Thursday, September 8, 2022

Evropa e terrorizuar nga terri dhe të çmendurit e pangrënë


Nga Leonard Veizi
 
Bota ka kohë që kërkon të ndryshojë. Bota ka kohë që ka filluar të marrë kthesën e madhe. Dhe Rendi i ri Botëror nuk duket se është më një teori konspiracioni. Lufta bakteriologjike që filloi në 2019 me një virus të faturuar si “kinez”, po vazhdon edhe pse 3 vitet e ekzistencës së tij skaduan.
Prognoza nuk na thotë asgjë të mirë.
Vera e vitit 2022 ishte disi relaksuese. Popujve të Europës u la një frymëmarrje disamujore, si për të mbledhur mendjen dhe fuqitë me të cilën do të përballojnë dimrin, për të cilin thuhet se do të jetë i ashpër.
Llokoçitja me termin e turizmit duket se ishte sa për shpëlarje, sepse dhe gjatë kësaj kohe vakance, çështja kryesore e mediave perendimore, ishte: energjia.
Do ta hapë Putini gypin e gazit, apo do ta shtrëngojë më fort?
Por pakkush e di se çfarë rreziqesh të vërteta do të sjellë dimri që ndan vitet 2022-2023.
Tanimë në rend të ditës është: kursimi.
Me sa duket vitet e arta të bollëkut janë duke mbaruar.
Në mediat britanike flitet se si do të mund të gjejnë burime të reja energjie, dhe se çfarë masash duhet të marrë qeveria.
Media italiane, shkon edhe më tej. Duket sikur Roma ka ngritur duart përpjetë dhe e ka pranuar fatin, duke qenë një vend që nuk ka burime energjitike dhe është krejtësisht e varur nga shtetet e tjera, ose nga Franca për energji elektrike, ose nga gazi rus.
Në rubrikën “Si të pakësosh konsumin dhe të kursesh energjinë” në një gazetë qendrore ekziston ky titull “Sa kursen kur gatuan makarona me zjarr të fikur, por me kapak mbuluar?”. Dhe më pas vijnë këshillat e tjera qesharake për racionimin e energjisë: “Nëse e fik kondicionerin kur nuk je në shtëpi, kursen vërtetë”.
Në Shqipëri, një ministre na sugjeron që për të kursyer energji rrobat duhet t’i lajmë në lavatriçe me 30 gradë.
Situata që herë-herë duket groteske, të kujton Shqipërinë e viteve 1960 kur pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe ndërprerjen e ndihmave nga ana e të gjitha shteteve të Kampit Socialist, Shqipëria u përfshi nga një fushatë e gjerë kursimesh. Gjatë kësaj fushate, ku qyteti hante bukë gruri po fshati bluante vetëm misër, u realizua me sukses edhe ulja e rrogave dhe rritja e normave të punës.
Këtu s’di pse m’u kujtua një fragment nga romani “Dimri i vetmisë së madhe”, shkruar nga Ismail Kadare.
-Këto ditë dhe pikërisht pasnesër në të gjithë vendin tonë do të shpallet një fushatë e madhe kursimesh, - tha kryeredaktori. - Unë ju thirra që ta shqyrtojmë bashkarisht se si do ta pasqyrojë gazeta jonë këtë aksion të madh.
- Vetëm kursim të mos ketë, - u thoshte në këtë kohë Ana Kondakçiu miqve të vet. - Kursimi, uh ç'shpikje e tmerrshme!
Në Shqipërinë e sotme josocialiste, nuk ka ulje rrogash, por as rritje të tyre me qëllim që të shërbejë për të përballuar dimrin. I vetmi rezultat pozitiv duket se ka të bëjë me mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike. Por dhe kjo më së shumti ka të bëjë me “punët e Zotit”. Pra me reshjet e shiut. Po ra shi dhe ka prurje në Drin, turbinat punojnë dhe Shqipëria prodhon energji të pastër për të mbajtur veten dhe për të eksportuar madje. S’ka asnjë arsye për t’u rritur çmimi, edhe qeveria që ka në dorë edhe arrën edhe gurin, e rrit dhe s’të pyet.
Kriza është krizë. E rriti gjermani nuk po e rritkemi ne... tek e fundit.
Zija e bukës, mund të jetë sërish në prag, edhe pse për momentin duket si e tejkaluar. Do prodhojë aq sa duhet këtë vit toka e Ukrainës? Do furnizohen për aq sa kanë nevojë tregjet e Evropës? Apo edhe këtu duhen parë alternativa të reja? Patatja për shembull. Sepse “patatja është edhe bukë edhe gjellë”.
Ndërkohë flitet për përhapjen e një vale të re Covidi. Vala e shtatë apo e tetë, e kush e mban mend. Sepse Covidi nuk ka ndër mend që të na ndahet, për më tepër që ai është bërë si gogoli që dhe kur nuk ekziston ta çojnë nëpër mend se është gjithmonë pas dere e mund të të kollofisë. Kjo do të thotë që krizës do t’i mbivendosen të gjithë elementët e mundshëm, për ta bërë luftën luftë.
Të gjitha vendet evropiane po marrin masa për të përballuar dimrin, sepse aty njerëzimi do të përballet me disa armiq njëherazi.
Çdo ditë e më tepër gjërat po krahasohen me ditët e Luftës së Dytë Botërore. Kjo, në njëfarë mënyre na tregon se njësia matëse tani e tutje do të jetë e njëjta me ditë-netët kur Evropa rënkonte nga çizmja e ushtarit nazist.
Të paktën për 70 vite njerëzit jetuan në progres ku lakmia për të pasur sa më shumë i futi ata në një konflikt të vazhdueshëm gjenerues. Tanimë thirrjet janë që njerëzimi do të vuajë dhe për bukën e gojës dhe dimrin do ta kalojë duke u mbështjellë me batanije.
Lufta për energjinë do të jetë e dukshme në të ardhmen. Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Ukraina. Embargoja vazhdon. Rubineti i gazit mbahet i mbyllur. Bisedimet diplomatike nuk kanë arritur asgjë të dukshme, me përjashtim të rasteve sporadike.
Media gjermane po ngre alarmin për rritjen e çmimeve në Eurozonë dhe inflacionin.
Amerika e kaloi Depresionin e Madh në vitet 1929 – 1933. Evropa, veç kësaj, kaloi edhe një natë të errët tmerri në vitet 1939 - 1945. Por këto i përkasin shekullit të kaluar. Tanimë jemi në mijëvjeçarin e ri. Të tjera beteja... inteligjente.
Depresioni i Madh është ulur këmbëkryq në mes të Europës. Njerëzit me lloj-lloj paranojash, të stimuluara më së shumti nga pandemia dhe pezullimi i jetës publike me një afat jo fort të shkurtër, i ka çuar ata drejt psikologëve dhe më shpesh drejt psikiatërve për një trajtim më të thelluar.
Me siguri, nesër, kur dimri të ketë përfunduar, ata që kanë gatuar makaronat me zjarr të shuar, dhe çdokush tjetër që do ketë hequr palltot nga supi dhe shallin nga qafa, do t’i bashkohen të “çmendurve” që do të popullojnë rrugët, autobusët, tramet, zyrat dhe hapësirat e tjera publike.
Ndofta lufta e vërtetë do të fillojë pikërisht atëherë.


No comments:

Post a Comment