Friday, September 30, 2022

Përroi kanceroz që ndan kapterët e ushtrisë me “civilët e pastërtisë”


Nga 
Leonard Veizi
 
Edhe për këtë vit sezoni veror u mbyll. Me shi.
Por a ishte i suksesshëm ky sezon, përsa i përket turizmit e plazheve?
Padyshim, si gjithmonë ai u mbyll me sukses të plotë dhe me urimin që vitin tjetër do të jetë edhe më i mirë se kaq.
-Mot më mirë, me Shqipëri të lirë!
Duke bërë bilancin e sezonit turistik, kryeministri shqiptar tha se jo vetëm ishte më i mbari nga fluksi, por edhe nga pastërtia. Dhe kur e thotë kryeministri duhet besuar.
-Të vërtetën kam folur nuk kam gënjyer si ca.
-Pse kush ka thënë të rreme... Mbaj gojën djalë se jemi mes burrave që na njohin të dyve se kush jemi...
Nga Velipoja deri në Ksamil, Shqipëria është e pasur me një vijë bregdetare të mrekullueshme e plazhe pafund. Dhe këtu një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhe... Perëndia. Se mos ndokush mendon se është Qeveria?! Çne qeveria moj, çne qeveria...
-Në shtëpinë e tyre nuk pranojnë nuse dosido, si bie fjala puna tënde që jeni 10 fëmijë. Çne ty moj, çne ty, – do të thoshte i shkreti Jovan Bregu, me siguri nga përtej bregut.
Njeriu është shfrytëzues i pamëshirshëm i saj, por qeveria mbledh të mirat materiale përmes taksave.
Por gjithsesi situata në plazhet shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm. Dhe në fakt ashtu është, të mos i biem në qafë kot qeverisë.
-Ç'hyn patrulla këtu? Patrulla bëri detyrën, duhet përgëzuar...
Por gazetarët kanë një të keqe të madhe, shohin të keqen dhe atje ku nuk ka. E bëjnë dhe qimen buall.
Të më ndjeni që dhe kur shkoj me pushime jam i destinuar të shoh dhe t’i jap vlerë anës negative, duke u motivuar nga postulati: “Lajmi i mirë është një lajm i keq”. Por kam tendencën që ta rregulloj këtë bilanc me veten time. Po përmirësohem. Ashtu si Bequa i “Kapedanit”.
-Marr angazhim që sot e tutje të mos shoqërohem më me të!
Është vështirë të bësh pushime duke qenë dhe nën presionin e lajmeve. Me një edukatë të hershme detyre që gazetari është 24 orë në shërbim, e s’ka një ditë pushim, më është dashur ta mbaj celularin ngrehur, për regjistrime e për të mbajtur shënime në faqen “notes”.
E ç’t’u them më... Kështu dhe në rastin konkret.
Me gjithë hapat gjigant që ka hedhur përpara, - ku qeveria thotë se peshën kryesore e ka ajo vetë, - plazhi shqiptar ka qyfyre pa fund. Sepse kur nis të bësh një shëtitje nëpër territorin e plazhit, veç kënaqësisë që të jep natyra e të relakson, gjen dhe plot elementë të kritikueshëm lehtë, por me ca të tjera mund të të zënë të qeshura sa të të dhembin bulçitë.
-Qeshni ju tani, por do të qesh dhe unë me ju...
Këtë herë, - duke anashkaluar gjithfarë taverna çingiesh me këngë terrorizuese për pijanecë dhe kakofoninë muzikore ngaqë lokalet dhe orkestrat janë pranë njëri-tjetrit, - mbresa të vërteta më la një përrua kanceroz.
-Ju hoqët nga gjiri i Europës një lumë kanceroz...
Në fakt po flasim për një përrua. Se lumin e hoqi një tjetër. E kisha harruar me thënë të drejtën. Nuk e dija madje që ekzistonte ky përrua kanceroz, sepse kam menduar se tek e fundit është mbuluar.
Ti shkon në plazh për të shijuar ditët e fundit me diell të shtatorit dhe kujtohesh të fokusosh me objektivin e kamerës - që tanimë çdokush e ka me vete - dhe në vend të bësh selfie si gjithë dynjaja, regjistron një kanal ujërash të zeza, ku të zë kolera e kanceri bashkë.
-Në Luaras ka rënë kolerë, nxirrni shpallje, - urdhëroi një herë e një kohë kajmekami i Ersekës.
Kisha menduar se plazhi i Durrës-Golemit ishte pastruar nga kanalet e ujërave të zeza. Dhe ato përveçse ishin futur nëpër tuba, përpunoheshin për të mos ndotur më detin dhe ambientin.
Por jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve.
-Del një dru i shtrembër e prish stivën.
Nuk flas për dhomat e luksit me nga 100 euro nata ku nuk flenë dot shqiptarët e thjeshtë por vetëm ata të përbërë... Nuk po trumbetoj hotelet e ngritur pranë detit, që të servirin dhe qumësht dallëndysheje. Le që kujt i bie në mend qumështi i dallëndyshes. Këtu flasim për një zonë moçalore të ndotur, që përdoret si VC nga pushuesit, në emergjencë e sipër, e ku ngordhin edhe zhabat e vetë moçalit. Dhe kanali është në një zonë nevralgjike e që njihet nga shumica. Ai ndan zonën e plazhit civil me atë ushtarak, gjë që e bën edhe më të komplikuar situatën.  Se ne themi që po investojmë për ushtrinë. Po heqim armët e vjetra dhe po blejmë helikopterë të përdorur.
Përroi rrjedh i qetë pranë vendit të quajtur “Shkëmbi i Kavajës” mes konvaleshencës së uniformave kaki, që në kufirin me një rrjetë teli modeste ka varur kudo tabelat “Ndal Zonë Ushtarake”.
U pika zonës ushtarake!
Demek, aty shullëhen në diell nga rreshterët e kapterët deri te gjenerali i brigadës. Të gjithë kanë hequr gradat dhe marrin rrezet e diellit me brekë. Dhe ca më tutje kanali i ujërave të zeza që të çan hundët me erën e acidit etj...
Hajd se mban ushtria! Nuk donte me ia dit as kur i pushkatuan ministrin dhe shefin e shtabit, e jo më tani që kemi "7 kamiona për 23 bataliona".
-Po ky është kamion ushtarak mo xhaxha.
-Hë se ushtarakë jemi të gjithë tani.
Batuta e filmit “Ballë për ballë” merr më shumë vlerë në këto ditë lufte. Edhe këta tanët edhe ata të Ukrainës i përqendruan forcat në një mobilizim kundër ushtrisë ruse. Epo këto janë fate historike, me ato s'kemi punë se nuk i ndryshojmë dot. Puna është si të rregullojmë këto që kemi në dorë.
Për civilët që bëjnë plazh në një vend të tillë është edhe më keq. Se si mund të bësh plazh, të zhgërryhesh në rërë dhe të lahesh në det, në një zonë aq të ndotur, vetëm ata e dinë.
Ky lloj vëzhgimi nuk ka aspak për qëllim denigrimin e turizmit tonë masiv. Se pastaj mund të më fusin në kallëpe të tjera e të më akuzojnë se bëj agjitacion e propagandë për të dëmtuar atë që mezi e kemi ndërtuar me aq mund.
-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne, – do të thoshte Tarja i “Përballimit”.
Ashtu them dhe unë në fakt.
 
 

Wednesday, September 28, 2022

Në Muzeun Metropolitan, aty ku ndesh 5 mijë vjet art nga 5 kontinente


 Shënime udhëtimi
 
Shqipëria përfaqësohet me stendën “Thesari i Vrapit”


Nga Leonard Veizi
 
Nëse shkon në Paris të sugjerojnë të shohësh Muzeun e Luvrit se do të mbetesh pa mend nga arti vizual. Nëse shkon në Londër duhet të shohësh British Muze që të mësosh historinë e botës. Por nëse shkon në Nju Jork medoemos duhet të shohësh Art Metropolitan...
 
...Vizita në një prej qendrave më nevralgjike të Nju Jorkut, pikërisht
në Muzeun Metropolitan të Artit, është befasuese. Nuk është se e them unë, apo vetëm unë. Madje unë mund të jem i fundit që evidentoj një fakt të tillë.
Muzeu Metropolitan i Artit u themelua në vitin 1870 me misionin e tij për të sjellë artin dhe edukimin përmes artit të popullin amerikan. Por ndërtesa e “Fifth Avenue” u hap më 30 mars 1880. Ndërtesa e Muzeumit u projektua nga Richard Morris Hunt dhe u përfundua në vitin 1902.
Befasuese është ajo çfarë sheh, por befasuese është dhe kur informohesh se në këtë Muze kaq impresionues punojnë dhe 7-8 shqiptarë të cilët mundohen me të gjithë dëshirën e tyre të të orientojnë që për një kohë relativisht të shkurtër të marrësh një informacion të gjerë. Dhe meqenëse do të të duhet edhe të regjistrosh diçka edhe të bësh ndonjë foto, një pjesë e informacionit rrjedh ndaj për çdo rast i drejtohem dhe referohem faqes zyrtare: “metmuseum.org”
Nëse në shumë muzeume të Evropës, -  duke futur këtu edhe Muzeun Historik Kombëtar si më i rëndësishmi i në Shqipëri – nuk të lejojnë të bësh foto, se helbete, mos nxjerrësh ndonjë sekret jashtë gardhit, - në Muzeumin Metropolitan mund të bësh foto dhe të regjistrosh pa teklif. Ai është krejt i hapur ndaj publikut. Me sa duket amerikanët nuk vuajnë nga ideja iracionale e nxjerrjes së sekreteve.
Muzeu Metropolitan i Artit, shkurtimisht me emrin “MET”, është muzeu më i madh dhe më gjithëpërfshirës i artit në qytetin e Nju Jorkut dhe një nga më kryesorët në botë. Koleksioni i tij i përhershëm përmban mbi dy milionë vepra, të ndarë në 17 departamente kuratoriale.
Ndërtesa kryesore ngrihet në 1000 Fifth Avenue, në skajin lindor të “Central Park” në “Upper East Side” të Manhattanit.
Fill pasi ke hyrë në ambientet e brendshme të tij, ku ke paguar së pari një biletë hyrëse prej 25 dollarësh, informohesh se vizita në të gjitha ambientet, me një shikim jo të vëmendshëm do të të kushtojë një ditë të plotë. Dhe nëse do ta marrësh me nge, do të të duhen dy ditë të plota.
“MET” prezanton mbi 5000 vjet art nga e gjithë bota me qëllimin që gjithkush ta përjetojë dhe ta shijojë gjithçka ekspozohet në pavijonet e tij. Miliona njerëz të tjerë, në pamundësi për ta vizituar nga afër, gjithashtu i drejtohen internetit për t’u njohur me objektet e këtij Muzeu të magjishëm.
Muzeu është i ndarë dhe qëndron në tre vende ikonike në qytetin e Nju Jorkut:  “Met Fifth Avenue”, “The Met Breuer” dhe “The Met Cloisters”.
Që kur u themelua në 1870, “Met” ka aspiruar gjithmonë të jetë më shumë se një thesar i objekteve të rralla dhe të bukura. Çdo ditë, arti gjallërohet në galeritë e Muzeut edhe përmes ekspozitave dhe ngjarjeve të tjera artistike, duke zbuluar ide të reja dhe lidhje të papritura në kohë e në kultura.
Në deklaratën e misionit thuhet se: Muzeu Metropolitan i Artit mbledh, studion, konservon dhe prezanton vepra të rëndësishme arti në kohë dhe kultura në mënyrë që të lidhë të gjithë njerëzit me krijimtarinë, njohuritë, idetë dhe njëri-tjetrin.
Koleksioni i përhershëm i muzeut përbëhet nga vepra arti nga antikiteti klasik dhe Egjipti i lashtë, piktura dhe skulptura nga pothuajse të gjithë mjeshtrit evropianë dhe një koleksion i gjerë i artit modern amerikan.
“Met” mban objekte të artit afrikan, aziatik, oqeanian, bizantin dhe islam. Muzeu është qendra e koleksioneve enciklopedike të instrumenteve muzikore, kostumeve dhe etnografisë, si dhe armëve antike nga e gjithë bota.
 
Arti Mesjetar dhe Manastiret
Arti bizantin gjendet në ndërtesën kryesore, në Galeritë 300, 301, 302 dhe 303. Koleksioni i Muzeut i artit mesjetar dhe bizantin është ndër më gjithëpërfshirëset në botë. Koleksioni përfshin artin e Mesdheut dhe Evropës nga rënia e Romës në shekullin e katërt deri në fillimin e Rilindjes në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ai përfshin gjithashtu vepra arti evropiane para mesjetare të krijuara gjatë epokës së bronzit dhe epokës së hershme të hekurit.
 

Arti grek dhe romak
Koleksioni i artit grek dhe romak i Muzeut përfshin më shumë se tridhjetë mijë vepra që variojnë nga periudha neolitike (rreth 4500 p.e.s.) deri në kohën e konvertimit të perandorit romak Konstandin në krishterim në vitin 312 pas Krishtit. Ai përfshin artin e shumë kulturave dhe është ndër më gjithëpërfshirëset në Amerikën e Veriut. Rajonet gjeografike të përfaqësuara janë Greqia dhe Italia, por jo aq të kufizuara nga kufijtë politikë modernë: kolonitë greke u krijuan rreth pellgut të Mesdheut dhe në brigjet e Detit të Zi dhe Qiproja u helenizua gjithnjë e më shumë. Për artin romak, kufijtë gjeografikë përkojnë me zgjerimin e Perandorisë Romake. Departamenti gjithashtu ekspozon artin e Greqisë parahistorike (dhe artin pararomak të popujve italik, veçanërisht të etruskëve.
 
Armët dhe forcat e blinduara
Qëllimet kryesore të Departamentit të Armëve janë të mbledhë, të ruajë, të hulumtojë, të publikojë dhe të ekspozojë shembuj të dalluar që përfaqësojnë artin e armatimit, shpatarit dhe armëbërësit. Armët dhe forca të blinduara kanë qenë një pjesë jetike e pothuajse të gjitha kulturave për mijëra vjet, thelbësore jo vetëm në pushtimin dhe mbrojtjen, por edhe në shfaqjet e gjykatave dhe ngjarjet ceremoniale. Gjatë gjithë kohës, armatimet më të mira kanë përfaqësuar aftësitë më të larta artistike dhe teknike të shoqërisë dhe periudhës në të cilën janë krijuar, duke formuar një aspekt unik të historisë së artit dhe kulturës materiale. Koleksioni “Met” i armëve dhe armaturave është një koleksion modern, i formuar përmes aktiviteteve dhe interesave të kuratorëve, administruesve të besuar, koleksionistëve privatë dhe donatorëve gjatë 125 viteve të fundit. Koleksioni përfshin rreth katërmbëdhjetë mijë objekte, nga të cilat më shumë se pesëmijë janë evropiane, dymijë janë nga Lindja e Afërt dhe katërmijë nga Lindja e Largët. Është një nga koleksionet më gjithëpërfshirëse dhe më enciklopedike të këtij lloji.
 
Piktura evropiane
Koleksioni i famshëm i pikturave evropiane të Met përfshin më shumë se 2500 vepra arti nga shekulli i trembëdhjetë deri në fillim të shekullit të njëzet. Përveç galerive të departamentit, fotografitë varen në Koleksionin Robert Lehman, Koleksionin e Jack dhe Belle Linsky dhe në galeritë e tjera të departamenteve në The Met Fifth Avenue, si dhe në The Met Cloisters. Përveç kryeveprave individuale nga artistë të ndryshëm si Jan van Eyck, Caravaggio dhe Gustav Klimt, The Met posedon një shfaqje të pasur të artit të hershëm italian dhe verior, së bashku me një nga koleksionet më të mëdha në botë të pikturave holandeze të shekullit të shtatëmbëdhjetë, duke përfshirë vepra të jashtëzakonshme nga Frans Hals, Rembrandt dhe Johannes Vermeer. Zonat e Muzeut të El Greco dhe Goya janë më të mirat jashtë Spanjës. Galeritë e saj të pikturave franceze të shekullit të nëntëmbëdhjetë janë të dytat pas muzeumeve të Parisit, duke paraqitur në thellësi artin e Gustave Courbet, Edgar Degas, Edouard Manet, Claude Monet, Paul Cézanne, Vincent van Gogh dhe të tjerë.
 
Thesari i Vrapit, Shqipëri
Në këtë muze gjigant, emri i Shqipërisë përmendet vetëm në një stendë minimaliste, ku janë vendosur disa punime nga periudha bizantine, të cilat janë gjetur në fshatin Vrap pranë Tiranës.
Grumbullimi i objekteve të metaleve të çmuara njihen si “Thesari i Vrapit”. Thesari përfshin një numër enësh ari dhe argjendi dhe një numër i madh zbukurimesh të praruara, kryesisht pajisje rripash. Materiali i sugjeruar për lexim të informon se autorësia e këtij kompleksi vazhdon të jetë e panjohur: cilësia e lartë e shumë pjesëve do të bënte të mendohej në bizantin, por disa veçori kanë treguar më shumë drejt një punishteje avare që ndoshta do ta kishte bërë atë gjatë shekujve VII ose VIII të erës sonë. Midis pjesëve të këtij thesari ka disa kupa të arta, njëra prej tyre ka simbolet e personifikimit të Romës dhe Kostandinopojës. Ndërsa koha dhe natyra e saktë e zbulimit të tyre duket të jenë të panjohura, thesari ka qenë në pronësi të Xhon Pierpont Morgan deri në vitin 1917, pas së cilës ai ia dha Muzeut Metropolitan të Artit në qytetin e Nju Jorkut, ku tanimë janë të ekspozuara në Galerinë 301.
 
Vizatimet
Koleksioni i gjerë i veprave në letër të Departamentit përfshin afërsisht 21,000 vizatime, 1,2 milion printime dhe 12,000 libra të ilustruar të krijuara në Evropë dhe Amerikë nga viti 1400 deri në ditët e sotme. Për shkak të natyrës së tyre të brishtë dhe ndjeshmërisë ndaj zbehjes dhe zbehjes, punimet në letër mund të ekspozohen vetëm për periudha të shkurtra në të njëjtën kohë (afërsisht tre muaj) në kushte ndriçimi të kontrolluara me kujdes.
 
Maska e Linkolnit dhe piktura e Uashingtonit
Në Muze ndeshesh me maskën e Abraham Linkolnit. Por në ambientet e saj mund të gjeni një nga imazhet më të njohura në artin amerikan, më sipërfaqe më të madhe në këtë muze - 378.5 cm × 647.7 cm – që titullohet "Washington Crossing the Delaware" të Emanuel Letsit, prodhuar në vitin 1851, e cila është ekspozuar në Galerinë 760
 
Arti Amerikan
Që nga themelimi i tij, Muzeu ka marrë shembuj të rëndësishëm të artit amerikan. Një "pavijon amerikan" i veçantë për të shfaqur artet e shekullit të XVII deri në fillim të shekullit të XIX u hap në 1924. Sot, koleksioni gjithnjë në zhvillim përfshin rreth 20,000 vepra arti nga burra dhe gra afrikano-amerikane, euro-amerikane, latino-amerikane dhe amerikanë vendase. Duke filluar nga periudha koloniale deri në periudhat e hershme-moderne, vëmendja përfshin pikturën, skulpturën, veprat në letër dhe artet dekorative—duke përfshirë mobilie, tekstile, qeramikë, qelq, argjend, punime metalike, bizhuteri, shporta, qëndisje me rrota dhe rruaza—si dhe brendësinë historike edhe fragmente arkitekturore.
 
Informacion miks
Në një pavijon të Muzeut Metropolitan të Artit janë ekspozuar vetëm enë ari dhe argjendi. Ndërsa një pavijon tjetër përmban gjithfarë veglash muzikore ku gjendet edhe një piano e veçantë e Bethovenit. Kjo piano është e punuar që një tast të godiste dy tela me qëllim që tingulli të ishte më i lartë. Konstruktori i pianos e ka bërë të tillë meqenëse Ludvik Van Bethoven kishte probleme të theksuara me dëgjimin.
 
Epilogu
Dhe kaq mundëm të merrnim nga ky koleksion i jashtëzakonshëm, pas një vizite, që mund ta konsideroj të shkurtër, dhe për shkak të kohës së shkurtër të qëndrimit në Manhatenin Nju Jorkez të Shteteve të Bashkuara.



Friday, September 23, 2022

Kriza e dushit që shpalosi budallallëkun njerëzor


Nga Leonard Veizi
 
Putini e ka bërë Evropën të flasë me vete. Jo se do fillojë luftën bërthamore, por se ka mbyllur rubinetin e gazit. Dhe kjo ka sjellë frikë sa s’thuhet. Por ka sjellë dhe një hare të madhe mes njerëzish. Dhe hareja njerëzore vjen nga budallallëku njerëzor.
Ajnshtanji thoshte: Vetëm dy gjëra janë të pa kufij, universi dhe budallallëku njerëzor...
Nëse një anëtare e kabinetit të një shteti jo fort të zhvilluar ballkanik siç është Shqipëria tha se për të kursyer energjinë rrobat duhen larë me 30 gradë, një homologe e një shteti të zhvilluar si Zvicra shkoi edhe më tej duke rrëmbyer stafetën. Edhe kur flitet për krizë, që nuk vjen nga ne por është e importuar, duket më e lehtë çështja. Në këtë pikë, budallallëkut tonë, na i erdhi në ndihmë edhe një budallallëk i importuar. Dhe kur na vijnë nga importi ne na pëlqen sepse përsëri konsiderohet mall i huaj, nga jashtë shtetit. “Made in Europa”.
Parë nga ky këndvështrim Zvicra mori mjaft pikë të vlefshme duke na spostuar në budallallëkun ku kemi rënë. Sepse mendonim që vetëm ministret tona thoshin thagma. Ndërkohë që zvicerania ia dha pallmës: lahuni bashkë që të kurseni energjinë.
-Ku Sotiri e ku Shekspiri, - do të thoshte kunata e shokut Apostol tek filmi “Edhe kështu edhe ashtu”.
Që e ardhur në kontekst do të thotë: Ku lavatriçja me rroba të palara e ku larja masive nëpër dushe.
Të kuptohemi drejtë, nuk besoj se e ka pasur idenë që të lahemi me komshinjtë, por ja ashtu si familje, të gjithë në një vaskë, me djalë e me nuse, me nipër e me mbesa.
Mirëpo nuk do të thotë që në emër të kursimit të energjisë të dëgjojmë gjithfarë thagmash, ca perverse e ca gjysmë të tilla.
Se dhe në diktaturë, ku kishim dushe me vajguri, e të sajuara vetë, dhe ujin me orar, laheshim një e nga një. Partia nuk nxori asnjë qarkore për larje me tufa. Nëse donte të kursente energjinë, thjesht ulte çelësin e të linte në errësirë ashtu gollomesh. Por që të laheshim në masivitet, këtu na i ruajtën nderin dhe namuzin.
Çështja është te mungesa e energjisë në netët e mëtejshme. Vera e nxehtë dhe me ditët e gjata shtyhet, lahesh edhe me ujë të ftohtë dhe kalit trupin, por dimri është i vështirë pa ngrohje.
-Të kishte bërë një banjë. Të shkoj ta ndez dushin?
-Pse mos mbaj gjë era vathë?
Sentenca e shkëputur nga filmi “Dritat e qytezës” m’u kujtua teksa lexoja gjithfarë komentesh rreth mungesës së ardhshme të energjisë dhe këshillave të njerëzve me pushtet që më dilnin para syve çdo çast. Demek, asokohe të luteshin të bëje dush. Tani të kërcënohen: ndize po ta mbajti!
O ju shpëlaftë...
Putini po e bën Evropën, të dalë nga vetja e të flasë budallallëqe me okë. Përditë burra shteti dhe gra shteti, japin konsulta falas se si mund të kursehet energjia.
-Fikni kondicionerët e bëni dashuri që të nxeheni!
Ja një këshillë që ia vlen. Mirë ata që ia dalin se u punon pompa, po ata që s’ia dalin dot... si i bëhet? Apo të kallkanosen nga temperaturat minus?!
Flisni jerm, flisni!
Dimri s’ka filluar ende, por këshillat po vazhdojnë bashkë me thagmat që e ngrenë stekën çdo ditë. E gjithë kjo fushatë bëhet që nesër të mos thotë njeri: s’dinim gjë.
Ne si shqiptarë i thërrasim kujtesës dhe dimë ta shtyjmë me pako gjë. Po si do t’ia bëjnë ata të Evropës Perëndimore se?
Domethënë, kur të japin mend se rrobat duhen larë me 30 gradë, duhet marrë si komandë dhe s’ke pse bën të zgjuarin duke kundërshtuar: jo po duhet 90 gradë se nuk ikin njollat. Kur thuhet se dushi duhet përdorur një herë në javë, sërish mund ta marrësh në konsideratë, sepse tek e fundit nuk po punon si shoku Salë në sektorin e blegtorisë.
-E zeza grua thuaj, si ia del me të larë, si e fut në dyshek...
Shumica e njerëzve sot punojnë përballë një kompjuteri. Jetohet edhe po të lahesh si një herë e një kohë. Se shumëkush nuk e ka harruar që laheshim të shtunave, ashtu si garnizonet romake të luftës, rregull i vendosur këtu e 2000 vjet më parë.
Në fund të fundit ne 20 vjet kemi që kemi vënë kondicionerët. Se ngroheshim me shkarpa e qymyr. Edhe furnelën e vajgurit e ndiznim në banjë për të bërë gjellën e drekës. Pavarësisht se tani kemi soba me taç. Por po t’i thërrasim kujtesës, nisim e bëhemi të ndërgjegjshëm se me fushata kursimesh kemi kaluar 45 vite jetë socialiste. E ç’u bë se kursyem edhe një dimër?!
-Se nga pranvera, thonë që do shporret dushmani. Do çlirohemi.
Dhe po u fut Ushtria e Kuqe në kazerma, edhe Putini do lirojë dorën. Do ta hapi atë të shkretë rubinet që ta shpëtojë Europën nga të ftohtët dhe nga budallallëku njerëzor.
Sepse njeriu, në panik e sipër, sado i mençëm me qenë, thotë budallallëqe.
Europianët janë të terrorizuar nga mungesa e supozuar e energjisë. Dhe s’kanë faj. Sepse shqiptarët si mesdhetarë që janë ia hedhim paq dimrit. Por në veri të Evropës ku ditët me diell konsiderohen si kreshme, jeta pa energji është si nata kozmike. Ec e ec e s’ka të sosur.
Ndaj evropianët po mundohen të nxjerrin gjithfarë mënyrash, për të shkuar te qëllimi kryesor, që me pak energji të bëjnë një jetë të pëlqyeshme.
Mbase ia dalin?!
Mbase u bie më mirë të kursejnë energjinë duke larë rrobat me 30 gradë e duke u larë bashkërisht në dush, se sa të presin t’i bjerë inati Putinit.
Ore, vërtet na ka hipur kaq shumë tangërllëku. Nuk i bëjmë dot dy ditë pa larë. Se helbete, jemi pastërtorë të mëdhenj. Dhe na duhet ujë dhe energji pa fund. Ka edhe më thjeshtë. Mos u lani fare more, gjithë dimrin, deri sa të dalë sythi e të vijë vera. Ngrohuni me batanije mo se nuk u bë qameti, deri sa të dalë sythi e të hapet koha. Se jemi mësuar me temena të mëdha këto vitet e fundit.
Thuhet se Zoti kur e pa që njeriut i hipi vetja në qejf i futi ca ditë shi dhe e niveloi majën e malit me ujët e detit. Inshallah nuk e kemi zemëruar aq sa t’i fusë një të shkundur tjetër. Me sa duket këtë herë ka lënë Putinin të na trembi ca.
Si përfundim, cili është morali i fabulës, kur një Evropë e tërë mendon se do kallkanoset nga dimri: asgjë s’ka të bëjë me energjikë, ka të bëjë me budallallëkun.

Friday, September 16, 2022

Mrekullia e Durrësit, një botë antike poshtë asaj moderne



Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Nëse do të gërmosh pak në tokën e Durrësit, me shumë gjasa do të ndeshësh në mure të lashta, në ndonjë amforë a enë balte, e ndoshta dhe në ndonjë relike më me vlerë se kaq. Poshtë Durrësit të ri, sa në tokën bregdetare po aq dhe më në thellësi të detit, shtrihet Epidamni, apo Durrahu
Edhe pse një qytet modern, bota antike e Durrësit është përveçse e mistershme dhe shumë e magjishme...
 
...Tanimë mund të thuhet se Durrësi është një qytet ku nuk e kupton mirë në jeton të shkuarën antike ku në amfiteatër gladiatorët vrasin luanët, apo në një periudhë moderne me ndërtime solide prej betoni ku asgjë nuk merr kuptim pa qasje në rrjetin wireless. Dhe kjo është një bashkëjetesë e vazhdueshme, e përhershme...
Sa herë shkoj në Durrës, në mënyrë të përsëritur e të pandërprerë do të bëj një vizitë në qendrën antike të saj dhe jo rrallë edhe në Muzeun Arkeologjik. Sepse mund të ngopesh duke shëtitur në rrugët e tij, duke parë detin përmes xhamave të lokaleve që rreshtohen njëri pas tjetrit e duke ngrënë peshk e midhje. Por vështirë të ngopesh me historinë.
Në Ilirinë e lashtë qyteti fillimisht është quajtur Epidamnos për nder të mbretit që u mor më së shumti me fortifikimin e terrenit. Më vonë qytetit iu shtua edhe një emri i dytë si Dyrrah sepse mbreti Dyrrah, nipi i Epidamnosit, ndërtoi portin. Ky emër i qëndroi më shumë kohës për të ardhur deri në ditët tona, por tanimë si Durrës.
Sot Durrësi është një qytet sa modern aq edhe antik. Dhe ndoshta do të ishte më mirë që të ishte shumë më tepër antik dhe aspak fare modern. Sepse një qytet modern mund ta ndërtosh kudo. Por një antik, për më tepër si Durrësi, vështirë ta gjesh.
Amfiteatri antik i tij, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shekullit të II pas Krishtit gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai mbetet një nga më madhështorët e botës antike dhe një nga amfiteatrot më të bukur romakë.
Në kohën kur u ndërtua Amfiteatri konsiderohej një kolos i arkitekturës antike. I bërë nga një strukturë tullash dhe gurësh, Amfiteatri përbëhet nga një fasadë dykatëshe e zbukuruar me harqe dhe kolonada me pamje nga qendra e qytetit.
Në Fjalorin Enciklopedik ai përshkruhet me vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 120 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-18 mijë veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet mes skllevërve,  gladiatorëve si dhe shfaqe të ndryshme sportive dhe artistike. Të paktën kështu na thotë guida zyrtare e afishuar në një kënd të tij.
Për kalimin në vendet e ndenjes shërbenin një sistem galerish dhe shkallësh të mbuluara me qemer. Amfiteatri është ndërtuar me njohuri të plota teknike. Kjo dhe numri i madh i vendeve dëshmon për lulëzimin e Durrësit në shekujt e parë pas Krishtit. Në shekullin X në një nga galeritë e tij u ndërtua një kapelë e vogël me mure të veshura me mozaikë.
Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër.
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur disa ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.
Në shekullin IV me ndryshimet ekonomiko-shoqërore në jetën e qytetit për shkaqe historike, amfiteatri nuk shërbeu më si vend shfaqesh dhe u la pas dore.
Me gjithë punën e madhe të bërë për zbulimin e tij, një pjesë e Amfiteatrit të Durrësit ka mbetur i pa gërmuar.
Një tjetër monument me mjaft interes i Dyrrahut është “rotonda”, një ndërtim rrethor me diametër 40 metra. Rreth monumentit lartësoheshin 40 kolona mermeri me trup të sheshtë dhe kapitele korintikë, karakteristikë për fundin e shekullit të V pas Krishtit. Në qendrën e tij ndodhet një bazament rrethor me tri shkallë, i cili mendohet të ketë qenë një shatërvan. Hapësira e ndërmjetme është shtruar me pllaka guri gëlqeror. Materiali i paktë arkeologjik nuk lejon datimin e saktë as edhe përcaktimin e sigurt të destinacionit të monumentit. Për këtë arsye janë hedhur hipoteza të ndryshme që e konsiderojnë atë nga forum të kohës së Adrianit. Por me sa duket kemi të bëjmë me një treg të ndërtuar me shumë gjasë nën mbretërimin e perandorit Anastas që ka ndërtuar gjithashtu edhe muret që rrethojnë qytetin bizantin. 
Përreth Amfiteatrit, ndeshesh dhe me muret e qytetit. Tabelat orientuese të prezantojnë dhe disa detaje nga historia e lashtë. Në to thuhet se muret janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi i Parë në shekullin e IV pas Krishtit. Mendohet se Perandori e mbrojti qytetin me një radhë muresh prej tulle nga të cilat sot kanë mbijetuar disa fragmente. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra.
Pas Anastasit të Parë, ishte perandori Justinian që përforcoi muret rrethuese edhe me kulla të vogla vrojtimi sipër tyre.
Perandoria Osmane ishte e fundit që la gjurmët e saj në muret rrethuese.
Kulla Veneciane, e lartë 9 metra, është një tjetër atraksion i rëndësishëm i historisë së vjetër të Durrësit, si një nga objektet më të njohura të qytetit. Kulla u ndërtua në shekullin XV mbi rrënojat bizantine.
Zonat antike në Durrës janë të shumta, por padyshim, zhvillimi i vrullshëm i qytetit-port dhe ndërtimet e shumta, kanë dëmtuar jo pak botën antike të nëndheshme, e cila me siguri po të dilte e gjitha në sipërfaqe do të na tregonte një Durrës më të bukur se ky që kemi sot.
 

Të shpëtojmë Kinostudion prej djegies dhe pjekjes

 

Nga Leonard Veizi
 
Çfarë do të bëjmë nëse do ndalohen së transmetuari filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”? A kalohen ditët e gjata të verës dhe netët e gjata të dimrit, pa batutat e jashtëzakonshme të filmit shqiptar
-E Mazllëm, çkemi?
-Ë, hiç.
Debati mbi filmin është hapur e rihapur disa herë. Duhen transmetuar filmat e prodhuara nën diktaturë apo duhen bllokuar. Deri tani janë lënë të lira. Disa kanale televizive i transmetojnë ato në vazhdimësi.
-Epo tërë jetën tuafe mbeti kjo e shkretë Kostaqe. Grise Ollgë grise e bëji të vogla se do thonë bota që dashka të bëjë një dhëndër me politikë në biografi.
Tani, edhe ata që thonë se duhen ndaluar së transmetuari kanë të drejtë: se këto filma u kujtojnë një kohë të errët ku flitej për arritje spektakolare ndërkohë që shumë njerëz o ishin nëpër burgje o në internime.
-Kapiten Sami Ameni, në emër të popullit je i arrestuar.
-Ju lutem Genc, çfarë kërkon ky zotëria.
Mirëpo si t’ua bëjmë të tjerëve që thonë se duhen transmetuar pasi aty është puna strapacuese e shumë njerëzve, loja e mrekullueshme e shumë aktorëve, dhe tek e fundit filmi është dhe një pasqyrë e një epokë të caktuar. Ja që dhe ata kanë të drejtë.
Se në këtë botë të gjithë të drejtë kanë. Sipas tyre, kuptohet
-Ti more bir nuk ma çkoqite mirë atë hallin tim: të thashë se ma kanë caktuar ca si tepër detyrimin. Nuk e di në më more vesh apo jo?
-Posi o xhaxho, derisa ngul këmbë, ke një farë të drejte. Po do ta shohim, do ta shohim, mos ki merak.
E keqja e kësaj punë është se me filmin është bërë “punë e dendur agjitative”. Nuk do shumë mend për të kuptuar që me kinematografinë është bërë propagandë, madje e pastër. Dhe lojës së mrekullueshme të aktorëve u është veshur petku politik i kohës, gjë që i nxjerr ata jashtë loje.
-Ky lavamani është nga ana të mirët që kanë ardhur për hotelin e ri. E zgjodhi vetë përgjegjësi
-Nuk më pëlqen. E dua prej hekuri. E o që të mos më thyhet dhe kur të mos jetë kryetar komiteti ai dhëndri im.
Në këto kushte, kur jemi para kësaj dileme, duhet të pranojmë se një pjesë e filmotekës është vërtet për t’u hedhur në koshin e mbeturinave. Më saktë për t’u mbyllur në arkivë.
Mirëpo nuk është se kjo traditë e propagandës u zhvillua vetëm në Shqipërinë Socialiste - që në fillime ishte injektuar fort nga kinemaja sovjetike, - dhe as vetëm në vendet e kampit socialist. Sepse Hollivudi amerikan, që nuk kishte të bënte me socializmin dhe as me doktrinën marksiste, ua kaloi të gjithëve përsa i përket propagandës.
Fjala vjen:
Ndërsa shqiptarët lartonin një hero si Kreshnik Martinin, tek “Operacioni i Zjarrit”, amerikanët nxorën Rambon që vriste e priste vietnamezë e rusë, dhe nuk e kapte plumbi për qamet.
Ndërsa shqiptarët pomponin Blertën si një volejbolliste fshati që kërkonte ta merrte Dinamo në kryeqytet, Hollivudi nxori Roki Balboen që rrahu për vdekje sovjetikun Ivan, në një ring të Moskës, aq sa bëri të ngrihej në këmbë e ta duartrokiste amerikanin hero dhe Byroja Politike e Bashkimit Sovjetik.
Hajde gallatë hajde.
E ç’ta zgjasim më shumë me Hollivudin, që ndonjëherë më duket edhe më keq se “Kinostudio Shqipëria e Re”.
Tani në skenë ka dalë fort kinemaja turke, e cila transmetohet nga ekranet shqiptare tërë ditën e ditës. Kjo kinema po bën propagandë mbi madhështinë e Perandorisë Osmane, dhe po e glorifikon aq sa shqiptarët kanë nisur nën zë të thonë: vallahi-bilahi kena qenë mirë nën administrimin e Portës. Ç’ju desh Ismail Beut ta ngrinte flamurin. Stambollin e kishim kryeqytet Sulltanin në vend të babait. Çdonim më...
Pra në një farë mënyre, në të gjithë botën, përveç krijimtarisë së lirë dhe bërjes së biznesit përmes artit të filmit, së shumti ka investuar dhe për të bërë propagandë.
Por le të kthehemi në vatrën tonë, se për filmat e Hollivudit dhe të Bollivudit ka kush kujdeset.
A është një hall që zgjidhet në mënyrë radikale: o andej o këtej. Jo të bllokohen, jo të transmetohen. Sipas meje ka dhe zgjidhje të mesme. Oportune.
-Që dhe mishi të piqet edhe helli të mos digjet.
Nga prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re”, një grupim filmash me temë shoqërore, kanë arritur t’i shpëtojnë censurës dhe kanë ardhur me dinjitet deri në ditët tona. Disa prej tyre janë me temë shoqërore si: “Duaje emrin tënd”, “Të mos heshtësh”, “Hijet që mbeten pas”, “Kur xhirohej një film”... mund të transmetohen pa frikë se japin mesazhe politike dhe as flasin për kurthet që i ngrinin Shqipërisë Socialiste, armiqtë e brendshëm e ata të jashtëm.
Disa filma të tjerë, kanë më shumë sens humori si: “Përrallë nga e kaluara”, “Dy herë mat”, “Dhe ashtu edhe kështu”, “Zëvendësi i grave”.
Ndërkohë janë prodhuar dhe një seri filmash me temë historike si: “Skënderbeu”, “Nëntori i dytë”, “Mësonjëtorja”, “Kush vdes në këmbë”
Por ka dhe një seri filmash që edhe pse kanë nga pak propagandë, sërish nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore si: “Kur hapen dyert e jetës”. “Treni niset në shtat pa pesë”, “Rikonstruksioni”, “Tej fasadës”, “Në çdo stinë”.
Thënë shkurt, një grup filmash të seleksionuar nga një ekip specialistësh, mund të vazhdojnë të transmetohen jo vetëm për nostalgjikët, por dhe për brezin e ri që përmes imazhesh të kuptojë si funksiononte jeta social-shoqërore të një periudhë të caktuar të historisë.
Sa për filmat me temë nga Lufta e Dytë Botërore, ku një partizan vriste 200 gjermanë, apo ato kur luftonim me bandat e diversantëve kundër imperializmit amerikan, nuk humbasim gjë edhe nëse nuk transmetohen.
E në këtë kuadër është normale që nuk humbasim gjë nëse nuk e shohim filmi “Dita e parë e emërimit”, që në epilog të tij nëna i jep këtë këshillë të birit të sapoemëruar zëvendësministër:
-Me këmbë të mbarë o bir. Të nderosh shokët, të nderosh Partinë. Nënës tënde mund  mund t’i bësh ndonjë hile, por Partisë kurrë, kurrë.
Dhe në sfond nusja që buzëqeshte e lumtur.
 

Thursday, September 8, 2022

Evropa e terrorizuar nga terri dhe të çmendurit e pangrënë


Nga Leonard Veizi
 
Bota ka kohë që kërkon të ndryshojë. Bota ka kohë që ka filluar të marrë kthesën e madhe. Dhe Rendi i ri Botëror nuk duket se është më një teori konspiracioni. Lufta bakteriologjike që filloi në 2019 me një virus të faturuar si “kinez”, po vazhdon edhe pse 3 vitet e ekzistencës së tij skaduan.
Prognoza nuk na thotë asgjë të mirë.
Vera e vitit 2022 ishte disi relaksuese. Popujve të Europës u la një frymëmarrje disamujore, si për të mbledhur mendjen dhe fuqitë me të cilën do të përballojnë dimrin, për të cilin thuhet se do të jetë i ashpër.
Llokoçitja me termin e turizmit duket se ishte sa për shpëlarje, sepse dhe gjatë kësaj kohe vakance, çështja kryesore e mediave perendimore, ishte: energjia.
Do ta hapë Putini gypin e gazit, apo do ta shtrëngojë më fort?
Por pakkush e di se çfarë rreziqesh të vërteta do të sjellë dimri që ndan vitet 2022-2023.
Tanimë në rend të ditës është: kursimi.
Me sa duket vitet e arta të bollëkut janë duke mbaruar.
Në mediat britanike flitet se si do të mund të gjejnë burime të reja energjie, dhe se çfarë masash duhet të marrë qeveria.
Media italiane, shkon edhe më tej. Duket sikur Roma ka ngritur duart përpjetë dhe e ka pranuar fatin, duke qenë një vend që nuk ka burime energjitike dhe është krejtësisht e varur nga shtetet e tjera, ose nga Franca për energji elektrike, ose nga gazi rus.
Në rubrikën “Si të pakësosh konsumin dhe të kursesh energjinë” në një gazetë qendrore ekziston ky titull “Sa kursen kur gatuan makarona me zjarr të fikur, por me kapak mbuluar?”. Dhe më pas vijnë këshillat e tjera qesharake për racionimin e energjisë: “Nëse e fik kondicionerin kur nuk je në shtëpi, kursen vërtetë”.
Në Shqipëri, një ministre na sugjeron që për të kursyer energji rrobat duhet t’i lajmë në lavatriçe me 30 gradë.
Situata që herë-herë duket groteske, të kujton Shqipërinë e viteve 1960 kur pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe ndërprerjen e ndihmave nga ana e të gjitha shteteve të Kampit Socialist, Shqipëria u përfshi nga një fushatë e gjerë kursimesh. Gjatë kësaj fushate, ku qyteti hante bukë gruri po fshati bluante vetëm misër, u realizua me sukses edhe ulja e rrogave dhe rritja e normave të punës.
Këtu s’di pse m’u kujtua një fragment nga romani “Dimri i vetmisë së madhe”, shkruar nga Ismail Kadare.
-Këto ditë dhe pikërisht pasnesër në të gjithë vendin tonë do të shpallet një fushatë e madhe kursimesh, - tha kryeredaktori. - Unë ju thirra që ta shqyrtojmë bashkarisht se si do ta pasqyrojë gazeta jonë këtë aksion të madh.
- Vetëm kursim të mos ketë, - u thoshte në këtë kohë Ana Kondakçiu miqve të vet. - Kursimi, uh ç'shpikje e tmerrshme!
Në Shqipërinë e sotme josocialiste, nuk ka ulje rrogash, por as rritje të tyre me qëllim që të shërbejë për të përballuar dimrin. I vetmi rezultat pozitiv duket se ka të bëjë me mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike. Por dhe kjo më së shumti ka të bëjë me “punët e Zotit”. Pra me reshjet e shiut. Po ra shi dhe ka prurje në Drin, turbinat punojnë dhe Shqipëria prodhon energji të pastër për të mbajtur veten dhe për të eksportuar madje. S’ka asnjë arsye për t’u rritur çmimi, edhe qeveria që ka në dorë edhe arrën edhe gurin, e rrit dhe s’të pyet.
Kriza është krizë. E rriti gjermani nuk po e rritkemi ne... tek e fundit.
Zija e bukës, mund të jetë sërish në prag, edhe pse për momentin duket si e tejkaluar. Do prodhojë aq sa duhet këtë vit toka e Ukrainës? Do furnizohen për aq sa kanë nevojë tregjet e Evropës? Apo edhe këtu duhen parë alternativa të reja? Patatja për shembull. Sepse “patatja është edhe bukë edhe gjellë”.
Ndërkohë flitet për përhapjen e një vale të re Covidi. Vala e shtatë apo e tetë, e kush e mban mend. Sepse Covidi nuk ka ndër mend që të na ndahet, për më tepër që ai është bërë si gogoli që dhe kur nuk ekziston ta çojnë nëpër mend se është gjithmonë pas dere e mund të të kollofisë. Kjo do të thotë që krizës do t’i mbivendosen të gjithë elementët e mundshëm, për ta bërë luftën luftë.
Të gjitha vendet evropiane po marrin masa për të përballuar dimrin, sepse aty njerëzimi do të përballet me disa armiq njëherazi.
Çdo ditë e më tepër gjërat po krahasohen me ditët e Luftës së Dytë Botërore. Kjo, në njëfarë mënyre na tregon se njësia matëse tani e tutje do të jetë e njëjta me ditë-netët kur Evropa rënkonte nga çizmja e ushtarit nazist.
Të paktën për 70 vite njerëzit jetuan në progres ku lakmia për të pasur sa më shumë i futi ata në një konflikt të vazhdueshëm gjenerues. Tanimë thirrjet janë që njerëzimi do të vuajë dhe për bukën e gojës dhe dimrin do ta kalojë duke u mbështjellë me batanije.
Lufta për energjinë do të jetë e dukshme në të ardhmen. Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Ukraina. Embargoja vazhdon. Rubineti i gazit mbahet i mbyllur. Bisedimet diplomatike nuk kanë arritur asgjë të dukshme, me përjashtim të rasteve sporadike.
Media gjermane po ngre alarmin për rritjen e çmimeve në Eurozonë dhe inflacionin.
Amerika e kaloi Depresionin e Madh në vitet 1929 – 1933. Evropa, veç kësaj, kaloi edhe një natë të errët tmerri në vitet 1939 - 1945. Por këto i përkasin shekullit të kaluar. Tanimë jemi në mijëvjeçarin e ri. Të tjera beteja... inteligjente.
Depresioni i Madh është ulur këmbëkryq në mes të Europës. Njerëzit me lloj-lloj paranojash, të stimuluara më së shumti nga pandemia dhe pezullimi i jetës publike me një afat jo fort të shkurtër, i ka çuar ata drejt psikologëve dhe më shpesh drejt psikiatërve për një trajtim më të thelluar.
Me siguri, nesër, kur dimri të ketë përfunduar, ata që kanë gatuar makaronat me zjarr të shuar, dhe çdokush tjetër që do ketë hequr palltot nga supi dhe shallin nga qafa, do t’i bashkohen të “çmendurve” që do të popullojnë rrugët, autobusët, tramet, zyrat dhe hapësirat e tjera publike.
Ndofta lufta e vërtetë do të fillojë pikërisht atëherë.


Friday, September 2, 2022

Xha Sulua i Deçkës, burri me dy pëllëmbë mustaqe që ashtu si gratë ankohej për gratë


Nga Leonard Veizi
 
Çfarë mesazhi na ka dhënë Kinostudio “Shqipëria e Re” nëpërmjet filmit “Kapedani” me batutat e të cilit kemi 50 vjet që qeshim?
Deri më tani xha Sulon e kemi mbajtur si burrë zamani, me dy pëllëmbë mustaqe e dyfekun mbi sup, nga i cili ishte dridhur sa i kishin shkuar poturet në fund të këmbëve, turkut, serbit, grekut e gjermanit,... pale italianit. Dhe Suloja ishte nga ata që e rrëmbente pushkën edhe kur çanga e kooperativës jepte alarmin se ujët e rezervuarit mund të shpërthente e të prishte të mbjellat.
Liria e fituar me gjak duhej mbrojtur qoftë dhe me djersë.
-Ele, ele, më kë do ia shkrepim sot?
-Atë e di kryetarja. Për mua kujt t’ia mbajë le të urdhërojë.
Ky ishte Xha Suloja, që kur vinte puna për të mbrojtur Atdheun e kishte syrin në thep-shqekës të pushkës. Kjo kishte të bënte me moralin e shëndoshë të individit në mbrojtje të Atdheut.
Por ajo që merrte vendimet në fund të fundit ishte kryetarja e kooperativës. Dhe kryetaren e kishte zgjedhur masa. Domethënë masa nuk kishte preferuar një mashkull, por një femër. Dhe xha Sulua i kishte zët femrat, po ashtu si dhe... Napoloni.
Mirëpo me kryetaren e kooperativës e kishte zënë belaja. Sepse kur gjëmoi e binte shi sa mund të shembej dhe një digë hidrocentrali, e ku populli u ngrit në këmbë si një trup i vetëm në mbrojtje të pronës socialiste, ajo e anashkaloi xha Sulon, Kapedanin, por aspak të shoqen që e mori ta kishte pranë vetes në frontin më të vështirë, ku ishin rreshtuar burrat e fortë.
-Ti teto Shero meqë je goxha e shëndoshë eja me mua në rezervuar. Edhe ti teto Frosa shko në stallë te viçat.
Demek Sheroja e Frosa si dosa.
-Po unë?
Pyetja shkëlqeu si teh thike natën e errët ku bubullimat nuk kishin të sosur.
Me sa duket xha Sulua i kishte bërë dorëzimet me kohë. Por burrëria se linte të rrinte në krevatin e shtëpisë, ku nuk i hynte asnjë pikë uji.
-Ti xha Sulo shko në shtëpi se je burrë plak e mund të ftohesh.
Joooooo..., po kjo nuk kishte bërë vaki as në kohën e Tanzimatit e jo më në kohën e Partisë. A i kishte hije një kryetareje, të fliste çapraz. Ishte fyerje e rëndë për një burrë me dy pëllëmbë mustaqe. Por çfarë mund të bënte xha Sulua në një kohë kur as kodet e as zakonet nuk e favorizonin një burrë që merrte hak mbi një grua? T’i kthehej e të përleshej me të.
Dhe veç kësaj kryetarka bën edhe një blasfemi të dytë. Këmbënguljes së xha Sulos për t’iu përgjigjur frontit iu përgjigj: Shko tek kotecat e kujdesu për pulat.
Kësaj çfarë emri t’i vësh???
Dhe këtë, xha Sulo Kapedanit, - apo xha Sulo i Deçkës siç do ta quante më pas rinia e fshatit që i ngjiti dhe një fletërrufe në këndin e emulacionit, - e kishte kandidate për nuse. Sepse kur vazhdonte shkollën Bujqësore na ishte mpleksur me të birin.
-Bo, bo, ofendim më të madh nuk ka, - i fut xixat xha Bequa që kishte humbur xhepin me gjithë çakmak. -  Të vesh ti e të ruash pulat. Dhe kush pa. Ty që të kemi kapedanin e fshatit.
- Mos more!
-E o, kështu tha ajo.
E ç’i mbetej pas kësaj xha Sulos së Deçkës. Rruga ishte vetëm një: të ankohej si gratë për një grua. Po a ishte një gjë për burrat të ankuarit për një grua? Epo në kohën e Partisë nuk kish më burra si në kohën e turkut? Dhe nuk kish më burra as si në kohën e grekut. Se burrat ishin rrezik politik.
Por ankesa e kishte një vlerë, se gjithsesi ajo duhej adresuar në Komitetin e Partisë. Vetëm Partia mund ta zgjidhte këtë problem. Me qetësi dhe dashuri. Dhe nevoja e bëri xha Sulon të merrte rrugën për në Tiranë e t’i binte në qafë mikut të tij të vjetër, shokut Rropi, - shpatullgjerë e me flokë kaçurela nga i cili dridhej gjermani, - që ishte me pozitë në Komitet.
- O do ta bëj unë atë të më lajë këmbët me lot, o s’ka...
Posi ore, d.m.th shoku Rropi do t’i thoshte kryetares: laja këmbët, xha Sulua i Deçkës është yni.
Po a ishte kjo një fitore?
Absolutisht jo. Nëse do të ndodhte, kjo në të vërtetë do të ishte një fitore e shokut Rropi.
Mirëpo Sulos në pleqëri, i kishin mbetur vetëm kyçet e kashtës e s’kishte nga ia mbante tjetër. Ndaj me gjithë pishmanllëqet gjatë rrugës i vajti Rropit atje ku bënte Punën Prodhuese, në ndërtim.
-Llaç shpejt llaç.
-Shoku Rropi, lëreni muhabetin, po pengoni punë.
Dhe Rropi, që kishte lënë zyrën e partisë dhe si hamall ngjiste kovat e llaçit në katin e pestë, s'e bëri dysh fare. Femrat ishin kthyer në një forcë të madhe aq sa të urdhëronin të bëje stërvitje për biceps, triceps e muskuj këmbësh me kovat e llaçit nëpër shkallë.
Ky ishte një zhgënjim akoma më i madh për xha Sulon e Deçkës. Socrealizmi këtë e quante emancipim. Dhe padyshim që ishte i tillë. Se ku ishte parë që një femër të urdhëronte një burrë.
-Ja kështu është kur urdhërojnë gratë.
Eh more xha Sulo, ishe kapedan i fshatit, por përfundove si gratë e liga. Mirë që nuk ia more dot hakun kryetarkës, nuk e bëre të të lante këmbët me lot dhe as e vure të fshinte bajgat e lopëve, por e pranove si nuse të djalit duke i thënë xha Beqos që i ishin thyer gjyslyket që nuk i mbante lotët nga gëzimi:
-Beqo, që sot e tutje ke të bësh me familje kryetarësh.
-Të lumtë o Sulo!
Dhe plasin përqafimet. Domethënë, familja e Kapedanit u konvertua në familjen e Kryetares së Koperativës, që jepte 50 lekë të vjetra për ditë pune. Prap se prapë, të parët e fshatit mbetën si në kohën e turkut dhe në atë të Partisë.
Dhe ja, kjo është finalja e filmit “Kapedani”, që burrin me dy pëllëmbë mustaqe e silazhoi dhe e bëri të bindur si qingjat që pijnë dy nëna.
Ky është dhe morali i fabulës që Kinostudio na e faturoi me një film epope, i cili vazhdon të shikohet me endje dhe sot e gjithë ditën në ekranin e televizorit.

Thursday, September 1, 2022

Në Linin e “Liqenit të Dritës”, fshati me 7 kisha dhe një xhami

Shënime udhëtimi
 


Nga Leonard Veizi
 
Nëse do të shkosh në Lin, e mirë është që destinacionin përfundimtar ta kesh aty, dhe jo si ndodh në shumicën e rasteve, kur si destinacion ke Pogradecin apo Korçën, dhe kthehesh në këtë fshat të bukur piktoresk, vetëm për një kafe a për të ngrënë një “çapë buke”. Padyshim, edhe kjo e fundit funksionon. Sepse nuk është e thënë se duhet me patjetër të qëndrosh një natë në Lin, apo më shumë se një të tillë, për të marrë të gjithë atmosferën që të dhuron ambienti në 24 orët e tij. Mjaftueshëm janë dhe disa orë, aq sa të mund të shohësh themelet e Kishës Paleokristiane të shekullit V dhe të bësh një xhiro nëpër rrugicat e fshatit, por të mos mungojë në këtë axhendë të shkurtër dhe një shëtitje me varkë në Liqenin e Ohrit i cili njihet po aq dhe si Liqeni i Pogradecit....
 
 ...Si zbret nga Qafa e Thanës, para se të hysh në rrugën piktoreske buzë liqenit që të çon në qytetin e Pogradecit, mund të marrësh në të majtë atje ku tabela të orienton: Lin.
Një rrugë e asfaltuar, por jo fort e mirëmbajtur të çon deri në hyrje të fshatit, por që më së shumti ngjan me një qytezë. Më pas rruga e brendshme që përshkon fshatin mes për mes është e shtruar me pllaka.
 

“Lindi” vs “Lyhnidas”
Etimologjia e fjalës Lin, mesa duket rrjedh nga latinishtja “Lyhnidas”. Materiale të botuara kudo i atribuojnë ushtarëve romakë të Jul Çezarit emërtimin e vendit “Lyhnidas” e që në shqip vjen si “Liqeni i Dritës”. Por ka dhe një teori tjetër që qarkullon më së shumti nga gojëdhënat e kaluara brez pas brezi, për të ardhur deri tek ne: Thuhet se dikur fshati i vjetër, që ishte në krahun tjetër të gadishullit, u përmbyt. Më pas u krijua fshati i ri për të cilin të gjithë thoshin: “Lindi fshati”. Që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lind”.
Ky fshat, që i përket komunës Udënisht të Pogradecit, është ndërtuar mbi një gadishull të vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit që është një vendndodhje natyrale shumë interesante, me dalje drejt e në liqen. Kur vjen puna tek terminologjia, me fjalën gadishull nënkuptojmë një rrip toke që futet në det si fjala vjen Apeninet, apo gadishullit Skandinav, ai Iberik, pse jo dhe gadishulli Ballkanik. Megjithatë jo domosdoshmërish një gadishull duhet trajtuar me përmasa gjigante. Sepse ka dhe gadishuj shumë më të vegjël, si në rastin konkret në buzën e ujit në të cilin frymon Lini.
 

Peizazhi panoramik
Nëse do të frymëzohesh për të pikturuar peizazhe dhe “natura morte”, apo kërkon qetësinë e mjaftueshme për të shkruar një roman thurur me vargje lirike, shko në Lin.
Një rrugë jo fort e ngushtë, që ndan fshatin në dy pjesë, tanimë është e shtruar me pllaka. Këpucët nuk të bëhen me baltë, dhe as shkelin mbi bajga lopësh, siç mund të mendohet rëndom se ndodh në një fshat tipik shqiptar.
Shtëpitë në Lin më së shumti janë të ndërtuara prej guri ka dhe prej tullash, madje ka dhe disa ndërtime sipas teknologjisë së re me kolona betoni, që në fakt, nuk është se i bëjnë nder këtij fshati. Kudo nëpër bahçe sheh zgjatimin e hardhive që mbulojnë tendat prej teli. Mbi fshat, terreni është shkëmbor duke e bërë edhe më piktoresk peizazhin. Ndërsa përballë shkëmbinjve syri të sheh ujë deri në largësi, aty ku vargëzohen malet që i takojnë bregut tjetër. Në një ditë të qetë aty dëgjohet zhurma e valëve të liqenit, trazimi i ujit prej rremave të varkëtarëve dhe klithmat e pulëbardhave që fluturojnë aty rrotull.
Dhe Lini sot është një fshat turistik, përveçse një qendër arkeologjike. Rruga jo fort e gjerë, nuk i ndalon turistët që me makinat e tyre të futen deri në thellësi. Dhe kjo është mundësia e vetme pasi mundësi zgjerimi nuk ka. Ah po, e vetmja ndërhyrje që i vjen në ndihmë fshatit është ca zift më shumë mbi rrugë hyrëse, gjë që do ta bënte zonën edhe më atraktive. Por nëse do të kishte dhe pak më shumë investim, për rregullim fasadash dhe shtëpish të rrënuara, Lini do të bëhej një qendër turistike e cila me gjasa do ta xhelozonte dhe Pogradecin e mrekullueshëm.
 

Komuniteti
Nga qendra e Pogradecit, Lin është rreth 22 kilometra, por nga Tirana është të paktën 105 kilometra të cilat përshkohen për të paktën 90 minuta. Pra është jo aq larg për t’u marrë në konsideratë.
Vendasit janë fort miqësorë dhe dinë të të presin me butësi. Jetojnë me ato që u jep toka dhe liqeni, por dhe emigracioni. Muajt e verës shfrytëzohen në maksimum dhe shumë shtëpi buzë detit janë kthyer në hotele apo bujtina, ku shumëkush që pëlqen liqenin dhe klimën e freskët, - por nuk do të ngatërrohet me zhurmën e Pogradecit, - preferon që ditët e pushimit t’i kalojë pikërisht në këtë fshat.
Vendasit thonë që gjatë beharit bëjnë gjithçka munden, për të grumbulluar rezervat që do t’u duhen gjatë dimrit, i cili edhe pse është zbutur ca sërish vazhdon të jetë i ashpër. Dhe këtu flitet për zahiretë ushqimore dhe për drutë e zjarrit. Se me kondicioner, aha, nuk ia del të ngrohësh aq qoshen e dhomës.
Edhe pse të krijohet përshtypja se Lini është një fshat ortodoks, komuniteti i tij është thuajse i ndarë përgjysmë, megjithëse myslimanët përfaqësohen vetëm nga një xhami. Ndërsa janë së paku 7 kisha: ajo e Shën Marisë, e Shën Varvarës, e Shën Dhimitrit, e Shën Nikollës, e Shën Ilias, e Shën Thanasit, e Shën Andonit, por dhe Bazilika paleokristiane mbi kodër.
Gjëja më e bukur që mund të të ndodhë - pasi ke vizituar dhe bazilikën e shekullit V, - është një shëtitje me varkë. Nga tej liqenit, gjithçka duket edhe më mbresëlënëse. Një qetësi admiruese e prish vetëm zhurma e imët e motorit të varkës. Ujët e Ohrit është i kristaltë dhe mund të shohësh në thellësi.
Ky fshat, ashtu si e gjithë zona e Pogradecit, është i njohur për traditën përpunimit të disa asortimenteve gatimi si dhe i punimeve artizanale. Nëse gratë vazhdojnë të ruajnë traditën e thurjes së qilimave, në qëndisje, apo punimet me grep, në “markatën” natyrale të çdo prag shtëpie do të gjesh edhe shumë prodhime ushqimore, ku kryeson qepa e kuqe dhe e ëmbël të cilën e prodhon vetëm toka përreth.
Fshati Lin ka të paktën 300 familje dhe ndoshta po aq varka me të cilat sigurohet gjuetia e peshkut në liqen. Sepse liqeni është jeta e tyre. Dhe liqeni i Ohrit ka peshq të rrallë Koranin apo Belushkën, për të cilën njerëzit marrin rrugën me qëllim që të drekojnë në një nga restorantet e zonës. Por Lini ka dhe toka bujqësore të cilat japin prodhim të mirë.
 

Epilog miks
Në udhëtimin e shkurtër, teksa mundohesh të qëmtosh me fokusin e kamerës vend e pa vend, zbulon se në territorin e kishës Ortodokse në mes të fshatit, ndodhet edhe një lapidar, që kujton kohën e Luftës së Dytë Botërore. I ngritur në periudhën e Socializmit, ai nderon kujtimin e pjesëmarrësve në luftë kundër pushtimit nazifashist dhe dëshmorëve të rënë për këtë çështje: Jovan Shegani dhe Myredin Bashalli.
Një pjesë e filmit të njohur “Zonja nga qyteti”, të regjisorit Piro Milkani, përveç Tushemishtit dhe Drilonit, është regjistruar edhe në Lin.
Në Lin përveç plazheve të vegjël me ujë kristali, me rërë dhe guralecë të vegjël, ndodhet edhe qendra e rritjes së Koranit, peshku i famshëm që rritet vetëm në dy liqene të Evropës: në atë të Ohrit dhe në Bajkal të Rusisë. Korani njihet si peshku i ujërave shumë të pastra dhe të thella, dhe Liqeni i Ohrit kap thellësinë e gati 290 metrave me një qartësi uji ku mund të shquash deri në 20 metra.