Thursday, June 24, 2021

E vërteta absolute, pamundësia e një objekti hetimi

 

Leonard Veizi
 
Shqiptarët mendojnë se ia hodhën pandemisë, maskat i vërtitën në koshin e mbeturinave dhe alkoolin që kishin marrë me shumicë për të larë duart e holluan me ujë e nisën ta pinë në vend të vodkës.
Asnjë mall i dobishëm e me vlera nuk duhet të shkojë dëm, në fakt.
Nga ana tjetër, shqiptarët janë shtrirë për t’u shëllyer nëpër plazhe sepse edhe rrezet diellore ultravioletë nuk duhet të shkojnë kot. Po t'i lyesh shpatullat dhe me ca vaj ulliri të pastazhionuar, në vend të vajit elegant të karotës të presuar në bidonë me stampë fabrike, akoma më mirë, se lëkura merr ushqyesin bazik bashkë me rrezet kancerogjene. Por bashkë me plazhin nisi dhe avazi i përvitshëm: jo u rritën çmimet, jo s’ka ujë për t’u larë. Jo po s’ka as drita...
Lëre-lëre, plazh i thënçin.
Mirëpo nga ana tjetër ka ca të tjerë që thonë se çmimet jo që s'janë rritur, por madje janë ulur, ujë ka sa të duash e energjia elektrike nuk mungon asnjë sekondë për be.
Punë shqiptarësh mo.
Tanimë edhe çështja e pushimeve në plazh klasifikohen tek teoritë konspirative.
E rëndësishme është që frika u tremb dhe shqiptarët nisën të bëjnë jetën e tyre të zakonshme me gërnetë e dajre dhe me dorovitje të orkestrës në dasma ku dhëndri me nusen bëhen telef duke kërcyer rreth zjarrit e tymit që nxjerr shamia e beqarit.
Jeta është kthyer në normalitet. Ndaj nuk duhet me harru e me e ndez një qiri aty te kisha e Shën Prokopit.
Madje aq e zakonshme është situata këto ditë behari saqë ca shoqata periferike nisën të rrokullisin tenxheret ashtu si Trimi gurët nga mali. Ata e filluan me denoncimin për rrahjen e anëtarëve nga grupimet e kundërshtarë, e po kërkojnë të drejtat e tyre, dy herë më tepër nga sa parashikon ligji...
Domethënë birinxhi.
Kjo është jeta e vërtetë, ajo që na e pengoi pandemia për mbi 18 muaj. Tani duam t’i nxjerrim zinë, se 18 muaj apo 540 ditë nuk kemi pse ia falim shejtanit.
Ja vate dhe kjo punë.
Mirëpo ne e kemi mësuar që në kohën e “xhaxhit” se po fjete mbi dafina e hëngre, ndaj vigjilencë do të thotë ta mbash një sy hapur edhe kur je duke bërë gjumin e tretë pasi e ke shkundur një shishe me raki koçimare, të pafiltruar nga asnjë kantinë. Se armiku na vjen andej nga s'e pret.
E megjithëse në ditët e para të lumturisë, nuk të lë të gëzohesh deri në fund. Qentë u lëshuan. Kështu që doli një ekspert na lajmëroi me dorë në zemër, që në fillim të verës, që të mos hallakatemi shumë se andej nga vjeshta nuk do të jetë kaq sallore. Se virusi na është ngatërruar me ca të tjerë e është shpifur një mutacion që me gjasa do të bëjë kërdinë.
Ruajna Zot. Po sikur e mbyllëm këtë kapitull?! Apo hap-mbyll rubinetin...? Një herë Alfa, një herë Delta.
Ja, përsëri ramë në hullitë e teorive të konspiracionit.
Tani teoritë e reja konspirative nuk kanë më në qendër sulmin dhe zhdukjen e racës njerëzore përmes vaksinave e cipave nën lëkurë. Tani ka dalë një tjetër teori: Vaksina dhe vetë virusi janë në të mirë të njerëzimit. Domethënë trupit të  njeriut po i jepet një antidotë, pikërisht sepse teknologjia që po ecën përpara me shpejtësinë e raketës, do të emetojë energji e rrezatime të shumta, për të cilat trupi i njeriut nuk është i përgatitur t’i përballojë. Ndaj një virus dhe një antivirus e përgatisin trupin. Tani luftë është kjo, do ketë dhe viktima, kush është i fortë do mbijetojë, të tjerë... aha.
Kësaj i thonë: Lum si ata që ikën. Se bën vaki ne të tjerët do të shohim qamet me sy.
Për analogji, është marrë rasti i 100 viteve më parë kur shpërtheu virusi “H1N1” i ashtuquajtur “gripi spanjoll”.
Edhe në atë kohë u përdorën për herë të parë masivisht valët elektromagnetike, apo valët e radios. Valët e radios janë valë elektromagnetike me frekuencë midis 30 hertz dhe 300 gigahertz. Shkencërisht thuhet se ato gjenerohen nga një pajisje elektronike e quajtur transmetues, i lidhur me një antenë që rrezaton valët..., etj.
Ndërsa teoritë e konspiracionit thonë se në vitit 1918 -1920 kohë kur “gripi spanjoll” shkaktoi aq të vdekur sa numrin e tyre nuk e mbajti shënim askush, trupi i njeriut ishte i pastërvitur të përballonte një sasi të tillë goditjesh elektromagnetike. Pra, si 100 vite më parë si 100 vite më pas shkaktar i vdekjeve pandemike nuk na qenka thjesht virusi, por teknologjia e avancuar. Dhe këtë herë sebepi është bërë sistemi 5G, i cili ka kohë që kërkon të shtrihet në botë, por që ende ka qenë pjesë e parcelave eksperimentale.
Kë të besosh.
Alarmi se në vjeshtë, apo më shpejt akoma, - që në të dalë të verës, - pandemia, e cila po ngordh, do ta bëjë dhe një sulm të fundit, nuk është pa gjë. Mund të kishim ngritur 1001 pyetje rreth të gjitha këtyre që sapo shkruam, dhe sërish nuk do merrnin përgjigje, përveç disa sqarimeve periferike. Sepse në fakt, e vërteta është kthyer në një lojë fjalësh, se ajo çka është e bardhë për një njeri është e zezë për dikënd tjetër dhe anasjelltas. Ndaj e vërteta absolute nuk do të jetë kurrë një objekt hetimi dhe as gjykimi. Sepse ajo ekziston duke mos ekzistuar.

Thursday, June 17, 2021

Burrat që kanë frikë nga ngjyrat e ylberit


Nga Leonard Veizi
 
LGBT huazoi ylberin dhe ngjyrat e tij për ta përdorur si simbol të diversitetit seksual. Tanimë, çdokush prej heteroseksualëve, ka drojë të ngatërrojë dy-tri ngjyra bashkë, ashtu si në paletën e piktorit, nga frika se e marrin për një homoseksual safi. Dhe ylberi duhet harruar me gjithë të mirat që i ka sjellë botës, duke e bërë të mahnitshme pamjen pas shiut.
Ylberin e përdorën si element skenik grupi legjendar i hard rock-ut “Deep Purple” në një koncert gjigant të vitit 1974, në Los Anxhelos, e ku një vokalist si Dejvid Koverdell këndonte nën shoqërinë e kitaristit legjendë Riçi Bllejkmur. Ndërkohë dhe një grup tjetër hard rock-u mban emrin “Rainbow”, pra “Ylber”, ku këtë herë po nën tingujt magjik të Riçi Bllejkmur këndon një nga vokalistët më me ndikim në botën e metaleve të rënda: Roni Xhejms Dio.
Tanimë burrat që adhurojnë metalet e rënda as që guxojnë të shohin në “youtube” ndonjë nga këto koncerte, sepse një veprim i tillë i padit e i nxjerr lakuriq në sy të botës, dhe nuk është çudi që paskëtaj të dëgjojnë llafe poshtë e përpjetë: E vllajo, e paske kapërcy ene ti ylberin m’duket?
Hall i madh kjo punë. Shpesh, ngaqë nuk dimë nga t’i japim, flasim çapraz: Epo... punët e Zotit.
Ç'është e vërteta, Perëndia kur e bëri zorrën e trashë e bëri për shkarkim dhe jo për ngarkim. Nuk di a shpjegohem qartë për këtë proces. Nëse biem dakord që qenia e vetme e përsosur në këtë univers, - të cilin nuk jemi në gjendje ta zbërthejmë dot, - është Zoti, atëherë duhet të besojmë se Ai bëri një punë të shkëlqyer me njeriun. Çdo gjë e vuri në vendin e vet dhe i gjithë organizmi punon në perfeksion. Mbi të gjitha bëri mashkullin, Adamin demek, dhe femrën, domethënë Evën.
Nëse na është mbushur mendja dhe themi se në organizmin njerëzor punët nuk shkuan dhe aq mirë, ndaj ka çedime, duhet të besojmë se njeriu u prodhua nga një punë amatore, fjala vjen: nga ekipi i alienëve që quheshin Anunakë, e që ka zbritur në këtë truall nja 450 mijë vite më parë. Të paktën kështu ka deklaruar Zecharia Sitchin që pretendoi se kishte deshifruar pllakat sumere ku ndodhej e koduar historia e planetit Tokë.
LGBT-ja që tani i ka shkuar emri aq gjatë sa nuk ia themi dot, - LGBTQI - ka ekzistuar gjithmonë, në Romën e lashtë e Stambollin mesjetar që dikur quhej Kostandinopojë. Jo me këto iniciale sigurisht. Pra, nuk është ndonjë fenomen i ri. Por sot ajo po na paraqitet si platformë. Madje e mbështetur fuqimisht dhe me para. Pra, po e mbështesin njerëz që nuk dinë sa para kanë madje nuk dinë as ku t’i investojnë, ndaj në vend që të ndërtojnë ndonjë spital, azil a strehë vorfnore, i japin zë kauzës së shoqatave gay. Dhe për para njerëzit çfarë s’bëjnë.
Dikur tregohej si anektodë që djali i një sheiku me studime në Londër i shkruan të atit: Baba më vjen turp nga shokët, të gjithë vijnë në shkollë me tren, vetëm unë me limuzinë. Babai mbeti ngushtë dhe për ta bërë të birin të ndihej mirë e të barabartë me të tjerët…. i bleu një tren.
Për analogji, një miliarderi i ka dalë djali gay. Që të mos e bullojnë dhe as ta shtrojnë me dru shokët e vet, babai po investon fort që në botë të ketë së më shumë gay. Kjo do ta bëjë djalin e tij të ndihet më mirë. Tek e fundit nuk është i vetëm. Ka shokë boll.
Madje po punohet aq fort nga Organizata Jo Fitimprurëse, por dhe nga njerëz që mbajnë kostumin e diplomatit, e kanë ndikim në sallonet e politikbërjes, saqë djali-gay sot ndihet superior pasi “të rënit të dajres” tek e fundit është kthyer në trendy.
Ushtria e gay-ve po shtrëngon radhët. Paradat e dikurshme ushtarake, me hap rreshtor e pushkën krahut, tani janë zëvendësuar me paradat ku tunden flamujt me ngjyrat e ylberit dhe tullumbace gjithashtu. Imagjinoni kur të plasë lufta me plumba prej vërteti dhe të të djegë bytha nga baroti. Djemve që hipin nëpër biçikleta, herë më shalë e herë drejt e mbi tub, do t’u kërkohet të hipin nëpër tanke, ku në dorë do u duhet të mbajnë një automatik, e në brez nja 4-5 granata ofensive...
Nejse, nuk është për të thënë... se bota ka njohur dhe komandantë ushtrie homoseksualë. 
Kjo frymë erdhi dhe në Shqipëri ku burrat mbajnë mustaqe, pinë duhan të rëndë me të dredhur dhe nuk parfumosen me “dolce & gabbana”. Dhe burrat në këto vise kanë qenë të gatshëm të të vrisnin ditën për diell për një vështrim të shtrembër. Mirëpo shoqata e LGBT-së këto zakone anakronike të shqiptarëve ka marrë përsipër t’i kthejë në modernitet. Ndaj meshkujt sot jo vetëm parfumosen, por dhe depilohen nga koka tek këmbët, e s'u ka mbetur më një qime në trup.
Kauza e LGBT-së për ta bërë botën si vetja, edhe pse fillimisht u duk me nota plot humor, tanimë po bëhet e frikshme. Ajo nuk po njeh kufij. Njëlloj si trupat e vandalëve që shkatërruan Evropën, si ato të mongolëve të Xhenghis Khanit, si osmanët, apo si trupat e Vermahtit. Tentakulat e tyre janë përhapur shumë, dhe për çudi në ndihmë u vijnë ca ambasadorë, vendet e të cilëve i kemi pasur zili. Epo mirëqenia i ka këto, se kur s'ke ç'bën më në këtë botë, o do tundësh derën, ose do t’i “biesh dajres”.
Iniciativa e fundit për të ndërhyrë në kodin e familjes, me qëllim që të heqin nga fjalori fjalën “nënë” dhe “baba” dhe për t'i zëvendësuar ato me “Prindi 1” dhe “Prindi 2” është dhe më e stërholluar. Përveç faktit se LGBT si fitoi ca të drejta për njohje, kaloi në një plan të dytë, te kërkesa për martesë, pastaj kërkesa për birësim fëmijësh. Pastaj me mbarsje që kalojnë nga njëri bark në barkun tjetër... e vari trapin kësaj pune. Dhe tani doli teoria e re. Po punon platforma. Mos ju duket si teori konspirative.
Prisni se s’keni parë gjë akoma...
Ata e kanë nisur seriozisht punën. Pak nga pak e çdo ditë, si ajo pika e ujit që të gërryen në çdo sekondë. Për shembull: A ka sens që psikologët nëpër ca shkolla nisën të pyesin fëmijët: si ndihesh, si djalë apo vajzë? Po ti moj psikoloqe... ende nuk e di se djalë a vajzë del nga materniteti, dhe kjo s’ka të bëjë me qejfin tënd dhe as me pyetësorin prej idioteje. Mirëpo ja që një takëm i tillë shoqatash e ka futur hundën deri këtu.
Nëpër faqet e librave të shkollës fillore nisën të shkruheshin mbi modelet ku kërkohej të humbiste gjinia...
Kujt i shërben kjo???
Shoqatës, e kujt tjetër?! Se nënës dhe babait jo një herë. Ata i kanë çuar fëmijët në shkolla të mësojnë e të ndriçohen, e jo të futen në ankthin seksual, për diçka që as e dinë që ekziston dhe as e dinë si funksionon.
“Vajza daneze” apo “The Danish Girl”, është një film biografik i vitit 2015 me regji të Tom Hooper, bazuar në romanin me të njëjtin emër shkruar nga David Ebershoff. Vepra e botuar në vitin 2000 është frymëzuar nga jeta e piktorëve danezë Lili Elbe dhe Gerda Wegener. Ai na çuditi me historinë e tij: Një piktor i talentuar, i cili në luhatjet mes dy identiteteve, të qenit mashkull dhe femër, preferoi të bënte këtë të fundit. Madje iu nënshtrua dhe një operacioni fatkeq, për të ndërruar organin seksual. Ishte rasti i  parë në botë ku u tentua të bëhej ky lloj operacioni. Nuk ia doli dot, por të paktën vdiq e lumtur si një femër. “Vajza” prej Danimarke e mbaroi misionin. Tani fuqinë e ka marrë Holanda.
Homoseksualiteti trajtohej si një sëmundje mendore. Psikiatrit, pas përplasjeve të shumta, kanë rënë dakord prej vitesh që homoseksualiteti nuk është një sëmundje. Madje nuk kërkon as terapi. Ec e ta marrësh vesh. Por në një shkrim të tillë, nuk ka vend të merremi as me zbërthimin e Frojdit e as të Fromit.
Ne që e jetuam një pjesë të jetës nën regjimin komunist, ku homoseksualiteti dënohej me ligj, e dinim që Shqipëria jonë, shkëmb graniti, ishte një vend pa homoseksualë.  Homoleksualiteti ishte një veprimtari që u përkiste vendeve të degjeneruara borgjezo-revizioniste, por ajo nuk kishte vend për moralin komunist.
Në kapërcyellin e sistemeve rezultoi e kundërta. Edhe në Shqipëri kishte homoseksualë sa të doje. Madje ca e ca e kishin mësuar këtë zanat nga vendet e lindjes, pjesë e Kampit Socialist, ku kishin shkuar për studime. Por kishte dhe nga ata që s'e kishin kapërcyer kurrë kufirin e që gjithashtu ishin homoseksualë. Gjithsesi ia gjetëm anën. Ia vumë fajin mbetjeve osmane apo si një kulturë që na vinte nga Azia e vogël pushtuese.
Në fakt nuk ishin vetëm osmanët, se edhe Roma e lashte kishte homoseksualizëm të shfrenuar. Madje tregohet si legjendë se për shkak të orgjive pa fund që bëheshin në qytetin e Pompeit, Zoti u lëshoi Vezuvin e i zhduku nga faqja e dheut me kuç e me maç.
Tanimë, nuk e dimë se si do të shfaqet ndëshkimi i radhës. Por dhe nëse nuk do të ketë një ndëshkim të dukshëm, raca njerëzore është e ndëshkuar tashmë.
Shoqatat gay kanë fituar goxha të drejta vitet e fundit. Mirëpo fjala se oreksi ardhka duke ngrënë, nuk është pa gjë. Dhe këto shoqata po vazhdojnë të kërkojnë gjithnjë e më tepër. Hungaria ua preu rrugën, u tha stop: adoptimit të fëmijëve nga çiftet gay dhe u preu rrugën materialeve rreth homoseksualitetit nëpër shkolla. Tek e fundit, kavardisuni me ato që keni fituar... që të mos mbeteni fare pa gjë.

Thursday, June 10, 2021

"Vëllai i madh" po na vëzhgon... deri në tualet


Nga Leonard Veizi
 
Vëllai i madh po na vëzhgon. Ai është shumë i zoti, kujdeset gjithmonë për ne. Padyshim, përderisa është “vëlla i madh”. Domethënë nëna e ka bërë të parin, me qëllim që të na marrë në mbrojtje ne më të vegjëlve.
Në fakt “big brother”-i nuk është një qenie njerëzore, me instinkte të prapambetura, por me tru të avancuar. Ai është një mekanizëm, që shumëfishohet në vazhdimësi, për t’u bërë një pafundësi vëllezërish. Janë aparatura elektronike, lente zmadhuese, sensorë. Janë ata që të ndjekin pas kudo, kur ti e dëshiron një gjë të tillë, por dhe kur kërkon t’i fshihesh se ke ndonjë prapësi për të bërë.
Gjithçka po futet në një monitorim të vazhdueshëm, dramatik e monoton hera-herës. Sepse mendja shfokusohet në përditshmërinë e saj. Dhe shpesh e harron apo bëhet indiferente ndaj spiunit që nuk lë gjithçka pa treguar për të.
Askush nuk i shpëton dot këtij vëzhgimi të detyruar. Dhe qenia njerëzore tanimë ka nisur të mësohet me idenë se pas vetes është gjithmonë dikush që raporton për çdo veprimin të tijin. Prandaj, që në mëngjes herët, kur del nga apartamenti, nis t’i thotë vetes se nuk duhet të lajthisë rrugës e të bëjë veprime për të cilat do të pendohet. Pra, duhet të jetë serioz. Një gjë e tillë, e përditshme, e shmang njeriun nga njerëzorja dhe fillon ta kuadratojë atë si një mekanizëm roboti.
Por njeriu, me mish, gjak e nerva, sado i kujdesshëm që të jetë, do të gabojë diku. Sepse e tillë është qenia njerëzore, që në gjenezën e tij. Në ndërgjegjen ai kërkon të jetë i pastër dhe i hijshëm, por në nënndërgjegje veprojnë rryma të tjera, të cilat e detyrojnë të bëjë një veprim të pahijshëm, në një cep të errët ku mendon se nuk e sheh njeri.
Por sot jo. Ke më pak shanse të jesh vetvetja. Sepse je i monitoruar kudo. Dhe shumë më tepër do të jesh në të ardhmen. Veç në je i marrë,  rrëmben një torbë e ca plaçka, e shkon të jetosh në ndonjë shpellë, ku nuk ka valë satelitorë që të zbulojnë. Nuk ka nevojë të shkosh deri në malin Athos për t'u kthyer në një eremit. Mund të strehohesh në Tomor, apo me keq akoma, në Korab. Dhe ke shpëtuar.
Lajmi se Shqipëria do të monitorohet nga kamera e dronë që do na vijnë nga Turqia, mori dhenë. Aplikimet për një vend pune tek zyrat qendrore të agjencisë, në mos kanë filluar, do të nisin së shpejti, me siguri.
Lum si ata që do të ulen një karrige të tillë... me ekrane përpara syve nga mund të shohësh gjithçka. Nuk janë dokumentarë nga ato të “National Geographic” apo “Discovery Channel” dhe as filma të “Netflix”. Është një “Reality Show” i paparë. I gjithë perversiteti i jetës njerëzore do të jetë aty. Veç duhet arkivuar gjithçka me kujdes, që nesër t’ia tundësh tjetrit para syve: Këtu t’i kam të gjitha.
Se thonë që Tirana do bëhet si Londra. Kamera kudo, madje edhe në tualetet e lokaleve. Për sigurinë kombëtare bëhet fjalë, sigurisht. Se çfarë nuk ndodh nëpër banjat publike. Hataja. Mund të parandalosh krimin, por dhe të kënaqësh pasionet e fshehura. Se në banja ndodhin ato që dhe fantazia më e shfrenuar t’i censuron.
Xhorxh Oruelli, një shkrimtar britanik që ka bërë namin me librat e tij, i doli përpara së keqes. Botoi që në qershorin e vitit 1949 një roman me titullin “1984”. Mund të cilësohej si fantashkencë, fillimisht. Por sot për shumëkënd është një manual përdorimi. Xhorxh Oruelli e kishte kapërcyer të tashmen. Ai kishte shkuar përtej. E megjithatë në konceptin e tij revolucionarizimi i teknologjisë elektronike qe ca më i shpejtë. Në të vërtetë gjithçka do të ndodhte pak vite më vonë nga parashikimi i tij. Bota e Oruell tek “1984” është ajo ku jeta private e individit nuk ekziston. Gjithçka kontrollohej nga “Big Brother”.
U deshën ca vite më shumë që Londra e Xhorxh Oruellit të bëhej gjithashtu qyteti më i monitoruar në botë. Por Xhorxh Oruelli nuk jetoi aq sa të mblidhte dhe frutet e punës së tij. Ai ka 71 vite që ka vdekur, që më 1950.
Sot, në vitin 2021, Tirana e Shqipërisë kërkon të ecë krah për krah me Londrën. Të ketë të monitoruar të gjitha territorin e saj, me kamera e dronë. Nga sipër e nga poshtë. Nga e majta dhe nga e djathta.
Kjo duket e frikshme.
Them “duket”, sepse në fakt ne jemi të monitoruar tashmë. Kamerat që janë vendosur kudo, në rrugë, kryqëzime, lokale, supermarkete e hyrje pallatesh, shumë shpejt do të futen më thellë për të kontrolluar njeriun. Kjo nuk i përket të ardhmes. Kjo është e tashmja. Sepse potencialisht, çdo aparat, qoftë një celular që e mban në dorë, qoftë dhe një ekran televizori që e ke vendosur mbi komodinën e dhomës së gjumit, automatikisht janë dhe spiunët e tu.
Për këtë nuk ta ka fajin kush. Nuk të ka detyruar njeri. Ti vetë ke shkuar në një dyqan që shet sende elektroshtëpiake dhe ke porositur televizorin më të mirë të mundshëm, me ekran “high definition” që të ketë dhe opsionin e lidhjes me wifi. Dhe pasi e ke montuar në shtëpi dhe je ulur për të parë programin tënd të preferuar, ende nuk e di se kush po sheh përmes monitorit, ti televizorin apo televizori ty.
Nuk po flasim për celularin, ku ti me qejf të madh i ke besuar spiunit tënd gjithfarë fotosh intime, dhe mesazhe te pakoduara.
Vëllai i madh po na vëzhgon. Nuk i shpëtojmë dot. Veç në marrosemi vërtetë dhe shkojmë të jetojmë në ndonjë guvë a shpellë si eremitët e malit Athos.

Tuesday, June 8, 2021

Në Vlorë ku gjen këngë me portokalle, por jo me palma



Reportazh

Vlora vlen për një fundjavë në fillim të sezonit turistik, por dhe për pushime më të gjata, sigurisht. Sepse përveç plazheve pa fund, mund të vizitosh edhe shumë vende muzeale e arkeologjike
 


Nga Leonard Veizi


-Ja Vlora.
-Vlora çuna, Vlora.
Për t’i dhënë një vlerë artistike regjisorët Kujtim Çashku e Piro Milkani, vendosën që kamionët tip ZIS, e shkronjën “T” në karroceri, ngarkuar me detarë, - ku i vetmi civil ishte Belul Gjonomadhi, - të bënin rrugën nga Orikumi në drejtim të Vlorës dhe jo anasjelltas, ajo që i çonte rekrutët e Tiranës në drejtim të bazës ushtarako detare të Pashalimanit, që asokohe ishte një zonë e përbashkët shqiptaro-ruse. Dhe sapo kamioni i batalionit të Transportit del nga tuneli i Ujit të Ftohtë, pamja të befason.
-Shikojeni Vlorën djema, shikojeni, – u drejtohet gjithë krenari labi, Belul Gjonomadhi, veshur me opinga lëkure, çorape leshi, hedhur krahëve një gunë çobani e një qylaf me majë mbi kokë
Sepse Vlora ka qenë e bukur, atëherë kur “mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat”, dhe tani kur për atdheun nuk para pyet njeri.
-Ushtarakë jemi të gjithë ne tani, - do t’i përgjigjej Beluli, çunakërve që vinin nga kryeqyteti e që kërkonin t’i jepnin mend: Po ky është kamion ushtarak mor xhaxha.
Flitet për filmin artistik “Ballë për Ballë”, një realizim i vitit 1979 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, dhe mbështetur mbi romanin “Dimri i Madh” shkruar prej Ismail Kadaresë.
Pasi u fut në “radën” e Vlorës, Belul Gjonomadhi, i cili i kishte zët telefonat e radarët, ia mori këngës labçe, shoqëruar në polifoni nga detarët e rinj 19-vjeçarë që Dega Ushtarake i rekrutuar në kryeqytet.
Moj Vlorë e bukur në gropë,
Skelë e parë në Evropë.
Kjo vlente sa për hyrje të këtij reportazhi.
 
***
Sot për të hyrë në Vlorë do të marrësh autostradën që fillon andej nga Fieri, dhe që është pagëzuar me emrin “100 vjetori i Pavarësisë” e cila si asnjë rrugë tjetër në Shqipëri, të sinjalizon me tabela njëra pas tjetrës, që mund ta mbash gazin te 110 kilometrat në orë. Natyrisht, kjo nuk vlen shumë për vendalinjtë, që duke e bërë përditë atë rrugë, nuk u shkon fare këmba te pedali i frenave.
-E kam parë diellin para teje unë, - i shkrehej një herë një shofer fugoni taksi, një djaloshi të ri që guxoi ta parakalonte. Po a mund të parakalohet një taksist nga Vlora. Edhe maune të kishte nuk do ndalej në garën e tij për të dalë i pari. Kot nuk ka dalë fjala se burrat nga ajo zonë e kanë gjoksin gropë. Epo... po i re shumë gjoksit, gropë do bëhet i shkreti.
 
***
Vlora vlen për një fundjavë në fillim të sezonit turistik, por dhe për pushime më të gjata, sigurisht. Sepse përveç plazheve pa fund, - nga Plazhi i Vjetër e për të përfunduar në Orikum, - mund të vizitosh edhe shumë vende muzeale e arkeologjike. Mund të vizitosh qendrën historike të qytetit, por edhe Kaninën në kodër. Dhe po të të hapet më shumë oreksi, ke mundësi të shkosh me anije deri në Sazan, për t’u njohur me qytezën e dikurshme të ushtarakëve të ishullit, që mbahej si një nga distriktet më të fortifikuara në Shqipëri.
Nga Tirana, Vlora është 158 kilometra larg, që sipas “google maps” bëhet për një kohë prej 2 orësh e 11 minutash. Kjo është rruga nëse do të marrësh autostradën e Durrësit. Por ka dhe një rrugë tjetër, që merr autostradën e Elbasanit. Në këtë version rruga zgjatet në 162 kilometra e barabartë me 2 orë e 16 minuta. Pra flitet për një shtesë prej 4 kilometrash që në kohë vlen vetëm 4 minuta vonesë.
Për të mbërritur në Kaninë harta satelitore tregon se rrugëtimi zgjat 2 orë e 21 minuta në një trase rruge prej 162 kilometrash.
Po qe se destinacioni do të jetë Radhima, rrugëtimi zgjat 2 orë e 38 minuta, të barabarta me 171 kilometra.
Ndërsa për të pirë një kafe në Orikum, do të duhet të bësh 18 kilometra nga Vlora, ose 174 kilometra nga Tirana, por që prej Radhimës janë vetëm 4-5 minuta jo më shumë. Dhe vetëm një kilometër nga qendra e Orikumit shtrihet plazhi, fundi i të cilit kufizohet me postobllokun e Bazës Detare “Pashaliman”, emëruar përndryshe dhe “Naval Base - Pashaliman”.
Veç, që të bësh një guidë të plotë, duhet të nisesh pak herët nga Tirana, që edhe të shmangësh trafikun për aq sa mundesh, por edhe të kesh më shumë mundësi kohore nga orët me pikatore të pushimit fundjavor.
 
***
Vlora është rregulluar për së mbari këto vitet e fundit. Duket se qeveria e ka parë me sy të mirë e ka derdhur pa hesap fonde nga të publikut. Bashkë me investimet private, Vlora tanimë duket si tjetër gjë. Hyrja për në qytet është e gjatë, e gjerë, e drejtë dhe herë pas herë ndeshesh me rotonda të zbukuruara. Por gjithsesi, ka nevojë edhe për ca tabela më shumë që të marrë kornizën e plotë të sinjalistikës rrugore. Por me sa duket, jo çdo gjë quhet “e mbyllur”. Punimet vazhdojnë.
Si e ke lënë pas hyrjen me emrin “Gjergj Kastrioti” - apo Transballkaniken, siç njihet më gjerësisht, - je futur në rrugën “Kosova”. Pasi ke kaluar dhe sheshin “Pavarësia”, futesh në “Lungomare”-n e famshme, e cila zyrtarisht një segment i saj mban emrin “Çamëria” dhe segmenti tjetër “Murat Tërbaçi”.
Palma në të dyja anët e rrugës. Kësaj radhe ia vlen t’ia marrësh këngës:
Nën një portokalle moj
Të ndala unë ty.
Epo... këngë për palmat nuk ka nga këto anë.
 
***
Është rruga “Aleksandër Moisiu” ajo që të nxjerr nga Lungomare tek Uji i Ftohtë. Në kapërcim të Tunelit, do të ndeshesh me fadroma, skeptera e makina të rënda transporti, të cilët kanë nisur punën për Lungomaren nr-2.
Vlora është e bukur, deri në detaj. Për të bërë adetin, duhet të bësh një vizitë në qendrën historike të saj. Një foto te baballarët e kombit, një te Shtiza e Flamurit, por dhe një tek një objekt kulti fort i vjetër i qytetit, 500-vjeçar, Xhamia e Muradies apo Xhamia e Plumbit, siç quhet ndryshe. Përballë Sheshit të Flamurit ndodhen varrezat e dëshmorëve. Por shumë më e famshme mbetet “Kuzum Baba” dhe Teqeja, e cila është një pikë sa turistike aq edhe pelegrinazhi.
Pa u munduar shumë, vetëm për 6 kilometra rrugë, mbërrin në Kaninë, një qendër historike e arkeologjike, ku bashkëjetojnë mbetjet nga antikiteti dhe kështjella mesjetare. Kalaja ngrihet në anë të malit Shushicë, në një lartësi prej 380 metrash mbi nivelin e detit. Prej Kaninës pamja e Gjiut të Vlorës është edhe më mahnitëse. Sazani, ndodhet si një gamile në të djathtë të kepit të Karaburunit, me dy “gungat” e tij, maja më e lartë e të cilit kap një kuotë prej 342 metrash mbi nivelin e detit. Nëse i afrohesh portit të Vlorës, apo “triportit” do të gjesh agjentë turistikë që të ofrojnë bileta udhëtimi për në Sazan. Zakonisht ndodh që udhëtimi ka si pjesë të guidës një vizitë në Karaburun, një ndalesë në Sazan dhe vizitë në shpellën e Haxhi Alisë.

***
Mundësitë për të drekuar janë pa fund, por unë vet preferoj natyrën e Radhimës, ku djem të veshur me kostumin karakteristik të zonës të ofrojnë të konsumosh diçka në lokalin e tyre. Dhe meqë relievi është i thyer, sa det e mal po aty, edhe ushqimi i përfshin të gjitha mundësitë, peshk e fruta deti, si dhe mishra në hell e djathë nape.
Në rrugë makinat nuk rreshtin së lëvizuri. Pjesa më e madhe e tyre mbajnë për nga Llogaraja. Por shumë të tjera vazhdojnë të zbarkojnë nëpër hotelet e zonës për të bërë qoftë dhe disa orë plazh. Uji është kristal aq sa të vjen të futesh me gjithë rroba brenda në det.
 
***
Por për nostalgji, - jo vetëm të filmit Ballë për Ballë, por sepse edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kam kryer në Bazën e Pashalimanit, - nga Vlora nuk mund të shkulem pa shkuar deri në Orikum. Ushtarakët që janë në postobllok, kontrollojnë imtësisht çdo makinë që futet brenda, me leje të posaçme sigurisht. Nuk bëj gabimin trashanik e të lutem që të më fusin brenda, meqenëse një herë e një kohë kam shërbyer në “Gjuajtësin Detar”, dhe njoh vrimat e Bazës më mirë se ato të shtëpisë time. Një punonjës civil, me të cilin kontaktoj aty pranë, më shpjegon gjëra të zakonshme mbi ecurinë bazës dhe në fund më thotë:
-Në bazë është nëndetësja 105, e kthyer në muze tanimë. Veç nuk e kuptoj se si mund të jetë muze, një objekt që nuk i ofrohet kujt për ta parë?
Qesh me të madhe. Pastaj u mendova ca.
-E drejtë, - ia kthej. - Nëndetësja duhet të qëndrojë në një bankinë e cila të jetë e aksesueshme nga vizitorët.
Epo ja, punë Shqipërie, mendoj së fundi. Ka që shumë gjëra që nuk shkojnë saqë vizita në një nëndetëse lufte është e fundit gjë që mund të të shkojë në mendje. Edhe po nuk e pe nuk humbet ndonjë gjë të madhe.
Në Orikum, monumenti më i njohur është teatri antik, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958. Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë.
-Unë jam arkeollog. Ne po zbulojmë një nga teatrot më të vjetra të botës. Në atë teatër ndoshta është luajtur Prometeu i Eskilit. Kurse ju kërkoni që ne të largohemi. Sa turp.
Kështu do t’i drejtohej gjeneralit rus Zheleznov, tek filmi “Ballë për Ballë”, shefi i arkeologëve, pasi kishte marrë urdhër për të lënë në mes gërmimet në zonën antike të Orikumit, sepse ajo përfshihej në territorin e Bazës së Pashalimanit.
Shumë vite më vonë, gërmimet në këtë zonë vazhduan përmes një ekspedite të përbashkët shqiptaro-franceze, nga ku kanë dalë mjaft artefakte të rëndësishme dhe interesante.
 
***
Me Vlorën mund të mos ngopesh asnjëherë. Për më tepër që zona e Nartës u la jashtë vëmendjes së kësaj fundjave. Por vera është e gjatë e ka ditë të nxehta plot.
Mbrëmja është gati në të rënë. Janë vetëm 175 kilometra në kthim. Rruga duket më e lehtë, pa ndalesa.


Friday, June 4, 2021

Piro Mani, ikën "gjenerali" që pushtoi skenën teatrore

 Prej kohësh kishte marrë të drejtën të cilësohej si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, punoi duke ngjitur në skenë të paktën 80 vepra

Nga Leonard Veizi
 
Në shesh të xhirimit, papritur ai ishte kthyer në një ushtar, pa grada e spaleta, dhe një tjetër gjeneral drejtonte: Ka motor...? Dhe çak-u binte. Dubël 1.
-More pizevenga, ç’kini more? Hë mo ç’kini, pse s’flisni? Hë bij bushtrash o bij bushtrash. Ju ka ardhur keq për dashin ëëëë? Doni tua paguaj? Sa u bën? Na. U mjaftojnë këto...?
Është pjesë e batutave të një personazhi që vështirë se mund të harrohet. I mbetur në pelikulë si: Sali Protopapa. Si rrallëherë, mori përsipër ta skalisë ai, që nuk ishte vetëm një aktor, si në rininë e hershme të tij, por një regjisor, ylli i të cilit kish filluar të shkëlqente fort.
Me një zë karakteristik e imponues e një një vështrim që të mbërthent fort, fytyra e komandantit të një çete ballistësh, me shqiponjë në qeleshe, - karakteri letrar i shkruar prej Dritëro Agollit në romanin “Komisari Memo” dhe i përshtatur për realizimin kinematografik “I teti në bronz”, - do të personifikohej më atë të Pirro Manit. Sepse ishte ai që i dha aq shumë jetë, sa nuk mund të shlyej nga mendja e askujt që e kishte parë filmin qoftë dhe një herë të vetme.
-Lëri more dënglat ti, plak matuf, Ibrahimi ka fjetur mbrëmë këtu në fshat. Mos u mundoni të ma hidhni. Dhe nëse nuk e nxirrni, nuk keni për ta gëzuar atë thekër që po më shini atje.
Ky ishte roli i dytë e tij si aktor, pasi më parë se kaq në filmin “Vitet e para” prodhim i vitit 1965 me regji të Kristaq Dhamos, ai kishte interpretuar rolin e Stavri Larës. Ndërsa personazhi i tij i fundit kinematografik ka qenë në filmin “Larg Barbarëve” me regji të Liri Begesë.
Por jo vetëm kaq. Sepse Piro Mani ka pasur dhe disa përvoja të tjera si aktor, por në teatër. Dhe kjo dashuri e tij, ndoshta vinte për shkak se në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” ai studioi në degën e aktrimit.
Megjithatë, e në të gjitha rastet, Piro Mani ishte ishte një “gjeneral”, i gjallë e i papërmbajtshëm për të hedhur në sulm një divizion apo një korpus me njësi brigadash, ndërsa skena teatrore ishte fitorja më e madhe ndër pushtimet e tij prej regjisori karriere.
Piro Mani prej vitesh i mungonte realitetit shqiptar. Skenës shqiptare gjithashtu, dhe po aq studentëve të degës së dramaturgjisë e regjisurës së bashku, si pedagog i tyre. Jetonte në Amerikën e largët prej së paku njëzetë vitesh. E kishte ndërtuar jetën e tij atje, së bashku me bashkëshorten, aktoren fort të njohur Pavlina Mani, e familjarët e tjerë.
Pavlina Mani dhe Pirro Mani

Por në 3 qershorin e vitit 2021, fiks 50 ditë pasi kishte festuar përvjetorin e tij të 89-të, regjisori i njohur shqiptar do të ndahej nga jeta. Kjo ishte mjaft trishtuese për të gjithë, jo vetëm për ata që i përkasin komunitetit teatror.
Piro Mani prej kohësh kishte marrë të drejtën të cilësohej si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, punoi në Teatrin Kombëtar për 25 vite rresht, duke ngjitur në skenën e këtij të fundit të paktën 80 vepra. Shfaqjet me suksesin më të madh ishin "Arturo Ui", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", “Epoka para gjyqit”, "Nata e 12 -të". Por dhe shumë të tjera pas tyre do të kishin po të njëjtën audiencë: “Fytyra e dytë”, “Përmbytja e madhe”, apo “Monserati”.
Për skenën e Teatrit Kombëtar ai u kthye në legjendë që në të gjallë të tij.
Por Piro Mani kishte pasur dhe një përvojë 8-vjeçare si regjisor i teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, në të cilin u emërua sapo u kthye nga studimet që i kishte kryer në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Sepse në fakt ai ishte nga Korça dhe kishte lindur në këtë qytet plot tradita kulturore, pikërisht  në 14 prill të vitit 1932.
Në karrierën e tij të gjatë profesionale ai është nderuar me shumë çmime dhe mbante titullin e lartë “Artist i popullit”. Njihej si mjeshtër i regjisë, i skenave masive, dhe si njohës i thellë i mizanskenës.
E megjithatë, Pirro Mani nuk ka qenë vetëm një regjisor i Teatrit Kombëtar. Ai ka prekur dhe shumë skena të teatrit dramatik të Shqipërisë, në Estradën e Tiranës, por dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit ku inskenoi disa opera të njohura nga repertori muzikor botëror e ai shqiptar.
Teatri Kombëtar ka njohur disa regjisorë që kanë spikatur fort: Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Fatos Haxhiraj. Por duket se Pirro Mani dhe për shkak të volumit të madh të punës së tij, u identifikua me vetë Teatrin. Në këtë pikë do të citoja kritikun e njohur Josif Papagjonin, i cili në një shkrim të botuar prej tij nën titullin: “Piro Mani është teatri dhe teatri është Piro Mani” mes të tjerash shkruan: “Ai parapëlqente alternimin e gjendjeve emocionale, me kapërcime të papritura e bashkëjetesa të guximshme të seriozes me qesharaken, të tragjikes e dramatikes me grotesken e komiken, të heroikes e të madhërishmes me vulgaren e të ultën”.
-U bëre dhe ti mor brekëgrisur të shash Sali Protopapën dhe t’i thuash: Dil në shesh. Ku je futur more gjysmë opinge?
Pirro Mani do të na mungojë, tanimë si një qenie e gjallë. Sepse skenës së Teatrit kishte vite që i mungonte.
Pirro Mani - regjisor


Dhjeta për të marrë jetën

Nga Leonard Veizi

 
Çfarë është diploma e shkollës së lartë, një mundësi më e mirë për të jetuar, apo një status shoqëror?
.........
Vajza ime nisi provimet e maturës.
Si shumë prindër që prisnin tek dera e gjimnazit për të mësuar sa më shpejt ecurinë e provimit, edhe unë gjeta një bar për të pirë një kafe të gjatë dyorëshe, e për të medituar ca me vete. Sepse fati i mëtejshëm i fëmijëve është shqetësues gjithmonë. Do marrë në testim një notë maksimale, apo thjesht do marrë provimin? Do të vazhdojë universitetin në degën e preferuar, apo kuturu, mjaft që të jetë “me shkollë të lartë”. Qëllon që edhe pse je i përgatitur për një provim, të ngecësh e mos i japësh dot dum, qoftë dhe një pyetjeje të thjeshtë. Ndaj kjo të penalizon.
Ja, këto nisa të mendoj teksa minutat kalonin ngadalë dhe koha në dispozicion të provimit donte dhe ca që të skadonte.
Mendjen e shqiptarit në diktaturë, por dhe shumë vite të tjera pas saj, është formatuar tek ideja se shkolla e lartë është gjithçka. Madje dikur thuhej se ishte pajë martese. Dhe sot që është viti 2021, që fëmijët të mos na “mbesin në derë”, nisim presionin për rezultate sa më të larta, mundësish të shkëlqyera e pa asnjë cen.
Pra duam të prodhojmë fëmijë gjeni.
Por a është e drejtë të vigjilojmë me kaq tendencë mbi fëmijët për të marrë rezultatin maksimal prej tyre?
Paganini e mësoi violinën që në moshën 6 apo 7-vjeçare, pasi i ati, - që i kishte mësuar ca akorde mandoline, -  ia dha veglën në dorë duke i thënë se nuk do të hante drekë pa mësuar t’i binte. Dhe ndërsa vetë mbllaçitej mbi pjatë, dëgjonte tingujt e çjerrë të violinës së të birit, por pa e ftuar të hante, sepse po interpretonte plot gabime. Rezultoi që Nikola u bë virtuoz.
Të themi që ky është një model?
Pra presioni vlen.
Në njëfarë mënyre po, sepse në kohët e sotme, fëmijët për shkakun se kanë lodra multifunksionale në duar, mundësia që të mos i kapin librat me dorë, apo t’i hapin sa për sy e faqe, është e madhe. Dhe një ditë të bukur sheh se jo vetëm nuk ke prodhuar një fëmijë gjeni, por ai është kthyer në një idiot impotent.
Megjithëse, po në kohët e sotme, është e vështirë t’i orientosh fëmijët e për më tepër t’i dhunosh duke u kërkuar patjetër të dalin maksimalisht mirë aq sa të marrin medalje ari.
- Gaqo, iku 10-ta, me katër gabime nuk merr as 8-të, - është një nga batutat e Aishe Starit të estradës së Durrësit tek skeçi: “Mëso për jetën jo për dhjetën”.
Arsimi i lartë duket se të jep ca siguri më shumë, dhe njëfarë statusi shoqëror. Që do të thotë se për shkak se ke bërë ca klasë shkollë duhet të kesh dhe ca mendmë tepër. Për ne si shqiptarë, diploma e shkollës së lartë mbetet guri më i rëndësishëm i gjerdanit në qafë. Nuk e mendojmë dot që fëmijët tanë të mos e kenë një diplomë universiteti. Nuk janë aq të rëndësishme të ardhurat përpara një prestigji që na jep statusi i të qenit “i diplomuar” aq sa para viteve ’90 e njëjta kastë cilësohej: intelektual.
Nëse pas baçelorit ke bërë masterin ndihesh edhe më i sigurtë, paçka se kjo në të vërtetë mund të jetë vetëm një fasadë. Nëse ke bërë dy mastera, padyshim, siguria rritet edhe më. Por këto vlejnë për njerëzit e thjeshtë, të cilët pasi mbarojnë studimet aplikojnë gjithandej për një vend pune, me rrogë bazë.
Bill Gates, fjala vjen, u bë një multi-miliarder që 31 vjeç, por u diplomua 52 vjeç, 30 vite pasi kishte braktisur Harvardin.
A është ky rasti tipik që fëmijët të mos i orientojmë kaq shumë për të pasur një vandak me certifikata e diploma, duke mbetur në këtë mënyrë rob të punës së tyre të thjeshtë e me pak të ardhura?
Në fakt ky është një model, më së shumti amerikan, ku njeriu vlerësohet në bazë të aftësive dhe jo të diplomës.
Ç’është e vërteta, në një vend si Shqipëria me perspektivë të njëanshme apo pa perspektivë të themi, ideja që fëmijët duhet ta shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit po gjallon gjithmonë e më shumë. Dhe që jashtë vendit të mos shkosh më si ndihmës murator apo pjatalarës, mundësia më e mirë është të aplikosh e të marrësh një gjysmë burse nga ndonjë universitet i njohur. Kjo pastaj të hap perspektivën.
Brenda territorit tonë ne kemi një tjetër kod, sepse që të kesh një punë të sigurtë duhet t’i futesh politikës, të biesh në sy dhe në mos kapësh një vend në parlament do të zësh një vend të mirë administratë, se aty ka qoshe boll. Kjo bën që ai i cili ka mbaruar edhe arsimin e lartë edhe masterin e parë shoqëruar nga një i dytë, e me perspektivë për të bërë edhe një të tretë, të shndërrohet në një militant të rëndomtë që partia do ta përdorë si numërues votash në zgjedhjet më të afërta.
Pa dyshim, njeriu do të bëjë gjithfarë punësh në jetë dhe nuk ka pse trembet. Do të bëjë pastruesin e pjatave, do bëjë beton me lopatë në mungesë të makinerisë, do bëjë dhe numëruesin e votave... derisa të gjejë veten. Dhe të gjitha këto mund t’i bëjë duke pasur dhe një diplomë në xhep.
Duhet kuptuar se kamerieri sot duhet me shkollë të lartë, se helbete nuk është si ai i Ushqimit Social që urdhërohej nga klientët: “Robo ma boj nji paçe komësh e m’sill një kanistër buke”. Ai është kamerier që do përballet me turistët e huaj, të cilët e vënë re me një sy cilësinë e shërbimit. Të jesh recepsionist hoteli nuk është si Xha Shaqoja dikur, me syze mbi hundë që të kërkonte pasaportën dhe celebrimin se ndryshe nuk të qaste as te holli.
Pra me shkollë të mesme a baçelor, gjithsesi njerëzit duhet të jenë të arsimuar. Por jo detyrueshmërisht niveli i shkollave duhet të shkojë barabartë me moshën, pra ta fillosh 6 vjeç dhe ta kesh përfunduar shkollimin në moshën 23 vjeçare. Jeta ka treguar që diploma mund të merret në çdo moshë, mjaft të jesh i predispozuar për të
Por si duhen orientuar fëmijët sot për të qenë pjesë e tregut? Të mbarojë juridikun, artet, për histori, letërsi, psikologji... apo duhet shtrënguar ca me qëllim që të ndjekë një nga inxhinieritë, ose atë të ndërtimit, ose atë elektronike, ose mjekësinë tek e fundit që nuk të lë kurrë pa gjë.
Por qëllon që fëmija nuk ka asnjë interes për degën që i rekomandon familja. Si do ia bëjmë në këtë rast?
Askush nuk ka receta të gatshme, për askënd.
E kishim te provimet.
E pra, testet e maturës janë një test i rëndësishëm për të matur forcën e mendjes, por jo se është shpëtimi i jetës edhe nëse del shkëlqyeshëm duke lënë panelin e mësuesve me gojë hapur. Sepse praktika e jetës do të të përballë me një realitet që vështirë se shkolla ta mëson. Dhe në përballje me dallgët e jetës duhet që organizmi të funksionojë si një i tërë për t’i bërë ballë.
Duhet të vigjilojmë mbi fëmijët tanë, por jo t’i diktojmë ata.
Gjithmonë ka kohë për të bërë një shkollë e për të marrë një diplomë.
Isha lehtësuar ca nga emocionet dhe kafeja kishte përfunduar prej kohësh.
Ja këto isha duke menduar teksa vajza del nga dera e shkollës duke më siguruar se testi nuk ishte aq i vështirë dhe se i kishte kryer të gjitha çka ishin vënë në pyetsor.
...domethënë e morëm dhjetën?!
Eh, po duhet marrë dhe jeta...

Wednesday, June 2, 2021

Tushemishti, fshati pa lopë e gomarë, por me taverna e bujtina


Nga Leonard Veizi
 
Në dimër dhe në verë Tushemishti ka turistë. Në ditë të zakonshme apo në fund të javës, fshati është gjithmonë në një gjallëri të vazhdueshme. Vijnë e ikin makina me familjarë, dhe autobusë turistësh.
 
Ishte proverbiale shprehja e teto Ollgës së Stefanit, që la rehatinë e shtëpisë ndërtuar në lagjen karakteristike të Korçës, për të shkuar e për të banuar në një fshat edhe pse në qendër të tij:
-Kanë shitur gomarët, kanë blerë biçikleta e kush e di ç’u duket vetja...
 
...Një film i Kinostudios Shqipëria e Re, prodhim i vitit 1976 pati një jehonë të menjëhershme kur u shfaq në kinema e në televizor më pas. Qoftë dhe në mënyrë propagandistike ai ka paraqitur një fshat me emrin Marenë, 54 kilometra larg nga Korça, që duhej kthyer në një model të fshatit socialist shqiptar.
Pra, fshat me jetë qyteti.
Sepse shenja e barazisë duhej vënë gjithkund.
-E ç'më kapardisesh kështu moj e uruar. Po qytetin fshati e ka pjellë... – do t’i thoshte xha Bakoja, Ollgës së Stefanit, e cila për shkak të miqve të pabesë që e lanë gruan plakë të merrte rrugën e fshatit, donte t’u shiste maranakëve 1000 lekë çiftin e çentrove të thurura me grep.
Ishte mjeshtre Ollga, donte të shiste edhe mend edhe xhepin ta kishte plot.
Sot në Marenën e skenaristit Ruzhdi Pulaha, por dhe të regjisorit Piro Milkani, nuk gjen më asnjë biçikletë për be. Makina “Mercedes Benz” e fuoristrada 4x4 sa të duash. Pra u deshën dhe ca vite të tjera që Marena-Tushemisht të kthehej tërësisht në një vend turizmi e shërbimesh, pa lopë e gomarë por me taverna e bujtina.
-Mos ia vini re shoku Salë, unë erdha të punoj këtu dhe as që më ka shkuar në mendje të largohem, por edhe mamaja nuk e kishte aty, - do ta justifikonte Meli si vajzë të ëmën, Ollgën, përpara sekretarit të partisë së kooperativës.
Ky ishte modeli i kohës. Sidomos kur të transferonin me punë nga një qytet model në një fshat të largët.
Sot kohët kanë ndryshuar. Njerëzit po shkulen nga Tirana për të gjetur një dhomë në Tushemishtin-Marenë, sepse janë të bindur që pikërisht aty, ku edhe nëpër muret e avllive janë të shkruara batutat e filmit, mund të kalojnë ca ditë të paqta, larg zhurmës dhe smogut industrial.
Por ka edhe më, pse po aq shumë të tjerë kanë munduar të ndërtojnë nga një vilë, pasi në Tushemisht, edhe klima është e mirë, edhe ushqimi është bio, edhe liqenin e ke fare pranë, po ashtu edhe pikën turistike të Drilonit që e quajnë dhe Volorekë, por dhe Pogradecin e ke vetëm disa kilometra larg, aq sa nuk ia vlen të nxjerrësh makinën nga garazhdi, por të shkosh në këmbë duke bërë dhe shëtitjen buzë liqenit që të sjell aq freski.
-Zonjë, - do t’i drejtohej Ollgës gjithë reverancë Sotir Bakërxhiu, që pretendonte se ishte mësuesi më simpatik i zonës, - ditët edhe mund t’i vrisni njëfarësoj  kështu, por netët... për nder ua qaj hallin. Dhe ku ja u gjetën...
-E mor bir, po ne jemi dhe me biografi të mirë, - do të ngrinte supet Ollga.
Edhe po të mos ishte Teto Ollga, Meli, Koçi, Tirka, e të tjerë si këta, Tushemishti, fshati ku është realizuar një pjesë e mirë e filmit legjendë “Zonja nga qyteti” por dhe e pasardhësit të tij “Shoqja nga fshati”, sërish ishte një fshat shumë interesant.
Filmi në të vërtetë sa i dha një emër të ri Tushemishtit dhe ngriti në një shkallë më të lartë të gjithë aktorët që luajtën në të, duke filluar nga Violeta Manushi, e për të kaluar me radhë: Stavri Shkurti, Vasillaq Vangjeli, Piro Kita, Raimonda Bulku, Pandi Raidhi, Valentina Caci, Sotiraq Bratko, etj.
 

***
Fshati Tushemisht, i cili është pjesë e komunës Buçimas, ndodhet shumë pranë kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe vetëm 2 kilometra nga pika doganore e Tushemishtit ngrihet manastiri i Shën Naumit, gjithashtu në tokë shqiptare, por që prej vitesh administrohet nga shteti fqinj.
Fare pranë Tushemishtit ndodhet dhe pika turistike e Volorekës, apo siç emërtohet ndryshe Parku Kombëtar i Drilonit. Pra mundësitë që të shëtisësh e të mos qëndrosh më kot në një tavolinë kafeneje, janë të mëdha në këtë zonë turistike.
Që të shkosh në Tushemisht, nga Tirana janë 129 kilometra, e cila sipas google maps të kushton 2 orë e 34 minuta. Ndërkohë që deri në qendër të Pogradecit janë 124 kilometra të cilat me një shpejtësi mesatare të përllogaritur nga kompjuteri bëjnë 2 orë e 21 minuta rrugëtim në timon. Sipas kësaj llogarie nga qendra e Pogradecit deri në qendër të Tushemishtit, duke marrë rrugën “Dëshmorët e Pojskës”, janë në dispozicion 5.9 kilometra të cilat bëhen me makinë për rreth 13 minuta.
Dhe ja ku mbërrite.
Me të paktën 100 shtëpi e më shumë se 500 banorë, fshati Tushemisht është ndërtuar në një lartësi prej 695 metrash nga niveli i detit, po aq sa është edhe Liqeni i Ohrit. Natyra është piktoreske. Njerëzit janë të qetë e mikpritësa. Ndërsa qenësia e fshatit pranë liqenit e bën gjithçka të jetueshme mirë.
Kushdo që ka shkuar për herë të parë në Tushemisht, gjithmonë ka pasur interes të shohë shtëpinë ku jetonte teto Ollga me Melin e Shpresën, oazin me ujë të kthjellët para shtëpisë, kanalin ku Malo u zhyt bashkë me letrat që kish në çantën e postës dhe Vatrën e Kulturës me shkallët e thepisura, ku bëheshin provat e estradës amatore dhe jepeshin koncerte për fshatarët e lodhur nga punët e bujqësisë.
Sapo mbërrin në qendrën e fshatit prej vitesh tanimë, do të ndeshesh me Ollgën në bronz, një shtatore e Violeta Manushit, nën petkun e një prej roleve më interesant të saj. Dhe nuk besoj që ka ndonjë shqiptar apo turist të huaj, që nuk e ka bërë një fotografi pranë saj.
Ndërsa Vatra e Kulturës në fakt është kisha e Shën Pandelimonit. Revolucioni kulturor kinez i pasqyruar dhe në Shqipëri, qoftë dhe me tjetërsimin e kulteve fetare ose në vatra kulture ose në depo drithi. Por kjo fushatë ishte jetëshkurtër dhe për hir të Zotit përfundoi shpejt, e kultet fetare rimorën sërish funksionet e tyre.
Në territorin e kësaj kishe ende gjenden dy lapidarë, njëri prej të cilëve na kujton Luftën e Dytë Botërore, ku shkruhet “Lavdi dëshmorit Todi K. Lushka, 1920–1944”. Në lapidarin tjetër, po në të njëjtin territor shkruhet ky përkushtim: “25 maj 1928. Në kujtim të patriotit mësues Dhimitër Misha vrarë për shkronjat shqipe nga shovinistët serb”. Për nder të tij edhe shkolla fillore e Tushemishtit mban emrin “At Dhimitër Misha”.
Dhe në Tushemisht historia mbetet e respektuar. Në një tjetër shtëpi, pak më larg se qendra e fshatit, në mur ka mbetur i njëjti pllakat i vendosur që ndoshta 50 apo 60 vite më parë, ku shkruhet: “Bazë ilegale gjatë LANÇ - Naum Vani Mitllari”. Padyshim, kjo është dhe një pikë kyçe e kulturës së këtyre njerëzve. Një tjetër vlerë. Sepse ka ndodhur, që këto pllakate të jenë thyer, dëmtuar dhe zhdukur. Por në Tushemisht asgjë e së kaluarës nuk është zhbërë.
 

***
Në dimër dhe në verë Tushemishti ka turistë. Në ditë të zakonshme apo në fund të javës, fshati është gjithmonë në një gjallëri të vazhdueshme. Vijnë e ikin makina me familjarë, dhe autobusë turistësh që në guidën e tyre e kanë dhe qëndrimin disa orësh në këtë pikë turistike.
Nëpër çdo portë para oborrit, do të gjesh mallra vendase të cilësisë së parë, për shitje. Gjen trahana, petka, rosnica, oshafe nga të gjitha llojet e frutave dhe uthull molle. Por gjen dhe verë të bërë vetë. Sepse e gjithë zona e Pogradecit, e ka në kulturën e saj të hershme prodhimin e verës për nevojat e familjes dhe tepricat dalin në shitje.
Ndërkohë nëpër rrugica gjen dhe gjithfarë orendish të vogla e bizhuteri dhe suvenire, ku shumica e të cilave kanë të stampuar foto me personazhe nga të filmit “Zonja nga qyteti”. Dhe nuk mund të ikësh nga Tushemishti pa marrë një suvenir të tillë, dhe pa ngarkuar bagazhin e makinës me “mallra vendi”.
Por nga Tushemishti nuk mund të ikësh pa provuar specialitetin ose një peshk koran, nga më të rrallët në Evropë, ose një lakror në saç.
Në një vështrim të parë, në Tushemisht do të ndeshesh me shtëpitë karakteristike, të ndërtuara me gur, me rrugët dhe rrugicat e shtruara me kalldrëm, ku vështirë se mund të prekësh ndokund baltë.
Fshati duket i rimodeluar dhe vazhdon të ketë kërkesa për ndërtime të reja vilash të cilat më shumë se sa për jetesë të përditshme, përdoren për në fundjavë dhe sidomos për ditët e nxehta të verës, ku netëve nuk duhet të përdorësh kondicionerin që të zbusësh vapën, por të duhet të flesh me një batanie që të mos mërdhish nga freskia.
Padyshim, po aq pikë atraktive Tushemishti mbetet dhe në ditët kur zona mbulohet nga dëbora. Dhe nuk të ngroh kondicioneri, por një vatër ku zjarri kërcen mbi me kërcunjtë të trashë është melhem për të ftohtin e mesnatës.
Në këtë mënyrë, Tushemishti, mbetet një nga pikat më atraktive të turizmit shqiptar, i gatshëm të presë shumë herë më tepër turistë se sa mund të mbajnë në të vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka është ndalur këtu. Puna për rregullimin e mëtejshëm të fshatit model vazhdon.
Por në Tushemisht veç shtëpive karakteristike janë bërë dhe ndërtime të reja me arkitekturë moderne të cilat ofrojnë më shumë komoditet si në restorant ashtu edhe në dhoma. Gjithsesi ai që shkon në Tushemisht, shkon për të gjetur Tushemishtin. Po ashtu si ai që shkon në Voskopojë për të gjetur Voskopojën. Sa për ndërtime moderne me ashensorë e tualete luksi, fort mirë mund të stacionohesh në qytetin e Pogradecit ku gjen gjithfarë mundësish.
Të gjithë ata që shkojnë në Tushemisht kanë si qëllim të vetmen gjë, të gjejnë aty atë që nuk e gjejnë dot në Pogradec.