Friday, August 18, 2017

Paolo Foresti: Në bordin e një anije luftarake italiane, përfundova marrëveshjet me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës.

Diplomati italian në Tiranë, rrëfen punën 5-vjeçare në krye të ambasadës:

“U angazhova të lehtësoja dialogu politik të Brukselit me Tiranën. Në bordin e një anije luftarake italiane, përfundova marrëveshjet me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës. Kryeministrit Prodi i kërkova të më besonte, përndryshe do të jepja dorëheqjen. Qeveria Fino doli nga zyra ime, Nano më dha një titull nderi”

nga Leonard Veizi

Përballja me tokën shqiptare, tek zbriste nga bordi i një avioni boing me ballinën jeshile të shoqërisë “Alitalia”, mund të mos ishte fort mbresëlënës. Pista e pamjaftueshme e krejt e qetë, kulla e vogël e aeroportit dhe vetë rruga e ngushtë që lidhte terminalin me kryeqytetin, tregonin se vendi, i cili ndahej në kufi vetëm nga një ngushticë prej 70 miljesh det, ishte krejt i largët. Pesë vite më vonë teksa të njëjtën rrugë e bënte në kthim, me shkresat në valixhen e vogël diplomatike ku thuhej se misioni i tij kishte përfunduar me sukses, dhe malli për vendin e sapolënë nisi nga çasti kur avioni bardhë me vizën jeshile tej e tej dhe me një stemë të kuqen në bisht, mori lartësinë për të krijuar distancën e ankthshme me pistën e pamjaftueshme e terminalin modest në anën e majtë të tij...

...Ai e “braktisi” projektin aq shumë të rëndësishëm me Brukselin ku kryesonte delegacionin italian pranë Bashkimit të Europës Perëndimore. Në Tiranën fqinje e prisnin zyrtarët e ambasadës ku sapo ishte emëruar. Shtetarët e rinj dhe krerët e tjerë të politikës kërkonin të dinin se çfarë përfaqësuesi kishte sjellë Italia në rokadën e fundit, vendi i  cili jo shumë kohë më parë pati aplikuar dhe një mision ndihmash humanitare për Shqipërinë kaotike, nën emrin e koduar “Pelikan”. Vendi dukej miqësor. Njerëzit që kishin dalë nga komunizmi po mundoheshin të ndërtonin një demokraci hibride. U duhej asistencë medoemos. Dhe nuk duhej shumë kohë, që zyra e tij si kryediplomat i ambasadës, të kthehej në një rezidencë bisedimesh të rëndësishme, ku merrnin udhë të gjitha ato që nuk gjenin zgjidhje në selitë e partive apo zyrat e larta të shtetit. Paolo Foresti, diplomati 71 vjeçar që erdhi nga Roma në Tiranë, rrëfen për gazetën “Shekulli” punën e tij pesëvjeçare si ambasador i Italisë në Shqipëri, ku padyshim periudha më e vështirë ka qenë ajo e vitit të trazuar 1997. Ishin ditët kur ai vetë do të udhëtonte me helikopterë të mitraluar për të zbarkuar në një fregatë të flotës italiane, i vetmi vend neutral ku mund të bisedohej për armëpushimin mes shqiptarëve.

Si e pritët emërimin si ambasador në një vend të vogël si Shqipëria?
Aso kohe isha specialist në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Prej vitesh punoja me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të tjera ndërkombëtare madje, sapo kisha marrë detyrën e Përfaqësuesit të Përhershëm në Këshillin e Europës. Kur ministri i Jashtëm Emilio Colombo më thirri për të më njoftuar se Qeveria, me propozimin e tij, kishte vendosur emërimin tim si ambasador në Tiranë, u mërzita shumë. Është e vërtet që me nxitjen e Presidentit Cossiga kisha qenë ndër realizuesit e misionit “Pelikan” në Shqipëri, por kurrë nuk e mendoja një detyrë në një fushë dypalëshe. Colombo më parashtroi faktin se, për shkak të gjendjes së vështirë në Shqipëri dhe të rolit impenjativ të Italisë, unë isha i vetmi diplomat për të cilin Qeveria ishte shprehur në mënyrë unanime në ngarkimin me këtë detyrë. Kundrejt protestave të mia këmbëngulëse, Ministri më tha (kështu thuhet në këto raste, mendova, kur duhet zbutur shija e ilaçit për t’u gëlltitur!) që kisha të drejtën ta refuzoja, por në atë rast, do të bëja një gabim të rëndë në vlerësimin e kësaj detyre dhe shtoi: “Një ditë do ta kujtosh këtë çast dhe do të na jesh mirënjohës për misionin që të ngarkuam”.

Ia vlejti vërtet ky propozim dhe vetë misioni?
Ka qenë një detyrë shteruese e vështirë, tepër impenjitave, totalizuese. Por nëse qëndron fakti që shpërblimi është së paku në të njëjtën masë me vështirësitë që kapërcehen, unë nuk mund të ankohem. Ka qenë përvoja profesionale dhe njerëzore më ekzaltuese e jetës sime, e vetmja dhe e papërsëritshme. Më bëri të njoh dhe të dua një Vend dhe një popull, që përmes vuajtjeve dhe shpresave të tyre më hynë në shpirt dhe më bënë një njeri të tyrin. Në vijim të kësaj përvoje, edhe pse kisha marrë emërimin e Kryetarit të Misionit Italian në Bruksel, pranë Bashkimit të Europës Perëndimore, e kuptova se një cikël i jetës sime ishte mbyllur sakaq dhe më duhej të hapja një faqe tjetër. Kjo bindje m’u përforcua edhe nga sulmet e disa elementëve ekstremistë të politikës italiane dhe të disa organeve të informacionit, të cilat, sikurse kishte ndodhur në Shqipëri në ditët tragjike të pranverës së 1997, u rrekën të më përfshinin në kurthe të pabesa e në ngjarje të turbullta, prej të cilave kam dalë gjithnjë i papërlyer dhe me kryet lart.

Cila ishte gjendja në Shqipëri, më 1993, me ardhjen tuaj?
Në fillimet e 1993 Shqipëria ishte e shkatërruar, por shqiptarët shihnin drejt së ardhmes me besim, e përjetonin ngrohtësinë e atyre që i kishin ndihmuar dhe e ndjenin daljen nga izolimi në të cilin kishin qenë të dënuar nga një diktaturë mizore dhe obskurantiste prej gati gjysmë shekulli. Kujtoj nga ajo kohë, një popull të sfilitur, pa ushqim, pa punë dhe që i duhej të ribënte gjithçka. Por kujtoj dhe forcën e vullnetit, dëshirën për të riafirmuar dinjitetin të atyre njerëzve, që kishin nevojë për gjithçka. Mbaj mend që për orë të tëra mungonte uji dhe energjia elektrike, gjë që krijonte jo pak probleme; e megjithatë njerëzve nuk u mungonte siguria dhe bindja se po shkonin drejt një stine të re. Artistët nuk kishin për të ngrënë, u mungonin mjetet për të zhvilluar veprimtarinë e tyre, por megjithatë, e gjenin mënyrën për të shprehur vetveten edhe në ato kushte. Ato kohë kam njohur të madhin Kel Kodheli në një Galeri të errët Kombëtare të Ekspozitave; kur e pyeta nëse mund të bëja ndonjë gjë për të, më tha pa hezituar - ai që mezi siguronte diçka për të ngrënë - se i nevojiteshin penelë, ngjyra, pëlhurë për pikturat e tij. Kujtoj emocionin e madh në Teatrin e Operas, kur u shuan dritat në sallë dhe sopranoja vazhdoi të këndojë deri në fund, pa orkestër! Po vinte një agim i ri që do ta rivendoste Shqipërinë në Europë dhe në botë.

A e gjetën shqiptarët atë që mendonin se do gjenin përtej kufijve?
Në fakt qe i madh zhgënjimi i banorëve të Vendit të Vogël të Shqiponjave, kur konstatuan se kufijtë, - pas dhjetëra vitesh mbylljeje nga brenda - ishin hapur për t’u mbyllur menjëherë nga jashtë. Ishte e vështirë ta kuptoje dhe akoma më e vështirë ta shpjegoje. Duhej kohë dhe koha, siç thuhet, do të duhej të ishte e duruar dhe zemërgjerë.

Cila ka qenë ndihma që shteti italian i dha Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Qe një ndihmë bujare dhe e konsiderueshme. Në mënyrë absolute, ka qenë ndihma më e rëndësishme e ofruar nga bashkësia ndërkombëtare. Mbështetja e Italisë ka qenë thelbësore dhe e vazhdueshme në të gjitha zhvillimet shqiptare në këto 20 vitet e fundit: nga NATO në Bashkimin Europian, nga ndihma ekonomike në atë shoqërore, të sigurimit ushtarak. Në fakt, nuk ka fushë në Shqipërinë e re që nuk ka përftuar ndihmën italiane. Por dua të theksoj se ndihmat italiane, edhe ato më specifiket, dypalëshe, kanë qenë gjithnjë të inkuadruara në një perspektivë europiane, për t’i dhënë mundësi Shqipërisë të marrë një rol të sajin ndërgjegjësues në Europë, në radhë të parë si vend anëtar i Bashkimit Europian dhe në botë, në kuadrin e një bashkëpunimi ndërkombëtar në rritje.

Sipërmarrësit italianë kishin interesa për të investuar në Shqipëri?
Sigurisht, shumë investime dhe janë bërë, disa syresh madhore, të tjerat, më pak. Të mos harrojmë se investimet, sidomos ato që bëhen jashtë vendit, që të realizohen dhe të jenë të frytshme, kërkojnë struktura publike dhe infrasktura funksionale në kuadrin e një sigurie të së drejtës. Natyrisht, kushte të tilla në një vend si Shqipëria, e dalë nga një diktaturë sa perverse aq dhe reaksionare, kërkojnë impenjim të madh dhe kohë jo të shkurtër për t’u realizuar.

Ishin vite të një trafiku të madh klandestinësh shqiptarë drejt brigjeve italiane. Cilat qenë masat që i dhanë fund këtij trafiku?
Trafiku klandestin, si veprimtari kriminale dhe fenomen i skllavërisë moderne duhej asgjësuar në mënyrë absolute. Kështu ndodhi falë dhe një sërë nismash bashkëpunimi midis vendeve tona që arriti pikën kulmore në përfundimin e marrëveshjes së ripranimit - e para në kuptimin absolut - e hartuar nga Italia, në kohën kur Presidenti Napolitano ishte Ministër i Brendshëm. Dua të saktësoj se në emigracionin klandestin përfshihen ngjarje të rëndësishme njerëzore, të cilat nuk mund të mos merren parasysh. Për këtë arsye, krahas kundërshtimit të kriminalitetit, u zgjeruan dhe u thjeshtëzuan masat për lëshimin e vizave të rregullta derisa u arrit - kur Bashkimi Europian e bëri të mundur - në heqjen e vizave. Sot bashkësi të rëndësishme shqiptare janë të pranishme dhe të njohura në Itali, në gjurmët e një historie që, pa shkuar larg, në epokën iliro-romake, ka njohur në shekuj prani domethënëse komunitetesh të të dy vendeve në territoret përkatëse.

Viti i trazuar 1997 Ju gjeti në vendin tonë, cili qe roli i Italisë në zbutjen e krizës shqiptare?
Roli i Italisë ka qenë themelor. Mund të themi se kemi shmangur shndërrimin e ndeshjeve tronditëse të atyre ditëve, në një luftë të përgjakshme civile. Mendoj se nuk ka ardhur ende çasti të flitet me qetësi për atë periudhë, por mund të pohoj me ndërgjegje të plotë se, pa veprimin tonë të durueshëm dhe të vendosur, nuk do të ishte arritur - në qershor të 1997 - në zhvillimin paqësor të zgjedhjeve. Jam i sigurt se një ditë jo të largët, studiues shqiptarë dhe italianë, duke mbledhur dëshmitë e shumë protagonistëve të atyre ngjarjeve, do të japin ndihmesën e tyre në qartësimin e një momenti tepër të trazuar të historisë shqiptare të kohëve të fundit.

Si u përgatit vizita e kryeministrit italian Romano Prodi në Vlorë në periudhën e trazirave të vitit 1997?
Të gjithë me siguri i mbani mend marrëveshjet që përfundova me të ashtuquajturit kryengritës të Vlorës, në bordin e një anije ushtarake italiane në gjirin përballë portit të qytetit. Kjo qe pikënisja, të tjerat janë histori ende për t’u shkruar. Qenë të shumtë ata që, në të mirë e në të keq, sikurse dhe gjatë gjithë asaj periudhe të trazuar, u përpoqën të luajnë - brenda dhe jashtë Shqipërisë - një rol jo gjithnjë të qartë, transparent dhe konstruktiv. Tani për tani mund të them lidhur me zhvillimin dhe organizimin e asaj vizite - kaq delikate dhe e rëndësishme ishte - se mbërrita deri aty sa i deklarova Kryeministrit Prodi se isha gati ta lija detyrën, në rast se të tjerë do të vazhdonin të mbanin qëndrime të papranueshme ndaj meje ose, më keq akoma, në kundërshtim me punën time.


Politikanët shqiptarë, nuk takoheshin në Parlament, por në zyrën time
Në këtë intervistë të tij për gazetën “Shekulli”, diplomati Paolo Foresti flet dhe për marrëdhëniet e tij me politikanët e të gjithë spektrit shqiptar: Ai thotë: “Marrëdhënia ime me politikanët shqiptarë ishte karakterizuar nga një marrëdhënie e bazuar në besueshmëri dhe transparencë dhe, kur qe e mundur, edhe miqësore. Që në fillim të misionit, në rezidencën time takoheshin përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare edhe kur (ata) nuk takoheshin në Parlament. U bëra thirrje me sukses të gjitha forcave politike italiane, edhe eksponentëve të Parlamentit Europian, me të cilët kisha lidhje të mira, të nisnin bashkëpunimin me forcat përkatëse shqiptare, me qëllim që të lehtësohej dialogu politik, si ai i brendshëm dhe i jashtëm. Ky aksion i imi shkoi shumë më tej veprimtarisë diplomatike, aq sa në janar të vitit 2003, m’u dha - në një ceremoni ku ishin të pranishëm eksponentë politikë shqiptarë të të gjitha tendencave - diploma Honoris Causa, nga Universiteti i Shkodrës, me propozim të Qeverisë së Fatos Nanos. Nga ana tjetër, nuk besoj se është i fshehtë fakti që më 1997, përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare u mblodhën në rezidencën time, për të hartuar marrëveshjen që çoi në formimin e Qeverisë Fino. Edhe sot e kësaj dite ndihem i nderuar që kam - ndër miqtë e shumtë shqiptarë - mjaft eksponentë të rëndësishëm të forcave kryesore politike të Vendit.


Europa, afër dhe larg
Izolimi e ka mbajtur larg Shqipërinë nga pjesa tjetër e Evropës. Por duket se pas përpjekjeve 20 vjeçare, politika sot, edhe pse e ka afruar më shumë, sërish nuk arrin ta bëje Shqipërinë pjesë të saj, për të përmbushur ëndrrën popullore të viteve 1990-1992  kur shqiptarët që rrekeshin të dilnin nga diktatura hidhnin parrullën: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Duke folur për mundësinë shqiptare të të qenit pjesë e Bashkimit Evropian, Paolo Foresti thotë se pikërisht disa nga përplasjet mes forcave politike duke qenë se janë shumë të forta e kanë dëmtuar disi imazhin e vendit. “Por nuk duhet harruar që në vitet 1991-1992 Shqipëria dilte nga një diktaturë e gjatë, që e kishte izoluar vendin tuaj nga Europa. Kanë kaluar vite e janë bërë përpjekje të mëdha për modernizimin e vendit, dhe shumë të tjera do të bëhen më pas, ndaj unë mendoj se duhet ta shohim me shpresë të ardhmen”


Politika shërben për të ndërtuar demokracinë
“Mendoj se politika është e nevojshme, e domosdoshme, por në të njëjtën kohë është e komplikuar dhe në disa raste e pisët. Por politika shërben për të ndërtuar demokracinë”. Këtij citimi, diplomatit Foresti i shton dhe një citim mbështetës të Çurçillit i cili ka thënë: “Unë kam njohur shumë sisteme qeverisje, por demokracia më duket më e mira ndër to”. Në jetëshkrimin e Paolo Forestit thuhet se ai u lind në Romë në 23 shtator 1942. Në 1964 u diplomua gjithashtu në Romë, për diplomaci. Njihet si specialist në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Për shumë vite ka punuar me Bashkimin Europian, NATO-n dhe organizma të tjera ndërkombëtare madje.



Botuar në gazetën SHEKULLI në 5 maj 2013



No comments:

Post a Comment