Saturday, June 29, 2019

Shyqyri Sako: Mishel Pikoli, si u pre në besë tek zyrat e Kinostudios


Rrëfimi i piktorit Shyqyri Sako: Pengu im “Lulëkuqe mbi mure”, jeta që e njihja më mirë!

Nga Leonard Veizi

-Industria e propagandës me pelikul qe futur në prodhim me kapacitet të plotë. Arkitektura e jashtme dhe studiot nga brenda ishin bërë gati sipas modelit sovjetik, operatorët kishin studiuar në Rusi dhe piktori i filmit, i pari dhe i vetmi për çudi, gjithashtu erdhi nga Moska. Por ky ishte vetëm fillimi. Më pas gjithçka do të binte erë shqiptare. Realizëm socialist, e nëpër të një modernitet i dukshëm, qoftë i fshehur njëkohësisht, por gjithsesi i lexuar…
…Ai është piktor, me të paktën 22 ekspozita personale. Për më shumë se kaq, dhe për ata që nuk kanë prirje ndaj artit vizual, ai është po aq i afërt, veç në një kënd tjetër njohje. Emri i tij ndeshet rëndom e pa kurrfarë aureole magjike, në titrat hyrëse të filmave shqiptarë: piktor Shyqyri Sako.

Jeni i vetmi që keni studiuar për piktor filmi. Si ishin fillimet tuaja?
Si mbarova Liceun Artistik “Jordan Misja, në vitin 1958 u nisa për të studiuar në Institutin e kinematografisë “VGIK” në Moskë, në degën: piktor filmi. Atë vit isha bashkë me Viktor Gjikën e Dhimitër Anagnostin që vazhdonin për operator. Studimet ishin 5-vjeçare, por unë arrita të bëj vetëm tre vjet sepse pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve në vitin 1961 të gjithë studentët shqiptarë u kthyen nga ish-BS. Pedagog kisha një piktor më emër në filmin sovjetik siç ishte Josif Shpinel, gjeorgjian me origjinë hebreje. Regjisori i madh Sergei Eisenshtein, e kishte piktor të filmave të tij dhe ai punonte vetëm me Shpinelin. Unë isha në kurs me 20 të huaj të tjerë kur u futën në orën e tij të leksionit. Rusishten e njihja që prej Liceut kështu që komunikimi nuk përbënte problem. Ai kërkoi të dinte se nga ishim dhe kur unë i thashë: “Nga Shqipëria”, erdhi e më përqafoi.

Përse kjo mikpritje për një student shqiptar?
Shpineli kishte qenë në Shqipëri, pasi kishte punuar si piktor për filmin “Skënderbeu”. Kishte nostalgji për ditët që kishte kaluar këtu. Më tha se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm ku i gjeje të gjitha, diellin, detin dhe malin. “Kemi bërë gabim të rëndë me Shqipërinë, – më tha, – u kemi mbajtur shqiptarëve dhjetëra kostume popullore me vlera të jashtëzakonshme”. Kur u realizua filmi “Skënderbeu” u blenë shumë kostume popullore në të gjithë zonën e veriut. Kostumet, me të cilët u veshën figurantët, shkuan në studion e Moskës ku u realizua pjesa më e madhe e filmit. Këto kostume rusët i mbajtën me pretekstin se “do të realizonin një film tjetër”. Dhe mbetën atje. Ato ishin vërtet një pasuri e madhe pasi nuk gjendeshin lehtë. Për të bërë një xhubletë me të gjithë mozaikun e saj, e me punime shumë të imta, duhej një vit punë. Më pas Shpineli shtoi: “Për respektin e madh që kam për Shqipërinë unë ty do të të mësoj të gjitha të fshehtat e zanatit”. Ky ishte një fat i madh për mua. Mbaj mend që para se të vija në atdhe: “Atë gjë që se kam zbuluar unë, mundohu ta zbulosh ti në Shqipëri. Unë aq kohë pata, ti hyr më thellë”.

Kur do të fillonit punë në Kinostudio?
Fill pas diplomimit në Tiranë, do të kaloja në Kinostudio në vitin 1962. E fillova me filmin “Detyrë e posaçme” dhe vazhdova deri në vitin 1997 kur dola në pension pas punës me filmin “Plumbi prej plasteline”. Kam qenë piktor në 40 filma artistik. Tani pas 50 viteve, në fushën time, mund ta quaj veten pa frikë “pionieri dhe babai” i filmit shqiptar. Filmi kishte tre komponentë të lidhur ngushtë, regjisori, operatori dhe piktori. Më pas u futën dhe elementë të tjerë e u bënë 7-të gjithsej. Piktori është udhëzuesi për veshjet, ambientet e arkitekturën. Është ai pararendësi i filmit dhe që në një farë mënyre e mbush, apo e karrikon regjisorin duke i vënë përpara skenat se ku duhet të realizohet filmi. Madje kostumet dhe rekuizita janë “pronë” e piktorit.

Si vepronit me kostumografin, kur flitej për raste të veçanta?
Më kujtohet se në filmat “Komisari i dritës” dhe “Toka jonë” kam pasur vështirësi me gjetjen e veshjeve. Kinostudio i blinte kostumet. Unë shkoja kudo dhe pyesja nëse kishin veshje popullore të zonës. Më përgjigjeshin: “Kemi por nuk i shesim”. Xhubletat e zeza, për zakon, i vishnin për raste vdekjesh. Madje një nuse mirditore më tha: “Për sa kam vjehrrin gjallë nuk mund ta shes një xhubletë të tillë”. Mezi arrita të gjeja një palë tirqe për “Tuç Makun”. Ndërsa për Roza Anagnostin, që ishte në rolin e Files arrita të siguroja një xhubletë që vishej për rastet e gëzimeve. Me regjisorin Viktor Gjika, kur xhiruam “Horizonte të Hapura” hipëm të dy në majë të bigës. Nga aty ishte një pamje mahnitëse. Aty u vendos kamera dhe bënë dhe disa plane. Në këtë film bëmë një zgjidhje shumë origjinale. Kur u fol për kostumet, unë thashë: “Ja ku i kemi kostumet, ua marrim punonjësve të bigës”. Dhe ashtu u bë. Aktorët u veshën me kostumet e njollosura me vaj të punëtorëve dhe nuk kishte nevojë të qepeshin të reja, të cilat gjithsesi nuk do të ishin aq origjinale.

Mund të sillni episode nga puna në filma të ndryshëm?
Po u tregoj për filmin “Kapedani” që u xhirua në Piqeras. Qëndruam gjithë periudhën e verës atje. Por, meqenëse ishte kohë e gjatë, rreth tre muaj, morëm dhe gratë me vete, të cilat jo vetëm bënin plazh pa kursim, por u dhamë dhe ndonjë rol si figurante. Atje në buzë të detit ne ndërtuam dhe një shtëpi butaforike ku flinte grupi i xhirimit, por që shërbente dhe si skenografi. Mirëpo ishte aq afër me detin sa që kur erdhi një dallgë e madhe u fut uji brenda, madje na prishi dhe bukëpeshkun me të cilin ishte veshur shtëpia portative e që dukej origjinal si ato të ndërtuara me gurë.


Shyqyri Sako me Ibraim Muça, Ilia Terpini dhe Kristaq Mitro
***
Pengu im “Lulëkuqe mbi mure”
Edhe kur realizon 40 filma, apo thënë ndryshe 1/5 e prodhimit artistik të Kinostudios, diçka mbetet peng. Kjo ka ndodhur edhe me Shyqyri Sakon. “Unë kur merrja një skenar fluturoja. Punoja gjithë qejf. Me këtë punë që kam bërë e kam parë Shqipërinë cep e më cep. Mijëra skica bërë nw tw tërë Shqipëria flenë në studion time. Por ngaqë isha i kërkuar unë shkoja nga filmi në film dhe asnjëherë nuk pata mundësinë që të përzgjidhja një skenar sipas qejfit tim. Doja shumë të isha pjesëtar i filmit “Lulëkuqe mbi mure” të Dhimitër Anagnostit, pasi unë jam rritur në jetimore dhe e njihja mirë jetën që bëhej në atë kohë në institucione të tilla. Por qëlloi që isha me një film tjetër dhe nuk u përfshiva aty”.

***
Porosia e Mehmet Shehut: Kujdes me “Radiostacionin”
Për filma të veçantë, ndodhte që “dikush” nga udhëheqja e lartë të interesohej drejtpërdrejt për ecurinë e tij. E për “Radiostacionin”, ku Shyqyri Sako ishte piktor i filmit, interesohej vetë kryeministri Mehmet Shehu, si njeriu që udhëhoqi brigadat partizane për çlirimin e Tiranës. “Me këtë rast kishte dërguar dhe djalin e tij Bashkimin, i cili gjithashtu ishte skenarist filmi, që të qëndronte sa më pranë grupit të xhirimit. Dhe Bashkimi së bashku me Ismail Kadarenë vinin çdo ditë në shesh të xhirimit”, thotë Sako. Ai shton se tek “Radiostacioni” u ngrit një barrikadë njëlloj si ato të kohës së luftës, saqë banorët autoktonë të zonës, të cilët e kishin përjetuar luftën, u habitën. Mirëpo një pjesë e filmit u xhirua natën dhe banorët e zonës u shqetësuan. Atëherë i dërguan një letër Mehmet Shehut, ku i ankoheshin se artistët i kishin lënë pa gjumë. Shyqyri Sako thotë se më pas u mor vesh vesh se Mehmeti u kishte kthyer përgjigje letërshkruesve, duke thënë pak a shumë: “E ç’u bë se mbetët disa net pa gjumë, kur në ato barrikada kemi luftuar e kemi lënë shokët e vrarë”.

***
“Gjenerali” italo-francez me muzikën e Laver Bariut
Ndodh, që kur përgatitesh për të bërë më të mirën e mundshme ëndrra këputet në mes. Kështu ka ndodhur dhe me bashkëpunimin e pamundur franko-italo-shqiptar. Shyqyri Sako tregon: “Një mbresë të veçantë kam nga filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilin donin ta xhironin një ekip i përbashkët franko-italo-shqiptar e ku roli i Gjeneralit ishte caktuar të interpretohej nga Marccelo Mastrojani. Ishte viti 1982. Gjashtë herë ka ardhur ekipi me Mishel Pikolin, aktori i madh francez dhe operatorin e filmit Luçiano Tovolin. Unë isha përzgjedhur si piktor i filmit dhe i shoqëroja kudo. Pamë shumë vende nga Shqipëria. Ata mahniteshin nga pamja. “Këtu do të xhirojmë”, thoshte Pikoli. Mirëpo qëllonte që të gjitha vendet që ai pëlqente ishin zona ushtarake. Sapo ia shpjegonim një gjë të tillë ai shante në frëngjisht “merde”. Na qëlloi të shkonim dhe në Përmet. Shkuam në Hotel Turizmin dhe aty i njoha me Laver Bariun. Kur dëgjoi interpretimin e tij, Mishel Pikoli tha: “Kjo muzikë do të jetë në film”. Ai i kërkoi Laverit t’i binte si të donte klarinetës. Ndërkohë që Laveri improvizonte ai ndezi një magnetofon dhe regjistroi gjithçka. Së fundi u mendua që xhirimet të fillonin dhe Pikoli e Tovoli shkuan të takonin drejtorin e kinostudios Vangjush Zallëmin për modalitetet e fundit. Por, dolën nga zyra e tij me një “Jo”. “Filmi nuk do të bëhet”, më tha Pikoli i nervozuar-“Nuk duan ata lart. Por do ta shohin, kjo punë nuk mbaron këtu. Ne do t’i diskreditojmë”. Ata u nisën menjëherë andej nga kishin ardhur dhe të nesërmen gazeta franceze “Le Mond” botoi një artikull me titullin: “Ku është fjala e shqiptarit?!” Mendoj se humbëm një shans të madh për të bërë një film botëror. Për atë film u angazhua ajka e kinemasë evropiane. Por, ai duhej xhiruar në terrenin shqiptar që të merrte jetë. Më pas si film u xhirua në Jug të Italisë, dhe kishte fare pak elementë shqiptarë veç ndonjë skene që kisha sugjeruar unë, pasi të gjitha punime e mia ata i morën me vete pwrfshirw dhe klarinetën e Laver Bariut që ndihej në sfond”.

 ***
“Mësonjëtorja”
“Filmi më i vështirë ka qenë “Mësonjëtorja”. Duhet të shkonim 100 vjet pas. Duheshin përshtatur kostumet dhe arkitektura. Duhej bërë një klasë mësimi që të jepte idenë e atyre viteve. Shfletova shumë materiale të asaj kohe dhe shkova shtëpi më shtëpi për të gjetur elementët që do t’i duheshin filmit”.

***
“Tomka dhe shokët e tij”
“Filmat për fëmijë padyshim kanë qenë të vështirë për t’u realizuar, por ai që më ka mbetur më shuam në kujtesë është “Tomka dhe shokët e tij”. Mbaj mend që pasi u njoha me skenarin i thashë regjisores Xhanfize Keko: “Padyshim, ky film mund të xhirohet vetëm në Berat”.

***
“Shpella e Piratëve”
“Një mbresë të veçantë kam për filmin “Shpella e Piratëve”. Në atelienë e madhe të Kinostudios realizova një shpellë gjigante aq sa aktorët e vegjël që luanin në të dukeshin si liliputë. Është skenografia më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Kinostudio. Nuk mungonin as stalaktitet dhe as uji që pikonte prej tyre”.

***
“Rrugë të bardha”
“Tek “Rrugë të bardha”, i them regjisorit të filmit Viktor Gjika: “Tropojën do ta ngre në Tiranë”. Kështu në atelietë e Kinostudios ngrita një “Tropojë të dytë”, aq sa Viktori mbeti i mrekulluar. Skenat e papafingios ku jetonin beqarët dhe apo të postës, janë xhiruar në atelie”.


BIO/ Jetëshkrimi
Shyqyri Sako u lind më 5 mars 1937 në Selenicën e Pishës, Kolonjë. Mësimet e para i mori nga Vangjush Mio e Guri Madhi në shtëpinë e Pionierit, Korçë. Në Lice vazhdoi me Kacelin e Buzën. Këtij të fundit ia dedikon punën në akuarel. Studioi 3 vjet në Moskë në Institutin e Artit Kinematografik VGIK, 1958-1961, studime të cilat i mbaroi në ILA në Tiranë.
Filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e re” në vitin 1962 ku punoi piktor filmi e kostumesh deri në vitin 1997. Disa nga filmat ku ka punuar janë: “Toka jonë” 1964, “Vitet e para” 1965, “Komisari i dritës” 1966, “Duel i heshtur” 1967, “Horizonte të hapura” 1968, “Njësiti gueril” 1969, “Kapedani” 1972, “Operacioni Zjarri” 1973, “Rrugë të bardha” 1974, “Rrugicat që kërkonin diell” 1975, “Dimri i fundit” 1976, “Mësonjëtorja” 1978, “Radiostacioni” 1979, “Shpella e piratëve” 1990, “Përdhunuesit” 1994 etj.
Shyqyri Sako është dekoruar me dy urdhra “Naim Frashëri”. Ka marrë kupa dhe medaljone në Festivalet e Filmit dhe në vitin 1987 është titulluar “Artisi i merituar”.
Shyqyri Sako

--------------------------------------------------------------

PORTRET/ 
Shyqyri Sako: Pengu im në Kinostudio, ndërprerja e bashkëpunimit me Mishel Pikolin e Marçelo Mastrojanin te “Gjenerali...” i Kadaresë

nga Leonard Veizi

Industria e propagandës me pelikulë qe futur në prodhim me kapacitet të plotë. Arkitektura e jashtme dhe studiot nga brenda ishin bërë gati sipas modelit sovjetik, operatorët kishin studiuar në Rusi dhe piktori i filmit, i pari dhe i vetmi për çudi, gjithashtu erdhi nga Moska. Por ky ishte vetëm fillimi. Më pas gjithçka do të binte erë shqiptare. Realizëm socialist e nëpër të, një modernitet i dukshëm, qoftë i fshehur njëkohësisht, por gjithsesi i lexuar...
Ai është piktor, me të paktën 22 ekspozita personale. Për më shumë se kaq, dhe për ata që nuk kanë prirje ndaj artit vizual, ai është po aq i afërt, veç në një kënd tjetër njohjeje. Emri i tij ndeshet rëndom e pa kurrfarë aureole magjike, në titrat hyrëse të filmave shqiptarë: piktor Shyqyri Sako. Më ka pëlqyer gjithmonë të bëj një intervistë më të, a t’i “gdhend” një portret sipas stilit tim. Shyqyriu nuk është tip që merr emocione negative nga gazetarët, por për të qenë më i sigurt i futa mik të birin, Ergysin, me të cilin kohë më parë kemi punuar në televizion. Edhe pse ia njoh biografinë, që në fillim të bisedës tonë Shyqyriu kërkon të prezantohet. Dhe ka të drejtë. Heq ngërçin e dyanshëm dhe përgatitet të flasë mbi atë që do ta pyes. Më thotë se u lind më 5 mars 1937 në Selenicën e Pishës, Kolonjë. Mësimet e para i mori nga Vangjush Mio e Guri Madhi në shtëpinë e Pionierit, Korçë. Në Lice vazhdoi me Kacelin e Buzën. Këtij të fundit ia dedikon punën në akuarel. Studioi 3 vjet në Moskë në Institutin e Artit Kinematografik “VGIK”, në degën: “Piktor filmi”... Këtu e ndërpres pak. Nxjerr një bllok të mbaj shënime. Ja zëre se filluam, - i them, - të mos na shkojnë fjalët në erë. Shyqyriu qesh. Ai është burrë i shtruar. Jemi ulur të pimë një kafe në lokalin e tij të preferuar në anë të rrugës ‘Myslym Shyri’, aty ku dyqanet e modës kanë mbaruar dhe nuk ka manekinë në vitrina. Si është kjo puna e studimeve në Bashkimin Sovjetik, - e pyes. - A kishte shumë shqiptarë në ato vite? Shyqyriut i  duhet të kthehet më shumë se 50 vite prapa në kohë. Por nuk vonon: “Atë vit që shkova unë, më 1958, isha bashkë me Viktor Gjikën e Dhimitër Anagnostin që vazhdonin për operatorë. Studimet ishin 5-vjeçare, por unë arrita të bëj vetëm tre vjet sepse pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve në vitin 1961 të gjithë studentët shqiptarë u kthyen nga ish-BS. Pedagog kisha një piktor me emër në filmin sovjetik siç ishte Josif Shpinel, gjeorgjian me origjinë hebreje. Regjisori i madh Sergei Eisenshtein, e kishte piktor të filmave të tij dhe ai punonte vetëm me Shpinelin. Unë isha në kurs me 20 të huaj të tjerë kur u futën në orën e tij të leksionit. Rusishten e njihja që prej Liceut, kështu që komunikimi nuk përbënte problem. Ai kërkoi të dinte se nga ishim dhe kur unë i thashë: ‘Nga Shqipëria’, erdhi e më përqafoi”. Më bën habi fakti ndaj e pyes: Përse gjithë kjo dashuri për një student? Shyqyriu buzëqesh: “Shpineli kishte qenë në Shqipëri, pasi kishte punuar si piktor për filmin ‘Skënderbeu’, - më shpjegon. - Kishte nostalgji për ditët që kishte kaluar këtu. U shpreh se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm ku i gjeje të gjitha, diellin, detin dhe malin. “Kemi bërë gabim të rëndë me Shqipërinë, - më tha, - u kemi mbajtur shqiptarëve dhjetëra kostume popullore me vlera të jashtëzakonshme”. E ndërpres sërish. Ma shpjego këtë punë, - i them, - demek rusët na paskan vjedhur...? Shyqyri Sako më sqaron qetësisht se kur u realizua filmi “Skënderbeu” u blenë shumë kostume popullore në të gjithë zonën e veriut. Këto ishin kostumet me të cilët u veshën figurantët, e shkuan në studion e Moskës ku u realizua pjesa më e madhe e filmit. Ishin pikërisht këto kostume që rusët i mbajtën me pretekstin se “do të realizonin një film tjetër”. Dhe mbetën atje. “Ato ishin vërtet një pasuri e madhe pasi nuk gjendeshin lehtë, - thotë Shyqyri Sako me një trishtim që i ndihet edhe sot, pas kaq shumë vitesh. - Për të bërë një xhubletë me të gjithë mozaikun e saj, e me punime shumë të imta, duhej një vit punë”. Po me Shpinelin si vajtën punët, e pyes. “Shpineli ishte një fat i madh për mua, sepse që në takimin e parë më tha: ‘Për respektin e madh që kam për Shqipërinë, unë ty do të të mësoj të gjitha të fshehtat e zanatit. Atë gjë që s’e kam zbuluar unë, mundohu ta zbulosh ti në Shqipëri. Unë pak koha pata, ti hyr më thellë’. Kjo gjë më motivoi shumë”. Shyqyri Sako më thotë se gjithsesi, ëndrra për të përfunduar studimet 5-vjeçare në Moskë u ndërprenë përgjysmë, ashtu si dhe politika e kohës kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Pyetjes se kur do të fillonit punë në Kinostudio, ai i përgjigjet: “Fill pas diplomimit në Tiranë, do të kaloja në Kinostudio në vitin 1962. E fillova me filmin “Detyrë e posaçme” dhe vazhdova deri në vitin 1997 kur dola në pension, pas punës me filmin “Plumbi prej plasteline”. Kam qenë piktor në 40 filma artistikë. Disa nga filmat ku kam punuar janë: “Toka jonë” 1964, “Vitet e para” 1965, “Komisari i dritës” 1966, “Duel i heshtur” 1967, “Horizonte të hapura” 1968, “Njësiti gueril” 1969, “Kapedani” 1972, “Operacioni Zjarri” 1973, “Rrugë të bardha” 1974, “Rrugicat që kërkonin diell” 1975, “Dimri i fundit” 1976, “Mësonjëtorja” 1978, “Radiostacioni” 1979, “Shpella e piratëve” 1990, “Përdhunuesit” 1994, etj.
Filma pa fund. 40 filma në 50 vite karrierë nuk janë pak. Që të jem i saktë, janë shumë. “Tani pas 50 viteve, në fushën time, mund ta quaj veten pa frikë “pionieri dhe babai i filmit shqiptar”, më thotë Shyqyri Sako me një krenari të ligjshme. Ai më shpjegon se filmi në vetvete kishte tre komponentë të lidhur ngushtë, regjisori, operatori dhe piktori, por që pas u futën dhe elementë të tjerë e u bënë 7-të gjithsej. Po piktori përse merr kaq shumë vlerë, - e pyes. Mbret i sheshxhirimit është regjisori? Shyqyriu qesh. Epo duhet ca kohë sa të njihesh me të fshehtat e zanatit. “Piktori është udhëzuesi për veshjet, ambientet e arkitekturën. Është ai pararendësi i filmit dhe që në njëfarë mënyre e mbush, apo e karikon regjisorin duke i vënë përpara skenat se ku duhet të realizohet filmi. Madje kostumet dhe rekuizita janë “pronë” e piktorit, më sqaron Shyqyri Sako rëndësinë e punës së tij.
E pyes se si veprohej me kostumografinë kur flitej për raste të veçanta? Se për ato që gardëroba e Kinostudios kishte me stoqe, e kisha të marrë përgjigjen. “Më kujtohet se në filmat ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Toka jonë’ kam pasur vështirësi me gjetjen e veshjeve. Kinostudio i blinte kostumet. Unë shkoja kudo dhe pyesja nëse kishin veshje popullore të zonës. Më përgjigjeshin: ‘Kemi por nuk i shesim’. Xhubletat e zeza, për zakon, i vishnin për raste vdekjesh. Madje një nuse mirditore më tha: ‘Për sa kam vjehrrin gjallë nuk mund ta shes një xhubletë të tillë’. Mezi arrita të gjeja një palë tirqe për ‘Tuç Makun’. Ndërsa për Roza Anagnostin, që ishte në rolin e Files arrita të siguroja një xhubletë që vishej për rastet e gëzimeve. Me regjisorin Viktor Gjika, kur xhiruam ‘Horizonte të Hapura’ hipëm të dy në majë të bigës. Nga aty ishte një pamje mahnitëse. Aty u vendos kamera dhe u bënë dhe disa plane. Në këtë film bëmë një zgjidhje shumë origjinale. Kur u fol për kostumet, unë thashë: ‘Ja ku i kemi kostumet, ua marrim punonjësve të bigës’. Dhe ashtu u bë. Aktorët u veshën me kostumet e njollosura me vaj të punëtorëve dhe nuk kishte nevojë të qepeshin të reja, të cilat gjithsesi nuk do të ishin aq origjinale”.
E ngacmoj sërish, këtë herë që të më tregojë ndonjë episod nga puna në filma të ndryshëm. Ai nuk ma prish. “Po u tregoj për filmin ‘Kapedani’ që u xhirua në Piqeras. Qëndruam gjithë periudhën e verës atje. Por meqenëse ishte kohë e gjatë, rreth tre muaj, morëm dhe gratë me vete, të cilat jo vetëm bënin plazh pa kursim, por u dhamë dhe ndonjë rol si figurante. Atje në buzë të detit ndërtuam dhe një shtëpi butaforike ku flinte grupi i xhirimit, por që shërbente dhe si skenografi. Mirëpo ishte aq afër me detin saqë kur erdhi një dallgë e madhe u fut uji brenda, madje na prishi dhe bukëpeshkun me të cilin ishte veshur shtëpia portative e që dukej origjinal si ato të ndërtuara me gurë”.
Edhe kur realizon 40 filma, apo thënë ndryshe 1/5 e prodhimit artistik të Kinostudios, diçka mbetet peng. Kjo ka ndodhur edhe me Shyqyri Sakon. “Unë kur merrja një skenar fluturoja. Punoja gjithë qejf. Me këtë punë që kam bërë, e kam parë Shqipërinë cep e më cep. Mijëra skica bërë nga tërë Shqipëria flenë në studion time. Por ngaqë isha i kërkuar, unë shkoja nga filmi në film dhe asnjëherë nuk pata mundësinë që të përzgjidhja një skenar sipas qejfit tim. Doja shumë të isha pjesëtar i filmit “Lulëkuqe mbi mure” të Dhimitër Anagnostit, pasi unë jam rritur në jetimore dhe e njihja mirë jetën që bëhej në atë kohë në institucione të tilla. Por qëlloi që isha me një film tjetër dhe nuk u përfshiva aty”.
Por ndodhte që për filma të veçantë, “dikush” nga udhëheqja e lartë të interesohej drejtpërdrejt për ecurinë e tij. E për “Radiostacionin”, ku Shyqyri Sako ishte piktor i filmit, interesohej vetë kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu, si njeriu që udhëhoqi brigadat partizane për çlirimin e Tiranës. “Me këtë rast kishte dërguar dhe djalin e tij Bashkimin, i cili gjithashtu ishte skenarit filmi, që të qëndronte sa më pranë grupit të xhirimit. Dhe Bashkimi së bashku me Ismail Kadarenë vinin çdo ditë në shesh të xhirimit”, thotë Sako. Ai shton se tek “Radiostacioni” u ngrit një barrikadë njëlloj si ato të kohës së luftës, saqë banorët autoktonë të zonës, të cilët e kishin përjetuar luftën, u habitën. Mirëpo një pjesë e filmit u xhirua natën dhe banorët e zonës u shqetësuan. Atëherë i dërguan një letër Mehmet Shehut ku i ankoheshin se artistët i kishin lënë pa gjumë. Shyqyri Sako thotë se më pas u mor vesh se Mehmeti u kishte kthyer përgjigje letërshkruesve, duke thënë pak a shumë: ‘E ç’u bë se mbetët disa net pa gjumë, kur në ato barrikada kemi luftuar e kemi lënë shokët e vrarë’, kujton nga ajo kohë Shyqyri Sako.
Në mend më vjen bashkëpunimi i pamundur franko-italo-shqiptar. Sepse ndodh rëndom që kur përgatitesh për të bërë më të mirën e mundshme ëndrra këputet në mes. Mishel Pikoli mbërriti në Shqipëri për të realizuar një nga rolet e tij, por u kthye sërish duarbosh. Shyqyri Sako, si pjesëtar në grupin e përbashkët të xhirimit  më tregon: “Një mbresë të veçantë kam nga filmi ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, të cilin donin ta xhironin një ekip i përbashkët franko-italo-shqiptar e ku roli i Gjeneralit ishte caktuar të interpretohej nga Marçelo Mastrojani. Ishte viti 1982. Gjashtë herë ka ardhur ekipi me Mishel Pikolin, aktorin e madh francez dhe operatorin e filmit Luçiano Tovolin. Unë isha përzgjedhur si piktori i filmit dhe i shoqëroja kudo. Pamë shumë vende nga Shqipëria. Ata mahniteshin nga pamja. ‘Këtu do të xhirojmë’, - thoshte Pikoli. Mirëpo qëllonte që të gjitha vendet që ai pëlqente ishin zona ushtarake. Sapo ia shpjegonim një gjë të tillë, ai shante në frëngjisht ‘merde’. Na qëlloi të shkonim dhe në Përmet. Shkuam në turizëm dhe aty i njoha me Laver Bariun. Kur dëgjoi interpretimin e tij, Mishel Pikoli tha: ‘Kjo muzikë do të jetë në film’. Ai i kërkoi Laverit t’i binte si të donte klarinetës. Ndërkohë që Laveri improvizonte, ai ndezi një magnetofon dhe regjistroi gjithçka. Së fundi u mendua që xhirimet të fillonin dhe Pikoli e Tovoli shkuan të takonin drejtorin e kinostudios Vangjush Zallëmin për modalitetet e fundit. Por dolën nga zyra e tij me një ‘Jo’. ‘Filmi nuk do të bëhet - më tha Pikoli i nervozuar. - Nuk duan ata lart. Por do ta shohin, kjo punë nuk mbaron këtu. Ne do t’i diskreditojmë’. E kuptoj dhe vetë që ky ishte një shans i humbur për kinemanë shqiptare. Një eksperiencë e pashembullt”. E çfarë bënë “ata”, e pyes Shyqyriun, i cili ka heshtur një çast. Dhe ai më tregon: “Ata u nisën menjëherë andej nga kishin ardhur dhe të nesërmen gazeta franceze ‘Le Mond’ botoi një artikull me titullin: ‘Ku është fjala e shqiptarit?!’ Mendoj se humbëm një shans të madh për të bërë një film botëror. Për atë film u angazhua ajka e kinemasë evropiane. Por ai duhej xhiruar në terrenin shqiptar që të merrte jetë. Më pas si film u xhirua në Jug të Italisë, dhe kishte fare pak elementë shqiptarë veç ndonjë skene që kisha sugjeruar unë, pasi të gjitha punimet e mia ata i morën me vete dhe klarinetën e Laver Bariut që ndihej në sfond”.
Më vjen keq që më duhet ta mbyll me një pasazh të tillë. Mbase po të ishte realizuar në Shqipëri, ai film do të ishte si një ndër gurët e diamantit në gjerdanin me mbi 200 filma të prodhimit shqiptar. Por ja që nuk ishte e thënë.
E mbyll bllokun dhe e fus në xhepin brendshëm të xhupit. Ngrihemi. “Kafen e piva, - më thotë Shyqyriu, - tani drejt e në studio të punoj”.
Ai është vital dhe me plot ide të reja. Filma prodhohen shumë pak, por si piktor pasionant ai nuk varet nga askush.
Në mars të këtij viti Shyqyri Sako mbush plot 78 vjeç. Ai është dekoruar me dy urdhra “Naim Frashëri”. Ka marrë kupa dhe medaljone në Festivalet e Filmit dhe në vitin 1987 është titulluar “Artisi i merituar”. Por thotë se kjo punë ka ndalur këtu, ndërkohë që piktorë të tjerë, që kanë marrë mësime prej tij, e kanë bërë jo 40 por nga 10 a 12 filma, jo vetëm janë nderuar me tituj më shumë, por kanë përfituar dhe pensionin e veçantë. E në këtë situatë absurde e groteske, Shyqyri Sako ndihet keq, padyshim. “Nëse do të merrja dhe unë pensionin e posaçëm, si shumë të tjerë, shtesën e parave do ta kisha vetëm për kafe me shokë e miq të mi”, thotë ai. E natyrisht, ç’duhet më shumë se kaq.
Ndahemi. I japim dorën njëri-tjetrit me premtimin se shumë shpejt duhet të pimë një kafe tjetër, thjesht si miq tanimë, pa letra e laps në duar.


Friday, June 28, 2019

Saimir Kumbaro: Si u censurua në film Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu


Saimir Kumbaro dhe Leonard Veizi
Nga Leonard Veizi

Njëri prej tyre, ndër 12 filmat me metrazh të gjatë që ai ka prodhuar si regjisor, është padyshim emblemë e kinemasë Shqiptare. “Koncert në vitin 1936” dhe sot, 35 vjet pasi është shfaqur për herë të parë, ka shumë mesazhe për të thënë. Ndërsa ai, ka ditur që nëpërmjet një kohë të “harruar” të fshikullojë problemet që shfaqen gjithmonë në administratën apo politikën shqiptare sado që ndryshojnë kohët. Duke kujtuar punën e tij në vitet e një censure të egër, ku më së shumti nuk duhet të bëjë atë që kishe ndër mend, Saimir Kumbaro, regjisori i njohur, si i filmit artistik po aq edhe i atij dokumentar, thotë:

Të punoje në Kinostudio, ishte privilegj. Mund të krijoje edhe për vete, apo ishe një artist i monitoruar në gjithçka?
Sigurisht që ishte privilegj, madje privilegj i madh. Megjithatë ç’do gjë ishte nën kontroll. Unë kam filluar punë më 3 janar 1970. Fillimisht si asistent regjisor, por më është dhënë mundësia të realizoja disa kronika dhe dokumentarë mbi çështjet sociale dhe kulturore. Në atë  kohë dominonte shkolla ruse për shkak se dokumentaristët kishin studiuar atje.

Cila ishte teknika e realizimit të filmave?
Ne xhironim me teknologji të prapambetur. Kamerat ishin “Ariflex” dhe bënin zhurmë. Çdo gjë dublohej. Për të marrë një intervistë me zë të pastër duhej të mbuloje kamerën me batanije. Për më tepër çdo gjë censurohej. Më kujtohet kur realizova një dokumentar në Kavajë, ku në qendër ishte një grup fëmijësh 5-6 vjeçarë që shërbenin si guidë në fabrikën e qelqit apo të baltës. Dokumentari u pa   nga Mehmet Shehu, i cili i tërhoqi vëmendjen drejtorit të asaj kohe: “Përse i keni lyer buzët e fëmijëve me të kuq?” Shkak i buzëkuqit qe cilësia e pelikulës (orwo), një prodhim gjermano-lindor që merrej me klering. Po të mos ishte cilësia e filmit do më kishin dënuar.

Ishit të mbikëqyrur?
Jo vetëm unë, por shumë krijues të kinostudios survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Unë kam qenë i shkathët, pak llafazan, por si i thonë fjalës “qesh e ngjesh”.

Tematika e filmave tuaj ka të bëjë me 4 periudha të historisë shqiptare; pasqyrimi i Mbretërisë, i Luftës së Dytë, i Realizmit Socialist dhe i viteve të Demokracisë. Në cilët nga këto pasqyrime artistike keni ndjerë se keni dhënë maksimumin tuaj?
Për katër vjet punova si asistent, derisa fati deshi që bashkë me Rikard Ljarjen të na besohej filmi i parë i metrazhit të gjatë, “Rrugicat që kërkonin diell”. Filmi u pëlqye dhe ne na nderuan fillimisht me kupën e festivalit. Por doli që kompozitori kish kopjuar disa nota nga filmi francez “Çështja Sabiel”. Vendimi i jurisë u anulua dhe ne na dhanë çmimin: “Regjia më e mirë e festivalit”. Në këtë periudhë u ndaluan pothuaj të gjithë filmat e huaj. Kjo gjë na dha mundësinë të realizonim ç’do dy, tre vjet një film. Ky qe fat për ne të rinjtë, për arsye se nën direktivën e partisë, patëm mundësi të punonim në film. Asokohe u dha urdhër të realizoheshin deri 14 filma të metrazhit të gjatë. Kinostudio me administratën e saj, bënte punën e producentit dhe kështu, ne nuk e vrisnim mendjen se sa kushtonte filmi. Kemi punuar me pasion seriozitet dhe modesti. Ne punonim, ndërsa qeveria bënte sikur  na paguante… Sidoqoftë, pasioni triumfonte mbi lakminë për fitim. Direktiva e partisë ku ne na cilësonin ndihmës të saj u përqendrua tek filmat historikë të Luftës Nacional Çlirimtare. Duhej të vinte viti 1978, që të realizoja filmin “Koncert në vitin ‘36” me skenar të Kiço Blushit. Si pjesë e propagandës duhej që mbretëria të diskreditohej. Vendosja e ngjarjeve në kohën e mbretit më shërbeu të them disa gjëra që ndesheshin edhe në kohën e socializmit. Në fakt, vendosja në atë periudhë, bëri që filmi t’i shpëtoj censurës së egër të Komitetit Qëndror dhe filmi u shfaq me sukses.
Pseudo intelektualët e tipit Fotaqi (Robert Ndrenika në rolin e tij) ndesheshin kudo, në Ministrinë e Kulturës e gjetkë. Është ky shkaku që mesazhi universal i filmit vjen i freskët, ende edhe sot. Po kështu edhe komedia “Historiani dhe Kameleonet” godiste dukuritë hipokrite të kohës që jetonim. Në atë kohë kur tolloni mbizotëronte një delegacion shkoi në Meksikë për të marrë çmimin e parë të ushqimit. Mënyra më e mirë për t’i shpëtuar censurës qe zhvendosja në kohë.
Fatkeqësisht filmi nuk i shpëtoi censurës. Ai ju nënshtrua operacioneve që kur e shoh sot me vjen keq. Të njëjtin fat pësoi edhe filmi “Nxënësit e klasës time” me skenar të Kiço Blushit. Disa servilë të partishëm më hapën probleme duke thënë: “I ke vënë personazhit që përfaqëson pushtetin kasketën që përdor shoku Enver”. “I ke vënë personazhit pas kurrizit bustin e shokut Enver”. Në fakt qëllimisht ia kisha vënë. Edhe ky film iu nënshtrua operacioneve.

Patët probleme?
Edhe mund të kisha. Megjithatë dikush më mbronte. Në atë kohë shef i redaksisë ka qenë Neshat Tozaj me të cilin  pata realizuar filmin “Gëzhoja e Vjetër” dhe “Gracka”.

Dy filmat që sapo përmendët, a ishin të vështirë për t’u trajtuar dhe sa ndërhynin drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme në filmat me tematikë nga puna e Sigurimit të Shtetit?
 Në fakt i pari “Gëzhoja e Vjetër” ishte me subjekt policor, ndërsa i dyti “Gracka”, aksion me subjekt nga Sigurimi i Shtetit. Neshati e ndërroi nja tre herë skenarin për shkak të arrestimeve që ndodhën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Duhet thënë se Shehu dhe Hazbiu kanë qenë figura historike në radiolojën “Liqeni i Vajkalit” nga ku Tozaj mori shkas për skenarin. Kështu që edhe “Gracka” që në skenar pësoi cënime dramaturgjike për shkak të censurës. Pas këtyre filmave realizova, të tjerë me subjekte aktuale si “Gjurmë në Kaltërsi”, “Rrethimi i Vogël”.

Çfarë ndryshoi tek “Vdekja e kalit” krahasimisht me filmat e tjerë?
Në vitin 1991 fillova të realizoj filmin “Vdekja e kalit” me skenar të Nexhati Tafës. Filmi u xhirua kryesisht gjatë agonisë së PPSH-së dhe distribucioni i tij u bë i mundur pas ndërrimit të sistemit. Asnjë censurë, asnjë ndërhyrje, vërejtje apo rixhirim.
Finalen e kam shkruar vetë. Ngjarjet e asaj kohe më detyruan të shtoj finalen e filmit, ku dy armiqtë takohen. Skenografi i filmit, Arben Basha, shok i fëmijërisë time, vuri re një detaj. Në parlamentin e atyre viteve kishte shumë anëtarë partie. M’u afrua dhe më sugjeroi të shtoja në skenar një skenë ku ky fenomen goditej. Me drejtorin e fotografisë, Bardhyl Martiniani u ulëm dhe realizuam atë finale që flet shumë. 

***
Industria e filmit
Duke folur për institucionin e filmit të pas viteve ‘90 Saimir Kumbario thotë: “Kinostudio nuk mund të vazhdonte të mbahej nga shteti: ishim rreth 700 punonjës dhe teknologjia ndryshoi, kështu që mbajtja e saj nga shteti përbënte një luks. Një gjë mund të bëhej: sikur të aprovohej një ligj, i cili t’i detyronte televizionet të transmetonin deri 60% vepra shqiptare dhe të ndalohej pirateria e filmave të huaj, si pasojë gjërat do qenë ndryshe… do shpëtonim shumë krijime me vlerë, do shpëtohej piroteknika dhe armatimi, që përdoreshin për filmat e luftës, rekuizita dhe kostumeria. Hapësirat e tjera të Kinostudios tanimë janë kthyer në shërbim të televizioneve. …“Na ishte njëherë Kinostudio”, madje kanë bërë edhe reportazhe me këtë titull… Ne e paskemi të vështirë të ruajmë traditën, trashëgiminë kulturore, të Mirën!”

***
Historitë e vjetra, në dritën e dokumentarëve
 Ai është një regjisor, i cili i ka gjetur vetes gjithmonë punë, vitet e fundit, me seriale dokumentarësh. Duke iu referuar viteve të punës në tranzicion regjisori Saimir Kumbaro thotë: 
“Gjatë tranzicionit të stërgjatë jam marrë kryesisht me dokumentarë dhe reportazhe. Mes të tjerash ka qenë një projekt i “IREX” me subjekte të ndryshme nga jeta urbane në Shqipëri. Qe një projekt ku evidentoheshin vlerat e njerëzve tanë. Më në fund duhej të vinte viti 2007 që unë të realizoja filmin “Ne dhe Lenini”. Komedi dramatike, ku nëpërmjet satirës kritikohen persona që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme. Më pas kam realizuar dokumentarë të ndryshëm, ku më të spikaturit janë: “Shërbestari i Kombit” për figurën e Mit’hat Frashërit dhe “Martirët”, dokumentarë historikë. Mendoj se dokumentarët historikë janë të domosdoshëm. Ajo që më shqetëson aktualisht është pirateria që bëjnë televizionet. Ky fenomen  negativ ka bërë që krijuesit të dalin jashtë loje. Shpresoj që më në fund shikuesit shqiptar t’i kthehet jeta e përditshme, problemet me të cilat përballen dhe historia që kalon e ka kaluar. Uroj që qeveria të mendojë edhe për filmin televiziv serial, teatrin në ekran, edukimin e fëmijëve me vlerat pozitive që i kemi, por nuk kemi mundësi financiare t’i demonstrojmë nëpërmjet artit. Edhe një gjë që nuk mund të rri pa e thënë, është mbivlerësimi që kryeministri ynë i bën artistëve që banojnë jashtë vendit. Mirë bën që i falënderon dhe nxit, por para tyre duhet të vlerësojë ata që jetojnë në territorin e Shqipërisë. Ata që për njëzet vjet po hanë pluhur e baltë, që kanë parë dhe dëgjuar krismat e 97-s. Sipas vlerësimit që bën kryeministri ynë i bie që edhe unë të kërkoj të importojmë një kryeministër francez, grek apo gjerman. Me një fjalë një princ Vid bashkëkohor”. 

***
Përplasja me Foto Çamin e Xhelil Gjonin
Në vitin 1990, Saimir Kumbaro ashtu si dhe disa krijues të tjerë të Kinostudios u bënë protagonistët e “kryqëzimit” të të dërguarit të Byrosë Politike, më pas të Foto Çamit. Përplasjet vazhduan në një mbledhje, ku u bënë shumë pyetje të cilat nuk morën përgjigje. Ja çfarë kujton ai nga ajo mbledhje: 
“Para ndërrimit të sistemit, kur unë përgatita në letër filmin “Vdekja e Kalit” ndodhën shumë ngjarje. Të paktën pesë mijë vetë hynë nëpër ambasada. Kjo ngjarje ndodhi pas veprimit të familjes Popa, që guxoi të kërkonte strehim politik në ambasadën italiane. Ilir Demalia, në atë kohë tregonte lart e poshtë një barcoletë që na frikësonte: “Gjashtë vetë hanë e pinë, gjashtëqind të tjerë thajnë e ngrijnë”. E kish fjalën për sigurimsat që kishin rrethuar ambasadën. Pastaj erdhi radha e demonstratës tek sheshi “Skënderbej”. U bë zhurmë se Iliri, Reiz Çiço, Hektor Pustina, Besim Kurti, Ylli Beqiri e ndonjë tjetër që mund t’ia kem harruar emrin, akuzoheshin si pjesëmarrës në demonstratë. Sekretari i Komitetit të Partisë P.L. erdhi t’u bëjë gjyqin. Mbledhja degjeneroi. Kjo ndodhi në mars, në s’gaboj. Pastaj në korrik 1990 ndodhi ngjarja e ambasadave.
Punonjësit e kinostudios e kishin trembur deri diku frikën. Partia dërgoi Foto Çamin, por ai e pa veten keq se, njerëzit tashmë nuk kishin më frikë. Gjatë mbledhjes u ngritën dhe diskutuan shumë krijues dhe teknikë, ku kritikuan veprimet e komunistëve të udhëheqjes. Nejse, për këtë është shkruar dhe stërshkruar disa herë dhe nuk më pëlqen të kujtoj një kohë tmerri. Xhelil Gjoni na detyroi të firmosnim për të dalë në një miting famëkeq, ku në sheshin “Skënderbej” u shanë dhe u stërshanë ata që kishin guxuar të hynin nëpër ambasada. Pothuaj të gjithë ishim dakord me veprimet e guximtarëve.”

Realizmi socialist
“Gjatë periudhës ku shtetin e drejtonte Enver Hoxha, u ndaluan në përgjithësi filmat e huaj. Qeveria komuniste dha urdhër të shtohej prodhimi vendas. Nga rreth 240 filma të metrazhit të gjatë, për mendimin tim, shumë pak kanë vlera. Sipas meje, e keqja qëndron në faktin, sepse ende sot televizionet mbahen me krijimtarinë kinematografike  të para një shekulli. Në filmat tanë himnizohet komunizmi, sekretari i partisë, heroi i punës socialiste etj. Nuk jam kundër shfaqjes së tyre, por para shfaqjes së filmit duhet bërë një bisedë me autorët, të cilët t’i bëjnë të ditur rinisë së sotme kontekstin, në ç’rrethana janë xhiruar ato filma”, thotë regjisori, Saimir Kumbaro.


Publikuar në gazetën SHEKULLI më 17.12.2013

Nazmie Pepa, Kujtim Çashku, Luan Rama, Viktor Gjika,  Rikard Ljarja, Dhimiter Anagnosti, Spartak Pecani, Kristaq Dhamo, Bujar Kapexhiu, Pirro Milkani, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro.


------------------------------------------
PORTRET/ 
Regjisori Saimir Kumbaro: Gati për filmin e ri, një komedi nga eksodi 1991

Nga Leonard Veizi

Duhet vetëm një shkëndijë të improvizosh intervistën, për më tepër me një njeri dinamik e të pakursyer si Saimir Kumbaro. Dikur më takonte të flisja shpesh me të, në ndonjë studio televizive, ku ai montonte dokumentarë, e unë sillesha vërdallë në kërkim të “mbretit lajm”. Sot më shpesh e takoj në kafe, por asnjëherë se kërkon të humbi kohë. Në kokën e tij vërtiten tema, imazhe filmike, profile personazhesh e aktorësh që do të luajnë ato. Shtator, i them, plazhi mbaroi, ke ndonjë projekt të ri në duar? S’mund të mendohet që ai është bosh. “Kam projekt për film të metrazhit të gjatë, - më thotë. - Komedi. Pasqyrohet një nga çastet e ngjarjes më të madhe të viti 1991, eksodi masiv”. Pse, bëhet komedi me eksodin, e pyes. “Padyshim, varet nga këndvështrimi, - më thotë, e pastaj më sqaron: - Ngjarja zhvillohet në një shtëpi në Romë e cila shndërrohet në bujtinë për dhjetëra bashkatdhetarë që kërkojnë një jetë më të mirë. Situatat shkaktojnë humor”. Kur do fillosh me xhirimet, e pyes unë paduruar. “Prit një herë, - ma kthen. - Duhen para. Shpresoj që këshilli i miratimit të projekteve ta përzgjedhë. QKK nuk ka shumë para dhe filmi si art luksoz kërkon shpenzime”. Në fakt e kisha harruar këtë element kaq të rëndësishëm, siç janë paratë. Na duhet filma shqip, këtë di unë. Me paratë merren të tjerët. Në Kinostudio s’kishte nevojë të kërkoje para, paguante shteti, i them me të qeshur. E më pas e pyes tinëz: Ke nostalgji për të? “Të punojë në Kinostudio ishte privilegj, madje i madh - më thotë ai. - Unë kam filluar punë më 3 janar 1970. Në atë kohë dominonte shkolla ruse, sepse kineastët e parë kishin studiuar atje. Për katër vjet punova si asistent derisa fati desh që bashkë me Rikard Ljarjen të na besohej filmi i parë i metrazhit të gjatë, “Rrugicat që kërkonin diell”. Filmi u pëlqye”.
Nuk e kisha shumë të qartë numrin e filmave që prodhoi Kinostudio, 100... ndoshta 200... ndaj sërish e pyes. “Rreth 240 filma të metrazhit të gjatë, - më sqaron Saimiri. - Por për mendimin tim, shumë pak prej tyre kanë vlera”. Unë ia kthej: Ndaj duhej shkrirë Kinostudio? Por ai e ka të qartë përgjigjen: “Jo, por ai institucion nuk mund të vazhdonte të mbahej nga shteti: ishim rreth 700 punonjës dhe teknologjia ndryshoi, kështu që mbajtja e Kinostudios nga shteti ishte një luks”. Unë vazhdoj me pyetjet e mia mbi teknologjinë e përdorur në institucionin e fortë të propagandës. Për këtë punë është gazetari, i them. “Ne xhironim me teknologji të prapambetur, - më sqaron ai. - Kamerat ishin ‘Ariflex’ dhe bënin zhurmë. Çdo gjë dublohej. Për të marrë një intervistë me zë të pastër duhej të mbuloje kamerën me batanije. Cilësia e pelikulës, ‘orwo’, një prodhim gjermano-lindor që merrej me klering ishte e dobët”. Po censura? “Gjithçka censurohej. Jo vetëm unë por shumë krijues të Kinostudios survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit”. Ia hodhe më duket, s’të hyri gjë në këmbë? Saimiri qesh. “Kam qenë djalë i shkathët, pak llafazan por si i thonë fjalës “qesh e ngjesh”.
Ai ka një jetë të begatë artistike. Ndër 12 filmat me metrazh të gjatë që ai ka prodhuar si regjisor, njëri është padyshim emblemë e kinemasë shqiptare. “Koncert në vitin 1936” dhe sot 36 vjet pasi është shfaqur për herë të parë ka shumë mesazhe për të thënë. Ndërsa ai, ka ditur që nëpërmjet një kohë të “harruar” të fshikullojë problemet që shfaqen gjithmonë në administratën apo politikën shqiptare. “Duhej të vinte viti 1978 që të realizoja filmin “Koncert në vitin ‘36” me skenar të Kiço Blushit. “Si pjesë e propagandës duhej që mbretëria të diskreditohej, - më thotë Saimiri. - Vendosja e ngjarjeve në kohën e mbretit më shërbeu të them ca gjëra që ndesheshin edhe në kohën e socializmit. Kjo bëri që filmi t’i shpëtojë censurës së egër të Komitetit Qendror dhe filmi u shfaq me sukses”.
Në fakt dhe komedia “Historiani dhe Kameleonët” godiste dukuritë hipokrite të kohës që jetonim. “Fatkeqësisht filmi nuk i shpëtoi censurës, - thotë me keqardhje Kumbaro. - Ai ju nënshtrua operacioneve që kur e shoh sot më vjen keq”. Çfarë filmi tjetër të ka mbetur peng i censurës, e pyes. “Të njëjtin fat pësoi edhe filmi “Nxënësit e klasës time” me skenar të Kiço Blushit. Disa servilë të partishëm më hapën probleme: “I ke vënë personazhit që përfaqëson pushtetin, kasketën që përdor shoku Enver”. Ndaj edhe ky film iu nënshtrua operacioneve”.
Tematika e filmave të tij ka të bëjë me katër periudha të historisë Shqiptare; pasqyrimi i Mbretërisë, i Luftës së Dytë, i Realizmit Socialist dhe i viteve të Demokracisë. Dhe më e vështira padyshim ka qenë pasqyrimi i realizmit socialist. E pyes për vështirësitë që haseshin në këto kushte. “Mund të më ishin hapur plot probleme, - më thotë. - Por dikush më mbronte. Në atë kohë shef i redaksisë ka qenë Neshat Tozaj me të cilin pata realizuar filmin “Gëzhoja e Vjetër” dhe “Gracka”. “Gëzhoja” ishte me subjekt policor, ndërsa i dyti “Gracka”, aksion me subjekt nga Sigurimi i Shtetit. Neshati e ndërroi nja tre herë skenarin për shkak të arrestimeve që ndodhën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kështu që edhe “Gracka” që në skenar pësoi cenime dramaturgjike për shkak të censurës. Pas këtyre filmave realizova të tjerë me subjekte aktuale si “Gjurmë në Kaltërsi”, “Rrethimi i Vogël”.
Vitin 1990. Ndryshimet po dukeshin në horizont. Saimir Kumbaro ashtu si dhe disa krijues të tjerë të Kinostudios u bënë protagonistët e “kryqëzimit” të të dërguarit të Byrosë Politike, Foto Çamit, në një mbledhje ku u bënë shumë pyetje të cilat nuk morën përgjigje. Ishte koha kur Saimir Kumbaro mbi skenarin e Nexhati Tafës kishte përgatitur skenarin tekniko-regjisorial të filmit “Vdekja e Kalit”. E pyes se çfarë ndryshoi në realizimin e këtij filmi krahasimisht me të tjerët? “Asnjë censurë, asnjë ndërhyrje, vërejtje apo rixhirim, - thotë me një lehtësim të brendshëm. - Finalen e kam shkruar vetë. Ngjarjet e asaj kohe më detyruan të shtoj finalen e filmit ku dy armiqtë takohen. Skenografi i filmit Arben Basha, shok i fëmijërisë time vuri re një detaj. Në parlamentin e asaj kohe kish shumë anëtarë partie. Më sugjeroi të shtoja në skenar një skenë ku ky fenomen të goditej. Me drejtorin e fotografisë Bardhyl Martiniani u ulëm dhe realizuam atë finale që flet shumë”.
Ai është një regjisor i cili i ka gjetur vetes gjithmonë punë, sidomos në vitet e gjata të tranzicionit, me një serial dokumentarësh me subjekte të ndryshme nga jeta urbane në Shqipëri. Qe një projekt ku evidentoheshin vlerat e njerëzve në atë periudhë. Por natyrisht, shpirti nuk i ndahej nga filmi artistik. “Më në fund duhej të vinte viti 2007 që unë të realizoja filmin “Ne dhe Lenini”. Komedi dramatike, ku nëpërmjet satirës kritikohen persona që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme”, thotë ai për përvojën e tij të fundit me filmin me metrazh të gjatë.
Dhe kaq... Pastaj vijnë projektet e parealizuara, që ose shterojnë një ditë, ose nuk mbarojnë kurrë.
Kjo është një pjesë e jetës artistike të regjisorit të njohur Saimir Kumbaro, i cili tanimë është në pritje të një realizimi të ri që do t’i bashkohet kolanës së prodhimeve të tij.

Botuar në ResPublica, 06 Shtator, 2014

Friday, June 14, 2019

Shqiptarët, këta budallenj të pandreqshëm



Nga Leonard Veizi

Që shqiptarët kanë qenë trima të çartur këtë e ka provuar historia. Kanë pasur shpirt rebeli dhe e kanë “blerë” lirinë me koston më të lartë të mundshme. Por kjo duhet të ketë ndodhur kohë më parë. Sa për të mençëm duhen vënë sërish në kandar, se ai që u përdor në fillimet e shtetformimit duhet të ketë pasur ndonjë cen, sepse të paktën që prej vitit 1997 llogaritë nuk po na dalim mirë. Jo për gjë, por u bënë vite e vite që shqiptarëve u ka dalë nami, në Evropë, Amerikë e ca më tej, vetëm për trapllëqet me brirë që kanë bërë. Dhe që shqiptarët po kthehen dita-ditës në budallenj e trularaskë, kjo po vazhdon të vërtetohet.
-Çfarë i dini shqiptarët, budallenj? – ngre pyetjen e tij retorike kryeministër Edi Rama, si lider sharmant e largpamës që është. Dhe me këtë pyetje tërheq vëmendje dyfishe, fillimisht Lulit që mban pozicionin e lartë të Liderit të Opozitës së Bashkuar, dhe vetë shqiptarëve që mbajnë pozicionin bazë, atë të Popullit të Thjeshtë. Sepse, me sa duket Rama e di mirë që shqiptarët janë budallenj e s’kanë nga venë. Por i pëlqen loja e fjalëve dhe vërtetimi katërcipërisht i asaj që thotë. Natyrisht që budallenj janë o Edi, përderisa nuk ngrihen e t’u marrin me hu ty si kryeministër dhe Lulin si pretendent, e t’u luajnë në vend të dajres, po ende u votojnë në rresht për një, socialistët mavi, të farkëtuar dikur nëpër mbledhjet e organizatave bazë dhe pd-istët e thekur fraksionuar po nga e njëjta organizatë.
Si t’u them të mençur shqiptarëve unë, kur ti i gënjen ditën për diell dhe ata të dëgjojnë si bufa: u flet për mjekësinë falas, kur shqiptarët këputen e vdesin me shumicë o nga kanceri o nga sëmundjet e zemrës. Dhe rrallë qëllon që ndonjëri prej tyre të iki tak-fak, pa lënë në dyert e spitaleve, në mos shtëpinë, të paktën thesin me para të marrë borxh. Se derën e spitalit nuk ta hap as roja, një “gangster” me rrogë 200 euro në muaj, e që armën më të fuqishme ka një shkop gome, dhe jo më mjeku që ka zaptuar fronin e mëkëmbësit të Zotit në tokë. Por ndoshta këtu nuk ke edhe shumë faj, se ti as që e di se ku e ka vendndodhjen Spitali Universitar “Nënë Tereza”, e jo më të dish problematikat aty. Me gjasa Shërbimet Sekrete të njoftojnë për shashkat dhe molotovët e luftëtarëve të opozitës, por nuk të informojnë se jo fort rrallë spitali mbetet pa ilaçe sepse administrata nuk ka arritur të bëjë tenderin e radhës. Por ti i dashur kryeministër, bëj zamet e çap një herë vetë deri në spital, pa shofer e truproja, dhe të jesh i bindur se do ndeshësh në rojën me uniformën e policisë private që do të të vendosi shkopin e gomës në gjatësinë e rripit të pantallonave, e do të të thotë: “Ku shkon ti or pallë, se di që ky vend ka zot...?” Aty do të fillosh të kuptosh se si funksionon “shëndetësia falas”.
Si mund ta vesh në dyshim budallallëkun e shqiptarëve që i paguajnë rrugët nacionale me ca asfalt mbi to dhe ato të fshatrave gjithë gurë e gropa, nga tre katër herë në vit, e nuk ta thonë një gjysmë fjale. Madje janë të lumtur që po ndihmojnë në shtesën e kostos për Rrugën e Kombit dhe mezi po presin të taksohen disa segmentet e tjera, që për hir të së vërtetës janë aq të shkurtra sa u del në fund pak minuta pasi ke futur dhe marshin e pestë. Por duhen taksuar ato dhe shqiptarëve u duhen lehtësuar ca xhepat. Nuk ka dietë më të mirë në një vend ku dhjami ka zënë dhjamin prej ushqimeve me hormone që mbushin tregjet. Se shqiptarët, vetëm një gjë e bëjnë mirë e me sukses të plotë, të shajnë, të shfryjnë e t’u bien borive kur ecin me makina nëpër akset që prej dhjetë vjetësh nuk mbarojnë dot, por veç tenderohen se demek nuk u dalin paratë. Dhe gjënë që dinë të bëjnë më keq është të bëhen një herë bashkë e t’u mbledhin rripat me kërkesë llogarie për paratë e tyre të pakta që shteti ua merr duke u thënë se do t’ua investojë në punë publike.
Si mund të mendosh që përderisa nuk janë budallenj, shqiptarët sigurisht janë të mençmit e dheut, e të aludosh mes të dyjave, teksa ti si kryeministër u shkrive për t’i bërë sa më atraktiv kurikulat mësimore, dhe në fund të të gjithë reformës u dhurove klasave të para librat të cilat ua more sërish, pasi u dhe një këshillë kërcënuese 6-vjeçarëve të djeshëm: “Sakën se i prishni!”. Thuhet se gjëja e dhuruar nuk kthehet, por ti anapulla e kërkove dhe shqiptarët t’u bindën or babam. Dhe këtë nuk e bënë se janë të mençëm, por se dinjiteti u ka zbritur nëpër shalë, e ku ka mbetur te kyçet e këmbëve. Në të vërtetë shqiptarët e shkretë në vend t’i vërvitnin në hale paketat me libra që u “dhurove”, e të mos e pranonin fare këtë lloj lëmoshe, u turrën të blinin fshirëse gome me shumicë që të hiqnin nga fletët e abetares dhe aritmetikës shënimet që u kishin bërë fëmijët gjatë procesit mësimor.
-Shqiptarët nuk janë budallenj, - thotë Rama, herë si kryeministër i ngrehur kur del në foltore, e herë si qytetar mjeran kur kërkon vota cep e më cep të Shqipërisë.
Po or po, shqiptarët janë budallenj, mos e ki atë hall, përderisa votën vazhdojnë të ta japin, o Ty, o Lulit o Monës.

Thursday, June 6, 2019

I dashur (ar)mik



Nga Leonard Veizi



Të gjithë humbim miq. I humbasim kur ikin nga kjo jetë, i humbasim që në të gjallë të tyre. Në të gjitha rastet na vjen keq sigurisht. Sepse është një investim i dyanshëm, që mbetet në anë të rrugës si ato gërmadhat që bashkia kërkon t'i shembi se demek janë “ndërtim pa leje”. 
Por në këtë shkrim nuk dua të flas për miqtë, ata të vërtetët, por për miqtë kallp. Ata që vërtet janë ndërtim pa leje e që nuk duhet ardhur keq kur u vjen radha për ruspën e bashkisë. Megjithatë…:
 “Zoti mos na lëntë pa miq”.
Ja një në dorë.
“Miku i mirë në ditë të keqe”.
Kjo e dyta i vë vulën. Të vazhdoj më tej...
Jo mor jo, e për çfarë duhet ta vazhdosh. Sikur është ndonjë zbulim i madh ky. Ka më shumë se njëmijë vjet që thuhet e njëjta gjë. Në mos dy. Por këto fjalë të urta popullore ardhur nga thellësia e shekujve me një gjuhë arkaike, apo dhe në formën e një sentence të modernizuar, që gjithsesi vazhdojnë të mbeten me autorë anonim, sa herë që thuhen në publik, marrin një miratim të përgjithshëm prej më shumë se 99.99 për qind të dëgjuesve.
Po armiqtë???
Pyetje enigmë...
Ka fjalë të urta dhe për armiqtë. Por anonimët e popullit, që nga koha e luftës me shpata për territore, mund të jenë treguar më të kursyer me ta. Epo armiku dihet, armik mbetet. Ç’i do llafet. Nuk ia vlen t’u ngresh lapidarë me fjalë që kalojnë mijëvjeçarët, më shumë se vetë piramidat e Egjiptit.
Por nuk është se kam ndërmend të grumbulloj fjalë të urta për mikun e miqësitë. As për armiqtë e bëmat e tyre. Madje as që kisha ndër mend ta shtroja si ide për ndonjë diskutim estetik. Thjesht doja të tëhollja ca fjalë. Se kur nuk ke se çfarë të bësh, - thotë populli në vazhdim, - do tundësh derën.
Ç’është e vërteta, në kuptimin e përgjithshëm, armiqtë janë shumë më të rëndësishëm se miqtë. Ose të paktën kështu na është dukur në fillim. Dhe është e thjeshtë: ata na motivojnë. Na bëjnë të ecim përpara. Na bëjnë t’i futemi me kokë punës e t’i dalim në krye. Nga inati, sigurisht. Sa më shumë armiq, aq aq më shumë cmirë dhe inat, e për rrjedhim më shumë para, famë... e ca të tjera që vijnë pas tyre.
Te e fundit ç’kuptim ka të deklamosh se ke veç miq. Duhet të jesh naiv i pandreqshëm, dhe ca debil e pallosh madje sa të mendosh se  miqtë e tu të duan sa s'thuhet, madje e duan të mirën tënde deri aty ku nuk u mban kandari.
Por hallka më e rëndësishme, ajo që bashkon dy kahet e kundërta të armiqve, është një person i tretë. Ky ka vlera të rralla e të pazëvendësueshme. Ky është ai që me plot dinjitet nga mik të kthehet në armik. E ja këtu fillon ambicia e vërtetë. Sinergji inatçore. Shumëfishohen fama, paratë dhe ato të tjerat që vijnë pas tyre.
Se është ai miku, tek i cili ti ke pasur besim, dhe ke menduar se anën e krahut ku qëndron ai e ke të mbrojtur, të cilin kur e "gërvisht" pak... "I ndërron çehrja", - do thoni ju? Kjo është më e pakta. Se ngjyrat e fytyrës ikin e vijnë.  Rregullohen dhe me pudër a ton kozmetike.
Konflikti bëhet më i thellë.
Morëm rastin e një "gërvishtje" pa dashje, Se ka plot raste kur nuk ka nevojë ta gërvishtësh fare. Ai që ti e ke konsideruar si mik, potencialisht është kthyer në armik edhe pse ty vazhdon të të duket si mik.
"Armiqtë të motivojnë në egon tënde. Ata janë antivirusi i vërtetë".
Ja..., këto janë fjalë të thëna tamam. S’ka nevojë për anonimin popull të ardhur nga lashtësia. Kjo është e këtyre kohëve të fundit, moderne. Të shekullit të kibernetikës dhe fizikës kuantike. Dhe sipas leksioneve të reja të psikologjisë, nuk duhet parë si një problem i madh fakti kur një mik të kthehet në armik.
Në këto kushte ka lindur dhe pyetja: A është kjo një disfatë apo duhet parë me një sy më realist?
Ka zëra që thonë se kjo “hata” duhet parë me një këndvështrim tjetër. Domethënë duhet t’i marrësh të mirën së keqes. Madje dhe kur nuk ke armiq, apo miq-armiq aq sa duhet, ata duhen fabrikuar. Sepse miqtë-armiq, këta njerëz me togfjalësh të përbërë, të motivojnë shumë më tepër se armiqtë me emërtimin e thjeshtë.
Kur kthehen në armik, këta miq janë më të këqij se vetë armiku. Prandaj dhe ndeshja e përbashkët,  me zhurmë apo e heshtur si vdekja, merr një vlerë krejt sublime. Sepse një armik përgjithësisht është më objektiv ndaj armikut të tij. Ndërsa një miku nuk ka fare mëshirë për mikun e tij të dikurshëm. Vëllai është akoma më i keq, të lë top në vend e si dridhet syri. Domethënë sa më shumë ngushtohet rrethi edhe njerëzit më të afërt të kthehen ndër armiqtë më të rrezikshëm.
Mos u shqetësoni, - ju që ia keni ngenë të lexoni përsiatje të tilla, - nuk ka probabilitet matematikor te kjo që sapo thashë. Se nuk është gjithmonë kështu. Ka raste kur një shok të bëhet vëlla e shkuar vëllait. Thjesht po bëj një lojë fjalësh. Dhe loja e fjalëve vazhdon...
E keqja nuk është tek armiku. “Atij armikut përballë nuk ia kam frikën, se istikamin e kam, pushkën e kam ngjeshur me fishekë blindëshpues, e syrin pishë, dhe i them: Eja po ta mbajti. Frikë kam mikun, se ai e heq patllaken me lezet nga brezi dhe të le të çarmatosur” – s’di pse më erdhi aq natyrshëm të perifrazoj një aktor brilant si Kadri Roshi, nën petkun e një personazhi fshati tek një nga ata filmat skematik të realizmit socialist.  
Më thoshte një i njohuri im këtu e vite me parë: “Armiku është burrë i mirë, s’ta zgjat shumë, të vret me të parën. Shoku po, ai ta ngop, dhe ta ngop mirë madje”.
Në fakt, ai i njohuri im i dikurshëm e mbajti gjuhën, se donte të dukej diçka si intelektual, edhe pse po pinim raki koçimare me qofte që vinin era qen, në një kioskë me teneqe të ndryshkura. Sepse në ditët e sotme terminologjia reale nuk ka të bëjë me foljen "ngop" por "fut". Pra thënë troç: T'a fut sa krahu.
Epo kështu bie poshtë dhe postulati proverbial: I yti mishin ta ha, por kockën ta ruan.
Prapë te proverbat dolëm. Edhe kjo e lashtë duhet të jetë. Më tej se koha e Skënderbeut. Që atëherë kur Çezari u ndesh me Pompein në tokën ilirike, si dy miq të vjetër që ishin.
Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo kohë.
Sot (ar)miku nuk të vret, është më human se kaq. Ai thjesht të pengon, d.m.th të vë ca shkopinj nën rrota. Hera herës të heq bukë nga goja, të vendos një bërryl mes brinjëve apo të largon nga puna me stil sepse është bërë pjesë e një klani tjetër që nuk e pëlqen surratin tënd. Do gjesh motivet më banale te armiku yt i ri dhe më idiotet njëkohësisht. Në të vërtetë edhe ajrin mund të ta marrë po iu dha rasti... Bën si të pamundurën për të të ndihmuar, por në të vërtetë nuk e ngre as gishtin e vogël, sepse e di që nuk ka çfarë të përfitojë prej teje. Dhe në shkëmbim të asgjësë jepet asgjëja. Dhe pa iu dridhur syri të thotë se të gjitha i bën në emër të miqësisë. Çështje miqsh.
Çdo duhet të të bëjë më shumë se kaq një (ar)mik.