Saturday, January 28, 2023

Fundi dramatik i eksperimenteve sociale me njerëz realë

Nga LeonardVeizi
 
Ndodh rëndom që ato të cilat ne i cilësojmë si “eksperimente sociale” përfundojnë me pasoja, ndonjëherë të pariparueshme. Kjo nuk ka të bëjë me atë që transmetohet përmes televizioneve në publik, por për eksperimente që janë mbajtur fshehtazi e të klasifikuara në dosje “Top Secret”.
Zakonisht ndodh që një shpikje e re, teknike por dhe një eksperiment psikologjik me njerëz realë, të jetë në funksion të Forcave të Armatosura, pra të ushtrisë. Dhe vetëm si ka kaluar njëfarë kohe, dhe ushtria teston diçka të re, ajo që cilësohet e vjetër apo e ezauruar, hidhet për konsum masiv. Kështu ka ndodhur me kompjuterët, internetin dhe telefonat smart. Po kështu ka ndodhur edhe me eksperimentet sociale që kanë pasur si bazë studimin e marrëdhënieve njerëzore, sidomos në kushtet e trysnive gjithfarësh.
Disa kohë më parë, duke iu referuar spektakleve televizive me bazë: eksperimentin social, shkrova një opinion timin nën titullin “Eksperimentet sociale që nisin si lojë dhe përfundojnë në dramë”. Fillimisht mora si shembull romanin “1984” të shkrimtarit anglez Xhorxh Oruell, ku ai që në vitin 1949 parashikoi ardhjen e “Big Brother”-it. Si përforcues i shembullit të parë ishte dhe “The Experiment” një film dramatik amerikan i vitit 2010 me regji nga Pol T. Shoring, që ishte një ribërje e filmit gjerman të vitit 2001 “Das Experiment”, drejtuar nga Oliver Hirshbigel. Edhe ky film trajton temën e një eksperimenti social në kushtet e “Big Brother”-it, ku 26 vullnetarët për një studim psikologjik, të udhëhequr nga një mjek, ndahen në grupe që veprojnë si roje burgu dhe të burgosur. Duheshin vetëm disa ditë që situata të dilte përfundimisht jashtë kontrollit midis gardianëve në rol dhe të burgosurve gjithashtu në rol. Në përfundim të eksperimentit, të gjithë protagonistët ishin të rrahur, të gjakosur e me rroba të shqyera, për shkak të përplasjeve fizike që precipituan gjatë kësaj periudhe izolimi.
Por asokohe harrova, – dhe më pas u kujtova sigurish, – se kisha lënë pa përmendur ndoshta më tipikun e filmave kushtuar kësaj teme, e që po e referoj në kushtet e reja. Është fjala për një film, – këtë herë i interpretuar në gjuhën italiane, – i ardhur nën titullin origjinal “Il giorno prima”, por që në anglisht njihet si “Control”. Megaproduksion Italo-Franko -Kanadez prej 107 minutash i Columbia Pictures Italia,- i ardhur në shqip nën titullin: “Një ditë më parë”, – është prodhuar në vitit 1987 me regji të Xhuliano Montaldo, mbi skenarin e shkruar nga Piero Anxhela e me muzikë nga Enio Morrikone. Dhe aty interpretojnë dy nga yjet e kinemasë amerikane: Ben Gazara dhe Burt Lankaster.
Filmi flet për një eksperiment në lidhje me efektet psikologjike të lodhjes mendore tek ata që janë të mbyllur në një ambient për një periudhë të gjatë kohore. Janë pesëmbëdhjetë vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kundrejt një pagese prej 10 mijë dollarësh, bien dakord të marrin pjesë në një eksperiment të promovuar në Frankfurt nga një kompani që ndërtonte strehime antiatomike. Eksperimenti i drejtuar nga Profesor Herbert Monro, – i cili kërkon të testojë reagimet fizike dhe psikike të njerëzve në kushtet e izolimit, – përfshinte jetesën prej njëzet ditësh të pjesëmarrësve në një bunker të pajisur mirë, – madje dhe me një dhomë morgu, – të cilët padyshim ishin plotësisht të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Një provë mbi një mikrokozmos të njerëzve të burgosur një mjedis mbytës ku duhet garantuar mbijetesa.
Dhe çfarë ndodh në fund, pa u mbushur afati kohor i përcaktuar në kontratë: Pjesëmarrësit kanë reagime nga më të paparashikueshme, sidomos kur të mësojnë, – nëpërmjet një televizori të instaluar në bunker, – se një raketë atomike është drejtuar për të goditur qytetin në të cilin ndodhen. Ekrani transmeton skena të masave të çmendura në qytet, disa prej të cilëve përplasen në derën e bunkerit. Pesëmbëdhjetë vullnetarët tanimë janë të ndarë midis atyre, disa që do të donin që dyert të hapeshin për arsye humanitare ku të shpëtoheshin jetë njerëzore dhe të të tjerëve të cilët me egoizëm mendonin vetëm për mbijetesën e tyre. Pas debateve dhe sherreve të agravuara deri në përgjakje, dera e blinduar goditet nga jashtë me çekiçë pneumatikë. Por një pjesë e vullnetarëve, të armatosur, hapin derën dhe qëllojnë me automatik, duke menduar se po asgjësonin njerëzit që kërkonin të mësynin në bunker për të shpëtuar kokën. Profesor Monro, që shfaqet nën dritat verbuese të një prozhektori, njofton se gjithçka ka marrë fund dhe se në fakt nuk ka asnjë konflikt bërthamor. Kjo “shaka” do t’i kushtojë një shpullë nga një prej pjesëmarrëseve. Vullnetarët janë sërish të lirë, por ata do të mbajnë përgjithmonë në kujtesën e tyre ato çaste terrori të kaluara në bunker.
Kjo ishte përmbajtja me pak fjalë e një filmi që tregon shumë më tepër nga sa mund të themi në një shkrim të shkurtër.
Por çfarë dua të them duke përmendur këtu elementë të një libri të njohur dhe të dy filmave po aq të njohur?
A nuk po transmetohen në vazhdimësi spektakle të tipit “Big Brother” nga televizionet shqiptare, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë?
Sa është rreziku që pjesëmarrësit në të, të pësojnë trauma për shkak të konflikteve që degjenerojnë brenda ambienteve?
Bota na ka dhënë skenarë të gatshëm se çfarë ndodh nëse njerëzit mbahen të izoluar, qoftë dhe në kushte shumë të mira ku nuk u mungon ushqimi, pijet freskuese, birrat dhe cigaret. Por kjo nuk është gjithçka. Pavarësisht se kemi të bëjmë me vullnetarë në një spektakël televiziv dhe jo me një eksperiment të mirëfilltë social, sërish ata mbeten njerëz të izoluar, – apo thënë ndryshe: njëfarë kavje eksperimentale, – një pjesë e të cilëve nuk qëndrojnë dy javë apo 20 ditë në një ambient të mbyllur, por 100 ditë plot. Dhe kjo është e tepërt edhe pse në nënvetëdije gjithkush mund të mendojë se tek e fundit jetesa bazë është e garantuar dhe nuk ka rreziqe që të thellohen deri në dhunë të mirëfilltë verbale apo dhe fizike.
Por nuk është krejt kështu.
Jeta dhe përvojat e mëparshme kanë treguar se edhe pse shumë të vëzhguar e me ndërhyrje në çaste kritike, banorët në një shtëpi të izoluar, – apo të famshme siç e cilëson dikush, – kanë qenë pre e sulmeve psikologjike, kërcënimeve, madje ka pasur dhe skena të shkëputura të dhunës fizike.
Dhe masa pas ekranit që argëtohet me një gjë të tillë kërkon spektaklin e radhës. Ndaj skenat vazhdojnë të prodhohen e riprodhohen, sepse: ose nuk na është mbushur mendja mirë se cilat janë efektet psikike të mëpasme të një veprimtarie të tillë, ose jemi vërtet aq trima sa nuk na i bën syri “tërt” e jemi gati të qëndrojmë të izoluar jo pesëmbëdhjetë apo njëzetë ditë me radhë, por 100 ditë plot!

Wednesday, January 25, 2023

Në Gramshin e liqenit të Banjës, kanionit të Holtës dhe... uzinës së armëve

Shënime udhëtimi

 

Nga Leonard Veizi
 
Mund të nisesh nga Tirana me mendimin e saktësuar: Si të kesh vizituar liqenin dhe vetë digën e hidrocentralit të Banjës, të bësh një ndalesë kafeje në Gramsh e t’ia mbash për të parë Kanionin e Holtës. Ky është një rrethqarkullim turistik pa shumë mund e shpenzime. Dhe këto duhen bërë brenda disa orëve, sepse kthimi për në Tiranë duhet të ketë kohën e vet...
 
...Duhet dikush të të çojë në mendje se jo vetëm nga bregdeti kalohet fundjava, madje jo vetëm në male e rrëpira të largëta, por edhe më afër qendrës. Ky atraksion i fuqishëm turistik është dhe Gramshi me rrethinat, të cilat të befasojnë.
Liqenet jo domosdoshmërish duhet të jenë prej natyre nga ato të tipit: karstik apo akullnajor. Shpesh po aq të bukura janë të krijuara dhe prej dorës njerëzore. Dhe ne jemi mësuar me liqenet artificiale, si me atë të Tiranës apo atë të Farkës, por dhe Liqeni i Gjançit pranë Vithkuqit të Korçës që ka mundësinë të ngrijë në ditët e ftohta të dëborës për të dhuruar një tjetër spektakël. Në antipod me to, liqeni i Banjës është gjysmë natyral e gjysmë artificial. E që ta bëj më të qartë, është fiks si liqeni i Fierzës. Vetëm se ai në Veri ka si bazë lumin Drin e ky i mesit të Shqipërisë ka Devollin për kumbarë.
 
Udhëtimi
Hap googlemaps-in. Rruga e vijëzuar me blu tregon se për 63 kilometra mbërrin në destinacion. Domethënë punë një orë udhëtim. Një vrap pele, thotë populli kur flet në zhargon për distanca të shkurtra. Ja, sa kalon Cërrikun. Ose pa vajtur në Gramsh.
Pas rreth një ore udhëtimi mes fushave të mbjella e zonave urbane, googlemap-si, bashkë me një tabelë blu ndanë të rrugës, të tregon rrugën për tek kaskada e hidrocentralit, por nga pjesa e poshtme e saj.
Kur vendosa të bëj një vizitë në Hidrocentralin e Banjës, isha i bindur se këtë herë do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi nga gryka pasi ka vënë në punë turbinën. Por jo... Asnjë curril nuk rridhte prej andej. Dhe kjo nuk ishte hera e parë. Gjithsesi rruga nuk ikën kot.
Në njëfarë mënyre duket sikur liqeni është projektuar më së shumti si një basen që përdoret për vaditje, e me këtë rast përdoret dhe si hidrocentral. Tek e fundit shpejtova të merrja masa, pasi e kam të vështirë t’i përgjigjem ndonjë komentuesi nëse do të më bëjë një pyetje të thelluar për mungesën e realizimit të planit me energji elektrike. Sepse ne jemi mësuar tashmë me sloganin që “energjia është çështje e të gjithëve”. Por meqë liqeni përdoret për bujqësinë, edhe “bujqësia është çështje e të gjithëve”. Në këtë mënyrë e gjithë kaskada përdoret o për një qëllim, o për tjetrin. Se për të dyja bashkë bëhet ca si shumë. Shkurt, çdo çështje e rëndësishme është “çështje e të gjithëve”.
Ti lëmë paravolitë, e të kthehemi me këmbë në tokë.
Megjithatë për të marrë një informacion më të detajuar, në mungesë të vëllimit enciklopedik hap google-n dhe informohem:
 
Informacioni
“Hidrocentrali i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të Tiranës ka një kapacitet të instaluar prej 73 MegaVat, dhe parashikohet të prodhojë në vit 174 GigaVat energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit aktual vendas.
Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, u ndërtua mbi lumin Devoll rreth 25 km larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tij në ekologji. Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll”.
Por ka edhe një mundësi tjetër në kohët e sotme: Një kompani norvegjeze ka kërkuar ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues për prodhimin e energjisë nga dielli, në liqenin e hidrocentralit të Banjës.
 
Liqeni
Duket të kthehesh andej nga erdhe e të marrësh sërish rrugën kryesore. Vetëm për pak minuta përballesh me një bukuri magjepsëse. Një liqen i madh, i qetë dhe një urë të gjatë që kalon mbi të. Pak si kalon dhe urën mahnitëse, është menduar dhe për turistët. Është ndërtuar një pistë ku mund të parkohen makinat, e ku prej asaj pike dominuese mund të shijosh peizazhin përreth, të bësh foto e selfie. Thonë se aty-këtu të ofrohen udhëtime me varkë në liqen. Por e vetmja varkë që ndeshëm ishte ajo e dy peshkatarëve. Gjithsesi oferta mbetet në fuqi.
Por ka dhe vend për zhgënjim. Në lëndinën përtej pistës, në një mënyrë bastarde e tepër të shëmtuar ndeshesh me qese të hedhura, kanoçe bosh e letra mbështjellëse. Por kjo ka të bëjë me kulturën njerëzore, aspak me organizimin. Ata që kishin qenë përpara nesh në kohë, kishin lënë pas vetes gjithfarë mbeturinash, edhe pse një kosh mbeturinash - ku mund t’i hidhje pa u lodhur shumë, - ishte aty pranë.
Dhe ta lëmë me kaq, që udhëtimi ynë të mos ndotet më shumë.
 
Në Gramsh
Marrim rrugën për në qytetin e Gramshit. Në internet informacionet burojnë. Rrethi i Gramshit ndodhet në Shqipërinë juglindore, rreth 84 km larg Tiranës. Zona shtrihet midis lumit të Devollit. Gramshi kufizohet nga shtatë rrethe të tjera të cilat janë: Elbasani, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Skrapari, Berati dhe Kuçova. Relievi në përgjithësi është mjaft i përthyer.
Në tërësinë e tij Gramshi është një qytet mjaft i pastër, me shumicën e godinave të trashëguara nga projekti urbanistik i zbatuar para viteve ‘90 të shekullit të kaluar dhe më pak ndërtime të reja.
Regjimi komunist e kishte projektuar zonën e Gramshit në funksion industrisë ushtarake. Në vitin 1962 në bashkëpunim me specialistët kinezë, në zonën e Çekinit u montua Uzina Mekanike e cila prodhonte pushkë të tipit “Simonov” me kalibër 7.62 mm. Në vitin 1974 u mundësia dhe prodhimi i automatikut AK-47. Por ishte dhe Uzina e Prodhimit të Baterive. E nuk po flasim këtu për gjithfarë repartesh e pika hapje, si dhe bunkerë e tunele betonarmeje.
Ndryshe nga dje, Gramshi sot njihet si shtëpia e monumenteve të bukura natyrore, ndërsa veprat e bëra nga njeriu plotësojnë këto pasuri natyrore. HEC-et së bashku me Gazsjellësin Trans Adriatik janë investime që kanë përmirësuar jetën e komunitet dhe e kanë bërë të gjithë zonën të aksesueshme për turistët dhe vizitorët, pasi si pjesë e projektit është ndërtuar jo vetëm një rrugë e re nga Banja në Gramsh por dhe plot 13 ura.
 
Kanioni i Holtës
Duhet të marrësh rrugën e kthimit dhe vetëm për pak kilometra, tabela të orienton për në vende me destinacion turizmin. Është kanioni i Holtës dhe Shpella e Kabashit. T’i vizitosh të dyja do duhet më shumë se një ditë kohë. Por mundësitë kaq janë, sa për t’u njohur me një prej tyre.
Holta ndodhet në verilindje të Gramshit pranë fshatrave Kabash dhe Bardha. Si ke kaluar rreth një kilometër në një rrugë krejt të amortizuar papritur ndeshesh me asfalt dhe mund të udhëtosh lirshëm për në destinacion. Peizazhi është i rrallë, i egër, por dhe i shkretë. Aty-këtu duket ndonjë shtëpi, por bazamenti i zbrazët i lumit të krijon idenë se përveç linjave të tensionit të lartë, askujt nuk i bie në mendje të kalojë nga ajo rrugë. Makina lë rrugën me asfalt dhe është e detyruar të futet në shtratin e zbrazët të lumit për të shkuar drejt destinacionit. Por nuk ka asnjë rrezik, sigurisht.
Enciklopedia thotë se: Kanioni është 3 km i gjatë, 150 m i lartë dhe në disa vende ngushtohet deri në 10 metra gjerësi, pasi është formuar nga aktiviteti karstik dhe erozioni i lumit Holta. Në muret e kanionit gjenden disa shpella karstike të paeksploruara. Koha më e mirë për ta vizituar është nga maji deri në shtator në varësi të rrjedhës dhe nivelit të lumit.
Vizita është e shkurtër, sepse për më tej nuk të duhet makina, por duhet të eksplorosh në këmbë. Lëmë pas malet me shpate të thepisur dhe përmes rrugës në territorin e zbrazët shpejtojmë për të dalë në kryqëzimin mbi liqenin e Banjës. Aty në të djathtë merr rrugën për në Tiranë duke e quajtur të mbyllur misionin turistik.



Friday, January 20, 2023

Edukimi i një brezi, kur nëna instrukton vajzën si prostitutë dhe djalin si hajdut


Nga Leonard Veizi
 
Çfarë modeli po i japim brezit të ri, atij që po bëhet gati për t’u hedhur në jetë por që është ende i brishtë dhe i papërpunuar mirë?
Nuk e kam fjalën për modelet e gatshme që induktojnë programet televizive, ato programe të cilat anatemohen gjithë ditën e ditës por që dhe ndiqen e shikohen tërë natën e natës. E kam fjalën për një realitet të trishtuar. Një realitet që vjen jo përmes thashethemeve të rreme, por lajmeve të vërteta. Një realitet që e kemi para syve, e para hundës tonë. Për ta parë e për ta nuhatur nëse vështrimi na është errur e nuk e shohim dot.
Shoqëria jonë është drejt kalbjes. Dhe do të kalbet e tëra nëse shteti nuk do të vihet në funksion 100 përqind të kapacitetit. Dhe kur flas për shtetin e kam fjalën për levat e tij: jo ato që të dënojnë pasi ke bërë krimin, por ato të cilat të pengojnë të shkosh drejt krimit. 
Nuk është e thënë të kalbet e gjitha për të kuptuar se vërtet është kalbur e nuk ke çfarë t’i bësh më. Mjafton të prishet një pjesë e saj, se kalbja nis e përhapet dalëngadalë e pa ndihmën e askujt. Pas kësaj do të duhet të sakrifikosh shumicën e gjësë që të mund të shpëtojë tjetra. Dhe kjo vlen sipas teorisë së doktor Adhamudhit, personazhit të famshëm të Çajupit tek komedia “Pas vdekjes” që thosh: Po të dhëmbi një dorë, prije të shpëtojë tjetra. Të dhëmbi një sy krreje, të shpejtojë tjetri. Po të dhembi koka? - ngriti pyetjen Zeneli. Këtu ngeci dhe teoria e Adhamudhit. Se po të priste dhe kokën nuk mbetej më asgjë.
Në ditët e sotme mund ta presësh dhe kokën, se nuk ka vlerë. Sot vlerë ka barku. I hedh stomakut të shkretë me bindjen se do të ngopet e ti do ta mbarosh “misionin” një ditë. Por ai di vetëm të zgjerohet. Dhe kjo është e keqja e pakontrollueshme.
Jemi kthyer në një shoqëri që nuk po njeh më moral por vetëm paranë. Dhe për hir të saj çfarë nuk bëhet.
Në jetën e përditshme jemi mësuar të njohim pafund raste kur prindi sakrifikon më të mirën e tij për fëmijën. Duke menduar gjithmonë që e ardhmja u përket atyre dhe se ata duhet ta ndërtojnë jetën në baza të forta. Kjo ndodh edhe kur vetë prindi është pis e delenxhi, i cili merret me tërë horrllëqet e mundshme.
Një nënë prostitutë e mban larg vajzën e saj nga rruga dhe mundohet ta edukojë dhe shkollojë që në jetë të bëhet ose mësuese ose ekonomiste. Një baba mashtrues dhe pijanec, që bie të flejë te pragu i derës se nuk e mbajnë këmbët të futet brenda, e mban larg tavolinës së mejhaneve të birin, që të mos bëhet as pijanec e as kodosh si ai, por të shkollohet e të bëhet jurist apo mjek.
Ndërsa rasti i tretë, më i keqi është kur një nënë apo dhe një baba, mundohet t’i transmetojë fëmijës së tij, veset e veta. Pra ose të bëhet “trim” si babai e të hajë ndonjë koqe plumbi bythëve, - se dihet që trimat nuk rrojnë gjatë, -  ose të bëhet kurvë si mamaja e të jetojë duke punuar sa “djersa e ballit” t’i rrjedhë çurg nëpër ulluk. Dhe ka raste kur nëna apo babai hajdut, e bëjnë fëmijën si vetja: një tjetër hajdut. Se hajdutllëku, si puna e kurvnillëkut janë zanatet më të vjetra në botë. Faqen ta nxijnë por pa gjë s’të lënë.
Por jo nga ata me shkollë të lartë, por hajdut të rëndomtë, imagjinata e të cilit shkon vetëm pesë metra larg. Dhe fëmija, në vend që të shkollohet e të bëhet për së mbari, vazhdon rrugën si pasardhës i denjë i një babai a nëne të padenjë. Le më kur flitet për profesionistë që ia dinë hiletë punës dhe me një nga këto dy zanate mundohen të bëjnë pasuri.
Çfarë modeli u japim fëmijëve tanë?
Fare pak nga vlerat dhe shumë më tepër nga antivlerat. Ky është fakt, i dukshëm, i përditshëm deri në marrëzi.
Një nënë, kërkon të vjedhë shtëpinë e “padronit” ku punon si pastruese. Por meqenëse nuk flitet për cingla-mingla, por për aq para sa nuk mban dot thesin, kërkon dhe ndihmën e të birit. Dhe jo thjeshtë si hamall ngarkim-shkarkimi. Meqenëse nuk e gënjen dot, i tregon ballazi, se i duhet ndihma e tij për të bërë një hajdutllëk, dhe për ta kryer misionin me sukses të plotë, i jep dhe ca leksione hajdutërimi. Dhe djali, - ndoshta jo me ndonjë ego të shprehur për të mësuar e për t’u bërë o jurist o mjek, - preferon të bëhet hajdut. Sepse në këtë mënyrë fiton shumë më shpejt aq para sa të blejë dhe një orë “Roleks”, një celular “Iphone 14”, madje dhe një “BMW X6” që të bredhë nëpër bllok e t’u marrë mendjen çupave të reja. Kësaj i thonë t’ia hedhësh fukarallëkut një herë e mirë e t'i thuash: ku të kam parë or tungjatjeta. Tjetër gjë se misioni dështoi dhe ai si nxënës bashkë me të ëmën mësuese, përfunduan prapa hekurave të qelisë së burgut.
Kjo është një nga mënyrat e edukimit. Dhe këtu merr vlerë shprehja “Bëmë baba të të ngjaj” që mund të konvertohet më së miri dhe “Bëmë moj nënë të të ngjaj”.
Çfarë modeli do u lëmë atyre që do të vijnë pas nesh?!
Hëm...

Tuesday, January 17, 2023

Për Gjergjin, që vdiq në shtratin e tij pa e prerë shpata e armikut

555 vjetori i vdekjes së Heroit



Nga Leonard Veizi
 
A ka një paralelizëm të heroit tonë kombëtar me gjeneralë të tjerë të mëdhenj në kohë si Aleksandri i Madh apo Cezari?
Aleksandri dhe Cezari ishin pushtues. Dhe lavdia e tyre u ngrit mbi skllavërimin e popujve të tjerë. Gjergj Kastrioti e braktisi detyrën e ushtarakut që zaptonte toka për interes të sulltanit osman dhe u kthye në një oficer mbrojtës të vendit të tij.
Në 25 vite të luftës e qëndresës, në krye të arbërorëve ai i bëri ballë ushtrisë më të madhe të kohës, si në rrethimin e kalasë ashtu dhe tek betejat në fushë të hapur.
Asnjë humbje.
Bilanci i Gjergj Kastriotit, të paktën moralisht e bën luftën e tij shumë më të lavdishme se fushatat pushtuese të Cezarit dhe Pompeit. Sepse ata ishin në krye të ushtrisë më të madhe të kohës, asaj të Romës. Gjergj Kastrioti, - apo Skënderbeu, - 1500 vite më pas, kishte një ushtri gati-gati modeste. Dhe ushtria më e madhe e kohës ishte matanë, përtej Bosforit, që terrorizonte Evropën e lodhur e të përçarë.
Por Gjergji ishte aq strateg, sa dhe sulltan Mehmeti, i biri i Muratit, i cili në 54 ditë luftime mori Kostandinopojën si kryeqendër të Bizantit, kalasë së Krujës, dhe vetë beut Skënder, - siç e kishte titulluar babai i tij, - i mori veç opingat.
Por Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm një strateg ushtarak, ai ishte po aq i madh dhe në politikën e diplomacinë e tij. I mbiquajtur Iskënder sipas osmanëve, për nder të Aleksandrit të Madh, me një diplomaci fine, - dhe pse në dorë mbante një shpatë të rëndë, - u tregoi shqiptarëve se porta që na lidhte me botën e madhe nuk kalonte aspak nga Dardanelet, por pikërisht mespërmes Adriatikut.
Ai njihet si Skënderi, por në fakt ishte veç Gjergji. Edhe pse emri i Aleksandrit i jepte kurorën e më të mirit ndër gjeneralët botërorë.
Sot e gjithë ditën ne mburrmi se dje ka qenë “Epoka e Skënderbeut”. Me portretin dhe stemat e tij kemi zbukuruar pasaportat dhe disa kartëmonedha me vlerë të madhe lekësh. Ndërsa çdo 29 nëntor, gjithkush që e quan veten shqiptar, ngre në dritaren e shtëpisë së tij gjithashtu një flamur të kuq me një shqiponjë të zezë, që ishte flamuri i principatës së Kastriotëve.
Ne i kemi përvetësuar gjithçka Gjergjit, shpatën dhe përkrenaren, madje dhe sentencën e famshme: Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.
Në 25 vitet e tij në krye të arbërorëve, Gjergj Kastrioti dhe ushtria e tij zhvilloi 24 beteja, ndër të cilat tre kishin të bënin me rrethimin e kalasë së Krujës ndërsa një ekspeditë u zhvillua kundër francezëve në Itali, për shkak të aleancave. Në të gjitha rastet numri i ushtarëve të Gjergj Kastriotit ka qenë më i vogël se i armiqve të tij. Në të gjitha rastet ai ka arritur t’ia dalë me sukses. Kjo padyshim e rrit lavdinë e fitores dhe vetë prestigjin e tij si strateg.
Ai e fitoi edhe betejën për marrjen e Beratit, pavarësisht se ushtria shqiptare më pas u thye nga trupat osmane, por jo në drejtimin e tij të drejtpërdrejtë.
Në bilancin e tij Gjergj Kastrioti njeh vetëm fitore.
Kjo bëri që Evropa skeptike, që merresh me thashetheme e kulisa t’futmesh nëpër korridoret e pallateve mbretërore, se s’kish më bythë të ngrinte shpatën, e po e shihte si shpresë shpëtimi princin arban, nisi t’i hapte dyert dhe të mblidhte për të ndonjë qindarkë ndihme.
Padyshim është një gjeneral i rrallë. Dhe jo më kot disa anketa e rendisin atë të katërtin për nga rëndësia botërore, pas Aleksandrit të Madh, Jul Cezarit e Napolon Bonapartit.
Dhe këtu nuk flasim për Atilën që luftonte “kaçakshe” me një lukuni hunësh që kërkonin veç të grabisnin e të përdhunonin. Këtu flitet për një strateg. Skënderbeu, me një trupë të vogël kalorësish shpartalloi ushtrinë e dinastisë Anzhuine që ishin armiqtë e Ferdinandit të Napolit, i cili ishte një nga mbështetësit e tij kryesor.
Askush nuk e dinte se si do të shkonte fati i Kryqëzatës ku ai ishte emëruar kryekomandant nga Papa Piu II. Por me siguri, në kulmin e lavdisë së tij, me një ushtri të armatosur nga e gjithë Evropa, Gjergj Kastrioti do t’i kishte çuar selxhukët andej nga kishin ardhur, në kufi me mongolët e Xhingis Khanit dhe sot nuk do kishim Stambollin, por Kostandinopojën.
Në përpjekjen e tij madhore për t’u bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin të qeverisur nga një mbret. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte furinë më të madhe të kohës, atë të jeniçerëve dhe azapëve aziatikë. Dhe kjo në fakt ishte sfida e tij.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me krerët evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare, ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që mbi të gjitha kishin një shpirt vetëmohimi.
Bëmat e Skënderbeut janë të përshkruara në mbi 1000 vepra historike dhe letrare në 21 gjuhë të ndryshme. Ai u kthye për shumë artistë në një hero vizual. Portreti i tij është kthyer në gjithfarë pikturash e gravurash. Një kompozitor si Vivaldi kompozoi një opera nën titullin “Skënderbeu”. Dhjetëra shkrimtarë ngritën letërsinë e tyre me fabulën e heroit arbëror që mundi sulltanin. E kështu me radhë.
Emri “Skënderbeg” sot gjendet nëpër sheshe e rrugë të Evropës si dhe në Amerikë. Fama e tij shkon përtej Evropës, për të cilën ai nxori gjoksin që ta mbronte. Jo më kot sllavët duan ta nxjerrin me origjinë serbe e grekët me origjinë helene. Ndërsa ai vetë thoshte se ishte pasardhës i Piros së Epirit dhe në kokë mbante simbolin e dhisë së mbretit epiriot.
Eh ç’na ka gjetur me këta fqinjët që kërkojnë të na e përvetësojnë çdo gjë të mirë që kemi nxjerrë dhe të na faturojnë vetëm të këqijat.
Sepse ata nuk e prodhuan dot kurrë një hero kundër hordhive osmane. Ndërsa shqiptarët nxorën një duzinë të tillë që nis me Gjergj Arianitin për të arritur të Pashai i Tepelenës, e ndoshta për ta mbyllur në fund me një luftëtar si Çerçiz Topulli. Dhe ishim mjaftueshëm për të bërë historinë aq sa u dhamë dhe grekëve një tufë burrash që të bënin shtetin e tyre.
Gjergj Kastrioti nuk ka qenë vetëm një hero i shqiptarëve, por një princ i niveleve evropiane, burrë shteti, luftëtar, diplomat, e largpamës. Rrënjët e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall vetëm 500 vite më pas, si akt juridik ndërkombëtar qëndrojnë tek trashëgimia e Gjergj Kastriotit.
Skënderbeu, vdiq në shtatin e tij. Nuk i hyri në trup asnjë shigjetë armike dhe as nuk e preu dot shpata e tyre edhe pse udhëhoqi i pari në çdo betejë. Ai ndoshta s’donte të krenohej dot me një fakt të tillë, por ne kemi të drejtë të krenohemi për të.
Tanimë pasi 555 vitesh ne përkujtojmë 17 janarin e vitit 1468, ditë kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, do të mbyllte sytë.

Sunday, January 15, 2023

Shqiptarët, ky popull pa lugë e pirun floriri


Nga Leonard Veizi
 
Jemi qarë në vazhdimësi se jemi popull i varfër e mezi ia dalim. Herë kemi luftuar për pak më shumë bukë, e vitet e fundit për ca më shumë para. Mirëpo, sërish si mesatare popullsie jemi ku thërret qameti, krahasuar me vendet e tjera Evropiane, familja e së cilës kemi kaq kohë që pretendojmë të bëhemi.
Mirëpo në këtë përpjekje mbijetese, ca e ca kanë bërë kërdinë në këtë pak vend. Kanë mbledhur aq shumë pasuri, sa perëndimi që na konsideron të varfër ka shqyer sytë me të pasurit tanë. Sepse në fillim të karrierës të gjithë e nisëm njësoj, nga një apartament modest, o me parafabrikate, o me tulla silikate kishim. Meqenëse nuk kishim trashëguar gjë prej gjëje nga të parët. Apo dhe ajo pak gjë që kishim si trashëgimi na e kishte konfiskuar Pushteti Popullor në emër të popullit për popullin.
Enveri ua shtetëzoi florinjtë që mbanin të fshehur nëpër qypa shtresës borgjeze dhe tha se do i bënte lugë floriri me qëllim që tua shpërndante të varfërve.
-Ore, po nga sa lugë floriri do marrim? – ngriti pyetjen Luftar Paja në rolin e partizanit në një skeç të Estradës së Fierit.
-Sipas meritave, sa gjermanëve që ke vrarë.
-Jo or jo, do ndahen barabar, kështu ka thënë ai i madhi!
-Po pse ore unë si partizan i thjeshtë do marr barabar me kumandarin e batalionit, po kumandari i batalionit do marrë barabar me kumandarin e brigadës, po kumandari i brigadës do marrë barabar me Kumandarin e Përgjithshëm...
Koha kur u tha se të gjithë do ishin të barabartë iku. Nisi sulmi i të pasuruarit. Kërkonim të kapnim kohën e humbur. Mirëpo pasuria nuk vika kollaj. Kështu që ca e ca rrezikuan me punë të pista, ca të tjerë që e dinë vetëm më të zgjuar, bënë një tjetër marifet, futën duart në paratë e popullit, ose thënë ndryshe në buxhetin e shtetit. Ky është hajdutllëk me shkollë. Dhe askujt nuk i është futur gjemb në këmbë. Burgjet janë të mbushura me vrasësa e grabitësa ordinerë, por zyrtarë nuk gjen nëpër qelira. Me përjashtim të ndonjë rasti kur tjetri ka tentuar të dalë nga rreshti.
Edhe unë kam ëndërruar gjithmonë të marr ca para qyl: të hedh një firmë e paratë të më kalojnë në numrin e llogarisë. Por hiç. Pastaj më kujtohej burgu dhe i thosha vetes: mos shih ëndrra me sy hapur vëlla, ti se mban dot as burgun. Pastaj mendoj se duhet të paktën të isha bërë pastrues a bahçevan, mbase bija në ndonjë familje pasanikësh që paratë i mbajnë poshtë dyshekut se nuk i fusin dot në bankë dhe kështu më ndihte fati e t’i thosha fukarallëkut tutje. Mirëpo më faniteshin policët me pranga gati te pragu i derës. Jo vëlla, nuk janë për ty sportet e rënda! Se e pëson si Robert Ndrenika në rolin e Zeqos, te filmi “Duke kërkuar 5-orëshin” që iu përdrodh qafa se donte të bëhej mundës i Kategorisë së Parë pa bërë asnjë ditë stërvitje.
Dhe sërish e kam një dilemë të madhe. Përditë shoh në lajme e lexoj në gazeta të flitet për gjithë këto para në lojë. Miliona dollarë. Merr këtej, hidh andej... Mua, asgjë s’më kalon... vetën rroga. Edhe atë kur jam në ndonjë bordero, se më ka rastisur që edhe të rrija në shtëpi e të shihja televizor.
Deri dje qëllimi ishte të bëje para. Sot që i ke bërë nuk di ku t’i fshehësh, se dhe duhet t’i justifikosh. Si t’i çosh në bankë në emrin tënd kur i ke marrë nga depozita e buxhetit po në bankë. Këtu koklavitet problemi.
Hap arkivat. Gjen një lajm me titullin: “Raporti tronditës i KLSH”. Më poshtë vijon: 122 miliardë lekë ose mbi 1.1 miliardë euro është dëmi ekonomik që qeveria i ka shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm për 9 muaj të vitit 2022...” Jeni në vete, po ne 5 miliardë euro kemi buxhetin, si mund të abuzohet e shpërdorohen 20 përqind e shumës?! Dhe ky është muhabet i përvitshëm. Abuzim milionash me rrugët, abuzim milionash me ndërtime e rindërtime... abuzime milionash... e ç’të të them, edhe me letrat e formatit A4 të zyrave.
Po kot u qakemi ne shqiptarët. Këtu paska para për ne e për ca të tjerë. Të hamë me lugë floriri, madje dhe me pirin, e gjellën ta ndajmë me garuzhde argjendi. Mirëpo në shumicën dërmuese, shqiptarët vazhdojnë të hanë me lugë alumini nga ato të ushtrisë, se janë shtrenjtuar dhe ato të inoksit.
Po çfarë mund të bëhet me kaq para?
-Mund të rriten pensionet.
-Mund të blihen të gjitha aparaturat dhe medikamentet që mungojnë nëpër spitale.
-Mund të rregullohet sistemi arsimor dhe të ndërtoheshin të gjitha kopshtet e shkollat që mungojnë.
E çfarë nuk mund të bënim me paratë që abuzohen për gjëra gjithfarësh. Sepse nëse ka të paktën një miliardë dollarë abuzime në vit, për një dekadë bëhen 10 miliardë dollarë. E me kaq para me gjasa e kishim bërë Shqipërinë të re nga themelet.
Mirëpo paratë e shqiptarëve kanë përfunduar nëpër qese plehrash, e nëpër thasë lini. Një zyrtareje të lartë i vidhen nga pastruesja aq para sa... të bie pika. Por kjo ndoshta nuk është më aq shqetësuese, se me sa duket u quajtka: dëm kolateral. Pensionistëve u jepet nga 80 mijë lekë të vjetra dhe ata bekojnë tërë ditën e ditës kryeministrin që e lëshoi dorën. Por të gjitha këto janë paratë e shqiptarëve. Sepse dalin nga një xhep e hyjnë në një xhep tjetër.
Ne duhet të jemi vërtet një vend shumë i pasur, përderisa në çdo lajm që qarkullon e bën xhiron e rrjetit, flitet për miliona dollarë. Ndërsa kur flitet për shtesa rrogash, shifrat janë 15 apo 20 mijë lekë të vjetra. Më shumë se kaq jo, se dëmtohet buxheti.

Thursday, January 12, 2023

Ardenica, madhështia e një tempulli shpirtëror

Shënime udhëtimi
 


Nga Leonard Veizi
 
Ai është një vend kulti i famshëm. Ndoshta u bë i tillë për shkak të pozicionit gjeografik ku u ndërtua. Ndoshta për shkak se kryetrimi Gjergj Kastrioti e zgjodhi si vend për të kurorëzuar martesën e tij me Donikën e Gjergj Arianitit. Ose ndoshta sepse shumë kohë më vonë, - atëherë kur nuk flitej më për objekte kulti, - territori i saj dhe vetë kisha u përdorën si shesh xhirimi ku u realizuan disa nga filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Por gjithsesi, prania afër tij të jep një qetësi të pamasë shpirtërore.
Flitet për Manastirin e Ardenicës.
 
Rrugëtimi
Për të shkuar në Ardenicë, prej kryeqendrës, nuk duhet ndonjë mundim i madh. Janë vetëm rreth 100 kilometra rrugë që karakterizohet përgjithësisht nga autostrada, ku mund të ecësh mesatarisht me 80 kilometra në orë, duke iu përmbajtur tabelave që kufizojnë shpejtësinë.
Google maps të siguron se nëse zgjedh të udhëtosh në autostradën e Durrësit, të kalosh Golemin e Kavajën, e të marrësh për në Lushnje, janë 103 kilometra në dispozicion të cilat përshkruhen për 1 orë e 29 minuta.
Nëse do të zgjedhësh autostradën e Elbasanit e tek rrethrrotullimi i Rrogozhinës t’ia mbash për nga autostrada e Fierit, - duke kaluar në periferi të Lushnjës gjithsesi, - janë 109 kilometra të cilat përshkohen për 1orë e 39 minuta. Pra kemi gjashtë kilometra më shumë, por një shtesë prej 10 minutash në kohë.
Vendmbërritja është administrativisht në rrethin e Lushnjës me një largësi prej 18 kilometrash nga qendra e qytetit.
Por që të ngjitesh për në kodrën e Ardenicës, duhet të kalosh mes përmes fshatit Kolonjë, që në kushtet e zhvillimeve të fundit përafron me një qendër të vogël urbane.
Vetëm pak kilometra nëpër kthesa për të marrë lartësinë dhe ke mbërritur në majën e kodrës, ku asfalti i lë vendin një rruge të shkurtër kalldrëmi e cila të çon deri në portën e madhe hyrëse të manastirit. Vendi përreth është i mbushur nga qiparisa e bredha të lartë, gjë që i japin vendit jo vetëm një pamje të bukur e piktoreske, por dhe krijojnë një ambient me një qetësi apostolike ku mund të meditosh e të dalësh në përfundime më të arsyeshme.
 
Pak histori
Referuar materialeve enciklopedike, me bindjen e thellë se as nuk zbulojmë ndonjë gjë të re e as nuk themi diçka të pathënë më parë, mund të përmendim faktin se manastiri bizantin i Ardenicës prej kohësh zë një vend të veçantë në listën e destinacioneve më të mira historike-fetare të turizmit në Shqipëri. E megjithatë vendi nuk është se gëlon nga turistët. Edhe pse destinacioni është lehtësisht i aksesueshëm.
Kisha mban emrin e Marisë Hyjlindëse. Një gjë e tillë vihet re në shumicën e kishave të trevës së Myzeqesë. Sepse ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Mendohet se ndërtesa u ngrit në vitin 1282 nga perandori Bizantin Androniki II Paleolog, për nder të fitores mbi anzhuinët në Berat. Por gjithsesi, ky me sa duket nuk është një variant shterues. Sepse ka edhe disa variante të tjera, ku thuhet se manastiri mund të jetë ndërtuar edhe në kohën e Despotatit të Epirit në shekullin e XIII, apo që është themeluar diku në shekujt XIII-XIV ndoshta në kohën e zotërimit të trevës nga familjet e mëdha feudale të Muzakajve dhe Matrangëve. 
Mendohet gjithashtu se shumë përpara ndërtimit të Manastirit aty gjendej më parë një tempull pagan kushtuar Artemisës, prej nga do të rridhte dhe emri Ardenicë. Ndërsa një variant tjetër thotë se Ardenicë ka dhe kuptimin: burim uji.
Hyrja për në manastir bëhet nga ana lindore nëpërmjet një porte me qemerë. Oborri është i shtruar me kalldrëm. Hajatet janë dykatëshe dhe shërbejnë si dhoma për murgjit. Kati përdhes përdorej si hambar për bereqetin. Në mjediset e manastirit gjendet një mulli për prodhimin e vajit të ullirit.
Gjithsesi, formën e tij të sotme, - në një sipërfaqe që zë 2,500 metra katrorë, - manastiri e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Brenda territorit të Manastirit ndodhen dy kisha: kapela e Shën Triadhës dhe kisha Lindja e Hyjlindëses Mari.
Studiuesit thotë se kisha është ndërtuar me gurë shtufi dhe me gurë të ardhur nga Apollonia. Kjo kishë tërheq me arkitekturën e saj të stilit Bazilikal, me portikun e hapur me kolona e harqe si dhe kambanoren që ngrihet në 24 metra lartësi.
Fare pranë këtij tempulli, vetëm 1 kilometër në perëndim të tij kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, që lidhte Romën në Perëndim me Kostandinopojën në Lindje.
 
Ikonat
Duhet një restaurim mjeshtëror që të dalë në dritë pamja e ikonave murale. Sepse ato janë zbehur nga koha, por dhe janë keqtrajtuar gjatë periudhës komuniste kur manastirit iu ndërrua destinacioni. Por duket se një gjë e tillë nuk është ende në axhendë, meqenëse flitet për një fond të konsiderueshëm. E megjithatë, duhet thënë së në muret e kishës kanë marrë jetë kryevepra të botës ortodokse.
Kanë qenë piktorët e ardhur nga Korça, si Kostandin dhe Athanas Zografi, të cilët kanë pikturuar afreske të mrekullueshme në ambientet e brendshme të Kishës, të cilat sipas specialistëve pasqyrojnë episode të Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re.
Ikonostasi i gdhendur në dru, apo ikonat e tjera të lëvizshme, të cilat janë punuar nga dora e Kostandin Shpatarakut, ia shtojnë akoma më shumë bukurinë dhe vlerat kësaj kishe.
Në narteks, (apo në parasallë) në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. 
Manastiri i Ardenicës ka qenë fort i dëgjuar, jo vetëm për afresket e tij, jo vetëm si një vend arsimi dhe kulture, por edhe për bibliotekën e pasur me mbi 32 mijë vëllime, e cila fatkeqësisht është djegur nga një zjarr i rënë në vitin 1932.
 
Dasma e famshme
Ajo është dasma më e famshme ndër shqiptarët. Dhe u kurorëzua pikërisht në këtë manastir. Në mesditën e 26 prillit të vitit 1451 në një ceremoni që zgjati për disa ditë, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donika Aranitin, pikërisht në altarin e Kishës në Ardenicë. Ceremoniali u zhvillua nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptare dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut e Raguzës.
 
Degradimi
Në jetën e tij të gjatë, Manastiri ka përjetuar plot ngjarje të gëzueshme ashtu si mbi të kanë rënë dhe kohë të tjera të trazuara. Gjatë viteve të regjimit komunist, - sidomos pas vitit 1967, - shumë kulte fetare u dëmtuan, shkatërruan ose u konvertuan. Në studimin e tij të publikuar nën emrin “Arti kishtar në Shqipëri” historiani Andrea Llukani shkruan: Rrebeshi ateist i vitit 1967 solli një grup të rinjsh nga Fieri për ta shkatërruar manastirin, por ai u mbrojt prej Imzot Irine Banushit, i cili ndodhej i internuar në Ardenicë. Ai u foli gjimnazistëve: “Historia nuk do të na e falë. Ky manastir nuk ka vetëm vlera fetare për kombin tonë, por edhe historike, pasi në 10 maj të vitit 1451 në manastir janë kurorëzuar heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti me Donikën”. Të rinjtë dhe mësuesit e tyre u bindën dhe manastiri shpëtoi. Vendosja e repartit ushtarak në të i solli mjaft dëme. Përsëri me ndërhyrjen e Imzot Irineut, manastiri u shpall monument kulture në mbrojtjen e shtetit. Meritë ka edhe teologu Theofan Popa, i cili në atë kohë punonte në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe kontribuoi mjaft për ruajtjen e kishave.
Gjatë viteve 1988-1989 manastiri i Ardenicës u kthye në pikë turistike: hotel, restorant, kafene, duke bërë disa përshtatje për plotësimin e kërkesave për këtë funksion.
Gjithashtu dhe mungesa e ndërhyrjeve sistematike për mirëmbajtjen e gjithë kompleksit të manastirit, - i bënë të domosdoshme vite më pas - ndërhyrjet restauruese nga ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si për konsolidimin statik të ndërtesave, ashtu dhe për rikthimin e këtij ansambli në funksionin e tij fillestar, d.m.th. në manastir.
 
Kuriozitete
-8 shtatori është festa më e rëndësishme fetare që kremtohet çdo vit në Manastirin e Ardenicës, sepse është lindja e Shën Marisë.
-Në një pllakë guri në hierore gjendet mbishkrimi, i cili vërteton se gdhendjet e ikonostasit, amvonit dhe fronit dhespotik janë realizuar nga një grup gdhendësish nga Dibra e Madhe apo më mirë të themi nga Golloborda.
-Në narteksin e kishës (parasallës) “Fjetja e Shën Mërisë” shumë pranë derës perëndimore në anën e majtë dhe të djathtë janë varrosur dy Dhespotët e Mitropolisë së Beratit, Metodi dhe Joasaf  “Plaku”. Dy varret janë të shoqëruara me një pllakatë me mbishkrim në gjuhën greke.
-Biblioteka e Manastirit kishte vepra të rralla të kulturës dhe të identitetit të popullit shqiptar dokumente me vlera të çmueshme historike, duke përfshirë edhe një pjesë të korrespodencës së Ali Pashë Tepelenës.
 
Epilogu
Kodrat e Ardenicës ndodhen në jug të fushës së Myzeqesë së madhe me një pozitë dominuese që shihet nga të gjitha anët. Kjo pozitë si ballkon, ku nga kambanorja e tij shihen Kruja, mali i Dajtit, Tomori, deti Adriatik, laguna e Karavastasë e deri në jug malet e Labërisë, e bëjnë Ardenicën një vend të vizituar nga turizmi çlodhës dhe argëtues.
Manastiri i Ardenicës është pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare. Ai është një nga manastiret më të famshme ortodokse shqiptare dhe një nga më të mëdhenjtë në vend. Prej studiuesve konsiderohet mrekulli e ortodoksisë shqiptare dhe një nga kryeveprat e arkitekturës bizantine ortodokse.

Tuesday, January 10, 2023

Austro-Hungaria, si ndikoi në Pavarësinë e Shqipërisë

Çfarë thonë dokumentet e Austrisë, Hungarisë, Italisë, Francës e Anglisë.
 


Sipas historianëve Arben Puto, Eleni Kocaqi e Apostol Kotani
 
Leonard Veizi
 
Në Londrën e ftohtë shqiptarët mbërritën me entuziazëm të përmbajtur, një delegacion zyrtar i përbërë prej katër përfaqësuesish, licencuar nga kryeministri Ismail Qemali dhe dy intelektualë të nisur nga shoqata “Vatra” e Amerikës. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, 40 burra kishin firmosur për ndarjen përfundimtare të Shqipërisë etnike nga Perandoria Osmane, e cila kishte sunduar për të paktën 500 vjet në Ballkan. E megjithëse lajmi ishte dhënë nga të gjitha agjencitë e Evropës, asgjë s’merrte fund këtu. Lufta sapo kishte nisur. Ajo diplomatike ishte edhe më e ashpër se fronti në kufi...
 
...Të paktën 20 ditë pas shpalljes së mëvetësisë shqiptare nga Porta e Lartë, më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës në të ashtuquajturën “Konferenca e Ambasadorëve”. Problemet në Ballkan do të ishin në rendin e ditës, por dhe njohja juridike e pavarësisë si dhe kufijtë etnikë të Shqipërisë gjithashtu ishin një çështje në diskutim. Do të kalonin 8 muaj që më 29 korrik 1913 të merrej vendimi: “Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha”. Ndërsa kufijtë, pas shumë debatesh u caktuan por duke lënë jashtë shtetit Shqiptar gjysmën e territorit etnik.
Ky edicion “dossier” ka në përmbajtje dhe fragmente nga intervistat e dhëna në kohë për autorin nga historianët: Arben Puto, Eleni Kocaqi e Apostol Kotani
 
Kongresi i Berlinit
Padyshim u desh jo pak kohë të konsolidoheshin 28 mijë kilometrat katrorë që iu lanë në dispozicion principatës shqiptare prej vullnetit të fuqive të mëdha. Jo vetëm Kosova e Çamëria, si treva të mëdha, kishin mbetur jashtë territorit por dhe ca vise të tjera. E megjithatë e keqja për shqiptarët nuk nisi e mbaroi në vitin e mbrapshtë 1913. Ajo kishte filluar që kohë më parë dhe pikërisht më 1878 me Kongresin e Berlinit. Lufta Ruse-Turke e viteve 1877-1878, i kishte cenuar rëndë zotërimet osmane në Gadishullin Ballkanik. Shqipëria ishte në shënjestrën e fqinjëve. Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit. Me këto toka u kompensuan Mali i Zi e Serbia. Për t'i bërë ballë aneksimit u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë copëtimit të trojeve shqiptare.
 
“Antanta” dhe “Blloku Qendror”
Situata politike në Evropën e fillimit të shekulli të XX, kur Perandoria Osmane po lëshonte territor, bëri që të formoheshin dy blloqe politike ushtarake, njëri ishte “Antanta” e përbërë prej Anglisë, Francës dhe Rusisë dhe tjetri ishte “Blloku Qendror” me Gjermaninë, Austro-Hungarinë dhe Italinë. Antanta përkrahte sllavët në Ballkan ndërsa Blloku Qendror me insistimin e Austro-Hungarisë përkrahte shqiptarët. Në rrethana të reja, Shqipëria merrte rëndësi të veçantë në politikën ballkanike: për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik; ndërsa për Italinë, si një bazë për depërtimin e mëtejshëm drejt Lindjes. Nga të gjashta Fuqitë e Mëdha vetëm Austro-Hungaria, për arsye gjeo-strategjike, historike dhe kulturore ishte e interesuar drejtpërdrejt për krijimin e një shteti shqiptar.
 
Kërkesat e shqiptarëve
Për të mbrojtur të drejtat shqiptare në arenën ndërkombëtare, qeveria e Vlorës caktoi katër delegatë për në Konferencën e Ambasadoreve, ku do diskutohej çështja e ish-zotërimeve turke në Ballkan. Delegacioni kryesohej nga Rasih Dino e pjesëtarët e tjerë ishin Mehmet Konca, Filip Nogas e Sotir Kolea. Ndërkohë para delegacionit zyrtar në Londër kishin mbërritur prej Amerike dhe dy intelektualë të shquar Fan Noli e Faik Konica të cilët gjithashtu lobuan fort për çështjen shqiptare. Historiani Apostol Kotani thotë se: “Qeveria shqiptare parashtroi kërkesën: Njohjen e pavarësisë, vendosjen e një regjimi monarkik me një mbështetje evropiane e caktimin e një komisioni ndërkombëtar për çështjen e kufijve. Por këto kërkesa legjitime nuk u morën parasysh, sepse fuqitë e mëdha nuk ishin për pavarësinë, por për një autonomi nën vartësinë e Sulltanit, dhe të kontrolluar nga Fuqitë e Mëdha. Rusia dhe Franca përkrahën kërkesat e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kurse Austro-Hungaria dhe Italia ishin për largimin e serbeve nga trojet shqiptare, dhe të grekëve nga bregdeti shqiptar”. Me gjithë këtë qëndrim, qeveria dhe populli shqiptar nuk u tërhoqën përpara vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve dhe vazhduan përpjekjet. Këto kundërshtime të vendosura bënë që, pas disa muajsh, në mbledhjen e 29 korrikut, Konferenca e Ambasadorëve të anulojë vendimin e mëparshëm për sovranitetin e Sulltanit dhe ta zëvendësojë me kontrollin e fuqive të mëdha.
 
Politika Austro-Hungareze
Po çfarë do ndikonte më shumë në shtetformimin shqiptar, rezistenca e vetë shqiptarëve, apo ndikimi i politikave të huaja? Historiania Elena Kocaqi thotë se: “Në këto kushte, mundësitë që shqiptarët të krijonin një shtet pa miratimin e fuqive të mëdha ishin zero, pasi ishin vetëm gjashtë Fuqitë e Mëdha që vendosnin për ndryshimin e statusit territorial të një vendi”. Pra dhe nëse shqiptarët të ishin të bashkuar dhe të kishin ushtrinë e tyre, sërish nuk do të mund t’u impononin dot Fuqive të Mëdha një shtet shqiptar aq lehtë nëse nuk do të kishin ndonjë nga shtet të fuqishëm që t’i mbështeste ata. Sipas Kocaqit: “Pavarësia shqiptare ishte vepër e politikës Austro-Hungareze të kohës e cila arriti të përdorë të gjitha mjetet, si diplomatike, ushtarake për t’u imponuar fuqive të tjera krijimin e një shteti shqiptar dhe kjo tregohet nga të gjitha dokumentet diplomatike të arkivave Evropiane”.
Austro-Hungaria kishte interesa në Ballkan dhe ajo shikonte në copëtimin e Shqipërisë, një kërcënim të sigurisë së saj në gadishull pasi trojet e saj shtriheshin deri në Bosnje. Problem i madh ishte edhe çështja e Adriatikut ku Austro-Hungaria dilte në det në Trieste dhe rajonet kroate, sllovene dhe ajo, nuk mund të lejonte që në bregun shqiptar të Adriatikut të vendosej një Serbi armike dhe një Itali rivale potenciale për armike, e cila mund t’i bllokonte asaj kanalin e Otrantos nëse merrte Vlorën. Kështu Austria mori fjalën e Rusisë dhe Italisë rreth 30-40 vjet më para se të shpallej pavarësia. Ishte shpërthimi i konfliktit ballkanik që e detyroi atë të bëhej agresive derisa dhe të mobilizonte ushtrinë për të imponuar një Shqipëri të Pavarur. Ishte pikërisht ajo që prej tetorit të vitit 1912 u kërkoi shqiptarëve shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonomisë.
Duke i mëshuar fort idesë së saj, historiania Eleni Kocaqi thotë: “Janë faktet historike nga arkivat e Austrisë, dokumentet diplomatike Italiane, Franceze, Angleze të cilat japin qartë faktin se merita për krijimin e shteti shqiptar i takon shtetit Austro-Hungarez dhe se shqiptarët kanë shumë pak ose aspak peshë në këtë çështje”.
 
Rënia e pretendimit Austro-Hungarez
Ndërkohë historiani Arben Puto ndan një tjetër mendim kur thotë: “Theksoj që përfaqësuesit e Fuqive, konsujt, gjatë muajve të qeverisë së parë shqiptare kanë qenë të gjithë në Vlorë dhe për çdo çështje që dilte, mbanin kontakte personalisht me Ismail Qemalin. Këtë unë e kam interpretuar si një njohje të përkohshme, “de fakto”, që i bënë Fuqitë e Mëdha qeverisë së Vlorës. Kjo shpjegohet dhe me qëndrimin e Austro-Hungarisë që ishte për një shtet shqiptarë me kufij më të zgjeruar, dhe që e përkrahte Qeverinë e Vlorës duke e cilësuar si një bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Por së fundi as Austro-Hungaria nuk e njohu shtetin Shqiptar, megjithëse konsujt qëndruan shumë kohë pranë qeverisë së Vlorës duke bërë lloj-lloj raportesh. Gjithsesi në fund u tërhoq. Dhe më pas vjen protokolli i vitit 1913, ku Shqipëria e Pavarur u njoh si principatë”.
 
Projekti serbo-grek për ndarjen e Shqipërisë
Megjithatë dokumentet Austro-Hungareze flasin qartë dhe për qëndrimin e Serbisë dhe Greqisë ndaj Aktit shqiptar të Shpalljes së Pavarësisë. Eleni Kocaqi thotë:Serbia e Greqia as që donin të njihnin një shtet shqiptar pasi ato kishin marrëveshje ta ndanin Shqipërinë midis tyre. Serbia donte pothuajse pjesën me të madhe të Shqipërisë me një dalje të gjerë në bregdet dhe Greqia donte Epirin deri në gjirin e Vlorës. Serbia pati një konflikt të madh me Austro-Hungarinë në nëntor 1912 kur ushtria serbe u fut në Durrës. Ndërsa sipas arkivit austriak në 30 dhjetor 1912, qeveria greke ka njohur qeverinë e Vlorës, por jo pavarësinë e Shqipërisë, pasi ajo bazohej në marrëveshjen që kishte me Ismail Qemalin, që të njihte qeverinë tij me koncesion territorial në favor të Greqisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 5 vjet më parë dhe Epiri i kalonte i gjithi Greqisë. Në 1912 ajo vazhdoi të funksionojë, pasi sipas dokumenteve, Ismail Qemali ishte dakord që Greqisë t’i kalonte Janina e Çamëria. Si shkëmbim, ajo njihte qeverinë e Vlorës”.
Sipas shtojcës së fshehtë të Traktatit të Aleancës midis Greqisë dhe Serbisë, të nënshkruar më 19 maj 1913, këto dy shtete aleate historike, ndanë sferat e interesit dhe programuan copëtimin midis tyre të Shqipërisë. Harta e copëtimit përcaktonte se territori që kufizohej në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj buzë këtij lumi deri në grykën e Devollit dhe buzë Devollit e deri në malin e Kamjes - hynte në sferën serbe të ndikimit dhe interesave, që në një rast oportun do të shërbente edhe si kufi ndarës. Ndërsa pjesa jugore e Shqipërisë, prej kësaj vije, hynte në sferën greke të ndikimit dhe copëtimit eventual. Plani parashikonte gjithashtu që, në rast trazirash në Shqipëri, të dy shtetet duhej të merreshin vesh e të bashkëpunonin për qëndrimin që do të mbanin.
 
Epilogu i Konferencës
Konferenca e Ambasadorëve i vazhdoi punimet e saj mbi statutin e organizimit të Shqipërisë. Më 7 prill 1913, ministri i jashtëm britanik Edward Grey, në raportin e tij të para dhomës së komunave, ndër të tjera tha: “Marrëveshja e Fuqive për të respektuar kufijtë e Shqipërisë u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të lodhshme diplomatike. U vendos që brigjet e liqenit të Shkodrës t’i takojnë Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni dhe Dibra, si dhe pas shumë përpjekjesh dhe negocimesh, edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte thelbësore për paqen në Evropë, dhe është arritur pikërisht për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”.
Në 15 qershor 1913, Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën përsëri një propozim mbi organizimin e Shqipërisë. Vetëm pas shumë diskutimesh, gjatë të cilave Franca dhe Rusia kundërshtuan vazhdimisht, fuqitë ranë dakord që Shqipëria më 29 korrik 1913 të shpallej principatë ku një Komision Internacional Kontrolli i përbërë prej delegatëve të gjashtë Fuqive të Mëdha do të mbikëqyrte administratën dhe financat e Shqipërisë dhe një Princ do të caktohej brenda 6 muajve. Pra, Shqipëria merrte formën e Protektoratit. Kjo njohje gjysmake e një pjese të Shqipërisë, nuk kënaqi aspiratat e popullit shqiptar.