Sunday, August 27, 2017

PORTRET/ Në labirintin e roleve të Arben Shakës


Arben Shaka dhe Leonard Veizi
nga Leonard Veizi


Jam nostalgjik kur kujtoj fëmijërinë. Padyshim, ai është pjesë e kujtimeve. Dhe jo vetëm kaq... Brezi im dhe ca të tjerë para e pas meje janë rritur me humorin e tij. Sot, ai është sërish një “dado” fëmijësh. Mund të shprehë me gjeste e plastikë fytyre shumë më tepër se sa me fjalë të përbëra, togfjalësha a një monolog i tërë si në një monodramë antike. Arben Shaka, ky mjeshtër i pantonimës, për shumë vite i ka dhënë skenës shqiptare, ashtu si për shumë vite të tjerë i ka munguar asaj. Por tanimë është shfaqur sërish. Kam dëgjuar se je bërë dado, i them me shaka teksa pimë kafe në lokalin e tij të preferuar tek rruga “Bardhyl”. Ai ma kthen qetësisht: “I dua shumë fëmijët. Kam bërë qindra role për ta. Tani jam një “dado” dhe s’më vjen rëndë për këtë”.
Spotin e kam parë shpesh në ekranin e Televizionit. “Dadoja e pallatit tonë”. 10 seri plot. Epo me “10” e ka TVSh-ja. Ashtu si “Njerëz dhe fate”. Pritet të fillojë këtë shtator, me fillimin e sezonit të ri. Megjithatë se çfarë përmban realisht as që e di. “Është një serial me skenar dhe regji nga Elona Paja, - më sqaron Beni. - Në qendër të tij janë një grup fëmijësh të një pallati që në shoqërinë e tyre kanë “Dadon” i cili kujdeset për fëmijët e banoreve të pallatit, jo vetëm duke i mbajtur në kohën që ata janë në punë por edhe duke bërë shoqëri me ta e shpeshherë duke marrë pjesë aktive në problemet sociale që dalin nëpërmjet gojës së fëmijëve ose reagimeve të tyre”. Ai nuk heq dorë nga fëmijët, ose kështu më duket mua, sepse vetë ai thotë: “Ky serial ka skena humoristike si dhe skena me probleme sociale ku nëpërmjet aktorëve profesionistë përcillen emocionet jo vetëm tek spektatorët e vegjël por edhe tek të rriturit”.
“Dadoja” e ka bërë Benin t’i rikthehet sërish ekranit. Por unë nuk kam nevojë për imazhin e ri. E kujtoj që nga Estrada e Shtetit, nga Cirku gjithashtu. Ai ishte i pranishëm me rolet e tij. Pallati ku banoja në Tiranë ishte vetëm 200 metra larg nga çadra blu kineze që na kuriozonte aq shumë, mua e gjithë fëmijët e tjerë. Ndonjëherë prisnim biletë, ndonjëherë hynim ‘msheftas’. Kjo vlente për cirkun, për kinemanë ndonjëherë, por në estradë s’bëhej fjalë të hyje pa biletë.
Ca muaj më parë aktiviteti i tij ishte në një udhëkryq të vakët. Por në të vërtetë ai thotë se është armik i monotonisë dhe jetën e ka po aktive sa dhe më parë. Sikur ke shtuar ca në peshë, i them duke i kujtuar se tek e fundit ka qenë dhe një akrobat. Por ai nuk rri pa më sqaruar se peshën e tij maksimale prej 137 kilogramësh, e ka rrëzuar ndjeshëm, jo me dieta ku eliminohen proteinat dhe karbohidratet e pihet ujë i ngrohtë esëll, por thjesht me ecje intensive në rrugët e Tiranës.
Për lexuesit e shtypit të shkruar, së fundi dhe atij elektronik, për ata që e njohin mirë, por dhe për ata që s’e dinë cili është 64 vjeçari Arben Shaka, babai i tre fëmijëve dhe aktor karriere ende i padalë në pension, është i gatshëm të rrëfejë jetën e tij. Nuk ka komplekse. Për më tepër 33 vite i ka në skenë. Kur nuk ka asnjë projekt për të përmbushur, ai ulet në karrigen e tij të preferuar dhe përballë ka një monitor. Në atë çast universi i tij përmblidhet në një kompjuter të fuqishëm, me hard-disk e memorie të lartë nga ku mund të lidhet me çdo cep të globit e të marrë informacion që dëshiron. Beni e ka me pasion high tech-un. Por kjo vlen për mijëvjeçarin e ri. 48 vite më parë, kur ai filloi jetën artistike, maksimumi që mund të mendoje me luks ishte ndonjë biçikletë “Mifa” a ndonjë “Bianchi” nëse ishte e mundur. “Shoferi dhe pasagjeri” ishte një pantonimë ku realizova rolin tim të parë, - më zgjon Beni. Biçikleta më del nga mendja. Epo u fut makina në lojë. Për ndonjë ZIS bëhej fjalë me siguri. Ndërsa ai vazhdon të më japë informacion:  - Agim Nallbani ishte autor, ndërsa partneri im në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Kam qenë shumë i ri, 16 vjeç kur u përfshiva në trupën amatore të Parkut të Kamionëve. Ishte vitin 1966 dhe sapo kisha nisur punën si elektro-auto. Me këtë pantomimë Parku u paraqit në festivalin e estradave amatore. U befasova nga suksesi i pantomimës dhe i rolit tim si shofer. Madje kur udhëtonim me kamionin e trupës për një shfaqje në Kavajë, unë vendosa timonin e skeçit në anën tjetër të shoferit. Nga jashtë dukej sikur kamioni kishte dy timonë. Njerëzit habiteshin, aq sa një burrë me biçikletë ra në kanal”. Qeshim të dy. Normale... reality show. Por Beni është tip serioz. Nuk qesh lehtë. Duhet të një shkas i fortë të bëjë të vejë buzën në gaz. Kur do të fillonte karriera juaj e vërtetë, e pyes dhe vendos të shkruaj ca gjëra në bllok. Nuk i besoj lehtë kujtesës, sidomos kur kam të bëjë më shifra. “Mirëfilli do të isha aktor në Estradën e Ushtarit. Fillimisht bëra 7 muaj shërbim ushtarak në Ersekë, por më tërhoqi kjo Variete. Në ato vite Estrada e Ushtarit kishte punë jo shaka. Aty ishin mbledhur shumë aktorë të mirë. Ishte Koço Devole, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari, etj”. Ia paske hedhur ushtrisë më duket, i them unë. Nuk mbaje pushkë në vendroje. Rrije civil. “Ç’thua, - ma kthen ai. - Mbanim të veshur uniformën jeshile dhe kapele me yll. Jepnim shfaqe në repartet ushtarake të gjithë Shqipërisë”. E di që jeta ushtarake ka paradokse të çuditshme. I them të më tregojë ndonjë të fortë. Beni ngre supet: “Na qëllonte të shkonin për të dhënë shfaqe në ndonjë pikë të largët ku kishte vetëm 10-12 ushtarë, ndërsa trupa jonë kishte më shumë se 30 veta, aktorë e këngëtarë”, - më thotë. E ç’duhet më shumë për t’ia plasur gazit.
Po Cirku, kujtohem unë. Ai ka luajtur në film. Tek “Cirku në fshat” me regji të Hysen Hakanit. Emrin e personazhit të tij mbase s’e kujton kush, por të partnerit, gjelit “Kopi” kush nuk e mban mend. “Në fakt prirjet e mia ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu kishim një të përbashkët me artin e bukur të cirkut. Unë doja të luaja në skenën e Estradës, por këmbëngulja e Telat Agollit, krijuesit të cirkut shqiptar, më detyroi që të luaja edhe në Cirk edhe në Estradë. Me punë të lodhshme, shumë djersë e pasion arrita të jem i suksesshëm. Në ato vite Cirku shkëlqente”. Ke bërë dhe ca filma, e ngacmoj. “Janë role episodike, - më thotë. - Kam pasur rol tek “Cirku në fshat”, “Odiseja e Tifozëve”, “Përse bien këto daulle”, tek “Estrada në Ekran”, “Kapedani”, “Gjueti e Ndaluar” dhe në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit me regji të Piro Manit. Por kam pasur një rol shumë të mirë dhe tek filmi “Alo tekniku” me regji të Niko Kanxherit, një film që është transmetuar një herë apo dy maksimumi dhe është zhdukur”. E kam parë këtë film, i them, në një nga këto dy rastet që është transmetuar. Beni qesh dhe më tregon një detaj: “Më qëlloi që kisha rolin kryesor tek telekomedia “Alo tekniku”. Kur u bë dhe çaku i fundit i filmit, diku pas teatrit të Operës dhe Baletit, të gjithë erdhën të më përqafonin. Erdhi dhe regjisori Niko Kanxheri dhe pasi më përqafoi më tha me humor: “Kurrë mos ta pafsha bojën, se sa komik je në skenë aq serioz dhe aktor i vështirë je në jetë”.
Në fakt ai ka humor të hollë dhe mund të tregojë plot pasion ngjarje nga jeta e tij. Por thotë se nuk di të tregojë as barsoleta dhe as të bëjë humor pa shkak. “Natyra ime është e tillë që ndryshoj nga Beni i skenës, - më thotë. - Në jetën e përditshme jam njeri serioz, por edhe brenda këtij serioziteti bëj shaka me kripë”.
Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare. Kujton: Skënder Sallakun, Xhemal Myftiun, Vasillaq Vangjelin, Maxhide Picin, Vegim Xhanin, Dario Llukaçin, Enver Dautin e mikun më të ngushtë Skënder Plasarin. Por thotë se ka pasur fatin që të luajë në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal Popi dhe më pas me Melpomeni Çobanin. Ndërsa në Cirk, partneri i tij kryesor ka qenë mjeshtër i kllounatës akrobatike, Met Selimi.
Iku koha e diktaturës i them, erdhi demokracia. Ia shkrepe ndonjë çikë? “Për pasionin që kisha për artin e humorit dhe kryesisht për fëmijët, krijova një firmë me veprimtari artistike me qëllim që të krijoja Teatrin e Varietesë për fëmijë. Doja shumë që ata që kishin talent t’i edukoja me disa disiplina: këngë, kërcim, aktrim. Garancinë profesionale e kisha, por eksperiencën administrative ekonomike nuk e njihja fare dhe kështu që dështova. Për hir të pasionit dhe të një ëndrre shkatërrova gjithçka. Madje shita dhe shtëpinë. Kjo ishte arsyeja që unë u detyrova të emigroja. Është një peng i madh për mua”. Edhe po t’i thosha se një i afërmi im e la shtëpinë te ‘piramidat’ nuk do ta ngushëlloja dot. Hoqa dorë.
Për 15 vite me radhë ai gjeti prehje shpirtërore dhe materiale përtej kufirit. Ishte veç një emigrant, që arriti të thyejë konceptin grek ndaj shqiptarëve dhe gjithsesi të bënte jetën e një piktori në mërgim. “Unë, gruaja dhe nëna jetuam 15-vjet në Greqi, ndërsa fëmijët vazhdojnë të punojnë atje. Jetova në Lutraki, 80 km larg Athinës, një qytezë bregdetare turistike e banorë të respektueshëm”. Mos më thuaj që si shqiptarët e tjerë dhe ti dije të bëje gjithçka. “Në fakt më gënjente mendja se do të aktivizohesha si aktor komik por ëndrra dhe pasioni u venitën shpejt. Në Greqi kam punuar kryesisht si piktor, meqenëse ky art është pasioni im i dytë. U licencova si i tillë, madje për 4-vjet punova si piktor i lirë e kam shitur dhe punë në telajo”. Tek më sqaron raportet e tij me pikturën, thotë se në mendjen e tij gjithçka e përjetuar kthehet si një vizatim magjik, me laps a me penel qoftë. Ke kapur ndonjë kishë më duket se atje bëhen para, e qukis unë. “Jam marrë me reklamat e lokaleve, ndaj mësova greqishten me gramatikë, - më thotë ai. E pastaj shton buzagaz: - Tani dhe ndonjë shtëpi kam lyer, si bojaxhi, se paguanin mirë. Por sukses të madh kam pasur me disa lokale që i kam pikturuar nga të katër anët”. Por duket se kriza në ekonominë greke bëri që edhe Arben Shaka, si shumë shqiptarë të tjerë të kthehej në vendlindje. “U detyrova të vij përsëri në Tiranë, në një shtëpi me qira, - sqaroi ai. - ose thënë ndryshe: emigrant në vendin tim të lindjes”.
Ngrihem të iki. Epo mbyllje më të trishtueshme nuk kishte për një njeri të humorit. Kafen po e kisha pirë. Mbusha dhe ca faqe me shënime. Do të të ndjek në televizor, i them. “Edhe unë do të të ndjek, - ma kthen ai, - ...në facebook”.

Postuar në ResPublica më 13 Shtator, 2014



Friday, August 25, 2017

Pak fjalë për Arlindën

Arlinda Canaj dhe Leonard Veizi 
nga Leonard Veizi 

"Jam duke kryqëzuar gishtat për ty! Do Zoti dhe fiton. Arlinda". Mesazhi qëndron aty prej vitesh, si një dëshmitar i harruar në një nga skutat e largëta të celularit. Megjithatë unë nuk e kam fshirë. Ishte dikush që lutej për mua, të fitoja në një konkurim..., dhe kaq. Vetëm dy fjali, por në sinergjinë e përhershme të saj ato vinin deri tek unë me po të njëjtën shtysë. I njëjti mesazh në një kohë tjetër do të më dukej relike, por sot ndodhi e kundërta, më ngjasonte me një qënie plot jetë.
Ndërsa Arlinda nuk ështe më.
Ajo e la këtë botë për të shkuar diku tjetër, ndoshta më të mirë se kjo ku ne që vazhdojmë të jetojmë, kërkojmë të ikim, por thjesht, për arësye burokratike nuk na është dhënë viza ende.
Lajmërimi përmes internetit, se Arlinda Canaj nuk ishte më mes nesh, duket si një lojë fjalësh, si shaka pa vend a si një virus elektronik që kërkon të shkatërrojë një sistem të ngritur paqësisht, mes një emri, një fotoje dhe një jetëshkrimi të kompozuar si me magji. “Arlinda ndërroi jetë”.
Togfjalëshi nuk ka vend aty. Sepse qoftë dhe një presje e gabuar, e shpërfytyron krejt kompozimin. “...ndërroi jetë...”
Kaq e thjeshtë qenka?
Me sa duket...
Arlinda kishte ende për të dhënë nga shpirti i saj, në gazetë a portal, në krijimtarinë artistike, e padyshim si nënë më shumë se të gjitha këto... E si mund të largohej në këtë mënyrë, duke i braktisur të gjitha. Por ajo iku, ndoshta e mërzitur nga kjo botë, ashtu si shumë nga ne. E la jetën e zhurmshme të metropolit, aty ku boritë e makinave dhe vetë gazi sulfurik të marrin frymës, aty ku vlerat dhe antivlerat bashkëjetojnë në një rreth vicioz, e ku paratë vlejnë më shumë se vetë dinjiteti njerëzor. Thjesht iku. Shkoi në një vend më të paqtë. Aty ku energjisë së saj pozitive nuk i vendosin barriera, dyer të blinduara, dhe as ndonjë banderolë me simbolet e refuzimit. Ajo iku, apo siç thuhet ndryshe: ndërroi jetë. Sepse në këtë dimension, a në një dimension tjetër padyshim, qënësia e saj pa frymëmarrje do të jetë e pranishme a e kudondodhur.
Arlindën e njihja prej vitesh, që nga koha kur punonte në Radio-Tirana. Bashkëbisedimi i fundit ishte në postën elektronike “Më pëlqejnë shumë këto shkrimet e tua te ‘Konica’. I lexoj gjithmonë. Urime”. Dhe ajo çfarë ka mbetur së fundmi nga Arlinda për mua, është kjo fotografi e bërë pas përurimit të romanit të saj “Ankth Virgjëreshe”, dhe fjalët e shkruara menjëherë pas urimit tim: “Shumë faleminderit o Nardi. Rrofsh!”.
Arlinda iku nga kjo jetë.
Lamtumirë...


Thursday, August 24, 2017

Krijimtari

GRAHMA E SHPIRTIT TË MJEGULLT  
novela

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Artur Peçi
Botuar: Toena, 1997
ISBN: 1312323525552 
Faqe 141 
NGREHINA E PËRHUMBJES

tregime

Autor: Leonard Veizi
Redaktor Artur Peçi
Botuar: Toena, 1999

ISBN: 132208833453523
Faqe 104 
TRENI I FUNDIT I METROSË

tregime

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
OMSCA-1
Viti i botimit: 2006
Faqe: 152
ISBN:978-99927-52-74-6
I DËNUAR ME VDEKJEN

tregime

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Zimo Krutaj
Botuar: Logoreci, 2006
Të dhëna fizike
Faqe 142

ISBN: 99943-869-9-9
SUPRIZA E NATËS SË FUNDIT

roman

Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Kliton Nesturi
Botuesi: BOTA SHQIPTARE
ISBN: 987-99956-11-23-1

Faqe: 186


RRËFIMI

roman 

Autori: Leonard Veizi
Redaktor: Klejda Plangarica
Botuesi: BOTA SHQIPTARE
ISBN: 987-99956-11-61-3

Faqe: 188

Në librin “Rrëfimi”, Leonard Veizi paraqitet në një shkallë më të lartë të rrëfimit duke depërtuar shumë thellë në psikologjinë dhe patologjinë e personazheve të tij, pavarësisht “ndikimeve” të rrymave të ndryshme psikologjike.



I ÇMENDURI I PAVIONIT 3

roman

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Botuesi: OMSCA-1
ISBN: 978-9928-132-08-6
Faqe: 288
Viti i botimit: 2012

Autori me romanin "I çmenduri i pavionit 3", dëshmon për rritjen e tij artistike, duke na dhënë profilin e një romancieri me të ardhme. Origjinaliteti i rrëfimit dhe befasia e ngjarjeve që zhvillohen në roman, e bëjnë këtë libër të lexohet shpejt dhe me kënaqësi.

ORGJI NË FAMULLINË E AT LUDOVIKUT

roman

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Botuesi: OMSCA-1
Faqe: 260
Viti i botimit: 2013

Një roman ku ndërthuret trilleri me psikologjinë, jeta moderne dhe provincialiteti, engjëjt dhe djajtë. “Orgji në famullinë e at Ludovikut” është një vepër komplete, krejtësisht e shtrirë në plan universal. 


LORA

roman

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Loredan Bubani
Botuesi: OMSCA-1
ISBN: 978-9928-132-57-4
Faqe: 340

Viti i botimit: 2015

Eshtë një roman me temë shoqërore ku spikatin ngjarje dhe karaktere të forta që të mbeten në kujtesë. Pavarësisht se ngjarjet e romanit zhvillohen në një hapësirë të gjerë, ku përfshihen disa shtete, ato reflektojnë jetën shqiptare në të gjitha përmasat e saj.

RRËNIMI

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: 
Botuesi: Buzuku
ISBN: 978-9951-081-
Faqe: 320

Viti i botimit: 2018


Mund të konsiderohet dhe si një tornado letrare. Shkrimtari i njohur Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.

Ngrehina e një shteti që gërryhet çdo ditë nga korrupsioni, trafiqet e paligjshme dhe politikat e mbrapshta. Kjo është në themelin e këtij romani të cilën shtëpia botuese “Buzuku” sapo e ka hedhur në qarkullim.

Karaktere të gdhendura deri në imtësi, egoistë të shfrenuar, prapaskena dhe porosi për ekzekutime mafioze. Këto, dhe të tjera më shumë se kaq, na vijnë në faqet e romanit “Rrënimi”, në formën e një reviste, ku gjatë shfletimit mund të shohësh si në fotografi të stampuara, të gjithë tranzicionin e shëmtuar që shqiptarët përjetojnë prej vitesh.



DEPRESIONI BLU

Autor: Leonard Veizi
Redaktor: Orjona Tresa 
Botuesi: M&B
ISBN: 978-9928-307-62-0
Faqe: 512

Viti i botimit: 2020

Sarkazma për ‘katandisjen’ e nivelit të politikës në vend ose bëmat e baballarëve të kombit, vijnë para lexuesit me humor të hollë, qesëndisje elegante, e të ndërthurur këndshëm, për aq sa duhet, me një fjalor “banal”, që i jep lezetin një gatimi mbresëlënës, ku shija “djegëse” është qershiza mbi tortë.... Udhëtimi i Veizit në jetën e shqiptarit është pa as më të voglin dyshim tre dimensionalësh, duke fshikulluar demagogjinë qeverisëse, apo elitën drejtuese, thelbin e mendësive tona e deri në transformimet urbane e bjerrjen e vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Autori në këtë zinxhir publicistikash nuk mbetet thjesht e vetëm në stadin e konstatimit, por mjeshtërisht parashtron vëzhguesin e vëmendshëm edhe në detaje që ndodhin para syve tanë, por që i anashkalojmë me apo pa ndërgjegje.

Wednesday, August 23, 2017

Inflacion VIP-ash, me “zogj”, kallashnikovë e kobure në brez


Nga Leonard Veizi




Ma hëngri shpirtin kjo puna e VIP-ave. Dhe në Shqipëri ne kemi jo pak të tillë.
Realisht VIP-a apo të fabrikuar si të tillë, për këtë çështje vështirë të japë zgjidhje edhe gjyqi i Hagës.
Nja 30 vite më parë, a ndoshta 25, s'më kujtohet mirë, kur u ndesha më këtë sentencë hyjnore që m’u duk si kriptogram a fjalëkryq pa zgjidhje, bëra si bëra dhe pyeta ca me takt që të mos dukesha nul fare.
-Çfarë do të thotë VIP?
-Very Important Person.
-Ç’a thu ore??? 
-Ja atë që thashë. Mos të duket pak.
-Demek... - bëra unë sikur kuptova.
-Po ore po.
Ende s'po i bija në të. Se doja të isha i qartë deri në fund. Pa ekuivoke.
-Në shqip si përkthehet, mor aman, se unë kam bërë rusisht në shkollë?
-Person Shumë i Rëndësishëm, or plak.
"Or plak". Hajde terminologji hajde. Ta mbushte shpirtin.
Ç’është e vërteta në atë kohë isha djalë i ri, por më pëlqente ky zhargon urban. Më shumë më pëlqente të më thërrisnin “profesor”. Më kishte qëlluar nja dy herë. Imagjino, 21 vjeç dhe "profesor". Se ishte bërë dhe si punë modë, jo për gjë. Por ja që planet m’u prishën. Kishte hyrë VIP-i në mes. Nga t'ia mbaje.
-Po cilët na qenkan këta VIP-a?
-Si me ta shpjegu unë ty: Elvis Presli, ose Majkëll Xhekson për shembull. Ose ndonjë futbollist si Maradona.
-E çfarë kanë këta për të qenë VIP-a?
-Shumë para, shumë famë, shumë femra... domethënë të gjitha me “shumë”.
-Po ndonjë tjetër, se sikur s’po më mbushet mendja?
-Kenedi... 
-Ëhë... - u kujtova unë.
-Edhe Merilin Monro, e njeh?
Truri më punonte me xhiro të shpejta. 
-Asaj që i ngrihej fustani përpjetë.
-Fiks.
-Edhe kjo ka pasur shumë para?
-Nuk ia kam parë llogarinë bankare, por sa për famë...
-E kuptova.
Ca vite më vonë ia arrita të dëgjoja se edhe unë isha futur në radhën e VIP-ave.
-E Nardo, je bo VIP fare, të pash mbrëmë në televizor.
Ia hodha, thashë me vete. Po dola dhe nja dy-tre herë të tjera në ekran u vulos kjo punë. Sa u mata ta ftoja tjetrin për një birrë, se më bëri goxha nder, u kujtova se nuk kisha marrë rrogën prej dy muajsh. Një çikë ngushtë për të qenë VIP, por si të gjithë, fillimet janë të vështira. Më pas do rregullohesha. U mjaftova me një faleminderit dhe u justifikova se më duhet të shpejtoja për një takim të rëndësishëm. Një ditë tjetër më erdhi një ftesë e papritur nga një tavolinë me fytyra të njohura:
-Profesor Nardi, eja ta pimë një kafe, apo ju VIP-at nuk uleni me ne Popullin e Thjeshtë.
Epo ky e meritonte vërtet një birrë. Edhe “profesor” edhe “VIP”. Etiketim më të plotë nuk kisha ku gjeja. U ula. Pagova dhe tavolinën se për shans, një nga rrogat e vonuara ma kishin likuiduar ata të financës. Në fund të fundit VIP-it i takonte të paguante e t’i linte ndonjë qindarkë bakshish edhe kamerierit.
Ujërat rrjedhin, bashkë me kohën kuptohet. Formacioni i VIP-ave zgjerohej. Tani më duket se ka shkuar në kufijtë e të pamundurës. Do kapërcejë dhe klonin me siguri.
Mizëri VIP-ash.
Këto ditë të nxehta vere, aty në kafen e përditshme, i hedh ndonjë sy gazetave, ku më së shumti gëlojnë faqet me bluetooth.... VIP-i në skenë me mikrofon në gojë. VIP-ja në plazh me bikini. VIP-es i duket “zogu”. VIP-i me kallashnikov në dorë e kobure në brez.
Këta janë VIP-a o të keqen.
Inflacion.
-Pse ore kaq shumë VIP-a kemi ne në Shqipëri?
Pyetja nuk mbetet asnjëherë pa përgjigje.
-Vallahi-bilahi, sa të dush kina. Nji ku ke 12 revista, të gjitha me surrate femnash. Të gjitha VIP-e janë. Ça kujton ti?!
Ndalem të shoh portretet e retushuara me kozmetikë e photoshop. Nuk dua të merrem me thashetheme, por nuk duroj dot.
-Po kjo çne në radhën e VIP-ave?
-Si ore “çne”, ajo është hata fare, ta shohësh me brekë plazhi të ikën mendja fare. Jarebi ta shohësh pa gjë fare...
-Ore para ca vitesh, kjo dhe motrat e saj nuk ia dilnin në vishnin as brekë të zakonshme, se ishin nja dhjetë frymë në shtëpi...
-E o derbardhë mos u bëj trap dhe ti, këtu qëndron sekreti. Po dole një herë pa brekë ia hodhe bythës. Ngjitesh në skenë dhe s’ka nevojë as të flasësh, e as të këndosh. Të kap dhe kamera nga poshtë dhe tak-fak bëhesh VIP. Pastaj thuaj sa të duash ti: s’kishte brekë të vishte.
-Ke të drejtë, s’më kishte shkuar në mendje hiç... Pa brekë është dhe moda...
E ja kështu vajti kjo punë.
-Hajde VIP hajde, kishe nxjerrë një roman të ri më thanë.
Këtë herë nuk më pëlqeu fare etiketimi.
-Po çne unë VIP, edhe librin ma sponsorizuan se këto kohë jam pa punë, - ia kthej.
-Mos e vrit mendjen shumë, kush nuk e merr në punë një VIP si ty...
-Rrofsh or mik. Më lehtësove.
Ja, mendova me vete, kësaj i thonë ta kapësh veten, e të jesh në një hap me Amerikën.  Për djall m’u kujtua sërish Kenedi, Maradona, Elvis Presli e Merilin Monro...



Postuar nga:

Friday, August 18, 2017

Paolo Foresti: Në bordin e një anije luftarake italiane, përfundova marrëveshjet me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës.

Diplomati italian në Tiranë, rrëfen punën 5-vjeçare në krye të ambasadës:

“U angazhova të lehtësoja dialogu politik të Brukselit me Tiranën. Në bordin e një anije luftarake italiane, përfundova marrëveshjet me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës. Kryeministrit Prodi i kërkova të më besonte, përndryshe do të jepja dorëheqjen. Qeveria Fino doli nga zyra ime, Nano më dha një titull nderi”

nga Leonard Veizi

Përballja me tokën shqiptare, tek zbriste nga bordi i një avioni boing me ballinën jeshile të shoqërisë “Alitalia”, mund të mos ishte fort mbresëlënës. Pista e pamjaftueshme e krejt e qetë, kulla e vogël e aeroportit dhe vetë rruga e ngushtë që lidhte terminalin me kryeqytetin, tregonin se vendi, i cili ndahej në kufi vetëm nga një ngushticë prej 70 miljesh det, ishte krejt i largët. Pesë vite më vonë teksa të njëjtën rrugë e bënte në kthim, me shkresat në valixhen e vogël diplomatike ku thuhej se misioni i tij kishte përfunduar me sukses, dhe malli për vendin e sapolënë nisi nga çasti kur avioni bardhë me vizën jeshile tej e tej dhe me një stemë të kuqen në bisht, mori lartësinë për të krijuar distancën e ankthshme me pistën e pamjaftueshme e terminalin modest në anën e majtë të tij...

...Ai e “braktisi” projektin aq shumë të rëndësishëm me Brukselin ku kryesonte delegacionin italian pranë Bashkimit të Europës Perëndimore. Në Tiranën fqinje e prisnin zyrtarët e ambasadës ku sapo ishte emëruar. Shtetarët e rinj dhe krerët e tjerë të politikës kërkonin të dinin se çfarë përfaqësuesi kishte sjellë Italia në rokadën e fundit, vendi i  cili jo shumë kohë më parë pati aplikuar dhe një mision ndihmash humanitare për Shqipërinë kaotike, nën emrin e koduar “Pelikan”. Vendi dukej miqësor. Njerëzit që kishin dalë nga komunizmi po mundoheshin të ndërtonin një demokraci hibride. U duhej asistencë medoemos. Dhe nuk duhej shumë kohë, që zyra e tij si kryediplomat i ambasadës, të kthehej në një rezidencë bisedimesh të rëndësishme, ku merrnin udhë të gjitha ato që nuk gjenin zgjidhje në selitë e partive apo zyrat e larta të shtetit. Paolo Foresti, diplomati 71 vjeçar që erdhi nga Roma në Tiranë, rrëfen për gazetën “Shekulli” punën e tij pesëvjeçare si ambasador i Italisë në Shqipëri, ku padyshim periudha më e vështirë ka qenë ajo e vitit të trazuar 1997. Ishin ditët kur ai vetë do të udhëtonte me helikopterë të mitraluar për të zbarkuar në një fregatë të flotës italiane, i vetmi vend neutral ku mund të bisedohej për armëpushimin mes shqiptarëve.

Si e pritët emërimin si ambasador në një vend të vogël si Shqipëria?
Aso kohe isha specialist në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Prej vitesh punoja me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të tjera ndërkombëtare madje, sapo kisha marrë detyrën e Përfaqësuesit të Përhershëm në Këshillin e Europës. Kur ministri i Jashtëm Emilio Colombo më thirri për të më njoftuar se Qeveria, me propozimin e tij, kishte vendosur emërimin tim si ambasador në Tiranë, u mërzita shumë. Është e vërtet që me nxitjen e Presidentit Cossiga kisha qenë ndër realizuesit e misionit “Pelikan” në Shqipëri, por kurrë nuk e mendoja një detyrë në një fushë dypalëshe. Colombo më parashtroi faktin se, për shkak të gjendjes së vështirë në Shqipëri dhe të rolit impenjativ të Italisë, unë isha i vetmi diplomat për të cilin Qeveria ishte shprehur në mënyrë unanime në ngarkimin me këtë detyrë. Kundrejt protestave të mia këmbëngulëse, Ministri më tha (kështu thuhet në këto raste, mendova, kur duhet zbutur shija e ilaçit për t’u gëlltitur!) që kisha të drejtën ta refuzoja, por në atë rast, do të bëja një gabim të rëndë në vlerësimin e kësaj detyre dhe shtoi: “Një ditë do ta kujtosh këtë çast dhe do të na jesh mirënjohës për misionin që të ngarkuam”.

Ia vlejti vërtet ky propozim dhe vetë misioni?
Ka qenë një detyrë shteruese e vështirë, tepër impenjitave, totalizuese. Por nëse qëndron fakti që shpërblimi është së paku në të njëjtën masë me vështirësitë që kapërcehen, unë nuk mund të ankohem. Ka qenë përvoja profesionale dhe njerëzore më ekzaltuese e jetës sime, e vetmja dhe e papërsëritshme. Më bëri të njoh dhe të dua një Vend dhe një popull, që përmes vuajtjeve dhe shpresave të tyre më hynë në shpirt dhe më bënë një njeri të tyrin. Në vijim të kësaj përvoje, edhe pse kisha marrë emërimin e Kryetarit të Misionit Italian në Bruksel, pranë Bashkimit të Europës Perëndimore, e kuptova se një cikël i jetës sime ishte mbyllur sakaq dhe më duhej të hapja një faqe tjetër. Kjo bindje m’u përforcua edhe nga sulmet e disa elementëve ekstremistë të politikës italiane dhe të disa organeve të informacionit, të cilat, sikurse kishte ndodhur në Shqipëri në ditët tragjike të pranverës së 1997, u rrekën të më përfshinin në kurthe të pabesa e në ngjarje të turbullta, prej të cilave kam dalë gjithnjë i papërlyer dhe me kryet lart.

Cila ishte gjendja në Shqipëri, më 1993, me ardhjen tuaj?
Në fillimet e 1993 Shqipëria ishte e shkatërruar, por shqiptarët shihnin drejt së ardhmes me besim, e përjetonin ngrohtësinë e atyre që i kishin ndihmuar dhe e ndjenin daljen nga izolimi në të cilin kishin qenë të dënuar nga një diktaturë mizore dhe obskurantiste prej gati gjysmë shekulli. Kujtoj nga ajo kohë, një popull të sfilitur, pa ushqim, pa punë dhe që i duhej të ribënte gjithçka. Por kujtoj dhe forcën e vullnetit, dëshirën për të riafirmuar dinjitetin të atyre njerëzve, që kishin nevojë për gjithçka. Mbaj mend që për orë të tëra mungonte uji dhe energjia elektrike, gjë që krijonte jo pak probleme; e megjithatë njerëzve nuk u mungonte siguria dhe bindja se po shkonin drejt një stine të re. Artistët nuk kishin për të ngrënë, u mungonin mjetet për të zhvilluar veprimtarinë e tyre, por megjithatë, e gjenin mënyrën për të shprehur vetveten edhe në ato kushte. Ato kohë kam njohur të madhin Kel Kodheli në një Galeri të errët Kombëtare të Ekspozitave; kur e pyeta nëse mund të bëja ndonjë gjë për të, më tha pa hezituar - ai që mezi siguronte diçka për të ngrënë - se i nevojiteshin penelë, ngjyra, pëlhurë për pikturat e tij. Kujtoj emocionin e madh në Teatrin e Operas, kur u shuan dritat në sallë dhe sopranoja vazhdoi të këndojë deri në fund, pa orkestër! Po vinte një agim i ri që do ta rivendoste Shqipërinë në Europë dhe në botë.

A e gjetën shqiptarët atë që mendonin se do gjenin përtej kufijve?
Në fakt qe i madh zhgënjimi i banorëve të Vendit të Vogël të Shqiponjave, kur konstatuan se kufijtë, - pas dhjetëra vitesh mbylljeje nga brenda - ishin hapur për t’u mbyllur menjëherë nga jashtë. Ishte e vështirë ta kuptoje dhe akoma më e vështirë ta shpjegoje. Duhej kohë dhe koha, siç thuhet, do të duhej të ishte e duruar dhe zemërgjerë.

Cila ka qenë ndihma që shteti italian i dha Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Qe një ndihmë bujare dhe e konsiderueshme. Në mënyrë absolute, ka qenë ndihma më e rëndësishme e ofruar nga bashkësia ndërkombëtare. Mbështetja e Italisë ka qenë thelbësore dhe e vazhdueshme në të gjitha zhvillimet shqiptare në këto 20 vitet e fundit: nga NATO në Bashkimin Europian, nga ndihma ekonomike në atë shoqërore, të sigurimit ushtarak. Në fakt, nuk ka fushë në Shqipërinë e re që nuk ka përftuar ndihmën italiane. Por dua të theksoj se ndihmat italiane, edhe ato më specifiket, dypalëshe, kanë qenë gjithnjë të inkuadruara në një perspektivë europiane, për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të marrë një rol të sajin ndërgjegjësues në Europë, në radhë të parë si vend anëtar i Bashkimit Europian dhe në botë, në kuadrin e një bashkëpunimi ndërkombëtar në rritje.

Sipërmarrësit italianë kishin interesa për të investuar në Shqipëri?
Sigurisht, shumë investime dhe janë bërë, disa syresh madhore, të tjerat, më pak. Të mos harrojmë se investimet, sidomos ato që bëhen jashtë vendit, që të realizohen dhe të jenë të frytshme, kërkojnë struktura publike dhe infrasktura funksionale në kuadrin e një sigurie të së drejtës. Natyrisht, kushte të tilla në një vend si Shqipëria, e dalë nga një diktaturë sa perverse aq dhe reaksionare, kërkojnë impenjim të madh dhe kohë jo të shkurtër për t’u realizuar.

Ishin vite të një trafiku të madh klandestinësh shqiptarë drejt brigjeve italiane. Cilat qenë masat që i dhanë fund këtij trafiku?
Trafiku klandestin, si veprimtari kriminale dhe fenomen i skllavërisë moderne duhej asgjësuar në mënyrë absolute. Kështu ndodhi falë dhe një sërë nismash bashkëpunimi midis vendeve tona që arriti pikën kulmore në përfundimin e marrëveshjes së ripranimit - e para në kuptimin absolut - e hartuar nga Italia, në kohën kur Presidenti Napolitano ishte Ministër i Brendshëm. Dua të saktësoj se në emigracionin klandestin përfshihen ngjarje të rëndësishme njerëzore, të cilat nuk mund të mos merren parasysh. Për këtë arsye, krahas kundërshtimit të kriminalitetit, u zgjeruan dhe u thjeshtëzuan masat për lëshimin e vizave të rregullta derisa u arrit - kur Bashkimi Europian e bëri të mundur - në heqjen e vizave. Sot bashkësi të rëndësishme shqiptare janë të pranishme dhe të njohura në Itali, në gjurmët e një historie që, pa shkuar larg, në epokën iliro-romake, ka njohur në shekuj prani domethënëse komunitetesh të të dy vendeve në territoret përkatëse.

Viti i trazuar 1997 Ju gjeti në vendin tonë, cili qe roli i Italisë në zbutjen e krizës shqiptare?
Roli i Italisë ka qenë themelor. Mund të themi se kemi shmangur shndërrimin e ndeshjeve tronditëse të atyre ditëve, në një luftë të përgjakshme civile. Mendoj se nuk ka ardhur ende çasti të flitet me qetësi për atë periudhë, por mund të pohoj me ndërgjegje të plotë se, pa veprimin tonë të durueshëm dhe të vendosur, nuk do të ishte arritur - në qershor të 1997 - në zhvillimin paqësor të zgjedhjeve. Jam i sigurt se një ditë jo të largët, studiues shqiptarë dhe italianë, duke mbledhur dëshmitë e shumë protagonistëve të atyre ngjarjeve, do të japin ndihmesën e tyre në qartësimin e një momenti tepër të trazuar të historisë shqiptare të kohëve të fundit.

Si u përgatit vizita e kryeministrit italian Romano Prodi në Vlorë në periudhën e trazirave të vitit 1997?
Të gjithë me siguri i mbani mend marrëveshjet që përfundova me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës, në bordin e një anije ushtarake italiane në gjirin përballë portit të qytetit. Kjo qe pikënisja, të tjerat janë histori ende për t’u shkruar. Qenë të shumtë ata që, në të mirë e në të keq, sikurse dhe gjatë gjithë asaj periudhe të trazuar, u përpoqën të luajnë - brenda dhe jashtë Shqipërisë - një rol jo gjithnjë të qartë, transparent dhe konstruktiv. Tani për tani mund të them lidhur me zhvillimin dhe organizimin e asaj vizite - kaq delikate dhe e rëndësishme ishte - se mbërrita deri aty sa i deklarova Kryeministrit Prodi se isha gati ta lija detyrën, në rast se të tjerë do të vazhdonin të mbanin qëndrime të papranueshme ndaj meje ose, më keq akoma, në kundërshtim me punën time.


Politikanët shqiptarë, nuk takoheshin në Parlament, por në zyrën time
Në këtë intervistë të tij për gazetën “Shekulli”, diplomati Paolo Foresti flet dhe për marrëdhëniet e tij me politikanët e të gjithë spektrit shqiptar: Ai thotë: “Marrëdhënia ime me politikanët shqiptarë ishte karakterizuar nga një marrëdhënie e bazuar në besueshmëri dhe transparencë dhe, kur qe e mundur, edhe miqësore. Që në fillim të misionit, në rezidencën time takoheshin përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare edhe kur (ata) nuk takoheshin në Parlament. U bëra thirrje me sukses të gjitha forcave politike italiane, edhe eksponentëve të Parlamentit Europian, me të cilët kisha lidhje të mira, të nisnin bashkëpunimin me forcat përkatëse shqiptare, me qëllim që të lehtësohej dialogu politik, si ai i brendshëm dhe i jashtëm. Ky aksion i imi shkoi shumë më tej veprimtarisë diplomatike, aq sa në janar të vitit 2003, m’u dha - në një ceremoni ku ishin të pranishëm eksponentë politikë shqiptarë të të gjitha tendencave - diploma Honoris Causa, nga Universiteti i Shkodrës, me propozim të Qeverisë së Fatos Nanos. Nga ana tjetër, nuk besoj se është i fshehtë fakti që më 1997, përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare u mblodhën në rezidencën time, për të hartuar marrëveshjen që çoi në formimin e Qeverisë Fino. Edhe sot e kësaj dite ndihem i nderuar që kam - ndër miqtë e shumtë shqiptarë - mjaft eksponentë të rëndësishëm të forcave kryesore politike të Vendit.


Europa, afër dhe larg
Izolimi e ka mbajtur larg Shqipërinë nga pjesa tjetër e Evropës. Por duket se pas përpjekjeve 20 vjeçare, politika sot, edhe pse e ka afruar më shumë, sërish nuk arrin ta bëje Shqipërinë pjesë të saj, për të përmbushur ëndrrën popullore të viteve 1990-1992  kur shqiptarët që rrekeshin të dilnin nga diktatura hidhnin parrullën: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Duke folur për mundësinë shqiptare të të qenit pjesë e Bashkimit Evropian, Paolo Foresti thotë se pikërisht disa nga përplasjet mes forcave politike duke qenë se janë shumë të forta e kanë dëmtuar disi imazhin e vendit. “Por nuk duhet harruar që në vitet 1991-1992 Shqipëria dilte nga një diktaturë e gjatë, që e kishte izoluar vendin tuaj nga Europa. Kanë kaluar vite e janë bërë përpjekje të mëdha për modernizimin e vendit, dhe shumë të tjera do të bëhen më pas, ndaj unë mendoj se duhet ta shohim me shpresë të ardhmen”


Politika shërben për të ndërtuar demokracinë
“Mendoj se politika është e nevojshme, e domosdoshme, por në të njëjtën kohë është e komplikuar dhe në disa raste e pisët. Por politika shërben për të ndërtuar demokracinë”. Këtij citimi, diplomatit Foresti i shton dhe një citim mbështetës të Çurçillit i cili ka thënë: “Unë kam njohur shumë sisteme qeverisje, por demokracia më duket më e mira ndër to”. Në jetëshkrimin e Paolo Forestit thuhet se ai u lind në Romë në 23 shtator 1942. Në 1964 u diplomua gjithashtu në Romë, për diplomaci. Njihet si specialist në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Për shumë vite ka punuar me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të tjera ndërkombëtare madje.



Botuar në gazetën SHEKULLI në 5 maj 2013