendja top. Askujt nuk i bie më në mendje për pensionet se një Donald a Luiz i ri do shfaqet për t’i mbajtur ata të ngujuar para ekranit të televizorit. Dhe halli më i madh nuk është rritja e çmimeve, se ato janë katapultuar tashmë. Hall është të gjenden paratë për t’u abonuar në kanalet ku Big Brother është non stop 24/7 plus 90 ditë. Për momentin, se mund të shkojë dhe 120 ditë e kacafiu.
Por dhe kjo e ka një zgjidhje. Se moshave të treta, që s'kanë më punë e dredhin zinxhirin, paketën ua bëjnë dhuratë kalamajtë që punojnë në emigracion. Mjafton që prindërve të mos u mungojë ku asortiment kaq i rëndësishëm.
Më të pamundurit do heqin dorë nga ilaçet, sepse edhe spektakli në fjalë është adrenalinë që të mban në jetë. Deri sa të dalë fituesi e të fiki dritat.
-Po kush do të fitojë?
-Aaaa. Jo, jo, është mbrëmje me emocione
-Le ta quajmë mbrëmja e shpëtimit.
-Përse shpëtimit? Po cili shpëtoi? E nga se shpëtoi? – ngritën pyetjet Apostoli dhe Sotiri i filmit “Dhe ashtu dhe kështu” e që morën përgjigje nga “karragjozi” që ishte maskuar si gazetar.
Por halli do transferohet edhe tek rruga “Mustafa Matohiti” ku doktori nuk do ketë më kujt t’i drejtohet në fjalimet e tij pa megafon, sepse ithtarët do jenë duke ndjekur sherret e VIP-ave.
Njerëzit do harrojnë hallet, do shohin spektaklin. Do zihen të nesërmen pas spektaklit. Të paktën dy herë në javë. Dhe dy ditë është vetë spektakli. E ç'mbetet? Tre ditë janë të shkretat ku furnizimi nga rrjetet sociale do jetë në maksimum, me lajme të vërteta e të fabrikuara. Ku spektakli, i cilësuar si eksperiment social, përveçse do gëzojë disa nga pjesëmarrësit, do degradojë shumë të tjerë që kur të dalin jashtë “shtëpisë së famshme” do vënë duart në kokë për atë që do lexojnë se çfarë është thënë për ta.
Do Perëndia nuk vret veten njeri! 

Wednesday, January 17, 2024

Jani Riza, emblematiku i roleve të forta


Nga Leonard Veizi
 
E kush nuk i mban mend personazhet e interpretuara prej tij. Në tërësinë e roleve që ka lënë në pelikulë ai ka interpretuar burra të ashpër, me mustaqe e mjekër të zezë, që dinin ta luanin mirë koburen. Por mund të ta merrnin shpirtin dhe me armë të tjera rrethanore. 
-Mazllëm Bylyku, fiu-fiu.. Jeni në vete mo ju mbylltë. Po ai është frikacak. Mirë e ke, po pati frikë ka dhe kobure.
Mjafton të kujtosh batutat e spikatura, dhe e kupton menjëherë për kë bëhet fjala.
-Po qenke tuaf a derbardhë. Mos u frikëso se asgjë s’do të ndodhë. Shko e merr një paketë cigare te zhaqeta ime.
Bëhet fjalë për aktorin e njohur korçar Jani Riza. Dhe roli i tij i parë në kinema do të ishte ai  i Dalip Kamberit në filmin “Vitet e para”. Por spikati në rolin e Shabanit tek filmi “Streha e Re”.
-A e di që më pëlqen muhabeti me ju. Po njerëz me shkollë bre, ka ç'të mësojë njeriu. Do vras një ditë nja 2-3 lepuj e do t'ia shtrojmë, tym ta dalë.
Por do të shkëlqente me rolin e Xhezos tek filmi “Përballimi”, që shiste grurë në tregun e zi dhe shkëmbente mall me mall në raste të veçanta.
-Epo, ai që s’ia ka bërë ‘shkrap’ fare me detyrimet t’i vërë gishtin kokës vëllezër. Të gjithë piqemi me dhjamin tonë. Sivjet jemi ca si keq se misrin e dongdisi bryma. Lëmsh kjo punë more djalë.
-Nuk është lëmsh more shokë jo, por po na e bëjnë lëmsh kulakët dhe pasanikët që përhapin parulla si kjo që the zotrote.
-Allahu na rojtë. Që e prishi ca bryma e prishi. Po në qoftë llaf pe kulaku unë s’e zë më në gojë. I kam sahanët e ndarë me ta.
Por po aq rol i fortë që të mbetet në kujtesë është dhe ajo e Lame Kurrizit tek filmi “Asgjë nuk harrohet”.
-Ti e di vetë, që në tetor të ‘43-shit kur erdhe në shtëpi e më gjete të sëmurë, e më këshillove pastaj që të hiqja dorë nga Balli. Ti m’i hape sytë. Ua kam thënë  të gjithëve, e kam dhe në biografi. Por që atë ditë ama bëra çmos për Lëvizjen. Ja kështu o shoku Fane, sikur të më lëshoje ti një vërtetim. Asgjë më tepër. Vetëm aq sa më takon. Dy gisht kartë.
Jani kishte një trup të bëshëm, zë të ashpër e vështrim të thellë. Por kritika është shprehur se kishte dhe një të vetëndjerë të thellë të rolit. Por edhe pse të jepte përshtypjen e një njeriu të rreptë e që nuk dinte të falte kollaj, miqtë e tij thonë se në jetën e përditshme ai ishte i butë e miqësor.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Jani Riza lindi në 17 janar të vitit 1941, në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës. Në vitin 1964 mbaroi shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” për aktor dhe fill më pas u emërua në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Ka interpretuar në skenën e këtij teatri mbi 40 role, kryesore dhe të dyta, duke u bërë një nga aktorët më të spikatur të trupës.
Por Jani Riza ishte një aktor mjaft i suksesshëm dhe në kinematografi. Në pelikulën e filmit me portretin e tij të retushuar sipas personazheve kanë mbetur të paktën 15 role.
Por një rol të këndshëm e gazmor, ndoshta nga të rrallët larg natyrës së tij ai e interpretoi dhe në filmin “Rrethimi i Vogël”.
-Ej doktori i dhive! Ku e ke mendjen? E paske humbur fare... Ik o mbushu, ti kryetar?! Pa hajde këtu të të puth. S’kisha puthur ndonjë kryetar. Mos u gëzo byrazer! Ta pimë me dhimbje se po na ndahet edhe një shok. Prandaj rraheni, shajeni, asgjë mos i lini pa i thënë. Se nga nesër Gonia do të bëhet shoku Agron. Po unë të bluaj o i zi, të shtyp me makinë po e harrove shoqërinë e vjetër.
Ndërkohë që një interpretim i arritur është dhe ai i partizanit të çartur Mete Jazo tek filmi “Ata ishin katër”.
-Ta marrë djalli. Dhe e gjitha kjo përse. Për një këngë. Kënga nuk është detyrë luftarake. Detyra luftarake është atje në front. Prandaj unë them që të gjithë të shkojmë atje, në pozicion me shokët.
Ndërsa tek filmi “Mëngjese Lufte”, edhe pse do të luante një rol të vogël, si ishte fort mbresëlënës, ku në dyshe me aktorin tjetër të talentuar Minella Borova luajnë rolet e oficerëve gjermanë që mbeten pa rroba duke u larë në liqen.
Tek “Gunat mbi tela”, ai do të luante rolin e një fshatari lab me gunë mbi supe e me një hu në dorë që shihte si armikun më të madh jo ushtarët italianë por një prozhektor të fuqishëm që ndriçonte vendin ku kalonin luftëtarët shqiptarë. Ndaj shkoi ‘të vriste’ të parin atë:
-Ptu, racë e mallkuar! Ku të ka vajtur mendja? Na i vrave djemtë që të vraftë rrufeja! Lugat, ma more shpirtin. Por unë do të të shuaj me gjithë ç'ke...
Por kryeroli i tij do të ishte ai Bunac Saliut në filmin televiziv “Agimet e stinës së madhe”. Për këtë rol thuhet se ishte figura tek e cila pati një mishërim aktorial të nivelit të lartë. Pikërisht ky rol i dha dhe medaljonin në Festivalin V të Filmit Shqiptar.
-A s’më thua si po të venë punët? Porropia po të merr, i kam dëgjuar të gjitha. Prit një ditë kur ata komunistët e tu të të vënë dhe prangat. Latif Bora është një leckë që nuk u duhet më. Përse luftove? Çfarë fitove? Latif Bora të parin e vendit e bën Bunat Saliu. E di unë ku të rreh çekani ty. Dhe e ke hak. Ata të kanë hedhur poshtë.
Jani Riza në të gjallë të tij ishte vlerësuar dhe me titullin “Artist i merituar”. Ndërsa pas vdekjes, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Korçës ka akorduar një çmim me emrin “Jani Riza”.
Aktori i njohur ndërroi jetë në 24 tetor 1988. Ishte një aksident automobilistik fatal. Dhe ai ishte në moshën 47 vjeç.
Por megjithëse ka 35 vite që është larguar nga jeta e të gjallëve, batutat e roleve të interpretuara prej tij vazhdojnë të kujtohen:
-Urdhëroni një nga këto të hazërtat shoku Miti se Neziri mban duhan për arinj!

Saturday, January 13, 2024

Majkëll Xhekson - Mbreti i Popit që fitoi 8 çmime për një album me 7 këngë


Nga Leonard Veizi
 
Ai e çuditi botën me performancat e tij. Kishte ngjyrë të errët të lëkurës me flokë kaçurrela të dendur dhe mbante veshur xhiboks lëkure ku në gjoks dallohej gërma “M”. E çuditi botën duke e futur në një debat të vazhdueshëm edhe rreth ndryshimeve ekstravagante në paraqitjen e tij. Por e çuditi botën edhe me vdekjen e tij të beftë, në moshën 50 vjeçare, më 25 qershor 2009, duke lënë pas plot dyshime që motivuan teori konspiracioni. Megjithatë ai jetoi thuajse 30 vjet i rrethuar nga një famë e jashtëzakonshme, ku mes të tjerash qe i cilësuar dhe si “argëtuesi më popullor në botë”. Ishte këngëtar, kompozitor dhe kërcimtar gjithashtu. E më pas u njoh edhe si: "Mbreti i Popit"...
 
...Në Tiranën e mesviteve ’80 gjendeshin plot të rinj të dashuruar marrëzisht pas timbrit të zërit të tij dhe vetë performancës së zhdërvjelltë. Dhe ai dëgjohej gjerësisht përmes valëve të stacioneve italiane, ku klasifikohej në krye të toplistës “Hit Parade” sidomos në një dyshe me një nga idhujt e Bitellsave: Pol Mekkartni.
Ishte Majkëll Xhekson.
Për të dihej se ishte më i riu dhe më i talentuari ndër pesë vëllezërit. Ishte lindur më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana, të Shteteve të Bashkuara. U rrit në një familje muzikantësh nga më të njohura të epokës së rokut. Babai i tij, Xhozef, formoi me fëmijët e tij një grup verbues të njohur “Jackson 5”, apo ardhur në shqip si “Xhekson Faiv”.
Por Majkëlli ishte individualitet. Dhe shpejt, - që në vitin 1979, - bëri përpjekjen e parë për të kënduar solo. Ndërsa në 29 nëntor të vitit 1982 nga “Epic Records” u lançua albumi “Thriller” që ishte dhe albumi i 6-të në studio i këngëtarit. Ky album u prodhua nga “Quincy Jones”, i cili më parë kishte punuar me Xheksonin për albumin e tij të vitit 1979 “Off the Wall”.
Me reagimin e vazhdueshëm kundër muzikës disko në atë kohë, Majkëll Xhekson kaloi në një drejtim të ri muzikor, duke rezultuar në një përzierje tingujsh pop, post-disco, rock, funk, synth-pop dhe R&B. Kritika botërore shkroi se “Thriller” parashtroi temat kontradiktore të jetës personale të Xheksonit, pasi ai filloi të përdorte paranojë në motivet e tij si dhe tema të errëta.
“Thriller” u bë albumi i parë numër Një i Xheksonit në tabelën amerikane të “Billboard Top LPs & Tapes”, ku kaloi një rekord prej 37 javësh, - jo të njëpasnjëshme, -  në vendin e parë, nga 26 shkurt 1983 deri më 14 prill 1984. Në këtë album u publikuan shtatë këngë: " The Girl Is My", "Billie Jean", "Beat It", "Wanna Be Startin' Somethin'", "Human Nature", "P.Y.T. (Pretty Young Thing)" dhe "Thriller".
Me 32 milionë kopje të shitura në mbarë botën deri në fund të vitit 1983, “Thriller” u bë albumi më i shitur i të gjitha kohërave dhe u ratifikua nga Rekordet Botërore “Guinness” më 7 shkurt 1984. Ishte albumi më i shitur i vitit 1983 në mbarë botën, dhe në 1984 ai u bë albumi i parë më i shituri në Shtetet e Bashkuara për dy vjet. Ai vendosi standardet e industrisë me këngët, videot muzikore dhe strategjitë e tij promovuese që ndikuan te artistët, kompanitë diskografike, prodhuesit, tregtarët dhe koreografët.
Suksesi i dha Xheksonit-it një nivel të paprecedentë të rëndësisë kulturore për një amerikan me ngjyrë, duke thyer barrierat racore në muzikën popullore, duke i dhënë atij transmetim të rregullt në MTV dhe duke çuar në një takim me Presidentin e SHBA Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë.
Thriller ishte ndër albumet e para që përdori videot muzikore si mjete promovuese; videot për "Billie Jean", "Beat It" dhe "Thriller" vlerësohen për shndërrimin e videoklipit në një formë serioze arti.
Thriller konsiderohet albumi më i shitur i të gjitha kohërave, me 70 milion kopje në mbarë botën.
Më 11 janar 1984 ky album fitoi një rekord prej 8-të çmimesh Grammy në 1984, duke përfshirë albumin e vitit, ndërsa "Beat It" fitoi dy Grammy për regjistrimin e vitit dhe performancën më të mirë vokale rock, në gjininë mashkull. Gjithashtu kënga "Thriller" fitoi për performancën më të mirë vokale pop, mashkull. "Billie Jean" fitoi dy Grammy për performancën më të mirë vokale R&B, mashkull dhe këngën më të mirë Rhythm & Blues. Jackson gjithashtu fitoi një rekord të 8-të çmimeve “American Music Avvards” në “American Music Avvards 1984”. Albumi ka qenë shpesh i përfshirë në listat e albumeve më të mëdha të të gjitha kohërave. Në vitin 2008, ai u fut në “Hall of Fame Grammy”. Në të njëjtin vit, Biblioteka e Kongresit e shtoi atë në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimeve të "incizimeve të rëndësishme kulturore, historike ose estetike".
Pas kësaj Majkëll Xheksoi u rrethua nga një famë e jashtëzakonshme.
Por siç ka ndodhur rëndon në botën e artit, një overdozë do t’i merrte jetën këngëtarit të pazakontë.
Por nuk u mbyll me kaq. Sepse në jetën e Majkëll Xheksonit pati dhe plot skandale. Dhe një prej tyre kishte të bënte me abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, gjë për të cilat ai dhe u vu në bankën e të akuzuarve në një proces gjyqësor.
Një dokumentar i disa viteve më pas, veç të tjerash tregon dhe mbi historinë e operacioneve të tij kozmetike si dhe probleme të fshehta shëndetësore të cilat u zbuluar përmes raportit të autopsisë.
Gjithsesi Majkëll Xhekson e mbylli kapitullin e jetës së tij më 25 qershor të vitit 2009. Pasuria e tij vlerësohej të kapte shifrën e 2 miliard dollarëve.
Por edhe pse Majkëll Xhekson u nda fizikisht nga jeta tokësore, muzika e tij nuk pushoi kurrë së gjeneruari shitje të mëdha pas vdekjes së tij.

Friday, January 12, 2024

Këpucët e kuqe të grave fatzeza


Nga Leonard Veizi
 
“Një kalë, jap mbretërinë për një kalë”.
Sentenca fort e njohur shekspiriane vendosur tek “Rikardi III” mund të përdoret bindshëm edhe në shumë raste të ngjashme që personifikojnë rastet e krizave.
“Një psikolog, jap republikën për një psikolog”.
Që kur u fut mijëvjeçari i ri u tha se tanimë bota nuk do të ketë në rend të ditës sëmundjet kardiovaskulare, as ato tumorale... Ky nuk është më shekulli ku bënte namin SIDA dhe as diabeti. Ky shekull do të rëndojë bilancin në sëmundjet psikike.
Çfarë duhet në këto raste? Një psikolog... dhe një psikiatër, gjithashtu. Varet sa të rëndon kandari.
Jemi futur bindshëm në epokën e sëmundjeve psikike. Dhe për këtë të gjithë duhemi mbajtur në monitorim. Sepse, me sa duket qenka e lehtë shumë që ajo mendja, që ne shpesh i themi me humor “kokërr gruri është e shkreta” të lëvizë në anë të kundërt. Dhe në vend të ngrejë kalanë, të bën hatanë. Sepse merr vendime të papritura, të papara e të padëgjuara. Ndaj po ndodh aq shpesh të ketë vdekje me bilanc lufte në një kohë paqeje.
Informacionet që qarkullojnë me shpejtësi nga çdo cep i globit flasin për njerëz që me mitroloz në dorë sharrojnë kë u del përpara. Edhe filmat aksion me Stalonen e Shvarcenegerin nuk pasqyrojnë dot atë që ndodh në jetën reale. Dhe asnjë njeri me një psikikë normale nuk do ta bënte këtë. E bëjnë ata që humbasin fokusin.
Në Shqipëri fillimi i vitit 2024 nisi me bilanc të frikshëm, si në vrasje dhe në vetëvrasje. Prej vitesh bilanci i vrasjeve, vetëvrasjeve por dhe i aksidenteve me vdekje, në Shqipëri është fort i lartë. Mjafton t’i drejtohesh statistikave zyrtare që bën publike Instituti i Statistikave dhe do të të futet data. Mesatarja e viteve të fundit është të paktën 200 vetëvrasje në vit. Dhe nuk ka pikë rëndësie nëse t’i heq fotoksinën nga qarkullimi dhe shitja nëpër farmaci, sepse ai që e ka ndarë mendjen e gjen mënyrën. Thjeshti, ti mund ta parandalosh, nëse ke të dhënat që në trurin e tij, - tashmë diabolik, - vërtitet diçka e zezë që e gërryen si një insekt në dukje i vogël apo i papërfillshëm fare.
Bota është munduar të marrë masa që ta ulë numrin në rritje të vetëvrasjeve. Një nga  tentativat është dhe shpallja e datës 10 shtator si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes. Simbolika e kësaj dite ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje në nivel global. Ndaj Instituti i Shëndetit Publik në një qarkore të tij thotë se: Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik. Në shumicën dërrmuese të rasteve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje.
Po a është ngritur ndonjëherë me të madhe si shqetësim, që jo vetëm nëpër shkolla por dhe nëpër institucione çfarëdo dhe qendra të ndryshme pune duhet atashuar një psikolog?
Përdorimi gjerësor i narkotikëve po e rrit gjithashtu numrin e sëmundjeve të shëndetit mendor, nga psikozat me të lehta, për të shkuar tek diagnozat e rënda. Dhe kjo vërehet masivisht tek të rinjtë.
Ja që duhet një psikolog në vendin e punës si një masë parandaluese. Sidomos në ushtri e polici. Atje ku njerëzit kanë mundësinë e kontaktit me armën. Sepse ndodh si në Amerikë rasti i një polici që vrau gruan shqiptare dhe fëmijët e tij. Pastaj vjen rasti i një shqiptareje në Shqipëri që vetëvritet, duke lënë pas 4 fëmijë. Vendim i vështirë. Por kur të shket truri, - për “X” e “X” arsye sigurisht, - është fort i lehtë për t’u ndërmarrë.
Sigurisht! Psikologu në vendin e punës është aty për të ofruar mbështetje dhe këshilla për stresin, tensionet në punë, konfliktet mes kolegëve, menaxhimin e kohës, ose çështje personale që mund të ndikojnë në performancën tuaj në punë. Në shumë raste, ata janë burim i rëndësishëm për mirëqenien dhe produktivitetin në ambientin e punës.
Psikologjia dhe kriminologjia kanë një lidhje të ngushtë për të kuptuar sjelljen njerëzore dhe motivet pas veprimeve kriminale. Psikologët përdorin njohuritë e tyre për të kuptuar se si faktorë si personaliteti, perceptimet dhe përvojat ndikojnë në sjelljen kriminale, duke ndihmuar në rehabilitimin dhe parandalimin e krimeve.
Statistikat botërore tregojnë se afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjeve. Pra çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ. Dhe nuk flitet më për numrin e tentativave që është shumë më i lartë.
“Një psikolog, jap republikën për një psikolog”.
Sepse shifra të tilla janë më shumë se tragjike. Kur njihesh me to, të duket sikur je fare pranë epiqendrës së gjëmës. Dhe mund të jesh po ti viktima e radhës. Dhe viktimat më së shumti janë femrat. Se ne vazhdojmë të jemi shoqëri maskiliste. Shoqëri denigruese. Shoqëri primitive në një botë moderne.
Ka kaq vite që fotot e grave fatzeza qarkullojnë në internet, shpesh për krime të pazbuluara ndaj tyre. Të vrara e të shtyra në vetëvrasje, ndërsa nëpër shkallët e Pallatit të Kulturës, si simbolikë në kujtim të këtyre viktimave rreshtohen vetëm këpucë të kuqe.
“Një kalë, jap mbretërinë për një kalë”, thërriste në panik e sipër mbreti Rikard, sepse po ia merrnin mbretërinë.
“Një psikolog, jap republikën për një psikolog”, duhet të jetë një tjetër moto në panikun që na ka kapur tanimë.



Friday, January 5, 2024

Kush është shefi, ai që flet budallallëqe apo ai që gjuan peshk?


Nga Leonard Veizi
 
Kryeministri Rama na pataksi në fundvit kur na prezantoi me sozinë e tij personale dhe që nuk ishte njeri prej gjaku e mishi por thjesht një AI, - domethënë Inteligjencë Artificiale, -  por që kishte marrë guximin dhe interpretonte në vend të tij, pa sufler. Ndërsa inxhinieri që kishte realizuar projektin na bëri të ditur ne spektatorëve gojëhapur, se në të ardhmen një AI do të shkojë gjithmonë e më shumë drejt perfeksionimit të rolit të një njeriu të vërtetë, aq sa nuk do të kuptohet kush është frymori dhe kush mekanizmi i programuar.
Shkurt, nuk do dimë kujt t’i besojmë.
Ruajna Zot.
Kjo do të thotë që ne asnjëherë nuk do ta marrim vesh me të vërtetë se cili do të jetë ai që  komunikon me ne si popull, - ose me gazetarët në një konferencë për shtypin, - në rastin konkret: Edi Rama si njeri, apo Edi Rama si AI?
Mbase në të ardhmen kjo nuk do të jetë më problem, sepse gjërat do të bëhen rutinë, por sot, edhe pse progresi është i dukshëm, vazhdon të duket si utopi.
Tanimë, - lart e poshtë në faqe gazetash e rrjete sociale, - po thuhet rëndom se AI mund të përdoret në mënyra të shumta për të ndihmuar mes të tjerash edhe në proceset qeverisëse. Një AI fort i zgjuar, mund të analizojë të dhënat për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve komplekse, të prezantojë mundësi të ndryshme zgjidhjesh, të ndihmojë në planifikimin e buxhetit dhe të resurseve, si dhe të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike përmes automatizimit të disa proceseve administrative.
Hajde robot hajde.
Po për çfarë ta duam kryeministrin atëherë???
Le që mund të shkrijmë gjithë kabinetin se na mjafton një që t’i dijë të gjitha. Kështu shkurtojmë dhe shpenzimet në buxhet.
Roboti nuk do as të hajë e as të pijë. E mban frymën me një karikues 5-mijë leksh.
Megjithatë, - serish për të ulur disi tonet se teknologjia do të na marrë në qafë, - thuhet se tek e fundit AI-ja nuk mund të zëvendësojë plotësisht një burrë shteti real, pasi procesi i vendimmarrjes ka nevojë për kuptim të thellë të kontekstit politik dhe shoqëror, si dhe për një ndjenjë të gjerë të liderizmit dhe përgjegjësisë njerëzore. Por në një rol mbështetës, AI-ja mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm për të ndihmuar në marrjen e vendimeve në bazë të një informacioni më të gjerë.
Domethënë, sërish njeriu në plan të parë... Edhe për ca vite ama. Sepse tani për tani, AI është ende një papagall dhe si i tillë nuk del dot në mexhilis se e tall dynjaja.
Hej bela- bela, çfarë na ka gjetur e çdo na gjejë më tutje.
Nëse një AI zëvendëson një kryeministër në takime, do të duhet të konsiderohen shumë aspekte, përfshirë etikën, sigurinë dhe aftësitë e tij për të menaxhuar çështje komplekse qeveritare. Është një debat i thellë dhe i ndërlikuar në lidhje me përdorimin e teknologjisë në drejtimin e vendimmarrjes shtetërore.
Dhe të gjitha këto duhet me ia besu një mekanizmi të ftohtë e pa jetë, por që duam t’i japim jetë, po aq sa një sozie që përdorej dikur.
E gjithë kjo atmosferë e re më kujton një film spanjoll por që flet për një kohë më të vjetër. Filmi i regjisorit Antonio Mersero me titull “Espérame en el cielo” edhe pse flet rreth 80 vite më parë, është realizuar në vitin 1988.
Por për çfarë bën fjalë filmi?
Ja ta shpjegojmë me pak fjalë:
Historia zhvillohet në fund të viteve 40, në Spanjë... Personazhi Paulino Alonso, - që interpretohet nga një aktor i njohur argjentinas si Pepe Soriano - është një ortoped që ka një ngjashmëri të madhe fizike me gjeneralin Françisko Franko i cili aso kohe drejtonte me Spanjën dorë të hekurt. Nëpërmjet operacionit të pagëzuar “Janus” gjatë një feste private, Paulino rrëmbehet nga agjentë të qeverisë nën komandën e Alberto Sinsoles "kreu i propagandës kombëtare", me qëllim që ta përdorë atë si sozinë e Frankos në paraqitjet e tij të rrezikshme publike; Kështu nis një “stërvitje” në gjestet dhe sjelljet e diktatorit, të cilin Paulino më në fund i përvetëson thuajse në përsosmëri.
Ndërsa Franko zëvendësohet nga Paulino për të qenë i pranishëm në vende të vështira si inaugurimin e rezervuarëve, centraleve elektrike, minierave, por dhe në festimet fetare dhe parada ushtarake. Sozisë i duhet të jetojë në Pallatin "El Pardo" në të cilin ndodhin plot situata ngatërrestare.
Madje në një sekuencë të filmit, marinari i jahti habitet tek dëgjon lajmet në radio se Franko merr pjesë në një ceremoni festive, ndërkohë që kërkon të sigurohet se pikërisht Franko ishte në kiçin e jahtit, - ku shërbente marinari, - dhe nën shoqërinë e bashkëshortes kishte hedhur grepat duke gjuajtur peshk.
Ndërkohë, gruaja e Paulinos dhe miqtë e tij ishin të bindur se ai kishte vdekur, ndaj vendosën të përpiqeshin ta kontaktonin përmes seancave të spiritualizmit, por rezultatet nuk ishin ato që prisnin... Ndërkohë, Paulino Alonso praktikisht u bë i pamundur të dallohej nga gjenerali Franko, nga askush prej atyre që e njihnin mirë, madje as nga gruaja e tij. Absolutisht nga askush. Në fund të filmit, do të zbulohet se Paulino e ka zëvendësuar plotësisht diktatorin, aq sa ishte ai dhe jo Franko që kur vdiq u varros në Luginën e të Rënëve.
“Espérame en el cielo”, apo “Më prit në parajsë” është me skenar të Antonio Mersero, Horacio Valkársel dhe Román Gubern ku interpretojnë Pepe Soriano, Hosé Sazatornil dhe Çus Lampreave. Filmi e ka marrë titullin e tij nga kënga “Espérame en el cielo” e kënduar nga Antonio Maçín.
Dhe kaq me filmin, se mbase e tepruam.
Për t’iu larguar viteve 40 të shekullit të kaluar e për të ardhur në aktualitet: A do të kemi përsëri të njëjtin model, atë të një sozie të drejtuesve të shtetit, ku fjala vjen ashtu si Paulino fliste idiotësira nëpër takimet diplomatike shtetërore, të cilat i kishte mësuar përmendësh nga instruktori i tij, ndërsa Franko relaksohej ujërave të Detit Mesdhe, duke gjuajtur peshk?