Friday, November 26, 2021

Spektaklet laramane që na lanë pa ngrënë darkë


Nga Leonard Veizi
 
Ka mbetur mitike shprehja famëmë dhe e një militanteje të thekur e cila u drejtohej me patetizëm dritharak krerëve të partisë që ishin gati ta shqyenin njëri-tjetrin për ca benefice më shumë: Amani, ne bukë e drita s’po u kërkojmë, vetëm ju mos u përçani.
Kjo është tamam të të dali nga xhani moj të keqen.
Se mos ma merrni jangëllësh. Uniteti në parti ka të bëjë me vazhdimësinë e jetës, ju kërkoni të talleni. Çështja duhet parë në mënyrë lineare...
Kjo shprehje epokale, edhe pse e thënë nja 20 vite më parë, ndaj merr kuptim edhe tani... domethënë 20 vite më pas. I qëndroi kohës. Ndaj çdo gjë sipas kohë. Po sipas kohës dhe kokës edhe festen.
-E ç'punë prish se janë rritur të gjitha çmimet përveç rrogave dhe pensionit. Sot vetëm pa spektakle mos na lini.
Ja ku i doli koka muhabetit. Se po i bija vërdallë si kali që shin në lëmë.
Thirrja nuk mbetet në eter. Në mënyrë lineare ajo paska pasur kuota të njëjta ekzekutimi, sepse në fakt ky mentalitet lindi që atëherë kur “lindi partia” dhe propaganda i sheshoi shtresëzimet shoqërore duke e bëri njeriut të ketë të njëjtin mendin. Uniformë.
Situata, nga dje sot, nuk është se ka ndryshuar, pavarësisht se i japim gajret vetes e themi se luftuam për demokraci e mendim të lirë sa na u këputën kërbishtet.
Po cila është kjo situatë që na e vërteton këtë?
Tani më duket se po futemi tamam në teme. Se shumë gjatë..., andej nga Kina po i bija.
Të dalim për atje ku e nisëm.
Në televizionet shqiptare ka nisur një garë e ethshme. Spektaklet dhe filmat serialë po konkurrojnë njëra-tjetrën. Zbrazëtinë e stomakut e mbush bombardimi i mendjes së tkurrur deri në limite.
Panairi i librit, te Pallati i Kongreseve, mezi i mblodhi ca njerëz që vazhdojnë të jenë të dashuruar pas leximit. U blenë dhe ca libra ndaj u quajt sukses.
Por një spektakël ku djem e vajza kërkojnë ndihmë për të gjetur një dashnore, kap kulmin e audiencës. Pa le një spektakël tjetër ku në një shtëpi të vëzhguar nga 40 kamera, punëtoria për thashetheme orale punon me kapacitet të plotë. Halli është i madh për t’ia gjetur anën e për të zhbiriluar jetën e tjetrit. Se njeriu është pus i thellë, ka anë të errëta plot. Kot nuk është futur ai aty. Ha e pi qyl.
Meqë ra fjala te e ngrëna... këto spektakle të lenë dhe pa darkë. Po fundja mirë, darkën e ruajmë për nesër në mëngjes. Edhe kursejmë edhe nuk kthehemi në obezë.
Rrofsh o televizor.
Në të vërtetë një spektakël nuk ka vlerë vetëm ajo që ndodh para kamerave, por ajo që fshihet pas, dhe që këtë e ushqejnë gjithfarë portalesh anonim që hedhin kocka vazhdimisht, ku flitet për zbulime madhështore dhe epokale.
-Ja përgjigja epike që i jep...
Pikë e zezë. Deri këtu të kemi përfunduar vallë. Ne si shoqëri... Jo se kemi qenë më të mbarë se kaq dhe më përpara, por edhe kaq rëndë...
Sherri sherr nëpër "realitet show". Duhet mbajtur gjallë audienca, se po ra rritmi, vdiq emisioni. S'të klikon kush. Tjetrës i bie alivan dhe se merr veten as kur i hedhin një kovë me ujë të ftohtë. Epo... aktrim i dobët, thonë ekspertët.
Nga ana tjetër përballja spektakolare është dhe mes emisioneve më serioz, ato të darkës së vonë, ku flitet edhe për punët e vështira të shtetit e për politikën largpamëse të shefit. dhe për kulinarinë që varjon nga turko-orientale tek ajo latino perëndimorë, por edhe për krimin brenda familjes.
Mirëpo kur ndodh një krim e vritet një fëmijë i pafajshëm, 30 nënshtetas të republikës mezi bëhen bashkë për të dalë në një demonstrim me një parullë në duar. Ndërkohë që rrjetet sociale gëlojnë aq sa të mendosh se ose do të plasi lufta frontale me të keqen, ose do të zhvillohet një revolucion mbarëkombëtar sa t’i dalë ujë të zi themeleve të një shoqërie të kalbur. Mirëpo të gjithë hedhin gurin e fshehin dorën. Apelojnë për kthimin e dënimit me vdekje, ku të varret në litar krimineli. Profile false gjithfarësh që vetëm duan të bëjnë spektakël. Se kur vjen punë për të dalë në shesh: Epo ashtu më doli një punë...
Në jemi mësuar me spektakle tanimë.
Edhe burrat e shtetit na dhurojnë spektakël, herë me skena laramane në Kuvend dhe herë nëpër aktivitete kur shkojnë të inspektojnë punimet në terren.
Shoqëria jonë është kthyer në një shoqëri spektaklesh. Pa ngrënë rrimë e pa spektakël jo. Ushqehemi me to.

Thursday, November 25, 2021

Në Apoloninë mitike të Ilirisë

 

Shënime udhëtimi 


Nga Leonard Veizi
 
Ai është një vend mitik e plot ekspresion. Nëse do të kishin mundësi të flisnin muret dhe kolonat, me siguri do të tregonin për qytetërimin e madh të këtij vendi dhe luftërat e tmerrshme që janë zhvilluar ndër shekuj...
 
...Nëse jeni të pasionuar pas historisë dhe antikitetit në veçanti, një vend i jashtëzakonshëm si atraksion turistik mbetet Apolonia. E jashtëzakonshme për nga vlerat. Në tokën shqiptare, ajo çfarë na ka mbetur si trashëgimi, e cila për nga fama e kapërcen kufirin e shtetit, janë: Durrësi, Apolonia dhe Butrinti. Por nëse Butrinti është zbuluar në një pjesë të mirë të tij, dhe Durrësi është i destinuar të qëndrojë poshtë themeleve të ndërtesave urbane, Apolonia ka në sipërfaqe vetëm një pjesë të vogël të thesarit, i cili është zhytur nën dhè tanimë.
 
Rrugëtimi
Guida elektronike tregon se nga qendra e kryeqytetit deri tek muzeu i Parkut të Apolonisë janë 121 kilometra. Nëse nuk do të ndalosh rrugës, andej nga zona e Lushnjes fjala vjen, ku janë disa lokale të shquara për byrekë e kos, do të mbërrish në destinacion për 1 orë e 50 minuta.
Krahasimisht me vendet e tjera turistike, të shkuarit në Apoloni të paktën ka një avantazh. Prej mbikalimit në hyrje të Tiranës, e deri në dalje të Fierit, - ku një tabelë gjigante që paralajmëron për praninë e Parkut Apolonia, - ecën nëpër autostradë, pavarësisht nga cilësia e saj.
Mbetjet arkeologjike të qytetërimit Apolon, ndodhen rreth 12 kilometra larg qytetit të Fierit, pranë fshatit Pojan. Dhe vetëm pasi ke dalë nga autostrada do të marrësh një rrugë të ngushtë. Sapo del prej fshatit e merr nëpër kodër, rruga bëhet edhe më e ngushtë aq sa dy makina nuk kryqëzohen dot. Por këtu flitet vetëm për një segment të shkurtër. Shumë shpejt të shfaqet një postbllok pranë të cilit ndodhet një parkim natyral ku janë vendosur një seri makinash. Kjo tregonte se brenda Parkut kishte një numër të konsiderueshëm vizitorësh.
Pasi ke kaluar postbllokun e parë, ku mund të blesh dhe suvenire të vogla me emblemat e qytetit antik, të pret një tjetër postbllok, por këtë herë aty ndodhet dhe një kioskë ku duhet të presësh një biletë 600-lekëshe, ta skanosh në syrin elektronik, i cili të hap “derën” që të mundëson futjen brenda territorit të Parkut. Duhet të ngjitesh edhe ca metra të tjerë në këmbë që të përballesh me godinën, në të cilën është shkruar “Muzeu”.
Gjëja e parë që të bie në sy është se në Apoloni ka shumë turistë, sidomos të huaj, të cilët janë të interesuar të vizitojnë sitet arkeologjike e të njihen më nga afër me historinë e qytetit antik.
Nisur dhe nga ky fakt do të më pëlqente t’i sugjeroja pushtetit lokal, - nëse dëgjon dhe ia ka ngenë, - që meqenëse në këtë destinacion turistik vijnë përditë grupe turistësh, ca me mikrobusë, ca me makina 5-vendëshe e ca të tjerë me autobusë 60 vendesh, të bëjnë rixha e ta zgjerojnë ca rrugën prej Parkut deri në hyrje të autostradës, se nuk besoj të ketë ndonjë kosto aq sa ta rëndojë buxhetin e Qarkut e ta thyejë në mes, aq sa të mos e marrë veten deri në fund të mandatit qeverisës. Veç kësaj, rruga në vetvete do të bënte më dinjitoze, paraqitjen e qytetit antik. Sepse rëndom ndodh në Shqipërinë tonë të tranzicionit, që një qytetërim i vjetër të ketë pasur më shumë mundësi se sa ky qytetërimi ynë modern që po e ngremë me kaq halle e zamet.
 
Impresioni
Në Apoloni impresionohesh. Fillimisht nga Manastiri dhe kisha bizantine që daton rreth vitit 1250. Impresionohesh nga objektet dhe artefaktet e tjera që do të gjesh në muzeun që ndodhet brenda godinës së manastirit. Do të impresionohesh nga muret e mbetura prej lashtësisë, pasi janë zhvatur “denjësisht” për të ndërtuar saraje bejlerësh në mesjetën e vonë. Dhe së fundi impresionohesh nga pamja madhështore e kolonadave që ngrihen aty pranë, për të të treguar se një qytetërim i madh e plot kulturë ka ekzistuar në të gjithë atë vend që kishte marrë emrin e Hyjit Apolon.
Duhet thënë se Apolonia ka qenë në vazhdimësi një vend grabitjesh. E megjithëse janë gjetur statuja prej mermeri plot, shumë të tjera kanë përfunduar nëpër muzeumet e botës. Por ky nuk është rasti i vetëm
 
Gërmimet arkeologjike
Rizbulimi i Apolonisë i atribuohet arkeologut francez Leon Rei, pasi ai në vitin 1923, në krye të një misioni arkeologjik francez, nisi kërkimet në terren pas nënshkrimit të së parës konventë arkeologjike në historinë e shtetit shqiptar. Më parë se kaq, gjatë Luftës së Parë Botërore, mbërritën në Shqipëri arkeologët austriakë Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober. Prashnikeri nisi gërmimet në Apoloni, e cila ndodhej  nën goditjen e artilerisë italiane, si vija e parë e frontit. Arkeologu austriak disa prej skulpturave të gjetura në Apoloni i dërgoi në Vjenë. Rreth këtyre ngjarjeve flet dhe filmi "Dëshmorët e monumenteve" me regji të Fehmi Oshafit dhe skenar të Luan Ramës, një prodhimi i vitit 1980 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Ishin austriakët gjithashtu, të cilët pushkatuan tre ushtarakë shqiptarë sepse iu kundërvunë ekipit që po trafikonte vlerat e kulturës kombëtare.
Epo... luftë hesapi.
Megjithatë, hulumtimet e para për Apoloninë i kemi nga studiues të huaj në gjysmën e parë të shekullit XIX, ku i pari që e ka vizituar Apoloninë dhe që ka shkruar për të ishte Pukvili.
 
Historiku
Ata që kanë shkruar historinë thonë se ky qytet i lashtë u formua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë, që vinin nga Korinti. Mund të jetë vërtet kështu por ec e ta gjesh, meqenëse kolonizatorët e asaj kohe nuk kishin noterë me vete që të saktësonin me vulë e firmë praninë e tyre në hapjen e themeleve të para dhe vendosjen e gurëve në to.
Gjithsesi, për Apoloninë kanë shkruar të gjithë historianët e rëndësishëm grekë të antikitetit që nga Hekateu i Miletit për të vijuar me Herodotin, Thuqididin, Aristotelin, e për të vazhduar me historianët e Romës, Polibi, Tit Livi e Ciceroni. Madje ky i fundit e ka cilësuar Apoloninë “qytet të madh e hijerëndë”.
Apolonia nuk ka kaluar pa vëmendje edhe nga Marin Barleti, i cili e përmend atë si një mundësi për të zhvilluar Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare.
I gjithë qyteti antik është i rrethuar nga një mur me gjerësi prej 3 metrash e rreth 4 kilometrash të gjatë, i punuar më blloqe ranore katërkëndëshe, i cili përfshinte në vete një hapësirë prej rreth 140 hektarë.
Në historikun zyrtar shkruhet se Apolonia ishte asokohe një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë apo Aoos siç njihej në lashtësi.
Apolonia e Ilirisë mbetet si qyteti më i rëndësishëm ndër 30 qytete në të gjithë botën mesdhetare, të cilët mbanin këtë emër në antikitet. Ai luajti një rol të madh si ndërmjetës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Gjithashtu shkruhet se qyteti, në kohët e tij më të mira, duhet të ketë pasur një shifër rekord banorësh për antikitetin, rreth 60.000 frymë. Thënë më qartë, po aq sa banore ka qyteti i Fierit në ditët e sotme.
 
Të dhëna
I referohemi faqeve zyrtare, qoftë të Ministrisë së Kulturës por dhe asaj të Parkut të Apolonisë, për të përsëritur edhe një herë, gjëra që janë thënë por që gjithsesi kanë vlerë.
Të paktën 800 objekte të ndryshme, që tregojnë ritmet e zhvillimit epokal në Apoloni, janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të këtij qyteti antik. Gjithçka qëndron e ekspozuar në një sipërfaqe prej 1000 metër katrorë, e të vendosura në 25 stenda.
Në Apoloni ka ende shumë mure për të cilët specialistë janë shprehur se janë pellazgjike e që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën greke.
Tempulli është zhdukur nga Ibrahim Pasha, i cili në fillim të shekullin XIX ka marrë në këtë vend 70 karroca me material guri dhe i ka dërguar në Berat për të ndërtuar sarajet e tij. Padyshim, për këtë reprezalje masive, Ibrahim Pashës i ka munguar dhënia e një dekorate, të cilën e meritonte, sepse i vetëm mundi të bënte atë që s’e bëri dot një ushtri e tërë.
Në mesjetë, Apolonia e kishte humbur rëndësinë e saj. Vetë qyteti ka qenë nën zotërimin e Muzakajve. Dhe duhet thënë se Muzakajt në ditët e tyre më të mira kishin në zotërim gjithë Myzeqenë dhe Beratin.
Por duket se tërmetet e forta e të njëpasnjëshme, dy prej të cilave në vitet 1273 dhe 1284, kanë bërë të mundur shkatërrimin e qytetit i cili pas pushtimit osman të Arbërisë mbeti krejtësisht i braktisur.
 
Vizita
Në Apoloni ke mundësi të vizitosh të paktën 34 pika atraktive, që fillon me: Qendra Monumentale, Shëtitorja A, Harku i Triumfit, Biblioteka, Buleterioni, Odeoni, për të shkuar tek Akropoli, Obelisku e Teatri, e për ta mbyllur me Bastionin.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.
Manastiri mesjetar, pjesa më e madhe e të cilit është ndërtuar me materiale të marra nga monumentet antike të qytetit, përfshin në perimetrin e tij dhe Kishën e Hyjëlindëses, fillimet e së cilës datojnë në shek. XIII. Po këtu gjendet që prej vitit 1985 edhe muzeu arkeologjik, në të cilin mund të vizitoni një koleksion të pasur gjetjesh që vijnë nga gërmime të periudhave të ndryshme në Apoloninë e Ilirisë.
 
Epilogu
Pasi ke marrë adrenalinën e nevojshme dhe ke bërë një set fotografish nëpër objektet më simbolike të Apolonisë, nis të mendosh se vizita edhe pse jo tërësisht e ezauruar sërish e ka përfunduar misionin, ndaj duhet të kthehesh për në kryeqendër, Tiranë. Ndërsa merr të kthehesh në rrugën e ngushtë që të nxjerr në Pojan, e prej andej në autostradë, nis të mendosh se ku duhet të drekosh, në ndonjë restorant që të josh me peshk e midhje apo tek ato buzë rrugës që shquhen për byrek e kos.

Tuesday, November 23, 2021

Ikën Hueyda, shkon të vallëzojë me yjet!


Nga 
Leonard Veizi
 
Mund të luftosh fort e të jesh optimist i pandreqshëm, por duket se e gjitha kjo nuk e përbën dot “levën e Arkimedit” me të cilën mund të ndryshosh rrjedhën e paracaktuar të fatit. Vdekjet e papritura, në atë moshë kur ke ende shumë për të dhënë, e bëjnë njeriun të ndihet edhe më i dobët përpara fuqisë së madhe, e cila vërtit globin sipas një trajektore të përcaktuar qartazi. Mund t’i shpëtosh furisë së luftës, aksidentit, pandemisë Covit... por e pamundur t'ia dalësh mbi atë që të ka sunduar prej çastit të lindjes. Kështu ka ndodhur edhe me balerinën fort të njohur shqiptare, e cila tanimë i përket një bote tjetër...
 
 ...Në Tiranën e fundviteve ‘80, nisi të binte në sy një vajzë e re, tepër elegante, me një brunetë më të theksuar në fytyrë e flokë të dendura rrica. Dikush mund ta merrte si  një nga vajzat e Bllokut të Ambasadave. E bija e ndonjë konsulli, e ndonjë sekretari legate apo e vetë ambasadorit. Por jo. Megjithëse dukshëm jo shqiptare në ADN, ajo ishte e lindur në Tiranë dhe fliste një shqipe të kulluar.
Ishte një balerinë e re, ende pa e përfunduar liceun “Jordan Misja” e cila ecte lehtë mbi asfalt edhe trotuar, po aq sa dhe kur bënte provat për Zhizelin në palestrën e Shkollës së Baletit.
Fill pas kësaj, e njëjta vajzë nisi të shihej në ekranet televizive. Dhe emri i saj gjithashtu ishte i çuditshëm për shqiptarët, që ishin mësuar deri asokohe të kishin emra të vjetër Ilir, ose emra të importuar prej sovjetikëve dhe latinët, por që më me shumicë ishin ata të cilët na i kishte lënë si trashëgimi administrata e ardhura nga Azia e Vogël. E megjithatë, një emër mbiemër me “El” në mes nuk ishte dëgjuar kurrë në anët tona, veç në ndonjë film me produksion egjiptian që shihej nëpër kinematë verore.
Ajo ishte Hueyda El Saied, e cila shumë shpejt do të merrte vëmendjen e spektatorit kudo në Shqipëri, pasi mendohej se në fund të fundit nuk i kishte shpëtuar vëzhgimit të çunave të Tironës gjatë shëtitjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku për të thënë të vërtetën asokohe, grupi i vajzave balerina binte shumë në sy, për stilin në veshje dhe temperamentin e çliruar. Dhe në kërkimet e bëra si zakonisht në këto raste doli se ishte vajza e një gruaje me nënshtetësi shqiptare, - por me origjinë të miksuar mes një sudanezeje dhe një shkodrani, - e cila në vitet ‘70 ishte dashuruar me një djalë po nga Sudani, që në ato kohë të turbullta revolucionesh internacionale, si një paketë e lëvizjeve marksiste të vendeve afrikane, kishte ardhur të studionte në fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë me drejtim naftën.
Dhe çifte të tilla, në Tiranën e atyre viteve, patjetër që do të bënin bujë e do të shiheshin me një sy tjetër. Larg të gjithë kësajm Hueyda u rrit si një vajzë shqiptare, në një mjedis krejt bio me shqiptarë, në çerdhe, kopshte e shkolla, ku flitej për yllkat dhe pionieret e Enverit, dhe ku Shkolla e Baletit të jepte mundësinë të punoje në bash të vendit: ose në Teatrin e Operës, ose në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Dhe meqenëse ishte shumë e rrallë, me ngjyrën e saj çokollatë, ajo ishte dhe fort e pëlqyer.
Hueyda do ta niste fuqishëm karrierën në Tiranë si balerinë në spektaklin emblematik të fillimviteve ‘90 “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”. Por do të eksperimentonte dhe në fushat të tjera të artit: si këngëtare por dhe si piktore. Pasi pati disa përvoja si moderatore televizive, Hueyda El Sayed në vitin 2000 botoi librin e saj të parë, një autobiografi me titullin“Ngjyra e lëkurës sime”. Ndërsa në vitin 2006 doli dhe libri i dytë, një roman.
Ndërkohë që karriera e saj e mëtejshme do të vazhdonte të ngjitej lart, por këtë herë e transferuar në perëndim të Evropës, Francë, Belgjikë, Portugali por dhe Kamerun, ku ka punuar si modele dhe ka qenë pjesëmarrëse në një numër reklamash televizive. Dhe veç të gjithave do të merrte pjesë si aktore edhe në të paktën dy filma, njëri artistik dhe tjetri televiziv.
Dhe çfarë duhet më shumë se kaq për të qenë e plotësuar si artiste.
Hueyda El Saied, jo vetëm si një balerinë me plastikë perfekte, njihej për çiltërsinë e saj, sportivitetin dhe jo pak edhe për humorin pozitiv.
Ndërkohë që diploma e Hueyda El Saied, dhënë nga Universiteti i Tiranës, cilëson se studimet e saj të larta ishin në fushën e Drejtësisë. Dhe po të marrim parasysh se njihte katër gjuhë të huaja dhe kishte një master për Politikat Evropiane marrë në Itali, diapazoni i saj intelektual bëhej edhe më i gjerë.
Shumë energji për të arritur kaq shumë në jetë. Dhe për më tepër kur në fëmijërinë e saj do të rritej pa praninë e babait, i cili si i huaj që ishte kishte të drejtë të dilte jashtë kufirit shqiptar, por nuk kishte asnjë të drejtë të tërhiqte pas vetes dhe familjen, bashkëshorten dhe vajzën, të cilat gjithsesi mbetën peng i komunizmit vendas.
Por e gjithë kjo energji do të shterte pak nga pak që në një mëngjes fundnëntori të ndalte krejt.
Tanimë ajo nuk jeton më. Ishte 46-vjeç. La pas djalin e saj Gabriel dhe bashkëshortin. U tha se vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, sëmundje e cila, e mori përgjithmonë mëngjesin e 23 nëntorit në një spital të Luksemburgut.
Hueyda iku... Shkoi të vallëzojë me yjet!
Kështu do të shuhej e do të ngjitej lart në qiell balerina e njohur me origjinë nga Sudani, por që gjithsesi mbeti shqiptare deri në fund të jetës së saj.

Friday, November 19, 2021

Shqipëria, vendi ku një kriminel trajtohet si mbret


Nga 
Leonard Veizi
 
Mbi shtetin ka rënë një hije e zezë. Shumë trishtim dhe ca më shumë pesimizëm. Është hija e krimit. Ajo na vërtitet kudo që jemi, ngado hedhim hapat e frymojmë. Sepse në çdo cep pallati, pas çdo gardhi a një dritare, është dikush që përgjon, të zë pritë dhe... ta shkurton jetën. Atë jetë, të cilat një vrasësi, pa skrupuj e sens, ia sigurojnë gjithfarë konventash. Mjaft që ai të bjerë në dorën e shtetit dhe jo të familjarëve të viktimës, të cilët do ta hanin të gjallë me gjithë lecka. Dhe shteti është një organizëm human, të cilin e kemi ngritur që të na mbrojë... ne të pamundurve. Ndërsa ai e merr vrasësin dhe e fut në një qeli të siguruar me mure betoni, hekura dhe polic roje tek dera. E le të marrë frymë, i jep për të ngrënë e për të pirë. E lejon të lexojë dhe shtypin e ditës, nëse ai është i interesuar, por dhe një Bibël a Kuran nëse pendohet dhe kërkon t’i drejtohet Zotit. Dhe pas kësaj vjen gjyqi, me një avokat mbrojtës që ta vendos shteti në dispozicion, nëse nuk ke mundësi të përballosh shpenzimet për një avokat klasi, që di la luajë mirë lojën dhe në mos është i zoti të të nxjerrë nga burgu me tre seanca, të paktën të lehtëson nga vitet e shumta që parashikon Kodi Penal.
Mbi shtet ka rënë një hije trishtimi.
Krimi vërtitet në rrugë. Sistemi i drejtësisë ka hone dhe hendeqe plot, aq sa një “killer serial” mund të dalë i “palagur” prej bankës së të akuzuarve. Por dhe nëse vrasësi merr një masë dënimi të konsiderueshme, sërish futet shteti në lojë. Të merr, të çon në një burg të sigurisë së lartë dhe të jep një dhomë fjetje si në konvikt: maksimumi ta ndash hapësirën me dy bashkëvuajtës të tjerë. Prej këtu kanë filluar të drejtat e tua, sepse shlyerja e fajit quhet i tejkaluar përderisa vendimi për dënim ka marrë formën e prerë. Atëherë shteti që ka firmosur konventat dhe ka detyrime ndaj teje, të jep një veshje të re uniforme, krevat me sustë fabrike, çarçafë kërc të bardhë e të hekurosur dhe një jastëk pambuku që të flesh sa më i qetë e që të mund të shohësh ëndrra. Të vë në dispozicion dhe një psikolog të të qetësojë nervat e prishura prej të cilave ti bëre krimin. Të jep të tria vaktet, madje me ushqime të larmishme, sepse kuota jote si i dënuar ordiner është rreth 70 euro në ditë, e barabartë kjo me mbi 2000 euro në muaj. Në një kohë që po ky shtet u siguron shtetasve të tij një pagë mesatare mujore jo më të lartë se 300 euro. Dhe pasi ke bërë edhe shëtitjen në ajër të pastër, tek “ora e ajrosjes” ti ke të drejtë t’i drejtohesh palestrës ose bibliotekës. Sepse deri në atë kohë nuk ke pasur kushte për to. Por shteti t’i siguron. Duke lënë dhe spitalin pa ilaçe, madje dhe godinën e një shkolle të re pa banka e kompjuter. Vetëm që ti të ndihesh mirë atje ku je. Përndryshe organizatat ndërkombëtare na hidhen në fyt e deklarojnë se në Shqipëri të vrasësit e dënuar jetojnë në kushte çnjerëzore.
Bravo shtetit.
Dhe kështu kalojnë ditët, vitet... Nuk ka qeli të ftohta e plot lagështirë. Nuk ka më punë të detyruar nëpër miniera, në ndërtim pallatesh dhe as në gurore. Nuk ka më dënim me vdekje. Ti mund të jetosh i lumtur në jetë të jetëve, me vakte, krevatin dhe tualetin për shkarkim që të ka siguruar shteti. Ai shtet i cili viktimave të tua u merr taksa që të të mbajë ty në kushte optimale jetese. Sepse në lirinë tënde do të të duhej shumë mund e punë t’i siguroje gjithë këto të mira. Por ti i siguron ato shumë më thjeshtë; duke bërë një të keqe të madhe. Duke lënë një nënë pa fëmijë, një motër pa vëllanë, një burrë pa grua... Sepse ti paske të drejtë t’ia marrësh jetën dikujt. Por jeta jote është veç në duart e Zotit, jo te një qenie tjetër njerëzore. Ndaj shteti e ka hequr trekëmbëshin e drunjtë me litarin varur, edhe gijotinën me sëpatën mprehur, ia ka hequr rrymën karriges elektrike, dhe e ka shkrirë nga funksioni togën e pushkatimit. Vdekje nuk ka... vetëm kur të të vijë nga pleqëria. Ndaj jeto i qetë, nëse ndërgjegjja nuk të vret. Sepse ti je mbret. I paprekshëm. Dhe të mbron shteti.
Ai shtet që kriminelin e trajton po si një mbret.
Shteti është mbuluar nga një vel trishtimi e pamasë. Nënshtetasit janë të revoltuar. Klithin nëpër rrjetet sociale, por dhe në dyert e gjykatave. Për pak drejtësi më shumë.
Është vrarë një fëmijë. Ishte vetëm tetë vjeç. Nuk është i vetmi në apel. Në databaze rreshtohen paraardhësit. Maniakët e heshtur e pagojë dinë mirë të ngrenë kurthe, të rrëmbejnë dhe kryejnë vepra të pashembullta.
Përditë diku, dikush është i kërcënuar prej tyre.
T’i parandalojmë, thonë specialistët e shëndetit mendor. Do të ishte më e mira e mundshme, nëse gjithçka do të funksiononte si duhet. Por në shoqërinë tonë, më shumë se sa paqja dhe hareja, në kokat e njerëzve zhurmon lufta dhe rrëmuja.
Mbi shtetin ka rënë hija e errët e një pesimizmi pa shpresë.
Sot do të doja t’i bashkohesha histerisë së njerëzve që kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje në Kodin Penal. Edhe pse një gjë e tillë më ngjan me histerizmin e turmave të pas Luftës, të cilët pasi dëgjonin gjyqet publike nga altoparlanti thërrisnin në kor: Spekulatorët në litar. Por situata nuk është e ngjashme.
Sot gjendemi sërish para një situate makabër. U vra një fëmijë. U godit me lopatë pas koke. U varros në baltë. Arsyeja: pa motiv. Kjo ndodhi në një fshat të Fierit, quhet Grecalli. Ka ndodhur edhe 30 vjet më parë, po në Fier, në fshatin Libofshë. Dy vëllezër shkretuan një familje prej pesë vetash, bashkë me foshnjën. Por asokohe dënimi me vdekje ishte ende në fuqi. U varën ashtu siç donte shumica e irrituar, me trekëmbësh, stola druri e litar. Në mes të qytetit. Ashtu si në mesjetën e egër. U lanë përgjatë gjithë ditës të lëkundeshin në litarë, që njerëzia t’i shikonin e të vinin mend. Dhe dy policë me automatik bënin roje. Kjo ndodh kur shteti nuk bën kompromise me vrasësit, e nuk u fërkon kokën duke bërë deduksione logjike, mbi jetën, vdekjen dhe fenë universale. Njerëzit u llahtarisën nga “spektakli” në qendër të qytetit, po aq sa dhe kur u dënuan me varje kryengritësit rebelë Ziguri dhe Sefedini tek filmi artistik “Gjeneral Gramafoni”. Mjafton të shohësh atë skenë filmike, të kuptosh si vareshin të dënuarit me vdekje publike. Nga ai çast për muaj të tërë nuk pipëtiu kush. Dhe një drejtues i lartë i policisë së kohës më është shprehur jashtë një interviste: Shëtisja me makinën e Komisariatit nëpër rrugët e qytetit, si i papunë, sepse nuk ndodhte asgjë.
Mirëpo ngjarja përsëritet, në cirkuidin e saj. Fëmijët vriten.
Dënimi me varje nuk ekziston më.


Tuesday, November 16, 2021

Shkodra, qyteti legjendë dhe legjenda e një qyteti


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Ajo është diku aty, e murosur. E dyzuar a e dyfishtë, prania e saj ndihet kudo, në shpatet e kodrës, nëpër muret e brendshme, shkallaret dhe mbi bedena. Ka frymëzuar kështjellarët që e mbronin me mish e gjak, dhe sot turistët që shëtisin anë e mbanë në kërkim të mistikes. Gjysma e trupit qëndron e mbështjellë mes gurësh të rëndë, por pjesa tjetër e saj, është e lirë të sillet përreth saj. Është Rozafa, e detyruar të qëndrojë në përjetësi në kthetrat e kësaj kalaje, të vigjilojë mbi të dhe ta mbajë ashtu të parëzuar. Sepse ishte ajo që prishi mallkimin teksa muret e ngritura çdo ditë nga tre vëllezërit ndërtues, rrëzoheshin natën. Dhe e gjithë sakrifica kërkonte një murim. Kështu thotë legjenda. Dhe po të besojmë se legjenda u ngrit së bashku me muret e kalasë, ndoshta fillimet e saj janë të paktën 2500 vite më parë. Në të kundërt legjenda nuk lidhet më me ndërtimin e kalasë prej themeleve të saj, por me një rikonstruksion të pjesshëm, përpara se të vinte armiku....
 
...Rozafa i dha emrin kalasë dhe mbeti në përjetësi. Ndërtuesit e mureve janë harruar tashmë nëpër shekuj. Por edhe ata që i kanë vjedhur historinë si sharlatanë, për t'ua dhënë fqinjëve që erdhën pa histori nga stepat, Uralet apo Karpatet. Ndërsa ajo vazhdon të jetë po aty, këmbëngulëse dhe krenare, në tokën arbërore. Qenësia e saj fluide e ka bërë kalanë t’i rezistojë të gjitha furtunave, betejave dhe vetë erozionit kohor.
 
Kryeqendra e mbretërisë
Shkodra është qytet legjendë, dhe në trojet shqiptare nuk ka një tjetër qytetërim që ta kalojë atë. Me një vazhdimësi mbi dymijë vjeçare të pandërprerë, dhe mbi të gjitha me një emër në vazhdimësi të pandryshueshëm. Ka qenë e famshme me sundimin e mbretit Gent në përballje me legjionarët e dërguar nga Roma, por dhe nën sundimin e Bushatllinjve të famshëm që pashallëkun e tyre e qeverisnin pa e pyetur shumë Stambollin.
Shkodra është lehtësisht e dashurueshme, në të gjithë përmasën dhe dimensionet e saj. Dhe nuk dua të përsëris e as të bëj plagjiaturë, ndaj për ta përshkruar më saktë atë, thërras në ndihmë pasazhe nga Kadare tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, ku ai shkruan për qytetin e viteve 30-të të shekullit të kaluar: “Shkodra ishte e madhe e plot jetë. Një nga qytetet më të lashtë të krejt gadishullit, bashkëkohëse e Romës antike, kryeqytet i mbretërive ilire, Shkodra, me gjithë furtunat që i kishin kaluar përsipër, e ruante ende peshën dhe hijen e saj... Shkodra e bukur, mëkatare, me rrugët, portat, oborret plot mister, me tregtizat, kafenetë, prostitutat, me kambanaret, minaret, procesionet, erotizmin e fshehtë, me bisedat pas darke, mondanitetin, lypsët, inteligjencën, çmendurinë... Përveç kështjellës dhe kishave, përveç kullave, kambanareve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin. Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura me histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ata që pjell qytetërimi etj, etj”.
Pra Shkodra kishte gjithçka, ndaj dhe gjithmonë “të tjerët” kanë dashur ta kenë për vete. Një qytetërim i ngritur e i gatshëm, shumë më përpara se Podgorica apo Beogradi. Dhe aq e njohur është Shkodra sa tanimë edhe disa qytete në botë kanë nga një rrugë me emrin e saj. Një nga rrugët kryesore në Venecia, quhet “Via Scutari”, ose thënë shqip “Rruga e Shkodrës.” Në Stamboll, një lagje e tërë mban emrin “Uskudar”, që është variant i osmanizuar i emrit latin Scutari. Londra ka gjithashtu një rrugë të emërtuar: “Scutari Road”. Shkodra ka një liqen që mban emrin e saj, laget nga tre lumenj dhe për më tej në Velipojë, valëzon Adriatiku det. Pra është një vend i begatë.
 
Drejt Veri-Perëndimit
Koordinatat në google maps, të informojnë se rruga Tiranë-Shkodër ka një gjatësi prej 103 kilometrash, nëse do të kalosh nga Vora, dhe 95 kilometra nëse do të zgjedhësh rrugën e Kamzës. Ndërsa udhëtimi me makinë zgjat afërsisht 2 orë. Dhe meqenëse sapo del nga mbikalimi i Fushë-Krujës ku merr rrugën për në Lezhë, ka ndodhur një aksident, rruga shkon në të paktën 2.30 minuta. Po fundja ditë pushimi është, kohën e kemi me bollëk. Sa të luajmë letra e tavllë... Veç karburanti i shtrenjtuar ca si shumë këto kohët e fundit,  rrjedh, dhe kur makina rri në gatishmëri për të ngecur metër pas metri.
Gjithsesi, për të mbërritur në Shkodër do të duhet të ecësh në disa standarde rruge, pjesë e së cilës është dhe një segment autostrade, por që nuk të ndihmon shumë sepse janë vetëm rreth 13 kilometra në 103 të totalit. Dhe ende nuk po zbatohet projekti që do ta lidhte kryeqendrën e Shqipërisë me qytetin më të madh verior të saj, me një rrugë që të kishte vetëm një standard. Atëherë po, do të mbërrije në Shkodër për pak më shumë se një orë udhëtimi.
E me gjithë peripecitë e rrugës, trafiku vazhdon të jetë i dendur.
Shkodra nuk është qyteti tipik për udhëtime fundjavore. Me një qytet si Shkodra puna mund të të lidhë çdo ditë të vitit. Sepse Shkodra t'i jep të gjitha mundësitë. 
Me vendasit miqësohesh shpejt. Mjafton një batutë në çastin e duhur dhe e ke gjetur fjalën. Mikpritës e hokatarë si ata, dita kalon shpejt dhe pasi ke preferuar që kafen ta pish në qendër dhe drekën ta konsumosh në rrethina, quhet e kryer.
Por edhe pse ke bërë një xhiro ku ke ecur mbi pedonale, je rehatuar tek Kafja e Madhe, ke parë godinën simbol të Teatrit “Migjeni” duke kaluar tek rrethrrotullimi ku një instalacion hekuri i tonazhit të rëndë u ka zënë vendin Pesë Heronjve të Vigut, nuk mund të qëndrosh indiferent e pa i hedhur një sy kalasë së Rozafës, edhe pse me brendësinë saj je njohur qysh më parë.
Dhe çfarë më kujton tjetër Shkodra?
Në vitet kur pretendohej se po ndërtonim socializmin me forcat tona, nga Shkodra vinin gjithfarë barcoletash plot humor fin, që vinin në lojë titullarët komunistë edhe pse për ta marrë me të mirë e për ta bërë për vete, nga rregjimi u investua një prej uzinave më të mira në vend, ajo e telave. Ndërsa pas aksionit që zhduku gjurmët e dëmtimeve nga tërmeti i 26 prillit të vitit 1979, qyteti u shpall “Hero i Punës Socialiste”.
 
Kalaja e Rozafës
Për të shkuar drejt portës kryesore të kalasë, e mira është të marrësh kthesën e parë pasi ke kaluar mbi urën e Bunës, dhe të kalosh nëpër lagjen e Qafës, që është dhe Lagjja më e vjetër e Shkodrës. Kjo lagje së bashku me Kalanë  përbëjnë historinë e vetë qytetit. Në këtë lagje ndodhen edhe disa monumente kulture, ku ndër më kryesoret është Xhamia e Plumbit, e cila shihet qartë nga bedenat e Rozafës.
Aty ku ndërpritet asfalti dhe fillon kalldrëmi është më mirë ta parkosh makinën e t’u hipësh këmbëve, sepse e përpjeta nuk është e fortë dhe për pak minuta je përballë portës hyrëse të kalasë. Nuk ka kështjellarë që të të presin rrugën dhe të kërkojnë "letër-njoftimin", por një hekur postblloku të paralajmëron se për të vizituar ambientet duhet të presësh një biletë 400-lekëshe. Jemi në vjeshtë, por nuk mungojnë turistët e huaj, edhe pse në nënvetëdijen tonë mendojmë se turizmi masiv intensifikohet në ditët e ngrohta të pranverës.
Ndërsa qyteti i Shkodrës ndodhet vetëm 16 metra mbi nivelin e detit, Kalaja e Rozafës ngrihet 130 metra mbi këtë nivel, mbi një kodër shkëmbore e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin, por edhe Kiri.
Historia thotë se mes shekujve V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Për Shkodrën ka shkruar çdo njëri nga historianët e lashtësisë të cilëve u referohemi sot.
Kalaja ishte një fortifikatë ilire që fillimisht u pushtua nga Romakët. Në shekullin XI u pushtua nga sllavët dhe vetë Shkodra u bë kryeqendra e shtetit të Zetës. Por ka qenë dhe nën zotërimin e Bizantit e të Venedikut.
Por historia ka folur gjatë për qëndresën e kalasë përballë hordhive osmane edhe për 15 vjet mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethoi Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë. Rezistencën heroike që zgjati rreth 8 muaj, e ka përshkruar Marin Barleti në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ i cili u botua në Itali në vitin 1504.
 
Epilogu
Ka qenë gjithmonë, por tani ndoshta pak më shumë, si vend atraktiv ku mund të drekosh e të shijosh peizazhin përreth. Në Shirokë. Vendi ka rilindur dhe pedonalja e ndërtuar vitet e fundit i jep një tjetër pamje të gjithë zonës. Për pak kilometra mbërrin edhe në Zogaj, gjithashtu përrallë për nga bukuria me liqenin përballë. Dhe kaq duhet, që të relaksohesh në një ditë pushimi, e të marrësh rrugën e kthimit duke kaluar urën mbi Bunë e ku një tabelë e madhe orientuese të tregon destinacionin e fundit: Tiranë.
 
 

Friday, November 12, 2021

Shkrijeni parlamentin, deputetët të paguhen me honorare!

Nga Leonard Veizi
 
Burokracia po e ha shtetin. Ajo po bëhet varrmihësi i tij.
Kadare vinte në gojën e ish-Ministrit të Brendshëm, - “njeriut të shkurtër, me emër që të kujtonte një kryqëzim thikash dhe që kish terrorizuar shtetin me ‘xhipset’ që përpinin xhadetë, pikërisht tek romani “Dimri i vetmisë së madhe”, - gjatë një dialogu debatues me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, këtë arsyetim: Ashtu si kapitalizmi krijon varrmihësin e tij, proletariatin, edhe socializmi krijon varrmihësin e vet, inteligjencën.
E parë në optikën e re, të mijëvjeçarit të ri, dhe jo me atë të pasluftës në vitin e zi 1947, mund të thuhet se burokracia do të jetë këtë herë varrmihësi i  Ekonomisë së Tregut, nëse biem dakord ta marrim si nënfish të Kapitalizmit. Sepse administratat e fryra dhe aspak fleksible nuk janë vetëm një praktikë shqiptare. Vetë Evropa si bashkim ka një administratë krejtësisht jo rentabël, që ha para në një vit më shumë se mund të shpenzoheshin për një vepër të rëndësishme 5-vjeçari.
Ta thjeshtëzojmë pak.
Fjala vjen: “Për çfarë i duhet Presidentit, Kryeministrit, anëtarëve të kabinetit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por dhe më tej... zyra shtypi me njerëz të specializuar për komunikim, e një tabor me këshilltarë gjithfarësh, kur praktikisht ata udhëheqin një vend me 2.5 milion banorë, që do të thotë se të gjithë bashkë bëjnë më pak se gjysma e Romës, Parisit apo Londrës. Ose thënë më saktë, sa një qytet shërbimesh në Perëndim.
Dhe mbi të gjitha institucionet e mundshme qëndron Kuvendi.
Detyra kryesore e një Kuvendi, - apo Parlamenti, siç kemi qejf ta përdorin në përditshmërinë tonë, - është të nxjerrë ligje.
Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë nene të reja dhe implementuar të gatshme, sa për nga ana e ligjshmërisë jemi në të njëjtin hap me të gjitha vendet më të zhvilluara Evropiane. Pra, kemi ecur me një ritëm revolucionar. Dengjet e letrave me nene e ligje, por dhe akte nënligjore, po i zënë frymën arkivës. Problem mbetet zbatueshmëria. Por ky është tjetër hesap.
Ndërkohë që të gjitha vakumet ligjore janë plotësuar dhe madje janë tejkaluar, atëherë për çfarë na duhet një Parlament me kohë të plotë, ku veç rrogave dhe beneficeve të deputetëve, mbahet përmes buxhetit dhe një administratë e tërë në funksion të tyre. Se në këtë rast duhet thënë, që bishti rëndon më shumë se vetë sqepari.
Parlamenti sot duhet të funksionojë si ekipet e futbollit dje, lojtarët e të cilëve punonin 5 orë në uzinat mekanike apo ndërmarrjet bujqësore dhe pastaj bënin dhe nja tre orë stërvitje me të cilat plotësohej 8-orarëshi.
Pra, Parlamenti, apo Kuvendi për ta kthyer në shqip, duhet të mblidhet katër herë në vit, e jo më shumë. Dy herë për çdo sesion plenar apo jo më shumë se 16 herë për një legjislaturë. Merr në shqyrtim ligjet e reja, i miraton me dorën përpjetë... dhe kaq.
Dhe sa për debatet.. as që duhen të zënë në gojë. Se dihet humori që prodhon Kuvendi. Mirëpo ne nuk e duam të na zëvendësojë Estradën e Shtetit. Për më tepër që nuk priten as bileta dhe nuk prodhohen as para me këtë punë.
Tani po i kthehem dokumentacionit, që për transparencë qëndron i aksesueshëm në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Nga pasqyra e publikuar tek “Shpenzimet financiare për çdo deputet” rezulton se paga e një deputeti të Parlamentit shqiptar fillon në 156 mijë lekë në muaj pa llogaritur përfitimet e tjera financiare, në formë rimbursimi, të cilat u jepen për karburantin që konsumojnë, faturat e telefonit, pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dieta të ndryshme. Mesatarisht çdo muaj deputeti përfiton shtesë edhe rreth 60 mijë lekë pagesa duke i shkuar paga të paktën 200 mijë lekë në muaj. Por jo pak herë e kalon këtë shifër.
Shkrijeni Parlamentin! Nuk vlen kaq shumë!
Dhe fill pas kësaj i duhet futur një qilizmë e thellë dhe administratës. Hallkat e pafunda të mbushura me militantë që tundin teserën e partisë, po aq sa dhe 40 vite më parë. Atëherë do të lehtësohej shteti nga barra e rëndë financiare, e mbase do të ketë më shumë investime në punët publike: arsim e mjekësi sidomos.
Shkrijeni Parlamentin! Deputetët i paguani me honorare. Më shumë vlejnë punëtorët e fonderive dhe ata të minierave që u del shpirti për të marrë pagën mujore, se sa një deputeti që krekoset në sallën plenare dhe në fund të ditës dy fjalë bashkë nuk i bën dot.

Friday, November 5, 2021

Rezarta Reçi çan barrierën dhe futet në territorin letrar


Pas një gote verë në promovimin e librit më të ri artistik 

Nga Leonard Veizi


Të lundrosh në oqeanin e përbotshëm letrar të duket një aventurë shumë e thjeshtë kur nuk di asnjë gjë nga jeta dhe vetëm sa ke mësuar notin. Atëherë nis dhe mendon me entuziazëm se mund t’ia dalësh e të kapësh bregun tjetër, të cilin nuk arrin ta shohësh dot kurrë në horizont.
Kur ke mësuar ca gjëra nga jeta dhe mbi të gjitha njeh përmasat e oqeanit dhe fuqinë e krahëve të tu, nis e bën kalkulime: shpejtësi notimi, dallgë, erë... Kjo është një arsye që i pengon shumë nga njerëzit me talent të brendshëm, që t’i futen sfidës. Ashtu siç ka dhe sfidantë të tjerë që guxojnë ta ndërmarrin aktin dhe pasi numrat në tabelën e shumëzimit duket sikur nuk e favorizojnë.
Rezarta Reçi u fut në botën letrare, por jo nga bregu. As nga cekëtina. Vetë emri i saj të thotë se ajo ishte prej kohësh mes dallgëve, të cilat ndonjëherë për shkak të furisë të humbasin orientimin.
Por pasditen e 3 nëntorit 2021 ajo i mblodhi miqtë e saj për të pirë me ta një gotë verë dhe për të lënë në dorën e tyre kontingjentin e parë të një romani, i cili sapo kishte dalë nga shtypshkronja. Dhe ndryshe nga libri që ke blerë në librari, të cilin e shfleton kur të mundesh, pasi ke marrë pjesë në një promovim, - ku për shkak të një entuziazmi miqësor të thuhen vetëm fjalë të mira, - ndjen detyrimin dhe grishjen gjithashtu që të nisësh faqen e parë të librit sa më shpejt.
Dhe në faqen e parë do të ndeshësh këtë përkushtim: “Kushtuar CA-së, i cili më pushtoi trupin por më çliroi mendjen dhe zemrën”.
“Rezarta është futur në territorin letrar dhe ne duhet ta pranojmë” - u shpreh një nga mikeshat e ngushta të Reçit, shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka, tanimë deputete.
Padyshim. Dhe është një libër i shkruar krejtësisht në celular, siç pohon autorja. Por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, sepse shumë kohë më parë, është shkruar në gur dhe sërish vepra ka mbërritur deri tek ne.
Në fakt Rezarta Reçi, e njohur më së shumti si gazetare, është futur në territorin letrar pa marrë vizë, pa prerë biletë dhe për më tepër pa arrogancë, por ashtu butësisht, si krejt natyra e saj, edhe pse trau i doganës formalisht mbante pozicionin pengues. 
“Kolonë zanore” është një roman prodhuar nga “Skanderbeg Books” me 126 faqe e kapituj të shkurtër, gjë që të bën t’ia dalësh mbanë vetëm për disa orë leximi. Dhe prej saj të marrësh një mesazh: dashuria, si ndjenjë është leva e Arkimedit. Seksi si akt, i vjen në ndihmë. Si nënprodukt i të gjithës kësaj, - edhe pse është më e rëndësishmja, - është jeta.
Në ditë të vështira, - ku ethshëm je në ndeshjen e përhershme me emocionin për dominim, - lindin dhe vepra të çuditshme. Sepse pikërisht atëherë mendimi i sforcuar gjen shtegun për të kaluar gati në ekstazë të parakohshme, kur kupton se jeta është vënë në pikëpyetje, dhe dëshira për të jetuar e mposht dëshirën për t’u larguar nga kjo botë njëherë e përgjithmonë.
Jemi në një situatë të tillë, dhe Rezarta Reçi, si autore e një romani të çlirët, nuk e ka mbajtur të fshehur as problemin që e mundonte prej ca kohësh. Dhe shpesh, një mjek onkolog mbetet i pafuqishëm, përballë mjekut që pacienti ka ngritur me veten, dhe ka marrë përsipër që për hir të jetës të sfidojë barrierën që i pat vënë vetes dikur. Sepse mjeku më i mirë i vetes tënde – më shumë se sa bisturia, kimiot apo rrezet pa kobalt, - është trajtimi që do t’i bësh po vetes, në kushtet e reja.
Koha e dilemave tashmë ka kaluar bashkë me kulmin e muzës së krijimtarisë, e cila la nga pas një roman. Dhe si ke pritur me durim procesin botues vjen një ditë e shënuar, sepse libri duhet promovuar, prandaj pak verë dhe pak muzikë dhome do ta ngrohin më shumë atmosferën e miqve që vijnë për të uruar.
Kjo ka ndodhur me Rezarta Reçin, gazetare e prozatore me përvojë të gjatë, - me dy libra të botuar ca vite më parë, “Mëngjeset e Rezit” një përmbledhje statusesh e impresionesh ditore, dhe tjetra botuar nga “Albas” përmbledhje intervistash nën titullin “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen” - por si romanciere është në debutimin e saj.
Krijimi i një libri, mbështetur nga asgjëja apo nga copëza jete të marra aty-këtu, është një terapi fort serioze dhe po aq jetëdhënëse. Ndaj në dritë doli “Kolonë zanore”.
Ndaj kur futesh në botën letrare, veç mirëseardhjes, do të ndeshesh edhe me kritikën. Sepse e zeza mbi të bardhë e tejkalon kohën e jetës njerëzore, e del përtej... në përjetësi.
"Flonja", nis kapitulli i parë... "Mara", nis kapitulli i dytë, "Shani", nis kapitulli i tretë... Fate njerëzore të mbetura në udhëkryq derisa dalin nga vorbulla dhe marrin rrugën e tyre. Na shfaqet një botë intriguese ku aktorët hyjnë e dalin nga skena, për të krijuar mizanskenën e tyre.
Një mori personazhesh me historitë e tyre interesante, sipas mendimit tim kanë arritur të krijojnë një roman me integritet. Duket sikur “Kolonë zanore” është një letërsi rozë, ku dominojnë skenat emocionale dhe ato të seksit, por në fakt të gjitha personazhet kanë dritëhijet e tyre çka e bën fabulën në tërësinë e saj po aq dramatike. Në këtë roman, seksi, në fakt nuk është qëllim në vetvete, por pjesë përbërëse e së gjithës, ndaj si i tillë duhet të marrë vëmendje për aq sa vlen.
Rezarta Reçi nuk u shkëput nga radhët e gazetarisë për t’u futur në botën letrare. Ajo ka qenë përherë mes dy botëve, njërën të shfaqur dukshëm dhe tjetrën të mbuluar brishtësisht. Ndërkohë hyn tek lexuesit profesionistë, në tavolinën e së cilës do të gjesh në vazhdimësi të pashtershme libra të botuara jo më në kohë, por ata më të rinjtë. Në këtë mënyrë, ajo ka marrë informacionin e parë të mundshëm ndaj letërsisë botërore por dhe asaj shqiptare në veçanti. Madje mund të them se veç të tjerash tek Rezarta ka humbur dhe një kritike letrare, element të cilin ajo po aq sa dhe letërsinë e mban të presuar brenda vetes. Ndërkohë, na ka shpërfaqur tërësish dhe me të gjithë diapazonin e saj se brenda një titulli si “Arratia e peshkut të kuq” mund të mblidhte më shumë se 750 personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët i kanë besuar rrëfimin e jetës.
Ndaj nuk ishte ndonjë risi dalja e saj në botën e letërsisë shqipe. Kjo ishte një gjë që pritej, madje shumë më parë se kaq. Dhe jo pse ishte aq afër letrares duke hulumtuar mes shpirtrash njerëzorë si gazetare, por sepse letërsia ka qenë brenda saj shumë më herët, ndoshta e ndrydhur disi, me një nuancë që lëkundej nga pasiguria nëse duhet t’i futej me not oqeanit për të kapur bregun tjetër, apo ta mbyllte karrierën e saj si një gazetare mirëfilli.
Pasioni nuk e la të mbetej vetëm në kornizën e gazetares ku më së shumti njihej si: “Rezi e peshkut të kuq”. Ai tanimë i ka dhënë asaj një dimension të ri. Dhe me siguri, që nuk do të kalojë shumë kohë e do të mblidhemi sërish rreth një gote vere, për të marrë librin e ri të saj. Sepse ky që kemi në dorë, prej këtij çasti quhet: i vjetër.
 


Thursday, November 4, 2021

Eksperimentet sociale që nisin si lojë dhe përfundojnë në dramë


Nga Leonard Veizi
 
“Big Brother” u shfaq sërish në ekranet e shqiptarëve, fillimisht me të qeshura hokatare, pastaj me pëshpërima në vesh, thashetheme, sulme e kundrasulme si dhe... atake paniku.
Herë-herë të duket se loja nuk është aq thjesht si lojë. Motorët janë ndezur, rivaliteti çdo ditë bëhet më i ashpër. Në fund vetëm njëri do të arrijë të marrë çmimin që është i barabartë me pothuaj 100 mijë dollarë.
“Big Brother” në vetvete është një spektakël interesant, ku të gjithë ne kemi rënë dashur padashur në rrjetën e tij dhe duam të shohim të paktën në “prime”: çfarë bëri Semi me Donaldin, çfarë i tha Paloma Monikës, çfarë po ndodh mes Fifit e Granitit? Sepse këtë herë “Big Brother” nuk është me njerëz anonim që pretendojnë të marrin një famë të menjëhershme, të habitshme, dhe ta humbasin atë po aq shpejt. Vëllai i Madh këtë herë ka përzgjedhur ta bëjë lojën me njerëz të njohur të skenës dhe ekranit, këngëtarë dhe aktorë më së shumti.
Në vitin 1949, shkrimtari anglez Xhorxh Oruell parashikoi ardhjen e “Big Brother” me veprën e tij "1984": një sy-diktator i madh, i gatshëm për të monitoruar dhe spiunuar çdo lëvizje të individëve. Por versioni i realitetit në TV që u përhap në Evropë rrreth viteve 2000 edhe pse ka kundërshtime të forta negative, nga pikëpamja sociologjike, konsiderohet si një eksperiment interesant social-kulturor dhe mediatik.
Megjithatë “Big Brother” edhe pse një spektakël argëtues për shumëkënd që e sheh nga ekrani, është po aq një eksperiment social i rrezikshëm, sepse me gjasë do të të lërë me një traumë.
Je i vëzhguar 24 orë nga disa-dhjetëra kamera, të cilat transmetojnë në publik veprimtarinë tënde të ngushtë. Gjithçka intime që ndiqet nga disa-mijëra njerëz përmes ekranit, të cilët jo vetëm të përflasin por nxjerrin nga fundi i dheut edhe ato gjëra që t'i vetë ke harruar se i ke bërë. Ndaj këtu duhen nerva të forta për ta përballuar, edhe pse gati të gjithë pjesëmarrësit në kor thonë se nuk duan t'ia dinë për atë që thuhet jashtë. Pak e vështirë për t’u besuar kjo punë. Madje njëri nga pjesëmarrësit në një nga takimet përmbledhëse vuri në dukje se nga presione të tilla njerëzit kanë vrarë veten.
Ky është një mesazh që nuk duhet anashkaluar, ashtu siç nuk duhet tepruar me të hapurit e zorrëve të barkut përpara një publiku që nuk është se të ka prerë kërthizën e po i vjen aq keq për ty.
Për më tepër që, shfrimi i energjive negative tanimë ka vend ku merr ngushëllim, sepse në modë janë rrjetet sociale, ku mund të thuash çfarë të të dojë qejfi edhe me një identitet fals. Dhe pas një anonimati mund të thuash shumëçka, të vërteta e trillime për një person që nuk është në shijen tënde. Pavarësisht se çfarë kostoje ka fjala jote tek personi vetë, kur të dalë nga ngujimi e të përballet me furinë e inateve, apo te familjarët e tij, të cilët edhe po të mos duan do t’u shkojnë në vesh gjithfarë thashethemesh.
Në këtë pikë, edhe pse cilësohet si lojë, eksperimenti social thellohet në favor të përplasjeve dhe akumulimit të inateve.
Një studim i Universitetit të Ohajos ka nxjerr në pah një nga arsyet që i shtyn njerëzit të shikojnë Big Brother; pikërisht atë të dëshirës për të zbuluar njerëz dhe sjellje të ngjashme si të tyret, një lloj egocentrizmi që dëshiron të gjejë konfirmim në atë të tjetrit.
Nga agjenci të tjera spektakli në fjalë cilësohet si një eksperiment i vërtetë social në të cilin kontrolli është në duart e autorëve që diktojnë rregullat e lojës.
Por çfarë ndodh përtej kësaj?
“The Experiment” është një film dramatik amerikan i vitit 2010 me regji nga Paul T. Scheuring. Në fakt “Eksperimenti” hollivudian është ribërje e filmit gjerman të vitit 2001 “Das Experiment”, i cili u drejtua nga Oliver Hirschbiegel. Ky film ndoshta është më tipiku, i cili trajton temën e një eksperimenti social në kushtet e “Big Brother”-it. Vullnetarët mbërrijnë për një studim psikologjik të udhëhequr nga një mjek, në të cilin pjesëmarrësit do të ndahen në grupe që veprojnë si roje burgu dhe të burgosur. Pasi kryhen intervista që matin reagimet ndaj skenave të ndryshme të dhunës, 26 të zgjedhur dërgohen në një ndërtesë të izoluar, të ngritur si burg, dhe ndahen në 6-të roje dhe 20 të burgosur. Duhen vetëm disa ditë që situata të dalë përfundimisht jashtë kontrollit dhe në përfundim të eksperimentit të gjithë janë të rrahur, të gjakosur e me rroba të shqyera, për shkak të përplasjeve fizike që precipituan gjatë periudhës së izolimit. Dy protagonistët e filmit, që vetëm në pak ditë kanë arritur ta urrejnë dhe ta rrahin gati për vdekje njëri-tjetrin, në fund të këtij eksperimenti ndajnë një vështrim të heshtur ndërsa në dorë mbajnë nga një çek me vlerë 14,000 dollarë. Atëherë një nga lojtarët ngre pyetjen për protagonistin: nëse ai vazhdonte të besonte, po aq sa në fillim të lojës, se njeriu është një qenie më superiore se të tjerat?
Njeriut kur i kufizohet liria dhe ushqimi, patjetër që del nga vetja dhe tregon anët e tij më të errëta. Sepse në “Big Brother” do të të duhet të luftosh edhe për ushqimin. Ndaj çdo javë ka një buxhet ku varet dhe ushqimi yt, i cili ngrihet ose përgjysmohet në bazë të një performance që të urdhërohet.
Formati i Reality Show ka një sukses të pamohueshëm dhe Big Brother është një program i ndjekur nga miliona spektatorë, madje edhe nga ata që nuk e pranojnë.
Ndërkohë që një Reality Show i tillë qëllon që të dalë nga shinat. Sepse edhe pse fjala "lojë" përdoret si mbulesë, sërish inatet dhe pasionet janë të vërteta aq sa prej tyre mund të lindin konflikte fizike. Vetë lojtarët gjatë gjithë kohës deklarojnë publikisht se janë nën një presion të vazhdueshëm.
Është ky spektakël argëtues, për shumëkënd, ku njerëzit bëjnë kompromise me veten për të marrë çmimin i cili nuk është më 14 mijë dollarë sa në një film, por plot 100 mijë dollarë. Por ky eksperiment që mund të jetë i bukur dhe argëtues për ata që e shohin nga ekrani, lë jo pak pasoja tek aktorët.
Dhe teksa lënë shtëpinë e famshme, të gjithë kanë të njëjtën frazë për të thënë: Ishte një eksperiencë fantastike.
Padyshim. Por duhet të kalojnë dhe ca kohë për të kuptuar pasojat, po aq sa dhe mbyllja dymujore në kushtet e pandemisë, ku fill pas kësaj ca njerëz kishin nevojë për një psikolog e ca të tjerë për një psikiatër.
Ndaj: Lum ata që dalin sa më parë nga dhomat shumëngjyrëshe e të arreduara bukur dhe që janë veç karremi ku mbahen varur njerëzit të cilët kur shkelin aty u duket se janë futur në botën e çudirave.

Tuesday, November 2, 2021

Tefta Tashko Koço, e mahnitshmja lirike


Nga Leonard Veizi
 
Tellall Trifoni bërtiste sa mundej nëpër kasabanë e Lushnjes, që askush të mos mbetej pa shkuar te rrapet e Çarshisë, ku dy hanëmet e ardhura nga Tirana, -  njëra që do të këndonte e tjetra që do të lozte me hope aman-aman në një saze sa një hambar, - do të kënaqin miletin me këngët e tyre. “Veç atë këngën “Zare trëndafile ç’ma bëre me hile”, a më qafsh po nuk e kënduat”, ishte kërkesa e vetme e tellall Trifonit, drejtuar këngëtares me diplomë nga Franca dhe pianistes që kishte studiuar në Austri, të cilat kishin lënë rrugët e asfaltuara të Evropës për t’u zhytur në baltrat e kënetës ku mushkonjat anafele dhe ato të llojit koleks bënin kërdinë...
 
...Ajo që e ka gdhendur portretin e saj në mendjen e çdo shqiptari, duke i bashkangjitur dhe interpretimin e mahnitshëm të këngës qytetare, i atribuohet filmit “Koncert në Vitin 1936, të regjisorit Saimir Kumbaro e me skenar të Kiço Blushit, subjekti i marrë nga tregimi “Baltrave të Myzeqese” shkruar nga Dhimiter Shuteriqi. Në rolin e Donika Prokopit, që supozohet të jetë këngëtarja e famshme lirike Tefta Tashko, luan Manushaqe Qinami, ndërsa shoqëruesja e saj në piano Eleni Jankollari e luajtur nga Margarita Xhepa supozohet të jetë pianistja Lola Aleksi, që në atë kohë jepte mësim në Institutin “Nënë Mbretëreshë”. E ndërkohë ky ishte veç një film artistik me episode nga jeta e këngëtares së shquar lirike, ndërkohë që shtypi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, kishte shkruar se Tefta Tashko ishte talent i lindur, apo, kishte lindur me “zërin e saj engjëllor”.
 
Cilësitë
Tanimë ajo është kthyer në një legjendë. Cilësitë vokale të saj ishin të jashtëzakonshme. Zëri i saj ishte spektakolar e me një ngjyrë të çuditshme, nga specialistët është cilësuar herë “i çiltër dhe e ëmbël” dhe herë “timbrim i kulluar si uji që zbret nga mali”. Gjithçka përpunohej mes kordave të saj merrte një shtrirje diapazonale prej dy oktavash e gjysmë. Ndërsa ngjyresa dhe vibrimet, së bashku me nivelin profesional, i krijonin mundësi sopranos shqiptare të interpretonte pa vështirësi çdo lloj pjese, nga ato popullore të përpunuara e deri tek ariet më të vështira nga opera klasike.
 
Jetëshkrimi
Në jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tefta Tashko Koço u lind në Egjipt më 2 nëntor 1910. Ajo ishte dhe mbetet një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare dhe Artiste e Popullit e Shqipërisë.
Tefta Tashko ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e babait më 1915, familja kthehet në Korçë në vitin 1921. Këtu janë aktivizimet e para të Teftës si këngëtare. Data 26 qershor 1926 njihet si dalja e saj e parë në publik me një koncert.
Në shtator të vitit 1927, Tefta Tashko me gjithë familjen vendosen në Monpelie, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.
Në vitin 1930, bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris.
Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri, koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.
Janë 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, “Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”, “As aman, moj lule” etj.
Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh drejtpërdrejt nga goja e muzikantëve popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e saj, së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të njohur popullorë të atyre viteve.
Në listën e gjatë të këngëve të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”.
Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Shtyp vendas e cilësoi si një këngëtare e rangut të lartë.
 
Në fund
Tefta Tashko u martua me Kristaq Koçon. Çifti pati një djalë; Eno Koçon, një dirigjent i suksesshëm më pas. Me hapjen e shkollës së parë muzikore në Shqipëri në vitin 1946 Tefta Tashko nisi të japë mësime në degën e kantos. Por një sëmundje e rëndë i ndërpreu aktivitetin. Vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht nën ndikimin e kësaj sëmundje.
U nda nga jeta në Tiranë më 30 dhjetor 1947, në moshën 37-vjeçare.
Pianoja personale e Tefta Tashko tashmë është pjesë e Muzeut Historik Kombëtar, pasi ka qëndruar dhe është përdorur nga breza mësuesish dhe nxënësish të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Sot ajo mban titullin e lartë: “Nderi i Kombit”.